Në këto shënime nuk i kam vënë qëllim vetes të vë në dukje vlerat e kësaj vepre që është dhe do të mbetet nga krijimet më të arrira të letërësisë shqiptare të të gjithë kohëve dhe që janë nxjerrë në pah që më 1991, kur Fishta, për arsye që dihen u ringjall pas varrimit prej vitit 1945 nga diktatura komuniste.
Do të ndalem kryesisht në mangësi të saj të karakterit gjuhësor dhe artistik, disa prej të cilave deri tani janë vënë në dukje kryesisht pr. dr. Shefkije Islamaj në librin e saj dyvëllim, me titull “ Gjuha dhe stili”, kushtuar veprës së Fishtës dhe botuar nga Instituti Albanologjik, në Prishtinë më 2012.
Ndër të tjera, në studimin e saj ajo vë në dukje se Fishta nuk ka arritur t’i shpëtojë proliksitetit, teprisë së përshkrimeve, teprisë së fjalëve, përsëritjeve të panevojshme si dhe gabimeve drejtshkrimore…veprim ky i pamotivuar, i paarsyetuar, për shkak të aplikimit të regullave të metrikës, kur është fjala për veprat në vargje. (“Gjergj Fishta, gjuha dhe stili, një monografi me rëndësi në studimet albanologjike”, nga Kastriot Marku, Gazeta 55, 24 nëntor , 2012).
Vërejtje gjuhësore
Dihet se Fishta ka përdorur në veprat e veta, veçanërisht te “Lahuta e malcis”, gegërishten veri-perendimore, ose me saktë, të lagjeve katolike të Shkodres dhe të rrethinave të saj, (gjithnje katolike). Dhe kjo e folme dallohet nga e folmja e lagjeve myslimane të këtij qyteti dhe rrethinave të të njejtit besim fetar, kryesisht nga shqiptimi i bashkëtinglloreve gj, q, dh, të cilat shndërrohen përkatësisht ne xh, ç dhe ll.
Pra, qeni-ceni,gjaku- xhaku, ndodhi- ndolli.
Por ka raste kur bashkëtingëllorja q kthehet në gj, (qytet- gjytet), dhe bashkëtingëllorja ll ne dh, (llampa-dhampa). Por, siç dihet, ndodh dhe që bashkëtingëllorja q të kthehet ne k, si qime, kime, qaj-kjaj.
Këto dukuri vihen re rëndom kryesish te “Lahuta…,” ku madje prapashtesa -si (mal-malsi), kthehet në trajtën nendialektore –ci;mal- malci. Ndaj dhe veprën e titullon “ Lahuta e Malcis” dhe jo të paktën “ Lahuta e malsis”…
Kjo ndodh dhe ne titullin e veprës tjetër “Shqiptari i gjytenuem”, për “Shqiptari i qytetnuem” dhe “ Pika voeset” për “Pika vese”, pra, në këtë rast, përdorimi i trajtës nëndialektorete në rasën rjedhore të emrit në të dyja gjinitë.
Dukuritë e mësipërme nuk përbëjnë ndonjë lajthijte ose “ lapsus calami”. Përkundrazi, ato janë përdorime të ndërgjegjshme dhe këmbëngulëse të tij, sepse, siç dihet, Fishta ka dashur që e folmja e përdorur nga ai , të ishte bazë e gjuhës letrare shqipe dhe jo elbasanishtja që miratoi Komisia Letrare me 1916, të cilën ai e parodizoi me vargjet e nje bejtjeje, ku e quan atë “gjuhë mushke me gjithë veshë dhe bisht”, ose ”që turçe nuk asht, po ashtu po i thonë, por qe s’asht, qe besa, as gjuhë shqiptare”, (!?).
Eshtë për të ardhur shumë keq, sepse koha tregoi se poeti ynë madh nuk kishte të drejtë. Madje, po ta kishte shkruar ”Lahutën…” në gegërishten e miratuar nga komisia e mësipërme, duke përjashtuar dhe shumë e shumë fjalë dhe shprehje të vjetra nëndiaelektore, ai, siç do tëvihet në dukje dhe më poshtë, do të ishte bërë edhe më i afërm dhe më i dashur, veçanërisht për shqiptarët e Shqipërisë së Jugut.
Për më tepër, edhe në botimin përfundimtar të “Lahutës..”, më 1937 Fishta imbeti besnik i idesë që nëndialekti i tij të ishte bazë e gjuhës letrare shqipe, me të cilën kishte shkruar këngët e para të saj, që më 1905 dhe nuk bëri as edhe njëndërhyrje për ta afruar me gegërishten jo më të Elbasanit, por as edhe të Shkodrës, të paktën në këtë vepër.
Te ”Lahuta…”, veç të tjerash, ka dhe gabime gjuhësore dhe vargje që vështirë se mund të kuptohen. Po përqendrohem vetëm në faqen 45 të botimit të kësaj vepre nga Salih Kabashi, (Ljubjanë, 1990), së cilës do t’i referohem vazhdimisht këto shënime, që është dhe faqja e fundit e Kangës së Katërt, të titulluar “Vranina”.
Shka? A thue n’kangë se ka me u vu,
se pa pushkë e ndejë haru,
i ra knjazit n’dorë Shqipnia,
n’za kah besa e trimnia?
Jo,për zotin!Para toka,
e përpiftë me male e boka…
Duhet t’i lexosh disa herë këto vargje, që të nxjerrësh kuptimin e plotë tëtyre. Fishta me sa duket se ka dashur të thotë pak a shumë se nuk do të thuren kurrë këngë për Shqipërinë, e njohur për besë dhe trimëri, snëtë cilat të thuhet ajo i qenka dorëzuar knjazit..
Mbi të gjitha, nuk kuptohet fjala “haru”. Mos ndoshta Fishta ka dashur të thotë:”se pa pushkë dhe ndenjun harrue?”. Por edhe kështu ka një gabim gjuhësor, sepse lidhësja “e” bashkërendit dy fjalë ose tog fjalësh të një kategorie morfologjike, kurse në këtë rast bashkërenditet parafjala “pa” me emrin “pushkë” dhe pjesori i foljes “ndenjë’”me pjesorin e foljes “harruar”, në rast se ajo ka këte kuptim.
Ne dy vargjet që pasojnë fjala “toka” rimon me fjalën boka, por e para nuk ka kuptim, sepse pas parafjales “para” emri “toka” duhej të ishte në rasën rjedhore. Pra “para tokës” ose “para toke”, që edhe kështu nuk ka kuptim.
Më poshtë Fishta shkruan:
“O zotnitë e Shqiptarisë…”
Eshtë e vërtetë që në ” Fjalorin e gjuhës shqipe”, me fjalën “shqiptari” kuptohet “tërësia e shqiptarëve, populli shqiptar…”, por, më saktë do të ishte të përdorej fjala” … e Shqipnisë”, sepse me fjalën “shqiptari” kuptohet edhe “ndjenja kombëtare shqiptare, ndërgjegja kombëtare e popullit shqiptar…”, siç shkruan dhe Vaso Pasha se “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”.
Pastaj Fishta vazhdon:
“Mos lakmoni pares s’huej”, kur duhej të shkruante :
“Mos lakmoni paren e huej”, sepse pas foljes kalimtare “lakmoj”, ( në këtë rast “lakmoni”), emri duhe të jetë në rasën kallëzore dhe jo dhanore. Dhe ky gabim përsëritet në poemë edhe ne raste të tjera. Eshtë përdorim nëndialektor që, me sa di, haset kryesisht në të folmen e Shkodrës.
Po të ishte vënë para foljes “lakmoni” trajta e shkurtër “i” e përemrit “ata”, “ato”, në rasën dhanore, kjo frazë do të ishte korrekte vetëm nga ana morfologjike, pra: ” Mos i lakmoni pares s’huej”, por do të ishte jashtë natyrës së gjuhës letrare.
Më poshtë pasojnë vargje me karakter didaktik dhe pa vlera artistike që i hasim edhe në raste të tjera në këtë poemë.:
Kinje n’ mend: për ju detyra,
s’asht me mjelë veç dele t’hueja,
s’asht me m’kambë veç gjuhët e hueja,
por me atë Fe qi kam prej qiellit,
me t’bardhën dritë t’Ungjillit,
brendë dashtëninë m’ua ndezë shqiptarëve, për kah gjuha e vendi i t’parëve”,
( “Vranina”, faqe 45)
Kështu del se poeti paska “me ua ndezë dashtëninë”,.ose me saktë ” dashtuninë’”, ose edhe më saktë ”dashuninë”….
Eshtë për të ardhur keq që në poeme ka plot e plot vargje të tilla, që përmblidhen me fjalë “proloksitet”, “tepri’, të cilat po, të mënjanoheshin, do ta bënin veprën më të rjedhshme dhe me nivel më të lartë artistik.
Në fund të faqes 45 Fishta vazhdon:
“…qi shqiptarët t’shërbejne njaj mbretit,
qi për mbret e troje t’veta,
mos t’u dhimbet gja as jeta,
por të desim si Oso Kuka,
qi asht tue dekë, ehu, n’ato suka!”.
Duhet:
“..qi shqiptarët t’i shërbejnë atij mbretit” ose thjesht:”…t’i shërbejnë mbretit”, sepse mbiemri dëftor “njatij”, për “atij” në këtë rast është i tepërt.
Fishta gabon gjithashtu kur përemrin ose mbiemrin dëftor “ai” e zëvendëson me trajtat nëndialektore “njaj’ dhe “qaj”. Gabon gjithashtu kur foljen “vdes” e zëvendeson me “des” dhe emrin “vdekja” me “deka”, duke dëshmuar se mbetet besnik i pakorigjueshem i bindjes së tij se gjuha letrare duhej te bazohej në të folmen e tij katoliko-veri-perendomore shkodrane.
Mangësi të tjera…
Në vargjet e mësipërme Fishta dy herë nënvizon fjalën “mbret”. Kuptohet se me të ai nënkupton sulltanin e Turqisë. Pra, shqiptarët t’i shërbejnë sulltanit dhe madje për të mos i dhimbset as jeta, ashtu si Oso Kukës…
Në zërin “Oso Kuka”, të përfshirë në FESH, botim i dytë, midis të tjerash, shkruhet:”Atdhetar nga Shkodra, komandant i një njësie, që dha jetën për mbrojtjen e trojeve nga shovinistët malazeze”, (faqe 1396,vëllimi i dytë, 2008). Pra, nuk theksohet shprehja që ai dha jetën edhe ” për mbret”, me një fjalë për sulltanin, paraardhësit e të cilit prej shekujsh kishin pushtuar Shqipërinë dhe të cilën ai e mbante me dhunë nën sundimin e tij mizor.
Mendoj se edhe Fishtat kishte mundësi të mënjanonte shprehjen “për mbret”, të cilën e ka nënvizuar edhe në fund të faqes 44, kur shkruan:
”Mallkue qoftë njaj n’Shqipni,
…qi për mbret e për liri,
s’çohet sot me armë mizore…”.
(“Vranina”, faqe 44)
Po ashtu dhe në Kngën e Dytë “, Oso Kuka”, ai mund të mënajnonte dhe takimin e këtij heroi me Avdi pashën, sundimtarin turk të Shkodrës, të ciit i kërkon 40 trima dhe me ta niset për në Vraninë, për t’u përballur me trupa malazeze që kërkonin të pushtonin toka shqiptare, por që ishin prej shekujsh të pushtuara nga Turqia.
Po kështu Fishta kishte mundësi që në Kangën e 6-te, “Dervish Pasha”, të mënjanonte takimin e shtegtarit shqiptar me Abdyl Hamitin, të cilin përsëri e quan “mbret” dhe jo “sulltan”, aq më tepër qe ky shtegtar shkon në Stamboll që t’i lutet sulltanit, pra, atij që vazhdontet ta mbante Shqipërinë nën zgjedhë, që të dërgonte forca, për të zmbrapsur malazezët, të cilët kërkonin të pushtonin toka shqiptare. Pra, ky shtegtar, që përfaqëson Shqipërinë, i kërkon ndihmë…. pushtuesit, për të zmbrapsur pushtuesit e rinj.(!?).
Eshtë e vertetë që më pas Fishta thekson se Dervish pasha i ngarkuar nga mbreti, pra sulltani, u nis me 50 tabore që të zmbrapste forcat malazezeve, jo për t’i mbrojtur shqiptaret, por për t‘i mbajtur si gjithnjë nën zgjedhen turke, por ky fakt historik nuk i shton poemës as vlera artistike dhe as ideore.
Fishta mund të mos e përfshinte takimin e shtegtarit me sulltanin te “ Lahuta…”, për më tepër sepse ai është krijim tërësisht letrar, sidoqë me motive epike dhe historike.
Besoj se nuk do tingëllonte mirë një vepër letrare, ku të ngrihej lart akti heroik deri në vetmohim i një shqiptari, i cili në vitet 40-të të shekullit të kaluar, duke qene si plot shqiptarë të tjerë ushtarak i reshtuar në njësitë e ushtrisë italane, që komandohej nga vetë Musolini, të kryente aktin heroik të Oso Kukës, p.sh. në luftë me forca ushtarake malazeze që cënonin kufijtë e Shqipërisë, këtë radhë të pushtuar nga Italia fashiste, duke u mburrur se jepte jetën “për mbretin (italian) dhe për liri”, siç shkruan Fishta te “Lahuta…”.
Përkundrazi, dihet se shumica e ushtarëve shqiptare që bënin pjesë në repartet e ushtrisë fashiste italiane, të cilat më 1940 u dërguan në front gjatë Luftës Italo-Greke, jo vetëm nuk luftuan kundër grekëve, por edhe dezertuan.
Me këto argumente nuk kërkoj kurrsesi që të nënçmoj aktin atdhetar te Oso Kuks, por e përsëris, kam mendimin se Fishta, pa më të voglën vështirësi , mund të kishte hequr nga “Lahuta…”. takimin e Osos me Avdi pashën dhe fjalët se ai lufton edhe “për mbret”.
Luftërat me shovinistët malazezë dhe me pushtuesit turq…
Duke analizuar këtë poemë, autorët e tekstit te “Historisë së letërsisë shqiptare”, të botuar gjatë më 1958, pra gjatë periudhës komuniste, ndër të tjera kanë vënë në dukje se vepra kryesore e Fishtës, poema “Lahuta e Malësisë”…”, duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve te Veriut, propogandonte antisllavizmin dhe vinte ne plan të dytë luftën kundër pushtuesit otoman”.
Më saktë duhej thënë luftërat kundër synimeve grabitqare të shkjave malazezë zënë më shumë vend se luftërat kundër pushtuesve otomanë, të cilët ishin dhe mbeteshin armiqtë kryesorë të Shqipërië. Madje edhe në vitet 1858-1913, periudhë gjatë së cilës zhvillohen ngjarjet e poemës, siç e vë në dukje dhe vetë poeti që në vargjet e para të Kangës së Parë, vazhdonin të ishin pikërisht pushtuesit otomane, të cilët kishin shtrirë sundimin e tyre që nga viset më të epërme veri-perendimore dhe veri-lindore të krahinave shqiptare, duke përfshirë Kosovën dhe Dibrën, deri në Shqipërinë e Jugut, në Camëri.
Dhe pikërisht në vitin 1858 kur fillojnë edhe ngjarjet e poemës, malazezët nisën sulme të vazhdueshme për të rrëmbyer sa më shumë toka shqiptare.
Fishta këtyre synimeve grabitqare për pushtimin e viseve të veriut të vendit, bashkë me Shkodrën, deri në lumin Drin, me të drejtë u kushton në këngët e para, por , duhet të vijmë në këngën 6-të, që përmenda pak më sipër, për të vazhduar deri në Kangën e 10-të, që ai të theksojë se në njejtën kohë, synimet e perandorise turke ishin që t’i zmbrapste ushtritë malazeze, jo për t’i lënë shqiptartë të lirë, por për t’i mbajtur gjithnjë nën thundrën e saj
Prandaj poeti paralajmëron në mënyrë figurative Shqipërinë:
Por a njimend thue se Dervishi,
këtë ushtri nën armë e grishi,
Për me ardhë me t’dal zot ty,
Edhe hek’rat me t’shpërthye….
Jo, mo’ e shkretë! Dervishi s’lot,
Për me të dalë ty zot,
por ai vjen përse Stambolla,
s’do’ qi t’hijë n’Shkodër Nikolla,
pse do’ vetë edhe mbas sotit,
me të mbajtë rob ajo si motit…
( “Dervish Pasha”, faqe 67)
Në Kangën e 9-të të poemës, të titulluar “Lidhja e Prizrenit” duhej të vihej në dukje se Turqia nuk i falte Malit të Zi me dëshirë toka shqiptare, por detyrohej ta bënte këtë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, më 1878, si humbëse në Luftën Ruso-Turke. Ky fakt mund të qartësohej edhe në Kangën e 8-të, pra në këngën e mëparshme.
Por, çuditërisht, duhet të presim Kangën e 27-të ,”Xhymyjeti”, dhe tri këngët e fundit të “Lahutës…”, pra ngjarjet e vitit 1908 dhe më të mëvonshme të cilat mbyllin poemën, që Fishta t’u kthehet kryengritjeve të shqiptarëve të veriut kundër sundimit turk.
“Lahuta…” dhe Kosova
Nuk duhet harruar se gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të krahas kryengritjes kundërosmane që shpërtheu në Mirditë (1876-77), e cila kërkonte autonomi nga Porta e Lartë. Veç kësaj, me shumë rëndësi ishte kryengritja kundërosmane e vitit 1893 në Kosovë, e drejtuar nga Bajram Curri dhe Haxhi Zeka, kryengritja e vitit 1910, që përfshiu rrethet e Pejës, Gjakovës, dhe të Dibrës, e udhëhequr nga luftëtari tjetër i madh kosovsar, Isa Boletini. Gjithashtu, duhet të theksojmë edhe se një vit më pas shpërtheu dhe një tjetër kryengritje kundërosmane, përsëri e udhëhequr nga Isa Boletini, e cila mori përpjesëtime të mëdha po në Kosovë. Porta e Lartë arriti ta shtypte këtë kryngritje edhe falë ndërhyrjes së Rusisë dhe Serbisë.
Kam mendimin se Fishta në poemën e tij mund të kishte gjetur hapësirë që të paktën në Kangën e 28-të, “Dedë Gjo Luli”, të përfshinte edhe episode të këtyre kryengritjve, aq më tepër që zhvilloheshin në krahina të Kosovës dhe kështu që krahas tij të përjetesonte te “Lahuta…” edhe figura të tilla të mëdha historike, si Isa Boletini dhe Bajram Curri.
Mbi të gjitha, të vinte në dukje edhe mizoritë e ushtrive serbe që qysh atëherë kryen ndaj popullsisë së pambrojutr kosovare. Dhe kishte mundësi, sepse pas këngës së mësipërme , pra së 9-tës,” Lidhja e Prizrenit’, së cilës i paraprin Kënga e 7-të, “Kuvendi i Berlinit”, vimë në Këngën e Dhjetë, “Mehmet Ali Pasha”, me ngjarje që zhvillohen në Prizren dhe Gjakovë dhe me personazhe historike kosovare, si Abdulla Dreni dhe Haxhi Zeka.
Siç dihet, në këtë këngë përshkruhet takimi i këtij pashai turk në shtëpinë e Abdulla Drenit në Gjakovë me krerë shqiptarë, ku ai u kumton atyre se sulltani ka vendosur t’i lëshojë Malit të Zi Plavën dhe Gucinë. Krerët revoltohen, Mehmet pasha vendos t’i burgosë. Shqiptarët kur mësojnë këtë mënxyrë, i kërkojnë Abdulla Drenit që t’u dorëzojë pashën turk. Por ai sipas zakonit, nuk mund ta bëjë këtë, sepse e ka atë mik, kurse shqiptarët që kanë rrethuar shtëpinë e tij, e quajnë të dërguarin e sulltanit armik, dhe si pasojë shtëpia merret me sulm. Mbeten kështu të vrarë Mehmet pasha, Abdulla Dreni dhe shqiptarë që luftonin për ta shtënë atë të gjallë në dorë.
Sidoqë Fishta shpreh dhëmbje që shqiptarët vriten midis tyre për shkak të turqve, nuk e kuptoj se përse kjo ngjarje duhej të zinte vend në poemë? Cfarë vlerash i shton asaj?…
Në fjalimin e e tij tronditës, si pjësëtar i delegacionin shqiptar në punimet e Lidhjës së Kombeve që mbahej në Gjenevë më 1919, Fishta, ndër të tjera, dëshmon edhe për krimet e perbindshme të ushtrive serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.
Atëherë, përse gjatë ripunimit të “Lahutës…”, nuk gjeti rast që këto dukuri tragjike që kishin ndodhur dhe ndodhnin në Kosovë, të mos i pasqyronte në të?
Dikush mund të thotë se ai nuk bën histori në poemën e tij. Dhe ka të drejtë.Por unë them se në këtë rast është lexuesi, sidomos kosovar, që shtron një kërkesë të tillë, realizimi i së cilës do të zgjeronte kornizat e ngjarjeve të poemës që, siç është vënë në dukje, përqendrohen tërësisht në luftërat e shqiptareve kundër shovinistëve malazëzë.
Kështu këto fakte që paraqiti në Lidhjen e Kombeve, Fishta kishte kohë t’i trajtonte edhe artistisht te “Lahuta…”, aq më shumë kur variantin e fundi të saj ai do ta botonte më 1937.
“Lahuta…” vepër fragmentare dhe personazhet e saj…
Përqendrimi i ngjarjeve të poemës vetëm në vitet 1858, 1878 dhe më pas në vitet 1908 dhe 1913 ka sjellë si pasojë që vepra të jetë fragmentare dhe herë-herë monotone, siç e ka vë në në dukje ndër të tjera edhe Ismail Kadareja në studimin e tij ” Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”.
“Lahuta…” bëhet fragmentare edhe sepse në pjesën më të madhe të saj këngët nuk kanë lidhje me njera-tjetrën dhe përfshijnë ngjarje me vete, me personazhe me vete.
Por ka raste ku personazhet i ndeshim nga një këngë në tjetrën. Kjo ndodh veçanërisht me personazhe të tilla, që janë dhe historike, si knjaz Nikolla, Mark Milani, të cilët janë dhe më të realizuarit në poemë.
Kështu knjaz Nikollën e shohim të shfaqet në Këngën e Parë “Cubat”, kur merr letrën nga cari i Rusisë dhe pastaj në bisedë me vartësin e tij,Vulo Radoviç, kur nis e thur plane kundër Shqipërisë. Pasatj Vulo Radoviçin e shohim në Këngën e 2-të, “Oso Kuka”, kur malësorët të prirë nga Oso Kuka dëbojnë bandat malazeze nga Vranina dhe në Këngën e Tretë, “Preja”, kur vret trimin pabesisht shqiptar, Avdi Hisa. Përballë tij po në këto këngë shohim edhe Oso Kukën që e hasim pastaj edhe në Kangën e 3-të “Preja”, Këngën e Katërt “Vranina” dhe Kangën e Pestë, “Deka”, ku me ngjyra shumë prekëse autori përshkruan vdekjen e tij heroike.
Kjnaz Nikolla paraqitet sërishmi në Kangën e 7-të, “Kuvendi i Berlinit“, kur del i reckosur para krerëve të shteteve tëEvropës dhe u lyp ndihmë, pra toka shqiptare, lutje që i plotësohet. Ky personazh, për mendimin tim, më i realizuari në poemë, shfaqet pastaj në Kangën e 11-të, ” Lugati”, kur i fanitet në endërr Mehmet Ali pasha i vrarë, në Kangën e 15-të “Kasneci” , kur merr vesh për humbjet që ka pësuar nga shqiptarët komandanti i tij, Mark Milani. Madje, sado kalimthi ai shfaqet edhe në këngën e fundit “Kongresi i Londonit’, si të ishtë kështu fill përçues i tërë poemës, rol të cilin mund ta kishte luajtur edhe Marash Uci ose Zana e Frymëzimit që është cituar më lart.
Po kështu Mark Milani shfaqet pastaj në Këngën e 17-të, “Te ura e Rrzhanicës”, dhe Kënga e 21-të në një bisedë plot dredhi dhe lajka më Pater Gjonin, gjatë armëpushimit për të varrosur luftëtarët e vrarë nga të dy palët, ku i thotë:
A ma mirë ju rob nën turk,
qi ka qenë gjithmonë tërfuk,
me u ra shpinës me u llomitë,
mandej gjanë me u grabitë,
apo ortakë me u ba me ne,
tue ruejtë doke, gjuhë dhe fe,
e tue njoftë për”gospodar”,
Knjaz Nikollën, trim bujar…
(“Ndërmjetësia’ faqe 293)
Dhe pastaj Mark Milani merr nga patër Gjoni përgjigjen kuptimplote:
Unë, zotni, n’ushtri kam dalë,
jo me turq, por me shqiptarë,
turq a t’kshtenë si muhamedanë,
Shqipninë s’bashkut gjithë e kanë.
(Po aty, faqe 294..)
Sidoqoftë, e përsëris, personazhet negativë te “Lahuta …”, duke përjashtuar personazhet turq, sulltani, Dervish pasha, Turgut pasha, që mbeten disi në hije për shkak të karakterit fragmentar të veprës, janë realizuar më mirë se personazhet pozitive, duke përjashtuar, figurën e Oso Kukës dhe patër Gjonit. Atyre duhet t’u shtojmë pa dyshim dhe figurën e Tringës, që madje është ndër më të realizuarat në tërë krijimtarinë poetike të deriatëhershme në letërsinë tonë.
Gjithashtu edhe skenat e betejave të shqiptarëve kundër pushtuesve turqë, zënë një vend më të vogël se betejat e shqiptarëve kundër malazezëve, dhe përqendrohen kryesisht në Këngën e 27-të “ Dedë Gjo Luli”.
Në këtë këngë, veç betejave të malësorëve kundër pushtuesve turq, të përshktuara nga autori me nota epiko-tragjike, nuk të shlyhet nga mendja figura e Llesh Nikë, veçanërisht në vargjet:
T’janë mbledhë miq prej s’dij se kahit:
Pse m’rri shtri si dru prej ahit?
Cou njiherë për me ligj’rue,
çou, djelminë për me e trimnue!
folja ‘i fjalë babës Nikë, t’motuem,
Ty nuk t’tremi gjylja e topit,
nuk t’ligështoi duhmja e barotit,
kur mbi turq mësyne rr’fe motit.
(“Dedë Gjo’ Luli, faqe 487)
Eshtë hera e parë dhe e fundit që Fishta ngjarjet e poemës i zhvendos nga krahinat e veriut, në viset e Matit, ku shqiptarët e atyre viseve ngrihen kundër pushtuesve turq.…
Pastaj poeti na shpalos njw faqe tjetwr tw luftwrave tw popullit tonw kundwr sundimit turk, qw kulmon me fushatwn e madhe tw Turgut pashws, i cili nw krye tw 100 taboreve sulet mbi Shqipwrinw. Ve$ tw tjerash qw qw shqiptarwt tw mos mbajnw mw armw, qw madje tw mos ta quajnw mw veten shqiptar, aq më shumë kur në parlamentin turk, Xhavit Pasha dëshmon për ta::
Veç se sherrin…s’di a dini,
çë se turku s’parit hini,
në Shqipni e deri sot,
jo ma pak, po them me lot,
se pesëdhet e katërherë,
m’ne shqiptarët janë lshue poterë..”
(“Xhemjeti”, faqe 461).
Sidoqoftw, Fishta kishte mundwsi tw pwrshkruante nw poemwn e vet edhe beteja tw tjera, tw cilat i hasim nw kronikwn historike tw fillimit tw shekullit tw 20-tw, ose, si$ kam vwnw nw dukje, nwpwrmjet rrwfimevew Marash Ucit ose Zanws sw Frymwzimit, tw tregonte edhe pwr beteja tw hershme kundwr pushtuesve turq. Kwshtu ai do tw dwshmonte se populli ynw, si$ e shohim qw nw vargjet e para tw poemws, luftonte sw pari kundwr pushtimit shumwshekullor turk dhe njeherwsh edhe kundwr synimeve grabitqare tw shovinistwve serbo-malazezw qw ishin bwrw rrezik shumw i madh pwr fatet e kombit tonw.
Të qenit e “Lahutës…” vepër fragmentare, e shton edhe fakti që në të ka këngë që nuk harmonizohen me përmbajtjen e saj, si Kanga e 16-të “Kulshedra”, duke përfshirë këtu edhe rrëfimin sado të bukur të tragjedisë se Eufrosinës, e cila zgjedh vdekjen, që të mos i dorëzohet Ali pashës.
Nga sa shihet, ”Lahuta…” nuk ka personazh kryesor, aq më tepër pozitiv. Kritika e derisotme vë ne dukje se personazh i tillë është vetë populli. Por ky argument nuk më duket bindës.
Meqë jemi te personazhet, duhet vënë në dukje se nga dëshira për të përjetësuar në poemë luftëtarët malësorë që kanë marrë pjesë në betejat kundër malazezëve, Fishta në këngët ku i përshkruan ato i përmend thuajse të gjithë. Por, me gjithë këtë dëshirë, ata mbeten vetëm emra dhe jo personazhe.
Mjafton të vemë në dukje se në Kangën e 20-të “Lekët”, Fishta citon rreth 40 emra luftëtarësh nga të cilët të le mbresë malësori shqiptar, Bec Patani, dhe malazezit Mil Spasi, të cilët gjatë luftimeve dalin se janë dhe probatinë, përshendeten dhe sipas zakonit mbështesin kokat në supet e njeri-tjetrit.
Ky episod, siç nënvizon studiuesi kanadez, Robert Elsi, në veprën e tij “Histori e letërsisë shqiptare”, (Pejë, 1997 faqe 294), është i ngjashëm me episodin e takimit te Glaukut me Diomedin ne muret e Trojës së lashtë. Mbase Fishta është ndikuar prej tij. Sidoqoftë, më duket se episodi në fjalë i kësaj kënge mund të hiqej nga vepra, të vënë në poemë mbase për të nxjerrënë pah këtë zakon kanunor, mund të mos zinte vend në poemë.
Shumë emra luftëtarësh citohen edhe në Këngën e 18-të “Te ura e Rzhanicës”, në të cilën Fishta përsëri nga dëshira që të t’i përjetësojë ata, krijon dhe vargje te tilla:
..Si njaj Osja i Shas Alltunit,
Zeqir Meta e Met Halili,
Osman Sela ‘i zog bylbylit,
Janiq Mirko e Tomiq Pera,
Rrahman Dyli porsi fjera,
Krye për krye me atë Janiq Gjurën…
( “Vranina”, faqe 45…)
Siç shihet, këto vargje përbëjnë vetëm një listë emërore dhe asgjë më shumë.
Nuk më duket aspak e arsyeshme që Fishta, ndër të tjera në Kangën e 21-të, “Ndërmjetësia”, nga të goditurat e poemës, tregon se si malësori Bec Patani, krahas Oso Kukës, fratit Gjon, Tringës, nga personazhet pozitivë më të sklitur në poemë, së bashku më shokë të tij ndërmerr një aksion në një fshat malazez, gjatë të cilit lidh në një fron të zotin e moshuar një të shtëpie dhe bashkë me ta…. rrëmben plaçka e bagëti(!?). Me fjalë të tjera, vepron bash si cubat malazezë që përshkruan në këngët e para të”Lahutës…”.
Dhe Fishta e justifikon këtë “bëmë” të Becit me fjalë që ky i fundit i drejton plakut malazez:
…Hallallë, mixhë,
pse pak sonte t’kem tundue,
Vathin gjajet tue t’shkretnue,
Pa na pasë ti gjak në varrë,
Ne’ pre mik, ne’ erzin marrë,
As thye vi, as luejtë kufi,
veç se ti shkja ke le,
dhe ban hije mbi dhe.
(”Tringa”, faqe 303).
Edhe studiuesi kanadez, Robert Elsi në librin e tij “ Histori e letërsisë shqiptare”, e justifikon këtë veprom të Becit, që sipas tij “ ..na kujton “Iliadën” plaçkitjen e Odiseut dhe Diomedit natën në kampin trojan”, ( faqe 234 e veprës së mësipërme). Por mua ky arsyetim më duket fund e krye pa asnjë bazë.
Dihet, Fishta e ka botuar “Lahutën… “ të plotë me 1937, me rastin e 25-vjetori te kremtimeve kushtuar Pavarësisë së Shqipërise. Pra, 32 vjet pas krijimit të këngëve të para të saj. Kam bindjen se po ta kishte parë atë me sy kritik, ai do të kishte mundur te krijonte një lidhje më organike dhe më të natyrshme të këngëve. Për këtë qëllim, mund te kishte krijuar një personazh historik, si Marash Uci, vdekur me 1914, pikërisht atë që e përjetëson në Këngën e 12-të, të titulluar me emrin e këtij malsori, të cilin e kishte njohur me 1902 në një fshat dhe nga tregimet e të cilit ishte frymëzuar për të shkruar këngët e para të “Lahutës…”.
Një personazh i tillë, e përsëris, mund të kishte qenë edhe Zana e Frymëzimit që na shfaqet që në këngët e para të poemës dhe deri në këngën e fundit, së cilës poeti i drejtohet me pyetje dhe bashkëbisedon me të.
“Lahuta…” mund të ishte më organike me personazhe ndërlidhëse
Fishta, jo vetëm kishte përkthyer dhe përshtatur drama, por ishte dhe vetë dramaturg. Si pasojë, njihte mirë regullat të cilave u nënshtrohet një vepër dramatike. Prandaj, në rast se edhe ”Lahutën…” do ta kishte parë nga ky këndvështrim, ai mund të kishte krijuar një poemë më organike, sidoqë ajo, siç theksohet dhe në veprën dyvëllimëshe të pr. dr. Shefkije Islamajt, kushtuar gjuhës dhe stilit të Fishtës,, (Prishtinë, 2015) “…ai nuk ka arritur t’i shpëtojë proliksitetit, teprisë së përshkrimeve, teprisë së fjalëve, përsëritjeve të panevojshme…”, të cilat, po të mënjanoheshin, do ta bënin “Lahutën..”, jo vetëm më të përmbledhur, por edhe më dinamike.
Persnazhet mitologjike të “Lahutës…’
I ndikuar nga vepra të letërsisë antike greke dhe kryesisht nga “Iliada” e Homerit, edhe Fishta ka ndërthurur te ”Lahuta…” personazhe mitologjike, por shqiptare, si zanat, orët, kulçedrat, qofshin shqiptare ose malazeze, të cilat, si te veprat homerike, ndërhyjne në ngjarjet që shtjellohen në poemë.
Më të goditurat, sipas mendimit tim, janë episodet që përshkruajnë bisedat e zanave të cilat ndjekin debatet e atdhetareve në Kuvendin e Prizrenit, (Kanga e 9-të “Lidhja e Prizrenit”) dhe episodet që përshkruajnë vdekjen dhe varrinin e Tringës nga zanat, (Kanga e 24-t ”Zanat e Vizitorit”).
Siç e kam shprehur më sipër, Kanga e 26-të, “Kulshedra”, mund te hiqej, sepse nuk ka asnjë lidhje organike me ngjarjet e poemës. Por edhe mund të qëndronte krejt natyrshëm, në rast se Fishta pas përshkrimeve tronditëse dhe me nivel të rallë artistik të ndonjerës prej betejave kundër shkjave malazezë, njeherësh ta ndërthurte atë me tregimin a këngën e një luftëtari për përleshjet e malësorëve me kulshedrën…ashtu siç vepron në Kangën e 5-të “Deka”, ku Oso Kuka i kërkon një luftëtari të këndojë një këngë trimërie. Dhe ky luftëtar këndon këngën e Gjergj Elez Alisë.
Gjithashtu në Kangën e 9-të, “Lidhja e Prizrenit”, ku zanat soditin nga malet ç’po ndodh në këtë kuvend kaq të rëndësishëm historik, Fishta mund të kishte vënë në gojën e tyre faktin se, ashtu siç është mbledhur ky kuvend, ato kanë parë të mblidhej dikur edhe kuvendin e Lezhës, të kryesuar nga Gjergj Kasrioti. Kështu ai do të skaliste sado pak edhe figurën e heroit tonë legjendar që në poemë përmendet vend e pa vend vetëm me emër…
Mendoj se edhe Kanga e 22-të “Tringa”, mund të ishte treguar nga një zanë e pranishme në vdekjen e saj heroike.
Gjithashtu pas vallzimit dhe këngës të zanave për Eufrosinën, (Kanga e 16-të, “Kulshedra”), njera prej tyre mund të kujtonte edhe heroizmin e grave suljote që u hodhën nga shkëmbenjtë, që të mos binin në duart e pushtuesve turq.
Fishta gjithashtu mund të zgjeronte edhe më shumë gjeografinë e zhvillimit të ngjarjeve me përmendjen e heroizmave, fjala vjen të Gjolekës ose Rrapo Hekalit, pra, ngjarje historike nga Shqipëria e jugut, që në poemë nuk i ndeshim.
Të gjitha këto, do të shmangin lehtësisht karakterin fragmentar që cënon vlerat e poemës.
Duke u kthyer sërishmi te qeniet mitologjike, Fishta mund të kishte mënjanuar episode tjera, me qenie mitologjike, që ndeshim në Kangën e 26-të, “Koha e re”, aq më tepër që nuk shquhen për vlera artistike.Të tilla janë episodi i bëmave të Lleshit të Zi, që lufton me kulçedrën në një shpellë, ku poeti këshillon që të mos hyhet… dhe episodet me floçkat , qenie mitologjike femra, njera prej të cilave edhe martohet me një këlmendas…Për më tepër se ato ato nuk shkrihen organikisht me rrëfimet historike të poetit për mbretërit ilirë dhe në vazhdim me episode të tjera që lidhen me Gjergj Kastriotin…
Kur përmend se varri i tij ndodhet pikërisht në Lezhë, Fishta kishte rastin më të mirë që të ndalej përsëri te figura e heroit tonë kombëtar, i mbetur, siç e theksova dhe më lart, në hije dhe t’i ofronte lexuesit të paktën një epoisod, qoftë historik a të trilluar prej tij ose luftëtarëve të tij, për të mos thënë se mund të shfrytëzonte edhe legjenda për Skënderbeun, me të cilat sigurisht ai ka qenë i njohur. Dhe një episod i tillë mund, të rrëfehej nga Zana e Frymëzimit, siç kemi permendur, bsshkëbiseduese me poetin në disa këngë, madje dhe në këngën e fundit.
Të bën përshtypje fakti se, përse me përjashtim të bisedave të tij të shkurtra me këtë zanë, figurat e tjera mitologjike Fishta i paraqet te “Lahuta…” kryesisht vetëm në këngët që përfshijnë vitin 1878, më saktë, duke filluar nga Kanga e 9-të,” Lidhja e Prizrenit”, kur zanat soditin nga malet zhvillimet e këtij kuvendi.
Mendoj se autori , ashtu siç na i paraqet ato në episodet që lidhen me vrasjen tragjike të Tringës dhe varrimin e saj, mund të kishte gjetur hapësirë që t’i paraqiste, fjala vjen, edhe pas vetëflijimit të Oso Kukës, duke na rikujtuar dhe ndonjë heroizëm të një luftëtari tjetër shqiptar në kohë më të hershme.
Gjithashtu të bën përshtypje edhe fakti tjetër, që këto figura mitologjike, pra zanat, orët, nuk shfaqen në pjesën e tretë dhe të fundit të poemës, nëse mund ta përcaktojmë kështu, pra në ngjarjet e viteve 1908-1913….
Pasurimi i “Lahutës…” me ngjarje që lidhen me këto figura, mund t’i kishte dhënë mundësi poetit që të plotësonte dhe më mirë portrete e tyre, sepse, me përjashtim të Zanës së Frymëzimit, Vizitorit dhe deri diku zanës malazeze të Dormitorit , figurat e tjera mitologjike, ngaqë janë edhe të shumta, mbeten edhe të zbehta.
Gjuhë figurative, por dhe fjalor arkaik
Siç është vënë në dukje dhe nga kritika, gjuha e Fishtës është shumë e pasur me figura letrare, veçanërisht me epitete dhe krahasime, jo vetëm me fjalë, por edhe me fraza të zgjeruara, që ndeshen aq shume dhe te “Iliada” e Homerit, nga e cila mund të jete ndikuar edhe në këtë rast.
Fjala “pushkë” çuditërisht është përdorur rrallë nga Fishta dhe në vend të saj ndeshim fjalët hutë, mauzer, karajfile, breshanë, martinë, fjalën turke xheverdare, fjalën sllave novicë. Aq më pak është përdorur dhe fjala shpatë, e zëvendesuar thuajse tërësisht nga fjala turke tagan.
Duke bërë një parantezë, 27 vjet pas botimit të “Lahutës…”, më 1964, Kadareja në poemën e tij të njohur “Përse mendohen këto male”, pavarësisht se për kushtet e kohës ajo iu nënshtrua kërkesave ideologjike, përdor për armën vetëm fjalën “pushkë”, e njohur nga te gjitha dialektet.
Dhe e përdor në mënyrë të figurshme:
Se gruaja lindte fëmijë.
Por pushka lindte krisma,
Dhe për shqiptarin ishin,
Po aq te shtrenjta te dyja,
Dhe krisma dhe fëmija.
Ose:
Dhe mbi trup,
Si shtesë e hekurt,
I rritej e zezë,
Pushka e gjatë,
Një çast i shkurtër,
Dhe një histori e gjatë.
Pra, pushka fiton te Kadareja një përgjithësim më të madh artistik dhe filozofik. “Ndaj me simbolikën e vet, – shkruan pr. dr. Mylazim Krasniqi, – poema ”Përse mendohen këto male”, ka ushtruar një ndikim të ndieshem në mendimin e lexuesve, veçmas në Kosovë”.
Natyrisht, këtë dukuri që vëmë re te kjo poemë e Kadarese, nuk mund ta quajmë mangësi të “Lahutës…”. Dhe kjo, sepse Fishta nuk përdor figura te tilla letrare , ngaqë një shekull e më shumë më parë, ai i drejtohej së pari popullit te thjeshtë , shumica e të cilit nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte. Prandaj kemi emërtime të ndryshme të pushkës që përdorej në krahinat e veriut dhe në tërë Shqipërinë, për t’i dhënë ngjyrimet e duhura mjediseve luftarake ku zhvillohen betejat midis shqiptarëve dhe malazezeve.
Veç kësaj, në shekullin 19-te dhe dekadat e para të shekullit te 20-te Fishta ndiqte shkollën e poezise tradicionale evropiane, qoftë dhe në zhanrin epiko-historik, që u pasurua më pas me vepra letrare të një një stili të ri poetik, të cilin në Shqipëri nisi ta përdorte Poradeci në poezitë e tij lirike dhe Migjeni në poezitë me temëa të mprehta shoqërore dhe më pas Kadareja dhe poetë të tjerë, të mëvonshëm, të tërë të ndikuar nga poezia moderne botërore, e shoqëruar dhe me shprehje te reja metaforike më të avancuara.
Fishta është kujdesur ta pasurojë “Lahutën…” dhe me fjalë. Sipas studiuesve në këtë vepër numërohen 1274 fjalë, shumica të vjetra, ndër të cilat dhe turqizma të panumërta, të marra nga të folmet e rrethit të Shkodrës dhe Malësisë së Veriut, të cilat nuk i gjejmë të përdorura kaq dendur nga shkrimtarë të tjerë të Veriut.
Si pasojë. këto fjale, si zatete, agzot, fulikare, i zotet, serotinë, kolla, karrani, kurrne, telatin, misnik, sergji, kullme, senjur, melaqe, nemi, gajres, ushtuer, kacaturre, fuzhnje, rrëfane, mutue, e plot e plot të tjera, e bëjnë veprën te vështirë për t’u lexuar, jo më nga banorët e Shqipërisë së Jugut edhe te Mesme, por edhe të Shqiperisë se Veriut. Madje brenda vargjeve të para të faqes 288 të “Lahutës…” Fishta ka përfshirë fjalët: calina, shejshana, sylah, harbi, xhurdi, caruqe, duqe, zanambare,bunjet, cungal … duke i bërë këto vargje thuajse të pakuptueshme.
Rimat, apostrofat dhe përsëritjet
Jo rrallë, për hir të rimës, ka raste që ai i deformon fjalët. Kështu ndajfolja “vona” (“..ne e vona”, pra: “tek e vona”), rimon me emrin “zakona” që në shumës është “zakone”. Për të rimuar me mbiemrin “serbjane”, që duhej të ishte “serbe”, ai Kishën e Deçanit e kthen në “Kishë Deçjane”,(!?).
Gjithashtu, për të rimuar me emrin “hana”, Fishta përdor mbiemrin “të mëdhana”, për “të mëdha”, (?). Po kështu, per hir të rimës, Berlini shndërrohet ne Berlina, (?)..
Fishta e tepron me përdorimin e apostrofit. Kështu parafjalën “nëpër” ai e shkruan “n’p’r”, kur dihet se bashkëtingëlloret në gjuhën shqipe nuk mund shqiptohen pa ndihmën e zanores “ë”.
Jo vetëm kaq, por për hir të apostrofimit edhe i cungon fjalët . Kështu ai shkruan jo rrallë ”ki’n”, për “kishin” dhe “ki’te” per “kishte”, kur rrokja “shi” në fjalën e parë dhe bashkëtingëllorja “sh” në fjalën e dytë, nuk e prishin aspak ritmin e tetërrokëshit, të cilin ka raste qe ai e kthen në dhjetërrokësh:
Por vetimë si kokrra e rr’fesë,
n’kondak t’pushkës i mbet shkjaut kresë.
“Lahuta…” vuan edhe nga përsëritje të panevojshme, qoftë fjalësh, qoftë edhe vargjesh. Ka përsëritje të tilla si “…i dhimbet miut në mur dhe gjarpnit në gur”, “i dhimbet gurit dhe drunit”…
Ka përsëritje të shumta të shprehjes “nipa te Kastriotit..”, ose “nipa t’ Skanderbeut”. Madje edhe brenda dy faqesh:”Kush asht nipash t’Skënderbeut”, (faqe 108) dhe :”Kush asht nipash t’ Kastriotit”, ( faqe 109).
Ka gjithashtu përsëitje epitetesh, si sokol mali, zogu i verës, bylbyli në pranverë, trim bujar, drague, ose drangue, e plot e plot të tjera si këto, veçanërisht në përshkrimin e tipareve të personazheve që i kanë mustaqet “vesh me vesh”, janë “kaleshanë”, me “vetulla të trasha”, trima “azganë”…
Mbi të gjitha, ka përsëritje, nga njëherë dhe me tepri përshkrimesh, dhe ndonëse jo shpesh, edhe të betejave, sidoqë ato janë dhënë me vërtetësi dhe nivel të rrallë artistik, të denja për “Iliadën” e Homerit, si në këtë episod kur shkjatë pushtojnë Nokshiqin, që na kujton pushtimin e Trojës nga grekët:
Kur qe, Shkjau, si drita duel,
ban e sheh ai për kundruell,
se si gjindja vu janë në t’hikun…
Se ç’kanë nisë atëherë me shti,
m’gjindje t’ngratë dhe n’bagëti,
si me gjuejtë shkërbe’ n’lisni,
këtu vra’i plak, atje nji fëmijë,
këtej nji grue, përtej nji dhi,
dike dekë, dike varrue,
njan’lësho n’prroskë e tjetrin n’ përrue,
ment e kresë me t’u dërmue.
( “Tringa” faqe 316)
Konferenca e Londrës vihet mbi Shpalljen e Pavarësisë!…
Sigurisht, mangësitë që përmenda shkurtimisht më sipër, qofshin gjuhësore dhe artistike, cënojnë sado pak vlerat e mëdha dhe të padiskutueshme të kësaj poeme madhore.
Veçanërisht ato që vihen re në këngën e fundit, të 30-ën, “Konferenca e Londonit”.
Eshtë për t’u habitur se si Fishta, në vend që ta mbyllte poemën e tij me një këngë tronditëse dhe kumbuese, kushtuar Shpalljes së Pavarësisë, në 28 nëntor të vitit 1912, parapëlqen ta mbyllë me një këngë kushtuar Konferencës së Ambasadorëve, të zhvilluar në Londër (Kanga e 30-të, “Konferenca e Londonit’), e cila “…përsa u përket kufijve kreu një padrejtësi të madhe në dëm të kombit shqiptar. Fuqitë pjesëmarrëse nuk përfillën të drejtat dhe interesat themelore të shtetit shqiptar.Brenda kufijve të tij u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare, një sipërfaqe prej rreth 28 mijë km2 dhe më pak se gjysma e popullsisë me kombësi shqiptare, rreth 800 mijë frymë. Më tepër se gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve të atdheut. Pjesa më e madhe shkuan nën Serbinë, pjesa tjetër nën Malin e Zi dhe Greqinë”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi i dytë, faqe 1242, Tiranë 2008).
Kjo është me të vërtetë e papërceptueshme….
Në këtë mënyrë Fishta injoron atë ditë që kremtohet kudo në Shqipëri si dita në të cilën atdhetarët tanë u mblodhën nga të katër anët e vendit në Vlorë dhe vendosën që Shqipëria të jëtë më së fundi e pavarur, krijuan edhe qeverinë e përkohshme, dhe e mbyll poemën, për të cilën ka punuar rreth 32 vjet, me vargjet shumë të dobëta, siç është në përgjithësi e tëra kjo këngë:
Edhe kështu mbas sa mjerimit,
mbas sa gjakut dhe shëmtimit,
e p’r inatë t’shkjeve të Ballkanit,
për gazep t’atij sulltanit,
si premtue kisht’ Perendia,
prap zojë m’veti duel Shqipnia.
(“Konferenca e Londonit”, faqe 518 )
Kështu Fishta nuk përfshin në poemë personazhe të tilla historike si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletni, ardhur nga Kosova që vuante nga shtypja turke dhe serbe, dhe figura të tjera të rëndësishme atdhetarësh.
Dhe vendin e tyre në Këngën e 30-të, “Konferenca e Londonit” e zënë përfaqësuesit e atyre vendeve që i bënë varrin atdheut tonë, si të Anglisë, Rusisë, Gjermanisë, Italisë, Francës, ..… ata që, siç shkruan Fishta në këtë këngë, i parodizojnë atdhetarët tanë të mëdhenj me vargjet:
Varg e vistër kanë dalë në Vlonë,
.. e i paçavër kuq e zi,
vjerrë na e paskan për nji hu,
edhe hunin ngulë m’nji ship,
t’madhe niskan me këndue,
kin me demek po duem Shqipni,
kinse kështu na jem shqiptarë.
Eh, madhni, as ne s’hamë bar,
na edhe i kemë po mendtë n’kandarë,
e kem sy edhe me pamë…
( faqe 514, po aty).
Dhe është për të ardhur shumë keq që Fishta, satarik i mprehtë dhe i ashpër, nuk ndërhyn për të bërë shkrumb e hi këto shprehje të neveritshme që ka vënë në gojë të përfaqësuesit francez, sepse ai vetë nuk e ka përmendur, pale të himnizonte këtë datë të madhe historike, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën legjendare. Dhe, siç e pamë, e zëvendëson atë me Kongresin famëkeq të Londrës,(!?)….
Veç të tjerash, te “Lahuta…” Fishta nuk ndalet te rrethimi i Shkodrës nga malazezët, për 183 ditë, që nga tetori vitit 1912, nuk përshkruan qëndrimin heroik të banorëve të këtij qyteti, të cilët përballuan këtë rrethim me heroizma të papara, nuk përshkruan tradhtinë e Esat pashë Toptanit, që pasi vrau komandantin Ali Rizai, i cili kërkonte të mbronte qytetin, ua dorëzoi atë malazezëve, kurse vetë u largua me ushtrinë e tij dhe iu kundërvu Shpalljes së Pavarësisë…
Dhe tërë këtë rrethim, me ngjarje kaq tragjike që qysh më 1913 e ka përshkruar shkrimtari Ndoc Nikaj në romanin e tij “Shkodra e rrethueme”, dhe shkrimtari ynë i njohur Skënder Drini në romanin “Vraje tradhtinë’, (1978), Fishta, për habinë e lexuesit, e ka përmbledhur më këto vargje të thata:
E kokë-fortë, kur knjaz Nikolla,
ku më pushkë e ku me t’holla,
s’po do’ Shkodrën me e lirue,
të shtatë krajlat ç’janë idhnue,
Donamtet n’Shqipni kanë çue,
Ku admiralat m’breg sa dolën,
Kap për për veshit knjaz Nikollën,
Fill prej Shkodret jashtë e nxorën.
( Kënga ”Konferenca e Londonit’, faqe 517).
Mangësi që mund të shmangeshin…
Por a kishte Fishta mundësi që të paktën një pjesë të këtyre mangësive t’i shmangte para se t’i paraqiste publikut të gjerë botimin e plotë dhe përfundimtar të “Lahutës…”, me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1937?
Pa dyshim që kishte. Por, mbase jo ai vetë, sepse autori e ka shumë të vështirë të bëjë vetë ndreqjet e duhura. Këtë duhej ta kishte bërë dikush tjetër, pra, një koleg, shkrimtar, poet, gjuhëtar, të tillë si si Mjeda, Koliqi… që besoj se i kanë qëndruar pranë dhe kanë ndjekur krijimtarinë e tij, si dhe ai të tyren, ose miku i tij, Viktor Volaj, që është marrë me përgatitjen e kësaj vepre.
Por, me sa duket ata nuk kanë dashur ta shqetësojnë Fishtën, të lodhur nga vitet.
Që nga viti i botimit të plotë të “ Lahutës..”, siç thamë më 1937, kanë kaluar shumë dekada.
Nuk dimë në sa kopje u bë ky botim, në cilat qytete u shpërnda, në cilat bibloteka të Shqipërisë u depozitua. Nuk dimë ç’jehonë parti vepra te lexuesit e qyteteve jugore të Shqipërisë. Mbi të gjitha, nuk dimë sa u lexua dhe kuptua prej tyre.…Nuk dimë a arriti të shpërndahej dhe në Kosovë, që vazhdonte tëvuante nën thudrën serbe, ose vise të tjera shqiptare, ose të diasporës sonë.
Duke qenë se se “Lahuta…” është shkruar në nëndialektin veri-perendimor, ose më saktë, në të folmen e Shkodrës katolike, mendoj se leximi dhe kuptimi i saj nga banorët toskë në Shqipërinë e asaj periudhe kur u botua, ka qenë disi i vështirë.
Pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi, Fishta, siç dihet, u cilësua poet reaksionar, agjent i fashizmit…Kështu vepra e tij u varros si ai vetë.
Dhe ja, pas shembjes së kësaj dikttaure të pashembullt në Evropë, Fishta u ringjall. Bashkë me të edhe tërë krijimtaria e tij letrare, duke përfshirë edhe ”Lahutën…”.
Dhe nga mallkimi, erdhi himnzimi i tij , ngritja në piedestalin e lavdisë, nga ku komunistët padrejtësisht e kishin rrëzuar, për të mos e ngritur kurrë.
Nisën të botoheshin studime kushtuar veprës së Fishtës me analiza të gjithanshme, për të nxjerë në pah vlerat e mohuara të saj. Dhe u bë shumë mirë. ai nisi të zinte vend edhe në botimet shkollore, të bëhet i njohur kështu edhe nga nxënësit dhe studetët.
Por deri tani, siç është vënë në dukje, edhe në fillim të këtyre shënimeve, me përjashtim të pr. dr. Shefkije Islamajt, që ka shkruar një vepër në dy vëllime kushtuar gjuhës dhe stilit të Fishtës, dhe ka vënë në dukje mangësi të saj që janë përmendur më sipër, nëse jam i gabuar, nuk kam parë që veprës së tij, veçanërisht “ Lahutës…”, t’i bëhet edhe një shikim kritik, ku të vihen në dukje edhe mangësitë e tij, disa prej të cilave rendita dhe unë më sipër, dhe të cilat mund të jenë edhe subjektive.
Fishta dhe lexuesi i sotëm
Përsëri bëj pyetjen. A kuptohet tërësisht “Lahuta…” nga masat e gjera të lexuesve të sotëm, sidomos të rinisë?
Mbase është mirë të bëhet një anketim në bibliotekat e Shqipërisë dhe Kosovës, në të cilat u besoj se “ Lahuta..” duhet të të jetë rezervuar, për të parë sa tërhiqet prëj tyre.
Që nga viti 1972 me vendimin e Kongresit të Drejtshkrimit që toskërishtja të jetë bazë e gjuhës standarte, gegërishtja mbetet gjallë në veprat e shkrimtarëve që kanë shkruar në këtë dialekt.
Por ata, ndër të cilët Mjeda, Gurakuqi, Shiroka, Koliqi, Migjeni…deri te Mekuli në Kosovë, kanë përdorur një gegërishte të butë, ndryshe nga gegërishtja veri-perendimore shkodranishte e Fishtës. Duke marrë parasysh se, ndryshe nga poezitë e tjera lirike dhe atdhetare, Fishta përdor në këtë vepër dhe një fjalor të pasuruar me fjalë të ralla të atyre krahinave, si dhe turqizma, kryesisht për të të përcjellë te lexuesi ngjyrimet e kohës kur zhvillohn ngarjet, pra të gjysmës së dytë të shekullitv të19-të, kuptohet se lexuesi i sotëm e ka disi të vështirë ta kuptojë plotësisht ”Lahutën..” , madje edhe lexuesi verior, ndoshta edhe lexuesi i ri kosovar.
Veç këtyre, ”Lahuta…”, siç e ka vënë në dukje edhe Kadareja, bëhet disi monotone edhe nga përsëritjet dhe përshkrimet e gjata dhe të panevojshme, një pjesë të të cilave i vura në dukje më sipër.
Jam i mendimit se “Lahuta …” duhet të ribotohet me disa shkurtime, ku të mënjanohen mangësitë e mësipërme, shoqëruar me shënime historike dhe fjalor pas çdo kënge. Për fat të keq, fjalët që përdor Fishta, të gjetura nga krahina rreth Shkodrës, nuk janë përhapur në popull dhe në pjesën më të madhe nuk janë përdorur nga shkrimtarë të tjerë, ndaj kanë nevojë të shpjegohen.
Kështu mendoj se faqet e mrekullueshme të “Lahutës…”, veç përsëritjeve dhe zgjatjeve do të çliroheshin nga këto “barëra”që i zënë frymën dhe do të dilnin më shumë më mirë në pah edhe dhe vlerat e padiskutueshme të kësaj poeme madhore.
Kështu “Lahuta…” do të shfaqej me tërë madhështinë e Fishtës si poet i zhanrit epiko-historik, më i madhi në letërsisë shqiptare dhe do të bëhej kështu dhe më i afërt dhe më e dashur për lexuesit tanë.
Epilog
Fishta, anëtar i Akademisë së Italisë
Po i mbyll këto shënime rreth “Lahutës…” me një çeshtje që lidhet me zgjedhjen e Fishtës anëtar i Akademisë të Italisë.
Së pari, duhet nënvizuar fakti se Akademia e Italiane u themelua më 1929 me nismën e vetë Musolinit.
Në fjalën e përurimit të kësaj akademie, më 28 tetor të atij viti , ndër të tjera, ai theksoi:
“Të përndritshëm, zonja dhe zotërinj! Jam krenar që kam themeluar Akademinë e Italisë. Jam i sigurtë që jo do të jetë në lartësinë e qëllimit të saj në shekujt dhe mijëvjeçarët e historisë sonë. Jam i gëzuar të përuroj zyrtarisht Akademinë e Italisë në simbolin e Liktorit dhe në emër të mbretit August”.
Në këtë akademi bënë pjesë 60 studiues dhe krijues nga më të njohurit në Itali, dhe në botë nga të gjitha fushat e shkencës, duke përfshirë edhe letërsinë dhe artet. Ndër ta përmendim figura të njohura, si shkrimtarët Pirandelo, d’Anuncio, Marineti, kompozitorët Maskanji, Cilea, Xhordano, shkencëtarët Markoni, Fermi etj.
Midis tyre, më 12 qershor të vitit 1939, pra pak më shumë se tre muaj pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, anëtar i Akademisë së Italisë, u zgjodh edhe Fishta, që ishte dhe mbeti i vetmi i akademik i huaj.
U zgjodh i tillë, kur krijimtaria e tij letrare, duke përfshirë edhe “Lahutën…”, nuk ishte bërë ende e njohur në Itali, sepse nuk ishte përkthyer në italishte. Ajo u botua në këtë gjuhë në Palermo më 1958, me përkthimin e Papa Ignazio Parrinos, nën titullin “Il liuto della montagna”, ribotusr dhe 1970, (FESH, vëllimi 1, faqe 685, 2008).
A u bë zgjedhja e Fishtës anëtar i Akademisë së Italsë edhe falë ndihmesës së madhe të tij në fushën politiko-shoqërore edhe letrare në Shqipëri, që tashmë ishte përfshirë në suazën e Perandorisë fashiste? A ishte sugjeruar ky vendim edhe nga vetë Musolini, të cilit, siç dihet, në cilësinë e kryeministrit Fishta më 1934 i kishte drejtuar letrën e parë, ku i kërkonte ta ndihmonte që vepra e tij të botohej e plotë, sepse këtë nuk mund ta ndërmerte Urdhni Franceskan? Mos ishte pastaj edhe letra e dytë drejtuar po Musolint, më 27 prill 1940, pra dy muaj para se të bëhej anëtar i Akademisë, ku kërkonte që Qendra e Studimeve Shqiptare të ndihmohej për të promovuar studime në fusha të shkencës dhe dijes nga Universiteti i Bolonjës që kishte bërë një propozim të tillë?… (Sipas burimeve në internet të zërit në gjuhën shqipe “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”).
Por njohja e Fishtës në qarqet e Akademisë Italiane dhe zgjedhja e tij anëtar i saj mund të ketë ardhur ndoshta nga botimi i i “Lahutës…”në Gjermani, së pari nga përkthimi i albanologut të njohur, Gustav Vajgand, (Lajpvcig,1925) dhe nga botimi i dytë, me përkthim të studiuesit tjetër i njohur gjerman, Maksimilian Lamberc, Die Laute des Hochlandes “Lahuta e Malci”, Munchen 1958, (po aty). Dhe kjo njohje mbase mund të jetë bërë shkas për zgjedhjen e tij anëtar i Akademisë së Italisë.
Eshtë pohuar se kjo akademi ishte institucion i pavarur dhe si pasojë vendimi që poeti ynë madh të zgjidhej anëtar i saj, është bërë jashtë kritereve politike. Por, siç thashë më lart, fakti se ajo u themelua drejt për së drejti nga vetë Duçja dhe se presidentët e saj ishin nga njerëzit më të besuar të tij, dëshmon se ajo ishte shndërruar në një instrument shkencoro-politik. Për këtë mjafton të përmendim faktin kuptimplotë se dy nga presidentët e fundit të Akademisë Italiane ishin poeti dhe shkrimtari i famshëm, Gabrile d’Anunzio, mik i Musolinit, i cili, ndër të tjera, siç pohohet , është njohur me “Lahutën…” dhe ka dhënë vlerësime pozitive, ndoshta në gjermanishte, dhe pas tij, gjatë periudhës 1939-43, gazetari dhe shkrimtari , Luixhi Federconi, ish-sekretar Partisë Fashiste italiane, kryetar i Senatit, (1929-1939), dhe disa herë ministër, madje edhe i Brendshëm në qeveritë e kryesuara nga Musolinit.
FUND
Komentet