VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Komentet

Intervista – Kurti: Aleanca me SHBA-në është e thellë, zgjedhje pas pandemisë

Amra Zejneli-Loxha

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me koronavirus. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti ka thënë se sapo të kalojë pandemia, Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare. Duke folur për marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, Kurti ka thënë se “aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga qeveritë e Republikës së Kosovës as nga kryeministrat e presidentët”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, fillimisht kur do ta dërgoni emrin e mandatarit për formimin e qeverisë te presidenti? Keni thënë së shpejti, por a mund të jeni më i saktë?

Albin Kurti: Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t’i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigjje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Kjo çështje bëhet edhe më urgjente marrë parasysh faktin se Kosova dhe e gjithë bota është në luftë me pandeminë?

Albin Kurti: Edhe po të kishim ndonjë qeveri tjetër, nuk do të mund të kishte prioritet tjetër përveç luftimit të pandemisë, dhe jam i bindur se qeveria jonë këtë po e bën shumë mirë edhe tash si qeveri në detyrë pas mocionit të mosbesimit. Pra, urgjenca ekziston për ta luftuar pandeminë, por nuk ka ekzistuar për ta rrëzuar qeverinë dhe aq me pak për të bërë ndonjë lloj manipulimi për qeveri të re siç ka aluduar presidenti.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, partitë politike në Kosovë, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur në favor të formimit të një qeverie tash meqë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve aktualisht nuk ka për shkak të pandemisë. A mendoni të jeni kryeministër në detyrë deri në përfundim të pandemisë?

Albin Kurti: Unë mendoj që më së miri është që të gjithë të bëhen bashkë me qeverinë në detyrë dhe me mekanizmat shtetërorë në luftimin e pandemisë dhe posa ta kalojmë këtë krizë shëndetësore të punojmë e urojmë që kjo të ndodhë me sa më pak pasoja, ne të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe më pas të kemi edhe kuvend të ri edhe qeveri të re.

Nuk janë partitë politike ato të parat, të cilat kanë thënë se janë kundër zgjedhjeve, në fakt është vetë presidenti i cili ka shprehur jo vetëm intencën, por edhe planin e tij, për një lloj qeverie të re gjithëpërfshirëse siç është shprehur ai. Pra, bëhet fjalë për një tendencë të presidentit edhe ta formojë edhe ta drejtojë vullnetin politik, që natyrisht është jashtë kompetencave të tij.

Kemi dyfishuar mbështetjen që nga 6 prilli

Radio Evropa e Lirë: Me 2014 në Kuvendin e Kosovës patët deklaruar se republika nuk organizohet rreth të parit në garë, por rreth shumicës së tërësisë. Ku është Lëvizja Vetëvendosje, te e para në garë, apo shumica e tërësisë?

Albin Kurti: Ne jemi të parët në garë dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 e ka imponuar edhe garën zgjedhore në vitet në vijim, deri në ditët e sotme, pa çka se unë konstatoj që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka mangësi e pabarazi dhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka gjithherë drejtësi. Pra, ne jemi ata të cilët i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse mund të mos jemi pajtuar me to dhe e këtillë është situata edhe sot e kësaj dite. Unë respektoj kushtetutshmërinë ndonëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e gjykatës Kushtetuese janë larg prej të qenit të përsosur.

Radio Evropa e Lirë: Me kë do të përpiqeni që në të ardhmen të krijoni shumicën, sepse aktualisht duket se jeni të vetëm?

Albin Kurti: Kurrë nuk ka qenë mbështetja më e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje sesa sot. Ne kemi shumë më tepër mbështetje si qeveri në detyrë, sesa kur ishim qeveri e posa formuar në muajt shkurt dhe mars. Që nga 6 tetori kur i fituam zgjedhjet e deri tash në fillim të muajit prill, praktikisht është dyfishuar mbështetja për neve. Ne do të hyjmë në garën politike elektorale jo vetëm për të fituar kësaj radhe, por gjithashtu edhe që ta kemi edhe numrin e nevojshëm e të mjaftueshëm të deputetëve për të formuar qeverinë e radhës. Mirëpo, nuk mund të flitet tash për koalicionet e ardhshme, kur nuk i kemi ende zgjedhjet e shpallura dhe pas asaj se çfarë na ndodhi me braktisjen e orientimit tonë qeveritar të përbashkët nga partneri ynë i koalicionit.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te pandemia, më 13 prill hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit hidhet poshtë vendimi i qeverisë për lëvizjen e kufizuar në Kosovë. Çka do të ndodhë më 13 prill, do të shpallni gjendje të jashtëzakonshme?

Albin Kurti: Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, i cili është me përplot siklet brenda. Ky është një aktgjykim, i cili neve na konteston procedurën por jo edhe përmbajtjen. Prandaj, ata na e kanë dhënë njëkohësisht lejen që ne të vazhdojmë me masat tona deri me datën 13 prill. Me vendim të qeverisë ne e kemi formuar një grup punues nga katër ministra, nga Shëndetësia, Punët e Brendshme, Infrastruktura e Mjedisi dhe Administrimi i Pushtetit Lokal, pra zotërinjtë Vitia, Sveçla dhe Abdixhiku, sikurse dhe zonja Rexhepi, në mënyrë që të komunikojnë dhe bashkëpunojnë dhe vendosin bashkë me kryetarët e komunave lidhur me masat që do t’i ndërmarrin në secilën komunë, pasi që gjendja në ato dallon shumë prej njëra-tjetrës.

Pra, tash është Ministria e Shëndetësisë, por edhe këto tri ministritë tjera, të cilat do t’i vendosin masat për ditët dhe javët në vijim. Shpresoj jo më larg se muaji prill me qenë se në maj ka shenja se do të mund të dalim nga kjo kriza e pandemisë.

Në Kosovë ende ka struktura të Serbisë

Radio Evropa e Lirë: A ka Kosova nevojë për gjendje të jashtëzakonshme?

Albin Kurti: Në Kosovë, ne i kemi ndërmarrë masat e jashtëzakonshme, por nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme sepse nuk ka kolapsuar sistemi shtetëror, sepse mekanizmat, institucionet dhe organet e shtetit janë duke i kryer detyrat, të cilat ua ka dhënë qeveria. Në këtë mënyrë nuk ka dështim të sistemit që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme. E kemi shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë dhe kemi lëvdata edhe brenda vendit, por që besa edhe jashtë, se jemi një shtet shembullor në përballje me pandeminë e koronavirusit.

Radio Evropa e Lirë: Jeni akuzuar nga partitë politike në vend, përfshirë këtu edhe partnerin tuaj në koalicionin qeverisës, për menaxhim të dobët të situatës në veri. Sa në fakt e keni nën kontroll situatën atje?

Albin Kurti: Nuk mund të them që situata në veri të Kosovës ka qenë ndonjëherë e kontrolluar siç duhet dhe sa duhet që prej çlirimit e këtej. Shpallja e Pavarësisë nuk e ka ndryshuar fort gjendjen tash e 12 vjet, dhe qeveria jonë, e cila nuk i kaloi as dy muaj të plotë dhe erdhi mocioni i mosbesimit, nuk mund të jetë përgjegjëse për gjendjen që e kemi gjetur aty.

Natyrisht, Serbia ka ndikim më shumë dhe vepron më aktivisht në veri të Ibrit, mirëpo unë kam komunikuar me kryetarët e komunave me shumicë serbe, të gjitha ato dhe sidomos ministri i Shëndetësisë, por edhe ai që është ushtrues detyre i Punëve të Brendshme, kanë komunikuar dhe bashkëpunuar me këto komuna dhe i kemi marrë vendimet të cilat zbatohen. Nuk them që nuk ka edhe vendime të Serbisë, që pjesërisht e nganjëherë nuk zbatohen ndokund, meqenëse ende ka struktura të Serbisë në Kosovë, por ne nuk mund të ndryshojmë këtë gjë brenda pak javësh, e aq më tepër në kuadër të kësaj pandemie të koronavirusit. Ne përkundrazi, po përpiqemi që pavarësisht dallimeve etnike, rajonale e partiake, të bëhemi bashkë me të gjithë të tjerët në këtë frontin kundër koronavirusit, i cili përndryshe qysh dihet nuk na dallon neve në bazë të etnisë, komunës apo partisë.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mund t’i bëni ballë, në cilësinë e qeverisë në detyrë, fuqizimit të strukturave të Serbisë në veri?

Albin Kurti: Nuk besoj që ka ndonjë fuqizim të strukturave të Serbisë shumë më tepër sesa që ato veprojnë zakonisht dhe le të mos harrojmë që një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve serbë në Kosovë i kanë nga dy kapela apo nga dy karrige ka një lloj dualizmi i cili është i pashëndetshëm. Mirëpo, po them edhe një herë, nuk kemi mundësi që të gjitha këto t’i ndryshojmë përnjëherë e aq më pak në kuadër të kësaj pandemie, e cila është një situatë krejtësisht e re për shtetin dhe për shoqërinë tonë, me të cilën nuk kemi përvojë e megjithatë po ia dalim relativisht mirë.

Aleanca me SHBA-në nuk varet nga kryeministrat e presidentët

Radio Evropa e Lirë: Pandemia është shfrytëzuar nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë për të përçuar thirrje te elita politike në Kosovë, që të lë mënjanë ndasitë. Por edhe komuniteti ndërkombëtar ka qenë i ndarë në raport me zhvillimet politike në Kosovë. Në njërën anë Shtetet e Bashkuara dhe në anën tjetër vendet e Bashkimit Evropian. Qëndrimet tuaja janë rreshtuar kryesisht me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe mbi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Pse nuk jeni rreshtuar me SHBA-në?

Albin Kurti: Nuk është se unë jam rreshtuar me ndokënd dhe nuk mendoj që askush është rreshtuar me mua. Politikanë, diplomatë të ndryshëm kanë qëndrime, mendime të ndryshme, mendime të ndryshme brenda Bashkimit Evropian po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë jam zotuar para qytetarëve për zëvendësimin e tarifes 100 për qind me reciprocitetin dhe këtë e kam mbajtur, kam shprehur vullnetin e mirë duke hequr reciprocitetin fillimisht për lëndë e parë të importuar nga Serbia, nuk është që edhe pas heqjes së tarifës ka ndonjë trafik të shtuar me Serbinë. Mirëpo unë besoj që reciprociteti është rruga e duhur përpara si koncept i barazisë, si koncept i trajtimit pa diskriminim, as ne Serbinë por as ajo neve.

Radio Evropa e Lirë: Pse nguroni të përmbushni kërkesën e SHBA-së për reciprocitetin? Aleanca me Uashingtonin gjithnjë është cilësuar si e shenjtë në Kosovë.

Albin Kurti: Unë jam i bindur që aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga Qeveritë e Republikës së Kosovës, as nga kryeministrat e presidentët. Kjo është një gjë shumë më e thellë e cila ka të bëjë edhe me historinë, ka të bëjë edhe me gjeopolitikën. Por ka të bëjë edhe me vlerat e përbashkëta. Prandaj, fakti që ne mund të kritikojmë njëri-tjetrin nuk është dobësi.

Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për një Kosovë të fuqishme, për një Kosovë e cila e mbron interesin e vet dhe në këtë mënyrë edhe e forcon aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk besoj që shteti i dobët i Kosovës jep kontribut më shumë në aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shteti i Kosovës forcohet pikërisht duke pasur respekt për vete, e duke ndërtuar marrëdhënie reciproke me të tjerët, në radhë të parë me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, keni diçka për të shtuar për në fund?

Albin Kurti: Unë i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të ndjekin me vëmendje vendimet e qeverisë në këtë kohë pandemie si dhe udhëzimet e mjekëve e të ekspertëve tanë. Virusi nuk ka këmbë të vetat, por i shfrytëzon këmbët tona dhe përhapet. Ne nuk e kemi nivelin e kënaqshëm të sistemit shëndetësorë publik andaj le të bëjnë gjithçka, tërë kohën në çdo vend për parandalimin e këtij virusi e më pastaj me siguri që do t’i japim hov edhe reformave të shumta edhe progresit të gjithmbarshëm në vendin dhe shoqërinë tonë.

Gjashtë europarlamentarë letër Kurtit: Kosova duhet të shkojë në zgjedhje

Pesë eurodeputetë të majtë dhe një ish-anëtar i Parlamentit Evropian i kanë dërguar një letër të hapur Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për t’i shprehur mbështetjen e tyre në këtë situatë të krijuar nga pandemia e COVID-19, por edhe në lidhje me përplasjet politike mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Hashim Thaçi.

Fillimisht, eurodeputetët të cilët janë edhe kryesues delegacionesh për vendet e Ballkanit apo raportues, shprehin solidaritetin për luftën e vështirë ndaj pandemisë, si dhe shprehin vlerësimet e tyre për përballjen e përshtatshme me situatën nga ana e qeverisë në detyrë.

Më pas në letrën e tyre të hapur, Tanja Fajon, Viola von Cramon-Taubadel, Tonino Picula, Andreas Schieder, Evin Incir dhe Knut Fleckenstein, rikujtojnë qëndrimin e shumicës së vende anëtare të BE-së kundër masave anti-demokratike në Hungari, ku thuhet se megjithë legjitimitetin për masa masat e jashtëzakonshme në këtë situatë të paprecedentë, shqetësimi mbetet shumë i madh për rreziqet e shkeljes së parimeve të shtetit ligjor dhe të drejtave themelore.

Letra për kryeministrin Kurti:

“Një letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Kosovës.

Bruksel, 9 prill 2020.

I nderuar Kryeministër Kurti,

Para së gjithash duam t’ju sigurojmë ndaj solidaritetit tonë në luftën e vështirë kundër pandemisë së coronavirusit. Të gjithë po përballemi me këto kohë të vështira, dhe na vjen mirë të shikojmë se ju po e përballoni situatën në mënyrën e përshtatshme.

Qeveritë e shumë shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian më 1 prill janë shprehur kështu: “Në këtë situatë të paprecedentë, Shtetet Anëtare e shohin të ligjshme të përshtasin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për ta tejkaluar këtë krizë. Megjithatë ne jemi shumë të shqetësuar për rreziqet që mund të sjellin shkeljet e parimeve kryesore të ligjit, demokracisë, dhe të drejtave themelore që rrjedhin nga miratimi i disa masave emergjente”.

Duke qenë se jemi mbështetës të fortë të respektimit të parimeve kryesore të ligjit dhe demokracisë, ne jemi tej mase të shqetësuar për situatën politike në vend pas votimit të mocionit të mosbesimit kundër qeverisë tuaj dhe pas leximit të njoftimit të presidentit Thaçi mbi disa interpretime të mundshme kushtetuese. Askush nuk duhet ta keqpërdori krizën aktuale për lojëra politike. Dhe ne shpresojmë, se në Prishtinë ekziston akoma përgjegjshmëria.

Gjithashtu ne dëshirojmë tju falenderojmë për vendimin e heqjes së taksës ndaj mallrave serb dhe boshnjakë. Ne besojmë se ky hap i rëndësishëm do të inkurajojë disa shenja të vullnetit të mirë nga ana serbe.

I dashur kryeministër,

Ne jemi të bindur, se Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, veçanërisht në këtë kohë krize. Pas krizës, zgjedhjet e reja do të vlejnë si një hap i nevojshëm për të ecur përpara, në përputhje me Kushtetutën tuaj. Ne, Anëtarët e Parlamentit Europian, jemi gjithmonë në krah popullit të Kosovës.

Ne vazhdimisht po negociojmë liberalizimin e vizave me Këshillin Evropian për qytetarët e vendit tuaj, dhe ne besojmë shumë se ju e meritoni me të vërtetë. Ne do të donim t’ju inkurajonim në luftën kundër çdo shpërdorimi të krizës së coronavirusit, e cila vetëm do tu jepte argumente shtesë atyre, që akoma punojnë kundër Kosovës”.

Shqipëria mbushi 3 ditë pa asnjë vdekje nga COVID-19

Shqipëria mbushi sot 72 orë pa asnjë vdekje prej koronavirusit, ndërsa rastet e të prekurve janë të pakta.

Vdekja e fundit i përket datës 6 prill, një 90-vjeçar i konfirmuar me COVID-19 dhe me një seri sëmundjesh të tjera.

Numri i vdekjeve është ndalur në 22 vetë prej disa ditësh, ndërsa vazhdojnë testime të përditshme, prej nga zbulohen raste të reja.

9 raste të reja u zbuluan gjatë 24 orëve të fundit nga testimi i 234 personave të dyshuar.

Numri i përgjithshëm është 409 të prekur, që janë zbuluar nga mbi 3 mijë e 220 testime për të dyshuar.

Statistikat zyrtare flasin për një numër në rënie të shtrimeve në spitale dhe rritje të shifrave për të shëruarit.

Autoritetet besojnë se shifrat e përhapjes së kësaj sëmundjeje për Shqipërinë arritën pikun në ditët e fundit të marsit.

Në dy spitalet COVID janë gjithsej 58 të shtruar, ndërsa 11 pacientë të tjerë iu shtuan listës së 165 të shëruarve. Pjesa më e madhe e të shtruarve, 52 vetë, janë në Spitalin Infektiv, ndërsa në Spitalin e dytë Covid janë vetëm 6 pacientë.

Qytetet më të prekura janë Tirana me 196 raste, Shkodra me 45 raste dhe Durrësi me 38 të prekur.

Autoritetet po vazhdojnë të mbajnë masa të shtrënguara në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve me orare të reduktuara, me fundjava 40-orëshe krejt të mbyllura për tregjet dhe qytetarët, si dhe me qarkullimin e bllokuar ndërqytetës.

Në rrugë qarkullojnë vetëm automjetet e shërbimeve publike, policia dhe ushtria, ndërsa janë krejt të mbyllura parqet natyrore dhe lulishtet, restorantet, lokalet dhe mjedise të tjera ku më parë kishte tubime masive të qytetarëve. zëri i amerikës

Kurti: Bisedimet me Serbinë – pa harta në tryezë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se në bisedimet me Serbinë që duhet të ndërmjetësohen nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të ketë harta në tryezë, e as proces që çon në ripërcaktim kufijsh.

Këto komente janë pjesë e një letërkëmbimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak , i cili u emërua zyrtarisht në këtë detyrë me 3 prill.

Në një letër që kryeministri Kurti i ka dërguar zotit Lajçak, thuhet se qeveria e Kosovës “është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona”.

Në letër thuhet se të dyja vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre dypalëshe.

“Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore. Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes”, thuhet mes tjerash në letër në të cilën zoti Kurti zotohet të drejtojë ekipin negociator në të cilin do të përfshihej edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkaq në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, zoti Lajçak shprehet “i inkurajuar” me përkushtimin ë Kosovës “për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e bisedimeve, dhe që është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese”.

Ai thekson se emërimi i tij jep shenja “të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog. Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur përpara në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur dialogun e Lehtësuar nga BE-ja” thuhet mes tjerash në letrën e zotin Lajçak.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga muaji nëntor i vitit 2018, kur Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzoi të ulet në tryezën e bisedimeve pa heqjen e tarifave të cilat ishin në fuqi deri më 1 prill kur u hoqën në mënyrë të kushtëzuar nga qeveria e zotit Kurti dhe u zëvendësuan me masa reciproke.

Vendimi i tij u mbështet nga Bashkimi Evropian por jo nga Shtetet e Bashkuara që kanë kërkuar heqjen e tarifave dhe shmangien e pengesave të tjera.

Letrat shënojnë komunikimin e parë më të dërguarin e BE-së, emërimi i të cilit nuk u prit me entuziazëm në Kosovë.

Edhe zoti Lajçak edhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell që do të merren me procesin e bisedimeve janë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. zëri i amerikës

Shifrat tronditëse- Më 2018 vdiqën mbi 11 mijë shqiptarë nga aparati i frymëmarrjes, ja sëmundjet më vrastare

Sëmundjet tumorale dhe ato të aparatit të frymëmarrjes janë shkaktarët kryesorë të vrasjes së mijëra shqiptarëve.

Shifrat më tronditëse janë për vdekshmërinë nga aparati i qarkullimit, ku vetëm në vitin 2018 ka humbur jetën plot 11 599 shqiptarë.

Në të dhënat e publikuara nga Open Data Albania, përgjatë viteve 20012-2018, shihet se numri i vdekjeve nga problemet e frymëmarrjes është rritur, ndërsa sëmundja tjetër shumë vrastare është tumori.

Ndërkohë, e dhënë pozitive është ulja e numrit të të vdekurve nga traumat, aksidentet dhe helmimet, çka tregon një siguri më të lartë të jetën kundrejt rreziqeve që kanë si shkaktar kryesor sjelljen njerëzore.

Studimi i plotë:

Open Data Albania po zbardh të dhëna mbi numrin e vdekjeve sipas sëmundjes shkaktare në vitet 2012 deri 2019. Ky indikator tregon numrin e sëmundjeve nga të cilat preket më shumë popullsia dhe që shkaktojnë edhe diagnozën finale në momentin që shënohet një vdekje.

Grupet e sëmundjeve shkaktare janë disi si Infektive; Tumorale; Endoktrine dhe të të Ushqyerit; Sëmundje të Gjakut dhe Organeve të saj; Çrregullime Mendore; Sistemi Nervor; Aparati i Qarkullimit; Aparati i frymëmarrjes; Aparati i tretjes; Sistemi Urogenital;’ Ndërlikime Barrëlindje; sëmundje të Lëkurës dhe indit; Sëmundje të Kockave dhe Muskujve; Malformime të Lindura; Perinatale; Simptoma të Papërcaktuara; Trauma dhe Helmime dhe Aksidente.

Të dhënat janë të autoriteteve shtetërore shqiptare të cilat në Prill 2020 kanë të publikuara indikator deri më 2018. Në këtë vit kanë ndërruar jetë në total 21 804 (njëzet e një mijë e tetëqind e katër) persona. Grupi i sëmundjes me më shumë fatalitete është ai i Aparatit të Frymëmarrjes. Nga ky grup shënohen në 2018 një numër prej 11 599 persona ose 53.2 % e totalit. Në vendin e dytë qëndron grupi i sëmundjeve tumorale me 3695 fatalitete ose 16.95% e totalit.

Vendi i tretë përkon me sëmundje Simptoma të Papërcaktuara që janë plot 3689 raste. Ky tregues dëshmon paaftësi të sistemit shëndetësorë në vlerësimin e diagnozës dhe shkakut fatal. Sa më shumë raste të tilla të shënohen aq më fort kemi mungesë të kujdesit shëndetësorë, aftësisë për vlerësim dhe ndërhyrje sipas rastit. Ky grup fatalitetesh dëshmon mungesë të cilësisë së shërbimit dhe kulturës pro shëndetit në vend. Ky grup ka ardhur në rritje në vitet e fundit. Në vitin 2012 sëmundjet me simptoma të papërcaktuara shënonin vetëm 11 % të totalit të vdekjeve.

Vendi i tretë përkon me sëmundje Simptoma të Papërcaktuara që janë plot 3689 raste. Ky tregues dëshmon paaftësi të sistemit shëndetësorë në vlerësimin e diagnozës dhe shkakut fatal. Sa më shumë raste të tilla të shënohen aq më fort kemi mungesë të kujdesit shëndetësorë, aftësisë për vlerësim dhe ndërhyrje sipas rastit. Ky grup fatalitetesh përkon me mungesë të cilësisë së shërbimit dhe kulturës pro shëndetit në vend si dhe performancë jo të kënaqshme të sistemit shëndetësor dhe diagnostikimit.

Download
Download

Pozitiv është fakti se kanë ardhur në ulje vdekjet nga Traumat , Aksidente dhe Helmimet cka tregon një siguri më të lartë të jetën kundrejt rreziqeve që kanë si shkaktar kryesor sjelljen njerëzore. Rritje kanë pësuar sëmundjet perinatale (të spaolidnurit) me një indikator në rritje edhe si raste për 100 mijë banorë. Po njësoj në rritje në 2018 kundrejt viteve më parë qëndrojnë edhe malformimet në lidnje apo Ndërlikimet e Barrë lindjes. Ky indikator shfaq vështirësi të shëndetit riprodhues dhe kujdesit për nënën dhe fëmijën indikatorë për të cilët përgjithsisht vendi ynë ka shfaqur indikator negativ në vite.

Download (1)
Download (1)
Download (2)
Download (2)

Numri i Vdekjeve sipas sëmundshmërisë është tregues interesant dhe i rëndësishëm. Ndihmon për të kuptuar jo vetëm sëmundjet që paraqesin më tepër rrezikshmëri për popullsinë e një vendi, por njëkohësisht edhe problematika që lidhen me harimin dhe eficensën e politikave shëndetësore. Për të realizuar këtë hulumtim Open data Albania është bazua në të dhëna statistikore të INSTAT.

Bëhuni gati për pamjet spektakolare të Hënës Rozë – Kur mund ta shihni

Hëna Rozë do të shihet e plotë dhe do të ofrojë pamje të mrekullueshme.

Ajo që njihet si Hëna Rozë apo Hëna e Trëndafiltë e Pashkëve pritet të jetë e dukshme sot dhe nesër.

Hëna Rozë do të shihet e plotë dhe do të ofrojë pamje të mrekullueshme. Ajo do të shfaqet mbrëmjen e sotme por edhe mëngjesin e nesërm.

Hëna e plotë do të arrijë pikun kur sfera hënore të vendoset direkt përballë diellit. Por, pavarësisht emrit të pazakontë, hëna nuk do të marrë vërtet ngjyrën rozë. Ky emër e ka gjenezën në fiset indiane të Amerikës, që e përdornin emërtimin në fjalë për matjen e kohës.

Ndryshimet sezonale

“Hëna Rozë” i referohet një myshku, ose luleje të egër, që çel në këtë kohë të vitit. Amerikanët e parë e kanë përdorur emrin, ndër të tjera, për të treguar ndryshimet sezonale. Për shembull, “Fish Moon” shënon periudhën kur peshku noton në rrjedhën e sipërme për të hedhur vezët citon Top Channel.

Sipas banorëve të Almanacit, fiset përgjatë bregut lindor të SHBA-ve e kanë emëruar në faza të ndryshme hënën, duke ndryshuar pamje bazuar në ndryshimet sezonale. Besohet se muaji rozë ka marrë emrin nga lloji i lules rozë që qel në fillim të pranverës.

Bestytnitë

“Hëna e plotë e prillit është e njohur si hëna e plotë rozë pasi paralajmëron ardhjen e myshkut rozë, një nga lulet e para të pranverës”, ka deklaruar Amy Nieskens nga Alamanac.

Hëna Rozë njihet edhe si Hëna e Shpërthimit të Barit dhe Hëna Vezë, në pjesë të ndryshme të planetit.

Hëna Rozë, megjithatë, ka një rëndësi të veçantë sepse përkon me festa të ndryshme: Pashkët festohen të dielën e parë pas Hënës së plotë, e cila ndjek ekuinoksin e pranverës, popullsitë Hindu festojnë lindjen e Hanuman-t në Indi në një festival të quajtur Hanuman Jayanti, hëna e plotë e prillit gjithashtu shënon fillimin e ditëve kur hebrenjtë kujtojnë çlirimin nga Zoti në Egjipt.

Akademia e Shkencave dhe Arteve: Partitë politike dhe institucionet në Kosovë të vetëpërmbahen deri në fund të pandemisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka ftuar subjektet politike dhe institucionet të tejkalojnë përçarjet dhe situatën e krijuar politike në Kosovë gjatë kohës së pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Përmes një komunikate, ASHAK-u ka shfaqur, siç është thënë shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me situatën e krijuar pasi, “qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti”.

ASHAK-u ka ftuar për tejkalimin e kësaj situate dhe kthimin “te vlerat e vërteta të mirëkuptimit dhe humanizmit.

“Në emër të këtyre vlerave, mbi të cilat kemi besuar gjithnjë se është ndërtuar shoqëria jonë, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës për vetëpërmbajtje, së paku deri në fund të kësaj pandemie, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Përveç tjerash, Akademia ka bërë thirrje, që për shkak të situatës së krijuar, secili të tregojë gatishmëri për solidaritet dhe përbashkim, “duke vendosur mbi interesin pushtetar interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ta fituar betejën kundër pandemisë, duke refuzuar dhe duke anashkaluar të gjitha dallimet politike dhe etnike”.

Në komunikatë është thënë edhe se institucionet e Kosovës dhe njerëzit e vullnetit të mirë e kanë obligim që përkujdesjen dhe solidaritetin ta ushtrojë në çdo cep të Kosovës, përfshirë minoritetet dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.

VIDEO – Lotë, vaje, duartrokitje! Përcillet në banesën e fundit aktori Gëzim Kruja

Shkodra i ka dhënë lamtumirën e fundit, kolosit të humorit Gëzim Kruja. Në orën 12:00, kortezhi me trupin e pajetë të mjeshtrit të madh ka përshkuar rrugën që ai bënte çdo ditë me shokun e tij të pandarë biçikletën, duke u ndalur edhe para Teatrit Migjeni, në tempullin e artit dhe të kulturës.

Edhe pse ishte paralajmëruar që të mos kishte pjesëmarrje, nuk kanë qenë të paktë qytetarët e Shkodrës që kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore, si një shenje falenderimi për buzëqeshjet që u ka dhuruar me humorin e tij. Teksa trupi i tij i pajetë po linte shtëpi ku u rrit dhe jetoi, pati edhe duartrokitje, ndonëse në sfond më shumë se ato, u dëgjuan më shumë të qarat e të afërmve që po përcillnin Gëzim Krujën, për mos u kthyer më.

Gëzim Kruja u nda nga jeta një ditë më parë, pas një sëmundje që e kishte prekur para një viti. Gëzim Kruja, është një nga kolosët e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, duke u renditur me emra të tjerë të mëdhenj të kësaj estrade, si Besnik Cinari, Zyliha Miloti, Drande Xhaj dhe i madhi Zef Deda i cili qëndroi pranë tij deri në ditën e fundit të jetës.

Gëzim Kruja, ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh” ./Shqiptarja.com

James Pardew: “Washingtoni përzihet tinëzisht në Ballkan derisa koronavirusi mbërthen botën”

James Pardew është ish-ambasador i SHBA-së në Bullgari dhe ish-ndihmëssekretar i NATO-s. Përmes një vështrimi të publikuar në “The Hill”, ai ka komentuar qasen e administratës Trump karshi Kosovës.

Në vijim po e japim të plotë vështrimin e tij:

Cili interes i mundshëm amerikan realizohet përmes diplomacisë së vazhdueshme të administratës Trump, e cila është duke e destabilizuar Kosovën, shtetin e vogël dhe të brishtë pro-amerikan të Ballkanit, gjatë një pandemie globale? Dhe, përse ekipi e Trumpit e bën këtë, kur ishte SHBA-ja ajo që e ndali Serbinë – me forcë – që të kryejë gjenocid në Kosovë më 1999?

Një gjë e tillë zgjon kureshtje të veçantë, pasi që SHBA-ja ishte akterja kryesore në pavarësimin e Kosovës dhe pasi që Kosova ka qenë shteti më pro-amerikan në Evropë, pas pavarësisë. Sidoqoftë, diplomacia e vazhdueshme amerikane sot e favorizon Serbinë, aleaten më të afërt të Rusisë në rajon.

I dërguari i Trumpit, Richard Grenelli është duke u munduar ta detyrojë Kosovën që t’i pranojë kërkesat serbe, në kuadër të “negociatave” për normalizimin e raporteve midis dy shteteve.

Grenelli po i udhëheq përpjekjet e tanishme diplomatike në Kosovë, ai po ashtu mban postin e ambasadorit të SHBA-së në Gjermani dhe është ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës amerikane. Është kjo një gamë absurde detyrash për dikë me përvojë të kufizuar diplomatike dhe pa kurrfarë përvojë në inteligjencë.

Grenelli raportohet të ketë qenë katastrofik si ambasador në Gjermani, nëse si standard merret raporti bashkëpunues me aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi që e presin largimin e Grenellit, transmeton KOHA.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Susan Rice e quajti Grenellin “njërin prej personave më të papëlqyeshëm dhe më të pasinqertë që kam takuar ndonjëherë”.

Serbia sot udhëhiqet prej presidentit Aleksandër Vuçiq, nacionalistit serb që po e shfrytëzon urrejtjen etnike si mjet politik për të fituar përkrahje lokale politike – ashtu si bëri Slobodan Milosheviqi në vitet nëntëdhjetë. Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin përçarje dhe armiqësi, si në Bosnjë, ashtu edhe në Kosovë. Vladimir Putini është i gatshëm ta ndihmojë Beogradin në gjithçka që e cenon unitetin e Evropës Perëndimore dhe SHBA-së.

Ajo çfarë po bëjnë tani në Kosovë Trumpi dhe Grenelli, paraqet një shkëputje prej politikave të suksesshme amerikane në rajon, në mënyrë rrënjësore.

Një parim i SHBA-së që solli paqe në rajon nga 2008-ta, ishte koncepti se kufijtë ishin të pandryshueshëm dhe se zgjidhjet politike duhej të gjendeshin Brenda kufijve të shteteve të caktuara. Marrëveshja e Ohrit që e parandaloi luftën në Maqedoni shkruan në mënyrë të qartë se “nuk ka zgjidhje territorial për çështjet etnike”. Të drejtat, jo territoret, janë zgjidhje e këtyre problemeve.

Udhëheqja amerikane me një koalicion të fortë të partnerëve ndërkombëtarë përdori diplomacinë intensive dhe forcën ushtarake për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për ta ndalur një fatkeqësi mizore humanitare të radhës në Kosovë dhe për ta parandaluar një luftë civile në Maqedoni, gjatë viteve 1995-2008, teksa ish-Jugosllavia po shpërbëhej. Përpjekjet e udhëhequra prej amerikanëve në ish-Jugosllavi ishin një sukses i madh i politikës së jashtme për SHBA-në, në periudhën e hershme post-sovjetike.

Sot, Kosova është shtet sovran demokratik, i njohur prej 97 shteteve. Por, Serbia e ka përdorur ndikimin e saj për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në institucionet tjera ndërkombëtare. Si kundërpërgjigje, Kosova ka vënë tarifë 100 për qind mbi mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenelli e ka nxitur Kosovën që t’i heqë tarifat, në mënyrë që të vazhdojnë negociatat e ndërprera.

Përderisa sanksionet ndërkombëtare dhe tarifat janë politikë e preferuar e administratës Trump, kundërshtimi, prej Trumpit, i tarifave legjitime si levë ndërkombëtare, është më shumë se ironik.

Për t’i bërë presion Prishtinës që ta heqë embargon, SHBA-ja pezulloi ndihmat e domosdoshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Washington madje edhe e shtruan mundësinë e largimit të kontingjentit të vogël të trupave amerikane në Kosovë, esencialë për sigurinë në Ballkan që nga 1999-ta. Ishte ky faktor i rëndësishëm në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, teksa koronavirusi po përhapej nëpër rajon. Kosova tani qeveriset prej një Qeverie në detyrë.

Grenelli duket se e preferon qasjen e politikanit të kahmotshëm të Kosovës dhe presidentit aktual, Hashim Thaçit, i cili e ka favorizuar një marrëveshje me Beogradin, madje edhe nëse përfshin shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Beogradit.

E këshillova Thaçi gjatë një bisede personale në Washington, para më shumë se një viti, se marrëveshja për shkëmbim territoresh ishte një truk serb që nuk do të shpinte askund dhe se ai nuk mund t’ besonte administratës Trump në çfarëdo negociatash me Beogradin. Ai ka shpërfillur këtë këshillë timen.

Shumë pyetje ngritën lidhur me misionin e Grenellit në Kosovë. Përse dikush me përvojë aq të kufizuar dhe me portofol aq të rëndësishëm shtetëror do të përfshihej në negociatat midis dy kundërshtarëve të dobët në Ballkan? Përse Grenelli po mban qëndrim pro-serb në bisedime? Përse SHBA-ja po e destabilizon një shtet pro-amerikan në një periudhë aq të brishtë?

Diçka këtu është e dyshimtë.

Si entuziast i përkushtuar i Trumpit, Grenelli thjeshtë mund të synojë që me çdo kusht ta gëzojë shefin e vet. Por, dyshoj se në këtë mes ka diçka më shqetësuese, posaçërisht pasi që kam dyshime të thella rreth raporteve të Trumpit me Vladimir Putinin. Dyshoj – pa dëshmi – se Putini ia ka paraqitur qëndrimet e veta pro-serbe Trumpit, e ka theksuar se shqiptarët janë myslimanë dhe pastaj i ka kërkuar Trumpit ndihmë në negociata.

Ashtu si edhe me të gjitha emërimet tjera të pamenduara mirë, Trumpi e bëri shërbëtorin e tij lokal, Grenellin agresiv dhe armiqësor, njeriun e tij kryesor për Kosovën. Kjo do të ishte një dhuratë për Putinin, që kënaqet në nxitjen e telasheve – të çfarëdo lloji – në Evropë.

Të kesh angazhim diplomatik të inspiruar prej Trumpit në ish-Jugosllavi është sikur ta lësh një dyvjeçar të luajë me qiri të ndezur midis kashtës.

Misioni i Grenellit në Kosovë rrezikon të nxisë jostabilitet në Ballkan dhe nuk i shërben asnjë interesi shtetëror amerikan. Politika aktuale amerikane në Kosovë do të mund të përkufizohej paaftësi diplomatike në rastin më të mirë, e mbase edhe keqpërdorim zyrtar.

Teksa COVID-19 ka mbërthyer SHBA-në dhe Evropën, Grenelli nuk duhet të nxisë përplasje në Ballkan, ku i mungojnë njohuritë, përvoja dhe aftësia diplomatike për përmirësimin e gjendjes.

Në vend të kësaj, SHBA-ja duhet ta promovojë një qeveri stabile në Kosovë, për t’u përballur me krizën aktuale shëndetësore.

Raporti Kosovë-Serbi është problem afatgjatë që meriton vëmendje serioze dhe profesionale, e jo politika gjysmake të njëanshme që shkojnë në favor të interesave serbe dhe ruse.

(Express)

”Luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet”, Meta mesazh ngushëllimi për Skënder Kurtin

Presidenti Ilir Meta, i shpreh ngushëllimet familjes së Skënder Kurtit, trajnerit të boksit për ndarjen nga jeta sot prej komplikacioneve me koronavirusin.

Meta thotë se Kurti luftoi edhe në këto ditë të vështira luftoi si një kampion që nuk dorëzohet lehtë teksa mbetet një prej ikonave të sportit kryeqytetas.

 

STATUSI I PRESIDENTIT ILIR META

Me hidhërim të thellë mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të boksierit🥊dhe trajnerit të shquar të Ekipit Kombëtar🇦🇱, njërit prej ikonave të sportit kryeqytetas, Skënder Kurti!

I admiruar nga të gjithë brezat e sportdashësve për rezultatet e tij në ring dhe pasionin e jashtëzakonshëm për sportin e dorezave, Ner Kurti gëzonte respektin e të gjithëve, veçanërisht të tironasve të mrekullueshëm që aq shumë e donin dhe i donte!

Edhe në këto ditë të vështira i madhi Ner Kurti luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë!
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kurti, të afërmve, bashkëpunëtorëve e miqve të shumtë, në veçanti qytetarëve të Tiranës e tifozave të ngjyrave bardhë e blu🔵 për këtë humbje të pazëvendësueshme!
LAMTUMIRË KAMPION!

Kosovë: Ambasada amerikane dhe kryeministri Kurti kërkojnë shmangien e ndarjeve etnike në kohë pandemie

Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje të dielën që të lihen anash ndarjet ndërmjet komuniteteve në kohën e përballjes më virusin COVID-19.

Komentet e ambasadës pasuan debatet që u nxitën pas futjes në karantinë të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe komunës së Zveçanit, të banuara me shumicë serbe. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Lidhja Demokratike si dhe partitë opozitare kritikuan qeverinë në detyrë për situatën në veriun e Kosovës, duke theksuar se ajo po lejon kësisoj “ndërhyrjen e Serbisë”.

Në një komunikatë të ambasadës përgëzohen “përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Të punoni së bashku, duke ndjekur udhëzimet e profesionistëve të shëndetësisë dhe duke lënë anash ndarjet ndërmjet komuniteteve është thelbësore për ta mundur COVID-19-tën”, thuhet në komunikatë.

Kurti: Ka politikanë në Beograd e Prishtinë që duan konflikt në veri për të cuar në ndarjen e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën ndërkaq se është ministria e Shëndetësisë që ka shpallur karantinën në ato dy komuna.

“Jemi angazhuar maksimalisht që të ndalim shpërndarjen e virusit duke ndihmuar të gjithë qytetarët dhe secilin prej tyre pa dallim komune dhe etnie. Ne e dimë që Serbia ka pretendime ndaj shtetit tonë të pavarur të cilën ajo nuk e njeh. Ne e dimë që ajo ndërmerr veprime edhe kundër institucioneve tona, posaçërisht në veri. Të gjitha këto ne po i raportojmë te KFOR-i dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë. Ne veprojmë e sillemi me kujdes sidomos në këtë kohë kur askush nuk mund të ketë prioritet tjetër përveç shëndetit publik”, tha ai në një videopostim ne llogarinë e tij në facebook.

“Po ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë sidomos në veri të Ibrit, mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provokojnë tensione sepse ata duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim; pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, serbëve dhe pakicave tjera në Kosovë, e posaçërisht në Mitrovicë, që të kenë kujdes, që ta ruajnë gjakftohtësinë e të mos bien në kurthin e atyre të cilët për t’i zbrazur shampanjat e tyre, kanë nevojë të derdhët gjaku jonë. Mos bini në provokime e insinuate e intriga të ndryshme. Ato janë kurthi në të cilin do të bien vet ata brenda”, tha kryeministri në detyrë.

Numri i personave të infektuar me koronavirus në mjediset e banuara me serbë ka shkuar në 22, ndërsa një pjesëtar i këtij komuniteti ka vdekur nga pasojat e infektimit në një spital në Nish, një qytet në jug të Serbisë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike deri të dielën është 140.