VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kosova përfiton 33 milionë dollarë ndihmë nga SHBA-të

November 18, 2020

Komentet

Shtëpia e Bardhë: Biden i përkushtuar të emërojë një grua me ngjyrë në Gjykatën Supreme

Washington

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden është i përkushtuar të emërojë një grua me ngjyrë në Gjykatën Supreme, tha të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Presidenti ka deklaruar dhe ka përsëritur angazhimin e tij për të emëruar një grua me ngjyrë në Gjykatën Supreme dhe sigurisht se qëndron pranë kësaj sot”, tha Psaki në një konferencë për media.

Deklaratat e saj erdhën disa orë pasi raportet e shumta mediale theksuan se gjykatësi Stephen Breyer po largohet nga Gjykata Supreme në fund të mandatit aktual.

Breyer shërbeu si gjyqtar i Gjykatës së Apelit nga viti 1980 deri në vitin 1994 përpara se të bëhej shef i emëruar nga ish-presidenti Bill Clinton.

Kur u pyet nëse Biden do të zgjedhë zëvendës presidenten Kamala Harris për Gjykatën, Psaki tha: “Përsëri, nuk do të flas për ndonjë konsideratë, përgatitje, listë”.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Biden u zotua të emërojë një grua me ngjyrë nëse ai zgjidhet.

SHBA u bën thirrje amerikanëve që të largohen nga Ukraina

Ndërtesa e Ambasadës amerikane në Kiev.

RFE/RL

Ambasada amerikane në Kiev u ka bërë thirrje amerikanëve në Ukrainë që ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga vendi, duke pasur parasysh situatën e “paparashikueshme”.

Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë janë rritur pasi kjo e fundit ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit, duke e rrethuar Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu.

“Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon të jetë e paparashikueshme për shkak të rritjes së kërcënimit nga veprimi ushtarak rus dhe mund të përkeqësohet në çdo kohë”, tha Ambasada amerikane në Kiev.

“Ambasada amerikane u bën thirrje shtetasve amerikanë në Ukrainë që ta konsiderojnë mundësinë që të largohen përmes mundësive të transportit komercial apo privat”, u tha në deklaratën e lëshuar më 26 janar.

Më herët gjatë javës, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të tërheqë një pjesë të stafit të ambasadës në Kiev dhe familjarët e tyre.

Rusia mohon se po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por ka vendosur mbi 100,000 trupa në kufi me këtë shtet. Sipas inteligjencës perëndimore, pranë kufirit me Ukrainën, Rusia ka kryer një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimet se po përgatitet për një sulm ndaj Ukrainës.

Më 2014, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe që atëherë ka mbështetur separatistët që po luftojnë me forcat ukrainase në lindje të Ukrainës.

Blinken:Nuk ka lëshime në përgjigje të kërkesave të Rusisë për Ukrainën

Marrë nga Associated Press

Sekretari i Shtetit Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë asnjë lëshim ndaj kërkesave kryesore ruse mbi Ukrainën dhe NATO-n në një përgjigje me shkrim të dërguar të mërkurën ndaj Moskës.

Rusia kishte kërkuar garanci që NATO-ja nuk do të pranojë kurrë Ukrainën si dhe vendet e tjera ish-sovjetike të bëhet pjesë e saj si dhe se aleanca të tërheqë trupat nga vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik. Këto nuk janë pika diskutimi për SHBA-në dhe aleatët e saj.

Sekretari Blinken tha se përgjigja ndaj Rusisë e bën shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara po u qëndrojnë parimeve të tyre, duke thënë: “Nuk ka ndryshim, dhe nuk do të ketë ndryshim”.

Ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan, ia dorëzoi përgjigjen zëvendësministrit të Jashtëm të Rusisë, Alexander Grushko.

SHBA nuk e ka bërë publike përgjigjen e saj, por tashmë ka paralajmëruar se kërkesat kryesore të Rusisë janë të papranueshme.

Rusia ka paralajmëruar se do të marrë shpejt “masa hakmarrëse” nëse SHBA dhe aleatët e saj refuzojnë kërkesat e saj.

Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka plane për të sulmuar Ukrainën, por SHBA-ja dhe NATO janë të shqetësuara për dislokimin e rreth 100,000 trupave nga Rusia pranë Ukrainës dhe fillimin e një sërë manovrash të gjera ushtarake .

Si pjesë e stërvitjeve, njësitë e motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore praktikuan gjuajtjen me municione reale. Avionët luftarakë në Kaliningrad në Detin Baltik, kryen bombardime ndërsa dhjetëra anije luftarake lundruan për manovra stërvitore në Detin e Zi dhe Arktik. Avionë luftarakë rusë dhe parashutistë mbërritën në Bjellorusi për stërvitjet e përbashkëta që do të zhvillohen në shkurt.

Duke folur me ligjvënësit, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë do të këshillojnë Presidentin Vladimir Putin për hapat e ardhshëm pas marrjes së përgjigjes nga Shtetet e Bashkuara.

“Nëse Perëndimi vazhdon kursin e tij agresiv, Moska do të marrë masat e nevojshme hakmarrëse”, tha zoti Lavrov.

Ai shtoi se Rusia nuk do të presë përgjithmonë. “Ne nuk do të lejojmë që propozimet tona të mbyten në diskutime të pafundme”, tha ai.

Zoti Lavrov ironizoi me pohimet mbi mundësinë e një pushtimi të afërt nga ana e Rudisë, duke thënë se “kolegët perëndimorë e kanë futur veten në një histeri ushtarake”, duke shtuar se edhe “vetë elita ukrainase është trembur disi nga vetë frika e perëndimit”.

I pyetur nga ligjvënësit nëse Rusia mund të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak me Kubën, Venezuelën dhe Nikaraguan si pjesë e masave të saj hakmarrëse, zoti Lavrov u përgjigj se Moska ka lidhje të ngushta me to dhe po kërkon t’i thellojë marrëdhëniet. Ai vuri në dukje se Presidenti Puti zhvilloi biseda telefonike me udhëheqësit e tre vendeve javën e kaluar dhe ata ranë dakord të “shqyrtojnë mënyra për të thelluar më tej bashkëpunimin strategjik”.

Në fillim të këtij muaji, zëvendësi i ministrit Lavrov refuzoi në mënyrë të prerë të përjashtonte dislokimin e pajisjeve ushtarake ruse në Kubë dhe Venezuelë, nëse kërkesat e sigurisë së Moskës nuk do të përmbusheshin./ZiA

Presidenti Biden, i hapur për të sanksionuar personalisht Putinin nëse Rusia pushton Ukrainën

NATO njoftoi këtë javë se do të përforcojë forcat në rajonin e Detin Balltik dhe Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar 8,500 trupa në gadishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, përpjekjet diplomatike vazhdojnë ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja shtojnë përgatitjet e tyre ushtarake.

Grumbullimi ushtarak i Rusisë përgjatë kufirit të saj me Ukrainën dhe Bjellorusinë po vazhdon, tha presidenti Joe Biden para gazetarëve në Uashington të martën, duke shtuar se ai tani është gati të rrisë praninë amerikane dhe të NATO-s në Evropën Lindore, por nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë.

“Ia bëra të qartë presidentit Putin se nëse do të shkonte në Ukrainë, do të kishte pasoja të rënda, përfshirë sanksione të rëndësishme ekonomike. Ndihem i detyruar të forcoj praninë tonë, praninë e NATO-s, në frontin lindor, Poloni, Rumani etj“, tha presidenti Biden.

I pyetur nëse do të konsideronte sanksione personale ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, Bideni tha se PO, do ta bënte.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia dhe Gjermania kanë urdhëruar familjet e diplomatëve që jetojnë në Kiev të largohen nga Ukraina.

Disa zyrtarë ukrainas thonë se kjo është e nxituar.

“Ne duhet të qëndrojmë të qetë sot. Në realitet, ne nuk e shohim situatën që po fryhet tani në media”, tha Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Ukrainës.

E pyetur nëse Shtetet e Bashkuara pajtohem me vlerësimin e Ukrainës, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha.

“Askush nuk mund të hyjë në mendjen e Presidentit Putin apo udhëheqjes ruse. Kemi parë një sërë përgatitjesh, përfshirë 100,000 trupat në kufi, retorikën luftarake dhe veprimet e tjera siç kemi folur këtu, përpjekjet për të përhapur dezinformata në të gjithë rajonin dhe madje edhe në botë, duke ngritur presupozimin për një pushtim”.

Të hënën, Presidenti Biden tha se pati një takim shumë të mirë dhe se Shtetet e Bashkuara janë në unitet të plotë me aleatët kryesorë evropianë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz mirëpriti presidentin francez Emmanuel Macron në Berlin të martën dhe të dy ranë dakord se Rusia do të përballet me sanksione të rënda nëse pushton Ukrainën. Presidenti Macron tha se do të fliste me Presidentin Putin të premten.

Përpjekjet diplomatike vijnë pasi Rusia po dërgon trupa dhe pajisje ushtarake në Bjellorusi, duke shqetësuar vëzhguesit.

“Mendoj se trupat në Bjellorusi janë shqetësuese. Sigurisht kjo e pozicionon Rusinë më mirë nëse do të zgjidhte të hynte në Ukrainë. Vështirë të thuhet në këtë kohë nëse Presidenti Putin po bën bllof apo po përpiqet të arrijë atë që dëshiron pa luftë”, thotë William Hartung me Institutin Quincy.

Të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video të avionëve luftarakë rusë duke u nisur drejt Bjellorusisë për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta në shkurt. Rusia thotë se nuk po planifikon të pushtojë Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i trupave dhe pajisjeve përgjatë kufirit dhe në Bjellorusi, dhe po akuzon Shtetet e Bashkuara për “përshkallëzimin e situatës”.

 

Çfarë sanksionesh mund të vënë Shtetet e Bashkuara ndaj Putinit?

Marrë nga Associated Press

Ndërprerja e qasjes së Rusisë tek dollari amerikan dhe bankat ndërkombëtare janë pasojat me të cilat Putini mund të ndeshet nëse e sulmon Ukrainën.

Ndëshkimet financiare që po shqyrtohen, nëse Rusia pushton Ukrainën, variojnë nga ato gjithëpërfshirëse deri tek ato personale për presidentin Vladimir Putin, nga ndërprerja e qasjes tek dollari amerikan dhe bankat ndërkombëtare e deri tek vendosja e sanksioneve ndaj një ish-gjimnasteje olimpike që mendohet të jetë e dashura e Putinit.

Publikisht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë premtuar se do ta godasin financiarisht Rusinë si kurrë më parë, nëse Putini fut ushtrinë e tij në Ukrainë. Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë kanë dhënë hollësi të pakta për publikun, duke argumentuar se është më mirë që Putini të përpiqet të mendoj vetë për pasojat me të cilat mund të përballet.

Disa javë pas fillimit të negociatave, nuk është e qartë nëse amerikanët kanë arritur një konsensus me Evropën mbi llojin e sanksioneve dhe mënyrën se si duhet ndëshkuar Rusia.

Disa nga veprimet që po shqyrtohen janë të natyrës financiare.

GODITJA E SHPEJTË

Për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë, heqja e Rusisë nga sistemi financiar SWIFT, i cili mundëson transferimin e parave mes bankave anembanë globit, do të ishte një nga hapat më të ashpër financiarë që mund të merren, duke dëmtuar ekonominë e Rusisë menjëherë dhe në aspektin afatgjatë. Masa mund ta përjashtojë Rusinë nga shumica e transaksioneve financiare ndërkombëtare, duke përfshirë fitimet ndërkombëtare nga prodhimi i naftës dhe gazit, të cilat përbëjnë më shumë se 40% të totalit të të ardhurave të vendit.

Aleatët në të dyja anët e Atlantikut e konsideruan këtë alternativë edhe në vitin 2014, kur Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështeti forcat separatiste në Ukrainën lindore. Rusia deklaroi atëherë se përjashtimi i saj nga sistemi financiar SWIFT do të ishte ekuivalent me një vendim për t’i shpall asaj luftë. Aleatët, të cilët që nga ajo kohë u kritikuan për reagim shumë të dobët ndaj agresionit të Rusisë në vitin 2014, hoqën dorë nga kjo ide.

Qysh atëherë Rusia është përpjekur të zhvillojë sistemin e saj të transfertave financiare, me sukses të kufizuar.

Shtetet e Bashkuara kanë arritur më parë të bindin sistemin SWIFT që të përjashtojë një vend, Iranin, për shkak të programit të tij bërthamor.

Por përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFT do të dëmtonte gjithashtu ekonomitë e tjera, duke përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të saj kryesor, Gjermaninë. Ligjvënësit amerikanë thanë javën e kaluar se administrata e Presidentit Biden është ende duke analizuar pasojat negative të këtij veprimi. Ministrja e jashtme e Gjermaninë, Annalena Baerbock, kur u pyet nga gazetarët në lidhje me mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga sistemi SWIFT, shprehu dyshime për efektshmërinë e një veprimi të tillë.

“Shkopi më i fortë nuk është gjithmonë arma më inteligjente”, tha zonja Baerbock.

NDËRPRERJA E QASJES TEK DOLLARI

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një nga armët më të fuqishme financiare për të përdorur kundër Putinit nëse ai e pushton Ukrainën, atë të bllokimi të qasjes së Rusisë tek dollari amerikan.

Dollari ende dominon transaksionet financiare në mbarë botën, transaksionet ditore arrijnë në triliona dollarë.

Transaksionet në dollarë amerikanë përfundimisht miratohen përmes Rezervës Federale ose institucioneve financiare amerikane. Kjo do t’ia vështirësonte Putinit qasjen në sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara, duke eliminuar mundësinë për të bërë pagesat në dollarë.

Presidenti Biden u ka thënë gazetarëve se heqja e aftësisë së Rusisë dhe rusëve për të bërë transaksione me dollarë amerikanë është një nga opsionet që Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar. Ndryshe nga përjashtimi nga sistemi SWIFT dhe masat e tjera financiare, ndërpreja e qasjes tek dollari është një masë që Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë të vetme. Shumë rusë dhe kompani ruse do të pengoheshin në kryerjen madje edhe të transaksioneve më rutinë, si listat e pagave ose blerja e gjërave, sepse nuk do të kishin qasje në sistemin bankar të Shtetevet të Bashkuara.

KONTROLLET MBI EKSPORTIN

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kontrolleve ndaj eksportit, duke ia hequr Rusisë qasjen tek teknologjia dhe programet e sofistikuara që ndihmojnë trafikun e avionëve luftarakë, atë të pasagjerëve, tabletave, video-lojrat dhe televizorët e sofistikuar.

Kjo mund të përfshijë futjen e Rusisë në grupin më kufizues të vendeve për qëllime të kontrollit të eksportit, duke e radhitur atë me Kubën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë, thanë zyrtarët.

Sanksione të tilla mund të vënë në shënjestër edhe industritë kritike ruse, duke përfshirë sektorët e saj të mbrojtjes dhe të aviacionit civil, gjë që do të godiste ambicjet e teknologjisë së lartë të Rusisë, si inteligjenca artificiale dhe informatikën kuantike.

TREGU I AKSIONEVE

Administrata e Presidenti Biden kufizoi aftësinë e Rusisë për të marrë hua duke i ndaluar institucionet financiare amerikane të blejnë bono thesari të qeverisë ruse drejtpërdrejt nga institucionet shtetërore vitin e kaluar. Por sanksionet nuk goditën tregun dytësor, duke e lënë këtë si një hap të mundshëm të ardhshëm.

GAZSJELLËSI NORDSTREAM 2

Republikanët dhe demokratët në Kongres luftuan për vite me radhë kundër zgjerimit të gazsjellësit të ri rus Nord Stream 2 drejt Gjermanisë, duke argumentuar se ai do ta ndihmonte Rusinë të përdorte kontrollin e furnizimit me gaz si një mjet për të arritur synimet e politikës së saj në Evropë. Projektligjet rivale në Kongres do të vendosnin sanksione ndaj operatorëve të gazsjellësit. Republikanët duan të vendosin sanksionet menjëherë, por demokratët thonë se kjo duhet bërë vetëm nëse Rusia e sulmon Ukrainën.

Administrata e Presidentit Biden më parë ka hezituar të vendosë sanksione të këtij niveli për të shmangur përplasjen me Gjermaninë aleate.

Zyrtarët gjermanë thonë se bllokimi i funksionimit të gazsjellësit nëse Rusia hyn në Ukrainë mund të jetë një alternativë nëse Rusia e pushton Ukrainën, por ata nuk kanë dhënë hollësi të tjera për këtë në komentet e tyre publike.

OLIGARKËT DHE E DASHURA E PUTINIT

Një nga taktikat më të përdorura të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara është vendosja e sanksioneve ndaj rrethit të ngushtë të udhëheqësve, familjeve dhe qarqeve ushtarake dhe civile. Putini, miqtë dhe familja e tij mund të përballen gjithashtu me këtë taktikë, së bashku me oligarkët e fuqishëm të biznesit në Rusi dhe bankat e tyre.

Projekt-ligji gjithëpërfshirës i propozuar nga ligjvënësi republikan i Indianës, Jim Banks, i përkrahur nga gati 40 ligjvënës të tjerë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, do të fillonte me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë edhe përpara një sulmi tjetër rus ndaj Ukrainës, duke përfshirë përjashtimin nga sistemi financiar SWIFT dhe sanksionet që lidhne me gazjellësin Nord Stream 2.

Masat e parashikuara në projekt-ligjin republikan përfshijnë vendosjen e sanksioneve ndaj më shumë zyrtarëve të lartë të Rusisë, familjes së presidentit rus dhe një grua që njoftohet se ka lidhje romantike me zotin Putin, Alina Kabaeva, e cila fitoi medaljen e artë në gjimnastikë në lojrat olimpike të vitit 2004.

Shtetet e Bashkuara urdhërojnë largimin e familjarëve të personelit të ambasadës nga Ukraina

VOA

Departamenti amerikan i Shtetit urdhëroi të dielën largimin e pjesëtarëve të familjeve të personelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kiev dhe autorizoi largimin vullnetar të punonjësve amerikanë, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga veprimet ushtarake ruse kundër Ukrainës.

Departamenti i Shtetit gjithashtu po u kërkon qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të shqyrtojnë largimin nga vendi, qoftë duke përdorur udhëtimet komerciale apo mundësitë tjera private.

Departamenti i Shtetit ripublikoi paralajmërimin e nivelit të 4-të për udhëtimet në Ukrainë, në të cilin thuhet; “mos udhëtoni në Ukrainë për shkak të kërcënimeve të shtuara nga veprimet ushtarake ruse dhe COVID-19-tës”. Më parë, paralajmërimi i udhëtimit kishte qenë gjithashtu në nivelin e 4-të, për shkak të situatës me COVID-19.

Departamenti i Shtetit ripublikoi gjithashtu një paralajmërim të dielën mbrëma në lidhje me udhëtimet në Rusi; “mos udhëtoni në Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm përgjatë kufirit me Ukrainën, mundësive për keqtrajtim ndaj qytetarëve amerikanë, aftësisë së kufizuar të ambasadës për të ndihmuar qytetarët amerikanë në Rusi, COVID-19-tës dhe kufizimeve të lidhura me hyrjen, terrorizmit, keqtrajtimeve nga zyrtarët e sigurisë së qeverisë ruse dhe zbatimit arbitrar të ligjit vendor”.

I pyetur për kohën e këtyre veprimeve, të dielën në mbrëmje në Uashington, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se ato janë lëshuar në sfondin e raporteve se Rusia po planifikon një veprim të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia, janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen shumë shpejt.

Zyrtari tha se presidenti Joe Biden ka thënë se një pushtim ushtarak rus i Ukrainës mund të ndodhë në çdo kohë dhe nëse ndodhë një gjë e tillë, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev do të kishte mundësi të kufizuara për të ndihmuar amerikanët që mund të duan të largohen nga vendi.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit, që folën me gazetarët, nuk pranuan të japin ndonjë vlerësim për numrin e amerikanëve që punojnë në ambasadën në Kiev, ose për numrin e amerikanëve që jetojnë në Ukrainë.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se këto urdhra po merren si një “masë paraprake e kujdesshme”, e cila në asnjë mënyrë nuk pengon mbështetjen amerikane për qeverinë e Ukrainës dhe se ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev, do të vazhdojë të funksionojë.

Departamenti i Shtetit u kërkoi, gjithashtu, të gjithë qytetarëve amerikanë në Ukrainë, që të plotësojnë një formular në internet, në mënyrë që Departamenti i Shtetit të mund të komunikojë më mirë me ta, duke thënë se kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët që planifikojnë të qëndrojnë në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Rusinë të dielën se Uashingtoni i di “të gjitha taktikat dhe teknikat” që Moska mund të përdorë për të minuar qeverinë ukrainase, por do të vazhdojë të angazhohet në bisedime diplomatike, me shpresën për të lehtësuar tensionet në Evropën Lindore.

“Sigurisht, ka mundësi që rusët nuk janë aq sa të duhet të angazhuar në diplomaci dhe se diplomacia mund të mos ndikojë në vendimin e tyre përfundimtar, nëse do të pushtojnë apo do të ndërhyjnë në një mënyrë a një tjetër, në Ukrainë”, tha zoti Blinken, për rrjetin televiziv NBC. “Por ne kemi përgjegjësi për të vazhduar rrugën diplomatike, duke shkuar sa më larg të mundemi, sepse është mënyra më e përgjegjshme për t’i dhënë fund kësaj situate”, shtoi ai.

Në një intervistë më emisionin “State of the Union” të rrjetit CNN, sekretari Blinken përjashtoi mundësinë e vendosjes së menjëhershme të sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Moskës, të cilat Shtetet e Bashkuara janë zotuar t;i vendosin nëse presidenti rus Vladimir Putin, pushton Ukrainën. Rusia ka grumbulluar 127,000 trupa pikërisht përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, një ish-republikë sovjetike.

“Nëse ato vendosen tani”, tha sekretari Blinken për sanksionet e mundshme, “humbasin ndikimin e tyre parandalues”.

Senatori republikan, Joni Ernst nga Iowa, duke folur pas sekretarit Blinken në CNN, kritikoi administratën e presidentit Joe Biden për qasjen ndaj Rusisë.

“Sanksionet duhet të vendosen tani”, tha senatori Ernst. “Presidenti Putin e kupton vetëm forcën. Ne duhet të jemi të vendosur”.

Sekretari Blinken nuk pranoi të komentojë mbi një raport të agjencive britanike te zbulimit se Moska po kërkonte të zëvendësojë qeverinë e Ukrainës me një administratë pro-ruse. Moska e hodhi poshtë një pretendim të tillë.

“Dezinformata e përhapur nga ministria e Jashtme britanike, është dëshmi se janë vendet e NATO-s, të udhëhequr nga anglo-saksonët, ato që po përshkallëzojnë tensionet rreth Ukrainës”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një postim ne rrjetin Telegram. “Ne i bëjmë thirrje ministrisë së Jashtme britanike, t’u jap fund veprimtarive provokuese, t’i jap fund përhapjes së marrëzive”, tha ajo.

Rusia ka paraqitur disa kërkesa ndaj Shteteve të Bashkuara, përfshirë ndalimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe një zotim se Ukraina nuk do t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore, gjë që Uashingtoni e ka cilësuar të papranueshme.

*Disa pjesë për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press,

Anketa, vetëm 43% e amerikanëve vlerësojnë pozitivisht punën e presidentit Biden

VOA

Sipas një ankete të fundit, miratimi i punës së Presidentit Biden ra në nivelin më të ulët të presidencës së tij këtë javë, ndërsa amerikanët duken gjithnjë e më të lodhur nga pandemia e COVID-it dhe ndikimi i saj mbi ekonominë.

Anketa u krye nga agjencia Reuters dhe kompania kërkimore Ipsos më 19 dhe 20 janar.

Sipas anketës, vetëm 43 për qind e amerikanëve shprehen pozitivisht për punën e presidentit, ndërsa 52 për qind negativisht dhe pjesa tjetër të pavendosur. Javën e kaluar, 45 për qind kishin mendim pozitiv dhe 50 negativ.

Ndërsa në muajt e parë në detyrë, shifrat positive ishin mbi 50 për qind, popullariteti i presidentit filloi të bjerë në mes të gushtit, ndërsa vdekjet nga COVID-i u shtuan në mbarë vendin dhe pas dështimit të tërheqjes nga Afganistani.

Rënia e vazhdueshme e popullaritet ka shkaktuar alarm mes demokratëve, të shqetësuar se në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres, mund të humabsin shumicën në të dyja dhomat.

Nëse republikanët marrin shumicën e kongresit më 8 nëntor, agjenda legjislative e Presidentit Biden mund të dështonte.

Kryebashkiaku i New Yorkut do të marrë pagën e parë në kriptovalutë

New York

Kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams deklaroi se do të pranojë pagën e parë në kriptovalutë Bitcoin dhe Ethereum dhe jo në dollarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ai kështu edhe njëherë bëri të ditur mbështetjen dhe dëshirën e tij që New Yorku të bëhet qendër e kriptomonedhave.

“New Yorku është qendra e botës dhe duam që ky qytet të jetë qendra e kriptovalutave dhe risive të tjera financiare”, ka thënë Adams.

Pasi u zgjodh në krye të New Yorkut, Adams propozoi që kriptovaluta dhe teknologjia blockchain të mësohen në shkolla.

Në SHBA zhvillohet një betejë e ashpër midis New Yorkut dhe Majamit për marrjen e qendrës së kriptos.

Michael Carpenter: Është e drejtë sovrane e Kosovës të lejojë apo jo zgjedhjet e shteteve tjera në territorin e saj

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, tha se Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë që qytetarët e të dyja vendeve të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa nënvizoi se është e drejtë sovrane e Kosovës të përcaktojë kushtet në të cilat shtete tjera sovrane mund të organizojnë zgjedhje në territorin e saj.

Ambasadori Carpenter i bëri këto komente duke folur rreth referendumit për ndryshimet kushtetuese që u zhvillua në Serbi më 16 janar, por i cili nuk u lejua të mbahej në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin referendumin në Serbi në të cilin u miratuan ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën në sistemin e drejtësisë.

Para referendumit, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, tha ai.

“Le të jemi të qartë për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran që të përcaktojë kushtet me të cilat do të zhvilloheshin zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj. Ne kishim shpresuar se qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të grumbulluar fletëvotimet e votuesve që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi të mos e bëjë këtë”, tha ambasadori Carpenter.

Ambasadori amerikan tha se do të diskutohet me qeverinë e Kosovës dhe qeverinë e Serbisë për t’u siguruar që “qytetarët, të cilët banojnë në Kosovë dhe Serbi, të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”.

Ai tha se është për keqardhje që Kosova nuk është anëtare e OSBE-së “dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë”, tha ai, duke nënvizuar thirrjet që qeveritë e të dyja vendeve “të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit qëndrueshmërinë rajonale”, tha ambasadori amerikan.

Autoritetet në Kosovë nuk lejuan mbajtjen e referendumit të Serbisë me gjithë thirrjet e diplomatëve perëndimorë, duke theksuar se ai bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Autoritetet thanë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet e Serbisë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi.

Në fillim të muajit prill Serbia pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre brenda territorit të Kosovës.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane.

SHBA do të diskutojë për zgjedhjet me Kosovën dhe Serbinë

Një qytetar serb duke votuar në zgjedhjet e Serbisë të oraganizuara në Kosovë.

RFE/RL

Ambasadori i misionit të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, paralajmëroi biseda me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë për të siguruar se qytetarët e këtyre dy shteteve të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Këto komente ambasadori Carpenter i bëri në një deklaratë rreth referendumit për ndryshimet kushtetuese që u zhvillua në Serbi më 16 janar.

“Presim që të diskutojmë me partnerët tanë – si me Qeverinë e Kosovës, ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë – se çfarë aranzhime dhe rregullime mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët, të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”, tha Carpenter.

Duke iu referuar vendimit të institucioneve të Kosovës që të mos lejojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovës, Carpenter tha se Kosova ka vepruar si shtet sovran edhe pse, siç u shpreh ai, SHBA-ja ka shpresuar se Qeveria në Prishtinë do të vepronte si në të kaluarën.

“Ne kishim shpresuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimin e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi të mos e bënte këtë”, tha Carpenter.

Më 16 janar, autoritetet e Kosovës nuk lejuan mbajtjen e referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin.

Kjo nxiti reagime të shumta të zyrtarëve të Beogradit dhe të Listës Serbe, parti kjo e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës. Shtetet e QUINT-it kërkuan nga institucionet e Kosovës që ta lejonin një gjë të tillë porse Qeveria tha se një gjë e tillë binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, përmes së cilës shprehu kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votimet për referendumin e shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Më 3 prill në Serbi pritet të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre brenda territorit të Kosovës.

Zgjedhjet e Serbisë janë zhvilluar në territorin e Kosovës në të kaluarën.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor, 2020.

SHBA: përgjigje të shpejtë dhe të ashpër nëse Rusia dërgon forca në Ukrainë

Marrë nga Associated Press

BERLIN – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të enjten se do të ketë një përgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, nëse Rusia dërgon forca ushtarake në Ukrainë.

Komentet e zotit Blinken në Berlin duket se përfaqësojnë një tjetër përpjekje për të qartësuar ndonjë konfuzion të mundshëm për pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate të NATO-s, pasi Presidenti Joe Biden u kritikua gjerësisht për frazën se “një ndërhyrje e vogël” nga Rusia do të merrte një përgjigje më të ulët.

“Nëse forcat ushtarake ruse kalojnë kufirin ukrainas dhe kryejnë akte të reja agresioni ndaj Ukrainës, ato do të marrin një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë”, tha Sekretari Blinken gjatë një konference për shtyp me homologen e tij gjermane.

Në vazhdim, Sekretari Blinken e akuzoi Rusinë se po rrezikon themelet e rendit botëror me grumbullimin e rreth 100 mijë forcave ushtarake pranë kufirit me Ukrainën. Ai tha se Rusia duhet të përballet me një përgjigje të koordinuar dhe të ashpër globale në rast se pushton Ukrainën.

Paralajmërimi i ashpër u bë nga Berlini, qyteti dikur i ndarë që ishte bërë simbol i Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit. Sekretari Blinken përgatitet të takohet të premten në Gjenevë me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, në kuadrin e përpjekjeve për të ulur tensionet që nuk duket se do të jenë të suksesshme.

“Çështjet me të cilat po përballemi janë të vështira, dhe zgjidhja e tyre nuk do të bëhet me shpejtësi”, tha Sekretari Blinken. “Sigurisht që nuk pres t’i zgjidhim nesër në Gjenevë”.

Sekretari Blinken tha se veprimet e Rusisë kundër Ukrainës janë një përpjekje për të përmbysur normat ndërkombëtare dhe janë vetëm shkelja më e fundit ndër disa të tilla që Moska ka ndërmarrë në kundërshtim me traktate, marrëveshje dhe angazhime të tjera të panumërta ndërkombëtare, në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të tjera.

“Nëse i lejojmë Rusisë t’i shkelë këto parime pa u ndëshkuar, kjo do të na tërhiqte të gjithëve pas në kohëra shumë më të rrezikshme dhe të pasigurta, kur ky kontinent, dhe ky qytet, ishin të ndarë më dysh, të ndarë me tokë asnjëanëse në mes ku patrullonin ushtarë, me kërcënimin e një lufte frontale që luhatej mbi jetën e të gjithëve”, i tha Sekretari Blinken audiencës në Akademinë e Shkencave Berlin-Brandenburg. “Do t’i dërgonte gjithashtu mesazhin të tjerëve në mbarë botën se këto parime nuk janë të paprekshme”.

“Ne nuk do t’i trajtojmë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial si të negociueshme”, tha ai, duke shtuar se situata është “më e madhe se thjesht një konflikt midis dy vendeve, dhe më e madhe se një përplasje midis Rusisë dhe NATO-s. Është një krizë me pasoja globale. Dhe kërkon vëmendje dhe veprim global”.

Fjalimi u mbajt pasi Sekretari Blinken dhe kryediplomatët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë u takuan në Berlin për të projektuar një front të përbashkët përballë Rusisë, të shqetësuar se ajo mund të jetë duke planifikuar pushtimin e Ukrainës. Një ditë më parë, ai u takua në Kiev me presidentin ukrainas për të diskutuar rreth këtij rreziku.

Ministri britanik James Cleverly, ministri francez Jean-Yves Le Drian, ministrja gjermane Annalena Baerbock dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken (20 janar 2022)

Ministri britanik James Cleverly, ministri francez Jean-Yves Le Drian, ministrja gjermane Annalena Baerbock dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken (20 janar 2022)

Presidenti Biden tha të mërkurën se ai mendon se Moska do ta pushtojë Ukrainën dhe paralajmëroi Presidentin rus Vladimir Putin se nëse vepron kështu, vendi i tij do të paguajë “një çmim të lartë” në jetët e humbura, si dhe një përjashtim të mundshëm nga sistemi bankar global.

Por, Presidenti Biden shkaktoi gjithashtu ankth për vendet aleate kur tha se përgjigja ndaj një pushtimi rus “do të varet nga veprimet”. Ai foli për situatën “nëse do të kishte një ndërhyrje të vogël dhe atëherë do të përfundonim duke debatuar se çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë jo, etj.”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është ndër personat që shprehën shqetësimin. “Duam t’u kujtojmë fuqive të mëdha se nuk ka ndërhyrje të vogla dhe vende të vogla. Ashtu siç nuk ka viktima të pakëta dhe pak zi për humbjen e njerëzve të dashur”, shkruajti ai në Twitter.

Sekretari Blinken u përpoq të theksojë të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë të bashkuara përballë veprimeve të Moskës, duke vënë në dukje se diplomatët amerikanë kanë mbajtur mbi 100 takime me aleatët gjatë javëve të fundit “për t’u siguruar që po flasim dhe veprojmë së bashku me një zë kur bëhet fjalë për Rusinë”.

“Ky unitet na jep fuqi, një fuqi që mund të them se Rusia nuk e ka dhe nuk mundet ta arrijë”, tha ai. “Prandaj ne ndërtojmë aleanca dhe partneritete vullnetare. Kjo është edhe arsyeja pse Rusia përpiqet me papërgjegjshmëri të na përçajë”.

Rusia ka mohuar se po planifikon një pushtim dhe madje akuzoi të enjten Perëndimin se po planifikon provokacione në Ukrainë, duke përmendur dërgesat e armatimeve në këtë vend nëpërmjet avionëve të transportit ushtarak britanik gjatë ditëve të fundit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova aludoi se kur Ukraina dhe Perëndimi flasin për një sulm të afërt rus synojnë të fshehin “organizimin e provokimeve të tyre në shkallë të gjerë, përfshirë ato të natyrës ushtarake”.

Rusia kërkon disa garanci sigurie, ndër to edhe ndalimin e përhershëm të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, anëtarësi të cilën Kievi e aspiron, si dhe heqjen e pjesës më të madhe të pranisë ushtarake amerikane dhe të vendeve aleate nga Evropa Lindore.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere evropiane thonë se janë të gatshme të shqyrtojnë ndërmarrjen e gjesteve më pak dramatike, por se kërkesat ruse nuk mund të shtrohen për diskutim dhe se zoti Putin e di se ato janë të parealizueshme. Vetë kjo shërben si provë për motivimin e fshehur nga zoti Putin, tha Sekretari Blinken.

“Deri më tani, gjestet tona të bëra në mirëbesim janë refuzuar, pasi realisht kjo krizë nuk ka të bëjë në radhë të parë me armatime apo baza ushtarake”, tha ai. “Ka të bëjë me sovranitetin dhe vetëvendosjen e Ukrainës dhe vendeve të tjera në periudhën pas-sovjetike. Në thelb ka të bëjë me refuzimin e Rusisë të një Evrope të pas Luftës së Ftohtë, e cila është e plotë dhe e lirë”.

Mes shqetësimeve se zoti Putin nuk do të ndikohet nga kërcënimet për sanksione dhe se një pushtim nuk do të pritet me përgjigjen e fortë ndërkombëtare që Shtetet e Bashkuara besojnë se meriton, Sekretari Blinken i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë popullit rus që të kundërshtojë çdo ndërhyrje të mundshme.

“Ju e meritoni një jetë me siguri dhe dinjitet, si të gjithë popujt kudo, dhe askush – as Ukraina, as Shtetet e Bashkuara, as vendet e NATO-s – nuk po përpiqen ta vënë këtë gjë në rrezik. Por ajo çfarë kërcënon vërtet sigurinë tuaj, është një luftë e pakuptimtë me fqinjët tuaj në Ukrainë, me të gjitha kostot që e shoqërojnë – mbi të gjitha, për të rinjtë që do të rrezikojnë apo do të japin jetën e tyre për këtë”, tha Sekretari Blinken.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate të NATO-s përballen me një detyrë të vështirë me krizën në Ukrainë. Presidenti Biden tha se nuk synon të dërgojë njësi luftarake në rast të një pushtimi të mëtejshëm nga Rusia. Por, ai mund të vendosë për një sërë opsionesh ushtarake më pak dramatike, e megjithatë të rrezikshme, si mbështetjen e një rezistence pas pushtimit të Ukrainës.

Logjika për të mos u bërë pjesë drejtpërdrejt në një luftë Rusi-Ukrainë është e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë detyrim që buron nga ndonjë traktat me Ukrainën, dhe një luftë me Rusinë do të ishte një risk i jashtëzakonshëm. Por, edhe nëse bëhet më pak se ç’duhet, mbart gjithashtu rreziqe.

CIA, “Sindroma e Havanës” nuk është fushatë nga shtete të huaja

VOA

CIA thotë se diplomatët amerikanë, që u prekën nga dhimbje të forta, të pashpjegueshme koke, nga ajo që është quajtur “sindroma e Havanës”, nuk ishin vënë në shënjestër nga ndonjë shtet i huaj, sipas njoftimeve të shtypit amerikan.

Njoftimi i referohet një numri zyrtarësh me njohuri mbi një raport të fundit të CIA-s mbi këto simptoma, që u shfaqën për herë të parë në vitin 2016 në Kubë, ku diplomatë amerikanë dhe kanadezë, u ankuan për dhimbje të fuqishme koke dhe ndoshta edhe dëmtim në tru, pas dëgjimit të tingujve me ton të lartë.

Më pas, edhe diplomatë të tjerë dhe zyrtarë të shërbimeve të zbulimit, në vende të tjera, si Australi, Austri, Kinë, Kolumbi, Gjermani dhe Rusi, janë ankuar për të njetat simptoma.

Raporti i CIA-s nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes së një shteti të huaj në rreth 20 raste, që kanë mbetur ende pa shpjegim dhe janë duke u hetuar.

Por në qindra raste të tjera, që mund të kenë patur simptoma të njejta, CIA thotë se ka gjetur arsye të tjera për shkakun e simptomave.

Disa zyrtarë në të kaluarën kanë spekulluar se shkaku i incidenteve mund të kishte qënë një sulm me mikrovalë nga Rusia, por shkencëtarët kanë shprehur dyshime rreth kësaj teorie.

CIA thekson se raporti përmban gjetje paraprake dhe nuk është përfundimtar.

Disa prej diplomatëve të prekur kanë shprehur pakënaqësi me raportin dhe thonë se vlerësimi i CIA-s nuk mund të jetë fjala përfundimtare në këtë çështje.

Drejtori i CIA-s, William Burns, citohet të ketë thënë se “ndërsa raporti ka arritur në disa përfundime domethënëse, ne nuk kemi përfunduar së hetuari”.


Send this to a friend