VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kryeministri Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është prioritet

By | February 17, 2020

Komentet

Koronavirus plus Richard Grenell! Nga Elida Buçpapaj

 

Kam mbështetur pa rezervë Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin ose vice versa dhe kam kundërshtuar me të gjitha forcat mocionin e mosbesimit, si një akt kriminal dhe i paprecedentë në një sistem demokratik.

Kupola e sistemit të korruptuar të Kosovës rrëzoi një qeveri demokratike 50 ditëshe.

E bëri duke shpërdoruar “proamerikanizmin”!

A është e mundur ata që kapin shtetin të duan Amerikën!

Kurrën e kurrës! Asht rrenë klluqe do të thosh Ali Podrimja!

Profilet e këtyre, Vjosës dhe Albinit, pa skeletë në sirtarë dhe me integritet të pastër, përputhen me orentimet që ka marrë Kosova nga SHBA dhe Perëndimi.

Profilet e këtyre dy politikanëve të rinj kanë mbështetje të plotë nga populli i Kosovës!

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë legjitimitet të plotë të jenë në komunikim dhe bashkëpunim me institucionet e SHBA dhe BE.

Të dy, si Vjosa, si Albini janë besnikë edhe të SHBA, edhe të BE, edhe të popullit të Kosovës!

Ndërsa Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë profilet e dy liderëve të komprometuar, që kanë vjedhur me mashtrim votat e popullit të Kosovës për të zgjatur pushtetin!

Që të dy janë ilegjitimë!

Ekspertët Amerikanë dhe Europianë e dinë shumë mirë se me çfarë manovrash kanë uzurpuar pushtetin Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, sikur e di edhe populli i Kosovës.

Faktorizimi i Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës nga Richard Grenell është absurd. Nuk përkon me stilin e demokracisë Amerikane!

Aq më tepër sulmet dhe etiketimet si “antiamerikanë” për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtit janë anekdoda!

Po ashtu populli që ka votuar për këta dy liderë është më proamerikani në botë!

Pra këtu ka diçka që nuk shkon!

Nuk shkon roli që ka marrë Ambasadori Richard Grenell në një deal që është e dimensioneve shumë të mëdha se institucioni që ai përfaqëson.

Për të ndalur atë tragjedi që ndodhi në Kosovë, përkatësisht konfliktin, me pasojat, për çka është arritur në Kosovë këta 23 vjet janë marrë direkt SHBA, në nivelin më të lartë, Senat-Kongres-President, qeveritë e vendeve të BE-së dhe NATO. Prandaj them që Ambasadori Grenell duket liliput në krahasim me këto institucione gjigande që janë kështjella e demokracisë në botën e qytetetëruar që është Perëndimi, lavdi i qoftë.

Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi tregon agresivitetin e Serbisë në raport me Kosovën, se gjithçka që varet prej Serbisë është e pamundur për Kosovën! Kosova nuk e kishte vendosur taksën e 100%, ndërsa Serbia vazhdonte me egërsi diplomacinë për çnjohjet e shtetit të Kosovës!

Pra nuk është Kosova pengesë, as nuk ka qenë ndonjëherë, as agresore, por Serbia!

Kosova dhe shqiptarët janë të gatshëm që të kenë me Serbinë marrëdhënie të fqinjësisë të mirë, sikur Franca-Gjermania, por së pari Serbia duhet të njohë krimet, të kërkojë ndjesë dhe të heqë dorë nga lufta që bën kundër shtetit të vogël të Kosovës, të cilit ia pengon anëtarësimin në OKB, si dhe në institucioneve ndërkombëtare sikur UNESCO, OMS etj.

Pra nuk mund të ketë deal dhe dialog mes dy shtetesh, kur njëri vijon luftën diplomatike kundër ekzistencës të shtetit tjetër, përkatësisht të shtetit të Kosovës!

Në këtë kontekst përpjekjet e Ambasadorit Grenell duke u duarshtrënguar me figura të komprometuara si Hashim Thaçi, Isa Mustafa kur skena politike e Kosovës sot përfaqësohet me emra të rinj dhe të pastër, janë të gabuara.

Kosova kërcënohet nga Serbia, por kurrë jo nga SHBA!

Sepse SHBA i kanë shpëtuar jetën dhe ekzistencën!

SHBA nuk kërcënojnë shtetet demokratike!

Ambasadori Richard Grenell është me një karierë brilante që nga koha e Presidentit George W.Bush, pra e di shumë mirë ecurinë që ka pasur Kosova sidomos vështirësitë e tejkaluara të krijuara nga pala serbe.

Pra, ishte sureale kur gjithë shtypi botëror shkroi se qeveria e Albin Kurti u rrëzua në kohë pandemije nga aleatja me një shtysë nga SHBA!

Sureale, por e vërtetë!

Sepse në votim u manipulua me “proamerikanizmin” e deputetëve?

Por Amerika nuk është kot demokracia më e madhe e botës!

A e patë reagimin e kryetarit të Dhomës të Politikës të Jashtëme të Kongresit Amerikan, Z.Eliot Engel?

A e patë reagimin e ekspertes të Ballkanit Shirley Cloyes Dioguardi?

Janë Amerikanë të shquar që e duan Amerikën, me vlerat që ka, që e shpërndan dhe e mbjell si farë gruri lirinë!

Kosova është një çështje e madhe, paradigma e “Fuçisë me Barut” që i janë përkushtuar për ta shfuqizuar si term fatkeqësie kolektive Presidentët George Bush Senior, Bill Clinton, George W. Bush, figura të ndritura si Robert Doll, Madeleine Albright, Eliot Engel, Wesley Clark, Hillary Clinton, Tom Lantos, Joe Dioguardi, John Mc Cain, Richard Holbrooke etj. etj.

Këta emra i beson Kosova! Kosova i beson edhe Presidentit Donald Trump! Mjafton që është President i SHBA! Sepse të gjithë presidentët e SHBA duhet t’i kontribuojnë lirisë!

Ajo që është arritur në Kosovë është rezultat në unison i Republikanëve dhe Demokratëve amerikanë! Për Kosovën janë bërë bashkë Senati, Kongresi, Presidentët e SHBA-ve, NATO, burrat e shtetit të Europës!

A është e mundur që Richard Grenell të përfaqësojë të gjitha institucionet ekzekutive, legjislative të SHBA dhe atyre Euro-Atlantike e të BE-së?

Jo, nuk ia ka këto kompetenca!

Populli i Kosovës është i vuajtur, por largpamës, ai do Amerikën si shtet të vlerave e të demokracisë, që bashkë me shtetet e Europës e kanë ndaluar shfarosjen e shqiptarëve nga makineria kriminale e Milosheviçit.

Pra, nuk vihet në diskutim proamerikanizmi i shqiptarëve!

Sepse merr përmasa komike!

Nëse janë antiamerikanë shqiptarët atëherë do të thotë që janë proVuçiç?!

A mund të jetë populli i Kosovës proVuçiç?!

Jo kurrë!

Nëse Vuçiç do të ishte si Haveli, populli i Kosovës do ta vlerësonte, sepse paqja dhe demokracia do të ishte e mirë e përbashkët e serbëve dhe shqiptarëve, por Vuçiç nuk është as si Haveli dhe as me vizionin e një politikani që ndërton ura për të ardhmen e dy popujve.

Kosova dhe Serbia kanë ndërprerë dialogun, pasi në thelb dialogu është një bashkëpunim midis dy palëve, për përfitime reciproke, pa cënuar reciprokisht interesat e dy vendeve që janë pjesë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kërkojnë të vendosin me Serbinë marrëdhënie barazie. Kështu i kanë premtuar popullit të Kosovës! Prandaj u votuan! Dhe duhet ta mbajnë premtimin!

Po ta shohësh situatën në një kohë larg pandemisë, dialogu midis dy vendeve është në duart e Serbisë: Kosova e heq 100%, nëse Serbia deklaron se me Kosovën do të hapë një faqe të re në histori, atë të ndërtimit të të ardhmes për të mirën e brezave, duke hequr dorë nga lufta kundër Kosovës, të cilën e ka humbur në planin ushtarak, por e ka vazhduar edhe më egërsisht sidomos në planin diplomatik!

Kosova është një histori e mbyllur! Serbia e humbi Kosovën! Me urrejtje, genocid, spastrim etnik kundër popullit të Kosovës! Me luftë! Me ndërhyrjen e NATO-s, me ndërhyrjen e fuqishme të Fuqive të Mëdha kryesuar nga SHBA dhe me një vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila më 22 korrik 2010 vendosi të njohë ligjshmërinë e shpalljes të pavarësisë të Kosovës.

VV: Jemi fokusuar në luftë me virusin, nuk dërgojmë emër për Kryeministër pa zgjedhje të reja

Lëvizja Vetëvendosje po i kërkon Presidentit Thaçi që të mendojë datën e zgjedhjeve në vend se të kërkojë emra për kryeministër të ri. Nga Zyra për Media e VV-së kanë thënë për Gazetën Express se posa të përfundojë pandemia e Covid-19, Kosova duhet të hyjë në afatin kushtetues dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar porosi Presidentit Hashim Thaçi të mos mendojë opsion tjetër përpos zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë botërore me koronavirus që ka prekur edhe Kosovën,

Zyra për media e partisë fituese të zgjedhjeve të fundit ka thënë se Qeveria në detyrë është e fokusuar në luftën e koronavirusit e më vonë për zgjedhje të reja. E, jo për të dërguar emër të ri për Shef të Qeverisë.,

“Tash për tash të gjithë ne së bashku me Qeverinë jemi të fokusuar rreth Pandemisë së Coronavirusit. Sapo të kalojmë këtë pandemi menjeherë duhet të shkojmë ne zgjedhje të reja. Kësisoj Presidenti Thaçi nuk ka çka kërkon emra për kryeministër të ri, por le të mendoj rreth datës së zgjedhjeve porsa të mbaroj çështja urgjente e Covid19”, kanë deklaruar nga VV.

Një ditë më parë, Presidenti Thaçi tha se prej të hënës do t’i nisë bisedimet për partitë për themelimin e Qeverisë së re. Tha se kërkon një Qeveri me bazë të gjerë.

Siipas Kushtetutës, Shefi i Shtetit së pari duhet të kërkojë nga partia fituese e zgjedhjeve të certifikuara emrin e mandatarit

Por nga Lëvizja Vetëvendosje po shprehen kundër dërgimit të emrit të ri për kryeministër.

Qeveria e Kosovës u rrëzua me votat e më shumë se 2/3 e deputetëve pasi LDK organizoi mocion mosbesimi.

Negociatat për koalicion mes VV-së dhe LDK-së kishin zgjatur më shumë se 3 muaj, kurse qeverisja mes tyre vetëm 50 ditë./GazetaExpress/

Eliot Engel kritikon ashpër administratën Trump mbi Kosovën: Brutaliteti ndaj një demokracie të vogël është akt bullizmi!

Voal.ch – Kongresmeni Eliot Engel ngre shqetësime për taktikat e administratës Trump mbi Kosovën

Kongresmeni Eliot Engel, një anëtar i shquar i Dhomës së Përfaqësuesve të Sh.B.A-së  lëshoi ​​të premten një deklaratë mjaft kritike mbi politikën e SHBA ndaj Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008. Meqenëse vendi është njohur nga më shumë se 110 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, por jo nga Serbia dhe aleati i saj Rusia.

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit, Eliot Engel, një demokrat, tha se ka diçka të gabuar në politikën e jashtme amerikane ndaj Kosovës dhe “ne duhet ta korrigjojmë atë”.

Në deklaratën e tij, Engel shprehu shqetësimet e tij serioze “me taktikat e duarve të rënda që administrata Trump po përdor me Prishtinën,” kryeqytetin e Kosovës.

Engel po i referohej presionit të Departamentit të Shtetit në Prishtinë, veçanërisht mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, për të hequr tarifat që vendi i kishte vendosur Serbisë.

“Kjo administratë iu drejtua ndëshkimeve ekonomike vetëm disa javë pasi qeveria Kurti mori detyrën. Në vend që të linte një qeveri të re me stafin e saj të përballet  me pandeminë dhe agjencitë e saj të vendosë procedura të brendshme, SH.B.A.-ja kontribuoi në një krizë politike në Prishtinë mbi tarifat për Serbinë, “tha Engel.

Më 25 mars, pas vetëm 50 ditësh në detyrë, qeveria Kurti nuk i mbijetoi një votimi mosbesimi në parlament, i iniciuar nga partneri i saj i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Qeveria u shkarkua pas grindjeve politike nëse duhej të shpallej një gjendje e jashtëzakonshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe pasi Kurti shkarkoi ministrin e punëve të brendshme të LDK-së, Agim Veliu.

Qeveria e Kurtit pritet të vazhdojë si qeveri e përkohshme, në pritje të krijimit të një qeverie të re.

“Ka arsye të mira që Kosova të heqë tarifat, kryesisht se ata po dëmtojnë Kosovën më shumë sesa ata po japin levën për të arritur një marrëveshje paqeje me Serbinë,” tha Engel.

Pavarësisht, tarifat janë një mjet i ligjshëm i një kombi sovran. Si e tilla, ata janë imponuar në të gjithë botën nga Presidenti i Sh.B.A, Donald Trump kundër miqve dhe armiqve, njësoj, për arsye ekonomike dhe politike, “tha Engel.

Engel tha që administrata Trump përdori “taktika mbivendosëse me një mik i cili mbështetet në mbështetjen tonë” në vend që të punojë me qeverinë Kurti, “pasi kërkoi të punonte me qeverinë e mëparshme të Kosovës” për të krijuar politika që promovojnë paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm.

“Brutaliteti ndaj një demokracie të vogël është akti bullizmi,” tha Engel.

Ndërsa diplomatët serbë po bëjnë fushatë në mbarë botën për të “çnjohur” pavarësinë e Kosovës, dhe Serbia po blen armë të rënda nga Rusia dhe po forcon marrëdhëniet me Moskën, presioni i vendosur ndaj Prishtinës për tarifat e saj ndaj Serbisë ka qenë “disekuilibër i vendosur”, tha Engel.

Sh.B.A., shtoi ai, duhet të punojë me aleatët evropianë “për t’i trajtuar të dy vendet si partnerë të pavarur dhe sovranë, duke aplikuar standarde të qëndrueshme për të dy palët ndërsa përpiqemi të rifillojmë bisedimet e paqes.”

Blerjet e armëve nga Rusia kërkojnë sanksione amerikane ndaj Serbisë në bazë të Ligjit kundër kundërshtarëve të Amerikës përmes sanksioneve, i miratuar pas ndërhyrjeve ruse të vitit 2016 në zgjedhjet e SH.B.A., tha Engel.

“As ne nuk i kemi imponuar këto sanksione dhe as nuk e kemi shtypur energjikisht Serbinë për t’i dhënë fund përpjekjeve të saj të çnjohjeve ndaj Kosovës,” tha Engel.

“Kur ligji amerikan thotë se duhet të sanksionojmë Serbinë për shkak të lidhjeve të saj të sigurisë me Rusinë, ne duhet.”/Reuters/EB

https://www.voanews.com/europe/congressman-raises-concerns-over-trump-administration-tactics-kosovo?fbclid=IwAR3To2-DnbRkibs0XudiGj9VMV7oCtfZwPHyYVqsx8e6JesyBs-eCMOOhJo

Lutja e Papës për fundin e pandemisë: “O Zot mos na braktis në mëshirën e stuhisë”

Në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, para sheshit bosh, në një ditë që do të mbetet në histori, Papa Françesku i kërkoi Zotit ta dëgjojë lutjen e gjithë burrave e grave, në këto kohë pandemie nga koronavirusi. Pas bekimit “Urbi et Orbi”, të gjithë ata, që ishin lidhur me të në lutje, përmes mjeteve të komunikimit, por edhe të gjithë besimtarët, që u bashkuan me Papën shpirtërisht e me ndjetin e zemrës, edhe pse nuk kishin mundësi ta shihnin apo ta dëgjonin lutjen, patën mundësi të marrin Ndjesën e plotë, sipas kushteve të Kishës.

R.SH. – Vatikan

E premte e veçantë Kreshmësh, ky 27 mars. Udhën e Kryqit, që zakonisht besimtarët e ndiqnin në famullitë e kishat e tyre, sot, po e bëjnë sa e sa të sëmurë me koronavirus, sa e sa njerëz që vuajnë për viktimat, të cilët mund të jenë familjarë, miq, ose të njohur. Duket dhimbje pa fund, por të krishterët kanë shpresën në Zotin, i cili ka premtuar se nuk do t’i braktisë kurrë. Në këtë të Premte Mëshire, Kisha i ka këshilluar ata ipeshkvij që munden, të shkojnë të vetëm në varrezën e dioqezës së tyre, për një çast lutjeje e bekimi, për të shprehur afërsinë me ata, që kanë ndërruar jetë e, me ata që vajtojnë.

O Zot, shikoje gjendjen tonë të dhimbshme

Edhe Papa Françesku u lut sot në orën 18, nga tremja e Bazilikës së Shën Pjetrit, me sheshin bosh, por në bashkim shpirtëror me gjithë të krishterët e botës, të të gjitha traditave. Ati i Shenjtë, në praninë e fugures së Zojës “Salus Populi Romani” e të kryqit të Shën Marçelit, që ndali murtajën në Romën e vitit 1522, iu lut Zotit të Mëshirës të ketë mëshirë për burrat e gratë e kësaj kohe pandemie. “O Zot i Gjithpushtetshëm e i mëshirshëm, – u përgjërua Papa në fillim të kremtimit – shikoje gjendjen tonë të dhimbshme: ngushëlloji bijtë e tu e hapi zemrat tona për shpresën, që ta ndiejmë mes nesh praninë e Atit Qiellor”.

Më pas u lexua Ungjilli sipas Markut, pjesa në të cilën Jezu Krishti, në barkë me dishepujt e vet, ndal stuhinë e i bën të heshtin erërat e valët. Duke marrë shkas nga fjalët e para të Ungjillit, ku thuhet “erdhi mbrëmja”, Papa, gjatë homelisë, komentoi: “Që prej javësh duket se ka zbritur mbrëmja. Re të errta janë dendësuar mbi sheshe, rrugë e qytete; kanë marrë në dorë jetën tonë, duke e mbushur gjithçka me një heshtje shurdhuese e me një boshllëk dëshpërues, që paralizon çdo gjë kur kalon: ndihet në ajër, shihet në gjeste, na e thonë vështrimet. Ndihemi të frikësuar e të humbur. Si dishepujt e Ungjillit, u kapëm të papërgatitur nga një stuhi e papritur dhe e furishme. E kuptuam se jemi të gjithë në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë e të çorientuar, por njëkohësisht, të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të thirrur për t’u dhënë rremave së bashku, të gjithë me nevojën për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Mbi këtë barkë… jemi të gjithë”.

O Zot, “nuk po pyet për ne?”

Papa Françesku komentoi qëndrimin e Jezusit, që, në barkë me dishepujt, kishte besim të patundur në Atin Qiellor, pavarësisht nga stuhia, pavarësisht se ndodhej në atë pjesë, që mund të mbytej e para. E me një paralelizëm, që sot është më se i qartë, vuri në dukje frikën e dishepujve, që i thonë Zotit: “nuk po pyet për ne?” Edhe ata, ashtu si ne sot, tregohen të brishtë, të paaftë të kapen pas besimit në Hyjin, pas gjithë atyre qëndrimeve, që edhe sot, na i mësojnë të moshuarit, duke na treguar udhën e lëshimit të vetvetes në dorën e Zotit. Jemi të shqetësuar për vetveten, denoncoi Papa, jemi kthyer në egoistë e vëmë në plan të parë dukjen, duke e lënë të zbuluar nervin e vetëdijes se i përkasim njëri-tjetrit si vëllezër. Ecim me shpejtësi nëpër udhët e botës, me etje për para e pushtet e nuk ndalemi para thirrjes së Zotit për të parë ç’ndodh përreth nesh, për të parë luftrat e padrejtësitë, të varfërit, planetin e sëmurë rëndë.

“Pse keni frikë? Akoma nuk keni besim?”

E tani i drejtohemi Zotit, si dishepujt e atëhershëm: “Nuk pyeske për ne?” Për të marrë prej Krishtit përgjigjen: “Pse keni frikë? Akoma nuk keni besim?” Kjo është kohë Kreshmësh, nënvizoi më tej Papa Françesku, kohë për të kuptuar ç’vlen vërtet e për të ndarë gjithçka është e nevojshme nga gjërat, që të tilla nuk janë. Është koha për t’u kthyer te Hyji e për ta lënë Shpirtin Shenjt të veprojë, ashtu siç e lanë sa e sa mjekë e infermierë këto ditë, të cilët, megjithë frikën, dhanë edhe jetën për shpëtimin e të tjerëve. E Papa nuk harroi edhe gjithë punonjësit e tjerë, që e bëjnë shoqërinë të funksionojë, duke shërbyer, me kokën në rrezik.

Zoti nxjerr të mirën nga e keqja

Fillojmë të kemi fe, vërejti Ati i Shenjtë, kur e kuptojmë se kemi nevojë të shpëtohemi. Le t’i drejtohemi Zotit, t’ia dorëzojmë Atij të Lumit frikën tonë, ta ftojmë Jezu Krishtin në barkën e jetës sonë e, ashtu si dishepujt, nuk do të mbytemi. “Sepse kjo është forca e Zotit – ngriti zërin Françesku – të “Pse keni frikë? Akoma nuk keni besim?”. Ai i heshton stuhitë tona, sepse me Zotin, jeta nuk vdes kurrë… E kemi një spirancë: nëpër kryqin e Tij jemi shëlbuar. E kemi një timon: nëpër kryqin e Tij jemi shpërblyer. E kemi një shpresë: nëpër kryqin e tij jemi shëruar e përqafuar, që askush e asgjë të mos na ndajë nga dashuria e Tij shëlbuese. …Ai u ngjall e jeton krah nesh”.

Lutja e Papës Françesku

E duke i ftuar të gjithë ta përqafojnë kryqin e Krishtit me jetën e tyre, sepse vetëm kështu do të përqafojnë shpresën, Papa Françesku u lut:

“Të dashur vëllezër e motra, nga ky vend, që dëshmon fenë shkëmbore të Pjetrit, sonte, dua t’ju besoj të gjithëve në duart e Zotit, përmes ndërhyrjes së Zojës, shëndeti i popullit të vet, ylli në detin e stuhishëm. Nga ky kolonat, që përqafon Romën dhe botën zbrittë mbi ju, si përqafim ngushëllues, bekimi i Hyjit. O Zot, bekoje botën, dhuroju shëndet trupave dhe ngushëllim zemrave. Ti na kërkon të mos kemi frikë. Por feja jonë është e dobët e ne kemi frikë. Por Ti, o Zot, mos na lër në mëshirën e stuhisë. Na thuaj prapë: ‘Mos kini frikë’. E ne, bashkë me shën Pjetrin, ‘ta lemë Ty çdo shqetësim, sepse Ti kujdesesh për ne’ (shih 1 Pjt 5,7)”.

Bekimi “Urbi et Orbi” e Ndjesa e Plotë

Në fund, pas litanive të Zojës, Papa Françesku lartoi të Shenjtnueshmin Sakrament, me të cilin bekoi Romën e botën. Të gjithë ata, që ishin lidhur me të në lutje, përmes mjeteve të komunikimit, por edhe të gjithë besimtarët, që u bashkuan me Papën shpirtërisht e me ndjetin e zemrës, edhe pse nuk kishin mundësi ta shihnin apo ta dëgjonin lutjen, patën mundësi të marrin Ndjesën e plotë, sipas kushteve të Kishës. Pra, të gjithë atyre, që, në këto kohë emergjence, janë rrëfyer shpirtërisht për mëkatet, janë kunguar shpirtërisht e tani, u lutën sipas ndjetit të Papës. Kërkohet gjithashtu edhe një vepër tjetër “ndjese”, siç mund të jetë thënia e Rruzares, e Besojmës, e Atynës, pjesëmarrja virtuale në meshë, një lutje për Zojën, leximi i Shkrimit Shenjt për të paktën gjysëm ore e të tjera si këto, që mund t’i lexoni në dekretin e fundit të Pendestarisë Apostolike./RV

Ramush Haradinaj: Zëra konspirativë e të pasaktë, dikur thonin se Amerika është për shkëmbim territoresh

Deklarata e krerëve të lartë të Administratës amerikane dhe Departamentit të Shtetit se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh, është siguria më e madhe dhe garancia më e duhur që i nevojitet Kosovës sot për të ecur përpara.

Kohën dhe energjinë më të madhe sa isha kryeministër, ia kam kushtuar luftimit të zërave konspirativ e të pasaktë, që dikur thonin se Amerika është për shkëmbim territoresh, duke synuar gabimisht largimin tonë nga aleati ynë historik, SHBA-të. Ai plan ka pasë mundësi të jetë në tavolina tjera, por asnjëherë në tavolinën e udhëhequr nga SHBA-të. Sonte, ndihem i përmbushur dhe i sigurtë, që kjo bindje po konfirmohet edhe deklarativisht.

Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pathyeshme, të pacenueshme, dhe të përhershme. Shtëpia e Bardhë dhe Washingtoni janë tempull i shenjtë i lirisë dhe pavarësisë sonë.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e saj.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin tonë.

RH

Zëri i Amerikës – Kurti: Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi të enjten bindjen e tij se ekziston një marrëveshje për shkëmbime territoresh ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe se vota e mosbesimit ndaj qeverisë së tij ndërlidhet me atë marrëveshje.

Parlamenti i Kosovës miratoi të mërkurën mbrëma mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, zoti Kurti shkroi se “ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi”.

Kryeministri në detyrë shkroi mes tjerash se “qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”.

Gjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme. Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti (Hashim Thaçi) në takimin me të. Për dy orë e takova, dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hap rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha ai.

Gjatë debatit në parlament ai kundërshtoi vlerësimet se mos heqja e tarifave ndaj mallrave serbe sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, i ka dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me Washingtonin.

“Në këtë rrethanë me trysni të madhe e politika afatshkurtra ku ne jemi më shumë mënyrë se sa qëllim, po e theksoj, është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku e ke marrëveshjen e gatshme midis dy presidentëve e nëse t’i nuk pajtohesh duhet të dalësh në mënyrë demonstrative e të flasësh, atëherë dëmtohen raportet Kosovë-SHBA, kështu nuk dëmtohen. Dhe nëse kanë mundur ta nënshkruajnë pse nuk e bënë? Ama ata nuk mund të nënshkruajnë marrëveshjen pa më thyer mua njëherë, e kuptoni, sepse unë jam në dy palë zgjedhje njeriu më i votuar, nuk bëhet marrëveshja pa më thyer mua, duhet të më thyejnë diqysh mua njëherë, prandaj nuk u bë marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, sepse ata e kanë pasur gati”, tha ai.

Në fillim të muajit mars presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi dhe këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Të dy presidentët ndodheshin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zyrtarët amerikanë që nga fillimi i këtij viti kanë ngulur këmbë që Kosova të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Analistë të ndryshëm thanë se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar për një marrëveshje mbi idenë e ndarjes së Kosovës.

Kjo u hodh poshtë nga presidenti Thaçi dhe ambasadori Richard Grenell i cili tha se një gjë e tillë “nuk është diskutuar kurrë në praninë time”.

Kryeministri Kurti, i gjetur nën trysni për heqjen e tarifave vendosi heqjen e pjesshme të tyre dhe zëvendësimin me masa të reciprocitetit të plotë me Serbinë, por kjo u cilësua si masë “gjysmake” nga ambasadori Grenell.

Lidhja Demokratike kërkoi nga zoti Kurti që t’i heqë ato menjëherë sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Ndarjet rreth kësaj çështjeje kulmuan me vendimin e zotit Kurti për shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK-së dhe kjo u pasua me mocionin e mosbesimit që i dha fund qeverisë.

Rrëzimi i qeverisë ndodhi në një periudhë kur Kosova po përballet me pasojat e koronavirusit. Deri të mërkurën mbrëma 71 veta janë konfirmuar si të infektuar, ndërsa është regjistruar edhe viktima e parë.

Kryeministri në detyrë shkroi të enjten se “do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, shkroi ai.

Reagon familja e Haki Imerit: Isa e Gima u bashkuan si okultë të shpëtojnë Hashim Thaçin, por është vonë për “Gjarprin”!

Familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit i cili është vrarë menjëherë pas lufte dhe vrasësit e tij nuk u zbuluan kurrë, kanë reaguar pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Përmes një shkrimi në Facebook, kjo familje thotë se votëbesimi kundër Qeverisë u bë për shkak të Gjykatës Speciale, por tash është vonë për presidentin Hashim Thaçi.

Kjo familje shkruan se, Gjykata Speciale është duke i trajtuar aktakuzat në Hagë.

Familja Imeri thotë se u bashkuan të gjithë për të shpëtuar Hashim Thaçin nga Gjykata Speciale, por ky veprim është i vonuar.

Postimi i plotë:

-Preteksti i vertete i mocionit te votebesimit kunder Qeverise ka te beje me Gjykaten Speciale , por tash eshte vone per Gjarperin e Panistet tjeter se nuk mund ti shpetojne nga aktaakuzat per krime aty ku preke mandati i kesaj Gjykate. Aktakuzat jane duke u trajtuar ne Gjykate, dhe Albin Kurti pati nje qasje korrekte ndaj Gjykates Speciale dhe kjo eshte pse i ka penguar me se shumti daret e krimit.

-Pronto-Pani Skenda, Isa dhe Gima u bashkuan si okulte qe ta shpetojne Hashim Thacin nga Gjykata Speciale, por ky veprim i tyre eshte i vonuar. Albin Kurti eshte i rryer dhe i avancuar karshi don kishotve e sanqo panqove te politikes nentokesore qe synon te sakrifikoje Kosoven per interesa te ca krimineleve te luftes dhe paqes (Shikut,Panit).

-VV fitoren e ka te sigurte.Cdo perfolje per antiamerikanizem eshte mashtrim dhe justifikim sa per te rrezuar Albin Kurtin.Nje duhet te kuptohet qarte se per 20 vite sa LDK-ja ishte here ne pushtet here jashte pushteti 4 here kishte ministrine e brendshme as nje sherbim nuk ia beri drejtesise qe te zbardhen krimet politike te antareve te saj…CoronaVirusi do te merr viktima tjera ne Kosove por veprimet e Gjykates Speciale nuk do te pengohen, kete e kane te qarte daret e krimit…

Mocioni për Albin Kurtin, reagon Këshilli i Ambasadorëve: Mund të çojë në bllokadë institucionale

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me vemëndje zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë, të cilat bëhen edhe më shqetësuese në kontekstin e pandemisë globale të Covid-19.

Pandemia globale e Covid-19 është një prej momenteve më sfiduese të historisë njerëzore. Qeveritë e vendeve më të zhvilluara të botës, me kapacitete mjekësorë dhe burime ekonomike të mëdha, janë angazhuar me tërë kapacitetet e tyre për ta mbrojtur shëndetin e popullit.

Klasa politike dhe strukturat shtetërore të vendeve me burime dhe mundësi të kufizuara, siç është Kosova, nuk duhet të harxhojnë energjitë e tyre sidomos në këto momente për beteja politike, aq më tepër kur mund të rezultojnë në bllokada institucionale apo mbetjen e vendit pa një administratë efektive.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bashkohet qëndrimit të përbashkët, të dt. 24.03.2020, të Ambasadave të SHBA, RFGJ, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë në Prishtinë, dhe shqetësimit të tyre mbi nevojën për të respektuar integritetin dhe funksionimin e qeverisë së Kosovës, si dhe fton të gjithë klasën politike të bashkërendojnë energjitë e tyre për përballimin e kësaj krize me përparësi interesin e shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të të gjitha institucioneve dhe krijimit të një klime të përshtashme për qytetarët, mund të përballohet rreziku i përhapjes së virusit dhe të gjitha pasojave që do të sjellë kjo situatë në të ardhmen.

KASH fton drejtuesit e institucioneve të Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin, me të gjithë aktorët politik në vend, si dhe me përfaqësuesët e shteteve mike.

Diplomatët perëndimorë në Prishtinë: Merruni me koronavirusin – jo me politikë

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u bënë thirrje udhëheqësve të Kosovës të përqendrohen në luftën kundër koronavirusit dhe jo në çështjet politike.

Në një komunikatë të përbashkët të ambasadave thuhet se “në këtë kohë të vështirë, u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve institucional dhe politik që të përqendrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat Kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”.

“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, zyra e Bashkimit Evropian dhe shefat e misioneve të vendeve të BE-së nëpërmjet një komunikate thanë se është koha për unitet politik.

“Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për orientim të qartë dhe për të qenë të sigurt se po merren të gjitha masat për të zbutur ndikimin e pandemisë. U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve institucional të punojnë së bashku në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të përqendrojnë energjitë e tyre drejt luftës kundër pandemisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politik apo institucional, kjo është kohë për unitet politik”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të diplomatave evropianë.

Thirrjet e diplomatëve u bënë në një kohë kur vendi është përfshitë në krizë politike dhe përplasje rreth vendimit të qeverisë për të kufizuar lëvizjet e qytetarëve. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim duke e cilësuar atë si jo kushtetues. zëri i amerikës

Operacioni i Forcave Aleate, fushata e NATO-s që hapi faqe të re në Kosovë

Njëzet e një vjet më parë, NATO nisi “Operacionin e Forcave Aleate” (Operation Allied Force) ndaj Jugosllavisë për t’i dhënë fund presionit dhe masakrave ndaj civilëve në Kosovë, me synimin “serbët jashtë, ndërmjetësuesit brenda, refugjatët të kthehen”, duke hapur një faqe të re për Kosovën.

Gjatë operacionit, i cili nisi për shkak të presionit dhe masakrave, si dhe mospranimit të palës serbe që Kombet e Bashkuara (OKB) të vendosnin trupat ndërkombëtare në Kosovë, sipas organizatës Human Rights Watch, kanë humbur jetën 489 deri në 528 civilë, ndërsa Jugosllavia pretendoi se sulmet e NATO-s shkaktuan nga 1.200 deri në 5.700 civilë të vrarë.

Si rezultat i rritjes së përleshjeve mes palëve, më 23 shtator të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pranoi Rezolutën 1199, ku nga palët shqiptare dhe jugosllave në Kosovë kërkohej armëpushim.

Pas masakrimit të më shumë se 20 personave të një familjeje nga fshati Abri e Epërme në pjesën qendrore të Kosovës, u themelua Misioni i Verfikimit i OSBE-së në Kosovë (KVM). Armëpushimi i arritur më parë u thye në muajin dhjetor, kur Zvonko Bojaniç, kryebashkiaku serb i Fushë Kosovës, u gjet i vdekur në afërsi të Prishtinës.

Përpjekjet për të gjetur zgjidhje në Konferencën e Rambujesë

Më 15 janar të vitit 1999 ndodhi Masakra e Reçakut, ku 45 fermerë shqiptarë u masakruan. Edhe pse trupat u zbuluan nga monitoruesit e OSBE-së, Jugosllavia e mohoi masakrën dhe pretendoi se të vrarët janë pjesëtarë të UÇK-së.

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për krizën në Kosovë filluan më 6 shkurt në Konferencën e Rambujesë, e cila u mbajt në afërsi të Parisit në Francë.

Iniciues i konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, i cili përbëhej nga SHBA-të, Britania, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia. Delegacioni kosovar, së bashku me atë amerikan dhe britanik, firmosën atë që u bë e njohur si Marrëveshja e Rambujesë, ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk e pranuan atë.

Marrëveshja përmbante pika si administrimi i Kosovës nga NATO si një provincë autonome brenda Jugosllavisë, si dhe një forcë prej 30.000 trupash të NATO-s për mbajtjen e rendit në Kosovë. Në veçanti, pala serbe nuk e pranonte idenë e pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë në zëvendësim të forcës së tyre të sigurisë, duke preferuar më mirë vëzhgues të paarmatosur të OKB-së.

Bombardimi i Jugosllavisë nga NATO

Pasi që as tentimet e fundit për bindjen e Jugosllavisë nuk ishin të suksesshme, më 24 mars në orën 20:00 NATO nisi “Operacionin e Forcave Aleate” që do të zgjaste deri më 10 qershor. Me përjashtim të Greqisë, të gjithë anëtarët e NATO-s kishin mbështetur operacionin. Operacioni po ashtu u mbështet edhe nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me dhjetë avionë të tipit F-16.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ndodhën edhe disa incidente, ku u goditën zyrat e misioneve të huaja dhe ku humbën jetën edhe civilë, bombardime të cilat NATO i vlerësoi si “gabimisht”.

Në fillim të majit, një avion i NATO-s sulmoi një karvan refugjatësh shqiptarë, “duke menduar se ishte një karvan ushtarak jugosllav”, ku u vranë rreth 50 civilë. Përsëri në maj, disa bombardime të NATO-s goditën ambasadën kineze në Beograd, duke vrarë tre gazetarë kinezë dhe duke tërbuar opinionin publik kinez.

Një tjetër incident ndodhi mes datave 19 dhe 23 maj, ku u bombardua burgu i Dubravës. Rreth 19 të burgosur dhe gardianë u vranë nga bombardimi, por një numër i pasaktë, rreth apo më shumë se 70 shqiptarë pretendohet se janë vrarë nga forcat qeveritare serbe në ditët pas bombardimit.

Si rezultat i operacionit ushtarak të NATO-s, që zgjati rreth tre muaj, Serbia u pajtua për tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore nga Kosova.

Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës

Më 9 qershor të vitit 1999 në qytetin e Kumanovës në veri të Maqedonisë së Veriut u arrit marrëveshja e cila njihet si Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës dhe e cila i dha fund luftës në Kosovë. Një ditë më pas, më 10 qershor, NATO pezulloi operacionet.

Në të njëjtën ditë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, e cila përcaktoi statusin politik të Kosovës si protektorat i OKB-së, dhe ia dha administrimin e Kosovës Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Më 12 qershor, pasi presidenti i asaj kohe i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pranoi kushtet, në Kosovë filloi të hyjë forca paqeruajtëse shumëkombëshe NATO Kosovo Force (KFOR), ku edhe Turqia dha mbështetje të personelit ushtarak.

Gjatë viteve 1998-1999 të luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se dhjetë mijë kosovarë, prej të cilëve mbi tetë mijë shqiptarë, ndërsa afro një milion persona, rreth 800 mijë prej të cilëve shqiptarë, u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre në Kosovë. Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj. AA