VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kreu i Sigurisë Kombëtare hedh poshtë njoftimet për kushtet e këqija në qendrat e ndalimit

By | July 8, 2019

Komentet

Reflektime të astronautëve mbi Misionin Apollo për eksplorimin e hapësirës

Ndërkohë që bota feston 50 vjetorin e misionit historik për të dërguar njerëz në Hënë, Zëri i Amerikës ju sjell reflektimet mbi këtë arritje monumentale përmes syve të astronautëve të NASA-s. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh ka përgatitur një përmbledhje të citimeve nga intervista me astronautët e misionit Apollo mbi rrugëtimin drejt Hënës dhe destinacionet që e presin njerëzimin në të ardhmen:

“Në 1957 isha student me një bursë Fullbright në Norvegji. Kisha dalë në terren për të mbledhur të dhëna gjeologjike. I vetmi kanal që kapte radioja ishte Zëri i Amerikës nga një stacion në Algjer. Po dëgjoja një nga emisionet muzikore të Willis Conover mbi xhazin amerikan, kur u ndërpre transmetimi për të njoftuar se Bashkimi Sovjetik kishte hedhur satelitin e parë, Sputnik Një në orbitë rreth Tokës. Në atë moment e kuptova që duhet të filloja t’i kushtoja vëmendje hapësirës,” thotë në një intervistë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 11.

“Kemi vendosur të shkojmë në Hënë dhe të realizojmë arritje të tjera në këtë dekadë, jo sepse janë objektiva të lehta, por sepse janë të vështira,” pat thënë Presidenti John Kennedy.

“Kur Presidenti Kennedy e bëri njoftimin se po përpiqeshim të dërgonim njeriun në Hënë brenda dekadës, nuk më besohej. Mendoja që po e thoshte thjesht për të na dhënë vetëbesim, por nuk e mendoja të realizueshme,” thotë Jim Lovell, astronaut në misionet Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Asnjë vend që synon të jetë udhëheqës mes vendeve të tjera nuk mund të mendojë se mund të rrijë pas në garën e hapësirës,” tha Presidenti Kennedy.

“Një ambicje e pashembullt: synimi për të qenë i pari në hapësirë. Synimi për të qenë në krye. Çdo gjë tjetër është e papranueshme për njerëzit e këtij vendi,” thotë Eugene Cerman, astronaut në misionet Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Është një pasqyrim shumë dramatik i asaj që mund të arrish duke bashkuar njerëzit më të aftë, me përparimet më të mëdha, nën udhëheqjen e duhur. Me këtë kombinim mund të bësh mrekullira,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Ishte një arritje që shërben si shembull i organizimit të mirë brenda një agjencie qeveritare. Shembuj të tillë në ditët tona janë të rrallë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Investuam shumë kohë, energji e përpjekje njerëzore për të dalë në krye me misionet Apollo,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11.

“Programi i hapësirës pati ndikimi pozitiv pasi u dha njerëzve frymëzim dhe shpresë për misionet që kishte ndërmarrë vendi,” thotë Jim Lovell, astronat i misioneve Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Misioni Apollo 13 tregon se çfarë mund të realizojë një ekip i përgatitur,” thotë Gerry Griffin, , drejtor fluturimi i misionit Apollo 13.

“Ekipi që ishte përgatitur për të reaguar në situata emergjente e bëri detyrën në mënyrë që meriton lavdërime,” thotë astronauti Buzz Aldrin.

“Isha drejtor i fluturimeve për misionin Apollo 17 kur Gene Cerman dhe Jack Schmitt u lëshuan në hapësirë. Lexuam një mesazh të presidentit që me pak fjalë thoshte se ky mund të ishte udhëtimi i fundit i Apollos për këtë shekull. Ishte një moment sa triumfi aq edhe keqardhjeje, pasi ne si komb po hiqnim dorë nga ambicja si ekspolues të hapësirës,” thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve për programin Apollo.

“Do të rikthehemi në Hënë,” thotë Eugene Cerman, Astronaut i misioneve Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Miku im, Neil Armstrong mendonte se rikthimi në Hënë ishte hapi i duhur dhe i nevojshëm që do t’i paraprinte eksplorimit të Marsit,” thotë Michael Collins, astronaut i Misionit Apollo 11.

“Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të kalonin 50-60 vjet para se amerikanët të shkonin përsëri në Hënë,” thotë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 17.

“Kur më kujtohet si mendonim në atë kohë, më çudit fakti që ende nuk kemi shkuar në Mars,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Jam marsian. Mendoj se Marsi është destinacioni tjetër që duhet të arrijmë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Mirëpres 50-vjetorin e atij momenti historik, pasi është dhe duhet të jetë një riafirmim i rrugës që duhet të ndjekim,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11.

Twittet e Presidentit Trump për ligjvënëset me ngjyrë shkaktojnë zemërim

Në një numër twittesh të dielën në mëngjes, të cilat u cilësuan menjëherë nga kritikët si komente raciste dhe ksenofobike, Presidenti Donald Trump ka provokuar një tjetër polemikë që lidhet me disa anëtare të Kongresit.

Presidenti sulmonte në twiterat e tij disa ligjvënëse demokrate, me ide progresive, duke u thënë atyre të kthehen në vendet e tyre për të dhënë ndihmesë në pakësimin e krimeve në ato vende. https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1150381394234941448tps://twitter.com/realDonaldTrump/status/1150381394234941448

Në mesin e katër ligjvënëseve që u bënë objekt i sulmeve të Presidentit, vetëm njëra prej tyre, ligjvënësja e Minesotës – Ilhan Omar, nga Somalia – ka lindur në një vend të huaj. Tre ligjvënëset e tjera janë amerikane indigjene – Ayana Pressley (e shtetit Massachusetts) ka lindur në Cincinnati të Ohios. Alexandria Ocasio-Cortez ka lindur në Nju Jork dhe përfaqëson pjesën lindore të lagjes Bronx dhe një pjesë të lagjes Queens), ndërsa Rashid Tlaib, ligjvënëse e Michiganit, ka lindur në Detroit.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës, për të konfirmuar në se Presidenti ishte në dijeni para se të niste twittet, se tre nga katër ligjvënëset që ai përmendëte, janë shtetase amerikane, të lindura në SHBA.

Ligjvënëset në fjalë kanë patur një polemikë me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, demokraten Nancy Pelosi, lidhur me çështjet e imigracionit. Kjo mosmarrëveshje tërhoqi ditët e fundit vëmendjen e zotit Trump, i cili madje i doli në mbrojtje në publik zonjës Pelosi.

Twittet e Presidentit Trump lidhur me katër ligjvënëset demokrate, të njohura ndryshe si “grupi”, erdhën pas një segmenti 20 minutësh kushtuar atyre në televizionin Fox News. Presidenti shpesh reagon menjëherë në mediat sociale ndaj programeve që sheh në kanalin Fox.

Në veçanti, ligjvënësja Omar, ka qenë objekt kritikash në këtë televizion, pjesërisht për shkak të qëndrimit të saj kritik ndaj Izraelit dhe të disa komenteve të saj antisemite.

Ligjvënëset Omar dhe Tlaib janë dy my myslimanet e para të zgjedhura në Kongresin amerikan.

Shumë njerëz në mediat sociale po i dënojnë twittet e zotit Trump, që duket se i kanë tejkaluar këtë herë normat, edhe pse zakonisht ai shkruan twitte provokuese.

Në mesin e kritikëve, është edhe ligjvënësja Pelosi, e cila shkroi se komentet e zotit Trump janë ksenofobike dhe “synojnë ta përçajnë vendin tonë” dhe ato “ritheksojnë se plani i tij – për ta bërë Amerikën përsëri madhështore -, ka qenë në fakt gjithmonë ta bëjmë Amerikën përsëri të bardhë”. za

New York, fenomeni Manhattanhenge sërish sjell pamje mahnitëse

New York

Shumë njerëz në New York janë tubuar në Manhattan për të shijuar pamjet e fenomenit të ashtuquajtur Manhattanhenge, perëndimit të diellit në linjë me rrugët kryesore të kësaj lagjeje të qytetit amerikan.

Fenomeni Manhattanhenge ndodh katër herë brenda vitit, duke shkaktuar një përjetim të veçantë për qytetarët e New Yorkut dhe turistët e shumtë që shijojnë perëndimin e diellit i cili lëshohet në rrugët të cilat janë saktësisht të pozicionuara në kahet lindje-perëndim.

Me paraqitjen e këtij fenomeni, njerëzit nxitojnë për të bërë fotografi të paharrueshme të rrugëve të pushtuara nga drita e artë e diellit në perëndim.

Gara e demokratëve dhe hendeku ekonomik në SHBA

Gara e rrëmujshme e demokratëve që konkurojnë për president, ku deri tani kanë hyrë 24 kandidatë i ka vënë pretendentët përballë detyrës së vështirë për t’u dalluar nga të tjerët. Shumë prej tyre premtojnë plane për të luftuar pabarazinë në të ardhura. Kjo politikë ka në qendër një problem real të shoqërisë amerikane si dhe vë në shenjestër politikat e administratës Trump, e cila përmes reformës fiskale ka lejuar shkurtim të ndjeshëm të taksave për amerikanët më të pasur, por u ka ofruar vetëm përfitime modeste amerikanëve me të ardhura të ulëta.

Kjo temë është shumë e përshtatshme për tonin e fushatave, pasi shoqërohet me statistika që ndezin turmën duke nxitur thirrje për veprim.

Pak kohë më parë, Elise Gould, ekonomiste pranë Institutit të pavarur për Politika Ekonomike dëshmoi në Kongres se “familjet më të pasura që përfaqësojnë 1% të popullatës kanë përjetuar rritje të të ardhurave në masën 229% që nga 1979, shumë më tepër se 46% rritje ose rritje në masën 1% për vit për 90% të familjeve amerikane që përfaqësonë shtresat më të varfëra”.

Hendeku ekonomik po thellohet. Sipas Institutit për Studime Politike, tre personat më të pasur: Jeff Bezos, Bill Gates dhe Warren Buffet së bashku kontrollonin më shumë pasuri se 50% e amerikanëve që përfaqësojnë gjysmën më të varfër të vendit. 5% e amerikanëve që renditen si personat më të pasur në vend kontrollojnë 2/3 e pasurisë së përgjithshme të vendit.

Sanders, i pari me thirrjet për mbylljen e Hendekut në të Ardhura

Senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders i takon merita që e solli në qendër të vëmendjes këtë temë. Tani që konkurron për herë të dytë për president, zoti Sanders vazhdon të bëjë thirrje për taksa ndëshkuese ndaj më të pasurve dhe betohet të mbledhë 2.2 miliardë dollarë nga afro 600 miliarderë që ka Amerika, duke rritur taksën mbi shumën që trashëgojnë pasardhësit duke e çuar në 77% të shumës. Ai ka mbështetur prej kohësh rrogën minimale prej 15 dollarësh.

Shumë nga politikat që ai parashtroi gjatë fushatës përballë rivales demokrate Hillary Clinton tani janë përqafuar nga konkurrentë të tjerë demokratë.

Biden me plane që ndërthurin Politika Progresive e të Moderuara

Ish-nënpresidenti Joe Biden ka propozuar zgjidhe që përpiqen të gjejnë balancën mes politikave që duan të taksojnë të pasurit dhe alternativave më të moderuara që pat përqafuar administrata Obama. Zoti Biden ka kritikuar ligjet që mbrojnë shumë të pasurit nga taksimi i trashëgimisë si dhe shkurtimet e taksave që miratoi administrata Trump, duke i cilësuar si favorizuese për më të pasurit. Por gjithashtu ai ka premtuar se nuk do të vërë në shenjestër të pasurit me taksa ndëshkuese.

Warren premtojn “taksë mbi Ultra Milionerët”

Ndër kandidatët më agresivë është Senatorija Elizabeth Warren e cila ka propozuar “taksë mbi ultra milionerët”. Në bazë të propozimit do të ndëshkoheshin me 2% taksë pasurie të gjithë ata që kanë më shumë se 50 milionë dollarë pasuri neto dhe me 3% të gjithë ata që janë miliarderë. Të ardhurat për buxhetin që do të rezultonin nga këto politika do të ndihmonin programe që mbështesin familjet me të ardhura të ulëta, duke ofruar kujdes si për shembull kopshte falas për fëmijët, si dhe banesa me kosto të ulët, thotë zonja Warren.

Propozimet fiskale të Kamala Harris

Senatorja Kamala Harris ka propozuar rimbursim deri në 6000 dollarë të taksave në vit për familje. Ajo mbështet rrogën minimale prej 15 dollarësh si dhe programe për të mbrojtur amerikanët nga kostot e strehimit që marrin 30% të të ardhura të familjes. Ajo kërkon eliminimin e shkurtimit të taksave që miratoi administrata Trump.

Kryebashkiaku Butigieg pro Rrogës Minimale $15

Kryebashkiaku Pete Buttigieg aktualisht është pak i paqartë në politikat që mbështet për të zgjidhur pabarazinë ekonomike. Ai mbështet rrogën minimale prej 15 dollarësh dhe forcimin e sindikatave që të mund të luftojnë për paga më të larta. Ai gjithashtu kërkon leje të paguar për nevoja familjare dhe lehtësira për kujdesin për fëmijët e vegjël.

O’Rourke pa shumë shpjegime

Ish-ligjvënësi nga Teksasi Beto O’Rourke, ka qenë më i paqarti ndër kandidatët kryesorë lidhur me politikat për të zgjidhur hendekun ekonomik mes shtresave amerikane. Gjatë fushatës ai ka pohuar se ka një përqëndrim të pashembullt të pasurisë dhe privilegjit tek një grup i vogël njerëzish, por nuk ka dhënë shpjegime si do ta adresojë këtë problem. Në faqen elektronike të fushatës së tij, ky problem nuk renditet si një ndër përparësitë e tij politike.

Booker premton “Bono për Foshnjet”

Disa nga propozimet më të padëgjuara më parë mbi këtë temë kanë dalë gjatë kësaj fushate, por pa tërhequr shumë vëmendje nga votuesit. Senatori Corey Booker propozon “bono për foshnjet” për të vënë mënjanë 1000 dollarë në vit (në rastet e familjeve të varfra 2000 dollarë në vit) për çdo fëmije të lindur në SHBA. Paratë do t’i mbante në një llogari Departamenti i Thesarit deri kur fëmija të arrinte moshë të rritur. Këto fonde do të arrinin afro 46 mijë dollarë për person duke i dhënë mundësi personit të blinte një banesë, apo të financonte studimet ose pensionin.

Yang flet për “Lirinë e Përpjesëtuar”

Andrew Yang, i cili krijoi një kompani shumë të suksesshme për përgatitjen e studentëve për provime universitare, megjithëse pa përvojë politike ka tërhequr vëmendje për propozimin që t’i ofrojë çdo amerikani një të ardhur minimale bazë. Ai e cilëson si “Liria e Përpjesëtuar” apo “Liria e Shpërndarë” dhe propozon që qeveria t’i ofrojë çdo amerikani 1000 dollarë në muaj që do të mbulohet nga një taksë mbi transaksionet finaciare dhe ka propozuar gjithashtu eliminimin e favorizimeve përmes taksave të të ardhurave nga investimet.

Pavarësisht se kush do ta fitojë garën mes pretendentëve demokratë, fituesi pritet të dalë në garë përballë Presidentit Trump me disa propozime që do të adresojnë hendekun në të ardhura mes amerikanve më të pasur dhe shtresave të mesme e të varfra.

Rojet Bregdetare Ameriane kapin një nëndetëse tjetër me drogë

VOAL – Një tjetër operacion anti-drogë, të mërkurën nga Rojet Bregdetare të SHBA, që kapi një sasi të konsiderueshme droge.

Në mes të majit dhe korrikut, në 14 operacione të ndryshme në zonat bregdetare të Meksikës dhe Amerikës së Jugut, ushtria amerikane, pas sulmeve të shumta, ka kapur gjithsej 17 000 kilogramë kokainë dhe 423 marihuanë. Vlera e tregut e barnave të mbuluara nga Rojet bregdetare është rreth 505 milionë euro.

Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit gjithashtu kapin anije, anije ose nëndetëse të vogla të përdorura nga trafikantët për kontrabandë të narkotikëve gjatë rrjedhës së operacioneve.

AP

Samiti i mediave sociale në Shtëpinë e Bardhë

Një numër grupesh të njohura konservatore mblidhen të enjten në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si duhen trajtuar raportimet në mediat sociale.

Por gjigandët e medias sociale, Twitter dhe Facebook nuk marrin pjesë pasi nuk janë ftuar.

Për Samitin e Shtëpisë së Bardhë dhe për pjesëmarrësit në të janë dhënë pak hollësi, por konferenca vjen mes kritikave të shumta për këto kompani.

Disa argumentojnë se kompanitë e mediave sociale po heshtin zërat konservatorë. Të tjerë thonë se nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur përdoruesit nga dezinformatat dhe postimet fyese.

Një argument për të cilin bihet dakord është se firmat e teknologjisë janë të fuqishme dhe kontrollojnë kanale të rëndësishme të informacionit. Ka thirrje për një zbatim më të fuqishëm të ligjit anti-trust dhe për të parë nëse këto kompani duhet të ndahen.

Presidenti Donald Trump është i apasionuar i Twitter-it, duke e përdorur platformën si për të trumpetuar punën e administratës së tij ashtu edhe për të sulmuar kundërshtarët.

“Shtëpia e Bardhë do të organizojë një samit shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm për Median Sociale sot,” shkroi ai në Twitter përpara ngjarjes. “A do të bëhesha President pa Median Sociale? Po (ndoshta)!”

Paragjykim ndaj zërave konservatorë?

Presidenti Donald Trump ka kritikuar gjithnjë e më shumë tre kompanitë e mëdha të mediave sociale – Facebook, Twitter dhe YouTube – për atë që ai thotë se është censurë dhe paragjykim ndaj zërave konservatorë.

Të tre kompanitë kanë mohuar vënien në shënjestër të përdoruesve konservatorë kur zbatojnë standardet e tyre të komunitetit social.

Në maj, Shtëpia e Bardhë u kërkoi njerëzve të ndanin eksperiencat e tyre në një faqe elektronike.

“Në fillim të këtij viti Shtëpia e Bardhë filloi një nismë për të lejuar amerikanët, pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre politike, të tregojnë se si janë prekur nga paragjykimet në internet. Pas marrjes së mijëra përgjigjeve, Presidenti dëshiron të angazhohet drejtpërdrejt me këta liderë dixhitalë në një diskutim për fuqinë e mediave sociale”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere në një deklaratë të martën pasdite.

Faqja elektronike tani është e mbyllur, por një mesazh u tregon vizitorëve se “platformat e mediave sociale duhet të avancojnë lirinë e fjalës. Megjithatë, shumë amerikanë kanë parë që llogaritë e tyre janë pezulluar, ndaluar apo raportuar për shkelje të paqarta të politikave të përdoruesve”. https://whitehouse.typeform.com/to/Jti9QH

Samiti është për “udhëheqësit dixhitalë” të interesuar për “një bisedë të fuqishme mbi mundësitë dhe sfidat e mjedisit të sotëm online”, tha Shtëpia e Bardhë kur njoftoi për konferencën.

Të ftuar, ekspertë dhe drejtues konservatorë

Ndërkohë që lista e pjesëmarrësve nuk është bërë publike, ndër të ftuarit janë Zëvendëskryetari i Partisë Republikane të Floridës, Christian Ziegler dhe anëtarë të grupeve konservatore si Fondacioni Heritage dhe Turning Point USA.

Është e rëndësishme për njerëzit të mësojnë se si faqet e mediave sociale moderojnë përmbajtjen, tha Jillian York, drejtoreshë për lirinë ndërkombëtare të shprehjes në Fondacionin Elektronic Frontier, një organizatë dixhitale për liritë civile.

Kompanitë e mediave sociale “nuk po veprojnë si duhet” dhe po heqin fjalime që nuk duhet, tha ajo. Por as vlerësimi i administratës Trump për konservatorët nuk është i drejtë, shtoi ajo.

“Rregulli duhet të jetë liria e shprehjes,” tha ajo. “Duhet të hiqen përmbajtje vetën për rrethana vërtet të rrezikshme.”

Clara Tsao, një bashkëpunëtore për kompaninë Mozilla tha se sipas ligjit amerikan, ofruesit e “shërbimeve interaktive kompjuterike” lejohen të përjashtojnë njerëzit nga komunitetet e tyre në internet, për të mbrojtur përmbajtjen dhe vendimet editoriale dhe për të ofruar standarde të mirësjelljes. “Është një problem i ndërlikuar”, thotë ajo. “Ka një keqkuptim rreth asaj se si duhet të bëhet moderimi i përmbajtjes”.

‘Izolimi’ i fjalës

Kompanitë e mediave sociale vazhdojnë të bëjnë ndryshime në shërbimet e tyre për të hequr llogaritë e rreme dhe në disa raste, për ta bërë më të vështirë të shihen postime që konsiderohen të pavërteta ose ofenduese.

Këtë javë, Instagrami, i cili është pronë e Facebook-ut, njoftoi ndryshime për të goditur bulizmin. https://www.businessinsider.com/instagram-announces-restrict-mute-feature-ai-flag-offensive-comments-2019-7

Kohët e fundit, Reddit “pezulloi” një grup diskutimi në faqen e tij për shkak të një kërcënimi për dhunë. Përdoruesit shohin tani një paralajmërim përpara se të hyjnë në grup. za

Boeing po e humb vendin e parë në botë

Aeroplani Boeing 737 MAX

Kompania amerikane e aeroplanëve Boeing po e humb pozitën e të qenit prodhuesi më i madh i avionëve në botë, pas një rënieje prej 37 për qind në shitjet, për gjysmën e parë të vitit.

Rënia ndodhi shkaku i debateve të zgjeruara për aeroplanët e saj më të shitur 737 MAX, dy prej të cilëve u rrëzuan për një periudhë të shkurtë kohore, duke lënë të vrarë 346 persona.

Shifrat tregojnë se shitjet e Boeing, ka të ngjarë të bien pas kompanisë rivale evropiane Airbus, për herë të parë në tetë vjet.

Administrata Federale e Aviacionit Federal të SHBA-së, javën e kaluar zbuloi një problem të ri me avionët MAX, duke vonuar kthimin e aeroplanëve në përdorim deri në fund të shtatorit dhe ndoshta duke shtuar kostot për Boeing.

Gjykata e Apelit nuk lejon presidentin Trump të bllokojë kritikët në Twitter

Një gjykatë amerikane federale e apelit vendosi që Presidenti Donald Trump nuk mund të heshtë kritikët në llogarinë e tij të Twitter-it, duke thënë se bllokimi i tyre shkel të drejtën kushtetuese të lirisë sër fjalës.

Gjykata e Dytë e Apelit në Manhattan vendosi me një vendim 3-0 të martën, se Amendamenti i Parë i Kushtetutës e ndalon Trump-in të bllokojë kritikët nga llogaria e tij që është një platformë publike.

Në emër të panelit prej tre gjyqtarëve, gjykatësi Barrington Parker shkruan “Amendamenti i Parë nuk lejon një zyrtar publik që shfrytëzon një llogari të mediave sociale për të gjitha llojet e qëllimeve zyrtare, të përjashtojë persona nga një dialog i hapur në internet, për shkak se ata shprehin pikëpamje me të cilat zyrtari nuk pajtohet “.

Presidenti Trump e ka përdorur llogarinë e tij të Twitter-it, që ka më shumë se 60 milionë ndjekës, për të promovuar axhendën e tij dhe për të sulmuar kritikët.

Gjykata vendosi për një padi të paraqitur nga Instituti i Kalorësve të Amendamentit të Parë të Universitetit Columbia në emër të shtatë personave të cilët u bllokuan nga presidenti Trump pasi kritikuan politikat e tij.

Vendimi mbajti në fuqi një vendim të majit 2018 nga Gjykata për Qarkun Jugor të Nju Jorkut. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se vendimi ishte “krejtësisht i keqkuptuar”, duke argumentuar se presidenti Trump e përdor llogarinë e tij në Twitter në kapacitetin e një individi privat për të shprehur pikëpamjet e tij dhe jo si një forum për diskutime publike.

Administrata Trump nuk ka komentuar menjëherë për vendimin, ashtu sikurse edhe kompania Twitter, apo paditësit. za

Uashington, mbretëresha e bukurisë në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale

Katelynne Cox

Në epokën e lëvizjes #MeToo, Miss-i i kryeqytetit amerikan, Miss District of Columbia 2019, po e përdor titullin e saj për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale dhe për të rritur ndërgjegjësimin për këtë problem. Ajo quhet Katelynne Cox, një 25-vjeçare që krahas të qënurit Miss është edhe drejtore ekzekutive e organizatës “Heshtja nuk është Bashkëpunim”. Kjo organizatë rehabiliton të mbijetuarit e dhunës seksuale, si dhe përgatit fëmijët se si të parandalojnë dhunën seksuale.

Çdo vit, Miss-i i Distriktit të Kolumbisë vlerëson vajza me rezultate të larta që jetojnë apo punojnë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.

Katelynne Cox është fituese për këtë vit.

“Organizata Miss DC është pjesë e programit Miss America dhe ofron çdo vit mbi 25 mijë dollarë bursa studimi për pjesëmarrësit. Fituesja fiton edhe një bursë prej 10 mijë dollarësh. Ka gjithashtu edhe një mori çmimesh për akademikët”, thotë Katelynne.

Oganizata jo vetëm u ofron pjesëmarrësve një platformë për të treguar talentin e tyre, por është edhe një mundësi për të zgjedhur një inciativë me ndikim social për të cilën kanë ndjenja të forta. Për Katelynne, është të ndihmojë viktimat e përdhunimeve.

“ ‘Heshtja nuk është Bashkëpunim’ është një organizatë që krijova në vitin 2016 për të ndihmuar në rehabilitimin e të mbijetuarve të sulmit seksual. Dua të ofroj mundësinë e paralajmërimit të hershëm… Unë jam vetë e mbijetuar e një sulmi seksual. Më përdhunuan në kolegj. Doja ta shndërroja eksperiencën time të tmerrshme në një mënyrë për të ndihmuar të tjerët. Prandaj krijova organizatën dhe fillova lobimin për një projektligj të quajtur ‘Viktimat të parat’, thotë Katelynne.

Ajo thotë se do të vazhdojë të lobojë tek ligjvënësit në Uashington për të ndryshuar mënyrën se si trajtohen viktimat.

“Do të thoja se sipas politikave aktuale, viktimat trajtohen si mjete në funksion të prokurorisë dhe jo si viktima, të cilat duhet të shpëtohen. Kjo është ajo që unë dua ta ndryshoj”, thotë zonja Cox.

Katelynne thotë se ajo do të kryejë edhe funksionet e Miss DC 2019, së bashku me punën për të ndihmuar të mbijetuarit e sulmeve seksuale. Do të jetë një vit i ngarkuar, ndërsa ajo përgatitet për konkursin e Miss America 2020 që zhvillohet në muajin shtator.

Financieri amerikan akuzohet për trafikim vajzash për qëllime seksuale

Miliarderi amerikan Jeffrey Epstein, që është i regjistruar si predator seksual, u akuzua të hënën se drejtonte një rrjet trafikimi vajzash të mitura për seks. Zoti Epstein deklaroi pafajësinë në një gjykatë të Nju Jorkut. Ai është dënuar edhe më parë për krime seksuale dhe në vitin 2008, arriti një marrëveshje me prokurorët në Florida që i siguroi një vendim të zbutur. Financieri u arrestua të shtunën në mbrëmje, pasi arriti nga Franca me avionin e tij privat.

Miliarderi 66 vjeçar doli në një gjykatë të Nju Jorkut ku deklaroi se ishte i pafajshëm ndaj akuzve se drejtonte një rrjet të gjerë vajzash të mitura për marrëdhënie seksuale. Sipas akt-padisë, zoti Epstein i kishte joshur vajzat të shkonin në vilat e tij në Manhatan dhe Florida në periudhën 2002-2005 dhe i kishte paguar qindra dollarë për seks.

“Vajzat nën moshë, në fillim u rekrutuan për masazh dhe shpesh e bënin një gjë të tillë të zhveshura ose pjesërisht të zhveshura. Këto masazhe morën gjithnjë e më shumë një natyre seksuale dhe shpesh përfshinin një ose më shumë veprime seksuale, siç sqarohet në akt-padi”, tha Geoffrey Berman, Prokuroror i Qarkut Jugor të Nju Jorkut.

Zoti Epstein, që shoqërohej shpesh me të pasurit dhe të fuqishmit, përfshirë Presidentin Donald Trump, u shpall fajtor për krime seksuale në Florida në vitin 2008 dhe u dënua me 13 muaj burg. Një nga akuzueset ishte Michelle Licata, që ishte rekrutuar t’i bënte masazh kur ishte 16 vjeç.

“Ai thoshte gjithë kohës ‘O zot, sa e bukur, seksi dhe e mrekullueshme je’ dhe më vinte në pozitë shumë të vështirë”.

Sekretari në detyrë i Punës, Alexander Acosta, që ishte prokuror në Florida në atë kohë, e ndihmoi zotin Epstein që të arrinte një dënim të zbutur, që e lejonte atë të dilte nga burgu çdo ditë për të shkuar në punë, por sipas të cilit, ai duhet të regjistrhej si predator seksual.

Agjenti special i FBI-së, Bill Sweeney tha se agjencia e tij nuk do të ndalet deri kur predatorë të tillë, të jenë nën pranga, pavarësisht nga pushteti, pasuria apo lidhjet e tyre.

“Nëse jeni viktimizuar apo keni informacion shtesë për sjelljen e tij, duam të dëgjojmë prej jush, pavarësisht moshës suaj aktuale, apo në çfarë moshe ishit. Nuk ka rëndësi se ku ose kur ka ndodhur incidenti, apo incidentet”.

Avokati i zotit Epstein nuk ishte në dispozicion për komente të hënën. Zoti Epstein do të jetë në burg deri në seancën për lirim me kusht më 15 korrik, por prokurorët donin që ai të mbetej i ndaluar deri në gjyq, të shqetësuar se mund të largohet nga vendi. Financieri i pasur është banor i ligjshëm i pjesës amerikane të Ishujve të Virgjër dhe ka shtëpi në NJu Jork, Florida dhe Francë.

Kreu i Sigurisë Kombëtare hedh poshtë njoftimet për kushtet e këqija në qendrat e ndalimit

Kreu i Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare kundërshtoi njoftimet për mungesë të ushqimit, ujit dhe kanalizimeve të përshtatshme në qendrat e mbingarkuara me njerëz të ndaluar në kufirin SHBA-Meksikë. Në të njëjtën kohë, disa anëtarë të Kongresit po bëjnë thirrje për përmirësimin e trajtimit të imigrantëve në kujdestarinë amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Marcus Harton njofton.

Pas një turneu në një qendrat e ndalimit në Clint të Teksasit, javën e kaluar, ligjvënësja Aleksandria Ocasio-Cortez kritikoi kushtet brenda saj.

“Asnjë grua nuk duhet të mbyllet kurrë në një qeli kur nuk ka bërë asnjë dëm ndaj një qenieje njerëzore. Duhet t’u jepet ujë, duhet t’u jepet mundësia për të drejtat themelore të njeriut”.

Njoftimet e lajmeve dhe një raport i brendshëm i Patrullës Kufitare e përqendron vëmendjen tek mbipopullimi dhe ndalimi i zgjatur i imigrantëve. Kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në detyrë, Kevin McAleenan, tha në programin This Week të ABC-së se agjencia e tij po bën atë që mundet për të përballuar imigrantët që kanë hyrë në këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

“Kemi patur mbi 500 mijë njerëz që kanë kaluar kufirin tonë jugor. Kalimet mbizotëruese janë bërë nga familje, me fëmijë të pashoqëruar dhe të rritur”, thotë Kevin McAleenan, nën sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

McAleenan tha se njoftimet për kushte johigjienike, mungesë ushqimi dhe ujit të pijshëm, ishin të pabaza. Ai përmendi hapat e ndërmarrë për përmirësimin e qendrave të paraburgimit.

“Kemi bërë shumë. Që nga data 30 dhjetor kur kemi biseduar për këtë çështje, kishim vetëm 20 personel mjekësorë në objektet tona, përgjatë kufirit… Tani kemi mbi 200 … Kemi ndërtuar godina të përkohshme qëjanë shumë më të përshtatshme, me tavane të larta, me më shumë hapësirë për fëmijët dhe familjet”.

“Pashë gati 14 njerëz, që flinin në dysheme. Disa prej tyre thanë se nuk ishin larë për 15 ditë”, tha ligjvënësja Rashida Tlaib ishte pjesë e një delegacioni të Kongresit që vizitoi qendrën e paraburgimit në Clint të Teksasit, javën e kaluar.

“Nuk di si t’ia u shpjegojë njerëzve atë që pamë. Kur ua shpjegojmë njerëzve ata thonë: Kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Por ne ishim të gjithë atje dhe e pamë”, thotë ligjvënësja Tlaib.

Kongresi kohët e fundit miratoi një paketë prej 4 pikë 6 miliardë dollarë në fonde emergjente, shumë prej të cilave ka për qëllim përmirësimin e situatave për fëmijët dhe familjet e imigrantëve në mjediset e paraburgimit në kufi.

Presidenti njofton urdhër ekzekutiv për pyetjen mbi shtetësinë

Presidenti Trump tha të premten se po “konsideron shumë seriozisht” mundësinë e një urdhri ekzekutiv në përpjekje për të detyruar përfshirjen e pyetjes mbi shtetësinë në censusin e vitit 2020. Komentet ai i bëri përpara skadimit të afatit që gjykatat i patën vendosur administratës Trump për të sqaruar nëse do të përfshije ose jo pyetjen mbi shtetësinë në formularin e regjistrimit të popullsisë për vitin 2020.

Zoti Trump tha se kjo është një nga katër ose pesë alternativat që ai po shqyrton. Në fakt qeveria e ka filluar procesin e printimit të pyetësorit. Presidenti tha gjithashtu se zyrtarët mund të jenë në gjendje të bëjnë një shtesë në pyetësor, në një moment të mëvonshëm.

Avokatët e qeverisë po punojnë të japin një arsyetim të besueshëm mbi hapat e mëtejshëm rreth pyetjes që ka shkaktuar shumë debat. Gjykatat federale dhe disa shtete sfiduan vendimin e administratës Trump për të përfshirë çështjen e shtetësisë në procesin për regjistrimin e popullsisë, që zhvillohet çdo 10 vjet.

Pak ditë më parë Gjykata e Lartë, e cila votoi kundër përfshirjes së kësaj pyetjeje në censusin e 2020-s, tha se qeveria nuk ka bërë një shpjegim të qartë rreth arsyeve se pse kërkon ta shtrojë këtë pyetje në proces.

Çështja u duk se u mbyll të martën kur Departamenti i Drejtësisë dhe ai i Tregëtisë deklaruan se do të nisnin printimin e formularëve pa pyetjen për shtetësinë në mënyrë që të përmbusheshin afatet për kryerjen e regjistritmit të popullissë në kohë.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë argumentuan se kjo pyetje ishte e nevojshme për të ndihmuar zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtën e pakicave për të votuar.

Censusi është i rëndësishëm pasi përcakton numrin e vendeve për në Kongres për çdo shtet si dhe se si do të shpërndahen me qindra miliarda dollarë financime të qeverisë federale. Sipas kritikëve, pyetja për nënshtetësinë do të kishte frikësuar pakicat dhe emigrantët për të plotësuar formularin dhe do t’u jepte republikanëve epërsi.

Një urdhër ekzekutiv në vetvete nuk mund të përmbysë vendimin e gjykatës, por mund t’u jepte juristëve të administratës një mundësi të re në përpjekjet për të bindur gjykatat federale se pyetja duhet përfshirë. Ajo që mund të thuhet është se ndërsa afrohet afati, kjo çështje është pa përgjigje përfundimtare. za