VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Lajm i madh nga Ambasada e SHBA: nga 1 tetori të gjitha llojet e vizave jepen në Kosovë (video)

By | September 6, 2019

Komentet

Vasfije Krasniqi: Kjo është arsyeja pse zgjodha Vetëvendosjen, paralajmëron kthimin në Kosovë

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka treguar pse hyri në politik dhe pse pikërisht në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo pohon se pati bisedime edhe me PDK-në për të qenë pjesë e listës së tyre, por që në fund kishte vendosur për partinë e Albin Kurtit.

Krasniqi-Goodman premton se do të jetë fillimisht zëri i të gjitha grave në Kuvend të Kosovës si dhe do të merret me të drejtat e njeriut.

Ajo ka treguar se për momentin fushatën është duke e zhvilluar nga Amerika, kryesisht me takime online, ndërsa thotë se do të kthehet në Kosovë nëse arrin të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës.

“Bota sot”: Pse e zgjodhët Lëvizjen Vetevendosje për t’iu bashkuar? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Si aktiviste dhe avokuese e të drejtave të njeriut, përgjatë angazhimit për ta ngritur zërin për krimet e luftës, e në veçanti për dhunimet seksuale të luftës së fundit, kam hetuar që me Lëvizjen Vetëvendosje! na bashkon parimësia dhe qëndrueshmëria për shumë gjëra e në veçanti për drejtësinë e vonuar, padrejtësitë që i janë bërë e po i bëhen popullit tonë shqiptarë.

“Bota sot”: Memli Krasniqi nga PDK-ja, ka thënë para disa ditësh se ju keni qenë në bisedime me PDK-në për t’iu bashkuar asaj. Mirpo që në fund keni ndërruar mendje. A është e vërtet kjo? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Unë, i kam përcjellë deklarimet e zyrtarëve nga PDK-ja, dhe është e vërtetë që unë kam biseduar edhe me PDK-në në lidhje me mundësinë që unë të garoja apo kandidoja në listën e PDK-së, dhe unë i jam mirënjohëse zyrtarëve nga PDK për qasjen dhe mundësinë që të përfshihem në listën e tyre, por unë në momente të fundit kam vendosur t’i bashkohem VV-së për arsyet që edhe i ceka më lartë. Por gjithashtu më lejoni te them se deklarimet e tyre kanë qenë të sakta, dhe unë i vlerësojë për korrektësinë.

“Bota sot”: Si po priteni në takimet që keni këto ditë? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ju, e, dini që unë jetoi në SHBA, takime të drejtpërdrejta nuk kam mbajtur, mendoi se disa nga këto takime do t’i realizoj këto ditë, por unë ka kohë që kam praktikuar të bashkëbisedoj përmes metodave të ndryshme, sigurisht më të shpeshtat takimet online. Por ajo që mund të theksojë është se unë kam hezituar për disa arsye t’i rrekem këtij angazhimi, por tani që, është bërë publike dhe nga komunikimet e shumta unë vazhdimisht jam duke marrë mbështetje.

“Bota sot”: A e vlerësoni të duhur bashkimin e forcave të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë përfaqësuesit që nuk i kanë ndryshuar qëndrimet dhe premtimet e tyre karshi qytetarëve që i kanë votuar. Kjo besnikëri ndaj votuesve, dhe qëndrueshmëria e tyre para shumë sfidave vetëm sa i ngriti edhe më tej në popull. Mendoj që bashkimi u jep atyre shtysën e nevojshme për të qenë shërbyesit që ata synojnë të jenë. Albin Kurti si Kryeministër dhe Vjosa Osmani si Presidente janë dëshira e qytetarëve për një Kosovë më të mirë dhe kjo Kosovë me ta e pas 14 shkurtit padyshim se do të frymojë e ndryshojë për të mirë.

“Bota sot”: Zëri i kujt do të jeni në Kuvendin e Kosovës? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Unë, sigurisht, se kurrë nuk do të harrojë rrugën time, të cilën e kam kaluar, ballafaqimin tim, gjatë dhe pas luftës, dhe nisur nga kjo unë do të jem zëri i arsyes, i përkujtesës, i së vërtetës sonë, aty do të jem për të kërkuar drejtësi për gjithë ato viktima të pafajshme, për gjithë ato shkelje masive e brutale nga më të ndryshmet që u aplikuan nga aparati shtetëror i Serbisë në Kosovë, zëri im do të jetë një zë më shumë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Nëse zgjidheni deputete, në çka do të fokusoheni më shumë?  

Vasfije Krasniqi-Goodman: Aktivizimin tim tashmë e njohin të gjithë, por në Kuvend unë do t’i përfaqësojë fillimisht gratë-femrat, pastaj do të jem zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut, duke mos harrur asnjëherë kategoritë e margjinializuara, si dhe jo më pak e rëndësishme do të angazhohem që në rrafshin ndërkombëtar ta paraqes të vërtetën rreth gjenocidit që është kryer nga ana e Serbisë ndaj popullatës në Kosovë, e pastaj gjatë rrugëtimit tonë unë do të fokusohem sikurse në Kuvend ashtu edhe jashtë.

“Bota sot”: A do të ktheheni përfundimisht në Kosovë për të jetuar, nëse zgjidheni deputete? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: E kaluara ime, është e lidhur ngushtë me Kosovën. Unë që nga viti 2001 jetojë në SHBA, por ndërkohë kam qëndruar dhe jetuar përkohësisht edhe në Kosovë, unë sigurisht kam shprehur vullnetin dhe përkushtimin tim që të kontribuoj për Kosovën, sigurisht përmes aktivizimit tim që tashmë është i njohur për opinionin dhe unë jam e gatshme që të bëjë edhe më shumë në këtë drejtim. Përderisa tani që vajzat janë duke u shkolluar këtu në SHBA, mua më duhet të bëj një zgjidhje, dhe sigurisht se do të jetë të jetuarit në Kosovë.

“Bota sot”: Cili është parashikimi juaj për zgjidhjet e 14 shkurtit për të gjitha partitë politike? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Më lejoni të them një gjë, unë, nuk jam ndonjë person që kam njohuri për politikën, dhe duke qenë si e tillë nuk kam ndonjë mundësi që unë të bëjë vlerësim apo parashikim objektiv, përderisa dëshira ime dhe kërkesa ime është që ne t’i përgjigjemi me kulturë kërkesave që vijnë nga qytetarët, dhe ato kërkesa janë për subjektet politike që do të jenë të përfaqësuara në Kuvend të punojnë për të mirën e vendit dhe popullatës.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për fund për të gjithë elektoratin në Kosovë? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Të gjithë thonë se elektorati është vetëdijesuar dhe tani po mbështet Albinin e Vjosën, por unë do të thosha që ky popull i përvuajtur u ka dhënë rastin e mundësinë të tjerëve të udhëheqin, ka parë rezultatet, dhe tani ka vendosur t’ua jap një shans Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Kjo mbështetje e gjerë për ta, ka ngjallur një kapitull të ri, një optimizëm se Kosova është një vend i jetueshëm, andaj krejt çfarë ka mbetur dhe për çfarë edhe do të apeloja te votuesit është që të angazhohemi e të bëhemi pjesë e këtij kapitulli të ri që fillon me datë 14 shkurt.

 

Certifikohet lista zgjedhore e lëvizjes Vetëvendosje por pa Albin Kurtin

Leonat Shehu

Në Kosovë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, refuzoi kërkesat e partive politike për t’i certifikuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit të kandidatëve që janë të dënuar për vepra penale gjatë tri viteve të fundit.

Ky panel tha se ka certifikuar të gjitha subjektet politike që kanë ngritur ankesa por jo edhe kandidatët e dënuar.

Në një njoftim të këtij paneli, thuhet se ai ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos certifikimin e kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi Murtezi dhe se ata sipas vendimit nuk mund të zëvendësohen me kandidatë tjerë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar që të certifikojë 12 kandidatë për deputetë të Nismës Socialdemokrate: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, FIlloreta Bytyçi, Valentina Alijaja, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Adrian Nokaj.

Po ashtu paneli ka refuzuar certifikimin e katër kandidatëve për deputetë të listës zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati.

Mos certifikimi i kandidatëve të partive politike është bërë në bazë të nenit 29 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton përshtatshmërinë e kandidatëve për t’u certifikuar.

PZAP tha se “dispozita ligjore e nenit 29 të ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është fuqizuar në atë masë sa që tani një dispozitë e tillë rangohet në normë kushtetuese apo standard kushtetues”.

Ky kriter u vendos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim. Debatet rreth kandidaturave ishin përqendruar kryesisht tek zoti Kurti, pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti, që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Partitë politike tashmë kanë afat prej 24 orësh që të ankohen në Gjykatën e Lartë, e cila duhet të marr vendim brenda 72 orësh.

Deri më 31 janarit duhet të përfundojnë të gjitha procedurat e certifikimit, para hedhjes së shortit për renditjen e partive politike në fletëvotime.

28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt.

Gjykata Speciale dërgon edhe një ftesë në Kosovë

Gjykata Speciale ka dërguar edhe një ftesë në Kosovë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka bërë të ditur se ish-ushtarja e UÇK-së, Sadete Doda – Shota është ftuar nga Gjykata Speciale.

Ajo do të paraqitet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë me 26 janar.

“Çlirimitaret e Kosovës krenar po përballen me betejën e fundit për Kosovën. Rreshtit Çlirimitar edhe njëher është ftuar ti bashkohet edhe Sadete Doda-SHOTA. Ajo me datën 26.01.2021 do te paraqitet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”, ka shkruar Musliu në rrjetin e saj social Facebook.

Postimi i plotë i Ganimete Musliut:

Çlirimitaret e Kosovës krenar po përballen me betejën e fundit për Kosovën. Rreshtit Çlirimitar edhe njëher është ftuar ti bashkohet edhe Sadete Doda-SHOTA. Ajo me datën 26.01.2021 do te paraqitet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë.

Çlirimitaret do kthehen faqebardhe por si do jetojne me turpin mjeranet qe deponuan dosje në Hage!

Një tjetër ish-luftëtar i UÇK-së merr ftesë nga Gjykata Speciale në Kosovë

Edhe një ftesë nga Gjykata Speciale për ish luftarët e UÇK-së. Kësaj radhe, prokurori special ka ftuar në cilësinë e të dyshaurit, ish eprorin e UÇK-së, Florim Kllokoqin nga Mareci i Prishtinës.

Ftesa për ish pjestarin e Njësitit “Shigjeta”, ka ardhur para dy ditesh. “Kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim si i dyshuar për krime lufte ndaj njerëzimit”, ka thënë Kllokoqi.

Kllokoqi që pas Betejës së Pashtrikut, ka shërbyer si komandant i njësisë në Artanë (Novobërë) ka konfimruar ftesën dhe ka thënë se ndjehet krenar për të kaluaren e tij. Ish ushtaraku që jeton në Beligjikë me familje që nga viti 2000, ka thënë se do të bashkëpunoj me Hagën dhe është i bindur se në fund do të dal i pafajshëm, shkruan Magazina.al.

Ditën kur ka marrë ftesën nga Specialja, ka njoftuar edhe autoritet belge. Shteti belg menjëherë është angazhuar dhe është interesuar nëse shtetasit të tyre po i shkelen të drejtat e njeriut.

Kllokoqi ka jetuar në perëndim dhe është kthyer gjatë luftës në Kosovë. Përmes Betejës së Pashtrikut, me njësitin “Shigjeta” është futur në Kosovë, dhe ka qëndruar deri në çlirimin e vendit. Në vitin 2000 Kllokoqi është kthyer sërish për të jetuar në Belgjikë.

Gjyqtari i Hagës argumenton moslirimin e Veselit me të kaluarën e tij në SHIK

Gjyqtari i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara Nicolas Guillou ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim nga paraburgimi. Në arsyetimin e gjyqtarit të Hagës përmendet edhe e kaluara e Veselit si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës(SHIK), raporton Gazeta Express.

Gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou në vendimin e hudhjes poshtë të kërkesës për lirim të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka përmendur edhe organizatën të cilën e ka drejtuar Veseli nga viti 1999 deri në vitin 2008, Shërbimin Informativ të Kosovës apo siç njihet me shkurtesën SHIK.

Nicolas Guillou ka thënë se Gjykata e Qarkut e Prishtinës e ka vlerësuar të mundshme se SHIK-u ka qenë i përfshirë në disa raste kriminale ndonëse gjykata nuk ka mundur të bëjë gjetje.

“Më tutje, në këtë kontekst, gjykatësi i procedurës paraprake merr parasysh që Gjykata e Qarkut e Prishtinës e ka vlerësuar të mundshme se SHIK-u ka qenë i përfshirë në kryerjen e tri rasteve të vrasjes së rëndë, tentim të rrëmbimit dhe tentim të vrasjes së rëndë, ndonëse gjykata nuk ka mundur të bëjë një gjetje të tillë përtej dyshimit të bazuar”, thuhet në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake Nicolas Guillou për refuzim të kërkesës për lirimin e Kadri Veselit.

Pjesë nga vendimi i Gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou për refuzim të kërkesës për lirim të përkohshëm nga burgu të Kadri Veselit.

Prokuroria Speciale para disa ditësh kishte dërguar argumentet e saj në Gjykatën Speciale për ta kundërshtuar kërkesën e avokatit të Veselit Ben Emmerson për ta liruar përkohësisht nga burgu.

Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të Veselit me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ai nuk duhet të lirohet as përkohësisht.

Gjergj Dedaj kontaktohet nga Prokuroria Speciale e Hagës

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj është kontaktuar nga Prokuroria Speciale, raporton Gazeta Express.

Dedaj ka shkruar në Facebook se është telefonuar nga Specialja dhe është njoftuar se i është caktuar prokurori i rastit.

“Diten e premte, te dates 22 janar 2021, ne oret e vona, permes telefonit, jam kontaktuar nga prokurori i Gjyjates Speciale, ne Hage!Qellimi i kesaj thirrje, sipas tyre ishte te me njohtojne me caktimin e prokurorit te rastit, siq me njohtuan, pa me specifikuar se per çfare rasti behet fjale”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

U kontaktova nga Gjykata Speciale !

Diten e premte, te dates 22 janar 2021, ne oret e vona, permes telefonit, jam kontaktuar nga prokurori i Gjyjates Speciale, ne Hage!

Qellimi i kesaj thirrje, sipas tyre ishte te me njohtojne me caktimin e prokurorit te rastit, siq me njohtuan, pa me specifikuar se per çfare rasti behet fjale!

Veq tjerash, prokurori me pyeti se a kam ndonje kercenim apo ndonje shqetesim!

I thash s’kam patur dhe nuk kam asnje kercenim nga askush, e per sa i perket shqetesimeve,ia permenda shqetesimet i mija me rastin e infektimit tim dhe te gjithe antareve te familjes sime me virusin COVID-19, gjate muajit te kaluar.

Njekohesisht i vura ne dijeni se shqetesim i yni me i madh, tash e 22 vite, eshte edhe mos zbardhja e krimit serb mbi dhjetra antare te familjes sime, si dhe mos zbardhja e masakres se Mejes se Gjakoves, ku forcat serbe me 27 prill 1999, vrane mizorisht mbi 380 civil shqiptar te pafajshem, ndonese askush nuk eshte arrestuar nga serbet ,per kete masaker kunder njerzimit!

Njohtoj opinionin se jam i gatshem, perkunder deshires sime, ne çdo çast t’i pergjigjjem ftesave te Gjykates Speciale, per te deshmuar luften epike te drejt dhe çlirimtare te UÇK-se, per vetembrojtje, liri, drejtesi, barazi dhe pavaresi, duke kerkuar me çdo kusht, çmim e sakrifice,drejtesi dhe denim, per pergjegjesit e 400 masakrave makabre serbe ne Kosove , te 20.000 dhunimeve dhe afer 15.000 vrasjeve civile, ndaj popullates kosovare, gjate viteve 1998/1999,ne Kosove!

Mbase keto krime dhe ky gjenocid serb, ne Kosove, do duhej te kishte trajtim dhe pergjigje nga Drejtesia Nderkombetare!

Zëri i Amerikës – Nuk certifikohen listat zgjedhore të Vetëvendosjes, Nismës dhe AAK-së

Edlira Bllaca

Pas gati pesë orësh diskutimesh të ashpra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, votoi kundër certifikimit të listave të kandidatëve për deputetë të lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, ndërsa miratoi listat zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës si dhe disa partive më të vogla.

I menjëhershëm ka qenë kundërshtimi i partive të pacertifikuara, përfaqësues të të cilave thanë se vendimi i sotëm është absurd dhe i qëllimshëm.

“Lista e Vetëvendosjes nuk u certifikua dhe kjo ka qenë thelbi i krejt kësaj. Ky është absurdi me të cilin ka filluar fushata politike ndaj kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje”, tha Sami Kurteshi nga kjo lëvizje.

“Vendimi për certifikim të kandidatëve sonte ishte politik dhe tendencioz ndaj subjektit Nisma. Nuk është përgjegjësi e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shqetësohen për përmbajtjen e listës së zgjedhjeve të asnjë subjekti politik, është e drejtë e tyre të votojnë në bazë të rekomandimeve të zyrës së certifikimit të cilat nuk u përfillën”, tha Eshref Vishi nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës.

“Ata që nuk janë përfshirë sot besoj se do t’i kalojnë filtrat e nevojshme dhe do të jenë pjesë e garës” tha Ibrahim Selmanaj nga AAK.

Të tri këto parti paralajmëruan se do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 24 orësh.

Procesi i certifikimit të subjekteve dhe kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit u ndërlikua pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim. Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm votimin, meqë votë vendimtare për krijimin e qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti ishte vota e një deputeti të dënuar paraprakisht nga gjykata për kryerjen e një vepre penale.

Në këtë aktgjykim thuhet se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, sikurse parashihet me kushtetutë apo ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse ka një vendim dënues që është në fuqi në Kosovë.

Drejtori i zyrës për regjistrim dhe certifikim, Yll Buleshkaj, rekomandoi gjatë ditës miratimin e listave zgjedhore ashtu siç janë, duke ua lënë në dorë organeve më të larta të drejtësisë pastaj të merren me ankesa për kandidatë të mundshëm veç e veç.

“Për shpjegim kemi kërkuar shkresa nga institucione të ndryshme për të na ndihmuar në vendimmarrje, disa na kanë ndihmuar e disa na kanë bërë konfuz. Ajo që vlen të theksohet është që zyra nuk ka arritur të zbatojë plotësisht me vendim pikën Q të nenit 29 (të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme) për arsye të interpretimeve të ndryshme. Për atë arsye, zyra rekomandon që ta certifikoni listën siç është e për palët e interesuara nëse ka ankesë mund ta bëjnë në institucioneve tjera për largimin e kandidatëve”, tha gjatë ditës drejtori i zyrës për regjistrim dhe certifikim, Yll Buleshkaj.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës, përfaqësues të të cilave thanë se miratimi i listave ku janë përfshirë 47 kandidatë për deputetë nga 15 parti të cilët kanë probleme me ligjin në tri vitet e fundit, është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Të enjten Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka gjetur se 47 kandidatë nga 1 mijë e 80 sa janë në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim të përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit dhe nuk kanë mundësi të kandidojnë.

Debatet rreth kandidaturave janë përqendruar kryesisht tek kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti, që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Njohësit e drejtësisë në vend kanë qëndrime të ndara lidhur me këtë situatë. Disa thonë se gjykata nuk ka lënë hapësirë për interpretim tjetër përveç asaj që çdo person i dënuar gjatë tri viteve të fundit nuk mund të marr pjesë në zgjedhje si deputet. Por të tjerë vlerësojnë se e drejta e personave për të kandiduar për deputetë nuk është çështje kushtetuese, por ligjore, duke rekomanduar që verifikimi i kandidatëve të bëhet përmes ligjeve dhe Kodit Penal që tregojnë edhe shkallën e veprave penale.

Donika Gërvalla Schwarz: Vjosa Osmanit nuk i mbeti vend në LDK, e larguan në mënyrën më të shëmtuar të mundshme

Kandidatja e VV’së për deputete, Donika Gërvalla Schwarz, në emisionin DPT te Fidani në T7, ka thënë se Vjosa Osmanit nuk i mbeti vend në LDK.

Madje ajo tha se Osmanin e larguan partia e saj në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.

“Osmanit nuk i mbeti vend në LDK, ajo nuk u largua, por e larguan në mënyrën më të shëmtuar të mundshme”, është shprehur Gërvalla Schëarz në T7.

Tutje, ajo sqaroi edhe pse u largua nga LDK’ja, shkruan Express.

“Momenti kur unë jam larguar nga LDK’ja nuk është përplasja ime fizike përpara Këshillit të Përgjithshëm por unë edhe mbas atyre skenave të shëmtuara jam munduar megjithatë brenda LDK’së të përpiqem që me sa më shumë njerëz të realizojmë atë që secili votues i LDK’së e ka kërkuar nga ne. Pra të rrijmë në LDK dhe të kujdesemi që LDK’ja të mos mbetet e pareformuar dhe të thyhet betoni që e ka krijuar Isa Mustafa me një pjesë të Kryesisë së LDK’së, që të gjithë i njohim”, tha

“Unë jam larguar nga LDK’ja në momentin që rezolucioni im ka qenë që sado djem e vajza të mira të këtë në këtë strukturë të LDK’së kaq është Kryesia e LDK’së jo e gatshme, ndoshta tërësisht e paaftë që t’i lejojë ata djem dhe vajza në këtë strukturë. Kur kam kuptuar që kjo strukturë s’bën reformë unë jam larguar”, shtoi ajo./Express/

Donika Gërvalla flet për herë të parë pas përfshirjes në listën e VV-së

Kandidatja për deputete nga radhët e VVsë, Donika Gërvalla, ka folur për herë të parë pasi u bë e ditur se do të kandidoj në zgjedhje. Ajo thotë se e sheh si kontribut të vetin për çlirim të Kosovës nga krimi dhe korrupsioni.

“Ka pak ditë që jam kthyer përsëri në Kosovë. Këtë herë për një kohë më të gjatë. Për herë të parë kandidoj që si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të jem pjesë e drejtpërdrejtë e politikës së vendit. E shoh këtë si kontribut timin për çlirimin e Kosovës nga krimi dhe korrupsioni i instaluar prei vitesh dhe hapjen e një perspektive më të mirë për të gjithë qytetarët e saj”, ka shkruar ajo.

Ajo thotë se do t’i ruajë mendimet e saja të pavarura përkundër futjes në parti politike.

“Unë në politikë mbetem ajo Donikë që kam qenë gjithmonë, me të gjithë personalitetin dhe bindjet e mia. Askush nuk do të mund të ma ndalojë mendimin e pavarur, të mësuar dhe ushtruar që në vegjëlinë më të hershme në Prishtinë dhe Dubovik. As respektin ndaj qytetarit në çdo cep të vendit. Kosova nuk është vetëm Prishtinë por është çdo qytet e fshat nga Dukagjini në Drenicë, nga Llapi në Anamoravë dhe sigurisht edhe në Mitrovicë”

Ajo thotë se gjatë javës së ardhshme do të bëhet e ditur se si ajo, dhe njerëz tjerë brenda listës së VV’së, mund të japin kontribut për vendin.

“Gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme në këtë platformë, por edhe tjetërkund do të mund të lexohet konkretisht se si, së bashku me një grup të vogël, płot njerëz të guximshëm dhe të mençur, kemi menduar të japim kontributin tonë”, shtoi ajo. /Express/

Kosovë: Shpallen të pafajshëm të akuzuarit në rastin “veteranët”

VOA

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të martën të pafajshëm 12 të akuzuarit për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur si “veteranët”.

Gjykata tha se të gjithë u liruan nga akuza pasi që “nuk ka gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprën penale” për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahajt, Shkumbim Demaliajt, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Fadil Shurdhajt, Xhavit Jasharit, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut dhe Smajl Elezajt, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Akuzat kishin të bënin me periudhën kur të dymbëdhjetët ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në akuzë thuhej se “është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 68 milionë eurosh”.

Hetimet për këtë rast zgjatën për një vit e gjysmë dhe u shqyrtuan mbi 80 mijë aplikacione për statusin e veteranit të luftës.

Çështja e listave të veteranëve të luftës u ngrit gjatë verës së vitit 2018 kur prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, që po e trajtonte këtë çështje, dha dorëheqje duke akuzuar kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vuri në pah se, siç tha ai, është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve.

Ish prokurori Blakaj, në një letër të hapur atëbotë, tha se mund të ishin 19 mijë përfitues të rremë të skemës së pensioneve për veteranët e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pohimet e tilla nxitën diskutime rreth numrit të saktë të tyre.

Anëtarët e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve hodhën poshtë akuzat duke theksuar se numri i madh i të përfshirëve në listat e veteranëve është rrjedhojë e ligjit për veteranët që parasheh përfshirjen e shumë kategorive që kanë ndihmuar luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tragjedia me 4 të vdekur: Vajza 3-vjeçare ka kaluar rrezikun për jetën

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmë në afërsi të Rubikut, ku një familje e tërë nga Kosova u shua. Nga aksidenti  humbën jetën 4 anëtarë të së njëjtës familje.

Makina kishte kaluar tek Dogana në Morinë dhe anëtarët e familjes ishin nisur për në Rinas, e do të shkonin në Zvicër, ku dhe jetonin. Blerim Avdiaj që drejtonte makinën dyshohet se në Rubik ka bërë manovër të gabuar, ka parakaluar në kthesë, duke mos parë se kishte mjet të tonazhit të lartë.

Shpejtësia që të mundëson rruga, ka bërë që pasojat të jenë të rënda dhe për fat të keq janë shkaktuar  4 viktima. Për fat të mirë, vetëm vajza 3 vjeçe tashmë ka kaluar rrezikun e jetës, ndërsa 4 të tjerëve ka qenë e pamundur që t’ju jepet ndihma mjekësore.

Viktima të aksidentit mbetën Blerim Avdiaj, 51 vjeç, dhe Anjeza Avdiaj, 34 vjeçe. Ndërkohë, viktima kanë mbetur edhe dy fëmijët e mitur K. Koçi, 11 vjeç, dhe M. Avdiaj, 6 vjeçe.

Kosnett kujton viktimat e Masakrës së Reçakut

Ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, ka thënë të premten se bashkë me Kosovën nderon kujtimin për viktimat e Masakrës së Reçakut, e cila ka ndodhur 22 vjet më parë.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ambasadori Kosnett ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuara për të garantuar drejtësi për familjet e viktimave dhe më të dashurit e tyre.

Masakra e Reçakut ka ndodhur më 15 janar të vitit 1999. Në mars të këtij viti NATO-ja nisi sulmet ajrore kundër caqeve të ushtrisë serbe për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë.

Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13,500 persona, ndërsa 1,643 ende konsiderohen të pagjetur.

Po e ndajmë sërish me ju dokumentarin që ka realizuar ekipi i Radios Evropa e Lirë për 20-vjetorin e kësaj masakre. rel


Send this to a friend