VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Koha e një nisme të Tiranës për Kosovën në NATO – Nga SHABAN MURATI

By | May 23, 2016

Komentet

Në Shqipëri as prijësi dhe as turmat nuk e dinë ku po shkojnë – Nga SHABAN MURATI

Një poet rus i epokës sovjetike botoi një poemë për një prijës, që po drejtonte turmën në një shtegtim të gjatë në errësirë.

Prijësi ecte dhe turmat pas tij shtoheshin. Në një moment të shtegtimit prijësi kthehet dhe pyet njeriun pas tij: “Ku po shkojmë?”. Njeriu pas tij i përgjigjet: “Ne nuk e dimë. Ne thjesht vijmë pas teje”.

Në Shqipëri as prijësi dhe as turmat nuk e dinë ku po shkojnë.

JOE BIDEN (XHO BAJDËN) PRESIDENTI I DYTË KATOLIK NË HISTORINË E SHTETEVE TË BASHKUARA – Nga Frank Shkreli

Ditën e mërkurë me 20 Janar, 2021, në mesditë, Joe Biden betohet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Z. Biden do të jetë presidenti i dytë katolik në historinë e këtij vendi, që do të shërbejë si President i Amerikës.  Presidenti i parë që i përkiste fesë katolike ka qenë John F Kennedy, i cili pikërisht në këtë ditë — 60-vjetë më parë — me dorën e tij të djathtë mbi Bibël u betua se do të zbatonte dhe do të “mbronte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara nga armiqët e brendëshëm dhe të jashtëm”.

 

Megjithëse, katolikët amerikanë përbëjnë grupimin e dytë më të madh fetar në k;t; vend, pas protestanëve — për një kohë të gjatë kishte një paragjykim ndaj tyre ndërsa mendohej, gabimisht, se një politikan katolik amerikan mund të ishte më besnik ndaj Papës se sa ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Por ishte Presidenti John F. Kenendy ai i cili, si të thuash, e zhduku këtë paragjykim fetar nga mentataliteti historik i shumicës protestane amerikane ndaj politikanëve katolikë që synonin karrigën e Presidentit të Amerikës.

 

Gjatë fushatës për president 60-vjetë më parë, John F. Kennedy i kishte siguruar votuesit amerikanë për qëndrimin dhe besimin e tij të palëkundur për ndarjen e kishës nga shteti.  “Unë nuk jam kandidati katolik për president”, kishte deklaruar ai në atë kohë, “Por jam kandidati i Partisë Demokrate për President, që njëkohësisht, i përkas fesë katolike. Unë nuk flas në emër të Kishës për çështje publike dhe Kisha nuk flet për mua.”  Historianët janë dakort se gjatë 1000-ditëve të presidencës së John F. Kennedy, feja e tij katolike nuk ka pasur asnjë ndikim në vendimet e tija politike dhe publike gjatë jetës së tij politike.  Për më tepër, për gjashtë dekadat e kaluara, ç’prej inaugurimit të Presidentit John   F. Kennedy e këndej, asnjë kandidat katolik për president të Amerikës nuk është kundërshtuar nga shumica protestane, si rrjedhim i pikëpamjeve fetare ose praktikimit të besimit katolik.

 

John F. Kennedy, presidenti i parë katolik në Amerikë i zgjedhur në vitin 1961

 

Kështu ndodhi edhe me kandidatin e Partisë Demokrate, Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar: përkatësia e tij fetare katolike nuk u përmend asnjëherë gjatë fushatës presidenciale, as nga kundërshtarët e tij politikë as nga media, megjithëse ish-Senatori Joe Biden njihet botërisht, jo vetëm si anëtar i Kishës Katolike, por edhe si praktikues i rregullt dhe i devotshëm i këtij besimi.

 

Ata që e njohin mirë Z. Biden thonë se feja katolike është pikë referenca e tij thelbësore se si e shef ai botën në përgjithësi. Sipas burimeve të ndryshme, ai mban rruzaren në xhep dhe merr pjesë në meshë çdo të djelë, megjithse mban disa pikëpamje që ndoshta nuk përputhen me doktrinën kishtare, siç është çeshtja e abortit – diçka që ai e kundërshton personalisht, por nuk beson se duhet të imponohet ligjërisht.

 

 

 

 

Në fjalimin me rastin e fitores së tij në detyrën më të lartë të vendit, pasi u shpall fitues i zgjedhjeve Nëntorin e kaluar në Amerikë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden nuk hesitoi aspak t’i referohej rolit që mund të luaj besimi i tij në kryerjen e detyrës më të lartë të këtij vendi, duke thekësuar se ai do të jetë, “president që nuk kërkon të përçajë, por të bashkojë njeërzit”.  Duke cituar një paragraf nga Bibla, Z. Biden u shpreh se, “Për gjithçka ka një stinë: ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të korrur frytet; një kohë për të mbjellur dhe një kohë për të shëruar plagët”, duke shtuar se, “Tani është koha për të shëruar plagët dhe për të pajtuar Amerikën”.

 

Presidenti i ardhëshëm i Shteteve të Bashkuara, Z. Biden përfundoi fjalimin e tij me një thirrje për unitet duke cituar fjalët e himnit katolik “On Eagle’s Wings”, (Në krahët e Shqiponjës), me qëllim për të nënvijuar mesazhin e tij për bashkim dhe pajtim kombëtar. “Dhe tani, së bashku mbi krahët e shqiponjës, ne fillojmë detyrën që Zoti na ka thirrur të bëjmë, me kurajo, besim dhe me duar të qendrueshme, me besim në Amerikën dhe në njëri tjetrin, me dashuri për Atdheun dhe me punë për drejtësi dhe përgjegjësi individuale e shoqërore – Le të punojmë për një komb të bashkuar, për një komb të fortë dhe për një komb të pajtuar”, ka thënë në fjalimin e tij, Z. Biden.

 

Udhëheqsit e Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara — përfshir Konferencën e Ipeshkvënore të Amerikës, e cila përfaqëson të gjithë ipeshkvijtë katolikë amerikanë due jurisdikcionet e tyre — e pritën mirë fitorën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe zevendës-presidentes Kamala Harris dhe u bënë thirrje udhëheqësve politikë, “Që të bashkohen në frymën e unitetit kombëtar dhe të angazhohen për dialog dhe kompromis, për të mirën e përbashkët.”

 

Në një editorial redaksional, revista e njohur katolike, “America” që botohet nga jezuitët amerikanë, komenton në numrin e muajit të kaluar, se fituesi më i madh i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ishte populli amerikan dhe shton se një shumicë e qartë e votuesve amerikanë i dha Z. Biden një mandat të bindshëm.  Një mandat, sipas revistës në fjalë, “Për të riparuar marrëdhëniet shoqërore të kombit, për të shëruar plagët dhe për të na bashkuar të gjithëve si pjesë e një kombi”. Por Z. Biden nuk ka, sipas redaktorëve të revistës jezuite, “America”, “një mandat për të vendosur një rrregull të ri legjislativ radikal në vend…Shumë votues madje edhe republikanë dhe të pavarur kanë votuar jo për partinë (e Z. Biden) por për vendin e tyre.  Z. Biden dhe kolegët e tij demokratë duhet të qeverisin duke mos harruar këtë fakt”, porosit revista në editorialin mbi fitoren e Z. Joe Biden.

 

Revista e njohur katolike e jezuitëve amerikanë, “America”, i bën thirrje gjithashtu presidentit të dytë katolik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të “shërojë plagët” dhe të punojë për drejtësi sociale.  Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një udhëheqës, thuhet në komentin redaksional të kësaj reviste prestigjoze katolike amerikane, ndërkohë që i kërkohet presidentit të ardhëshëm amerikan që të mbajë premtimin e dhenë prej tij se do të jetë, “President i të gjithë amerikanëve” pa përjashtim dhe se do të qeverisi, sipas fjalëve të Abraham Lincolnit, “Me keqdashje ndaj askujt dhe me bamirësi e dashamirësi për të gjithë”.

 

Si çdo president tjetër i Amerikës para tij, edhe Presidenti Joe Biden — pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare — pas betimit të tij të mërkurën, ai dhe administrata e tij do të gjykohen dhe vlerësohen, jo për fjalët e bukura dhe deklarata të fushatës, por për veprat konkrete dhe për angazhimet serioze gjatë mandatit të tij, të cilat duhet të çojnë drejt një pajtimi dhe uniteti më të fortë të vendit, duke pasur në qendër të vëmendjes periudhën kritike që po përjeton, aktualisht, vendi ynë si dhe pasojat, afat gjata dhe afat shkurtëra, të ngjarjeve të fundit në Washington.

39 vjet nga vrasja e Lajmëtarëve të Lirisë – Nga XHAFER SHATRI

 

1.

 

Sot, 39 vjet, në Untergruppenbach, afër Helbronit, në Gjermani, u vranë në një atentat tre prijësit e shquar të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla.

Atentati u krye me urdhër të Stane Dollanc, asokohe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, shef absolut i kupolës së shërbimeve sekrete të Jugosllavisë.

Atentatin e organizoi Drejtoria e Dytë e Shërbimit të Sigurimit Federal Shtetëror, e cila merrej kryesisht me kundërshtarët politikë që kishin migruar ose ishin arratisur jashtë Jugosllavisë.

 

Në organizimin e vrasjes kishte dorë drejtpërdrejt edhe funksionari i lartë UDB-së së Kosovës, Selim Brosha. Roli i tij ishte kordinimi i rrjetit të spiunëve që përcillnin aktivitetin e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Thënë më troç, vjelja e informatave më të freskëta që lidheshin me vendodhjen aktuale dhe lëvizjet e mundshme të të shënjuarve për ekzekutim.

 

Atentatin e kreu krimineli i njohur serbo-malazez Zheljko Razhnjatoviq, Arkan, me ekipin e tij, mes të cilëve ishte edhe Gjorgje Bozhoviq, Gishka.

 

Atentatorët e kishin zënë pritën, në një ndërtesë, ku ishin kryer vetëm punimet e vrazhda, 50 metra larg shtëpisë së Vëllezërve Gërvalla. Ngrehina ndodhej përballë garazhës ku ata mbyllnin veturën dhe në cep të rrugicës që çonte te vendbanimi i tyre.

Sipas të gjitha gjasave, vrasësit kishin qëndruar në pritë disa ditë e netë rresht, derisa e kanë kryer ekzekutimin.

Krahas revoleve, të kalibrit 7.65, ata ishin të armatosur edhe me bomba dore.

 

Nga dëshmi e dokumente të ndryshme del se Arkani, bashkë me Selim Broshën kishin kryer edhe më parë një krim të ngjashëm, më 10 tetor 1981, e kishin ekzekutuar në Bruksel, para shtëpisë dhe gruas së tij, Vehbi Ibrahimin, aktivist i organizatës atdhetare “Besëlidhja Shqiptare“.

 

2.

 

Asokohe, Jugosllavia ishte një ndër shtetet më të fuqishme evropiane dhe, përmes shërbimeve të saj sekrete, kishte ekzekutuar nëpër shtete të ndryshme perëndimore shumë kundërshtarë politikë, kryesisht kroatë. Këto veprime kriminale të shërbimeve jugosllave, të shumtën e rasteve, kryheshin pa asnjë pasojë për Beogradin ose agjentët e tij vrasës.

Kjo u përsërit edhe me rastin e atentatit në Untergruppenbach.

Megjithatë, mediet gjermane, e sidomos javorja e njohur “Der Spiegel“, e drejtuan, pa asnjë hezitim, gishtin denoncues drejt autoriteteve jugosllave, si urdhërdhënës të këtij krimi të rëndë.

Nga shumë dokumente del se atentatet e ngjashme përgatiteshin nga ekspertë eminentë të shërbimeve sekrete dhe në to merrnin pjesë drejtpërdrejt 3 grupe specialistësh:

– grupi që mblidhte informata nga rrjeti i gjerë i spiunëve;

– grupi i vrasësve profesionistë; dhe

– grupi që, pas krimit, shpërndante dezinformata lidhur me motivin dhe ekzekutorët e vrasjes.

 

Si zakonisht në këso rastesh, edhe pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, grupi për dezinformim i UDB-së ishte shumë aktiv. Ky grup jo vetëm arriti të shpërndajë mjegull për të lehtësuar humbjen e gjurmëve të kriminelëve, por arriti që me shpifje gjithëfarësh të nxisë, për një kohë të gjatë, sherre e mosbesim në mes veprimtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.

Edhe sot, pas gati 4 dekadash, ka kalemxhinj-budallenj shqiptarë që nuk rreshtin së akuzuari njëri-tjetrin, dhe pa asnjë argument të qëndrueshëm, si persona të implikuar në këtë krim të rëndë.

 

3.

 

Vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës, ishte ndër grushtet më të rënda që kishte pësuar Lëvizja Kombëtare e Kosovës që prej vrasjes së Isa Boletinit, Shtjëfen Gjeçovit dhe Hasan Prishtinës. Vrasja ndodhi në valën e arrestimeve masive të studentëve dhe veprimtarëve shqiptarë gjithandej në territoret tona në ish-Jugosllavi. Humbja e tre prijësve aq të ditur, aq të përkushtuar e aq të sprovuar, pati pasoja të mëdha dhe të përhershme për Kosovën, deri edhe sot.

Mjafton t’i këqyrësh me vëmendje veprimet e elitave tona politike për t’u bindur.

Nuk është e rastit prandaj, pse paria e përzgjedhur e Serbisë, kur ishin në pyetje popujt e pushtuar prej saj, shqiptarët në radhë të parë, gjithmonë e përseriste se “… armiqtë duhet t’i godasim vazhdimisht në kokë, sepse me trupin pa kry mund të bësh çka ta dojë qejfi“.

 

Nga gjithë përvoja dhe sidomos nga studimet e vazhdueshme të historisë së Serbisë, vihet lehtë në përfundimin se, po t’i kishte Serbia tre kuadro të kalibrit të Jusufit, Kadriut e Bardhoshit do ta destabilizonte thellë dhe gjatë krejt Ballkanin dhe do t’i formonte, jo një, por edhe dy shtete të tjera…

 

4.

 

Shteti shqiptar, mjerisht, nuk dijti apo thënë më mirë nuk deshti asnjëherë t’i mbështesë sadopak këta djem të paepur të Kosovës. Çka është edhe më keq, përdori ndikimin e tij absolut për t’ua futur ndërskamcat, për t’i përçarë e për t’i daktisur si mos më keq. Ua ka nxirë jetën me qëllimin e vetëm që të mund t’i kontrollonte sa më lehtë.

Qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj Lëvizjes Kombëtare të Kosovës para, gjatë dhe pas ngjarjeve që po i përshkruaj, dëshmon se Shqipëria londineze ende, edhe pas mbi një shekulli pavarësie, nuk di dhe nuk do të sillet si shtet ndaj trojeve të tjera shqiptare.

I njoh mirë dhe personalisht, të paktën, tre persona, të cilëve për shkaqe higjenike nuk po ua përmend emrat, e përmes të cilëve, Tirana i kontrollonte Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Eshtë pak të thuash se janë ndër njerëzit më të pamoralshëm që mund t’i hasësh në jetë.

 

Njëri prej tyre, edhe sot, pas gati 4 dhjetëvjeçarësh, e thotë publikisht e sa herë që i jipet rasti dhe, pa asnjë pasojë, se Jusuf Gërvalla ishte spiun i UDB-së. Natyrisht duke përsëritur papagallisht atë që ia kishin ngulitur në kokë sigurimsat shqiptarë.

 

Tjetri, për motive e inate krejt personale, këmbënguli dhe ia arriti, natyrisht me kurthe e intriga të paimagjinueshme, ta përçajë organizatën dhe ta heqë nga ballina e “Zërit të Kosovës“ citatin aq domethënës të Jusuf Gërvallës, të shkruar me gjakun e tij:

“Në ballë të këtij populli dhe këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën.

Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.“

Ndërsa në vend të tij vuri citatin që nuk kishte asgjë të përbashkët as me Kosovën e as me çështjen e saj:

“Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!“

 

I treti, në kohën kur, pas vrasjes që po e përshkruaj, u arrit, me shumë sakrifica, një konsolidim i Lëvizjes, për motive të ulëta dhe sipas thënieve të tij, i nxitur nga përfaqësues të shtetit shqiptar, e përçau Lëvizjen, duke nxjerrë një gazetë tjetër, por me të njëjtin emër (“Zëri i Kosovës“), dhe në emër të të njëjtës organizatë (Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi). Kjo gazetë e dytë, një prarendëse e asaj që sot rëndom njihet si «fake news»,  ishte e mbushur me shpifje dhe dekonspirime që patën pasoja katastrofike për Kosovën dhe qëndresën e saj.

 

Kjo praktikë e neveritshme e individëve që vepronin e veprojnë në emër të shtetit shqiptar, vazhdoi gjatë gjithë viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë, para, gjatë dhe pas Luftës në Kosovë dhe kulmoi me implikimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit aktual shqiptar në përpjekjet e Aleksandër Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.

 

Këto janë gjëra tepër të rënda por ja që duhet t’i thotë dikush, sepse ndryshe historia jonë do t’i ngjante rrëfimit për gomarët, të cilët pjesën më të madhe të kohës dhe jetës së tyre, e çojnë duke kruar njëri-tjetrin.

 

 

Për më shumë lidhur me vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, lexojeni analizën e botuar 19 vjet më parë, “Anatomia e një atentatit“:

 

https://xhafershatri.info/jusufgervallakadrizekabardhoshgervalla/

A DO TË KTHEHET ALEANCA E HERSHME NDËRMJET EVROPËS E SHBA ME ARDHJEN E BIDEN-IT? – Nga ANGELO PANEBIANCO – Përktheu Eugjen Merlika  

 

Ndërsa në ekranet televizive rridhnin pamjet e mësymjes  mbi Capitol Hill ndihej shpesh  të përsëritej prej atyre që i komentonin se n’atë çast po kryhej një sulm kundër “tempullit” të demokracisë. Duke lënë mënjanë fjalët e bukura, n’ato fjalë përceptohej përveç përhumbjes përballë të pamendueshmes (sulme kundër Parlamentëve mund të priteshin në shumë vënde të botës, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara), edhe pak a shumë një vetëdije të çoroditur mbi çfarë është me të vërtetë demokracia kur arrin në një pikë vendimtare. Demokracia është, para së gjithash e mbi të gjitha, një metodë për të zëvendësuar qeveritarët në fuqi pa dhunë e pa derdhje gjaku kur, në zgjedhje të lira, një shumicë votuesish (por shpesh bëhet fjalë për pakicën më të fuqishme) vendos t’I ndryshojë.

Demokracia “i numëron kokat në vënd që t’I presë”. Kjo e dallon nga regjimet e tjerë politikë. Jo gjithmonë arrin t’a shmangë dhunën, siç dëshmon historia e gjithë demokracive. Duke filluar nga ajo e Shteteve të Bashkuara me të gjithë episodet e dhunës politike. Megjithatë, pavarësisht nga Capitol Hill, pavarësisht nga orvatjet e Trump-it për të helmuar të gjithë puset e mundëshme para tërheqjes së pashmangëshme, duhet thënë se lajmet që qarkullojnë sot mbi krizën e demokracisë amerikane janë “ të zmadhuara në mënyrë trashanike”.

            Presidenti Trump, me fjalën e tij mbi fitoren e vjedhur, jo vetëm ka shtyrë për veprim kryengritësit e Capitol Hillit. Ka kërkuar, nëpërmjet çfarëdo mjeti të ligjshëm në mundësitë e veta, përmbysjen e përfundimeve zgjedhore. Nuk ka gjetur asnjë guvernator e asnjë gjykatës të gatshëm për të përmbushur qëllimin e tij. Mjaft demokraci rreth e përqark botës janë shembur sepse kryetari i qeverisë në fuqi ka kundërshtuar dorëheqjen mbas humbjes së zgjedhjeve. Por institucionet amerikane janë tepër të qëndrueshme për t’i lejuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara atë që, në vende të tjera, institucione më të dobëta i lejojnë disa lloj kryeministrave.

Është e njohur se Trump-i, edhe se ka humbur Shtëpinë e Bardhë, ka dëshmuar se ruan një fuqi të madhe zgjedhore, se është ende një tërheqës shumë i mirë. Kanë mundur t’a vërtetojnë demokratët që kanë ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por duke humbur vota e deputetë.

Janë rrjeshtuar shumë herë arsyet që e bëjnë aq të turbulltë sot jetën amerikane: një rënie e theksuar e besimit të publikut kundrejt qeveritarëve, një stinë e gjatë e polarizimit politik, fuqia m’e madhe e dukshmëria më e plotë e pakicave skajore të prirjeve të ndryshme. Është kjo në fund të fundit që i dha mundësi njërit si Trump-i, katër vjet më parë të fitonte e që bën të mundur zgjedhjen, në rradhët e demokratëve të kandidatëve që po të ushtronim parametrat evropianë, mund t’i klasifikonim si skajorë të së majtës.

Megjithatë kjo nuk ka ndaluar fitoren e një qëndërsori si Joe Biden. As do të pengojë, me gjasë e me të drejtë ata parlamentarë republikanë, që kanë pësuar Trump-in gjatë këtyre viteve, duke qeshur se nuk mund të qanin, për të gjetur pragmatikisht pika takimi me Administratën demokratike, sa herë që për ta do t’ishte e leverdisëshme.

Por thuhet se Amerika është një “Vend i ndarë”, ku garuesit trajtohen si kundërshtarë (Po nuk është ashtu n’Itali?). Ndonjë herë është përshtypja se ndonjeri dënon jo vetëm dhunat por edhe ndasitë si të tilla. A thuajse është e mundur dhe e urueshme një demokraci  pa ndarje (pak a sumë të thella). Problem nuk janë ndarjet por aftësia e institucioneve për t’i mbajtur nën kontroll e për të ndaluar konfliktet – të pashmangëshme e të nevojshme – të përdhosen deri n’atë pikë sa të venë në rrezik rendin shoqëror. Pavarësisht nga episodi shumë i rëndë i Capitol Hillit apo i dhunave qytetare që kanë shkundur Amerikën në muajtë e fundit nuk duket aspak se institucionet e demokracisë së Shteteve të Bashkuara t’a kenë humbur atë aftësi.

Nëse janë të tepruara piskamat për t’ardhmen e demokracisë amerikane, kjo nuk do të thotë se nuk ka arsye të fuqishme për t’u shqetësuar për ne evropianët. Rreziku më i madh është që Biden-i megjithë përvojën dhe vullnetin e tij  të shfaqur shpesh, në rinyjëzimin e lidhjeve me Evropën, të pësojë trysninë e forcave që shtyjnë në drejtim të kundërt. Duhet të kujtojmë se e majta e Partisë demokratike është e interesuar vetëm për reforma rrënjësore shoqërore të brëndëshme dhe qëndrimet e saj ndërkombëtare (izolacioniste e proteksioniste), nëse do të mbizotëronin, do të kishin për ne pasoja po aq rrënuese sa dhe ato të shkaktuara nga Administrata Trump.

Ka arsye ai që mendon se humbja e Trump-it nuk mund të përbëjë një kthim të pastër e të thjeshtë në të shkuarën. Edhe se, sigurishht, marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe Evropës do të përmirësohen, Biden-i do të mbajë parasysh faktin se publiku amerikan nuk pranon më të paguajë çmime shumë të larta për të ushqyer mbizotërimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara. Mbulesa do të jetë më e shkurtër se një kohë. Kjo do të thotë se investimi amerikan i kujdesit dhe i burimeve ekonomike në shemërinë me Kinën do të shpërblehet me një disponueshmëri më të pakët për të siguruar me të njëjtën fuqi e besueshmëri të së kaluarës sigurinë evropiane. Me që siguria është thelbësore për të garantuar jo vetëm paprekshmërinë fizile të qytetarëve, por dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike, në teori do të na takonte ne evropianëve të merremi me të në vitet që vijnë. Më e lehtë të thuhet se të bëhet. Dihet se sa të pabindur janë shumë evropianë, ndoshta shumica, për të zhvendosur tek mbrojtja e siguria burime të papërdorëshme e deri tani të përdorura për qëllime të tjera. Në vend të fatit të demokracisë amerikane (që, megjithatë, nuk duket se kalon rreziqe të mëdha), duhet të fillojmë të shqetësohemi për t’ardhmen e demokracive tona.

 

“Corriere della Sera”, 10 janar 2021       Përktheu Eugjen Merlika  

Qeveritë për 20 vjet nuk e kan ndihmuar Luginën e Preshevës – Nga Refik HASANI

 

Përgjigje lidhur me takimin e  datës 11 janar të Kryeministrit në detyrë, z.Avdullah Hoti, me  përfaqësuesit nga Presheva e Bujanoci, por ku mungonte përfaqësuesi nga Medvegja. Ditë më parë edhe  kandidatit i PDK-ës për Kryeministër z.Enver Hoxhaj, publikoi 7 zotime të ashtuquajtuara për Luginën e Preshevës.

 

I kujtoj opinionit të gjërë se vetëm në fushatë zgjedhore kujtohet kjo krahinë shqiptare e mbetur padrejtësisht  nënë administrimin e  Serbisë, dhe nga këto  premtime nuk do të ketë asgjë, pasi nuk jan zbatuar e realizur, si:

 

1.Rezoluta nga Kuvendi i Kosovës për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë i miratuar, datë 06.06.2013,

2.Në Gjilan është hapur  zyrja, datë 30.12.2014, për Medvegjë,Bujanoc dhe Preshevë,

3.Në Kuvendin Komunal-Gjilan,është miratuar vendimi mbi formimin e Komiteti përbashkëpunim ndërkufitarë,datë 27.06. 2013,

  1. Qeveria në detyrë, më datën 28.09.2020, pas një takimi sikur i ditës së sotit, u zotua se do themelon Zyrën për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës,

 

Të gjithë më parë ishin premtime në fushata zgjedhore e zotime, por

5.Nuk jan ndarë ndihma e premtuar lidhur me Abetaret,Materniteti në Preshevë, etj.

 

Qeveria e Kosovës  edhe në takimet të përbashkëta me qeverin Shqiptare  nuk kan dhënë asnjë efekt përveqë  jan premtuar të ndahen nga 50 mijë euro, e të cilat nuk dihet nëse jan ndarë.

 

Po ashtu,

Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës  asnjëherë nuk jan përcaktuar sakt për Referendumin e datës 1 e 2 Mars 1992, për luftën dhe sakrificën e UÇPMB-ës, për Marrëveshjen e Konçulit, për heqjen e Lapidarit të UÇPMB-ës, për pasivizimin e adresave, diskriminimin e vazhdueshëm etj.

Dhe

Republika e Kosovës  nuk kan asnjë platform e asnjë strategji për ta shtruar e ngritur në nivele e instanca të BE-ës dhe mekanizma të OKB-së.

Për dy dekada të gjitha qeverit e udhëhequra  nga subjektet politike  PDK-LDK-AAK, asgjë skan ndihmuar Luginën e Preshevës, përkundrazi kan krijuar konfizion në mesin e qyetarëve të kësaj krahine edhe në instanca e nivele të jashtme.

Kryeministri në detyrë, z.Avdullah Hoti, dhe kandidati për kryeministër nga PDK-ja  z.Enver Hoxhaj, por edhe ish-Kryeministri z.Ramush Haradinaj,me asgjë nuk e kan ndihmuar Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.

 

Vetëm ish-Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti, ka ndarë 500 mijë euro ndihmë dedikuar për Medvegjë,Bujanoc e Preshevë jan, ku për dy dekada Shqipëria dhe Kosova bashkë nuk i kan ndarë këto mjete.E vetmja shpresë është jo vetëm për Kosovën por edhe  për Medvegjë,Bujanoc dhe Preshevë.

 

*Autori, ka disa kumtesa në konferenca shkencore për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, por edhe punime të publikuara, për diskriminim, pasivizimin e adresave,formimi i komitetit për bashkëpunim ndërkufitarë,ka trajtuar e propozur,si: Reciprocitetin, rikonfirmimit të Referendumit datë 1 e 2 mars 1992, shqyrtimi i realizimit të Marrëveshjes së Konçulit,rexhistrimin e popullatës,inicimin që të miratohet një rezolut,ngritja e një fondi të përbashkët nga dy qeverit, formim i një Komisioni mikst nga Parlamenti Shqipëri-Kosovë, etj.

 

16 Janar 2021

Një përgjigje për hajvanatin e LDK-së – Nga XHAFER SHATRI

Për shkrimin tim të mbrëmshëm “Deri kur në fushatë elektorale me arkivole ? “, kam marrë shumë mesazhe private nga simpatizantë të LDK-së po edhe nga të tjerët që kanë krejt pikëpamje të ndryshme prej tyre, si dhe ndonjë koment publik ku, pa asnjë provë, vihet në pikëpyetje integriteti im. Po ju përgjigjem të gjithëve shkurt dhe publikisht :
Unë shkrimet e mia nuk i lidhi asnjëherë me ndonjë interes personal. Kurrë ! Jamais !
Kur ta vendosi me qenë pjesë e një subjekti politik, unë do të dal publikisht dhe do t’i mbroj programin e qëndrimet e atij subjekti hapur, pa dorashka e pa pardon.
Do të hyj aty jo për ndonjë interes, çfarëdo qoftë ai, por për bindjet e mia. Do të hyj aty me ndërtu e jo me rrënu !
Ndërkaq, ju ldk-istë të mirëfilltë apo të rrejshëm, do të duhej t’i vëni gishtin kokës, megjithëse tash është tepër vonë, dhe ta pyetni vetën e jo të tjerët :
A është e vërtetë se vazhdimisht në prag të zgjedhjeve, krerë të LDK-së, Isa Mustafa sidomos, çojnë pluhur për vrasjet gjatë dhe pas Luftës. Dhe menjëherë pastaj, posa të përfundojnë zgjedhjet, bëhen me ata që publikisht dihet se kishin dorë drejtpërdrejt në shumë prej atyre vrasjeve ?
A ishte Isa Mustafa kryeministër disa vjet rresht ? Po Skënder Hyseni e Agim Veliu a ishin ministra të brendshëm ?
Po !
A e kanë lëvizur ndonjëri, qoftë edhe njëherë të vetme, gishtin e vogël për të bërë diçka dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë vrasësit mizorë të Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, komandant Drinit…, e shumë të tjerëve ?
Jo ! Jo ! Dhe Jo !
Përkundrazi, në vazhdimësi, posa kanë përfunduar zgjedhjet, janë ulur dhe do të ulen sërish bashkë me vrasësit e sypozuar për t’ia hapë varrin Kosovës.
Kjo është e vërteta.
Kqyreni mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me Marrëveshjen që nënshkroi Isa Mustafa me Vuçiqin për konfederalizimin e Kosovës, më 25 gusht 2015 :
Dhe do të bindeni, nëse keni vetëm pak tru në atë kokë të shkretë, se një dokument të ngjashëm, që dëmton rëndë dhe pariparueshëm interesat jetike të shqiptarëve, e ka nënshkruar, një shekull më parë, në Nish dhe me Nikolla Pashiqin, Esat Pashë Toptani i famshëm.
Pikërisht ky është ai guri i provës që më ka bërë me ia tregu vendin, jo vetëm njëherë, Isa Mustafës dhe ndjekësve të tij hilexhinj e marrokë.
Ju do të më thuani, po, por në fund të Marrëveshjes thuhet se për këtë do të vendosë Gjykata Kushtetuese ! E vërtetë. Por atë dokument anti-Kosovë e anti-shqiptar nuk e ka nënshkruar një qytetar i papërgjegjshëm e pa asnjë ndikim i Kosovës, por kryeministri i saj, në emrin tuaj dhe timin.
Dhe ky dokument, ani se Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë, sepse shkel 25 herë nenët dhe germat e Kushtetuës, megjithatë mbetet përgjithmonë në praktikën dhe në historinë e shqiptarëve të shkretë si dokument e si gjurmë e thellë që thotë shumë :
– Se shqiptarët janë të gatshëm të heqin dorë nga territoret e tyre,
– Se shqiptarët janë të gatshëm me lëshu pé për çdo gjë, për tokën, për ujin…, për të ardhmen dhe për mbijetesën e tyre.
– Se shqiptarët kanë krerë që shiten e shesin lirë çdo gjë të vendit të tyre. Lirinë e dinjitetin e shqiptarëve në radhë të parë !
Prandaj lërini dokrrat e budallakitë se nuk ka kuptim. Se është marre :
Unë me ju, vëllaznisht.
Ju me mua, serbisht !
Unë juve, me bukë !
Ju mu, me gurë !
A bahet kështu ?
Pyetini edhe hasmit e mi më të mëdhenj, pyeteni edhe Isa Mustafën, të cilin e njoh më mirë se krejt LDK-ja bashkë, dhe do t’ju thonë një të vërtetë të padiskutueshme se unë, Xhafer Shatri, nga Tomoci, komuna e Istogut, nuk bëj tuxharllëk me bindjet e mia.
Unë, mbajeni mend : as nuk shitem, as nuk blehem, as nuk thehem.
Kurrë dhe për asgjë ! Ky është ADN-i im !
Unë mund të gaboj, se njeri jam. Por nëse dikush më bind se jam gabim: nuk më vjen marre as një grimë me e falënderu dhe me i kërku falje atij dhe të gjithëve ! Publikisht !
E ju shkruani çka të doni. As nuk mundeni me më nxe, as nuk mundeni me më ftohë!
Me më tutë ? Hiç se hiç !
Hajde, shëndet e të mira, dhe hapini sytë e pyetini fëmijët tuaj dhe ata do t’ju thonë shkurt e trup se : Nuk jeni në tokë të bukës !
Sepse ju, vertetë, e keni humbur jo vetëm busollën, por edhe fijen bashkë me lamshin !
Prandaj: Zoti u lashtë shëndoshë!
E hallall mos u koftë ! Se m’i humbët 45 minuta kot së koti, veç m’jau dhanë hakun !

Me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën! – Nga Skënder Buçpapaj

Kosova është me Vjosën dhe Albinin, është me Albinin dhe Vjosën! Shqiptarët, në shumicën dërmuese janë me dy udhëheqësit më përfaqësues të një gjenerate të re politike që po vjen fuqishëm në krye të Kosovës.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë dy figurat politike më të dashura për shqiptarët.

Një zhvillim shumë i mirëpritur historik mori sot firmat nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe udhëheqësja e nismës Guxo, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e parlamentit dhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.  Formacioni politik i udhëhequr nga zotëri Kurti, më i votuari në zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, dhe nisma qytetare e udhëhequr nga zonja Osmani, deputetja më e votuar në historinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së sotme, kandidojnë së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Një zgjidhje më e mirë, më e zgjuar, më logjike se të gjitha zgjidhjet më të mira, më të zgjuara e më logjike që janë hamendësuar këto kohë nga të gjithë njohësit më të zotë dhe më mirëdashës të Kosovës.

Nga këto zgjedhje Kosova do të ketë Kryeministër Albin Kurtin dhe Presidente Vjosa Osmanin.

Verdikti i 6 Tetorit 2019 do të gjejë konfirmimin  e padiskutueshëm më 14 Shkurt 2021. Kosova është e vendosur në verdiktet e saj. Kush pret që Kosova të zbehë vendosmërinë e saj ndaj verdiktit të 6 Tetorit 2019, do të dalë i gabuar dhe i zhgënjyer. Kosova drejt 14 Shkurtit 2021 shkon më e vendosur se kurrë që asgjë në botë të mos e lëkundë në këtë verdikt.

Me Vjosën dhe Albinin Kosova do ta shohë veten të barabartë në të gjitha tryezat ndërkombëtare, Kosova do të jetë shumë më pak ballkanike dhe shumë më tepër evopiane, do të ketë pavarësinë dhe sovranitetin politik, ekonomik, kulturor, në rrafsh të brendshëm, në rrafsh fqinjësor dhe në rrafsh ndërkombëtar. Të gjitha këto dimensione të shenjta Kosovës i kanë munguar, i janë cënuar, i janë nëpërkëmbur, i janë keqpërdorur në vitet e paspushtimit dhe në vitet e pas zyrtarizimit të pavarësisë.

Jemi me Vjosën dhe Albinin, jemi me Albinin dhe Vjosën, sepse jemi me Kosovën, sepse Kosova është me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!

Kryeministri dhe Presidentja që do të dalin nga zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021 të Republikës së Kosovës kanë formatin e admirueshëm evropian dhe perëndimor, kanë vizionin e qartë për konsolidimin e gjithanshëm të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, kanë programin më konkret për ta bërë Kosovën të jetueshme për qytetarët e saj, kanë portretet më frymëzuese politike për të frymëzuar rininë dhe të gjithë faktorët e tjerë vitalë të shtetit të Kosovës.

Kosova më 14 Shkurt 2021, siç tha sot z. Kurti, do të votojë “për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim për të gjithë qytetarët pa dallime, diskriminime e favorizime”. Kosova më 14 shkurt 2021, siç tha sot zonja Osmani, do të votojë kundër kapjes së shtetit, kundër padrejtësisë dhe pabarazisë, do të votojë për përparim, mirëqenie dhe dinjitet. Siç garantoi zonja Osmani, “sot e për katër vitet në vijim, por edhe përtej këtyre katër viteve, ne jemi të vendosur për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, për të ndërtuar një vend që prioritizon arsimin dhe shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisin dhe mirëqenien e secilit e secilës për ju, duke siguruar një rimëkëmbje ekonomike të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe inovative. Jemi të vendosur për të respektuar dhe mbrojtur kushtetutën e Republikës tonë si dhe për të garantuar sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës”.

14 janari, me firmat e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, shënoi marrëveshjen që “përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bashkim rreth një kauze për një të ardhme më të mirë”, siç theksoi zonja Osmani. Një muaj më vonë, më 14 Shkurt 2021, ajo do të marrë firmën e Kosovës.

Jemi me Vjosën dhe Albinin, jemi me Albinin dhe Vjosën, sepse jemi me Kosovën, sepse Kosova është me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!

 

RËNDËSIA (HISTORIKE) E TË MODERUARVE PËR DEMOKRACINË – Nga ANTONIO POLITO – Përktheu Eugjen Merlika

 

Demokracia përfaqësuese ka nevojë për një të djathtë të përkorët, konservatore, kushtetuese. Për t’u mbrojtur nga sulmi I skajshmërisë populiste, demokracia ka nevojë për një forcë liberale të masës, që t’a mbështjellë e t’a ruajë, të themeluar mbi interesat e kulturën e borgjezisë. Në fund të fundit është kjo që na thotë kriza amerikane. Edhe aty ku ka lindur më shumë se dy shekuj më parë, demokracia në fakt i ka treguar gjithë botës në këto ditë, se është e “varur në një fije”, siç ka shkruar Le Monde.

Nuk duhen turma të mëdha për të marshuar mbi një pallat, thuhet se pesëqind vetë, t’armatosur mirë, do të kishin ndaluar Revolucionin e Tetorit, për të mos folur mbi ecjen drejt Romës.  Ajo që duhet është një zbrazëti pushteti dhe një bashkëpuntor në të. Por nëse e djathta liberale italiane në çastin vendimtar i dha një kalim fashizmit, ajo amerikane, megjithë oportunizmat dhe burracakërinë e klasës së saj drejtuese parlamentare, më së shumti ajo qëndroi.

Trump-in e kanë mundur zgjedhësit e përkorë, që kanë patur rolin e  gjilpërës së peshores, duke e bërë atë të anonte nga ana e qëndërsorit Biden në votimet presidenciale, e më pas nga ana e demokratëve në votimin e dytë në Xhorxhian republikane, sepse ishin të lodhur nga aventura. Politikani që i tha jo presidentit, në kërkimin e 11.789 votave që i mungonin, ka qënë republikani Brad Raffensperger, sekretari i Shtetit i Xhorxhias. E përditëshmja që, mbas fakteve të Capitol Hill ka shkruar “N’emër të Zotit, shporru” duke huajtur britmën e një deputeti anglez kundër kryeministrit të tij, Chamberlain, e cila i hapi rrugën qeverisë Churchill, ishte konservatorja Wall Street Journal.  Qe një gjeneral që nuk pranoi të rrjeshtojë trupat kundër turmave që protestonin kundër dhunave raciale të policisë, siç kërkonte Trump-i, e bashkë me të ministri i Mbrojtjes republikani Mark Esper, për të cilën më vonë u pushua nga presidenti.

Nëse të gjitha këto fije nuk do të kishin qëndruar nuk do të ishim këtu të lëshonim  psherëtimën e lehtësimit për rrezikun e shmangur. Në të djathtën amerikane ka mbetur e dobët por e gjallë, një traditë e kahut të Shtetit që secili mund t’a vlerësojë duke riparë në You Tube fjalën me të cilën John McCain, kandidati republikan i tetë viteve më parë, pranoi humbjen dhe pohoi admirimin e tij për fituesin Obama.

Është vendimtar, i çmueshëm, roli që e djathta konservatore  do të dijë të ketë në rindërtimin e Grand Old Party n’Amerikë, e që do të jetë e ftuar të zhvillojë edhe thirrjen për mënyra të mira n’Evropë, përballë një populizmi të damkosur nga humbjet politike por aspak të shtruar e ndoshta të gatshëm të gjejë linfë të re në dramaticitetin që ka arritur ndeshja (jam kurioz të di se çfarë mendojnë për ndalimin e Twitter 88 milionë ndjekësat e presidentit) Ka çështje konkrete, ekonomike e kulturore, që largojnë masa të “forgotten men” në Arizona si në Gjermaninë lindore apo në Veri të Anglisë nga demokracia dhe e bëjnë atë të duket gënjeshtare dhe zhgënjyese. Shtymjen dhe zemërimin e valës populiste nuk mund t’a shtrojnë vetëm me thirrje për mënyra të mira ose një bisedë social më pak të dhunshme, nëse forcat demokratike nuk do të jenë në gjëndje të ndryshojnë apo të përditësojnë ofertën e tyre politike.

Ka dy mënyra për të lexuar gjërësinë e habitëshme dhe agresivitetin e kësaj lëvizjeje globale të opinionit. E para është ajo e zgjedhur nga një pjesë e së majtës edhe në Itali, aq e mrekulluar nga çdo lëvizje sa që të përceptpojë edhe tek zotëria me brirë dhe kapelen e marmotës në kokë që ka mësyer Capitol Hillin fytyrën e një skamësi, të viktimës së pabarazisë, e që pra propozon një përgjigje shoqërore, të reformës së kapitalizmit. E dyta është kundërveprimi liberal që sheh në Shtetn e së drejtës, në mbrojtjen e institucioneve dhe në cilësinë e ndërmjetësimit politik ndërmjet interesave ledhin e regjimeve demokratike. Sepse ajo që në të vërtetë vlen në demokraci nuk është të dërgohet në pushtet njeriu më i mirë, ose më popullor, por të sigurohet një sistem që do t’i ndalojë atij të shpërdorojë pushtetin, sa herë ai të tundohet t’a bëjë.

Një e djathtë e këtij tipi na duhet edhe neve n’Itali. E lindur në 1994 për rreth Silvio Berluskonit, e jona ka vuajtur gjatë nga prejardhia e saj personalistike e karismatike e nga kundërshtia e interesave që, pashmangmërisht e vinte në tendosje me Shtetin e së drejtës. Por edhe se me çaste rreziqesh e tensioni të rëndë ndërmjet pushteteve (për shembull me gjyqësorin), ajo e djathtë ka përfaqësuar për njëzet vite njërin ndër dy polet e një demokracie të qëndrueshme, të një vendosjeje evropiane të sigurtë, e të një ternimi demokratik të shëndoshë. Tani që e djathta e përkorët është kandisur në një qiri, e mbyllur siç është në llogoren zgjedhore të Forza Italia-s, është qenësore që të mund të zëvëndësohet nga diçka e aftë të qëndrojë edhe përballë tundimeve për të kalëruar valën populiste. Kjo e djathtë është në Vend. Në zgjedhësit lombardë për shembull edhe se në një çast kur i mungon drejtimi. Në Veneto ku e ka drejtimin. Në krahinat e në qytetet e qeverisura nga përfaqësues të Legës e të Vëllezërve t’Italisë, ku politika e s’ardhmes së afërt detyron të lënë mënjanë paragjykimet ideologjike e të mendojnë për qenësoren. Por kemi parë edhe në ndodhinë zgjedhore amerikane se sa mundim bëjnë drejtuesit e saj të dallojnë e të luftojnë ballëhapur rreziqet autoritare që fshhihen mbas bisedës populiste.

Sa më shumë të arrijë të bindet ajo se elektorati i  moderuar nuk është gëlltitur në vrimën e zezë të krizës ekonomike, e që në çastin e duhur din të rrjeshtohet kundër aventurës dhe rebelimit, aq më tepër një e djathtë e re do të jetë siguri për vazhdimësinë demokratike të një sistemi që edhe te ne nuk mund të quhet i imunizuar nga infektimi trumpist.

 

“Corriere della Sera”, 9 janar 2021         Përktheu Eugjen Merlika

Epopeja në Kodrën e Trimave – Nga XHAFER SHATRI

Si sot, 37 vjet më parë, u vranë në Prishtinë, prijësit e shquar të Lëvizjës tonë Kombëtare e Heronjtë e Kosovës, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha.
Ata, pas një aktiviteti të dendur ilegal, u zbuluan dhe u rrethuan në lagjën që, më vonë, mori emrin e qendresës së tyre, Kodra e Trimave.
Rexhepi e Nuhiu, që personifikonin lulen e djalërisë shqiptare, u vranë heroikisht e me armë në dorë, në përpjekje për ta çarë rrethimin e shumfishtë.
Zbulimi dhe vrasja e tyre deri vonë mbeti një prej enigmave më të errëta të organizimit dhe të qëndresës ilegale në Kosovë.
Koha e dëshmoi se rrethimi i tyre ishte një aksion i koordinuar nga maja e shërbimeve sekrete jugosllave, civile e ushtarake, për shpartallimin e Lëvizjes së fuqishme Kombëtare të Kosovës. Zbulimi dhe vrasja e Rexhepit dhe Nuhiut, ishte rezultat i një rrjeti të sofistikuar spiunazhi të ngulitur gjithandej përmes renegatësh të rrezikshëm dhe organizatash “ilegale“ hibride.
Vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës në mërgim dhe e Rexhep Malajt e Nuhi Berishës në Kosovë ishte një ndër grushtet më të rëndë që Serbia ia dha Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.
Pasojat e vrasjes së tyre ishin rrënuese për qendresën ilegale, sepse ata, që të pestë, ishin kuadro të zotët, njerëz me vizion, me guxim e përvojë të jashtëzakonshme.
Vrasja e këtyre prijësve të shquar të Lëvizjes tonë Kombëtare, krijoi boshllëqe të tilla, sa që u reflektua shumë dhe gjithandej gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, gjatë kohës së apart’heidit dhe sidomos gjatë dhe pas shpërthimit të luftës në Kosovë.
Por historia e popujve të robëruar, zakonisht, shkruhet me gjak, me vuajtje të papërshkrueshme dhe akte heroizmi e vetëflijimi të njerëzve më të mirë të tyre.
Të djemve që, si Rexhepi e Nuhiu, me jetët e tyre ia trasojnë rrugën Lirisë.
Lavdi e përjetshme Heronjve të Kombit, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës !

çfarë fshihet pas Athinës zyrtare si ‘protektore e shteteve me shumicë myslimane’ në rajon – Nga SHABAN MURATI

Euforia është një sëmundje e vjetër e diplomacisë ballkanike. Por vështirë të kishte menduar kush një shkallë aq të lartë euforie si ajo e ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili me vitin e ri afishoi një objektiv të ri të madh të Greqisë në Ballkanin Perëndimor: Rolin e Greqisë si protektor i shteteve me shumicë myslimane në rajon. Në një intervistë me gazetën e njohur greke “Ekathimerini” në datën 10 janar 2021, publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme Greke, ministri i jashtëm deklaron: “Qëllimi ynë është mbrojtja e Ballkanit Perëndimor nga rrjete ekstremiste dhe pikëpamjet neootomaniste. Ne kemi qëllim të bëhemi një urë bashkëpunimi me vendet me popuj kristianë. Me qëllimin që të arrijmë këto objektiva ne kemi zhvilluar një prani të posaçme aktive në këto vende”.

Diplomacia fetare greke, si “një nga parametrat kyçe të politikës së jashtme greke” sipas përkufizimit të Dendiasit në 9 dhjetor 2020, sinjalizon një ofensivë të saj në planin fetar në Ballkanin Perëndimor për të marrë dhe për të konsoliduar rolin udhëheqës të Greqisë në këtë grupim, ku bëjnë pjesë pesë shtete të ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria. Interesantja e kësaj ofensive të re të diplomacisë fetare greke nuk është boshti i saj i njohur, i vjetër dhe i pandryshueshëm i përdorimit të ortodoksizmit si trase e influencës dhe e hegjemonisë greke në Ballkanin Perëndimor. Ky bosht mbetet themeli i aleancës shtetëroro-fetare të Greqisë me Rusinë dhe me Serbinë.

Tani diplomacia greke po del me një intonim të ri duke pretenduar të jetë protektore e shteteve me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor. Ministri i jashtëm grek e bën shumë të qartë se kush janë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku diplomacia greke do të fokusohet që të realizojë proteksionin grek të këtyre vendeve nga rrjetet ekstremiste dhe nga pikëpamjet neootomaniste. Ai rreshton Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën. Nuk e përmend as Serbinë dhe as Malin e Zi.

Duhet thënë që në fillim se ofensiva e re diplomatike fetare greke në drejtim të katër shteteve, që përmend Dendias, lidhet me ambiciet rajonale ballkanike dhe me interesat gjeopolitike greke në Mesdheun Lindor. Greqinë nuk e ha malli për ndonjë proteksion real ndaj këtyre shteteve dhe popujve, sepse historia e veprimit të diplomacisë fetare greke në drejtim të katër shteteve ka qenë antitezë e proteksionit. Është tepër e lexueshme se strategjia e re e ofensivës diplomatike fetare greke në Ballkanin Perëndimor është që të krijojë një diversion dhe një çarje te madhe mes shteteve ballkanike me shumicë myslimane dhe Turqisë. Së pari, Athina është e ndërgjegjëshme që nuk konkurron dot me Ankaranë në planin ekonomik dhe ushtarak dhe nuk mund të jetë për shtetet e Ballkanit Perëndimor më atraktive se Turqia. Së dyti, Greqia e pa gjatë vitit 2020 se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk e përkrahën Greqinë në ambiciet e saj lafonteniane për të qenë dominuese në Mesdheun Lindor. Në këtë situatë të pakëndshme për të, diplomacia greke hartoi trukun e ri diplomatik të paraqitjes së saj si protektore e shteteve ballkanike me shumicë myslimane, me synimin për të krijuar hendek në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Kjo ofensive e re diplomatike greke në drejtim të Ballkanit Perëndimor duhet parë si pjesë e strategjisë më të gjerë greke për të krijuar një kordon sanitar rreth e qark Turqisë.

Është skema që Greqia po ndjek në mënyrë të ethshme në brigjet e Mesdheut, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, ku po mbijnë aleanca, grupime dhe instant-marrëveshje të Greqisë me të gjithë shtetet, që kanë mosmarrëveshje apo acarime me Turqinë. Nuk mund të quhen veçse të habitshme nga pikëpamja diplomatike marrëveshja e mbrojtjes reciproke e Greqisë me Emiratet e Bashkuara Arabe, apo marrëdhëniet zyrtare dhe marrëveshjet e Greqisë me gjeneralin separatist libian Haftari dhe jo me qeverinë e ligjshme libiane të njohur nga OKB. Më këtë obsesion diplomatik antiturk Athina ka krijuar grupime politike dhe energjetike me Izraelin, Qipron dhe Egjiptin, të cilat kanë acarime në marrëdhëniet e tyre me Turqinë.

Tani shefi i diplomacisë greke shpall se Athina do të përpiqet të krijojë të njëjtën skemë greke edhe në Ballkanin Perëndimor. Në fakt para Dendiasit ka qenë ministri i jashtëm grek Nikos Kocias, i cili hodhi idenë e përdorimit të përçarjes fetare ndërmyslimane në Ballkan. Pas një vizite në Shqipëri në vitin 2016 Kocias për herë të parë në historinë e marrëdhënieve greko-shqiptare doli publikisht me përpjekjen për të krijuar çarje midis Shqipërisë dhe Turqisë në planin fetar, duke marrë në mbrojtje Komunitetin Mysliman Shqiptar me një deklaratë të habitshme sikur udhëheqësit e Komunitetit Mysliman Shqiptar ishin ankuar për Turqinë. Nuk ka informacion nëse Kocias është takuar atëherë me ndonjë drejtues të Komunitetit Mysliman Shqiptar apo ndonjë zyrtar i lartë shqiptar ia ka referuar Kociasit atë informacion. Fakti është se askush në Tiranë, as zyrtarë dhe as fetarë, nuk e përgënjeshtruan deklaratën provokuese të ministrit të jashtëm grek. Nuk duhet harruar se Ministria e Jashtme Greke, e drejtuar nga Kocias, siç doli nga zbulimet e dokumenteve në parlamentin grek në tetor 2018, kishte financuar me miliona euro shumë rrjete, media dhe individë në Shqipëri të lidhur me sektin antiqeveritar turk të Gylenit.

Tani ministri i jashtëm Dendias konfirmon si qëllim të diplomacisë greke shtrirjen në Ballkanin Perëndimor të strategjisë greke të krijimit të një klime apo aleance antiturke, duke u mbështetur në forcat politike, mediatike, ojq-iste dhe akademike të lidhur me sektin e Gylenit. Është interesant fenomeni i çuditshëm që shumë islamofobë dhe ateistë në Tiranë dhe në Prishtinë janë bërë mbrojtës dhe ithtarë të një hoxhe turk, që drejton sektin e tij ndërkombëtar nga Pensilvania kundër shtetit turk.

Ofensiva e re e rrezikshme e diplomacisë fetare greke në drejtim të shteteve të Ballkanit Perëndimor është një nismë greke në funksion të ambicieve për hegjemoni në Ballkanin Perëndimor. Janë ambicie, të cilat janë të përhershme në diplomacinë e shtetit grek, siç janë të përhershme edhe dështimet për të realizuar ambicien hegjemoniste ballkanike. Ministri jashtëm grek Dendias duhet të kujtojë dështimin e programit ballkanik të Athinës të vitit 1999, që caktoi 500 milionë dollarë ndihmë për shtetet ballkanike dhe rezultoi në një fiasco, apo planin e bujshëm grek të Jorgo Papandreut të vitit 2009 i koduar “Ballkan 2014” për rolin udhëheqës të Greqisë për të futur Ballkanin Perëndimor në BE në vitin 2014.

Në radhë të parë drejtuesit e vjetër dhe të rij të diplomacisë greke duhet të kenë të qartë se askush dhe asnjë shtet ballkanik nuk i ka kërkuar Greqisë të jetë protektor i Ballkanit Perëndimor. Ata ende nuk janë ndërgjegjësuar se as BE dhe as NATO nuk mund të lejojnë një rol protektor të Greqisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tre shtete të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s dhe gëzojnë mbrojtjen e saj dhe nuk kanë nevojë për proteksionin e Greqisë nga rrjetet ekstremiste apo neootomane. Katër shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtete kandidate për anëtarësim në BE dhe kanë proteksionin e BE dhe nuk kanë nevojë për proteksionin e një shteti, që jeton ende me ëndrrën e “Megaliidhesë”. Athina synon të përhapë helenizmin në Ballkanin Perëndimor nën etiketën e luftës kundër neootomanizmit dhe harron se edhe Greqia ka qenë 400 vjet në perandorinë osmane.

Duhet pranuar se euforia e ministrit të jashtëm grek për këtë ofensivë të re diplomatike të proteksionit grek për shtetet me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor nuk doli rastësisht tani. Ajo mori një shtytje dhe inkurajim të madh nga lëshimet e mëdha strategjike, që i bëri Greqisë qeveria e Shqipërisë si me pranimin entuziast të vendimit grek të zgjerimit të njëanshëm të ujrave territoriale greke në detin Jon, ashtu dhe me pranimin entuziast të kërkesës greke për të shkuar sëbashku dorë për dore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të sanksionuar cënimin e kufirit shtetëror detar shqiptar dhe të zonave detare shqiptare me vulën e Tribunalit Ndërkombëtar. Këto lëshime të mëdha strategjike shqiptare krijuan bindjen në qarqet drejtuese të Athinës se qeverisë shqiptare mund t’i kërkosh gjithçka dhe ajo do ta japë symbyllur. Greqia e ka asfaltuar prej kohësh terrenin me drejtuesit e Shqipërisë që të realizojë diplomacinë e saj fetare në Shqipëri. Nuk është rastësi që udhëheqësit shqiptarë të të dy llojeve të qeverive janë dekoruar me urdhëra të larta nga krerët e kishës ortodokse greke, gjë që nuk ka ndodhur me kishën katolike. Në kufijtë e skandalit është praktika e konfirmur që udhëheqësit shqiptarë sa herë shkojnë për vizitë në SHBA përfshijnë në programin e tyre takime dhe bisedime me krerët e kishës ortodokse greke në Amerikë. Nuk takojnë kurrë peshkopë ortodoksë rumunë, bullgarë, rusë, gjeorgjianë, etj. dhe as peshkopë katolikë apo imamë myslimanë të shteteve të tjera në Amerikë.

Praktikisht është krijuar një lidhje e posaçme okulte midis kishës ortodokse greke dhe udhëheqësve politikë shqiptarë, të cilët e konsiderojnë kishën greke dhe diplomacinë greke si trampolinë e ruajtjes apo e marrjes së pushtetit politik në Shqipëri. Nuk është rastësi që kreu i kishës ortodokse të Shqipërisë propozohet për president të Greqisë nga qeveria greke në vitin 2015 dhe nuk reagon asnjë muskul i qeverisë, politikës apo mediave shqiptare.

Ofensiva e re e diplomacisë fetare greke përmban farën e intrigave dhe lojrave të rrezikshme dhe përçarëse në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet t’i lejojnë vetes të bien në kurthin e diplomacisë fetare greke, e cila synon t’i keqpërdorë në drejtim të acarimit dhe krijimit të konflikteve artificiale me Turqinë. Është një ftesë e rrezikshme greke sidomos për kombin shqiptar, i cili duhet të gjykojë gjeopolitiksht dhe strategjikisht se në gjithë hapësirën ballkanike Turqia mbetet aleati i nevojshëm dhe i sigurt për interesat jetike kombëtare dhe shtetërore.

Shqipërisë dhe Kosovës i duhen marrëdhënie të mira dhe normale dhe një bashkëjetesë paqësore me Greqinë, por kurrë me çmimin e humbjes së integritetit territorial apo të sovranitetit dhe të pavarësisë. Nuk duhen dëgjuar levantinët në Tiranë dhe në Prishtinë, që me sponsorizimin e Serbisë dhe të Greqisë synojnë t’i humbin kombit shqiptar një aleat të pazëvendësueshëm në Ballkan si Turqia. Ofensiva e re e diplomacisë fetare greke është një rrezik, që kërkon vigjilencë shtetërore, politike, shoqërore dhe publike në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku gjysma e popullsisë janë shqiptarë.

KTHIMI NË RREGULL I NJË BOTE TË PËRMBYSUR DUKE LUFTUAR PANDEMINË – Nga ALDO CAZZULLO – Përktheu Eugjen Merlika

 

            Mbas Luftës së Madhe në artin qe il rappel à l’ordre, thirrja për rregull. U qetësuan tërbimet e avangardave e u rizbuluan mjeshtrit e rilindjes dhe klasiçizmi. Për të thjeshtëzuar: më parë piktorët kishin sprovuar: abstraksionistë, kubistë, futuristë. Më pas edhe vetë Picasso u kthye në artin figurativ, pra për të bërë figura (më vonë do të mohojë se ka vizatuar një kuadër abstraksionist gjatë gjithë jetës së tij). Ja, 2020 do të kujtohet në politikë si viti I kthimit në rregull ; gjë që në një botë të përmbysur nga pandemia, mund të duket kërshëruese.

Për të thjeshtësuar: nëntëqindi është shënuar nga komunizmi që predikonte diktaturën e një klase shoqërore; nga fashizmi që teorizonte mbizotërimin e një race apo të një kombi (sigurisht të tijin) mbi një tjetër; e të liberalizmit, i bindur që liria e sipërmarrjes dhe e tregëtisë me kohë do t’i kishte sjellur përfitime çdo klase shoqërore e çdo Vëndi. Fashizmi u thye me luftën e dytë botërore, komunizmi me luftën e ftohtë. Në fillimin e shekullit të ri u duk se edhe vetë liberalizmi ndjehej keq. Më parë 2008 e krizës së madhe, pastaj 2016 e Brexit dhe Trump-it dukeshin se i kishin dhënë një goditje vdekësore idesë së shkëmbimit të lirë, të globalizimit të lumtur, të rritjes së përherëshme, me një fjalë të demokracisë liberale.

Nëse një vit më parë ndonjëri do të profetizonte një pandemi të aftë të shkaktonte shëmbjen e prodhimit e të punësimit, të bllokonte fluturimet ndërmjet Evropës e Amerikës, madje të na ndalonte të dilnim nga shpëpia, do të kishim menduar se ishte gati për të shpërthyer revolucioni. Ndërsa ndodhi e kundërta. Kthimi në rregullin, pikërisht; ose së paku kështu duket, Trump-i ka humbur një zgjedhje që pa Covidin me gjasë do t’a kishte fituar, e Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur presidentin më të moshuar të historisë, një demokrat të qëndrës; një tip “normal”. Brexit ka pjellur më së fundi një marrëveshje që shpëton tregun e përbashkët mes Londrës dhe kontinentit. Jo vetëm, pa Brexit ndoshta nuk do të ishte hovi i Evropës.

Risia e madhe e vitit është që, mbi valën e krizës shëndetësore dhe ekonomike Angela Merkel i hapi portën borxhit të përbashkët evropian. Një veprim që mund t’i a dorëzojë historisë si shtetaren e parë t’Evropës e jo vetëm si shtetaren e fundit gjermane; edhe se mbi vaksinat Berlini është zhytur përsëri në egoizmin e zakonshëm në dëm të aleatëve. Evropa sigurisht nuk i ka zgjidhur problemet e saj; paratë e Next Generation Eu ende nuk janë parë; megjithatë Gjermania e Franca, Vëndet e mëdha të qeverisura fuqishëm nga qëndra, kanë rifituar qëndërsinë e tyre, ndërsa revanshizmat e përhapura në Lindjen evropiane janë riçuar në përmasën e tyre, shqetësuese por jo detyrimisht të zgjidhëshme.

Në Itali, kthimi në rregullin ka shënuar si zgjedhjet vendore, si vijën e partive që njëherej quheshin populiste. Të djathtët në Campanjë e Puglie kanë rizgjedhur De Lukën dhe Emilianon; venetët dhe ligurët e së majtës kanë votuar Zaian dhe Totin. Aty ku nuk kishte një dalës si në Toskanë, u ripohua sistemi. Pesë Yjet kanë kaluar nga Jelek Verdhët tek Macroni. Lega pyet veten a është vërtetë rasti të qëndrojë përkrah Marinë Le Penit – që këtë vit ka hequr dorë nga tonet skajore – apo të bisedojë me gratë që komandojnë vërtetë Evropën: Merkel, von der Layen, Lagarde.

Kjo nuk do të thotë aspak që 2020 ka shënuar fundin e sovranizmit. Aq më pak në Vëndin ndoshta më  të dobët të Perëndimit, që mjerisht është Italia. Prova e jashtzakonëshme e dhënë nga shoqëria qytetare – nga mjekë e infermierë që kanë luftuar pandeminë në rrjeshtin e parë, deri tek punëdhënës e puntorë që kanë qëndruar fuqishëm – nuk mund të fshijnë gabimet e klasës drejtuese. Shtresat më në dukje të ngasjes sovraniste janë ato më të goditurat nga kriza: shtresat popullore janë dobësuar më shumë; është zgjeruar gërshëra ndërmjet atij që është i siguruar e atij që nuk është, ndërmjet atij që mund të punojë në smart-working e të marrë pagesën e plotë dhe popullit të autonomëve, të zejtarëve, të të punësuarve përkohësisht.

Veç asaj po fillohet të kuptohet se Evropa ka bërë një gabim mjaft gjëmëmadh, duke synuar pothuajse gjithshka mbi një vaksinë që ende nuk është e të porosisë pak doza të asaj që është.  Për pasojë Kina , e dalë më përpara nga piskama, do të ndiqet nga Amerika, jo nga kontinenti i ynë; me përjashtimin e vetëm të Gjermanisë që po kërkon rrugën e shkurtër që nuk i bën nder.

Mbas Luftës së Madhe nuk erdhi në politikë kthimi në rregull. Erdhën revolucione komuniste e fashiste. Historia nuk përsëritet kurrë dy herë, madje: “Nuk kthehet kurrë më asgjë”, siç qorton Francesco de Gregori; dhe fakti duhet të pranohet “si një fitore”. Por nëse Evropa nuk do t’arrijë të vaksinojë në mënyrë të kënaqëshme qytetarët e saj – duke mbrojtur përveç të moshuarve edhe punonjësit veprues – , as të mos krijojë punë me paratë e Recovery-t, atëherë 2021 do të sjellë të tjera të papritura; dhe jo pozitive.

 

“Corriere della Sera”, 28 dhjetor 2020

ALBINI ME AKTIVISTËT E LVV KURBANË TË DEMARKACIONIT DHE “ZAJEDNICËS” – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm, qoftë edhe në mungesë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Skënder Hyseni, realizuan Demarkacionin dhe nënshkruan Asociacionin, përkatësisht, “Zajednicën”, për ta bërë Serbinë hisedare në Kosovë! Ishte, pikërisht, LVV, e prirë nga Albin Kurti, që u kundërvu, madje, dhunshëm, me kundërshtinë e tyre, në mbrojtje të Republikës të Kosovës. LVV çështjen e “Zajednicës” e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, duke e stopuar bërjen fakt të kryer.
     Shtrohet pyetja: Kush duhet dënuar? Ata që realizuan Demarkacionin dhe nënshkruan edhe Asociacionin, apo Albinin, ngulmues për shpëtimin e tyre?! Ishte drejtësia e kapur nga PDK-ja e Hashimit, që i dënoi paligjshëm aktivistët e LVV. Është Gjykata Kushtetuese, e cila, me urdhër të Hashim presidentit, zvarriti për gjashtë muaj radhazi shqyrtimin e ankesës të LVV, për paligjshmërinë e deputetit Etem Arifi. Në pamundësi për të dhënë një vendim ndryshe, që do t`ia mundësonte Isa Mustafës zgjedhjen banditeske të një presidenti të dytë, për të vazhduar qeverisjen kontrabandë, deri në vitin 2023! Kapësit e drejtësisë, këtë herë, përmes Gjykatës Kushtetuese, duan goditjen e sërishme të Albin Kurtit, duke pamundësuar kadidimin domëthënës të tij.
     Analistë dhe banalistë të bollshëm, me porosi, vazhdojnë sulmet denigruese kundër Albinit me shokë. Të pakët janë ata që gjykojnë drejt e paanshëm. “Harrohet” qëllimi atdhetar e fisnik i aktivistëve të LVV, në mbrojtje të Republikës. Ndërkohë, vendosmëria e atyre që e kishin “mizën pas veshit”, të shantazhuar nga Serbia, ishin gadi t`ia bënin gjëmën Kosovës, për ta “shpëtuar lëkurën” e tyre!
     Qëllimi i LVV ishte madhor. Ndërsa provokimi i shqiptarëve, nga pushtetarët, ishte i vrazhdët dhe, skajshëm, cinik: “I kemi numrat, për ta kaluar Demarkacionin”, duke i lënë shqiptarët pa gjumë, me frikë dhe ankth të vazhdueshëm, për humbjen e territoreve të tyre stërgjyshore. Prandaj edhe mjetet sfiduese ishin adekuate, në proporcion me provokimet.
     Ata që Demarkacionin e quajnë “kauzë të rreme”, si dhe ata që “kërkonin ta këmbënin tokën e Kosovës me liberalizimin e vizave”, edhe sikur t`ua zinte frymën gazi lotësjellës, i hedhur nga aktivistët e LVV, nuk do të ishte kurrëfarë humbje, në krahasim më mijëra hektarë tokë të Kosovës, të falur Malit të Zi, si dhe bërjen hisedare të Serbisë në Kosovë, me realizimin e “Zajednicës”.
     “Thikat mbi hartën e Kosovës”, rezultuan të sakta, që nga deklarimet dhe veprimet të Thaçit, Vuçiqit, Ramës, Batonit, e deri ke ato të Bolton e Borell me kompani! Pra, nuk ishin imagjinare, por, faktike. Albini kishte të drejtë, kur paralajmëroi rrezikun dhe bojkotoi bisedimet konspirative.
     “Korrigjimet”, “shkëmbimet e territoreve”, “duhet dhënë diçka Serbisë, për ta pranuar Kosovën-shtet”, janë joshje direkte të Serbisë, për të zhvatur territore tjera të Kosovës. Ata që ofrojnë zgjidhje të tilla, janë për t`u dyshuar dhe hetuar, deri në ndëshkim. Albini me aktivistët e tij, kanë qenë dhe janë kundër pazarllëqeve të tilla të rrezikshme, në dëm të Kosovës.
     Ndërkohë, Albini me shokë, duhet të pyetet, nëse janë të vetëdijshëm, për dëmin që i bëjnë, sot, Kosovës, me deklaratat paushalle, për “bashkimin me Shqipërinë”, kur Kosova ende nuk është konsoliduar si shtet, në kufinjtë ekzistues. Kjo favorizon Serbinë në kërkesat megallomane ndaj Kosovës dhe me këtë shantazhon ndërkombëtarët. Dy shtetet shqiptare nuk po merren vesh për vezë, patate, çimento, trarin, e lëre më të bashkohen! Broçkulla!
     Sidoqoftë, reformimi personal e gruporë, i Lidërshipit dhe i anëtarësisë, është i shëndetshëm edhe për Vetëvendosjen. Populli, tetorin e vjem, refuzoi PAN-in – en bloc – dhe mirë bëri. Organizimi kriminal Hashimi-Isa, me horrakët tjerë, për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ka irrituar popullin. Nëse populli merr siguri, që nuk ofron në bashkëqeverisje me partitë-banda të PAN-it, besimi tek qytetarët do të rritej për Vetëvendosjen.
     Koalicioni me dikë është domosdo, edhe pse besimi i VV, për fitore të bollshme, është i madh. Megjithatë, e vetmja zgjidhje reale do të ishte LDK-ja, si subjekt i painkriminuar. Sepse çkapja e shtetit, nuk mund të bëhet me ata që e kanë kapur shtetin. Tashmë, dihet, se LDK-ja, strukturat e saj, madje, edhe shumica absolute e Kryesisë, janë të shpërfillura nga Lidërshipi – klani Mustafa. Kjo është një e fshehtë publike. Rrjedhimisht, elektorati i LDK-së preferon koalicionin me LVV. Edhe Kurti ka qenë selektiv në kritika. Ka kursyer LDK-në, strukturat e saj, por, akuzon Lidërshipin e saj, për konspiracionet e pista me PAN-in.
     Kjo dëshmohet edhe me deklarimet e ish-ministrave të LDK-së, në ish Qeverinë Kurti, të cilët flasin në supërlativë për bashkëpunimin korrekt me kryeministrin Albin Kurti. Dy rastet e shkëputura, shkarkimi i pakonsultuar i ministrave, janë ndërhyrje direkte e jashtme. Dhe, këtë e thotë edhe “Deutsche Welle”, zyrtare gjermane: “Njeriu që organizoi rrëzimin e Qeverisë Kurti, tani, është i  akuzuari i Hagës”

Send this to a friend