VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

LAJM MORTOR- ZYRAFETE OSMANI NDERROI JETE NE NEW YORK

By | October 22, 2018

Komentet

ERGIT, NË 3-VJETORIN E LARGIMIT… Nga Dashamir Dini

 U mbushën tre vjet të trishtë prej aksidentit tragjik që mori jetën e dy të rinjve në lulen e moshës, këngëtarit Ergi Dini dhe shokut të tij Kejdi Halili, të dy sapo e kishin nisur kaluar pragun e 20 vjetorit të jetës. Dhimbja nuk rresht kurrën e kurrës. Zoti zgjodhi pranë vetes djemtë më të mirë!

Dashamir Dini me këtë rast kujton Ergin e tij.

ERGI DINI KUNDER AKSIDENTEVE.

Ka 3 vjet
qe ditet e mija te percelluara nga malli
jane nxi
e janë ba muzgje.

Ka 3 vjet
që rri i varur
ne litarin e durimit,
tuj vezhgu
yjet qe bien nga qielli,
me shpresë
se njeri nga ata
je Ti,
që po kthehesh.

Ka 3 vjet
qe Nana jote,
e përhumbur
nèn vellon e bardhë
te një endrre të lashtë nënash
përgatit një dasëm
e pret një nuse….
që kurrë s’do të vijë.

Unë endem,e endem
qiejve te verbër të netëve,
per me mujt me gjet
Yllin e shuar të Fatit Tand,
e me ndez
edhe nje herë
me flaket e mallit…

Dashamir Dini

 

Prej 25 tetorit 2019 fisniku Jusuf Fehmi Kazazi prehet në Firence

Mira Dine, nga Familja e njohur e Fiqiri Dines shkruan në faqen e saj në rrjetin social si më poshtë:

“Prej datës 25 Tetor 2019, do të pushojë përjetë në Firence, Via Chiantigiana 26,

fisniku Jusuf Fehmi Kazazi, që qe vetëm 12 vjet kur hyri diktatura komuniste në Shqipëri.

Ai do të përjetonte 47 vjet me rradhë, duke parë të tjerë që do t’ja banonin vilën e familjes,

do të përjetonte grabitjen e pjanos tëe dashtur…

do të përjetonte burgimin e të jatit ….

e …do përjetonte një rini plot privime e pa mundur të ndiqte studime…

megjithëse poliglot,

si daja i tij Qazim Mulleti …

Ai do punonte në Kombinati Ushqimor për të fituar bukën e gojës…

ky fisnik i vertetë…

Në Firencen plot art e kulturë, do prehesh tashmë përjetë, i dashuri jonë…. se atdheu i të parëve është uzurpuar nga pasardhës kriminelësh….”

Kështu e përfundon Mira Dine statusin e saj në facebook.

Voal.ch i shpreh ngushëllime Familjes të nderuar, farefisit dhe miqve!

Fabiola Laco-Egro: E dashur Tasha Këlliçi, ishte fat që të kishim mike!

Të hënë që shkoi u nda nga kjo jetë gazetarja  e Radio Tiranës Natasha Këlliçi, e cila me familjen jeton prej dy dekadash në SHBA. Për të gjithë të afërmit, miqtë e kolegët Tasha ishte një Mike e Artë, nga ato që sot vështirë se gjenden. Ja si shkruan FabiolaLaço-Egro për Natasha Këlliçin në rrjetin social:

“E dashur Tasha sa shume na hidherove. Na ngrive buzeqeshjen ne fytyre. Shpresen qe optimizmi, kurajo e pamase, dashuria per njerezit e te afermit mund ta mbaje jeten gjalle.

Sa here qe takoheshim, ketu o matane oqeanit, thoshje: “amerikanet s’te lene te vdesesh..’ (doktoret ),

se me humor fshihje thjeshtesisht dashurine tende te pamase per familjen, Skifterin, Maldin, familjen e tij te bukur, nipçen, familjen e madhe ne Shqiperi, mikeshat e miqte qe s’i harroje kurre, punet e mbara e te mbrapshta te ketij vendi ku na ka rene koka, pra per jeten ashtu si ishte.

Flisnim shpesh e me shpesh ne whats up neteve te vona, e me batutat e tua te “kripura”, e ç’dramatizoje situaten e na plaste e qeshura 😉🤣

Nje intelektuale pa poza, nje grua nikoqire, personifikim i nje korçareje te vertete, nje nene e rralle, nje mike e cmuar per te gjithe moshat, po dhe nje nga aktivistet e para te levizjes se gruas, flamurtare e org” Ne dobi te gruas” me vokacion e perkushtim te admirueshem.

Si s’u ankove a u qave ndonjehere. Semundja e gjate s’te thyu, ste transformoi, ste humbi interesat. Dy jave perpara kerkove romanin e fundit te sapodale ne treg ne Tirane, qe s’arrite ta lexosh.

S’ke ikur, se s’mund te harrohesh kaq lehte. Ishte fat te te kishim mike, te kishim pjese te jetes tone , te na zbukuroje jeten e te na ngjyrosje diten 🙏

Do gjesh menyren e do na flasesh dhe nga lart . .

Maldi, Skifter, mos u ligeshtoni se keni pasur ne krah mamane e gruan e rralle qe ju ka dhene dashuri te pakufi.”

DUKE PIKTURUAR”NË UDHËN E PARAJSËS” (MEMORIAL PËR PIKTORIN E TALENTUAR AGIM MUJO) Nga Rudina Papajani

Kur flet apo shkruan për një artist ndalesh në cilësitë apo vlerat artistike që ai posedonte.

Kur njeh artin dhe pikat ku ai ndalej arrin të shkruash sadopak një pjesë të krijimeve ku ai derdhte shpirtin dhe talentin e tij.

Agim Mujon e njoha krejt rastësisht si një lexues të rregullt të krijimtarisë sime.

Herë pas here shprehesh se disa poezi të miat i shërbenin si muzë e një portreti apo një peisazhi.

Të ndalesh në karakteret që ai realizonte në portrete të ndryshme do të thotë të shikosh botën e madhe të një artisti modest ku çdo përmasë e ngjyrës tregonte haptazi një sy estetik  ngulmues që vallëzon me elemente ndiesore.

Çdo portret apo pejsazh natyre që Agimi realizonte të krijonte një opus orgjinal ku çasti të jep elementin e duhur në pikat e referimit ku ai ndalej.

Vërtetsia e të bukurës në çdo vepër që ai realizonte të shfaqej me elemente dlirësie pa sforco ku penelatat dhe fantazia shkriheshin bukur në tablo kaq realiste.

Agimi e dashuronte të bukurën..artin e parë në çdo këndëvështrimi sepse ai kishte lindur për pasionin e tij duke dhënë gjithçka nga vetja në ato orët e heshtura ku ai punonte në pasionin dhe frymëzimin e çastit.

Pikturat e tij janë vetë jeta njerëzore që shndrohen fuqishëm kaq orgjinal në çdo tentativë për psikologji karakteresh e dhënë kaq e dlirë në lakueshmërinë e portreteve.

Jeta e artistit Agim Mujo ndali por ëndrra e tij nuk ndalet ,ajo vazhdon udhëve të parajsës ku ai fluturoi,sepse vetë vizioni i tij i përket syve të qiellit që lotojnë e pikturojnë krejt botën e lirë nga sytë e Agimit aty ku heshtja flet sa mijëra fjalë të thëna së bashku.

Duke u ndalur te talenti i tij shikojmë gjurmët e një pikture hyjnore që shpirtin ja fali artit si një frymë pavdekësie në veprat që Agimi na la…

RUDINA PAPAJANI

NDËRROI JETË RAPSODI I MIRËNJOHUR HAJDAR BOTUSHA – Nga TAHIR BEZHANI

 

Me datën 5 tetor 2019, në moshën 85 vjeçare ,ndërroi jetë njëri ndër rapsodët  më njohur, jo vetëm nga Reka e Keqe,por në gjithë rrafshin e Dukagjinit e më gjërë. Ishte një rapsod tipik ,i ndërtuar dhe i kalitur natyrshëm ,i cili me zërin e tij melankolin, dinte të prekte shpirtërat e atyre që e donë artin folklorik. Kishte melosin e rekian,të ushqyer me bukuritë fshatit të lindjës,Botushës së mirënjohur dhe të traditave të Rekës së Keqe në tërësi. Hajdar Botusha,së  bashku me vëllaun e ndjerë,Tahirin,ishin synonim i knaqësisë folklorike mbi 60 vite  nëpër odat e Rekës së Keqe e kudo Kosovës.Këta dy vllëzër e posaqërisht Hajdari,kishin një veçori, një talent të lindur për oda,duke përdorur meselt e kohës me atë mprehtësinë e zgjuarsinë që ka falur ndër shekuj filozofija e popullit tone të lashtë.

Gjithë këtë pasuri homerike,Hajdari e Tahiri,e filluan fare në moshë të re, duke dredhur gjunjët odave të Rekës Keqe,në dasma e ceremoni të ndryshme. Patën fatin që të  këndojnë me rapsodët më në zë të popullit tonë,si me Maxhun Fazlinë e Morinës,Sadri Isufin e Stubllës,Bilall Arifin e Prekullukut, Dervish Shaqen,Lan Dobren,Abaz Agen e shumë e shumë të tjerë.

Rapsodi Hajdar Botusha

 

Ikja nga kjo jetë e rapsdodëve nga Botusha,pos dhimbjës së madhe njerëzore,dhimbja rritet kur dimë se kanë lënë zbrastësi në artin e këngës folklorike,si gjini e theksuar e letërsisë popullore. Ka disa këngë që i këndonin të vequar nga gjithë rapsodët tjerë nga trojet tona. Kot bëhen përpjekje për imitim të tyre,sepse ishin të pa arritshëm,sidomos për këngën e “Musa i vogël”,”Kongresi i Berlinit”, ”Avni Rrustemit” etj.

 

Me që kam pasë fatin t’i njoh dhe të jam mik me të dy  rapsodët e ndjerë,Hajdarin e Tahirin,ndaj dhimbjën me familjen Botusha,me gjithë dashamirët e folklorit tonë,me  rapsodët kultives të këtij thesari popullor.

 

Pushoftë në Paqe!

In Memoriam: “XHONI ATHANAS, NJERIU DHE ARTISTI” Nga Skifter Këlliçi*

Në foto: Xhoni Athanas me të shoqen, balerinën e njohur Sekine Sharofi dhe shkrimtari Skifter Këlliçi me zonjën e tij Natasha Këlliçi

Një mbrëmje, duke kërkuar të dhëna për një shkrim në Google, tashmë për të gjithë një enciklopedi mahnitëse në internet, ndesha me një foto të tenorit tonë të njohur, Xhoni Athanas dhe poshtë saj një video në të cilën ai shihej duke kënduar një këngë klasike italiane. Dhe poshtë saj në italisht përshtypje të disa italianëve, ndër të cilat zgjodha njërën ku shkruhej: ”Nuk njoh këtë interpretues, por dëgjova një zë të bukur, të kadifenjtë që interpretonte me kaq mjeshtri “Mandulina napolitanën”.

Dhe solla ndërmend mbrëmjen e 17 janarit të vitit 2008, kur më ndodhi një e papritur e këndshme. Do të kremtoja 70-vjetorin e lindjes së bashku më gruan time, Natashën, edhe ajo si unë ish-gazetare në RTVSH, dhe djalin Maldi, që pas disa muajsh do të përfundonte studimet në Kolegjin “Berkli”, në Boston, një nga shkollat e larta më të njohura muzikore të botës.

Midis të ftuarve, më i afërmi ishte Xhoni Athanasi, ndër miqtë e mi më të mirë në Boston, ku jetoj prej më shumë se 14 vjetësh, i cili kishte në krah, të shoqen, Sekinen, ish-kërcimtare e njohur në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Në krahun e djathë të tryezës kisha pranë edhe Anxhelo Xhaçkës, një ish-gazetar, edhe, ai i njohur në Tiranë në vitet ‘80-’90 të cilin edhe atë e kishte sjellë fati të vinte në Amerikë, por duke këmbyer penën e gazetarit me punën e vështirë të biznesmenit.

Dhe ja, pasi u përshëndetëm Anxheloja më zgjati një libër mbulesën e të cilit lexuesit mund ta kundrojnë në mes të këtij shkrimi, me titull ”Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”, të shkruar prej tij. Dhe pastaj e papritura e tjetër. Pasi e përgëzova autorin pra Anxhelon dhe Xhonin, të cilit i përkushtohej ky libër, Xhonin, hapa mbulesën e librit lexova: ”Kopjen e parë të këtij libri ia dhuroj ne kënaqësi të madh mikut tim më të mirë…” dhe Anxheloja vazhdonte më fjalë të tjera shumë të ngrohta për mua…

E vërteta është se, ashtu si çdo shikues shfaqjesh artistike dhe dëgjues i Radio Tiranës, Xhonin e kisha njohur që më 1950 kur isha jo më shumë se 12 vjeç dhe ku ai kishte ardhur nga Korça pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore. Pastaj, me kalimin e viteve kisha pasur rastin të takohesha dhe të njihesha me të si gazetar. Por miqësia jonë bë shumë gjatë takimeve në mbrëmjet shqiptare në restorantin “Pjer For” të atdhetarit të njohur shqiptaro-amerikan, Antoni Athanas. Që atëherë, në biseda të këndshme, ku Xhoni, veç ngjarjeve nga jeta e tij e vrullshme artistike, rrëfente edhe barcaleta që të shkulin së qeshuri, pasioni i gazetarit dhe shkrimtarit më kishte ngacmuar që të skicoja një libër jetëshkrimor që do t’a kushtoja Xhonit dhe gruas së tij, Sekines. Por ja që Anxheloja tashmë ma kishte djegur këtë dëshirë.

Kaluam kështu herë duke iu kthyer Xhonit dhe herë Anxhelos dhe, natyrisht edhe miqve të ftuar, një mbrëmje shumë të bukur, ku Xhoni nuk mungoi që të më rikujtonte episode të tjera nga jeta e tij, që nis që nga Broktoni, qytet pranë Bostonit, në Masaçjusets, ku lindi më 1925, ku babai i tij kishte shkuar si mërgimtar, rikthimin në Korçë, vitet e fëmijërisë , duke bredhur lëndinave të fshatit e duke kënduar këngët “Te plepi i Bilishtit”, ”Tatëpjetë bregut vinje”, ”O moj korçare..” e plot këngë të tjera. Pastaj kur babai vinte gramafonin, nga pllakat e të cilit si me magji për këtë vogëlush shpërthenin tingujt e këngëve amerikane, por edhe të pjesëve operistike “La donna e mobile” e Verdit, nga Turandot e Pucinit që më pas zuri t’i këndonte dhe Xhoni, sa e motra i përsëriste “Ti, vëlla, do të bëhesh këngëtar”…

Të nesërmen më t’u kthyer nga puna, lashë mënjanë çdo gjë dhe zura të lexoja librin ”Xhoni Athanas, njeriu, artisti”. Në përvojën time 50-vjeçare në fushën e letrave kam lexuar jo pak libra të natyrës muzikore që më kanë ndihmuar për të përgatitur emisionin radiofonik “Novela muzikore”, një pjesë të të cilave i kam ripunuar dhe i kam botuar më 1970 vëllimin me tregime “Zërat e jetës” dhe dy vjet më pas “Mbi mjegullat e kohëve”. Midis tyre kam lexuar edhe librin “Jeta dhe vepra e Karuzos”, shkruar nga publicisti italian, Vitorio Tortoreli. (Më pas këtë libër e përktheva nga rusishtja, por ai u nuk u botua më 1973, pas ngjarjeve tragjike të Plenumit të 4-t famëkeq të KQ dhe fjalës që mbajti atje diktatori Enver Hoxha.)

Por e them çiltërisht se libri jetëshkrimor “Xhoni Athanas”, shkruar nga Anxhelo Xhaçka, qëndron denjësisht edhe krahas librit të Tortorelit. Kështu që nuk u pendova se nuk kisha nisur të shkruaja një libër të libër kushtuar Xhonit.

Në verë të viti 2005 Anxhelo Xhaçka më kishte bërë një të papritur tjetër, kur më kishte dërguar një vëllimth poetik me titull “Sinqerisht”, shkruar prej tij. Dhe unë po sinqerisht i kisha kthyer përgjigje me një recension të botuar në faqet e një gazete, me titull: ”Një gazetar poet në moshën 50 vjet”. Që Anxheloja ka shpirt të thellë poetik, mjafton t’u ofroj lexuesve këto vargje të nxjerra nga ky vëllimth, me titull “Malli-mal”. Një titull disi kakofonik, por domethënia e të cilit kuptohet pasi lexon me vëmendje këto vargje:

”Sikur të kisha një grusht rrufe, /Do të godisja malin mu në zemër, /Që ta rrëzoja të tërin përdhe, /E të mos i lija më emër/.Do ta merrja pastaj nëpër duar, /Që ta shkërmoqja në gurë zalli, /E ta shpërndaja në udhën e shtruar, /Ku të ecë zemra te malli…”

Po me këtë shpirt poetik është shkruar ky libër, në të cilin mpleksen faqe proze poetike, romani, me nota dramatike dhe në të njëjtën kohë dhe humoristike, sepse edhe me copëza të tilla është e mbushur jeta e Xhonit, kur mendon se për më shumë se gjysmë shekulli ai ka qenë pranë këngëtarëve të tillë si Avni Mula dhe Ibrahim Tukiqi, një trio vokale që bënte për vete tërë ata që ndiqnin këngët e tyre kudo që i këndonin.

Kështu i njoha edhe unë gjatë një koncerti nga të fundit në Tiranë, disa ditë para se ata të niseshin për studime në Bashkimin Sovjetik, ngjarje që përshkruhet dhe në libër, shoqëruar me dialogët e mëposhtëm në një zyrë të konservatorit “Çajkovski” në Moskë:

“Si ju quajnë djalosh?”, ”Xhoni Athanas”. ”Ku keni lindur?” Në Brokton, Masacjusets, SHBA”. ”Tjetri: ”Emri mbiemri?”, ”Avni Mula”. ”Vendlindja? ”Gjakovë, Republika Federative e Jugosllavisë”. Dhe kur vjen radha e të tretit, që ishte Rifat Teqja, që do të bëhej më pas nga dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili përgjigjet se ka lindur në Pekin, sepse në rusisht bashkëtingëllorja “q” zëvendësohet më “k”, atëherë, siç shkruan autori: “…nëpunësi i konservatorit ngrihet më këmbë, mbyll regjistrin, heq xhamin optik nga syri dhe u drejtohet të rinjve: ”Të më falni, por nuk po marr vesh asgjë. A ka midis jush ndonjë shqiptar?!..”

Edhe me gërshetime të tilla është ndërtuar i tërë libri i Anxhelo Xhaçkës, ku natyrisht fokusi i tij përqendrohet në rrugën artistike që ndoqi Xhoni për t’u bërë këngëtar, e bashkë me të edhe me Avniu me Ibrahimin dhe të tjerë, që u bënë të njohur edhe në Bashkimin Sovjetik e pastaj në vende të tjera të botës.

“Pa nisur ende afshi i nxehtë i verës së vitit 1955, -shkruan autori-, dy studentët e konservatorit “Çajkovski”, Xhoni Athanas dhe Avni Mula, u lajmëruan të paraqiten në ambasadën shqiptare të Moskës: ”Jeni të ftuar të merrni pjesë në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, i cili nën drejtimin e Gaqo Avrazit do të zhvillojë një turne të gjatë në Kinë Mongoli, Vietnam, Kore …”.

Kështu, siç përshkruhet në libër, zë fill rrugëtimi i Xhonit në sa e sa grupe artistike, që do ta shpien atë nga Azia në vende të tjera të Evropës, në vendet balltike, Rumani, deri në republikat më të largëta të ish-Bashkimit Sovjetik, Kirgizi, Uzbekistan, Taxhikistan dhe Turkmeni, përsëri Kinë, për më shumë se 30 vjet, me një repertor të pasur, që nga këngët popullore, nga të cilat e famshme kudo u bë “Lule borë” e Simon Gjonit, deri te ariet nga opera të famshme klasike dhe të autorëve tanë. Megjithatë, viti 1955 do të shënonte për Xhonin një vit të paharruar: njohjen me kërcimtaren Sekine Alibali, e cila, si bashkëshorte e ardhshme e tij, u bë dhe një personazh i rëndësishëm edhe në jetën artistike.

Gjatë takimeve me Xhonin dhe Sekinen, më ka rastisur të bisedoj edhe për ngjarje që lënë gjurmë, në një nga të cilat ndalet edhe Anxhelo Xhaçka.

“ -…Nëse dëshiron, mund të vish edhe me ne në Amerikë.

-Oh, falemnerit, kjo është e tepërt, -ia ktheu Xhoni.

-Jo, djalosh. Asgjë nuk është e tepërt ne këtë botë. Me zërin tënd ti mund të kesh një karrierë të shkëlqyer..Mos e humb këtë shans. Ne këtu jemi këto ditë”, (faqe 56).

Ç’kishte ndodhur?Ishte viti 1956 dhe Xhoni pati rast të bisedonte me një nga pjesëtarët e një grupi të famshëm artistik amerikan që shfaqi në Moskë operan e kompozitorit të njohur, Xhorxh Gershuin “Porgi dhe Besi”. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, që me disa shokë kishte dëgjuar Xhonin gjatë një koncerti, i bëri propozimin e mësipërm. Por Xhoni nuk pranoi. ”Ai mezi po priste të kthehej në Shqipëri. Tenorin dramatik e kishte këputur malli për vendin e vogël buzë Adriatikut.(Po aty).

Xhoni do të sillte në Shqipëri edhe jehonën e një suksesi të madh, të arritur në konkursin e kantos, organizuar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, më 1957, ku morën pjesë 130 këngëtarë të rinj, solistë të skenave operistike nga shumë vende të botës. Atje ai zuri vendin e dytë, i vlerësuar me entuziazëm nga Tito Skipa, tenori i madh italian, me origjinë arbëreshe, që, duke e përqafuar, i dhuroi medaljen e argjendtë.

Xhoni u shqua në këtë konkurs, veç të tjerash, edhe me interpretimin e aries së Otellos, nga opera me të njëjtin titull e Xhuzepe Verdit, (faqe 58 e librit).

Kjo ka qenë një ariet më për zemër të Xhonit, të cilën e kam dëgjuar edhe unë në disa koncerte në TOB dhe në sallën e Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kështu ndodhi në një koncert në këtë sallë. Kur Xhoni po e këndonte këtë arie, ashtu si gjithnjë, plot pasion, një studiues italian në fushën e letërsisë, që kishte ardhur në Shqipëri për të dhenë leksione në auditorët tona dhe që shoqërohej nga kritiku ynë i njohur, Kudret Velça, u mahnit kur dëgjoi Xhonin. Siç më tha pastaj Kudreti, ky zë i kishte kujtuar atij zërin e Mario del Monakos, një tjetër tenori italian, me famë botërore të atyre viteve.

Por që nga viti 1957, kur ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik dhe deri më 1969, ashtu siç përshkruhet në librin e Anxhelo Xhaçkës, Xhoni e kishte pasuruar repertorin e tij edhe me pjesë nga opera të njohura klasike dhe shqiptare. Po përmend disa prej tyre: Doda, nga opera “Mrika”, e kompozitorit Preng Jakova, Sazani, nga opera “Pranvera”, e kompozitorit Tish Daija, për të kaluar në role nga opera klasike ”Principali (“Nusja e shitur e Smetanës)”, Turidu, (opera “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit), Kanio, (opera “Paliacot e Leon Kavalos). Pastaj kthehet në një rol të rëndësishëm ne operan “Lulja e kujtimit” e kompozitorit Kristo Kono, të Lenskit, në operën “Evgjeni Onjegin”, të Çajkovskit, si dhe role të tjera të rëndësishme në operat “Karmen”, te Bizesë, “Rigoleto”, ”Trovatore”, të Verdit.

Dhe midis këtyre veprave të njohura, operistike, pa pritur si larmi flladitëse vjen opereta “Princesha e Cardashit” e kompozitorit hungarez Kalman. Në këtë operetë Xhoni dhe shoku i tij, Avni Mula, plotësojnë njeri-tjetrin, por këtë radhë, jo në jetë me hedhje-pritjet e tyre që na bënin të shkriheshim gazit, por në skenë, ku siç më kujtohet edhe mua, patën sukses të plotë edhe me mizanskenat e krijuara prej tyre dhe regjisori i njohur, Mihal Luarasi, si dhe me dialogët, të ndërthurur mjeshtërisht me partet muzikore.

Xhoni do të shquhej pastaj edhe në roline Azizit në operetën “Brigada e grave”, të kompozitorit Llazar Morcka, të Viktorit në operetën tjetër të Agim Prodanit…dhe në role nga opera të tjera, si “Borana”, të Avni Mulës, ”Zgjimi” të Tonin Arapit.

“…Ishte koha, -shkruan autori i librit, – kur në mbarë vendin kishin filluar përgatitjet për kremtimin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti. Dhe Xhoni i kushtoi shumë rëndësi rolit të Skënderbeut, nga më të realizuarit në historinë e TOB-it. Ai përmbushte disa cilësi të rralla me zërin dramatik që kërkonte kjo operë e vështirë e Preng Jakovës, interpretimin teatror që ia kërkonte regjisori Pirro Mani dhe paraqitjen e jashtme fizike”.

…Në 1984 unë me një grup shokësh bëmë një vizitë në Krujë dhe u ndalëm edhe më në Muzeun Historik. U takuam atje me krutanë të moshave të ndryshme.”Kemi lexuar shumë për Skënderbeun, por përshtypja që na ka lënë Xhoni Athanas në rolin e Skënderbeut në këtë oper, ishte për ne e jashtëzakonshme. Por jo vetëm për ne, por edhe për fshatarë që kishin ardhur ta parë atë natë që u dha në muret këtij muzeu”.

Këto ishin vlerësimet e këtyre njerëzve të thjeshtë për Xhonin dhe operën “Skënderbeu”.
Është e vështirë që në faqet një shkrimi të përmbledhësh tërë jetën artistike të Xhonit, që pastaj u bë pedagog të Institutin e Lartë të Arteve dhe vite më pas, të detyrohej të linte atdheun e të vendosej Boston atje ku shumë dekada më parë qenë vendosur prindërit e tij,

Dhe ja më 1999 unë dhe çuditërisht edhe Anxhelo Xhaçka, autori i librit “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”u bashkuam një ditë këtu në Boston. Që atëherë kam pasur dhe kam takime me Xhonin;të rastit raste si dhe në përvjetorë të të tij. Kam biseduar edhe emigrantë rusë, ish-profesorë a profesoresha në universitete të njohura në ish-Bashkimin Sovjetik cilët edhe ata fati i solli në Amerikën “e urryer” kapitaliste.

Sot më flisnin me shumë ngrohtësi për zërin e Xhonit… ”Ai do të kishte qenë edhe në vendin tonë një nga tenorët më të njohur dramatikë”, vinin në dukje ata.

Por Xhoni nuk mungon në takime të organizuara nga Bashkësia Shqiptare e Bostonit, veçanërisht në ditën e 28 nëntorit, festës së Pavarësisë, që fillojnë do të më himnin kombëtar e pastaj me himnin amerikan, të kënduar nga Xhoni.

Për këtë veprimtari ai është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë më dekoratën e lartë të mirënjohjes, në një ceremoni të zhvilluar më 6 nëntor të vitit 2006.

Por të kthehemi te libri i Anxhelo Xhaçkës, kushtuar Xhoni Athanasit, për mua një nga librat me të vërtetë dinjitozë dhe më të mirë të zhanrit jetëshkrimor, shkruar jo vetëm me vërtetësi historike, profesionale, por edhe me stil tërheqës. Vlerat e këtij libri shtohen dhe më shumë, kur lexuesi njihet edhe me vlerësime personalitetesh të të artit muzikor shqiptar dhe të huaj, të cilët vënë dukje meritat e Xhonit si tenor dramatik që ka dhënë aq shumë për njohjen muzikës sonë edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Nuk më vjen keq që nuk qeshë unë që shkrova një libër për Xhoni Athanasin, sepse jam i sigurt, se megjithë përvojën letrare dhe publicistike që nuk më mungon, nuk do të mund të shkruaja një libër më mirë se ç’ka shkuar publicisti dhe poeti Anxhelo Xhaçka.

*Boston,SHBA

Lajm i hidhur për skenën shqiptare: largohet nga jeta Gjoni (John) Athanas

Shuhet Gjon Athanasi, tenori shqiptar që luajti rolin e “Skënderbeut”

Në foto tenori Gjoni Athanas në rolin e Skënderbeut, 1968

Tenori i njohur Gjon Athanasi (1925-2019) është shuar në moshën 94-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte bashkë me Familjen prej 25 vitesh. Prindërit e tij i kishin emigruar që prej vitit 1915 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për disa vite familja e tij punoi për përmirësimin e gjendjes ekonomike në Massachusetts, aty ku u lind edhe Gjon Athanas, për t’u kthyer më pas sërish në Shqipëri. Ndonëse, bënë përpjekje për t’u larguar sërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe më pas në komunizëm, por kjo do të ishte e pamundur.

Lidhjet e tij me këngën janë të kahershme, që në vegjëli nisi që të këndojë psalmet bizantine në kishën që babai i tij ushtronte profesionin e klerikut.

Ka reaguar Vera Ibrahimi e cila duke i shprehur ngushëllimet Familjes shkruan:

Lajm i hidhur për skenën shqiptare: largohet nga jeta Gjoni (John) Athanas. Lajm i dhimbshem per Artin Shqiptar… Largohet nje nga themeluesit e Teatrit te Operes Shqiptare, largohet nje nga me te shquarit e interpretuesve kryesore te operave boterore dhe shqiptare, nje nga pedagoget e ndritur te kantos, NJERIU SHPIRTBARDHE, me humorin e perhershem, mik i madh i artisteve, mik i madh i familjes sone, Gjoni(Xhoni) Athanas…

Ngushellimet e mia per Sekinen, Mirela Athanas & Edlira Athanas Joseph! Ngushellimet e mia edhe per tere artistet lirike shqiptare, e jo vetem…! R.I.P, i paharruari Xhon!😢”

Voal.ch po ashtu shpreh ngushëllimet!

 

Ndërron jetë gazetarja e RTK-së Ardita Sylejmani

Gazetarja e RTK-së, Ardita Sylejmani ka ndërruar jetë në Budapest të Hungarisë. Gazetarja me prejardhje nga Gjilani dyshohet se ka humbur jetën gjatë procesit të lindjes.

Dyshimet e para janë se ajo ka pasur komplikime shëndetësore ndërsa përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.

Gazetarja Sylejmani është bashkëshorte e Shpend Bllacës, të punësuarit në stafin diplomatik të Republikës së Kosovës në kryeqytetin hungarez.

Ajo ka lënë pas vetes tre fëmijë, përfshirë edhe vajzën e sapolindur.

U nda nga jeta Sanije Vathi Koja, bashkëshortja e Vangjel Kojës!

Është ndarë nga jeta Sanije Vathi Koja, ish – mësuese fiskulture, bashkëshortja e të mirënjohurit, trajnerit të Dinamos Vangjel Koja, nëna e të mirënjohurës stiliste Ema Koja me aktivitet shumë të suksesshëm në SHBA dhe Europë dhe djalit të tyre shumë të suksesshëm në SHBA Orlando Koja.

Për ndarjen nga jeta të zonjës Sanije Koja, lajmin e ka dhënë vetë Prof.Vangjel Koja në rrjetin social. Ja si shkruan:

“Me hidherim ju njoftoj mbi vdekjen e gruas time te shtrenjt Sanije Vathi Koja, varrimi behet neser ne oren 11.00 ne tufine.

Pritja behet tek rruga Spiro Moisiu, pallati nr 3, apartamenti nr 12 (pallati perball hyrjes se shkolles Ismail Qemali).

Ne te mira ju a shperblefshim.”

U shua në moshën 96 vjeçare regjizori i shquar Fraco Zeffirelli –

Regjizori i famshëm Franco Zeffirelli vdiq sot në shtëpinë e tij romake në Via Appia. Ai lindi në Firence më 12 shkurt 1923 dhe kishte qenë i sëmurë për disa kohë.

Student në Akademinë e Arteve të Bukura dhe Fakultetin e Arkitekturës të qytetit të tij, në vitin 1946 u transferua në Romë ku debutoi si aktor i filmit dhe teatrit dhe ku pati takimin që ndryshoi jetën e tij atë me Luçino Visconti.

Kështu filloi një karrierë artistike që vazhdoi për rreth 60 vjet,  nga kinemaja në teatër, në TV, me çmime të panumërta, duke përfshirë pesë David Donatello, dy shirita Argjendi dhe 14 nominime për filmat e tij në Oscar.

Një nga filmat e paharrueshëm të Franco Zeffirelli-t i shfaqur në Shqipëri është – Kampioni – The Champ, film i vitit 1979.


Në vitin 2008, Franco Zeffirelli ia dhuroi gjithë arkivin e tij qytetit të Firences.

Më 1 tetor 2017 u hap në Firence Qendra për Arte Performuese – Fondazione Franco Zeffirelli.

Gian Franco Corsi Zeffirelli, vdiq në praninë e fëmijëve të adoptuar, mjekut dhe prifiit.

Ka vdekur qetësisht pranë familjes, u njoftua zyrtarisht.

Zeffirelli, pas funeralit, do të pushojë në varrezat monumentale të Porte Sante në Firence.

Funerali do të mbahet në Campidoglio në Romë

KUR LOTI “NGRIN “NË DHEMBJEN E NJË QYTETI… Nga RUDINA PAPAJANI

(Elegji për aktorin e humorit Muhamet Liko)

Të jesh pjesë e një qyteti të bukur është luks por të falësh buzëqeshje, humor, shpirt të bukur është hyjnore.

Ky qytet nuk mund ta pranoj që ti MET të largohesh pa menduar për ta…familjen tënde që kurrë s’do rresht ta mposhti atë lotin e ngrohtë që zbret plot mall e zë vend aty midis faqeve sikur të dojë të flasi gjatë pambarim.Shokët e tu që të presin si çdo ditë, ashtu të katërt bashkë.

Edhe teatri sot hesht,s’do të ndjej hapat e tua,buzëqeshjen tënde, çiltërsinë dhe humorin fin.

Sot qyteti ka heshtje,qetësi që vret fuqinë e rënkimit,tinguj dhimbje që i luten zotit pse mëkaton për njerëz të mirë.

Ndërsa ti na sheh nga lart ,buzëqesh ,mbledh gjithë dashuritë e zotit dhe zgjeth yjet që natën të zbresin në këtë qytet.

Pastaj kthehesh në flutur të bukur dhe ndalon në dy dashuritë e tua ,i përkëdhel dhe u fal bekimin e një babai të dhimbshur.

Ti zgjodhe pranverën të ikje me zemër të paqtë të shkoje në qiellin plot kaltërsi të fikje ëndrrat e tokës në mall e amshti.

Në qytetin tonë sot kanë zbritur ëngjëjt .Çudi sot nuk vallzojnë ..dredhin krahët dhe rënkojnë në tinguj dhimbje tek marrin shpirtin e një artisti që nuk vdes kurrë por frymën lë në zemrën e një qyteti.Sepse ti è ke dashuruar shumë qytetin tënd,artin,tokën nga erdhe me dashurinë që shumë kishe për të dhuruar.

Çdo herë je në qelizën..emblemën e këtij qyteti si ikonë e një arti të bukur, si simfoni që bulëzon humor, art klass në skalitje kujtesë.Lutemi për ty në hapësirat e paqjes,dritës,e dashurisë,në udhëtimin tënd drejt Zotit…
RUDINA PAPAJANI

(Video) Mos ta harrojmë Hysen Tërpezën: Zürich 1997: Hysen Tërpeza: Nga këtu kërkoj Bashkim Kombëtar!

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj, ka ndarë një pjesë emocionuese nga mbrëmja gala e nëntorit të vitit 1997 në Cyrih, që u organizua nga gazeta “Bota sot”, për ndarjen e çmimit Skënderbe.

Ai nga kjo mbrëmje ka veçuar momentin kur çmimi Skënderbeu iu nda atdhetarit të shquar kombëtar, Hysen Tërpeza.

Tërpeza, ishte nderuar me duartrokitje të shumta dhe me fjalimin e tij drithërues kishte përlotur edhe të pranishmit.

Ndryshe, Tërpeza, antikomunist, ishte anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe luftëtar i paepur për bashkimin e trojeve shqiptare.

Ai gjatë viteve 1941-1945 luftoi për të mos lejuar ripushtimin e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare nga Serbia.

Ai pas marrjes së çmimit, kishte thënë se populli ka luftuar për komb e për Shqipni etnike, madje kishte kërkuar Bashkimin kombëtar.

“Nga këtu kërkoj Bashkim Kombëtar”, kishte deklaruar Tërpeza.

Më poshtë postimi i plotë i Mazrekajt:

Hysen Tërpeza: Nga këtu kërkoj Bashkim Kombëtar

Sot kam vendosur të ndaj me ju një pjesë emocionuese nga mbrëmja gala e nëntorit të vitit 1997 në Cyrih, që u organizua nga gazeta “Bota sot”, për ndarjen e çmimit Skënderbe.

Bëhet fjalë për momentin, kur çmimi Skënderbeu iu ndaj atdhetarit të shquar kombëtar, Hysen Tërpeza. Një nder i madh për gazetën “Bota sot” e cila sadopak u mundua ta njoh solemnisht kontributin e Hysen Tërpezës.

Hysen Tërpeza, anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, luftëtar i paepur për bashkimin e trojeve shqiptare, gjatë viteve 1941-1945 luftoi për të mos lejuar ripushtimin e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare nga Serbia. Nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore u detyrua të arrtisej dhe të kalonte jetën në mërgim politik. Hysen Tërpeza nuk e pushoi asnjë çast veprimtarinë e tij atdhetare nacionaliste djathtiste për bashkimin e shqiptarëve, prandaj u ndoq kudo nga spiunazhi serb. Ai nuk pushoi kurrë së kërkuar pajtim dhe bashkim kombëtar të shqiptarëve. Lajtmotivi i tij gjithmonë ishte: “Ka me na gjykue nana Kosovë!

Duartrokitjet nuk u ndalën që nga momenti kur moderatori, Adi Krasta, theksoi se çmimi Sekënderbe do t’i jepet z. Hysen Tërpeza, për ndjenjën e shquar atdhetare.

Një fjalim drithërues që zgjoi emocion dhe përloti të gjithë të pranishmit.

Artisti Naim Krasniqi ia dorëzoi çmimin.

Tërpeza tha se është Ushtar i Kombit dhe jo intelektual. Kishte 52 vite që nuk kishte qenë në Kosovë, pasi përndiqej politikisht nga sistemi i atëhershëm.

Ai do ta falënderonte lartmadhërinë e tij, Leka Zogu, që po ashtu ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

Thirrja e tij se duhet punuar për kombin tonë, u përcoll me duartrokitje.

“Nga këtu kërkoj Bashkim Kombëtar”, tha ai.

Ai brohoriti mallëngjyeshëm se populli ka luftuar për komb e për Shqipni etnike!

“Shqipnia pa Kosovë nuk mundet me shku përpara”, shtoi ai, ndërsa artisti Naim Krasniqi iu hodh në përqafim.

PS Botuesit e voal.ch  Skënder dhe Elida  Buçpapaj, të cilët menjëherë do të angazhoheshin  për dhjete vjet tek Bota sot, ishin të pranishëm në atë Gala kur Hysen Tërpeza i shqiptoi ato fjalë.