Kuvendi i Kosovës po mbanë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e Drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi nga ana e autoriteteve të Serbisë. Si rezultat, pritet që të nxirret dhe nje Rezolutë me të cilën, mes tjerash, do të kërkohet lirimi i Thaçit.
Thaçi është arrestuar më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul dhe me vendimin e një gjykate të lartë në Nish, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ai akuzohet nga autoritet serbe, për siç thuhet, veprën penale për largimin e një familje serbe nga Kosova, në Komunën e Lipjanit.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se arrestimi i drejtorit Thaçi nga autoritet serbe është akt politike dhe siç u shpreh ai, veprimet e tilla nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Janë të papranueshme sjelljet e Serbisë në arrestimin e mbajtjen e qytetarëve tanë dhe në akuzat që atyre u vihen për vepra të cilat nuk i kanë bërë. Ne, kemi kërkuar nga Serbia përmes minstrive tona dhe autoritetit ndërkombëtar që zoti Thaçi të kthehet në Kosovë. Ndërkaq, për të gjitha dyshimet që i vihen atij, organet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin masa sipas ligjeve të Kosovës”, tha Mustafa.
Iniciuesi i thirrjes së seancës, deputeti Gëzim Kelmendi, ka kërkuar që shtetit të Serbisë t’i bëhet e qartë se Kosova duhet t’i thotë Serbisë mjaft me arrestimin dhe maltretimin e shqiptarëve.
Ai pos tjerash ka kërkuar që bisedimet me Serbinë të ndërpriten menjëherë.
Por, kryeministri tha se Kosova nuk duhet të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë për shkak të arrestimit të zotit Thaçi.
“Kushtëzimi i lirimit të zotit Nehat Thaçi, me procesin e dialogut, nuk është në interes të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.
Kurse, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se institucionet e Kosovës që nga momenti i arrestimit të Thaçit janë angazhuar intensivisht për lirimin e tij.
“Ne nuk mbrojmë vetëm interesin shtetëror, por edhe interesin e qytetarëve. Kur është arrestuar Thaçi ne kemi pas informatë që ai do të lirohet të nesërmen. Por, pretendimet e Serbisë janë politike dhe nuk kanë të bëjnë me Thaçin. Kur e kemi parë që është vendosur masa e paraburgimit e kemi parë që arrestimi ka qenë i montuar, i planifikuar dhe që rasti ka kaluar në një situatë tjetër”, tha pos tjerash ministri Hoxhaj.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se akuza për Thaçin ekziston që nga viti 2010, por ajo nuk është komunikuar asnjëherë tek organet kompetente në Kosovë.
Ajo ka njoftuar deputetë se institucionet e Kosovës, madje i kanë dërguar notë verbale Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, por siç ka thënë ajo “deri sot nuk kemi marrë përgjigje”.
Shefat e Grupeve Parlamentare të partive në pushtet kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që të bëjnë gjithçka që është e mundur që zoti Thaçi të lirohet sa më shpejtë.
Kurse, Glauk Konjufca, shef i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se institucionet e Kosovës po paraqiten si viktimë karshi arrestimit të zotit Thaçi. Ai tha se institucionet e Kosovës kanë reaguar shumë vonë për arrestimin e zotit Thaçi.
“Forma e reagimit për Nehat Thaçin ishte një vajtim përgjërues për bashkësinë ndërkombëtare më shumë duke kërkuar ndihmë, ashtu që bashkësisë ndërkombëtare në një formë t’i vije gjynah për ne edhe të reagojë. Kjo politika e gjynahit që po e aplikon qeveria jonë është me të vërtetë jo produktive dhe e pa papranueshme, e portretizon shtetin e Kosovës si një entitet i cili nuk mund të përfundojë asnjë nga punët e veta”, u shpreh Konjufca.
Pal Lekaj, shef i Grupit parlamentar të AAK-së, ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe vet Kuvendin për vonesën e mbajtjes së një seance të tillë.
Ai tha se një seance e jashtëzakonshme është dashur të mbahej po në atë ditë kur është arrestuar zoti Thaçi nga autoritetet e Serbisë. Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës dhe kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve.
“Viktimë e këtyre marrëveshjeve të [bisedimeve] dhe deklaratave të ministres [ Edita Tahiri] ndoshta ka rënë edhe drejtori i policisë rajonale Nehat Thaçi”, tha Lekaj.
I pranishëm në seancë ka qenë edhe babai i Nehat Thaçit.
Në bazë të flet-arresteve serbe, disa herë kanë rënë “viktima” ish-drejtuesit e luftës në Kosovë.
Ramush Haradinaj, ish komandant i Zonës Operative të Dukagjinit në periudhën e UÇK-së, kryetar i partisë politike AAK ,në vitin 2015 ishte ndaluar nga autoritetet sllovene, në bazë të një flet-arresti të lëshuar nga Serbia, në vitin 2004.
Para Haradinajt, edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së dhe ish kryeministri Agim Çeku ishte ndaluar. Ai një herë është ndaluar në Slloveni, një herë në Bullgari dhe një herë në Kolumbi. Edhe Çeku ka flet-arrest nga Serbia për pjesëmarrje në luftën e Kosovës dhe në Kroaci. (REL)
Komentet