PJESA E PARE
Bota dyjore. Struktura lëvizin, por edhe fiksohen. Klod Levy Strosi si antropolog strukturalist bazohet mbi botën dyjore. Si matematika e Xhorxh Bulit. Ndoshta në botën dyjore mishërohet dialektika heraklikiane, e të kundërtave që mohojnë njëra-tjetrën, por megjithatë janë komplementare. Lasgush Poradeci në raportet e tij njerëzore është i çuditshëm. Madje shumë i çuditshëm, ai ka disa botë dyjore. Të parapëlqyera ose si grishje të plotësimit të vetëvetes.
U ndala në mënyrë të dendur tek dioskurizmi midis dy personaliteteve, me përmasa zotëruese në kulturën dhe dijen shqiptare: Lasgushi dhe Çabej. Kam patur fatin e madh, falë dashamirësisë të pashembullt të Marie Lasgush Gushos, e cila korrenspondencën e pabotuar mes këtyre dy emrave ma ofroi thjesht dhe befasishëm, pa asnjë ngurim çka e bën këtë gjest të mrekullueshëm. Kjo është arsyeja që substanca më e ndritur dhe enkandeshente e kësaj korrespondence, kuptohet nëpërmjet fragmenteve muzaikore, të një puzzle, sheh për herë të parë dritën e një publikimi, duke stimuluar kështu vëmendjën për njohjen tërësore të korrespondencës, madje ka instrumenta ndërmjetësues, apo interpretues, që në shumicën e rasteve janë shumë të vështira për t’u shmangur, por që edhe mund të shmangen.
Për mendjat e holla dhe inteligjente kjo do të thotë ta rikrijosh mundësinë, apo lirinë e të menduarit. Dyshja Lasgush – Eqrem është një kompozim dialogues i paparë. Për jetët e tyre vetjake, të të dyve studiuesi heton dhe spikat bërthamat ideore, ambiciet e paskajshme, vrullin e papërmbajtur të rinisë në një moment kohor të ngatërruar dhe konfuz të gjysmës së parë të shekullit XX në Europë dhe Shqipëri. Kaq e artikuluar është kjo miqësi, me të vërtetë në rininë e hershme, sepse në vitet e mëvonshme ajo duket krejt e padukshme, sa që mund të mendosh se nuk mund të ketë asnjë miqësi tjetër të ndërsjelltë në këtë botë.Por, ja që Lasgushi nuk i vetëmjaftueshëm. Ai nuk kërkon vetëm binjakun, d.m.th vetën e tij të dytë, të shpallur, ose të nënkuptuar, me një intimitet të përjetëshëm.
Nuk kufizohet, pra kërkon të jetë më i lirë. Më i lirë edhe në miqësi. Më i lirë edhe në lidhjet e tjera. Lasgushi kërkon, ose stimulon edhe një botë tjetër dyjore. Është e vërtetë se bota dyjore, ajo e Lasgushit me Mitrushin (Dhimitër Paskon) ekziston në një status paralel, gati si një tjetër dioskurizëm. Është e habitshme të vësh re se bota dyjore Lasgush – Mitrush është e ftillëzuar edhe nga origjina e njëtë e të lindurit dhe të jetuarit në të njëjtin qytet liqenor, siç është Pogradeci. Korrespondenca e Lasgushit me Mitrushin është botuar në vitin 2010 si Vepra IV e kolanës së veprave lasgushiane. Kjo korrespondencë është bazuar vetëm në arkivin personal të Lasgush Poradecit. Ne nuk i dimë të panjohurat e vetë arkivit personal të Mitrush Kutelit. Një plotësim do të ishte e mirëpritur. Jo vetëm duke shter kuriozitetin, por e shton. Vajza e Lasgushit, Maria e shoqëron botimin e korrespondencës me një shënim domethënës. Ajo shprehet se emrin e Mitrush Kutelit e kishte lexuar në librat e bibliotekës së të atit, që kur ishte fëmijë. Për Mitrushin kishte dëgjaur të flitej edhe në biseda familjare, mes nënës dhe babait, mes miqve të cilët bënin vizita në shtëpi. Por vetë Maria nuk e kishte parë.
Nuk e njohu vetë asnjëherë. Vetëm me kalimin e viteve kur ajo pati fatin e madh të rrëmonte në arkivin e Lasgushit, midis “çudirave”, që pa ishte edhe një dosje ku shkruhej “Letra nga Mitrush Kuteli”. E Hapi këtë dosje me kujdes të veçantë sikur në të ishte diçka e kristaltë, që do të thyhej, do të thërmohej me tërsëllim, dhembshuri, nostalgji por dhe gjëmë. Në këtë dosje shumica ishin letra të Mitrushit që i kish dërguar Lasgushit. Maria mendon, se shumë letra të Lasgushit duhet të ndodhen në arkivin e Mitrushit. Dihet që Lasgushi e kishte zakonin e çmuar dhe të papërsëritshëm, të ruante kopjen e letrave që dërgonte por nuk gjenden të gjitha kopjet. Por, gjithsesi e kemi një gjerdan, të ndritshëm, donëse jo me të gjitha rruazat përbërëse.
Korrespondenca nis me një letër të shkruar me 7 korrik 1928, në Graz të Austrisë, dërguar Dhimitraq Paskos, në Pogradec të Albanisë. Letra “shpall” një mesazh qiellor, – pikërisht kështu thuhet, pa dyshime, as humor, “ashtu siç i-u ka k’ënda shpirtrave t’ona të etura për gjërra e vise më të mira, se ato ku jemi shtrënguar të arratisemi tashi- për – tashi.O shok i dashur! Ardhi koha e nisjes së letërkëmbimit t’onë! Le të fillojmë pra një muzikë të er: muzikën e poezisë dhe të ëndërrimit … Që të vazhdojë, dyke u ngritur me “mërmërim ujrash” ose “pëshpëritje prej kallminjsh”, harmoni e natës dhe e yjve të ndritur gjer në fund të jetës s’onë së përmidheshme. Yti me dashuri Llazari“.
A përbën kjo në kauzë? A është kjo një thirrje e ethëshme për të zbuluar botën? Apo një rrëfim për dishepujt. Mitrushi i përgjigjet menjëherë me një lëtër të datës 30 gusht 1928. E mbiquan Lasgushin “i vlefshëm Mjeshtër”. Po Mitrushi i përgjigjet thirrjes. Ai është i motivuar në vetëdije.
Sepse është Poeti që ka rrëmuar në thellësirat e papikasura të gjuhës së stërgjyshërve, se ka hapur përpara syve thesarin e virgjër të gjuhës, sepse duart e fjalëve të zjarrta e kanë ngritur me një fërfëllimë dhëmbjeje në hapësirat e pafundme të rrymës magjiplote, vetë atë njeriun që ka emrin e shëmbëlltyrës biblike të Ringjalles, që ka emrin Llazar, që i vdekur në varr dhe që e ringjalli Krishti. Prandaj Mitrushi i thotë Poetit se “hape Tempullin e gjuhës s’onë” d.m.th të hapësh thellësirat e errëta të varrit, pra të enigmave të Vdekjes, për të nxjerrë në dritë mrekullitë e Jetës. Për Mitrushin Poeti është i Shënjuari.
Është ai që do t’i hapi “kindat e palosura të fjalëve”. Lasgushi nuk vonon. Ai përgjigjet menjëherë. Ai e bën të krijohet vetvetiu bota dyjore e dialogut Lasgush – Mitrush. Se zemra e mikut është e zotëruar nga një ndjenjë e pastër dashurie, që i shikon gjërat më të mëdha sesa janë në të vërtetë. Ky akt i shpirtit s’është një dobësi, përkundrazi është një akt i shenjtë, quhet “burim i përjetshmë”, prej të cilit dalin vizionarët, mbajtësit e gjallë të idealizmit, ata që i madhojnë gjerat e vogla, që rritin shpresën, i rrëfejnë syrit horizonte të reja, diku sipërm në firmanentin e thyer plot me yje mbi botën prej balte.
Kështu marrin përmasa të reja edhe pamjet njerëzore, por qëllimet shpirtërore të thella dhe të përbashkëta janë një kryemotiv. Më pas në letrat tjera Lasgushi bën disa rrëfime autoritare të mendimeve të tij për poezinë. Ai shkruan Mitrushit për terma të thekëshme dhe të përjetëshme të artit. Ai kërkon të zbërthejë kuptimshmëritë e formës ose të asaj që ai e quan “fondi” i poezisë. Lasgushi shënon: kur them”fond” s’dua të kuptoj lavditë, që përmban dhe për të cilat s’ka vlerë të mjaftë talenti i një i varfëri por tonin e përgjithshëm, rrjedhjen ritmike të ndjenjave, nuancimin me shije të periudhave të ndryshme. “Fondi” këtu ka kuptimin e stilit. Dhe argumentat nuk shterin. Sepse si nëpër ëndra magjie shfaqen vetvetiu kujtime të paharruara.
Poezia merr Jetë nga Drita që ndrit Shpirtin e Universit. Kësasj Drite i pëlqen shpesh herë për t’i folur njeriut në një mënyrë “të përmbidheshme dhe për ta drejtuar kësisoj nga rruga e qiejve të lartë, duke e ndritur dhe përndritur me rrezet e saj, të mëveshë rrobën e bukur të nusërisë … Poezisë!” Sepse të japësh mësime vjershërie, si bëhen vjershat dhe strofat, si duhen zgjedhur fjalët, silabat, letrat, zërat e kadencuara, si duhen përdorur hollësirat më të imëta dhe më të padukura fare për t’ju afruar sa më tepër Qëllimit të madh, të aktit të sfilitshëm, të rëndë, të objektit final të Poezisë, të Poezisë e cila në thelbin universal të ndjenjave të saj vëllazëron kombet, zbut dhe qytetëron shoqërinë, pastërton ndërgjegjien individuale, nuk është një kohë e humbur kot por një punë shumë serioze sepse bisedohet mbi të fshehtat metafizike të krijimit artistik, dhe jo thjesht të formës së “përjashtëshme”.
Kjo korrespondencë e filluar në vitin 1928 vazhdon deri në zgribin e vitit 1944.Subjektet krysore të korrespondencës kanë një karakter fundamental për të mundësuar sesi bashkëpunimi midis Lasgushit dhe Mitrushit, është i pazëvendësueshëm në rrafshin e botimit tipografik të dy librave kryevepra të Poetit: “Ylli i zemrës” dhe “Vallja e yjeve”. Rrallë herë mund të gjenden korrespondenca të ngjashme të bëra midis shkrimtarëve dhe përgjithësisht botuesve për të përcaktuar të tëra posibilitetet, kushtet, mënyrat, kërkesat për stilin, kapacitetin dhe realizimin e botimeve.
Në këtë pikë Mitrushi është vërtetë një mik i pashembullt i përkushtuar, sakrifikues deri në fund, i mençur, ndihmëtar dhe altruist, të pangjashmësh me askënd tjetër. Kjo pjesë e korrespondencës zmadhon dhe orienton, përsa i përket njohjes së procesit të botimeve të shkrimtarëve shqiptarë në vitet ’30 të shekullit XX. Poeti është sqimatar, nganjëherë ka edhe kërkesa të paduruar për ndryshime, për vendosjen e poezive të parapëlqyera, sidomos për titujt, madje edhe për lëvizjen e hapësirave në faqosjen e librave të tij. Mitrushi përgjigjet me një zemërgjërësi të madhe. Sepse Mitrushi e adhuron Lasgushin. Mitrushit i duket se e gjithë kjo marrëdhënie, që të kujton simbiozën, është diçka që nuk mund të shmanget dot, e natyrshme, këndeuse, vërtet e vështirë, madje në disa kërkesa edhe e pamundur, por gjithsesi është një ndërmarrje intelektuale, të ftillëzimitë të kryeveprave dhe të lavdisë të letrave shqipe. Për Mitrushin gjitha gjërat e tjera që s’kanë të bëjnë me lartësitë letrare, duhet të shihen konvencionalisht. Poeti i kishte shpallur rishtarit të tij:
“Duhet t’i bie pas destinit!” Poeti, është i fyer sepse është i përcaktuar, ose i parapërcaktuar, që nga thellësirat e kohërave të gjuhës, të enigmave të transendencës. Poeti nuk lind rastësisht. Poeti vjen, spse lindja e tij nuk është aq në duart e prindërve por e qënieve të panjohshme dot të mistikës. Prandaj poeti gjithmonë për Mitrushin është “një ikje nga Babilona jonë lilipute”. Ai kryqëzon tingullin e gjuhës sonë harmonike, të pakatranosur me blozën e materializmit individual. Poeti parathotë dhe zbaton triumfin e vetvetës. Pra ka një “CRITERIUM MAJESTATIS”. Por edhe Mitrushi nuk mbetet mbrapa në vlerësime. Më 8 prill të vitit 1931 nga Bukureshti i drejtohet Poetit me këto fjalë: “Me anën e Vuajtjes së Përjetëshme, të përsëritur si vala, që nga Sokrati e Krishti, që nga Krishti te Beethoven-i dhe Nietzhe- etj, të dërgoj urime për simbolin e Ngjalljes.” Kjo sematikë e dyanshme është e pafund në detaje. Poeti është i bindur tek fjalët, për “mësime intuicione”, për proçesin gjenetik të veprës së domosdoshme të një rreze të diellit, që hap siparin e një mëngjesi të shumëpritur.
Drita është fuqia kryesore krijonjëse. Drita e Përjetësisë, mall i pasosur, i mbarsur me shkëlqimin, me principin pozitiv, që rigjeneron botën, duke kundërshtuar dhe anuluar gjithë faqet e errëta të saj, për të triumfuar më në fund sipër gjithçkaje me krijim origjinal të mijëra e qindra mijërash posibilitete të reja afirmime jete, është dritë e padukëshme. Të gjitha këto tingëllojnë si teologji. Jo aq si filozofi. Kuptohet që poeti e teologjizon vetëveten, më tepër sesa e filozofon vetëveten. Mund të ishte ndryshe.
Ja që kështu është. Ne nuk mund t’i themi ndryshe ato ide që ka vetë Poeti. Me datë 26 gusht të vitit 1931, Lasgushi ishte në fshatin Dardhë të Korçës për pushime. Është një ditë e bekuar, sepse pikërisht në këtë ditë ai shkruan një nga letrat më të veçanta, më konceptuale dhe më të rëndësishme për botëkuptimin e tij mbi letërsinë botërore, ku përmendet Homeri, Eskili, Kalidasa, Gëtja, Shekspiri etj, pa harruar të përmendë tekstin e Pjetër Bogdanit, të vitit 1665 të botuar në Padova të Italisë, tekst që Lasgushi e citon sipas disa shënimëve, që kishte marrë në Vjenë, në vjeshtën e vitit 1924. Kryeveprën e Bogdanit ai e quan një monument të madh jo vetëm të gjuhës shqipe por të vetë Republikës së letrave të botës. Madje e quan Kozmogonia e të madhit shqiptar …
Midis Lasgushit dhe Mitrushit vërtitet, ngrihet dhe përplaset universi i librave. Mitrushi duket akoma më i informuar, më biblofil. Ai flet Poetit për librat që lexon, kryesisht të traditës së arbëreshëve, por edhe për librat e tjerë të shkrimtarëve rumunë. Ai dërgon nga Bukureshti librin “Fiul Lui Lucifer (I biri i Luçiferit)” , me autor O. D. Vidariu. Menjëherë Lasgushi i shkruan mbresat e leximit të librit. Legjenda tërheqëse e Luçiferit lexohet me një frymë, për të shpëtuar nga demonizam e përbinshme e jetës.
Por përshtypja e përditëshme është dëshpëruese. Subjekti interesant i Luçiferit përmban në vetëvete shumë mundësi zhvillimi, thellësi të pakufizuara për një poet, apo për cilindo poet që ka pak ndjenjë dhe fantazi krijuese. Por, vobekësia e strukturës së librit e bën atë një vjershërim të platesë, një punim të sheshuar, mbi sipërfaqen e gjërave dhe ngjarjeve, duke e bërë anemik aksionin, i cili, sipas mendimit të Lasgushit, pothuajse nuk ekziston.
Si mund të ekzistojë, kur fytyrat që kanë për të bërë në veprim osmozën e fuqishme në rembat e kësaj epopeje kozmike janë ngurosur në një ide fikse të vetme? Luçiferi, së bashku me të Birin e Vet do të zbulojë fshehtësirën e botës, por nuk mundohet, nuk përpiqet për ta gjetur atë. Zoti së bashku me Serafinin e Vet nuk do që t’ia zbulojë fshehtësirën, dhe me një kokëfortësi banale që është mosdashja, mënjanon çdo justifikim, fjala vjen çdo zhvillim, variant, apo thellim të justifikimit.
Me të tilla mjete shpirtërore dhe kompozicioni, kuptohet vetëvetiu se fundi i poemës, në vend që të paraqitet si një zgjidhje vironjëse dhe shpëtonjëse e vetëdijës sonë të turbulluar, përkundrazi jepet si një ngatërrim pa shije, pra ngecje e papritur, e ngurosur në pragun e derës. Prandaj Lasgushi në mënyrë lakonike shënon se poema “I bir i Luçiferit”, si vepër artistike është një qëllim i shënuar, “por i pa qëlluar dot”. Ky konceptim paraqet interes. Kjo tregon se mendimi i Lasgushit është reflektiv. Ai e superon veten, pra e quan një gjykatës elegant të analizës dhe të mësimeve.
Por edhe Mitrushi është tepër veprues. Ai madje flet më shumë për librat, duket se është disa herë edhe më i informuar. Është i prirur edhe për polemikë. Ai e boton një kritikë letrare për Ernest Koliqin, për librin e botuar prej Koliqit “Poetët e mëdhenj të Italisë”. Ai kërkon mendimin Lasgushit se Koliqi nuk mund të jetë poet, as përkthyes i vërtetë i poezive. Madje vjershërimet e tij janë prozë në vargje. Mitrushi saktëson se Koliqi “është një prozator i madh por një poet i mesëm.
Nuk dua të dukem sikur jam në anën e ndonjërit, por dua të vërtetoj se Lasgushi është poet i madh dhe jo prozator”. Mitrushi vazhdon përsëri në këtë hulli. Ai e mbiquan Koliqin në një letër të tij të datës 5 janar të vitit 1933, nga Bukureshti me një heteronim si Gjikami. Mitrushi i thotë Lasgushit se “Më thua të mos i përgjigjem Gjikamit (koliqistit si i them unë). Nuk të duket si dantist, fjalë që as nuk e gjej as në rumanishtm as në frengjisht ( në Larousse ke vetëm dantescue) është një barbarismë/ Eksiston në gjermanisht? Thelbin e dhembjes nuk e kuptoj, ose që e dëgjoj Gjikami sepse është në … Bari … Pse të mos i tregoj se Koliqi, nuvelist i zgjedhur, shtryth shumë prozë në poezi? Pse të mos analizoj “himnin” ose “marshin” e tij, kryevepër banaliteti? Pse të mos i tregoj se manevra letrare e manevronjësit ushëriak Parimi është helmimi i ndjenjave t’ona kombëtare?
Edhe në qoftë se gazeta nuk do të pranojë drejt për drejt një të tillë artikull, pse të mos e bëj indirect si të parin? Më vjen keq se Koliqi u bë veprë negative (Koliqin që e dashurojmë urtësisht, pa daulle pizga e zurma). Jo, Llazar. Mundim të marrim tokën, udhët, bankë, industri, tregëti, ushtëri … po jo shpirtin. Nuk dua, nuk jo! Shpirti i djalit shqipëtar nuk lipset mbytur me narkotismën e huaj. Më mirë të egër e shqiptar, se sa të qytetëruar të huaj. Dëgjon? Folë e ti, të lutem, folë më shumë”. Mitrushi ishte i bindur me kristicizmën e tij dhe nuk ndalon. Madje ai i dërgon një gazete të kohës një epigramë për Gjikamin. Ja teksti i saj:
Abeceja – iste
Letrë e hapur, pa adresë:
Koliqistë dhe dantistë:
Kanë rimë si bursistë,
Kanë ritm aksionistë,
Kanë gjëndje stipendistë
Edhe rol manekinistë …
Të tërheq vëmendjen sinqeriteti dhe kristicizmi i Mitrushit ndaj Ernest Koliqit shumë më përpara të pushtimit të Shqipërisë në vitin 1939, gati katër vjet më parë, pa e ditur se Ernest Koliqi do të bëhej edhe Ministër i Qeverisë kolaboracioniste të fashizmit në Shqipëri. Pozita e Ernest Koliqit e indoktrinuar nga fashizmi është një nga shëmbëlltyrat e shkrimtarëve ideologjikë, por që nuk kanë parasysh deri në një “sado – mazoizëm” lirinë e atdheut të tyre.
Kjo është arsyeja që edhe Lasgush Poradeci e shkruan poezinë e tij për Ernest Koliqin, jo vetëm si shkak i bindjeve të ndërsjellta atdhetariste të tij, dhe të mikut, Kutelit, por edhe për të bërë një lloj shpalljeje të mëveçme të rolit të Poetit në shoqëri, ku konceptet e pushtimeve imperialiste, apo të robërimit të popujve nuk mund të pranojmë por duhet refuzuar nga Doktrina Supreme e Lirisë. Përsa i përket figurës së Ernest Koliqit, Lasgushi ka qenë më i përmbajtur në vëretjet kundërvënëse në raport me Kutelin. Kuteli është më luftarak. Më i papërmbajtur. Madje edhe më i qartë.
Natyrisht në këtë proces të njohjes dhe kundërthënies urretja ndaj Koliqit shumëfishohet kur ai bëhet zyrtar i Lartë qeveritar i fashizmit në Shqipëri. Lasgushi më në fund e shkroi një poezi “contra-Koliqit”. Është nga të paktat dhe të mirëfilltat poezi politike në kuptimin e plotë të fjalës të Lasgushit. Kjo poezi u botua për herë të parë në një përmbledhje të zgjedhur të poezive të Lasgushit në vitin 1988. Nuk besoj se Koliqi e ka lexuar këtë poezi sa qe gjallë. Ai ndërkohë kishte vdekur.
Por poezia është ribotuar gjithashtu në një përmbledhje të vitit 2010.As nga ditaret dhe as nga letërkëmbimet nuk mund t’i dallojmë dot evoluimet e miqësia midis Lasgushit dhe Mitrushit. Por dimë saktësisht një letër dërguar në vitin 1941, nga Ukraina të Kutelit drejtuar Lasgushit, ku ai në një dëshpërim të madh i dërgon një poezi gati testamentare, ku flet për vdekjen e tij, post morten.
VDEKJA IME
Po të vdes në dhe’ të huaj
-Shorte mërgimtari –
Të m’a bëni varrin t’im,
Ku do bje së pari
E një grusht nga balta jonë,
-Dhe nga dheu i vetë –
Të më sillni e t’a vini
Drejt ne zemr e shkretë.
Do më çlodhet q’asohere
Trup i rraskapitur,
ky trup që kaqe dëshërime
M’a patnë zhuritur.
Se kjo balt e vendit t’onë
Mallet do m’i shuaj,
S’do më duket fort i rëndë
po ky dheu i huaj …
Pa të vini të m’i thoni
Nj’ asaj Nënës s’ime:
Zi mos qajë, zi mos mbajë
po asnjë thërrime;
Se m’i lumtur jam i fjetur
Se sa i mërguar,
mot pas moti arratije
Zemër copëtuar.
Pa fytyr’ e saj e tretur
-Që e kam ikonë-
Lart mi varr do më qëndrojë
Sot e përgjithmonë …
Mitrush KUTELI
Ukrainë, Tetor 1941
Nuk ka një reagim. Pra nuk kemi diçka të reflektuar me shkrim nga Lasgushi për këtë dërgim në largësi, as edhe një reflektim emocional në përfytyrimin e ndërsjelltë për vdekjen, gati të vetëshpallur të Kutelit. Dimë që vite më pas ka një grindje midis tyre. Grindja është disi tërmetore.
Ndërthuret me një pakënaqësi të dyfishtë. Lasgushi gati tërbohet kur merr vesh disa mendime, ku e akuzojnë atë për plagjiaturë poetike. Lasgushi reagon ashpër por në mënyrë analitike ai konceptualizon një artikull, që gjithashtu botohet për herë të parë në librin ku është përfshirë korrespondenca midis Lasgushit dhe Kutelit.Nuk dimë ndërkaq reagimin e vetëkuptueshëm të Kutelit.
Duket se është krijuar një vrimë e zezë. Pas vitit 1944 Kutelit ka peripecitë e tij brenda, derisa të punësohet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” si përkthyes. Me një status të tillë zyrtar si përkthyes ka punuar në të njëtin mjedis edhe Lasgush Poradeci. Raportet e tyre kanë qenë normale, për hir të një konvencionaliteti etik. Por nuk janë më si dikur, ato të një dysheje, të dy personaliteteve me synimin të një shkrijeje të një binjakëzimi, kuptohet shpirtërore, sepse fizik nuk kishte se si të ishte.
Pikërisht letrat e të dyve e skalisin njëherë e përgjithmonë këtë dëshmi të pamohueshme dot. Kur vdiq Kuteli, Lasgushi ishte ende gjallë. Në shënimet e tij Lasgushi vëren gati në mënyrë pedante, ose kronikore ceremoninë e varrimit të Kutelit si dhe kurorat e nderimit që iu vunë mbi varr, pa harruar asnjë nga emrat e atyre që i kishin bërë këto kurora.
vijon…
Komentet