VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kush e shpiku “Panettone”-n? Ja receta e saj me fruta të thata

By | December 25, 2016

Komentet

Mënyra më e mirë për të gatuar thjerrëzat me shije

Thjerrëzat janë një ndër legumet më të shëndetshme për organizmin e njeriut.

Ato janë thelbësore për shëndetin por edhe ushqim i pasur në vlera që mund të konsumohet gjatë gjithë vitit.

Me thjerrëzat, ju mund të gatuani supa të shijshme e të shëndetshme sidomos në dimër por edhe sallata gjatë verës.

Një nga problemet më të shpeshta që has një amvisë më gatimin e thjerrëzave është se ato bëhen të qullëta dhe humbasin formën e tyre.

Thjerrëzat Ideale Për Gatimet E Javës

Gjatë javës kur njeriu është shumë i zënë me angazhimet familjare dhe të punës, gatimi është diçka që anashkalohet.

Thjerrëzat më të mira për gatime të lehta dhe të shpejhta janë ato me ngjyrë jeshile dhe kafe.

Këto thjerrëza jo vetëm që nuk qullen por ruajnë formën e tyre.

Thjerrëzat e verdha, të kuqe dhe ngjyrë portokalli janë fantastike në shije por kur gatuhen bëhen të qullëta.

Këto thjerrëza janë më të mira në supa dhe salca.

Nga ana tjetër, thjerrëzat e vjetëruara kërkojnë shumë kohë për gatim.

Kjo është arsyeja që nutricionistët rekomandojnë blerjen e thjerrëzave të freskëta dhe përdorimin e tyre brenda disa muajve.

 Gatimi I Duhur I Thjerrëzave

Mënyra më e mirë për gatimin e saktë të thjerrëzave është që tu jepni një valë të shpejtë dhe më pas të ulni temperaturën dhe t’i zieni ngadalë deri sa të gatuhen plotësisht.

Në këtë mënyrë, ato do të fryhen  por nuk do të çahen dhe as do të qullen.

Një tjetër truk i rëndësishëm është që kripa dhe erëzat e tjera të hidhen në tenxhere pasi thjerrëzat të jenë bërë plotësisht.

Nëse kripën e hidhni kur thjerrëzat të jenë akoma të ngrohta, ato do ta përthithin atë mjaftueshëm në pak kohë.

Si T’i Gatuani Thjerrëzat Në Mënyrën e Duhur

Përbërësit:

1 filxhan çaji me thjerrëza të thata me ngjyrë jeshile ose kafe.

2 gota me ujë të pijshëm,

1 gjethe dafine,

1 thelb hudhër

Më pak se një lugë çaji me kripë,

Erëza të ndryshme.

Përgatitja:

Hidhini thjerrëzat një kullesë dhe shpëlajini me ujë të bollshëm.

Më pas hidhini ato të një tenxhere të vogël dhe shtoni ujin.

Hidhni dafinën, erëzat dhe barishtet që preferoni por mos shtoni kripën.

Lërini të marrin një valë të shpejtë dhe më pas uleni temperaturën që thjerrëzat të ziejnë ngadalë për 20-30 minuta.

Mos e mbyllni kapakun e tenxheres dhe shtoni ujë sipas nevojës.

Kur thjerrëzat të jenë të buta e të gatuara plotësisht hiqini nga tenxherja dhe kullojini.

Hidhini sërish në tenxhere dhe shtoni kripën. Ju mund t’i pasuroni ato me vajin e ullirit, lëngun e limonit, uthullën e mollës, barishte të freskëta ose t’i konsumoni vetëm me kripë.

Nëse doni t’i konsumoni në formën e supës atëherë mos e kulloni ujin por plotësojeni me përbërësit e tjerë më sipër e më saj shijojeni./AgroWeb.org

Lulelakër me vezë për një darkë të lehtë e plot shëndet

Kjo pjatë përbëhet nga dy përbërës fantastik në vlera ushqyese, vezë dhe lulelakër.

Një darkë e lehtë, padyshim e shijshme e mbi të gjitha e pasur në vlera ushqyese.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë dhe të shëndetshëm.

Kjo pjatë përbëhet nga dy përbërës fantastik në vlera ushqyese, vezë dhe lulelakër.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e thjeshtë të përgatitjes së lulelakrave me vezë krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Lulelakrave me Vezë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)

1 kg lulelakër

2-3 lugë gjelle me miell

3 kokrra vezë

2-3 lugë gjelle djathë

2-3 filxhanë kafeje me vaj ulliri

Kripë

Piper

Djathë i bardhë (sipas preferencës)

Përgatitja

Lulelakra pastrohet nga gjethet dhe i hiqet kërcelli.

Tufat e mëdha të luleve ndahen në disa pjesë.

Lahen në ujë të ftohtë dhe lihen të zjejnë në ujë të valuar me kripë (15-20 minuta).

Lulelakra hiqet nga zjarri, kullohet uji dhe e nxehtë vendoset në një pjatë që të ftohet.

Ndahet në feta të vogla, të cilat spërkaten me pak kripë, piper, djathë të bardhë të thërrmuar ose djathë kaçkavall të grirë.

Më pas kalohen në miell, në vezët e rrahura dhe skuqen nga të dyja anët. Shoqërohen me domate dhe kastraveca të freskët.

Vlerat ushqyese të lulelakrës dhe vezëve

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

Një filxhan me lulelakër të gatuar përmban 28 kalori.

Në të gjenden 2 gramë proteina dhe 12 përqind të dozës ditore të fibrës. Lulelakra është një burim i mirë i vitaminës C.

Në një racion të vetëm, do të mund të plotësoni të gjithë dozën e nevojshme ditore.

Vitamina K është e domosdoshme për një zemër të shëndetshme dhe kocka të forta.

Folati dhe vitamina B6 që gjenden tek lulelakra janë gjithashtu të rëndësishme për një metabolizëm dhe gjak të shëndetshëm./AgroWeb.org

Vezë me kos – Super mëngjesi për organizëm të shëndetshëm

 

Një mënyrë fantastike për të shijuar vezët dhe për të kënaqur nepsin dhe oreksin që në mëngjes duke i ofruar organizmit energji dhe pozitivitet.

Receta që AgroWeb.org sjell më poshtë është pak ndryshe nga mënyra e zakonshme e përgatitjes së vezëve.

Ajo shoqërohet me kos, gjalpë të freskët të tretur, e pasuruar me hudhër e piper të kuq pluhur gjithashtu.

Përgatitja e Vezëve me Kos dhe Gjalpë 

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 1 person)

2 kokrra vezë

1 gotë me kos

1 thelpi hudhër

1 lugë gjelle gjalpë i freskët fshati

Pak piper i kuq pluhur

Përgatitja

AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni një tenxhere me ujë e kripë në zjarr.

Në momentin kur uji nis të vlojë shumë, thyejini vezët dhe hidhini në tenxheren me ujë që po vlon.

Pas 3 minutash vezët janë gati për t’u hequr nga zjerja në ujë.

Nëse i preferoni më të zjera atëherë lërini edhe dy minuta më shumë.

Ndërkohë, hidhni gjalpin në një tigan dhe vendoseni në zjarr të shkrijë, shtoni aty hudhrën e shtypur, piperin e kuq pluhur dhe largojeni nga zjarri.

Vezët e ziera në ujë largojini përmes një lugë-kullorëse dhe vendosini në një pjatë të thellë.

Mbulojini vezët me kos dhe sipër spërkatini me gjalpin e ngrohtë të shkrirë dhe është gati për t’u konsumuar.

Veza përçon shumë energji për organizmin.

Veza tretet lehtë, falë enzimave natyrale që gjenden në të bardhën e saj.

Nga të dhënat e AgroWeb.org, konsumimi i vezëve forcon sistemin imunitar dhe kjo është shumë e rëndësishme për të qenë të mbrojtur nga shumë sëmundje.

Shumica e njerëzve në ditët e sotme kanë pamjaftueshmëri proteinash dhe yndyrnash cilësore.

Vezët janë të tejmbushura si me proteina ashtu edhe me yndyrna të mira.

Konsumi i dy ose tre vezëve organike në ditë do të pakësonte ndjeshëm gjasat e shfaqjes së sëmundjeve të rrezikshme.

Receta më e mirë e gatimit me mish dhe lakër të bardhë – Si ta përgatisni në mënyrën më të shijshme

 

Lakra është një nga perimet më të përdorura në kuzhinën shqiptare.

Atë e përdorim në sallata të ndryshme kryesisht me simotrën e saj të kuqe, karrota e majdanoz.

Lakrën e përgatisim edhe në turshi për tu dhënë shije mbrëmjeve dimërore.

Lëngu i turshisë së saj shuan etjen për vlera të rëndësishme.

Kjo perime e rëndësishme në traditën e kulinarisë shqiptare përdoret edhe në gatimin e një gjelle, nga ato që të bëjnë të lëpish gishtat.

Gjella me lakër, e gjen veten në tryezat tona të paktën një herë në javë.

Ajo gatuhet thjeshtë dhe ka shumë shije, por duke u kombinuar me mishin e thatë, shija arrin në nivele superiore.

Receta e Gjellës Me Lakër dhe Mish Të Thatë

Përbërësit

Gjysëm lakre të grirë hollë

2 qepë

1 spec të kuq

1 filxhan kafeje oriz (sipas dëshirës)

500 gr mish (nëse dëshironi mund të përdorni dhe mish të thatë ose mish të grirë)

5-6 thelpinj hudhre

Katër lugë me vaj ulliri

1 gjethe dafinë

1-2 lugë gjelle salcë domate

Një pjatë me lakër turshi të prerë hollë (sipas dëshirës)

Përgatitja

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

Kujdesuni që vaji të mos digjet dhe hidhni thelat e mishit, kaurdisini nga të dyja anët. Më pas shtoni specin e kuq të grirë hollë.

Speci duhet kaurdisur i pari sepse është më i fortë dhe kërkon më shumë kohë.

Pasi të jetë zbutur, shtoni qepët e grira dhe kaurdisini së bashku, vijoni duke shtuar salcën e domates.

Më pas shtoni lakrën por jo të gjithën menjëherë, sepse në të kundërt tenxherja do të mbushet plot dhe do të kërkojë shumë kohë lakra të zbutet.

Pasi lakra të jetë kaurdisur për 5-7 minuta hidhni ujë derisa përbërësit në texhere të mbulohen por jo plotësisht, shtoni kripën e piperin dhe mbulojeni me kapak.

Lëreni të ziejë me zjarr mesatar dhe përziejeni herë pas here duke garantuar që nuk ngjitet në fund të tenxheres.

Nëse uji përthithet shpejt dhe lakra nuk është zier, shtoni më shumë ujë.

Kontrolloni përmbajtjen e kripës dhe rregullojeni atë sipas preferencës.

Kur lakra të jetë pothuajse e gatuar, shtoni orizin, hudhrat, dafinën.

Orizi është opsional. Disa amvisa e preferojnë gjellën me oriz për shkak të aftësive lidhëse që ai ka në një gjellë.

Pasi lakra të jetë zbutur, kontrolloni përmbajtjen e piperit.

Gjella e lakrës kërkon patjetër një shije pakëz pikante.

Në disa receta të veriut të Shqipërisë, gjella në fjalë gatuhet në gjysëm racioni me lakër të freskët dhe gjysëm me lakër turshi.

Lakra turshi i jep gjellës një nuancë pakëz të hidhur por të thellë dhe shumë të shijshme.

Gjella me lakër nuk duhet të jetë shumë e lëngshme.

Servireni të ngrohtë duke e shoqëruar me kos dhe perime të pjekura./AgroWeb.org

Tavë dimërore me oriz dhe patate – Receta e ngrohtë plot shije

 

Orizi përbën një nga drithërat më të preferuara të konsumatorëve shqiptarë.

Recetat e gatimit me këtë drith janë të thjeshta.

Zakonisht, amvisat shqiptare ia dedikojnë një ditë orizit, duke e bërë atë pilaf ose duke e kombinuar me spinaq në gjellëra që të bëjnë të lëpish gishtat.

Në këtë recetë të AgroWeb.org do të mësoni një recetë tjetër të gatimit të orizit duke e zier atë në furrë, bashkë me patate e karrota.

Përbërësit

6 patate,

2 karrota,

1 spec i kuq

1 qepë mesatare

1 filxhan çaji oriz.

1 thelb hudhër

Kripë sipas dëshirës,

4-6 lugë gjelle me vaj ulliri

2 filxhanë çaji me ujë ose lëng mishi

Kripë

Djathë i thërrmuar i bardhë ose kaçkavall sipas dëshirës

Përgatitja

Ndezim furrën në 250 gradë.

Qërojmë qepën dhe e presim në forma rrethore.

Qërojmë patatet dhe i shpëlajmë me ujë të bollshëm.

Më pas, i presim në feta rrumbullake.

Karrotat i qërojmë hollë, i shpëlajmë dhe i presim në forma të vogla rrethore.

Specin e kuq e pastrojmë nga farat dhe e presim gjithashtu në formë rrethore.

Hudhrën e qërojmë dhe e grijmë hollë.

Marrim një tas qelqi të thellë dhe hedhim të gjithë përbërësit një e nga një, përveç orizit.

I përziejmë mirë me një lugë druri, shtojmë kripën dhe 3 lugë vaj ulliri.

Pasi i kemi përzier përbërësit mirë me njëri tjetrin, përgatisim tepsinë për pjekje.

E lyejmë tepsinë me një lugë vaji vegjetal.

Orizin e lajmë, e kullojmë dhe e hedhim në tepsi duke e shtruar në të gjithë sipërfaqen e saj.

Perimet e përziera në tasin e qelqit i hedhim të pakavërdisura në sipërfaqen e orizit.

Sipër tyre hedhim tre lugë të tjera gjelle me vaj ulliri dhe e fusim tepsinë në furrë.

Pjekja e perimeve dhe orizit kërkon të paktën 20 minuta.

Në momentin që patatet e karrotat janë rreshkur duke marrë ngjyrën e kafenjtë, hedhim dy filxhanët e ujit ose lëngut të mishit.

E fusim tepsinë në furrë sërish për të mundësuar zierjen dhe pjekjen e mëtejshme të oriziit.

Pas 20 minutash mund ta provoni nëse orizi është bërë e më pas ta hiqni tepsinë nga furra.

5 minutat e fundit para se ta hiqni nga furra, sipër hidhini sipër djathin e thërrmuar në të gjithë sipërfaqen dhe futeni në furrue për pak minuta sa djathi të shkrijë më pas hiqeni nga furra.

Lëreni mënjanë të ftohet pak dhe servireni të ngrohtë duke e shoqëruar me kos, turshi e sallatë jeshile.

Kjo recetë përdoret gjërësisht në shumë zona të veriut të vendit.

Në varësi të preferencës së amvisës, perimet mund të skuqen paraprakisht.

Megjithatë në aspekt vlerash, receta e mësipërme është e shëndetshme sepse ruan vitaminat e mineralet e perimeve./AgroWeb.org

Përse rekomandohet lëngu i kompostos së kumbullës në mbrëmje

Duke qenë se lëngu i kompostos përmban hekur, gjë që është e nevojshme për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Kompostoja e kumbullës është një pije e mbushur plot me minerale dhe një burim ideal i kaliumit.

Gjithashtu lëngu i saj përmban dhe shumë veti antioksiduese, të cilat mbrojnë trupin nga radikalet e lira që dëmtojnë qelizat.

Duke qenë se kompostoja është me pak kalori është një pije perfekte për në darkë.

Më poshtë AgroWeb.org ju tregon disa nga vlerat shëndetsore që ka lëngu i kompostos së kumbullës nëse pihet në darkë.

Përmirëson shëndetin e zemrës

Antioksidantët që gjenden tek lëngu i kompostos përmirësojnë shëndetin e zemrës.

Përveç se luftojnë radikalët e lirë në trup, antioksidantët parandalojnë dhe komplikimet kardiovaskulare.

Antioksidantët gjithashtu parandalojnë dhe oksidimin e kolesterolit, dhe si rrjedhojë ruan zemrën.

Ndihmon tretjen gjatë gjumit

Lëngu i kompostos përmban isatin dhe sorbitol, dy substance që përmirësojnë punën e sistemit tretës.

Në sajë të tyre, ushqimet e vështira për t’u tretur arrijnë të shkriftohen më me lehtësi, pasi nxisin prodhimin e enzimave tretëse.

Përmirëson qarkullimin e gjakut

Duke qenë se lëngu i kompostos përmban hekur, gjë që është e nevojshme për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Gjithashtu kur ai konsumohet në darkë arrin të ekuilibrojë qarkullimin e gjakut në trup.

Ul nivelet e kolesterolit

Lëngu i kompostos përmban fibra të cilat i përfiton nga frut i kumbullës, që ndihmon në uljen e prodhimit të kolesterolit në mëlçi.

Fibra solube përthith lëngjet alkaline në mëlçi që prodhojnë kolesterolin.

Duke e pirë në darkë ju parandaloni prodhimin e tepërt të kolesterolit, dhe arrini kështu të ulni nivelet e tij në trup.

Përmirëson shëndetin e kockave

Sipas disa të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, konsumimi i lëngut të kompostos së kumbullave arrin të parandalojë humbjen e masës së kockave.

Në saj të flavovoidëve dhe substancave fenolike, lëngu i kompostos ndihmon rigjenerimin e qelizave kockore që gjenden në trup.

Për personat të cilët vuajnë nga sëmundje si artriti apo osteoporoza, lëngu i kompostos këshillohet të konsumohet çdo natë.

Ndihmon imunitetin

Konsumimi i këtij lëngu krijon mundësinë e parandalimit të të ftohurave apo prekjes nga virozat, pasi ndihmon në forcimin e imunitetit.

Fruti i kumbullës nxit formimin e qelizave të shëndetshme, të cilat rigjallërojnë organizmin gjatë kohës që ju flini.

Burani e ngrohtë me spinaq – Traditë, shije dhe shëndet

E thjeshtë në përgatitje dhe e lehtë për organizmin, burania është një recetë fantastike për një drekë të shkëlqyer, të shëndetshme.

Burania me Spinaq është një ndër pjatat fantastike, të shijshme, e pasur me vlera ushqyese, pjesë e traditës së kulinarisë shqiptare.

Një gatim tradicional, i trashëguar brez pas brezi e që përherë mbetet ndër më të preferuarat  e shqiptarëve.

Burania është një pjatë e lehtë por e pasur me vlera ushqyese, kjo falë spinaqit, një nga burimet më të fuqishme të natyrës të hekurit dhe proteinave.

E thjeshtë në përgatitje dhe e lehtë për organizmin, burania është një recetë fantastike për një drekë të shkëlqyer, të shëndetshme.

Kjo pjatë shoqërohet mjaft mirë me sallata të ndryshme të stinës, sallata perimesh të zjera apo të pjekura, sallatë me ullinj e portokalle por edhe me byrekë të ndryshëm apo turshitë e shijshme të përgatitura nga amvisat shqiptare.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron recetën tipike të buranisë me spinaq e cila përgatitet krejt lehtë dhe është një mënyrë fantastike për t’u shijuar me familje.

Përgatitja e Buranisë me Spinaq e Vezë në Shtëpi

Përbërësit

1 kg spinaq i freskët

5 qepë të njoma

5 lugë vaj ulliri

2 lugë gjelle me oriz

Kripë

Piper

Nenexhik

Përgatitja

Kujdesemi qe të pastrojmë mirë spinaqin me ujë të rrjedhshëm.

Pastrojmë qepët dhe i grijmë imët.

Hedhim në një tenxhere vajin e ullirit dhe dhe shtojmë qepët. I vendosim në zjarr dhe i kavërdisim për disa minuta derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas shtojmë orizin dhe vijojmë t’i kavërdisim . në vijim shtojmë ujë (dy gota ujë) dhe i lëmë të zjejnë.

Presim spinaqin në copa por jo shumë të vogla. Nëse gjethet e spinaqit janë të vogla i lënë siç janë.

Shtojmë kripën dhe piperin dhe një gotë tjetër me ujë.

E lëmë të zjejë derisa uji të ketë shterruar dhe orizi të jetë zjerë plotësisht.

Kur gjella është gati shtojmë pak nenexhik dhe e kavërdisim.

Më pas e mbulojmë tenxheren me kapak dhe e lëmë përreth 10 minuta në zjarr të ngadaltë.

E servirim të ngrohtë duke vendosur nga një vezë për secilin person në pjatë.

Mëngjesi i ngrohtë dhe ideal për ditët e ftohta të dimrit

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e Oshmarit për një mëngjes plot shije.

Oshmari është traditë e vjetër e gjithë rajonit të Korçës, përbërësi kryesor i të cilit është mielli i misrit.

Megjithatë ky gatim, ndonëse mund të ndryshojë pakëz në përbërësit e tjerë gatuhet në të gjitha trevat shqiptare.

Diku njihet me emrin Harapash, diku tjetër me emrin Kaçamak, Oshmar në Korçë e kështu me radhë por shija e tij është unike dhe të përfshin tërësisht.

Dikur oshmari i Korçës shërbehej gjatë mëngjeseve për të marrë energji gjatë ditës, prandaj dhe është një zgjedhje perfekte kur temeraturat ulen.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e Oshmarit për një mëngjes plot shije.

Përgatitja E Oshmarit Krejt Lehtë Në Shtëpi

Përbërësit

2 lugë gjelle gjalpë të freskët ose 4 lugë vaj ulliri

(për një ushqim sa më të shëndetshëm AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit)

3 lugë gjelle djathë i thërrmuar (i bardhë ose kaçkavall sipas preferencës)

2 gota uji me qumësht

1 gotë me ujë

2-3 lugë me salcë kosi

2 filxhanë çaji me miell misri

Përgatitja

Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shtojmë aty gjalpë të freskët.

E lëmë sa të shkrijë dhe më pas shtojmë djathin e bardhë të thërrmuar.

Nëse do përdorni djathë kaçkavall atëherë do duhet që ta shtoni në fund të përgatitjes së oshmarit.

E kaurdisim pak dhe më pas shtojmë qumështin dhe ujin.

I lëmë të ziejnë derisa të marrin valën e parë, e më pas menjëherë shtojmë miellin e misrit.

E përziejmë shpejt dhe pa ndërprerje me një lugë druri në mënyrë që të mos krijohen kokërriza.

Në këtë moment AgroWeb.og këshillon që të shtoni dhe salcën e kosit, e cila do t’i japi oshmarit një shkriftësi dhe shije perfekte.

Përzihet derisa masa të shkëputet nga anët e enës përreth 15 minuta.

Më pas ndaheni në pjata dhe sipër i hidhet pak djathë i thërrmuar dhe do të keni një mëngjes shijeplotë.

Mëngjesi i Elidës

Për mëngjes përgatis zakonisht porixh (poridge), tërshërë me pak miell orizi që e ziej me qumësht dhije dhe e shtoj me fara, mjaltë dhe arrorë;

për t’i alternuar përgatis vezë omletë, vezë sy apo të përziera me djathtë e proshutë që i shoqëroj me ndonjë sallatë e çfarë të ketë shtëpia.

Të dy me Skënderin mund të kënaqemi mrekullisht me tërshërë të zjerë, që e shtojmë me kos dhe pak mjaltë, por preokupimi janë djemtë që t’u ofroj një mëngjes sa më të shëndetshëm.

Për porrixh bëjnë reaksion dhe unë për t’i marrë me të mirë u them se nesër do t’ju përgatis palaçinka. Dhe si me magji nuk i zgjasin më kritikat.

Si sot. Në mes të punëve dhe të ngarkesave të ditës, natyrisht që gjej kohën për të gatuar dhe kënaqur gjithë familjen time.

Palaçinkat janë të traditës tonë familjare: stërgjyshja i përgatiste për fëmijët e saj dhe gjyshen time e pastaj për nipat e mbesat;

gjyshja ime për mamin, tezen dhe dajat e pastaj për nuset, nipat e mbesat;

mami për mua dhe kur u zgjerua familja për ne dhe veçanërisht për Prizrenin dhe Endritin;

tani që mamit po i bëhen 3 vjet që na sheh nga Parajsa, i përgatis unë.

Djemtë kënaqen, i shijojnë, heshtin, kujtojnë gjyshërit e tyre dhe aty këtu më hedhin ndonjë fjalë të mirë!

Unë i lutem Zotit që të kem mundësi t’ju përgatis palaçinkat edhe nipave e mbesave tanë apo stërnipave dhe stërmbesave!

Kushedi, këtu e ka Zoti fjalën!

Receta e palaçinkave

Qumësht,vezë, miell, një majë luge kafeje kripë dhe që të gjitha përzihen që të jenë një masë e lëngët por konsistente

Në tigan  me temperaturë të lartë hidhet pak gjalpë dhe pastaj fillon skuqja sikur vezët omlet, duke u kthyer nga të dy anët.

Kur përfundon skuqja, u shpërndahet mjaltë, u hidhen arra të grira dhe pastaj bëhen si rule duke u pudrosur me pak kanellë.

Në vend të mjaltit, përdoret reçel ose edhe me të kripura.

Ju bëftë mirë

 

 

 

Kulaç i butë me qumësht – Si ta përgatisni plot shije në shtëpi

Ai përgatitet në çdo kohë, e sigurisht nuk mund t’i mungojë tryezës në këto ditë festash.

Kulaçi i shtëpisë është një ndër recetat më tipike tradicionale shqiptare, e trashëguar brez pas brezi.

Ai përgatitet në çdo kohë, e sigurisht nuk mund t’i mungojë tryezës në këto ditë festash.

Por shpesh amvisat hasin vështirësi në përgatitjen e tij, pasi herë del i thatë e herë të tjera i qullët.

Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org mënyrën ideale të përgatitjes së kulaçit me qumësht vetë në shtëpi.

Me këtë recetë përgatitet një kulaç fantastik i butë teksa gjatë pjekjes, ai mbush gjithë shtëpinë me aromën e tij të mrekullueshme.

Përgatitja e Kulaçit në Shtëpi

Përbërësit 

1 kg miell

2 kokrra vezë

kripë

1 lugë çaji sodë buke

1 filxhan kafeje me vaj ulliri

400 ml qumësht

Përgatitja e kulaçit

Mielli hidhet i gjithi në një enë të gjerë.

Në mesin e miellit hapet një gropëz dhe anash miellit shtoni kripën dhe sodën rreth e rrotull.

Më pas shtoni në gropëzën që keni hapur vezët e plota ndjekur nga qumështi dhe vaji i ullirit.

Përziejeni miellin me të gjithë përbërësit e tjerë duke përdorur një lugë druri.

Shtoni edhe pak ujë të vakët që të lehtësoni formimin e brumit të kulaçit.

Më pas hiqeni lugën dhe punojeni masën me duar deri sa brumi i krijuar të jetë i njëtrajtshëm.

Kur brumi të jetë forcuar, jepini formën e një topi dhe punojeni sërish me duar.

Hiqeni brumin nga ena dhe vendoseni në sipërfaqen e gurtë ose të mermerit që keni në kuzhinë.

Sekreti i një kulaçi të shijshëm qëndron tek përpunimi i vazhdueshëm dhe i njëjtrajtshëm i brumit.

Më pas merrni një tepsi rrethore ose drejtkëndore dhe lyejeni me vaj.

Merreni brumin dhe futeni në tepsi duke e shtrirë me dorë deri sa të puthitet në çdo cep të sipërfaqes së enës së pjekjes.

Pasi brumi i kulaçit të jetë përhapur mirë, përdorni një pirun të pastër për t’i dhënë forma dhe trajta sipërfaqes së tij.

Futeni tepsinë në furrë dhe piqeni për 30 minuta në 200 gradë.

Me këtë brumë ju mund të përgatisni një kulaç të madh ose kuleçë të vegjël./AgroWeb.org

Trahana me qumësht – E ngrohtë me shije të mrekullueshme

 

Trahanaja është padyshim ushqimi më i shijshëm e më i shëndetshëm sidomos në stinën e dimrit.

E ngrohtë dhe shijeplotë, e shoqëruar me djathë a me përbërës të tjerë sipas dëshirës ky gatim mbetet ndër më të preferuarit e shqiptarëve.

Ajo shijon padyshim në mëngjes por sigurisht edhe në darkë duke ngrohur gjithë organizmin e duke të kënaqur me shijen e saj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë dy mënyra të thjeshta dhe të shpejta të përgatitjes së saj lehtë në shtëpi me njue përbërës që i shton edhe më shumë shijen, me qumësht në vend të ujit.

Dy Mënyrat e Shpejta të Përgatitjes së Trahanasë

Mënyra e Parë

Një mënyrë është ajo përmes ngrohjes së qumështit dhe më pas shtimit të trahanasë në qumueshtin që nis të vlojë.

Më konkretisht, masa është dy lugë trahana për person. Fillimisht, trahananë hidheni në një gotë me pak qumësht të vakët dhe trazojeni derisa të tretet.

Më pas, vendosni një tenxhere të vogël në zjarr dhe shtoni një gotë të plotë me qumësht, shtoni pak kripë dhe lëreni derisa qumështi të nisë të vlojë.

Në këtë moment shtoni trahananë e tretur dhe trazojeni pa ndrëprerje përmes një luge druri derisa masa të trashet dhe të bëhet e njëtrajtshme.

Nëse dëshironi trahananë më të hollë mund të shtoni edhe pak qumësht, kjo varet sipas dëshirës.

Largojeni nga zjarri, thërrmoni në një pjatë të thellë 1-2 feta të holla buke të cilat i keni thekur dhe ftohur më parë.

Shtoni trahananë e përgatitur në pjatën ku keni thërrmuar bukën, përziejeni me bukën dhe në fund sipas dëshirës spërkateni me pak vaj ulliri apo gjalpë të tretur si dhe thërrime djathi gjithashtu.

Mënyra e Dytë 

Ndërsa mënyra tjetër e përgatitjes, është ajo e skuqjes së trahanasë në fillim.

Në këtë rast, trahanaja nuk tretet.

AgroWeb.org ju udhëzon që të vendosni një tigan apo tenxhere të vogël në zjarr.

Shtoni aty një lugë vaj ulliri apo një lugë gjalpë të freskët.

Në rastin e përgatitjes  për një person, shtoni dy lugë trahana, pak kripë sipas dëshirës dhe kaurdiseni për maskimumi dy minuta.

Më pas, shtoni menjëherë një gotë të mbushur plot me qumësht të ftohtë dhe trazojeni pa ndërprerje me lugë druri derisa masa të trashet dhe të jetë e njëtrajtshme.

Pasi të jetë gati, largojeni nga zjarri dhe përgatisni bukën si më sipër.

Më pas, shtoni trahananë sipër bukës duke e trazuar në mënyrë që buka të përthithë gjithë masën.

Spërkateni me pak vaj ulliri apo gjalpë të freskët si dhe djathë të thërrmuar gjithashtu.

Për më shumë shije, sipas preferencës mund të shtoni edhe pak spec djegës.

Portokalle të pjekura me mjaltë – Receta fantastike e shtëpisë

Nëse i përgatisni vetë ato, ju garantojmë se do të bëheni qendra e bisedës dhe do të prekni majat e shijes.

Portokalli është një nga agrumet më të freskëta të stinës. Përtej vlerave të frutit, ju sjellim një ide që nuk duhet ta humbni.

AgroWeb.org por edhe të gjithë ne i duam recetat që janë unike, të mira për shëndetin dhe të shkëlqyera për shijet tona, ju sjellim këtë ide super.

Kjo recetë e Portokalleve të pjekur përshtatet në mënyrë të përkryer me stilin tonë.

Nuk ka asnjë mundësi që kjo recetë të mos ju pëlqejë! Thjesht hidhini një sy këtyre portokalleve të pjekur mrekullueshëm!

Nëse i përgatisni vetë ato, ju garantojmë se do të bëheni qendra e bisedës dhe do të prekni majat e shijes.

Përdorimi i pak mjalti cilësor shqiptar do t’ju sjellë një karamelizim të bukur. AgroWeb.org e këshillon pasi ofron një kontrast të shijshëm të ëmbëlsisë përballë shijes së veçantë të agrumeve.

Lajmi i mirë është se portokallet e pjekura jo vetëm që duken të mahnitshëm, por janë krejt të thjeshtë për t’u bërë.

Lehtësia e përgatitjes është një plus i madh kur jeni me nxitim ose kur keni nevojë për një recetë të thjeshtë, por mbresëlënëse.

Na duhet të pranojmë se një arsye madhore për t’i pjekur portokajtë është edhe aroma e tyre magjike.

Pasi t’i piqni dhe të hapni furrën, era në kuzhinë dhe në shtëpi do të jetë veçanërisht e mrekullueshme.

Përbërësit e recetës me portokalle të pjekura

4 kokrra portokallesh të mëdha

1 lugë çaji kanellë

1 lugë kafeje pluhur vanilje

2 lugë çaji sheqer kokërmadh

Mjaltë sipas dëshirës

Mënyra e përgatitjes së portokalleve të pjekura

Vendoseni furrën në 200 gradë celsius. AgroWeb.org ju këshillon t’i lani mirë dhe t’i prisni portokallet me gjithë lëkurë në feta jo më të trasha se gjerësia e gishtit tuaj të vogël.

Mos i përdorni majat dhe fundet pasi rriskat e tyre kanë sasi më të vogël të tulit të portokallit.

Hiqini farat nga fetat e portokajve dhe jeni gati për pjekjen.

Hapni një letër pjekje dhe radhitni mbi të fetat e portokallit.

Spërkatini me sasinë e dëshiruar të sheqerit duke u munduar të përdorni sasi të vogël.

Gjithashtu spërkatini me kanellë dhe pak vanilje pluhur.

Piqini në furrë për 10-15 minuta.

Duhet të keni parasysh që mjaltin ta shtoni vetëm pasi t’i keni nxjerrë nga pjekja pasi mjalti humbet cilësitë nën temperatura të larta.

Sapo t’i nxirrni nga furra, spërkatini me mjaltë në sasinë që dëshironi dhe kështu do të përfitoni karamelizimin e duhur.

Shërbejini të ngrohta ose të ftohta dhe do të merrni urimet më të mira nga ata që do ta provojnë.