VOAL

Please Wait ...
0%

Kosovë: Myslimanë, katolikë e ortodoksë promovojnë tolerancën ndërfetare

By | September 13, 2017

Komentet

Tiranë: Studimi, të prekurit nga de-kriminalizimi po promovohen në karrierë

Instituti i Studimeve Politike sapo ka mbyllur në Tiranë një studim mbi dekriminalizimin e institucioneve, ku flitet me shqetësim për zvarritje dhe rezultate të pakëta në zbatimin e këtij procesi.

Nga studimi del se gjatë tre viteve të fundit janë larguar nga postet e larta shtetërore vetëm tre persona, ndërsa dhjetra të tjerë kanë arritur ti shmangen penaliteteve të këtij ligji duke vazhduar të qetë karrierën nga një institucion te tjetri.

Drejtuesi i këtij Instituti Afrim Krasniqi thotë se për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit mungon vullneti politik i partive dhe institucioneve shqiptare dhe duket se ligji u bë vetëm për të kënaqur pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare.

Pasi janë larguar nga parlamenti ata janë emëruar më poshtë nëpër ministri, prefektura, bashki dhe inspektoriate pa u shkëputur për asnjë ditë nga angazhimet partiake.

Zoti Krasniqi thotë se në mënyrën më paradoksale zyrtarë të ndryshëm janë larguar nga parlamenti prej dekriminalizimit, por kanë vazhduar karriera politike dhe administrative akoma më të suksesshme.

Studimi vëren se nga nxitimi në përgatitjen e ligjit, rrjeta ka lënë shumë hapësira nga po shpëtojnë shumë prej zyrtarëve të inkriminuar. Aty përdoret si shembull mospërfshirja e rekordeve të policisë zviceriane ku kanë lënë vepra e të dhëna kriminale shumë shqipëtarë.

Dekriminalizimi mbetet për një kohë të gjatë një temë e nxehtë debati mes partive politike të cilat shpesh vënë në dyshim akuzat e ndërsjellta për inkriminime te politikanëve të njohur midis tyre.

Zoti Krasniqi thotë se për fat të keq ky ligj po përdoret si gjueti shtrigash dhe mjet presioni ndaj politikanëve të ndryshëm dhe thjesht po i njollos ata pa i dënuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë herë pas here në debate të ashpëra kur ka shqyrtuar kërkesa të prokurorisë për ndërprerje mandati deputetësh me të dhëna kriminale.

Edhe pse këto të dhëna kanë ardhur nga polici të ndryshme evropiane deputetët i kanë vënë në dyshim dhe i kanë hedhur poshtë dhe anëtarët e kqz kanë replikuar pro dhe kundra sipas humoreve politike dhe aleancavve partiake të momentit.

Studiuesit mendojë se ligji për dekriminalizimin është i dyti që po rrëshqet drejt dështimit pas ligjit të mëparshëm mbi pastërtinë e figurave të përzjera me diktaturën komuniste.

Sipas tyre, si të inkriminuarit e diktaturës ashtu dhe te inkriminuarit e korrupsionit të sotëm po i shpëtojnë njëlloj masave parandaluese dhe po arrijnë të depërtojnë pa pengesa në nivelet më të larta të administratës shtetërore dhe të partive politike.

Shkup, protestë kundër rikualifikimit të veprës në rastin e Almir Aliut

Grupi i protestuesve nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë kërkuan që mos të rikualifikohet lënda nga “tentim për vrasje” në “aksident me pasojë vdekjen”

SHKUP – Me iniciativë në rrjetet sociale, një grup qytetarësh u tubuan në Urën e Gurit në Shkup për të shprehur revoltën e tyre kundër rikualifikimit eventual të veprës në rastin e katërvjeçarit Almir Aliu nga Kumanova, i cili dy vjet më parë ndërroi jetë si pasojë e goditjes me automjet pas një zënke banale mes babait të tij dhe të akuzuarit për vrasjen, Bojan Iliq.

Grupi i protestuesve nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë kërkuan që mos të rikualifikohet lënda nga “tentim për vrasje” në “aksident me pasojë vdekjen”. Ata me sloganin “Prokurorët vrasin Almirin për herë të dytë” marshuan drejt Prokurorisë Republikane, ku në shenjë simbolike vendosën lule para hyrjes së objektit.

Diana Tahiri, njëra nga organizatorët e iniciativës, tha se nga të gjithë dëshmitë e paraqitura duket qartë se te i akuzuari ekziston synimi për vrasje dhe se në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si vepër penale tjetër përveç “vrasje”.

“Rasti, siç shihet edhe nga video incizimet, ka të bëjë me vrasje klasike e kryer me paramendim. Nuk duam që edhe ky rast të jetë një nga ato në të cilat do të konstatojmë ekzistimin e drejtësisë selektive. Nuk guxojmë që drejtësia të varet nga përkatësia etnike e të akuzuarit, viktimës ose pjesëmarrësve tjerë në vepra”, deklaroi Tahiri.

Sipas organizatorëve të iniciativës, përmes rikualifikimit të lëndës pala e akuzës tenton ta zvogëlojë dënimin e mundshëm, për shkak se Kodi Penal për aksident parashikon dënim me të paktën 4 vjet burg, ndërsa për “vrasje me paramendim” të paktën 10 vjet burg.

Ndryshe, zënka që la të vdekur Almir Aliun ndodhi më 25 qershor të vitit 2016, kur i akuzuari shtypi me makinë katërvjeçarin së bashku me prindërit e tij, pas një zënke paraprake mes prindit të Almirit dhe të akuzuarit. Almiri kaloi rreth një javë në kujdes intensiv, ndërsa më 2 korrik ndërroi jetë në klinikën e Shkupit.

Vrasja, në atë kohë, shkaktoi reagime dhe revolta të shumta në publik, veçanërisht në rrjetet sociale ku vëreheshin komente të shumta që kërkonin drejtësi për Almirin e vogël, përfshirë edhe ato nacionaliste dhe thirrje për protesta. aa

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës ia dërgon projektligjin qeverisë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pas takimit të anëtarëve të saj, ka proceduar për mendim në qeveri Projektligjin për shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca ka thënë se kryesia ka marrë vendim që nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, t’i shkojë për shqyrtim Qeverisë së Kosovës.

“Pra kemi një avancim të kësaj nisme. Mendoj që njëri nga anëtarët dalloi nga vendimmarrja e për këtë duhet ta pyesni Xhavit Halitin. Ka shkuar siç është kërkuar kjo nisme. Topi tani është në dorën e qeverisë se çka mendon për shfuqizimin”, ka theksuar Konjufca.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e kishte lëshuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Ai në një prononcim për media ka thënë se në momentin kur ka ardhur në shqyrtim si pikë e rendit të ditës, iniciative e deputetëve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ai është larguar nga takimi.

“LDK-ja është kundër kësaj iniciative. Ne sot lëshuam mbledhjen dhe presim të shohim se si do të procedojë me këtë çështje shumica parlamentare”, ka shtuar Hoti.

Haradinaj e nderon te varri njeriun që e bëri për herë të parë Kryeministër

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Pas homazheve, kryeministri Haradinaj e ka vizituar familjen e presidentit Rugova.

Në 12 vjetorin e vdekjes së presidentit Rugova, Haradinaj ka thënë se sot e nderojnë veprën dhe punën madhore të mikut të tij dhe presidentit historik të Kosovës.

“Presidenti Rugova, intelektuali humanist që i dha emër Kosovës në botë, përjetësisht do të mbetet në kujtimet tona si njëri ndër personalitet kryesore që tërë jetën e tij ia kushtoi lirisë së vendit dhe i vuri themelet e shtetit tonë të pavarur”.

“Do ta kujtoj gjithmonë me respekt shembullin, figurën dhe vizionin e tij”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ramush Haradinaj ka marrë për herë të dytë postin e kryeministrit të Kosovës. Ish-komandanti i lartë i ish-UÇK-së dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës tre muaj, në kohën kur kishte lidhur koalicionin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderin shumëvjeçar të Kosovës, presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova.

Haradinaj në shtator të vitit 2017 u zgjodh sërish kryeministër i Kosovës. Kësaj rradhe sërish pati mbështetjen e familjes Rugova. Këtë herë të vajzës së tij Teuta Rugovës.

Valë e re dhe e heshtur emigrimi nga Shqipëria

Në Tiranë, revista ekonomike Monitor sapo ka kryer një vëzhgim mbi emigrimin e ri të shqiptarëve.

Sipas këtij vëzhgimi, që publikohet të hënën në kryeqytet, ritmi i largimit të shqiptarëve nga vendi po rritet përsëri deri në nivelet rekord të vitit 2015.

E veçanta në këtë valë të re emigrimi është se tashmë qytetarët thjesht ikin heshturazi e nuk kthehen, por nuk kërkojnë azil.

Edhe gjatë vitit 2017 qytetarët shqiptarë vazhduan ta braktisin vendin në masë të konsiderueshme, duke kërkuar ta ndërtojnë jetën e tyre në shtete të tjerë.

Vëzhgimi i revistës Monitor, që publikohet të hënën në Tiranë, zbuloi një tjetër rritje të fortë të ikjes së shqiptarëve, tregues i emigrimit të shtuar edhe gjatë vitit 2017.

Nga të dhënat e INSTAT për 10-mujorin e 2017, largimet pa kthim të shqiptarëve shënuan një rritje të re, në diferencën mes udhëtarëve që dalin dhe atyre që hyjnë nga kufiri.

Sipas vëzhgimit të revistës Monitor, grafiku i largimeve të shqiptarëve ka 3 kulme maksimale; në vitin 2011 kur Shqipërisë iu hoq regjimi i vizave, një kulm tjetër është viti 2015, kur u vërtetua se kishte shumë aplikime për azil, dhe tani në 2017, që njerëzit ikin dhe nuk deklarojnë asgjë as kur nisen dhe as kur mbërrijnë.

Drejtuesja e revistës Monitor, Ornela Liperi, theksoi se në mungesë të një regjistrimi të popullatës, kjo mënyrë e tërthortë është e vetmja për të regjistruar largimet e njerëzve, pra përmes raportit të atyre që ikin dhe atyre që kthehen, një diferencë që sa vjen dhe thellohet.

“Ritmi i ikjes së shqiptarëve në 10 muajt e 2017 është po aq i lartë sa edhe në vitin 2015, kur shifrat arritën rekord maksimal” – tha ajo.

Në një pjesë të konsiderueshme të shifrave, bëhet fjalë për largime të fshehta e të padeklaruara të shqiptarëve.

Ata thjesht udhëtojnë jashtë vendit dhe nuk kthehen brenda afateve ligjore, mbeten jashtë dhe nuk deklarojnë statusin e tyre.

Një pjesë kërkojnë azil, por një pjesë nuk kërkojnë azil, ata kërkojnë punë dhe jetesë jashtë vendit pa treguar asgjë rreth vetes, e duke humbur çdo gjurmë.

“Mendoj se u duhet rënë kambanave të alarmit, sepse Shqipëria po zbrazet edhe nga mjekët e profesorët edhe nga rinia e nga fuqia punëtore. Me këto ritme mund të plaket popullata dhe mund të nisin probleme të rënda sociale e ekonomike. Shqipëria nuk është vetëm e politikanëve, por është e të gjithëve” – tha sociologu Gëzim Tushi.

Sipas të dhënave të fundit, diferenca mesatare historike për kthimin është negative midis 200-250 mijë persona, duke llogaritur edhe periudhën 3 mujore që kanë të drejtë të rrinë andej.

Ekspertët pohojnë se kur shifrat kapërcejnë befas, edhe shkaqet që i sjellin ato ndryshime janë të forta.

Intervista – Anton Quni: Kemi dy mundësi, Specialen ose izolimin e vendit

Ndonëse edhe vetë ka qenë pjesë e luftës së Kosovës si Komandant i Batalionit Diversanto Vëzhgues dhe shef i shtabit i Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, Anton Quni kërkon nga ish- pjesëtarët e UÇK’së që të mos ia kenë frikën Gjykatës Speciale. Thotë se vetëm përmes saj, mund të pastrohet imazhi i atyre që luftuan. Deputeti i LDK’së, pranon se tashmë më përpjekjen për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, marrëdhëniet me vendet mike janë rënduar. Në një intervistë për Express, zyrtari i partisë së Mustafës, e bën të qartë se deputetët i kanë vetëm dy mundësi para vetës: Të pranojnë Gjykatën ose izolimin e vendit. Por vetë ai, thotë se zgjedh të parën.

GazetaExpress: Z. Quni, së fundmi jemi duke e parë një situatë të re sa i përket përpjekjeve për ta shfuqizuar Specialen. Qëndrimi i LDK’së tashmë dihet. Por si e shihni ju krejt këtë situatë, a po cënohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë?

Anton Quni: Padyshim se tani janë lëkundur marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Mendoj që është momenti që përkundër vështirësive në zhvillimet politike, ne të jemi të përqendruar në përmbushjen e premtimeve dhe obligimeve karshi partnerëve ndërkombëtarë. Te gjitha arritjet për lirinë, pavarësinë dhe demokratizimin e Kosovës janë rezultat i punës së përbashkët me partnerët tanë dhe e ardhmja e Kosovës nuk ka alternativë pa bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë me ta.

Gjykata Speciale është një zotim ndërkombëtar që shteti i Kosovës e ka marrë mbi supe dhe nëse duam te sillemi si shtet serioz atëherë kjo nuk mund të bëhet duke i shkelur zotimet tona.

Të kujtojmë që Presidentit Rugova i janë dashur vite të tëra angazhim për të krijuar aleancat me shtetet më të fuqishme të botës. Do të ishte mëkat i madh për gjithë popullin e Kosovës, nëse një pjesë e klasës politike në Kosovë me veprimet e tyre jo racionale do të dëmtonin miqësinë me SHBA dhe vendet mike të perëndimit, sepse rrugëtimin tone drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit shtetëror e kemi bërë bashkë me ta, dhe jemi këtu ku jemi vetëm falë mbështetjes së tyre.

GazetaExpress: Ambasadori amerikan Greg Delawie, në vazhdën e thirrjeve për ta ndalur çështjen e Speciales, edhe njëherë i kërcënoi liderët se do të përballen me pasoja specifike. Cila është thirrja juaj në këtë rast, ndaj deputetëve që e kanë dhënë nënshkrimin e tyre mbrëmjen e 22 dhjetorit?

Anton Quni: Për të thjeshtëzuar, ne deputetët i kemi vetëm dy mundësi: Të pajtohemi me funksionalizimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara nga individët, apo të rrezikojmë izolimin e Kosovës në tërësi. Në mes te këtyre dy mundësive s’ka dyshim që unë e përzgjedh të paren.

Do ta përsërisja atë qe e kam thënë në disa raste, kushdo që beson dhe është i bindur, ashtu siç unë besoj, se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, nuk ka nevoje për asnjë lloj frike ndaj asnjë lloj gjykate. Do t’u thoja se; iniciativat e tilla vetëm sa e rendojnë situatën rreth Gjykatës Speciale dhe ne sytë e te tjerëve na bëjnë të dukemi frikacak.

Si ish- ushtarak mund të them qe nuk ka luftë pa gabime. Gabimet ndodhin edhe në formacionet ushtarake më të rregullta të mundshme, si ato të ushtrisë amerikane, gjermane apo vende tjera si këto, dhe edhe në këto raste individët mbajnë përgjegjësi individuale dhe përballen me procese gjyqësore të drejtësisë.

GazetaExpress: Konsideroni se skenari i tanishëm për këtë gjykatë është një interes personal i liderëve të vendit apo se themelimi i së njëjtës ka krijuar një padrejtësi ndaj Kosovës, pasi thuhet se do t’i hetojë vetëm krimet e pasluftës nga shqiptarët?

Anton Quni: Natyrisht se e konsideroj të padrejtë çdo gjykim që atakon vetëm shqiptarët. Por, tani jemi vonë që ta kthejmë situatën ne gjendjen zero.

Motivet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë të ndryshme. Ka te tillë që janë të motivuar nga interesi personal. Sidoqoftë, jam i bindur se shumica e udhëheqësve të UÇK-së do të mbrojnë me dinjitet vlerat e saj dhe se pretendimet për krime ndaj komunitetit serb do të vërtetohen si sajesa te pavërteta.

Çfarë mund të them sot është se, askush nuk mund të jetë as nuk do të duhej të guxonte ta konsideronte veten më të rëndësishëm se sa e ardhmja e Kosovës. Stabilitetin dhe progresin e vendit ua kemi borxh qytetareve, brezave te ardhshëm dhe gjakut të të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

GazetaExpress: Përveç zhvillimeve me Specialen, Demarkacioni mbetet njëra nga temat me të zëshme në vend, epilogu i së cilës ende nuk dihet. A do ta votojë LDK versionin për të cilin edhe pretendohet se u rrëzua Qeveria Mustafa?

Anton Quni: LDK-ja nga afër po i përcjell të gjitha zhvillimet rreth demarkacionit. Qëndrimi i grupit tonë parlamentar do të bazohet në faktet dhe argumentet relevante, gjithnjë duke e respektuar Kushtetutën e Republikës se Kosovës, interesin e qytetarëve dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët.

GazetaExpress: Qeveria Haradinaj shprehet e bindur se shpejt do të zgjidhet kjo temë problematike. Keni besim se vendi më në fund do të ketë një temë më pak për të diskutuar?

Anton Quni: Uroj që të jetë ashtu. Por zgjidhje të mirëfilltë e konsideroj që Kosovës t’i hapet perspektiva Euroatlantike. Për të siguruar këtë perspektivë duhet te punohet shumë në sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, integrimet Euroatlantike, etj.

Kemi deklarata krejtësisht të ndryshme nga partnerët e koalicionit qeverisës dhe askush nuk po arrijmë të kuptojmë se si mund t’i çojnë përpara temat e rëndësisë nacionale kur qëndrimet e partnerëve te koalicionit janë diametralisht të kundërta. Kemi një situatë absurde që nuk e besoj që ndodh në ndonjë vend normal.

GazetaExpress: Është përfolur shumë edhe çështja e liberalizimit të vizave. Kryeministri Haradinaj është zotuar se kosovarëve do ju hiqet ky regjim nëse jo në muajin mars, këtë vit gjithqysh. Ndërkohë shohim se deri te kjo situatë mund të vije vetëm pasi të kryhet edhe kushti i fundit që është demarkacioni me Malin e Zi. A mund të ndodh kjo?

Anton Quni: Kur politikëbërësit premtojnë duke u lidhur me afate, mua personalisht më krijohet përshtypja se e lexoj horoskopin, te cilit nuk i besoj fare. Mos të harrojmë se një kusht i rëndësishëm për të arritur liberalizimin e vizave është po ashtu edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim nuk mendoj se kemi shënuar ndonjë përparim, përkundrazi, një qeverisje e ngritur mbi interesat e mbi njëzet partive të ndryshme edhe me shumë e rëndon situatën.

GazetaExpress: Situatë të ngjashme kemi edhe për formimin e Ushtrisë, një proces ky që po zvarritet tash e sa kohë. Ju keni qenë edhe pjesë e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe e dini mirë nevojën që ka një shtet për ta pasur këtë forcë. Sa janë gjasat dhe kur besoni që FSK do të shndërrohet në Ushtri?

Anton Quni: Me ngjarjet e 22 dhjetorit 2017 kur u tentua te shfuqizohet Gjykata Speciale është rënduar edhe me shumë përkrahja e partnerëve në transformimin e FSK-se ne FAK. Tani na duhet më shumë përkushtim që të rehabilitohen marrëdhëniet dhe në bashkëveprim të mire dhe të sinqertë me SHBA dhe NATO-n të punohet ne ngritjen e kapaciteteve ushtarake.

GazetaExpress: LDK ka paralajmëruar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Madje ka thënë se në pranverë edhe do ta rrëzojnë pushtetin aktual. Jeni tërhequr nga këto deklarime apo qëllimin tuaj do ta çoni deri në fund?

Anton Quni: Është përgjegjësi e përhershme e  LDK-së që qytetarëve të ju ofroj një qeverisje të mire. Prandaj është e natyrshme që në një moment LDK-ja do të kërkoj mocion mosbesimi. Dita D është çështje e vlerësimit përbrenda LDK-se.

Haradinaj: Jeta e Jonuz Musliut ka një kuptim – përpjekje për të drejtën e popullit të vet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë arkivolit të veprimtarit Jonuz Musliu, për të cilin ka thënë se ishte një atdhetar që jeta e tij kishe veç një kuptim, siç është përpjekja për të drejtën e popullit të tij.

Kryeministri Haradinaj u shprehu ngushëllime familjes, bashkëluftëtarëve të Jonuz Musliut, qytetarëve të Preshevës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Një atdhetar, intelektual, luftëtar, një njëri që jeta e tij ka veç një kuptim – e drejta e popullit të vet, përpjekjet për këtë të drejtë. Në librin e zisë për të, në librin e pikëllimit, shkrova vetëm një fjalë: ‘Jonuz si ti, si populli ynë, luftë vuajtje por me nderë’”, tha kryeministri Haradinaj.

Homazhe pranë arkivolit të tij, i cili u vendos në teatrin e Gjilanit, kanë bërë edhe mijëra qytetarë, miq dhe bashkëveprimtar.

Intervista – Bugajski: Rusia, lojtar negativ në raportet Serbi – Kosovë

Janusz Bugajski nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA) me seli në Uashington

“Rusia nuk është palë neutrale në çështjen e dialogut. Ajo është, do të thoja, një lojtar negativ në raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Janusz Bugajski, ekspert për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA), me seli në Uashington.

Radio Evropa e Lirë: Pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, ne kemi dëgjuar disa deklarata politike për këtë incident tragjik. Në anën tjetër, po zvillohen hetime zyrtare. Sipas jush, a janë të dobishme këto deklarata politike apo jo?

Janusz Bugajski: Nuk mendoj se çdo gjë e thënë në këtë moment është shumë e dobishme. Mendoj se duhet të ketë hetime të plota, të cilat aktualisht kanë filluar. Mendoj, po ashtu, se Prishtinës i duhet bashkëpunimi ndërkombëtar. Para se të dënohet qeveria në Kosovë, mendoj se Beogradi duhet të jetë shumë më tepër i gatshëm të thotë: ne kemi vullnet të bashkëpunojmë.

Në fakt, është ironike, por vetë vrasja mund të jetë një rast për Beogradin dhe Prishtinën, për të punuar së bashku kundër terrorizmit, kundër sabotazhit, kundër përpjekjeve për vrasje, e të tjera, që ne i kemi parë në Ballkan më parë. Pra, unë gjithnjë mendoj se vrasja tragjike, po ashtu, është edhe një mundësi për të dy palët.

Radio Evropa e Lirë: Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, tensionet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë po shtohen. Ne kemi parë ndikim edhe në rundin teknik të dialogut, i cili u anulua në Bruksel. Por, presidentët e të dy vendeve thonë se janë të përkushtuar për vazhdimin e dialogut për normalizim në të ardhmen. Si e shihni ju këtë dialog për normalizim në tërësi?

Janusz Bugajski: Dialogu, i cili është vonuar për një vit, duhet të ristartoj. Janë një numër i çështjeve shumë të rëndësishme me të cilat duhet të merret. Unë do të thosha, se jo vetëm me çështjet e vogla, por duhet të merret edhe me ato të mëdhat, që ne i quajmë normalizim në krijimin e raporteve bilaterale, që e lejojnë Kosovën të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Tjetër fakt është se Shtetet e Bashkuara aktualisht mund të jenë më të dobishme, më mbështetëse, në lëvizjen e dialogut përpara. Deri tash, Bashkimi Evropian, është marrë me çështje të vogla. Mendoj se janë Shtetet e Bashkuara që do të merreshin me çështje më të mëdha. Po ashtu, do të thoja se lidhur me vrasjen, ekstremistët e dyshuar e kanë zgjedhur momentin kritik.

Me fjalë të tjera, kush është ai që do të dëshironte t’i sabotonte bisedat ndërmjet dy kryeqyteteve? A janë ata politikanë nacionalistë, a janë elemente kriminale brenda Serbisë, brenda Kosovës Veriore, apo është ndonjë fuqi e jashtme?

Mos harroni, Rusia ishte përpjekur t’i sabotonte zgjedhjet në Mal të Zi. Nuk ka arsye, do të thoja, të ketë dyshim se Rusia do të ishte e lumtur t’i sabotonte raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Do të dëshiroja t’i kthehem përsëri dialogut. Ju e përmendët se ndoshta do të ishte e dobishme që Shtetet e Bashkuara të përfshiheshin në këtë dialog. Por, serbët thonë se në atë rast, ata do të kërkonin që të përfshihet edhe Rusia. Çka mendoni ju?

Janusz Bugajski: Serbët mund të kërkojnë që Rusia të përfshihet, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht ajo do të përfshihet. Rusia nuk ka prani në terren në Kosovë. Rusia nuk e mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Rusia nuk është, të themi, ndërmjetësues i besueshëm në këtë proces.

Pra, nuk mendoj se Rusia do të përfshihej në bisedime dhe mendoj se nëse Shtetet e Bashkuara e marrin udhëheqjen së bashku me Bashkimin Evropian, bile do të mund të silleshin edhe dy vende të tjera, siç janë Kina ose Turqia.

Përse do të duhet të përfshihej Rusia? Rusia nuk është palë neutrale në këtë çështje. Ajo është, do të thoja, një lojtar negativ në raportet ndërmjet dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Bugajski, liderët e Kosovës dhe anëtarët e kuvendit janë kritikuar nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore, për nismën për tërheqjen e legjislacionit për Gjykatën Speciale për Krime të Luftës. Por, situata është ende e paqartë. Disa thonë se kjo është kriza më e madhe në raportet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. A pajtoheni me këtë vlerësim?

Janusz Bugajski: Nuk do ta ekzagjeroja, por mendoj se është problem madhor, i cili mund të zhvillohet, nëse qeveria e Kosovës do të shkojë prapa në përkushtimin për Gjykatën Speciale, Prokurorinë Speciale, Dhomat e Specializuara. Kjo do të indikonte se qeveria e Kosovës diçka po fshehë… se ajo nuk është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar. Kjo mund ta pengojë progresin e Kosovës kah institucionet ndërkombëtare. Po ashtu, kjo mund t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara ishin mbështetësi kryesor për pavarësinë e Kosovës.

Por, ekzistojnë çështje të caktuara të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të cilat me të vërtetë duhet të trajtohen. Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për Kosovën të thotë: ne nuk kemi asgjë për të fshehur.

Ka pasur lëvizje çlirimtare dhe sikur në çdo lëvizje çlirimtare, aty gjithmonë ka indidivë të cilët kanë kryer disa lloje të krimeve. Kjo ka ndodhur në çdo vend. Kjo e bën Kosovën normale… Nëse nuk merr pjesë në këtë, atëherë do të jetë, të themi, e izoluar dhe potencialisht e lënë anash.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Njëri prej kushteve kryesore i BE-së për Kosovën është ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Por, përsëri, duket se në Kuvendin e Kosovës nuk ka shumicë për këtë ratifikim. Si e shihni ju këtë situatë dhe sipas jush, a ka gjasë që kosovarët të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian?

Janusz Bugajski: Për viza ka spekulim nga BE-ja se kufiri me Malin e Zi duhet të ratifikohet para riprocedimit për marrëveshjen për liberalizim të vizave. Ka edhe mënyra të tjera për tu marrë me këtë, natyrisht, por mendoj se kjo masë ka të bëjë me raportet e Kosovës, jo vetëm me vendin fqinj, por, po ashtu, memarrëdhëniet e saj me NATO-n.

Mos harroni se Mali i Zi tash është anëtar i NATO-s. Ky vend është edhe në binarët, me gjasë më të shpejtë në rajon, për pranim në BE.

Prandaj, mendoj se bllokimi i kësaj marrëveshjeje kufitare nuk i shërben interesit kombëtar të Kosovës. Ne po flasim për një pjesë shumë të vogël të territorit dhe për një marrëveshje, për të cilën ishte arritur pajtueshmëria.

Kjo është çështje e guximit në parlament për të shkuar sipas kësaj marrëveshjeje me qeverinë, dhe të lëvizet përpara dhe të ratifikohet.

  • 16x9 Image

    Fatmir Bujupi

    Fatmir Bujupi, karrierën e gazetarit e filloi në moshën 23 vjeçare në Radio Prishtinë, në vitin 1976, ku punoi për më tepër se 10 vite.  Ka të kryer Fakultetin Teknik – Dega e Makinerisë në Prishtinë. Prej muajit prill të vitit 2000 punon në programin për Kosovën në Radion Evropa e Lirë në Pragë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Intervista – Ben Cardin: E kemi lënë Ballkanin Perëndimor në duar të Rusisë

Senatori Ben Cardin

Senatori demokrat i Shteteve të Bashkuara, Ben Cardin, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë thotë se rajoni i Ballkanit duhet të marrë hapa për t’u mbrojtur nga ndikimi rus. Ai bën thirrje për hetime transparente të vrasjes së politikanit serb në Koosvë, Oliver Ivanoviç. Thekson po ashtu nevojën që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Cardin, menjëherë pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, gazeta britanike Observer ka publikuar një tekst analitik të ekspertit të sigurisë, John Schindler, ku thuhet se rajoni i Evropës juglindore tani është vend më i rrezikshëm se në vitin 2003, kur është vrarë kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Zoran Gjingjiq. Po ashtu thuhet se ndikimi rus, kohën e fundit, është rritur jashtëzakonisht, sidomos në Serbi dhe Bosnje, dhe se mbështetja ruse për serbët e Kosovës nuk është sekret. Cili është vlerësimi i Shteteve të Bashkuara: A mund të çojë vrasja e Ivanoviqit në Kremlin?

Ben Cardin: Së pari shpreh ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij. Ka qenë një ngjarje vërtet tragjike, e cila duhet të hetohet në mënyrë rrënjësore dhe transparente. Megjithatë, edhe pse ka qenë ngjarje e tmerrshme, Beogradi dhe Prishtina duhet të mbeten të përkushtuar plotësisht ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Duam të mbetemi të përqendruar në qëndrueshmërinë e rajonit, të arrijmë përparim, pavarësisht kësaj ngjarjeje tragjike.

Radio Evropa e Lirë: Analiza që ka publikuar Observer thotë se, marrë parasysh ndikimin malinj rus në rajon, sidomos kur përfshin vrasje, edhe Ballkani, edhe Evropa duhet të brengosen, sepse ka mundësi që ekzistojnë lidhje që çojnë në Kremlin, kur bëhet fjalë për atentatin ndaj Ivanoviqit. Analiza po ashtu thekson se pengimi i Serbisë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO është qëllimi kryesor i politikës së jashtme ruse në Ballkan. A pajtoheni me këtë konstatim?

Ben Cardin: Sigurisht se pajtohem me konstatimin se qëllim i zotit Vladimir Putin (presidentit rus) është të mbajë rajonin nën kontroll, të përzihet në politikat e vendeve të rajonit, t’i dëmtojë këto marrëdhënie dhe t’i përkeqësojë ato. Taktikat që përdor ai dhe për të cilat njihet, mund të përfshijnë edhe teknika të ngjashme që i zbaton Rusia në aktivitetet e saj të planifikuara. Nuk kemi informacione konkrete ose tregues për vrasjen e Ivanoviqit, andaj bëjmë thirrje për transparencë të plotë në hetimin e këtij atentati. Por, nuk ka dyshim se rajoni duhet të ndërmarrë hapa për t’u mbrojtur nga ndikimi rus.

Radio Evropa e Lirë: Secila shpresë për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës ka vdekur bashkë me Ivanoviqin, thuhet po ashtu në analizën që ka publikuar Observer. A pajtoheni me këtë vlerësim?

Ben Cardin: Ne nuk duam ta pranojmë një konstatim të tillë, sepse një gjë e tillë do të thoshte fitore për ata që përdorin terrorin për të arritur qëllimet e tyre. Ajo çfarë ne duam, është pikërisht e kundërta: ne jemi të vendosur për përparimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se dialogu midis dy palëve do të vazhdojë shpejt? A është duke bërë SHBA-ja diçka në këtë drejtim?

Ben Cardin: Siç thuhet edhe në raportin (e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan), që kam publikuar javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë aktive në rajon. Nëse kjo nuk ekziston, do të vazhdojmë të shohim ndikimin e Rusisë përmes aktiviteteve të saj në Serbi. Andaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që udhëheqja serbe, që elita qeverisëse në Kosovë t’iu mbeten të përkushtuara interesave të tyre kombëtarë dhe shtetërorë dhe të mos ndikohen nga lojtarë të jashtëm. Mendoj se Perëndimi, Shtetet e Bashkuara mund t’i ndihmojnë në realizimin e kësaj.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Cardin, ju së bashku me kolegët e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, në raportin e publikuar një javë më parë, keni kërkuar nga SHBA-ja të forcojë angazhimin në Serbi dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të rritjes së ndikimit rus në rajon. Por, a mendoni se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është i interesuar për këtë rajon?

Ben Cardin: Ajo që mund të themi është se nuk kemi parë shpeh vizita të presidentëve amerikanë në atë rajon. Në raportin tim thuhet se Rusia është e angazhuar në rajon. Një pjesë e kësaj mund të shpjegohet me faktin se ekzistojnë disa aleanca natyrore, simpati ndaj Rusisë dhe lidhje të fuqishme etnike të vendeve të caktuara të rajonit me Rusinë. Siç e dimë, edhe ortodoksizmi luan rol të madh në afërsinë me Rusinë. Pra, ne i njohim këto “lidhje të natyrshme” që mund t’i shfrytëzojë zoti Putin. Mirëpo, e kemi të rëndësishme që qytetarët e Serbisë të udhëheqin me vendin e tyre dhe të marrin vendime të pavarura, pa ndërhyrje të huaj. Serbia e ka bërë të qartë që e do integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Putin kërkon që ky proces i euro-integrimit të Serbisë të ngadalësohet. Deri në një masë, edhe ka qenë i suksesshëm në ngadalësimin e rrugës së Serbisë kah BE-ja. Prandaj, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera t’i ndihmojnë Serbisë ta drejtojë të ardhmen e saj.

Radio Evropa e Lirë: Në raportin tuaj thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së paku 12 herë është takuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, qysh në vitin 2012, ndërsa presidenti i fundit amerikan që ka vizituar Beogradin ka qenë Jimmy Carter, më 1980…

Ben Cardin: Po, mendoj se kjo politikë është e gabuar. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më të pranishme “fizikisht” në Serbi dhe atë në nivelin më të lartë. Ajo është një vend shumë i rëndësishëm në rajon; marrëdhëniet dypalëshe midis SHBA-së dhe Serbisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, andaj bëj thirrje për vizita të nivelit të lartë. E di se delegacione të Kongresit kanë qenë në vizitë në Serbi; edhe përmes Komitetit të Helsinkut kemi pasur aktivitete me Serbinë dhe rajonin dhe për këtë mendoj se Shtëpia e Bardhë duhet të tregojë më shumë interesim për Serbinë, pikërisht përmes vizitave të nivelit më të lartë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin. Dhjetor, 2017.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin. Dhjetor, 2017.

Radio Evropa e Lirë: Në raportin tuaj thuhet se Rusia, duke u përzier në politikat e brendshme të vendeve të tjera, përdor mjete të ndryshme…

Ben Cardin: Në këtë raport thuhet se zoti Putin është aktiv në 19 vende. Në secilin prej këtyre vendeve ka plan të njëjtë politik, por përdor mjete të ndryshme. Disa prej këtyre vendeve kanë ndërmarrë hapa dramatikë për të minimizuar ndikimin e Rusisë dhe kjo ka rezultuar me sukses. Por, ne duhet të arrijmë përparim edhe në vendet dhe rajonet e tjera.

Përgatiti: Valona Tela

Gjetja e eshtrave të ushtarëve grekë, vendoset data e fillimit të gërmimeve në Tepelenë

Shumëshpejt do të nisin gërmimet për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kështu në 22 janar fillojnë në fshatin Dragot të Tepelenës gërmimet për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrjedhojë e marrëveshjes së shkurtit 2009, mes qeverive shqiptare e greke të asaj kohe.

Marrëveshja është emërtuar “Marrëveshja mbi bashkëpunimin ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë mbi kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë të rënë në luftë, në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të vitit 1940-1941 dhe ndërtimin e vendprehjes për ta në territorin e RSH”.

Gërmimet aktuale kryhen në kuadrin e ndërtimit të dy vendprehjeve (varrezave) që parashikon marrëveshja e mësipërme, përkatësisht në Këlcyrë dhe në Bularat. Këto burime insistuan në faktin se nuk ka asnjë devijim nga marrëveshja e vitit 2009 dhe se nuk do të ketë asnjë varrezë të re, përveç vendprehjeve të përcaktuara në atë marrëveshje.

Të njëjtat burime njoftojnë se me insistimin e palës shqiptare, është përfshirë në procesin e kërkimit dhe identifikimit të eshtrave të ushtarëve grekë, edhe një ekspert amerikan i identifikimit. Mësohet se ky ekspert ka një përvojë të gjatë në kërkime të kësaj natyre, përfshirë gërmimet dhe identifikimin e të vrarëve të luftës në Bosnje.
Qeveria shqiptare ka insistuar për futjen e specialistit amerikan në komisionin e palës tonë, si një element që ndihmon për të shmangur ngjarje të shëmtuara dhe incidente të rënda si ai i Kosinës i vitit 2006, kur gjatë gërmimeve për eshtra ushtarësh, u dëmtuan rëndë varrezat shqiptare të një shekulli më parë. Një ngjarje që shkaktoi zemëratë të madhe tek banorët e zonës dhe në opinionin publik shqiptar.

Burimet thanë gjithashtu se gërmimet aktuale do të kryhen mbi bazën e një protokolli strikt, i cili parashikon se të gjitha shpenzimet për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave do të jenë të palës greke. Pala shqiptare do të përgjigjet për shpenzimet e përfaqësuesve të saj në komisionin dypalësh. Sqarohet gjithashtu se gërmimet do të kryhen në zona të cilat do dakordësohen paraprakisht me palën shqiptare dhe se procesi do të nisë vetëm me dhënien e lejes nga zyrtarët shqiptarë të pranishëm në kërkim-zhvarrimet që do të kryhen.

Rihapja e procesit të kërkimit dhe identifikimit të eshtrave të ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore ka qenë tradicionalisht një temë e nxehtë në marrëdhëniet dypalëshe. Edhe më delikate është bërë ajo, për shkak të konjukturave të dyshimta diplomatike të krijuara gjatë dekadës së shkuar, kur Shqipëria pranoi jo vetëm një marrëveshje të zgjeruar vendvarrimesh në territorin e saj, por edhe një marrëveshje detare e cila ende sot vijon të mbetet një mollë sherri mes Tiranës dhe Athinës. Pasojat e atyre qëndrimeve të palës shqiptare, kane qenë dhe janë një “litar” i mbetur jashtë varrit, i cili trazon çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve mes Greqinë dhe që na vendos rregullisht si shtet, në pozita të vështira përballë palës greke./bw 

Avion droge mbi aeroportin e Kukësit? Berisha publikon videon

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka publikuar sot në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” një video nga Kukësi, ku duket një avion i vogël duke fluturuar mbi qytet.

Sipas mesazhit që i ka ardhur nga qytetari dixhital, Berisha bën të ditur se avioni që po fluturon mbi aeroportin e qytetit verilindor, është i përmasave të vogla, për transport droge.

LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË: Kërkojmë që ligji për gjuhën shqipe të jetë i definuar qartë

  
Komunikatë
            Lidhja ShqiptareBotë, kuvendi për Maqedoni, duke e shqyrtuar situatën aktuale politike në Maqedoni njofton opinioni me sa vijon:
            1. Lidhja ShqiptareBotë, me rastin e votimit të ligjit për gjuhët në Kuvendin e Maqedonisë, del me këtë komunikatë dhe shfaq qëndrimin e saj për proceset në rrjedhë në IRJM.
            Ligji për gjuhët u miratua pas një varg procesesh, në të shumtën e rasteve denigrues për etninë shqiptare, që jeton në trojet e veta etnike. Vonesa e sjelljes së ligjit për gjuhët, për miratim në Kuvendin e Maqedonisë, kuptohet se erdhi si pasojë e qëndrimit  inferior të subjekteve politike të shqiptarëve në njërën anë dhe, nga ana tjetër mospasje fije transparence në politikën shtetërore nga pala sllave, mezi arriti projekt ligji në Kuvend dhe të kalojë procedurat e votimit.
2.Lidhja Shqiptare Botë përshëndet këtë arritje dhe kërkon, implementimin e plotë të këtij ligji në jetën institucionale. Gjithashtu kërkon që ligji të jetë i përpiluar mirë për sa i përket Gjuhës shqipe, sepse ka paqartësi në kontekst përfshirës, pra ligji për gjuhët, ku nuk është definuar se për cilën gjuhë është ligji. Lidhja Shqiptare kërkon të jetë i definuar qartë ligji dhe, poqe se kërkohet ndërhyrje në kushtetutë, të pësojë ndryshime edhe kushtetuta, dhe atë që nga Preambula e saj.
3. Lidhja ShqiptareBotë, po ashtu shfaq qëndrimin e saj për çështjen e emrit të shtetit të Maqedonisë, ka ofertë konkrete dhe racionale me të vërtetën historike të këtij territori. Deri sa bisedimet për emrin janë në fazën e parë, pas zhbllokimit të krizës politike në vend, propozomi i Lidhjes Shqiptare qëndron në korrelacion me të vërtetën historike,E vërteta historike e këtij territori është vërtetuar edhe shkencërisht tanimë, dhe shtrirja e territorit, IRJM-ja,  është pjesa e Dardanisë antike. Ky është qëndrimi që korrespondon me të vërtetën historike dhe etnike të territorit në fjalë.
4. Gjithashtu kërkojmë që për çështjen e emrit të ketë debat të hapur, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës,    nga pala shqiptare, në këtë proces, kërkojmë të ketë të përfshirë edhe nga shtresa akademike dhe intelektuale, kuptohet në korrelacion me faktorin ndërkombëtar.
 
16.01.2018                                                                            LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË
Gostivar                                                                         Kuvendi për Maqedoni, Gostivar