VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

KONSULLATA E PËRGJITHSHME E KOSOVËS NDEROI GAZETARË DHE SHOQATA

By | December 15, 2018

Komentet

SIVJET, NJË FJALË E GRUAS MË SOLLI NË SHQIPËRI… – Nga Zeqir Lushaj

Çifti Neçaj në familjen Lushaj në Shengjin

 

Pal Neçaj është i mirënjohur edhe për revisten tonë ZemaShqiptare me disa botime të tija më porzi dhe prozë.  Është në një moshë të konsiderueshme, 83 vjeçarë, megjithëse mbahet mirë e duket shumë më i ri.

Palin e kam dashamirë të vjetër të familjes e sidomos të babait tim…

Familja e nderuar Neçaj kanë rreth tre dekada në Amerikë dhe jetojnë në zemren e NY, në Manhatan ku është njësoj si dita si nata…, pra dritë! Kam shkruar disa here për Palin dhe familjen e tij si nga Amerika ashtu edhe nga Shengjini në Shqipëri.

Po sot pse po ua sjell Neçajt lexuesve të mi të ndeuar? Sepse nga një herë një fjalë e qëlluar është sa një reportazh, pse jo, një fjalë mund të jete deri edhe subjekt i një romani.

…Këto ditë zotri Pali me bashkshorten e nderuar Prenden zbriten në oborrin e shtëpisë sime në Shengjin. Dhe unë pa ju dhanë doren akoma ju thash:

-Mire se ju ka pru aeroplani në Shqipëri e nipi Doda me makinë në Shengjin!

U përqafuam dhe filluam bisedat tona mund të them “të pafund”.

Pa hyrë akoma brenda, në këmbë në oborr Pali na thotë mua e Sabries:

-Me ju kallxue të drejten, sivjet një fjalë e grues më ka pru në Shqipëri… Dhe vazhdon: -I thash Prendës një ditë se kjo verë është shumë vapë, po edhe ne’ të dy jemi pak si të lodhur e po mendoj të mos shkojmë sivjet në Shqipëri…, po e lëmë për vitin tjetër!

…!

-Prenda u mendua pak dhe ashtu urtë-urtë ma ktheu:

-Po ti si të duash more Pali, po…, a po mendon se vitin tjetër kemi me qenë ma të fortë aa?!

-Telefonova axhensinë e rezervova biletat, -thotë i buzëqeshur Pali.

-Hee të lumtë ajo gojë moj fisnike i thash unë Prendës duke e përqafuar dhe u ulem te shesh-pushimi në hije të Blinit, sa për nisje të kësaj nate të paharruar.

…Besoj se shumë e shumë lexues, sidomos në emigracion, e ndjejnë peshen e kësaj fjale, e gjejnë veten në këtë dialog të thjeshtë.

Shkolla Shqipe “Alba Life” “Ambasador i Kombit” ne Staten Island filloi vitin shkollor akademik 2019-2020 – Nga Keze Kozeta Zylo

Në Staten Island Shkolla Shqipe “Alba Life” që ka shkolla shqipe pothuajse në të gjitha lagjet e Nju Jorkut, filloi mësimin e gjuhës shqipe për vitin shkollor akademik 2019-të – 2020-të.

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Staten Island hyri në vitin e 12–të dhe ka një përvojë të jashtëzakonshme në këtë program të mësimit të gjuhes shqipe pas programit amerikan.  Në këtë ishull të mrekullueshëm me një larmi komunitetesh nga gjithë rruzulli është shumë i rëndësishëm dhe komuniteti shqiptaro amerikan të cilët kanë dekada që kanë emigruar dhe janë integruar plot dinjitet në botën amerikane.

Ndonëse shumica e nxënësve në Shkollën Shqipe “Alba Life” janë lindur dhe rritur ne Amerike, prindërit e tyre kanë shumë interes që fëmijët, nipërit dhe mbesat mos ta harrojnë kurrë gjuhë shqipe.  Ata i sjellin me një dashuri të pakufishme pranë shkollës, sidomos nxënësit e mëparshëm vinë me shumë dëshirë dhe nuk mund të presin derisa ju vjen e shtuna e gjuhës shqipe.

Ja më tha një prind, Albana Granica e cila vjen që nga Nju Xhersi, mamaja e  Onidës, ajo s’mund të duronte derisa mbërritëm në shkollë.  Ndërkohë nxori nga xhepi i çantës celularin dhe më tregoi vidion rreth vajzës së saj simpatike Onidës se si ajo po qante me ngashërim që pse po vonoheshin për të shkuar në shkollë.  E pashë vidion dhe vërtetë u preka jashtë mase, pasi këta nxënës na japin durim dhe vullnet për ta vazhduar këtë mision pafundësisht.

Ndërsa gjyshja e re e Ariel Hoxhës, Pranvera, në fillim të shtatorit na mori në telefon pasi mbesa e saj pesë vjeçe i kërkonte që të vinin në shkollën shqipe të shtunën, por faktikisht akoma nuk ishte hapur pasi leja për mjediset e shkollës publike ishte në proces.  Familja ime jetoi gjithë ditën me telefonatën e Arielës sepse na dha shumë ngazëllim dhe dashuri për interesimin e saj për të mësuar gjuhën e gjyshëve të saj të mrekullueshëm.

Një gjyshe tjetër më tha se nuk mund ta shpreh dot mirënjohjen ndaj stafit të shkollës Shqipe “Alba Life” se jo vetem që ju mëson me dashuri dhe pasion gjuhën shqipe, por na shpëtuan fëmijët nga I-Pad të cilët ngelen me orë të tëra pa lëvizur duke luajtur lojëra koti…

I dëgjoja me vëmendjen më të madhe dhe në kokë më endeshin vargjet si:

 

Gjeje kohën sikur dhe një orë,

Dhe një  fjalë të vetme mësoi çdo ditë,

Brenda një muaji 30 fjalë do i përdor,

Nga gjuha më e vjetër që sjelle veç dritë…

 

I solla këto fakte pasi janë fakte reale dhe flasin qartë se sa ndihmuese dhe shërbyese është shkolla shqipe si i vetmi institucion ku mund të mësosh dhe të dëgjosh shqip.

Nxënësit dhe mësuesit takoheshin dhe përqafoheshin me mall me njeri tjetrin, pasi kishin gjithë stinën e Verës pa u takuar.  Nxënësit e rinj i afronin më të vjetrit dhe kështu krijohej një lidhje e florinjtë, një urë bashkuese midis brezave.

Ceremoninë e fillimit të Shkolles Shqipe “Alba Life” e ka hapur themeluesi dhe drejtuesi i shkollës shqipe z.Qemal Zylo i cili i përshëndeti të gjithë prindërit, nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në emër të Bordit të shkollës.  Z.Zylo iu ka uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe iu uroi një vit të mbarë.  Ai tha me krenari se midis mësueseve në krahun e tij kishte ftuar dhe stafin e Shkolllës Shqipe në Bronx, që do të hapet nga Shkolla Shqipe “Alba Life”, më 21 shtator, 2019.  Lajmërimi për hapjen e kësaj shkolle u ndërpre nga duartrokitjet çka tregon se sa të etur janë shqiptarët për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.  Z.Zylo prezantoi koordinatoret e shkollës në Bronx dhe i falënderoi përzemërsisht si Arta Xhaferri, z.Blerim Gjocaj ish luftetar i UÇK-së, pedagogen Majlinda Tafaj si dhe mësuesen Mirvete Krasniqi Veselaj.

Dr.Valbona Zylo Watkins si drejtore e programit të Shkollës Shqipe “Alba Life” dha udhëzimet e nevojshme profesionalisht për prindërit dhe nxënesit ngase prindër, nxënës duhet të koordinojnë punët së bashku për mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe.

Pas ceremonisë mësueset morën nxenesit per në klasat e tyre dhe vazhduan mësimin normalisht.

Dita e parë e shkollës Shqipe “Alba Life” ishte një ditë e dielltë si vetë natyra që derdhi tërë shkëlqimin e saj në këtë ditë të shtunë të gjuhës shqipe në ishullin e bukur të rrethuar nga uji blu i Oqeanit, në një lagje të Nju Jorkut në Staten Island.

Punë të mbarë nxënës dhe mësuese të dashura, kolege të nderuara që ju mësoni nxënësve të Diasporës shqiptaro amerikane gjuhën tonë të shenjtë, Gjuhën Shqipe.

14 shtator, 2019

Staten Island, New York

KRAVATA ME KULLAT BINJAKE – Nga ASLLAN BUSHATI


Sot është 11 shtator 2019. Kjo datë më sjell në kujtesë momentet, minutat e ditën më të hidhur në jetën e qytetit të NY – 11 Shtatorit 2001. Ditë në të cilën, barbarët sulmuan kryeqytetin e botës, lirinë e tij, qytetarët e pa armatosur, (përfshi edhe familjen time e mu si gjithë njujorkezët). Ata rrëzuar përtokë kullat binjake që përbënin rrokaqiejt e krenarinë e qytetit. Kjo ishte shumë e dhimbëshme, madje e pa krahasueshme me asgjë tjetër në historinë e këtij qyteti. Gati tri mijë jetë njerzish të pafajshëme u ndërprenë në mes nga terroristët, në një kohë kur Lufta e Ftohtë kishte njëmbëdhjetë vite që kish mbaruar.
Unë punoja në: 125 Barclay street (Unioni 32BJ), në katin e dytë nga ora 5 pas dite deri në 12:30 të natës. Ky pallat shtatkatësh ishte vetëm 100 metra larg (në vijë ajrore) në veri të Kullës numër një. Sikur sulmi të kishte ndodhur në kohën e punës time, unë sot ndoshat nuk do të isha gjallë e nuk do të mundesha ti shkruaja këto rreshta. Por fati e deshi që në momentin e goditjes së Kullës parë, të isha tek sekretaria e Shkolla “Kolombi” ku studionte vajza ime Arela. U ndodha atje për të dorëzuar një kopje të librezës vaksinave të vajzës, kur në TV pashë zjarrin në faqen anësore të Kullës. U ktheva menjëherë me makinë në shtëpi dhe e parkova makinën në katin e gjashtë të pallatit parking afër shtëpisë. Instiktivisht sapo dola nga makina hypa në taracën e parkingut për të parë me sy të lirë Kullën e “plagosur”. Por c’të shihja, një avion tjetër goditi edhe Kullën tjetër. Zbrita shpejte nga taraca me ndjenjën e tmerrit në zemër e në shpirt për të shkuar në shtëpi e për të parë në TV se cfarë po ndodhte në qytetit tonë aq të dashur për ne. Në mendje kisha vetëm sulm terrorist, madje këtë hamendësim pak më parë, ja thashë edhe sekretares së shkollës së vajzës e cila ishte bashkëshortrja e një nënkoloneli amerikan në lirim.
Shkova para televizorit dhe isha tërësisht i shokuar kur pashë rrëzimin përdhe të të dy gjigandëve të qytetit shoqëruar me një re madhore tymi e pluhuri sikur të ishte një minishpërthim bërthamor. Lotët më shkonin curk e pandalesë me ato që po më shihnin sytë, momente të cilat skam për ti harruar kurrë në jetën time.
Që nga kjo kohë , nuk shkova më për të punuar në 125 Barclay street për arsye se jugu i qytetit ishte i mbyllur nga gjëma që kishte ndodhur. Por më 18 janar 2002 na njoftuan të shkonim në punë ku në hyrje të pallatit (building) na priti Kryebashkiaku i NY Rudi Xhuliani. Na takoi të gjithëve, na falenderoi për punën që po bënim për reabilitimin e shpejtë të qytetit dhe na porositi të punonim me masa të rrepata mbrojtëse si syza e maska mbrojtëse .
Kur hyra në katin e dytë , para syve mu cfaq një mjedis i tjetërsuar sikur të isha në një planet tjetër. Nuk kishte mbetur asgjë xham e kornizë dritaresh, asnjë foto, banderolë e afishe muri dhe pluhuri ishte gati tre- katër gisht i trashë në të gjithë ambientin. Pluhuri kishte ngjyrë të hirtë me xixëllime si një minierë xeherorësh. Vinte një erë e keqe e cila pa maska në hundë nuk durohej. Na u desh një kohë jo e vogël, që pallati (32BJ) ta rimerrte veten e të kthehej në gjendjen e mëparëshme.
Parë nga këndshikimi i sigurisë, ky sulm mbi kullate NY e mbi Pentagon, tronditi jo vetëm qytetarin e thjeshtë në NY e SHBA, por solli traum edhe në të gjithë botën. Madje ai shembi edhe bazat e mendimit të më parshëm ushtarak për luftën kundër terrorizmit, duke e parë tashmë atë si një metodë e re lufte në kushte të vecanta . Sulmi solli me vehte riorganizim të forcave e të mjeteve në SHBA, NATO e shumë vende të botës. Solli harxhim të ri fondesh e mjetesh materiale e monetare dhe një ndryshim mentaliteti ku bota dukshëm është më pak e sigurtë edhe nga mjetet e përdorimit të përditshëm. Kjo ndodhi sepse një mjet i thjeshtë i transportit publik sic është aeroplani i transtportit të udhëtarëve u kthye në një armë vrasëse masive . Ky mentalitet u përpunu e u përhap nga mendje njerzore primitive, të cmendura, antihumane si Osaman Bin Laden, alkaida etj. Por më e keqja është se ai u këthye në një teori e praktikë, një eksperiencë shumë negative , të frikëshme dhe shumë të rrezikëshme për të sotmen dhe të ardhmen e krejt njerzimit.
Në kohen që dy gradacelet gjigande gërvshtnin qiellin e NY, pata blerë një kravatë në të cilën ishin pikturuar ata në ngjyrat e flamurit amerikan. Këtë kravatë tashmë e përdoroj vetëm një herë në vit më 11 shtator. Në pjesën e prapme kam ngjitur një shënim”REMEMBER” që në shqip do të thotë “kujtoj”. Sa herë që familjarët, miqt dhe kalimtarët e rastit shprehin ndjesi për të , unë e kthej nga prapa duke ju cfaqur”REMEMBER”. Këtë zakon të përvitshëm do ta bëj sa te jemë gjallë në kujtim të atyre që humbën jetën dhe në kujtim të qytetit tim të dashur NY.

PUNËT E MËDHA TË VATRËS MË 1919 Nga Refat Gurrazezi*

Javën e fundit të Jenarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç’munt të bënte Vatra n’atë krizë të re per Shqipërinë.
Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç’ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se “duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane.” Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t’i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.
Me 27 Jenar 1919, u-raportua vdekja e Ismail Qemal Be Vlorës në Perugia t’Italisë. Zyrtarët e Vatrës, mbledhur të gjithë në zyrën e saj, u-ngritnë më këmbë dhe qëndruan dy minuta në heshtje si shenjë hidhërimi dhe zie për kujtim të tij. Vatra ngushëlloj me kabllogram Hetem Qemal Vlorën n’Itali për vdekjën e atit tij, i cili ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë me 1912, shpalli independencën e Shqipërisë dhe u-qojt Babaj i Kombit.
Dielli, në një artikull të shkurtër, tha ca fjalë të mira për Ismail Qemalin pas vdekjes së tij, të cilin e pat kundërshtuar dhe kritikuar ashpërisht për një kohë të gjatë. Me atë rast, Mihal Gramenua shkrojti në gazetën e tij “Koha” dhe e duguliti Diellin duke i hedhur këtë gur: “Vdis pa të të dua!” Ay koment i shkurtër po në vënt e zemëroj editorin e Diellit Bahri Omarin, i cili në përgjigjjen e tij përdori ca fjalë të dobëta kundrë Ngritesit të Flamurit dhe editorit të “Kohës.”
Me 4 Shkurt u-mbloth këshilla Kombëtare në zyrë të Vatrës, e thirrur me telegram se koha nuk priste. Mbledhja e Këshillës vazhdoj dy ditë, dhe mbajti pese sesione. Këshilla Kombëtare kish fuqin’e kuvendit, dhe caktonte politikën e Vatrës.
Pasi u shtruan për bisedim sulmi i ushtërisë greke në Shqipërin’ e Jugës dhe dyshimi i Komisionit të Qendrës mi politikën e qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë, Këshilla vëndosi qe Vatra të vazhdonte politikën që caktoj kuvendi, gjer sa të kthjellohej mirë ajo çështje dhe të mos mbetej shkak për dyshim.
N’atë mbledhje u-leçitnë disa raporte diplomatike të delegateve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Dr. Mihal Turtulli, delegat i Vatrës në Svicrë, thosh në raportin e tij shkakun se përse ay nuk bashkohej me dekllaratën e Genevës të nënëshkruar nga 13 Shqipëtarë më 12 Tetor (1918) – natyrisht njerës me shumë a pakë zotësi si politikanë. Tekstin e dekllaratës as raportin e Dr. Turtullit nuk i kemi parë dhe s’dimë se ç’thoshin, dhe s’është çudi të kenë humbur, si shumë dokumenta të tjera historike. Kemi këtu mi këtë çështje vetëm një shenim të shkurtër të bërë nga sekretari i ahershëm i Vatrës.
Në Svicrë ish dhe Midhat Frashëri delegat i Vatrës bashkë me Dr. Turtullin, dhe në mbledhjën e Këshillës u-leçit në letrë e nënëshkruar prej të dyve. Delegatët e Vatrës për ca kohë s’ishin të lirë të vijin në Paris, ku ish mbledhur Konferenca e Paqës dhe po bisedohej fati i tërë botës; vetëm kryedelegati Mehmed Konitza udhëtonte midis Londonit dhe Parisit, ay kish miq të fortë Inglizët.
Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u-leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqipëtare.
Me vendim të Këshillës Kombëtare në mbledhjen e saj, Vatra u dërgoj nga një kabllogram në Paris Presidentit Woodrow Wilson të Shteteve të Bashkuara; Georges Clemenceau, Kryeminister i Frances dhe Cairman i Konferencës së Paqës; Loyd George, Kryeminister i Bretanjës së Madhe; Baron Soninos, Ministër i Punëve të Jashtme t’Italisë, dhe Delegacies Japoneze. Vatra kërkoj prej tyre pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës që të kërkonte independencën e Shqipërisë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Delegacia shqipëtare përbëhej nga këta delegate: Turhan Pasha, Imzot Bumçi, Mehmed Konitza, Dr. Mihal Turtulli dhe Midhat Frashëri; tre të fundit ishin dhe delegatë të Vatrës.
Këshilla Kombëtare i dërgoj një kabllogram falënderimi nga an’e Vatrës Guvernës Italiane për njohjen e shpejtë të Qeverisë Provizore të Shqipërisë që u-formua në Durrës; dhe i lutej të përdorte influencën e saj për pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës të Parisit.
Me vendim të Këshillës, të gjitha degët e Federatës Vatra dërguan nga një kabllogram në Konferencën e Paqës me anën e të cilëve kërkuan qasjen e delegacies shqipëtare n’atë Konferencë dhe të drejtat e popullit shqipëtar.
Këshilla vendosi që Fan Noli të shkonte në Paris dhe të përpiqej bashkë me delegatët e tjerë shqipëtarë për të drejtat e popullit shqipëtar. Vajtja e tij në Paris si delegat i Vatrës ish më tepër me qellim për të bërë batall propagandën e kryeministrit grekVenizellos i cili bërtiste në mes të Konferencës se “Shqipëtarët orthodhoksë janë Grekë dhe duan bashkimin e tyre me Greqinë”!
Fan Noli gjeti pengime të mbëdha, nuk mirtë dot pashaportë nga konsulli frenk për të shkuar në Paris. Vatra ngarkoj Kostë Çekrezin në Washington që të përpiqej me anë miqsh dhe të nxirte një pashaportë në Ambasadën Frenge për Fan Nolin, po që e pamundur. U-vëndos pastaj që të shkonte me anë t’Italisë, duke përdorur pashaporten italiane nga New York-u në Romë, dhe s’andejmi të vinte në Paris. Po dhe ajo nuk u-bë dot se nga Roma në Paris i duhej pashaportë frenge.
Duke parë se delegatët e Vatrës, më përjashtimin e Mehmed Konitzës, u-ndaluan të vijin në Paris, u-thirr prapë Keshilla Kombëtare në një mbledhje me rëndësi me 5 Mars 1919. Në sesionin e parë të Këshillës u-kënduan raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë, dhe në sesionin e dytë u-bisedua prapë puna e pashaportës për vajtjen e Fan Nolit në Paris.
Vatra i dërgoj një kabllogram Mehmed Konitzës në Paris, i cili kish qëndruar në Grand Hotel, dhe e pyeti se po të mos nxirej dot pashaporta për Fan Nolin, a ish nevoja të dërgonte Kostë Çekrezin në këmbë të tij? Përgjigjjen e Mehmed Konitzës nuk e dimë se nuk e kemi, dhe Kostë Çekrezi nuk vajti në Paris, këtë e dimë, kuptohet se s’qe nevoja për vajtjen e tij atje.
Këshilla degjoj më kujdes sekretarin Ndreko Stavron i cili këndoj kopjen e një memorandumi të bërë prej Zojushes Elsie Aubry e cila ja dorzojë Konferencës së Paqës atë memorandë për çështjen e Shqipërisë, dhe u-prit më duartrokitje nga anëtarët e Këshillës.
Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë.
Tamam një muaj pas mbledhjes së Këshilles Kombëtare, me 5 Prill u-mbloth Komisioni i Qendrës që kqyri vepërimet e kryetarit të Vatërs dhe delegatëve të saj n’Amerikë te cilet u përpoqnë që Shqipëria t’ish nënë mandatorinë Amerikanë.
Kjo ish një punë e kottë, se Amerika s’munt të blinte belanë me para duke hyrë në punët e Ballkanit për syt’e bukura të Shqipërisë, një vënt i pashvilluar me një popull që s’kish parë qeverim të qytetëruar më parë dhe besonte në kanunin e Lekë Dukagjinit: grusht për grusht, – dhe ay që ish m’i zoti fitontë. U-fol më parë për mandatorinë italianë, po u-kuptua shpejt se po të vinte Italia dorën në Shqipëri ish shume zor që të shpetonte nga thonjt’ e saj.
Të gjitha ato manevra bëheshin nga e keqia, se u-duk sheshit që jeta e Shqipërisë si Shtet i lirë ish në rezik të math nga fqinjët e saj, gjë te cilën e kuptonte çdo njeri kur shikonte se të pakën delegatët shqipetarë nuk pranoheshin në Konferencën e Paqës të Parisit.
Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë ishin dy diplomatë të fortë dhe armiq të betuar të Shqipërisë. Perveç asaj, ata kishin mik të fortë dhe Tigrin e Francës, George Clemenceau-n që i ndihmonte kërkimet e tyre, i cili kish zënë kyçin e punëve si Çairman i Konferencës së Paqës, dhe kish influencë miaft të madhe në qarket diplomatike. Përandaj s’duhet të nxitohemi në qertimet t’ona kundrë atyre që deshnë ta vijin fatin e Shqipërisë në një dorë të fortë të huaj për t’a shpetuar nga çakajt e Ballkanit, – e keqia bën të keqën, thotë fjala popullore.
Mbledhja e Komisionit vazhdoj dy ditë. Passi mbaruan bisedimet politike mi punët e Shqipërisë, Komisioni filloj nga veperimet mirëbërëse: ndihmuarjen e disa jetimëve shqipëtarë si ne New Bedford, Mass., dhe në Trebickë, një fshat i Vakëfeve në qarkun e Korçës.
Po çdo ndihmë nukë jepesh me sy mbyllur, kqyreshin mirë se a e meritojin atë ndihmë jetimët pastaj hapej arka e Vatrës, domethënë, diheshin se ç’kishin qenë prindërit e jetimëve. Për shëmbëll, në mbledhjen u-leçit dhe letra e një Shqipëtari që kërkonte ndihmën e Vatrës për jetimët e një njeriu nga Stratobërda, dhe Komisioni nuk e pa t’arësyeshme atë ndihmë.
Në mbledhjen e Majit 1919, Komisioni i Qendrës shikoj raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë, dhe e gjeti të pelqyer kthyerjën e Dr. C. Telford Erickson-it n’Amerikë nga Parisi, si pas vendimit të kolegëve të tij Mehmed Konitzës dhe Dr. Mihal Turtullit. Dr. Erickson-i qëndroj disa muaj në Paris si delegat i Vatrës; ay s’gjeti pengime nga francezët për vajtjën e tij atje se ish nënështetas Amerikan, kurse delegatët shqipetarë i ndaluan për ca kohë, me përjashtim të Mehmed Konitzës.
Muajin tjatër, pati prapë mbledhje Komisioni dhe vëndosi dërguarjen e një sume të hollash prej 10,000 dollarë me kabllogram kryedelegatit Mehmed Konitzës ne Paris. Për çdo sumë të hollash që u-dërgonte delegatëve, Vatra mirte hesap të shkoqur prej tyre dhe e dinte që çdo dollar harxhohej për çeshtjen kombëtare.
Atë muaj, Qershor 1919, erdhi Dr. Erickson-i në Boston nga Parisi, dhe u-mbloth Komisioni që dëgjoj shpjegimet e tij mi punët e Shqipërisë, të cilat nukë dukeshin aqë mirë kur ish ay atje. Ahere Vatra e dërgoj Dr. Ericksonin si delegat të saj në Washington.
Në mbledhjen e 4 Korrikut Komisioni kqyri hesapet e vitit, dhe i gjeti kështu: T’ardhurat, me gjithë të mbeturat n’Arkë nga kuvendi i shkuar, ishin $150,477.35. Të dalat e vitit ishin $58,182.90. Komisioni i shtroj kuvendit këto proponime: 1) Të themelohej një fond prej 100 gjer 300 mijë frangash ari prej Vatrës për propagandë kombëtare me anë të shtypit n’Evropë; 2) Të botohej një revistë frengjisht në Svicrë, 3) t’emëroheshin dy korrespondentë të Diellit në Shqipëri.
Kuvëndi i Vatrës u-mbloth në Paine Memorial Hall, Boston, me 6 Korrik 1919. U-përfaqësuan në kuvent 42 degë me 69 vota, një votë për çdo 50 anëtarë; dhe nuk u-përfaqesuan 9 degë me 9 vota. Zyrtarë të kuvëndit u-zgjodhe këta: çairman Anastas Pandelli, sekretar Kosta Isaak, raporter Kristo Kaluçi dhe marshall George A. Katundi (të gjithë s’janë më).
Në sesionin e dytë, delegati i degës së Detroit-it Marko Adamsi proponoj të thërritesh Faik Konitza nga Evropa për kryetar të Vatrës. Ay proponim u-përkrah prej Ali A. Kuçit (nga Kuçi i Tomoricës), delegat i degës se New Florence, Pa., dhe u-pëlqye me-një-zë nga gjithë delegatët e kuvëndit.
Sekretari i kuvëndit këndoj një kabllogram të dërguar nga Parisi prej korrespondentit të Diellit N. Lakos i cili lajmëronte Vatrën për vdekjen e Zonjës Shahin Be Konitzës, e ëma e Mehmed dhe Faik Konitzës. Me proponimin e Kristo Kirkës, delegat i degës së Quincy, Mass., delegatët u ngritnë më këmbë dhe qendruan dy minuta në heshtje si shenjë zie për kujtim të saj. Për çudi, kur vdiq Nënia e tyre ranë këmbanat e kishëve dhe u mbyllë dyqanet e Grekëve atë ditë në Konicë për nder të Zonjës.
Në sesionin e 14-të, kuvendi vendosi t’i ktheheshin të 100 dollarët Fan Nolit që i pagoj Vatrës nga xhepi i tij për hesap te broshurës frengjisht “L’Allemagne et L’Albanie”që shtypi Faik Konitza me 1915 në Lausanne të Svicrës. Konitza i dërgoj Vatrës 50 copë t’asaj broshure, Vatra nuk e nxori në shesh së fliste kundrë Gjermanisë dhe shumica e Vatranëve ishin pro-Gjermanë. Broshura fliste kundrë guvernës gjermane se ajo bënte pazarllëk me Greqinë që po t’ish se hynte në luftë me ane t’Aliatëve kundrë mbretërive t’Evropës së Qendrës, të mirtë Toskërinë. Kur s’dolli broshura në shesh gjer pas hyrjes së Amerikës ne luftë, delegatët në kuvendet e Vatrës kërkonin broshurën, ose paratë nga Konitza. Ahere u-ngrit Fan Noli që i dha 100 dollarë arketarit të Vatrës nga xhepi i tij, dhe u tha delegatëve: “Tani paratë i muartë, lëreni Faikun rehat i cili tëre jetën e tij ka punuar për Shqipërinë dhe kur i ngrënë kur i pa ngrënë!”
Besohet shkaku i asaj broshure e internuan Austriakët Faik Konitzën dhe e mbajtnë në Vienë gjer sa humpnë luftën.
Kuvendi vendosi që Vatra të shtypte libra shkollare për shkollat e mesme të Shqipërisë. Ay vendim i kuvëndit u-vu në vepërim një mot më von. Kuvëndi vëndosi që ndihmat për jetimët të mos priteshin. N’ate listë u-shtuan dhe jetimët e Vangjel Gjikës, i cili i sherbeu Vatrës si manager i Diellit.
U-vëndos me-një-zë nga kuvëndi që Vatra t’i lutej guvernës provizore të Durrësit t’emëronte një përfaqësonjës në Washington të dërguar zyrtarisht nga an’e saj.
Kryetar i Vatrës u-zgjoth Faik Konitza në sesionin e dytë të kuvendit. Zyrtarët e tjerë të Vatrës dhe te Diellit u-zgjodhë në sesionin e 19-të, kur afroj mbarimi i kuvendit. U-emërua Kol Tromara kryetar-zëvendes gjer sa të vinte Konitza nga Evropa. Bahri Omari u-hoq, dhe u-zgjoth Koste Çekrezi editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik”; dhe Andon Frashëri nëne editor.
Këshilla Kombëtare u-rizgjoth për vitin 1919-1920, e cila kish fuqin’ e kuvendit dhe bënte politikën e Vatrës. Kuvendi vazhdoj XXI sesione, u-hap me 6 dhe u-mbyll me 15 Korrik 1919. Kuvëndet e kohërave të shkuara të përsons for essentially anti-Comre parlamentare. Kjo i tërhiqte më tëpër shumë Vatranë që përpiqeshin kush të vinte më parë delegat në kuvënt.
Pas kuvendit u-bënë ndryshime në zyrtarët e Vatrës dhe të Diellit. Kuvendi zgjodhi Faik Konitzën kryetar dhe la Kol Tromarën zëvendës gjer sa të vinte Konitza nga Evropa, po ay nuk erdhi dot, dhe zëvëndësi ndenji një kohë fare të shkurtër dhe shkoj në Shqipëri. Ashtu mbeti Vatra pa kryetar, kë të zgjidhjin? Burrat e njohur si “udhëheqës” ishin të zënë më detyra të tjera. Nga ay shkak, Këshilla ngarkoj Komisionin të gjënte një zëvendëskryetar, dhe gjeti Kristo Kirkën.
Gjith’ashtu iku dhe Kostë Çekrezi nga Boston-i, i cili ish zgjedhur prej kuvendit editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik.” Çekrezi u-emërua përfaqësonjës i Vatrës në Washington për punët e Shqipërisë, bashkë me Dr. Ericksonin i cili u-zgjoth pakë muaj më parë. Dr. Ericksoni paguhej 500 dollarë rogë në muaj nga Vatra, dhe Çekrezi 250 dollarë në muaj.
Me ikjen e Çekrezit mbeti Dielli pa editor, dhe gazeta dilte e përditëshme. U-thirr prapë Bahri Omari që e drejtoj Diellin për pakë kohë. Passi iku dhe Omari, u-zgjoth Loni Kristua editor, i cili pat qenë dhe më parë editor i Diellit. Po ay nukë shkoj mirë me nëne-editorin, Andon Frashërin, dhe kur erdhi kuvendi tjater fitoj nënë-editori në zgjedhjet kundrë editorit; – këtu munt të meret me mënt se cili prej të dyve ka patur faj në grindjet e tyre.
Kur kish probleme me rëndësi që nuk u-jipte dot funt ose s’donte të mirte përgjegjësinë Komisioni, thërritesh mbledhja e Këshilles Kombëtare e cila thosh fjalën e fundit në punët e Vatrës. Në mbledhjen që pati në Shtator 1919, Këshilla vëndosi që Vatra të harxhonte 100,000 franga ari për të ndihmuar refugjatet shqipëtarë të “Korçës dhe Kosovës”. Këtu kuptohet se kanë dashur të thonë “qarkut të Korçës”, dhe Kolonja u-doq dhe u-gjakos nga Grekët më tepër se çdo krahinë tjatër t’asaj prefekture; me mijëra refugjatë Kolonjarë vanë ne ullinjt’e Vlorës, – shumë prej tyre vdiqnë atje.
Po më parë se të viresh në vepërim ay vëndim i Këshillës, u-pyetnë me kabllogram delegatët n’Evropë Mehmed Konitza dhe Dr. Mihal Turtulli se a munt të harxhohesh ajo shumë të hollash për atë qellim. Përgjigjja e tyre qe “Jo” – se ato të holla duheshin më tepër për të luftuar armiqt’e huaj të Shqipërisë, më tepër Grekët të cilët e luftojin Shqipërinë me anë të shtypit dhe të konferencave, dhe arma e tyre më e fortë që përdorjin qe feja, duke thënë se gjithë Shqipëtarët orthodhoksë “duan Greqinë”!
Në mbledhjen e Këshilles u-vendos t’i jepeshin 400 dollarë Mihal Gramenos për të shkuar në Shqipëri bashkë me gruan e tij. Vatra çmonte patriotizmën e Gramenos dhe menjëherë vuri në vepërim vendimin e Këshilles. Në shumë raste Mihal Gramenua e pat kundërshtuar Vatrën, më tepër për kritikat e editorit të Diellit kundre Ismail Qemalit, të cilin Gramenua e adhuronte si baban’ e kombit.
Në mbledhjen e Këshilles Kombëtare u-këndua një letrë e dërguar nga “Parësia” e qytetit të Korçës, e cila kërkonte ndihmen financiare të Vatrës që t’a përdorte për të bërë “propagandë kombëtare” në qarkun e Korçës. Këshilla nuk e mori nër sy atë kërkesë, pati dyshim në përsonat që e dërgojin letrën, dhe e kuptoj se do të vijin humbur të hollat e Vatrës.
Kërkime për ndihma financiare si ajo mirte dendur Vatra nga njerëz të ndryshmë, – të cilët gjëjin “shkake patriotike” për kërkimet e tyre. Të tillë njerës besojin se Vatra ish bankë, – i mblithte dollarët me lopatë, – dhe munt të ndihmonte çdo njeri që e quante vetën”atdhetar”! Kurse e tërë pasuria e Vatrës ishin nj’a tri a katër mijë anëtarë të cilët punojin rëndë nëpër fabrikat me rogë të vogëla dhe për dashuri të Shqipërisë e ndihmojin Vatrën me sa muntjin që të punonte për të fituar lirinë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar.
*Marrë nga Libri” Historia e Vatrës” e ish Editorit te Diellit Refat Gurrazezi

 

NË VEND TË HOMAZHIT PËR VETERANIN E ARSIMI SHQIP, VEPRIMTARIN MIKEL VESELI (1940-2019) Shkruan: Mikel GOJANI / DIELLI

PEDAGOGU, VEPRIMTARI DHE ATDHETARI I DEVOTSHËM QË MBETET I PËRJETËSUAR

 

Këtë fillimshtator, në Ceneriket të SHBA-ve, u shua nga jeta, pedagogu shumëvjeçar, veprimtari dhe atdhetari , Mikel Veseli, duke lënë një zbrazëtirë të pakompensueshme për familjen e tij, për të afërmit, miqtë, komunitetin e diasporës shqiptare në Amerikë etj.
“Kur vdes mësuesi, shkollën e kaplon heshtja”, shprehet një rilindës yni. Mësuesit janë gjithmonë si yjet, ata ndriçojnë atëherë kur është më se e nevojshme. Të tillë ishin mësuesit shqiptarë, të cilët me misionin e tyre prej iluministësh ndriçuan në ato periudha dhe rrethana, kur pushtuesit synonin që t’i pllakosnin rrezet e dritës, ndërsa përmes arsimit mësuesit përpiqeshin që ta davarisnin errësirën dhe të ndritnin mendjen e popullit tonë. I tillë ishte edhe mësuesi Mikel Veseli, i cili me punën e tij të gjatë në arsim, për dekada me radhë edukoi breza të tërë shkollaresh, si në shkollën e vendlindjes në Budisalc, po ashtu edhe në shkollën e Zllakuqanit.
Mikel Veseli u lind në vitin 1940 në Budisalc nga babai Gjoni dhe nëna Marqe. Rrjedh nga një familje tradicionale, bujare, përparimtare dhe atdhetare. Rrethanat e kohës familjes se tij i sollën vështirësi për jetës, por asnjëherë nuk u gjunjëzuan dhe as nuk u nënshtruan. U lind e kohën kur prindërit e tij me skamje, por me vullnet të fortë e me punë krahu mbanin familjen. Tani familja drejtoi shikimin kah ardhmëria babai dhe dy vëllezërit e mëdhenj, Lleshi dhe Zefi, punonin për të mbajtur familjen duke shkolluar dy vëllezërit e tyre Mikelin dhe Miroshin.
Mikeli Veseli, shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Budisalc, të komunës së Klinës, më pastaj ka kryer shkollën normale. Pas kryerjes së normales, në vitin 1962 filloi punën si mësues në shkollën fillore ish – “Boro Millatoviq”, tash “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës, ku për një kohë punët dhe detyrat e punës të zëvendësdrejtorit të kësaj shkolle. Në këtë shkollë punoi deri në vitin 1982, duke vazhduar punën e mësuesisë në shkollën fillore “Liria” të vendlindjes, pra në Budisalc, ku punoi deri në vitin 1988. Në këtë vit migroi në Amerikë, përkatësisht në Cenericet, ku jetoi deri në fundin e jetës së tij.
Gjatë këtyre viteve të jetës së tij në Amerikë, përpos mbajtjes së familjes, ishte i orientuar për të kontribuar edhe në angazhimet që zhvillonte komuniteti i diasporës shqiptare në Amerikë për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga okupatori. Angazhimin e tij kryesisht e zhvilloi në kuadër të LDK-së, por edhe në kuadër të institucioneve dhe asociacioneve tjera që kanë vepruar dhe veprojnë ë në Amerikë.
E digjte malli për vendlindjen dhe atdheun e tij. Edhe pse jetonte në këtë vend të largët të Amerikës, shpirtin gjithherë e dërgonte atje, në vendlindje, në atdheun e tij, të cilin aq shumë e deshi deri në frymën e fundit të jetës, duke punuar dhe angazhuar pa kursyer asgjë nga vetja.
Pra, mësuesi dhe veprimtari, Mikel Veseli, kishte atribute të larta të një njeriu, sepse rridhte prej një familje me tradita fisnike. Këto atribute ai i sublimoi edhe në orientimin e tij pedagogjik, në punën me nxënës mbëltoi dituri dhe virtyte, duke i dhënë kuptimin e mirëfilltë një profesioni fisnik siç është natyra e arsimit. Gjatë punës në arsim, rezultohet se mësuesi Mikel Veseli rrezatonte vlera njerëzore, profesionale, pedagogjike dhe kombëtare. Këtë e dëshmojnë, të gjithë ata nxënës që patën rastin dhe nderin që të kenë për mësues një korife të arsimit siç ishte Mikel Veseli.
Për nga dukja dhe tiparet e tij krijohej përshtypja sikur mësuesi Mikel kishte ardhur në këtë botë me të gjitha komponentët që e shquajnë figurën e një mësuesi. Pamja e tij të nxiste kureshtjen që ta vështrojë dhe jo vetëm ta vështrojë, por të mbërthente në mendime prej të cilave vështirë që mund të largoheshe pa e dhënë një përkufizim për figurën e tij. Si i ri, isha kureshtar të ndalesha te figura e tij, të fiziku i përmasave mesatare të këtij personaliteti të veçantë.
Në fillimvitet e ’80 (80-82), pata fatin që ta kem koleg në shkollën fillore të Zllakuqanit. Në këtë shkollë ai kishte punuar qysh në fundvitet e 60 dhe ishte formësuar si një pedagog që shquhej dhe dallohej me metodën e tij tepër të veçantë prej një edukatori. Kishte një takt tepër të veçantë me nxënësit. Ishte i afërt dhe shumë komunikativ edhe me kolegët dhe prindërit. Për karakterin dhe angazhimin e tij prej një pedagogu të vyer, pata mësuar edhe nga ish-kolegët e tij, të cilët kishin punuar edhe më herët më mësuesin Mikel. Ata flisnin me admirimin më të madh dhe shprehnin respektin më të thellë. Nxori gjenerata të tëra brezash shkollarësh, që më vonë u bën shumë të zotë në profesione të ndryshme, doktorë, juristë, ekonomistë, inxhinierë etj. Edhe sot pas kaq shumë vitesh ata i janë mirënjohës për kontributin dhe gjithçka çfarë ky pedagog kishte dhënë për t’u ndihmuar në rrugën e jetës. Për ish-nxënësit e tij, mësuesi Mikel ishte shndërruar shembull frymëzuesi dhe udhërrëfyes për ngarendje në rrugën e dijes dhe të diturisë. Nga ndejat e shumta me të, në biseda e gjata që kishim dhe me punën dhe angazhimin e tij tepër të zellshëm në misionin që i kishte përcaktuar vetes, kisha fituar bindjen pozitive rreth personalitetit të këtij njeriu dhe mësuesi të dalluar.
Mësues Mikel ishte një burrë që karakterizohej me një qëndrim serioz . Nuk ishte i rastësishëm serioziteti i tij, jo një seriozitet prej autokrati, por prej një njeriu që vendosmëria i shkonte edhe në harmoni me profesionin që ushtronte. Ishte tepër njerëzor dhe të krijonte relacione afrie, sa që në mënyrë të pahetueshme njeriu krijonte raporte miqësore me të.
Mësuesi Mikel, ishte i gatshëm që të gjejë gjuhën e afër të komunikimit si me gjeneratat e vjetra, po ashtu edhe me brezin e ri.
Më kujtohen raste të ndryshme në ndeja dhe kuvende ku fjala e mësuesit Mikel peshohej me respekt nga të pranishmit. Për shëmbëlltyrën dhe rolin e mësuesit ka mendime të shumta. Figura e mësuesit gjatë historisë se njerëzimit është çmuar që nga njerëzit e thjeshtë e deri të perandorët.
Kështu që, Mikel Veseli, me punën e tij në arsim, gjatë gjithë jetës, ndikoi që shume gjenerata të lartësohen ne nivelin më të lartë të dijes dhe të jenë në shërbim të popullit dhe të vendit të tyre.
Për një kohë u përball me sëmundjen që e kaploi, por kurrë nuk u ligështua, kurrë nuk u dorëzua, kurrë nuk lëshove asnjë psherëtimë. Prandaj të gjithë të dashurit e tij u mësuan me besimin dhe durimin e tij. Mësuesi Mikel ishte një pishtar i jetës e jo i vdekjes. Pranë tij ishte vetëm dashuria për jetën e Njeriun, dashuria e pakufi për familjen, arsimin, atdheun dhe kombin.
Shuarja e tij fizike erdhi pas disa momenteve të rënda që i përjetoi në familje, pra pas humbjes së vajzës, Besa, vëllezërve Lleshit dhe Zefit, vdekje këto që i shkaktuan dhimbje të mëdha dhe tepër tronditës. Askush nuk do të mund të besonte në vdekjen në moshë fare të re të vajzës së tij, apo në vdekjen e dy vëllezërve që i mori gjatë këtij viti. Ishin këto vdekje shumë të përafërta të vajzës dhe vëllezërve, që vdekja e pamëshirshme i mori, duke lënë dhimbjet për ta, por edhe kujtimet të pashlyeshme për brezat e familjes.
Pra, në këtë fillimshtator, kur edhe gjethet e pemëve kanë filluar të veniten, bashkë me to u shua, fizikisht, por jo edhe shpirtërisht, miku ynë, pedagogu dhe veprimtari, Mikel Veseli, i cili iku në botën e amshuar, duke i lënë të pavdekshme kujtimet dhe veprat e tij të shumta dhe të rëndësishme, të cilat do të jenë të përjetësuara.
Mikel Veseli, ky mësues, veprimtar dhe atdhetar i shquar, për të gjallë të tij vetes i siguroi pavdekësinë.
Shpirti i tij që rrezatonte dritë u mishëroftë në qenien tonë.
U prehtë i qetë në botën e amshuar!
Klinë (Kosovë), 5 shtator 2019

VATRA, HOMAZHE PRANË ARKIVOLIT TË KRYEPESHKOPIT NIKON

Gjatë ditës së djeshme, e Mërkurë 4 Shtator, një përfaqësi e Vatrës me Kryetarin Dritan Mishto, udhëtoi nga Nju Jorku në Boston për t’i shprehur ngushëllimet Familjes Liolin dhe besimtarëve Orthodoksë për kalimin në amshim të Kryepeshkopit NIKON.

Përfaqësuesit e Vatrës bënë homazhe në Katedralen e Shën Gjergjit, ku ishte vendosur arkivoli me trupin e pajetë të Kryepeshkopit.

Në emër të Vatrës Kryetari Mishtoi i shprehu ngushëllimet më të thella Kancelarit të Katedrales së Shën Gjergjit Imzot Arthur Liolin , vëllait Jim Liolin dhe të gjithë familjes së madhe Lolin. Kryetari Mishto tha se ikja e Kryepeshkop Nikon është një humbje e ndjeshme për besimtarët Orthodoksë por edhe për të gjithë komunitetin shqiptar.

Atë Arthur Liolin shprehu konsideratën për udhëtimin e Vatranëve nga Nju Jorku në Boston për t’u bërë pjesë e homazheve të Kryepeshkopit Nikon.

Pasi këtij informacioni me fotografi Dielli do të përcjellë korrespeondenca dhe Kroniak të zgjeruara rreth homazheve, meshes dhe ceremonise mortore. Redaktorja e sec. Anglisht të Diellit, Rafaela Prifti është duke e ndjekur ceremoninë nga mbremja e djeshme dhe gjatë ditës së sotme. Po ashtu korrespondenti ynë Fuat Memelli është duke përkatitur kronikën.

I pushoftë shpirti në Paqë Kryepeshkopit Nikon!/ Fotot nga Vatra

Fotografia e Dielli Vatra

Fotografia e Dielli Vatra

Fotografia e Dielli Vatra

Boston, shqiptarët nderuan Kryepeshkopin Nikon

Në Boston u zhvillua të mërkurën një ceremoni lutjesh për kryepeshkopin Nikon të Bostonit, i cili u nda nga jeta të dielën në moshën 74-vjeçare.

Në ceremoninë e zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit, morën pjesë shqiptaro-amerikanë nga Bostoni, Nju Jorku dhe qytete të tjera.

Të pranishmit bënë homazhe përpara trupit të të ndjerit.

Kryepeshkopi i Bostonit, Anglisë së Re dhe kryedioqezës shqiptare, Nicholas Liolin, i njohur mes besimtarëve me emrin Nikon, respektohej si një klerik i thjeshtë, mjaft i ditur dhe me vizion të gjerë për aftësitë udhëheqëse në hierarkinë kishtare.

Ai gëzonte respekt të veçantë sidomos mes shqiptarëve të Amerikës. Hirësia e tij Nikon i përkiste familjes Liolin dhe ishte shqiptaro-amerikani me shkallën më të lartë hierarkike në kishën ortodokse.

Vëllai i tij më i madh, Arthur Liolin është famulltar i Katedrales së Shën Gjergjit në Boston.

Ai kishte një mendje mjaft të gjerë por ishte njeri me këmbë në tokë. E them këtë sepse jam vëllai i tij i madh. Ai ishte tipi i njeriut që jo vetëm i përkiste njerëzve të tij, por edhe që dinte si të udhëhiqte dhe që të tjerët e donin shumë. Edhe kur ndodhej përballë vendimeve të vështira, ai orientohej mirë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm si virtyt i aftësisë udhëheqëse, me sa di unë. Jam shumë mirënjohës për njerëzit që kanë ardhur këtu, nga të gjitha shtresat. Ai ruante shpirtin ekumenik. i donte njerëzit për karakterin e tyre dhe jo për pozitën në shoqëri,” tha At Arthur Liolin.

Biznesmeni dhe veprimtari i komunitetit, Harry Bajraktari erdhi nga Nju Jorku për të bërë homazhe.

“Familja Liolin ka punuar shumë në komunitetin tonë. Kanë vepruar si në Kishën Ortodokse ashtu edhe për çështjen kombëtare, në Boston dhe në të gjitha kishat ortodokse në Amerikë. Kam patur rastin ta takoj shpeh herë Kryepeshkopin Nikon në disa ngjarje në Nju Jork, në Boston dhe në vende të tjera. Ishte fenomenal përsa i përket rolit si prijës i fesë, ka bërë një punë shumë të mirë. E kam njohur personalisht, ashtu si gjithë familjen Liolin. Njihem tash gati 40 vite. Për ne sot është një ditë ngushëllimi, një ditë zije humbja e kryepeshkopit Nikon, por është një pjesë e jetës, një proces i jetës,” tha zoti Bajraktari.

Nga Virxhinia kishte ardhur Dr. Gjon Buçaj, ish-kryetar i organizatës panshqiptare Vatra.

“Kam ardhur për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet At Arthur Liolinit, vëllait të tyre Xhimit, familjarëve e dashamirëve si dhe komunitetit shqiptar të Bostonit. Shpreh mirënjohjen që ka treguar për dashurinë ndaj kommunitetit shqiptar. Në mënyrë të posaçëme dua të shpreh mirënjohjen për ardhjen e tij së bashku me At Arthurin në vitin 2012 në 100-vjetorin e Vatrës, ku udhëhoqi lutjen ekumenike të hapjes së konferencës shkencore për 100-vjetorin,” tha Dr Buçaj.

Në tetor 2003, Sinodi i Shenjtë e zgjodhi Nikonin peshkop të Bostonit. Dy vjet më vonë, ai mori titullin Peshkop i Bostonit, Anglisë së Re dhe Kryedioqezës shqiptare. Në vitin 2012, Peshkopi Nikon u ngrit në rangun e Kryepeshkopit.

Të enjten mbrëma, në Katedralen Ortodokse të Trinisë së Shenjtë në Boston do të zhvillohet një ceremoni tjetër homazhesh, që nderon kryepeshkopin Nikon për statusin e tij si hierark i kishës.

Histori suksesi: Julia Stefani tregon mbi përvojën amerikane (video)

Ilrian Agolli

Në Tiranë, ekspertja e biznesit Julia Stefani bisedoi me gjimnazistët e organizatës “Code for Albania” mbi shkollimin dhe karrierën e saj të suksesshme në SHBA.

Julia ishte disa vite më parë një maturante me rezultate të larta në kryeqytetin shqiptar, ndërsa sot punon në firma të njohura në SHBA.

Julia Stefani është tashmë një menaxhere biznesi me përvojë shumëvjecare në drejtimin e ekipeve të teknologjisë në Silicon Valley.

Ajo bisedoi për disa orë në Tiranë me të rinjtë e organizatës Code for Albania mbi jetën dhe sfidat e saj universitare në SHBA, studimet dhe punësimet e saj në në kompaninë Sofin (Social Finance), e më parë në Facebook, Trip Adviser dhe Xpedia. Gjithçka nis nga studimi i fortë në një shkollë të mirë, thotë ajo.

“Universitetin e kam bërë në SHBA. Sistemi arsimor atje më është dukur shumë ndihmues, ka shumë mundësira gjatë fakultetit që të ndërrosh mendje, ka konsulentë që të ndihmojnë për të zgjedhur klasat, ndaj nuk më dukej e vështirë. Këtu në Shqipëri kisha një përgatitje të fortë, sidomos në gjuhë, madje kam përshtypjen se në Shqipëri shkolla ëhstë më e vështirë se sa në SHBA, sepse atje programet janë më të kuptueshme e më të qarta në sensin logjik të lëndëve” – tha zonja Stefani.

Takimi u organizua nga Qendra Alfa Plan, ndërsa shumica e pjesëmarrësve ishin anëtarë të “Code for Albania”, një organizatë jofitimprurëse e krijuar nga studentë shqiptarë, që kanë studiuar në SHBA.

“Takimi ishte shumë interesant, Julia na tregoi se si rodhi jeta e saj në SHBA nga shkolla e deri në Silicon Valley, ku punon shumë. Ajo është shumë frymëzuese për ne pjesëtarët e “Code for Albania”, është një shembull shumë i mirë për ne. Edhe mund të arrijmë shumë me studim dhe punë të fortë” – thotë gjimnazisti Sidi Koka.

Edhe Tea Aliaj është entuziaste, sidomos për faktin, që kjo histori suksesi i përket një vajze shqiptare, të cilat në Shqipëri i përfshin mosbesimi i shoqërisë.

“Julia është një frymëzim për vajzat shqiptare, aq sa të thuash: Ok, Kështu do të bëj edhe unë., do ia dal edhe unë, do të zgjedh këtë degë. Për ne vajzat prindërit thonë: Ok, ti u pranove te “Code for Albania”, një program i mrekullueshëm, por a je e sigurtë se do ta bësh këtë gjë? Sepse informatika, shkencat kompjuterike nuk janë për vajzat. Ndaj kjo bisedë ishte shumë e frytshme, sepse pamë që edhe vajzat mund t’ia dalin” – tha Tea Aliaj, nxënëse e shkolës “Servete Maçi” në Tiranë.

Endrit Mulosmani studion në shkollën e njohur “Harry Fultz”. Ai thotë se përballë informacionit të pamjaftueshëm, të rinjtë kanë nevojë të takojnë njerëz kurajoza si Julia.

“Më pëlqeu shumë mënyra se si Julia Stefani studioi në SHBA, shkoi edhe punon në SHBA dhe ka çarë jetën. Për mua ajo ëhstë shembulli i një rruge të shtruar për t’u ndjekur. Duke parë përvojat e shumë personave si Julia edhe unë do të mund të çaj më lehtë në shkollë e në punë. Edhe kur unë të jem në vendin e Julias do t’u jap të rinjve përvojën time, që t’ua bëj më të thjeshtë breit që do të vijë pas meje” – Endrit Mulosmani nga shkolla “Harry Fultz”.

Julia Stefani foli gjatë mbi studimet e saj në Shqipëri dhe në SHBA, foli hapur mbi vështirësitë, që kapërceu me këmbëngulje të madhe, duke theksuar se asnjë sukses nuk vjen pa shumë përpjekje.

“Të punojnë fort në mësime, të shohin lidhjet dhe përvojat e ndryshme, njerëz që i kanë kaluar ato përvoja; thjesht duke dëgjuar të tjerët edhe të rinjve u duket më pak e huaj sprova e asaj fushe” – thotë Julia Stefani.

Shqipëria ka shumë të rinj me talente edhe në fushat e teknologjisë dhe shkencave natyrore. Shembuj si Julia, thonë ata, përvoja më e mirë që ata duan të shohin dhe dëgjojnë si udhërrëfyes në labirintet e universitetit dhe në tregjet aktuale të punësimit brenda dhe jashtë vendit.

“Miliona sy janë drejtue sot kah ju”- Sami Repishti letër Ambasadores së re të SHBA në Tiranë: Pse duhet një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme në Shqipëri

Ridgefield, CT. – Njiqind e gjashtë vjet ma parë, poeti i madh At Gjergj Fishta, i zhgënjyem thellë nga grindjet dhe mosmarrëveshjet në mes shqiptarëve, theu betimin e marrun, e shkroi këto rreshta: 1913 -”O Perëndi! A ndjeve?/ Trathëtarët na lanë pa atdhe/E Ti gjuen me rrfe, lisat/ Nepër male kot!” (Drama “Juda Makabe”, 1920) Nji blasfemi për fratin françeskan: me qortue aktin hyjnor! Dëshprimi i thellë të sjellë në këte formë zemrimi të pakontrolluem.
Titulli i këtij shkrimi më erdhi në mendje nga leximi i nji artikulli të botuem në gazetën “Dielli”, organ i VATRES, më 24 korrik 2019. Teksti i plotë ashtë:
1922 – “Dialog në mes të ‘dy ekselencave’, burra shteti:
-Kur të prishim Shqipërinë, ku do vemi?
-Do vemi atje ku kemi venë paratë në bankë!
-Po pse të mos hyjmë në sherbim të atyre që u a shitëm Shqipërinë?
-S’do na qasin!…..se trathëtarët, as armiku nuk u zë besë…!”
– (Faik Konica. “Diell”i, 17 qershor 1922)
2019- Nga Franca, nji intelektuale e mirëfilltë shkruen:

“ ….Urrejtjen ma mësoi Edi Rama, ma mësoi Erion Veliaj, ma mësoi numri i deputetëve që ndoqën si bagëti pocaqitë e tyre. Kjo urrejtje e mbjellë është gjëja më e pafalshme që kanë arritur ata me taktikën e ndyer të përçarjes dhe të sundimit….Nga disa rrethana, burime, njerëz dhe fakte, e dija prej shumë kohësh rrezikun që përfaqësonte ai. Por, ai i kaloi të gjitha limitet e zhgënjimit…” (Cecilia Plasari. “Panorama”, 28.7.2019). Përçarje për sundim: smundja shekullore e shqiptarëve!

2019 gusht -”….Ashtu si e shoh unë luftën në Tiranë, ajo nuk është mes partive të Oligarkisë, se ata mirren vesh e bëjnë rrotacion. Pavarësisht se çka u papagallojnë militantëve poshtë, ata kanë një marrëveshje me njëri-tjetrin, por nuk ia kanë besën të huajve….. Me sa kam dëgjuar unë, Luli (Basha) bëhet kryministër, e dikush i Edit (Ramës) zëvendëskryministër, kurse Meta merr pjesën e vet deri në zgjedhjet e ardhme….Atyre tashmë nuk u hynë në punë demokracia, por vetëm për retorikë. Thelbi është kontrolli i shtetit dhe atij të ashtuquajturit ‘shtet’ që kemi sot në Tiranë. Sepse prej tij rrjedhin shumë gjëra..” (Letër nga nji koleg universitar).

“A mund të ketë skandal më të madh politik për një vend se shantazhi nga Qeveria ndaj Presidentit të vendit dhe kryetarit të opozitës?”, pyeste nji analist. “Vetëm në Shqipëri ngjasin të tilla skandale, sepse, vazhdon ai: “…Shqipëria ka arritur ditën kur mund të prodhohen skandale, të kryhen krime, të zbulohen maskerada, të ngrihen akuza apo të bahen sulme aq të mëdha, aq të pamendueshme, dhe aq të shumta…”. Flitet për mesazhin e KM Rama, dërgue Presidentit Meta, me kërcënim të largimit nga detyra, asgjësimit të LSI-së dhe eliminimin politik të krytarit të opozitës, L. Basha. Nji pohim ma i fortë i përgatitjes për marrje të pushtetit me dhunë, asht e vështirë të gjindet!

Në përgjigje të thirrjeve të hapuna socialiste me marrë me dhunë pushtetin vendor të Bashkisë së Shkodrës, deputeti i PDsë për qytetin, prof. Romeo Gurakuqi, tha: “(deklaroj)…para së gjithash, nisur nga interesat themelore të ruejtjes së paqes sociale në Shkodër dhe nga nevoja imediate e shmangies se çdo përplasje artificiale, që mund të provokojë ambicia politike, e paarsyeshme”. (Theksi i im. SR) Kjo sentencë magjistrale e nji mendje të ndritun, kjo pjekuni politike shkodrane nga nji emën që frymëzon shpresë për të ardhmen, i referohet nevojës për “…marrjen parasysh në vlerësimin e pozicionit karshi publikut dhe institucionit më të lartë të qeverisjes krahinore, para çdo deklarimi ose veprimi të mëtejshëm politik”. (“Panorama”, 14.7.’19)

Demokracia në Shqipëri asht në krizë serioze! Shqipëria ka nevojë për gjak të ri!

Nji zhvillim i këtill rrezikon kthimin në autoritarizëm si hapi i parë dhe ngritjen në piedestalin e diktaturës pa pengesë si objektiv kryesor. Hannah Arendt e përcakton këte fazë: “Nëse çdonjeni drejtues ju gënjen rregullisht, rezultati i gënjeshtrës nuk ashtë se ju besoni gënjeshtrat, por ka mundësi që çdonjeni të mos besojë fare në të ardhmen…. Dhe nji popull që nuk beson fare, nuk mund të arrijë në përfundime të arsyeshme. Ata janë të denuem me paaftësinë për veprim, me paaftësinë me mendue e gjykue. Dhe me nji popullsi të këtill, demagogët kanë mundësi me veprue simbas dëshirës së tyne”. E ngjashme me Shqipërinë në vitin 2019, fatkeqësisht!

Sot, në Shqipëri, jemi dëshmitarë të nji kapitulli shumë të errët të historisë sonë kombëtare: ngjarje të rrezikshme që zhvillohen pa drejtim, pa kuptim, në detin e gjanë të marrëdhanjeve ndërkombëtare. Sot, jemi dëshmitarë të nji ekzekutivi që dominon pa sensin e përgjegjësisë politike e morale, pa frikën e llogaridhanies, jetën e nji vendi pa Parlament, pa Gjykatën e Naltë dhe pa Kushtetuese. “Shtet” pa kurriz!

Sot jemi dëshmitarë të nji skenari ku qytetarët janë viktima të përbuzjes dhe shfrytëzimit nga klasa neokomuniste që synon marrjen absolute të pushtetit dhe që ka mundësi të fitojë nëse shumica dërmuese që nuk aprovon, ruen heshtjen. Po ndërtohet nji shoqëni e nji shtet që përjashton dëshmorët dhe aktivistët e lëvizjes demokratike dyzetepesëvjeçare antikomuniste….. Nji paradoks shqiptar! Kjo asht fatkeqsi e jona kombëtare! Më kujtohet thanja e euro-deputetes austriake, Doris Pack: “Nuk ka gja që vjen nga Shqipëria e që më çudit!”

Me u çuditë, jo! Me u tronditë, po! Shprehje amerikane, që vlen sot për Shqipërinë!

Tronditemi kur lexohet në shtypin e vendit tonë komenti “…mund të thuhet se KM (Rama) që e pikturoi Shqipërinë njëpartiake, nuk është fajtori i vetëm, pse shteti zhbëhet, ‘Rilindja’ forcohet, por mëkatarë janë edhe ata që këte e dinin dhe kishin mundësi ta thonin, por shkaku i interesit personal ata heshtën, dhe popullit kurrë nuk i treguen se burrështetasit e tij hajdutë bërtisnin: ‘kapeni hajdutin’, dhe se jeton në një shtet ku politikanëve kriminelë u falet krimi, e mëkatarët hallexhinj e të papushtetshëm mbushin burgjet”. Po ky shkrimtar na ka dhanë sentencën klasike: ‘Nuk ndërtohet Parrizi me muratorët e Ferrit!’. (Kim Mehmeti) Nji koleg i tij gazetar shkruente: “Shqipëria ka sot nji ndërgjegje të deformuar, nga lufta e paskrupullt që bëhet për para e për pushtet!”

Shqipëria ka nevojë për nji transfuzion gjaku të ri!

Në nji atmosferë politike të ndershme dhe efektive njikohësisht, duhen kritikue thanjet e veprat e nji “udhëheqsi” në nji dialog të hapët dhe të lirë. Ashtë pjesë e procesit demokratik. Por, nuk ashtë as e drejtë, as efektive, metoda që synon poshtënimin e “udhëheqjes” me akuza personale. Ky aspekt nuk ashtë detyra e atyne që mbrojnë shtetin dhe zbatimin e ligjit, nuk ashtë prerogativë e kundërshtarëve të ndershëm, detyra e të cilëve ashtë me zbulue, demaskue dhe gjykue gabimet e “udhëheqjes” politike.

Përndryshe, do të përfundojmë në nji situatë ku konflikti do të bahet nga të dy palët anmiqsore të njena-tjetrës mbi baza individuale dhe do të anashkalohet thelbi i kritikës konstruktive kundër nji situate të padëshirueshme. Vëmendja e publikut do të zhvendoset nga subjekti kryesor dhe rezultati do të jetë nji përplasje e damshme, e rrezikshme e jo rezultate. Shkatërrimi i “shtetit” nuk ashtë katastrofë partiake, por kombëtare, dhe duhet evitue me çdo kusht! Ky ashtë rezultati i atmosferës helmuese të diskursit politik sot në vendin tonë: shamje, përsëri shamje me shprehjet ma vulgare pa u skuqë fare… e asgja të re!

Rrezikojmë të ballafaqohemi me nji shtet të ri neokomunist, që ashtu si i maparëshmi, si regjimet fashiste e naziste, që do të shkaktojë dame të pariparueshme për të drejtat e qytetarëve, me që gjatë gjithë ekzistencës tij ky “shtet” do të kishte kontrollin e plotë mbi shoqëninë shqiptare, me persekutime dhe represion të motivueme politikisht, si dhe do të shkelë detyrimet e marruna ndërkombëtare. Ashtu si prindët e tyne komunistë, sot mbasardhësit neokomunistë kanë nji ngjashmëni të përbashkët në nji pikë: kanë tiparin e përbashkët në qëndrimin e tyne, janë të mbruem me frymën e urrejtjes që, si tharmi i bukës së gatueme në kuzhinën komuniste, i jep shije gjithë aksionit, mendimit dhe fjalës së tyne.

Gazeta liberale gjermane “Der Tagespiele”, e datës 20 korrik, shkruente: “se protestat e opozitës në Shqipëri janë shprehja e reagimit popullor kundër pushtetarëve abuzivë dhe të korruptuem. Ajo apelon që elitat në Europën Perëndimore të kapërcejnë padituninë e tyne arrogante dhe të bashkohen me ata që ngrihen kundër abuzimit me pushtetin…”

Ky abuzim u konfirmue edhe me deklaratën e Z. Luigi Foreca, ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri. Simbas “Euronews”, shkruen gazeta “Illyria” e New Yorkut, me 22 korrik 2019, “… e tashmja ashtë e qartë se ne kemi ndjekë votimet për së afërmi; ajo që na shqetëson ashtë fakti se elektoratit shqiptar i ashtë mohue e drejta e nji alternative të randësishme. Dhe kjo ashtë arsyeja që reforma elektorale ashtë sot ma me randësi se asnjiherë ma parë”.

Flitet për mohimin e votimeve të lira dhe të ndershme për shumicën e popullsisë!

Sot, dialogu politik i qytetnuem ashtë nxjerrë jashtë binarit dhe dyluftimi politik ashtë i ashpër e pa doreza…, që paralajmëron vetëm nji katastrofë politike nëse nji zgjidhje e arsyeshme për të gjithë nuk gjindet “tashti dhe këtu”. Deklarata e zyrtarit amerikan të Departamentit të Shtetit, smbasador Phillip Reeker, hap nji dritore në këtë drejtim: “…

SHBA nuk do të bahen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe, nëse institucionet nuk bëjnë punën e tyne, atëherë punoni që të ndryshoni ato, nëpërmjet mjeteve kushtetuese që keni”. (Theksi im. SR) Ky koment u ba në forumin e organizuem nga Këshili i Atlantikut, Uashington, D.C., më 18 korrik 2019.

Mjetet kushtetuese nuk ekzistojnë! Kështu, “problemi” shqiptar komplikohet edhe ma shumë sepse, “…sot, tre vjet mbas miratimit të Reformës për Drejtësi (22.7.2016), Gjykata Kushtetuese ka vetëm nji anëtare, së cilës i ka mbaruar mandati dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarë të mjaftueshëm për vendime. Vetting-u ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në sistemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqtarë e prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme” (“VoA”, 20.7.2019)

Fletorja prestigjioze “The Economist” e përcaktoi: “Shqipëria ashtë në kaos!”.

Mbetet shpresa se riformimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë mbi largimin e Partisë Demokrate nga Parlamenti, vendimin e Presidentit Meta mbi datën e re të votimeve, 13 tetor 2019, dhe elementë të tjerë që përbajnë krizën e randë politike në Shqipëri.

Por kush siguron korrektesën e nji veprimi të këtill me randësi kapitale në nji shtet sot njipartiak? Qeveria e “shtetit” njipartiak? Unë dyshoj!

* * *

Para nji situate të këtill kaotike dhe nji dispozicioni mendor që kërkon sigurim, vendosa të kërkoj mendimin e ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, The Honorable Yuri Kim, dhe të shprehë shqetësimet e mia si qytetar amerikan për vendlindjen time që dua kaq shumë, Shqipërinë. Ma poshtë janë pjesë të letrës, datë 31 korrik 2019:

“The Honorable Ambasador Yuri Kim, pranë Departamentit të Shtetit Uashington D.C. Shumë e nderuemja ambasador Kim:

……Situata e sotme në Shqipëri tregon se nji veprimtari politike ‘normale’ nuk ashtë e mundun, për arsye të nji mentaliteti komunist të maskuem, dhe për arsye të nji qëndrimi kambëngulës me marrë pushtetin absolut, mundësisht tue ndertue nji sistem politik njipartiak. Në qershorin e kaluem, në nji intervistë me “Zërin e Amerikës” quejta zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ‘artificiale’, sepse në fakt nuk kishte nji problem të randësishëm me pengue ‘zgjedhje’ të përgjithëshme, të lira dhe të ndershme…. Për mendimin tim, ajo ashtë rezultat i nji ballafaqimi ndërpartiak të vazhdueshëm në luftë me fitue e me sundue. Simbas nji filozofie politike në Shqipëri, ‘pushtet’ don të thotë ‘pushtet absolut’, asgja ma pak…. Zgjedhjet u gjykuen ‘të vjedhuna’. Vendi përfundoi me nji Parlament në shërbim të Ekzekutivit, dhe të nji sistemi gjyqësor thellësisht të korruptuem…. Nji nga të metat politike që vërejmë në Shqipëri ashtë moskokëçarja për këshillimet që vijnë nga qeveri dhe miq të jashtëm. Ashtë nji meturinë e propagandës së kaluemes komuniste dhe ashtë e damshme…. Unë mendoj se sugjerimi i Departamentit të Shtetit që të mbahen zgjedhjet, pavarësisht nga manipulimet e ekzekutivit, nuk ka qenë ma i preferuemi dhe propozimi i Presidentit I. Meta me shtye zgjedhjet deri më 13 tetor 2019 me qëllim që të shfrytëzohet kjo periudhë kohe për negociata në nji atmosferë ma të mirë, ka qenë logjik…

Gjykimi i ambasadores franceze, Mme Vasak “ …duhet ta dini se ky popull, qytetarët e këtij vendi, meritojnë nji zgjidhje të arsyeshme” ashtë i mirëpritun. Përballë rrezikut të nji sistemi njipartiak, Shqipëria ka nevojën ekzistenciale me pasë nji parti politike të dytë me qëllim të pengojë vendosjen formale të nji sistemi politik njipartiak…..

Me shumë randësi ashtë humbja e shpresës në popullsinë për nji të ardhme ma të mirë. Sot, jemi dëshmitarë të nji kapitulli të errët në historinë e vendit tonë, me eveniment të rrezikshëm e të pakontrollueshëm në nji vend që dominohet nga ekzekutivi, i cili nuk njeh as rregullat politike, as përgjegjësinë morale. Sot jemi dëshmitarë të dominimit të vendit nga elementë neokomunistë që luftojnë me mbajtë pushtetin absolut, ndërsa shumica e madhe e popullsisë ka heshtë….!

……Ambasadori Phillip Reeker, nd/ Sekretari i Shtetit, deklaroi (në Atlantic Council, Uashington, D.C.) se ’… Shtetet e Bashkueme do të vazhdojnë me inkurajue të gjitha palët me bashkëpunue me institucionet shtetnore…. Nëse këto institucione nuk kanë sukses në funksionet e tyne, na rekomandojmë me ba përpjekje dhe me i ndryshue me mjetet konstitucionale që Shqipëria ka…’. (Theksi im, SR.)

Ky ashtë nji sugjerim konkret dhe qëllimmirë, por ku janë këto ‘institucione shtetnore’? Prandej, nevoja për ‘institucione të besueshme shtetnore’ ashtë e nji randësie primare. Më lejoni të paraqes sugjerimet që vijojnë:

1) Formimi i nji qeverie të përkohshme dhe teknike, me qellim:

2) Me përpunue nji reformë të re elektorale, dhe votime të përgjithshme, të lira, të ndershme brenda 6 muejsh;

3) Parlamenti i ri të përmbajë të gjithë spektrin politik të vendit, si dhe të formojë, në mënyrë të preferueme, nji qeveri koalicioni për përgatitje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbikëqyrja ndërkombëtare ashtë e domosdoshme.

Ambasador Kim:

Këto janë disa nga këndvështrimet e mia për vendlindjen time, Shqipërinë sot! Shqipëria ju pret mbas nji mungese të gjatë ambasadoriale. Pa dyshim, ju do të jeni e mirëpritun, e nderueme, e respektueme dhe e ndigjueme prej tyne. Shqipëria, për të gjitha arsyet, ashtë sot vendi ma pro Amerikan në Europë. Me këte letër, sot, unë dëshiroj me shprehë konfidencën time të plotë në profesionalizmin tuej dhe në eksperiencën e gjatë diplomatike tuejën. Kam çdo arsye me besue se me përpjekjet e jueja do të dilni me sukses në gjetjen e nji zgjidhje të arsyeshme për problemet e vetëkrijueme në Shqipëri.

Miliona sy janë drejtue sot kah ju, në këtë moment që filloni misionin tuej diplomatik në Shqipëri. Na, të gjithë, do të lutemi për suksesin tuej.

Me nderime, Sami Repishti, Ph.D.

* Autori ashtë pedagog në pension; ish-i burgosun politik (1946-‘56) dhe aktivist për të drejtat e njeriut.

Shqiptari merr çmimin e vitit në SHBA, e nisi si kamerier, u bë pronar i restoranteve në New York (fotot)

New York City Association of Hotel Concierges, shkruan në faqen e sja të internetit se pronari dhe Presidenti i restoranteve më të famshme në NY dhe në krejt shtetet e SHBA, deri në Japonin e largët , Benjamin Restaurant Group me Shqiptarin z.Alban Benjamin Prelvukaj, u nderua me çmimin e arritjes jetësore 2019 NYC Hotel Exellence Aëards! – “Lifetime Achievement Award for the 2019 NYC Hotel Excellence Aëards“, raporton gazeta Bota sot.



Po ashtu Neë York City Association of Hotel Concierges, shkruan se Benjamin Prelvukaj ka qenë një mbështetës i madh i komunitetit që nga dita e parë. Me një ekip të shquar në të tre restorantet e tij të mahnitshme të NYC, Benjamin Steakhouse Prime, Benjamin Steakhouse dhe The Sea Fire Grill, nuk ishte as pyetje kur juria e ndarjes së këtij cmimi do të vendoste se kujt duhet të shkonte cmimi “The Silver Plume Lifetime Achievement Aëard 2019”.

Alban Benjamin Prelvukaj ka treguar vazhdimisht për historinë e tij të jashtëzakonshme të një shqiptari të suksesshëm në Amerikë.

Fillimisht ai punoi si kamerier, pastaj u bë pronar i restoranteve më të mirë në New York dhe tani ai tashmë është i pranishëm në Japoni.”Sot kam 4 restorante në Neë York dhe një në Tokio. Unë jam shqiptari i parë që kam një restorant në Japoni. Ëhtë shumë i suksesshëm deri tani”, thotë Prelvukaj.

Unë nuk e kisha ëndrrën amerikane, por kur filloi lufta në Kosovë dhe situata ekonomike u bë më e vështirë, ne vendosëm të largohemi”, thotë Prelvukaj, i cili shprehet se shumica e punonjësve të tij janë shqiptarë.

“300 punëtorë janë shqiptarë nga 550 në total. Unë jam shumë i lidhur me komunitetin shqiptar sepse dua të hap derën për rininë shqiptare në mënyrë që të vazhdojnë jetën e tyre në Neë York”, thotë Prelvukaj.

Shqiptaro Amerikani Prelvukaj ka bër emër në skenën e restoranteve në New York City duke hapur Benjamin Steakhouse dhe dy eateries të tjera topnotch.

Benjamin Prelvukaj është sipërmarrësi i ri ambicioz që themeloi Benjamin Steakhouse.

Prelvukaj, së bashku me një alumni tjeter Peter Luger, kunati i tij, Ben Sinanaj — hapën Benjamin Steakhouse në 2006, duke e vendosur atë si një nga destinacionet kryesore në New York, te ketyre restoranteve. Arritjet e Prelvukaj që kur arriti në këtë vend janë dëshmi se ëndrra amerikane është ende nji realitet.

VATRA TËRHOQI “DOSJEN E SIGURIMIT”… Nga Dalip Greca

.. NGA AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTETE E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT

Ditën e Enjte, 22 Gusht 2019, Editori i Gazetës”DIELLI”, Dalip Greca, tërhoqi nga Autoriteti për Informimin Mbi Dokumentet e Ish -Sigurimit të Shtetit Dosjen e VATRËS. Kërkesa ishte bërë me shkrim nga Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, me 15 Prill 2019. Çështja e kërkesës së Vatrës u mor në shqyrtim në mbledhjen e datës 22 gusht 2019 në prani të Znj.Gentiana Sula, Kryetare, Z. Altin Hoxha, anëtar dhe z. Marnglen Kasmi -anëtar.

Dosja iu dorëzua Editorit të DIELLIT, pas firmosjes së deklaratës së Konfindencialitetit në ambjentet e punës së Autoritetit. Në prani të z. Marnglen Kasmi dhe Dr. Ornela Arapi, editorit iu vunë në dispozicion dokumentacioni i administruar nga Autoriteti. Informacioni është konfidencial për deklaruesin dhe do të përdoret prej tij për qëllime studimore.

Dosja totale e Vatrës ka rreth 1056 faqe të dixhitalizuara. Ajo ka në përbërje:

1- Dosje objekti “Vatra”, nr 102, deklasifikuar me vendim nr.12, dt. 17.06.2019, me numër total fletësh 277 (të dixhitalizuara 296 faqe)

2-Dosje objekti “Vatra”, nr 128, deklasifikuar me vendim nr. 12, dt. 17.06.2019, me nr. total fletësh 491(të dixhitalizuara 582).

3- Dosja objekti VATRA, vëll 3, deklasifikuar me vendim nr.12, dt.17.06.2019, me nr.total fletësh 159(të dixhitalizuara 178 faqe).

Dosja e survejimit të Vatrës dhe Gazetës së saj Dielli është hapur në vitet ’50 dhe ka vazhduar deri në vitin ’91 të shekullit të shkuar. Në 1056 faqet e saj janë të fshehur raportime të agjentëve të Misionit Shqiptar në Nju Jork, si dhe Drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, janë fshehur emra të rekurtuarish përreth dhe brenda Vatrës, Plane operative kundër Vatrës, Studime rreth veprimtarisë “armiqësore” të Vatrës dhe masat e Shqipërisë komuniste për ta paralizuar atë, Plan Masash Agjenturor-Operativ për ndjekjen, Zbulimin dhe Parandalimin e Veprimtarisë Armiqësore të Organizatës Vatra dhe gazetës së saj Dielli etj. Në shënjestër ishin editorët e Diellit.

Sigurimi shqiptar duket se ka investuar shumë në drejtim të paralizmit të Vatrës dhe të krijimit të konflikteve të saj me organizatat e tjera nacionaliste të Diaspoërs në SHBA. Një front tjetër ishte injektimi i konflikteve brenda Vatrës duke nxitur përplasjen mes grupit të intelektualëve me vatranët e tjerë, apo vatranët e vjetër me të arratisurit, apo mes vatranëve patriotë siç shprehen ofiqarët e Sigurimit dhe agjentëve jugosllavë brenda Vatrës apo Organizatae të tjera dhe Vatres, veçanerisht ne shenjester shin vatranet qe vinin nga emigracioni politik,. Vatra në të gjitha relacionet, udhëzimet, planet operative për paralizmin e saj, etiketohet si reaksionare, armiqsore, vegël e depratamentit të Shtetit, bashkëpunëtore me FBI e CIA.

Sigurimi shkon deri atje sa kërkon paralizmine punës së editorëve të Diellit, duke filluar që me Qerim Panaritin, Athanas Gegaj, luftë e ashpër për të ndaluar emrimin e Bilal Xhaferrit si editor i Diellit dhe shumë investim për të mos lejuar ardhjen e Eduart Liços, Arshi Pipës në krye të Diellit, lufët e kurthe për të larguar Xhevat Kallajxhiun nga drejtimi i Diellit( Sigurimi shkruante Letra Anonime për demskimin e Kallajxhiut(etj etj……Etj.

Në faqet e dosjes ka pseudonime(Luani, Kështjella, Korabi, Shigjeta, Teli, Pellgu,Tablloja, Mali, Gjahtari, Vullkani, Malësia, Sazani, Shqiponja, Ngjala, Blloku dhe pseudonime shifrore, …, persona që fshihen pas shifrave, agjentë, që ushqejnë me raporte Sigurimin etj etj…

 

Kaq sa për fillim.(Editori)