VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Konica: “Shqipëria nuk bëhet. Të pasurit nuk ndihmojnë, të varfërit nuk punojnë”

By | January 7, 2018

Komentet

Eshref Frasheri si krijoi pasoja aq të randa per kohen e ardhshme? – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

 

Graz, me 26 Kallnduer 1952

 

Shum i dashtuni mik,

Letren e dashtun e shum t’interesantshme tande e mora dje e të falem nderës per së fortit. E kam lexue vetem nji herë njeket leter, prandej per tash nuk po due me lypë skjarime tjera per çashtje të traktueme në ket leter kaq të gjatë e të randsishme – në vend qi me e thirrë leter kte e dý të perparshmet, kishte me u dashtë të thirreshin traktate – , vetem nder kto dý pika:

1) A dini ndoj gja mâ gjatë per ket Eshref Frasherin, kaq njeri i zoti, sa me krijue nji gjendje në Shqypní, qi me pasë pasoja aq të randa per kohen e ardhshme? Me të diftue të drejten, ket Kongresin e Lushnjes vetë e kam mbajtë perherë si gjâ fort të randsishme në pikpamjen kombtare, sa qi çuditem qi ket kongres e kanë drejtue e gatue Toskët e jo Gegët. Se si mandej, prej ktij kongresi kanë mujtë me rrjedhë gjith kto të kqija, âsht nji gjâ qi nuk mundet me u kuptue ashtu pá tjeter. Por ndoshta, kúr t’a lexoj e t’a studjoj mâ gjatë letren – traktatin deshta të tham! – tanden mâ me vemende e kujdes, ndoshta po tham, kam me mujtë me kuptue ndoj send mâ teper.

2) Më permendë punen e atij hinglizit t’Intelligence service. A mundeni me më kallxue mâ gjatë mbi rolin qi kanë lujtë hinglizt e informacjonit sekret në Shqypní? Në librin “Il sangue tradito – relazioni jugoslavo-albanesi 1938-1949”[1], flitet shpesh herë e kritikohet fort vepra e ktyne hinglizve në Shqypnín t’onë. Nder sá tjera,  thohen në faqe 108 njekto fjalë: “Molti alfieri (portabandiera) – dell’Albania Settentrionale, di Ljuma, Krasnic, Bitic, Mate, Gornji, Debar, lavoravano già di generazione in generazione per l’Intelligence Service. Così per esempio, nella famiglia di Hagi Ljesi c’è un vecchio il quale, per servigi resi al servizio informativo brittanico quaranta e più anni fa riceveva continuamente ogni sabato un montone ed alcune monete d’oro, il che gli perveniva regolarmente per anni, e perfino durante questa guerra”. [2]

Shka thoni ju? – Per mâ teper dishroj me dijtë:

3) Rolin e Luigj Gurakuqit sidomos në relacjon me proklamacjonin e vetqeverimit në Vlonë 1912. Dikund kam lexue se Luigji thirret “Sekretari i 1912-s”. A âsht kenë Luigji sekretar i Ismajl Qemalit a si âsht per t’u kuptue kjo punë? A âsht mandej e vertetë se Luigj Gurakuqi âsht kenë si kshilltár apor si sekretár pranë Ded Gjo’ Lulit në lëvizjen e Malcís së Madhe? Per Luigjin kishe me dashtë me dijtë shum, sidomos per sa i perket politikës së jashtme shqyptare. Rolin e tij në kohen e opozitës e të popullores ndoshta shkon teper gjatë me e kallxue tash. Me gjithkta vrasen e tij nuk e kuptoj mirë. Në nji numer të “Hyllit të Dritës”, Marc 1944, kushtue Luigj Gurakuqit e Bajram Beg Currit, flitet per dekë të tij e kurrkund nuk del kjartë  në shesh se kush e shtini Baltjon Stambollen me e vrá të shuemin Luigj. Thohet se kvestura e Barit ndaloi me bâ funeral të madhnueshem neper gjytet të Barit e lejoj vetem ate nder vorre. Flitet mandej gjatë per padrejtsí të gjygjit të Tranit etj. Njeri qi lexon ket artikull, mendon se Luigjin e kanë vrá Italjant e kurrkush tjeter nuk ka pasë gisht në ket vrasë.

4) N’ Illyrisch-albanische Forschungen, blê II, faqe 232 lexohen njekto fjalë: “Nur im Süden bei den Tosken, die im Vergleich zum Norden viel fortgeschrittener waren, konnte man seit langem unter den mohammedanischen Beys die Anfänge einer keimenden national-albanischen Idee konstatieren. Die mohammedanischen Tosken bekennen sich jedoch fast ausscaließlich zu der religiösen Sekte der Bektaschi, die eine liberalere Weltanschaug vertritt, und z. B. eine Regelung der sozialen Verhältnisse durca die Religion nicht anerkennt. Vort mind konnte sich ein Nationalbewußt-sein allmählich bilden, dort sind auch die ersten von den Tosken selbst erhaltenen albanischen Schulen entstanden. Im übrigen Albanien standen die Mohammedaner mit wenigen Ausnahmen der albanischen Nationalidee gleichgiltig, wenn nicht gar-wie jene Skutaris-direkt feindlich gegenüber”. [3] Shka thoni ju mbi ket pikë? Sidomos mbi fjalët e nenvizueme prej meje nuk kam aspak haber se shka don me thânë ky Zotní Karl Thopija, qi i shkruen. (Në kllapë: a âsht ky Karl Thopija ktu nji pseudonim a por nji personë e vertetë?).

Në librin e Richard Busch-Zantner, të cilin vetë shpesh herë ta kam çitue, lexohen kto fjalë mbi Bektashizmen në faqe 40-41:

“Die zweite islamische Glaubensgemeinschaft ist der Bektaschismus, eine aus einem Derwischerorden heraus entwickelte pantheistische Sekte. Als Derwischerorden war der Bektaschismus zunächst in Klein-asien zu Hause, hat dann aber wahrscheinlich durch die enge Verbindung seines Begründers Beltash zu den Janitscharen, deren sozusagen “erster Feldpropst” der war, auf Europa übergegriffen, und tatsächlich liegt auch Bektash in einer Moschee der Istanbuler Verstadt Beshiktash auf rumelischer Seite bestattet-Seit etwa 1530 ist der Orden in Albanien nachweisbar, wo er in der Folgezeit namentlich in der Schicht der Feudalität eine große Anghängerschaft erworben hat, die ihn nicht nur materiell unterstützte, sondern auch überallhin, wo es albanische Feudalherren gab, verbreitete. In Aliculi, einem kleinen, von meist albanischen Großgrundbesitzern bewohnten Nest Thessaliens, gab es zum Beispiel schon im 18. Jahrhundert ein berähmtes Kloster des Ordens, und daß Derwische, vor allem die Bektaschi-Derwische, am Hofe Ali Paschas zu Janina um dier wende des 18. Jahrhunders unbeschränkten Zugang genossen, ist bekannt. Noch heute ist das Derwischerwesen in Albanien ziemlich lebendig; namentlich im Frühjahr, von dem Einbruch der großeb Sommerhitze, kann man die Mönche überall auf Vanderschaft sehen.

Diese intimen Beziehungen nur konservativen Agrarfeudalität und nicht zuletzt die traditionellen Beziehungen zu den Janitscharen veranlaßten Sultan Mahmud II., 1826 den orden aufzuheben und blutig zu unterdrücken, ohne ihn ober ausrotten zu können.

Sowohl in Kleinasien, in Ägypten- das dortige Königshaus ist albanischer Herkunft-wie in der Umgebung Istanbuls erhielt er sich fort. Sein Hauptverbreitunsgebiet wurde aber Albanien mit dem Mittelpunkt Kruja, wo er seit dem 16. Jahrhundert nachweisbar ist. Politisch trat er im neuen Albanien bereits 1920 in Erscheinung, als in den Regentschaftsrat erstmals auchtein offizieller Vertreter des Bektaschismus beufen wurde. Nachdem schon 1928 eihe auch rechtliche Verselbständigung der Glaubensgemeinschaft erötert wurde, ward sie 1932 endlich vollzogen. Die Anhängerschaft mag sich auf etwa 100. 000 menschen belaufen.

Në nji vend tjeter po të njajtit auktor thohet: “Akif Pascha Elbassani, ein enger Mitarbeiter Achmed Zogus während der Elbassaner Tage 1916 und vorher schon ergehener Anhänger des Prinzen zu Wied, vertrat den Bektaschismus im Regentschaftsrat nämlich. [4]

A âsht edhe Ahmet Zogu Bektashi?

5) Dishroj me dijtë se deri ku kanë veprue komunistat Shqyptarë indipendent prej komunistave të Titos; flas per kohen deri qi Tito u prish me Mosken, d.m.th deri në veren 1948. Mizorít e bame në Shqypní a do t’u ngarkohen mâ fort komunistave jugoslav apor atyne të Shqypnís? A thue lista e Shqyptarve për t’u mbytë âsht gatue në Belgrad, apor komunistat shqyptarë vetë kanë punue pavarsisht  nemosè per shka u perket mizorive. Më kande me dijtë taman kush e ka pergjegjsín e madhe morale per kto mizorí. A i kanë në shpirtë e ndergjegje të veten ata të Belgradit apor ata të Enver Hoxhës jetët e njerzve mâ me randësí të Shqypnís të kputuna prej ktyne mizorve?

Po e kpus letren, mbasi po mbaron, tue të diftue se i kam shkrue Mbretit qysh me 31 dhetuer, tue i thânë se tash tre muej Mustafa Kruja pret pergjegje prej Madhnís së Tij per të nenshkruemin. Kurrnji fjalë mâ teper, perveç shndeteve e nderimeve mâ të kthellta.

Per sot njiherë Tý po të dergoj shndet e daulet.

Miku i Yt

P.P. Margjokaj O.F.M.

 

  1. S. – Para nja dy muejsh âsht shtypë në Innsbruck, Tyrolia Verlag, njëky liber: Hans Kramer (Profesor i historís moderne n’ univers. t’ Innsbruckut), “Die Großmächte und die Weltpolitik 1789 bis 1945.[5] Âsht nji blê i madh mâ se 800 faqesh, mjaft i interesantshem. M’a ka dhânë nji student i universitetit qi banon ktu në kuvend me mue, e edhe profesori i historís moderne ktu në Graz e ka levdue. Ndoshta t’intereson me e pasë apor ndoshta e intereson edhe Mbretin ky liber, qi kushton 160 Schillinga Austrijet.

 

 

Ramleh (Aleksandrí), 21. II. 1952

I dashuni mik,

Po t’u përgjigjem me sa mundem pyetjeve të letrës me 26 të mojit të kaluem.

Për Eshref  Frashërin. veç sa të kam shkrue deri tash, nuk dij tjetër me themel. Mundem me shtue edhe nji gjâ të vetme: kur në 1923 Ahmet Zogu mbërrîni me shkatërrue Klikën përmbrênda Eshrefi mbet me tê, por edhe ndër sŷ të tij e kishte humbun tashmâ çdo rândsí politike, kishte dekun.

Un s’dij me sigurí kurrfarë hollsinash mbi shërbimin informativ ingliz në Shqipní. Sa për Il sangue tradito, ai libër t’a merr edhe tý mêndja qi âsht fund e krye tendencjoz.

Mbi Luigj Gurakuqin âsht shkrue mjaft, relativisht, e ndër tjera, shkrime gazetash e rivistash, ka edhe nji bijografí të shkurtën, nji librec, të Gjon Kamsit. Për ato pika specifike qi më pyet ti po të përgjigjem me aqë sa dij. Me sa dij unë me të ndieme, por gati me sigurí, në kryengritjan e madhe të malsorve të Mbishkodrës, Luigji ka qênë në Cetinë bashkë me Ismail Kemalin edhe 12 pikat e librit të kuq për autonomín e Shqipnís qi u lypshin atëherë n’emën të kryengritësvet, ata i kanë përpilue.

Luigji ka qênë njohun me Ismail Kemalin përjashta, ku ishin të dy t’arratisun. Bashkë patën zdrypun edhe në 1912 në Durrës ku u përgatit mbledhja e kuvêndit të Vlonës. Sekretar i këtij kuvêndi, ku un pata shkue si delegat i Krujës bashkë me ta, ka qênë Luigji. Pjesa shqipe e shpalljes së pamvarsís âsht shkrim i tij e tyrqishtja e dorës s’Ismailit. Luigji ka pasë qênë shoq i këtij të fundit e si dora e djathtë e tij, jo sekretar me rrogë.  Âsht interesant nji anekdot, qi s’âsht shkrue ndonji herë. Ishim disa vetë në zyrën e kryetarit: ditt e para qi qe shpallë pamvarsija. Nuk mbaj mend si u ashpruen fjalët ndërmjet Gurakuqit e Xhemil Be Vlorës (Kuvêndi ka qênë mbledhun në shtëpí të këtij të fundit e atje ishte ende edhe zyra, a, mâ drejtë me thânë, salloni ku pritte plaku.) Xhemili e buer ekvilibrin e, si ishin mësue bejlerët me të krishtenët e Jugës në kohën e Tyrqís, lëshoi nji fjalë të rândë kundrejt Shkodranit, i tha “ushak”, tyrqisht, qi don me thânë shërbtuer, laquet. Shkrepte në lidhnít qi kishte Gurakuqi me Ismailin. Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh turîjve. Tjerët e kapën beun e e çuen në harem, te grát e s’u bâ mâ kurrfarë reakcjoni. Luigji s’e hiqte n’ato kohna të turbullta kurrë alltijen nga brezi, e ruejna Zot pat me u bâmë nami. Mâ vonë i pajtoi Plaku. Ky, me gjithë qi Xhemilin e kishte nip, donte e çëmonte njiqind herë mâ fort Luigjin.

Gurakuqi qe zgjedhun prej kuvêndit ministër i arsimit. Sekretar i kryesís së këshillit ministruer, për nja tre muej e mâ tepër, s’e mbaj mênd mirë, kam qênë un.

Për sa i përket ideve të Gurakuqit mbi politikën e jashtme të Shqipnís, në dish gjâ për mue, s’ke nevojë me pyetun mâ gjatë : un jam nxânës i tij. Vetem se ai s’e ka pasun guximin t’em, tutej tepër, i shueti, prej demagogvet e gojkëqijvet. Faik Konica, qi s’mund t’a shihte me sŷ – se edhe këtij i a ka pasë  futun nji shkop (ishte moda me bartun zotnít shkopij aso kohe) në nji mbledhje në hotelin Kosova të Durrsit, ku ishem edhe un, nën Princ Wiedin – e qi dinte me i a gjetun gjithkuj nji ofiq, i a ka pasë ngjitun “miku i gjithkuj”, shi për nj’atë temperament qi kishte për mos me i a prishun qejfin askuj.

Në parlament ka qênë nji ndër liedert mâ të shquemit t’opozitës.

Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qênë kundrështar deri qi nuk qe vêndosun, ka luftue si luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u vërtetuen mâ vonë njâna mbas tjetrës. Por, mjerisht, mbandej, kur s’i eci mâ fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin.

Në vrasën e tij s’ka pasun kurrgjâ të misterët e prandej âsht kot qi të më pyetsh mue. Un kaq po të them: qi Luigj Gurakuqi âsht bâmë flí e panjohjes së shpirtit të pastër, të patrijotizmës së kulluet e të ideve politike të vërteta të tija. T’i kishin qênë njohun e dijtun këto të gjitha, ashtu si i kishte me të vërtetë, Luigji s’ishte vramë. Tý ndoshta këto fjalë të mija kanë me t’u dukun sibiline e s’ke me i kuptue mirë ; por s’ka gjâ, shënoi vetëm si nji gjykim historik, e dikur ke me i kuptue. S’e kam këndue shkrimin e Hyllit të Dritës, por puna s’âsht ashtu si e paske nxjerrë ti prej atij shkrimi. Italjanët s’e vranë Gurakuqin, por spekuluen mbi gjakun e tij : gjyq’i Tranit ka qênë nji shkandull e nji njollë qi s’i hiqet kurrë gjyqsís fashiste.

Asaj pjesës qi paske kopjue prej veprës Illyrisch-albanische Forscungen, të më falësh se nuk do t’i përgjigjem. E po të lutem, si për sa ka mbrênda ajo, ashtu edhe për tjera, me më bâmë kurdoherë pyetje të caktueme. Edhe dije qi fjalor’i im gjermanisht âsht tepër i vorfën, aqë sa s’ka frazë pa ndonji fjalë qi nuk e kuptoj, në çdo tekst qi marr me këndue. Prandej tekstet gjermanishte mbi të cilat don me më pyetun, dërgomi të përkthyeme shqip. Gramatikën e dij mjaft mirë e prandej, me ndihmën e fjalorit, kam mbërrîmë me përkthye krejt pjesën historike të vëllimit të parë të veprës qi paske ti. Un s’e kam, por e pata marrë hua.

Po ti si s’priton, bre burrë, me i shtimë vetes kujdes se kush i ka mâ tepër në shpirt e kush do t’i lajë mâ shtrêjt  n’atë jetë apo në këtê gjakun e të pafajshëmve shqiptarë e gjithë të zezat e bâme në Shqipní, a Slavët qi kanë dhânë drejtimet apo Shqiptarët qi i kanë zbatue në detaje?

Ajo historija qi qênka botue tash vonë në Graz po m’intereson fort. Por kallzomë mâ par’ e mâ dalë se sa bâjnë 160 shilingat me pare qi njohim të dy: p.sh. me lireta, fr. Zvicre a dollarë. Mbrapa shikoj xhepin e përpiqem, për n’i paça paret, me gjetun mënyrën se si me i çue. Tjetërkush s’âsht i marrë si ti e si un me shpenzue të holla për libra.

Me shumë shëndet e miqsí

 

MKruja

[1]  It. : “Gjaku i tradhtuem – marredhaniet shqiptaro-jugosllave – 1938-1949”

[2]  It. : “Shumë bajraktarë të Veriut (Luma, Krasniqja, Bytyçi, Mati, Gornji, Dibra) punojshin brez mbas brezi me Intelligence Service. (Zbulimi sekret anglez). Kështu, për shembull, në familjen e Haxhi Lleshit, âsht nji plak i cili, si shpërblim  për shërbimet qi i kishte bâ, dyzet vjet mâ pare, shërbimit informativ britanik, merrte çdo të shtunë nji dash e disa napolona qi i vijshin rregulisht prej vitesh, madje edhe gjatë ksaj lufte.”

[3]  Gjerm. : “Vetëm në Jugë te Toskët, të cilët në krahasim me Veriun ishin shumë më të zhvilluar, mund të vëreheshin prej kohësh nën bejlerët muhamedanë fillimet e një ideje t’ardhëshme kombëtare-shqiptare. Megjithatë, Toskët muhamedanë i përkisnin kryesisht sektit të Bektashijvet, i cili përfaqësonte një botkuptim liberal, dhe p.sh. nuk njihte një rregullim të marredhënieve sociale nëpërmjet fesë.  Aty dalngadalë mundi të formohej një ndërgjegje kombëtare, aty kishin lindur dhe shkollat e para shqipe të mbajtura nga vetë Toskët. Në pjesën tjetër të Shqipërisë, me pak përjashtime si disa në Shkodër, muhamedanët ishin indiferentë përkundrejt idesë kombëtare.”

[4]  Gjerm. : “Bashkësia e dytë islame është Bektashizmi, një sekt panteistik, i dalë nga një urdhër dervishësh. Si urdhër dervishësh, Bektashizmi e kishte origjinën në Azinë e Vogël por më pas,  ndoshta nëpërmjet një lidhjeje të ngushtë të themeluesit të tij, Bektashit, me Jeniçerët, i të cilëve ai ishte kleriku i pare, kaloi n’Evropë. Në të vërtetë Bektashi ndodhet i varrosur në një xhamí në pjesën evropiane të një lagjeje periferike të Stambollit. Prania e Urdhërit në Shqipëri dokumentohet që nga viti 1530. Me kalimin e kohës fitoi shumë simpatizantë ndër rradhët e feudalëve, të cilët nuk e mbshtetën vetëm financiarisht, por e ndihmuan të përhapej kudo kishte feudalë shqiptarë. Në Aliculi, një vend i vogël në Thesalí, i banuar kryesisht nga pronarë shqiptarë tokash, psh., që në shek.XVIII kishte një manastir të Urdhërit, dhe është fakt i njohur që dervishët, mbi të gjithë dervishët bektashinj, në kapërcyell të shek. XVIII gëzonin hyrje të lirë n’oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Ende sot jeta e dervishëve në Shqipëri është e gjallë (aktive) ; përkatësisht në pranverë, para ardhjes së nxehtësisë së madhe të verës, mund të shikohen kudo murgjër në shtegtim.

Kjo marredhënie intime me feudalët agrarë dhe jo më pak marredhënia me jeniçerët e shtynë Sulltan Mahmudin II më 1826 t’a shfuqizonte dhe t’a shtypte në mënyrë të përgjakshme urdhërin, por pa arritur t’a shfaroste përfundimisht.

Si në Azinë e Vogël, n’Egjypt – ku shtëpia e atyshme mbretërore është me origjinë shqiptare – ashtu dhe në rrethinat e Stambollit, urdhëri vazhdoi të ekzistonte. Zona kryesore e përhapjes së tij ishte Shqipëria me qendrën  në Krujë, ku dëshmohet të ketë ekzistuar që prej shek. XVI. Politikisht ai u shfaq në Shqipëri më 1920, në Këshillin e Regjencës për herë të parë u shfaq zyrtarisht një përfaqësues i Bektashizmit. Pasi që më 1928 u diskutua dhe shpallja e pavarësisë së bashkësisë fetare, kjo u përfundua më 1932. Numuri i simpatizantëve të tij mund të shkojë tek 100000 vetët.

Aqif Pashë Elbasani, një bashkëpuntor i ngushtë i Ahmet Zogut gjatë ditëve të Elbasanit më 1916 dhe më parë simpatizant i Princ Vidit, në Këshillin e Regjencës përfaqësonte përkatësisht Bektashizmin.

[5] Gjerm. : “Fuqitë e Mëdha dhe politika botërore prej 1789 deri në 1945”

Nëpërmjet fotografive historike të Excelsior – ngjitja dhe rënia e Princ Vidit nga froni shqiptar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Nëntor 2019

Gazeta franceze “Excelsior” e ka ndjekur nga afër ngjitjen dhe rënien nga froni shqiptar të Princ Vidit. Fotografitë e saj historike dhe ekskluzive Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Princesha Vilhelm Vid, e lindur princeshë Sofia e Schoenbourg-Waldenbourg-ut, gruaja e princit Vilhelm Vid, i cili sapo ka aplikuar për fronin e Shqipërisë.

Kjo është fotografia e fundit e princit Vilhelm Vid, kandidimi i të cilit për fronin e Shqipërisë është jashtëzakonisht serioz.Princi është me vajzën e tij.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrësi, pamjet e të cilit i botojmë këtu, do të shërbejë si kryeqytet i përkohshëm i Princit Vid, sovranit të ri të Shqipërisë. Durrësi është tashmë kryeqytet i njërës prej qeverive aktuale. Ky qytet luajti një rol të madh në luftërat e fundit ballkanike.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Fotografia e fundit e Princ Vidit (+) në Berlin. Sovrani i ardhshëm i Shqipërisë po pritet në Romë. Ai do të niset me anije nga Trieste për në Durrës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne e dimë që Princ Vidi sapo ka shkuar në Romë përpara se të niset për në Shqipëri, vend i të cilit ai është sovran. Princi (1) pati një bisedë të rëndësishme me Markezin e San-Giuliano-s (2), ministrin e Punëve të Jashtme.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi (+), sundimtari i ri i Shqipërisë, mbërriti mëngjesin e djeshëm në Paris, nga Anglia. Princi u nis në mbrëmje për në kështjellën e Neu-Wied-it, ku synon të qëndrojë disa ditë para se të niset për në Durrës. (Central-Excelsior-Foto.)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi është veshur këtu me uniformën e tij të re të gjeneralit shqiptar, të cilën do ta veshë gjatë hyrjes së tij në Durrës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi, pasi vizitoi carin në Shën Petersburg, u nis për në principatën e tij të Shqipërisë. Për ta mirëpritur atje nevojiteshin disa buçima (jehona), dhe që këto buçima ta nderonin, ishte i nevojshme një top; kështu që po transportojnë një të tillë për në Durrës, ku po përgatiten apartamentet e sovranit të ardhshëm.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi la kështjellën e tij të bukur Neuwied-it për të shkuar në Durrës ku, siç e dimë, ai do të ketë një akomodim më pak luksoz. Princi shoqërohet në Shqipëri nga një flotë ndërkombëtare që  e dallojmë këtu.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi mori një masë të mençur paraprake para se të shkonte në Durrës. Ai u parapri nga mjeku i tij, doktor Berghausen (+), i cili ka si mision të vaksinojë shqiptarët. Kjo masë higjienike ishte, siç duket, shumë e nevojshme në një vend mjaft primitiv.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princi dhe princesha Vid, ose për të folur më saktë, princi dhe princesha e Shqipërisë u nisën të enjten e kaluar për në Durrës, ku arritën pardje. Ata u nisën në bordin e « Taurus-it » me festime të mëdha. Ndërsa bateritë e bregdetit, skuadroni austriak dhe anijet e huaja luftarake po qëllonin në drejtim të qiellit, një turmë e madhe shtyhej për të marrë pjesë në këtë nisje (udhëtim) historike.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vidi I, mbreti i Shqipërisë, Princ Vidi, do të bëjë sot shpalljen e ngjitjes një fron para popullit të tij. Lexuesit tanë do të lexojnë më tej tekstin e kësaj shpallje. Dje morëm dokumentat e para në lidhje me hyrjen e sovranëve në Durrës. Ata u mirëpritën me një entuziazëm për të cilin kemi folur.Kjo është një faqe historike që botojmë këtu.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kjo fotografi tregon mbretëreshën e Shqipërisë dhe fëmijët e saj në mes të popullit të tyre të ri, në Durrës. Princat e rinj janë të rrethuar nga ushtarët të cilët kanë kujdestarinë (mbrojtjen) e tyre.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha, i cili u arrestua me urdhër të mbretit të Shqipërisë, ka luajtur një rol kryesor në rrjedhën e luftës në Ballkan. Ne botojmë këtu dy fotografi të tijat, të shkrepura gjatë një distance kohore njëvjeçare : njëra e paraqet pas marrjes së Shkodrës, ku ai ishte një mbrojtës i madh ; tjetra ndërsa ai shoqëron Princ Vidin gjatë hyrjes së tij në Durrës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne e dimë se çfarë ngjarjesh të rënda po ndodhin sot në Shqipëri. Durrësi është i rrethuar nga rebelët myslimanë. Princ Vidi ka, për tu mbrojtur në kryeqytetin e tij, kontigjentin e marinarëve austriakë dhe italianë, i përbërë nga trupat malësore dhe mirditore.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrësi, teatër i luftërave historike, ofron në këtë moment aspektin e një qyteti të rrethuar. Princ Vidi, në mes të trupave besnike, ende u bën ballë kryengritësve myslimanë, të cilët dëshirojnë ta detyrojnë atë të heqë dorë nga froni. Luftimet të përgjakshme, për të cilat kemi raportuar, janë zhvilluar në të gjithë qytetin.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrësi, gjatë këtyre ditëve të fundit të rrethimit, ofroi një spektakël të vajtueshëm. Rrugët ishin plot të plagosur, dhe, fare thjeshtë, u varrosën viktimat e luftimeve të fundit. Ne e dimë se situata e Princ Vidit është bërë shumë kritike dhe se Bib Doda, princi i Mirditës, është mbështetja e tij e vetme në vend.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqiptarët që kanë mbetur mbrojtës të fronit të prirur nga Princ Vidi u lejuan kohët e fundit të furnizoheshin me municione. Ne i shohim ata të furnizohen, gjë e cila u ka lejuar atyre të rezistojnë deri tani dhe falë furnizimit, Durrësi nuk ka kapitulluar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrës, 3 Shtator. Princ Vidi u largua në orën tetë të mëngjesit në bordin e anijes italiane Misurata, në drejtim të Venecias.

Flamuri kuq e zi valvitet në pallatin e qeverisë në Vlorë, ndërsa flamuri turk valvitet në kazermat e xhandarmëve, ku ndodhen kryengritësit.

Udhëheqësi i kryengritësve u dha konsullatave garanci në lidhje me rendin publik.

Kolonia evropiane është mjaft e qetë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

VETVRASJA E NJË KOMBI – PJESA E PESËMBDHJETË – D U H E T V E T M O H I M – Nga KOLË MIRAKAJ

 

 

D U H E T   V E T M O H I M

 

Kur tendencat, kuptimet e aspiratat janë të ndryshme, po gjithnjë kanë (o sëpaku duhet të kenë) një synim, për të mujtë me arrijtë në përfundim ndertues, sidomos, në raste e çaste kaq të vështira e me randsi si kjo e yna sot, – çeshtje jete ose vdekje për Kombin – asht kusht i domosdoshëm v e t m o h i m i. Por vetmohimi del i dobishëm kur vjen anasjelltas (reciprok), si përfundim i vullnetit të mirë të palëve, përndryshej nëse, vetëm njëpalë i shtrohet këtij kushti (sado të jetë e shtyme nga ndjenja e fortë e Atdhedashunisë ose e kuptimit ma të naltë se të tjerët), ndërsa, pala tjetër këte fryt virtyti të naltë nuk don ta çmojë, por don ta shfrytëzojë si ligshti, atëherë, vetmohimi unilateral (i njëanshëm), në vend të dobisë, del i damshëm për çeshtjën e vërtetë, ligshti e naivitet për viktimën, sëpse, jep rasën të shfrenohën krejtësisht njerzit që nuk kanë vetdijen (bounsensin) e përgjegjësisë.

Né ua kemi ofrue pa ngurrim e vazhdimisht vetmohimin tonë në kuptimin anasjelltas, në interesin e përgjithshëm, e për këtë jemi gati përherë, por kurrë nuk e kemi gjetë mirkuptimin as në masën ma të vogël ndër të tjerët; e nëse, kujtuem, se e gjetëm ndonjëherë, si ndër rastet që kam shenue, të bisedimeve me Mit’hat Frashërin e tjerë, nuk zgjati kurrë matepër se pak orë. Nuk u vue kurrë në veprim.

***

Kur deshtuen përpjekjet e para (1945), patën kenë sjellë sytë e shpresat e të gjithëve né tek Mit’hat Frashëri. Besojshim se Ai, do të kish kenë njeriu i kohës e në naltësi për të afrue e përpunue mendime dhe frenue pasjonet. Rreth Tij shpresojshim se mund të përqendroheshin forcat kombtare në mërgim dhe pritshim, që kjo nevojë kombtare të realizohej porsa të lirohej Mit’hat Frashëri.

E them me dorë në zemër e pa as ma të voglën hile (dredhi), se lirimin e të ndjerit Mit’hat bej, e patëm pritë si ardhjën e njëfarë “Mesije” të kohës. Iu drejtuem si një babe; dhe pohoj, se tue bisedue me Té, atypëraty, sejcili nesh u nda i knaqun e me shpresa të mira prej Tij, por fatkeqsisht – siç asht provue prej fakteve -, të gjitha u zhytën përherë në pellgun e obstrukcionizmës mbrenda pak kohe.

Tashma, asht e kjartë se, simbas mendimit të Mit’hat beut (një mendim jo i Tij i pavarun, po i nënshtypun ma tepër nga rrethi i Tij, dhe i manovrimit të errët mbas perdes), disa prej nesh duhej ta quejshim vetën “fajtorë e të vdekun përsëgjalli”.

Do ta kishim pranue edhe këte vetflijim suprem, – si detyrë ndaj çeshtjes së madhe e t’ ankthshme t’ Atdheut -, sikur të kishim bindjen ma të vogël, o sëpakut dyshimin se jemi vërtetë fajtorë, të pakten sa të tjerët, për fatin e zi t’ Atdheut. Por meqë faktet janë të kundërta, të cilat, provohën në pasqyrën e vërtetë të ngjarjeve, se shumë e shumë ma fajtorë se né janë të tjerët, ata që deshrojnë vetë të tregohën engjëj, e né të na paraqesin si dreqën, therorija unilaterale e jona jo vetëm, nuk do ti sillte ndonjë dobi çeshtjes, po përkundrazi, dam e dam të madh. E né do të bajshim edhe në faj e krim kundër vetvetes e fëmijëve tanë.

Një akt i tillë nga né, do ti shëmbëllente supozimit – të thomi – sikur nga dy vllazën, njeni i matun e tjetri kryekcyem, kryekcyemi i ka dhanë zjarrin shtëpisë, e mandej, me kërcnim i thotë vllajt t’ urtë : “Ti e dogje shtëpinë. Pohojë!” Nëse tjetri do ta bante këte pohim, në vend që të sjellë dobi, do të inkurajonte kryekcyemin, ti fusë zjarrin edhe kësollës njëditë që do ti binte njëtjetër trill çmendije!

Jo, vetmohimi unilateral nuk sjellë dobi, kur nuk gjenë mirkuptim e të njajtën ndjenjë edhe n’ anë tjetër; përkundrazi sjellë rrënim. Ketë nuk mund ta bajmë kurrë! E jo, vetëm për fajin që do të bajshim ndaj vetvetes, po sëpse, do të bajshim faj edhe vetë kundra Atdheut e Popullit Shqiptar.

Kujtojmë, dhe kemi bindjen se, nuk mund të jenë të tjerët ma të lidhun shpirtnisht as materialisht me Kombin se né, as që të jenë në gjendje me u vetflijue ma tepër ose me veprue ma me mend e ma mirë se né për Popullin Shqiptar; dhe as që të përfaqsojë e të shprehin ndjenjat e nevojët e Tij. Sëpaku, e kaluemja e të dy palëve dëshmon të kundërtën, e për të ardhmen askush nga të mërguemit nuk mund të shprehet me siguri, në mos kjoftë nga ata mendjelehtët që ngrehin kështjella n’ ajr!

Gjykimin ka për ta dhanë Populli Shqiptar në të ardhmën, e vetëm, Atij i përket kjo e drejtë!

***

Tashti, mbasi mbaruen e shkuen huq “qorrfyshkët” fashizëm e kolaboracionizëm, ka dalë teza “Për program e konservatorizëm”, ose ma mirë shprehët: “Reaksionarë”! “Bloku Kombëtar nuk ka një program, por asht një grup reaksionarësh konservatorë” – thonë këto kohët e fundit -, kurse, të tjerët paraqitën me dekalogë, programe e reforma progresive të shkrueme, a thue se gjithshkafja tjetër asht krye!

Mbi programin e Blokut kam folë shkurtimisht, e nuk e ndjej nevojën të zgjatëm ma, por nuk më duket pavend të pohoj se, nëse konservatorizëm o reaksionarizëm don të thotë: “Me ruejtë të papërlyeme virgjinitetin e tharmit (esencës) së shpirtit Shqiptar, për ta shartue me qytetnimin modern, atëherë, né vërtetë jemi konservatorë e reaksionarë. Por, këte pasuni të Kombit, të rracës trako-ilirjane, e cila shprehet në zakone Shenjte, si Nderi, Besa, Burrnia, urtësija, trimnia, vetmohimi, jeta familjare fisnike edhe kur në vobegsi, bashkjetesa socjale me dinjitet të gjithpalshëm e kuptim njerzor, krenari e pervujtësi të përputhuna me fisniki, dhe mikpritje burrnore dhe e pashoqe për mikun e anmikun e tjera, né do ta ruejmë, do ta konservojmë me të gjitha forcat e shpirtit, e lè të quhemi mandej konservatorë, reaksionarë, në daçin edhe fashista, e do ta ndjejmë veten krenarë të jemi të tillë konservatorë, të tillë reaksionarë e edhe të tillë fashista.

 

BASHKATDHETARË!

 

Nuk duhet harrue se revolucioni bolshevik i Enver Hoxhës e Mehmet Shehut me shokë, vërtetë e ka sjellë në tragjedinë ma të zezë kombin tonë, por njëheri, ka sjellë edhe në zhdavaritjën e turbullinave mendore demagogjike. I ka hapë sytë e pjekë gjykimin Popullit që ka pësue martirizimin, e sigurisht, e ka pjekë, të dijë me ndjekë rrugën e vërtetë të interesit e jetës së Tij Shqiptare. Mos të mendohet se procesi që asht zhvillue e vazhdon të zhvillohet nëpër këte tragjedi, mund të nxjerrë në dritë punë të reja e njerzë të rijë që né, as nuk na e pret mendja!

Kushdo, që mendon të kthehet në Shqipni me mendimet e para Nandorit 1944, ai i bie ndesh korrentit (rrymës), i cili patjetër e përmbysë dhe e vé përpara.

Detyra ynë në mërgim asht me krijue konditat e favorshme për shlirimin e Atdheut nga tiranija bolshevike, e mbasi të kthejmë n’Atdhe, jo, me vue në veprim pasjonet e epshet tona, tue i ra ndesh rrymës, po, me u përpjekë me e kanalizue rrymën në drejtimin ma të dobishëm kombtar, për të ardhmën e Atdheut, tue zbutë pasjonet, tue u përpjekë me zbutë e ndalue hakmarrjet e ndasitë që ka shkaktue rregjimi djallzor i Enver Hoxhës. E kjo duhet me sa ma pak viktima të jetë e mundun!

E kjo, duhet me pasë kuptimin njerzorë e atnor, sidomos, ndaj RINISË; sidomos asaj pjese të Rinisë që asht komprometue, tue pasë përqafue idenë e Moskës në mirbesim.

Askush ma tepër se unë e kolegët e mijë, nuk ka arsye me pritë këthimin në Shqipni me mllefin e hakmarrjes; askush ma tepër se né që na janë shkimë trojet e gati shue familjet nga sikarët e Enver Hoxhës; se né që kemi dhanë gjakun e jetën e bijve, vllazënëve, kushrijëve e dashamirëve tanë në luftën e rrezistencës, për të mbajtë gjallë frymën e Lirisë. Askush nuk ka ma të drejtë se né, me marrë vendin e akuzatorit, kundra atyne që bashkpunuen verbsisht me bolshevizmin e të tjera korrente, derisa i sollën Kombit fatin tragjik që pësoi. Askush ma tepër se né, nuk ka të drejtë të bajë pjesën e prokurorit në këté gjyq fatal të historisë; se né që me kohë e ma të parët, dalluem rrezikun mortar të bolshevizmit, që lshuem të parët e në kohën ma të përshtatëshme kushtrimin kundër këtij rreziku; që filluem luftën të parët dhe shprazëm fishekun e fundit kundër tij, dhe sot, vazhdojmë me të njajtën bindje e pakonfuzjon ta luftojmë; kurse, të tjerët nuk patën dritën e arsyes as me e pa në kohë rrezikun, as me e dallue mirë até, as me e luftue në kohë, e si duhej. Megjithketë, Atdhedashunia që e kemi të zieme  me zjarrin e vetflijimit epror, me gjakun e Atyne që kjenë drita e syve tanë, na urdhon të shuejmë pasjonet e të drejtat, e mbi ato të vemë dobinë eprore të Kombit: MIRKUPTIMIN E VLLAZNIMIN!

Prandej, rrimë me dorë shtrij Shqiptarisht, edhe drejtë të gjithë atyne që mund të kenë gabue në mirbesim, kjofshin këta në mërgim, ose edhe n’ Atdhe.

Nuk më mbushet mendja të ketë Shqiptar me mend e vullnet të mirë, të mos i jetë neveritë deri në të vjelltë, gjendja absurde e e turpëshme e këtij emigracioni, tue shpifë, sha e akuzue njenitjetrin, tue shkaktue në këte mënyrë shpartallimin e forcave kombtare antikomuniste; e njëherit, tue i zgjatë jetën tiranisë s’ Enver Hoxhës e martirizimin e Popullit . E jo, vetëm kaq ! Po njëherit, tue ba edhe lodrën e anmiqëve të jashtëm, që kanë kërkue përherë të na paraqesin si një popull barbar e mercenarësh, gati me iu shitë kujtdo, pa ideal, pa ndjenjë Atdheu, e prandej, edhe të pa denjë për vetqeverim. Nuk ka armë ma të mirë që mund tu epet në dorë anmiqve të Shqipnisë, sesa ajo që po ua japin disa shqiptarë, tue ba njenitjetrin tradhëtarë, të shitun!

Të gjithë tradhtarë? Të gjithë të shitun ? Vajhalli!..

Mjaft ma! Për hir’ t’atij Populli fatzi që po martirizohet e shkrihet si qiri nën flakë, në rrjedhim – në pjesën ma të madhe – të kryekcyemjeve e foshnjerive tona! Mjat ma! Për hir’ t’atyne fëmijëve që presin prej nesh t’ ua lamë një Atdhe, nji votër e pasuninë shpirtnore që na lanë né të Parët!

Mjaft !

Nuk ka njeri të natyrës njerzore që nuk gabon gjithë jetën e tij.

Të gjithë mund të kemi gabue. Por kur gabimi nuk bahet me qellim, e aq ma tepër kur gabimi rrjedhë nga qellimi i mirë e desinteresi përsonal, jo, nuk asht as nuk mund të quhet tradhëti!

Nuk duhet të ketë, e uroj të mos ketë Shqiptarë të përgjegjshëm para ndërgjegjes së vet, para kuptimit ma elementar të jetës, që të bahet vullnetarisht, ose ma mirë të them me vetëdije, vegël e anmikut të Atdheut për interesa përsonale; çka do të ishte vërtetë tradhëti.

Nuk due të mbroj as të akuzoj në këte kuptim, për hatër o për inat; por logjika e ndërgjegja ime nuk më lejojnë që me gjakftohtësinë e mendjes së ekuilibrueme, të quej thjeshtësisht tradhëtarë as edhe vetë Enver Hoxhën e Mehmet Shehun. I quej të verbët këta (edhe disa të tjerë); mund ti quej edhe kriminela e ftyra njerzish me shpirtë bishash t’egra, po jo tradhëtarë. Edhe ndër dejt e atyne vlon gjak Shqiptari, por nuk dijnë se çka bajnë; prandej, ma tepër se mllef e hasmëni, duhet të kemi dhimbje e mëshirë për ta!

 

P Ë R F U N D I M

 

BASHKATDHETARË VULLNETMIRË!

 

Gjaja ma shumë e guximëshme në politikë asht: Me profetizue!

Edhe unë, nuk e kam guximin të profetizoj, por due të përfundoj këte dokumentarë me parapamjet (prospektivat) logjike:

Detyra ynë, dhe e të gjithë Shqiptarëve të mërguem politik, si edhe e të gjithë Shqiptarëve të shpërndamë në Botë, ku, mund të flitet dhe veprohet lirisht, asht një e vetme e përcaktueme: Me i shtrij dorën vllaznisht shoqishojtë, për me arrijtë qellimin kryesor dhe të Shenjtë, “SHLIRIMIN E ATDHEUT NGA TIRANIJA BOLSHEVIKE !” dhe, sjelljen e Lirisë së plotë Popullit, që Ai vetë të mundet me zgjedhë ndërgjegjshmënisht fatin e Tij për të ardhmën.

Të gjitha çeshtjet tjera i duhën lanë kohës së ma vonëshme.

Kush vepron të kundërtën, gabon e ban faj sakrilegj!

E kam thanë që në fillim, e po e përsëris me ankth, se ka me na u dashtë me përballue në shumë ballna luftën për mbrojtjën e interesave legjitime të Kombit. Nuk asht problemi vetëm me shporrë qafet tiraninë e sotme e me vendosë një rregjim lirije, po asht detyrë edhe me sigurue integritetin toksor dhe Pavarsinë.

Mos harroni se jemi përballë pretendimëve greke që synojnë me na grabitë edhe Korçën e Gjinokastrën, pa të cilat nuk ka kuptim as jetë një shtet Shqiptar, dhe po të ngjiste ajo tragjedi, mbrënda pak vjetësh, grekët do të zhbijshin çka asht Shqiptar, ashtu siç i kanë zhbijë mase treqindmijë Shqiptarë në vilajetin e Janinës, mbas luftës ballkanike e mbas Luftës së Parë Botnore, dhe siç po zhbijnë tashti Shqiptarët e Çamërisë.

Po kje se, në ditën vëndimtare, që heret a vonë do të vijë për fatet e njerzimit, e që ajo ditë mund të jetë shpëtimtare ose edhe fatale për Kombin Shqiptar, na nuk do të gjendemi të përgatitun – mbarë Kombi – njëzani e njëmendimi veprimi, po gjendemi të shpartalluem siç jemi sot, tue i ra kush thumbit kush patkonit, nuk kemi për të kenë në gjendje me krye misjonin tonë si mërgatë politike antikomuniste, si dhe për mbrojtjen e të drejtavet kombtare, po, do të përdoremi si vegla. Mish për topa!

Në kjoftëse, me të vërtetë e duem Atdheun, dhe duem të jemi të përgatitun me dhanë kontributin tonë (të mundshëm), për shpëtimin e Popullit Shqiptar nga tirania bolshevike, duhet të ndrrojmë rrugë, duhet të ndrrojmë mendjen. Duhet vullnet i mirë e vetmohim. Pa vullnet të mirë, pa vetmohim e besim anasjelltas, nuk mund të vijë Bashkimi, e pa bashkim, nuk përbahet forca, as morale as materjale për me mujtë me i shërbye çeshtjes Kombtare që duhet të përfaqësojmë.

***

Bota e sotme asht e ndame ndër dy fronte antagoniste. Të gjithë gjastë janë se në mes të dy ekstremeve (heret a vonë), ndeshja asht e pashmangshme. Përfundimi i kësajë ndeshje (që na e urojmë të sjellë triumfin e Botës së Lirë e të drejtësisë, për të gjithë popujt) ka me caktue fatin e njerzimit, ndoshta, për shekuj e njëherit edhe fatin e Shqipnisë.

Na përket né, që me vetmohim, mendje dhe përpjekje të vazhdueshme, të kontribojmë me i sjellë Vendit fat të mbarë, tue hy si përfaqësi kombtare në rradhën që i përket një kombi të martirizuem, e jo, të mbetemi si jemi sot, me fraksione skuthëkëqija për me u përdorë vegla për interesat e hueja, si limoni që shtrydhet e mandej hidhet.

Vegla?  Po, vegla do të bahemi dashtë e padashtë, po të shprazim edhe një fishek të vetëm kur të pëlcasë vullkani, po nuk patëm sigurue me protokole të nevojshme të drejtat e Shqipnisë.  Vegla të verbëta do të jemi, po të shprazim një fyshek me rrëzue rregjimin e Enver Hoxhës, pa pasë sigurue paprekshmëninë e tansisë toksore e të Pavarsisë Shtetnore.

E ky rrezik asht i dukshëm që tani, po kje se, ajo ditë na gjenë siç jemi sot: Grupe meskine grindavecësh e jo, Trup Kombtar.

 

VLLAZËN SHQIPTARË!

Qellimi kryesor i këtij vllimi, asht me vue në dukje rrezikun që na kërcënon e që përmblodha në këta rreshta të fundit. Lexoni këte vllim me vëmendje e pa pasjone anësije e partijake, e kështu, mund të nxirrni përfundimet e logjikshme me dhanë gjykimin e drejtë. Me zbulue të vërtetën kristale të ngjarjeve, të përpjekjeve, të përgjegjësive e meritave.  Mendoni e veproni me vetëdije e përgjegjësi vehtjake dhe kolektive!

ATDHEU ASHT NË RREZIK !

Mos lejoni që një grusht njerzish të verbuem nga egoizma meskine të parrëfyeshme, o nga trubullina e mendjes së keqe, të pengojnë ma përtej bashkimin e përgjithshëm të forcave kombtare antikomuniste për shpëtim t’ Atdheut. Ti lamë pasjonet, ti lamë kryekcyemjet e lè të jetë për të gjithë një KRYEFJALË:

                                       “A T D H E U  M B I   T Ë  G J I T H A !”

 

Frascati, Mars 1951.                              Kolë Mirakaj

VETVRASJA E NJË KOMBI – PJESA E KATËRMBDHJETË – MARRVESHJA SHQIPTARO – MALAZEZE – Nga KOLË MIRAKAJ

MARRVESHJA SHQIPTARO – MALAZEZE

 

Rreth dy muej a tre maparë (kujtoj kah fundi i gushtit), ish ministri Mark Gjomarkagjoni, kishte fillue kontaktet e bisedimet me Komandën e Çetnikëve të Malit të Zi (niciativa kishte ardhë nga malazezët), për të mujtë me arrijtë në marrëveshje për një front të përbashkët antikomunist.

Në vazhdim të këtyne bisedimeve, Marku kishte shkue në Mal të Zi me bisedue me Vojvodën Pavle Djurishiq, e tue u kthye për Shkodër i përcjellun prej Djurishiqit me dy kamjone ushtarë malazezë, për ta përcjellë kapidanin shëndoshë për në kufi, si asht zakoni i malësorëve e malazezëve, pak metra pa arrijtë kufinin Shqiptar t’ atëhershëm, në fushë të Tuzit u shprazën pushkë prej një pritet katërdhjetë vetësh, ku plagoset Pavle Djurishiqi, që ishte n’ automobil të Kapidanit, përkrah Tij. Çetnikët kishin zbritë për të vendosë mitrolozat e mortajat, por Marku, i lutet Djurishiqit t’ japë urdhën që të mos shtijë kush me pushkë e të kthehën mbrapa malazezët, mbasi plaga ishte e lehtë e tjetër dam nuk kishin.

“Nuk duhet të futet pushka në mes Shqiptarëve e malazezëve në këte kohë, se ky atentat duhet të jetë manovër e komunistëve, për të na ba të pamundun qendresën e të dy palëve, tue u vra né në mesin tonë” – i kishte thanë Kapidani. Djurishiqi, u bind e ndaloi zjarrin dhe u këthye mbrapa. Arrijti Kapidani në Tuz me tre-katër vetë të vetët, mori vesh se mbas pritës së parë kishin kenë edhe rreth gjashtqindë vetë Hot e Grudë, të ndërsyem nga një përsonalitet i naltë i shtetit, se gjoja, Kapidani, asht tue ba përpjekje me i lëshue ata krahina në dorë të Malit të Zi. Ky atentat u ba shkak e shtyni përfundimin e marrëveshjes.

Ma në fund, me 21 nandor, arrijti në Shkodër dërgata e Malit të Zi, e kryesueme nga Dr. Av. Luba Vuksanoviç, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Malit të Zi (me cilësi kryeministri); ngarkue me Punët e Mbrëndshme,  me Punët e Drejtsisë, me Punët e Financave dhe Komandanti i Gjendarmërisë, adjudanti i parë i Komandantit të Çetnikëve të Malit të Zi (vojvodës Pavle Djurishiq), që përfaqësonte Djurishiq-in përsonalisht.

Prej anës Shqiptare, Komanda e Përgjithshme ngarkoi: Xhelal Bushatin e Kolë Mirakaj,  n/komandant të përgjithshëm të forcave t’ armatosuna kombtare të Shkodrës, e Tahir Kolgjinin, Prefekt i Shkodrës. Bisedimet u zhvilluen në salonin e Këshillit të Prefekturës, dhe mbrënda ditës përfunduen të përmbledhuna dhe të shkrueme në gjuhët shqip e serbisht në protokolin si vijon, e që asht nënshkrue nga të dy delegacjonet në dy kopje origjinale:

 

PROTOKOL:

 

Përfaqsuesit e Malit të Zi dhe të Shqipnisë, të deleguem rregullisht nga autoritetet në fuqi të të dy vendëve, arrijnë në akord të pranuem nga të dy palët, përfundimisht përsa vijon:

  1. I) Kufinjtë e tanishëm në mes të dy vendëve dhe zonat neutrale, do të respektohën deri në Konferencën e Paqës. Në Konferencën e Paqës, të dy palët janë të lira me paraqitë rivendikimet e tyne nëse ky problem, nuk do të jetë zgjidhë me marrëveshje miqësore e direkte nga qeveritë Jugosllave dhe Shqiptare.
  2. II) Vendimit të Konferencës së Paqës do t’u rrijnë të dy palët.

Të dy popujt fqinjë marrin angazhim mos me tentue dhunimin e gjendjes së tanishme toksore me forcë.

III) Fuqitë nacionaliste Shqiptare dhe fuqitë çetnike-nacionaliste Malazeze bajnë kauzë të përbashkët luftën antikomuniste, dhe detyrohën tu shkojnë në ndihmë njena palë tjetrës, kurdo që të ftohën.

  1. IV) Nëse forcat Shqiptare do të kalojnë në Mal të Zi, ata vehen automatikisht nën komandën e Komandantit të Përgjithshëm të Çetnikëve të Malit të Zi, z. Pavle Djurishiq.

Nëse forcat çetnike kalojnë në Shqipni, vehen nën komandën e Komandantit të Përgjithshëm të fuqive nacjonaliste Shqiptare, z. Mark Gjomarkagjoni. Ushqimi i ushtrisë mike, i ngarkohet komandës së vendit ku veprohet.

  1. V) Ushtritë që lanë vendin e vet për të ndihmue vendin tjetër mik, kanë fakultetin të tërhjekin me vete familjet e veta dhe të tjera, që nuk dishrojnë të bijën në dorë të komunistëve. Edhe për ushqim e banim të familjeve, njëkohësisht merr barrën komanda e vendit mikpritës.
  2. VI) Po u konstatue se nuk jep fryte strategjike për tani sulmi nga Mali i Zi, fuqitë çetnike të Malit të Zi të komandueme nga vojvoda Pavle Djurishiq, do të kalojnë menjëherë në Shqipni për tu vue në dispozicjon të Komandantit të Përgjithshëm të forcave nacionaliste Shqiptare, princit Mark Gjomarkagjoni.

VII) Fuqive të Malit të Zi që prej kufinit Shqiptar e deri në Shkodër, do tu prijë një përfaqësi Shqiptare e ngarkueme zyrtarisht nga Komanda e përgjithshme (vazhdojnë nënshkrimet e dy delegacjoneve).

Origjinali shqip i kësaj marrëveshtje, i kje lanë në ruejtje një instituti fetar në Shkodër, bashkë me letrat e majorit Neell, që janë përmendë maparë.

Ndoshta malazezët i shtynte nëvoja me pranue e firmue një akord të këtillë, sidomos, të pakandshëm për ata, përsa i përkiste çeshtjes së kufinjëve,  meqë kjo përfshinte edhe Tokët e Lirueme të vitit 1941, deri në kufi me Serbinë, por nga ana tjetër kishte nder ta edhe njerzë me vullnet e kuptim të mirë që me të vërtetë dëshironin me i vue kapak së kaluemes me Shqiptarët, e me fillue një jetë paqësore të një fqinjësije miqësore.

Këtë ndjenjë e kam konstatue me kohë tek Dr. Luba Vuksanoviç, qyshë se kam kenë rrefugjat në Jugosllavi (1926-32). Ai kishte marrë titullin “Avokat i arnautëve” (arnautski advokat), e në rasën e këtij protokoli, atë ndjenjë kam pasë rasen ta konstatoj edhe tek ndonjë tjetër prej shokëve të Tij, sidomos, tek Dr. Vujoviçi (Komisar i Financave).

Ishin dymbdhjetmijë çetnikë nën komandën e Djurishiq-it, t’armatosun fort mirë e me municion të konsiderueshëm.

Gjon Markagjoni, Mato Murati dhe unë, u ngarkuem me mision për zbatimin e marrëveshjes, për të sjellë çetnikët në Shkodër.

Me 22 Nandor arrijtëm në Tuz. Komanda gjermane na ndaloi aty, e për dy ditë nuk na lejoi të takohemi me Djurishiq. Me 24 në mbramje të përcjellun nga dy oficera S.S., që morën pjesë në bashkfjalim, arritëm në qendrën e kuartierit të vojvodës Djurishiq.

Djurishiq na deklaroi se kishte marrë urdhën nga Ministri i Luftës gjenerali Mihajloviq, për tu tërhjekë së bashkut me gjermanët deri në Sanxhak, dhe prej andej së bashku me Mihajloviq-in, do të niseshin kah Dalmacia, për tu bashkue me fuqitë angleze që do të zbarkonin nga deti e ajri. Na deklaroi se i rrinte besnik protokolit, por në rrjedhim t’ urdhnit epror, nuk mund ta aplikonte tashpërtash. Na propozoi për të tërhjekë fuqitë Shqiptare e së bashku me té, të bashkohemi me Mihajloviq-in tue na premtue gjithë ndihmat e nevojshme nga Jugosllavia çetnike, për të lirue Shqipninë, në rradhë mbas Jugosllavisë.

Nuk mund të dij nëse vërtetë e kishte atë urdhën prej Mihajloviq-it a po kje i shtërnguem prej gjermanëve, pse ndoshta, dyshojshin se mos po u vëmë pushkën mbas shpine Shqiptarë e Malazez së bashku, për të fitue simpatinë e Aleatëve, a po e bani ai në kokë të vet këte mungesë ndaj protokolit, nga shkaku i klauzolave që i përkitshin kufinit. Dij vetëm, se nga përsonalitete politike malazeze që kishin nënshkrue protokolin, e edhe të tjerë si Djurishiq, kje mallkue atëherë e mbasandej.

Që prej atij çasti, vendosëm të presim marrëdhaniet me Mal të Zi. Do të shihni pak ma vonë sesi né disa Shqiptarëve, kjo marrëveshje për pak na kushtoi me jetën në Zagreb. Edhe Djurishiqi e pagoi me jetë këtë gjest të gabuem, tue tërhjekë në rrjedhen katastrofike të gabimit të tij, mija luftarë malazezë me pleqë e gra.

Në Vishegrad u nda me gjermanët dhe nuk mujti të takohet as me Mihajloviq-in. Zbarkimi anglez që duket vërtetë u ishte premtue, (ketë kam pasë rasë ta ndigjoj edhe në mërgim) nuk u ba fare.

Ma së fundit u shtërngue të kthehet tek gjermanët, për të hy nën mbrojtje të tyne me 150 oficiera, dhe la në fatin e zi të tyne rreth 15.000 çetnikë, me pleqë, gra e fëmijë. Kjo ngjau në javën e fundit të Janarit 1945.

Gjermanët e përcollën Djurishiq-in me 150 oficierat në Vjenë, nën kujdesin e pak ushtarëve. Në një stacion të trenit, pa mrrijtë në Zagreb, i kishte pritë koloneli kroat Max Ljuburiç, Komandant i Divizjonit të Këmishave të Zeza Ustashe.

Ua mori me përdhuni gjermanëve dhe i pushkatoi të gjithë aty. Kështu i erdhi fundi vojvodës Pavle Djurishiq me armatën e tij çetnike.

Mund të thohet tani: Si keni pranue Ju, me bashkpunue me Djurishiq-in e çetnikët e tij, tue pasë dijtë planin e Mihajloviqit dhe masakrimet në Bihor? E kam thanë “politika asht arti i mundësive”: Me përfitue çka të jetë e mundun. Nuk i kishim harrue ato për të cilat vuna pikpyetjën. Jo! Por tue përfitue nga nevoja që kishin çetnikët e Malit të Zi të tërhiqeshin për ti përcjellë për Greqi né me forcat tona, tue i shtue edhe 12000 malazezë t’ armatosun fortmirë, viheshim në gjendje me sulmue drejtëperdrejtë Tiranën, dhe njëherit me shpartallue brigatat komuniste ndër krahinat e Veriut. N’ anën tjetër, shtijshim në dorë një dokument protokolar me vlerë të naltë të së Drejtës Ndërkombëtare, për kufinjtë e arrijtun në Prill të 1941. Atë dokument që përmenda maparë.

 

LËSHOHET  SHKODRA

 

Në kohë të bisedimëve që u përmendën me malazezët, kryetarët e Ballit Kombtar e të Legalitetit me pak njerzë të vetë, ishin nisë për Tivar e Ulqin, nga do të niseshin për në Itali me një barkë që kishin ble nga gjermanët. Njerzit e tyne që i kishin lanë mbas, e në fat të vetë, i kishin ndalue te Ura e Buenës, e vetëm, ndërhymja e shpejtë e komandantit Mark Gjomarkagjoni, që porsa u lajmërue se disa djelmoça ishin nisë për tek Ura e Bunë dhe ishin ndalue per me i vra ata krenë n’ udhëtim, dërgoi me ngut kryetarin e policisë kolonel Mato Muratin, me kamjona forcash të armatosuna, e mundi me ndalue një tragjedi të përgjakshme e të shëmtuet.

Mavonë, këtu në mërgim nuk munguen akuzat kunder Mark Gjomarkagjonit dhe né të tjerëve, për atë komplot…(!) kundër krenëve të Ballit Kombëtar. Një zonjë fisnike, madje pat guximin, jo vetëm me më akuzue mue e shokët ndër sy, po arrijti edhe me namë shpirtin e Mark Gjomarkagjonit, mbasi ky Hero, kishte ra Deshmor me Flamurin e Lirisë në gji, në fushën e Nderit në vitin 1946.

Zonja nuk kishte faj pse ashtu ua kishin mbushë koken asajë e shumë të tjerëve… propaganda amorale dhe antikombtare e ekstremistëve të Ballit Kombëtar.

***

Me 25 nanduer 1944 Mark Gjomarkaj ishte lajmrue nga burime serioze, se komanda gjermane kishte arrijtë në marrëveshje me komunistët me çarmatosë Markun me forcat e Tij, me ua dorzue komunistëve, e ata mos me shprazë pushkë kundër ushtrisë gjermane në tërhjekje.

Nuk dihet në se ky akord kje a po jo, në të vërtetë, por Marku e kishte quejt të nevojshme me e lanë Shkodrën përkohsisht, dhe ishte nisë me të gjitha forcat për Kastrat, për të pritë fuqitë çetnike që kujtonte se atëditë, ose të nesërmën  do t’ arrinin të drejtueme prej nesh që ishim ngarkue me ketë punë. Kështu Ai, pa vue në dijeni Komandën gjermane, me 25 nandor në mbramje ishte nisë për Koplik. Fuqitë e komandës së Shkodrës përbaheshin nga njerzë prej të gjitha viseve të Shqipnisë.

Dështoi plani i veprimit në bashkëpunim me malazezët, dhe u lëshue Shkodra për arsyet që u thanë, atëherë Kapidan Gjoni e unë, i kërkuem komandës gjermane në Podgoricë, nëse lejonte që edhe fuqitë tona të ndjekin fatin e tyne deri në Sarajevë, e mandej, me na nisë për Vjenë si refugjat. Gjenerali komandant e pranoi kërkesën tonë, dhe na premtoi të njajtin trajtim për atë pakicë ushqimi që do të kishte ushtria gjermane, si dhe vumjën e pleqëve ndër kamjona ushtarakë.

Lajmëruem Markun e i kërkuem me ardhë për Tuz me të gjithë ata njerzë që të donin të ndjekin këte fat vullnetarisht. Na dërgoi Nduen (vllanë e tij) që ti gjendet pranë babës plak. U kish deklarue oficerëve e ushtarëve se janë të lirë të zgjedhin rrugën e mërgimit, ose rrugën e maleve, e që në këte të dytën i priste vdekja me nder.

U kishte thanë – një pjesës – “Kush të dojë vullnetarisht me ardhë me mue, per Veté kam zgjedhë RRUGEN E VDEKJES ME NDER E ME FLAMURIN E LIRISË NË DORË!..”

Shumica zgjodhi rrugën e vdekjes mbas “KAPIDANIT TË RI”!..

***

Kapitulli i parë mori fund, për me i lëshue vendin kapitullit tragjik por lavdiplotë të Rrezistencës ndër Malet e Shqipnisë, që vazhdon me i lagë prap me gjakun e pastër të Herojëve të Malëve: Një kundër njëmijëve!

***

Mos u çuditni o bashkatdhetarë, nëse kur u ndigjue vdekja e Këtij Heroi, që për dy vjetë e mbuloi me lavdi e së fundit me Gjakun e Tij të pastër Flamurin e Shenjtë të Lirisë, ndër Malet kreshnike të Atdheut, mos u çuditni, jo, nëse në kamp të refugjatëve n’ Itali, u “pij raki për shyqyr”! U pij prej asish…që né dhe Mark Gjomarkagjonin na quejnë “nënshqiptarë”, ndërsa, vetën e tyne “flamurtarë të patriotizmës”.

E pritën “disa” lajmin e kësajë humbje kombtare – kujtoj – ma me gëzim se të kishin ndigjue atë ditë që: “Enver Hoxha e Mehmet Shehu, i shpërthyen plancat shoqi-shoqit”!..

 

DREJTË  FATIT  TË  ERRTË

 

Me 28 nanduer 1944 në mbramje, lamë kandin e fundit të Atdheut për me marrë rrugën e mërgimit të zi; u nisëm nga Tuzi disa qinda Shqiptarë, dhe mbas gjashtë javësh nën bombardime e mitralime të përditshme të aviacionit anglo-amerikan, arrijtëm në Sarajevë. Prej andej grupe grupe në Zagreb, ku qendruen disa… e të tjerët arrijtëm në Vjenë.

Me daten 1 shkurt 1945, disa prej nesh kishin zanë vend në hotel “Esplanade” të Zagrebit, ku kishim  në mend të pushonim nja dhjetë ditë. Me 6 t’atij muej në mëngjes, më thirri drejtori i hotelit në zyrë të tij, e aty mu paraqit një komisar i policisë me një listë dhjetë emnash të cilët duhej të largoheshin nga Zagrebi, si të “padëshruem” nga qeverija kroate.

“Sot n’ ora 16.00 duhet të gjendeni në stacionin ku niset treni për Maribor e Vjenë. Policia ynë do t’ iu përcjellë deri në kufi” – tha komisari. Përsonat ishim: Gjon Markagjoni, Kolë Bib Mirakaj, Irfan Ohri, Tahir Kolgjini, Pandeli Papalilo, Ndue Gjomarkaj, Xhelal Bushati, më duket se ka kenë edhe Mato Murati e dy të bijt e Irfan beut. E kuptova se çfarë na priste, fati i Djurishiq-it. Ishte mësim i mjaftë por nuk e humba fillin.

U përpoqa ti mbushi mendjen komisarit se mos do t’ishte ndonjë intrigë anmiqësh, e iu luta të shkonim bashkë tek Drejtori i Policisë për me u shpjegue, meqë na e kujtojshim vetën miqë të popullit kroat, e se kishim kujtue se në Kroaci do tu gjejshim gati si n’ Atdheun tonë, përsa i përket lirisë. Mu përgjegj: “Ky asht urdhni që jam ngarkue t’ iu njoftoj e që duhet ti bindeni, përndryshej merren masat këtu në hotel, unë nuk mund të ndërhyj me interpretue urdhnat e eprorëve të mij, as t’ iu paraqes kund për këte çeshtje!”

I kërkova: “Kumtoji Drejtorit të Policisë, o kujtdo tjetër që të ka ngarkue me këte urdhën, fjalët që të thashë dhe njoftoje, se na nuk e lamë Zagrebin pa u shpjegue e pa pasë knaqësi, për këte dhunë që na bahet. Nuk ka rendsi çeshtja si përson për né, por meqë né jemi autoriteti i fundit që përfaqëson Shqipninë, e këte autoritet nuk kemi kujt ia dorzojmë pa arrijtë në Vjenë, ku do të mblidhet Parija Shqiptare, gjestin e policisë kroate e quejmë dhunë kundër Shqipnisë, prandej, nëse policia o ai organ -kushdo që të jetë -, nuk interesohet të skjarojë këte gabim e me na dhanë sodisfaksionin e rastit si përfaqësi e një Kombi mik, né do t’ ia njoftojmë çeshtjën Poglavnik-ut. Të lus ti referojsh gjithshka iu thashë. Ti detyrën tande e kreve!”

Vuna shokët në dijeni, e vëndosëm të mos dalim nga hoteli, dhe me u ndejë gati armëve që i kishim akoma me vete. Unë dola me gjetë mënyrën sesi me vue në dijeni Poglavnik, me një profesor t’ Universitetit të Zagrebit e shqiptarofil, që e kisha njohë ato ditë.

Të nesërmën në mengjes erdhi dr. Nuri Dino bashkë me një zotni tjetër kroat me automobil luksit, e më thotë: “Zotni kolonel Ljuburiç, dëshron ti bani një vizitë e më ka dërgue me të marrë”. Më tha se, ky kolonel ishte njeriu ma i besueshëm i Paveliç-it, dhe qellimi i vizitës ishte krejt miqësore për t’ u njohtë me ju.

Ljuburiç më priti me shumë njerzi e më shfaqi menjëherë keqardhjën e tij për incidentin e ditës së djeshme me policinë. M’ ofroj hospitalitetin e qeverisë kroate, si mue, si dhe  kolegëve të  Komitetit Shqiptar, dhe për të gjithë Shqiptarët që duen të ndalohën në Kroaci, përsa kohë të dëshrojnë. M’ ofroi audiencë te Poglavnik, së bashkut me Kapidanin e Mirditës brënda 3-4 ditësh. E falenderova për vete e n’emën të kolegëve, tue i njoftue se kishim ngutë për tashti, e nevojë të domosdoshme për t’ arrijtë në Vjenë, meqë atje gjendeshin shumica e krenëve të Shqipnisë, e se ishte nevoja të takohemi për të mujtë me formue një Komitet Kombtar të ri, meqë misioni ynë mbaronte mbas këtij udhëtimi. Në rrjedhim të këmbënguljes miqësore të tij, i premtova që porsa të kryejmë punë në Vjenë, unë do të ktheheshe prap në Zagreb për t’ u takue, nëse kanë me më lejue rrethanat.

Na bani disa dhurata të çmueshme, mue e Nuri Dinos, e na përcolli me përzëmërsi. (Z. Ljuburiç gjendet tani në Spanjë).

Si ishte zhvillue ky proces? Edhe ketë përveç hamendjes sonë të pagabueme, e mësova  me disa hollsina në 1949 në Romë, e rasësisht nga Jakë Luka. Ky gjendej në Zagreb prej shumë kohe si nëpunës i konsullatës Shqiptare, e rasa i kishte sjellë të fitojë simpatinë e besimin e Ljubiriç-it, si edhe të shumë qarqeve të tjera të nalta të Zagrebit.

Komisari që na pat kumtue urdhnin e përzanjes (extradimit) kishte kenë një nga njerzit e Ljuburiç-it. Kur kishte këthye tek komandanti, i kishte referue përgjegjën e fjalët e mija. Toga e pushkatimit kishte kenë përgatitë për t’ardhë me na arrestue në hotel. Ljuburiç  kishte thirrë me të shpejtë Jakë Lukën, të cilit i kishte tregue listën dhe qellimin. Jaku i kishte thanë: “Kapidanin e Mirditës që asht në krye të listës e njoh dhe e kam kumbar’ të shtëpisë, unë vé kryet peng për té, nëse asht e vërtetë akuza që i kenka ba. Të tjerët nuk i njoh, por meqë janë futë në të njajtin kallep e për të njajtën akuzë me këtë, nuk ka dyshim që kjo asht intrigë e ndonjë anmikut të tyne që don të përfitojë me i zhdukë tue iu gënjye ju. E di edhe se Kol Bib Mirakaj, ka kenë Ministër-Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, e mandej, Ministër i P. Mbrëndshme, një ndër ma të vëndosunit kundër komunistëve, dhe irredentist i apasjonuem.”

Kjo kjé Dorë e Zotit, që ndërhyni e na shpetoi!

Zbulimi i Jak Lukës ngjau pa qellim nga unë si dhe nga ai; as që më binte ma ndërmend ajo punë.

Ndejun së bashku në një kafe në via Alessandria nr. 30, në Romë, në bisedë e sipër, më thotë Jaku: “Allahile, a keni pas ba marrëveshtje me Mihajloviq-in, Gjon Markagjoni e ti, për ti ndihmue me mësye Kroacinë?” – Mo’ Zot! Kurrë – i thashë -. E pyeta, sesi e kishte ndigjue këte llafe. Nuk deshti të shtyhej, mandej, tue u shti se nuk e dinte si i kishte ra në vesh. Atëherë, për të mundë me i zhbërthye fshehtësinë, i thashë: “Çudi, si të ka ra në vesh, se né vërtetë kemi pas ba një marrëveshje, jo drejtpërdrejtë me Mihajloviq-in, po me Djurishiq-in, por krejtë në tjetër kuptim. I tregova marrëveshjen për të cilën kam folë maparë dhe ju lexues e kujtoni! Atëherë, i shpjegova se marrëveshja kishte vlera për shpetimin e Kosovës. Ky skjarim e bani Jakun të më hapet. Më tregoi se nga kjo marrëveshje, paska kenë trillue shpifja që u tha e që ai (Jaku) ma bani të njohun në detaje, si mënyrën sesi ishte trillue shpifja, si edhe vendimin e Ljuburiq-it për të na vra të gjithëve. Më tregoi edhe emnin e përsonit që kishte ba akuzën. Ky përson, porsa u zbulue e vërteta nga Ljuburiq-i, kje përzanë prej Zagrebit, tue iu mohue përgjithnjë hospitaliteti i jashtzakonshëm që gëzonte n’atë kryeqytet. Më tregoi edhe se një i madh … i kishte thanë njëherë në Reggio Emilia se: “Je djalë i mirë, por ke ba një krim të madh, që shpëtove disa tradhëtarë në Zagreb!”.

Nuk po i përmendi emnat e këtyne dy njerzëve mbasi nuk kam ndërmend me hapë gjyq kundër tyne, dhe per vete, unë ua kam falë. Ndiej vetëm mëshirë e përbuzje njëherit për mjerimin shpirtnor të tyne!

Ai ka vdekë në New York.

 

KOMITETI KOMBTAR NË VJENË

 

Grupi i Kapidanit arrijti në Vjenë me 10 Shkurt 1945. Pa e shtye gjatë, filluen përpjekjet private për të mundë me formue një komitet kombtar, që të kujdesej kryesisht për fatin e t’ ikunve. Askush nuk donte të merrte nisiativën për të ftue mbledhjen e nevojshme. Së fundi, i autorizuem verbalisht nga Ministri Neubacher, i bana ftesat dhe u ba mbledhja në salonin e madh të hotelit “Belvue”, nën kryesinë e shkëlqesës Shefqet Vërlaci. Unë mbajta fjalen e rastit tue paraqitë edhe skemën-propozim të programit eventual. Iu kërkue fjala shkëlqesës Mustafa Kruja. Kruja me pak fjalë pohoi nevojën e një komiteti që kryesisht të merrej me fatin e refugjatëve dhe përfundoi tue thanë se, fjalimit tim dhe programit që kishe parashtrue për studim, nuk gjente as edhe një presje me i shtue apo me i hjekë. Propozoi që nëse mbledhja ishte dakord mesa kishe thanë unë, të ngarkohej një komisjon prej pak vetësh për të zgjedhë komitetin.

U zgjodh komiteti prej tetë vetësh. Nën kryesinë e Shefqet Verlacit dhe me antarë: Mustafa Kruja, Gjon Markagjoni, Xhafer Deva, Kolë Mirakaj e tre të tjerë.

Të nesërmën në hotelin ku banonte Xhafer Deva, komisjoni vendosi të formohej komiteti prej pesë vetësh, e meqë besohej se Xhafer Deva mund t’ishte përsoni ma i përshtatshëm i kohës e rrethanave, u lut të marrë kryesinë tue i lanë edhe lirinë të zgjedhë vetë bashkpuntorët.

Detyrë e parë e Komitetit u caktue kujdesi i rregullimit të refugjatëve me banim e ushqim dhe dokumenta udhtimi, për të lanë Gjermaninë samaparë t’ ishte e mundun. Synimi i shumicës ishte Italia.

Fronti i Hungarisë u zbërthye papritmas nga ushtritë ruse, që po i afroheshin Vjenës, (u tha, se dy divizjone hungareze që luftonin përkrah gjermanëve, u bashkuen me ushtritë ruse, tue ua hapë shtegun për Vjenë). Kjo gjendje e papritun aq shpejtë, shtërngoi komitetin të lejë Vjenën me ngut, me 3 ose 4 prill. Asgja nuk ishte ba endè për të furnizue refugjatët me dokumente, përposë dy përsonaliteteve të nalta. Komiteti më kishte rrezervue edhe mue një vend n’automjetin e vet, ku më ftoi (Xhaferi) të largohëm me ta, meqë ishe në gjendje fort të keqe me kambën e plagosun prej kohe, e ishte shumë vështirë me gjetë mjete udhtimi n’atë turbullinë. Edhe vizën për udhtim e kishe. N’atë kohë kur Papalilo më pruni lajmin e Xhafer Devës, me u nisë menjëherë, m’ ishte mbushë shtëpija me bashkatdhetarë që ishin alarmue tue pasë ndigjue se komiteti po nisej, e ata mbeteshin në fatin e tyne pa dokumenta, e askush që të kujdesej ma për ata. Ishin ma se njëqindetetdhjetë Shqiptarë që kishin mbetë në këte gjendje. Vendosa ta ndajë fatin me ta.     Disa ndër ju, o lexues të dashtun, që në virtyt të vendimit tim shpëtuet  pa ra në dorë t’ hordhive bolshevike, e dini këte gja në hollsina, e prandej, nuk asht nevoja të zgjatëm.

Fakti asht se tue vue veten në rrezik shpëtova të gjithë Shqiptarët që kishin mbetë në Vjenë, po, edhe vetën me ta!

 

NGATRRESA N’ INSBRUCK

 

Mbasi u rregullova lejet ndër grupe prej dhjetë vetësh, dhe n’ato leje ishte edhe urdhën i haptë i Governatorit të Vjenës, për t’ u dhanë asistencë ushqimi e me i marrë ndër trena e automjete ushtarake e civile të gjithë këta vëllazën, i nisa për Insbruck, me 5 mars 1945. Vetë me Isuf Luzaj e të vllanë, u nisëm n’atë mbramje mbasi i pata përcjellë të gjithë. Lejet kishin vleftë për të arrijtë vetëm deri në Insbruck, se për të kalue kufinin ishte kompetente vetëm komanda ushtarake e Insbruck-ut.

Si mujtëm me i ba lejet n’ aq pak kohë krejt anormale?

Kur Pandeli Papalilo dhe dy vetë të dërguem prej Xhafer Devës, erdhën për të më marrë  mue, më lajmëruen vendimin e Komitetit që po largohej nga Vjena me aq ngutësi (mbrënda një ore), i porosita të shkojnë e ti thonë zotit Deva, se detyra e Komitetit ishte të mos largohej derisa të përcillte të gjithë Shqiptarët për Insbruck. “I thoni edhe se unë, nuk iki kalli i vetëm me Komitetin për të shpëtue lëkurën time. Kolë Biba nuk i ka lanë kurrë shokët mbrapa dhe nuk i lën as këte herë, megjithse, asht sakat me një kambë por shpëton, ose mbaron së bashkut me ta!”

Bombardimet e ditës së maparshme, kishin shkatrrue vijat e tramvajeve. Kamba e plagosun m’ ishte ajë për ibret. Dërgova menjëherë prefektin Mahmud Çela tek Ministri Neubacher, me një kartvizitë timën për ti shpjegue gjendjen e me kërkue ndihmën. Z. Çela e kishte gjetë tue dalë prej zyres për të lanë Vjenën, simbas urdhnit që kishte.

Megjithatë ngutësi, Neubacher-i, kishte marrë Mahmud Çelën n’ automobil të vet e kishte shkue menjëherë tek Governatori i Vjenës, tue e porositë të bante çka t’ ishte e mundun me na nisë. Edhe Governatori kishte urdhën me e lanë Vjenën të nesërmën mbasdreke. Ishte tregue i gatshëm me çka t’ ishte e mundun. Kur Mahmud Çela u kthye tek banesa ime dhe më referoi, ishin shumë Shqiptarë pranë (ndër ta disa të terrorizuem) tue pritë lajmet që do të na binte Çela.

Bana me ta llogarinë se do të ishin rreth dyqindë vetë që kishin mbetë në Vjenë pa dokumenta. Ishte e kjartë se të nesërmën për aq pak kohë e me punën e jashtzakonshme që kishin zyrët e governatorit, nuk mund të baheshin dokumentët e udhtimit për të gjithë ata njerzë. Porosita të pranishmit të shpërndahën e menjëherë të lajmojnë të gjithë Shqiptarët të gjindën të nesërmën në ora shtatë të mëngjesit para pallatit të governatoriatit. Kishin akoma frikë se po i lë. U dhashë besën se nuk nisëm pa ta, atëherë, u qetsuen. U vuna në makinë të shkrimit. Rradhova 25 leje – kalimi (PASIERSCHEIN) grupesh, tue lanë çelë vendin për emnin e kryetarit të grupit; grupet ishin njëmbëdhjetë vetësh.

Të nesërmën, n’ orën e caktueme ishin të gjithë para pallatit të governatorit. I ndava në grupe, ua shkrova emnat e kryetarëve të grupeve simbas dëshirës së tyne. N’ ora 9 u paraqita tek Governatori, që më priti porsa mori kartvizitën time. Më deklaroi se dëshronte me ba çka t’ishte e mundun për né, por koha nuk lejonte me ba dokumenta udhtimi për dyqindë vetë. I tregova se e kishe parapa ketë e se si rrjedhim, i kishe përgatitë lejet po kje se i pranon ashtu me grupe. Shikoi një, dhe tha: “Ganz Gut!” Thirri në telefon shefin e gabinetit e i tha: “Vjen tani tek ti ministri Shqiptar, shkëlqesa Mirakaj. Ka përgatitë lejekalimet për Shqiptarët që kanë mbetë në Vjenë, për t’ arrijtë n’ Insbruck. Të protokolohën pa asnjë korrigjim, të vulosën e m’ i sillni për nënshkrim!”

Në ma pak se njëgjysë ore u krye krejt puna. Të gjithë mërrijtën shëndosh’ e mirë n’ Insbruck, shumë prej tyne pa pague asgja për udhtim ndër ferrovi e automjete…

Gjermania n’ agoni, edhe njëherë i ndihmonte Shqiptarët!

 

D Y S H I M E

 

Që në fletët e para të këtij dokumentacioni, kam përmendë mjaft me hollësi përpjekjet që kemi ba për bashkimin e kordinimin e të gjitha forcave nacionaliste në mërgim, në rreshtimin kombtar antibolshevik, dhe sesi këto përherë u sabotuen, e kujtoj, nuk asht nevoja të shtyhëm matepër në hollsina. Due vetëm, të gjurmohën mbrapaskenat që pjellin dyshime, e për të mundë me pa dishka mbas perdes në këte kuptim, asht nevoja me vue në shqyrtim dy episode:

1) Si përgjegjësa kolaboracionistë kjenë arrestue Mit’hat Frashëri e Ali Klisura, e jo né! Nuk ngurroj të them se edhe arrestimi i këtyne dy patriotëve kje i padrejtë, po aso kohe kumbarija e madhe që vazhdonte në mes demokracive të Mëdha e bolshevizmit, kërkonte që edhe Enver Hoxhës t’ i bahej pak qejfi.

2) Unë kam kenë për disa kohë Ministër-sekretar shteti i Partisë Fashiste Shqiptare. Nën këte pretekst e akuzë, kjesh arrestue me 18 maj 1945 nga Kuestura e Brescia-s. Dihet frenetizma e asajë kohe kundra fashistëve e të supozuemëve të tillë. Ata që i shpetuen masakrimit pa procese, u ndrynë ndër burgje, përkundrazi, unë u lirova mbrenda ditës, e jo, për mirkuptim o mëshirë t’autoriteteve të Kuesturës së Brescia-s, po krejt përkundrazi. Oficeri ndërlidhës i Komandës Ushtarake Amerikane i ngarkuem pranë Kuesturës, në kontrollin që bani më gjet edhe mue ndër të tjerë t’ arrestuem. Më kërkoi edhe mue si të tjerëve nëse kishe dokumenta identiteti. I tregova pasaportën që kishe si titullar i Ministrisë së Punve të Mbrëndshme të Shqipnisë, me vizat e rregullta. Më pyeti arsyen e arrestimit dhe nëse ishte e vërtetë që kam kenë Ministër-sekretar i P.F.Sh. dhe arsyet pse, e kishëm pranue atë barrë përgjegjësie.

Pohova, tue tregue shkaqet e bindjen se vetëm ashtu, mund tu shërbejshe interesave t’Atdheut tim ndër rrethanat e kohës.

Oficeri në fjalë u kthye mbas dy orësh e iu drejtue komisarit, që po më merrte në pyetje me shkrim (procesverbal): “Ky zotni të lihet i lirë menjëherë, meqë nuk asht nënshtetas italian, as nuk ka zhvillue ndonjë aktivitet n’ Itali, dhe as nuk asht i denoncuem për të tillë gja. Kuestura nuk duhet të merret ma me çeshtjën e tij!” Mue më tha: “Ju, që prej tani jeni nën mbrojtjën e ushtrisë amerikane si refugjat politik, e për çdo nevojë eventuale, drejtohuni në këte adresë!” Ishte kartvizita e tij.

Nga këto dy episode që kanë domethanjën e kjartë, si edhe shumë të tjera, duhet besue se nuk patën Aleatët gisht në ndërsyemjën e përçamjes sonë e të ndamjes në kolaboracionistë e antikolaboracionistë, fashistë e antifashistë, siç pretendojshin kundërshtarët tanë. Duhet me shpresue edhe se, burra të shquem si i ndjeri Mit’hat Frashëri e Hasan Dosti – që këtij të fundit, nuk mund ti mohohet edhe cilësia e njeriut moderat -, nuk kjenë verbue vetëm nga egoizma personale që të mbajnë në veprim të vazhdueshëm si në Shqipni, si jashtë, sabotimin e bashkimit të forcave të kombit, siç veproi vazhdimisht partia e kryesueme prej tyne. Nuk mund ti akuzojmë thjeshtësisht për lakmi e egoizëm, as këta, as edhe shumë të tjerë elementë të rrethit të tyne, djelmë entuzjastë e sigurisht, patriotë të mirë, por të pa eksperiencë e pjekuni politike, e fatkeqsisht fort lehtësisht të manovrueshëm nga mbrapaskenat e errta.

Tue u nisë nga ky gjykim, logjikisht jepet me besue se manovrimi i errtë e shkatrrimtar asht drejtue nga kush ka interesë të madhe për të pushtue fortesën e anmikut përmbrënda. Asht drejtue e drejtohet nga agjentë të ngarkuem me atë qellim nga Kominformi. Këta agjentë tue u shitë “nacionalistë”, tue njohtë sensibilitetin e djelmoçave të papjekun e njëherit edhe lakmues pushteti, kanë dijtë ti manovrojnë në dëshirën e planin e tyne, po bash ata që kryetarët e tyne jo vetëm, i influencojnë, po i kanë gati si rob të vullnetit të tyne tepër egoist.

E për të vue në dukje edhe ma kjartë, madje për të zhdavaritë çdo dyshim mbi manovrimin e agjentëve që thashë, mjafton të këthehemi tek akordet e arrijtuna rradhë mbas rradhet në mes tonë e të tjerëve, të cilat i kam rreshtue përpikmënisht në këte dokumentar; akorde t’ arrijtuna me protokole, si ai i Beslidhjes së Shkodrës dhe Aleksandrisë, e të tjera verbale si ato të kapidanit të Mirditës me Mit’hat Frashërin e tjerë, të Dr. Ernest Koliqit me Mit’hatin në shtëpi të Rrok Stanit, të bisedimeve të mija në Tiranë me Mit’hat e Mehdi beun. Po kështu, bisedimi e akordi në mes Mit’hat Frashërit e Ismajl Verlacit (me inicjativën e këtij të fundit), pa hy me përmendë ato të arrijtuna verbalisht e fshehtas me qeveritë e kohës së Unionit.

Pse këto akorde, t’ arrijtuna me bindjen e plotë të interesit kombëtar, përherë mbas pak kohe u lanë në njëanë, sikur të mos ishte bisedue aspak per ato? Përgjegja duhet të jetë krejt e thjeshtë, logjikisht e praktikisht: Sëpse, përgjegjësat që njëherë i pranojshin me vullnet të lirë e me bindje se kryejshin një vepër patriotike e të dobishme kombtare, në momentin që e gjejshin të dobishëm e të nevojshëm bashkimin, të domosdoshëm për shpëtimin e Kombit, vepronin me mendët e ndërgjegjen e tyne të lirë, por mbasi ma vonë hynin në “danat e manovrës së anmikut”, bijshin rob të vullnetit të tjetërkujtë.

Sabotuesit e bashkimit në një llogore antikomuniste e të gjithë të mërguemëve, dihet se janë grumbullue tek e quejtuna “Partia Agrare e Ballit Kombtar”. I njohim né, dhe i njohin ata, që janë gënjye e i ndjekin.

Për hetim logjik të lexuesit do të përmendi vetëm një emën të njohun: Dr. Ali Koprencka.

Si i dha leje qeveria e Enver Hoxhës këtij njeriu të vinte n’ Itali e të bashkohej me refugjatët ekstremistë, n’ atë kohë që mundsisht as shpendët e malit nuk i lejonte të kalonin kufinjtë e Shqipnisë? A nuk asht Ali Koprencka, ai që menjëherë i ndikuem nga vllai i kunatit Qazim Prodani, filloi helmin e ndasisë e t’ anmiqësisë në mes mërgatës antikomuniste?

A nuk janë këta të dy “supërpatriotë” që me anë të fletores “Besa”, po vjellin helm dasije e anmiqësije vazhdimisht në mes të të mërguemëve nga Stambolli i sulltanëve?

Le Petit Caporal (1914) – Ismail Qemali, Princ Vidit : “Ja i vetmi gabim që keni bërë.”

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Nëntor 2019

 

“Le Petit Caporal” ka botuar, të mërkurën e 27 majit 1914, në ballinë, një shkrim në lidhje me telegramin e Ismail Qemalit dërguar asokohe Princ Vidit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Telegrami i Ismail Qemalit për Princ Vidin

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 26 maj.

 

Ismail Qemal Beu i dërgoi Princ Vidit një telegram për t’i ripërtërirë sigurinë e besnikërisë së tij.

 

Ky telegram përfundon si më poshtë :

 

“Ju keni bërë vetëm një gabim, besimin ndaj ujkut për të ruajtur kopenë.”

Le Journal (1914) – Intervista e Faik Konicës me gazetarin e Secolo-s për pritjen e Princ Vidit, buxhetin shtetëror dhe qëndrimin ndaj Austro-Hungarisë

Faik Konica

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Nëntor 2019

 

“Le Journal” ka botuar, të dielën e 25 janarit 1914, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën e Faik Konicës me gazetarin e “Secolo-s”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Problemi shqiptar

Çfarë presin shqiptarët nga Princ Vidi

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 24 janar. (Nëpërmjet telefonit) – Një koleg i Secolo-s pati një intervistë me një shqiptar që jeton në Trieste, Presidentin Faik Bej Konica, i cili i tha atij se këto ditë të gjithë delegatët shqiptarë aktualisht jashtë vendit do të takoheshin në Trieste për të udhëtuar së bashku në Shqipëri për të nderuar Princ Vidin gjatë ardhjes së tij.

 

Presidenti deklaroi gjithashtu se princi do të ishte i detyruar të rrethohej me një suitë të shkëlqyeshme dhe truproja të shumta për të dhënë përshtypje të mira popullit të tij.

 

Qyteti i Durrësit do të konsiderohet si kryeqytet vetëm përkohësisht. Sa i përket situatës financiare të Shqipërisë, Presidenti deklaroi se buxheti do të jetë 18 milion franga. Shteti i ri do të ketë një qëndrim miqësor ndaj Austro-Hungarisë.

Dokumentet e Luftës që u mbajtën sekret – 40 avionë të rrëzuar dhe 193 parashutistët anglo-amerikanë të vrarë e kapur rob në Shqipëri

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon dokumentet e panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë me faksimilet përkatëse ku pasqyrohet veprimtaria e aviacionit anglo-amerikan në Shqipëri në vitet 1943-1944, të cilat për afro 45 vjet me radhë regjimi komunist i mbajti top sekret dhe nuk i hapi kurrë dosjet e tyre. Në dosjet arkivore të fondit “Veprimtaria e aleatëve anglo-amerikanë në Shqipëri” për një periudhë kohe 14 mujore, figurojnë 40 avionë të rrëzuar dhe më shumë se 193 parashutistë të vrarë apo të kapur rob nga gjermanët…

Shtrembërimi, falsifikimi dhe manipulimi i historiografisë zyrtare nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës që zgjati për gati gjysëm shekulli me radhë, fatkeqësisht vazhdoj po me të njëjtën mënyrë edhe pas viteve ’90-të…?! Kjo gjë shihet qartë në tekstet zyrtare të historisë së Shqipërisë, Memorie.al po publikon disa nga këto dokumente të fondit “Veprimtaria e aleatëve anglo-amerikanë në Shqipëri”, ku rezulton se në një periudhë kohore 14 mujore, (shtator 1943-nëntor 1944, në Shqipëri janë rrëzuar rreth 40 avionë aleatë, ku janë vrarë, zhdukur pa asnjë gjurmë, apo kapur rob nga forcat e xhandarmërisë shqiptare dhe gjermanët, më shumë se 193 parashutistë anglo-amerikanë. Memorie.al i disponon të plota të gjitha këto dokumente bashkë me fotot përkatëse dhe nisur nga fakti se për këto ngjarje historike, vazhdimisht ka pasur dhe vazhdon të ketë reagime dhe kontestime të ndryshme, (nga gazetarë, studiues, historianë, politikanë etj.) për të qenë sa më të saktë në këto gjëra, një pjesë të këtyre dokumenteve po i botojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim, ashtu sikurse janë shkruar plot 75 vite më parë.

 

Qytetet dhe fshatrat ku u rrëzuan 40 avionët aletatë
Ashtu sikurse u shprehëm edhe pak më lart, në dokumentet arkivore të fondit “Veprimtaria e aleatëve anglo-amerikanë në Shqipëri në vitet 1941-1944”, të cilat kemi mundur të hulumtojmë, rezulton se vetëm në vitet 1943-1944 në Shqipëri të jenë rrëzuar rreth 40 avionë anglo-amerikanë. Dhe konkretisht: në Kamic e Pjetroshan, të Tuzit, Mali i Bardhë i Ulqin e rrethinat e tij në Malin e Zi, Suhadoll, Delimexh, Gilmanic, Germicë, Suharekë, Gradec, Pejë, Prizren e Prishtinë të Kosovës, Vermosh, Bajzë, Velipojë, Hot, dhe Grudë të Shkodrës, Iball e Pukës, Fan, Shebe e Perlat të Mirditës, Shënkoll dhe Lezhë, Dibër, Luz i Fushë-Krujë, Shijak dhe Karpen i Kavajës. Nga këto, në këtë shkrim po botojmë vetëm një pjesë dokumenteve ku bëhet fjalë për avionët e rrëzuar në Malin e Zi, Kosovë dhe Mirditë.
28.VII.1944, 15 parashutistë USA të kapur rob në Shebe e Fan të Mirditës
Shteti Shqiptar.

Arma e Gjindarmërisë Shqiptare.
Komanda e Qarkut.
Nr. 1396/2 Prot.
Shkodër më 31 korrik 1944
Shkurtimi: Mbi djegien e një aeroplani e zbritjen e 10 vetave të ekuipazhit.
Komandës së P. Gjindarmërisë
(Zyra e I-rë) Tiranë.

Parashtrojmë se më datën 28 të këtij muaji ora 11.30 në vëndin e quajtur Guri i Zi të katundit Shebe komunës Perlatit, N/prefekturës Mirditë, asht rrëzue një aeroplan amerikan katër motorrësh tue u djeg krejtësisht, dhe ekuipazhi i saj të përbam prej 10 vetash të gjithë shtetas amerikan kanë zbritë me parashutë, nga të cilët katër kanë ramë në katundin Shebe e 6 në katundin Perlat, bnë këtë moment janë pamun prej Fuqis Gjindarmëris së Mirditës nën komandën e Kapiten Ndue Bajraktarit, i cili menjëherë me masat e marruna ekuipazhin e përmëndun e ka arrestue të cilët 4 i ka gjet në shtëpinë e Mark Doçit në katundin Shebe e 6 të tjerë në shtëpinë e Frrok Gjetës në katundin Perlat, prej të cilëve 9 veta i shoqëroj për në Komandë, kurse 1 prej tyne tuj qenë i plagosun dhe tuj mos qenë në gjendje udhëtimi e ka sigurue tuj e lanë në shtëpinë e Mark Doçit në katundin Shebe. Aeroplani thuhet se ka qenë me bombardime në Rumani e mbasi kishte shkarkue, në kthim asht prishë ose plagosë prej kundërajrorëve gjermanë dhe kështu s’ka pasun mundësi udhëtimi ma gjatë tuj u djegë në vëndin që u tregua sipër. Gjithashtu edhe në trupin e tyne nuk asht gjend asnjë send privat përsipër ose material luftarak vetëm vesh-mbathja që kanë.

Personat e ekuipazhit janë këta:
Ist. Lt. Havog B. Million. Matrikulli 0-755484.
Sgt. Earl A.Sehrot Zberger-36858330.
Lt. Ross Yl. Lemanson-0718351.
Lv. Shomas L.Harrie-07702042.
Sgt. Edvord L.Vanslike-37494449.
S.Sgt. Fohu Neupanne-32606685.
Lt.Elande L.Postit-o-705415.
Scot. Bensand Usinbengen-13121283.
Sgt. Ceyrue D.Reed-19060885.
S/Set. Albert Eraddock—i plagosun.

Njitun edhe një cop letër (busull) e shkrume në gjuhë të ndryshme që u asht gjetë përsipër, bashkë me të përmendurit u janë dorzue Kom. Gjermane.
Prefekturës Komiserisë Policisë.
Parashtrohet për dije Komandant’i Qarkut të Gjindarmërisë.
MAJOR
Llesh Marashi
(AQSH. Fondi 346. Viti 1944 Dosja. 65. Fl.194)

Në një dokument tjetër arkivor që mban datën 30.III.1944, ku nënprefekti i Mirditës, S.D, në një informacion që i dërgon Prefekturës së Shkodrës, shkruhet: “Në lidhje me urdhrin Nr.6/3 datë 11/III/1944, kemi nderin me Ju parashtrue se, me datën 23 të k.m në orën 11.30 në zonën e katundit Thirrë të Komunës Fan, asht rrëxue nji aeroplan Inglez: ekuipazhi i të cilit përmbante pesë ushtarakë me këto grada: 1. Nëntoger, 1. Kapterr, 2. Rreshtera dhe një ushtar, të cilët tue përfityue nga parashutat kanë ra në tokë e të gjithë janë shndosh. Personeli i mësipërm mbasi u hetuen u xunë fillë ju dorzune Komandës Ushtarake Gjermane këtu.

(AQSH. Fondi 346. Viti 1944. Dosja.65 Fl. 30)

30 parashutistë amerikanë të vrarë dhe rob në komunën e Ulqinit
Në morinë e madhe të shumë dokumenteve arkivore që përmban fondi “Veprimtaria e aleatëve anglo-amerikanë në Shqipëri në vitet 1940-1944”, të cilat ndodhen në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë, janë edhe tre dokumente të nënshkruara nga Komandanti i Gjindarmërisë së Qarkut të Shkodrës, major Llesh Marashi, në të cilat flitet për tre avionë të rrëzuar në Komunën e Ulqinit. Në dokumentin që mban datën 25.1.1944, Major Llesh Marashi, në telegramin që i dërgon Ministrisë së Mbrendëshme në Tiranë, shkruan: “Rrethi i Ulqinit lajmëron se me datën 24 udhëtues ora 15 për mungesë benzine ka zbrit nji aeroplan Tipit Amerikan dhe ekuipazhi i përbamë prej 10 vetash janë zanë rob prej Ushtrisë Gjermane pikë”.

(AQSH. Fondi 346. Viti 1944. Dosja 93. Fl.1)

Në dokumentin e dytë që mban datën 11 prill 1944, në informacionin që i dërgohet Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë në Tiranë, major Llesh Marashi i shkruan: “Rrethi i Ulqinit na njofton se me datën 30/3/1944 asht rrëzue në Porto-Milano nji aeroplan Englez, ekuipazhi i përbamë prej 10 vetash asht marrë nga ushtrija Gjermane e atjeshme pikë”.
(AQSH. Fondi 346. Viti 1944. Dosja 65. Fl.45)
Ndërsa në dokumentin e tretë që mban datën 31 gusht 1944, në informacionin që i dërgohet po Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë në Tiranë, major Llesha Marashi, i shkruan: “Me datën 25.8.1944, ora 15 në vëndin e quejtun Mali i Bardhë, afër Kenret rrajoni i Ulqinit asht rrëzue nji aeroplan amerikan dhe si ka ra në tokë asht djegë fare. Ekuipazhi kanë pështue tue ranë me parashuta të cillët ishin 11 persona ndër të cilët nji Oficer. 10 veta t’ekuipazhit u kapën nga ana e Gjermanëvet dhe 1 asht në det”.
(AQSH. Fondi 346. Viti 1944. Dosja 65. Fl.206)

24.VIII.1944, 19 parashutistë të rënë në Prizren e Rahovec
Dokumenti tjetër arkivor i cili mban datën 24.VIII.1944, në një njoftim për Ministrinë e Mbrendëshme (Zyrës Po.litike) në Tiranë, Prefekti i Prizrenit, Shaqir Curri, shkruan: “Ju parashtrij se me datën 17 të vazhduesit në rrajonin e Komunës Serbica e Epërme në afërsi të katundit Glanicë, asht ulë një aeroplan katërr motorrësh Englezë. Ekuipazhi i tij i përbamë prej 9 vetash sa kanë zbritë në tokë i kanë vu zjarrmin aeroplanit. Të nantë personat e zbritur janë m,arrë në dorzim nga autoritetet ushtarake Gjermane. Gjithashtu në rrethin e Rahovecit asht rrëxue një tjetër aeroplan, ekuipazhi i të cilit i përbamë ptrej 10 vetash ka zbritur me parashtutë në rrethin e Suharekës. Këta mbasi janë arrestue prej Komandës së Rrethit të atjeshëm, janë dorzue autoriteteve ushtarake Gjermane. Në këtë aeroplan asht gjet vetëm një mitraloz i prishun. Katër të tjerë që janë lëshue në rrajonin e Komunës së Banjës ndodhen në magazinën e Rrethit t’atjeshëm, por dhe këta të prishun”.
(AQSH. Fondi 152. Viti 1944. Dosja 866. Fl.9)

15.VII.1944, 15 parashutistë USA të kapur në Tuz e Podgoricë
Dokument arkivor që mban datën 19 korrik 1944, ku Komandanti i Qarkut të Gjindarmërisë së Shkodrës, Major Llesh Marashi, në një informacion që i dërgon Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë në Tiranë, shkruhet: “Rreth Komanda e Tuzit na lajmëron se me datën 15 të këtij mueji ora 13 janë hjdhë 9 parashutistë amerikane të cilët kanë ramun dy në katundin Pjetroshan e një në katundin Gradic dhe gjashtë në katundin Kamic rrajonit Rreth Tuzit, personeli i Postës Bajzës në bashkë-punim me Gjermanët në masat e shpejta që kanë marrë, brenda asaj dite kanë mujt me i arrestue t gjithë parashutistat e përmëndun të cilët janë marrë nga Gjermanët me gjithë materialin luftarak qi ato kishin me vedi, dhe se aeroplani i djegun ka ramun në katundin Dedaj të Shkrelit”.

(AQSH. Fondi 346. Viti 1944. Dosja 65. Fl.178)

Dokument arkivor i cili është nxjerrë gjithashtu nga fondi “Veprimtaria e aleatëve Anglo-amerikanë në Shqipëri në vitet 1940-1944”, që mban datën 26.V/1944, ku Komandanti i Rrethit të Gjindarmërisë së Shkodrës, Kol Marka Prenga dhe Prefekti i Shkodrës, Ded Thani, në informacionin që i dërgojnë Drejtorisë së Korespondencës në Ministrinë e Punëve të Brendëshme në Tiranë, shkruhet: “Tuz me 20/V/1944. Shkurtimi: mbi 6 parashutista amerikan. Më datën 18 të k.m. nji aeroplan amerikan tue dasht me u ulur, për arsye se aeroplanit i ishin prishur dy motorra, në drejtim të katundeve Triepsh e Grudë nga ekuipazhi kanë zbritë me parashuta 6 vetë, dhe aeroplani asht ulun në fushën e aeroplanëve të Podgoricës. Qi të gjashtë parashutistat u kapën dhe ju dorzuen Feldgjindarmërisë së Podgoricës, të cilët me insistim kërkuan dorzimin e tyne; Emnat e të cilëve poshtëshënohen;
-Lio Smeth Nr. 14064595 T.4230 JOHN
-SMITH BOX 275 DUNDE FLA.P.
-CLARENCER DAVIDS 0-688985 T.43430
-KATHLEN DAVIDS 3208 CANCHER AVE DETROIT MICH C.
-S/SGT.JOSE ALDAPE 38414971
-T/SGT. JOSEPH WALËORTH 0-812335-T-43
-O.P.MRS.GRAY ËALËORTH 104 QTHAVE-Ë-ASHLAND-ËIS
-T/SGT.R. I WILLS-39281023-MRS.R.S.WILLS. 403-SO PACIFIC-CALIF”.
(AQSH. Fondi 152. Viti 1944. Dosja 374. Fl.195)
27.VII. 1944, 3 avionë me 30 ushtarakë USA rrëzohen në Pejë e Prishtinë
Dokumenti tjetër që mban datën 19.8.1944, në një informacion që i dërgohet Zyrës Politike të Ministrisë së Mbrendëshme në Tiranë nga zv/ Prefekti i Prishtinës, Reshit Mehmeti, midis të tjerave shkruhet: “Për dijeni kemi nderin t’Ju njoftojmë se, me datë 10/8/944 ora 12.30, prej nji aeroplani aleat i cili kishte marë zjarr, janë hedhë 10 parakadutista Amerikanë dhe janë zanë në malin Germiq të Prishtinës. Janë marrë në dorzim prej Gjermanëve”.

(AQSH. Fondi 152. Viti 1944. Dosja 866. Fl.7)
Po kështu në një tjetër dokument arkivor i cili mban datën 22.VIII.1944, ku Prefekti i Pejës, Xhelal Preveza, në informacionin që i dërgon Ministrisë së Punëve të Mbrendëshme në Tiranë, midis të tjerash shkruhet: Kemi nderin tu njoftojmë se me datën 27.VII.1944, në rajonin e Komunës së Suhadollit, ka ra një aeroplan amerikan bashmë me personelin e tij prej dhjetë vetash, të cilët ju dorzuen Komandës Gjermane të Senicës. Gjith’ashtu në datën 10.8.944, Delimexhës ka ra një tjetër aeroplan personeli i së cilës u dogjën”.

(AQSH. Fondi 152. Viti 1944. Dosja 866. Fl.8)

Përshkrimi në librin “Rreziku Anglo-amerikan për Shqipërinë
Enver Hoxha: Misionet ushtarake aleate të paftuar
E gjithë veprimtaria e misioneve aleate anglo-amerikane në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1941-1944), jo vetëm që u mohua nga Enver Hoxha dhe historiografia zyrtare e regjimit komunist, (që pas vitit 1947 kur i detyruan përfaqësuesit aleat të largoheshin nga vendi ynë), por në kujtimet e tij të mëvonëshmem, dhe kryesisht në librin “Rreziku aglo-amerikan për Shqipërinë” (botuar në vitin 1982) diktatori komunist i Shqipërisë, e denigron gjithë rolin e kontributin e tyre. Lidhur me këtë, në librin në fjalë, mes të tjerash, Enveri shkruan:

NJË MISION USHTARAK I PAFTUAR
I pari mision ushtarak në Shqipëri, Maklini. Zonat partizane, s’jan han me dy porta. Premtime boshe. “Shëtitjet” e oficerëve englezë-në kërkim të “miqve”. Kërkesë urgjente e Maklinit për takim- “do të vij një gjeneral në krye të misionit”. “Cila është qëndra juaj, zoti major?” “Masa për paralizimin e planeve djallëzore të Ministrisë Britanike të Luftës”. Këto janë vetëm disa nga titujt e një kapitulli të Enver Hoxhës të shkruara në librin e tij, ku duket qartë injorimi që ai u bën misioneve aleate anglo-amerikane. L:idhur me këtë fakt, më tej po në atë libër, ai shkruan: “Nga fundi i vitit 1943, Komiteti Qarkor i Partisë për Gjirokastrën më lajmëroi se nga kufiri grek kishte hyrë në zonat tona të çliruara një grup ushtarakësh anglezë, të kryesuar nga një far, Bill Maklin, major, të paisur me armë dhe me radio, që pretendonin se ishin mision ushtarak zyrtar i dërguar pranë partizanëve shqiptarë nga Shtabi i Forcave Aleate të Mesdheut me qendër në Kajr. I porosita shokët e Partisë të qarkorit të Gjirokastrës që anglezët e ardhur nga Greqia të bllokoheshin në Zagori dhe të pyeteshin me imtësi, se si quheshin (duke vërtetuar me dokumente zyrtare identitetin e tyre), nga vinin, kush i udhëhiqte, cilat ishin detyrat e vërteta që kishin etj…Dhe shokët kështu bënë. Grupi i ushtarakëve britanikë, i bllokuar nga partizanët në një zonë të Gjirokastrës, mbasi e pa se vendi kishte zot, u detyrua t’i drejtonte më 1 maj 1943 autoritetit më të lartë të Luftës Nacional-Çlirimtare në Shqipër, një letër të firmosur nga Bill Maklin, në të cilin thoshte se ishte dërguar nga Shtabi i Kajros me cilësinë e oficerit të lartë ndërlidhës për të vendosur lidhje me lëvizjen e rezistencës në Shqipëri, shkruante: “Kam dëshirë të madhe të takohem me Këshillin tuaj sa më shpejt të jetë e mundur dhe të marr informata për t’ja transmetuar Kajros, që prej andej t’ju dërgohen furnizime. Do të bisedoj çështje me rëndësi. Dëshira ime është që të hyj në qëndër të Shqipërisë”. Siç dukej, SOE-ja me qëndër në Kajro, e kishte gjetur maskën për të hyrë në Shqipëri”.

(Enver Hoxha, “Rreziku anglo-amerikanë për Shqipërinë”, fq, 29,30,31,32,33. Tiranë 1982)/Memorie.al

VETVRASJA E NJË KOMBI – PJESA E TREMBDHJETË – KUVENDI I BURRAVE N’ IBALLE – Nga KOLË MIRAKAJ

 

 

KUVENDI I BURRAVE N’ IBALLE

 

U humbë kohë e çmueshme.

U humbë ajo kohë që ndoshta, e fortë kishte gjasë, se do të kishte mujtë me ndrrue rrymën e historisë së Kombit tanë fatzi!.. Vendosa ta baj mbledhjen n’ Iballe! Caktova datën 12 tetor 1944, pse nuk mund të arrihej maparë nga largësia e vendeve dhe mungesa e komunikacionit. E dijshe, se ishte tepër vonë, por nuk kishte tjetër rrugë, veçse: O me hjekë dorë krejtsisht, ose me provue fatin e pasigurtë. Zgjanova thirrjën në krejtë Malet e Veriut. Me Halil Alinë dhe të tjerë krenë të Dibrës u takova në Shkodër, ku edhe më dhanë letërpërfaqsimin e vet, me folë n’emën të tyne e me dhanë aderimin për bashkim e veprim, nëse ata nuk mund të vijshin përsonalisht (Dibra ishte pushtue nga komunistët prej disa kohe). Ata kishin disa qinda vetë me vedi e ishin të bindun me ngritë edhe Dibrën e pushtueme, porsa të nisej marrshimi n’ atë drejtim.

***

Mbledhja u ba në një livadh pranë shtëpisë sime n’ Iballe, në atë mëngjes të ditës së caktueme. Përfaqsoheshin mase katërdhjetë bajrakë, nga katërqindë Burra dhe letërpërfaqsime, që më kishin ngarkue mue e të tjerëve. Kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, i penguem në luftë me brigadat komuniste që kishin sulmue e zbërthye në Mirditë, më dërgoi letërpërfaqsim për vete e Krentë e Mirditës, si dhe n’emën të Muharrem Bajraktarit, tue më autorizue me marrë detyrimet e rastit n’ emën të tyne, për çdo vendim që do të merrej për  luftën kundër komunizmit.

Hapa mbledhjen me një fjalim i prekun thellë, tue vue në dukje rrezikun, dhe përfundova me këto fjalë: “Burrat e Maleve! Ju e dini pa ua përsëritë unë sot, se jeta ka vlerë, derisa ajo të jetohet me nder dhe me zakonet e shenjta të të Parëve tanë. Kush nuk din ti japin këte kuptim jetës, nuk mund të quhet Burrë e nuk meriton të jetojë. Kemi në rrezik gjithshkafën: Besë e Burrni, Ndér’ e Fé, familje e Zot, dhe vetë jetën e ajkës së kombit bashkë me vetë jetën e kombit!

Dy forca janë në ndeshje. Njena asht forca e Atdheut dhe e Zotit, e tjetra asht forca e kundra Atdheut e kundra Zotit.

Forca e fundit të Ferrit!..

Nuk kam çka u thom ma, e po përfundoj, tue i drejtue lutjën Zotit të Plotfuqishëm, të ketë zgjedhë Bijtë e këtyne Malëve Kreshnike, ushtarë të Vetët e t’ Atdheut.

Vendoni me këte besim, e Zoti ka me na ndihmue!”

Folën edhe disa Krenë, fjalë fort të thjeshta plot kuptim e Burrni Malësore, të gjithë ishin në favor. U morën vendimet me shkrim, dhe u nënshkrue me gishta, myhyrë (vula) e penë.

 

V E N D I M E T  E  M B L E D H J E S

 

“Krenë e Bajraktarë të Malësive të Veriut,

që përsonalisht e me letërpërfaqësime, gjenden sot me dymbdhjetë tetor njëmijenanqindekatërdhjetekatër, të mbledhun n’ Iballe nën kryesinë e z. Kolë Bib Mirakës, tue përfaqsue katërdhjetekatër Bajrakë, të krahinave Mirditë, Malësi e Lezhës, Dukagjin, Malësi e Madhe, Pukë, Malësi e Gjakovës (Gashë, Krasniqe, Bytyç), Has, Lumë e Dibër, janë dhe dëshmohën gati t’ U përgjegjë kushtrimit t’ Atdheut në luftën kundra komunizmit, e për mbrojtjën e integritetit toksor t’ Atdheut, bashkë me Tokët e Lirueme, prandej edhe,

 

V E N D O J N Ë :

 

I ) Kjo mbledhje, merr emnin “KUVENDI  I  BURRAVE  TË  MALËVE”!

  1. II) Të gjithë Burrat e Malëve prej 18 deri 55 vjeç, të zotët e kambës, dorës e pushkës, mobilizohen e do të dalin në luftë kurdo që të thirrën, kundër komunizmit e për mbrojtjen e kufinjëve t’ Atdheut.

III) Zotni Kolë Bib Mirakaj, ka me dhanë kushtrimin, me caktue vendet ku do të mblidhën luftarët dhe me dhanë drejtimet. Lëvizja e “Kuvendit të Burrave të Malëve” do të ketë një Komandë të Përgjithshme, vendimëve e urdhnave të së cilës, do t’ u bindën të gjithë.

  1. IV) Mobilizimi mbetet i detyrueshëm, dhe njerëzit mbetën nën armë, edhe mbasi të jenë krye operacjonet e spastrimit kundër rrezikut bolshevik, për të ruejtë kufinjtë etnikë t’ Atdheut, derisa ndonjë faktor i ri, ose Konferenca e Paqës, të mos ketë dhanë sigurimin e paprekshmënisë s’ Atdheut nga anmiqtë.
  2. V) Mbrenda dhjetë ditësh që prej sot, të gjithë Burrat e Malësive që përfaqsohën në këte “K U V E N D “, do të jenë gati me dalë n’ ushtri, porsa t’ jepet kushtrimi.
  3. VI) Kush dezerton o tradhëton dënohet me vdekje, dhe familja e tij, përzehet përgjithmonë prej rrethit të bashkjetesës së këtyne Malëve.

Kush i mungon kushtrimit, leçitet (i pritën marrëdhaniet) përgjithmonë nga bashkësija e Malëve, i digjet shtëpia dhe i merret pasunia e cila, shkon në dobi të lëvizjes.

VII) Një Këshill i ngushtë përba nga përfaqsues të Krahinave të ndryshme, nën kryesinë e z. Kolë Bib Mirakaj, qyshë sot do të përcaktojë planin e mobilizmit, Komandën e Përgjithshme dhe të tjera hollsina të nevojshme.

 

MBLEDHJA E KËSHILLIT TË NGUSHTË:

 

Caktoi delegatët e çdo krahine.

Kjo mbledhje u ba në darkë në shtëpinë time.

Sikurse, edhe maparë, në mbledhjen e përgjithshme prap u kërkue njëzani që unë, të merrshe Komandën e Përgjithshme t’operacjonit.

M’ asht dashtë mundim e shumë argumenta për t’ iu shmangë kësaj kërkesë. Kërkova ti ngarkohej Gani Kryeziut, nëse ai do ti përgjegjet apelit që do ti bajshim dhe nëse jo, do ti ngarkohej Gjon Markagjonit, tue i vue pranë një Shtab të zgjedhun.

Gani Kryeziu ndodhej në Bytyç me rreth dyqindë vetë. Besojshe, se nuk ishte komunist, megjithqë deri në një ngjarje tepër dhunuese për té, kishte bashkpunue me të kuqtë. Ngjarja në fjalë pat kenë kjo:

“Ditën e Bajramit të verës 1944, Ganiu, shumicën e njerzëve të tij i kishte lëshue të shkojnë ndër shtëpijat e tyne. Komunistët kishin qendrën në Krumë të Hasit, dhe duket se ishin informue me kohë e parapa atë gja. Një grup prej afer tridhjetë vetë kësish (të kuq), kishin shkue gjoja me i ba urime “shokut” Gani begu. Porsa arrijtën në qendër të Kryeziut, i  çarmatosën të gjithë ata që u ndodhën sëbashku me Ganiun, dhe morën rob Sahit Kryeziun, Lazër Fundon dhe oficerin anglez që ishte me misjon pranë Ganiut. Qellimi i tyne ishte me ekzekutue Lazër Fundon, i dënuem nga partia komuniste. Të shkuemën në Krumë, Fundon e pushkatuen. Sahitin dhe oficerin anglez i liruen.”

I drejtova Gani Kryeziut një letër me të cilën, i bajshe apel n’emën të KUVENDIT që të bashkohej me forcat tona, tue i ofrue Komandën e Përgjithshme, me një Shtab kompetentësh e një Këshill të përbamë nga Gjon Markagjoni, Muharrem Bajraktari, Kolë Mirakaj dhe një përson të zgjedhun nga Krenët e Dibrës. Letra iu dorzue Man Arif Lamës, nga Mejdani i Gashit, i cili mori përsipër t’ ia dorzonte Gani beut mbrënda dy ditësh.

 

KËSHILLI  VENDOSI:

 

1) Derisa Gani Kryeziu, të mos ketë dhanë përgjegjën pohuese, ose të mos kemi arrijtë me u bashkue me fuqitë e Kapidanit të Mirditës, Komanda e Përgjithshme dhe dhanja e kushtrimit i ngarkohën z. Kolë Mirakaj.

2) Veprimet do të fillojnë në dy drejtime njëheri:

  1. Njëmbëdhjetë Bajrakët e Dukagjinit dhe Gashë e Krasniqe do të marrshojnë nga Hasi drejtë Lumës me objektiv Peshkopinë. Marrshimi do të bahet në faza të urdhnueme nga Komanda e Pergjithshme. Komanda e këtyne forcave i ngarkohet përkohësisht kapiten Tahir Hoxhës nga Gashi, dhe mbasi të jenë bashkue të gjithë me forcat e Lumës, komanden e merr definitivisht kolonel Muharrem Bajraktari.

b.Shtatë Bajrakët e Pukës dhe Fushat, do të hyjnë në Mirditë, dhe të gjitha bashkë me fuqitë e Mirditës, Malësisë së Lezhës dhe Thkellës do të marrshojnë per Burrel dhe Krujë njëherit. Komanda e këtyne forcave i ngarkohet z. Gjon Markagjoni me zëvëndës z. Kolë Bib Mirakaj.

  1. Bashkue me fuqitë e Matit, e nëse paraqitet nevoja, një pjesë e këtyne fuqive do ti dërgohet në ndihmë nga Qafë-Murra, Muharrem Bajraktarit për pushtimin e Peshkopisë dhe spastrimin e krejtë Dibrës. Pjesa tjetër do të marrshojë drejtë Shen-Gjergjit.
  2. Fuqitë e grumbullueme në Peshkopi: Një kolonë marrshon drejtë Qafë-Thanës, e një tjetër drejt Elbasanit. Ky marrshim do të bahet në koordinim me fuqitë e grumbullueme në Shën-Gjergj.
  3. Kolë Bib Mirakaj ngarkohet me kordinue veprimin e forcave të ndryshme (derisa nuk i asht dorzue komanda Gani Kryeziut dhe Gjon Markagjonit) dhe, kryesisht, me fuqitë e Lidhjes së Prizrenit.
  4. Në Tiranë ka për tu ba riorganizimi në baza të gjana kombtare.
  5. Kolë Bib Mirakaj qyshë tashti, dhe mandej komandanti i Përgjithshëm, kanë të drejtë e autoritetin me emnue oficierët, deri në gradën nënkolonel. Nënoficierët i emnojnë komandantët e reparteve.
  6. Në kushtrimin e parë, detyrohën me dalë n’ushtri me armët e veta e me bukë për tri ditë, një për shtëpi ku ka dy Burra, dy për shtëpi ku ka tre dhe katër Burra, tre për shtëpi ku ka pesë Burra e naltë, mbrënda moshës së caktueme si të detyrueshme.

Në rasë nevoje të kushtrimit të dytë do të dalin të gjithë Burrat prej moshës 18-55 vjeç, pa asnjë mungesë.

  1. Për të mos i lanë shteg anmikut që të shfrytëzojë propagandën “muslimanë e të krishterë”, forcat e Dukagjinit, që prej Qafës së Kolçit, do të prihën nga Parësia e Krasniqes dhe e Gashit.
  2. Nga forcat e mobilizueme në Malësi të Madhe e Rranxa, do të kërkohet vetëm një numër simbolik prej 200-250 vetësh, dhe të tjerat do të lehën në vend për ruejtjën e kufinit me Mal’ të Zi (vazhdojnë firmat).

Bërthama e parë e këtyne forcave (Pukë, Dukagjin e Malësi e Gjakovës), u llogarit rreth gjashtmijë vetë, e që deri në Tiranë, do të shkapërcente numrin tridhjetmijë Burra.

Mendojshe se, me që “jurishi s ll a v” nuk kishte fillue endè kundra Kosovës, Lidhja e Dytë e Prizrenit kishte forca të mjaftueshme, për të mujtë me dërgue një pjesë që të bashkoheshin me forcat e Malëve në Kukës. Kishim ndigjue se edhe rreth njëmijë ballista nën Komandën e Xhelal Straveckës e Musa Kranjës, kishin arrijtë në Prizren nga Greqia, e kjo, kje shumë e vërtetë.

Përgatita një letër në tri kopje, me vendimet e KUVENDIT e ua dërgova: Një z. Xhafer Deva, Kryetar i Lidhjes së II të Prizrenit, nji Musa Kranjës e Xhelal Straveckës, tue u kërkue bashkimin e fuqive të tyne me tonat dhe datën kur mund t’arrinin në Kukës, që të dijshe me caktue ditën e kushtrimit në lidhje me përgjegjën e tyne.

Një kopje ia dërgova edhe Gjon Markagjonit.

***

Natyrisht, komunistëve nuk mund t’ iu shpëtonte pa u marrë vesh një mbledhje e tillë, dhe rrezikun që kjo përbantë për ata. Me të gjitha forcat që disponojshin në Dibër, Mat e Lurë, shpërthyen Mirditën tue lanë të rrethuem Sh’Palin, ku po qëndronte një fuqi me Mirditas e Dibranë nën komandë të Ndue Gjomarkaj e Halil Alisë, dhe mësyjnë për Iballe. Natën e 16-17 tetorit, m’ arrijti lajmi dhe i dhashë kushtrimin Pukës, Dukagjinit, Gashit e Krasniqes, megjithse, Krenët që kishin marrë pjesë në Kuvend nuk kishin arrijtë endè në shtëpijat e tyne. Dukagjini me Nikaj Mertur (njimijë e pesqindë vetë) arrijtën në Qafë-Kolçit mbrënda dy ditësh. Paria e Gashit dhe Krasniqes nuk doli me u prij për në vend të tyne, siç ishte vendosë, dhe kështu Nikaj-Merturit e Dukagjinit iu desht me pritë aty në mbrojtje. Unë me pesqindë vetë por që shpejtë u shtuen e u banë njimijë e

pesqindë, u nisa për ndeshje me ta. Ndeshja me brigatat komuniste filloi në mëngjesin e ditës 18 tetor 1944 në malet e Lumit t’ Bardhë afër Fushë Arrësit. I thyem e i përzumë prej andej deri në Mushtë e në Gojan.

Na mungonte municjoni për të mundë me shfrytëzue suksesin. Disa ndër njerëzit e mijë nuk kishin as armë.

Në mbështetje të premtimëve të Komandës Gjermane për disa armë e mjaft municion, caktova sulmin e përgjithshëm për datën 25 tetor në të gdhime.

Më kishin premtue 200 armë, pesdhjetë arka municion dhe një sasi mitroloza e bombahjedhëse (mortaja) të lehta, për të mi dergue mbrënda datës 24 tetor. Nga të gjitha këta, më erdhen dy arka municion pushkësh, një arkë bomba doret e dy bombahjedhëse 45, me dy arka municion.

Nuk kishe mjete për mundësi sulmi, prandej u deshtë me e anullue vendimin për ndonjë ditë mavonë kur të më arrinte materjali i nevojshëm.

Nisijativa i mbet anmikut.

Pozicionet e mija shtriheshin nga Livadhi i Hamzit (Terbun), Gojan, Kimës e Qafë-Bari (afër Munellës). Anmiku sulmoi po me datën 25 pak kohë paradreke. Më shterri municioni, u shtërngova me tërhjekë pozicionet nga Gojani, Kimza e Qafë-Bari, per në Fushë-Arrësit, Bardhet e Qafë-Malit. Mbas dy ditësh edhe nga Livadhi i Hamzit, per në Rrapë e rreth Pukës. Ndër këto pozicione qendruem deri me 20 Nandor, tue u furrnizue me nga dy-tri arka municion çdo ditë. Dukagjini (duhet shtue Malësia e Gjakovës, që ishte pa pushkë), qendroj në Qafë Kolçit deri në fund të Nandorit, pa ua lëshue një pëllamë tokë brigatave bolshevike, të formueme nga kosovarë  malazezë të Gashit e Krasniqes.

***

Një pjesë të forcave të Pukës i kishëm përvete e me moral të naltë, dhe ma në fund edhe gjermanët na dhanë tridhjetë arka municoni e dy topa të vegjël me 85 predha (gjyle). N’ anëntjetër, kishe organizue një plan veprimi shumë sekret, për me zanë në befasi brigatat komuniste që t’ udhëhequna natën nga komunisti Kadri Çoba i Qarretit me disa shokë të tij, na kishin dalë mbas shpine për të mësye Iballen. Ballistat kishin fillue të arrinin turra-turra nga Prizreni, të cilët i përbujta dhe i ushqeva, po nuk kje e mundun ti bindi të qëndrojnë me né, pa arrijtë në Shkodër për të marrë udhëzime e urdhën prej kryetarëve të tyne. Dojshin fjalën e Mit’hat Frashërit, që gjendej në Shkodër.

Kishe nevojë të domosdoshme për një ndihmë prej rreth njimijë vetësh nga fuqitë e grumbullueme në Shkodër, që atë kohë nuk kishin asnjë veprim, veçse, me hangër bukë e me marrë rrogat, flas per forcat balliste. Kjo ndihmë ishte e nevojshme jo vetëm, si forcë, po edhe për të naltue moralin e krahinës që tashma e shihte se kishte ngelë vetëm në këte ndeshje. Vendosa të nisëm vetë për Shkodër, tue i lanë perkohsisht tim vlla, Pashukut, komandën.

Komandanti i Përgjithshëm, i ndjeri Mark Gjomarkagjoni, nuk mungoi ta kuptojë rendsinë e planit tim e të përpiqet me ba dishka, por nuk u ba gja. Ballistët e inkuadruem nën Komandën e Shkodrës, prej së cilës ushqeheshin e paguheshin, mbasi e dhanë fjalën me më ndjekë planin, u shmangën. U mbajta edhe një fjalim të shkurtë në korridorin e madh të prefekturës e kjenë mjaft entuzjastë, por mbas tri orësh, e mbasi morën kontakt me Mit’hat Frashërin e krenë tjerë, më njoftuen se nuk mund të vinin me mue.

Edhe Hasan Isufi me një bataljon më tha se do të vinte me mue, e së fundit më mjaftonte, po edhe ai fatzi u gënjye nga Rasim Gjyrezi me disa parsi të Shkodrës, që kishin kujtue se e rregulluen punën e tyne me komunistët, e kështu, edhe Hasani nuk u bind, edhe pse më pat dhanë fjalën. Atëherë, u shtërngova të lajmëroj Pashukun që të shpërndajë fuqitë në grupe të vogla, tue evitue sa të jetë e mundun ndeshje me komunistët, për të pritë përfundimet e bisedimeve me përfaqësuesit e Malit të Zi.

***

Prej Xhafer Devës nuk mora asnjë përgjegje.

Pashuku, kur erdhi nga Prizreni, më kishte thanë se Xhaferi me dhjetmijë deri dymbdhjetmijë kosovarë do të tërhiqeshin dhe të vinin në Pukë, e mandej, o me shkue për Shkodër, o me u tërhjekë me ushtrinë gjermane, ose me u shpërnda ndër male në grupet e rrezistencës. Kështu i kishte thanë Xhafer Deva, tue e porositë që të më njoftonte mue, për të mbajtë unë të sigurueme rrugën Kukës – Pukë.

Pak ditë mbas arritjes së Pashukut, mora vesh se Xhafer Deva, ishte nisë për Vjenë me aeroplan për të mos u kthye ma për qendresë, ndërsa, kosovarët po vazhdonin të luftonin.

“Partizanët e Halit Tafanit na vranë babanë në oborr”, dëshmia dhe emrat e 37 personave: Si u krye masakra në Hotel “Bristol”

Dashnor Kaloçi/ Publikohet dëshmia e Islam Lleshit, ish-eksponent i Rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës, lidhur me vrasjen e babait të tij, Muharrem Lleshit më 13 nëntor 1944 nga njësiti partizan me komandant, Halit Tafanin, dhe masakrën ndaj 40 nacionalistëve e intelektualëve të njohur tiranas, të cilët u ekzekutuan në bodrumet e Hotel “Bristol”-it pas largimit të gjermanëve nga kryeqyteti…  

 

Aty rreth orës 3 të mëngjesit duke u gdhirë 13 nëntorit i vitit 1944, nga jashtë oborrit të shtëpisë sonë u dëgjua zëri i Telat Kalos që ishte mhallali i joni dhe njëkohësisht edhe sekretari i Këshillit Nacional-Çlirimtar për lagjen ku banonim ne, i cili thëriti babanë tonë, Muharremin, duke i thënë të dilte se kishte një fjalë me të. Babai u vesh shpejt dhe porsa doli në oborr, akoma pa mbërritur tek Telati, u qëllua me breshëri automatiku nga tre partizanë që ishin fshehur mbas një peme brenda avllisë sonë dhe mbeti i vdekur në vend”.

Njeriu që dëshmon është Islam Lleshi, ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës Antifashiste dhe një nga dëshmitarët okular të masakrave që kryen forcat partizane të “Ushtrisë Nacional-Çlirimtare” të Enver Hoxhës gjatë ditëve kur luftohej për çlirimin e Tiranës në nëntorin e largët të vitit 1944. Këto dëshmi, Islam Lleshi na i ka dhënë pak kohë para se të ndahej nga jeta dhe mes të tjerash ai dëshmonte gjithashtu per herë të parë edhe rreth vrasjes së babait të tij, Muharrem Lleshit, një nga viktimat e shumta të masakrave që kryen partizanët në ditët e para të nëntorit 1944, të cilat në historinë e Shqipërisë njihen ndryshe si “Lufta për çlirimin e Tiranës”. Po si qëndron e vërteta rreth kësaj ngjarje dhe a ka pasur vërtet luftë në mes forcave gjermane që ishin instaluar ato ditë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, dhe partizanëve të Divizionit të Parë të komanduar nga Gjeneral-major Dali Ndreu, të cilit Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare i kishte ngarkuar detyrën e çlirimit të kryeqytetit? Si hynë partizanët në Tiranë dhe si ekzekutuan ata në shtëpitë e tyre me dhjetra persona, të cilët i kishin në listat që ua kishin dorezuar më parë Këshillat nacional-çlirimtare të lagjeve? Si u krye masakra në Hotelin “Bristol” dhe cilët ishin intelektualët e njohur që u ekzekutuan në bodrumet e atij hoteli?

Marrveshja e gjermanëve me partizanët për Tiranën!

Lidhur me këto ngjarje, Islam Lleshi, i cili asokohe ishte pjestar aktiv i çetave nacionaliste të Ballit Kombëtar, kujtonte: “Aty nga fundi i tetorit ’44, forcat partizane të Divizionit të Parë (me komandant, gjeneral-major Dali Ndreu) që e kishin vendosur shtabin e tyre rrëzë malit të Dajtit, në fshatin Priskë të Tiranës, nuk hynin dot në kryeqytet, pasi gjermanët kishin tre pika kryesore ku ishin instaluar; Një në fshatin Linzë në lindje të Tiranës, një në Komandën e Xhandarmërisë që ishte vendosur aty ku sot është Kryegjyshata Bektashiane, dhe tjetrën në Tiranën e Re. Nga të dhënat që vinin asokohe, thuhej se Komanda Gjermane e cila ishte vendosur aty ku sot është korpusi i Universitetit Shtetëror të Tiranës, po priste forcat e tjera që do vinin nga Greqia, me një autokollonë të gjatë nga Korça për në Tiranë dhe do vazhdonin në drejtim të Shkodrës për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria. Qëllimi i forcave gjermanëve ishte tërheqja e plotë e tyre drejt Berlinit, dhe ata nuk kishin asnjë plan për të luftuar. Ata mundoheshin vetëm që të mbronin rrugëkalimet nga do të tërhiqeshin dhe pikat kyçe nga mund të goditeshin prej forcave partizane apo dhe atyre nacionaliste. Nisur nga kjo gjë, komanda gjermane që ishte në Tiranë, i kishte dërguar fjalë shtabit partizan të Divizionit të Parë, që të mos i ngacmonte dhe të mos i krijonte probleme, sepse në datën 20 nëntor ata do të largoheshin përfundimisht nga Tirana. Për të ndërmjetsuar me partizanët lidhur me këto probleme, gjermanët kishin caktuar Petraq Pekmesin (e kishte shtëpinë aty ku sot është lagjia “Ali Demi”) i cili asokohe kryente detyrën e përkthyesit pranë komandës gjermane. Pasi gjermanët i tërhoqën dy pikat kryesore të tyre të vendosura në Linzë dhe te Kryegjyshata, partizanët hynë pa luftë deri tek Rruga “Bardhyl”. Pas kësaj shtabi i Mehmet Shehut u vendos tek shtëpia e Abdulla Qyqes, ku Petraq Pekmezi shkonte e komunikonte rregullisht me ta, sipas porosive që i jepnin gjermanët”. Kështu e kujtonte Islami Lleshi rrethimin e Tiranës dhe marrveshjen që gjermanët bënë asokohe me krerët e Divizionit të Parë partizan të kryesuar prej Dali Ndreut e Mehmet Shehut, për të mos goditur njeri tjetrin, gjë e cila asokohe u mësua prej Petraq Pekmesit, përkthyesit të gjermanëve.

 

Masakrat e partizanëve në Tiranë

Po si vepruan partizanë me kundërshtarët politikë dhe me familjet e tyre që ata i quanin “reaksionare”, ato ditë të nëntorit 1944 kur hynë në Tiranë? Lidhur me këtë Islam Lleshi tregonte: “Që kur Divizioni i Parë partizan ishte i dislokuar në Priskë, nëpërmjet njerëzve të tyre dhe këshillave Nacional-Çlirimtare që ekzistonin në çdo lagje, ata kishin marrë të gjithë emrat e kundërshtarëve të tyre politikë (kryesisht të Ballit e Legalitetit) dhe familjeve të tyre, të cilat i kishin shënuar në lista të sakta. Kështu pas çdo përparimi që ata bënin në drejtim të qëndrës së Tiranës (pas tërheqjes së gjermanëve) duke hyrë nëpër lagje, ekzekutonin të gjithë personat që i kishin në ato  lista, të cilat ua tregonin dhe këshilltarët komunistë të që ua nxirrnin nga shtëpitë e tyre për t’i ekzekutuar. Këtë gjë partizanët e zbatuan pikë për pikë edhe me familjen tonë nacionaliste, duke na vrarë babanë, Muharremin, sepse në atë kohë unë isha në çetat e Ballit Kombëtar me armë në dorë, dhe vëllai Sulejmani (i diplomuar në Torino për Veterinari) i cili ishte një nga të parët që aderuan me Ballin Kombëtar dhe asokohe gjendej i arrestuar nga partizanët. Kështu rreth orës 3 të mëngjezit duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944, nga oborri i shtëpisë sonë u dëgjua zëri i Telat Kalos që ishte mhallali i joni, e njëkohësisht sekretar i Këshillit Nacional-Çlirimtar, i cili thërriti babanë duke i thënë që të dilte jashtë, pasi kishte një fjalë me të. Babai u vesh dhe sapo doli jashtë, akoma pa u afruar tek Telati i cili u tërhoq disa hapa më prapa nga vendi ku thërriti, disa breshëri automatiku të tre partizanëve që ishin fshehur mbas një peme të avllisë sonë, e lanë babanë të vdekur në vend. Pas kësaj partizanët hynë brenda në shtëpi duke tmerruar nënën Fitneten, dy vëllezërit e vegjël, Njaziun 10 vjeçar (para viteve ’90-të, trainer i famshëm i basketbollit të ekipit “Partizani”) motrën Dylberen 12 vjeçare, dhe Bardhulin 2 vjeçar. Po kështu në shtëpi ishte dhe vajza e kushëririt tone, Fadil Lleshit, (Ikbalja, motra e Mustafa Lleshit, shoku i ngushtë i Kajo Karafilit) partizan, që ishte vrarë në Pezë. Kur partizanët që hynë brenda filluan të bërtisnin duke kërkuar armë, Ikbalia u tha atyre se në atë familje ishin njerzit e Mustafa Lleshit. Pas kësaj ata u shtangën dhe njeri nga partizanët që si duket ishte komandanti i tyre, u bëri thirrje të tjerëve që po kontrollonin, duke u thënë: ‘Hajde të ikim’. Të nesërmen në shtëpinë tonë erdhën disa nga të afërmit tanë dhe babain e varrosën në oborrin e mbrapëm të shtëpisë, pasi për vetë situatën ku ndodhej kryeqyteti nën breshërit e armëve dhe bombave, nuk mund të shkonin tek varrezat e Bamit. Njerzit që vinin në shtëpinë tonë për të nga ngushëlluar, tregonin se ato ditë kudo nëpër Tiranë partizanët kishin vrarë dhe masakruar shumë nacionalistë e intelektualë të njohur. Shtabi i partizanëve me komandant Halit Tafanin që kryen vrasjen e babait tonë, u vendos aty afër nesh tek shtëpia e Ferit Vokopolës (ish deputet i Zogut) dhe pas largimit të tyre aty u gjet dhe një listë me personat që ishin pushkatuar ku bënte pjesë dhe babai ynë”. Kështu e kujtonte Islam Lleshi, ngjarjen e vrasjes së babait të tij Muharremit, duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944

Dhjetra të ekzekutuar në Hotelin “Bristol”

Por ato ditë të nëntorit të vitit 1944, forcat partizane që kishin marrë detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Enver Hoxhës për të marrë Tiranën, ekzekutuan nëpër shtëpitë e tyre edhe shumë nacionalistë dhe intelektualë të tjerë të njohur. Lidhur me këtë Islam Lleshi dëshmonte: “Pasi vranë babanë tonë, forcat partizane kaluan bulevardin, dhe ekzekutuan edhe Anton Mazrekun, i cili e kishte shtëpinë jo më larg se 100 m. nga ne, pranë Kinemasë “Rozafat”. Po atë natë partizanët ekzekutuan edhe disa nacionalistë e intelektualë të njohur, si: Aleks Mavraqi, Ismail Petrela, Lluka Xhumari, vëllezërit, Muntaz e Vesim Kokalari, (vëllezërit e Musine Kokalarit),gazetarin e njohur Nebil Çika, nje grua mirditore që quhej Dila (pronare e një pijetore) dhe disa të tjerë të cilët i kishin arrestuar ato ditë dhe i mbanin të lidhur në bodrumet e Hotelit “Bristol”(ku sot është Muzeu Kombëtar). Masakra që komunistët kryen në hotelin “Bristol” ishte e fundit në Tiranë, sepse pas asaj dite e deri me largimin e gjermanëve, nuk u ekzekutua asnjë nacionalist apo person tjetër në në kryeqytet. Thuhet se urdhëri për ndalimin e masakrave ndaj nacionalistëve erdhi nga Enver Hoxha, i cili asokohe ndodhej në Berat bashkë me qeverinë provizore në pritje për të ardhur në Tiranë. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija (seria e veprave) Enveri shkruan:‘Kur ishim në Berat më erdhi në zyrë me një frymë Sejfulla Malëshova dhe më tha: Enver në Tiranë po vrasin oficerët. Ky është gabim i madh se ata do na duhen nesër kur të ngremë pushtetin’. Unë i thashë nëse e fliste me përgjegjësi atë gjë’, shkruan Enveri në kujtimet e tij. Nga sa shihet edhe prej debabtit që Enveri ka bërë me Malëshovën, ai mund të jetë frenuar dhe ka dhënë urdhër që të ndaloheshin ekzekutimet e nacionalistëve në Tiranë. Nga ky urdhër i shpëtoi jeta edhe Osman Kazazit, kur në mëngjezin e 13 nëntorit partizanët shkuan për ta ekzekutuar në shtëpinë e Dem Xhepës (tregtar i njohur që kishte financuar komunistët dhe mik i ngushtë i Myslym Pezës). Partizanët i kërkuan Demës që t’ua dorzonte Osmanin, por ai duke i pasur krahët e nxehta nga miqësia me parinë e komunistëve, rezistoi e nuk e nxorri duke u thënë se do ua jepte të nesërmen. Dhe vërtet Dema e nxorri të nesërmen Osmanin duke ua çuar partizanëve të cilët nuk e pushkatuan, si duket pas urdhërit që kishte dhënë Enveri”, kujtonte Islam Lleshi rreth vrasjeve që partizanët bënë ndaj nacionalistëve ato ditë nëntori të vitit 1944 dhe masakrën në bodrumet e Hotelit “Bristol”.

Në Tiranë nuk u luftua

Po a ka pasur luftë në mes forcave partizanëve dhe atyre naziste gjermane në qytetin e Tiranës në nëntorin e vitit 1944? Lidhur me këtë, Islami Lleshi kujtonte: “Që nga fundi i tetorit e deri në datën 17 nëntor 1944 kur gjermanët u larguan përfundimisht nga Tirana, nuk ka pasur fare luftë në mes tyre dhe partizanëve. Gjithë ato ditë jeta në kryeqytet ishte krejt normale, tepër e qetë dhe funksiononin rregullisht të gjitha aktivitetet tregtare në të gjitha zonat e Tiranës si në qëndër të saj, ashtu dhe në periferi. Edhe kur partizanët e Brigadës së Parë u afruan nga periferitë e kryeqytetit dhe kontrollonin gjithë zonën Lindore të Tiranës, deri tek Rruga “Bardhyl”, gjermanët rrinin lirisht pa asnjë lloj problemi, në Hotel”Dajti”, (ku ishte rezidenca kryesore e tyre) në Tiranën e Re dhe gjatë gjithë bulevardit kryesor nga stacioni i sotëm i trenit e deri tek korpusi qëndror i Universitetit Shtetëror të Tiranës ku asokohe ishte vendosur komanda gjermane. Ajo situatë e qetë që mbretëronte ditën, ndryshonte krejtësisht natën, ku dëgjoheshin krisma bombash dhe breshëri armësh pothuaj në të gjithë Tiranën. Kjo gjë vinte sipas një plani që kishin bërë më parë partizanët të cilët kishin urdhëruar komunistët dhe ilegalët që ishin në qytet, që të qëllonin gjithë natën kot në ajër, me qëllim që popullsia e kryeqytetit të kujtonte se po bëhej luftë e madhe dhe se po vinin partizanët për t’i çliruar. Pasi gjermanët u tërhoqën nga Rruga “Bardhyl” për në qëndër, ku instaluan vetëm një tank në një gropë të madhe tek sheshi “Skënderbej”, partizanët përparuan pa shkrepur asnjë armë dhe u afruan deri aty ku sot është Estrada e Tiranës. Aty ata ngritën një barrikadë të gjatë me fuçia dhe mjete të ndryshme, duke e bllokuar krejt bulevardin. E vetmja luftë që është bërë deri më datën 13 nëntor në Tiranë në mes partizanëve dhe gjermanëve, është ajo për marrjen e bunkerit (tankut) që ishte vendosur në qendër të Tiranës. Kjo gjë është më se e vërtetë dhe në mënyrë apsolute luftë tjetër nuk ka pasur gjatë gjithë atyre ditëve që propaganda komuniste prej vitesh ka pretenduar se është bërë luftë e madhe për çlirimin e Tiranës. Le të dalë një familje tiranase dhe të thotë se ato ditë ka parë ndonjë partizanë të vrarë brenda kryeqytetit. Nuk është aspak e vërtetë se 134 partizanët e Brigadës së Parë u vranë për çlirimin e Tiranës. Ata janë vrarë në rrethinat e në fshatrat e kryeqytetit, si: Sauk, Selitë dhe në Laprakë tek Fusha e Aviacionit, në përpjekjet për të hyrë në qytet. Vetëm gjatë tërheqjes së tyre nga Rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit më 17 nëntor, gjermanët ekzekutuan tek tuk ndonjë person nga popullsia civile, vetëm pasi ata u goditën me armë. Këtë gjë gjermanët e bënë pasi më parë kishin lajmëruar tërheqjen e tyre dhe se po të goditeshin, do të hakmerreshin. Kurse ndërtesat e shkatërruara në qëndër të Tiranës, kryesisht rreth e rrotull sheshit “Skënderbej”, etj, nuk janë prishur si rezultat i ndonjë lufte, por nga bombardimet e aviacionit aleat anglo-amerikan, të cilët qëllonin kundër forcave gjermane kudo ato ndodheshin”. Kështu shprehej Islam Lleshi lidhur me ato ngjarje të largëta të vitit 1944, të cilat në historinë e Shqipërisë njihen si “ditët për çlirimin e Tiranës”, duke këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë lloj lufte në mes partizanëve dhe gjermanëve brenda qytetit. Për të cilat propaganda e regjimit komunist për gati gjysëm shekulli me rradhë i ka bërë jehonë të madhe duke thënë se: ‘Është luftuar shtëpi më shtëpi dhe rrugë më rrugë, ku gjaku është derdhur rrëke’. ‘Gjaku që u derdh në rrugët e Tiranës në ato ditë, ishte ai i 40 intelektualëve nacionalistë, të cilët u ekzekutuan nga forcat partizane në bodrumet e hotel “Bristol”-it dhe rrugëve të Tiranës”, e përfundonte dëshminë e tij Islam Lleshi, ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar, babanë e të cilit, komunistët e ekzekutuan pa asnjë shkak në pragun e shtëpisë së tij duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944./Memorie.al

Lista e të ekzekutuarëve në Tiranë nga njësiet partizane

  1. Abdulla Saraçi
  2. Muharrem Liku
  3. Hamit Greblleshi
  4. Muntaz Kokalari
  5. Vesim Kokalari
  6. Syrja Kokalari
  7. Azis Blloshmi
  8. Muharrem Lleshi
  9. Akil Sakiqi
  10. Nazmi Uruçi
  11. Hasan Dine
  12. Bajram Cuka
  13. Boris Beleski
  1. Fahri Dabulla
  2. Faik Shkupi
  3. Ismail Petrela
  4. Jusuf Allamani
  5. Jorgji Mema
  6. Jakup Deliallisi
  7. Mehmet Dado
  8. Kapllan Deliallisi
  9. Shefqet Deliallisi
  10. Anton Fekeçi
  11. Rifat Tërshana
  12. Petraq Pekmezi
  13. Selman Ali Korça
  14. Aleks Mavraqi
  15. Selman Shqefni
  16. Minella Kotokoci
  17. Ndue Pali
  18. Selim Brahja
  19. Selim Kelmendi
  20. Nebil Çika
  21. Lluka Xhumari
  22. Rakip Kalenja
  23. Ali Panariti
  24. Subi Topulli

“Qëlloni, burrat një herë vdesin!”, si u pushkatuan pa gjyq 14 personalitetet në Tiranë. Urdhri i Enverit, kush ishte zbatuesi dhe ku u ekzekutuan

Nata e 12 nëntorit 1944 ne Tirane cilesohet si nje nga masakrat më të mëdha të regjimit komunist, ku u denuan dhe u vrane kolektivisht, pa gjyq 14 figura të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.

Muzeu Kombetar “Shtepia me Gjethe” ne perkujtim te ketyre figurave te eliminuara mizorisht shkruan se 14 personalitete u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj nga gueriljet komuniste pranë hotel Bristol në Tiranë, me urdhër të Enver Hoxhës dhe zbatuesit të urdhrave të tij, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve.

Postimi i Muzeut Kombetar “Shtepia me Gjethe”

Përkujtojmë sot viktimat e regjimit komunist të vrarë natën e 12 nëntorit 1944 në Tiranë Nata e 12 nëntorit në Tiranë, shënoi një nga masakrat më të mëdha të regjimit komunist, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq të 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.

Me urdhër të Enver Hoxhës dhe zbatuesit të urdhrave të tij, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj nga gueriljet komuniste pranë hotel Bristol në Tiranë: Ismail Agë Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Nebil Çika, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari, Ali Panariti etj.
Ismail Agë Petrela një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit, thuhet se në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”
U pushkatuan në skutat e hotel “Bristol”-it pjestarët e familjes së shquar Kokalari nga Gjirokastra, Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalari. Muntazi dhe Vesimi ishin pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë.
Po atë natë, u pushkatua dhe Nebil Çika, personalitet i shquar në gazetari i cili drejtoi me sukses gazetën “Arbëria” dhe revistën “Minerva”. Korrespondent i Reuters dhe New York Times. Shkrimet e tij patën jehonë, duke e cilësuar si shkrimtar të nivelit të lartë për ngritjen e demokracisë.
Ushtarë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së familjes Lleshi, mesnatën e 12 nëntorit dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit i cili sapo u shfaq tek pragu i derës, u ekzekutua në mënyrë të menjëhershme.
Reshat Stërmasi, një tjetër viktimë e asaj nate, pjesë e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen për të mos i shërbyer fashistëve. Mori pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë.
Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, mori pjesë në hapjen e Kongresit të Dibrës të 23 korrikut 1909 dhe në hapjen e shkollave shqipe në zonën e Dibrës. Strehoi në shtëpinë e tij, familjen e Enver Hoxhës gjatë viteve të luftës, por më pas vritet më 12 nëntor.
Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kreu shkollën teknike në Itali dhe me iniciativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut dhe investitor i suksesshëm.
Ditët e terrorit komunist, ku njerëzit vriteshin nga gueriljet në prag të shtëpive e nëpër rrugicat e qyteteve, nisën qysh më 28 tetor 1944 e vijuan deri më 16 nëntor 1944.

Kush është “Big Boss” nga Tuzi që drejton rrjetin botëror të kokainës me avionë privatë. Kreu fluturime edhe nga Shqipëria

Duhet të jetë një “surprizë e bukur” për hetuesit e drogës, të cilët pikasën një furgon në garazhin e bodrumit të Grand Casino në Bazel pasditen e 16 majit të këtij viti.

 

Pas sugjerimeve nga partnerët e tyre ndërkombëtarë, ata po ndiqnin një dërgesë kokaine që kishte mbërritur më parë në aeroportin Basel-Mulhouse me avion privat.

Ajo që hetuesit nuk e kishin pritur se “Big Boss”, i cili qëndron prapa dorëzimit të drogës sipas një vendimi të gjykatës, ulet pikërisht vetë “Ford Transit”. Por atje ishte, Michael Dokovich, një malazez me një të kaluar të dyshimtë, së bashku me dy bashkëpunëtorë, një pilot dhe një shkencëtar të kompjuterave. Në bagazhin: 21 çanta plot me drogë, gjithsej 600 kilogramë kokainë. Ishte konfiskimi më i madh i drogave të forta ndonjëherë në tokën zvicerane.

Kjo erdhi si surprizë për autoritetet vendase. Thuhej se ata duhej të reagonin “vonë në mbrëmje” dhe “shpejt” për informacionin e dhënë nga autoritetet kroate, thotë zëdhënësi i policisë federale Fedpol, Thomas Dayer.

Vetë shefi i madh ishte në vend – një gabim nga ana e tij,” komenton një oficer i policisë zvicerane. “Në parim, ata kurrë nuk e marrin duart e tyre drogën. Nuk ishte planifikuar ta arrestonin, ishte një mundësi mjaft unike.”

Arrestimi i 60-vjeçarit malazez ishte një “surprizë e këndshme”, thotë koloneli François Després i Xhandarmërisë Franceze. Dhe kulminacioni i “Operacionit Familia”, i cili ka muaj që zhvillon. «Dorëzimi u monitorua. Pas uljes ne kemi produktin në anën e Bazelit. Kjo korrespondonte me skenarin e autoriteteve çeke  dhe kroate”.

Paraja në një Mercedes

Sipas burimeve kroate, hetimi për Operacionin “Familja” filluan në fund të vitit 2017 dhe për të arritur sukses në tetor 2018. Në kufirin Kroaci-Slloveni afër Zagrebit, zyrtarët doganorë do të gjejnë një milion euro para në shasi të një Mercedesi. Në makinë: e dashura e Michael Dokovich. Paratë konfiskohen, zyrtarët lëshojnë të dashurën e Dokovich. Në thirrjet telefonike të përgjuara, partneri i saj krenohet se ka organizuar dhjetëra transporte të parave të ngjashme vitet e fundit.

Në atë kohë, malazezi nuk fshihej me një të kaluar të gjatë kriminale. Në Facebook, ai pozon si një hotelier, pronar i hoteli në Tuz, Mali i Zi, afër kufirit shqiptar.

Në fakt, sipas hetuesve, ai tregtonte kokainë nga banesa e tij në Zagreb nën një larmi pseudonimesh. Emri i tij i lindjes: Ilmija Frljuckic. Banda e tij përfshin një polic të korruptuar kroat, i cili i jep informacione dhe e ndihmonte atë të ndërtojë identitete të rreme.

Dokovich financon biznesin e tij të mashtrimit në Shtetet e Bashkuara. Banda e tij vodhi kodet PIN të më shumë se 20,000 klientëve të bankës në fillim të këtij mijëvjeçari. Bashkëpunëtorët e tij u arrestuan, përfshirë vëllanë. Por Dokovich mundi të ikte në Evropë, me miliona dollarë në valixhet e tij.

Kontaktet e Amerikës së Jugut

Vitet e ardhshme janë në errësirë. Është e qartë se Dokovich e ka zhvilluar bandën e tij në një organizatë të fuqishme me lidhje në të gjithë botën. Rrjeti i tij shtrihet deri në Hong Kong, ku policia konfiskoi 421 kilogramë kokainë të destinuar për Australinë në prill të këtij viti.

Njeriu i dorës së djathtë të Dokoviç, Petro “Pjer” Sarac, realizonte kontakte në Amerikën e Jugut. Ky shkëmbim i drejtpërdrejtë me kartelet e Amerikës së Jugut është një shenjë dalluese e mbretërve të rinj evropianë të kokainës. “Këto grupe nga Ballkani Perëndimor po përpiqen të veprojnë para tyre, ashtu si italianët dhe Nigerianët”, vëzhgon një oficer policie zviceran. “Ata janë drejtpërdrejt të pranishëm në Amerikën e Jugut, me sa duket që të negociojnë ose të organizojnë transportin.”

Sipas disa hetuesve, organizatat serbe, malazeze apo shqiptare janë bërë një forcë e fuqishme në tregtinë e kokainës. Ata kanë arritur të krijojnë rrugë të drejtpërdrejta të shitjes nga Amerika e Jugut në Evropë pa ndërmjetës, gjë që minimizon kostot dhe zvogëlon rrezikun e kapjes.

Ndërsa transporti i anijeve me kontejner bëhet gjithnjë e më i popullarizuar, Michael Dokovich zgjedh mënyrën më të shpejtë për shpërndarjen e drogës nëpër botë: avionë privatë. Në fillim të vitit 2019, ai themeloi kompaninë ajrore MD Global Jet dhe punësoi pilotët çekë që transportonin pasagjerë VIP të shoqëruar nga shoqërues të vërtetë të fluturimit, në mënyrë që të ruanin pamjen e një kompanie me reputacion. Me anë të këtyre avionëve, ai transportonte edhe kokainë me valixhe.

Që prej vitit 2016, M-FISH ka zbarkuar më shumë se një duzinë herë në tokën zvicerane. Për shembull, më 10 janar 2019 avionët fluturuan nga Shqipëria përmes Gjenevës për në Bazel.

Avioni privat kreu katër fluturime të largëta drejt Amerikës së Jugut ndërmjet tetorit 2018 dhe marsit 2019. Qëllimi i tre prej këtyre fluturimeve të Amerikës së Jugut sipas aktgjykimit ishte kontrabanda e kokainës. Më 16 maj, gjatë fluturimit të kthimit nga Uruguai, hetuesit pastaj goditën Bazelin. Fedpol e regjistroi aksionin si një sukses të madh.

Jeta e dyfishtë si sipërmarrëse i supozuar hotelier dhe jeta private e luksit duket se do të ketë mbaruar tani për Dokovich. Ai dhe dy bashkëpunëtorët e tij do të ekstradohen në Kroaci. Shkencëtari i kompjuterave u transferua nga autoritetet kroate më 4 tetor. Ankesat e Dokovich dhe pilotit u refuzuan më 29 tetor nga Gjykata Penale Federale.

VETVRASJA E NJË KOMBI – PJESA E DYMBDHJETË – MBAS DHJETË MUEJSH NË TIRANË – Nga KOLË MIRAKAJ

 

MBAS DHJETË MUEJSH NË TIRANË

 

 

Komanda Gjermane – përveç, shpifjesh tjera që m’ ishin ba -, ishte informue edhe për takimin tim me majorin Neell. Kishte marrë vendim të më kapë e të më vrasë. Dy kompani nga Shkodra e dy nga Prizreni do të takoheshin tek ura e Berdhetit në rrugën Pukë-Kukës, për të arrijtë pa gëdhijë drita e me më rrethue në shtëpinë time n’ Iballe.

Ndërhyni fati!

Platzkomandanti i Prizrenit thirri tim vlla, Pashukun (që ndodhej me tregëti në Prizren), për ti ngarkue një mision delikat me rendësi të dorës së parë. “Duhet kapë një armik i rrezikshëm që po përgatitë sabotimin kundër komunikacionit të ushtrisë gjermane për të pré rrugën Shkodër-Prizren; ky anmik quhet Kol Bib Mirakaj, nga Iballe e Pukës. Ti Pashuk, nesër mbasdreke, ke për tu nisë me dy kompani ushtarë nga Prizreni për tek Ura e Berdhetit; aty do të gjeni edhe dy kompani që vijnë nga Shkodra, e duhet t’arrini n’ Iballë pa gëdhij dita për ta kapë “diser Hund” këté qen! Ta kam besue ty udhëheqjen e këtij operaconi me rendësi pse ti i njeh mirë ato vende, dhe se ké dishmue kurdoherë miqësi e lealitet ndaj nesh!” Kështu, i kishte folë koloneli Platzkomandant i Prizrenit Pashukut.

Pashuku, (tashti i Ndjerë), gjend’ keq në këte të papritun.

I thotë: “Zotni Oberst (kolonel), si më quejnë mue?”

– “Ja warrum?  (Po, pse?) Pashuk”

– Po mandej?

– Çfarë don të thuesh?

– A e dini si quhëm me emën e mbiemën?

– Pashuk Biba Mirakaj.

– Po, po ai anmiku i rrezikshëm i juej si u quejka?

– Kol Bib Mirakaj quhet.

– A nuk u kanë kujtue gja këta dy emna njëlloj, ai Kol Bib Mirakaj, dhe unë Pashuk Bib Mirakaj?

Koloneli u pré. “Po pse? jeni gja mes jush?(seit ihr verwanten)?”

– “Jemi vllazën prej babet e nanet. Ju keni pasë rasë me i njohtë ndjenjat e mija ndaj kauzës s’ Uej që e quejmë edhe tonën, pse e dijmë se po të fitoni ju, Shqipnija do të jetë indipendente ndër kufinjtë etnikë.

Unë jam tregëtar e jo politikan. Të gjitha veprimet e mija në politikë, si edhe veprimet luftarake, nuk janë gja tjetër veçse zbatimi i dëshirave e porosive të tim vllau, të cilit unë i besoj e i bindëm verbsisht. Tash gjykojeni Ju këte z. Kolonel, nëse Ai mund të jetë anmik i juej, apo asht e kundërta, dhe anmiqtë tuej e të tij kanë dijtë t’ Ju gënjejnë e gabojnë. Po të më lironi të dal prej këndej, dijeni se unë do ti dergoj menjëherë lajmin tim vlla që të largohet për të mos u shkaktue gjakderdhje e kotë. Dijeni mirë se po ta rrethoni befasisht, të gjallë nuk e kapni; e po ta vritni, keni vra një njeri që nuk ka tjetër qellim veç të mirën e Atdheut të vet, e asht mik i Juej, sëpse, e kujton fatin e kombit të vet të lidhun me fitorën tuej. E mos e kujtoni të lehtë një operacion të tillë; jo një bataljon, po edhe një divizjon po të jetë për këte qellim të keq, gjaku ka për të shkue deri në gju. Ai ka shtatqindë shtëpi fis përrreth e krejtë ato male t’ organizueme, jo kundër jush, po kundër komunizmit e mbrojtjën eventuale të Kosovës. Një pushkë po të fillojë në Iballë, përhapet kushtrimi i përgjithshëm.

Mos e bani këte gabim trashanik!” (Përkthente profesor Luk Çuni, i cili, tashti gjendet në Melbourne t’Australisë).

Heshtje vdekjeje!

Në pak sekonda, koloneli vendos: Merr ndërlidhje telefonike me gjeneralin Fitztum në Tiranë. I kumton bashkfjalimin me Pashukun dhe i kjartëson gabimin, tue e bindë t’ anulohej veprimi. I jep Pashkut dyqindë armë italjane e dhjetë arka municjon me mi sjellë mue, dhe e ngarkon të më njoftojë se gjenerali Fitztum dishëron të dërgojë një oficer të vetin për tu takue me mue për të skjarue çeshtjën, dhe pret përgjegjen nëse e pranoj takimin dhe vendin ku do të shihemi.

Mbas pesë ditësh një oficer me pesë nënoficera të S.D. arritën në shtëpinë time n’ emën të gjeneralit Fitztum. U fola me zemër të hapun edhe atyne, pa u fshehë takimet me majorin Neell. Më kërkuen të takohëm me gjeneralin Fitztum përsonalisht në Tiranë, Shkodër ose Pukë.

U tregova i gatshëm të shkoj në Tiranë, nëse më ftojnë me një telegram, mbasi ti kenë referue gjeneralit mbi bashkfjalimet me mue, e se atë telegram, do ta quejshe si pêng bese nga gjenerali përsonalisht drejtë meje. Në Tiranë – u thash atyne – dishroj të shkoj, pse due të takohëm edhe me Mit-hat Frashërin dhe të tjerë krenë të Shqipnisë, për të mujtë që t’ arrijmë të bashkojmë dhe të kordinojmë të gjitha forcat nacionaliste, kundër rrezikut aktual bolshevik.

Porsa u kthyen ata në Tiranë, u ftova telegrafisht dhe u nisa për udhëtim. Në Shkodër mora kontakt me kryetarët e “Beslidhjes Shkodrës”.

U tregova arsyet e qellimin e udhtimit tim, dhe planin e veprimit që mendojshe. Mu lutën që kur të kthehesha, tu baj ekspozenë e përfundimit të punës sime në takim.

Porsa arrita në Tiranë, një nga adjutantët e Fitztum erdhi të më përshëndesë, e më kumtoi se gjenerali më priste të nesërmën n’ ora dhjetë n’ audjencë. Më vuni në dispozicjon një veturë (automjet) me dy nënoficera, ndër këta një i quejtun Ramo Tutiqi nga Mitrovica, i cili tashti gjendet në Turki.

Bisedimi me gjeneralin përfundoi në këto kushte:

  1. a) Komanda gjermane asht gati t’ japin armët e municjonin e nevojshëm për të shue rrezikun komunist në Shqipni.
  2. b) Komanda Gjermane ven kushtet: Nuk dishron të dëgjojë grindje e ndasina në parti, po të gjithë të përmbledhun në një organizëm kombtar antikomunist, me një komandë të vetme. Kërkon garancinë përsonale me besë Shqiptare nga disa krenë, ndër të cilët kujtoj: Kapidani i Mirditës, Sylço beg Bushati, Mit-hat Frashëri e Kol Bib Mirakaj, që n’asnjë rastë e në çfardo rrethanash, nacionalistët Shqiptarë nuk do t’ ua venë pushkën ushtrisë gjermane mbas shpinet.
  3. c) Nëse nevojët strategjike kërkojnë tërhjekjen e ushtrisë gjermane nga toka Shqiptare, Komanda Gjermane në Shqipni, do ti dhurojë Komandës së forcave nacionaliste Shqiptare, të gjithë materjalin ushtarak që nuk i nevojitet asaj për udhtim.
  4. d) Nga forcat nacionaliste Shqiptare, nuk kërkohet të luftojnë kundër ushtrive Aleate në rasë zbarkimi, kerkohet vetëm, ruejtja e qetësisë së mbrëndshme.
  5. e) Për të vue në veprim sa u tha aty, Komanda Gjermane, pret kumtimin nga ana Shqiptare me ndermjetsinë e Kolë Mirakaj.

Në bisedimet ishte pranë edhe majori Lek Marashi, per ndihmë gjuhe, i cili tashti gjendet në Buffalo – N.Y. – U.S.A.

 

TAKIM ME MIT’HAT FRASHËRIN E MEHDI FRASHËRIN

 

Porsa dola nga Fitztum, shkova tek z. Koço Muka, aso kohe ishte Ministër i Arsimit, të cilit iu luta të më caktonte po atëditë pikpjekje me Mit’hat Frashërin. U takuem në shtëpinë e Koço Mukës, prezent edhe Koço. I tregova Mit’hat beut arsyet e qellimin e ardhjes sime në Tiranë, bisedimet me njerzit e “Beslidhjes së Shkodrës” dhe me gjeneral Fitztum,

organizimin e gatishmëninë e maleve për t’ iu përgjegjë një apeli kombëtar me rrokë armët, përfundova tue e cilsue atë si njeriun ma të përshtatshëm për të marrë nisjativën e kësajë vepre shpëtimtare menjëherë. I propozova të ftohën në mbledhje të gjithë Krentë e Shqipnisë në Tiranë, e nga kjo mbledhje të caktoheshin forcat e nevojshme që duhej t’ jepte çdo krahinë dhe mandej t’ jepet kushtrimi i përgjithshëm për sulm kundra komunizmit.

Me që Mit’hat beu shfaqi dyshimin se ndoshta, do të ketë nga ata që nuk do ti përgjegjeshin apelit të Tij, e sigurova, dhe ua mora unë përsipër për Kapidan Gjon Markagjonin e Sylço beg Bushatin, Maliq Bushatin, (me këta kishe folë e mezi pritshin) dhe për të gjithë Krenët e Malëve. E sigurova se mbrënda dhjetë ditësh nga dhanja e kushtrimit prej mbledhjes, do t’arrinin në Tiranë 10.000 deri 15.000 luftarë. Përfundova tue i thanë: “Koha nuk pret Mit’hat bej! Ndoshta mbas dy javësh, edhe po të duem, nuk do të mund të bajmë gja. Kujtoj se, asht rasa e detyra e jote të merrësh Flamurin e shpëtimit t’ Atdheut!”

Mu përgjegjë se i pëlqente të gjitha këto ide, e se do t’ jepte gjithë përkrahjën e Tij morale, por nguli kambë që të vete te Mehdi beu, me që Atij si Kryetar Shteti i përkiste e i duhej ofrue nisjativa sëparit herë.  Nuk e quejti të rasës të më përcjellë edhe Ai, per tek Kryetari i Regjencës.

Kërkova audiencë te Krytari i Këshillit të Naltë, shkëlqesa Mehdi Frashëri, i cili më priti menjëherë e me shumë fisniki. I parashtrova gjithë çështjën, tue i dhanë sigurimet e nevojshme. E pranoi me gëzim qellimin e veprimit tim, dhe më dha fjalën se porsa ta bisedojë çeshtjen me kolegët e Këshillit, do të bante thirrjen për mbledhjen e prospektueme nga unë. Mori në shënim edhe shumë emna Krenësh, që ia dhashë unë simbas kërkesës së Tij. Ndër ata emna të parët ishin Sulço Beg Bushati e Gjon Markagjoni. Mehdi beu më tha se Sylço beun e Gjon Markagjonin, do t’ ishte mirë me i lanë mënjëanë për këte herë. Unë insistova se pa ata të dy, nuk bahej gja, dhe se nuk kishte asnjë arsye që ata të mos ftoheshin.

Vuna në dijeni Mit’hat Frashërin, tue e lutë ta nxiste çeshtjën me që unë nuk mund të rrijshe shumë kohë në Tiranë. Prita më kot edhe pesë ditë të tjera, e ma së fundit, kur pruna bindjen se kishëm tretë frymë n’erë, ktheva në Shkodër. Ishte java e tretë e Gushtit 1944.

 

NË KËSHILLIN E “BESLIDHJES SË SHKODRES”

 

U ktheva nga Tirana e pa shkue aspak në shtëpi, u ndalova në Prefekturë të Shkodrës. Iu luta prefektit z. Mynir Tërshana, të ftojë mbledhjen e Këshillit të Beslidhjes mundësisht në atë mbramje, që të mund ti vé në dijeni të përfundimit të misjonit tim, siç u kishe premtue.

Më njoftoi se po n’ atë çast do të mblidheshin në shtëpinë e Hafiz Ali Krajës, për të bisedue disa çeshtje, prandej – më tha – mund të shkojmë menjëherë. Përfitova nga ky rast e shkuem së bashkut: Prefekti, Kolonel Luigj Mikeli (komandant i zonës), major Llesh Marashi (komandant i Qarkut) dhe unë.

Gjetëm mbrëndë aty, z. Sali Myftija, Shefqet Muka (kujtoj), Lec Kurti, Ymer Lutfija e nuk dij cilin tjetër për Legalitetin e Ballin. Ishin edhe Sylço beg Bushati, Gjon Markagjoni, Maliq Bushati, Mark Gjonmarkaj e Hafiz Alija për grupin Indipendent.

Njëlloj bisedimi kishte fillue tue i hjellë spilca (kritika) njenitjetrit përfaqësuesit e Legalitetit e të Ballit, e mjaft e nxehtë biseda dhe aspak ndertuese. Pata përshtypjën se muhabeti nuk po kishte fund. U kërkova leje t’ iu baj referatin tim. Fillova me të tanë kujdesin e pasjonin e rastit të vé në veprim oratorinë time të vorfën, për t’ ua mbushë mendjen se çfarë rreziku po i kërcënohej Kombit, dhe kokave e familjeve tona. Kerkova t’ Ua mbushi mendjen se grindjet e mosbashkmi ynë janë forca ma e madhe e anmikut, e kjo ka me sjellë ata në triumf per rrënimin Atdheut. Ua shpjegova përfundimet e arrituna me gjeneral Fitztum, bisedimet me Mehdi e Mit’hat Frashërin, dhe përshtypjën e fundit timën që nga Tirana nuk më dukej se do të vinte nisjativa, prandej, duhej ta merrte “Beslidhja e Shkodrës” perfundimisht. U Bana apel ti shtrijnë dorën vllaznisht shoqi-shoqit, e të qesim kushtrimin Malëve pa hile e pa dallim partishë.

Sylço begu dhe kapidani i Mirditës u përgjegjën menjëherë:

“Na të Grupit Indipendent jemi gati, nëse duen edhe të tjerët!”   Po kështu, edhe Lec Kurti: “Edhe né për Ballin e Shkodrës jemi gati edhe nëse Qendrori nuk e pëlqen këte vendim!”.

Gati mu nda fryma prej gzimit kur ndigjova këto fjalë. Pres të ndigjoj Sali Myftinë, i cili mu drejtue me këto fjalë: “Zotni Kolë Biba! U falëmnderës për hollsinat që na dhatë mbi përfundimin e përpjekjeve tueja. Janë shumë me rendsi e të dobishme  e edhe unë jam dakord, por na të Legalitetit mbramë kemi marrë një vendim  e prandej, kam kerkue këte mbledhje që të vé shokët e të dy grupeve tjera në dijeni:

“Legaliteti (përfaqsija e Shkodrës) kanë marrë vendim me dalë qyshë sonte ilegal e do të ngrehim qendrën në Postribë; këte gja po ua them me besë që mos të merret vesh derisa të lamë qytetin. Si të dalim atje, do tu  çojmë fjalë besnikëve të Legalitetit me u mbledhë njëherë në vete, e mandej, i bashkojmë fuqitë me ato të dy grupeve të tjera, veçse, duem hisën (pjesen) e armëve e të materjalit ushtarak që na takon e me na i dorzue ku tu themi né!” Si të më binte pika më ranë këto fjalë! I thashë: Sali efendi, u thashë perpara, se një ndër kushtet e para për të nxjerrë ndihmat, asht me i lanë partitë më njëanë tashpërtash. Sikur, edhe të gjendët mundsia me e shkapërcye këte formë, si mund ti kërkohën armë e mjete tjera prej një ushtrije për njerzë që i duen, siç dukët, kundër asajë që po na ndihmon? A nuk kompromentohet gjithë çeshtja në këte mënyrë?  Etj., etj…

Ky vendim asht i premë – tha Myftiu – dhe, nuk mund të ndryshohet. Kemi urdhën kështu!

Menjëherë Lec Kurti, me tanë idhnim tha: “Atëherë, edhe né i mbledhim forcat për hesapin tonë n’ emën të Ballit Kombtar!”

Duhet të pohoj edhe njëherë përhirë të së vërtetës, sesi Lec Kurti, si Ymer Lutfija, më dhanë përshtypjën se me të vërtetë e patën përqafue idenë e Bashkimit në formën që u pata parashtrue me sinqeritet të plotë.

Përfaqsuesit e Grupit Indipendent, mbas pak përpjekjesh të kota për të pajtue dy palët tjera, heshtën.

Bana edhe një përpjekje të pafryt:

“Zotnijë, po kërkoni të vini vetullat e po nxirrni sytë. Jam tash dhjetë muej në mes Krenëve e të Popullit të Malësive. Njoh mirë gjendjen e tyne shpirtnore e psikologjike. Ata kanë ndërgjegjen e rrezikut, të nevojës e detyrës me i ba ballë; por partitë u kanë dalë për hundësh e as nuk duen t’ ua ndigjojnë emnin, e po u siguroj se me emën partishë nuk kanë për t’ iu ndjekë. Kush asht djegë prej tamlit(qumshtit) i frynë kosit. Partitë i kanë shty në vllavrasje e rrënim disaherë deri sot. Propaganda rrënimçare që kanë zhvillue partitë edhe këto kohët e fundit tue akuzue e denigrue njenitjetrin, kanë sjellë bindjen e përgjithshme, se një lëvizje e ndame ndër parti, porsa të kryej punë me komunistët, mund të kthehet në vllavrasje në mes të nacionalistëve, njëna parti kundra tjetrës. Ketë nuk e duen Burrat e Malëve. Malësinë e shtynë të rrokin armët edhe njëherë, vetëm kushtrimi n’emën t’Atdheut në rrezik,vetëm kushtrimi Kombtar, dhe jo partitë. Nuk luftohet kur luftari të mos ketë besim si tek vllau, ndaj atij që e ka mbas shpinet o përkrah, kur ti duhet me iu ruejtë shoqit që ka bashkluftar ma shumë se anmikut përballë.

Mendojeni mirë përgjegjësinë e randë që po merrni para historisë, para kombit dhe para Zotit, para fëmijëve e grave, që do të shkrryhën si paçavurre, para kërdisë që kanë me ba komunistët po morën pushtetin. Mos iu shmangni rasës së fundit që po na paraqitet e që, ndoshta, mund të shpëtojë Atdheun. Leni këto parti të mallkueme derisa të jetë sigurue Atdheu, e mandej, po u pëlqeu, nxirrni sytë njanitjetrit.”

Lotët më lagën faqet, fyti mu tha… e fjala mu pré!

Sali Myftia, përsëriti: “Legaliteti ka marrë vendim, e nuk kemi pse zgjatemi ma!” Mbledhja u shpërnda e kështu, dështoi gjithshkafja!..

 

PËRPJEKJE DËSHPRIMI

 

U luta disa miqëve të bajshin apel përsonal Malësive!

Dëshprimi i kishte plagosë në zemër e nuk e mori kush përsipër.

“Asht shkrue, ta hajë dreqi ketë punë e asht e kotë!..” – U shpreh Gjon Markagjoni.

Bashkë me prefektin e dy komandantët e siperpërmendun, shkova në prefekturë. Vëndosa edhe njëherë, të “hjedhë një gur në det”…

U drejtohëm autoriteteve me këto fjalë:

“Nëse ju, m’ jepni besën e burrave të mos më sabotoni, por të më lehtësoni mesa të keni mundësi, kam vëndosë të lëshoj kushtrimin unë përsonalisht. Do të baj qyshë sot një letër të haptë të gjithë Krenëve të Maleve për një mbledhje të përgjithshme në Shkodër. Mbledhjen po e caktoj për datën 13 shtator, në kinema Rozafat. Nuk mund të shtyhet ma përtej, se nuk pret koha! Në letër do t’ ju tregoj qellimin kjartësisht tue vue në dukje edhe rrezikun mortar të çastit, që kështu, të vijnë të gjithë të përgatitun shpirtnisht. Nëse Krenët e Maleve i përgjegjën këtij apeli tue ardhë në mbledhje, domethanë, se kanë pranue qellimin dhe vendimet, dhe mbetet vetëm me dhanë kushtrimin. Jam i sigurtë se, po të vijnë ata në këte mbledhje, kam me dijtë me i bindë të mblidhet i madh e i vogël, sëpse, fatbardhsisht, malësorit nuk i ka hy endè djalli.

Nuk e baj këte tentativë se e quej vetën dishka ma tepër se bir’ i përvujtë i këtij Populli, si kushdo tjetër, por nuk mund të rrij me duer kryq tue pritë çka po sjell fati. Fati vjen si ti prijshë. Due ta kemi ndërgjegjën e qetë, se kam ba shka ka kenë e mundun! U jap besën e burrave me i vue të gjitha forcat që do të mblidhën në dispozicion Tuej zotni komandantë, ose në kjoftëse, autoritetet qendrore do tu qesin pengime, detyra ndaj Atdheut, u lejon e u urdhnon edhe të rebeloheni, jo, me ba grusht shtetit, po, me shue rrezikun komunist pa ua trazue “sefanë e poltronave” zotnive të Tiranës. Po të merrni vendim kësisoj e me fillue menjëherë veprimin, unë po u betohëm, se do t’ Ju ndjekë si ushtar i thjeshtë, pa kërkue asnjë komandë të naltë as t’ ultë, as që due të më ndigjohet emni që prej ditës së inkuadrimit të fuqive. Kështu, i gjymtuem si jam, do të marr pjesë me pushkë në dorë, si “ushtar i panjohun”!..

Më thoni po, ose jo, burrnisht, pse po nuk e ndiet vetën, do ta baj mbledhjen në Iballe.

Më dhanë besën me e përkrah veprën time e më inkurajuen. Bana atëditë letërthirrjën në tetëqindë kopje të shtypuna dhe e nisa, dikund, me anë të prefektit e diku me korrjera të mij. Në Pukë ua shpërndava vetë në udhtim e sipër, tue caktue njëheri edhe mbledhjën e Parsisë së Shtatë Bajrakëve të Pukës n’ Iballë, për datën 6 shtator, për të zgjedhë ata që do t’ ishin përfaqsuesit për mbledhjen e Shkodrës.

Qellimi e propozimet e mija u pranuen nga mbledhja e Iballës, jo vetëm pa kundërshtim, po me entusjazëm dhe u caktuen nga dy vetë për bajrak për mbledhjen e Shkodrës.

Me 8 shtator, prefekti i Shkodrës, me anë të komunës s’ Iballës më bante telegrafisht kumtimin që vijon: “Për të kryesue mbledhjen e Krenëve të Malëve do të vijë nji përsonalitet i naltë nga Tirana. Mbledhja do të shtyhet ndonjë ditë përtej datës së caktueme. Pritni telegram për caktimin e datës. Prefekti Tershana.”

Dyshova, po prap nuk më tha zemra ta ketë lëshue vertetë “Ora” Shqipninë. U dërgova lajmin krenëve të Pukës, që të mos nisën për në Shkodër, pa marrë lajmin tjetër tue u tregue arsyen e shtymjes. Vendosa të nisëm për Shkodër, tue kalue nëpër Dukagjin, për të lajmue edhe krenët e asaj krahinë. Me njëmijë vështirësi e bana atë udhëtim mbi shpinë të mushkut, e jo rradhë, tue më mbajtë njerzit për krahësh, pse akoma nuk mund të qëndrojshe me ecë me kambën e plagueme në prill të 1941.

Arrijta në Shkodër. Prefekti më tha, se do të vijë një nga drejtuesit e Këshillit të Naltë për të kryesue mbledhjën, gja që më gëzoj pamasë.

Me datën 13 shtator arritën rreth dyqindë Burra, krenë të Malësisë së Madhe e të Rranxave, të Dukagjinit, të cilët nuk kishin marrë lajmin nga unë për shtymjën e mbledhjes. I mblodha në ndertesën e prefekturës në prani të prefektit e të dy komandantëve që janë përmendë maparë. U mbajta një fjalim të shkurtë sa ma mirë e prekshëm që mujta, tue i vue në dijeni të gjendjes, të rrezikut e të masave që duhej marrë, tue i lutë që të mos mungojnë në mbledhjën që mbrënda pak ditësh – si mbas fjalëve të prefektit – që do të kryesohej nga një antar i Këshillit të Naltë, dhe u lypa ndjesë që nuk kishe mundë ti lajmroj për shtymjën e ditës së mbledhjes, e u kishëm dhanë atë mundim. Pranuen e dhanë fjalën të vijnë prap, por të premë e të prekun thellësisht. Njani ndër ta (nga Malësija e Madhe) mu drejtue n’emën të gjithëve, me këto fjalë: “Zotni Ministër – tha – na kanë ba të dijtun autoritetet e vendit njoftimin e prefektit për shtymjën e mbledhjes, por kemi dyshue se mos asht ndonjë sabotim, prandej na vendosëm të vijmë disa prej nesh, të sigurtë se ty sot do të gjejshim në Shkodër. Kemi dashtë me ti pa sytë edhe njiherë (shprehje malësore) dhe me i përgjëgjë zanit t’ Atdheut që na ké lëshua. Kemi vendosë me u fikë edhe njiherë për Shqipni. Por pasha Besën e Zotit (véni vesh shka po të thotë nji ky Malësuer i marrë), të kanë lanë në baltë, jo Populli, jo Malësinat, po autoritetet. Peshku asht qelbë në krye more zotni! Po vijmë prap në na thirrtë zotnia e jote, po, por mbasi po ardhka nji njeri i madh prej Tiranet, a nuk kishte mujtë me ardh sot e mos me e shty mbledhjen? A nuk kish mujtë bare me caktue ditën që ta dimë qysh sot? Pasha Zotin e druej se janë vetëm pallavra për me sabotue e me prishë punë!..” .

Fatkeqsisht, ashtu doli! Prita edhe pesë ditë në Shkodër, tue nxitë prefektin të kërkonte nga Tirana caktimin e ditës së mbledhjes e ardhjen e  “përsonalitetit të madh”!

Ma në fund dyshimi u ba i kjartë: “Ishte vue shkopi ndër rrota!” Në Shkodër nuk mund të bahej mbledhja!..