VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

KURBETÇARËT NË ZVICËR SHPALLIN AKSIONIN PËR TË NDIHMUAR BOTIMIN E LIBRIT ME 1300 FAQE ME FOTO E DËSHMI: ATA U VRANË- LANË PAS VETI HISTORINË- NGA MASAKRA E GJAKOVËES DHE BURGU I DUBRAVËS.

By | August 27, 2019

Komentet

(Updated) Akuzuar për korrupsion WAW pretendon të atashohet me një zyrë pranë shoqatave të huaja në OKB Nga Elida Buçpapaj

 

Për dijeni:

Entwicklung und Zusammenarbeit (DEZA)

Tatiana Valovaya, Directrice générale de l’Office des Nations Unies à Genève

——-

E kam fjalën për shoqatën World Albanian Women International Association – me akronimin WAW. Që në zgjedhjen e emrit, qëllimi ka qenë të tërheqë vemendjen e naivëve, pra manipulimi është që në themel.

Konkretisht nuk kemi të bëjmë me një shoqatë ndërkombëtare grash sikur pretendohet por me një shoqatë grash shqiptare të formuar në Gjenevë.

Në Zvicër veprojnë mbi 100 mijë shoqata, nga këto syresh janë mijra shqiptare, me emra gjëmues, tronditës, spekulues por me zero aktivitet. Shoqatat shqiptare krijohen zakonisht në kontekste përfitimi, ndajnë çertifikata me njëri-tjetrin, nga pozita ilegjitime, sepse nuk kanë atribute të emërojnë ambasadorë të paqes, ambasadorë të kombit, ambasadorë të vullnetit te mirë, pena të artë, pena të sermta, pena prej letre, prej kartoni etj.etj.

Por ajo që bie në sy si shëmtim në piedestal është se këto shoqata nuk e njohin as vullnetarizmin, as bamirësinë, as kontributin individual.

Qëllimi i tyre është përfito sa të mundësh, duke u mbështetur nga Ministria e Diasporës në Shqipëri që drejtohet nga Pandeli Majko dhe instrumentat që kjo ministri ka në dorë sikur është gazeta online krijuar me fonde nga BE dhe Zvicra, programe të RTSH, çmime, çertifikata etj.etj.

Është shumë shqetësues fakti se këto shoqata po krijohen në kontekstin partiako-shtetëror-klientelist, me qëllim përçarës, në dëm të vlerave, në dëm të meritokracisë dhe të unitetit të komunitetit. Këtu ndihmojnë edhe portalët e që s’kanë asnjë lidhje me gazetarinë profesioniste dhe financohen në funksion të klientelizmit për të promovuar çka oriention politika e korruptuar.

Në këtë funksion janë edhe programe të RTSH që u bējnë publicitet dhe i mbajnë nën dritën e reflektorëve  të preferuarit e politikës. Një politikë e korruptuar merret me mend se çfarë promovon!

Komuniteti shqiptar duket i dorëzuar përpara kësaj katrahure me regjizurë dhe strategji përçarëse direkt nga Ministria e Diasporës e Republikës të Shqipërisë.

Përpara disa kohësh u festua zyrtarisht 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri dhe pala shqiptare kishte prezantuar më së shumti emra që nuk përfaqësojnë assesi komunitetin e shqiptarëve nga RSH në Zvicër, duke e shkruar historikun e marrëdhënieve 50 vjeçare me stilin e censurës si në diktaturën komuniste.

Por le të kthehemi tek shoqata e grave shqiptare e ashtuquajtur ndërkombëtare – Word Albanian Women International Association.

Po parashtroj disa pyetje:

Përse që në ngjizjen e saj kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është mbuluar nga programi televiziv Urat i RTSH-së në Shqipëri?

Përse kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është promovuar nga ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bernë?

Përse RTSH dhe Ambasada e Shqipërisë në Bernë promovojnë një shoqatë krijuar nga tre zonja të sapoardhura nga Shqipëria, të paintegruara në tregun e punës dhe me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, që nuk e përfaqësojnë as diasporën, që nuk kanë as kontribute veç kanë përfituar mjetet e ekzistences nga Zvicra?

Por që synojnë përmes jehonës mediatike të instrumentalizuar politikisht dhe të mbështetjes direkt të politikës shtetërore klienteliste të atashohen deri me një zyrë pranë OKB!

A nuk bie erë abuzim?

Duket sikur po bëjnë në Zvicër një Copy Paste e asaj që ndodh në Shqipëri, kur sistemi demokratik nuk funksionon më dhe ku partia shtet favorizon  uzurpimet, trafikimet, emërimet politike,  klientelizmin, nepotizmin duke shkelur ligjin!

Diaspora shqiptare nuk do ta lejojë!

Diaspora shqiptare pjesë e integruar e Europës do të sensibilizohet dhe do të reagojë !

Diaspora shqiptare e ka fituar qytetarinë në Europë me djersë, mund dhe dinjitet!

Zvicra sapo ka ka dalë nga një votim, ku për pak po të fitonte iniciativa që do të shtrëngonte edhe të drejtat e punësimit të qytetarëve të zonës BE.

Zvicra ka politika shumë strikte për dhënien e vizave të qëndrimit dhe punësimit jashtë zonës së BE-së. E Shqipëria është jashtë zonës së BE-së.

Por le të shqyrtojmë hollësisht se cili është objektivi i kësaj shoqate dhe nga përfaqësohet.

Objektivi “humanist” i kësaj shoqate është integrimi i grave të paintegruara!

Por pikërisht këtu nis habia.

Si është e mundur që kjo shoqatë të integrojë shtresën e paintegruar të grave shqiptare në Zvicër kur tri zonjat që e drejtojnë janë për vete të paintegruara dhe me leje qëndrimi të përkohshëm në Zvicër?

Po si është e mundur që në dy ditët e inaugurimit të kësaj shoqate më 2-3 nëntor 2019 ky aktivitet shumë i zakonshëm në llojin e vet u mbulua me një pompozitet të madh direkt nga emisioni URAT i RTSH?

Ndërsa Ambasada e Shqipërisë në Bernë botonte në faqen e vet në Facebook tekstin se “Më datë 2 nëntor, Organizata Women Alb World International, zhvilloi mbledhjen e parë të Asamblesë së Përgjithshme, në Gjenevë. Qëllimi i krijimit të kësaj organizate është shkëmbimi i eksperiencave të grave të mirë integruara profesionalisht dhe kulturalisht në vendet ku zhvillojnë aktivitetin e tyre, në raport me pjesën e grave që kanë nevojë për shembuj të mirë integrimit dhe mbështetjen për të arritur në këto nivele. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së RSH-së në Bernë, Ambasadës së Kosovës në Bernë, personalitete të spikatura të diasporës shqiptare në Zvicër e më gjerë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Diasporës së RSH-së.”

 

 

Po si i justifikojnë pjesëmarrjet dhe duartrokitjet përfaqësitë diplomatike të qeverive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës në formimin e një shoqate pa asnjë aktivitet, që e drejtojnë tri zonja sapoardhur nga Shqipëria me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, pa asnjë kontribut dhe të paintegruara ende në tregun e punës?

Përse këto tri zonja nuk kërkojnë të integrohen normalisht në tregun e punës, si dhjetra mijë gra në diasporën shqiptare në Zvicër, të cilat punojnë me dinjitet e fitojnë jetën me dinjitet pa përbërë interes as për kamerat e Urave të RTSH dhe as për Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Zvicër?!

Po si është e mundur që këto tri zonja sapo kanë vënë këmbët në Zvicer, duke mos punuar e kontribuar, veç duke konsumuar ndihma financiare nga Konfederata Helvetike të kthehen në “ikona” të Urave të RTSH-së të Tiranës, të diplomatëve shqiptarë dhe të pretendojnë deri aty sa të synojnë atashimin si shoqatë pranë OKB-së!!!!

Më poshtë po paraqes më konkretisht përbërjen e kreut të kësaj shoqate:

Presidentja e kësaj shoqate është Mirela Mezani, ardhur në Zvicër në vitin 2016, për arsye martese me një qytetar me prejardhje nga Kosova, është e paintegruar në tregun e punës dhe ka jetuar me mbështetje sociale nga Zvicra.

Nënpresidetja e shoqatës Blerina Zoto, ish diplomate e emëruar nga qeveria e Edi Ramës në Misionin shqiptar në Gjenevë. Ka disa vjet në kërkim të azilit politik për shkak të konfliktit që ka patur me ish-shefen e këtij misioni zonjën Filloreta Kodra, të cilën e akuzonte për korrupsion. Blerina Zoto është në pritje të përgjigjes nga organet përkate të Zvicrës, ajo është e papunë, e paintegruar, jeton e mbështetur financiarisht nga Zvicra ndërkohë pretendon të integrojë gra të tjera të paintegruara dhe bile të arrijë deri në OKB!

Për sqarim Zvicra nuk pranon kërkesa azili nga Shqipëria, veç rasteve shumë të veçanta.

Juliana Cici, edhe kjo shtetase e Shqipërisë. Ka ardhur në Gjenevë në shtatorin e 2018 për të qëllime studimi, master. Prej shtatorit 2020 ka filluar mbrojtjen e doktoraturës, jeton me bursë sipas kritereve të Universitetit të Gjenevës, pra merr pare burse nga Zvicra, është e papunësuar dhe e paintegruar. (Juliana Cici më ka bllokuar në Facebook – nuk kam patur kurrë asnjë lloj komunikim me të.)

Në Zvicër kemi një komunitet shqiptar shumë të madh, ku përfshirja e rinisë nëpër Universitetet zvicerane është gjithmonë edhe më e madhe, që do të thotë se kemi një numër të madh të rinjsh zviceranë me prejardhje nga Kosova apo Shqipëria që kanë përfunduar studimet, me master dhe doktoratura!

Në Zvicēr ka një numer të rëndësishēm të rinjsh shqiptarë që kanë studjuar drejtësi të cilët mund të japin kontributin e tyre për të orientuar komunitetin konform ligjeve. Po ashtu vetë komuniteti është një burim i fuqishëm që duhet të autofaktorizohet.

A duhet të mbeten gratë dhe vajzat shqiptare të paintegruara ende të komunitetit tonë në dorën e tri zonjave që për vete janë të papuna, shoqata e të cilave fsheh qëllimin e tyre individual që pa lodhje e kontribute të përfitojë direkt atashim në OKB?

Kjo shoqatë ka përfituar gjithçka lehtë, të gatëshme në tabaka, reklamimin nga RTSH, tek Urat etj, mbështetjen nga Pandeli Majko. Ministria e Diasporës e fton presidenten e shoqatës, Mirela Mezanin në takimin e grave të diasporës të angazhuara me biznes në Perëndim, kur Mirela Mezani në Zvicër nuk është e angazhuar në kurrëfarë biznesi por është në kërkim të integrimit të saj me metoda aspak dinjitoze!

Të njëjtën gjë bën Ambasada e Shqipërisë në Bernë, duke promovuar klikën e vet, ndërsa e shumëzon me zero komunitetin këtu tē vendosur prej gati tre dekadash, duke imponuar përçarjen, dasitë, injorimin e duke favorizuar klientët!

Duket sikur politika e Tiranes, Ministria e Diasporës po krijojnë nëpër Europë rrjete okulte shoqatash që t’i kenë në shërbimin e tyre, prandaj i promovojnë me çmime, çertifikata dhe permes kanaleve televizive e mediave që të financuara me fondet e Perëndimit i kanë nën kontrollin e tyre.

 

Shoqata World Albanian Women International Association u inaugurua me një skandal

 

Ndërkohë shoqata World Albanian Women International Association që në ditën e shpalljes të saj nën reflektorët e Urave të RTSH-së të Tiranës u inaugurua bashkë me një skandal, sepse nënpresidentja e saj Ermira Lefort dha dorëheqjen e parevokueshme duke hedhur akuza për korrupsion dhe mos transparencë, sepse sipas saj ishte fshehur burimi i sponsorëve që financoi eventin.

Tri zonja të papuna organizuan në Gjenevë një event me kosto 20 mijë franga, ndërkohë që nuk i prezantuan financuesit e qejfit dy ditor!

Po ju sjell një rast për të parë se diku paraja hidhet në hava si në rastin konkret, ndërsa në raste kur kërkohet të jepet para për kontribute të rëndësishme shqiptarët nuk japin!

Vitin që shkoi Joe DioGuardi festoi 80 vjetorin e lindjes. Sikur e dini DioGuardi ish kongresmen në Kongresin e SHBA është presidenti i Lobit Shqiptaro-Amerikan me një kontribut të jashtëzakonshëm. Me rastin e ditëlindjes, ai kërkoi në Facebook, që kush të dëshironte të jepte një kontribut për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane që ai drejton prej tre dekadash. Dhe a e dini sa ishte ky kontribut online që do të duhej shprehte mirënjohjen e shqiptarëve? 6475 franga! 6475 franga për organizatën më të fuqishme me aktivitet 30 vjeçar që i ka kontribuar dhe i kontribuon interesit kombëtar të shqiptarëve pranë Washington DC, ndërsa këto tri zonja me shoqet e tyre në dy ditë për festime e qejfe dogjën 20 mijë franga !

Sa për dijeni, në Zvicër sponsorizimi i aktiviteteve është transparent dhe i detyrueshëm çka shpallet nëpër posteret që lajmërojnë mbajtjen e tyre, ndërsa 20 mijë frangave aq sa kushtoi vetëm inaugurimi i “lluksit” të krijimit nuk iu bë transparente prejardhja.  Prandaj Ermira Lefort, nënpresidentja e kësaj shoqate prej themelimit dorëhiqet menjëherë në 2-3 nëntor 2019, kur u bë ceremonia inauguruese duke deklaruar se kjo shoqatë ka dalë nga misioni që i vuri vetes!

Për çudi, emisioni Urat e RTSH që drejtohet nga Artur Bejzade, i cili i bëri një mbulim gati live të këtij eventi dy ditor me kosto 20 mijë franga i mbylli të dy sytë përpara dorëheqjes së Ermira Lefort dhe akuzës të saj të fortë.

Ju ftoj pēr vemendje, tri zonja të papuna, të paintegruara, që jetojnë në situata të ndryshme duke përfituar mbështje sociale të Zvicrës zhvilluan më 2-3 Nëntorin e 2019 një shfaqje pompoze të krijimit të një shoqate me një start kosto 20 mijë franga. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas një denoncimi për abuzim fondesh nga ish nenpresidentja e kësaj shoqate, të gjithë i mbyllën sytë, duke filluar nga Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ilir Gjoni, Ambasadori i RSh në Bernë e deri tek Urat e Artur Bejzades të RTSH të cilët në kor vijuan t’i duartrokasin tri zonjat e kësaj shoqate, për atë që nuk bëjnë, e megjithatë synojnë të atashohen deri në OKB, duke lëshuar hije dyshimi, që ditën e inaugurimit.

 

 

 

Ju ftojmë të lexoni edhe:

 

Skandalet e shoqatave shqiptare: WAW e akuzuar me pretendimin për korrupsion që ditën e parë të themelimit Nga Elida Buçpapaj

 

Skandalet e shoqatave shqiptare: WAW e akuzuar me pretendimin për korrupsion që ditën e parë të themelimit Nga Elida Buçpapaj

 

voal.ch – Shoqata ndërkombëtare e Grave shqiptare  në botë World Albanian Women ndryshe me akronimin WAW ka startuar krijimin e saj me dy skandale.

Skandali i parë lidhet me emrin, pasi në vetvete nuk është shoqatë ndërkombëtare.

Definicioni i shoqatës ndërkombëtare është si më poshtë:

“Organizatë ndërkombëtare quhet një lloj organizate me karakter ndërkombëtar sa i përketë anëtarësisë, qëllimit ose pranisë të një rëndësie ndërkombëtare, me zyra, aktivitete dhe interesa në disa vende të botës; punonjësit e të cilave shpesh quhen zyrtarë ndërkombëtarë, shpesh gëzojnë imunitete diplomatike (disa shembuj të organizatave janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Organizata Botërore të tregtisë dhe NATO-s).”

Ky është skandali në formë abuzimi i parë i WAW (walbw.ch) sepse nuk përmbush asnjë atribut nga ato që lartpërmenden.

Skandali i dytë, lidhet sepse është akuzuar për mungesë transparence në ditën e inaugurimit të saj në Gjenevë më 2-3 Nëntor 2019.

Mungesa transparences hedh dyshim për korrupsion dhe në Perëndim nuk tolerohet.

Për mungesë transparence kjo shoqatë është akuzuar nga Ermira Lefort, e cila në të njëjtën datë kur u bë inaugurimi përmes një deklarate publike dha dorëheqjen e parevokueshme.

Drejtueset e kësaj shoqate janë: Mirela Mezani, Juliana Cici dhe Blerina Zoto.

Në deklaratën e saj botuar edhe në rrjetin social asaj kohe Ermira Lefort ka përmendur faktin për mungesën e informacionit të sponsorizimit, shumë prej 20 mijë frangash që kishte kushtuar festimi i inaugurimit të shoqatës në Gjenevë më 2-3 Nëntorin e 2019.

Sipas deklarimeve të saj, që nga 12 gushti 2019, Ermira nuk ka pranuar të firmosë hapjen e llogarisë bankare për këtë shoqatë,sepse mungonte informacioni kryesor. Ermira Lefort e ka përsëritur kërkesën në vijimësi në mbledhje pa proces-verbale,se kush ishte sponsori financiar i kësaj asambleje të kushtueshme.

Po sipas deklarimeve të Ermira Lefort: “U dhanë tre variante nga mbledhja në mbledhje.Në fillim ju dha si përgjigje, që është rrjeti i bizneseve në Zvicër.”Pyetjet e Ermirës publikisht ishin :Kush nga shumë strukturat ekzistuese?” Sepse ekziston Rrjeti i bizneseve,Dhoma e tregtisë dhe shoqata aksionare AG. Ermira Lefort këmbënguli përsëri në asamble,kush është si grupim apo individ dhe pse nuk vendoset Logo e sponsorizuesit?”

Deklarimi i sponsorizuesit nuk është bërë asnjëherë, kjo e detyroi zonjën Lefort të japë dorëheqjen e parevokueshme, çka hedh hije të forta dyshimi rreth transparencës të financimit të festimeve dy ditore në Gjenevë në 2-3 Nëntor 2019, data kur u bë inaugurimi zyrtar i shoqatës në fjalë.

(Nesër do të lexoni: Akuzuar për korrupsion WAW pretendon të atashohet me një zyrë pranë shoqatave të huaja në OKB)

Zhaklina Dhimojani Blätter: Përshpirtje nga larg në nderim të regjizores së shquar të filmit shqiptar Xhanfize Keko

Zhaklina Dhimojani Blätter, kujton sot në rrjetin social regjizoren e shquar shqiptare Xhanfize Keko me rastin e 13 vjetorit të largimit nga kjo jetë. Zhaklina dhe Xhanfizeja e kanë dashur fort njëra tjetrën me një dashuri që zgjati deri kur  regjisorja e shquar u largua nga kjo jetë. Publiku shqiptar nuk e harron kurrë personazhin e Mimoza Llasticës në filmin me të njëjtin titull me regjisore Xhanfize Kekon ku rolin kryesor e interpreton Zhaklina, e cila respektin ndaj veprës të regjosores të famshme shqiptare e ka treguar duke mbështetur financiarisht filmin-dokumentar “Koha e pelikulës” të Mjeshtrit të Madh Mevlan Shanaj. Më poshtë po sjellim statusin e plotë të Zhaklina Dhimojani Blätter.

“Përshpirtje nga larg në nderim të regjizores së shquar të filmit shqiptar Xhanfize Keko
Si sot, 13 vite më parë, ndërroi jetë Xhanfize Keko,
regjizorja që i tejkalonte përmasat e koncepteve të ngushta nacionale.
Filmat e saj të vlerësuar nga kritika europiane janë shfaqur në Francë, Danimarkë, Austri e mbarë Europën.
Jemi me fat, që disa prej këtyre filmave, i kemi restauruar sipas parametrave bashkëkohorë.
Sepse puna e Xhanos, siç i thërrisnim, mbetet e pashlyeshme në memorien kolektive për cilësinë profesionale, por mbi të gjitha për aftësinë për të na dhuruar kinematografi përtej ndikimeve ideologjike.
E desha atë shpirt njeriu dhe e takoja kur kthehesha në Shqipëri.
Zbrazëtinë që ma krijoi shtegtimi i saj nga kjo botë, arrita ta mbush disi duke mbështetur financiarisht filmin-dokumentar “Koha e pelikulës”,
të Mjeshtrit të Madh Mevlan Shanaj.
Jam e lumtur që kam ndihmuar, që bota e saj e madhe dhe trashëgimia e pazëvendësueshme që la pas, të nderohen dhe kujtohen gjithmonë.
Xhanfize Keko ka 13 vjet që fizikisht nuk është më,
por Xhanoja jonë nuk do të harrohet kurrë për frymëzimin që i përcolli të gjithë shqiptarëve përmes kinemasë.
Magjia e krijimtarisë kinematografike për fëmijë që ajo themeloi duhet të ruhet me fanatizëm për t’i shërbyer kështu pasqyrimit të botës së mrekullueshme të fëmijëve, si dhe formimit të kineastëve të ardhshëm.
Të ndrittë shpirti në parajsë teta Xhano!
Zhaklina”
Zhaklina e vogël dhe regjisorja e shquar gjatë xhirimeve

 

Nga Arkivi – MAGJIA SHQIPTARE SHFAQET MREKULLISHT NË SALLËN E KATEDRALES SË BERNËS – Ky event u organizua nën kujdesin e çiftit Dhimojani – Blättler Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E djela e fundit e shkurtit pati një ngjarje speciale për jetën kulturore të Bernës, kryeqytetit helvetik që përshkohet nga Lumi Aare, kalërohet nga urat e shumta aq të bukura nën pamjen hijerëndë të Alpeve. Katër instrumentistë të shquar shqiptarë dhanë koncert në Katedralen e Bernës, që është zemra e qytetit dhe njëri nga simbolet e tij. Münsteri i Bernës mban në trupin e vet një histori datuar prej fillimit të shekullit XV. Me stilin e përkryer gotik ashtu si simotrat në Këln, Strasbourg, Freiburg etj.– shfaqet si „ogur i madhështisë dhe delikatesës“ njëkohshëm, nëse do të perifrazonim një varg të Viktor Hygosë, në vend të pohimit se në Katedralen e Bernës më tepër se me vendin e kultit dhe mistikës, ndihemi të përballur me shprehjen e talentit njerëzor, ku arti është përcjellës i civilizimin Perëndimor.

Katedralja e Bernës, më e larta në gjithë Zvicrën, kryevepër e dorës dhe mendjes së njeriut, që të rrok me vete sapo e sheh, ishte vendi ku në mbrëmjen e të djelës së fundit të shkurtit dhanë shfaqjen e tyre tyre artistët Dhurata Lazo, Zija Bushi Bejleri, Klaidi Sahatçi dhe Gjergj Bejko; tre vinin nga Gjermania, ndërsa Klaidi është me qëndrim në Zvicër.

Zvicra ka lidhje shumë të forta me shqiptarët. Të gjithë kokat e Rilindjes kanë kaluar një pjesë të jetës në Zvicër. Faik Konica, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Anton Zako Çajupi, Dora d’Istria… Hasan Prishtina e ëndërronte Shqipërinë një Republikë malore si Zvicra. Për të mos folur pastaj për komunitetin aktual të shqiptarëve që i kalon ndofta gjysmë milioni. Shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Luginës të Preshevës, Shqipërisë.

Komuniteti i shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria është më i vogli në numur, rreth 1500 syresh, por jo më pak i rëndësishëm nga kontributet. Siç është rasti i Zhaklina Dhimojani Blättler e cila, me bashkëshortin e saj Stefan Blättler, ishin autorët e këtij organizimi të mrekullushëm, për të ftuar e mirëpritur katër instrumentistë brilantë shqiptarë.

Nuk është aspak lehtë, por çifti Blättler ia doli me sukses që t’i sjellë artistët shqiptarë të performojnë në Katedralen berneze, për të shpalosur talentin e tyre nën magjinë gotike të zbukuruar edhe më, ca nga shumëngjyrësia e mozaikëve ca nga prania e bukur e publikut zviceran dhe shqiptar.

Zvicra ka krijuar traditë në mikpritjen e elitës të artistëve shqiptarë, të cilët suksesin e tyre e kanë arritur në skenat e Europës dhe botës. Zvicra i mirëpret Artistët shqiptarë, të cilët ia imponojnë respektin publikut zviceran. Dy prej tyre si Tedi Papavrami dhe Klaidi Sahatçi punojnë e jetojnë këtu. Papavrami njihet edhe si përkthyesi zyrtar i veprave të Ismail Kadaresë.

Ndërsa Klaidi Sahatçi ishte pjesë e katërshes së ftuar në Bernë, bashkë me Dhurata Lazon, Zija Bushi Bejlerin dhe Gjergji Bejkon.

Klaidi Sahatçi, pasi mbaron Liceun e Tiranës vazhdon studimet për violinë në Konservatorin Xhuzeve Verdi Milano, për t’i vijuar pranë’Akademisë “W. Stauffer” në Kremona dhe Lion të Francës. Pasi fiton një vend në Orkestrën Sinfonike të Radio Televizionit Italian, fillon të zhvillojë një jetë shumë të pasur koncertore në teatrot më të mira të Europës. Ka qenë violinë e parë në Teatrin La Skala të Milanos dhe aktualisht është violinë e parë në orkestrën e Zyrihut në Tonhalle me një violin të Antonio Stradivarius, të njohur me emrin “Wieniawsky, Bower“ e krijuar në vitin 1719 që atij ia ka ofruar Mercedes-Benz i qytetit të Zyrihut. Klaidi paralelisht jep mësim në Konservatorin e Zvicerës italiane. Ai ka bërë shumë regjistrime, ku midis tyre bashkë me pianisten Dhurata Lazo, ata regjistruan CD titulluar Albanian Memories, e cila u promovua së fundmi edhe në Tiranë.

Dhurata Lazo ka nisur të interpretojë në piano në moshën 6 vjeçare fillimisht në qytetin e saj të lindjes, të cilin do ta linte për të ndjekur Liceun Jordan Misja dhe Konservatorin. Në qytetin e gurtë ku ka lindur një diktator dhe një shkrimtar gjenial do të kthehej më pastaj vetëm si vizitore, sepse jeta do t’I merrte rrjedhë të tillë. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës, e mahnitur me pjesët Zadejës, Harapit etj, ajo bashkë me bashkëshortin e saj do të emigronin në Itali. Atje i dedikohet vazhdimit të studimeve në fillim në Konservatorin Xhuzepe Verdi, pastaj në Shkollën e Muzikës për Studime të Avancuara duke ndjekur mësimet e Maestros polak Mika Marian, në Qendrën e Padovës “Karol Szymanowski”, nga ku jo vetëm u dashurua me Chopenin, por edhe u bë një nga interpretueset e tij më të shkëlqyera duke vijuar jetën koncertore me bashkëshortin në Europë dhe Shqipëri.

Zija Bushi Bejleri është saksofonisti i talentuar nga të paktit në Shqipëri, të këtij instrumeti të muzikës black, pop e rock si dhe përbërës i muzikës xhaz, baba i të cilës është i famshmi Luis Armstrong. Megjithëse muzika xhaz ishte pothuaj e mallkuar dhe ndaluar në Shqipëri, pasi mbaron Akademinë e Arteve, Zija Bushi Bejleri nis punën si saksofonisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërkohë që me përmbysjen e diktaturës bashkë me familjen e tij persekutuar nga regjimi komunist dhe vajzën e tij të zemrës Dhurata Lazon, atë kohë studente pianoje, do emigrojnë në Itali, duke nisur gjithçka nga e para. Nuk është e lehtë. Kush nuk e beson le ta provojë po të dojë. Zija Bushi Bejleri ia doli, me shumë punë, me shumë sakrifica dhe mund si dhe në saj padyshim edhe të talentit. Pasi vijon studimet në Milano dhe Trieste e pastaj për Xhaz-Muzik në Shkollën e Muzikës në Manhatten, SHBA, ai vazhdoi karierën e tij në Itali, si orkestrant dhe mësimdhënës, duke e zgjeruar pastaj më tutje aktivitetin me jetën koncertale në Itali, Gjermani, Luksemburg, Francë shpesh herë edhe në koncerte duo me Dhuratën, ajo në piano dhe ai në saksofon. Diçka vërtetë magjike.

I katërti në grupin e artistëve që performuan në Katedralen e Bernës ishte fëmija 12 vjeçar Gjergji Bejko. Nuk dija asgjë për këtë fëmijë, por kur u ndodhëm përballë interpretimit të tij, na magjepsi menjëherë. Gjergji interpretonte pa parte dhe të gjithë të pranishmit mund të konstatonin spontanitetin e tij sikur pianoja të ishte një lodër për duart e tij prej fëmije. Pastaj lexova se Gjergji kishte marrë disa çmime në Gjermani ku jeton me familjen si l’enfat prodige, fëmijë mrekulli. Por mua, sapo e dëgjova, m’u kujtua ajo historia që tregohet për Moxartin fëmijë, i cili interpretonte në mënyrë aq virtuoze sa krijoi dyshimin se ishte një burrë xhuxh dhe jo fëmijë. E, për ta provuar në ishte fëmijë a jo, ndërsa interpretonte, sollën në skenë një mace dhe Mozarti i vogël e la pianon dhe iu sul maces. Për Gjergjin foli në superlativa edhe Dhurata Lazo, e cila e konsideroi si simbol të muzikantit të ardhshëm. Edhe unë ashtu mendoj. Nuk ka dyshimin më të vogël që Gjergji Bejko do të jetë një Arthur Rubinstein apo Rachmaninov i ardhshëm, por me identitet shqiptar.

Në koncert u interpretua mjeshtërisht muzikë botërore dhe shqiptare. Krahas tingujve të Mozartit, Beethoven-it, Schubert-it, Donizetit, Bellinit  spektatori në sallë ndoqi me interes të veçantë edhe pjesë nga Aleksandër Peçi dhe Eriona Rushiti. Është diçka e rrallë të jesh një kompozitore grua siç është Eriona, pedagoge dhe njëkohësish krijuese e muzikës, që lind prej bashkimit fantazist të notave. Veprat e Peçit dhe Rushitit qendruan me dinjitet përballë mjeshtrave botërorë, edhe sepse u interpretuan nga instrumentistë virtuozë, të cilët kanë arritur të integrohen në jetën koncertale në Europë falë dimensione të tilla, ndaj të cilave Evropa mban frymën, duartroket dhe u ngre kapelën me respekt.

Ashtu si i duartrokiti edhe në katedralen e Bernës, në një koncert elitar, i cili u bë i mundur falë dashurisë dhe mirësisë së Zhaklina Dhimojanit dhe bashkëshortit të saj zviceran, të cilët sponsorizuan pothuaj gjithçka. Çifti Dhimojani- Blättler ishin ata që i kontribuan një eventi të tillë,për t’iu treguar zviceranëve se shqiptarët janë një komb i talentuar, që lind nga gjiri i tij artistë të kualiteteve të tilla. Zhaklina më tha se për të krijuar edukatën e brezit të ri si dhe për të krijuar imazhin e mirë, nevojiten pika referimi të vërteta. Dhe artistët e vërtetë janë pika referimi. Si edhe në rastin konkret.

Sa i përket publikut shqiptaro-zviceran që mori pjesë në koncert,ai padyshim u ndje i privilegjuar duke u gjendur përballë artistëve të dimensioneve të tilla.Në koncert mori pjesë edhe Ilir Gjoni,ambasadori i sapoardhur i Republikës të Shqipërisë në Bernë. Duke patur parasysh komunitetin e shqiptarëve që jeton në Zvicër do të duhet vazhdimisht që artdashësave shqiptarë t’u krijohen mundësi të tilla.Duhet të tejkalohet edhe ideja e rinisë të shqiptarëve në Zvicrës, në gjeneratën e Secondosave,të cilët besojnë se rruga e vetme e suksesit të tyre është futbolli. Ata kanë si pika referimi Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Baramin etj, por në fakt rinia shqiptare sot në Zvicër ka plot rrugë të tjera afirmimi. Arti dhe kultura padyshim që është njëra nga këto rrugë.

Organizimi i çiftit Dhimojani-Blättler të një eventi kulturor ishte si një sfidë,bërë padashje komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, të ndarë e përçarë nga politika. Ky komunitet, në vend që të tregojë interes dhe të investojë për kulturën dhe vlerat e vërteta, harxhon kohën në shërbim të partive shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Rinia shqiptare në Zvicër ndodhet në udhëkryq sepse në vend që të mirëorientohet, edhe ajo humb kohën në klube të pështira ku përçundohen vlerat dhe kultura e mirëfilltë.

Kur dy njerëz organizojnë një shfaqje elitare, siç ishte perfomanca e katër artistëve shqiptare, merreni me mend se çfarë mund të bëjnë gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Padyshim mund të bëjnë mrekullira, nëse do të jenë të organizuar. Po kur do të organizohen, lind pyetja!

Gjithsesi uroj që ky evenimet kulturor, ku u gërshetua në një mënyrë shumë elegante qytetërimi europian i Zvicrës me kulturën shqiptare, të shërbejë si shembull dhe model në të ardhmen e afërt.

Publiku zviceran dhe shqiptar mezi presin shfaqje të tilla. Zhaklina Dhimojani Blättler, e cila mbahet mend për rolin e saj kur ishte fëmijë tek filmi Mimoza Llastica, e ka gati një projekt të ri ku synon organizimin e një koncerti me fëmijët e talentuar shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe jashtë saj. Le t’i urojmë punë të mbarë dhe le të ketë në Zvicër sa më shumë projekte për kulturën, sepse sikur thoshte Albert Camus se “pa kulturën, shoqëria edhe sikur të jetë perfekte është një xhungël.”/23 Shkurt 2014

 

Nata në dritën pa ndriçim – ose – Grimca kujtimesh nga ferri – libri me kujtime nga ish i burgosuri politik Skënder Tufa

Sapo na mbërriti libri me kujtime nga nga ferri i burgjeve komuniste i ish-të burgosurit politik Skënder Tufa.

Skënder Tufa u bë i paharruar për opinionin publik gjatë grevës të urisë me një grup ish të burgosurish në vitin 2012, kur u vetëflijua Lirak Bejko që  është pishtar i lirisë por askush nuk e kujton sikur shoqëria shqiptare është veshshurdhër.

Lajmin e botimit të librit e ka dhënë i pari shkrimtari i mirënjohur Agron Tufa që është edhe redaktori i librit i cili në rrjetin social shkruan se  “Skënder Tufa u dënua në fillim të viteve ’80 së bashku xhaxhain e tij Ahmet Tufën, Fatmir Laknasin e dy të tjerë, një grup (“Dora e hekurt”) me djem të guximshëm që nisën aktivitetin antikomunist me hartim e shpërndarje traktesh.

Libri, përfshin realitetin e egër e të dhunshëm të burgjeve të Spaçit dhe sidomos të Qafë-Barit. Përshkruhet ngjarja rrënqethëse e makabre e Revoltës së të burgosurve politikë me 22 maj 1984 përmes një thurime të dendur autorrëfimesh dhe rrëfimeve të protagonistëve të gjallë.

Libri na tregon mizoritë e paskrupullta të rregjimit stalinist, torturat çnjerëzore të veglave të zellshme të diktaturës, të personifikuara nga sadisti kriminel Edmond Caja me lukuninë e policëve. Libri është një homazh për të pushkatuarit e kësaj Revolte – Tom Ndojën, Sokol Sokolin dhe Sandër Sokolin që u vra në tortura nga Edmond Caja, Lekë Ymeri dhe policët e tyre.

Gjithashtu ky libër është homazh për bashkëvuajtësit e mbijetuar e njëkohësisht akuzë për regjimin komunist, sikundër se është akuzë për gjithë peisazhin e politikës postkomuniste, e cila jo vetëm nuk vendosi drejtësi, por i risolli në pushtet vrasësit e djeshëm.

Në pjesën e dytë, autori akuzon përmes refleksionesh e kujtimesh sjelljen e pashpirt dhe indiferente të pushteteve politike, pa bërë dallim ndaj të vërtetës së trishtuar të bashkëvuajtësve të tij. Unë mendoj, se Skënderi Tufa ka bërë një detyrë shumë të çmuar qytetare, duke na lënë dëshminë e tij, e cila do t’u nevoitet dhe brezave të tjerë.

Libri do të njohë dhe botime të tjera me pasurime faktesh e përmirësime në cilësinë e paraqitjes.”, përfundon në statusin e tij Agron Tufa.

Ndërsa në prologun e librit Skënder Tufa shkruan: “Më në fund e thyej mëdyshjen për t¨hedhur në letër disa pjesëza më të sistemuara kujtimesh…Janë kryesisht copëza dhimbjesh të grupuara në libër, miksim i të djeshmes me të sotmen, reale, me emrat, vendet dhe ngjarjet, të cilat i kam sjellë ashtu si më kanë mbetur në kujtesë. Përsiatjet e mia, shkruan Skënder Tufa, në prolog, shtrihen e përplasen edhe në periudhën e zhgënjimeve pas burgut, atëhere … kur liria për të cilën ne flijuam na doli iluzion”.

Ndërsa hapjen e librin Skënder Tufa nënvizon: “Diktaturat janë si ato kuçedrat mitologjike: ato nuk mund të jetojnë pa gjak, pa shqyer gjallesat, të cilave jua pijnë edhe pikën e fundit, ato nuk njohin kufij moshe apo kohe sepse për të mbijetuar u duhen kurbanë dhe pengje të skllavëruar, të nënshtruarit e terrorizuar zvarriten për mbijetesë e kjo zvarritje është burim i forcës së diktaturës.”

Janë shumë rëqethëse po shumë të vërteta ato rradhë që shkruan Skënder Tufa në librin e tij “Nata në dritën pa ndriçim” libër me 233 faqe që posa i ka rënë në dorë lexuesit.

Voal.ch i uron rrugëtimin të mbarë librit, duke ftuar lexuesit që ta blenë me qëllim që të ndriçojnë memorien e shuar nga ky tranzion makabër që e ka çuar gjithë kombin në një amnezi kolektive.

E falenderoj veprimtarin Sallah Jonuzi për këto foto të takimit të poetëve Azem Shkreli me Vehbi Skënderin Nga Elida Buçpapaj

 

Këto dy foto i ka publikuar  veprimtari i çështjes kombëtare  në Zvicër Sallah Jonuzi.

I takojnë majit të vitit të mbrapshtë 1997.

Dega e LDK-së në St. Gallen do të organizonte asaj kohe promovimin e librit të poetit Vehbi Skënderi “Bëjmë Sikur”,

Në takim do të merrte pjesë edhe poeti i shquar nga Kosova Azem Shkreli.

Azem Shkreli kishte lindur në Rugovë të Pejës për të cilin Atdheu ishte dheu i birit, atit e shpirtit të shenjtë.

Vehbi Skënderi i lindur në malësinë e Gorës gjithë jetën i ishte lutur Zotit që ta linte gjallë deri sa ta shihte Kosovën e lirë.

 

Në një ditë maji të vitit 1997 buzë Liqenit të Kostancës, komunitetit shqiptar në Zvicër organizoi në mënyrë të shkëlqyer takimin e dy poetëve.

Merita i takon veçanërisht LDK-së të asaj kohe.

Azem Shkreli dhe Vehbi Skënderi kishin midis një kohë të ndaluar, të ndarjes të shqiptarëve për së gjalli, që do të deshnin ta mbushnin.

Të pinin mijra kafe e çaje që do t’i kishin pasur për t’i pirë gjatë viteve të Murit të Berlinit ndërshqiptar, në kafenetë e Tiranës apo Prishtinës,

të flisnin me mijra orë që do t’i kishin folur, të recitonin pa rreshtur poezitë e njëri tjetrit për fituar kohën e humbur.

Më 1994 Vehbi Skënderit, falë vlerësimit të shkrimtarëve të Kosovës, iu dha çmimi i parë edhe në Festivalin e Ditëve të Naimit në Tetovë,

që asaj kohe kishte startuar si aktivitet mbarëkombëtar i poezisë shqiptare.

Por ai maj i vitit 1997 do të ishte i fundit i jetuar në tokë për Azem Shkrelin.

Ajo rrokje duarsh me Vehbi Skënderin po e fundit.

Ne patëm fatin ta takonim Azem Shkrelin po gjatë asaj pranvere të mallkuar, në një takim me lexuesit ku ishte e ftuar edhe Flutura Açka

duke shkëmbyer trishtimin e asaj që po ndodhte mes shqiptarëve në Shtetin amë.

Ka një poezi Azem Shkrel ku shkruan:

 

Sonte

qava sonte për ty
Arbëri

Nuk më vjen turp
pse qava
më vjen turp pse s’munda
të bëj tjeter

Nga turpi qava.

 

Me plagë në shpirt do të ishte edhe Vehbi Skënderi ato ditë të fundshekullit XX, kur ngjante se fati i shqiptarëve ishte i pafat,

Vehbi Skënderi që e kishte vuajtur gjithë jetën braktisjen që iu bë Kosovës,

kishte frikë se mos historia përsëritej

pasi më 1998 nga njëra anë shqiptarët luftoheshin midis veti,

nga ana tjetër Milosheviçi përgatitej t’i çrrënjoste në Kosovë.

Prandaj do të shkruante:

 

“Nga ferri dole Ti, Kosovë! Lart na ngrite
Ti më e mira nënë, në Altarët e këtij Tempulli.
Thua prap po të lemë në tym, pa fije drite:
Në këtë mbarim dite e këtë mbarim Shekulli?”

 

Janë ca kohë që rrezikohen të bien nën dominimin e fataliteteve.

Dhe që dalin prej zonës të predestinuar, vetëm kur e merr fjalën fuqia supreme.

Poetët janë njerëzit më të afërt të Zotit, sepse e kanë ndërgjegjen të kulluar,

këtu dallohet poeti nga turmat dhe amatorët –

por “Zoti është poeti perfekt” thotë Robert Browning një nga poetët më të shquar të periudhës viktoriane.

*******

Sot 23 vjet larg asaj date, dua të kujtoj se komuniteti shqiptar asaj kohe kishte një organizim të mbështetur në vlerat e kulturës dhe të patriotizmit.

Ishte ky komunitet që paguante 3 %, që kishte startuar  me LAPSH-in, hapjen e Shkollës Shqipe për mësimin e gjuhës amtare,

ishte ky komunitet që mbështeti si rrallëkush liderin europianist Ibrahim Rugova,

ishte po ky komunitet nga rradhët e të cilit dolën strategët e UÇK-së si Agim Ramadani me shokë.

Komuniteti shqiptar në Zvicër mbante një peshë të madhe, peshën e maleve, me njerëzit më të mirë, ku të gjithë sakrifikonin për idealet Perëndimore, kulturë e edukim.

Sot mjerisht ky komunitet është më i përçarë se kurrë,

faktori politik e ka defaktorizuar, duke promovuar antivlerën, interesin ndaj fitimeve pa meritokraci, një copy paste sikur ndodh në Shqipëri dhe Kosovë.

Shqiptarët kanë përjetuar diktaturën, pushtimin dhe tash shtetin e kapur prej krimit dhe korrupsionit.

Nga dy fatalitetet e para është çliruar,

padyshim që do të çlirohet edhe nga fataliteti i tretë, sepse shqiptarët meritojnë të fitojnë dinjitetin e mohuar si nga diktatet e konjukturave të historisë,

edhe nga diktati i një kaste politike të degraduar nga abuzimi

që ua ka humbur e çuar kohën dëm shqiptarëve.

Shqiptarët kanë tejkaluar rreziqe në dukje të patejkalueshme.

Albert Camus, një fuqi e jashtëzakonshme e mendjes njerëzore shkruan:

“Në mes të dimrit

unë më në fund zbulova

se brënda meje ishte

një verë e sigurt, e paprekëshme”.

 

 

Artistja e mirënjohur Shenida Bilalli: MIQ TE DASHUR KY TEKST ESHTE KEQPERDORUR NE REVISTEN HIADA E SAPO KRIJUAR NE ZVICER NGA SHQIPTARET QE NUK RESPEKTOJNË TË DREJTAT E AUTORËVE

Artistja Shenida Bilalli, regjisore dhe gazetare e mirënjohur me veprimtari në Kroaci është edhe botuesja prej 17 vitesh e Revistës shumë të suksesëshme e me format europian ILIRIA e cila në rrjetin social shpreh indinjatën e thellë se një ekskluziv i botuar prej saj në vitin 2007 është keqpërdorur nga revista HIADA e posakrijuar në Zvicër.

“MIQ TE DASHUR”, shkruan që në titull Shenida Bilalli në rrjetin social, ” KY TEKST ESHTE KEQPERDORUR NE REVISTEN HIADA E SAPO KRIJUAR NE ZVICER NGA SHQIPTARET QE NUK RESPEKTOJNË DREJTAT E AUTORVE”

Më poshtë po sjellim të plotë tekstin e botuar të zonjës Shenida Bilalli në rrjetin social:

“Shume jam krenare qe revista jonë Iliria ne vitin 2007 botoi e para dhe vetmja lajmin ekskluziv per operat kushtuar Skënderbeut.

Ndër opera te shumta te kompozitorëve botëror te kushtuar heroit tonë kombetar Skenderbeut ishte edhe opera e pare komozitorit te mirënjohur italian Antonio Lucio Vivaldi i cili ishte fashinuar me trimrin e Skenderbeut ia kushtoi dhe e kompozoi këtë diku, në fillim të viteve 1700 .

Ishte një vepër me një histori të ndërlikuar. Ajo nuk qëndroi gjatë në skenë e prej atëherë e derime tani ka mbërritur e cunguar. Një pjesë e Operes ka humbur dhe kanë mbetur vetëm katër arie dhe dy recitime (rreth 60 faqe të ruajtura)..

Ate lajm ma dha vetë ilirologu i mirënjohur Prof. Dr. Aleksander Stipcevic ne vitin 2007, i cili erdhi në redaksinë e Ilirisë dhe më tha:

“Iliria eshte revistë shkencore cila ruan vlerat tona kombetare dhe trashëgiminë tonë per ate do te jepë nje lajm ineresant te cilin gjeti djali ime Ennio, dhe askund nuk eshte botuar deri me tani. Do të jetë lajm ekskluziv për ty sepse e di që ti e plason plason lajmin mire dhe per ate, me terë qenien te përkrahi per revisten Iliria dhe punën tande zonja Shenida Bilalli, qe punon, studion, hulumton per iliret, Mbretreshen Teutë, trashigiminë kulturor dhe shqipetarët ne pergjithësi. Te lumte. Te falenderoj, ishin fjalët e Profesorit të shquar.”

Mora informata per Operen Vivaldit te kushtuar Skenderbeut dhe fillova te hulumtoj, pastaj shpejta shkrova nje tekst per revistën ILIRIA nr. 2 botuar ne janar 2007.

Vepra e Vivaldit u shfaq për herë të parë më 22 Qershor të vitit 1718, me rastin e hapjes së Teatrit të Firences di via della Pergola. Ky institucion i rëndësishëm, vepronte prej vitit 1657 me emrin Teatro dell Academia degli Immobili, ishte i njohur si vendi hapur për ata që vinin nga Venediku si vatra e krijimtarisë operistike italiane nga shekulli XVII.

Një studim të hollësishëm (viteve ´80) rreth operes, ka berë djali i Prof. Dr Aleksander Stipčevićit muzikologu i njohur kroat Ennio Stipçeviç, i cili zbuloi dhe dha gjithë atmosferën në kohën e krijimit të kësaj vepre dhe ngritjen e saj , pse u nuk u vu më në skenë, pas një sezoni të vetëm që u shfaq.

Kur botova revisten nje dite ne redaksi trokiti dikush ne derë dhe me nje buzqeshje me tha: “Meriton te të perqafoj dhe te uroj per punen e kryer. JE E FJALES TEUTA, e vertetë,bravo revista ILIRIA do të hyjë ne histori me ketë tekst, sepse jeni të parët që e keni botuar per Operen e Skenderbeut qe krijoi Vivaldi

At dite isha shumë e knaqur qe plotesova deshiren Profesorit jashtezakonisht modest po i madh me vepora. Se bashku u fotografum ku Profesori me tha: ” Ke perkrahjen time deri sa jam gjallë. Vetem vazhdo Teuta,nuk e ke rrugen e lehtë. Por ti do te fitosh.”

Këtu e përfundon Shenida Bilalli statusin e saj.

 

Ganimete (Jakupi) Demiri: Ta ruajmë gjuhën shqipe më fanatizëm, mos të lejojmë që fëmijët tanë të asimilohen Nga Nexhmije Mehmetaj

Ganimete (Jakupi) Demiri është një mësuese e pasionuar e shqipes në Monthey në kantonin Valis, një organizatore e mirë pranë LAPSH-ës “Naim Frashëri” në Zvicër. Nuk e njihja. Por, lexova shkrimet e saj në gazetë. Kaq është pak për të trokitur e hyrë “me ndrojtje” në portën e jetës së njeriut… dje e mora në telefon, bisedë të cilën do ta jap në mënyrë klasike të pyetje përgjigjeve.

Ganimete (Jakupi) Demiri ku i ka rrënjët e të parëve?
Ganimete (Jakupi) Demiri: Kam lindur në Gjilanin e bukur. Kam jetuar në fshatin Sllatinë e Epërme, Viti. Në Zvicër jetoj nga viti 2015, e martuar dhe kam tre fëmijë. Vij nga një familje atdhetare duke filluar nga gjyshi Murtez Jakupi, atdhetar i njohur i çështjes kombëtare. Babai (Ibrahimi) i diplomuar jurist, ka qenë njëri ndër profesorët e parë në Viti.

Çfarë keni mbaruar – studiuar në atdhe ?
Ganimete (Jakupi) Demiri:Shkollën fillore e kam mbaruar në fshat ku kam jetuar, të mesmen në Ferizaj, dhe studimet i kam kryer në degën “Edukim dhe mësuesi – programi fillor” në Universitetin AAB.
Që nga fëmijëria kam marrë pjesë nëpër aktivitete të ndryshme të shkollës, si gara diturie ashtu edhe sportive. Kam qenë e përfshirë çdoherë në aktivitete rinore në qytetin e Ferizajt, në aktivitete që janë lidhur me bibliotekën e qytetit dhe studentore. Në Kosovë kam punuar pothuajse 6 vite në arsim, në qytetet e Ferizajt dhe Viti-së me rrethinë.

Cili është pasioni juaj?
Ganimete (Jakupi) Demiri: Shkruaj poezi, prozë, shkrime të ndryshme edhe tani shkruaj për gazeta, revista të ndryshme, kjo është pasioni im, bëj tema që mua më pëlqejnë, kohëve të fundit “Qendra Kulturore Shqiptare Stuttgart”, më kishte përzgjedhur për t’i botuar disa nga poezitë e mija në mesin e mësuesve dhe poetëve në mërgim.

Çfarë kujtoni nga dita e parë e shkollës larg atdheut?
Ganimete (Jakupi) Demiri: Një ditë me plot emocione të përziera! Kisha nderin dhe u ndjeva shumë e privilegjuar që i kthehesha profesionit tim për të cilin kisha studiuar.

Cilat janë sfidat dhe problemet e juaja kryesore në punën tuaj si mësuese?
Ganimete (Jakupi) Demiri: Së pari duke filluar nga klasa p.sh. ne nuk mundemi t’i lëmë mjetet mësimore aty, çdoherë duhet t’i bartim me vete, kur punojmë diçka me nxënës aty s’kemi të drejtë për t’i vënë, pastaj shpeshherë n’ a nevojiten materiale shkollore për lëndët që i mësojmë, ne vetë duhet të financojmë, fëmijët kanë mosha të ndryshme dhe niveli i të të nxënit dallon, askush nga ne mësimdhënësit nuk jemi përgatitur për një lloj mësimi si ky dhe duhet një përkushtim maksimal.

Cili është mesazhi juaj për prindërit shqiptarë?
Ganimete (Jakupi) Demiri: Mesazhi im për prindërit shqiptarë është: Formimi i fëmijës të jetë i gjithanshëm. Duhet të keni shumë kujdes me fëmijët që po rriten këtu në mërgim, të flasin shqip me ta sepse kështu ruhet dhe zhvillohet gjuha.  Prindërit janë vizionarët, shembulli më i mirë, ata duhet t’i tregojnë atyre se vetë kur kanë qenë të ri çfarë kanë përjetuar në atdhe, se si kanë rrezikuar jetën e tyre për të mësuar shqip nëpër shtëpi private, duke u helmuar, keqtrajtuar, disa edhe janë vrarë, por asnjëherë nuk janë dorëzuar, synimi i tyre ka qenë të mësojnë shqip. Në diasporë asnjë shtet nuk i pengon për të mësuar gjuhën amtare, përkundrazi shumë shtete financojnë në këtë drejtim, sipas zbulimeve shkencore që janë bërë viteve të fundit është konstatuar se: Një fëmijë që zotëron gjuhën amtare e ka më lehtë të zotërojë gjuhët e tjera. Andaj ta ruajmë gjuhën tonë që është njëra ndër gjuhët më të vjetra në botë sa njerëzimi, ta ruajmë më fanatizëm e mos të lejojmë që fëmijët tanë të asimilohen, një ditë do të jetë vonë e mos të përkasim nga pasojat që vijnë në të ardhmen. Një fjalë e urtë thotë, “Një njeri që zotëron gjuhën e vetë vlen më tepër se ai që pushton një qytet”.

Cilat janë dëshirat tuaj në lidhje me Mësimin Plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër?
Ganimete (Jakupi) Demiri: LAPSH-i është duke bërë një punë të shkëlqyer me vite të tëra duke edukuar dhe arsimuar breza të rinj këtu. Dëshiroj që mësimin plotësues shqip të organizoi shteti Republika e Kosovës. Dhe Qeveria le ta ketë parasysh se sa investojnë mërgimtarët në vendlindje ja vlen një % të vogël të ndahet për shkollat shqipe kudo që janë në botë.

 


Delemont, 27.11. 2020 Nexhmije Mehmetaj

URIME NË DITËN E 28 NËNTORIT- FESTA E FLAMURIT Nga Nexhmije Mehmetaj

Shkolla si vatër e mësimit ka detyrë parësore edukimin e nxënësve me ndenjën kombëtare. Sa luftë edhe sakrifica janë dashur nga populli ynë që të fitonte lirinë edhe pavarësinë. Sa e rëndësishme është që fëmijët tanë të dinë historinë e Shqipërisë. Të gjithë fëmijët tanë duhet të njohin që populli shqiptar ka luftuar po me aq heroizëm dhe vetëmohim sa edhe popujt tjerë. Gjithashtu populli shqiptar ka ruajtur dhe ruan vlera të vyera në gjirin e tij siç janë figura e ndritur e Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza që na bëjnë krenarë me emrat dhe veprat e tyre.

E premtja e 27. 11. 2020 ishte një ditë akoma më e gëzuar për nxënësit Shkollës Shqipe në Jura, zgjodhëm mjediset e shkollës, klasën e bukur për të festuar tok, 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit, festën e përbashkët të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Në të nuk kishte pjesëmarrje të prindërve, për vetëm nxënësit e një klase.

Flamuri me fushën e kuqe e shqiponjën dy krenare në mes është simboli më i shenjtë për çdo shqiptar dhe shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Pjesë e pandarë e flamurit është Himni i Tij, shkruar me aq ndjenjë e atdhetarizëm nga poeti i madh i Rilindjes sonë Kombëtare Asdreni. Himni i Flamurit merr vlera emocionale veçanërisht në ditët e shënuara si Festa e Flamuri.

Nxënësit dhe nxënëset e grupit të parë si më të rritur të gjithë kënduan së bashku me dashuri e respekt kënduan Himnin e Flamurit tonë Kombëtar.

Vallja e shkronjave na shoqëroi në një atmosferë shumë të ngrohtë.

Elona e hapi programin duke lexuar hartimin për kohën e Motit të madh në historinë tonë kombëtare, kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu më 28 Nëntor 1443 ngrit flamurin e lirisë mbi kështjellën e Krujës legjendare dhe shpalli pavarësinë e Arbërisë – Shqipërisë.

Pason Genti me një përshkrim për 28 Nëntorin 1912 kur Shqipëria u shpall shtet i lirë e pavarur.

Nxënësit e grupit të mesëm lexuan sipas roleve pjesë nga mësimi “Viti kuq e zi” të shkrimtarit Agim Shehu.

“Ismail Qemali: ( I menduar ledhaton flamurin). Ta vëmë në Kabinet, mbi ballin e Skënderbeut. Ka gati 500 vjet që Ai e pret.

Luigj Gurakuqi: Zotëri Ismail, kurrë s’ju kam parë kaq të gëzuar.

Ismail Qemali:Gëzimi i Flamurit , Luigj! Më në fund e fituam. Ëndërra jonë! Liria dhe nderi ynë!

Isa Boletini: ( ledhaton flamurin) Sa të kena andërru! Sa shumë vjet kemi luftu për flamur. Të lumtë dora, Ismail Qemal!

Marigoja: ( e ndrojtur) Mirëdita!

Ismail Qemali: Marigo, flamurtarja ime!

Marigoja: Jemi në shtëpi të Vlorinës. Vajzat po qëndisin flamurë.

Luigj Gurakuqi: Si ju shkon mësimi i shqipes?

Marigoja:Duam edhe abetare të tjera për shoqet që vijnë.

Luigj Gurakuqi: Të paçim për jetë o shkollë shqipe!

Ismail Qemali: ( i qeshur) Shqiptarët kurrë nuk u ndanë nga gjuha shqipe. Kjo gjuhë ka ruajtur emrin Shqipëri dhe shqiptar.

Luigj Gurakuqi: Shqiptarët janë të gëzuar se sot janë të lirë!

Isa Buletini:Kur e shoh se flamuri po valëvitet, më duket se u ngjallë Skënderbeu.

Ismail Qemali: Shqipëria u shpall shtet i lirë.

Marigoja: ( Jep një letër Ismail Qemalit ) Ja disa telegrame të atdhetarëve nga: Amerika, Egjipti, Londra, Zvicra, Kosova, Çamëria.

Ismail Qemali: ( hap letrën lexon) Ismal Qemali, ju përgëzoj për veprën tuaj madhështore. Të gjithë shqiptarët janë të gëzuar për rilindjen e mëmëdheut tonë të lashtë. Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptarë i lirë e i bashkuar! Rroftë 28 nëntori!

Isa Buletini: ( Hynë i shqetësuar ) Ku është Ismail Qemali? More vesh ç’bëri Londra.

Ismail Qemali: (Ngre sytë) Këtë e mora vesh. Po na copëtojnë vendin.

Isa Buletini: Kosova dhe Çamëria janë në ditë të zezë. Diçka duhet bërë.

Ismail Qemali: Atëherë më duhet të shkoj në Londër, për kombin tim. (Pas pak) Do të nisem bashkë me ty!”
……………………………
Zëri i gëzueshëm i nxënësve të vegjël oshtinte me këngën “ E dua Shqipërinë”! Ndërsa në fund zgjodhëm vizatimin e “Flamurit” më të mirë të nxënëses së parë Eliza Lekaj.

Nxënësit dhe nxënëset plot entuziazëm, recituan, kënduan e treguan sa mirë është kur bashkohesh nën tingujt e gjuhës amtare.

Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme që u ndodhëm në ketë mjedis mësimor të bashkëpunimit të frytshëm, plot dije, sinqeritet dhe dashuri për gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare.

Fëmijët tanë edhe pse të lindur larg atdheut nëpërmjet veprimtarive të larmishme atdhetare, ata njohin dhe vlerësojnë kulturën e tyre kombëtare.

Delemont, 28. 11. 2020 Nexhmije Mehmetaj

Raporti i Dick Marty-it – Parlamenti i Shqipërisë, Edi Rama, Pacolli & Company Nga Elida Buçpapaj

Sapo Ignazio Cassis, Këshilltari Federal dhe Nr.1 i Politikës të Jashtme të Konfederatës Helvetike la aeroportin Nënë Tereza të Tiranës pas një vizite zyrtare të suksesëshme për kremtimin “live” të 50 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Zvicrës dhe Shqipërisë, pasi sot për shkak të pandemisë një pjesë e mirë e takimeve bilateriale apo konferencave ndërkombëtare bëhen me video, Parlamenti i Shqipërisë miratoi kërkesën e mazhorancës dmth të Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor, që do të hetojë raportin e senatorit zviceran Dick Marty.

Shprehur troç, dora vetë kryeministri i Shqipërisë, përmes shërbëtorit të tij të bindur Taulant Balla, vuri në lëvizje një nga instumentat e omnipushtetit të tij, sikur është Parlamenti i Shqipërisë, që drejtohet nga “mentori”dhe “bodyguardi” i tij Gramoz Ruçi, ish Ministri i Brendshëm i kohës së diktaturës.

Prej kur opozita është larguar nga Kuvendi i Shqipërisë, de facto e de jure Shqipëria është nën qeverisjen e një njeriu të vetëm.

Raporti i Dick Marty-t u rikthye temë e ditës pas arrestimit nga Gjykata Speciale e ish-zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës nën akuzën për krime kundër njerëzimit.

Kryeministri i Shqipërisë, me profesion mësues vizatimi, që kur u përfol se Hashim Thaçin me shokë i priste Gjykata Speciale, ka instrumentalizuar një fushatë kundër këtij institucioni me pretendimin se “kjo gjykatë është ngritur kundër luftës të drejtë të popullit të Kosovës dhe UÇK-së”. Paralelisht edhe nëpër televizionet shqipfolëse propagandohet e njëjta gjë sikur Gjykata Speciale është kundër UÇK-së.

Kryeministri Edi Rama po pērdor edhe Parlamentin e Shqipërisë për “të hetuar raportin hetues të Dick Marty-it”.

Fillimisht në 2011 kur doli në dritë, raporti i Dick Marty-t krijoi hutim. Edhe autorja e këtij shkrimi iu kundërvu Senatorit zviceran për faktin se asaj kohe në raport për shkak të kufizimit të hetimit përmendeshin vetëm viktimat serbe dhe askund vrasja nga makineria kriminale Milosheviçit e civilëve shqiptarë.

Por Shqipëria dhe Kosova do të duhej ta merrnin seriozisht Raportin e Dick Marty-t, për faktin se asnjëherë institucionet e drejtësisë nën ndikimin e politikës së inkriminuar nuk kanë hetuar mbi vrasjet e shqiptarëve të ndodhura prej 1998 në territorin e Republikës të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Nëse “Shtëpia e Verdhë” në një fshat të humbur ngjante si fantazi për triller, po vrasjet ?

Kush e vrau ish Ministrin e Mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqin në mes të Tiranës në shtatorin e 1998? Kush e vrau Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn? Po vrasjet në kufi kush i ekzekutoi? Po vrasjet e ish Komandantëve në Kosovë, po të kundërshtarëve politikë të krahut të luftës, po të gazetarëve?

Duke kërkuar hetim mbi Raportin e Dick Marty-t, Edi Rama instrumentalizon Parlamentin e Shqipërisë për të krijuar mjergull, ndërkohë kur i gjithë sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i paralizuar.

Raporti i Dick Marty-t daton janarin e vitit 2011. Po të funksiononte, drejtësia në Shqipëri e Kosovë me ndihmën dhe asistencën e institucioneve të drejtësisë kishin patur boll kohë për ta zbardhur të vërtetë. Gjë që nuk e kanë bërë. Veç janë marrë me anatemimin e Dick Marty-t.

Tani një dekadë pas i rikthehen prapë senatorit nga Tiçino.

Në krah të Edi Ramës është vënë edhe Behxhet Pacolli, i cili disa ditë më parë se Parlamenti i Shqipërisë të miratonte Komisionin e Posaçëm hetimor i ishte drejtuar nëpërmjet një letre kryeministrit të Shqipërisë ku i kërkonte që ky “të drejtojë një përpjekje të gjerë kombëtare për të kundërshtuar në mënyrë diplomatike raportin Dick Marty”. Edhe Behxhet Pacolli i bie të njëjtës buri. Ai shkruan në rrjetin social se, sipas tij, “Raporti Dick Marty ishte rezultat i një dezinformimi dhe fushate politike të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia për të sulmuar pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-në.”

Kush nuk e njeh biznezmenin multimilionar të përfshirë me një parti shumë të vogël tashmë në politikën e Kosovës merr plot info nga shtypi zviceran ku mëson se Behxhet Pacolli ka patur marrëdhënie shumë të mira si me Serbinë, ashtu edhe me Rusinë dhe ish republikat sovjetike. Shtypi zviceran kujton se Pacolli gjatë konfliktit Kosovë – Serbi, ka negociuar deri tek kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Milosheviçi. Po ashtu shtypi zviceran përmend akuzën e ngritur për pastrim parash më 1999 kundër Pacollit nga ish kryeprokurorja e Zvicrës Carla del Ponte. Në akuzë thuhej se Pacolli u kishte dhuruar karta krediti milionëshe vajzave të presidentit të atëhershëm të Rusisë Boris Yeltsin në këmbim të kontratave miliarda dollarëshe. Por në 2001 Prokuroria Federale e Konfederatës e arkivoi çështje “Rusiagate”, kështu quhej, për shkak se hetuesit zviceranë u bllokuan nga pala ruse. Shtypi zviceran shkruan se dosja Rusiagate u mbyll, por Pacolli nuk e heq dot prej qafës imazhin e keq.

Sa për senatorin Dick Marty, ai njihet si paladini i drejtësisë. Kush jeton në Zvicër e ka parë këto kohë kudo fotografinë e një vajze të vogël peruane nën tekstin “Ujë i ndotur” “Fëmijë e helmuar”, i përdorur si poster sensibilizues për inisiativën “biznes i përgjegjshëm” që votohet sot më 29 nëntor. Pikërisht, senatori Dicky Marty është bashkëkryetar i komitetit nismëtar të kësaj inisiative ku propozohet të shtohet një nen në Kushtetutën e Konfederatës i cili i detyron shumëkombëshet zvicerane dhe të huaja me seli në Zvicër dhe ato të kontrolluara prej tyre jashtë Zvicrës, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe standartet mjedisore. Është një inisiativë që merr në mbrojtje popullësitë e varfëra të vendeve në Amerikën e Jugut, Afrikë etj, cilat nuk kanë mundësi financiare të kërkojnë mbrojtje përballë shumëkombësheve tejet të fuqishme.

Dick Marty i laureuar si jurist u emërua në vitin 1975 në moshën 30 vjeçare prokuror i Kantonit të Tiçinos, ku u dallua në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës. Prej 1995 u zgjodh senator në Këshillin e Shteteve të Konfederatës si dhe në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Më 2005 është caktuar nga Këshilli i Europës të hetojë mbi dyshime rreth burgjeve sekrete të CIA-s në Europë, ndërsa më 2011, po në Këshillin e Europës, paraqiti raportin për trafikim organesh të të burgosurve serbë të vrarë nga njerëz të UÇK-së. Prej 1996 deri më 2007 ka qënë president i Turizmit Zvicër, i Fondacionit Zvicra e Skautizmi etj. Pra emri i Dick Martyt është një emër shumë emblematik në Zvicër.

Komuniteti shqiptar në Zvicër e ka patur gjithmonë këtu senatorin Dick Marty për të ndërtuar një komunikim korrekt, profesional dhe miqësor. Por mjerisht ky komunitet prej vdekjes të Rugovës dhe sidomos pas hypjes në pushtet të Hashim Thaçit me shokë, të gjithë ish emigrantë politikë të strehuar në Zvicër, është përçarë dhe përdorur si eskortë si nga kryepolitikanët e Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë.

Në intervistën që i kam marrë senatorit Dick Marty në Këshillin e Europës në janarin e 2011, pikërisht kur ky raport sapo doli, ai ishte shumë i qartë në pozicionin e tij në mbrojtje të drejtësisë dhe të etikës. Sot duket se janë të rrallë personalitetet si ai. Megjithëse pyetjet e mia ishin një lloj Hard Talk, ( po të ishte intervista sot do të isha më pak emotive dhe më shumë racionale) Dick Marty tha se “shqiptarët nuk janë të mirinformuar rreth raportit, ata që më shkruajnë, kur unë i sqaroj, më kërkojnë ndjesë”.

Në këtë intervistë senatori Dick Marty sqaroi se “Kryeprokurorja e Hagës Carla del Ponte ka deklaruar se Shqipëria nuk ishte dakord për të vazhduar hetimet, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Hagës nuk kishte kompetenca për territoret që nuk i përkisnin atyre të ish-Jugosllavisë, dhe se faktet lidheshin me periudhën pas konfliktit. Zonja Del Ponte ishte shokuar për faktin se askush nuk ishte i interesuar rreth këtyre të dhënave, që kishin të bënin me trafikimin e organeve.”

Në fund të intervistës Dick Marty tha: “Unë besoj se Shqipëria, qeveria shqiptare, shoqëria shqiptare do të kishte interes që të bënte të pamundurën për të zbuluar të vërtetën, për faktin se nëse në territorin shqiptar kanë ndodhur krime, kjo nuk do të thotë se ky është një krim i popullit shqiptar, është një krim i shoqërisë shqiptare. Në Zvicër ndodhin çdo ditë krime, por nga kjo nuk do të thotë aspak që shoqëria zvicerane është kriminale. Besoj se duhet të dilet nga kjo gjendje mendore, sipas të cilës kjo është një fyerje kundër vendit, kundër Shqipërisë.”

Mjerisht paranoja që vuri në dukje Dick Marty në atë intervistë pothuaj një dekadë më parë vijon, në përmasa më drastike, sepse njē dekadë më vonë trushplarja e udhëhequr nga kryekasta politike shqiptare në Kosovë e Shqipëri vazhdon bashkë me mediat që ata kanë nën urdhëra e nën kontroll.

Ndërkohë askush nuk i ka ndalur shqiptarët e Kosovës, por nuk e kanë bërë, të sensibilizojnë botën mbarë për krimet kundër njerëzimit të ekzekutuara nga makineria kriminale serbe. Askush, veç politikanët e korruptuar, e ka penguar shtetin e Kosovës, të ndërtojë një Yad Vashem kosovar. Amnezinë kombëtare e ka ushqyer Hashim Thaçi me tipa si Baton Haxhiu duke ua mbajtur iso Edi Rama, duke kërkuar deri amnesti të krimeve serbe.

Prej 1998 tek Raporti i Dick Marty-it në janarin e 2011 e deri sot 2020, drejtësia nuk ka funksionuar as në Shqipëri dhe as në Kosovë dhe krimet kanë mbetur të pazbardhura. Kjo bëri që Perëndimi t’i kërkojë Parlamentit të Kosovës të votojë Gjykatën Speciale me seli në Hagë, që para pak kohësh ka çuar përpara drejtësisë eksponentët më të lartë të shtetit të Kosovës.

Asnjëri prej nesh nuk mund të bëjë gjykatësin, por asnjëri prej nesh nuk mund t’ia ndalojë, pengojë apo shtrëmbërojë rrugën drejtësisë, sikur ka vepruar para disa ditësh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke inicuar hetime parlamentare ndaj Raportit të Senatorit Dick Marty!

Senatori Dick Marty ka një sentencë proverbiale që thotë: “Kërkohet kohë që drejtësia të vihet në vend, por unë jam optimist”.

U deshën mbi 20 vjet që drejtësia në Kosovë e Shqipëri të ishte robinjë e politikës, por po të pyesësh sot të afërmit e viktimave, ata janë optimistë dhe besojnë tek Gjykata Speciale.

I bëj thirrje Edi Ramës dhe gjithë atyre që dalin nëpër televizionet e Tiranës e Prishtinës kundër Gjykatës Speciale, të heqin dorë më në fund nga avokatura e djallit, të mos pengojnë drejtësinë e të mos i manipulojnë turmat sepse me veprimet e tyre, sikur ky i fundit për hetim ndaj hetimit të Raportit Dick Marty, kanë vetëm një funksion: janë autodiskretituese. Për Edi Ramën & Company…

Kush e financon portalin huligan “Lecanton27.ch” ?! Nga Elida Buçpapaj

Termin huligan e kam përdorur si metaforë, që mund të zëvendësohet edhe me sinonimet “rufian” apo “rrugaç”. Huliganizmi nuk është vetëm rrugaçëri tifozërish por edhe e gazetarisë së papërgjegjëshme që pengon dhe vështirëson ushtrimin e gazetarisë profesioniste.

Gazetaria nuk është krim, është pushteti i katërt në mbrojtje të lirive e të drejtave të njeriut dhe sistemit demokratik, prandaj mbështetja e shtypit të lirë dhe gazetarëve profesionistë është detyrë për të gjithë.

Gazetaria profesioniste sot po përballet edhe me një vështirësi tjetër sikur është fake gazetaria që ushtrohet nga jo profesionistë apo nga gazetarë sharlatanë e pa integritet.

Gjithashtu kastat politike dhe oligarkët në vende pa shtet të së drejtës si Shqipëria, Kosova zgjasin kthetrat deri në diasporë duke gratifikuar përçudnuesit e gazetarisë, si faktor komplementar të pushtetit të tyre, për t’i përdorur kur t’ju duhen.

Qytetarët kësisoj gjenden përballë edhe politikanëve të korruptuar, edhe  gazetarëve të korruptuar, të cilët, në vend që të jenë zëri i opinionit publik shpërdorin profesionin e tyre duke u kthyer në shërbëtorë të bindur të pushtetit.

Kur kanë filluar t’i shërbejnë politikës, ata kanë shkelur me këmbë parimet themelore që përbëjnë kodin e etikës gazetareske.

Një gazetar profesionist duhet të respektojë 1. Të vërtetën; 2. të jetë i pavarur dhe objektiv, 3.të jetë i ndershëm dhe korrekt; 4. i zellshëm, i papërtuar dhe humanist si dhe 5.të ushtrojë profesionin me përgjegjësi.

Përveç etikës profesionale gazetari duhet të dijë të shkruajë, pra ta ketë vokacion gazetarinë, të ketë edukimin adekuat, të jetë i kulturuar për të sendërtuar stilin gazetaresk, që sipas standartit anglosakson duhet t’ju japë përgjigje 5 pyetjeve që fillojnë me “W”dhe një pyetje që fillon me H – Pra gjashtë pyetjeve që janë: Who? – Kush ?; What ?- Çfarë ? When ? – Kur ? Where ?- Ku ? Why ?- Përse ? dhe How ? – Si.

Gazetari, po ashtu, duhet të shmangë çdo temë që mund të lidhet me interesin e tij, për përfitime personale, të shmangë, po ashtu, çdo lloj konflikti interesi. Gazetari e ka si obligim t’iu referohet burimeve me emra dhe adresa, për hir të transparencës për të shmangur çdo mundësi paqartësie apo mjergulle.

Dhe, së fundi, teksti përveç shtjellimit të temës gazetareske duhet të jetë i shkruar bukur, me stil interesant dhe me një gjuhë të saktë, pa gabime sintaksore, pa gabime gramatikore e drejtshkrimore, që lexuesi përveç informacionit të përfitojë edhe këndellje estetike.

Gazetaria online i ka hapur një horizont të pafund shtrirjes së shtypit të lirë, por horizont të pafund i ka hapur edhe portaleve abuzuese që shfaqen në rrjetin social si kërpudha helmuese, sepse çorodisin opinionin dhe e kthejnë në puppe të manipulimeve.

Sot opinioni publik është i përmbytur prej dezinformacionit dhe nën pushtetin e lajmeve që furnizojnë portalet abuzues.

Për të krijuar imunitet ndaj manipulimit, lexuesi duhet të orientohet nga disa elementë sigurie. Kur hyn në një portal të ri, së pari, lexuesi duhet të interesohet se cili është botuesi i portalit, të shohë cilët janë gazetarët dhe bashkëpunëtorët. Nëse lexuesi hyn dhe nuk gjen asnjë emër, atëhere duhet ta dijë se ndodhet përpara një portali manipulator. Të ikë menjëherë dhe të mos kthehet, që të mos bjerë në dorën e një spekulanti.

E bëra gjithë këtë hyrje si parantezë për të argumentuar titullin e këtij shkrimi.

 

Kush e financon portalin huligan “lecanton27.ch” ?

 

T’i thuash një portali apo njeriu “huligan” duhet të kesh arsye të forta.

E përdor këtë term, sepse shoh që ushtrohet vandalizëm në kodin dhe etikën e gazetarit, që do të thotë edhe kundër fjalës së lirë.

Kur e pashë për herë të parë në rrjetin social portalin me emrin “lecanton27.ch” – për kuriozitet, hyra në faqen e tij për të parë se kush e botonte, meqë botohej në Zvicër.

Në faqen e “lecanton27.ch” mungonte çdo e dhënë, nuk kishte as redaksi, as botues, as gazetarë, as emra, nuk kishte asgjë. Pra ishte në anonimitet të plotë. Kishte tek tuk ndonjë intervistë me të intervistuar por pa intervistues, pra, që në vështrimin e parë, shihje se ky portal ishte abuziv.

Përveç kësaj, portali startonte me një manipulim skandaloz për publikun, me një rrenë apo gënjeshtër të madhe.

Që në faqen e parë shkruhej se e kishte adresën e redaksisë në Qendrën Mediale “Medienzentrum” të Bundeshaus, dmth të Qeverisë së Zvicrës në Bernë. Për sqarim: në Medienzentrum japin konferenca për shtyp anëtarët e qeverisë ( Këshillit Federal), Parlamenti etj.etj. Ne si botues të voal.ch na bie rasti ta vizitojmë herë pas here këtë qendër dhe e dimë pak a shumë si funksionon.

Për të vërtetuar dyshimin, komunikova menjëherë me Medienzentrum dhe përgjigjia më erdhi po me shkrim. Në përgjigje thuhej midis të tjerave: “Ju keni kontaktuar me shefin e Qendrës Mediale – Medienzentrum të Këshillit Federal – Bundeshaus, në lidhje me faqen e internetit “lecanton27.ch”. Ju falenderojmë, që na sinjalizuat për adresën e “lecanton27.ch” në Qendrën Mediale (Medienzentrum) të Bundeshaus (Këshillit federal) që ishte dhënë në mënyrë të pasaktë si adresë postare. Ne nuk kemi asnjë gazetar të akredituar për këtë faqe në internet. Kështu, ne kërkuam që adresa e Qendrës Mediale të hiqet nga faqja e internetit” “le canton27.ch”.

Qendra Mediale e Këshillit Federal i kërkoi portalit “lecanton27.ch” ta ndryshonte adresën dhe adresa u ndryshua, por manipulimi mbeti. Manipulimin nuk e heq dot ndryshimi i adresës i bërë nga portali “lecanton27.ch” me kërkesë të Qendrës Mediale.

Lexuesit për transparencë po ia sjell dy adresat e portalit, adresën ku mashtronte publikun dhe adresën pas ndërhyrjes nga Qendra Mediale e Këshillit Federal.

Portali “lecanton27.ch” manipulonte ala grande, duke pretenduar se e kishte selinë aty ku e ka selinë qendra mediale e qeverisë zvicerane!

Mashtrim tjetër është pretendimi se kemi të bëjmë me një “gazetë zvicerane” – në fakt kemi të bëjmë me një portal shqiptar, që administrohet shumë keq nga një, supozoj, shqiptaro-zviceran, por që nuk përmbush as kriterin për të qënë gazetë, sepse gazeta botohet detyrimisht edhe në letër.

Diçka tjetër që bie në sy është keqshkrimi në çdo aspekt edhe si formulim, edhe si sintaksë shqipe, me përkthime të pasakta, pa drejtshkrim, pa profesionalizëm, një kakofoni dhe rrëmujë e vërtetë.

Ajo që më ra tjetër në sy ishte urimi me formulime arabisht i imamit të xhamisë shqiptare të Gjenevës Rijad Aliu bën nga “lecanton27.ch” për ditëlindjen e profetit Muhamet. Deontologia e shtypit të lirë në një shtet sekular, nuk justifikon praninë e imamëve në kontekse të tilla sepse portali nuk është fetar. Në faqen e xhamisë (/http://www.uais.ch/plani-mesimore/ ), në planin mësimor për edukatën islame në xhamitë shqiptare në Zvicër, përgatitur edhe nga Rijad Aliu  flitet për “vëllazëri muslimane pa marrë parasysh racën dhe gjuhën e myslimanëve të tjerë”, flitet për “rini muslimane”, por nuk flitet për rini shqiptare, për rini zvicerane, për rini europiane, nuk flitet asgjë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, pra sipas kësaj logjike identiteti është fetar dhe jo kombëtar.

Në fund dua të pyes, kush e financon këtë portal huligan, që manipulon, mashtron, që shkel shkel etikën e gazetarit, që abuzon me gjuhën shqipe, që eleminon transparencën e detyrueshme me publikun, me një papërgjegjshmëri amatorësh dhe injorantësh.

Të financosh mediume të tilla që shkelin standartet elementare të komunikimit do me thënë t’i shërbesh trushplarjes së opinionit publik, përmes manipulantëve që nuk njohin limite në abuzim, duke e varrosur shtatë pashë nën dhe gazetarinë profesioniste.

Thomas Jefferson thoshte se “Liria jonë varet nga liria e shtypit”, ndërsa Napoleon Bonaparti thosh se duhet t’i kesh frikën shtypit armiqësor më shumë se bajonetave në fushën e betejës. Do ta perifrazoja Napoleon Bonapartin edhe sa i përket shtypit manipulator se është po aq armiqësor, i rrezikshëm dhe në antitezë të plotë me funksionin që ka fjala e lirë, pra është robërues.

Adresa përpara

Adresa pas

 

 

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht ?! Nga Elida Buçpapaj

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u shfaq nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

(Ky opinion është botuar tel voal.ch më 22 Janar 2020, ribotimi u bë për arsye sensibilizimi sepse situata ka mbetur e njëjta)

https://www.voal.ch/a-duhet-te-na-shqetesoje-zbrazja-e-shkollave-shqipe-ne-zvicer-shtimi-i-femijeve-qe-frekuentojne-xhamite-e-mesojne-arabisht-nga-elida-bucpapaj/

 


Send this to a friend