VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kosova shënon 11 vjetorin e pavarësisë

By | February 16, 2019

Komentet

Zëri i Amerikës: Sërish tension para parlamentit shqiptar

Në Shqipëri rikthehen situatat e tensionit para parlamentit ku opozita është mbledhur sërish në protestë kundër qeverisë, për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa në sallë vijon seanca e radhës, qindra forca policie kanë rrethuar zonën përreth duke bllokuar dhe hyrjet në rrugët që lidhen me parlamentin.

Përqëndrimi më i madh i forcave të Rendit është në hyrjen kryesore, ku ka patur disa herë përpjekje të një grupi protestuesish për të çarë kordonin e sigurisë, ndërsa tymuese dhe shashka hidhen herë pas herë në drejtim të oborrit të parlamentit. Përpjekjet janë sprapsur vetëm me qëndresën e policisë e cila, në protestat e mëparshme ka përdorur dhe gazin lotsjellës dhe pompat e ujit.

Që prej muajit shkurt, opozita është larguar nga parlamenti duke hequr dorë në grup nga mandatet e deputëtevë të saj. Tre prej tyre megjithatë nuk i janë bindur këtij vendimi, sikundër dhe 14 përfaqësuesë të saj, emrat e të cilëve ishin në listat e kandidatëve në zgjedhjet e viti 2017. Sot 3 deputetë të rinj bënë betimin. Mes tyre dhe zoti Ralf Gjoni, i Lëvizjes socialist për Integrim (LSI), ish Sekretari për Marrëdhëniet ndërkombëtare të kësja Partia dhe ish këshilltar i zotit Ilir Meta, kur ky i fundit ishte Kryetar i Parlamentit.

Ndërsa po dilte nga banesa e tij, zoti Gjoni, u sulmua sot nga një person, i cili i hodhi bojë në fytyrë. Duke folur për ngjarjen, në hyrje të parlamentit, zoti Gjoni deklaroi se “ai apo ajo që kanë urdhëruar këto sjellje rrugaçësh nuk mund të më frikësojnë”.

LIVE/Tension në protestë, policia gati ndërhyrjen me autobote uji (video)

Me nisjen e seancës së Kuvendit ka nisur edhe protesta e opozitës jashtë godinës së Parlamentit. Dëgjohen thirrje kundër qeverisë. Rreth orës 10:50 minuta protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë. Gazetari Klajdi Bodlli raporton për BalkanWeb se janë protestuesit e Unazës së Re po konfrontohen me policinë

Protestuesit mbajnë pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se situata nuk paraqitet e tensionuar, ndonëse ka nisur hedhja e shashkave tymueseve dhe bidonave të ujit në drejtim të policisë. Përplasje raportohet të ketë pasur në afërsi të Ministrisë së Brendshme, aty ku banorët e Unazës së Re u përplasën me policinë që kishte vendosur kordon, e nuk lejonte kalimin drejt Parlamentit.

Protestuesit me flamuj kombëtar thërrasin në korr: “Rama ik”
ORA 10:40- Në protestën e radhës të opozitës së vendit, përpara parlamentit të Shqipërisë janë mbledhur shumë protestues, të cilët kërkojnë në kor dorëheqjen e kryeministrit Rama. “Rama ik, Rama ik”, janë thirrjet e vazhdueshme të tyre. Protestuesit ndërkaq mbajnë flamuj kombëtar në duar, si dhe përdorin vuvuzela.

Kryemadhi e Berisha në protestë, mungon Basha
ORA 10:30- Ndërsa lideri i PD-së Lulzim Basha ndodhet në protestë dhe nuk merr pjesë në protestën e sotme të Partisë Demokratike, në shesh ka shkuar lideri historik i së djathtës, Sali Berisha.

Po ashtu mes protestuesve ndodhet edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në protestë janë edhe eksponentë të tjerë të partisë demokratike.

Banorët e Unazës së Re përplasen me policinë
ORA 10:30- Banorët e Unazës së Re në kryeqytet janë përplasur me forcat e policisë në rrugën përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, pasi forcat policore në këtë vend kishin krijuar kordon.

Banorët thanë se duan të kalojnë për të shkuar drejt Parlamentit ku zhvillohet protesta e opozitës. Por, forcat e policisë ishin vendosur në rrugën hyrëse të pedonales për të mos lejuar kalimin e protestuesve drejt godinës së Parlamentit.
Kjo shkaktoi një përplasje mes banorëve të Unazës së re dhe policisë. Me banorët e Unazës së Re është edhe ish-deputeti i PD Klevis Balliu.

Policia thirrje Gazmend Bardhit
ORA 10:28- Policia e Shtetit i është drejtuar me një thirrje organizatorit të protestës së Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Policia bën thirrje për qetësi dhe për largimin e protestuesve që mbajnë maska. “I nderuar Zoti Bardhi, në mes të protestuesve ka persona që mbajnë maska. Si organizator i tubimit në bazë të ligjit për tubimet merrni masa për largimin e tyre nga tubimi.

Hidhen shashka e bidonë drejt policisë, shfaqet FNSH
ORA 10:22- Protestues të shumtë ndodhen para Kuvendit të Shqipërisë. Ata kanë hedhur shashka dhe bidonë në drejtim të forcave të policisë. Situata ka nisur të tensionohet, ndërsa pas kësaj janë shfaqur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Protestës iu bashkuan edhe banorët e Unazës së Re.

Mblidhen protestuesit e PD
ORA 10:00- Kur na ndajnë vetëm 15 minuta nga nisja e seancës së Kuvendit ka nisur grumbullimi i protestuesve opozitarë. Në këto momente ata kanë hapur një banderolë të madhe me mbishkrimin “Qeveri e krimit, qeveri e korrupsionit”.

Mblidhet Kuvendi, opozita proteston sërish
ORA 09:30- Mbledhja e Kuvendit këtë të enjte do të shoqërohet sërish me protesta opozitare. Seanca e Parlamentit prtet të nisë në orën 10.00, ku protet të betohen sërish disa deputetë të rinj që marrin mandatet e lëna nga opozita.

Por paralelisht me seancën opozita do të protestojë jashtë godinës së Kuvendit. Ndryshe nga protestat e mëparshme, që janë përqendruar tek hyrja kryesore e Parlamentit, opozita ka një plan tjetër për protestën e sotme. Plani i ri i opozitës ka për qëllim të paraqesë një Parlament që funksionon vetëm me forcën e blindave dhe dhunën policore kundër protestuesve.

Sipas hartës së siguruar nga “BalkanWeb”, e cila u është shpërndarë disa përfaqësuesve të PD, pikat e rrethimit janë secila prej rrugëve që lidhet me Parlamentin: hyrja kryesore, hyrja nga qendra tregtare Toptani, hyrja nga ish-selia e Partisë Demokratike, hyrja nga rruga tek Bashkia, hyrja nga Pedonalja dhe hyrja nga unaza, pranë PD.

Policia ka kaluar në gatishmëri dhe ka bllokuar disa rrugë që të çojnë tek kjo godinë.

“Jam gati të sakrifikoj deri në jetën time”- Deklaratat e Metës jehonë në 180 media ndërkombëtare

Deklaratat e djeshme të Presidentit Ilir Meta nga Pogradeci se do të ishte gati të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shteti dhe deri tek sakrifikimi i tij për të mos lejuar që në vend të instalohet një juntë ushtarake, kanë gjetur jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

 

Prestigjiozja “Washington Post”, shkruan se Presidenti tha se pas dështimit të ndërmjetësimit të një zgjidhjeje, ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, duke shtuar se “jam i sigurt se vendi ka një zgjidhje politike, kushtetuese dhe solide”.

Megjithëse Meta u zgjodh dy vjet më parë me votat e Partisë Socialiste të majtë, ai nuk ka qenë në “paqe” me qeverinë që nga ajo kohë, shkruan “Washington Post”.

Opozita e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Partia Demokratike, ka dorëzuar mandatet e saj parlamentare dhe po zhvillon protesta duke akuzuar qeverinë e majtë të kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, shkruan gazeta.

Duke folur me gazetarët në qytetin lindor të Pogradecit, Meta gjithashtu e krahasoi veten me presidentin kilian Salvador Allende, i cili vrau veten në vitin 1973 ndërsa trupat e ushtrisë rrethuan pallatin e tij pas një grushti ushtarak.

Deklaratat e Metës janë publikuar edhe në gazetën tjetër prestigjioze amerikane, “New York Times” si dhe në rrjetin televiziv amerikan ABC News.

Përveç mediave të mësipërme, deklaratat e Presidentit Meta janë cituar në të paktën 180 media ndërkombëtare.

Deklaratat e Metës për lënien e mandatit, jehonë në mediat botërore

Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë deklaratës së Presidentit Ilir Meta në Pogradec, nga ku u bëri thirrje palëve për të gjetur zgjidhje për daljen nga kriza.

Gazeta prestigjioze “New York Times”, televizioni “Fox News”, “Washington Post”, kanë pasqyruar qëndrimin e kreut të shtetit, Ilir Meta.

Meta deklaroi sot se “jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Allende, për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake”.

Artikulli i plotë i Associated Press

Presidenti shqiptar tha të mërkurën se do të ishte gati të japë dorëheqjen nga posti i tij – ose edhe të veprojë si ish-Presidenti kilian Allende, – nëse do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës politike të vendit të tij.

Ilir Meta tha se pas dështimit të ndërmjetësimit të një zgjidhjeje, ai ishte i gatshëm të japë dorëheqjen nëse ai “ishte i sigurt se vendi ka një zgjidhje politike, kushtetuese dhe solide”.

Megjithëse Meta u zgjodh dy vjet më parë me votat e Partisë Socialiste të majtë, ai nuk ka qënë në qetësi me qeverinë që nga ajo kohë.

Opozita e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Partia Demokratike, ka dhënë dorëheqjen nga mandatet e saj parlamentare dhe po mban protesta duke akuzuar qeverinë e majtë të Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohëshme.

Duke folur me gazetarët në qytetin lindor të Pogradecit, Meta gjithashtu e krahasoi veten me presidentin kilian Salvador Allende, i cili vrau veten në vitin 1973 ndërsa trupat rrethuan pallatin e tij pas një grushti ushtarak.

Meta tha se do të ishte gati të “sakrifikojë jetën time si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që do ta kthejë Shqipërinë 30 vite pas”.

Opozita nuk ka dëgjuar thirrjet nderkombetare që të mos nxise dhunën dhe të ulet për bisedime me qeverinë.

Gjatë pesë tubimeve në një muaj, mbështetësit e opozitës kanë përdorur bomba dhe predha me tym që të përpiqen të hyjnë në parlament ose ndërtesat e qeverisë. Policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe me ujë. Një miting i ri është planifikuar për të enjten.

Socialistët drejtues kanë 74 vende në parlamentin me 140 vende. Disa nga vendet e liruara nga opozita janë zëvendësuar nga të tjerët nga listat e saj, por shumë prej tyre mbeten bosh.

Socialistët thonë se opozita nuk po ndihmon përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Brukseli do të vendosë në qershor nëse do të fillojë negociatat e plota të anëtarësimit me Shqipërinë.

 

20 marsi – Dita Ndërkombëtare e Lumturisë: Kosova në vendin e 46, Shqipëria në vendin e 107

Sipas Raportit më të ri për Lumturinë në Botë, të lëshuar nga Rrjeti për Zgjidhje të Qëndrueshme Zhvillimore në kuadër të OKB-së, Kosova renditet si vendi i 46 më i lumtur në botë. Raporti i lumturisë botërore është një studim historik i gjendjes së lumturisë globale që i rendit 156 vende, nisur nga fakti se sa të lumtur janë qytetarët e tyre.

Raporti i sivjetshëm i lumturisë fokusohet në lumturinë dhe komunitetin: se si lumturia ka evoluar gjatë dhjetëra viteve të fundit, me fokus në teknologjitë, normat shoqërore, konfliktet dhe politikat qeveritare që i kanë nxitur këto ndryshime.

Kosova në këtë raport renditet si vendi i 46 ndërkaq vendet tjera të rajonit kanë këtë renditje: Serbia në vendin e 70-të, Mali i Zi 73, Kroacia 75, Bosnje dhe Hercegovina 78, Maqedonia 84 përderisa Shqipëria në vendin e 107-të.

Sondazhet janë bërë për përiudhën ndërmjet viteve 2016-2018.

Finlanda përsëri është e para, si vendi më i lumtur në botë. Dhjetë vendet tjera që janë renditur vazhdimisht në mesin e më të lumturve janë : Danimarka, Norvegjia, Islanda, Holanda, Zvicra, Suedia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Austria. SHBA-ja u rendit në vendin e 19-të duke rënë një vend nga viti i kaluar.

Ndërkaq në fund të listës së vendeve më të lumtura gjenden: Afganistani në vendin e 154, Republika e Afrikës Qëndrore në vendin e 155 dhe Sudani Jugor renditet në vendin e 156-të .

Dita Ndërkombëtare e Lumturisë shënohet më 20 mars.

Sot ndodh Ekuinoksi i Pranverës – Surprizat e stinës së re

Dita e parë e pranverës quhet ekuinoksi i pranverës dhe pothuajse gjithmonë vjen me 20 mars ose 21 mars.

Marsi është muaj me mot shumë të ndryshueshëm. Por një ditë gjithmonë vjen, qoftë ditë shiu apo dielli.

Kjo është shkencërisht dita e parë e pranverës, edhe pse nuk ndihet si e tillë.

Pavarësisht tre javëve të fundit, AgroWeb.org raporton se dita e parë e pranverës bie të mërkurën, më 20 mars të këtij viti.

Dita e parë e pranverës quhet ekuinoksi i pranverës dhe pothuajse gjithmonë vjen me 20 mars ose 21 mars.

Çfarë ndodh në ditën e quajtur ekuinoksi i pranverës?

Dita e parë e pranverës është momenti i vetëm i çdo viti që këndi i lëvizjes së Tokës është zero në raport me Diellin.

Pra, nëse do të qëndronit në ekuator, AgroWeb.org ju tregon se dielli do të kalojë pingul mbi kokën tuaj.

Si përcaktohet dita e parë e pranverës?

Dita e parë e pranverës përcaktohet nga ekuinoksi i pranverës, momenti kur dielli kalon pingul mbi sipërfaqen e ekuatorit të tokës, duke e bërë natën dhe ditën afërsisht të barabarta në të gjithë botën.

Në këtë ditë, të dy hemisferat e Tokës marrin një sasi të barabartë diellit.

Por a nuk është Dita e Verës apo 1 Marsi dita e parë e pranverës?

Ka dy mënyra për të përcaktuar ditën e parë të pranverës. AgroWeb.org raporton se kjo bëhet sipas ciklit astronomik apo ciklit meteorologjik, por shumica e njerëzve përdorin ciklin astronomik.

Cikli astronomik e konsideron 20 marsin 2019 të jetë dita e parë e pranverës dhe gjithmonë bazohet në ekuinoksin e marsit.

Ndërsa cikli meteorologjik e përcakton ditën e parë të pranverës te modelet e stinës dhe temperaturës sezonale. Pra, nëse shkoni me ciklin meteorologjik, dita e parë e pranverës është në të vërtetë 1 mars, thotë AccuWeather.

A është dita e parë e pranverës njëjtë çdo vit?  

Jo. Data ndryshon çdo vit pasi që përcaktohet nga koha e kalimit të diellit mbi Ekuatorin e Tokës, i cili ndryshon gjithnjë në varësi të disa faktorëve.

Orbita e Tokës ndryshon vazhdimisht në lidhje me diellin, ndërsa në të njëjtën kohë graviteti i planetëve të tjerë ndikon në vendndodhjen e Tokës në hapësirë.

Këto dinamika fizike, shoqëruar me faktin se çdo vit kalendarik gjithmonë ka një numër të ndryshëm të ditëve (vitet e brishtë), do të thotë se dita e parë e pranverës ndryshon pak nga viti në vit.

Kur vjen fiks pranvera në vitin 2019?  

Koha e saktë që ekuinoksi i pranverës ndodh këtë vit është në orën 17:15, të martën, më 20 mars. Në hemisferën jugore, pra për njerëzit në anën tjetër të botës, sot ndodh ekuinoksi i vjeshtës.

Ndahet nga jeta këngëtari i shquar Shyqyri Alushi

Ndahet nga jeta këngëtari i shquar Shyqyri Alushi! Prej më shumë se dy javësh, këngëtari i muzikës popullore qytetare shkodrane Shqyqyri Alushi qëndroi në spitalin e Shkodrës.

Lajmin për ndarjen nga jeta të artistit, e ka bërë publik edhe ish-deputeti i LSI-së, Luan Rama, i cili nga ana tjetër denoncon faktin që asnjë zyrtar nuk denjoi të paktën të interesohej për të. “E lanë të braktisur në labirinthet mes shëndetësisë “falas” dhe indiferencës shtetërore!”, shkruan Luan Rama.

 

“U prehsh në paqe Shyq Alushi i Shkodrës! Le të mbetet kënga jote, përjetësi e emrit dhe mirësisë tënde! Ngushëllime familjes, të afërmve! Ngushëllime Shkodrës që të deshi e të nderoi aq shumë!”

Bush: Emigrimi është bekim dhe forcë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, u tha shtetasve të rinj amerikanë në një ceremoni të natyralizimit se “emigrimi është bekim dhe forcë”, pavarësisht politikave të ndërlikuara.

Bush dhe ish-Zonja e Parë, Laura Bush, folën para 51 njerëzve nga më shumë se 20 shtete në një ceremoni në Dallas të Teksasit.

Ai i tha grupit se shpreson që “ata që janë përgjegjës në Uashington, do të qetësojnë retorikën, do të lënë politikën mënjanë dhe do t’i modernizojnë ligjet e emigrimit”.

Komentet vijnë në kohën e një debati të thellë në SHBA mbi politikat e emigrimit.

Presidenti Donald Trump është zotuar se do të ndërmarrë masa ndaj emigrimit edhe të ligjshëm, edhe të paligjshëm, duke thënë se ai do që njerëzit të migrojnë në bazë të një sistemi meritash.

Bush, republikan sikurse edhe Trumpi, ka qëndruar kryesisht jashtë debatit politik që nga përfundimi i mandatit më 2009.

Ai bëri thirrje për, siç tha, reformën e ligjeve “të vjetëruara dhe joefektive” të emigrimit dhe tha se “kufijtë nuk janë arbitrarë dhe duhet të respektohen”.

Bush u tha amerikanëve të rinj se ata po i bashkohen një “demokracie të trazuar” dhe u bëri thirrje atyre që të marrin pjesë në të dhe të votojnë.

Trump, mes tjerash, është zotuar se do të ndërtojë një mur të gjatë në kufi me Meksikën, për të ndaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në SHBA.

Në 6-vjetorin e peticionit për Rrugën e Arbërit: Sot peticioni ka 17 000 përkrahës

 

18 Mars 2019

Nga Grupi i Lobimit

 

Sot gjashtë vite më parë filloi peticioni online për Rrugën e Arbërit.

 

Siç kemi bërë gjithmonë, edhe tani kur situata politike në Shqipëri fatkeqësisht është përkeqësuar, ne vazhdojmë të ndjekim ecurinë e punimeve të rrugës plotësisht larg çdo ndikimi partiak.

 

Gjatë 6 viteve të peticionit, Kryeministri Edi Rama nuk mundësoi asnjë hapësirë bashkëpunimi me Grupin e Lobimit. Rruga, sipas projektit që po zbatohet, ka ndryshime me projektin e para viti 2013. Ne mendojmë se po qe se qeveria do të kishte dëgjuar sugjerimet tona, në projektin aktual do të kishte më shumë përmirësime.

 

Edhe tani, ne jemi të hapur për shkëmbim mendimesh me qeverinë për aspekte të ndryshme të veprës.

 

Na krijohet apo jo mundësia për të dialoguar me qeverinë për këtë vepër në vitet që vijnë, nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që kjo rrugë, ndërtimi i së cilës ka filluar zyrtarisht që në vitin 2010, të përfundojë sa më shpejt dhe, ashtu siç është premtuar, brenda mandatit të dytë të qeverisë Rama.

 

Ne e vlerësojmë progresin në segmente të ndryshme të veprës. Njëkohësisht ne po vëzhgojmë me kujdes cilësinë dhe standardet e punimeve.

 

Është e nevojshme të theksohet se Rruga e Arbërit nuk do të mundësojë lidhjen e nevojshme me Shkupin. Kjo pasi, projekti që po zbatohet, është rrugë interurbane me dy korsi kalimi.

 

Megjithatë, po të kemi parasysh se të gjitha qeveritë që janë marrë me këtë vepër kanë qenë më të interesuara të merren me llafollogji politike sesa me punë konkrete, progresi që është bërë duhet parë si sukses.

 

Ne jemi në pritje nga qeveria për më shumë informacion në lidhje me këtë vepër për disa çështje akoma të pasqaruara.

 

Kështu, përshembull, një pyetje që akoma ka mbetur pa përgjigje është nëse rruga do të jetë me pagesë ose jo. Në qoftë se Rruga e Arbërit do të jetë me pagesë, kjo do ta bëjë këtë vepër të ‘veçantë’ jo për ndonjë arsye të mirë. Ky do të jetë një ndër rastet e rralla në botë ku qytetarëve do t’ju kërkohet të paguajnë për një rrugë interurbane. Të shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë.

 

Ndërkohë, siç kemi thënë kur filluam këtë nismë më 18 Mars 2013, peticioni do të qëndrojë i hapur deri në inaugurimin e veprës sipas standardeve, në mënyrë që kjo vepër jetike për Dibrën dhe zonat e tjera të injoruara të përfundojë sa më shpejt.

Peticioni mund të nënshkruhet këtu: https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?fbclid=IwAR05P1M1t_NWQPF6T0O3UAJaAGlosRrD2nFl1Y1rF4Hm6Xa8TIl4IHm-47Q

Banorët e Çabrës kërkojnë drejtësi për tre fëmijët e mbytur në Ibër

Sa herë del në afërsi të Ibrit Zaim Deliu kujton me emocione ditën e kobshme kur djali i tij bashkë me dy fëmijë të tjerë u mbytën në këtë lum në mars të vitit 2004.

Ai ende është i bindur se tre fëmijët ranë në Ibër nga frika, derisa ende beson se përgjegjës janë serbët lokalë.

‘Këta njerëz enden të lirë edhe pas 15 vjetëve’, tha Deliu për televizionin publik të Kosovës.

Mbytja e këtyre tre fëmijëve shkaktoi trazira ku si pasojë mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe tetë serbë.

15 vjet më pas shqiptarët por edhe serbët e kësaj zone thonë se nuk kanë probleme të theksuara ndërmjet vete.

Për shkaqe sigurie gjatë gjithë kohës në rrugët e fshatit qarkullojnë vetura të policisë.

Fshati Çabër është i vetmi vendbanim me shqiptarë që i përket komunës së Zubin Potokut.

Kosova, më 1999 dhe sot

Ibrahim Berisha, Krenare Cubolli, Lendi Susuri. Realizimi teknik: Wojtek Grojec

18.03.2019

Nëse hasni në këtë fotografi në internet, përshkrimi është ky:

“Një vajzë po i thotë lamtumirë babait të saj, të cilin mund të mos e ketë parë më kurrë”.

Familja e saj, sikur edhe shumë të tjera janë ndarë në mënyrë të detyrueshme gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Fotografia është bërë në Prishtinë, teksa një autobus me shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre ishte nisur drejt Turqisë. Megjithatë, fati i familjes së kësaj vogëlusheje nuk dihet.

Fotografi të ngjashme të situatës së krijuar 20 vjet më parë në Kosovë kanë alarmuar ata, që sot njihen si aleatë të Kosovës, për të nisur fushatën 78-ditore të bombardimit nga NATO-ja kundër caqeve serbe.

Disa prej vendeve, që kanë qenë të identifikueshme, ekipi i Radios Evropa e Lirë i ka vizituar sërish, dhe dallimi duket të jetë i qartë.

Klikoni dy herë në fotografi apo lëvizni ikonën në shirit për të parë fotografitë para dhe pas.

 

Policia serbe bllokon rrugën për protestuesit shqiptarë përmes transportuesve të blinduar në qendër të Prishtinës më 2 mars 1999. Mijëra shqiptarë kanë protestuar kundër dhunës së policisë që ka rezultuar me 20 persona të vdekur gjatë asaj fundjave në Kosovë.

 

Dy burra mbulojnë trupin e një personi të vrarë si pasojë e një shpërthimi me bombë më 13 mars të vitit 1999 në Mitrovicë. Në këtë shpërthim tre persona janë vrarë dhe rreth 40 të tjerë janë plagosur. (AP Photo/Visar Kryeziu)

 

Dy tanke jugosllave duke u nisur për Stantërg. REUTERS/Radu Sigheti

Sulmet e NATO-s, kanë filluar më 24 mars 1999, pas dështimit të bisedimeve paqësore në Rambuje, me urdhër të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës veri-atlantike, Havier Solana në orën 20:00.

 

Treni i stërngarkuar me të dëbuar, duke u nisur nga Prishtina për në Maqedoni më 1 prill të vitit 1999. REUTERS, Goran Tomaseviq

 

Një burrë duke u larguar me vajzën e tij nga shtëpitë e shkatërruara në Prishtinë më 7 prill.

Pas 78 ditëve të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor të vitit 1999, me miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërprerja e bombardimeve ka qenë rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

 

Një ushtar britanik qëndron përpara stacionit serb të policisë në Prishtinë. (AP Photo /Russell Boyce/Pool)

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të NATO-s, në kuadër të forcave paqeruajtëse për Kosovën, KFOR.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ka administruar këtë vend për një periudhë të caktuar kohore.

Në kuadër të KFOR-it janë vendosur rreth 50, 000 ushtarë nga 36 vende, nga të cilët 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

 

Një pjesëtar italian i KFOR-it duke ndalur një protestues shqiptar që të mos kalojë urën në Mitrovicë për t’u përballur me serbët. Ura qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka qenë vatër përplasjesh në mes të shqiptarëve dhe serbëve pas luftës në Kosovë. (AP Photo/Jacqueline Larma)

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

 

Një ushtar francez duke ruajtur urën që ndan ato që tani njihen si Mitrovica Veriore dhe ajo Jugore. (AP Photo/Adam Butler).

 

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana duke u mirëpritur nga banorët e Kosovës në Prishtinë më 24 qershor 1999. Ai është pritur si hero në kryeqytetin e Kosovës, së bashku me komandatin suprem të NATO-s, gjeneralin amerikan, Wesley Clark. (AP Photo/David Guttenfelder)

Si pasojë e luftës në Kosovë kanë vdekur 13,518 persona, përkatësisht 10,794 shqiptarë, 2,197 serbë dhe të tjerët u përkasin etnive tjera.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ende mbesin 1,647 persona të pagjetur, shumica prej tyre shqiptarë.

Komuna me numrin më të madh të viktimave është Gjakova me 1,214 persona të vrarë.

 

Një burrë i moshuar duke ecur rreth pjesës së shkatërruar të Gjakovës. Forcat serbe kanë djegur pjesën më të madhe të këtij qyteti gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.

 

Rreth 5,000 shqiptarë duke festuar në qytetin e Rahovecit më 17 korrik, 1999.

Hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë ka rezultuar edhe me shpërbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo e fundit, më 2018 është transformuar në Forcë me kapacitete ushtarake.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

O’Connell deklaron se nepotizmi po dëmton procesin e punësimit në Kosovë

Pamje nga konferenca e sotme në Prishtinë.

Emërimet dhe punësimet mbi bazën e familjarizimit, dëmtojnë rëndë punësimin e kuadrove profesionale në Kosovë, ka deklaruar të hënën ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell.

Ai i bëri këto komente, në konferencën për shënimin e trevjetorit të Memorandumit të Mirëkuptimit për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në mes të Ambasadës Britanike dhe institucioneve të Kosovës.

Ambasadori britanik tha se qasja e institucioneve të Kosovës në favor të nepotizmit ndikon në penalizmin e profesionalitetit, çka rrjedhimisht, sipas tij, dëmton punësimin mbi bazën e meritave në pozitat e larta drejtuese.

O’Connell tha se dështimi i këtij projekti është përgjegjësi e politikanëve në Kosovë.

“Vitin e kaluar në konferencën e njëjtë pata deklaruar se projekti po shkon më mirë se që kemi pritur. Për fat të keq, këtë vit nuk mund ta them të njëjtën gjë. Në fakt kemi kthim prapa. Kemi raportime shqetësuese për interferim në proces. Falsifikimi i dokumenteve për të përmbushur kriteret formale, konflikti i interesit mes panelit dhe kandidatëve të intervistuar apo thjesht në favor të një kandidati, zakonisht i paracaktuar ta fitojë pozitën”, tha O’Connell.

Memorandumi ishte nënshkruar në vitin 2016, nga Ambasada britanike në Kosovë me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, për siç thuhet, pavarësimin e bordeve të agjencive të pavarura.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka mohuar se gjatë proceseve të rekrutimit janë shënuar dëme.

“Duhet ta pranojmë që kemi edhe lëshime, kemi edhe dëme me të cilat duhet të përballemi, por e falënderojmë Ambasadën britanike për trajtimin e këtyre dëmeve. Deri tani 44 pozita të larta janë realizuar me partneritetin me ambasadën britanike dhe jemi pajtuar që të vazhdojmë edhe më tutje për pozitat që kemi para nesh”, tha Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bëri thirrje për parandalimin e emërimeve jomeritore, pasi sipas tij, kjo po ndikon në largimin e të rinjve nga Kosova.

“Situatën nuk e kemi aq mirë me emërimet, për shkak se besimi i qytetarëve nuk është i duhur dhe kur nuk ka besim, kemi një ftohje të tyre dhe prirje për t’u larguar nga Kosova. Kjo nuk i duhet Kosovës, aq më tepër kur numri i popullatës po zvogëlohet dita e ditës. Unë inkurajoj shoqërinë civile, mediat, si dhe bartësit e institucioneve, që të bëhen më të zëshëm në ndalimin e tyre për shkak se do ta shkatërrojnë perspektivën tonë”, tha Veseli.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

Së fundi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar lidhur me emërimin nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e Shalës, duke e konsideruar se ai nuk i ka përmbushur kriteret.