Nuk kisha marrë ende lajmin, kur të nesërmen tellalli i kampit më thirri me emër për të dalë tek porta. Sapo kalova pragun, një roje më shoqëroi tek dhoma e takimeve të gjata ku më priste komandanti i burgut Xhevdet Sako. Roja u largua duke na lënë vetëm, me siguri mbas shenjës që i bëri komandanti i burgut.
-Gëzim,- m’u drejtua komandanti, – për burgun thonë se është i vështirë, sidomos për ngjarje kur do të kesh pranë vetëm njerëzit që i do e të duan, mirëpo dhe ne që jemi me detyrë këtu, jemi në të njëjtin pozicion, ja edhe mua po më vdes nëna…(dhe vërtet i vdiq mbas një jave) por nuk mund t’i gjendem pranë….
Mbaroi?
Ngushëllimet e mia. Nuk ta them për hipokrizi, por ajo grua më ka lënë një përshtypje të veçantë.
……
Mblidh vehten e bëj kurajo tani se dhe pak të ka mbetur.
- Zoti komandant, kur mama ishte sëmurë para tre muajve, më shkoi ndërmend t’i bëj një telegram Enver Hoxhës e t’i thoja të më jepte leje sa ta shihja në spital. Sa t’i puthja duart…, ato duar me të cilat të ka bërë hysmet dhe ty kur vije në shtëpinë tonë që siç ke shkruajtur e kishe si shtëpinë tënde. Mirëpo, bëra mirë që nuk i shkruajta atij krimineli, atij qeni…- dhe rrukullisa një sërë të sharash sa nuk dija se çfarë nxirrja nga goja.
Mbaj mend vetëm fytyrën e skuqur të komandantit, gjakun që i kishte vërshuar deri në veshë dhe që kishte ulur sytë mbi tavolinë. Ai nuk foli asnjë fjalë. U krijua një gjendje e rëndë. Mbas një pauze u dëgjua:
Mirë, mjaft! Ik tani brenda…! Një kohë të gjatë prita të më merrnin e të më ridënonin, por s’ndodhi gjë.
Në vitin ‘90 u arratisa me familjen për në Gjermani nëpërmjet ambasadës gjermane. Mbas rënies së komunizmit kur erdha për herë të parë në shtëpi, në oborr më kishin rrethuar kushërinjtë, shokët e fqinjët. Në një moment hapet porta dhe në prag të saj qëndronte një oficer duke qeshur…
Të gjithë u stepën kur panë uniformën blu prej oficeri të Ministrisë së Brendshme.
I dola para dhe për çudi të të gjithëve, i dhashë dorën e u përqafuam. Ai kishte takuar at Zef Pllumin, i cili e kishte venë në dijeni për ardhjen time. E kishte shoqëruar nga kisha tek rrugica ime që ndodhej pranë saj. Dhe tani qëndronim përballë unë, ish i burgosuri dhe ish komandanti i burgut.
Atëherë sqarova njerëzit përreth:- Ky është ish komandanti im i burgut. Porta e shtëpisë time është e hapur për të. Secili prej jush po ju takoi, duhet të silleni me të si me mikun tim, sepse po të më kish denoncuar ky, unë do të isha dënuar e pakta dhe dhjetë vjetë të tjera e kushedi si do të më merrte jeta më pas.
Jo, kjo nuk do të ishte njerëzore,- bëlbëzoi ai.
Panahori (Pere-Lachaise i burgut)
Ditët kishin të njëjtën fytyrë monotone, shfletoheshin nga të burgosurit në hapsirën e kohës me psherëtima shoqëruar prej cicërimave të zogjve në pyllin pranë. Njëra ditë ndryshonte pak monotoninë nga tjetra vetëm nga data në fillim të saj, pastaj firmosej në fund nga shpresa për të dalë jashtë këtyre telave. Ky ritual përsëritej prej dhjetëvjeçarësh si një perpetum mobile. Këtu, ku kishte folenë dhembja dhe tragjikja unikale përjetuar me kaq intensitet në këto koka të qethura.
Po luanim tavëll një ditë me Hasan Jeron, dentist i cili kishte jetuar në Durrës. Hasani kishte qenë mik i babait dhe xhaxhait tim. Këtë e kisha dëgjuar nga nëna ime e cila na njohu kur udhëtonim njëherë në tren me të nga Durrësi në Tiranë. Kishim hapur tavllën mbi një sofa guri pranë kuzhinës personale. Pranë nesh qëndronte Lupi i cili nuk kuptonte lojën, por ndiqte zaret që kalonin sa në një fushë tek tjetra, shoqëruar me fjalë turqisht: “Hepjek, tri se, dor xhihar…” Luanim shpesh tavëll ku ai ishte ekspert, lojtar i shpejtë dhe elegant. Biseda e loja ndërprisnin njëra-tjetrën. Më tregonte se kishte luajtur poker në shtëpinë tonë dhe me Enver Hoxhën të cilin e quante “zorraxhi”.
Më qëndronte të shumtën në krah si vrojtues, se nuk kishte para të luante. Disa herë e financonte Nexhati, më thonte duke qeshur, po së fundi “borxhin” ia pagoi…
Biseda ishte interesante, sepse po diskutonim për toponimet e kësaj krahine ku sipas tij kishte një përzierje të çuditshme të origjinës: ilire, latine, greke dhe kryesisht sllave. Sipas tij, Mallakastër kishte të bënte me një toponim me rrënjë latine “male”- e keqe kastro- kështjellë dhe jo sllave “malloje” (e vogël).
E gjithë lugina e lumit Gjanicë ishte e emërtuar sllavisht. Të them të drejtën e ndiqja deri diku. Më pas, kur kaloi te rrënjët e fjalëve greqisht, isha krejtësisht “out”. Ndër të tjera më përmendi vendin “Panahor” që nënkuptonte një vend të lartë apo biçim bregoreje. Ishte një njohës shumë i mirë i greqishtes. Në kamp, ne kishim jo pak greqishtfolës “lidhe gomarin sto huri”, por sipas tij, të saktë e flisnin 7-8 vetë, ata që dinin greqishten zyrtare apo Katharevosin. Hasani vetë e zotëronte, sepse kishte kryer gjimnazin në Greqi. Këtu mori spunto tema e varrezave, sepse Panahor quhej vendi i varrezës ku ishin vendet e të burgosurve të vdekur që nga krijimi i këtij kampi. Hasani i quante me humor “kavie” të eksperimentimit “riedukim” të cilit nuk kishin mundur t’i rezistonin deri në fund këtij eksperimenti. Filloi të flasë më me zjarr dhe me mllef e gjithnjë me satirë therrëse.
Kam pasur në dëshirë të çuditshme për të parë varrezat në çdo qytet që vizitoja. Kjo gjë m’u kthye gati në mani. Varrezat është e padiskutueshme që reflektojnë kulturën e një vendi. Në varrezat Per-Lashezë të Parisit prehen Molier, Balzak, Shopen. Varreza veç përkujdesjes së familjarëve, ka dhe atë nga ana e shtetit. Varreza tregon historinë, respektin dhe tolerancën në kulturën e një populli, sepse aty përkrah, prehen miq e armiq, persekutorë e viktima. A e di se në Hagejt Simiteri (Highgate Cemetery), në Londër, ku u sajua “gjuetia e vampirëve”, ndër të tjerë është edhe varri i Karl Marksit? Kam parë varrezat monumentale të Stalienos, Gjenovës, Milanos dhe kam medituar në to. Meditimi është i pashmangshëm, pothuajse për të gjithë. A e di se në varrezën qendrore të Vjenës (Zentralfriedhof) janë varrosur Bethoven, Shubert, Johan Shtraus, të cilët në çdo ditë të vitit i gjen të mbuluar me lule. Ja kështu e shkruajnë fjalën respekt bota e kulturuar! Ne i shprehim ndjenjat në një mënyrë tjetër: varrit të nënës mbretëreshë i vëmë dinamitin dhe e hedhim në erë. Perversitet makabër. Jo, jo as nazistët nuk e bënë këtë…
Ndërsa për Hasan Jeron me shokë qenka rezervuar Panahori, Per Lashezi ynë, dhuratë nga ai perversi.
Ndërkohë i zgjati një cigare Lup romit, që qëndronte përballë nesh. Ai na shikonte në sy dhe as nuk e kuptonte i gjori, sepse merrte zjarr gjatë bisedës Doktori, toni i të cilit shkonte kreshendo. Ai qëndronte serioz dhe sado që nuk kuptonte asgjë nga biseda, vështronte si i merakosur duke të lënë përshtypjen se merrte dhe ai pjesë.
-Jo mor Hasan Jero, se je kockë e fortë ti! Nuk ikën ti jo, pa e vënë para atë zorraxhiun…- e m’u duk sikur profetizova.
-Gëzim të kam si Arjanin, po i kryem sa na ka taksur, dije se Per Lashezi ynë është në Panahor.
Hasani, intelektual tipik i viteve tridhjetë, kishte veç kulturës, dhe një kujtesë për t’u admiruar. Kjo e bënte mjaft tërheqës në biseda. Lupi thithte cigaren gjithë kënaqësi mes buzëve të trasha. Kishte humbur në botën e tij, megjithëse përballë nesh, i kredhur në mendime, dukej indiferent në raport me çdo gjë përreth. U tremb sikur u zgjua nga gjumi, kur Hasani sarkastik e pyet: – Hë mor Lup, a do shkojmë në shtëpi?
Një buzëqeshje pa shprehje shpërvjel buzët e trasha të Lupit:
Inshallah!
Lupi
E kam thënë edhe më parë se Lupin e njihja prej kohësh, sepse ishim mëhallelinj e gjithashtu “zogj nate” në rini. Me të kisha edhe një kujtim gazmor, sepse një mbrëmje, ndërsa e ngacmonim unë me Agronin, iu drejtua shokut tim ezmer Uranit e i tha:- Mirë këta, po edhe ti që je dora ime më nget?
E kishte pandehur për rom. Fjalinë e tij ne e kishim në majë të gjuhës sa herë që shpotitnim Uranin qejfpambetur. Sadiku, kapteri që kish pasur radhën për të censuruar letrat, më tregoi se jevga me të cilën kishte bashkëjetuar, i kishte futur Lupit në zarf njëqind lekë pa e ditur se si funksiononte llogaria në burg. Lupi mbahej ende. I ngadaltë në lëvizje, e kam të fiksuar imazhin e tij poshtë altoparlantit në oborrin e burgut duke kërcyer një valle të Shqipërisë së Mesme. I gjori Lup! Kishte mjaf frikë nga bubuzhelet të cilat ia futnin shpesh në qafë për ta trembur.
Lupi “hetues i tmerrshëm”
Isha duke pirë kafe me Madun, kur dëgjova se kishte ardhur autoburgu me të burgosur të rinj. Telefoni i prishur, kur erdhi tek unë, njoftoi se kishte ardhur me të burgosurit e rinj një oficer i tmerrshëm që kishte shqepur në dru gjatë hetuesisë kushedi sa vetë. Zbritëm te porta me hekura e oborrit ku grupi i ri po priste t’i futnin brenda. Shikoj me kërshëri për “oficerin” dhe shoh njërin me rroba ushtarake të përdorura që rrotullonte sytë përreth. Shquajta Lupin.
-Abhalebun, Lup!- Kjo ishte përshëndetja e Lupit mbas orës 12.00 tek “Krimea” kur i pëlqente të prezantohej si arab apo indian.
Lupi u tendos, pa nga unë dhe përplasi gishtërinjtë tek buzët e trasha duke më treguar se donte cigare. I kalova një cigare mes hekurave.
“I tmerrshmi” Fetah Lupi gjatë udhëtimit nga Tirana në Ballsh kishte mbushur brekët, duke i tërbuar ndonjë orë me erën kutërbuese dhjetë të burgosurit që ndodheshin në autoburg. Sapo zbritën nga makina, e lanë me një zorrë uji dhe e veshën me një palë rroba të vjetra ushtarësh duke e konvertuar kësisoj në “oficer hetues të tmerrshëm”. Ky ishte i gjithë sekreti i legjendës së krijuar për Lupin si hetues i tmerrshëm. Kështu romi Lup, analfabet serioz, kaloi portën dhe hyri denjësisht si politikan (pa e marrë vesh pse-në) në oborrin e burgut me pamjen e dikujt që kishte patur ndoshta ëndrra karrieriste në kastën ushtarake. E priti Meti, me profesion mbledhës letrash e kartoni në Tiranë. Miku i tyre i përbashkët, alkooli, i kish njohur që para se të hynin në burg. Meti me pamje si Çaplini, i ati i Cenit dhe i Rafaelës, njiheshin familjarisht nga rinia e Tiranës për shkak të gjymtyrëve të tyre difektozë si pasojë e sifilizit që trashëgonin. Dy analfabetët folën gjatë për të njohurit e përbashkët e për gjithçka, vetëm për politikë jo, sepse ishte jashtë interesave të tyre.
Lupi hyri në atë oborr për të mos dalë më i gjallë prej tij. Një ditë i gjori, duke shkuar për në mensë, papritur pësoi infarkt dhe mbaroi. Mbante tasin e aluminit ende në dorë. Dikush u orvat t’i japë ndihmë. I ngriti duart lart për t’i bërë frymëmarrje artificiale dhe tasi i fluturoi nga dora. U duk sikur e hodhi me përbuzje, duke e sharë.
Ngjitur me morgun kisha ngritur një shtrat të nxehtë për fidanë lulesh të cilat duheshin për lulishten e repartit. Këtu para rastin të shoh mjaft autopsi të atyre që vdisnin. Në morg pashë edhe Lupin e gjorë, të çarë nga Bilali, infermieri që merrej me këtë punë. Të brendshmet ishin majtas zgavrës së trupit në shtratin prej çimentoje.
Çuditërisht, dhjamërat kishin ngjyrë të verdhë. Në ballë i kishin vënë një leckë ku i kishin hequr skalpin. Njëri sy i kishte mbetur i hapur dhe fytyra kishte marrë një shprehje sikur donte të thonte: “Hë more, se shtiresha sikur nuk merrja vesh se ç’bëhej…”
Biruca, ushtar Beni dhe i kërkuari Kurt Waldheim
– Ej… Nga Tirana je?
– !
– Fol mor ti, apo di vetëm të këndosh dhe të fëshkëllesh?
– !
– Fol ore një fjalë se nuk je memec!
Isha i dënuar në birucat e ndëshkimit me pesëmbëdhjetë ditë “për thyerje të rregullores”. Ishin ditë të ftohta marsi. Në kësi rastesh, kur bënte ftohtë, të burgosurit kujdeseshin dhe i shmangeshin ndonjë incidenti që të mos ndëshkoheshin.
Oficerët dhe policët e pashpirtë ruanin momentin për t’u hakmarrë kundër ndonjërit që e kishin inat ose e kishin planifikuar për ta ndëshkuar. Birucat ishin të kthyera në drejtim të grykës nga frynte në mëngjes deri nga ora 10.00-11.00. Më vonë, era ndërronte drejtim dhe të ftohtit nuk ndihej. Në orët e fundit, kur errësira i linte vend dritës, më duhej të lëvizja, të vrapoja në vend numëro për ta hequr mendjen nga i ftohti. Këndoja këngë ritmike e pastaj pushtohesha nga një ndijim sikur isha ngrohur. Lejohej vetëm një batanije të cilën duhej t’a vendosja të palosur në orën 05.00 të mëngjesit në një si raft, jashtë birucave. Nuk lejoheshin triko apo pallto, vetëm në rast se e cilësonte oficeri i rojës gjatë komunikimit të masës së dënimit. Ishin pesë biruca që bënin pjesë në një godinë me lavanderinë dhe morgun. Birucat kishin nga një vrimë ajrosjeje në tavanin e soletës së betonit në lartësinë 2.5 metra. Dyert ishin prej dërrasash jo të puthitura. E mira e tyre ishte se mund të shikoje jashtë, por e keqja ishte se nëpërmjet tyre era fëshkëllente dhe të bënte të përpëliteshe si peshku në zall kur flije. Gjumë i thënshin! Mbi tasin e alumintë vija një mëngë të zhveshur të cilën e palosja për të formuar “jastëkun”. Krahun e zhveshur e zija poshtë trupit. Mbështjellja me batanije ishte art më vehte. Për të krijuar nxehtësi, mbuloja kokën dhe hukitja shpesh për të nxjerrë avull nga goja të cilin përpiqesha t’a thithja shpejt ende pa u ftohur, ndërkohë që ndieja kurrizin të akullt deri në dhembje. Intervalet e gjumit nuk zgjatnin më shumë se dhjetë minuta. Isha i vetëm që prej gjashtë ditësh kur ushtari kokëkrisur që bënte roje, kërkonte t’i flisja. Kjo ishte e rrezikshme, sidomos për ushtarin, i cili dukej se ishte mjaft i shkathët. Karakollët ishin në distancë prej njëqind metra larg njëri-tjetrit. Atë të ushtarit që më fliste, e kisha në drejtim të grykës, kështu që era ia përcillte qartë fjalët, ndërsa ai mezi më merrte vesh.
- Nga Tirana jam.
- Sa vjet ke brenda?
- Pesë.
- Dukesh, se këndon këngë të vjetra të Beatles-ave. Tani kanë prezantuar gjithë ato albume me këngë të reja. Ja njëra nga të fundit…
Në këto çaste e mbërthente mitralozin si kitarë dhe këndonte duke u tundur. Kjo më dëfrente shumë.
- Dhe sa ke…?
- Kismet dhe tre.
- Për agjitacion?
- Mos u mërzit…!
Dialogu filloi mbasi kreva nevojat dhe dorëzova batanijet. Nevojtorja me sipërfaqe një metër katror, me paretet e mureve prej terniti, kishte një vrimë pesëmbëdhjetë centimetra mbi një tub çimentoje me diametër pesëdhjetë centimetra. Aty duhet të merrja nishan për të kaluar nevojën të cilën e përlante me vete uji që vinte nga lavanteria.
Mendoja se ky tub paraqiste një mënyrë komunikimi të mirë me territorin ku unë kisha shtratin e nxehtë për fidanët e luleve. Më vonë e shfrytëzova kur në birucë futën Sokol Ngjelën. Me një lopatë i fusja cigare, shkrepëse, pako gjalpi e biskota që m’i jepnin shokët e tij Valer Dyrzi e Viron Duma.
Në këtë aksion duhet të ishe i shpejtë, sepse veç rrezikut se mund të të shikonin, dora të lodhej e ushqimet të binin poshtë. Kisha gjetur një lopatë me bisht të gjatë, por që s’mund ta mbaje për një kohë gjatë në pozicion horizontal. I dyti rrezik ishin minjtë e kanaleve të cilët me të ndjerë erën e ushqimeve, nuk pyesnin më, por të hidheshin drejt e në lopatë e sa hapje e mbyllje sytë, pakoja e gjalpit kish fluturuar. Me kohë u stërvitëm si të ishim artistë cirku.
Le të kthehemi te koha kur isha unë në birucë. Pika ime më e dobët ishte duhani. Tymosja deri në tre paketa në ditë. Sipas rregullores mund të pije deri në pesë cigare në ditë, të cilat roja t’i vendoste përkrah batanijes së palosur. Kësaj pune ia gjetëm dermanin. Zyhdi Koni që punonte marangoz dhe kujdesej për pëllumbat, më furnizonte nga vrima e ajrosjes së birucës lart. Biruca ishte e lartë dy metra e tetëdhjetë, ndërsa gjerësia e saj ishte aq sa, duke vendosur duart pas qafe, bërrylat e mi takonin tek muret. Për të arritur lartësinë ku ishin cigaret, vendosja kurrizin mbi mur dhe këmbët në murin tjetër. I jepja vetes lart dhe kurrizi im ngrihej afro gjysmë metri. Njërën këmbë e vendosja në murin ku kisha mbështetur kurrizin dhe përsëri i jepja vetes lart. Kështu isha ngritur një gjysmë metri tjetër nga dyshemeja.
Pas tre katër ngjitjesh të tilla arrija deri te vrima ku ishin cigaret dhe shkrepësja të cilat i merrja pa u vënë re nga ushtari, sepse sipër vrimës “oxhak” kishte një çati të vogël që maskonte lëvizjet e duarve. Kështu s’u trembesha më kontrolleve të papritura. Vetëm një herë desh më zuri me një paketë përgjysmë njëri nga rojet që ishte më debili nga tërë policët që bënin shërbimin e rojes së brendshme. Faik e quanin. Paketën e mbërtheva me gishta brenda tasit, të cilin e mbaja përmbys duke hapur duart siç bënim gjatë kontrollit. Atë e kishte sinjalizuar ushtari i karakollit dhe kur s’më gjeti gjë në trup, më tha me atë zërin e tij hundor:
- Ëë… të të kisha zënë, do t’i haje dhe pesëmbëdhjetë ditë të tjera!
Ky ishte shkaku që s’iu përgjigja që në fillim të thirrjes së çuditshme e çmendurisht të guximshme të ushtarit. Tani biseda po më argëtonte.
- Kush është tani “in voga”?
- Michael Jackson, Tina Turner…Kjo është kënga e fundit e Michael-it. Përsëri mbërthente mitralozin, sajonte “akordet” dhe këndonte pa stonatura këngë të cilat kur i dëgjova më vonë, më bënin të vija buzën në gaz.
- Si të quajnë?
- Beni, ki kujdes, sepse shumë prej nesh janë këtu për këto këngë. Të flasësh për këtë muzikë quhet agjitacion e jo më të këndosh. Bëj kujdes nga ushtarët e tjerë. Mos fol me ta e mos këndo të tilla këngë!
- Jo, mor jo! Ata janë të gjithë fuksa.
- Edhe ndër ne të burgosurit ka të tillë, prandaj kujdes se ata të raportojnë njësoj në komandë.
- Si e ke emrin?
- Gëzim.
- O Gëzim, a është aty Dhimitër Lala? Ai operatori i Kinostudios? Është babai i një shokut tim.
- Jo Beni, ai është në Spaç.
- Gëzim, pusho tani se po vjen roja e brendshme me katër të burgosur të lidhur.
Dialogu u ndërpre. Në oborrin 2x4m shquajta katër vetë. Ndër ta ishte dhe Pirro Bane, homoseksuali pasiv i deklaruar i kampit. Roja i ndau në secilën birucë nga një. Kështu u plotësuan të gjitha birucat. Pirroja protestonte vazhdimisht “për shkelje të të drejtave” dhe kërkonte herë komandantin e herë komisarin, ndërsa roja që quhej Fadil, një tip gallataxhiu, thotë plot humor:
- Kanë vajtur për gjah e kthehen mbas një jave.
- Kërkoj Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kurt Waldheim!
- Po s’të do ai ore! Me sa e njoh unë, ai s’është qejfli për atë punë.
Fadili si mbylli birucat dhe derën e oborrit, u largua duke tundur çelësat e fëshkëllyer, ndërsa Pirruja vazhdonte t’i binte derës me grushta duke thirrur:
- Më kanë futur kot brenda! Kërkoj të drejtën time! Dua Kurt Waldheim-in! O Kurt Waldheim!
Vazhdonte e qeshura dhe qyfyret. Tani të paktën bisedonim me njëri-tjetrin. Biseda zhvillohej në rregull ngaqë duhej të flisnim me radhë në mënyrë që të merreshim vesh. Pas pak erdhi përsëri roja e brendshme Fadili, i cili këtë radhë kishte prurë Ali Konicën.
I bëra shenjë Fadilit dhe ai e futi në birucën time.
– Hajt, bëni muhabet tironçe tani! – shpotiste ai.
Ishim shumë ngushtë, por të kënaqur. Filluam të luajmë “mos u nxeh” dhe “dam”. Brenda një dite sajuam dhe tavllën. Zaret me tul buke të pjekur me cigare s’kishin të sharë, ishin të denjë për profesionistë. Trekëndëshat e kapive i vizatuam në dysheme. Fishat i bëmë me guralecë dhe copa tjegullash afro pesë milimetrash.
Flinim më ngrohtë, bile Aliut i erdhi keq kur plotësova ditët dhe lashë birucën.
Shkova drejt e në kuzhinën personale ku dy miqtë e mi më bënë një kafe, ndërsa unë u tregoja përsa shkruajta më sipër…
Ping-pongu
Na erdhi si çudi kur një ditë në kamp gjatë një bisede, mbasi të burgosurit i kërkuan komandantit libra të tjerë jo vetëm politikë, por edhe letrarë, ai e aprovoi si të drejtë këtë kërkesë. Por çudia më e madhe ishte, kur na pranoi dhe kërkesën për të ndërtuar një tavolinë ping-pongu. Ai dha dhe idenë e krijimit të një aneksi pranë mensës në mënyrë që të luanim edhe kur prishej moti. Nuk kishte më nevojë për gjë tjetër. Në burg vendosen disa norma të çuditshme të cilat nuk funksionojnë jashtë. Aty filloi një punë me organizim perfekt. Të burgosurit që punonin jashtë, filluan të bien nga një gur, pak gëlqere të pashuar, ndonjë dorë çimento nga fronti i punës. Përgjegjësi i punimeve u “emërua” Ylli Tabaku, një i burgosur i vjetër i cili megjithëse diabetik, punonte me një zell të madh. U gërmua dheu dhe u transportua me karroca dore jashtë kampit. U krijua një mjedis që dhe në jetën e lirë, do të ishte i pëlqyeshëm. U krijuan katër radhë shkallësh gjysmë ovale si një amfiteatër. Në mesin e tyre, në “arenë”, u vendos tavolina e sajuar e ping-pongut, ku luanin dy lojtarë e herë katër. Në shkallët e gurta bëheshin komente e tifo, qeshej e viheshin baste. Nga të gjithë shquhej Fatos Lubonja që luante “aziatikshe”. Quhej kështu, sepse ndryshonte mbajtja e raketës dhe stili i lojës nga ai tradicional europian. Kështu luanin në përgjithësi brezi i Fatosit, oficerët e marinës, si sportisti i gjithanshëm Agim Agaraj nga Vlora dhe Landi nga Tirana. Çet Kau, unë e të tjerët, moshatarë me ne luanin me modën e vjetër. Tosi kishte “arien” e profesionistit. Ai kishte luajtur në skuadër me djalin e dajës tim, Arbenin, shumë herë kampion kombëtar. Tosi ma futi ndërmend t’i kërkoja raketa e topa, sepse në atë kohë Beni ishte trajner i skuadrës së femrave të Tiranës. Nuk vonoi e më erdhën dy raketa, njëra prej të cilave mjaft e mirë. Më vonë i erdhi Fatosit një raketë e gjelbërt së cilës ai i bëri me durim riparimet e nevojshme.Topat i siguronim me vështirësi. Ata ishin artikull “defiçitar”, sepse prishja e marrëdhënieve me Kinën reflektohej edhe në artikujt që importoheshin prej saj. Megjithatë ping-pongu funksiononte e na sillte një kënaqësi të madhe. Tosi i gëzohej raketës që nuk kishte humbur, megjithë spostimet turistike të familjes së tij.
Tosi
Me Tosin kishim qenë fqinjë për ndonja një vit, kohë në të cilën unë ndërtoja shtëpinë time, pranë atyre të gjyshes. Në atë kohë, kushëriri i nënës sime Ismail Stërmasi, na lëshoi një dhomë të cilën e adaptuam për banim e kjo ndodhej pesëmbëdhjetë metra larg shtëpisë së Tosit i cili ishte i biri i Todi Lubonjës, në atë kohë anëtar i Komitetit Qendror dhe kryeredaktor i “Zërit të Popullit”. Prej Todit kisha një kujtim. Delegacioni i rinisë në festivalin e Vjenës që kryesohej nga Todi, u prit nga daja im Hajdar Kërçiku, kryearkitekt i bashkisë së Gracit, i cili së bashku me dr. Demir Carën shtruan një drekë me këtë rast. Todi i cili e njihte si tiranas, i pranoi edhe një valixhe me veshmbathje të cilat zyrtarisht ishin për dajën tjetër dr. Kërçikun, mirëpo gjysma e tyre ishte për familjen time dhe kishin goxha vlerë në atë kohë, meqë nuk u zhdoganuan. Todi ishte popullor, përshëndeste fqinjët, megjithëse jetonte “i rrethuar nga reaksionarë” siç ishin familjet Stërmasi. Kujtoj një qyfyr prej tij. Një natë vere vonë vinte përkrahu me Lirinë nga bulevardi për në shtëpi. Afër xhamisë, ne, një grup gjashtë a shtatë shokësh, po bënim gallatë me dy jevgj të dehur të cilët shaheshin, por kur vinte puna për t’u goditur, pasi merrnin vrull, e ndalonin grushtin dy gisht larg fytyrës së njëri-tjetrit, sikur ia mbante dikush krahun. Fundi i episodit dukej si xhirim “A moviola” në televizor. Ne po zbaviteshim, ndërsa Todi mbajti këmbët, Liria e tërhiqte nga krahu, ai çakërqejf apo për gallatë u fliste në dialekt jevgjitëve: – Veshja, veshja se s’është gja, kot sa të shet mend… Liria e tërhiqte, kurse Todi vazhdonte: – Veshja mos ia zgjat…
Për Fatosin, megjithëse, nuk kishte tiparet e fëmijëve të funksionarëve të tjerë, prapë kisha rezerva përsa i përket formimit të tij. E pikërisht këtu pësova zhgënjimin më të madh. Shumë të tjerë e shihnin si “bythpambuk”, meqë ishte rritur në kushte të mira si i përkëdhelur i fatit. Shumë prej tyre ishin tepër të gatshëm të ndërronin kampin me regjimin e burgut, vetëm që t’i shmangeshin punës fizike. Tosi u fut në minierë dhe u bë një nga vagonistët më të mirë në atë punë infernale me një ushqim, me të cilin dhe një nëpunës zyre do ta ndiente veten të uritur. Ai reflektoi tjetër formim nga ai i të pandehurit. Kjo u duk në ridënimin e tij, mbas të cilit e shikonim të gjithë si hero. Ne më parë njiheshim në mënyrë të ndërsjellë, por jo drejtpërdrejt. Për të më kishte folur shpesh Madu, ndërsa atij për mua, të njohurit e mi në Spaç. Kishim se ç’bisedonim bashkë. Kishim të njohur të përbashkët e për shumë çështje kishim pikëpamje jokontradiktore. Ai kishte një kujtesë të shkëlqyer. E vija të më tregonte disa herë gjyqin e ridënimit, derisa i thashë një ditë: -Tosi, ti duhet t’a përsëritësh, sepse falë kujtesës tënde do t’a mbash mend. Nesër kjo ka për t’u shkruar. – Duket se profetizova me të drejtë. Ai më vonë e shkroi. E kam peng që s’u bë skenar. Gjithmonë e kam përfytyruar një film e si pikë kulminante atë gjyq. Tosin, ai gjyq e kishte tronditur mjaft. Ai nuk bënte heroin dhe këtë tronditje nuk ma fshihte. S’ishte shaka të fëshkëllente plumbi rrëzë veshit. I ishte shtuar nervoziteti në doza të mëdha. Këto i manifestonte qoftë edhe në një lojë shahu. Një herë qëllova që e munda në ping-pong. Kjo e nervozoi dhe e humbi toruan. U ndieva ngushtë, sepse edhe sikur t’ia lija lojën me qëllim, kjo do ta nervozonte dhe më shumë. Por kjo qëlloi vetëm një ditë, sepse ai më mundte përherë e s’kishte pse të mërzitej.
Ditët para amnistisë patëm një “grindje”. Ajo konsistonte në atë, nëse do kishte amnisti apo jo në rrethanat që përjetonim në fund të vitit 1982. Unë isha kthyer në renegat të “partisë së pesimistëve”. Mendoja se kurba e luftës së klasave do të pësonte rënie ngaqë gabimet e teprimet e saj do t’i mvisheshin Mehmet Shehut. Tosi në nervozizëm e sipër më thotë:-Mirë, e vëmë me bast me dyqind gramë kafe.- Dhe e pati seriozisht, sepse me t’u dhënë komunikata mbi amnistinë, më erdhi me dy pako njëqind gramëshe. E përqafova me keqardhje, sepse po lija aty jo vetëm Tosin, por mjaft shokë e miq me të cilët kaluam kohë të vështira.
Komentet