Nëse keni kaluar një orë duke bredhur nëpër një dyqan antik (jo duke kërkuar ekzaktësisht për ndonjë gjë por thjesht duke parë), duhet të keni dalluar sesi shija gradualisht iu mpihet dhe pastaj nëse qëndroni më shumë, iu prishet krejt. Filloni të shihni sharm të padiskutueshëm në ato piktura të shëmtuara të vajzave topolake që ledhatojnë pëllumbat, zhvilloni një dëshirë psikopatike për rrotat vërtitëse dhe kabinetet e këpucarëve, jeni i prirur të paguani një shumë të mirë për një statujë bronzi të Oto von Bismarkut me një dorezë metalike brenda një palltoje prej veshje metali dhe me qese metalike nën sytë e tij të metaltë. Sapo i çoni këto gjëra në shtëpi, e kuptoni që janë revoltuese. Dhe prapë kanë një lloj autoriteti të llahtarshëm; nuk i pëlqeni më, e dini sa të këqija janë por duhet një përpjekje e madhe për t’i hedhur në plehra ku e meritojnë.
Të ecësh gjatë gjithë rrugës së një dyqani antikash- kjo është një eksperiencë që prek edhe shpirtin më të pandjeshëm. Ja ku është një vitrinë plot me poçe hyjnish kineze; pastaj një tjetër e mbushur me heshta të zuluve, vela të kanoes indiane dhe pistoleta-kuaj që nuk shkrepin; dyqani tjetër përballë është i mbushur me vazo majolike italiane me shkëlqim dhe tjetri edhe më keq me poçeri austriake – zonjash dhe zotërinjsh të imët të ulur në jastëkë me dantella që mbajnë qafore të qëndisura, me çdo lulkë, çdo rrudhë dhe rrjetë të kthyer në parcelan: rozë, e ashpër, por fatmirësisht jo e pathyeshme. Shekulli nëntëmbëdhjetë prodhoi një sasi të lemerishme të artit pa vlerë si ky dhe nganjëherë përfytyroj që fabrikat klandestine të nëntokës vazhdojnë të derdhin papushim këto si droga të paligjshme.
Ka një emër për një mall të tillë në tregti, një fjalë që duket se është me prejardhje ruse, kitsch[1] do të thotë mburrje vulgare dhe aplikohet tek çdo gjë që të nxjerr gjithë ato telashe për ta prodhuar dhe është krejt e neveritshme.
Kiç është një gjë paradoksale. Është dukshëm e keqe; kaq e keqe sa mezi e kupton sesi një qenie njerëzore mund të harxhojë ditë dhe javë duke e krijuar atë dhe sesi të tjerët do ta blejnë, ta çojnë në shtëpi, ta mbajnë aty, t’ia fshijnë pluhurin dhe ta lënë trashëgim. Është tmerrësisht zgjedhje e zgjuar dhe e shëmtuar gjithashtu, plotësisht e padobishme dhe megjithatë ka një nga cilësitë e artit të mirë- që pasi shihet njëherë, nuk harrohet lehtë. Sigurisht gjendet në të gjitha artet; mendo për Katedralen e Milanos, statujat në Westminister Abbey në Londër, apo kompozimet nga Littz të këngëve të Shubertit. Ka shumë prej këtyre punëve në Shtetet e Bashkuara, për shembull arkitektura e Majamit, Floridas dhe varrezat Forest Lawn Cemetery në Los Anxhelos. Shumë nga filmat historikë më ambiciozë të Hollivudit janë kiç të shkëlqyer. Shumica e këngëve të dashurisë së Tin Pan Alley janë në mënyrë të përkryer 100 për qind kiç.
Ka kiç në botën e librave gjithashtu. E kam koleksionuar. Është i përçudnuar por unë kënaqem me të.
Perla e koleksionit tim është vepra e romancieres irlandeze Amanda McKittrick Ros, kryevepra e së cilës Delina Delaney, është botuar rreth vitit 1900. Kjo është një histori e përzier romantike që rrefen sesi Delina, vajza e një peshkatari nga Erin Cottage, dashurohet me lordin Gifford, trashëgimtarin e Columbia Castle dhe pas shumë përpjekjesh dhe madje edhe burgimi, martohet me të. Historia është dramatike, jo për të thënë e pamundur por është pothuajse jashtë përceptimit nga stili i ekzagjeruar. Ja për shembull, në një fjali në të cilën znj. Ros shpjegon që heroina e saj fitonte para shtesë nga punët me grep.
Ajo përpiqej fort ta mbante veten të paditur nga të ardhurat e dobëta të babait të saj të varfër përmes përdorimit të prodhimeve më të mira të gjilpërave, tehu i pamprehur i të cilave kundronte mbështjelljen rreth e rrotull me lakmi të dukshme dhe ofronte shigjetën e saj të mprehtë drejt copave pa të meta të kualitetit më të lartë të lirit.
Revoltuese por karakteristike ajo çfarë z. Polly e quan “rockockyo” në stilin e përdorur. Për dellin barok, ja si i thotë lamtumirë lordi Gifford të dashurës së tij:
Vajza ime e shtrenjtë “mbretëresha ime”, Delina, Unë jam tamam në kohë të dëgjoj kumbimin e kambanës ndarëse që godet me peshën e saj të rëndë të butësisë tronditëse kundrejt dridhjeve më të dobëta të zemrës së dashurisë, duke zgjuar dhe mikluar veprimin e saj të fjetur, duke hedhur shigjetën e ndarjes së qartë më thellë në venat e saj të butësisë dhe duke i fryrë flakës tashmë të pashuar në vullkanet e zjarrit.
Znj Ros kishte një aftësi të shquar për retorikë dhe mund të sajonte një frazë të paharrueshme. Ajo i përshkruan sytë e zinj të heroit të saj si “revolverë reaktivë shkëlqyes“. Kur ai u sëmur, ajo thotë që ai ra “në një gjendje ethesh të lartësuara- pa diskutim njerëzit e zakonshëm kanë ethe të forta por lordët kanë ethe të lartësuara. Refleksionet e saj mbi degjenerimin moral të shoqërisë rrallë kanë gjetur shoqe për fuqinë dhe depërtimin e tyre:
Ditë të humanizmit, ku ia keni mbathur? Kur përkuljet e detyruara, buzëqeshin për tundjet e duarve mashtruese të dogmatikëve dhe mirëpresin veglat e pushtetit që mbahen nën mundimin fyes dhe joambicioz, duke mos guxuar për tu përmbajtur nga gjuha e çiltërsisë sepse bota egoiste refuzon të heqë dorë nga politikat e saj të kalbura. Tashëgimia e baballarëve tuaj që përfshinte barazinë, bamirësinë, arsyen dhe besimin në zot është përtej horizontit të pjellave të tyre kërpurdha mendjelehta si mashtrimi, padrejtësia, ligësia dhe jomirësia dhe nuk ka gjasa të shtohet me tiparet e harmonisë për aq kohë sa këto vese degraduese të ambicies së përqeshur infektojnë zemrën njerëzore.
Ndoshta një arsye pse më pëlqen ky paragraf është se shëmbëllen shumë me një përkthim tipik të një studenti të përmbylljeve më të mira të Cieronit: të rrjedhshme dhe të furishme por që nuk tregojnë asgjë. Një vëllim ishte quajtur Poezitë e Shpimit dhe një tjetër Bajonetat e Llustrës Bastarde: medet, xhevahirë tashmë pothuajse të pashitshëm. Por të paktën e di hapjen e lirikës së saj të shkruar me rastin e vizitës së parë në katedralen e Shën Palit.
Muza të shenjta hidhni një vështrim
Truri dhe forca kanë gjetur paqëtim
Një gjeni i tillë është i pashkatërrueshëm. Së shpejti, tani, një studiues i zellshëm do të shkruajë një tezë doktorate mbi znj. Amanda McKittrick Ros dhe kështu (siç mund ta thoshte vetë ajo) duke i akorduar mbi vetullat e saj me vesë, dafinat e një pavdekësie reale.
Ngjitur me znj. Ros në koleksionin tim kiç është vepra e poetit skocez William McGonagall. Ky gjeni ka lindur më 1830 por nuk e kish gjetur vokacionin e tij letrar deri më 1877. Poetë të varfër dhe të pamjaftueshëm mizërojnë në çdo gjuhë por (siç vëzhgon The Times Literary Supplement) është i vetmi poet vërtet i keq i paharrueshëm në gjuhën tonë.
Në zotërimin e banalitetit dhe shpërfilljen ndaj melodisë, ai ishte trashëgimtar i vërtetë i William Wordsworth si një poet përshkrues.
Në një anë, talenti i tij ose të paktën aspiratat e tij i tejkalonin ato të Uordsuorthit. Ai mund të bënte më së miri përshkrimin e ngjarjeve ku nuk kishte qenë kurrë i pranishëm të tilla si katastrofat e përplasjes së trenit, përmbytjet e anijeve dhe betejat e përgjakshme dhe në përshkrimin e skenave të mrekullueshme që ai nuk i kishte soditur asnjëherë përveçse me sytë e imagjinatës. Ja një peisazh i tij i paharrueshëm i Arktikut.
Malet e akullta të Groenlandës janë magjepëse dhe të mëdhenj
Mrekullisht të krijuara nga i të Plotfuqishmit vullnet
Dhe punët e të Plotfuqishmit që pak mund ta kuptojnë
Kush e di por mund të jetë pjesë e një vendi përrallor
Sepse atje ka kisha prej akulli, dhe shtëpi që shkëlqejnë si qelq
Nuk ka asgjë që mund ta tejkalojë për madhështinë e skenës
Pranë tyre ka monumente dhe spirale, rrënoja, gjithashtu
Në rast sulmi nga arinjtë e egër për tërheqje të sigurtë.
Malet e akullta janë më të larta se direkët e anijeve
Dhe i panjohuri me habi qëndron i tronditur
Ndërsa sodit ujin që rrjedh nga akulli i shkrirë
Në rrëzë të malit ku ai klith. Sa mirë!
McGonagall gjithashtu ka një sens të fortë dramatik. Ai vdes të tregojë aventura të njerëzve në agoni, mbase më drastike por më pak prekëse sesa ajo e lidhur me Vaudracour and Julia të Uordsuorthit. Fundi i lumtur i një prej baladave të tij “Gotike” është sigurisht i paharrueshëm:
Kështu përfundon historia e Hanchen, një trime heroeshë
që u përpoq fort të shpëtonte arin e zotërisë së vet
për trimërinë e saj me djalin më të madh të mullixhiut u martua,
Hanchen qau në natën e martesës se kështu paska qenë shkruar.
Këto përzgjedhje të pakta nuk janë të drejta për gjeninë e McGonagall si një vargëzues. Efektet e rimës së tij tregojnë talent të pazakontë. Shumica e poetëve do të ngatërroheshin nga krijimi i rimave për emra të përveçëm si General Graham dhe Osman Digna por McGonagall i arrin ato me vetëm një strofë me efekt marramendës.
Nuk bëhen me turp djemtë e Britanisë së Madhe
të shkruajnë me lavde për gjeneral Graham
Emri i të cilit do t’iu përcillet brezave pa asnjë damkë
sepse në betejën e El-Tab ai mundi Osman Digna.
Një nga përvojat më intensive të McGonagall ishte vizita e tij në Nju Jork. Financiarisht, ajo nuk ishte e suksesshme. Në një prej skicave të tij të gjalla autobiografike, ai shkruan, “U përpoqa disa herë të marr ndonjë rol nga pronarët e teatrove apo të sallave të muzikës por mjerisht këto rezultuan më kot, sepse ata të gjithë më thanë se nuk inkurajonin rivalitetin.” Megjithatë, atij i kishte lënë mbresa të thella arkitektura e Manhatan. Në vargje elokuente, ai shpreh çfarë shumë të tjerë e kishin ndjerë, megjithëse pa gjetur fjalët e duhura për t’i dhënë zë emocionit të tyre:
Oh, Qytet i fuqishëm i Nju Jorkut, je i mrekullueshëm për tu kundruar
Ndertesat e tua janë madhështore, të vërtetën për ta treguar.
Ato ishin të vetmet gjëra që duket se kapën sytë e mi
sepse shumë prej tyre janë tridhjetë kate përmbi.
Çatitë e shtëpive janë të gjitha të sheshta
në motin e ngrohtë njerëzit mblidhen për biseda
Veç kësaj mbi çati ata nderin rrobat.
shumë njerëz mbi çati natën çlodhen.
Prapëseprapë McGonagall u ndje i huaj në Shtetet e Bashkuara. Dhe ja ku shfaqet përsëri në ngjashmëri të madhe me Uordsuorth. Poeti laureat në një sonetë të fuqishme të shkruar në Calais, njëherë qortoi The English Channel për vonesën e kthimit të tij nga një prej atyre stuhive tepër të shpeshta në të cilën (tirani i shkujdesur) do të kënaqte veten.
Pse hidheni prapë mbi bregun Galik,
ju valë të xhindosura, bija atdhetare
të Anglisë?
Me të njëjtin dell, McGonagall këndon me ngazëllimin e kthimit në vendin e vet:
Në lidhje me Nju Jorkun dhe vendet që pashë atje
një rrugë në Dundee për mua është më e vlefshme
dhe më besoni, në mëngjesin kur lundrova nga Nju Jorku
për në Dundee, zemra m’u ndje e lehtë si një pupël zogu.
Me të vërtetë, Nju Jorku është një subjekt sfidues edhe për poetë ambiciozë. Ja, nga i njëjti raft, një poemë e këndshme mbi të njëjtën temë nga Ezra Pound:
Qyteti im, i shtrenjti im
Ti je art si një vajzë pa gjoks,
ti, art i hollë si një fyell argjendi,
më dëgjo, më ndiq.
Do të marr frymë në ty si shpirt
dhe ti do të jetosh përgjithmonë.
Esenca e këtyre lloj gjepurave është mospërshtatja. Shkrimtari kiç është gjithnjë i sinqertë. Ai vërtet do të thotë diçka të rëndësishme. Ai e ndjen se ka një mesazh shpirtëror të lartësuar për t’ia sjellë një bote ende të pazgjuar ose ndryshe ai ka pasur një përvojë të fuqishme të cilën do t’ia komunikojë publikut. Por ose mesazhi del të jetë një banalitet madhështor ose ai zgjedh formën e gabuar për ta rrëfyer, apo më e këndshmja e të gjithave, ka një mospërputhje themelore ndërmjet shkrimtarit dhe subjektit të tij si kur Ezra Pound, i lindur në Idaho, i drejtohet qytetit më të madh në botë si një vajzë pa gjoks dhe i kërkon asaj të arrijë frymëzimin dhe pavdekësinë duke e dëgjuar atë. Kjo është si të ngjitësh malin Everest me qëllim për të gdhendur një kokë të Miki Mousit në faqen lindore.
Poezia e keqe e dashurisë, poezia e keqe religjioze, proza e keqe mistike, romanet e këqija si autobiografike ashtu edhe historike mund të formojnë një koleksion të shkëlqyer të kiçit thjesht përmes leximit me një sy të vëmendshëm dhe të gjallë. Këngët e kolegjit fishkëllejnë me të. Veprat e Father Divine[2] janë plot me të dhe më interesantja është se tek ai, kjo është zakonisht e pakuptueshme.
Një nga mistikët indianë, Sri Rama-krishna i ka magjepsur studiuesit përmes përshkrimit të shkrimeve të shenjta indiane (me një frazë që pothuajse përcaktohet si muzikë-kiç) si:
Fërguar në gjalpin e njohurive dhe ngjyer në mjaltin e dashurisë
Poezia e keqe e funeralit është një minierë e pasur me këtë lëndë. Ja, për shembull, në hapjen e elegjisë frymëzuese, “The funeral” nga Stephen Spender, siç duket e shkruar gjatë periudhës së tij rozë:
Vdekja është një gur kilometrik në rrugën e tyre,
me buzëqeshje në buzë dhe erën që fryn përreth,
ata thjesht mbajnë vesh
sesi kjo shkëlqeu mbi gjithë të tjerat në shtytjen e brezave.
Vëreni ndryshimin nga humanizmi në komunizëm. Spender thjesht mori “Grammarian Funeral” (funeralin e gramatikës) të Brouningut, hoqi humorin dhe ritmin marshues, dhe zëvendësoi erën dhe përshpejtimin e Stakhanivist-it mbi të ndjerin Harry Crosby:
Ai shëtit me Ernestin në rrugët e Saragozës
ata janë të pirë, gojët e tyre të prishura thonë que rosa[3]
Nga një periudhë më e hershme romantike, ja një model i shkëlqyer, Coleridge tentoi të shprehte të vërtetën e thellë që njerëzit dhe kafshët janë fqinj në një botë të ashpër por ai bëri gabimin themelor të vënies së kësaj shprehje si një monolog drejtuar gomarit:
Budalla i mjerë! Zotëria do të të ketë mësuar për të treguar
Mëshirën- nga shoqëria me hallin më së miri të përvetësuar
Çuk i pafajshëm! Ti që mjerisht je përçmuar si i pashpresë
Vëlla, të përshendes.
Pasi ia ndjen shijen kësaj lloj gjëje, mund të gjesh kënaqësi pastaj në qindra përvoja të cilat ndryshe do t’i mendonit anestezike apo të mërzitshme, përkthime të këqija, piktura abstrakte, grand opera… Dr. Johnson me sensin e fortë të humorit, kishte një fantazi për kiç dhe shkruante vazhdimisht poezi duke i kënduar martesës së Dukës së Leeds, kompozuar nga “një shërbyes inferior” në rima të tilla të shpëlara siç mund t’i ndërtonte ai:
Kur Duka i Leeds do të martohet
Me një zonjë të re të lartë do të çiftohet
Sa e lumtur kjo zonjë do të jetë
me hirësinë e këtij duke përjetë
Ajo do të ketë çdo gjë të bukur dhe të hijshme
veshjen e mëndafshit dhe satenit më të mirën
të shëtisë në një karrocë për ajër të freskët
dhe të ketë një shtëpi në sheshin e shën Xhejms
Poezia popullore është plot me xhevahire të tilla.Ja një epitaf mbi një zotëri të moshuar nga Vermonti që vdiq në një aksident në sharrë.
Sa tronditëse mendja njerëzore,
cungu e bëri pluhur e hi prore.
Zoti porositi të merrte shpirtin e tij
dhe ne mbetet veçse t’i bindemi.
Kiç është i mirënjohur në dramë gjithashtu, megjithëse (përveçse për pamje të lëvizshme) zakonisht nuk zgjat shumë. Një shembull kuptimplotë është një dramë që ngre lart virtytet e lëvizjes Boy Scot, e quajtur Young England. Ajo u vu në skenë shumë herë në vitet 30 në një audiencë pothuajse e gjitha e përbërë nga tifozë të kiçit, që përfundimisht filluan të mësonin përmendësh si tekstin ashtu edhe emrat e aktorëve fatkeqë. Mund të kujtoj ende hapjen e një episodi madhështor. Skena, një lëndinë në pyll. Hyn heroi, një skautist, duke ngarë një biçikletë dhe i ndjekur nga të rinj, anëtarë të grupit të tij. Ata i stivojnë biçikletat në heshtje. Pastaj skautisti ngre gishtin dhe thotë (fortissimo[4] i shoqëruar nga shumica e anëtarëve të audiencës).
Në artet dekorative, kiçi lulëzon, dhe është veçanërisht i përhapur në skulpturë. Një nga pjesët më të pëlqyera të artit të keq është një statujë në qendrën Rockfeller në Nju Jork. Supozohet të përfaqësojë Atlasin, titanin e dënuar për të mbartur qiellin mbi supe. Ajo është simboli i të zymtës, tragjedisë masive, madhështisë dhe vuajtjes e kombinuar si tek Herkuli apo Prometeu. Por ky version e shfaq Atlasin si një hajvan të fuqishëm, me një kokë të vogël të imët, më tepër si djemtë e skuqur në revistat e mjekësisë. Në vend të drejtimit nga qielli, ai është duke ngritur një balonë metali sferike; ajo është e tejdukshme dhe krejt boshe; megjithatë ai është duke mbajtur ekuilibrin në mënyrë të pasigurt me një këmbë si një transportues mobiljesh që ngjitet në katet e larta me një top plazhi, vetullngrysur si një babun[5] i çmendur. Nëse ai arrin ndonjëherë ta ngrejë lart gjënë, do ta lëshojë prapë apo ndryshe do ta hedhë në një autobuz të Avenusë së Pestë. Kjo është një statujë jashtëzakonisht qesharake dhe më kënaq sa herë e shoh.
Mbase mendoni se kjo është një shije e prishur. Por realisht ajo është zgjatim i përvojës. Në një anë Homeri, në anën tjetër Amanda McKittrick Ros. Në një anë Hamleti, në tjetrën McGonagall që i thuren shumë lëvdata për vargjet e tij të imituara:
Poezia është morale dhe sublime
Për mua asgjë nuk është më fine
Gjenia e vërtetë shkëlqen aty kaq e ndritshme
si natën nën dritën e yjeve.
Gilbert Highet (1906-1978) është një studiues i letërsisë klasike, historian letërsie dhe kritik intelektual amerikano-skocez. Ndërmjet veprave të tij të botuara mund të përmenden: “An Outline of Homer “ (Një Përsiatje për Homerin) 1935, “The Classical Tradition: Greek and Roman Influences on Western Literature” (Tradita klasike: ndikimet greke dhe romake në letërsinë perëndimore) 1949; “The Art of Teaching” (Arti i Mësimdhënies) 1950; Man’s Unconquerable Mind (Mendja e Papushtueshme e Njeriut) 1954, etj.
Përkthyer nga Kujtim Morina
[1] Folja ruse ketcheetsya do të thotë “të krekosesh dhe të fryhesh”.
[2] Lider shpirtëror afro-amerikan, 1876-1965.
[3] Que cosa- shprehje në spanjisht, Çfarë dreqin!
[4] Një pasazh muzikor me zë shumë të lartë
[5] Majmun i madh afrikan apo aziatik me fytyrë të gjatë si të qenit.
–
*Gilbert Arthur Highet (22 qershor 1906 – 20 janar 1978) ishte një klasicist, shkrimtar akademik, kritik intelektual dhe historian letrar skocezo-amerikan. Lindur në Glasgow, Skoci, Gilbert Highet njihet më shumë si një mësues i shkencave humane në mesin e shekullit të 20-të në Shtetet e Bashkuara. Highet i kushtoi pjesën më të madhe të energjisë mësimdhënies, por ai gjithashtu aspiroi të ngrinte nivelin e kulturës masive dhe arriti një ndikim më të gjerë duke botuar ese dhe libra.
Komentet