VOAL

Please Wait...

KUR VENEDIKU PËRDORTE SHKODRËN SI IMAZH – Nga LUCIA NADIN

By | July 1, 2015

Komentet

VIRUSI PYET PO KET A E DINI “SA GZIM”… KUR DEPARTAMENTI I SH.B. A. DEKORON sIGURIMSA? – Pergatiti Fritz RADOVANI

              Ministria e Punëve të Brendshme Tiranë…

 

At GJERGJ FISHTA THRRET: ÇOHI, TË  DEKUN !

      Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,

N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!

     E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,

      Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,

      Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli

      Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore.

 –  Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë

      E nami i sajë per jetë u trashigoftë!

      Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri

      E porsi krandja e that n’ nji flakadâ,

      U shoftë me arë, me farë me mal me vrri

      Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me zâ,

      Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me uzdajë

   Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Sajë!

Melbourne, 7 Mars 2021.

Historia e panjohur e ish-ministrit të Drejtësisë, i cili nuk pranoi të çonte Kurorën e Skënderbeut në Romë

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e Vasil Avramit me origjinë nga qyteti i Korçës, ku babai i tij, Rafaeli që njihej si një pronar i madh tokash, e dërgoi të birin të studionte fillimisht në Athinë dhe më pas në Stamboll, ku ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë me rezultate të larta. Pas kësaj, ai u kthye në vendlindjen e tij në Korçë, ku në vitet 1917-1918, shërbeu si Kryetari i Bashkisë së qytetit dhe në 1925-ën, u zgjodh deputet i Parlamentit Shqiptar së bashku me Pandeli Evangjelin e Koço Kotën dhe deri në vitin 1939, ai mbajti edhe postin e Ministrit të Drejtësisë në disa kabinete qeveritare. E gjithë historia e ministrit Avramit, nga refuzimi për të marrë pjesë në delegacionin që dërgoi në Romë ‘Kurorën e Skënderbeut’ për Mbretin Viktor Emanueli i Tretë, te mospranimi nga ana e tij e ‘ofertës’ së Xhaferr Devës, për të marrë një post të lartë në qeverinë shqiptare nën pushtimin gjerman dhe burgosja nga regjimi komunist e persekutimi i familjes së tij.

“Pas 7 prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, babai im Vasil Avrami, dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Drejtësisë që kishte mbajtur për disa vite në kabinetin e Koço Kotës, dhe u kthye në Korçë duke u shprehur se s’kishte ndërmend të përzihej më me politikë. Disa ditë pas kësaj në shtëpinë tonë që ndodhej afër Mitropolisë, erdhën disa zyrtarë të asaj kohe dhe i thanë babait se ishte caktuar në delegacionin që do të shkonte në Itali, për të çuar Kurorën e Skënderbeut, Mbretit Viktor Emanueli i Tretë. Babai nuk pranoi dhe refuzoi në mënyrë kategorike që ta bënte këtë gjë. Kështu që italianët e arrestuan dhe pasi e mbajtën disa ditë në Korçë, e sollën në Tiranë ku qëndroi në arrest shtëpie”.

Kështu dëshmonte në një intervistë ekskluzive për Memorie.al, Keti Avrami (Hobdari, lidhur me historinë e babait të saj Vasilit, i cili pasi u diplomua për Jurisprudencë në Stamboll, u zgjodh Kryetari i Bashkisë së Korçës, deputet në Parlamentin Shqiptar të periudhës së Monarkisë dhe Ministër Drejtësie në qeverinë e kryesuar prej kryeministrit, Koço Kota. Lidhur me këto dhe fakte të tjera nga jeta e ish ministrit Avrami, na dëshmonte e bija e tij Keti, e cila së bashku me motrën e saj, Zhanetën, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, deri në vitin 1990, do të vuanin luftën e egër të klasave.

Deputet dhe Ministër i Drejtësisë

Nga viti 1925 e deri në vitin 1939, Vasil Avrami, shërbeu si deputet i Korçës në parlamentin shqiptar dhe dy herë u emërua nga mbreti Zog, në postin e Ministrit të Kulturës. Lidhur me këtë periudhë kohe, e bija Keti, dëshmon: “Aty nga fillimi i vitit 1931, babai ynë dha dorëheqjen nga Ministër i Drejtësisë, post, që e kishte marrë dy tre muaj më parë. Kjo gjë ndodhi pas disa debateve të ashpra që u bënë në parlament, ku ai kundërshtoi miratimin e një ligji, që kishte të bënte me posedimin e pronave.

Nga miratimi i atij ligji, përfitonin pa të drejtë disa latifondistë, si Lalë Krosi, Maliq Beu nga Korça, etj., për të cilët në atë kohë u tha që kishin nxitur dhe atë ligj. Ndërsa nga ana tjetër, humbisnin një numër i madh bujqish të varfër që jetonin në fshatrat e Korçës dhe Pogradecit, ku Vasili ishte deputet. Ndonëse babai e kundërshtoi deri në fund ligjin, ai u miratua me shumicë votash. Nisur nga kjo, babai dha dorëheqjen dhe nuk pranoi që të qëndronte më Ministër Drejtësie. Ndonëse atij i’u lut Mbreti Zog, duke i thënë: Vasil nuk jemi në Angli këtu, që të japësh dorëheqje për këtë arsye”.

Pas dorëheqjes babai erdhi në Korçë ku u mor me administrimin e pronave të familjes. Por pas pak kohësh, Zogu e thërret babain në Tiranë ku i thotë që të pranojë sërisht postin e tij të mëparshëm. Arsyeja që Zogu ia kërkoi këtë detyrë, ishte për një ngjarje që kishte ndodhur në 1931, kur im atë kishte qenë Ministër Drejtësie. Në atë kohë, një inxhinier gjerman kishte bërë një projekt për Ministrinë e Punëve Botore dhe ankohej se nuk kishte marrë pagesën për punën e bërë. Babai urdhëroi ngritjen e një gjyqi dhe pasi inxhinieri gjerman fitoi të drejtën e tij, ai shkroi një artikull në revistën, “Neue Zeitung” të titulluar, ‘Drejtësia Shqiptare’.

Në atë artikull, inxhinieri vlerësonte lart drejtësinë shqiptare, duke shprehur se nga Shqipëria duhet të merrnin shembull vendet e Ballkanit. Kjo gazetë i ra në dorë Mbretit Zog dhe ai e falenderoi babain tonë për gjestin që kishte kryer. Ndërsa Zogu i kërkoi që të rimerrte përsëri postin e Ministrit të Drejtësisë, Vasili i tha: “Madhëri, ne punojmë për ju dhe për përsosjen e Monarkisë dhe demokracisë në Shqipëri”, kujton Keti Avramik, duke shtuar se babai i saj qëndroi në politikë deri në vitin 1939, kur u largua përfundimisht nga politika pas pushtimit fashist të vendit, duke dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet dhe postet që mbante.

Arrestimi nga italianët

Lidhur me aktivitetin e Vasilit, gjatë periudhës së pushtimit fashist, Keti, kujtonte: “Pas dorëheqjes, babai erdhi në Korçë dhe filloi që të merrej me administrimin e pronave të familjes sonë. Në ditët e para të prillit 1939, në shtëpinë tonë erdhën disa politikanë të kohës dhe i thanë babait se ishte caktuar në delegacionin që do të çonte Kurorën e Skëndërbeut, Mbretit Viktor Emanuelit i Tretë në Romë. Babai e refuzoi në mënyrë kategorike këtë mision dhe pas kësaj, atë e arrestuan italianët, të cilët e mbajtën në arrest shtëpie në Tiranë.

Pas disa kohësh që babai qëndroi me roje i izoluar tek dera e shtëpisë, italianët urdhëruan lirimin e tij dhe ai u rikthye përsëri në Korçë. Pas kapitullimit të Italisë dhe ardhjes së gjermanëve, në shtëpinë tonë vjen Xhafer Deva, së bashku me një oficer gjerman dhe i luten babait tonë, që të merrte pjesë në qeverinë e regjencës. Por ai e refuzoi atë gjë me shumë qetësi, duke i’u thënë se kishte hequr dorë nga politika. Pas këtij fakti, Xhaferri dhe oficeri gjerman, filluan që t’i bënin presion, duke i thënë që në rast se nuk do pranonte, do t’i internonin familjen në Poloni. Atëherë babai u tha: Bëni ç’të doni me mua, por mos ma prekni familjen time, se ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për vendimet e mia’.

Ndonëse Deva dhe oficeri nazist i vazhdonin presionet ndaj familjes sonë, ndaj nesh, nuk u mor ndonjë masë. Gjatë viteve të pushtimit gjerman, babai nuk u mor me politikë, por vazhdoi administrimin e pronave, me të cilat ushqehej familja jonë”, kujtonte Keti Avrami.

Arrestimi nga komunistët

Lidhur me aktivitetin e Vasilit pas vitit 1944, Keti Avrami kujtonte: “Duke parë se babai ishte i papërlyer me politikë, komunistët në fillim nuk e ngacmuan, ndonëse e lanë pa punë. Nga viti 1945 e deri në 1950-ën, babai u mor sërisht me ato pak prona që na kishin mbetur pa na sekuestruar. Ndërsa unë dhe motra ime Zhaneta, erdhëm në Tiranë, ku jetuam me qera në një dhomë të vogël në rrugën “Luigj Gurakuqi”. Në marsin e vitit 1950, teksa babai kishte ardhur në Tiranë, për të na parë ne të dyjave, ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit.

Babai qëndroi një vit në hetuesi dhe ne nuk dinim asgjë për të, pasi mendonim se mund ta kishin pushkatuar, pasi në atë periudhë, ndodhën dhe ekzekutimet e intelektualëve në atë që njihet si ‘incidenti i bombës në ambasadën sovjetike’. Në krye të një viti, babanë e liruan dhe siç na tregonte ai, atë nuk e kishin keqtrajtuar, por vetëm i bënin presion psikologjik. Pak ditë pas lirimit, Vasilin e internuan në fshatrat Levan e Radostimë të Fierit dhe më pas në Kuç të Vlorës. Në kushtet tejet të vështira në internim, në vitin 1956, babai u sëmur rëndë dhe e çuan në spitalin e Vlorës, ku mbeti i paralizuar. Kur babai mbushi plot 5 vite në internim, atë e liruan dhe e sollën në shtëpinë tonë në Tiranë. Që nga ajo kohë dhe deri në 13 gusht të vitit 1962, kur ai u nda nga jeta, mamaja jonë Dhimitra, i’a bëri të gjitha shërbimet”, kujtonte e bija e tij, Keti, lidhur me vuajtjet dhe persekutimin e familjes së saj në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Historia e panjohur e Vasil Avramit, deputetit të Korçës

Vasili u lind në vitin 1890, në qytetin e Korçës, nga një familje me origjinë të hershme qytetare. Shtëpia e tyre ndodhej në rrugën “Thimi Mitko” afër Mitropolisë. Babai i tij quhej, Rafael Avrami, dhe njihej si një pronar i madh tokash. Ndonëse Rafaeli nuk u përzie me politikë, influenca e tij ishte e dukshme në Korçë, gjë që u shfrytëzua dhe nga politikanët e kohës. Në kujtimet e tij, Sejfi Vllamasi, midis të tjerash, shprehet se: “Themistokli Gëremenji, me taktikën e tij mundi të zgjedhë në këshillin qeveritar, persona me rëndësi si, Vasil Kondi, Dr. Noçka, Rafael Avrami, Vasillaq Singjelari, Thimi Cale, Jani Vangjeli, Qani Dishnica, etj.

Ndonëse Rafaeli nuk kishte shkollë të lartë, ai u kujdes që atë, t’ia plotësonte fëmijëve të tij. Dy djemtë e tij, Vasili dhe Sotiri, u shkolluan për Drejtësi, në Stamboll dhe Paris. Vasili, pasi mbaroi të mesmen në Korçë, shkoi në Athinë, ku kreu dhe gjimnazin klasik me rezultate të larta. Si rezultat i kësaj, ai fitoi të drejtën e studimit për Drejtësi në Stamboll, ku u diplomua në vitin 1915. Pas kësaj ai u kthye në qytetin e tij të lindjes, ku në vitet 1917-1918, shërbeu si Kryetari i Bashkisë së Korçës. Atë post e mbajti deri në vitin 1924, kur forcat fanoliste rrëzuan qeverinë e Shefqet Vërlacit.

Pas rikthimit të Zogut në pushtet në dhjetor të vitit 1924, Vasili si përkrahës i tij, u rikthye në Tiranë, ku kandidoi për deputet në zgjedhjet e vitit 1925, në qarkun e Korçës, ku familja e tij gëzonte ndikim të madh. Vasili, fitoi bindshëm ndaj rivalëve të tij dhe së bashku me Pandeli Evangjelin dhe Koço Kotën, hynë në parlament. Në po atë vit, ai u martua me Dhimitra Avramushin, që rridhte nga një familje emigrantësh në Kajro dhe nga kjo martesë, lindën dy vajzat Keti dhe Zhaneta.

Nga viti 1925 dhe deri në vitin 1939, ai ishte deputet I Parlamentit Shqiptar duke mbajtur dy herë postin e Ministrit të Drejtësisë, ku u shqua si politikan i pa korruptuar. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, ai dha dorëheqjen sepse nuk pranoi që të shkonte në delegacionin që do t’i dorëzonte Kurorën e Skëndërbeut, Mbretit Viktor Emanueli i Tretë. Edhe gjatë pushtimit gjerman, ai qëndroi neutral, duke mos marrë pjesë në qeverinë e regjencës. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ai në fillim nuk u ngacmua, por u morr me menaxhimin e pronave të tij. Në vitin 1950, ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe pasi u mbajt për një vit në hetuesi, lirohet në 1951-in. Pas kësaj, ai u internua për pesë vite në fshtrat e Myzeqesë dhe të rrethit të Vlorës, ku nga kushtet e këqija, u sëmur rëndë dhe u paralizua. Pas lirimit të tij nga internimi, atë e sollën në Tiranë, ku e shoqja e tij Dhimitra dhe dy vajzat, i shërbyen me shumë përkushtim deri sa ai ndërroj jetë në 13 gusht të vitit 1962./Memorie.al

Gazeta italiane (1938)- Rekomandimi i mbretit Zog për shqiptarët me rastin e festës së Pavarësisë

Burimi : Excelsior, e shtunë, 3 dhjetor 1938, f.8 – gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Mars 2021

“Il Popolo del Friuli” ka botuar, të martën e 29 nëntorit 1938, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me fjalimin e mbretit Zog të mbajtur me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Thirrja e mbretit Zog për të gjithë shqiptarët

Burimi : Il Popolo del Friuli, e martë, 29 nëntor 1938, f.6

Tiranë, 28 nëntor.

Në fjalimin e mbajtur në radio për përvjetorin e njëzetë (njëzet e gjashtë) të pavarësisë së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Mbreti Zog, pasi u drejtoi disa fjalë të shkurtra përshëndetëse të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, shtoi :

“Si udhëheqësi juaj më i lartë do të doja t’ju bëja një rekomandim : kudo që të jeni, shtrëngoni duart vëllazërisht, duke iu përkushtuar me vullnet të palodhur veprave të përparimit, sepse arritja e pavarësisë së atdheut nuk mjafton, por ne duhet të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet për të bashkuar të gjithë shqiptarët me qëllim konsolidimin dhe zhvillimin e lirisë.”

Edhe mbretëresha Geraldinë u drejtoi shqiptarëve disa fjalë të shkurtra urimesh. Më vonë një zyrtar i lartë i drejtorisë së postës dhe telegrafit përkujtoi në radio Guglielmo Marconin.

TERROR ME KOKËN E GJENERALIT ARIS VELIQUOTIS – Nga KOLEC P. TRABOINI

 

– Mizori ballkanase –

I shqetësuar nga lajmet e vrasjeve që po ndodhin në mes të shqiptareve, Ati i nderuar Foti Cici,  shtroi pyetjen se pse ndodhin kaq shumë vrasje mizore mes nesh dhe shtoi se kjo gjë nuk vihet re as ndër fqinjët tanë ballkanikë. Mirëpo, megjithëse edhe unë e dënoj këtë fatalitet mes nesh, siç ka bërë edhe im atë në Shkodër në gazetën “Bashkimi” të Ndoc Nikës që në vitin 1910;  “Palok Traboini: Vrasjet tona”  nuk më rezulton se vrasjet ndër shqiptarë janë shoqëruar me përçudnime mizore. Vrasjet ishin plagë  të rënda të një shoqëria të prapambetur, por nuk shpërthenin në mizori. Nuk jemi ne shqiptarët tipikët e barbarizmit primitiv, përkundrazi e kemi pësuar nga barbarizmi thuajse shtazarak i fqinjëve tanë. Dihen vrasjet masive të serbëve ndaj shqiptarëve, madje edhe ndër gra e fëmijë, duke i futur në varre të përbashkëta me qindra njerëz. Shpesh duke dëgjuar shprehjet makabre të gjeneralëve serb që u thonin ushtareve“shqiptarët therini me bajoneta të kursejmë plumbat”; pra jeta e një shqiptarit vlerësohej prej fqinjëve tanë ballkanikë më pak se vlera e një plumbi. Dhe nuk e kam fjalën këtu vetëm për një kohë të shkurtër, por përgjatë një shekulli. Janë dy dëshmi që gjykatat ndërkombëtare do të duhej ti kishin në evidenca si krime kundër njerëzimit shënimet nga fronti i  luftës në Ballkan i oficerit të ri Leon Trocki që ishte dëshmitar okular i krimeve serbe ndaj shqiptarëve, por më kryesor libri i Leo Freundlich: “Albania’s Golgotha: Indictment of the Exterminators of the Albanian People” 1913. Ka edhe personalitete të tjerë që kanë shkruar e shprehur indinjatën për vrasjet masive e masakrat ndaj shqiptarëve si Kosta Novaković, apo edhe se voni nga veprimtarja e të drejtave të njeriut serbja Natasha Kandiç, por përshkrimet e mizorive në historinë tragjike njëqindvjeçare zinin vend deri në gazetën “New York Times” që shkruante për masakra të padëgjuara në Europën e qytetruar. Edhe pse në luftë për të mbrojtur të drejtat e veta, shqiptarët kanë pasur si tipar dinjitetin e jo mizorin. Armikun e vriste, por kurrë nuk e përçudnonte. Edhe Kanuni e kushtëzonte marrësin e gjakut duke i kërkuar respekt për kufomën, kthimin e trupit me fytyrë nga qielli e kurrë të mos e linin përmbys, për më tepër asnjë lloj përçudnimi nuk ishte i pranueshëm, madje kjo konsiderohej e dënueshme nga pleqësia kanunore.

Është një fotografi që tregon se si ushtarët serb i hedhin benzinë në trup një të riu 16 vjeçar shqiptar dhe pastaj e djegin të gjallë. E ky barbarizëm në vitin 1999. Therjet me bajoneta ne bark te grave shtatëzanë dhe prerja e kokave të burrave duke i ngulur në hu ka qenë praktikë e zakonshme në masakrimet që u bënin shqiptarëve. Nuk gjeni asnjë shembull që shqiptarët ndaj serbëve të jenë sjellë aq mizorisht.Por le të kalojmë në jug. Mizorinë e fqinjëve të jugut e kemi ndjerë kur janë sulur në trojet tona si hordhi e egër. E kemi ndjerë ende pa u bërë shteti shqiptar. Vrasjen e Papa Kristo Negovanit dhe masakrimi i trupit të tij e të shqiptare të tjerë patriotë është fillimi i masakrave që do të vazhdonin gjysmë shekulli mbi shqiptarët. Kujtojmë priftin tjetër ortodoks, atdhetarin e madh At Stath Melani, të cilin e vranë në pusi dhe i prenë kokën, të cilën në një thes ja dërguar Dhespotit  të  Konicës në Greqi; të njëjtin fat pati edhe At Ballamaçi,  e helmuan Petro Nini Luarasi për ta futur në gropë të gëlqeres. Hormovë, e mjera Hormovë, fshat i kthyer në varrezë. Tërë burrat e fshatit përshkuar nga plumbat e ushtarëve grekë, në shtëpinë tonë, në vatrën tonë, në atdheun tonë, në Shqipërinë tonë martire,  e sot kërkojnë sot fqinjët e jugut ndërtojnë varreza për vrasësit, por jo për viktimat e tyre, shqiptarë e masakruar. A po çpersonalizohemi prej çmendurisë së bastardëve që na drejtojnë si aventurierë dhe i shesin interesat kombëtare.  Kësisoj veprimesh mizore nuk janë njohur ndër shqiptarë, madje grekët e ardhur që kanë jetuar në Shqipëri, kanë qenë në bashkëjetesë të harmonishme me shqiptarët vendas, pa ndjerë asnjë urrejtje nacionale. Shqiptarët nuk u sollën ta zëmë me dropullitët ashtu si grekët në Greqi u sollën me popullsinë e Çamërisë, ku u masakruan me mijëra shqiptarë.  Madje ka dëshmi që burrat i vrisnin në sy të grave e fëmijëve, gratë i përdhunonin, më pas i mbyllnin nëpër shtëpi bashkë me fëmijët dhe u vinin flakën duke i djegur të gjallë. Më thoni ndonjë grek minoritar, apo sllav minoritar ta kenë masakruar shqiptarët nga urrejtja nacionale. Jo nuk ka asnjë rast në histori. Por kush shqiptar ka pasur rastin të jetojë si emigrant në Greqi ka rastisur të dëgjojë histori tmerresh të pa shoqe. Le ti qasemi një rasti që tejkalon çdo logjikë njerëzore; një fermer grek vrau në mënyrë kriminale 4 të rinj shqiptarë që punonin tek ai. Ky tmerr ka ndodhur kur emigrantet shqiptarë i kërkuan hakun e punës, se donin të ktheheshin në vendlindje. Pronari grek i qëlloi me armë, i plagosi e më pas i sharroi të gjallë me sharrë elektrike. Kjo është një mizori që të kujton kohët më të errëta në historinë e njerëzimit. Pak a shumë e njëjta histori me dy emigrantë shqiptarë në Kretë, kur pronari për të mos i paguar paratë e punës një vjeçare, natën u mbylli nga jashtë derën e kasolles ku flinin dy shqiptarët dhe pasi i hodhi një bidon me benzinë, i dogji të gjallë. Dhe për këto raste shkruanin vetë gazetat greke. Ndoshta mund të thuhet se politika i shpëlan trush njerëzit që manipulohen me ide  raciste e urrejtje nacionale. Nuk besoj se kjo është vetëm manipulimi politik dominues i akteve të tilla, megjithëse ndikon e motivon mjaftueshëm. Ka të bëjë me vetë njeriun, kulturën e dijen, mentalitetin, egërsinë e mjedisit ku është rritur dhe pastaj mishërohet në egërsinë që i buron nga shpirti katran, sepse këto ndodhi janë jo vetëm ndaj njerëzve me kombësi tjetër, por edhe brenda të njëjtës bashkësi. Dua të sjell në kujtesë një rast unik i mizorisë historike që ka dalë në pah për publikun vetëm vitet e fundit. Aris Veluqioti, gjenerali EAM-it, luftëtar i madh për çlirimin e Greqisë nga pushtimi nazist, i dorëzoi armët e ushtrisë se vet për të realizuar kështu fundin e luftës që sipas Marrëveshjes së Varkizës, një fshat ky afër Athinës, Greqia të hynte në një periudhe paqeje sociale në kuadrin e një shteti demokratik. Të djathtët e prishën marrëveshjen në pabesi në bashkëpunim të fshehtë me ushtarakët britanikët (në Shqipëri e prishen Mukjen të majtët).  Luftëtarët e EAM-it që kishin dorëzuar armët u vranë në gjumë në kazerma, me mijëra djem e vajza të rinj. Pas kësaj masakre të përgjakshme disa pak besnikë të Gjeneralit Aris Veluqioti që arritën të shpëtonin, morën malet. Të ndjekur këmba këmbës nga formacionet e së djathtës dhe britanikët,  u shpërndanë grupe-grupe për të arritur të mbijetonin. Gjeneral Aris Veluqioti, ky luftëtari i madh,  i mbetur me pak besnikë, mendohet se vrau veten ose ndonjë predhe murtaje e copëtoi. Trupat e djathta greke e gjetën trupin e copëtuar, i prenë kokën dhe e varen me tela në qendrën Trikalles.  E ashtu ndenji mjaft kohë. E fotografuan kokën e Veluqiotit dhe agjutantit të tij  besnik Xhavella (duhet të jetë shqiptar i Greqisë nga Xhavellat e Sulit)  dhe këto foto i mbajtën të fshehur afro 40 vjet. Atë foto e kam nxjerrë nga një film dokumentar grek për fundin tragjik të gjeneralit Aris Veliqioti. Luftëra djathtas majtas janë bërë edhe në Shqipëri, por koka të prera kundërshtarësh politike të varura në mes të qyteteve nuk janë parë. Kjo nuk motivon asnjërën palë për krimet që janë bërë, por të paktën na lehtëson në kuptimin se mizoria e urrejtja deri në shtazëri nuk është tipar i bashkëkombësve tanë, as ndaj njeri-tjetrit dhe as ndaj të huajve. Komunizmi në Shqipëri ka bërë krime të mëdha, madje edhe vrasja masive nga krimineli Mehmet Shehu si në Lushnjë më 1943,  vetë Enver Hoxha ka qenë një njeri me shpirt xhelati,  por edhe në vendet fqinjë që kanë pas sisteme krejt të kundërta, mizoria e barbarizmi nuk ka qenë të pakët, por po aq mizore. Prandaj të mos vetnjollosemi duke thënë vetëm ne,  sepse ekseset në jetën shoqërore ku përfshihen edhe krimet,  nuk përbëjnë tiparin themelor për një kombësi.

5 mars 2021

Tri letra të panjohura të poetit Manush Peshkëpia – Nga Uran Butka

Pikërisht ditën e 26 shkurtit 2021, të premten, pra, ditën e përvjetorit të 70-të të pushkatimit të poetit Manush Peshkëpia më 26 shkurt 1951, zbulova në Arkivin e Shtetit tri letra të panjohura të tij, që mbajnë datat 30 qershor 1944, 31 korrik 1944 dhe 17 gusht 1944, Fondi 54, dosja 67 dhe që i drejtohen Sotir Kolesë, atdhetarit dhe dijetarit të shquar.
Ishte rastësi, apo një zë i paplotësuar, i paqetë, që nuk rreshti së trokituri tek unë pikërisht atë ditë?
Zërat e pavdirë, që vijnë nga e kaluara dhe që përbëjnë nënkrësën tonë, duhet të jemi të aftë t’i kapim, t’i dëgjojmë dhe t’i ndjejmë, për të kuptuar rrënjët tona.
Zëri i Manush Peshkopisë na vjen sot përmes tri letrave tejet interesante, në të cilat autori shfaqet në fushë të kulturës shqiptare e më gjerë si një hulumtues, njohës dhe kritik i poetikës shqiptare në përgjithësi dhe poetikës së Çajupit në veçanti.
Manushi ishte edhe vetë një poet i ndjerë, përkthyes dhe studiues.
I rritur në një mjedis familjar e shoqëror nacionalist dhe të kulturuar, në mes të librave dhe njerëzve të ditur, Manush Peshkëpia u afirmua si një personalitet fuqishëm atdhetar, por edhe si krijues. Rrugës së krijimtarisë letrare ai i ishte futur aty nga fundi i viteve ’20-të dhe u shqua në vitet ’30-40 për krijimet poetike, por edhe për përkthimet nga frëngjishtja, italishtja dhe anglishtja. Gjithashtu, u bë i njohur sidomos në rubrikën e ndërtuar bashkë me Mid’hat Frashërin “Të huajt për ne, ne për të huajt”.
Bashkëpunimi me Midhat Frashërin ka qenë i frutshëm në fushën e kulturës, por edhe të idealit të përbashkët kombëtar. Po kështu edhe komunikimi me vëllain e vet nacionalist Nexhat Peshkëpinë, Vedat Kokonën, Mitrush Kutelin etj
Në esenë “Poemi i Shëndaumit” të Mitrush Kutelit, transmetuar më 19.04.1944 nga M.Peshkëpia në Radio Tirana, ku drejtonte emisionin letrar, ai tërhoqi vëmendjen e opinionit publik për një “shqiptar të
ri me vlerë dhe intelektual në kuptimin më të gjerë të fjalës”, për talentin e letrave shqipe, Mitrush Kutelin.
Poezitë e M.Peshkopisë shfaqeshin tek revistat me prestizicioze të kohës, sidomos tek “Përpjekja shqiptare “ e Branko Merxhanit, krahas krijuesve te poetëve të viteve tridhjetë, si Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci, Arshi Pipa etj.
Me këtë rast po japim per lexuesin poezinë lirike te njëzetvjeçarit Manush Peshkëpia titulluar ”Shpirt’i ri”, botuar në revistën “Përpjekja shqiptare”:
Nëndë muaj n’errësirë
Nëndë muaj krejt i mpirë
E zë mall’ i përvëluar.
shpirt’ i ri posa gatuar
N’errësirë s’duron dot,
Do të vijë në këtë botë
Të shoh’ dritën e kulluar.
Shpirt’ i ri posa gatuar
Lindi, ra në botën t’onë,
Po – i shkreti shpirt’ i njomë
Zu të qaj’, oh, i penduar!
Është shpirti i ri, i sapo gatuar, i Manushit dhe i brezit të ri përparimtar të asaj kohe, që ëndërronin për një botë të re, që digjeshin për një dritë të kulluar, por që ranë një botë të vrazhdë e të trishtë, zhgënjyese. “Revista letrare” shkruante atëbotë: ”Doli nga shtypi libri i M.P., por nuk gjindet asnjë kopje e këtij botimi”. I zhgënjyer autori që s’pa as dritën e botimit!
Manushi spikati më së shumti si poet i vetvetishëm dhe i ndjerë. Atë e ka çmuar veçanërisht albanologu gjerman Maksimilian Lambertz, njohës i mirë i gjuhës, letërsisë historisë shqiptare, i cili në botimin “Antologjia e letërsisë shqiptare” (Albanishes Lesebuch, Leipsig, 1948) e përshiu edhe poetin Manush Peshkëpia, duke botuar edhe dy vjersha të tij “Nënës” dhe “Flokëverdhës”.
Shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Vedat Kokona është shprehur kështu për mikun, poetin dhe njeriun Manush Peshkëpia:
“…Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj, ishe dhe ti, Manush. Askush nuk të ka njohur sa të kam njohur unë, si vëllai yt, gjashtëdhjetë vjet më parë, atëherë kur ti dhe unë gicilonim muzën dhe këndonim pranë burimit të Hipokrenit. Si duket,
Polimnia s’na deshi shumë dhe na la… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri. Pak poetë kam njohur të tillë. Mund të bësh vjersha patriotike sa të duash pa qenë as poet e as patriot, siç ka shumë, por vështirë tepër ta duash atdheun dhe gjuhën si i doje ti. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën, për fatin tënd të zi, nuk
pe, sepse re tok me shokët në një varr të përbashkët. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën ne të tjerët patëm fatin ta shohim. Për të vazhduar udhën që kishe ndërmarrë ti, neve na duhet ajo dashuri që kishe ti për vendin e shumëvuajtur dhe për gjuhën e ëmbël shqipe. Lum ata nga pasardhësit e tu që do të vazhdojnë udhën tënde të ndriçuar nga drita jote.”
*
Tri letrat e pabotuara më parë, që po sjellim për lexuesin, i drejtohen dijetarit Sotir Kolea, njëherësh edhe mikut të familjes Peshkëpia. Në atë kohë Manushi punonte si redaktor në “Radio Tirana” dhe ishte atje një zë i spikatur i kulturës shqiptare. Në kohën që do të jepte nje emision radiofonik për poetin Andon Zako Çajupi, i kërkonte me përgjërim të urtit Sotir Kolea informacion për jetën dhe veprën e Çajupit, sepse po përgatiste edhe një botim (broshurë) per krijimtarinë thuajse të panjohur të Çajupit. Sotir Kolea kishte jetuar disa vjet në Egjipt, ku banonte Çajupi dhe e njihte mirë jetën dhe veprën e tij.
Shfaqet qartësisht prirja e Manushit për hulumtime dhe studime të reja në fushë të letërsisë dhe autorëve të saj.
Ndryshe nga dy letrat e tjera, ku kërkon informacion, në letrën e dytë të datës 31 korrik, Manush Peshkëpia shfaqet si një mendimtar evropian, drejtpeshues paanshëm i letërsisë, gjykues pa komplekse dhe tejet origjinal për poezinë e Çajupit, por edhe të autorëve të tjerë të letërsisë shqiptare edhe të huaj. Madje kapërcen edhe mendimin që i shfaq Sotir Kolea ne letrën-përgjigje të tij lidhur me Çajupin, i cili e kishte stigmatizuar dhe konfliktualizuar publikisht Dr. Adhamidin, këtë personalitet historik si edhe familjen e tij, siç bëri edhe me Midhat Frashërin tek “Klubi I Selanikut”. Ndryshe nga ç’e paraqiste Çajupi tek komedia “Pas vdekjes” si një mjek të paaftë dhe sharlatan, Dr. Adhamidi, doktor në mjekësi i Universitetit të Monpelierit, ishte njëherësh edhe kryetar I shoqërisë “Bashkimi” të Egjiptit, ministër në qeverisjen e Princ Wied-it,, përfaqësues i parë i shtetit shqiptar në Romë, kryetar i Komitetit shqiptar në Gjenevë, që dha një ndihmesë të madhe në mbrojtjen e çështjes shqiptare nëpërmjet shkrimeve dhe përpjekjeve te tij përgjatë Konferencës se Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve, si edhe me letrën drejtuar Presidentit Wilson në vitin 1918.
Ja reagimi i Manush Peshkopisë, kur merr përgjigjen e S.Kolesë:
“Nuk përjashtoj se jeta e poetit tonë Çajup s’ka qenë skandaloze, por ngul këmbë se vepra e tij nuk është për t’u hedhur poshtë, apo për t’u fshirë… Episdodi i poetit Çajup me familjen Adhamidi nuk ka qenë i huaj për mua, dikush më kish bërë fjalë për të. Por ky episod, që unë bashke me ju e quaj të turpshëm, nuk ia unj vleftën poezisë së Andon Çakos. Marr lejën që me këtë rast t’ju kujtoj se kam lexuar në vëllimin “Poesia” të Benedetto Groces, kur ky thotë se për të gjykuar një vepër të një poeti, nuk duhet ta nënvleftësojmë këtë me jetën private të autorit… Për të vleftësuar vleftën e një poeti nuk duhet ta konfondojmë këtë me jetën private të autorit, këto janë dy gjëra që nuk lidhen me njëra tjetrën, thekson Manushi.
Siç shihet, poeti dhe studiuesi objektiv Peshkëpia, qysh në atë kohë, përshfaq forminin e tij si një mendimtar dhe kritik modern perëndimor në gjykimin e shkrimtarisë. Këtu ai del në fushën e teorisë së letërsisë dhe i paraprin mendimit më përparimtar shqiptar, ndryshe nga mendimi zyrtar i kohës së tij, por edhe i kohës më pas, diktaturës, kur vlera e një poeti përcaktohej nga ideologjia apo elementet e biografisë së tij së tij, siç ndodh shpesh edhe sot e kësaj dite.
Manushi gjykon me kokë të tij dhe me këmbë në tokë:
“Unë për veten time jam i mendimit, që kur gjykojmë shkrimtarët, e sidomos poetët tanë, duhet të rrojmë brenda atmosferës sonë. S’kemi pse të matemi me shtetet e tjerë, as ballkanas, pa le pastaj evropianë. Dhe duhet të kemi parasysh se gjuha jonë e shkruar letrare s’e ka arritur as shekullin dhe, pra, s’kemi një traditë letrare. Mund të mburremi vetëm me folklorin tonë të pasur, Kështu, pra, që Çajupin mund ta cilësojmë si poet të tonit tonë popullor, ashtu se edhe të tjerë. Por, siç thosha edhe me lart, Çajupi, të paktën ka marrë nga goja e popullit dhe është munduar ta veshë me petkun e poezisë, brenda mundësive te tij dhe në gjuhën tonë të pazhvilluar Dhe të mos harrohet sidomos që ay ka bërë poezi gjysmë shekulli më parë, ahere kur s’kishte një alfabet të caktuar, po sikushdo shkrimtar e trillonte një abece të tijën”
Manushi mendon se çdo poet ka shtatin e vet, ndriçon botën me dritën e vet të vetmjaftueshme, aq sa ka fuqi dhe shpirt. Këtë mendim ka edhe për vetveten. Bukur e përcakton Vedat Kokona: “Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri”.
Koha e ardhme do të sjellë të tjerë poetë e të tjera vlera më të mëdha, mendon Manushi. “Gjersa të kemi edhe ne një Dante, një Gëte, një Shekspir, ka për të kaluar kohë e gjatë, ndofta mund të nevojiten shekuj me radhë. Nashti për nashti kemi vetëm këta. Midis Fishtës e Shirokës, Naimit dhe Çajupit, Asdrenit dhe Lasgushi, Nexhat Hakiut dhe Vedat Kokonës, ndryshimi është shumë relativ. Një notë më e mirë, një numër më pak. Vleftë absolute nuk kemi. Sikur të marrim n’analizë veprën madhështore edhe të madhështorit Fishta, pikërisht në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” besoj se edhe atje do të gjejmë vargje dhe jo poezi, dhe ndofta jo tek tuk”.
Manushi ishte gjithnjë në kërkim të vetes dhe të të tjerëve. Ai nuk nginte mite, por edhe as nuk minimizonte kërkënd. Ishte kundër atyre, që disa poetë i ngrinin në qiell, ndërsa të tjerët i ulnin në tone minore. Ai përpiqet t’i afrohet të vërtetës, ndonëse jo gjithnjë ia arrin. Se edhe ai vetë poet është. Ai shkruan: ”Çajupin, një shoku im “dottore in lettere” ma cilësoi si poet të tonit “minor”. Unë e kundërshtova dhe i thashë: Po cilët kemi ne në Shqipëri të tonit “madhor”? Ndoshta Fishtën, sepse rekllama e madhe e ka ngritur në qiell, atje tek nuk qëndron dot. Bile dikush e ka vënë në krah të Homerit, ashtu sikundër, këtu e tre vjet më parë, një i krisur mendsh e vuri Ethem Haxhiademin tonë kundruall Sofokliut. Por këto, i nderuar z. Kolea, janë krahasime qesharake dhe dëftejnë se nuk jemi të gatuar ende. Emrat e Homerit, Sofokliut e të tjerë janë yje që shkëlqejnë prej mijëra vjetësh, dritën e të cilëve s’kanë mundur ta errësojnë as Dantet, Hygotë dhe Shekspirët”
Është me interes të theksohet se anash letrës dërguar S. Kolesë, M. Peshkëpia shënon me shkrim dore: “Si vete puna e fjalorit të gjuhës sonë? A kini edhe shumë për të punuar? Ai ishte i interesuar për punimet shkencore të Sotir Kolesë dhe e punëtorëve të tjerë të shqipes. Dihet se puna më e madhe, më e plotë studimore e Kolesë mbetet hartimi i pesë fjalorëve shqip frëngjisht, shqip greqisht etj, ku më kryesori ishte fjalori i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund te jetës, duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge.
Manush Peshkëpia zbuloi se n Bibliotekën Kombëtare ( drejtor i së cilës ishte Sotir Kolea në vitin 1928) ekzistonte një pako e dërguar nga Jani Vreto, me nënshkrimin: “Të hapet në vitin 1945”, pra, pas 15 vjetësh nga koha e dërgimit.. Duke qenë se Çajupi kishte vdekur në vitin 1930, dhe po plotësoheshin 15 vjet nga ajo ditë, Manushi mendonte se plikoja me dorëshkrime do të ishte e A. Z. Çajupit, dërguar në atdheun e tij. Por edhe kjo hamendësi, enigmë apo fakt, u fshi nga koha, sepse viti 1945 ishte viti i fillimit të inkuizicionit në Shqipëri dhe jo i letrave, i poezisë./kujto.al

blank

Publikohet historia e panjohur, kur motrat e Mbretit Zog vizituan Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, u pritën me manifestime të mëdha

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e vizitave që bënë motrat e Mbretit, Zog, princeshat, Myzejen, Maxhide dhe Ruhie, në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, si: Kavajë, Peqin, Qafë-Thanë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Progër, Hoçisht, Bilisht, Kolonjë, Leskovik, Përmet, Tepelenë, Kurvelesh, Sarandë, Delvinë, Dropull, Butrint, etj. I gjithë turi i motrave të Mretit Zog me vizitat e tyre në qytete dhe fshatra të Shqipërisë në prillin e vitit 1938, të cilat të shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, u pritën me nderime të mëdha dhe manifestime të shumta kudo ku ato shkuan, vizita të cilat u pasqyruan gjerësisht nga shtypi i kohës, siç ishte dhe revista ‘Diana’, që i kushtoi faqe të tëra atij evenimenti.

Para pak javësh, apo më saktë më 25 dhjetor të vitit të kaluar, u mbushën plot 95 vjet nga rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet, apo siç njihet ndryshe si “Triumfi i Legalitetit, kurse në 1 shtator të këtij viti, mbushen plot 93 vjet nga dita e themelimit të Mbretërisë Shqiptare, kur Parlamenti i asaj kohe, me anë të një Asambleja Kushtetuese, e shpalli kryetarin e shtetit shqiptar, Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve. Ndryshimi i formës së regjimit në Shqipërinë e asaj kohe, nga Republikë në Monarki Parlamentare, nga shumica e politikanëve të asaj kohe, u pa si një akt, i cili do të konsolidonte më shumë shtetin e ri shqiptar dhe një farë stabiliteti në qeverisjen e vendit, pasi deri në atë kohë, me atë formë regjimi që ishte, qeveritë i’a linin vendin njëra-tjetrës, duke u ndërruar shpesh në disa muaj, madje edhe për punë ditësh apo orësh, siç ishte qeveria e kryesuar nga Qazim Koculi, e cila e pati jetëgjatësinë vetëm një ditë (më 6 dhjetor të vitit 1921), dhe të nesërmen, ajo ndërrua me qeverinë e kryesuar nga Hasan Prishtina.

Lidhur me shpalljen e Mbretërisë Shqiptare, e cila siç thamë, nga shumica e klasës politike të asaj kohe dhe ithtarëve të Lëvizjes së Legalitetit, u cilësua si një akt i domosdoshëm për stabilizimin e shtetit të ri shqiptar dhe qeverisjes së vendit, ka ekzistuar dhe ekziston ende edhe sot, një tjetër këndvështrim, apo si të themi; ‘ana tjetër e medaljes’. Sipas propagandës dhe historiografisë së regjimit komunist të para viteve ’90-të, Ahmet Zogu u vetshpall Mbret i Shqiptarëve për të konsoliduar më shumë pozitat e tij në krye të shtetit shqiptar dhe për të pasur pushtet absolut. Sidoqoftë këtyre dy anëve të vështrimit të asaj ngjarje, pra, të krijimit të Mbretërisë Shqiptare, pothuaj të gjithë në një pikë bien dakord; Ahmet Zogu dhe klasa politike e asaj kohe, me anët pozitive dhe negative të tyre, vunë gurët e themelit në godinën e re të shtetit të porsaformuar shqiptar, duke e njohur atë kudo në botë.

Në këtë kontekst, edhe shpallja e Mbretërisë Shqiptare, më 1 shtator të vitit 1928, më së shumti shikohet si një ngjarje apo eveniment historik, në kuadrin e përpjekjeve për stabilitetin e shtetit shqiptar. Nisur nga kjo gjë, pas pak ditësh, me rastin e 1 shtatorit, i cili përkon me jubileun e 80 vjetorit të Mbretërisë Shqiptare, pritet të mbahen festimet zyrtare. Në këtë kontekst, ashtu si dhe me ngjarje apo data të tjera historike të periudhës së Monarkisë së Zogut, Memorie.al po publikon në këtë shkrim historinë e panjohur të vizitës së motrave të Zogut në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, në prillin e vitit 1938. Ky shkrim është marrë nga revista “Diana” e asaj kohe, dhe është përgatitur nga gazetari, botuesi dhe publicisti i njohur Medin Kamberi, i cili i shoqëroi vetë princeshat gjatë vizitës së tyre në disa prej qyteteve dhe rretheve kryesore të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut. Këto pasazhe shkrimi po i publikojmë, pa i’u bërë asnjë ndryshim, duke i dhënë në gjuhën e shkruar të atyre viteve, për të sjellë më afër atmosferën e asaj kohe, duke i dhënë edhe me tituj e nëntitujt e revistës në fjalë.

Revista “Diana”; Vizita historike e Princeshave Mbretnore në Jugë

(Kudo pritjet madhështore harrijnë kulmin).

Gazetat lajmonin: “Naltësitë e Tyre, Princeshat Mbretnore, Myzejen, Ruhije, dhe Maxhide, të shoqëruara nga Ministri i P. të Brendshme, Shk. e Tij Musa Juka dhe nga Suita e Tyne, u nisën për një tour të Shqipris së Jugut. NN. TT do të përshkojnë Qarkun e Elbasanit, të Korçës, të Gjinokastrës, të Vlorës dhe të Beratit.

Në Kavajë dhe Peqin

Populli i madh e i vogël pret me lule, brohoritje dhe duartrokitje NN. TT. Princeshat Mbretnore. Kudo shenjë enthuzjazmi të papërshkrueshëm. Autoritetet civile, ushtarake, klerikale të vendit dhe të Komuneve, anëtarët e shoqnis “Gruaja Shqiptare”, nxanësit dhe rinija jashtëshkollore u bajnë homazhet e duhuna. Në Peqin, në një fjalim të bukur, z-sha Ballkis Tela theksoj, midis të tjerave: “Sot, ‘Gruaja Shqiptare’, i dërgon djemt dhe vajzat e veta për t‘i edukuar dhe për t‘i bërë ushtarë të denjë për Mbret e Atdhe, nëna të vlefshme për brezin e ri, tek i cili mbështetet lumnija e Atdheut”. Në mes të duartrokitjeve frenetike, të mbarë popullit, prej ballkonit të Bashkisë, N. S. Princesha Myzejen, përgjigjet me një fjalim të thekshëm, ku mbasi naltëson virtytet e nderit dhe të racës, falenderon nxehtësisht popullin fisnik dhe bujar të Peqinit. Fjalët e fundit të N. S. Princeshës Myzejen, priten me një breshëri duartrokitjesh ku u shpreh gëzimi i pashlyer për Vizitën Auguste.

Në Elbasan

I grumbulluar i madh dhe i vogël, përpara Postës së Bishqemit populli, burra e gra, qytetarë të katundeve të stolisur me kostumet e bukura të vendit, nxanës dhe nxanëse të reshtuara me flamure, afër një harku triumfi të madh ku figuronte e zbukuruar me lule fytyra e N. M. T. Mbretit, pret Personat Auguste të Familjes Mbretërore. NN. TT. afër Tri Urave, zbresin nga automobilët dhe ecin në këmbë në mes të brohoritjeve të pa-reshtura të popullit, deri në Grand-Hotel, ku presin homazhet e të gjithë klasave të popullit: të “Gruas Shqiptare”, të deputetëve, të Kryetarëve të Komuniteteve fetare, të Kryetarëve të zyrave, të Drejtorëvet të Shkollavet, t‘Anëtarëvet të Këshillit Administratës, të Kryetarit të Bashkis me anëtarët e Kuvendit, të Kryetarit të Odës së Tregtis bashke më anëtarët e Odës dhe Parin e vendit dhe të Këshillit të Shoqnis jashtëshkollore. Tri goca dhe një djalë të Shoqnis “Saide”, u ofrojnë NN. TT., kuti të bukura cigaresh të bëra apostafat dhe darovitën në një shumë prej 160 fr. ari. Si mbarohen shfaqet dhe homazhet NN. TT. admirojnë prej ballkonit vallet e bukura koreografike të gocave të shkollës femnore të veshura me kostume artistike. Në fjalimin që mbahet nga NN. TT. midis të tjerave thohet: “Vllahu i Jonë August, sado që nuk ndodhet në mes t‘onë në këtë çast, por Zemra e Tij asht midis jush dhe i shikon nevojat t‘ueja. NN. TT. të mallëngjyera prej ksaj pritje madhështore të vetvetishme e plot me ndjenja fisnike e adhurimit të qytetit të Elbasanit, mbasi lenë 1000 franga ari për të vobektit e qytetit, u hypin automobilave dhe marrin rrugën për Pogradec, duke u duartrokitur dhe duke brohoritë populli gjatë rrugës.

Në Pogradec

I dalur në Qafë të Thanës, populli, pa dallim, i përcjell NN. TT. Princeshat deri në qytet, ku mbërrijnë në mes duartrokitjesh dhe brohoritjesh frenetike për Mbret dhe Dinasti, dhe në mes të një enthuziazmi të pamasë. Populli i grumbulluar para banesës së NN. TT. Mbretnore, vazhdon duke brohoritë frenetikisht. Në këtë kohë, NN. TT. dalin në ballkon dhe me një fjalim të shkurtër të transmetuar prej Ministrit të Mbrendshëm, Shk. Tij Musa Juka, falenderojnë popullin për simpathinë dhe për ndjenjat adhuruese që shfaqi për N. M. Tij, Mbretin dhe për familjen Mbretnore. Fjala e NN. TT. Princeshave Mbretnore enthuziazmuan edhe më tepër popullin, i cili nuk di t‘u vej më kufi brohoritjeve enthuzjastike për Mbret e Dinasti. Krejt qyteti i Pogradecit shëndrohet në një pamje festimi ku shfaqen manifestime gëzimi të papërshkrueshëm.

Në Korçë

Naltësitë e Tyre, të përshëndetura prej Popullit të Pogradecit, nisen për në Korçë. Në Zemblak gjenden përpara fillesës së një apotheze dashurije dhe besnikërije tipike të Popullit krenar të Korçës. Këtu Princeshat Auguste, pritën nga një delegasjon të posaçëm i përbërë prej gjithë elitës së qytetit, duke filluar që prej autoriteteve më të nalta, e deri tek tregtarët e zejtarët e ndryshëm. Pa ekzagjerim mund të thohet se popullsia Korçare që brohorit Vizitoret Auguste, mbrrin më tepër se 20.000 frymë. Pranija e Princeshavet në gjirin e këtij qyteti pati një prekje t‘elektrizuar në shpirtin e kësaj mase e cila u ngrit si një shpirt i vetëm prej një bloku trupash, në një brohoritje aq të naltë, aq thellë, në një Rrofshi që e tundi gjithë Korçën. Në fjalimin e Kryetarit të Bashkis, z. Agathokli Xhitomi, midis të tjerash theksohet: “Si të mos gëzohet Populli Shqiptar, kur e vizitoni Ju Naltësi? Ky popull sheh te Ju, idolin e bashkimit Kombëtar, të njësisë Kombëtare, të fuqisë Kombëtare. “Jini motrat e atij që bëri Fiset Komb dhe Kombin, Shtet”. NN. TT. në mes t‘enthuziazmit spontan të popullit vizituan Zyrat e Prefekturës, të Komandës së Garnizonit, Bibliotekën, Spitalin e Shtetit dhe Shkollën Qytetëse Femnore, të pritura kudo me brohoritje dhe nderime të posaçme. Të shoqëruara prej Shk. Tij Musa Juka, NN. TT. vizituan Vidhkuqin, si dhe Komunën e Uzinën Elektrike.
Rinia, e grumbulluar në Bulevardin “Shëngjergji”, paradon me madhështi, dhe në fjalimet që u mbajtën, N. S. Mbretnore, Princesha Myzejen, në mes të tjerave theksoj: “Na e çmojmë Popullin Korçar si faktorin ma kryesor të rilindjes sonë Kombëtare, si prijës të qytetërimit. Jemi të bindur se ju do të jeni kurdoherë pionerë të këtyre idealeve, shtyllë e shëndoshë e fortesës së pathyeshme të Mbretnisë s‘onë. Përfitojmë prej rasës me i adresue dhe dy fjalë djelmnisë krenare të Korçës, e cila duhet të jetë shumë kryenaltë që Mbreti e ka në Zemër. Për këtë Ay kërkon prej saj si disiplinë, bindje dhe po atë patriotizëm që kanë tregue dhe tregojn sot etnit e tyne zamëdhej, sepse Vëllau i Jonë, N. M. T. Mbreti, për atdhe dhe Shtet, pret shërbimet ma të mëdha prej djalëris, si për kohën e tashme ashtu dhe për atë të ardhme”.

Rinia mbasandaj me bandën muzikale në krye vazhdoj manifestimet përpara pallatit të NN. TT. Princeshavet Mbretnore, duke kënduar këngë patriotike dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrimin:

“Djalëria Korçare dëshiron të shohi edhe Mbretin këtu”, “Rroftë Mbreti”. “Princesha të dashtuna, ju adhurojmë si hyjnesha”. “Rroftë Familja Mbretnore”.

Në fytyrat e të gjithëve përshkruhet admirimi për N. M. e Tij Mbretin Zog. I. dhe për Familjen Mbretnore. NN. TT. i afruan një darkë Rinisë Korçare.

Në Bilisht, Kolonjë dhe Leskovik

Populli i gjithë Devollit, kudo që kaluan NN. TT Princeshat, kishte dalë në pritje i enthuziazmuar dhe i dehur nga gëzimi. NN. TT. Princeshat denjuan t‘i falin Komunës së Progrit 300 fr. ari, Nënprefekturës së Bilishtit 800 fr. ar për nxënësit e vobegtë, Manastirit të Shën-Ilis Hoçisht 200 fr. ari dhe për të vobektit 500 fr. ari.
Erseka e stolisur me flamur, dafina dhe lule, pret në mes brohorish frenetike, NN. Tyre princeshat Mbretnore, të cilat pritën vizitat e Kryetarëve të zyrave, të Përfaqësisë së Shoqënis “Gruaja Shqiptare”, dhe të Klerit, të Grave Kolonjare, të përfaqësisë së qytetit dhe të komunave. NN. TT. Princeshat, dhuruan 500 fr. ari për të vobektit e rrethit, Leskoviku gjithashtu, kishte përgatitur manifestime të shkëlqyeshme.

Në Përmet, Tepelenë dhe Kurvelesh

Hyrja e NN. TT. Princeshavet Mbretnore në Përmet qe me të vërtetë triumfale, në mes brohoritjeve të popullit, tingëllimit të kambanave dhe sidomos korit harmonik dhe melodik të djalëris jashtëshkollore, i cili plotësonte çfaqet e perzemërsis dhe i jepte pritjes një karakter veçanërisht madhështor. NN. TT. Princeshat zbritën në Bashki ku komisione të ndryshme dhe gra, të veshura me kostume kombëtare u parashtruan NN. TT homazhet, të cilat Ato i‘u përgjegjën duke çfaqë kënaqësin e tyre për këtë pritje enthuziastike. Gjithashtu edhe popullsia e Peshtanit dhe e Këlcyrës u bëri NN. TT. Pritje madhështore.

Në qytetin e Tepelenës pritja ishte me të vërtetë karakteristike. Vallet labërishte dhe këngët e vendit mahnitnin këdo. Dhe darovia e jataganët historikisht të pamposhtur dhe trashëgim i veteranit Zogist. Z. Vehip Runa, e bërë prej popullit të Kurveleshit. NN. TT. Mbretnore ishte, patetike.

NN. TT. Princeshat dhuruan 500 fr. ari për të vobektit e Kurveleshit, 500 fr. ari për të vobektit e rajonit të Urës së Subashit. 400 për ata të katundeve Sinanaj, Krahës e Buz.

Në Gjinokastrë

Ballkonet e ndërtesave të Sheshit “Çerçiz Topulli”, të mbushura krejtësisht me familje prej nga dëgjoheshin brohoritje frenetike për jetëgjatësinë e Mbretit dhe të Familjes Mbretënore; populli, i radhitur në dy anët e rrugës kryesore; e tillë asht pamja e ditës fatlume kur NN. TT. Princeshat Mbretnore, në mes duartrokitjeve të pareshtura të turmës së pamasë, hynë triumfalisht në qytet. Në mest të një demostrasjoni spontan q‘u zhvillua para banesës së vizitoreve të shquara, prej ballkonit, N. S. Princesha Myzejen, me anë të Shk. Tij, Musa Juka, mbajti një fjalim ku u theksuan në mënyrë të veçantë reformat që N. M. Tij, Mbreti ka caktuar të zhvillojë për Djalërinë Shqiptare.

Në Libohovë dhe Dropull

Të përcjellura nga i gjithë populli i Gjinokastrës, NN. TT. Princeshat, në mes të brohorivet dhe duartrokitjeve frenetike, u nisën për në Libohovë, ku u pritën plot entuzjazëm prej autoriteteve lokale, popullit, nxanësvet e nxanësevet, prej para-ushtarakëvet dhe prej grupeve të grave të ardhur apostafat prej katundeve të rrethit të Libohovës, të veshura me kostume origjinale.

Fjalimeve, demostratavet dhe nderimeve që i’u bënë nga ana e popullit, NN. TT, i’u përgjegjën me anën e Shk. Tij, Musa Juka, i cili theksoj gëzimin që ndiejnë NN. TT, për pritjen dhe adhurimin e treguar nga ana e popullit të Libohovës.

Po e njëjta pritje madhështore u-bë edhe në Dropull, ku NN. TT, shijuan kostumet dhe patën rastin të shihnin dhe të konstatonin afërsisht mallin e madh dhe admirimin që këto popullata ndjejnë për Dinastin dhe për N. M. T. Mbretin. Princeshat Mbretnore lanë për të vobektit e rrethit, 500 fr. ari.

Në Delvinë-Sarandë-Korfuz-Butrint

Një turmë e madhe populli, e ardhur edhe nga rrethet, burra, gra e fëmijë, duallën në pritjet të NN. TT. Princeshavet. Dhe mbarë ajo turmë shpërtheu e përnjëherëshme në brohoritjet enthuziastike duke uruar Mirseardhjen. Zunë jehimet e Hymnit Mbretnor, u mbajtën fjalimet e rastit dhe në emër të NN. TT. u përgjegj Shk. Tij, ministri Musa Juka, i cili theksoj në mënyrë të veçantë kënaqësinë e NN. TT. për pritjen bujare të popullit të Delvinës dhe shtoj se enthuziazmin e pritjes NN. TT. do t‘ja trasmetojnë N.M.T. Mbretit.

Në Sarandë, gjithashtu pritja ka qenë me të vërtetë triumfonte dhe entuziazmi arriti kulmin. Meriton rëndësi të veçantë vizita e NN. TT. Princeshavet në Korfuz dhe në Butrint, ku mbetën të impresionuar dhe të kënaqur mjaft, si nga bukuritë e vendeve, gjithashtu dhe nga pritjet e përzemërta që iu bënë./Memorie.al

“Procesverbalet e gjenocidit” zbulojnë planet e serbëve të Bosnjës për gjenocid gjatë luftës

ADIS KARADZA, KAYAHAN GÜL

“Këtë qytet ia bëjmë dhuratë kombit serb para festës së madhe serbe. Erdhi koha të hakmerremi nga turqit (muslimanët) në këtë vend”, ishin fjalët e gjeneralit serb Ratko Mlladiç, një kriminel i luftës dhe gjenocidit, në Srebrenicë më 11 korrik 1995. Deklaratat e tij paralajmëruan gjithashtu gjenocidin që do të kryhej në Srebrenicë, në zonën e sigurt të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Fjalët e gjeneralit serb dhe vrasja pasuese e më shumë se 8 mijë burrave boshnjakë ishin në fakt realizimi i nismës së përbashkët kriminale të planifikuar dhe të njoftuar gjatë takimeve të Parlamentit të Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë në atë kohë.

Regjistrimet e seancave parlamentare të lartpërmendura, të botuara nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës brenda kornizave të projektit të quajtur “Procesverbalet e gjenocidit”, zbuluan planet dhe metodat e paraqitura nga udhëheqësit dhe deputetët serbë të periudhës me qëllim krijimin e një “shteti serb” në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Këto të dhëna, të cilat më parë ishin përdorur vetëm si prova në gjykimet në lidhje me krimet e luftës, për herë iu paraqitën për përdorim universiteteve, organizatave joqeveritare, studiuesve, gazetarëve dhe individëve të interesuar.

Duke shpërndarë procesverbalet, synohet të kontribuohet në hetimin e hollësishëm të krimeve të luftës dhe gjenocidit, si dhe të nxirren në dritë shumë pika të panjohura të luftës më të përgjakshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Bosnja dhe Hercegovina ka qenë gjithmonë vend serb”

Një nga themeluesit e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Vojo Kupreshanin, në fjalimin e tij në seancën parlamentare më 8 janar 1993, mohoi njerëzimin e boshnjakëve muslimanë dhe mohoi të drejtën e tyre për të ekzistuar.

“A janë muslimanët (boshnjakët në Jugosllavi u quajtën muslimanë) me të vërtetë një popull? Ky popull, i shpikur nga Tito në vitin 1974, ka të paktën pozicionin e grekëve. Kush është Bosnja dhe Hercegovina? Bosnja ka qenë gjithmonë vend serb. Ne dëbuam turqit, austriakët dhe gjermanët nga këtu. Bosnja ende nuk është bërë vend serb, është bërë vendi i një populli inekzistent, i muslimanëve. Na duhet Bosnja. Bosnja është një vend serb”, ishte fjalimi i Kupreshaninit.

“Pale është Jugosllavi”

Fjalimet e shumë deputetëve të tjerë si Kupreshanin demonstruan qartë planet shkatërruese të udhëheqësve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës.

Parlamenti i Republikës Serbe më 21 dhjetor 1991 vendosi për të krijuar Republikën Serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës si një organ federal brenda Jugosllavisë, ndërsa gjithashtu mori vendimin për njohjen e Republikës së Krajinës Serbe. Në bazë të këtij vendimi, më 9 janar 1992 u shpall Republika Popullore Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në fjalën e tij në atë kohë, udhëheqësi serb Radovan Karaxhiç, i cili është fajtor për luftën dhe gjenocidin, deklaroi se “Askush nuk mund ta marrë Bosnjën dhe Hercegovinën e pavarur përtej Urës Kozje (afër Sarajevës) sepse Pale tashmë është Jugosllavi”.

Në seancën në muajin shkurt të vitit 1992, derisa diskutohej kushtetuta, himni kombëtar dhe simbolet e shtetit “të ri” serb, Vojislav Maksimoviç tha:

“Ne këtu jemi duke ndërtuar një shtet serb në territorin serb. Është e drejta jonë të kemi himnin kombëtar serb, flamurin tonë dhe simbolin tonë kryqtar me 4S mbi të.”

“Të pushtojmë tokat tona me forcë”

Nga ana tjetër, tërheq vëmendjen një fjalim i presidentit të atëhershëm i parlamentit serb, Momçillo Krajishnik, i cili do të dënohet për krime kundër popujve joserbë.

“Ne kemi dy rrugë. Njëra është të arrijmë maksimumin tonë duke luftuar politikisht, ose të ndërpresim të gjitha negociatat dhe të bëjmë atë që kemi bërë me shekuj, domethënë të pushtojmë tokat tona me forcë.”, kishte deklaruar Krajishnik.

Parlamenti mori një vendim shumë të rëndësishëm në seancën më 12 maj 1992, vendim që përcaktoi qëllimet strategjike dhe përparësitë me gjashtë pika të popullit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në të njëjtën seancë, gjenerali serb Ratko Mlladiç, i cili më vonë do të dënohej për gjenocidin në Srebrenicë, tha:

“Njerëzit nuk janë çelësa në xhep ose pula që ne t’i vendosim në anën e largët. Kjo është e lehtë për të thënë, por është e vështirë të bëhet. Gjithashtu, ne nuk mund t’i shoshitim njerëzit në mënyrë që vetëm serbët të mbeten dhe të tjerët të zhduken. Z. Krajishnik dhe Z. Karaxhiç si do t’ia shpjegojnë këtë botës? Ky do të ishte një gjenocid”.

Mlladiç do të bënte gjithçka vetëm për të arritur qëllimet e vendosura nga asambleja.

Deklarata e Karadzicit për Srebrenicën

Pas gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995, në seancën e mbajtur në gusht të vitit 1995, Karaxhiç deklaroi:

“Nëse do të kishim hyrë në Srebrenicë derisa Morion (gjeneral francez) ishte aty dhe do ta kishim marrë qytetin, ata do të na kishin bombarduar dhe djegur. Erdhi koha e duhur dhe unë nënshkrova vendimin që parashikonte marrjen e Teoçakut, Srebrenicës, Zepës dhe Gorazdenit”.

Duke theksuar se ai qëndron pas të gjitha vendimeve të tij, Karaxhiç tha: “Gjithçka është regjistruar në komandën e lartë. Shihet se unë kam urdhëruar si verbalisht ashtu edhe me shkrim të ecim drejt Zepës dhe Srebrenicës”.

Në tetor të të njëjtit vit, Karaxhiç u kthye përsëri në çështjen e Srebrenicës, duke pohuar rolin e tij udhëheqës në gjenocidin që ndodhi atje:

“Si Komandant i Përgjithshëm, unë qëndrova pas planit të Srebrenicës dhe Zepës. Nëse do të kishte një Zepa me 90 mijë muslimanë të armatosur, ne do ta kishim humbur luftën. Unë personalisht e shikova planin pa dijeninë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Unë e këshillova gjeneralin Krstiç, të cilin rastësisht e takova, të shkonte në qytet dhe të deklarojë se Srebrenica kishte rënë. Ne pastaj do të vepronim kundër turqve që shkonin në pyll”.

Burgim i përjetshëm për Karaxhiç dhe Mlladiç

Presidenti i Republikës Serbe Radovan Karaxhiç u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime të ndryshme lufte në Srebrenicë, ndërsa Gjenerali Mlladiç u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm.

Nënkryetarja e atëhershëm e Republikës Serbe, Biljana Plavshiç, pasi ndjente keqardhje dhe u morr vesh me gjykatën, u dënua me 11 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa politikani serb Radosllav Brdjanin u dënua me 30 vjet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, sot, shumica e 77 deputetëve të periudhës janë tërhequr nga politika dhe disa prej tyre kanë humbur jetën.

Lufta e përgjakshme në Bosnjë

Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë e saj pas referendumit të mbajtur më 29 shkurt-1 mars 1992. Menjëherë pas referendumit, ushtria jugosllave e kontrolluar nga serbët dhe njësitë paraushtarake serbe filluan spastrimet etnike kundër boshnjakëve muslimanë.

Në mes të Evropës, masakrat e civilëve, torturat, spastrimet etnike, dëbimet dhe gjenocidi ndodhën gjatë luftës që zgjati më shumë se 3 vjet e gjysmë.

Në korrik të vitit 1995, trupat nën komandantin serb Mlladiç vranë të paktën 8.372 civilë boshnjakë në vetëm disa ditë në lindje të vendit në Srebrenicë dhe rreth saj.

Në shumë qytete të tilla si Prijedor, Foça, Zvornik dhe Visegrad, pothuajse nuk mbeti asnjë boshnjak për shkak të spastrimit etnik.

Ndërkaq, kryeqyteti, Sarajeva, ishte nën rrethimin e serbëve për 44 muaj.

Lufta, në të cilën qindra mijëra njerëz humbën jetën, miliona njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, gratë u përdhunuan, civilët u torturuan në kampe përqendrimi, përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it më 21 nëntor 1995.

Gazeta franceze (1939)- Tradhtarët e Tiranës dhe Ciano – Duçja, i tërbuar pas dështimit të skenarit të tij ndaj mbretit Zog, mori këtë vendim

Konti Ciano dhe Mbreti Zog në Tiranë

 

“L’Indépendant des Basses-Pyrénées” ka botuar, të enjten e 27 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me skenarin e dështuar të Duçes ndaj mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Skenari i dështuar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Sipas disa informacioneve, pushtimi brutal i Shqipërisë nuk është gjë tjetër veçse dështimi i tmerrshëm i një skenari të mirëorganizuar.

Musolini kishte planifikuar të paguante disa udhëheqës dhe figura politike shqiptare në Tiranë për të tradhtuar mbretin Zog.

Tradhtarët, të paguar fare mirë, do të simulonin një sulm kundër mbretit të Shqipërisë. Atëherë, Zogu, i shqetësuar, do të kishte kërkuar mbrojtjen e Italisë, e cila me bujari do t’i ofronte mbrojtjen e saj miqësore.

Por ndërmjetësit italianë, përgjegjës për shpërndarjen e këtyre të hollave, preferuan të mbanin pjesën më të madhe të liretave për vete duke shpërndarë vetëm shuma të pakta, kështu shqiptarët, të mërzitur, nuk pranuan të merrnin pjesë në këtë lojë.

Duçja, i tërbuar nga ky dështim, mori vendimin të zgjidhte një pushtim ushtarak.

Shpirti i këtij komploti të trazuar, njeriu përgjegjës i kësaj melodrame të errët thuhet se është Konti Ciano…”

Konsulli amerikan në Greqinë e 1890-s: Shqiptarët e Greqisë, aborigjenë si “Mohikanët” e Amerikës – Nga Albert Hitoaliaj

Duke shfletuar veprën e një profesori të njohur amerikan, rastësisht lexova mbresat e një takimi të paharrueshëm që ai, tok me një koleg të tijin, kishte pasur me një shqiptar të Athinës. Profesori në fjalë është James Irving Manatt (1845-1915), i specializuar për letërsi dhe histori greke. Lindi në Millersburg, të Ohaios, më 17 shkurt të vitit 1845. Sipas Martha Mitchell (Encyclopedia Brunoniana, Brown University Library, 1993), në rini shërbeu në këmbësori duke iu përgjigjur thirrjes së Linkolnit për angazhim në Luftën Civile. Më pas, kur e gjithë kjo mbaroi, punoi për gazetën “Chicago Evening Post”. Diplomohet më 1869 në “Iowa College” dhe katër vjet më pas mbron doktoraturën në “Yale University”. Studimi i sanskritishtes, greqishtes e latinishtes ishin baza e hulumtimit të doktoratës së tij. Studimet e tij kishin interes parësor grekët dhe Greqinë. Ishte profesor i greqishtes dhe i historisë në “Denison College”, në “Marietta College”, në “Brown University”, në Universitetin e Nebraskës, studiues në Laipsig etj. Njihet jo vetëm si kancelar, por si themelues i Universitetit të Nebraskës.

Në tërë gjerësinë e tij, si njeri e studiues, ishte e mbeti deri në fund të jetës, një filogrek i pandryshuar. I dashuruar me antikitetin, njohës i mirë i grekëve të rinj dhe hulumtues i palodhur, ai konsiderohej një “grek” që i kushtoi punën e jetën, idealeve të lashta e të reja helene. Studimet e tij i pasqyroi në vepra të ndryshme që botoi përgjatë viteve. Vdiq në moshën 70-vjeçare. Por, profesori James Irving Manatt, dha kontribut edhe në politikën e jashtme amerikane. Mbajti detyrën e konsullit të SHBA-së në Greqi në vitet 1889-1893, si pjesë e administratës së presidentit të SHBA-së, Benjamin Harrison. U shndërrua në një udhërrëfyes për të gjithë ata amerikanë e udhëtarë të interesuar për tokën, letërsinë e monumentet e lashta greke. Si mik me emra të tillë të njohur të arkeologjisë së kohës si, dr. Heinrich Schlieman e dr. Wilhelm Dörpfeld, të cilët ishin veprimtarë kryesorë të kërkimeve mbi antikitetin në Greqi, dhe si njohës i mirë i Greqisë, ai pati mundësinë që të bënte botime të ndryshme në periodikë të kohës. Eksperiencat kryesore i botoi në librat “Aegean days” (Ditë egjease) dhe “The Mycenaean Age” (Epoka mikenase).

 Shqiptarët, këta “grekë” më të vjetër se sa helenët

Për shkak të qëndrimit të tij në Greqi dhe nga njohjet që kishte për historinë greke, Manatt e dinte se kush ishte vendi e roli i popullsisë shqiptare në ato vise. Ai flet disa herë për shqiptarët në librat e tij. “Historia greke ofron më shumë se një paralele: si dorët e Eginës në kohërat e lashta, ashtu edhe shqiptarët e Hidrës dhe Specias në ditët tona, i udhëhoqën grekët në sprova mjeshtërore detare, të guximshme e nismëtare; megjithatë, dorët dhe shqiptarët, njëllojshëm, ishin malësorë dhe shumica e të afërmve të tyre mbetën gjithnjë të huaj për detin” (James I. Manatt. The Mycenaean Age: A Study of the Monuments and Culture of Pre-Homeric Greece. Houghton: Mifflin, 1897, f. 354).

Ajo që të bën përshtypje është se lidhja e shqiptarëve me dorët e lashtësisë përmendet rëndom nga shumë autorë të kohës, dhe kjo konsiderohej diçka krejt e natyrshme, brenda suazës historike e traditës popullore; jo më, sot, në kohët hollivudiane të spartanëve dorë. Jo vetëm studiues e udhëtarë, por edhe vetë shqiptarët banues në këto ishuj prej shekujsh që nuk mbaheshin mend, ishin të vetëdijshëm për lashtësinë e tyre kombëtare. Manatt e dëshmon këtë në librin Aegean days, por edhe në të tjerë: “Në radhë të parë, duhet theksuar se banorët e ishullit Andros nuk janë grekë të papërzier. Në fakt, shumica e atyre mes të cilëve kemi jetuar, thonë se një e treta e popullsisë së ishullit, në periferitë e Gavrionit dhe në Arnas, janë me origjinë shqiptare. Si të tillë, në të vërtetë ata pretendojnë prejardhje nga pellazgët, dhe në këtë mënyrë i bie të jenë grekë më të vjetër se sa helenët. Shqiptarët këtu janë të vetmit e kësaj rrënje në arkipelagun Cyclades, dhe duhet të kenë ardhur nga Eubea në periudhën mesjetare. Cilado qoftë origjina e tyre, ata janë kryesisht të helenizuar në gjuhë e zakone. Më shumë janë të dhënë pas punës se sa pas qejfit. Rrethinat jugore, Androsi dhe Korthioni, me dy të tretat e popullsisë, janë grekë me disa përzierje katolikësh [venetikësh] të vjetër” (James I. Manatt. Aegean days. London: J. Murray, 1913, f. 178).

Ditë egjease, histori shqiptare…

Me shqiptarët e Androsit ai pati edhe një episod “të pakëndshëm”, që të kujton kohët e vjetra të nderit e turpit dhe respektin e mikut. Në një ditë të bukur në Andros, profesori Manatt shijonte bukuritë e natyrës në vetmi: “Dremisja në rrënjët e një peme madhështore ulliri, kur një djalosh shqiptar, në pamje të parë i interesuar për të dëgjuar e për të treguar ndonjë të re, por në të vërtetë, thjesht i interesuar për spiunuar shkelësin, vjen e më drejtohet me pyetje homerike për vendin nga vij e për profesionin që bëj. Për fat të mirë kishte shumë pak greqishte në dialektin e tij dhe shumë pak shqipe në timin, për ta bërë bisedën të rrjedhshme. Dhe sakaqherë u lash në shoqërinë e lakmuar të vetmisë së natyrës. Por jo për shumë kohë. Duke u shtyrë më lart, nga joshja e freskët e gjelbërimit të përhershëm, me vjen një thirrje e papritur nga përposh. Dy djelmosha ishullorë, thërrisnin “Zbrit poshtë!” dhe, me maturinë e duhur, ripërshkrova pas hapat që kisha hedhur, për të parë se për se bëhej fjalë. Me mirësjellje, por me ngulm më lëshuan pyetje të tjera homerike. E, për t’i rënë shkurt, e gjeta veten në duart atyre që sjellin thirrjen për gjyq…” (Manatt, Aegean…, f. 5-6).

Çdo gjë u mbyll aty për aty. Një punonjës i administratës, a një bashkiak (“demarchos”), që shoqëronte profesorin, ndërhyn. Pas pak vijnë edhe dy-tre xhandarë. Të rinjve ua heqin brezat me armë e i marrin me vete. Pavarësisht se profesor Manatt bëri thirrje që të harrohej kjo ndodhi e papeshë, shoqëruesi i tij këmbënguli sepse ata kishin vepruar duke e anashkaluar edhe atë, gjë që ishte e rëndë. Mirëpo, ngjarja kishte vijim.

“Pothuajse në perëndim të diellit, një shfaqje mrekullie qiellore kjo, vjen bujtësi im, për të më thënë se miqtë e fajtorëve janë mbledhur te bashkiakët dhe, për të më pyetur nëse unë nuk do t’u dilja sërish në krah atyre. Me kënaqësi, drejtohemi për atje, për të takuar pleqtë poturegjerë të luginës, që rrinin të vendosur varg përgjatë murit të gurtë. Asnjë gjurmë mërie në fytyrat e tyre, vetëm një pamje e thjeshtë e rëndë, aq e atillë, sa që nuk do t’i bënte të pabesueshëm burrat e veprave të Plutarkut apo Homerit. Tani, këto lugina, ashtu si shumica e Androsit verior, janë kryesisht të populluara nga shqiptarët; por shqiptarët pohojnë se kanë dalë nga rrënja e vjetër pellazgjike. Dhe, Ridgeway, tani ka treguar se pellazgët ishin grekët autoktonë të cilët ndërtuan civilizimin mikenas, folën mirë dialektin eolik dhe shpikën vargun gjashtërrokësh [heksametrin], dhe në atë dialekt e rimë, kompozuan Iliadën për pushtuesit e tyre akeas (Manatt, Aegean…, f. 6-7).

Shqiptarët si “grekë” autoktonë, d.m.th. si pasardhës pellazgësh, por që nuk flisnin më greqisht sot? Të lexosh pa nënqeshur këto pjesë është pak e vështirë. Përgjigjen se ç’gjuhë flisnin këta pasardhës “grekë” pellazgësh, Manatt e tha vetë kur bisedoi me djaloshin shqiptar: “. . . kishte shumë pak greqishte në dialektin e tij dhe shumë pak shqipe në timin, për ta bërë bisedën të rrjedhshme”. Konsulli amerikan James I. Manatt deri në fund të jetës së tij mbeti një adhurues i helenizmit. Ndoshta kjo dashuri e zjarrtë nuk i dha mundësi që të kishte atë objektivitet që pati Johann Georg von Hahn (1811-1869). Ky i fundit mbajti detyrën e konsullit të Prusisë (1843-1847) në Athinë dhe me pas atë të zëvendëskonsullit austriak në Janinë. Më 1851, u emërua konsull austriak në ishullin Siros. Mësoi shqipen në Janinë dhe njohu mirë shqiptarët. Udhëtoi edhe në Shqipëri dhe realizoi studime voluminoze për vendasit. Ky diplomat gjerman që punoi (1834-1843) edhe për Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së re Greke,  u bë babai i albanologjisë. “Ai [Hani] i shikoi shqiptarët si pasardhës të ilirëve me të cilët afroi epirotët e maqedonasit, duke i lidhur gjithë këta me pellazgët parahistorikë. Për të argumentuar tezën e tij të prejardhjes ilire të shqiptarëve e të gjuhës së tyre, Hani përdori edhe materialet gjuhësore” (Mahir Domi. “Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe”, në: Konferenca Kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar, të Gjuhës dhe të Kulturës së Tij: Tiranë, 2-5 korrik 1982, red. Aleks Buda. Tiranë: Akademia e Shkencave, 1988, f. 165).

Duke u kthyer sërish te profesori Manatt, nëse ai do të kishte pasur mundësinë që të pasuronte studimet e tija me shqipen, nuk do ishte e jashtëzakonshme që të arrinte të njëjtat rezultate si konsulli gjerman. Asokohe në Greqi gëlonin shqiptarët e shqipja dëgjohej ngado. “Në Markopoulo, një reklamues shitjesh u tregonte makina qepëse një grupi të madh grash shqiptare. . . Ka një portret të mrekullueshëm të bujtëses sonë, me veshjen rrëzëllore shqiptare. . . Në shesh vetëm dy kostume ishin europiane; gjithë pjesa tjetër plotësisht  shqiptare, me zbukurime monedhash sermi në gjoks e mbi krye: gratë kërcenin me prikën e tyre. . . I ramë përqark Athinës dhe në 7.30 u ulëm për të ndjekur koncertin e radhës së të dielës mbrëma, në hotelin Grand Bretagne, mes një shoqërie të shkëlqyer; të sillte ndër mend më shumë Parisin se sa Koropin, me orkestrën e tij rrethore, dhe bukuroshet fshatarka shqiptare në platenë qiellmbuluar.” – shkruante James I. Manatt (The Atlantic monthly. V. 73, I. 439, May 1894). Në vijim, ai rrëfen po në këtë shkrim, vizitën e këndshme te një mësues shqiptar.

Konsulli amerikan, James I. Manett, mik te mësuesi shqiptar

E gjetëm shtëpinë e mësuesit, nga sa dukej më e mira në fshat, të vendosur në një katërkëndësh të madh, me ato lloj muresh të larta të kudogjendura, futur përmes një lloj portali madhështor. Një shkallë e jashtme mermeri çonte në katin e sipërm, i ofruar për mikpritjen tonë: një dhomë e madhe katrore, me ballkon që shikonte nga lindja e diellit dhe deti, dhe prapa saj dy dhoma të tjera të vogla. Dhoma e madhe ishte padyshim “megaron”-i i rezervuar për raste shtetërore, e si rrjedhim, disi e ftohtë dhe e zymtë. Një divan i shkëlqyer dhe një lëkundës, me një tavolinë, disa karrige dhe fotografi të vogla politikanësh grekë, ndihmonin që aty të mos dukej zbrazëti absolute. Por, mobilja e vogël pas saj, me raftet e vjetra të librave të mësuesit dhe një vatër e madhe e hapur, premtonin gjëra më të këndshme. Mbrëmja ishte e ftohtë dhe unë hodha idenë se aroma e zjarrit nuk do të ishte gjë e pakëndshme. Në të njëjtën kohë, vajza e bukur e bujtësit tonë, Helena, bëri tok një krah shkarpash pishe në vatër dhe i shpupuriti. Zjarri i ngrohtë u ndez dhe, në moment, u bëmë të tjerë njerëz; recina [vera] kaloi përqark, me Helenën kupëbartëse, dhe takimi ishte prej atyre që mbahen gjatë ndërmend.

Dy barbarë të hirshëm, të goditur nga dashuria për Greqinë, në pelegrinazh në “deme”-n e Ksenofonit; bujtësi i tyre, mësues prej njëzet e pesë vitesh në vendlindjen e Ksenofonit, pa asnjë kopje të Ksenofonit në shtëpinë e tij! Me Maratonën gati një duzinë miljesh larg, ai kurrë nuk kishte vënë këmbë në fushën e famshme, edhe pse ajo ngjallte aq kureshtje për Botën tonë të Re.

– Pra, jeni amerikanë?

– Po.

– Nga Amerika e Veriut apo e Jugut?

Kjo është gjithnjë pyetja pasuese këtu.

– Amerika e Veriut – Shtetet e Bashkuara.

– Ah, jetoni pranë Panamasë?

Për Panamanë flitet ngado tashmë, madje edhe këtu në Hymetus. Ne i shpjeguam se është shumë më larg Providenca nga Panamaja se sa, nga këtu ku ishim në  Maratonë. Mësuesi na doli i fortë.

– Keni dëgjuar për Përmbytjen?

– Po.

– Përmbytjen e Noes?

– Po.

– Kur u mbyt e gjithë bota nga uji përveç Noes dhe njerëzve të tij në Arkë?

– Po.

– E mbani mend që Noe kishte tre bij: Shem, Ham dhe Jafet?

– Po, e kujtoj.

– Pra, njëri prej tyre u vendos në Azi, njëri në Afrikë dhe tjetri në Europë.

– Kështu kam dëgjuar.

– Atëherë, ajo që dua të di, është se nga rridhni ju amerikanët?

– Thuaji, – tha Sage, duke parë se u vendosa me shpatulla për muri, – se ne kishim një varkë për hesap tonë.

Ashtu bëra, por pa shkaktuar dot asnjë buzëqeshje, dhe aktualisht u pa që mësuesi ishte në të vërtetë duke folur sinqerisht. Ai na kishte përzier me popullsinë aborigjene dhe po përpiqej të dëgjonte mendimin që kishim lidhur me origjinën tonë. I siguruar më së fundi se ishim europianë dhe të aftë të ofronim një rrëfim historik mbi veten, na pyeti më hollësisht për pakicat tona të lëkurëkuqve. Ishte temë thellësisht interesante për mendësinë greke; ndoshta sepse një version bashkëkohës grek i “The Last of the Mohicans” [“I fundit i Mohikanëve”], me gdhendje druri të hatashme, mund të gjendet në çdo qoshk librash jo vetëm të Athinës, por edhe të qyteteve provinciale. Duket se është e njëjta kureshtje e vjetër për ekzotiken, me të cilën u ushqye Eskili te “Persianët” dhe Herodoti te “Historia” e tij. Kur unë i dhashë disa shpjegime për lëkurëkuqtë tanë, ai nxori teorinë e tij të një tërmeti që do kish ndarë kontinentin më dysh, në ngushticën e Beringut, dhe kësisoj do kishte ndarë familjen e Jafetit. Kjo doktrinë sizmike mësohet padyshim në shkollën demotike [popullore] të Spatës, pa një fjalë të vetme për Atlantidën platonike.

Mësuesi nga Spata është dukshëm shembulli më i mirë i sërës së tij, që kemi takuar në Greqinë fshatarake. Një portret i shkëlqyer dhe një fytyrë e fortë, gjeniale, një mendjehapur i pacenuar nga të mësuarit (dyshoj se do lexonte ndonjëherë jashtë shkollës); ai duket si grekët e vjetër origjinalë, të jetës në natyrë, dhe akoma më shumë, sepse, ndryshe nga shumica e sërës së tij, kurrë nuk e ka hedhur tutje veshjen kombëtare. Veshja, në fakt, është shqiptare, ashtu siç është edhe ai vetë, njëlloj si shumica e këtij populli të prapatokës; por ai do t’ju tregojë se shqiptari nuk është gjë tjetër veçse greku i vjetër, pellazgu, sekreti parahistorik i të cilit është fshehur po aq mirë nga pjesa tjetër e botës sa ai i lëkurëkuqit dhe i tumandërtuesit. Nëse Karianët ishin të rrënjës pellazgjike, ashtu siç pretendojnë tani disa të ditur, bujtësi ynë mund të jetë një pasardhës, i largët vetëm nëntëdhjetë breza, nga varrgdhendësit e lashtë të Spartës.

Si shqiptar që është, ka një humor të jashtëzakonshëm helen. Karakteri shqiptar, siç e vinte re edhe Wordsworth-i, është më tepër dorik sesa jonian. . . I veshuri më mirë dhe me shtëpinë më të mirë të qytetit, ai është ndoshta qytetari më i shquar, sepse prodhuesi i pasur i rumit, jeton në Athinë. (James I. Manatt. “Behind Hymettus”, The Atlantic monthly. V. 73, I. 439, May 1894, f. 642-643).

Kjo Greqi optimiste e pavarësisë, e mbushur me shqiptarë që kuvendojnë, gëzojnë, punojnë, qeverisin e ëndërrojnë ngjan e largët dhe e pamendueshme sot. Ku shkoi vallë gjithë ai popull shqiptar i Greqisë? Tradita, kënga, vaji, historia e tyre? Zëra të shuar në kohë që duken po aq mitikë sa pellazgët. Vrik më bie ndër mend, vetëm George Bernard Show, kur flet për historinë: “Ç’do të shkruajë historia? Historia, zotëri, do të gënjejë! Si gjithnjë…”

PO MOS T’ISHTE NJI’KY BURRË, KURR N’ SHQIPNI S’ U NGRIT FLAMUR! – Nga Fritz RADOVANI

Atdhetari i madh i Popullit Shqiptar Luigj Gurakuqi (1879 – 1925), asht vra tradhëtisht në Bari t’ Italisë, me 2 Mars 1925…

Në atë Monumentin e Pavarësisë sonë Kombëtare të vitit 1912, në Vlonë, monument bronxi i ngritun me rastin e 60-vjetorit në vitin 1972, në Sheshin e Flamurit, kush mund t’ishte ma pranë Ismail Qemalit se Luigj Gurakuqi, Don Nikoll Kaçorri, Mustafa Kruja etj…? Po, jo, nuk ban Luigj Gurakuqi katolik Shkodre, Kaçorri ipeshkëv edhe ky katolik, Mustafa Kruja “trathtar” nga Veriu!..Fallsifikimet shkojnë deri aty sa paturpsisht thohet se dorasin, vrasësin Baltion Stamolla e paskan vra komunistët… Kaq “hakmarrës” me kenë “shokët” komunistë për vrasjen e shkodranit Gurakuqi, kur, vetë skilja sllave Ramiz Alia ka urdhnue heqjen e Luigj Gurakuqit nga boceti i Monumentit të Vlonës në vitin 1972, tue i thanë skulptorve: “Ju shikojen edhe vetë me shokët këte që po them, por Luigj Gurakuqi nuk është mirë për të qenë në një vepër kaq madhështore, mbasi ai ka qenë njeriu më i dashur dhe i besuar i klerit katolik!”

Ma shumë se të gjitha fletët që mujshe me mbushë unë me faktet e vrasjes së Luigj Gurakuqit, nga vetë Ahmet Zogu, ju flet një “copë” letër e vogël e dërgueme nga tradhtari Baltion Stambolla, me dy rreshta e tri adresa… të Ahmet Zogut, Ceno Beg Jakovës (Kryezut) dhe Çatin Saraçit, që i pabesi Baltion Stamolla i dërgon “miqve” të vet nga Italia, tue i kërkue shpëtimin me “mbrojtje, të holla, besën dhe ndihmë…”

Ja dhe fotokopjo e letres së vrasësit pabesë B. Stamolla…

Fotokopje e origjinalit të letres së Baltion Stamollës, e ruejtun nga

 Atdhetari Gjon Kamsi, sot në Muzeun e Shtetit në Shkoder. (Foto 2009):

“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane.

Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…

Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.

 

Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)

Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë

                                     Çatin Saraçi Hotel…”

***

Ndër Atdhetarët Shqiptar, Luigj Gurakuqi asht vra tri herë:

  1. Me 2 Mars 1925, nga Ahmet Zogu me veglat e tij vrasës e tradhëtarë…
  2. Në vitin 1972, nga E. Hoxha dhe R. Alia… si “i besuar”i Klerit Katolik.
  3. Në vitin 2005, kur “demokratët” i shembën edhe shtëpinë muze…
  • Dr. Prof. Mentor Quku, studjues i nderuem, e cilëson kështu Atdhetarin Gurakuqi: “Mendimi im dhe i familjes sime është se Luigj Gurakuqi është simbol i bashkimit kombëtar për të gjithë Shqiptarët bashkohës.

Figura si Ai i vinë Kombit shumë rrallë.”(2010)

  • At Gjergj Fishta ka pasë thanë gati para 100 vjetësh:

 “Fatkeqësisht, si në të gjitha punët vazhdohët “me ecë si gaforrja!”

…•Sot, vetem me një ndryshim: “Rilindja vazhdon ecjen majtas…”

Melbourne, 1 Mars 2021.

 

IX – 2021 VITI I AT PJETËR MËSHKALLA S. J. – 120 VJETORI KUR U LÈ N’ SHKODËR I MADHI AT MESHKALLA – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

IX – 2021 VITI I AT PJETËR MËSHKALLA  S. J.

– 120 VJETORI KUR U LÈ N’ SHKODËR I MADHI AT MESHKALLA –

Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

“KLERI KATOLIK SHQIPTAR DHE EUROPA…”

Bisedat e At Meshkallës kishin një qëllim kryesisht të mirë

Report Tv, Dosja K – Monsinjor Zef Oroshi, si e vdiqën nën tortura të vëllanë, Ndue (video)

Report Tv, Dosja K – Monsinjor Zef Oroshi, si e vdiqën nën tortura të vëllanë Ndue


Send this to a friend