“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është…”
Këto fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Morrov, të cilat qëndrojnë si moto e “Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e një populli të gjykuar për t’u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.
Sigurisht se metafora e Morrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të mos u përsëritet.
Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë na politika hegjemoniste e Beogradit, përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta) i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të, kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi, lidhet liria, lidhet edhe demokracia, e mbi të gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit.
Dhe, kujtesa historike e shtetit të Kosovës, që si pjesë e Shqipërisë së natyrshme lidhet me mbretërinë dardane si dhe strukturat e saj të shkapërderdhura nën kurorën e Bizantit (principatat dhe zhupanitë e shumta),të cilat i rrënoi pushtimi pesëshekullor osman, krahas kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), ka edhe përpjekjet e vazhdueshme për çlirim dhe liri, që si proces i pandalshëm, në binarët historik u vu me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale.
Kjo lëvizje kombëtare ndër më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të suksesshmet e historisë sonë, ka kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të infrastrukturës demokratike të domosdoshme për një shtet të pavarur: Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator 1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët e Kosovës në rrethanat e një kërcënimi policor dhe ushtarak nga soldateska e Beogradit, votuan për pavarësi, me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, i cili mori përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura të shkaktuara nga përçarjet e brendshme po edhe limitet nga jashtë për “politikën pa luftë dhe luftën pa politikë”, në çastet e domosdoshme, u kthye në mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare.
Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Por, kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më lart, jo vetëm që kanë filluar të anashkalohen, por edhe “të harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e historisë së njëmendtë nga brenda të lidhur me jashtë, qëllimi i të cilëve është të “dëshmohet” se shteti i Kosovës është një projekt i dështuar politik që nuk e duan as shqiptarët! Kjo u pa më së miri me rastin e 26 shtatorit, ditës së Referendumit për Pavarësi, të aktit historik dhe legjitim të vetëvendosje, kur jo vetëm nuk u shënua kund, por thuajse u injorua fare nga mediet publike dhe të tjerat të mbikëqyrura nga politika mafioze.
Kjo datë e rëndësishme historike madje “u harrua” edhe nga “historianët” si dhe institutet ku ata mrizojnë (ai i Historisë dhe Albanologjisë), ndonëse kanë për detyrë t’i shënojnë këto data me tribuna, botime shkencore dhe libra, në mënyrë që historia e shtetndëritmit të Kosovës të shpjegohet në përputhje me zhvillimet politike e shoqërore si dhe proceset historike shumëshekullore nëpër të cilat ka kaluar, dhe jo sipas përrallave dhe thashethemet e politikanëve zullumqarë që kanë uzurpuar shtetin e Kosovës duke e kthyer në plaçkë të veten dhe mendojnë se ai mund të mbahet dhe të mbijetojë me kiç patriotik, çallme odash, mentalitet feudal, patetikë folklorike si dhe me kultin e përmendoreve të paqëndrueshme shumë prej tyre të shpifura dhe jashtë konsensusit kombëtar, të nxjerra nga depot sot-realiste të Tiranës.
Me këtë qëndrim antihistorik dhe antikombëtar, me logjikën e “Fermës së kafshëve” të Orvellit dhe dokrrat e “qytetarisë amorfe” të diktatit ahtisarian, me të cilën Beogradit në përputhje me Memorandumin e Çubrilloviqit iu dhanë tapitë e drejtës historike mbi trashëgiminë mesjetare, me çka Kosova, pa krishterimin mesjetar që ishte i shqiptarëve nga shfaqja e tij në Ilirik dhe Dardani nga sekulli IV, kthehet në një shtëpi pa themel, me pamjen e një feudi kaçakësh pa kujtesë historike, pa trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes otomane dhe hiç tjetër, ku madje zhvlerësohen edhe konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen me ato të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qëndronte shqiptarizmi si program politik, që nuk është përmbyllur ende, paçka që ajo që po ngjet tani te me sjelljen tonë përkon me akuzat që Beogradi ka ngritur kundër nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit 1986!
Dhe, kur Mudrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, te ne, çuditërisht po ndodh vetë-harresa historike,pa ndodhë vetë-shkatërrimi i historisë, po ndodhë vetë-shkatërrimi i identitetit kulturor dhe shpirtëror (duke u zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizimin brutal të modelit të umës).
Pra, po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës dhe karakterit të tij sekular dhe arsimit laik në përputhje me planet e armiqve të tij shekullor, e me këtë edhe vetë-shkatërrimi ynë!
Dhe, nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!…
Komentet