VOAL

Please Wait ...
0%

Kurti: Ja pse Vetëvendosje s’u mor vesh me LDK-në për bashkëpunim

By | May 18, 2017
1 Comments
  • author avatar

    Nuk di pse jeni kaq hipokrit kur dihet se PJELLA e Juej rrjedhë buron nga LPQK-ja dhe Edhe pse shtiheni si nacionalist ,nuk keni gjà nacionale,kur dihet se Ju jo se jo,nuk jeni distance nga Genocidi I Dushan Mugoshës e Milladin Popoviqit-Enver Hoxha DHE Mentor keni Paskal Milon ,bir Priftit Grek njerzit e Fatos Klosit e Fatos Nanos,të cilët Ju kan gulfatun Edhe po TË DONI me marr frym nuk jeni I lir sepse jeni kontraktue me luftue deri në fund figurën emblemën e kombit Dr.Ibrahim Rugova,që me vizion strategji dhe me armën e kohes PAQEDASHËS sfidoj Kombet må TË mëdhaja dhe bashk oj BOTËN mbar,lëshoj kushtrimin ua Nxorri para tavoline statusin TË padefinuem TË Kosovës,tue Ju thanë :
    MJAFT BAT PAZARE E SHPEKULLUET ME KOSOVËN,KA ARDHË KOHA ME I THAN NDAL GENOCIDIT SERBO-SLLAV S T O P,S T O P!
    KOSOVA KA ZOT,ASHT NJI POPULL PAQEDASHËS,DIN TË LUFTOJ ME PUSHKË DHE DITUNI,ASHT MBURROJ E EUROPËS MERITON L I R I !

    Ju pinjoll I revolucionit dekadent Bolshevik doni ta ç’boni,po shkelni gjakun e dëshmorëve ,pleq gra e fëmijë TË cilët ran prehë e kësaj lirie.

    PO DËSHMOHET DHE TË GJITHË JAN TUE PA SE BANDËN E KUQE JENI TUE PËRKRAH,L D K -en ME LUFTUE,FIGURËN E Dr. IBRRAHIM RUGOVËS ME ZVZTNUE,PËR KTE JAN TUE TË PAGUE?!

Komentet

Nëntogeri i FSK-së Rilind Idrizi merr çmimin “Studenti më i mirë ndërkombëtar”

PRISHTINË – Nëntogeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) Rilind Idrizi ka marrë çmimin “Studenti më i mirë ndërkombëtar” në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar.

Në një njoftim për media nga FSK thuhet se pjesë e ceremonisë së diplomimit të kadetëve-oficerëve të mbajtur në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore në Cranwell të Mbretërisë së Bashkuar ishin edhe dy pjesëtarë të FSK-së, nëntoger Rilind Idrizi dhe tetari Feti Pronaj, të cilët kanë përfunduar me sukses studimet ushtarake 7 mujore në këtë kolegj.

“Nëntogeri Rilind Idrizi ka treguar performancë të jashtëzakonshme në fushën e studimeve ushtarake, akademike dhe praktike, dhe si rezultat i këtyre arritjeve ka marrë çmimin e studentit më të mirë ndërkombëtar. Nëntogeri Idrizi, këtë çmim e ka pranuar nga oficeri komandues i këtij kolegji-Marshall Steve Rochell”, bëhet e ditur nga FSK.

Ndërkaq gjatë kësaj ceremonie i pranishëm ishte edhe komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama i cili pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit ka shprehur se ndihet i kënaqur me performancën e dy pjesëtarëve të FSK-së.

Duke vënë në dukje se nëntoger Idrizi dhe tetari Pronaj janë pjesëtarët e parë të FSK-së që diplomuan në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore, Rama ka thënë se “Suksesi i kadetëve dhe oficerëve tanë në Akademitë më prestigjioze në botë, është edhe një dëshmi se FSK-ja po ndërtohet me standardet më të larta profesionale të nivelit të shteteve të NATO-s”.

Ndërkaq në një njoftim nga qeveria britanike thuhet se zëvendës Shefi i Misionit, Tom Adams, duke uruar Idrizin për këtë arritje tha se për këtë sukses duhet të jetë krenare edhe Kosova. Adams po ashtu u shpreh se Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe për mbështetjen e Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj.

Me këtë rast edhe nëntogeri Rilind Idrizi tha se ka mësuar mësime dhe shkathtësi të paçmueshme, të cilat sipas tij do ta ndihmojnë në zhvillimin e tij personal dhe profesional.

“Jam krenar për arritjet e mia në këtë kurs dhe për mundësinë për të përfaqësuar vendin tim dhe FSK-në në një pozicion pozitiv. Unë synoj ta kthej këtë eksperiencë në FSK dhe ta zbatoj atë në më të mirën e aftësive të mia”, tha nëntogeri Idrizi.

Kurse tetari Pronaj tha se kjo ka qenë një trajnim tepër i mirë për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tij. Ai shtoi se ky kurs ka ofruar një ambient të përsosur për të nxitur miqësinë dhe marrëdhëniet profesionale me oficerët e rinj të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-presidenti Topi: AntiBashët janë të gjithë hipokritë…

Ish-presidenti i Republikës dhe ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Bamir Topi shpërthen ndaj situatës që po kalon Partia Demokratike duke deklaruar se ajo gjendet në një fazë të degradimit të vazhdueshëm të saj.

 

I ftuar në emsionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, kryetari i FRD tha se situatës që po kalon kjo parti i shkon për shtat të them se aktualisht PD është në lulzim të mjeruar.

Më tej Topi përdori një aksiomë të filozofit Frederik Engels kur tha se ndryshimet sasiore në PD kanë sjellë ndryshime ciëlsore dhe se sipas tij aktualisht në PD mbaruan figurat cilësore që kanë dhënë kontirbute, rrjedhimisht kjo parti është në një situatë mjerane.

Lidhur me grupin që ka inicuar lëvizjen për ringritjen e Partisë Demokratike, Topi tha se me përjashtim të Besnik Mustafajt që mendimet e tij i ka bërë publikë që herët, të tjerët kanë doza hipokrizie sepse nga njëra anë janë kundër kryetarit Basha dhe nga ana tjetër nuk duan ta prishin me Berishën.

“Kryetari de facto i Partisë Demokratike është ai që ka pushtetin e plotë dhe ky është Sali Berisha. Ka nga ata që besojnë në një ritkthim të Berishës në krye të PD. Jam i bindur që verdiktin e listës e ka dhënë Berisha”.

Topi risolli në kujtesë një nga akuzat më të rënda që i janë bërë gjatë kohës që ishte president kur një një debat të ashpër me Berishën tha se presidenti fliste me heshtje. “Kur unë vetëm një herë fola me heshtje në PD më kritikuan. Ja pra që u folka edhe me heshtje siç po hesht tani zoti Berisha për atë që ndodh në PD”- tha ai.

Nisur nga kjo situatë Topi ka një përkufizim edhe më të rëndë për situatën në PD.

“Është një mekanizëm i amortizuar që nuk ka mundësi për transfusion”, tha ai.

PËR PRESIDENTIN META

Gjatë emisionit “Debati në “Channel One”, presidenti i 8-të i shtetit shqiptar Bamir Topi ka dhënë një opinion edhe për presidentin e 10-të Ilir Meta i cili do marrë detyrën ditën e hënë.

“Unë e vlerësoj shumë zotin Meta i cili edhe pse shumë i ri ka një përvojë të veçantë në politikë. Unë kam konsiderata të mira për të dhekam parë një ekuilibër të brendshëm te zoti Meta Presidenca e tij ka që për të treguar pikërisht këtë përvojë por nga ana tjetër Topi bëri një parashikim për marrëdhëniet e Metë she Ramës në vitet e ardhshme.

“Unë parashikoj që këto marrëdhëniet nuk kanë për të qenë të qeta. Meta president me Ramën kryeministër do ti ngjajë historisë sime me kryeministrin Berisha.”

PËR MAZHORANCËN 

Bamir Topi deklaron se fakti që populli e voti më shumë Edi Ramën do të thotë se në mandatin e parë ka qeverisur shumë mirë” tha Bamir Topi për zgjedhjet e 25 qershorit. Por ai shkoi edhe më tej kur argumentin e tij e lidhi edhe me opozitën.

“Por kur ke edhe një kundërshtar të dobët si PD fitoja të bëhet dhe më e lehtë”.Sipas Topit një nga arsyet e fitores ishte edhe situate në PD.

“Unë nuk shikoj te PD peshën e duhur të një partie të opozitës”, tha Topi duke nënkuptuar që kryeministri Rama do ta ketë të lehtë qeverisjen në mandatin e dytë.

BUSTI I SKËNDERBEUT NË OBORRIN E MENSUR ISMAILIT NË BELICË – Nga REXHEP SHAHU

Dikush hedh gurë e baltë kundër Skënderbeut, si qentë që lehin hënën. Thotë i biri i botës, sikur ka jetuar me të atë kohë, se Vojsava, nëna e Skënderbeut ka qenë serbe. Ky mavria që thirret si i ditur, të japë mend, medet ku ka rënë shqiptari i sotëm (!!!), kujton se dhjet flori sa herë dhjet nga goja. Në fakt, sa herë harrohet e behet anonim, ky mavri a malukat hedh shashka të tilla për me përzie pazarin e me dalë në sipërfaqe të pellgut.
Dikush tjetër, shqiptar krejt i zakonshëm, që nuk shtiret si mendimtar, si dijetar, si intelektual e as si zagar me ia kujtue të zotit se unë lehi për ty, pra shqiptari i zakonshëm i kësaj toke i ndërton bust Skënderbeut në oborr të shtëpisë së tij. Kështu ka ndodhë para dy vitesh në Belicë të Strugës në Maqedoni. Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi. Mensur Ismaili ka vendosur bustin e Skënderbeut me përmasa reale në oborrin e vilës së tij. Ai nuk ka ditur asgjë se çfarë mund të ketë folur keq ndokush për Skënderbeun. Shqiptari shqiptar vendi nuk dëgjon nga ai vesh. E ndonjë mercenar që paguhet herë andej e herë këndej, leh për të zotin e vet.
Qentë nuk e lehin hënën se duan apo mund ta hanë, por lehin hënën që të thonë me të lehurën e tyre se ne jemi këtu, ja ku jemi dhe mos na lini pa ndonjë kockë që të kemi çfarë të lëpijmë.
Dikush, i braktisur edhe prej vetes së tij, rreket të kapet te bishti i kalit të Skënderbeut për tu ngjitë tek lavdia e ëndërruar.
Dikush i bashkohet korit antishqiptar antiSkënderbe dhe mjaullin për të gjetë një deriçkë për tek lavdia e fama e munguar.
Ndonjë mut i trusur, i thatë, që s’e hanë as pulat, që rri i mrroltë e shtiret si filozof i thuktë, që bën ca rrudha në ballë, e mezi e mban të qeshurën prej qendrimit të vet fallco teksa fotografohet që mendon edhe të kape bolet e kalit të Skënderbeut e veç të flitet për të, të thuhet se është dikush në këtë botë ku nuk e përfill askush dhe nuk e merr askush seriozisht, artikulon teza armiqsh dhe bëhet altoporlant i armiqve të shqiptarëve në emër të kozmopolitizmit dhe të koridoreve të reja fije të holla me Beogradin e vjetër nga katundet më skerka të Shqipërisë, duke rivalizuar shtetarët që hapin koridore legale Tiranë – Beograd.
Këta magarë gërdalla që venë shalla në vend të kërpeshave, harrojnë se u duhen 1200 vjet me përmbysë atë që është ngritë prej Skënderbeut.
Këto magarë gërdalla mbushin ndoshta xhepat nga duar të padukshme që kanë synuar e synojnë ta ndalojnë udhëtimin e Shqipërisë drejt Europës. Udhëtimi i shqiptarëve drejt Europës bëhet vetem me Skënderbeun e askënd tjetër. Ata që nuk duan, paguajnë magarët që të pëllasin kundër Skënderbeut e të na e bëjnë Skënderbeun me nënë serbe a kineze a pakistaneze…
Harrojnë gjithashtu më kryesoren. Se shqiptarët reagojnë ndryshe. E harrojnë këtë reagim popullor që bëhet pa urdhër të askujt dhe nuk e ndalon urdhëri i askujt.
Shqiptarët vazhdojnë ta nderojnë Skënderbeun si zotin e tyre. Jo për inat të ndokujt. Në të gjitha kohërat, edhe në diktaturë, bustet e vogla të Skënderbeut gjendeshin gjithkund me krenari merreshin jepeshin si dhurata dhe ishte në prag të çdo oxhaku busti i Skënderbeut. Shqiptarët që janë shqiptarë rrace reagojnë ndryshe kur vjen puna për heroin e tyre kombëtar. Ata i ngrenë Skënderbeut bust në përmasa reale në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kjo gjë u duket krejt, krejt e zakonshme. Rastësisht, dy vjet pasi ka ndodhë ngritja e një busti, rastësisht e mësova dhe po e rrëfej sot, kur i zoti i shtëpisë as e ka ndërmend.
Skënderbeu është mbreti ynë më i madhi, më thotë krejt natyrshëm Mensur Ismaili, një shqiptar patriot, pa leje të askujt, nga fshati Belicë në rrethinat e Strugës të Maqedonisë. Mensuri që i ruan me fanatizëm të rrallë rrënjët e veta, i ka ngritë bust Skënderbeut në oborr të vilës së tij. Skënderbeu është burri ynë i kombit, heroi ynë i vetëm rreth të cilit mblidhemi të gjithë shqiptarët kudo ku jetojmë e punojmë. Skënderbeu është babai ynë, babai i kombit tonë, vijon Mensuri i Belicës, i cili jeton prej 30 vitesh në Zvicër pa i ikë asnjëherë Belices.
Në vitin 2015 Mensuri me familjen e tij, kanë ndërtuar në Belice një bust të Skënderbeut. E kanë vu bustin në oborr të vilës. Që nga aty në 1900 metër lartësi mbidetare Skënderbeu derdh vështrimin mbi Strugë e tej e tej Pollogut. Busti prej 1 metër i lartë, është i gdhendur në gur, në gur të shkulur prej aty. Është i vendosur në një fron guri mbi 1.5 metër të lartë, gur i nxjerrë aty në themelet e kullës apo vilës së tij në Belicë.
Kam plotësuar një ëndërr timen të hershme, më thotë Mensur Ismaili dhe kam plotësuar amanetin e babës për të mos e lëshuar kurrë Belicen. Tani kemi edhe Skënderbeun këtu në Belicë dhe jemi lidhë më shumë me rrënjët tona.
Në mënyrën më të thjeshtë, të pabesueshme, Mensur Ismaili, emigrant prej 30 vitesh në Zvicër, që nuk e lëshon dot Belicën e as ajo atë, më thotë se Skënderbeu na ka mbrojtë, ai na ka ruajtë dhe prandaj jemi shqiptarë.
Unë e përgëzoj i entusiazmuar Mensurin, kur ndjej e shoh zagarhane që lehin në hënë ndaj Skëndebeut. E Mensuri natyrshëm, duke u skuqë si djalë i ri, më thotë, nuk kam ba ndonjë çudi, na i besojmë Skenderbeut, ai na ruan ne shqiptarëve. Na nuk kemi hero ma të madh.
Belica është një fshat shqiptar, me namë e famë në rrethina të Strugës, 1900 metër mbi nivelin e detit, rreth 20 kilometër larg Strugës, në prehër të Malit të Jabllanicës, në kufi me Qartishten e Malin e Kuq në kufirin administrativ mes Shqipërisë e Maqedonisë, por fshat i njohur, me histori të pazbuluar, të pashkruar, të paregjistruar, por me banorë si Mensuri me të tijtë e bashkëfshatrët që janë zgjuar si kurrë më parë për ta mbrojtë e dashtë vendlindjen e tyre dhe për ta nxjerrë në dritë historinë e dikurshme të bujshme vendlindjes dhe historinë e banorëve të saj që janë derdhë gjithandej Europës.
Belica, tashmë fshat vilash hijerënda prej guri, fshat me histori të bujshme njerzish punëtorë e atdhetarë, ka tri kisha një xhami dhe një teqe.
Kishat flasin shqip në themele e çati, në rrënjë e degë në derë e në prag, në votër e oxhak.
Teksa shoh bustin e Skënderbeut në oborrin e vilës së Mensur Ismailit në Belicë të Strugës, teksa shoh të zotët e vilës dhe fëmijët që rrinë me Skënderbeun, harroj e nuk dëgjoj daullet e atyre që shesin baballarët, nënat e motrat e tyre për pak famë, emër e lavdi dhe janë gati të bëjnë gjithçka, ta shesin edhe Skënderbeun, ta bëjnë serb kur s’kishte ende serbë, vetëm e vetëm që të përziejnë ndonjë herë pazarin e të dalin në ndonjë kronikë të blerë televizive apo të sponsorizuar nga antishqiptarët që janë gjithmonë mes nesh.

 

LDK, AKR dhe Alternativa: Nuk ka marrëveshje me PAN-in dhe Haradinajn

Billbord i LDK-së

 

Partitë e koalicionit LAA, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa kanë rikonfirmuar se nuk kanë lidhur asnjë marrëveshje, qoftë si parti politike apo si deputetë veç e veç me ndonjë prej subjektevepolitike që synon formimin e Qeverisë së ardhshme.

Krerët dhe përfaqësuesit e këtyre partive kanë zhvilluar sot një takim dhe më pas kanë demantuar se është arritur ndonjë marrëveshje me Koalicionin PAN.

I kandiduari për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti tha se LDK mbetet unike në qëndrimet e saj. Kurse deklaratat nga koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) për marrëveshje me disa nga deputetët e LDK-së për formimin e Qeverisë, Hoti i ka cilësuar si spekulime.

“Jemi koalicion i palëkundur. I kemi 29 deputetë. E kemi bërë të qartë dhe i lus të gjithë që të lënë konspiracionin”, tha Hoti.

Ai ka thënë se LDK me partitë partnere dhe Lëvizja Vetëvendosja janë ato që do të bëjnë Qeverinë, pas dështimit të Haradinajt.

Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se kjo parti i mbetet besnike bashkimit me LDK-në e Alternativën.

Edhe Pacolli tha se nuk ka asgjë të vërtetë që dikush nga AKR-ja do ta votojë Ramush Haradinajn nga koalicioni PAN për kryeministër të Kosovës.

Intervista – Kryetarja e Gjykatës Speciale: Personave të akuzuar do t’u garantohet një gjykim i drejtë dhe i shpejtë

Gjyqtarja Ekatarina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka thënë për BIRN se gjykata e sapokrijuar me bazë në Hagë që do të gjykojë ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të jetë etnikisht e njëanshme pasi do të gjykojë vetëm kriminelët e dyshuar, jo vetë organizatën guerilase.

Trendafilova ka premtuar gjithashtu se gjykata do t’i mbrojë si duhet dëshmitarët – një dështim në përpjekjet e mëparshme për të gjykuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dhe shprehu shpresë së puna e saj do të ndihmojë në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që Trendafilova ka vendosur në rastet e drejtësisë penale ndërkombëtare. Para se t’i bashkohej Dhomave të Specializuara të Kosovës, ajo ishte gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, një eksperiencë që ajo e cila ajo beson se do të përfitojë në rolin e saj të ri.

BIRN: Gjykata të tjera hibride kanë funksionuar edhe më parë në Kosovë. Çfarë ndryshimi ka kjo gjykatë nga të tjerat dhe si do ta mundësoni ju si gjykatëse përmbushjen e mandatit prej gjykatës?

Trendafilova: Dhomat e Specializuara janë të ndryshme në shumë aspekte. Unë do të përmend disa prej tyre, mirëpo nuk do të përmend fjalë si ’hibrid’, ’ndërkombëtar’ apo ‘i ndërkombëtarizuar’. Dhomat e Specializuara u krijuan nëpërmjet një amendamenti kushtetues që u miratua nga Kuvendi i Kosovës me një shumicë dy të tretash. Ky është një faktor fuqidhënës për ne. Kjo do të thotë se populli i Kosovës përmes përfaqësuesve të vet në Kuvend shprehu vullnetin se një institucion i tillë është i nevojshëm dhe i dëshirueshëm. Së dyti, Dhomat e Specializuara mund të mbështeten në autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe policinë në lidhje me zbatimin e urdhrave, kontrolleve dhe sekuestrimeve dhe në lidhje me arrestimin e të dyshuarve. Në bazë të Ligjit, autoriteteve të Kosovës u kërkohet të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara për arritjen e objektivit madhor të nxjerrjes para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e rënda që pretendohet të jenë kryer.

Nga ana tjetër, ne jemi një institucion i zhvendosur në Holandë, që është shteti pranues e kjo do të thotë që ne mundësojmë sigurinë më të lartë për të gjithë atë që kanë punë me Dhomat e Specializuara, në veçanti viktimat dhe dëshmitarët.
Gjithashtu, në Dhomat e Specializuara mund të gjykojnë vetëm gjykatës ndërkombëtarë. Kjo zgjidhje tregon se Kuvendi i Kosovës i kushtoi respektin maksimal pavarësisë dhe integritetit të këtij institucioni, procedimeve penale që do të kryhen në këtë institucion dhe sigurisë së viktimave dhe dëshmitarëve.
Si gjykatëse dhe si Kryetare e Dhomave të Specializuara unë do të siguroj përmbushjen e mandatit prej Dhomave të Specializuara nëpërmjet zbatimit të Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Rregullores së miratuar nga gjykatësit. Më e rëndësishme që ia vlen të theksoj është se unë kam besim se gjykatësit e emëruar në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të cilët kanë një përvojë të madhe, do të kryejnë procedura gjyqësore shembullore dhe do të shqiptojnë vendime tejet cilësore.

BIRN: Si do ta trajtoni problemin e komunikimit dhe shpjegimit të misionit të Dhomave të Specializuara duke pasur parasysh namin jo të mirë të TPNJ-së në ish-Jugosllavi, por gjithashtu duke marrë parasysh edhe ngurrimin ndaj këtij institucioni të ri në Kosovë?

Trendafilova: Ndoshta, në Kosovë jo të gjithë janë përkrahës, apo kundërshtarë të Dhomave të Specializuara. Gjithsesi, vendimi për themelimin e Dhomave të Specializuara ishte vendim i përfaqësuesve të popullit të Kosovës, i Kuvendit.
Ne jemi realitet, tashmë funksionojmë dhe mund të marrim parashtrime. Mandati ynë është i ndryshëm nga ai i TPNJ-së dhe ne duhet të gjykohemi për punën që do të bëjmë.
Krahas themelimit të institucionit tonë dhe gatishmërisë sonë për nisjen e procedurave gjyqësore, është po aq me rëndësi, që të vijojë informimi i publikut për mandatin tonë, për procedurat dhe për rezultatet e mundshme të pritshme prej punës së institucionit tonë. Kjo ka rëndësi për të parandaluar informacion të shtrembëruar apo keqkuptime.
Unë fuqimisht përkrah transparencën më të madhe të mundshme në lidhje me veprimtarinë tonë, sigurisht me përjashtim të informacionit të ndjeshëm dhe konfidencial që është i nevojshëm për mbrojtjen e dëshmitarëve që do të vijnë për të dëshmuar.
Që prej vitit të shkuar dhe përurimit të faqes sonë në Internet në tri gjuhë ku i gjithë informacioni mund të gjendet në anglisht, shqip dhe serbisht, krejt informacioni i rëndësishëm dhe parashtrimet publike të palëve dhe të gjykatësve u bëhen të njohura me saktësi publikut dhe kjo do të vazhdojë.
Komunikimi me median është një proces i vazhdueshëm. Gjithashtu, drejtuesit kryesorë të gjykatës si edhe ekipi i Dhomave të Specializuara për informimin e publikut kanë qenë rregullisht në ndërveprim me faktorë të rëndësishëm të ndryshëm nga shoqëria civile, fusha akademike dhe media në Kosovë, si edhe më gjerë në rajon dhe në botë.
Për shembull, në pranverë të këtij viti Administratorja, dr. Fidelma Donlon, pati një takim në Prishtinë me përfaqësues të shumtë të medias dhe shoqërisë civile në Forumin për Transparencë të Drejtësisë. Pres që në të ardhmen të vijojnë të organizohen veprimtari të ngjashme.
Gjithashtu, kohët e fundit unë mbajta një konferencë për shtypin në selinë tonë. Po ashtu ne presim vizitorë të shumtë dhe mbajmë ligjërata për grupe studentësh të interesuar. Të gjitha këto veprimtari janë pjesë e zbatimit të programit tonë për komunikim i cili do të intensifikohet. Ne do të organizojmë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore të ardhshme.
Dëshiroj të theksoj se unë mbështetem maksimalisht në komunikimin për t’i bindur njerëzit në rajon se Dhomat e Specializuara do të bëjnë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe të pavarur për këdo që ka lidhje me to.

BIRN: Sa i vështirë është komunikimi në rast se ndodhesh shumë larg vendit të kryerjes së krimeve?
Trendafilova: Unë jam tërësisht e ndërgjegjshme për vështirësinë që krijon largësia në lidhje me komunikimin dhe ndërgjegjësimin e efektshëm. Sidoqoftë, fatmirësisht ne jetojmë në kohën e teknologjisë moderne që unë shpresoj se do të na ndihmojë të vendosim komunikim të drejtpërdrejtë me të gjithë interesuarit, dhe jo vetëm me mediat.
Një ndër përparësitë e afërta është që t’u drejtohemi viktimave dhe të shpjegojmë në tërësi të drejtat e tyre, si edhe procesin përkatës të kërkesës dhe të përmbushjes së kushteve për pranim si viktimë. Gjithashtu, dëshmitarëve do t’u jepen sigurime në lidhje me masat e forta mbrojtëse të ndërmarra prej Dhomave të Specializuara.
Për më tepër, sapo të fillojnë seancat gjyqësore, ne do t’i transmetojmë nëpërmjet faqes sonë në Internet në të gjitha gjuhët zyrtare që do t’u mundësojë publikut dhe mediave që t’i ndjekin ato.
Natyrisht, në bazë të nevojave për mbrojtjen e dëshmitarëve disa transmetime do të jenë të pjesshme, ose do të ketë transmetime me masa mbrojtëse si ndryshimi i pamjes dhe i zërit.

BIRN: Si bashkëpunojnë Dhomat e Specializuara me autoritetet e Kosovës? Sa i përket paraburgimit dhe arrestimeve, a do të përdorni polici të posaçme të gjykatës, policinë holandeze apo policinë e Kosovës?

Trendafilova: Ashtu siç parashihet në Ligj, ne mund të mbështetemi në policinë e Kosovës, si edhe në cilëndo gjykatë të Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Specializuar mund të vërë në zbatim urdhrat e tij nëpërmjet një force policore brenda Zyrës së tij. Çdo urdhër dhe vendim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ku përfshihen edhe kontrollet sekuestrimet dhe arrestimet e të dyshuarve në territorin e Kosovës, duhen zbatuar. Këtë e dikton Ligji. Gjithashtu, në rast se del e nevojshme ne mund të kërkojmë bashkëpunim ndërkombëtar.

BIRN: Sa të ndjeshëm duhet të jeni kundrejt rrethanave të tanishme politike në Kosovë?

Trendafilova: Në të vërtetë nuk është fjala për ndjeshmëri. Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor i pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta dhe në përmbushjen e mandatit, në përputhje me Ligjin dhe dakorduar dhe miratuar prej një shumice absolute të Kuvendit të Kosovës.
Ne e kryejmë misionin tonë ashtu siç mishërohet në Ligj, në mënyrë të pavarur prej procesit politik në Kosovë. Ne i bindemi vetëm kushtetutës dhe ligjit.
Megjithatë, ne i përcjellim me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe jemi të ndërgjegjshëm për problem të ndjeshme, pa u ndikuar prej tyre.

BIRN: Çfarë përgjigje keni ndaj kritikave se Dhomat e Specializuara janë të njëanshme dhe merren vetëm me një grup etnik, shqiptarët e Kosovës?

Trendafilova: Dhomat e Specializuara nuk kryejnë ndjekje penale të asnjë grupi etnik, apo organizate. Dhomat e Specializuara do të procedojnë penalisht dhe do të shpallin fajtorë vetëm individë. Ligji përcakton qartësisht përgjegjësinë penale individuale, që do të thotë se individët do të shpallen fajtorë për vepra penale që kanë kryer si individë dhe jo si pjesëtarë të një grupi apo bashkësie etnike apo të çfarëdo grupi tjetër.
BIRN: Gjithashtu, gjykata ka një njësi për mbështetjen e viktimave dhe në Ligj parashihen programe për zhdëmtimin. Si do të funksionojë në praktikë?
Trendafilova: Së pari më lejoni t’ju them se jam mjaft e kënaqur se në ndryshim nga TPNJ-ja, Dhomat e Specializuara u japin viktimave mundësinë e pjesëmarrjes në procedura.
Viktimat e krimeve të përmendura në një aktakuzë mund t’i bëjnë kërkesë Zyrës për pjesëmarrje të viktimave në Zyrën Administrative, në rast se dëshirojnë të marrin pjesë. Në Ligj parashihet e drejta e viktimave për njoftim, njohje si viktimë dhe zhdëmtim. Praktikisht, kjo do të thotë se viktimat do të mund të kenë pjesëmarrje të njëmendtë në procedurat e Dhomave të Specializuara dhe do të mund të kërkojnë zhdëmtim.
Pas shpalljes së një të akuzuari fajtor, gjykatësit mund ta urdhërojnë atë të akuzuar që t’u paguajë dëmshpërblimin e përshtatshëm viktimave, kolektivisht, ose individualisht. Zyra për pjesëmarrje të viktimave gjithashtu do të administrojë një listë të mbrojtësve të viktimave për të mundësuar përfaqësim ligjor efikas dhe ndihmë për viktimat.

BIRN: A mund të shpjegoni gjithashtu rolin e Avokatit të Popullit?

Trendafilova: Përfshirja e Avokatit të Popullit që gjithashtu parashihet në Kushtetutën e Kosovës, është një garanci kushtetuese e rëndësishme, gjithashtu brenda kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara. Nëpërmjet Avokatit të Popullit synohet më shumë transparencë dhe hapje ndaj publikut nga ana jonë dhe që Avokati i Popullit të shërbejë si mbikëqyrës i pavarur i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit do të tregojë respektin e duhur ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe procedurave gjyqësore që do të thotë se Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në kryerjen e tyre, përveçse kur është fjala për vonesa të papërligjura.
Së fundi, funksionimi i Avokatit të Popullit supozohet që të fuqizojë kontrollet dhe balancat të cilat janë për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, sikurse mishërohen në Kushtetutën e Kosovës.
Pres me padurim funksionalizimin e këtij mekanizmi i cili veçse do të kontribuojë më shumë në besueshmërinë e dy institucioneve.

BIRN: Deri tani mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë një nga problemet kyçe në gjykimet për krime lufte në Kosovë dhe Dhomat e Specializuara pretendojnë të kenë përgatitur një sistem të fortë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Si mendoni për qasjen e deritashme të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve që dëshmojnë për krime ndërkombëtare? A është kjo një ndër arsyet që shpesh gjykatat ndodhen shumë larg vendit të kryerjes së krimeve?

Trendafilova: Bazuar në përvojën time në të kaluarën, por duke qenë gjithashtu e vetëdijshme për disa raste në të shkuarën, jam mjaft e ndërgjegjshme për rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve. Ky është një faktor kyç i mandatit të Dhomave të Specializuara që dëshmohet nga fakti i zhvendosjes së procedurave në Holandë.
Për këtë arsye, në Rregulloren tonë të Procedurës dhe të Provave është krijuar një sistem i fortë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Krahas kësaj, Dhomat e Specializuara nuk do të tolerojnë asnjë lloj ndërhyrjeje ndaj sigurisë dhe mirëqenies së dëshmitarëve dhe do t’i procedojnë penalisht ndërhyrje të tilla.
Zhvendosja e procedurave përbën një instrument të fuqishëm që ofron mbrojtje më të mirë për dëshmitarët, viktimat dhe persona të tjerë që kanë punë me Dhomat e Specializuara.
Unë dhe të gjithë gjykatësit kemi besimin e patundur sikurse është shprehur në Rregullore, se drejtësia nuk do të bëhet në dëm të sigurisë dhe mirëqenies së cilitdo personi që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara. Me një fjalë mbrojtja është kyçe për ne.

BIRN: Çfarë shihni si pengesa të mundshme për veprimtarinë e suksesshme të Dhomave të Specializuara?
Trendafilova: Këtë pyetje do ta trajtoj në një këndvështrim tjetër, konkretisht cilët janë faktorët që shërbejnë si matës të përmbushjes së mandatit prej Dhomave të Specializuara.
Së pari, personat të cilët Prokurori i Specializuar do t’i ngarkojë me akuza për krime të rënda, do të duhet të arrestohen ose të dorëzohen vullnetarisht për t’u ballafaquar me akuzat kundër tyre. Shpresoj që Prokurori i Specializuar t’i përmbushë në mënyrë të shpejtë detyrat e tij hetimore dhe të dorëzojë aktakuza sa më shpejt që të jetë gati.
Së dyti, personave të akuzuar do t’u garantohet një gjykim i drejtë dhe i shpejtë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.
Së treti, të drejtat e viktimave do të mbrohen në mënyrë të efektshme.
Së katërti, Dhomat e Specializuara dhe gjykimet që do të kryhen atje do të jenë një rast për popullin e Kosovës që të përballet me të shkuarën.
Së fundi, nëpërmjet përmbushjes së mandatit, Dhomat e Specializuara do të fuqizojnë dhe çojnë më tej shtetin ligjor në Kosovë.

BIRN: Ju jeni një gjykatëse me përvojë që keni punuar më herët në gjykata ndërkombëtare. Sipas mendimit tuaj, sa e dobishme do të jetë përvoja juaj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për punën tuaj në Dhomat e Specializuara të Kosovës?
Trendafilova: Në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, kam punuar në një sërë çështjesh ku jam përballur me problem ligjore dhe faktike të ndryshme, me sfida komplekse që kërkonin veprim të menjëhershëm dhe zgjidhje të përshtatshme e në kohë.
Nëntë vitet që kalova në Gjykatën Penale Ndërkombëtare si edhe përvoja ime e mëhershme përbëjnë një bazë të fortë për detyrat që më janë besuar të kryej në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Është e rëndësishme të bazohesh në mësimet e nxjerra dhe të përfitosh prej arritjeve të cilat jo vetëm duhen zbatuar, por duhen zhvilluar e përmirësuar edhe më tej në veprimtarinë e përditshme të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
E njëjta gjë është e vërtetë për të gjithë gjykatësit e Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë të cilët kanë përvojë të gjerë vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe përvojë në gjykata penale ndërkombëtare.
Si institucioni më i ri që procedojmë krime ndërkombëtare, ne kemi rastin e papërsëritshëm që të shmangim të metat që mund të jenë hasur në institucionet e tjera gjyqësore në juridiksionet e tyre përkatëse.

BIRN: Sipas jush, në cilat mënyra kjo gjykatë mund të ndihmojë në përparimin e drejtësisë penale? A ka kjo gjykatë diçka që gjykatat e tjera ta përdorin si element të ri?

Trendafilova: Struktura e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe korniza ligjore për veprimtarinë e kësaj gjykate përmbajnë disa risi që mund të ndihmojnë në përparimin e drejtësisë penale dhe gjithashtu mund të shërbejnë si modele për përmirësime institucionale në të ardhmen.
Në lidhje me këtë, dëshiroj të përmend Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Kjo dhomë është pjesë e strukturës së institucionit tonë me detyrë për të shqyrtuar nëse Rregullorja e Procedurës dhe e Provave përputhet me Kushtetutën e Kosovës dhe nëse pasqyron standardet më të larta të të drejtave të njeriut.
Një përgjegjësi tjetër e kësaj dhome është të garantojë mbrojtjen e të drejtave të individëve të mishëruara në Kushtetutë, para Dhomave të Specializuara dhe prej çfarëdo veprimi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Institucione të tjera të drejtësisë penale që procedojnë krime të njëjta ose të ngjashme nuk e kanë këtë mekanizëm themelor garantues të të drejtave të njeriut.
Gjithashtu, Avokati i Popullit është një risi e institucionit tonë krahasuar me gjykatat penale ndërkombëtare. Detyra e Avokatit të Popullit është monitorimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të mishëruara në Kapitullin II të Kushtetutës, të personave që kanë punë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren.
Së treti, Dhomat e Specializuara të Kosovës synojnë të funksionojnë në mënyrë efikase dhe të efektshme. Për shembull, në Ligj nuk parashikohet prania e përhershme e gjykatësve në selinë e Dhomave të Specializuara, përveçse për nevoja konkrete të punës.
Ligji gjithashtu ka përcaktuar një Regjistër të Gjykatësve Ndërkombëtare dhe një sistem funksionimi në të cilin Kryetari ka kompetencë të caktojë gjykatës në panele të ndryshme, sipas nevojave.
Gjithashtu, ne kemi siguruar administrim të përpiktë të çështjeve dhe afate të rrepta për veprimtarinë gjyqësore. Këto dhe shumë metoda të tjera të dakorduara dhe të miratuara prej gjykatësve do ta bëjnë institucionin tonë efikas.
Disa prej këtyre veçorive burojnë nga sistemi gjyqësor i Kosovës, kurse të tjerat janë paraqitur prej gjykatësve të Plenares. Këto risi mund të studiohen dhe të mbahen parasysh si duhet në modelet e ardhshme të drejtësisë penale ndërkombëtare.

BIRN: Duke pasur parasysh krizën aktuale në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe krijimin e gjykatave hibride si kjo për Kosovën, ose gjykata për Republikën Afrikane Qendrore, a mendoni se kjo është e ardhmja e drejtësisë ndërkombëtare, apo është një kompromis i përkohshëm?

Trendafilova: Fillimisht, unë nuk pajtohem se Gjykata Penale Ndërkombëtare është në krizë. Përkundrazi, gjykata e parë penale ndërkombëtare e përhershme funksionon thuajse prej 15 vjetësh dhe është konsoliduar fort në arenën ndërkombëtare.
Problemet që Gjykata Penale Ndërkombëtare ka me disa shtete anëtare mund të konsiderohen si një provë se ky institucion është në rrugën e duhur në luftën kundër krimeve të llahtarshme që lëndojnë ndërgjegjen e njerëzimit.
Kundërshtimi më i ashpër vjen nga ata të cilët kanë frikë nga momenti kur do të dalin para kësaj gjykate.
Sidoqoftë, ekzistenca e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk pengon daljen e institucioneve të një natyre të ndryshme si Dhomat e Specializuara dhe gjykata hibride për Republikën Afrikane Qendrore ku veçantia e krimeve e problemet që duhen zgjidhur anon në ndjekjen e një rruge të ndryshme.

Intervista – Zëvendësambasadori amerikan: Shqipëria është një vend ku mungon dëshira për të bërë biznes, ndërsa korrupsioni është shumë i përhapur

Rudina HOXHA

Të bësh sistemin e drejtësisë të funksionojë në një mënyrë më efikase, të efektshme dhe të drejtë do të jetë kritike për të parë zhvillim ekonomik në Shqipëri”. Ky është mesazhi kryesor që zëvendësambasadori amerikan, David Muniz nënvizon fort në intervistën e tij ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”. Diplomati amerikan thotë se, “me standardet shqiptare, zgjedhjet e 25 qershorit ishin shumë të mira”. Por, ai është i shqetësuar për funksionimin e sistemit të drejtësisë, si parakusht i zhvillimit ekonomik të vendit. “Të krijohet përshtypja se Shqipëria është një vend, që ndoshta nuk do të bëjë biznes sidomos me kompani të mëdha, të cilat kanë edhe opsione të tjera. Një gjë e tillë mund të bëjë që ta kalosh Shqipërinë dhe të shikosh diku tjetër”, thotë Muniz në intervistën për “GSH”.

Cilat ishin ndjesitë e përgjithshme që morët nga zgjedhjet dhe mënyra se si ato u zhvilluan?

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mobilizoi 34 ekipe monitoruese në zgjedhjet e shkuara në Shqipëri. Ne sollëm disa nga kolegët tanë nga vendet fqinje për të na ndihmuar në këtë detyrë. Ne gjithashtu mbështetëm misionin monitorues të OSBE-së me një grup ekipesh, ndërsa USAID vuri në dispozicion fonde për të mbështetur monitoruesit lokalë. Pra, ne patëm një përfshirje të madhe në këto zgjedhje. Dhe më duhet të them pikë së pari, urime popullit shqiptar për këto zgjedhje të zhvilluara kaq mirë. Ato shkuan shumë mirë, pa probleme dhe në mënyrë efikase dhe njerëzit patën akses nëpër qendrat e votimit.

Mendoj se të gjithë ne mbetëm veçanërisht të impresionuar nga të gjithë ata njerëz, që vullnetarisht ndihmuan në bërjen e këtyre zgjedhjeve të mundshme. Ishte një spektakël të shikoje dhjetëra, mijëra njerëz anembanë Shqipërisë të dilnin në një ditë pushimi, tepër, tepër të nxehtë në shumë nga qytetet e vendit, dhe të punonin me orë të stërgjata për të bërë të mundur që çdo gjë të shkonte si duhet.

Nga ajo që pashë personalisht, nga një numër komisionesh në qendrat e votimit, këto zgjedhje ishin impresionuese. Disa nga anëtarët e ekipit tonë nxorën në pah shkelje të caktuara, parregullsi të caktuara dhe ne e vumë re këtë edhe nga komentet e disa misioneve të tjera. Por, ashtu siç e nënvizoi edhe deklarata jonë, në fund të zgjedhjeve, këto nuk ndikuan në rezultatin final të zgjedhjeve dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Duke marrë për bazë standardet këtu në Shqipëri, këto zgjedhje ishin shumë të mira. Ne mezi po presim të punojmë me qeverinë e re mbi prioritetet e rëndësishme si zbatimin e reformës në drejtësi, për shembull edhe objektivave të tjera që ne ndajmë.

Meqenëse po flasim për ekonominë, a shikoni shumë investime amerikane në Shqipëri?

Nuk shikojmë aq shumë investime sa do të donim. Ne duam të shohim më tepër investime dhe do të donim ta shikonim marrëdhënien ekonomike si vitale, sepse është një shenjë e mirë për të dyja vendet, kur ne ndajmë një marrëdhënie të fortë ekonomike. Ekzistojnë disa sfida për investitorët amerikanë në Shqipëri.

Është çështja e korrupsionit për të cilën është folur shumë sa u takon investimeve të huaja. Kjo adreson çështjet që kanë të bëjnë me tenderat publikë dhe çështjet e lidhura me të drejtën e pronës, të cilën mund ta diskutoj më në detaje. Por këto janë gjëra që ne i dëgjojmë vazhdimisht nga investitorët amerikanë dhe për të qenë të sinqertë, edhe nga disa investitorë të huaj jo-amerikanë. Çështja e korrupsionit është shumë e përhapur këtu. Të krijon përshtypjen se Shqipëria është një vend, që ndoshta nuk do të bëjë biznes sidomos me kompani të mëdha, të cilat kanë edhe opsione të tjera. Një gjë e tillë mund të bëjë që ta kalosh Shqipërinë dhe të shikosh diku tjetër. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme për të ndryshuar këtë imazh. Gjithashtu, e rëndësishme është të ndryshojmë eksperiencën aktuale të investitorëve, sapo ato të mbërrijnë në këtë vend. Ja përse sistemi i drejtësisë është kaq i rëndësishëm dhe ne dëgjojmë mjaft për këtë gjë nga investitorët amerikanë. A mund të zbatojmë një kontratë? A mund të mbështetemi tek gjykatat për një zbatim të njëllojtë të ligjit? A mund të parashikojmë se si do të jetë mjedisi kur ne të punojmë këtu? Prandaj, krahas të gjitha arsyeve politike dhe ato të lidhura me BE-në, ne promovojmë reformën në drejtësi, sepse është vitale për t’u ardhur në ndihmë investitorëve të huaj dhe atyre amerikanë në rritjen e ekonomisë. Të bësh sistemin e drejtësisë të funksionojë në një mënyrë më efikase, të efektshme dhe të drejtë do të jetë kritike për të parë zhvillim ekonomik në Shqipëri.

Çështja e pronës, si fizike ashtu edhe intelektuale, ndikohet prej kësaj gjëje. Kështu, shumë nga çështjet në gjyqe lidhen me çështjet e pazgjidhura të pronës dhe ne e dëgjojmë herë pas here këtë gjë nga investitorët. Nëse blej një pronë, a do t’i kem të drejtat ndaj saj? Çfarë ndodh nëse dikush tjetër pretendon se i ka këto të drejta ndaj kësaj prone dhe ne s’mund ta zgjidhim këtë gjë? Kjo është diçka bazike për çdo investitor të huaj. Nëse ata nuk mendojnë se investimi i tyre do të jetë i sigurt, është e vështirë për ta që të vijnë në këtë treg.

Në të njëjtën mënyrë, kemi parë shkelje të caktuara të asaj që ne e quajmë pronë intelektuale si për shembull, filma, ‘software’, të drejtat e publikimit e të tjera. Situata është përmirësuar pak në këtë drejtim, por ne dëgjojmë rreth kësaj çështjeje nga industria amerikane. Pra, edhe njëherë, nëse ju mund t’i zbatoni këto të drejta në gjykatat këtu, mjedisi do të jetë më i mirë. Investitorët nuk presin që gjithçka të jetë perfekte në këtë vend, por ata presin të vijnë në një vend ku nuk ka mosmarrëveshje që kanë nevojë të zgjidhen. Prandaj, sistemi i drejtësisë është kaq i rëndësishëm.

Gjithashtu do të përmend edhe tenderat publikë. Ne gjithmonë nxisim qeverinë të jetë transparente, e hapur dhe e efektshme në mënyrën se si i drejton tenderat publikë. Ne ndoshta dëgjojmë më shumë rreth kësaj çështjeje nga amerikano-shqiptarët, të cilët kanë fonde dhe duan t’i investojnë këtu në Shqipëri. Ata flasin për këto sfida ndoshta më shpesh se sa kompanitë më të mëdha dhe më ndërkombëtare. Një nga gjërat që ne fort besojmë është se nëse amerikano-shqiptarët do të kenë mundësi të kthehen në Shqipërinë dhe të investojnë, kjo do të ishte një gjenerator shumë i rëndësishëm për më tepër investime dhe zhvillim. Ata mund të japin kontribute të rëndësishme. Por shumë herë, ne dëgjojmë nga investitorët amerikano-shqiptarë se ata trajtohen, sipas pikëpamjes së tyre, ndoshta edhe më ashpër se sa kompanitë e mëdha amerikane kur kthehen në vendin e tyre.

Cila janë prioritetet e Shteteve të Bashkuara ndaj ekonomisë shqiptare?

Shqipëria ka një potencial të mahnitshëm për zhvillim ekonomik në disa sektorë. Sa u takon investitorëve amerikanë, ekzistojnë disa sektorë ku ju mund të shihni më shumë interes nga ana e tyre. Shqipëria është ende një vend relativisht i vogël dhe një treg i vogël. Aktualisht firmat amerikane, që janë më aktive, janë konsumatorët e mëdhenj të mallrave apo kompanitë e shërbimeve që tregtojnë kudo nëpër botë si “Coca-Cola”, “Microsoft”, “Philip Morris”. Ato shesin produkte kudo dhe Shqipëria është një nga tregjet në rajon që ato mbulojnë. Mendoj se ju mund të shihni më shumë interes nga këto lloje firmash, ndërsa ekonomia e vendit zhvillohet gjithnjë e më shumë.

Një fushë tjetër ku mund të shihni interesin e Shteteve të Bashkuara në të ardhmen është turizmi. Ai është një pjesë e madhe e ekonomisë shqiptare sot për sot dhe ka potencialin të zhvillohet, duke u sofistikuar dhe si një përqindje e ekonomisë. Ju keni nevojë të shihni më shumë zhvillim në këtë sektor përpara se të shihni shumë firma të vërshojnë drejt tij, specifikisht në fushën e aftësive të mikpritjes, siç e quajmë ne.

USAID, për shembull ka realizuar shumë projekte për të zhvilluar turizmin dhe specifikisht në trajnimin e të rinjve që punojnë në këtë industri dhe plotësimin e standardeve më të larta. Por, potenciali është shumë i madh dhe unë shikoj interes në turizmin shqiptar në vitet e ardhshme.

Një fushë tjetër ku ne shikojmë shumë potencial është energjia. Ekzistojnë rezerva nafte dhe gazi në Shqipëri që duhet të zbulohen. Por, të gjithë treguesit janë të tillë që tregojnë ekzistencën e tyre. Do të duhen shumë investime për t’i nxjerrë këto rezerva nga toka dhe më pas në treg. Gjithashtu, kjo do të kërkojë disa ndryshime në ekonominë globale; çmimi i naftës ka qenë i ulët për disa vite dhe kjo e ka mbajtur situatën disi të qetë, por nëse çmimi do të rritet në një moment të caktuar në të ardhmen, unë pres që të shihni interes nga ana e disa kompanive të mëdha amerikane dhe firmave ndërkombëtare të energjisë. Ne shpesh dëgjojmë prej tyre. Ata kanë interes për tregun shqiptar dhe i mbajnë sytë tek ai.

Si e shikoni rolin e projektit TAP?

Projekti TAP është një sukses i mahnitshëm. Mendoj se qeveria duhet të lëvdohet në mbështetjen e saj ndaj TAP. Mendoj se është një projekt i rëndësishëm për furnizimin e Europës me gaz dhe ai do të ndihmojë në stimulimin e zhvillimit të tregut të gazit në Shqipëri. Jo në fazën e tij fillestare, kur do të fillojë të funksionojë, por në vitet që do të vijnë, do të ketë potencial për Shqipërinë si për të blerë gaz nga TAP dhe ndoshta të shesë gaz nga kjo linjë gazi. Kjo do të stimulojë të gjitha llojet e zhvillimit në Shqipëri. Mendoj se është një projekt shumë domethënës dhe një nga ato që do ta vendosë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare, sidomos në botën e energjisë.

Së fundmi, ne kemi folur shumë për fuqizimin e kontakteve të tregtisë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Si e shikoni këtë lidhje dhe a jeni ju në favor të një tregu të përbashkët rajonal?

Është një pyetje interesante. Kam shërbyer më parë në Kosovë dhe Mal të Zi. Pra, jam i njohur me rajonin dhe ekonomitë e vendeve këtu. Por, isha shumë i befasuar kur kuptova se volumi i tregtisë midis Kosovës dhe Shqipërisë ishte aktualisht shumë i vogël, duke marrë parasysh edhe pritshmëritë. Dhe ka arsye historike dhe fizike për një gjë të tillë. Kjo ka filluar të ndryshojë. Ne shohim sot lidhje më të mira transporti midis dy vendeve. Po zhvillohet më shumë tregti, pra ka potencial për zhvillim në këtë drejtim.

Në aspektin e një tregu të përbashkët apo tregtie rajonale, mendoj se ne gjithmonë mund t’i stimulojmë vendet, sidomos në këtë rajon për të gjetur mënyra për rritjen e tregtisë, marrëdhënieve ekonomike dhe zhvillimin e tregjeve rajonale. Do ta shikoj këtë çështje nga një aspekt shumë i gjerë. Për shembull, vendet e ish-Jugosllavisë ende bëjnë tregti me njëra- tjetrën, sepse ky është modeli i tregtisë që ato të gjithë kanë zhvilluar. Këto modele mbizotërojnë dhe ato ende mund të fuqizohen. Shqipëria duhet të kërkojë të bëjë tregti me të gjitha këto vende për të rritur vlerën e eksporteve dhe potencialin e saj dhe të kërkojë avantazhe. Mendoj se Shqipëria ka shumë gjëra për të ofruar, që disa nga këto vende nuk i kanë dhe e kundërta. Këto vende kanë mallra dhe shërbime për t’i ofruar Shqipërisë. Ka shumë potencial në këtë drejtim. Dhe padyshim në një rajon, që ka pjesën e vet të konfliktit dhe ndasive, kjo lloj tregtie rajonale, nëse mund të zhvillohet më tej, mund të kontribuojë mjaft në afrimin e rajonit si një i tërë me BE-në dhe vendet me njëri-tjetrin dhe në rritjen e stabilitetit. Pra, kjo është diçka që ne duam ta shikojmë.

Ne kemi dëgjuar shumë njerëz në rajon të flasin për këtë temë dhe ata duan ta shikojnë këtë lloj zhvillimi rajonal, që sjell siç e dini, heqjen e barrierave jo tarifore, më tepër infrastrukturë, duke e bërë më të lehtë qarkullimin e mallrave. Përsëri kjo na çon tek çështja e korrupsionit. Zyrtarët e doganave e dinë si ta lehtësojnë këtë tregti dhe ne nuk do të kemi llojet e problemeve me të cilat ne shpesh ballafaqohemi. Mendoj se sfidat në të gjitha këto vende janë të njëjta me ato që Shqipëria ballafaqohet dhe vendi juaj duhet të punojë për zgjidhjen e tyre.

Në Gjykatën Supreme mbahet seancë për rastin “Kumanova”

Në Gjykatën Supreme të Maqedonisë sot do të mbahet seancë për rastin “Kumanova” apo e njohur në opinion si “Lagjia e Trimave”.

Avokati i palës mbrojtëse, Mefail Arsllani, i pyetur për Portalb.mk, se kur mund të pritet një vendim i shkallës së parë, ai thotë se nuk mund të dihet se kur shpallet vendimi, pasi që ka një procedurë e cila patjetër duhet të tejkalohet.

“S’mundet të shpallet menjëherë vendimi. Sipas ligjit për procedurë penale, fjalë përmbaruese duhet të jep Prokuroria, pas asaj, avokatët kërkojnë termin – afat kohorë, që ata të përgatisin fjalën përmbaruese, secili avokat dhe mbrojtës ka drejtë për fjalë përmbaruese, pasi të mbarohet kjo procedurë pritet shpallja e vendimit”, thotë Arsllani.

Në rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave” akuzohen 37 persona, për veprën “terrorizëm”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, në të cilën një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur./Gazeta Express/

Shaban Murati: Në Shqipëri ata që ngrihen kundër padrejtësive, nuk e bëjnë për të vendosur drejtësinë

VOAL – Në një postim në faqen e tij në facebook diplomati i shquar i karrierës Shaban Murati nënvizon se në Shqipëri lufta kundër padrejtësive nuk bëhet në emër të drejtësisë as për hir të drejtësisë, por, përkundrazi, për të marrë monopolin e padrejtësive.

Ja statusi i plotë:

 

Këshilla për miqtë:

1-Punët nuk rregullohen në Shqipëri sepse ata, që ngrihen kundër padrejtësive, nuk e bëjnë për të vendosur drejtësinë, por për t’u zënë vendin atyre që bëjnë padrejtësitë.

2-Partitë politike shqiptare u ngjasojnë kuajve, të cilëve po nuk u hoqe kunjin e vjetër ku janë të lidhur, nuk bëhen dot të lirë.

Komandant Sula: Sulmi në Gushincë ishte i koordinuar me shërbimet maqedonase

Në sulmin e karakollit të Gushincës më 21 prill të 2015 kam marrë pjesë, por ai sulm ka qenë i koordinuar dhe për atë ngjarje paraprakisht ka pas dijeni shteti i Maqedonisë.

Me këto fjalë të mërkurën e nisi mbrojtjen Sulejman Osmani, i cili ndaras nga grupi i “Kumanovës” gjykohet për “Lagjen e Trimave”, shkruan gazeta KOHA e Shkupit.

Në fjalën e tij mbrojtëse para gjykatës, ai tha se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj sulmin e stacionit policor në Gushincë e kanë realizuar në bashkëpunim “mësitët” të cilët i kanë udhëzuar se si duhet të duket sulmi i kësaj pike kufitare.

“Personalisht të ndjerit Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj më kanë njoftuar se ‘mësitët’ ju kanë thanë se në Gushincë do jetë armatimi i mjaftueshëm për grupin. Krahas kësaj, ata më kanë njoftuar se këta ‘mësitë’ i kanë përgatitur edhe uniformat që duhet t’i marrim brenda Kosovës. Njëkohësisht, gjatë sulmit të karakollit të Gushincës, Begu dhe Mirsadi, më kanë treguar se janë të njoftuar se njëri prej policëve është në dijeni për sulmin tonë. Dhe, pikërisht ashtu siç më kanë treguar, ashtu edhe u realizua sulmi. Armatimin e morëm dhe u nisëm për në fshatin Brezë, ku duhej të përgatitej një komunikatë me tre kërkesa. Mirëpo, pas tre netëve qëndrimi në Brezë, komandantët Begu dhe Mirsadi nga persona të Maqedonisë, të cilët kishin shkuar në Kosovë, morën thirrje që të kthehen prapa”, tha i akuzuari Osmani.

Lubonja – Ramës: Pika që s’të bie se nga budallenjtë rron

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar dëgjesën e kryeministrit Rama me qytetarët e Vlorës ditën e sotme, ku pati “përplasje” mes tyre, në përpjekje se kush do ta merrte mikrofonin. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Lubonja thotë se këto dëgjesa me qytetarët pas fitores në zgjedhje, janë një “show” i Ramës.

Nga ana tjeter Lubonja ka komentuar dhe citimin e vargjeve te Çajupit nga kryeministri Edi Rama në turit e takimeve me qytetarët Berat një ditë më parë ku tha: “Burrat nën hije lozin kuvendojnë, pika që nuk iu bie se nga gratë rrojnë”.

Analisti kete frazë te përdorua nga Rama e shikon si një tjetër show, ku u shpreh se i duhet thënë “Ky thotë pika që s’iu bie se nga gratë rrojnë, këtij i duhet thënë pika që s’të bie se nga budallenjtë rron”.

Sipas analistit Lubonja, kryeministri Rama duhet të diskutojë me ekspertët dhe specialistët problematikat në vend, dhe të mos anashkalojë institucionet.

“Në vend që të diskutojë me ekspertë e specialistë situatën dhe mënyrat si do të veprojë për ta zgjidhur atë, ai po bën show sikur është në fushatë. Kjo është mënyra si e kupton ai politikën. Ana tjetër e medaljes, është ky popull. Sepse ky popull këtë feste do. Zihen aty se kush do marrë mikrofonin.

Kjo lloj qeverisje direkt me popullin siç mund të kuptohet nuk është demokratike, dhe është antiinstitucionale. Janë institucionet ato që janë më afër qytetarit. Ky është një lider madhështie që identifikohet me njeriun e pagabueshëm, apo edhe populli mendon se është i pagabueshëm. Padyshim që ankesa ka, por nuk mund të veprohet kështu, apo të zgjidhen kështu. Ankesat e qytetarëve duhet të filtrohen në institucione. Mënyra që po ndiqet është komplet populiste, e shëmtuar si imitim”, tha Lubonja.

Teksa ka analizuar mënyrën sesi do të jetë sipas tij qeverisja në 4 vitet e ardhshme, analisti Lubonja thotë se nisur nga ajo që po duket deri më tani, nuk pritet shumë ndryshim. Sipas Lubonjës pas veprimeve të Ramës qëndrojnë oligarkët.

“Nga sistemi i tepsisë, dalim tek ky i lidhjes direkt me popullin. Eliminohen institucionet, mediat, po e po, i quajti kazani, dhe shoqërinë civile e ka quajtur të vdekur me kohë. Kjo mund të na sjellë pasoja më të këqija nga ç’i kemi menduar. Nuk duhet ta mendojmë vetëm Ramën në këtë. Pas Ramës është një oligarki e tërë, një sistem që po punon me formën e piramidave të viteve ’97. Tani janë paratë e pista që po pastrohen, që nuk dihet ku do na çojnë”, u shpreh analisti Lubonja.

Zaev: po përgatitet ligji për gjuhët

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev bëri sot të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur projekt-ligjin për përdorimin e gjuhëve, që parasheh avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Zoti Zaev tha se askush nuk humbet me këtë ligj dhe gjithkush ka të drejtë ta ndiejë Maqedoninë si të veten.

Një nga kushtet kryesore të partive shqiptare për të marrë pjesë në koalicionin qeveritar ishte pikërisht përdorimi i gjerë ose zyrtarizimi i gjuhës shqipe në këtë vend.

 

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev konfirmoi të mërkuren se ligjii për gjuhët po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë dhe se qeveria pret ta miratojë atë para zgjedhjeve vendore në vjeshtë. Kështu është emëruar projekt-ligji për shkak të gjuhës shqipe, që në të vërtetë nuk figuron në kushtetutën e Maqedonisë si e tillë, por si gjuha të cilën e flasin të paktën njëzet përqind e popullatës së një komune apo në shkallë vendi.

Zoti Zaev tha se me miratimin e këtij ligji nuk humben votat as të qytetarëve maqedonas e as të atyre shqiptarë. Ai shtoi se gjithkush ka të drejtë për barazi në shoqëri dhe që ta ndiejë Maqedoninë si të veten.

“Nuk bëjmë kalkulime, nuk kemi paragjykime, ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhëve do t’i bëjmë së shpejti”, theksoi kryeministri Zaev, duke shtuar se kjo çështje nuk i përket vetëm BDI-së, Lëvzjes “Besa”, apo partive të tjera shgqiptare, por edhe Lidhjes Social Demokrate dhe qytetarëve maqedonas.

Ai tha se kjo qeveri synon përmes vendimeve t’i mbyllë çështjet e hapura dhe jo t’i mbajë ato të fshehura. Kryeministri maqedonas bëri të ditur se projekt-ligji do t’i dërgohet Komisionit të Venecies dhe ekspertëve evropianë.

Nga ana tjetër, partia VMRO-DPMNE, mbështetësit e së cilës protestuan për më tepër se dy muaj kundër avancimit të gjuhës shqipe dhe asaj që ata dhe media maqedonase e njohin si platforma e partive shqiptare, apo edhe e Tiranës, së fundmi ka zbutur qëndrimet, duke thënë se partia nuk është kundër gjuhës shqipe dhe se dëshiron të ketë një qasje të re pozitive ndaj shqiptarëve.

Partitë shqiptare në Maqedoni duan që shqipja të ngritet në gjuhë të dytë zyrtare në vend.

BDI-ja, Lëvizja për Reforma, Partia Demokratike Shqiptare dhe Uniteti janë takuar sot me nismën e Rilindjes Demokratike Kombëtare, për të diskutuar mbi kërkesat shqiptare të përfshira në deklaratën e janarit të këtij viti. Takimin e ka bojkotuar Lëvizja “Besa”, drejtuesit e të cilës nuk duan të ulen në një tryezë me BDI-në rivale.

Besnik Mustafaj: Nuk jam unë në Kazino me Astrit Patozin

Voal.ch – Një faqe me emrin Lolita në rrjetin social boton dy foto të astrit Patozit në Kazino duke luajtur bixhoz, të shoqëruar me tekstin “Kur ngatërron partinë me bixhozin”. Po ashtu Lolita shkruan se patozi është në kazino duke luajtur bashkë me Besnik Mustafajn.

Por ka reaguar menjëherë zoti Mustafaj i cili shkruan si më poshtë:

“E dashur Lolita, per hire te simpatise qe kam per ty, po ta sqaroj se burri, te cilit i ke vene emrin tim, nuk jam une. Une kam shkuar ne kazino me shume se nje here. Por kurre me Astrit Patozin.Nuk kam patur rast. Madje as nuk e di nese atij i pelqen ky argetim. Kam qene me te tjere miq politikane, madje edhe te niveleve te larta, shqiptare dhe te huaj, si dhe me shkrimtare dhe artiste po ashtu shqiptare dhe te huaj. Pra, me siguri qe do te shkoj perseri kur te kem rast. Nje nga shkrimtaret dhe filozofet e mi me te dashur, Albert Camus, fitues i çmimit Nobel, thote per veten e tij se ka shume vese, por nuk eshte rob i asnjerit. Une jam i tille. Por nuk kam bere kurre ne jeten time diçka per t’u ndjere me pas i turperuar. Ky sqarim ka vlere per ty, e dashur Lolita, qe je manipuluar kesaj here, por u drejtohet edhe te gjithe dashamireve dhe dashakeqinjve te mi. Secili prej tyre le ta lexoje sipas menyres se vet.