VOAL

VOAL

Laura Codruta Kövesi emërohet kryeprokurorja e parë e BE-së

September 25, 2019

Komentet

Ukraina shkatërron dhjetëra dronë rusë

Forcat ukrainase kanë rrëzuar 26 nga 28 dronët e lëshuar gjatë natës nga Rusia, tha ushtria e Kievit të enjten, më 28 mars.

Dronët Shahed, të prodhimit iranian, u shkatërruan në zonat në lindje, jug dhe juglindje të Ukrainës, shtuan Forcat Ajrore ukrainase.

Guvernatori i rajonit të Zaporizhjës tha përmes një postimi në Telegram se dy gra u plagosën pasi copëzat e një droni të shkatërruar ranë në një zonë të banuar në kryeqytetin rajonal.
Dëmtimet në ndërtesat e banimit në qytetin e Harkivit pas sulmeve ruse më 27 mars 2024.

Prokurorët në rajonin lindor të Harkivit raportuan se një restorant, një dyqan dhe disa zyre pësuan dëme nga fragmentet e tre dronëve.

Forcat Ajrore ukrainase thanë po ashtu se Rusia gjatë natës ka kryer sulme me disa lloje raketash, duke mos dhënë më shumë detaje.

Rusia vazhdimisht kryen sulme ajrore ndaj qendrave të populluara, që gjenden larg vijave të frontit, teksa Moska po vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës që nisi në shkurt të vitit 2022.REL

Bujar Osmani: Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës në prill

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka përshëndetur miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, lidhur me pranimin e mundshëm të Kosovës në këtë institucion evropian.

“Kam kënaqësinë të mirëpres vendimin e Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të ftuar Kosovën që të bëhet anëtare. Votimi i suksesshëm ka rezultuar me 31 vota “pro” dhe katër “kundër”,” shkruan Osmani në rrjetin social “X”.

Ai shtoi se uron që sesioni i prillit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të jetë hapi i fundit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në atë institucion evropian.

Republika e Kosovës ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.sn

Tsikhanouskaya: Bjellorusët po përballen me agresionin rus dhe imperializmin

Udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, gjatë intervistës dhënë për REL-in më 25 mars 2024.

Udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, u bëri thirrje bashkëkombësve të saj që të ngrihen dhe të mbrojnë pavarësinë e shtetit të tyre në dritë të asaj që ajo tha se ishte “agresion rus dhe imperializëm”. Komentet e saj vijnë në kohën kur bjellorusët shënojnë Ditën e Lirisë në nder të përvjetorit të Republikës jetëshkurtër Popullore Bjelloruse, që zgjati për më pak se një vit më 1918.

“Ne jemi përballur me agresionin rus dhe imperializmin dhe duhet të qëndrojmë të fortë në mbështetje të pavarësisë së shtetit tonë”, tha Tsikhanouskaya gjatë një interviste dhënë në Pragë më 25 mars për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë.

“Ne duhet ta vazhdojnë me integritet dhe dinjitet punën e nisur nga paraardhësit tanë. Është e domosdoshme që kjo luftë të mos zgjasë pafundësisht, duke lejuar brezit tonë të ruajë pavarësinë dhe sovranitetin tonë”, tha ajo.

Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, që është në pushtet që nga viti 1994, është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ka lejuar përdorimin e territorit bjellorus dhe instilacioneve ushtarake për pushtimin rus të Ukrainës.

Rusia dhe Bjellorusia më 1999 po ashtu krijuan të ashtuquajturin bashkim të shtetit, një trup mbikombëtar i përbërë nga dy shtetet, me synimin e shpallur që eventualisht të dyja shtetet të bashkoheshin. Megjithatë, Lukashenka ka shtyrë zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje.

Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë gjatë zgjedhjeve të gushtit të vitit 2020. Përderisa rezultatet zyrtare ia dhanë Lukashenkas fitoren, opozita dhe shumë qeveri perëndimore dhe organizata thanë se votimet u manipuluan dhe se Tsikhanouskaya, e cila garoi për presidente pasi zuri vendin e burrit të saj pas arrestimit të tij, në fakt kishte fituar zgjedhjet.

Burri i saj, Syarhey Tsikhanouski, u arrestua para zgjedhjeve për t’ia ndaluar atij regjistrimin si kandidat. Ai është dënuar më 2021 me 18 vjet burgim për nxitje të trazirave masive, nxitje të urrejtjes shoqërore, pengim të aktiviteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizim të aktiviteteve për pengim të rendit shoqëror. Të gjitha këto akuza ai dhe mbështetësit e tij i kanë hedhur poshtë dhe i kanë cilësuar si të motivuara politikisht.

Pas zgjedhjeve, Lukashenka shtypi ashpër disidentët dhe shoqërinë civile, duke arrestuar qindra persona dhe duke detyruar shumicën e figurave opozitare të shtetit, përfshirë Tsikhanouskayan, që të largohen nga shteti për shkak të frikës për sigurinë dhe lirinë e tyre.

Tsikhanouskaya po ashtu shprehu mbështetje të fuqishme për Yulia Navalnaya, të venë e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta. Navalnaya është zotuar se do të vazhdojë punën e burrit të saj.

“E kuptoj që ne kemi shumë ngjashmëri. Burri im është i burgosur politik dhe Yulia ka përjetuar një tragjedi”, tha Tsikhanouskaya.

“Ajo është një grua jashtëzakonisht e fortë dhe shpresoj që të mund të bashkojë popullin rreth vetes, veçmas opozitën, në mënyrë që të mos humbë kontaktin me rusët dhe të jetë në gjendje t’iu tregojë se ajo para së gjithash punon për ta”, shtoi ajo.

Tsikhanouskaya tha se do të ishte vitale për opozitën ruse të qartësojë se ata “do të hiqnin dorë nga ambiciet e tyre imperialiste, të respektojnë kufijtë tanë dhe të mbështesin aspiratat tona evropiane”, duke shtuar se ajo beson që Navalnaya “ka potencialin që të arrijë këtë, e mbështetur nga një ekip i fuqishëm, por thelbësore për të është që të krijojë lidhje me popullin”.REL

Zelensky: Rusia duhet ta humbasë këtë luftë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia duhet ta humbasë luftën në Ukrainë, sepse sipas tij, është mënyra e vetme për të mbrojtur jetën e njerëzve.

Përmes një postimi në “X”, Zelensky tha se ukrainasit po e mbrojnë me guxim vendin e tyre.

“Ukrainasit po e mbrojnë me guxim atdheun e tyre dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Rusia duhet ta humbasë këtë luftë. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur me besueshmëri jetën e njerëzve”, ka shkruar presidenti ukrainas.sn

Polonia thotë se Rusia shkeli hapësirën e saj ajrore

Ministria e Jashtme e Polonisë

Rusia shkeli hapësirën ajrore të Polonisë të dielën në orët e para të mëngjesit me një raketë kruz të drejtuar ndaj objektivave në Ukrainën perëndimore, thanë forcat e armatosura të Polonisë.

Rusia lëshoi 57 raketa dhe dronë kundër Ukrainës në orët e hershme, përfshirë një sulm në Kiev dhe rajonin perëndimor të Lvivit pranë kufirit polak.

“Më 24 mars në orën 4:23 të mëngjesit (0323 GMT), ka pasur një shkelje të hapësirës ajrore polake nga një prej raketave kruz me rreze të gjatë veprimi të lëshuara gjatë natës nga aviacioni i Federatës Ruse”, thanë forcat e armatosura polake në platformën e mediave sociale X.

“Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow (Vojvoda e Lublinit) dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, ai po vëzhgohej nga sistemet e radarëve ushtarakë”.

Ministria e Jashtme polake synon të thërrasë ambasadorin rus për sqarime për shkeljen e hapësirës ajrore, tha zëvendësministri i jashtëm Andrzej Szejna për televizionin privat Polsat News.

Polonia i bën thirrje Rusisë “të ndalojë sulmet ajrore terroriste mbi banorët dhe territorin e Ukrainës, t’i japë fund luftës dhe të merret me problemet e brendshme të vendit”, tha zëdhënësi i ministrisë në një deklaratë.

Knaus: Serbia të abstenojë në votimin për Kosovën në KiE, anëtarësimi i saj është i mirë për të gjithë

Gerald Knaus nga European Stability Initiative ka thënë se Serbia duhet ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës për arsye se edhe serbët e Kosovës përfitojnë, por edhe pse është pjesë e marrëveshjes.

Bazuar në marrëveshjen e Ohrit, ai thotë se Serbia s’duhet të pengojë Kosovën dhe s’duhet ta bëjë këtë as përmes dikujt tjetër.

“Beogradi NUK do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, nuk do t’i inkurajojë të tjerët ta bllokojnë atë dhe do të abstenojë në votimin për anëtarësim në maj”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i tij në X.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës është i mirë për të gjithë: Qeveria e Kosovës angazhohet përpara anëtarësimit për reformat e rëndësishme pas anëtarësimit, bazuar në standardet e Këshillit e Europës dhe mbi Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Serbët e Kosovës përfitojnë. Për këtë arsye, Serbia duhet të mbështesë Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Europës!

Gjithashtu, në marrëveshjet e Brukselit/Ohrit të vitit 2023 thuhej:

“Të dyja palët do të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe të drejtën e vetëvendosjes.

Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët që të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE.”

Rruga përpara tani, bazuar në marrëveshjet e arritura nga të dyja palët (të cilat Kosova i ofroi në mënyrë të përsëritur për t’i nënshkruar, menjëherë):

Beogradi NUK do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, nuk do t’i inkurajojë të tjerët ta bllokojnë atë dhe do të abstenojë në votimin për anëtarësim në maj.

Prishtina do të zbatojë sa më shpejt të jetë e mundur “nivelin e duhur të vetë-menaxhimit të komunitetit etnik serb në Kosovë” të premtuar.

Përparim në interesin e të gjithëve. Drejt një paqeje europiane në Ballkan tani./Express

Viola von Cramon i përgjigjet presidentit Vuçiç pas shantazhit që bëri në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Vuçiq të premten deklaroi se dalja e Serbisë nga Këshilli i Evropës (KiE) është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në atë organizatë ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.

Për këtë deklaratë reagoi sot Viola von Cramon, e cila në postimin e saj në “X”, shkruan se sigurisht që Serbia nuk do të largohet nga kjo organizatë.

“Sigurisht që Serbia nuk do të largohet. Biseda nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt. Anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kë do të pranojnë. Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, shkruan raportuesja.

Ndryshe, Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare, në rend dite do të jetë raporti për Kosovën.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.bw

Shpërthen vullkani në Islandë- Meteorologët paralajmërojnë: Lava mund të derdhet në Atlantikun e Veriut

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Islandën jugore për shkak të një tjetër shpërthimi vullkanik në gadishullin Reykjavík që besohet të jetë, sipas autoriteteve lokale, më i fuqishmi që nga viti 2021.

Vullkani shpërtheu pa paralajmërim mbrëmjen e së shtunës dhe është i fundit në një seri shpërthimesh në rajon, duke kërcënuar infrastrukturën lokale dhe duke udhëhequr autoritetet për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme.

‘Shatërvanët’ e llavës shpërthyen nga toka dhe një çarje gati dy milje e gjatë u hap në gadishullin Reykjavík rreth orës 20:30, tha Shërbimi Meteorologjik i Islandës. Shpërthimi ndodhi pranë qytetit Grindavik, termocentralit Svartsengi dhe Lagunës Blu, një nga atraksionet turistike më të famshme të Islandës.

Shërbimi Meteorologjik i Islandës tha se kishte marrë indikacione për një shpërthim të mundshëm vetëm rreth 40 minuta para se të ndodhte. Laguna Blu ka një popullsi prej rreth 4,000 banorësh, por pak banorë ishin në qytet në atë kohë, të cilët u evakuuan menjëherë pas shpërthimit. Të dielën në mëngjes, Hjordis Gudmundsdottir, një zëdhënëse e Departamentit të Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Emergjencave, u tha gazetarëve se rreziku më i madh ishin dy tuba që transportonin ujë të nxehtë nga termocentrali gjeotermik Svartsengi në shtëpitë në gadishull. Në fakt, pak pas mesnate, lava rrodhi mbi një rrugë drejt një tubi të shpërndarjes së ujit nga termocentrali, sipas një përditësimi nga Zyra Meteorologjike Islandeze. Shpërthimi ka të ngjarë të jetë më i madhi nga shtatë që kanë ndodhur në gadishullin Reykjavík që nga viti 2021, duke përfshirë katër që nga dhjetori, tha në një deklaratë agjencia e mbrojtjes civile.sn

Ministrja gjermane e arsimit: Nxënësit duhet të përgatiten për luftë

Studentët në Gjermani duhet të jenë më të përgatitur për të përballuar të gjitha llojet e krizave dhe katastrofave të mundshme, tha ministrja gjermane e Arsimit Bettina Stark-Watzinger.

Një anëtare e Demokratëve të Lirë (FDP) të fokusuar te biznesi, ajo theksoi rëndësinë e mbrojtjes civile në komentet për Grupin Mediatik Funke të gazetave lokale dhe rajonale të shtunën.

Stark-Watzinger tha se shkollat duhet të trajtojnë mbrojtjen civile dhe theksoi se qëllimi duhet të jetë “të forcojmë elasticitetin tonë”.

“Shoqëria në tërësi duhet të jetë e përgatitur mirë për krizat – duke filluar nga një pandemi, në fatkeqësi natyrore, në luftë,” tha ajo.

Stark-Watzinger foli për stërvitjet e mbrojtjes civile të bëra në shkolla në vende të tjera, si në Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se Gjermania gjithashtu mund të mësojë të bëjë të njëjtën gjë.

Ministrja bëri thirrje gjithashtu për zhvillimin e një marrëdhënieje “të qetë” midis nxënësve të shkollave dhe forcave të armatosura. Ajo sugjeroi që oficerët ushtarakë të vizitojnë shkollat për të shpjeguar se çfarë “Bundeswehr” bën për sigurinë tonë”.

(Balkanweb)

Deputeti i Bundestagut pas komenteve të Escobarit: Këshilli i Evropës vendos vetë për kriteret e anëtarësimit

VOA

Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, tha të premten se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të vendosë në mënyrë të pavarur mbi kriteret e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm.

Ai i bëri këto komente pas deklaratës së të dërguarit amerikan Gabriel Escobar i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se pas përmbushjes së kërkesës nga Kosova për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit mesjetar të Deçanit, janë edhe dy kushte të tjera për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zoti Escobar tha se zbatimi ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë dhe “do të ketë efekt. Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni (i komunave me shumicë serbe)”.

Por deputeti gjerman, Knut Abrahams shkroi në platformën X se “vlerësojmë shqetësimet e Escobarit, por mund ta sigurojmë atë se Asambleja Parlamentare do të vendosë në mënyrë të pavarur për kriteret e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe do të vlerësojë përmbushjen e tyre. SHBA-ja s’do t’i përmbushte këto kritere për shkak të dënimit me vdekje”, shkroi ai.

Qeveria e Kosovës vendosi zbatimin e vendimit me të cilin manastirit mesjetar, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, meqë lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi “të çuditshëm” dhe “të padrejtë” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por theksoi se “nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur”.

Macron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e quajti Rusinë e Vladimir Putin kundërshtare që nuk do të ndalet në Ukrainë nëse mposht trupat e Kievit në konfliktin dyvjeçar, duke u bërë thirrje evropianëve që të mos jenë “të dobët”, por të bëhen gati që të përgjigjen.

Ai tha se nëse Evropa duhet të bëhet gati për luftë nëse dëshiron paqe.

Muajin e kaluar, Macron shkaktoi kundërthënie kur deklaroi se nuk e përjashton mundësinë e dislokimit të trupave tokësore në Ukrainë në të ardhmen, përderisa shumë udhëheqës u distancuan nga ky qëndrim ndërkaq disa të tjerë, veçmas në Evropën Lindore, e mbështetën këtë ide.

“Nëse Rusia e fiton këtë luftë, besueshmëria e Evropës do të reduktohej në zero”, tha Macron gjatë një interviste televizive në Francë, pasi udhëheqësit opozitarë francezë e kritikuan atë për deklaratën e dislokimit të ushtarëve në Ukrainë.

Por Macron tha se nuk pajtohet aspak me udhëheqësit opozitarë.

“Sot, të zgjedhësh të abstenosh apo të votosh kundër mbështetjes së Ukrainës nuk është të zgjedhësh paqen, por të zgjedhësh humbjen. Ka dallim”, tha ai.

Partia kryesore opozitare e Macronit e Marine Le Pen nga ekstremi i djathtë, më herët gjatë javës abstenoi gjatë votimit për një marrëveshje të sigurisë që Franca nënshkroi me Ukrainën, ndërkaq një parti e majtë votoi kundër.

“Nëse lufta zgjerohet në Evropë, Rusia do të fajësohet. Por, nëse ne vendosim të jemi të dobët, nëse vendosim sot që nuk do të përgjigjemi, nënkupton se veçse kemi zgjedhur humbjen. Unë nuk e dua këtë”, tha ai.

Ai tha se është e rëndësishme për Evropën që të mos vendosë vija të kuqe, që sipas tij do të dërgonte sinjal dobësie në Kremlin dhe do të inkurajonte Rusinë që të vazhdojë me pushtimin e Ukrainës. Ai refuzoi të japë detaje se si do të dukej një dislokim në Ukrainë.

“Nuk e dua këtë. Dua që Rusia të ndalojë luftën dhe të tërhiqet nga pozicionet e saj dhe të lejojë që të ketë paqe”, tha ai. “Nuk do t’i japë detaje dikujt që nuk më jep asgjë. Kjo është për presidentin Putin. Kam arsye që nuk jam preciz”, tha ai.

Macron tha se Franca kurrë nuk do të niste një ofensivë kundër Rusisë dhe se Parisi nuk është në luftë me Moskën, pavarësisht faktit që Rusia ka nisur sulme agresive ndaj interesave franceze në dhe jashtë Francës.

“Regjimi i Kremlinit është kundërshtar ”, tha Macron duke refuzuar që ta quajë armike Rusinë. Ai po ashtu tha se Putini po bën kërcënime për sulme me armë bërthamore, të cilat sipas tij, nuk janë deklarata të duhuara.

Macron tha se Ukraina gjendet në një situatë “të vështirë” në terren dhe se ka nevojë për mbështetje të fuqishme nga aleatët.

“Paqja nuk do të thotë kapitullimi i Ukrainës. Nëse do paqe nuk nënkupton mposhtje. Paqja nuk nënkupton që të heqim dorë nga Ukraina”, tha ai.

Udhëheqësi francez po ashtu tha se shpreson që do të vijë një ditë që paqja të negociohet me një president rus “kushdo qoftë ai”.

Ai po ashtu njoftoi se nuk ka anuluar vizitën e planifikuar në Ukrainë për shkaqe sigurie. “Kështu tha Rusia. Nuk duhet t’ju besoni atyre”, tha ai.REL

Më shumë se dy vite luftë, zyrtari ukrainas: Rreth 535 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse

Zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas ka bërë me dije se 535 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë.

Ndërkohë 1255 kanë pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme

“Rreth 1790 fëmijë janë prekur në Ukrainë si rezultat i agresionit të armatosur në shkallë të plotë të Rusisë. Që nga mëngjesi i 14 marsit 2024, gjithsej 535 fëmijë janë vrarë dhe 1255 kanë pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme”, tha zyra e prokurorit.

Sulmet ruse në Ukrainë nisën në 24 shkurt 2022, dhe edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite që nga nisja e luftës, fundi i saj duket ende larg.bw


Send this to a friend