VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Lajmet e këqija në media ju sëmurin – Ndikimi i fshehtë në shëndet

By | February 12, 2019

Komentet

Protesta – Policia shoqëron 20 persona, mes tyre Florenc Hoxha

TIRANE – Shoqërohet në polici ish-drejtori i policisë bashkiake, Florenc Hoxha. Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat.

Mësohet se Hoxha po hetohet lidhur me protestën e sotme të opozitës para Kryeministrisë. Ai rezulton të jetë fotografuar nga shërbimet e policisë në protestë.

“BalkanWeb” mëson se Hoxha ndodhej në shtëpinë e tij kur policia i ka shkuar për kontroll, e më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Nga pamjet filmike, siç mësohet Hoxha rezulton të jetë mes personave që dëmtoi kërpudhën. Ai po ashtu ka nxitur protestuesit e tjerë të mësynë drejt Kryeministrisë.

Bëhet me dije gjithashtu se pas përfundimit të protestës u ngrit një grup hetimor që po merret me identifikimin e personave që kryen akte të dhunshme gjatë protestës, duke dhunuar pronën publike. Deri më tani raportohet për 20 persona të shoqëruar.

Në ditët në vijim policia thotë se do kryejë të tjera shoqërime.

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë kreun e Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha, pasi akuzohet se ka dhunuar dy persona.

Siç thuhet në njoftimin e Policisë, “është vënë në pranga Florenc Hoxha, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryetar i Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, sepse më datë 09.05.2015, në rrugën ‘’Ali Demi”, ka kanosur se do t’u prishte lokalin dhe ka goditur me grushta dhe shkelma shtetasit K.K, 35 vjeç, banues në Tiranë dhe E.K, 37 vjeç, banues në Tiranë”.

Ndërsa në vitin 2014, kreu i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Florenc Hoxha, është përfshirë në një përleshje, ku ka mbetur vetë i plagosur. Ngjarja ndodhi më 14 nëntor 2014 në ambientet e një lokali në Priskë, Farkë të Tiranës, kur Hoxha u qëllua me thikë nga një person, që ndodhej në një tavolinë tjetër. Plagosja u regjistrua në lokalin që ndodhej rreth 200 metra pranë banesës së Hoxhës.

Deklarata e Pavarësisë niset për në qendrat kryesore të Kosovës

Deklarata e Pavarësisë e vendosur në Prishtinë

Në prag të 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, për në shtatë qendra të Kosovës është nisur Deklarata e Pavarësisë.

Një e tillë është vendosur edhe në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Nisja e Deklaratës së Pavarësisë në qendrat e Kosovës u bë nga Garda Ceremoniale.

Deklarata e Pavarësisë është nisur për në qytetin e Mitrovicës, Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit, Pejës dhe Ferizajt.

Mbyllet protesta e opozitës, të enjten tubimi i radhës para parlamentit

Pas pothuajse 5 orësh u mbyll protesta e sotme e thirrur nga opozita përballë kryeministrisë.

Në fjalën e tij mbyllëse, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, falenderoi pjesëmarrësit në protestë dhe i la takim ditën e enjte për një protestë tjetër, kësaj radhe përpara Parlamentit.

“Dua sot në emër të opozitës t’u shpreh mirënjohjen më të thellë qindra mijëra shqiptarëve që i dhanë zë revoltës dhe kryengritjes qytetare. Le të zotohemi sot se kjo kryengritje qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen totale të këtij sistemi të kalbur dhe t’ju ftoj të enjten në orën 10:00 në protestën tjetër më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë.

Ne do të vazhdojmë të jemi të vendosur kundër qeverisë hajdute. Ditën e enjte, populli do t’i japë një përgjigje tjetër narkoshtetit duke marrë fatin në duart e tij. Ndaj ju ftoj të gjithëve, duke u falenderuar nga zemra për këtë qëndresë të jashtëzakonshme të jemi edhe më shumë edhe më të vendosur edhe më të bashkuar të enjten e javës së ardhshme”, tha Basha.

Protesta e opozitës transmetohet LIVE në mediat ndërkombëtare (video)

Protesta e ditës së sotme nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e mediave të huaja. Ata kanë përshkruar atë që ndodhi në protestë ku, shumë protestues çanë kordonin e policisë duke u përpjekur të futen në Kryeministri.

Bie ne sy fakti se televizioni prestigjoz EuroNews por edhe Zeri i Amerikës po e transmetojnë live protestën e opozitës në Tiranë.

Tensionet në protestë, Ambasada e SHBA: Rivendosni qetësinë!

Ambasada e SHBA-se ne Tiranë në reagimin e parë për protestën e sotme të opozitës së bashkuar ka denuar me force dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën. 

Mesazhi i SHBA

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë. Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive.

Çahet sërish kordoni, protestuesit shembin “Kërpudhën” te Kryeministria

Është tensionuar sërish situatë përpara Kryeministrisë. Protestuesit kanë çarë sërish kordonin e policisë, ndërsa kanë ngjitur shkallët e Kryeministrisë.

“Poshtë qeveria”, shprehen ata ndërsa mbajnë në dorë pankarta. Ndërkohë që pasi kanë shqyer mbulesën e skelës me hekura të vendosur para Kryeministrisë, i janë drejtuar kërpudhës së ndodhur në anë të godinës së Kryeministrisë, duke e dëmtuar atë.

Ndërkohë që Garda e Republikës ka qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës nga tarraca e Kryeministrisë në drejtim të protestuesve.

Kosova shënon 11 vjetorin e pavarësisë

Kosova, “Shteti më i ri i Evropës”, e cila më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia feston 11 vjetorin e mëvetësimit.

Kosova e cila ka lënë pas luftën dhe përleshjet e armatosura në fund të viteve 90-ta, është duke u ballafaquar me probleme gjatë formimit të saj në mënyrë të plotë si shtet.

Ajo po përballet me pengesa të ndryshme në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara (OKB). Vendi kohë pas kohe përjeton momente të tensionuara me Serbinë ndërsa procesi i dialogut vazhdon me ndërprerje.

Procesi i pavarësisë së Kosovës

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga presidenti nacionalist serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1989.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78 ditor të NATO-s. Lufta la të vdekur mbi dhjetë mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë.

Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.

Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.

Në linjë me Planin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, më 17 shkur të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane përfshirë edhe Turqinë e njohën menjëherë. Sot 116 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërsa me bllokimin e Rusisë, mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

Procesi i dialogut me Serbinë dhe tensionet e vitit të kaluar

Në vitin 2011, filloi procesi i dialogut me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ky proces është ndërprerë veçanërisht për shkak të tensioneve në muajt e parë të tre viteve të fundit.

Viti 2018 filloi me tensione kur lideri serb i nismës qytetare në Kosovë, “Serbi, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviç më 16 janar u vra në një atentat në veri të Mitrovicës, para zyrës së tij. Takimi i cili planifikohej në atë datë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ishte anuluar me tërheqjen e palës serbe.

Një tjetër çështje e rëndësishme për Kosovën, e cila kohë pas kohe zyrtarët e BE-së parashtronin si një ndër parakushtet që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave, ishte marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kjo çështje e rëndësishme ishte marrë në Kuvend më 21 mars 2018, por e ndërprerë për një kohë pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës, por më pas me votën e 80 deputetëve marrëveshja ishte ratifikuar.

Një tension tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, ndodhi pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, për të cilin autoritetet kosovare nuk kishin dhënë leje për hyrjen e tij në Kosovë më 26 mars. Pasi atë e dërguan në stacionin e policisë në Prishtinë, e larguan nga territori i vendit.

Ndërsa në fillim të muajit shtator në kuadër të mbledhjes së procesit të dialogut në Bruksel, pritej takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini. Por, takimi nuk u realizua pasi Vuçiç refuzoi të takohet, duke theksuar se janë shumë larg pajtimit.

Pas kthimit nga Brukseli, presidenti serb Vuçiç më 8 dhe 9 shtator planifikohej të vizitojë Kosovën. Ai kishte deklaruar se do të vizitojë Liqenin e Ujmanit, me rëndësi strategjike që shkakton tensione kohë pas kohe mes dy vendeve. Por, autoritetet kosovare së pari njoftuan se nuk do të lejojnë këtë vizitë, por më pas ministri i Jashtëm Pacolli, deklaroi se është dhënë leja pas një “presioni të aleatëve të Bashkimit Evropian”, duke theksuar se “Nuk kemi patur tjetër zgjidhje”. Me këtë është pranadaluar një krizë e re mes dy shteteve fqinje.

Gjithashtu edhe presidenti Thaçi, pas një kohe kishte vizituar Liqenin e Ujmanit, hap i cili ishte komentuar si kundërpërgjigje ndaj homologut të tij serb.

Serbia pengoi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Në votimin e Asamblesë së 87-të të Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë në qytetin Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe më 20 nëntor, nuk u arrit numri i duhur i votave për t’u anëtarësuar, respektivisht dy të tretat e votave të vendeve anëtare në INTERPOL.

Qeveria e Republikës së Kosovës, pas votimit me anë të një deklarate me shkrim kishte shprehur zhgënjimin e saj të thellë.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërsa Vuçiç nga ana e tij kishte deklaruar se: “Ky është suksesi i një vendi të vogël që nuk duhet ta bazojë suksesin e vet në kundërshtime dhe inate, por në një qasje racionale, të mendojë për kompromis dhe përparim ekonomik dhe kjo mundësi nuk duhet të përdoret për të poshtëruar dhe degraduar anën e Prishtinës”.

Kriza me taksën ndaj Serbisë

Derisa tensioni me INTERPOL-in ruante “freskinë”, ditën e ardhshme Qeveria e Kosovës miratoi propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të vendosur taksa prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se Kosova ka bërë një analizë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe se kanë parë që me vite të tëra se Serbia nuk e ka respektuar atë.

Ai më tej shtoi se kjo është një masë legjitime që e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe se nuk është marrë “prej qejfit”, por “prej zorit”. “Këto veprime që i kemi marrë janë në mbrojtje të interesit të qytetarit të Kosovës”, kishte theksuar kryeministri i Kosovës.

Haradinaj tha se Serbia nuk po tregon mirëkuptim për normalizim, por që përkundrazi qasja e saj është kundër normalizimit. “Mendoj që dialogu është i pashmangshëm, nuk mund të ikim prej dialogut, duhet të ketë dialog mirëpo edhe mbrojtja e interesit tonë është e pashmangshme”, kishte thënë ai.

Ai gjithashtu njoftoi se derisa nuk ka njohje të Kosovës nga ana e Serbisë, nuk do të heqin dorë nga vendimi për taksat.

Gjithashtu edhe Vuçiç pas një takimi me të gjithë anëtarët e qeverisë serbe, kishte reaguar ndaj vendimit të Kosovës për taksat.

“Pas këtij fjalimi ka forca tjera të mëdha. Ai nuk mund të ketë pasur këtë kurajë. Me siguri ka lexuar letrën që i është dhënë, por askush nuk e mori me seriozitet. Duhet të jemi të gatshëm për një përpjekje të gjatë dhe të lodhshme, sepse nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës”, ishte reagimi i Vuçiçit në lidhje me fjalët e Haradinaj se nuk do t’i heqin taksat deri në njohjen e vendit të tij nga Serbia.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-të kërkojnë që taksta të hiqet, Kosova ende vazhdon të injorojë këto thirrje.

Themelimi i ushtrisë së Kosovës

Kuvendi i Kosovës me shumicë absolute më 14 dhjetor miratoi tre projektligjet për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Në seancën e Kuvendit, deputetët votuan për projekligjet për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, për transformimin e FSK-së në ushtri dhe për shërbim në FSK. Në seancë morën pjesë 107 deputetë, pa praninë e deputetëve serbë.

Serbia reagoi ndaj këtij vendimi, por BE dhe SHBA kishin theksuar për një transformim gradual.

Presidenti rus Putin deklarata për Kosovën

Çështja e Kosovës vazhdon të mbetet një nga temat kryesore edhe në vitin e ri.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në konferencën e përbashkët për media me presidentin serb Vuçiç më 17 janar, gjatë vizitës së tij në Serbi, në lidhje me formimin e ushtrisë së Kosovës dhe taksën prej 100 për qind ndaj Serbisë, kishte thënë se “Hapat e papërgjegjshme të Kosovës mund të shkaktojnë destabilizimin e Ballkanit”.

Ai duke folur për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, tha se kërkojnë një zgjidhje ideale mes Prishtinës dhe Beogradit, por BE-ja nuk përmbush rolin e ndërmjetësit në procesin e dialogut.

Mundësia për një zgjidhje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2019 vlerësohet të jetë e dobët, por me kuriozitet pritet se çfarë do të sjellë viti i ri i cili filloi më qetë në krahasim me vitet e kaluara.

Në Kosovë, shtet me kryeqytet Prishtinën dhe me 1 milionë e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë turqit, boshnjakët, serbët, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Turqit, që më të dendur janë në Mamushë dhe Prizren, përbëjnë 1.1 për qind të popullatës.

Çarja e kordonit të policisë, Basha: Plan i Ramës që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës

“Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë”.



Kështu ka deklaruar kreu i PD-së, Lulzim Basha, pas çarjes së kordonit të policisë duke shtuar se është plan i Ramës për nxitjen e dhunës.

“Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit. Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme”- tha Basha.

LIVE/ Nis protesta e opozitës, Basha u bashkohet qytetarëve (videot)

Opozita e Bashkuar proteston sot kundër qeverisë “Rama”. Prej më shumë se një muaji, partitë opozitare kanë thirrur shqiptarët në protestë në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas opozitës do t’i hapë vendit rrugën e integrimit.

Policia ka paralajmëruar se në protestë ka persona me precedentë penalë dhe ish-të dënuar për krime të dhëna që do të përdorin dhunën por opozita e ka mohuar duke thënë se elementët kriminalë janë në qeveri.

Opozita është deklaruar kundër dhunës por se gjithçka është në dorën e protestuesve. Në protestën e sotme, ndryshe nga sa jemi mësuar nuk do të ketë fjalime dhe as flamuj politikë vetëm parulla e slogane të qytetarëve.
Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, autobusë e mjete të shumta me qytetarë janë nisur nga 12 qarqet e vendit.

Nis protesta e opozitës, Basha u bashkohet qytetarëve  

Ora 11:06– Kreu i PD Lulzim Basha ka dalë nga selia dhe i është bashkuar qytetarëve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

PD: Ja kush do flasë në protestë

Ora 10:40– Partia Demokratike ka konfirmuar sot se protesta nuk do të ketë fjalime nga kryetarë partish. Sipas PD, fjalën e kanë vetëm qytetarët, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kreut të opozitës për të marrë fatin në duart e tyre.

“Protesta do të hapet nga një vajze e re nga Shkodra. Më pas do të marrin fjalën përfaqësues nga ata që mbrojtën Teatrin, nga banorët protestues të Unazës së Re, të cilët janë në qendër të protestës. Do të ketë përfaqësues nga biznesi i vogël, një pedagog, fermer, artizan dhe sipërmarrës i ri. Më pas, qytetarët do të jenë të lirë ta marrin fjalën për të shprehur revoltën e tyre”, bën të ditur PD.

Rama si Maduro, pankartat e të rinjve të FRPD në protestë

Ora 10.50 – Të rinjtë e FRPD kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama duke e krahasuar atë me Presidentin e Venzuelës Nicolas Maduro. Në jo pak deklarata politike deputetë të PD janë shprehur se kreu i qeverisë shqiptare do të ketë të njëjtin fund si presidenti Nicolas Maduro.

FRPD menaxhon protestën

Ora 10:50- Do të jenë të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që do të menaxhojnë dhe mbajnë nën kontroll protestuesit e thirrur sot në protestën e opozitës. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se 500 te rinj të FRPD do të bëhen kordon para protestuesve.

Formohet kordoni i policëve para Kryeministrisë

Ora 10:40- Kur na ndajnë vetëm pak minuta nga nisja e protestës së opozitës së bashkuar, policia është bërë kordon para objektit të Kryeministrisë. Në gardhin e efektivëve të policisë ka shumë pak police femra, pothuajse të gjithë janë policë meshkuj. Ndërkohë në derën e Kryeministrisë qëndon një zjarrfikëse dhe punonjës të zjarrfikësve.

Kryeministria rrethohet me tela me gjemba

Ora 10:00- Gazetarja Dorjana Bezat raportoi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se në dyert e Kryeministrisë janë vendosur tela me gjemba. Ndryshe nga herët e tjera, masat e marra nga policia janë më të shtuara dhe ndërkohë që Kryeministria është objekti më i vëzhguar për shkak se protestuesit do të mblidhen para saj. Mbi taracën e Kryeministrisë ka punonjës të Gardës që vëzhgojnë me dylbi.

“Asnjë nuk i ndal protestuesit”, Basha mbërrin në selinë e PD

09:45 – Kur na ndajnë edhe 1 orë e pak nga nisja e protestës së opozitës, kreu i PD Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi mësohet se ndodhen në selitë e forcave politike që ata përfaqësojnë. Basha ka mbërritur në selinë e PD rreth orës 09:40 dhe është shprehur shkurt për gazetarët se ‘asgjë nuk i ndal protestuesit’. Sakaq deputetet e tjerë të opozitës janë shpërndarë në njësi të ndryshme dhe pritet të bashkohen në orën 11:00 në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Bëhen gati autobotet, policët pajisen me maska kundër gazit

Ora 9:35- Plot 1300 forca policie do të jenë sot në terren të angazhuar për protestën e opozitës së bashkuar që do të nisë në orën 11:00 në Tiranë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se nga ana e strukturave të policisë ka nisur të vihet në zbatim plani i masave.

“Ka nisur që në orët e para të mëngjesit shpërndarja e policisë nëpër kryeqytet dhe jo vetëm por edhe në akset lidhëse me qytetet e tjera ka prezencë të shtuar të policisë rrugore.
Është ndjekur protokolli dhe janë vendosur autobotet me ujë pas kryeministrisë, zjarrfikëse dhe ambulanca në rast të ndonjë emergjence. Pritet që të jenë 1300 efektivë policie në terren, 900 do të vendose para Kryeministrisë”, deklaroi Bezat.

Ajo tha se efektivët që do të jenë në krahë të protestuesve janë pajisur me maska kundër gazit në rast të hedhjes së bombave molotov apo sendeve të tjera piroteknike.
Policia do mbajë në monitorim personat që konsiderohen të dhunshëm dhe që janë verifikuar më herët.

Nga minjtë tek bileta e prerë e Ramës, ja sloganet e protestuesve

Ora 9:00- Nga Vlora janë nisur autobusë e mjete private me protestues drejt Tiranës, ndërkohë që vetë kryeministri do të jetë sot në Vlorë.

Në një prej autobusëve është vendosur një pankartë ku shkruhet “Ky është fundi i hajdutëve”.
Sipas PD, ky është slogani i protestuesve vlonjatë, të nisur me autobusë dhe makina drejt Tiranës. Në foton e pankartës shihet një mi në çark, simboli për fundin e hajdutëve.

Ndërkohë durrsakët kanë si lajtmotiv, përgjimet e Zërit të Amerikës. “VOA tapes. Rama+crime bought elections. Rama+Dako+Avdylajt”, është mesazhi që me sa duket iu drejtohet ndërkombëtarëve. Nga Shkodra vjen një tjetër parrullë. “Edi Rama ke marrë fund. Po vijnë shkodrant si lum”, shkruhet. Nga Elbasani ka diçka dhe më të rëndë. “Edi Ramës populli ia ka prerë biletën në të sëmës”.

PD jep shifrat e para: Ja sa protestues janë nisur drejt Tiranës

Ora 8:50-Partia Demokratike ka dhënë shifrat e para të protestuesve të nisur nga rrethet drejt Tiranës. Sipas PD, raportohet se janë nisur më shumë se 50 mijë qytetarë drejt Tiranës. Vihet re sipas këtyre të dhënave, qarku me pjesëmarrjen më të madhe të protestuesve është ai i Durrësit, më pas vjen Shkodra, Elbasani e Lezha.

Qarku Shkodër – 8000 qytetarë; Qarku Lezhë – 6800 qytetarë; Qarku Kukës – 4000 qytetarë; Qarku Dibër – 3500 qytetarë; Qarku Durrës- 9100 qytetarë; Qarku Elbasan – 7500 qytetarë; Qarku Berat – 3000 qytetarë; Qarku Fier – 4800 qytetarë; Qarku Vlorë – 4500 qytetarë; Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë; Qarku Korçë – 4200 qytetarë.

SITUATA NE QARQE:

GJIROKASTER-4 autobusë dhe 250 mjete private janë nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit nga Gjirokastra nën organizmin e drejtuesve të PD në këtë qark.

BERAT– 8 autobusë dhe 180 mjete të vogla janë nisur nga Berati. 6 autobusë janë nisur nga Skrapari. Ka pasur edhe tensione me policinë pasi një autobus është ndalur nga policia, por më pas autobusi është lejuar të kalojë. Autobusi ishte bllokuar nga policia pasi nuk kishte fletë udhëzimi drejt Tiranës.

SHKODER– Edhe në Shkodër ka pasur një organizmi nga drejtuesit e PD.  Janë rreth 30 autobusë dhe furgonë nga Shkodra që janë nisur para teatrit ‘Migjeni’ në drejtim të Tiranës. Në kryebushat ka pasur një kontroll të protestuesve në autobus.

DIBER– Sipas PD anë mijëra persona që janë nisur nga qarku Dibër për të protestuar në Tiranë. Ka pasur postblloqe nga policia në Maqellarë dhe në Burrel dhe policia ka qenë korrekte.

FIER– Rreth orës 07:00 simpatizantë dhe qytetarë të ndryshëm janë nisur nga Fieri dhe rrethinat. Deputeti i PD Luan Baci tha se janë mbi 300 mjete të vogla si dhe autobusët nisur nga ky qark drejt Tiranës. Policia ka ushtruar kontrolle dhe më pas ka lënë të lirë qytetarët për të udhëtuar drejt Tiranë.

LEZHE– Janë dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës edhe nga Lezha.

VLORE– Nga Vlora janë konfirmuar nga drejtuesit e PD rreth 1800 qytetarë të ndarë në 13 autobusë dhe makina të vogla. Rama pritet të zhvillojë një takim me qytetarët në këtë qytet dhe mohohet se do të zhvillohet antimitig.

KORCE– Shumica e qytetarëve nga Korça janë nisur me 12 autobusë si dhe 10 mikrobusë. Shumë qytetarë nga Korça nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë për në Tiranë për shkak të mungesës së mjeteve.

ELBASAN– Sipas PD janë 7500 qytetarë që pritet të marrin pjesë në protestën e opozitës. Sipas kreut të PD në Elbasan nisja do të nisë në orën 09:00 drejt Tiranë.

DURRES– Janë nisur 20 autobusë dhe furgonë si dhe mjete të vogla që janë nisur drejt Tiranë. Protestuesit kanë thënë se nuk kanë pasur vështirësi në autostradë. Kanë qenë 4 pika të nisjes së mjeteve nga qyteti bregdetar.

Tiranë: Protestë masive e opozitës për rënien e qeverisë Rama

Të shtunën zhvillohet një protestë e madhe e opozitës kundër qeverisë Rama, të cilën opozita e akuzon për korrupsion e lidhje me krimin. Policia e Shtetit gjendet në gatishmëri të lartë për shmangien e dhunës.

Protesta e organizuar nga opozita që pritet të zhvillohet sot të shtunën paradite (16.02.2019) në Tiranë ka ngritur gadishmërinë e policisë për të shmangur incidente potenciale të dhunës, trazirat dhe destabilitetin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një deklaratë zyrtare të publikuar në prag të protestës informon të gjitha palët dhe qytetarët se citoj ”Policia e Shtetit ka informacione që persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike”.

Në deklaratë policia e shtetit u bën thirrje organizatorëve, të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë dhe personat me rekorde të rënda kriminale si edhe të gjithë qytetarëve, që nuk kanë lidhje me protestën, “të evitojnë qëndrimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet protesta.

OSBE – dhuna nuk është rruga më e shkurtër për të marrë pushtetin

Prania e OSBE-së në Tiranë, në deklaratën e saj në prag të zhvillimit të protestës së opozitës tërheq vëmendjen e organizatorëve, qytetarëve dhe gjithë palëve të përfshira se “aspiratat e të gjithë qytetarëve shqiptarë kërkojnë një diskurs politik të pjekur dhe konstruktiv; trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet. Shqipëria ka parë boll dhunë politike në të shkuarën.”

Albanien | Anti-Regierungsprosteste in Tirana (DW/A. Ruci)

Policia në gatishmëri gjatë protestave në janar 2018

OSBE sjell në vëmendje dëmin që mund t’i shkaktohet Shqipërisë nga kthimi pas kohën e protestave me akte dhune, duke patur parasysh precedentet e protestave të opozitave: opozitës së djathtë në vitin 1998 dhe asaj të majtë në vitin 2011, ku u vranë 4 protestues të parmatosur nga qeveria e djathtë e asaj kohe. “Shqipëria futet në një periudhë katërmujore vendimtare, kur të gjitha përpjekjet dhe energjitë duhet t’i kushtohen organizimit të zgjedhjeve vendore, të cilat janë një provë e vërtetë për demokracinë” thekson deklarata e OSBE-së.

Kërkesat e opozitës

Kërkesa kryesore e protestës së organizuar nga opozita është largimi i kryeministrit Rama, formimi i një qeverie kalimtare me akademikë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita e akuzon kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij, se është  e lidhur me krimin dhe ka fituar mandatin e dytë qeverisës, në sajë të vjedhjes së votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, bazuar në përgjimet e publikuara telefonike të Prokurorisë.

Albanien | Anti-Regierungsprosteste in Tirana (Reuters)

Kreu i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha

Mes garantimit të së drejtës së protestës e shmangies së dhunës

Policia e shtetit synon të garantojë ushtrimin e së drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi të shmangë degjenerimin e protestës në dhunë, trazira dhe destabilitet. Për këtë qëllim nuk u është dhënë leja organizatorëve, të përfshijnë në mjediset ku do të zhvillohet protesta edhe rrugën” Ismail Qemali” ku ndodhet Radio-Televizioni Publik,  përfaqësi diplomatike dhe institucione shtetërore. Hyrja në Kryeministri , në strehën e të cilës është vendosur vepra ”Maqeque” e artistit të njohur francez Philippe Parreno, është mbuluar dhe izoluar.

Policia e Shtetit ka dhënë leje për zhvillimin e protestës në bulevardin

”Dëshmorët e Kombit” që historikisht është përdorur për protesta dhe ka hapësirë për pjesëmarrje masive të qytetarëve protestues. Sipas të dhënave të sapopublikuara nga PD, protestues nga gjithë vendi janë nisur të shtunën paradite drejt Tiranës, me mjete publike, private, autobusë dhe furgonë.

Lulzim Basha, lideri i Partisë Demokratike, organizatores kryesore të protestës ka reaguar pas vendimit të policisë. Ai e konsideron mosdhënien e lejes për të protestuar në rrugën ku ndodhet RTV Publik “si një përgjegjësi që do të bjerë mbi qeverinë Rama, për pengesën që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar”. Ndërkohë Kryeministri Rama do të jetë në Vlorë gjatë zhvillimit të protestës në takim me qytetarë në kuadër të takimeve që kreu i qeverisë së Tiranës zhvillon për bashkëqeverisjen me qytetarët.

Lulzim Basha: Shqiptarët do të vijnë të bashkuar dhe të vendosur nesër në Tiranë!

Lulzim Basha ka ftuar për herë të fundit të gjithë qytetarët ti bashkohen protestës së ditës së nesërme. Nëpërmjet një statusi në Facebook, kryedemokrati është shprehur se nesër populli merr në dorë fatet e veta.



Statusi i Bashës

Shqiptarët do të vijnë të bashkuar dhe të vendosur nesër në Tiranë! 16 shkurti është dita kur një popull që është vjedhur, është tradhëtuar, është poshtëruar nga një klikë që e varfëron përditë, ngrihet të marre në dorë fatet e tij si cdo popull Europian. Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, IKIN HAJDUTET NË BURG! Nuk VUAN populli! Përgjegjësia për cdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar!

Zëri i Amerikës: Presidenti Trump kërkon marrëveshje për njohje të ndërsjellë Kosovë – Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve si një veprim thelbësor për të ardhmen e tyre.

Thirrjet ishin pjesë e një letre që presidenti Trump i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe një letre dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.

Ne letrën dërguar presidentit Thaçi, thuhet se “marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse“.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, “u mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës“.

Ndërkaq në letrën dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti Trump thekson se “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësor i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën për synimet e Serbisë për integrime evropiane dhe rritje ekonomike“, thuhet në letër.

Në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Trump u kishte shkruar të dy presidentëve duke bërë thirrje që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre, duke theksuar se “do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike“.

Por, bisedimet ndërmjet të dyja palëve mbetën të pezulluara për shkak të tensioneve politike dhe tarifave ndaj mallrave serbe që vendosi qeveria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave dhe kanë marrë e paralajmëruar veprime dënuese për shkak të refuzimit të qeverisë për ta bërë një gjë të tillë.

Trysnia amerikane la bërë që të shtohen përpjekjet në Kosovë për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte dëmtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm në proceset politike përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës 11 vjet më parë.