VOAL

VOAL

KI GJITHNJË PARASYSH – Poezi nga NËNË TEREZA

September 14, 2020

Komentet

Federico Garcia Lorca: Nuk jam interesuar kurrë për politikë, jam shumë frikës

VOAL- Nga libri “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” (1999) të gazetarit të madh italian Enzo Biagi (Enco Biaxhi) po shkëpusim këto shënime për poetin e famshëm spanjoll Federico Garcia Lorca (Federiko Garsia Lorka):

Lorka thoshte: “Nuk jam interesuar kurrë për politikën, jam shumë frikës. Për të mbajtur një qëndrim duhet të jesh guximtar, çka unë nuk jam.”

Nuk dihet ku është varrosur Federiko, nuk dihet me saktësi nëse ajo natë e verës së vitit 1936, në gusht, ishte pikërisht ajo që shkonte mes perëndimit të 18-ës dhe agimit të 19-ës, sepse ende sot janë shumë ata që heshtin, dikush prej tyre ka parapëlqyer të harrojë. Sepse, tekembramja, Garsia Lorka nuk i përkiste askujt. Fati i Lorkës ishte i lidhur me hakmarrjen.

“Por ka bërë më shumë dëm me librat e tij se të tjerët me armët e tyre,” shkruante Ruiz Alonso.

Lorka mbante mbi supe një mbulesë, sepse ishte ftohtë, kishte përballë tij ullinjtë dhe malet, në zemër kishte ankthin e atij që e ndjen kotësinë e jetës. S.B.

Nuk jam rrjedha që shkon kuturu- Esé nga FATBARDH AMURSI

S`besoj se shfaq ndonjë mburrje, nëse them se krijimtarinë e shkrimtarit Odise Kote: e njoh. Sikurse sterën, që gjirokastritët e mbushnin në kohë shirash, i mbushur jam edhe unë me përjetime, përgjatë leximit të poezive të tij dhe i erdhi radha t`i shkarkojë. Në botën e sotme i lexohet mosha shtresave të dheut, pemëve, mbetjeve arkeologjike, sikurse maten largësitë e yjeve, por, artit nuk i duhen: as mosha dhe as largësia, veçse shpirti dhe idetë. Natyrisht, ajo që ka rëndësi: mënyra se si ato janë shprehur. Kur dëgjon ekspertët e ekonomisë apo të ligjeve, përfshi dhe emërtimet latinisht të mjekëve, për t`u bërë të kuptueshëm për publikun, u këshillohet që t`i shmangin ato. Dihet që metafora është mbretëresha e gjuhës figurative, dhe asnjëherë s`është e lehtë të bëhesh mbret i mrekullisë, pasi shumë syresh gënjehen nga magjia e saj, duke përngjarë me zanatxhinjë, që më shumë prishin se sa ndreqin.
Të gjithë shkrimtarët kanë disa parime, që ia vendosin vetes, të cilat i gjen të shprehuar në vargje, sikur dhe një i tillë: “Mos ik, o njeri, nëpër shtigje të rrahura!”, duke shfaqur devizën:
Dua psalm të ri
që ngre në këmbë të pamundurin.
Ky ngulmim i autorit Odise Kote për shtigje dhe psalm të ri më kujtoi udhëtimin e Robert Kukut në eksplorimin e Antarktidës. Në momentin, kur ai kujtoi se ishte i parë që zbuloi kontinentin e bardhë, pa një vendbanim të braktisur. Një ekspeditë kish qenë para tij. Ndryshe nga eksploruesit e tokës, që s`kanë lënë vend pa zbuluar, bota krijuese ka vend për të gjithë, nëse ecën në rrugën tënde. Askush nuk e sheh me sy të lirë trafikun e avionëve në qiell, por nëse rastis ta shohësh monitorimin e tyre nga satelitët habitesh se si ata nuk përplasen. Ndërsa Pegasi, kali fluturues i muzës, e humbet rrugën nëse ecën kuturu. Pa harruar se “Shtigjet e rrahura” janë të zëna me profilet fallco, ndaj poeti ngre shqetësimin qytetar, se shoqëria e konsumit po bie në flamën e verbimit, ku përqafimi ka humbur afshin njerëzor:
“Po vijnë manekinët, ushtria memece,
si flamë kolektive po bie verbimi.
A ka më kuptim ajo pikëza e lotit,
a ka më afsh njerëzor përqafimi?”
Si të gjithë ata me vetëdijë të kalitur, i pret të mirat nga përballjet: “Unë e di, gjërat e mira i gjen pas furtune”, sikurse: “Nuk jam rrjedha që shkon kuturu.”, duke mos ia lejuar vetes të harxhohet pa kriter. Në këto rrethana duhet të ketë marrë spunto dhe titulli i librit të fundit poetik “Vetëdija ime mban meshë”, sikurse na e përligjin dhe vargjet:
Askush nuk të thotë sa i trashë është mëkati,
sa i zi tundimi, që ngjitet kat më kat.
Mëkatin e shkakton herezia e ndjenjave, të cilat janë mëse të falshme krahasuar me tundimin e një kariere që “ngjitet kat më kat”, por që mund ta ketë daljen tek dera e qelisë. E gjithë kjo atmosferë përjetimesh lartësohet me vargjet:
Dimrin vetmitar që po vjen në shpirt,
me mungesën e gjatë të trokitjes tek dera.
Më shumë se Njeriu apo dhe një prift,
e ndjeu një degëz e thyer nga era.
Më tepër nga njerëzit dhe kleriku dimrin vetmitar e ndjen “degëza e thyer nga era”. Kjo finesë të shprehuri më ngjalli atë emocion, që më ka dhënë vargu i poetit libanezo-amerikan Kahil Gibran: “Për degën e tharë mban përgjegjësi e gjithë pema”.
Askush tjetër veç poetit, nuk duhet lënë vetëm dhe, që, t`i gjendet pranë, s`ia kërkon askujt, por, nuk e kursen mirënjohjen për “pazhin” sikurse i gëzohej Bajroni apo “mikeshës”, sikurse i drejtohej Esenini.
Të gjithë ikën, ti më mbete,
mike moj, e paqortueshme.
Ti më shpure ku s’më qasnin.
Ndërsa për ata që lëndojnë nuk mungojnë vargje si këto, të cilëve u ndihet stoicizmi: “Dhimbja nuk ndalet duke u ankuar” dhe se “Hiri i dhimbjes është polen.” Për më shumë, ofron vargjet:
Kam dashur të harroj, nuk dija sesi,
s’gjeta asnjë lutje, mesazh apo psalm.
Shkenca e dorëzuar krejt në pafuqi,
mahnitja nuk shpjegohet dot me fjalë.
I bindur se rruga e vështirë për tek arti, ka dhe dështime, shkruan: “Jo gjithmonë burrat e mirë kthehen ngadhnjimtarë.” Ka dhe më keq: “fitimtarët e mjerë që si të humbur ngjajnë.” Nuk mund t`mos më tërhiqte vëmendje vargu: “Në Gjirokastër duhen vite për t’i besuar dikujt.” Kjo ndjenjë mosbesimi, në shoqërinë e sotme të interesit sa vjen e thellohet. (Postimet nga Nju Jorku i hedh zakonisht në orë të vona, duke llogaritur që të lexohen në atdhe në të gdhirë, por, dy shkrimtarë më ndodh t`i gjej zgjuar: Odise Koten dhe Bashkim Hoxhën.)
Fatbardh Amursi

MAGNETOFONI Tregim nga Dino Buzzati (16 tetor 1906- 28 janar 1972) Perktheu Saimir Kadiu

Ai i pat thënë asaj (me zë fare të ulët), i qe përgjëruar, mos bëj zhurmë, të lutem, magnetofoni po regjistron nga radioja, mos qit zë, ti e di që unë kam merak, po regjistroj “Mbretin Artur” të Parselit, një gjë e mrekullueshme, një kryevepër. Po ajo kërma, si për inat, sillu lart e poshtë, ec e përpiq takat, vetëm e vetëm që atij t’i hipnin xhindët, pastaj kollitej (enkas) dhe më pas ia shkrepte gazit me vete dhe ndizte shkrepsen paf-puf, për të bërë sa më shumë zhurmë. E ndërkaq Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina, mjeshtrit e muzikës së përkryer, qiellore shkonin dëm. Ajo maskaresha, grerëza, tartabiqja, brenga e vazhdueshme e jetës… Kështu nuk shtyhej më.

Tani, pas kaq vitesh, ai ka vënë e po dëgjon atë të shkretë shirit, ka vënë bobinën me mjeshtërit, me majat, me Parselin, Moxartin, Bahun, Palestrinën.

Ajo nuk është më aty, ka ikur. Ajo e ka braktisur. Ajo e gjeti zgjidhjen, e la. Ai nuk e ka idenë se ku ka përfunduar ajo.

Ja tani Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina tingëllojnë si pa shije, të vjen për të vjellë, katrahurë, të mallkuarit…

Ja, ja ai trokthi lart e poshtë, ja trokitja e takave, ja të qeshurat (e dyta sidomos), ja kruajtja e fytit, kolla. Kjo po, kjo është muzikë qiellore.

Ai ka vënë veshin e dëgjon. Nën dritën e abazhurit është ulur e dëgjon. Si i ngurosur në kolltuk, katandisur keq e më keq, ai dëgjon. Pa lëvizur as edhe muskujt më të vegjël të gjymtyrëve, ai rri me veshin nga magnetofoni: ja zhurmat, ja pëshpëshet, ja kolla! Këta tinguj të adhuruar, madhështorë. Që nuk i ka më, që nuk do t’i ketë kurrë më.

 

Bertolt Brechti në Amerikë, një njeri pa atdhe, pa dokumente që kërkonte strehim dhe punë

VOAL- Nga libri i gazetarit të madh italian Enzo Biagi “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” (1999), po sjelim shënime për shkrimtarin Bretolt Brecht:

Edhe ai, kur u strehua në SHBA, gjeti hidhërim dhe mosbesim. “Si shkruhet emri juaj?”- e pyesnin. Ishte praktikisht një i panjohur: një njeri pa atdhe, pa dokumente, që kërkonte strehim dhe punë.

Edhe Brechti e kuptoi se regjimi komunist në BRSS ishte një diktaturë jo e proletaritatit por kundër proletariatit, e konsideroi gjithsesi të nevojshëm për të pajtuar interesat e ndryshme të punëtorëve dhe të fshatarëve.

Brechti shkruante:
“Mos kini iluzione, zotërinj,/ vetëm nëse bën keq, njeriu jeton.”
“Paqja nuk është gjë tjetër veçse një armëpushim.”
“Komunizmi është një gjë e lehtë që është e vështirë të realizohet.”
“Të japësh mësim pa nxënës dhe të shkruash pa lexues është e vështirë.”

Në raftet e Bibliotekës së Brechtit ishte një “Kapital” i Marksit, por brenda ballinave ishte një roman i shkrimtarit amerikan Wallace. S.B.

Mesazhe universale nga “Flladi i Orientit”! Poezia perse si urë kulturore, nga lindja te lexuesi shqiptar- Nga SEJDO HARKA

 

Shpata është e verbër, kur sytë janë të mbyllur-

(T.Saffazadeh)

Lexon poezitë moderne perse, të shqipëruara me mjeshtëri nga poeti dhe përkthyesi i mirënjohur, Perikli Jorgoni dhe nuk mund të qëndrosh indiferent për vlerat universale, që vijnë nga thellësitë e Orientit. Edhe pse ato vërshojnë nga kohëra dhe vise të largëta të botës, bëhen shpejt pjesë e trurit dhe e mendjes, e shpirtit dhe e zemrës së lexuesit shqiptar. Universaliteti dhe kohezioni shpirtëror e psikologjik e bën “Simurgun” poetik iranian, që jo vetëm të shëtisë në të katër anët e botës, por edhe të depërtojë thellë në zemrat e të gjithë njerëzimit. Poezia moderne perse, duke qenë e hapur, jo vetëm ndaj letërsisë së vjetër dhe asaj klasike iraniane, por dhe asaj europiane, ka krijuar një stil vjershërimi të pëlqyeshëm edhe nga bota perëndimore.

DY MAJAT E POEZISË PERSE

Dy nga majat kryesore të poezisë moderne perse janë poeti dhe piktori i madh, Sorhab Sepehri (1928-1980) dhe poetja e përkthyesja e rrallë, Tahereh Saffazadeh (1936-2008). Me penën e tyre të rrallë, ata kanë krijuar dhe përçuar bukurinë dhe ngrohtësinë e papërsëritshme të flladit të Orientit. Janë 8 vëllime poetike, që e kanë bërë të njohur poetin iranian S. Sepehri. Por ai, që s’e fshin kurrë nga kujtesa e mijëra e mijëra lexuesve të botës, është vëllimi me titull “Gjurmët e ujit”. Poezitë e këtij vëllimi janë sintezë e biografisë dhe shpirtit poetik të autorit, aq sa shumë lexues, figurën e tij e identifikojnë me brendinë e kësaj poezie. Sorhab Sepehrin, poeti Xhevahir Spahiu e ka thirrur me epitetin “Simurgu” poetik i qiejve të sotëm iranianë, sepse është ky “zog i mendjes” dhe i zemrës, që i ka rrëmbyer “buzëqeshjen e hutuar” dhe me të në mendje, “fluturon larg” drejt lartësive të pafund.

Fantazia poetike e Sepehrit e ka burimin te shushurimat dhe freskia e ujit të pastër, te bukuria e luleve të brishta, te “trokëllimat e kuajve të shpejtë”, te “virgjëria” e vetmisë së rrallë, te vrapi i kujtimeve fëminore, te ëmbëlsia e tingujve të barit, që “këndon” nën kosë. Në filozofinë poetike të këtij vjershëtari të madh, ndërthuret koncepsioni metafizik me atë materialist. Thelbi i filozofisë së tij, për raportin ndërmjet trupit dhe shpirtit, është sentenca filozofike e Rumiut: “Trupi është shtrati i lumit, ndërsa shpirti, rrjedha që rend”. Thelbi i këtij botëkuptimi metafizik, i ka rrënjët tek misticizmi budist.

FORCA E MESAZHEVE

Poezitë e tij e marrin bukurinë dhe forcën e mesazheve nga dielli dhe drita, nga uji dhe dashuria. Drita në poezinë e tij “vërshon si lumë lartësish”, nga një burim i padukshëm, që është frymëzimi. Prandaj ai i “sharton sytë me diellin, zemrën me dashurinë, hijet me ujin dhe degët me erën”. Uji, në poezinë e S.Seperhit është bërë simbol i jetës dhe freskisë, i pastërtisë shpirtërore dhe kthjelltësisë së mendimit e veprimit. Prandaj, ai i bën thirrje njerëzimit, që të mos e “bëj pis rrëkenë”, sepse “ndoshta, një pëllumb më tej po pi ujë”. Uji e tremb vdekjen, por e ripërtërin jetën. Poeti e ndjen veten përherë mes dritës dhe luleve, mes diellit dhe ujërave, mbi lumenj dhe ura, mbi dallgë dhe furtuna. Mes tyre, ai ekzaltohet, kur sheh” një tren, që transporton dritë e drejtësi” dhe dëshpërohet thellë, kur sheh një plehaxhi, që lutet për lëkurën e pjeprit”(45). Kudo që shkela, deklaron ai poetikisht, pashë ujë dhe tokë, drejtësi dhe padrejtësi, urrejtje dhe dashuri. Si njohës i thellë i realitetit të djeshëm dhe të sotëm, ai ka mundur ta pasqyrojë qartë thelbin konfliktual të shoqërisë njerëzore. -Unë, deklaron ai poetikisht, nuk kam parë dy plepa armiq”. E kundërta ndodh me njerëzit. Ata bëhen armiq me njeri-tjetrin, edhe “për ngjyrën e lëngut të supës”. Poetin e tronditin “makinat e blinduara, kur ato shkelin mbi ëndrrat e fëmijëve”. Objekt i poezive më të bukura të S.Seperhit janë bërë dukuri thelbësore të ekzistencës njerëzore, si jeta dhe vdekja, liria dhe skllavëria, urrejtja dhe dashuria. Vargjet, për këto dukuri, shpesh janë përkufizime poetike e sentenca filozofike, me vlera universale, kohore dhe hapësinore.

JETA DHE VDEKJA

Për poetin S.Seperh, “jeta dhe vdekja” mbartin flatra të gjera” dhe “burojnë nga përmasat e dashurisë”(57). Jeta është “fiku i parë i zi në gojën e athët të verës”, “fëshfërima e sirenës së trenit”, “lulja e shumuar në përjetësi”, “përsëritje e jetës së lagur, që noton në pellgun e së tashmes”(59). Jeta dhe vdekja janë vazhdim i njëratjetrës. Vdekja nuk është “fundi i pëllumbave”, prandaj më poshtë shkruan: “Le të mos i frikësohemi vdekjes”, sepse ajo “banon në klimën e këndshme të mendjes” dhe “këndon në laringun e skuqur të fytit”(62). Një nga poezitë më të bukura të poetit të madh iranian S.Sepeheri është ajo me titull “Shtegtari”. Në këtë poezi ai shpreh mendimin poetiko-filozofik, se “bukuria është dashuri dhe dashuria është jetë e mrekulli”. Të dashurosh, do të thotë “të udhëtosh drejt ndriçimit të vetmisë”. Dora e dashurisë është “…si grepi i vogël i minutave,/Dashuria dhe minutat flenë mbi dritën” (70). Uni poetik i Sepeherit përçon te lexuesit mesazhe të forta morale dhe shpirtërore, filozofike dhe shoqërore, për pastërtinë shpirtërore dhe bukurinë, për lirinë dhe skllavërinë, për humanizmin dhe egërsinë, për dritën dhe errësirën, për urrejtjen dhe dashurinë, për turbullirën dhe kthjelltësinë. Në poezinë “Një mesazh në udhë” ai shkruan: “Unë do të hedh çdo fëlliqësi nga buzët, /unë do të shemb çdo mur nga themelet, /unë do t’u them hajdutëve: “Ka arritur një karvan i ngarkuar me buzëqeshje”. Duke e ndjerë veten misionar të shoqërisë ai tërë jetën ka luftuar “të grisë retë”, “të shartojë sytë me diellin dhe zemrën me dashurinë”, hijet me ujin dhe degën me erën”(95).

TAHEREH SAFFAZADEH DHE GROTESKU POETIK

Poezia moderne perse nuk mund të kuptohet pa emrin e poetes dhe përkthyeses së rrallë, Tahereh Saffarzadeh. Figura e saj lartësohet, jo vetëm brenda hartës së poezisë iraniane, por dhe të asaj botërore. Origjinaliteti dhe vetëdija, imagjinata dhe kthjelltësia, guximi dhe çiltërsia, vetëdija shoqërore dhe mjeshtëria e rrallë vjershëruese, e bëjnë atë të papërsëritshme. Problematika e krijimtarisë së saj është, sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Objekt i poezive të saj janë bërë: jeta dhe vdekja, dashuria dhe urrejtja, e kaluara dhe e tashmja, historia dhe e ardhshmja. Zotin dhe lirinë, poezinë dhe dashurinë, ajo i koncepton hallkat e përjetshme të ekzistencës së saj. Për të, njeriu duhet të jetë i lirë, jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetvetja, sepse, sipas saj: “Skllavi i vetvetes është skllav i të tjerëve”. Nëpërmjet humorit, ironisë dhe sarkazmës, ajo godet despotët dhe ambiciozët, egoistët dhe frikacakët, mburravecët dhe përtacët, lakmitarët e parasë dhe të seksit, qeveritarët dhe pseudo-intelektualët. Me groteskun e saj të mprehtë, ajo fshikullon, jo vetëm plagët e shoqërisë së kaluar, por dhe asaj të sotshme. T. Saffarzadeh dëshpërohet thellë, kur vë re se edhe njerëzit e sotshëm, ashtu si dhe të djeshmit, vuajnë nga disa plagë të pashërueshme, si varfëria dhe padija, shtypja dhe padrejtësia, mungesa e lirisë dhe egërsia, kur sheh se si pushtetarëve të sotëm u “rriten kthetrat”, ashtu si dhe sulltanëve të djeshëm.

“UDHËTIM NË MIJËVJEÇAR”

Nëpërmjet vargjeve të poemës “Udhëtim në mijëvjeçar”, ajo shpreh protestën e saj qytetare, kur sheh se edhe njeriu i shoqërisë moderne “përulet para padronëve për të marrë një monedhë. Atë e trishton fakti që edhe në kohërat moderne “çmimi i mallrave rritet, ndërsa çmimi i gjakut bëhet gjithnjë e më i lirë”. Është kjo arsyeja, që siç shkruan ajo: “Vajtimi dhe mjerimi i njerëzimit,/rri varur si një vëth në veshin e botës”. Shkaktarët e vërtetë të varfërisë dhe urrejtjes janë “fytyrat e dhjamosura të zengjinëve, që kanë ngjyrën e njerëzve të vdekur”(120). Prandaj, ajo rend kudo në botë, “të blejë në tregun e zi pak dashuri”, për të shëruar urrejtjen dhe varfërinë, shtypjen dhe egërsinë. Në poezitë e saj bashkëjetojnë mistikja me realen, e zakonshmja me të jashtëzakonshmen, tonet e ulëta me ato të larta. Edhe për poeten Saffarzadeh, trupi i njeriut është i përkohshëm, ndërsa shpirti është i përjetshëm. Për të, “babai është qielli”, “nëna është toka”, ndërsa “unë”, shkruan ajo, “jam horizonti(137). Kur sheh se “Dikush fle nën thundrën e tiranëve”, “rëmon muret e natës”, që t’i gremisë për t’ia lënë vendin ditës, sepse ajo, “s’lejon askënd, që të ngrejë një mur të gurtë, mes saj dhe diellit”. Janë të shumta vargjet e saj, që kanë peshën e sentencave të bukura filozofike me vlera universale, si: “Shpata është e verbër, kur sytë janë të mbyllur”, “Skllavi i vetvetes është skllavi i të tjerëve”(221). Dritën dhe duart e pastra i gjen te “duart e gjetheve” dhe te dishepulli i Profetit Muhamet, i cili sipas saj, nuk ka as lëkurë, as ngjyrë, por frymë dhe shpirt të bardhë(240). Në poezinë moderne perse, lexuesi gjen edhe magjinë e fjalës edhe melodinë e simfonisë më të bukur, edhe vrullin e shpirtit, edhe mrekullinë, edhe vargun e gdhendur, edhe ëmbëlsinë, edhe freskinë e flladit të ngrohtë të Orientit, edhe bukurinë. Është kjo arsyeja, që mesazhet e poezisë moderne perse, janë bërë pjesë e shpirtit të njerëzimit të botës së të gjitha kohërave.

/Gazeta Panorama

ROMANI „ë“ nga Jehonë Kicaj – SHTËPIA BOTUESE„WALLSTEIN” GÖTTINGEN, 2025 – QASJE DHE MBRESA Nga Seveme Fetiqi

Kështu fillon romani „ë“ i autores Jehonë Kicaj, i cili roman u nominua për librin më të mirë të vitit 2025 (DEUTSCHE BUCHPREIS) në mes gjashtë romanave të tjerë.

Pas leximit të romanit „ë“ të Jehonë Kicaj që u botua 2025 nga Shtëpia Botuese gjermane „WALLSTEIN“ në Göttingen të Gjermanisë, prita një kohë të gjatë, që ndoshta dikush nga kritikët letrar shqiptarë të cilët jetojnë në Gjermani, të shkruajnë diç rreth këtij romanit, i cili ka zgjuar interesim të hatashëm në qarqet e letërsisë gjermane si dhe ka arritur suksese deri aty sa edhe është nominuar në mesin e gjashtë romaneve më të mirë të vitit 2025 për çmimin „Deutsche Buchpreis 2025“ (Çmimin e Librit Gjerman 2025). Mirëpo, deri më tani, përveç mikut Driton Gashi, askush nuk reagoi për këtë sukses të madh të një shkrimtareje që rrënjët i ka në Kosovë, gjegjësisht në Suharekë dhe se romani i saj është një vepër që në gjuhën gjermane shtjellon kohën e para luftës, gjatë luftës së Kosovës në veten e parë.

Narracioni dhe rrëfimi i personazhit në veten e parë për ndjenjat e saj si fëmijë mërgimtarësh është një pasqyrim i shumë fëmijëve shqiptarë që atëbotë e kishin fatin të migrojnë në Gjermani duke i bartur dhembjet e mëdha në zemrat e tyre të vogla dhe aq sa kishin mundësi të integrohen në çerdhet dhe shkollat gjermane. Sa i vështirë dhe i dhimbshëm ishte ai fillim.

Në këtë roman autorja në mënyrë profesionale me shprehjet e saj gjuhësore dhe gramatikore ia arrinë që lexuesin ta përvetësojë sa që lexuesi nuk mund të ndahet nga ky roman derisa ta përfundojë atë. Parasëgjithash ky roman dhe ky tregim është një pasqyrim i vuajtjeve të shumë familjeve që e humbën atdheun, familjarët, vatrat e veta dhe shpresat se ende një ditë do t´i gjejnë familjarët e zhdukur.

Me një titull jo të zakonshëm, autorja e titullon librin me zanoren „ ë“ të alfabetit shqip. Si edhe ka shkruar edhe një kritike letrare, gazetare dhe shkrimtare gjermane Ronya Ottmann „ Ky roman rrëfen për një heshtje që thehet në copëza, por mbetet e shurdhët. Romani „ë“ është një roman kujtimesh dhe harresash në shuarje për luftën. Gjatë leximit jam pyetur disa herë mbase gjuha paska sy. Kjo gjuhë e mrekulluar, çuditërisht e dhimbshme dhe e qartë i sheh gjërat dhe të sheh edhe ty. Ka shumëçka për të folur për këtë libër, por së pari ju këshilloj ta lexoni“

Romani si në heshtje pa ndonjë imponim të caktuar ndahet në tri pjesë: 1.në atë të ndjenjave personale të personazhit paemër, në tentim të gjurmimeve të fakteve qoftë përmes familjes, qoftë përmes dokumentarëve të ndryshëm si dhe rrëfimi i ndjenjave të fëmijërisë së vet protagonistes por edhe qoftë nga tregimet e familjarëve; 2.në atë të bisedave emocionuese me shokun Eliasin si dhe 3. përmes kontrollimeve të nofullave te mjeku ortoped i dhëmbëve gjegjësisht të nofullave. Këto tri pjesë gërshetohen në mes vete dhe krijojnë një tërësi narrative emocionuese që e bëjnë këtë roman të veçantë. Pasi që protagonistja pa emër e këtij romani, në mënyrë të paimponuar por me një dhembje të madhe i rrëfen ditët e para të kaluara në çerdhe në mesin e fëmijëve që flasin gjermanisht, kurse ajo hesht, përjeton dhembjen në heshtje dhe i gravuron të gjitha në kujtimet dhe në zemrën e saj të brishtë prej fëmije. Më emocionuese është ai çasti kur mësuesja kërkon nga nxënësit ta sjellin nga një foto nga koha kur ata ishin foshnje dhe protagonistja e sjellë foton e saj kur ishte katër vjeçe. Të gjithë nxënësit qeshin me foton e saj. Mësuesja ia spjegon se është dashur ta sjellë një foto nga foshnjëria e saj dhe ajo nuk e din t´ia spjegojë se secila foto e foshnjërisë së saj është djegur nga lufta në shtëpinë e djegur nga e cila ka migruar me familje në Gjermani. Një dhimbje, një arsyetim, një rrëfim, një gjë që një fëmijë s´mund ta spjegojë, mbetet heshtje në fyt, një kafshatë që nuk kapërdihet dhe e cila mbetet enigmë vetëm në një zanore „ë“ dhe që me kohën kjo zanore shndërrohet në problem të nofullave, të cilat ky fëmijë nga shtypjet e ndjenjave dhe të pathënave çdo natë në gjumë i shtrëngon ato, derisa i shkakton vetes pezmatim të nofullave, i cili pezmatim edhe pas shumë vitesh shndërrohet në sëmundje kronike të nofullave të saj dhe nuk shërohet edhe pas çdo tentimi të shërimit me protezat speciale të natës.

Bisedat me Eliasin, shokun e saj, janë biseda kryesisht rrëfime të saj të cilat ajo i shfaqë nga çdo skenë, ndodhi, ngjarje të tmerrshme, vrasjet, helmimet, lufta e pamëshirshme, vdekja e familjarëve në luftë, përjetimet e familjes së saj në Gjermani gjatë luftës dhe të gjitha ndodhitë që kanë ndodhur prej viteve 92 e deri pas luftës. Dhe, Eliasi është një shok i saj i ngushtë që i përjeton dhe bashkëndjen me personazhin.

Në kërkim të gjyshit të saj i cili gjendej në mesin e zhdukurëve gjatë luftës, ajo merrë pjesë në një ligjeratë që mbante zonja Korner, e cila përmes NATO-s kishte qenë disa hërë në varrmihjen e varrezave masive në Kosovë dhe spjegonte skena të trishtueshme të zbulimit dhe identifikimit të eshtrave sipas ADN-it të tyre. Edhe kjo pjesë e rrëfyer nga këto ligjërata mund të merrët si pjesa e katërtë që zgjon interesim të madh te lexuesi. Me qëllim, nuk do të kisha hy në spjegimin më të gjërë të situatave shumë interesante që përbën ky roman, sepse shpresoj se shumë shpejt ky roman i autores Jehona Kicaj, do të përkthehet në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare të saj. Atëherë shpresoj se lexuesit shqiptarë do të binden se sa vlerë ka sjellur ky roman jo vetëm në letërsinë gjermane, por edhe në letërsinë tonë shqipe. Parasëgjithash vlera e këtij romani qëndron në atë se në gjuhën origjinale gjermane është shkruar një monument i vërtetë i luftës së Kosovës, një temë dhe një rrëfim që shumë qarqe intelektuale dhe letrare gjermane kanë qenë pak të informuara ose nuk kanë qenë fare të informuara për kohën para lufte, apartheidin që kanë ushtruar serbët, vrasjet, helmimet, perjashtimi nga puna i të gjithë punëtorëve, si dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndjekja e mbi pesëqind mijë njerëzve nga vatrat e tyre si dhe katrahurat, vrasjet, masakrimet, deportimi i shqiptarëve të masakruar në Serbi, djegëja e shtëpiave e shumë e shumë tmerre tjera, të cilat në këtë roman janë përshkruar, janë shkruar me emocione të larta dhe me fakte, janë shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, me tregime të strukturuara në fjali gjuhësore të përsosura.

Ky roman ka zgjuar një interesim të madh në tërë Gjermaninë dhe nuk ndalon që t´i pushtojë skenat letrare kudo në këtë shtet, nuk ndalon edhe pas disa muajsh që ta zgjojë kurreshtjen dhe interesimin e lexuesve gjerman të çdo moshe, e sidomos të të rinjve nga prindërit mërgimtarë shqiptarë që janë rritur e shkolluar në Gjermani. Mirëpo, vazhdon interesimi edhe te kritikët letrar gjerman që e vlerësojnë këtë vepër me të gjitha atributet e një romani të suksesshëm, edhepse ky libër është romani i parë i Jehona Kicaj.

Shpresoj se edhe kritika letrare shqiptare do të merret më me interesim me çasjen e këtij romani që mendoj se është një libër – ambasador i letërsisë shqipe i shkruar në gjuhën gjermane.

Ne jemi të mësuar të krenohemi me yjet të cilët rrënjët i kanë në Kosovë si Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Mira Murati e të tjerë të cilët me sukses i zotërojnë skenat botërore. Unë pa dyshim them se ka lindur edhe një yll shqiptar në letërsi i cili na përfaqëson tash e tutje edhe në letërsinë gjermane dhe i cili yll ka pas sukses t’ i tejkalojë kufinjt e Kosovës duke rrëfyer të vërtetën e saj. Për këto suksese do të flitet edhe shumë gjatë.

Mua më mbetet që shkrimtares së re Jehonë Kicaj t´i uroj edhe shumë suksese tjera e besoj se do t´ia arrijë herën tjetër të jetë fituese e çmimit të parë në mesin e gjashtë romaneve të nominuar për çmimin DEUTSCHE BUCHPREIS. Te ne shqiptarët themi se fituesi i dytë gjithmonë është i pari. Për ne shqiptarët ky roman është vlerë dhe ne presim edhe shumë romane tjera nga Jehona jonë, krenaria e Kosovës.

JETËSHKRIMI

Jehonë Kicaj është e lindur në vitin 1991 në Suharekë, Kosovë. Pas mërgimit me familjen e saj në Göttingen të Gjermanisë aty rritet dhe shkollohet. Ka studjuar Filozofinë dhe Germanistikën me temën Shkencat Letrare Gjermane në Hannover. Pas publikimeve dhe botimeve shkencore, në vitin 2020 fillon të botojë edhe shkrime letrare dhe lirike. Është bashkëautore e Antologjisë „Und so blieb man eben für immer-Gastarbeiter:innen und ihre Kinder“ ( „Dhe kështu mbetën gjithmonë – mysafirë-punëtorë dhe fëmijët e tyre“):

Romani „ë“ është romani i saj i parë.

 

 

Tri poezi nga RUZHDI GOLE

.
E PËRVEÇME
1.
Një mëmë e re më fanitet ende …
.
Mua më bëhet sikur ajo shkund
përhera një qilim fluturues,
afër meje përqark meje
shkund dimrat syborë
me vetulla të ngrira
dallgët e jugut
me kësulë
gulçesh.
.
Shpendët e tezgjahut gjithandej
sikur fluturojnë nga ai qilim
i madh, akoma më i vjetër,
bishti i tyre vetëtimthi
shkund nga çatia
qiellore re, re, re
unë shkund
zënka huqe
nga një
pemë
tjetër.
2.
Fluturakët çmerit’ shpup’risin krahët
gjer në kupë të këtij qielli me fe
shplarë epik …ky qiell
hiç hakmarrës
qilim fluturues
për tek ne
përvëlues
hirtë.
.
I vogëlth atëhere, ndrojtur çapkën
i sinqertë plot hile qysh atëhere
mua lart më fluturonin duart,
.
përhera, guxoj t’kqyr qiellin
më duket sikur sot një
ëndërr e re fluturuese
zbret q’andej të më
mbuloj më shpejt
sytë e dëborës
brigje gulçet
s’më mbulon dot
është tjetër qilim
janë të tjerë
shpendë
nga vise
që s’më njohim mua.
.
Zonjë më fanitet…mëma ime…
.
VEÇMAS
1.
Si mund
të dhembshurohem
qeshur ende i përlotur ?
.
Dikur,
një grua e re
nuse e padukshme
një mëmë dhembshurie buzëve
shkundtte th’rrimet e saj jetënatës
brenga huqe brenga sa pafajshëm.
.
Shorti i saj i hidhur dehej natë,
kur vinte në shtëpi lëkundej
andej-këndej k’putur degët,
degët e krahëve, sytë gjak
të ishte ati im … njësoj
tjetër at nga të tjerët?
2.
Kjo grua e thinjur, e pathinjur
dikur nuse e padukshme
tani jeton shumë larg
larg afër mëma ime
e perëndishme,
.
Fjala e saj buiste lutje,
veç lutje … për hir
të fëmijve.
.
Ndërsa deg’këputuri
tani veç parafytyrim
ati im ka qenë
.
dikur
ka qenë ati im …
.
VEÇ … SËBASHKU
.
Përsëmbari, përsëprapthi
rrallë i ndatë ngatërresat,
veç qeshët, së bashku
veç ndonjë çasti
i jetuat brengat.
.
Për hit t’asaj që duhej
ju përtëriheshit
me ngut
për pasardhësit tuaj,
.
rrallë bashkë
i përcjollët humbjet
përveçëm ndjetë gjithçka
harlisje pak, shumë këputje…
.
Në botën e përtejmë aty
mbështetur jeni
shpinë – shpinë
.
A shiheni sy ndër sy ?
.
Veç e veç qeshni … sëbashku..?!.

Intervista- Pandeli Koçi: Te “Naim Frashëri” u botuan veprat që i dhanë Kadaresë famë ndërkombëtare dhe e çuan drejt kandidimit për Çmimin Nobel në Letërsi para vitit 1990

Gazeta Nacional

 

Flet për gazetën “Nacional”, Pandeli Koçi, ish-redaktor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”

Pandeli Koçi : Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, vendi ku u botuan veprat që i dhanë Kadaresë famë ndërkombëtare dhe e çuan drejt kandidimit për Çmimin Nobel në Letërsi para vitit 1990.

Një dëshmi e rrallë mbi filtrat redaktorialë dhe ideologjikë, mekanizmat botues përmes censurës dhe vetëcensurës, si dhe mënyrën se si u botuan në “Naim Frashëri”  veprat që e bënë Kadarenë figurë botërore të letërsisë.

Intervistoi:  Mujë Buçpapaj

Hyrje

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ka qenë institucioni qendror i jetës letrare shqiptare për më shumë se katër dekada të regjimit totalitar, një laborator kulturor ku u formësuan autorët më përfaqësues të letërsisë së realizmit socialist. Aty botuan veprat e tyre poetët dhe prozatorët më të rëndësishëm të epokës, aty u zbatuan standardet redaktoriale të realizmit socialist, por edhe u përballën kufizimet ideologjike të kohës, censura dhe vetëcensura. Pikërisht në këtë institucion u publikuan për herë të parë edhe veprat më të famshme të Ismail Kadaresë, ato që e shndërruan në një emër të njohur ndërkombëtarisht dhe që i hapën rrugën kandidimit të tij për Çmimin Nobel për Letërsi, ende para vitit 1990.

Në këtë intervistë të veçantë, Pandeli Koçi (Sazan Goliku),  redaktor, shkrimtar dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i procesit të botimit në Shqipërinë socialiste, rrëfen nga brenda funksionimin e “Naim Frashërit”: marrëdhëniet me autorët, rolin e kritikës, mekanizmat e përzgjedhjes, censurën e heshtur, por edhe pasionin e njerëzve të librit për të mbrojtur vlerën artistike. Ai ndalet te bashkëpunimet me autorët e rinj, te kontaktet e para me shkrimtarët shqiptarë të  Kosovës, te figurat kryesore të redaksive dhe, natyrisht, te vendi që zinte Kadare në këtë univers botues.

Intervista sjell jo vetëm kujtime personale, por edhe një panoramë të çmuar të historisë së botimit shqiptar, një dëshmi për rolin e librit në kushte të vështira të kufizimeve ideologjike, për përgjegjësinë e redaktorit dhe për nevojën, sot, që shteti të mbështesë kulturën e shkruar,  sidomos librin shkencor, me karakter edukues dhe kombëtar.

  1. Fillimet dhe përvoja redaktoriale

Pyetje: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ka qenë e vetmja ndërmarrje botuese te ne që trajtonte e botonte letërsi artistike shqipe të traditës dhe bashkëkohore, si dhe letërsi të huaj artistike  Keni punuar aty nga viti 1959 deri më 1980. Si do ta përshkruanit në tërësi këtë përvojë shumëvjeçare redaktoriale dhe njerëzore?

Përgjigje: Kam qënë redaktor në redaksinë e poezisë, dramës dhe kritikës letrare. Në atë kohë shef redaksie ka qenë studiuesi i letërsisë Dhimitër Fullani, drejtor i institucionit ka qenë shkrimtari i mirënjohur Ali Abdihoxha (i cili më vonë u zëvendësua nga një që kishte studiuar për historinë bashkëkohëse) dhe nëndrejtor ka qenë shkrimtari e përkthyesi Alqi  Kristo (i cili u zëvëndësua me një punonjës partie). Marrëdhëniet e mia me ta kanë qanë qenë korrekte. Ata nuk ndërhynin në vlerësimin e punës sonë, por ishin të gatshëm të diskutonin në frymë partie, por edhe të bënin vërejtje për pjesë të strukturës së shkrimeve dhe të mos  pranonin prerë ato shkrime që u dukeshin të papërshtatshme dhe të gabuara. Edhe mes kolegëve ka pasur një frymë mirësjelljeje dhe mosndërhyrje në materialet që redaktonte secili. Praktika e botimit ka qenë e përcaktuar zyrtarisht, por edhe sot mendoj se ajo ndikonte realisht për të përcaktuar vlerat  ideore e artistike, duke shmangur dorëshkrimet e dobëta, mediokre dhe natyrisht ato që preknin normat ideologjike e politike të Partisë së Punës. Marrëdhëniet me autorët, që kishin sjell dorëshkrimet, ishin dashamirëse, por dhe konfliktuoze me ndonjë autor që nuk ishte i bindur për argumentet që i ishin bërë kur i kthehej dorëshkrimi si i pabotueshëm ose i bëheshin vërejtje serioze. Kishte dhe nga ata që ankoheshin deri në KQ të Partisë.

Pyetje: Si redaktor i ri në fillimet tuaja, si e kujtoni takimin e parë me drejtuesit e redaksisë dhe me drejtorin e atëhershëm, shkrimtarin e njohur Ali Abdihoxha, autorin e romanit Një vjeshtë me stuhiTri ngjyrat e kohës, Kronika e një nate etj. që ishin përfshirë edhe në programet shkollore të kohës?

Përgjigje: Ç’është e vërteta redaktorët takoheshin rrallë për problem pune me drejtorin, se lidhjet i kishin me shefat përkatës të redaksive. Unë nuk druhesha ta takoja drejtorin dhe diskutonim për letërsinë, madje dhe për veprat e tij. Muajt e parë të punës redaktova përmbledhjen me shkrime letrare e publicistike të LANÇ-it, të përgatitur nga dy gazetarë ushtarakë dhe, duke qenë se shumica shkruheshin dhe shtypeshin në kushtet e ilegalitetit dhe me të folme nga të gjitha krahinat e vendit plus gabimeve teknike, bëra një punë të kujdesshme dhe të vështirë tekstologjike. Nga vitet1967 nuk viheshin më emrat e redaktorëve pas frontespisit të librave. Shkova te drejtori dhe i kërkova që të vihej në libër emri im si redaktor. Drejtori pyeti “lart” dhe të nesërmen më tha se u rregullua ajo punë…Dhe vijoi për të gjithë. Më ka ardhur keq që në varrimin e këtij shkrimtari me emër dhe njeriu të mirë dhe korrekt nuk u dha asnjë njoftim dhe për homazh shkuan vetëm tre shkrimtarë.

Pyetje: Pas një periudhe të shkurtër në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ju kaluat në redaksinë e poezisë, dramës dhe kritikës letrare, nën drejtimin e Dhimitër Fullanit. Si e përjetuat këtë etapë të re profesionale?

Përgjigje: Që nga viti 1961 kisha nisur të botoja recensione e kritika letrare në organet e shtypit, kisha njëfarë përvoje në fushën e letrave. Isha i vetëdijshëm që në vlerësimin e veprave letrare e artistike është i pashmangshëm subjektiviteti që kushtëzohet nga shijet vetjake dhe niveli teorik e kulturor i vlerësuesit, prandaj si redaktor përpiqesha të isha sa më i hapur me autorët dhe të kisha parasysh mendimet e recensuesve e të kritikës letrare. Për të parë dhe ecurinë krijuese të autorit që redaktoja, lexoja edhe librat e mëparshëm të tij. Nuk e di, po shefi i redaksisë Dhimitri më jepte për redaktim kryesisht  dorëshkrimet e autorëve të rinj që i kishin sjellë për herë të parë. Shumë nga këta autorë u bënë poetë të shquar si Anton (Ndoc) Papleka, Sadik Bejko, Ndoc Gjetja, Xhevahir Spahiu, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, Stefan Martiko e shumë e shumë të tjerë, që të më falin, se nuk është vendi t’i përmend këtu. Unë gëzohesha si për vete kur botoja një libër të një poeti vërtetë të talentuar. Më habiti një herë Dhimitri kur  në prani të një poeti tha: “Ne punojmë si mbi gjëmba”.

  1. Filtrat redaktorialë dhe censura ideologjike

Pyetje: Brezi i ri i lexuesve dhe studentëve nuk ka një ide të qartë mbi filtrat redaktorialë dhe censurën ideologjike që përcaktonin fatin e një libri nga dorëshkrimi deri te botimi. Si funksiononte në praktikë ky proces redaktimi dhe miratimi?

Përgjigje: Ju përmendni termin censurë. Zyrtarisht te ne nuk ka ekzistuar, por ajo ka vepruar realisht. Formimi shkollor ideoestetik, propaganda  e vazhdueshme në libra, gazeta, radio e televizion etj. kishin gdhendur në konceptet e shijet e njerëzve kriteret e normat dogmatike, të ideologjizuara e të politizuara. Edhe shkrimtarët e artistët në një mënyrë ose në një tjetër, në një shkallë ose në një tjetër zbatonin ideologjinë e Partisë, kriteret dhe normat e realimit socialist. Vetëm kështu mund të botonin. Pra, vetëcensura ishte te vetë autorët. Redaktorët përveç vlerave artistike të teksteve shikonin me konsekuencë ndonjë “shkarje” të mundshme. Edhe kritika letrare nuk të falte. “Nxirja e realitetit socialist”, “Psikologjizmi i sëmurë, farmalizmi, hermetizmi quheshin ndikime borgjezo-revizioniste, pra “shfaqje të huaja armiqësore”. Këto kufizime çuan në një pjesë të krijimeve letrare, si në poezi retorizmin e skajshëm e të njëanshëm, në prozë, dhe sidomos në dramaturgji, në skematizëm të hapur. Por edhe në këto kushte letërsia shqipe vazhdonte të zhvillohej si sasi e cilësi dhe të krijonte vepra me vlera artistike të nivelit të lartë. Këto janë pasuri kombëtare kudo e kurdo janë krijuar dhe nuk mund të nxihen dhe të hidhen poshtë gjithçka që u krijua edhe në kohën e totalitarizmit socialist.

Pyetje: Praktika e dy deri në tre të recencave për çdo dorëshkrim ishte një rregull institucional i kohës. Si realizohej ajo në të vërtetë? A ishte vërtet një kritikë “e fshehtë”, që autori nuk e mësonte, por që shpesh përcaktonte nëse një libër botohej apo jo?

Përgjigje: Nuk di të ketë pasur ndonjë rregull të shkruar ose të pashkruar, aq më tepër “i fshehtë” që autorit nuk i jepej recensioni. Të paktën mua nuk më është sugjeruar një gjë e tillë dhe mes qindra recensionesh nuk ia kam fshehur ndonjë autori. Përgjigjen me shkrim për dorëshkrimin që ishte i pabotueshëm ose i ripunueshm e hartonte redaktori përkatës dhe e nënshkruante shefi i redaksisë.

Pyetje: Si i njoftonit autorët kur recensat ishin refuzuese dhe kërkohej rishikim i dorëshkrimit? Çfarë nënkuptonte në atë kohë udhëzimi që një libër “duhej pasuruar me tematikën e klasës punëtore dhe të jetës socialiste”?

Përgjigje: Kishte ndonjë redaktor që, për ta pasuruar librin  nga ana tematike, ia kërkonte autorit që të sillte poezi të reja, por unë, mesa më kujtohet, nuk kam pasur një rast të tillë. Kur në dorëshkrim kishte poezi me tema nga klasa punëtore ose nga fshatarsia punonjëse, por ishin artistikisht të dobëta, ato nuk botoheshin.

Pyetje: Po marrëdhëniet me Bilal Xhaferrin, një autor me “biografi të keqe” sipas standardeve të kohës, si ishin? Si reflektohej kjo në qëndrimin institucional ndaj tij?

Përgjigje: Bilalin e kam njohur, madje  më vinte edhe në shtëpi dhe unë i shkoja  në  në dhomën e hotelit “Çajupi” me dritaren nga bulevardi, ku ai shkruante romanin e tij historik “Krastakraus” që në Prishtinë u botua më vonë me titullin “”Berati ra”. Më lexonte fragmente nga romani. Ai ishte një talent i rrallë. Edhe pse kishte “biografi të keqe”(babain e pushkatuar), atij ju lejua të botonte, së pari në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku ishte kryeredaktor Dhimitër Verli, dashamirës i autorëve të rinjve me prirje liberale; pastaj Bilali botoi një libër me tregime dhe një me poezi, që u pritën mirë nga lexuesit.

Pyetje: Si i kujtoni sot shkrimtarët dhe poetët e asaj kohe, si edhe kolegët tuaj në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”? P.sh., çfarë mund të na thoni për marrëdhëniet  me Safo Markon?

Përgjigje: Kam pasur shoqëri e miqësi me shumë poetë,  prozatorë dhe kolegë si  Faik Ballanca, Agim Mato, Sadik Bejko, Xhevahir Spahiu, Perikli Jorgoni, Hiqmet Meçaj, Rinush Idrizi, Kiço Blushi, Sulejman Mato, Nasi Lera, Koço Kosta, Tatjana Buda, Iskra Tato, Adriatik Kallulli, Odise Grillo dhe shumë të tjerë, me të cilët kam kujtime të bukura. Safo Marko ka punuar në Shtëpinë Botuese. Ajo ka qenë piktore me individualitet të spikatur me ilustrimet për fëmijë, në skicat e librave dhe në pllakatet e ndryshme. Si redaktorë bashkëpunonim me të për librat që çonim për shtyp.

Pyetje: Ju keni qenë ndër të parët që botuat librin e Skënder Buçpapajt “Zogu i bjeshkës” dhe poetët e rinj të Tropojës në fillim të viteve 1970, kur ata ishin rreth të njëzetave. Si u pritën poezitë e tyre në atë periudhë?

Përgjigje: Me poezitë e tyre poetët e rinj të Tropojës, ose më sakt të Malësisë së Gjakovës, bën të lulëzojë kopshti poetik i asaj treve me lule shumëngjyrëse dhe tinguj bjeshke. Freskia e motiveve që sollën, sa lirike aq dhe epike, janë shprehje të talentit të trashëguar ndër breza në ato male madhështore. Dhe lexuesit e poezisë i vlerësuan si lule të frekëta dhe risi poetike. Skënderi hyri në poezinë shqipe me një talent dhe pjekuri të pazakontë për moshën e tij të re. E mbaj mend edhe sot kur erdhi në redaksi: një djalë 18-vjeçar, i druajtur dhe shtatlartë, që e solli librin me poezi në një fletore shkolle, por me një shkrim shumë të qartë. Ai ishte së bashku me shkrimtaren Besa Bajraktari, e cila ishte kujdesur shumë për Skënderin, të cilin e kishte pasur nxënës në shkollën 8-vjeçare në Tpla të Tropojës.

Pyetje: Ju jeni, gjithashtu,  i pari që përzgjodhët dhe botuat poetët shqiptarë nga Kosova, duke filluar nga vitet 1970. Si zhvillohej procesi i përgatitjes dhe përzgjedhjes së tyre për botim? Çfarë vështirësish kishit në këtë drejtim?

Përgjigje: Një koniunkturë e përshtatshme politike ne vitin 1970 bëri të çahej muri pa kuptim që nuk lejonte botimin e letërsisë shqipe të krahut verilindor e lindor. Librat vinin nga “Rilindja”, por ato ishin të mbyllura në Bibliotekën Kombëtare dhe mund t’i lexoje vetëm me autorizime të posaçme. Unë mora një autorizim nga Shtëpia Botuese dhe Ministria e Kulturës dhe nisa punën, po jashtë orarit zyrtar, në sallën shkencore të Bibliotekës deri më nëntë të natës. Përgatita së pari antologjinë “Për ty” me poezi kryesisht të shquar Esad Mekulit pastaj antologjinë “E di një fjalë prej gur”. Vazhdova të përgatitja libra të poetëve Enver Gjergjeku, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Qerim Ujkani, Jusuf Gërvalla, Abdulaziz Islami dhe shumë poetë të tjerë të rinj, në ate kohë, si Edi Shukriu, Agim Vinca, Flora Brovina. Gjithashtu, botova edhe vepra në prozë e dramaturgji, si nga Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi, Ekrem Kryeziu, Josip Rela etj. Ishte një frymëmarrje e re për lexuesit tanë. Edhe gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori” botonin herëpashere nga letërsia e Kosovës, por në shtyp e RTSH fare pak u bëhej jehon këtyre librave.

III. Kadare dhe roli i “Naim Frashërit”

Pyetje: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” është institucioni ku u botuan veprat më të rëndësishme të Ismail Kadaresë deri në vitin 1990: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh, Prilli i thyer, Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave, e të tjera. Si e vlerësoni mendimin e diskutueshem se pas viteve 1990, Kadare nuk arriti  të shkruajë romane të fuqisë artistike të atyre të mëparshme?

Përgjigje: Që në periudhën e totalitarizmit socialist ka pasur “mendime” të skajshme për veprat e Kadaresë dhe vazhdojnë edhe sot. Po janë thjesht mendime empirike e vulgare të njërit e tjetrit. Për të gjykuar e vlerësuar artin dhe diapazonin e gjerë të krijimtarisë letrare të Kadaresë, tashmë të ndarë nga jeta, le t’ua lemë kritikës letrare brenda e jashtë vendit dhe studiuesve profesionistë të historisë së letërsisë.

Vlerësimi i shpërndarë shpesh në publik se pas viteve 1990 autori nuk ka prodhuar më vepra të rangut artistik të periudhës pararendëse tek “Naim Frashëri”, mendoj se është një formulim reduktues dhe i njëanshëm. Në dekadat pas rënies së sistemit socialist, Kadare ka krijuar një pjesë të konsiderueshme të opusit të tij, ku vërehet një thellim i tematikave të kujtesës historike, i ndërgjegjes qytetare dhe i refleksioneve mbi identitetin evropian të kulturës shqiptare. Shumë prej këtyre veprave janë pritur me vlerësime pozitive nga kritika ndërkombëtare dhe kanë gjetur një hapësirë të gjerë përkthimesh në gjuhët më të rëndësishme të botës.

Nga ana tjetër është një fakt i njohur dhe i dokumentuar se Ismail Kadare i botoi të gjitha veprat e tij të famshme,  fillimisht në gjuhën shqipe dhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, institucion ky shtetëror,  që pavarësisht kufizimeve të forta të kohës, deri në vitin 1990 u bë një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit kulturor në vend. Vepra të tilla që e bënë Kadarenë të famshëm në botë,  si Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh, Prilli i thyer dhe Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave etj., u botuan pikërisht në këtë institucion dhe sot përbëjnë bërthamën e kanonit letrar të autorit, duke u konsideruar ndër arritjet më përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Pas botimit nga Naim Frashëri, këto vepra u botuan jashtë vendit, kryesisht në Francë e në vende të tjera. Kadare u nominua për Çmimin Nobël në letërsi në fund të viteve 1980 kur regjimi komunist nuk kishte rënë akoma dhe kur Kadare kishte botues të parë në gjuhën shqipe Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, Tiranë.

Me vjen keq që dekadat  fundit nuk përmendet fare ky fakt dhe ngjan sikur Kadarenë e zbuloi ndonjë shtepi botuese pas vitit 1990, çfarë nuk është e vertetë. Suksesi nderkombëtar i Ismail Kadaresë fillon  tek “Naim Frashëri”  me librat e tij më përfaqësuese.

  1. IV. Trashëgimia dhe reflektimet mbi librin sot

Pyetje: Si e vlerësoni sot rolin historik të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në afirmimin e letërsisë shqipe te realizmit socilast dhe të autorëve tanë më përfaqësues në arenën ndërkombëtare, përfshirë Ismail Kadarenë? Mendoni se shteti shqiptar duhej ta kishte ruajtur këtë institucion publik? Përse?

Përgjigje: Duke mos mohuar rolin historik të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për botimin e letërsisë shqipe dhe asaj botërore në gjuhën shqipe, nuk mund të flasim në ditët e sotme për nostalgji, kur kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në strukturën e superstrukturën e shtetit. Unë nuk di të ketë ndërmarrje  botuese shtetërore në vendet kapitaliste perëndimore.

Fakti që “Naim Frashëri” u mbyll tregoi se ajo, si ndërmarrje botuese, nuk mund ta përballonte ekonominë e tregut. Por, duke parë se nga tregu i librit po zhduken librat shkencorë, historikë, studimorë që kërkojnë shumë shpenzime, monografitë e rëndësishme për figurat kombëtare, librat me karakter edukues kombëtar dhe veprat që përbëjnë trashëgiminë tonë kulturore, duhet kërkuar që të mbahet gjallë një ent botues publik, pluralist dhe i bazuar në parime shkencore e të pavarura. Është e domosdoshme të ruhet letërsia kombëtare për interes kombëtar, sidomos në një treg të mbushur me libra spekulativë dhe ç’edukues, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë, ku fryma e komercialitetit po ndikon në varfërimin e bibliotekës kombëtare të librit. Në Panairin e fundit të Librit, Tirana 2025, 80% e titujve të rinj ishin nga letërsia e huaj.

Pyetje: Sot nuk ekziston më censura ideologjike, por nuk ka redakator, por letërsia përballet me pengesa të tjera: mungesë fondesh, kosto të larta botimi, shpërndarje të dobët dhe një treg librash të rrënuar. Një autor shpesh nuk arrin të botojë më shumë se pesëdhjetë kopje të librit të tij. Mendoni se shteti duhet të ndërhyjë për ta mbështetur autorin dhe librin shqiptar?

Përgjigje: Natyrisht, është e domosdoshme! Shteti duhet t’i ndihmojë vlerat  kombëtare, siç është letërsia artistike. Por duhet të gjejë rrugët e mënyrat e frytshme, më mirë se deri tash, për të mos rënë pre e burokracisë shtetërore dhe e interesave të klaneve korruptuese  brenda dhe jashtë pushtetit.

Pyetje: Për fund, çfarë do të dëshironit të shtonit si mesazh për brezat e rinj të shkrimtarëve e të redaktorëve të letërsisë?

Përgjigje: Mos ta lëshojnë penën nga dora! Përherë u kam përsëritur autorëve të rinj një thënie sa paradoksale aq dhe të dobishme të Maksim Gorkit: “Dora mëson kokën”. Një redaktor i mirë duhet të jetë kritik i mprehtë dhe i ditur që të kuptojë dhe të depërtojë në shpirtin e veprës e të shkrimtarit. Kujdes! Një kritik ose një redaktor tendencios ose keqdashës mund ta “varros” një talent të ri e të vërtetë.

Pse jepen çmime në Panairin e Librit, kur Juria nuk paska kohë për t’i lexuar të gjithë librat?!- Nga BUJAR HUDHRI

ExLibris

Sa herë vjen e-maili nga sekretaria e shoqatës tonë të botuesve për të dërguar sa më shpejt librat për konkursin e panairit të radhës, më trishton shumë.

Duhej të ishte gëzim, në fakt, për mua si botues i Onufrit, ku prej 33 vjetësh, kemi krijuar katalogun e shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqipe.

Po përse ndodh kjo?
Sepse e di se çfarë gëzimi është për një krijues shiptar, jo aq për shpërblimin modest financiar, se sa vlerësimin moral përballë lexuesve dhe kolegëve. Apo për krijuesit e rinj, që me aq padurim mbase e presin një çmim në ngjarje të tilla të festës së librit.

Fatkeqësisht, prej vitesh e di që ky konkurs është një farsë, për të mos thënë, një tallje vlerësimet librave të tyre. Pse? Sepse me afatin e shkurtër që Juria ka në dispozicion, kurrë nuk do të mundet t’i lexojë të gjithë librat!

E kam biseduar shpesh me kolegët e mi, madje, para shumë vjetësh kam shkruar një editorial. Meqenëse është po ajo gjendje, në mos më keq, po e ribotoj pikërisht në këtë kohë pas panairit.

Panairi i librit mund të japë vetëm çmimin e karrierës. Jo si deri sot

Prej disa vjetësh kryesia e shoqatës së botuesve jep ditën e fundit të panairit disa çmime: për librin më të mirë nga letërsia shqipe, përkthimin më të mirë, letërsinë për fëmijë..
Por cila është procedura e dhënies së çmimeve.? Cili libër mund të fitojë çmimin e vitit? Për këtë po sjell në vëmendjen e lexuesit udhëzimet që vijnë nga sekretaria e shoqatës. Ja, tekstualisht: “E drejta për konkurim u jepet vetëm botuesve që janë pjesëmarrës në panair. Do të përfshihen në konkurs të gjitha botimet pas Panairit të 20 të Librit (domethënë dhjetor 2017-nëntor 2018). Data e botimit duhet të vërtetohet nëse është e fundvitit 2017.”

Pyetja e parë, që del natyrshëm, është: si mund ta vërtetosh që ky libër është botuar në fund të vitit 2017?! Në të gjithë kohërat, në të gjitha gjuhët shënohet vetëm viti i botimit. Nuk ka një shenjë apo symbol tjetër që ta saktësojë ditën e javës, apo muajin e vitit kur del një libër. Sepse libri nuk është gazetë, apo jo?

Problemi tjetër që duket i pamundur të zgjidhet është se deri kur pranohen më librat për konkurim. Ja njoftimi që vjen nga kryesia e botuesve:

“Lutemi që të gjithë të interesuarit (pjesëmarrës në Panair) të dorëzojnë deri në datën 31 tetor nga një kopje të librit/librave që ata propozojnë për çmim. Libri duhet të jetë botuar detyrimisht brenda kësaj date. Libri ose librat që do konkurrojnë për çmim duhet të dorëzohen në sekretarinë e Panairit brenda kësaj date nga Botuesi, Autori apo Përkthyesi. Gjithashtu mund të dorëzohen libra edhe në formë elektronike apo dorëshkrim, por me kusht që të dorëzohet në formë librore deri më datë 31 tetor 2018.”

Pyetja që mund të shtrohet në këtë rast është thjeshtë. Nëse ditën e 31 tetorit vijnë 10 apo 20 apo kushedi se sa romane në dorëshkrim, a do t’i lexojë dot juria e përbërë prej katër vetash? A ka mundësi reale që t’i lexojë juria një për një, për të gjetur fituesin e merituar? Absolutisht që jo. A e di juria dhe kryesia e botuesve? Sigurisht që po. Dhe kjo histori e çuditshme vazhdon prej vitesh. Pra, librat nuk lexohen, por çmime jepen. Po si, në ç’mënyrë? Me çfarë ndërgjegje profesionale? Do të fitonte shumë libri shqip, nëse këto çmime, tani e tutje, të mos jepeshin më. I vetmi çmim që mund të jepet dhe është në nderin e Panairit të Librit të Tiranës, ky është vetëm një dhe quhet Çmimi i Karrierës për Autorine Letërsisë Shqipe.

Ilija Erenburg për Majakovskin, Eseninin dhe Pasternakun

 

VOAL- Nga libri “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagoniste të Shekullit XX” (1999) të gazetarit të madh italian Enzo Biagi (Enco Biaxhi) po sjellim mendimet e Ilija Gregorjeviç Erenburgut (Ilya Grigoryevich Ehrenburg (transkriptuar herë pas here si Erenburg; rusisht: Илья́ Григо́рьевич Эренбу́рг; * 14 janar (kalendari julian)/26 janar (kalendari gregorian) 1891 në Kiev, Perandoria Ruse; † 1963 në Moskë, ishte gazetar dhe shkrimtar në Bashkimin Sovjetik) për Majakovskin, Eseninin dhe Pasternakun:

Ilija Erenburg

Majakovski, po ta shikoje nga jashtë, dukej i dhunshëm, dukej si mur, ngjante vërtet me një gjigant, por kishte një karakter të dobët. Ishte i përndjekur nga frikërat: nga frika prej mikrobeve dhe nga frika e ngjitjes së sëmundjeve, për shembull. Mbante gjithmonë në xhep sapun dhe, sapo ia jepte dorën dikujt, shkonte me vrap t’i lante duart. Kur ulej për të pirë kafe, përdorte një kanoçe kartoni për të pirë, nuk donte t’i prekte gotat.

Esenini ishte një fshatar, i tronditur nga Duncan (Isadora Duncan (e lindur më 26 maj 1877 ose 27 maj 1878, San Francisko, Kaliforni, SHBA – vdiq më 14 shtator 1927, Nisë, Francë) ishte një balerinë amerikane, mësimdhënia dhe performancat e së cilës ndihmuan në çlirimin e baletit nga kufizimet e tij konservatore dhe paralajmëruan zhvillimin e vallëzimit modern ekspresiv. Ajo ishte ndër të parat që e ngriti vallëzimin interpretues në statusin e artit krijues, shënimi ynë), nga udhëtimet jashtë vendit dhe nga pija. Kjo është një sëmundje e Rusisë dhe Amerikës: gjysma e artistëve janë të alkolizuar.

Isadora Duncan dhe Sergei Esenin, foto e vitit 1923

Vitet e fundit nuk takohesha me Pasternakun, por besoj se ka vdekur i kënaqur, së paku kishte botuar jashtë Dokor Zhivagon. Pas Bllokut, Pasternakun e konsideroj poetin më të madh të kohës sonë. S.B.

 

Atë ditë që nxora nga goja fjalën e parë- Cikël poetik nga ANTON PAPLEKA

ExLibris

Në 80-vjetorin e lindjes së autorit

POETIKË

Mëdyshem a duhet ta mallkoj fatin tim
Për tallanditë që më ka sjellë
Apo duhet ta falënderoj atë
Duke u bashkuar me opinionin
E poetit të verbuar Jorge Luis Borges-i
I cili i referohet Homerit që ka thënë
Se perënditë u sjellin njerëzve fatkeqësira
Me qëllim që poetëve
Të mos u mungojnë subjekte për poemat e tyre

Në çastin që përsiat për këtë gjë
Më vijnë në mendje disa midhje
Që sekretojnë nga trupi i vet sedef
Për ta mbështjellë me këtë lëndë
Kokrrizën e rërës që depërton në to
Dhe i plagos indet e buta
Të këtyre krijesave detare
Të cilat nuk e nxjerrin dot nga vetja

Vetëkuptohet se midhjet perlakrijuese
Nuk kanë dëshiruar aspak
Të plagosen nga ndonjë kokrrizë rëre
Që u ka depërtuar në trup
Por krijimi i perlave të sedefta
Ka qenë e vetmja rrugëdalje
Për të shpëtuar nga dhimbjet
Pa hamendësuar se perlat e tyre
Njerëzit do t’i përdornin si stolira…

KUR TË VDES

Kur të vdes
Mbi varrin tim do të rritet një pishë
Me kokën në qiell

Qëllojeni trungun e saj
Me një sëpatë të rëndë

Mblidheni rrëshirën që do të rrjedhë
Nga plaga e thellë

Me atë rrëshirë pishe
Bëni peshkve

Ndizeni flakë atë peshkve
Dhe hidheni mbi kokën e armikut
Që keni brenda vetes…

KANATI QË PËRPLASET NGA ERA

Jam kanati i dritares
Së një shtëpie të braktisur
Që përplaset nga era

Ai pandeh se në përplasjet e tij
Rrojnë ende
Zërat e njerëzve që e mbushnin dikur
Shtëpinë e braktisur

Ai pret më kot
Që një kokë të rrituri apo fëmije
Të shfaqet në atë dritare

Ai pret më kot
Që dikush ta mbërthejë
Ose që era të mos e shtyjë më

Era do ta përplasë
Derisa ta shkulë nga vendi
Dhe ta rroposë përtokë
Ku do ta shkelin pa mëshirë
Thundrat e panumërta të shirave

Kanati që përplaset nga era
E mbush shtëpinë e braktisur
Me një kuje vajtojcash të vdekura…

NË LOJËN E JETËS

Në lojën e jetës
I humba të gjitha ëndrrat

I hipotekova vitet
Dhe ditët e mbetura

I hipotekova dëshirat
Energjitë e fundit

I hipotekova rrahjet e mekura të zemrës
Hapat e mi të ngadalësuar

Përsëri e humba lojën
Përballë kundërshtarit tim hilacak
Që luante me mua
Me letra që i kishte mbushur me shenja

Atëherë e ftova një pemë
Të rrëzuar nga furtuna
Të ulej në vendin tim
Dhe të vazhdonte lojën
Që nuk e kisha fituar dot…

SHTËPIA E HESHTUR

Ajo shtëpi është e heshtur
Si një banesë ku dikush ka vdekur

Aty ka vdekur dashuria
Ka vdekur gëzimi
Ka vdekur jeta

Nëpër korridoret e dhomat e saj
Enden fantazmat e njerëzve
Që dikur jetuan në të

Mbi mobilie bie
Një pluhur i hirtë
Si pushi i fluturave të vdekura

Në xhamat e dritareve
Nata ngjit me pështymë si pullë poste
Errësirën e saj

Era troket në dyer
Me gishtat e saj të thyer
Por as dyer as dritare nuk hapen

Shtëpia e heshtur
Zhytet thellë e më thellë në torfën e zezë
Të vdekjes së saj

As vajtojca në oborr
As ferra të grumbulluara te pragu
As korb as qyqe mbi kulm

Në çatinë e saj
Qëndron shandani i hënës
Ku një copë qiriu derdh lot të verdhë…

ANTIKËNGË

Do të doja ta therja në fyt
Zërin tim
Siç thernin një kafshë për ta flijuar

Ta shihja gjakun e tij
Të rridhte gulfa-gulfa
Nga gurmazi i prerë

Atë ditë që nxora nga goja
Fjalën e parë
Nuk e dija se ç’lak
Po i lidhja vetes në grykë

Një lak që më shtrëngon
Më keq sesa një gjarpër Laokooni
Më keq sesa litari
I të varurit në trekëmbësh:
Laku i dëshirës për të kënduar
Dhe laku i pamundësisë për ta bërë këtë gjë

Laku i kotësisë së çdo kënge
Që përfudon në antikëngë…

PUSI I HESHTJES

Tashti më ka mbetur vetëm heshtja
Me të cilën mund të loz
Si me një kukull të vjetër

Një kukull që nuk e di ç’ka qenë
Ç’ngjyrë ka pasur
Dhe kujt i ka përkitur

Edhe kur dua ta hedh
Ajo më ngjitet pas gishtave
Lëndë vishtullake e pashqitshme

Ç’të bëj me këtë heshtje ?
Ku ta shpie ?
Në ç’gropë ta varros ?

Do të doja të kisha
Një çekan të rëndë sa një mal
Për ta thyer këtë heshtje

Ajo më thotë se është heshtja ime
Por unë nuk e dua
Shurdhërinë e saj

Ndiej sesi humbas
Në pusin e saj të pafund
Si në një humnerë makthi

Një pus ku nuk ekziston
As fjala shpresë
As fjala shpëtim

Një pus nga i cili ngjiten
Vetëm ca flluska të zeza
Si pika retiçence…

MA KANË VJEDHUR TË QESHURËN

Ma kanë vjedhur të qeshurën
E cila vezullonte
Si diamantet e stolive
Të grabitura në Luvër
Në sy të mijëra njerëzve
Dhe të kamerave vëzhguese

Ma kanë vjedhur të qeshurën
Banditë po aq të specializuar
Sa grabitësit e stolive të Luvrit
Dhe kanë ikur ku sytë këmbët
Pa lënë asnjë shenjë
Asnjë gjurmë ADN-je

Askush nuk është vënë
Në kërkim të grabitësve
Të të qeshurës sime të vjedhur
Për t’ia kthyer të zotit të saj
I cili e ka shpirtin
Si xhami i thyer i një vitrine

Një xham i katandisur
Në një vrimë të rrumbullakët
Në një sy pa bebëz
Përmes të cilit mund të shohësh
Vetëm diamantin e zi të errësirës
Ku sos çdo dritë…

I NGJASHËM ME NJË MBRET

Ka vite që mendoj
Se fati im i ngjan
Fatit të një mbreti të jashtëzakonshëm
Që ka pasur një emër
Ose një nofkë të jashtëzakonshme :
Jean sans Terre: Zhani pa Tokë

Si ky mbret që ka rrojtur para disa shekujsh
Edhe unë nuk zotëroj asnjë pëllëmbë tokë
Në planetin e tretë të sistemit tonë diellor

Dikush më ka lënë pa tokë
Dikush ma ka rrëmbyer
Këmishën shpirtërore prej dheu e gurësh
Të quajtur atdhe
Një këmishë të cilën e kisha veshur
Pasi kisha ardhur në jetë

Nuk e di përse më kanë dënuar
Të kem një fat të ngjashëm
Me mbretin e çtrashëguar Zhani pa Tokë
Mua që as në ëndërr nuk jam përpjekur
Ta rrëmbeja Izabelën e Angulemës

Tashti unë nuk mund të them se fati im
I ngjan fatit të një zogu shtegtar
I cili e ka diku çerdhen e tij
Ku mund të kthehet për t’u prehur
Ose për të bërë aty gjumin e fundit

Në vend që të kem fatin e një zogu të tillë
Unë i ngjaj vetëm një mbreti të moçëm
Me nofkën Zhani pa Tokë…

NJERKËDHEU

Disa herë i kam hasur fjalët e famshme
Që J. F. K. ka thënë një ditë:
„Mos mendoni për atë që atdheu ka bërë për ju
Po për atë që keni bërë ju për atdheun“

Duke lexuar këto fjalë
Kam menduar se J. F. K. e ka pasur të lehtë
Ta bënte një deklaratë të tillë:
Atdheu i tij e kishte bërë milioner
Atdheu i tij e kishte zgjedhur president të SHBA-së
Të shtetit më të fuqishëm të planetit
Ç’mund të bënte tjetër atdheu për të?

Unë e ndiej se e kam të pamundur
Ta pranoj me gjithë zemër deklaratën e J. F. K.
Duke menduar se mëmëdheu im
Më ka dhënë një pension prej dyqind eurosh
Pas një pune gjysmëshekullore
Dhe i vetmi titull honorifik që më ka akorduar
Për karrierën time të gjatë
Është titulli i mërgimtarit

Jam i bindur se atë që ndiej unë
Për deklaratën e famshme të J. F. K.
E ndiejnë miliona banorë të kësaj bote
Për të cilët vendi ku kanë lindur
Është një njerkëdhé…

STATUJAT E ISHULLIT
TË RAPA-NUIT-SË

Dijetarët që kishin mbërritur në ishullin e Rapa-Nuit-së
I njohur edhe me emrin Ishulli i Pashkëve
Ishin përpjekur të kuptonin misterin
E statujave të tij vigane
Të gdhendura në shkëmb vullkanik
Të vendosura në bregdet me kurriz nga oqeani

Duke i lidhur këto statuja
Me kultin e Vdekjes dhe me metafizikën
Disa dijetarë i kishin konsideruar viganët e gurtë
Figura të stërgjyshërve të banorëve të këtij ishulli
Të adhuruara si hyjni

Sipas dijetarëve të tjerë
Mbartja e statujave që nga gurorja
Dhe vendosja e tyre në bregdet
Kishte qenë shkak i zhdukjes
Së pyjeve të qëmotshme të ishullit
Të katandisur në një kokë të rruar murgu
Shkak i katastrofës së parë ekologjike të botës

Pasi i rrëzuan hipotezat e pararendësve të tyre
Dijetarët e shekullit XXI
Argumentuan se statujat e Rapa-Nuit-së
Të vendosura në bregdet me kurriz nga oqeani
Dhe me fytyrë nga brendësia e ishullit
Tregonin ku ndodheshin burimet e ujit të ëmbël
Në atë vend të rrethuar
Nga oqeani i pamatë me ujë të kripur

Statujat vigane të Rapa-Nuit-së
Ishin simbol i funksionit universal të Artit
I gdhendur në shkëmb vullkanik…

TËHUAJTJE

Këtu
Mua më duket vetja si një udhëtar
I braktisur nga një disk fluturues
Që është ulur në një shesh
Për shkak të ndonjë avarie
Pastaj është larguar pa më lajmëruar
Me ndonjë rënie sirene
Apo me ndonjë sinjal me drita

Kudo që shkoj
Më duket sikur jam i rrethuar
Nga një turmë shurdhmemecësh
Sikur edhe unë vetë jam një shurdhmemec
I pazoti të dëgjoj apo të nxjerr nga goja
Një fjalë të vetme

Mua më duket sikur fjala “këtu”
Nuk ekziston më
Ka humbur
Ka rënë në një vrimë të zezë
Nga ku nuk mund të nxjerrë
Asnjë qenie tokësore apo qiellore

Një zë që nuk e di se kujt i takon
Më thotë se fjala „këtu“
Nuk ka ekzistuar kurrë
Ajo ka qenë thjesht një trillim i trurit tim
Me të cilin kam dashur t’i bëja ballë
Një mungese të padurueshme

Ashtu si një shurdhmemec
Unë zë të shkruaj në çdo syprinë të lëmuar
Fjalën që më bëhet nakël :
« Këtu »
Por me t’i ravijëzuar shkronjat e saj
Ato ndizen flakë
Shndërrohen në tym e në hi
Të cilët i merr me vete era
Dhe i shpërndan në të katër anët

Atëherë unë resht së ëndërruari
Për ta vënë këmbën te toponimi “këtu”
Heq dorë nga të shkruarit e tij
Nga të besuarit se ai ka ekzistuar ndonjëherë
I bindur se gjatë gjithë jetë sime
Unë kam qenë banor
Vetëm i toponimit „gjetiu“…

TA THYESH SI NJË QELQ

Ta thyesh si një qelq
Kufirin që ndan jetën nga vdekja
Dhe bashkë me të
Të thyesh pyetjet e qëmotshme
Të cilat nuk vjetrohen kurrë:
Përse kam lindur?
Përse kam rrojtur?
Deri kur do të zgjatë
Kjo endje në fund të një humnere
Që quhet jetë?

Tiktaket e sahatit
Zhurmat që vijnë nga larg
Duken si gurë
Që shkoqen e rrokullisen
Nga faqet e shkëmbinjve të humnerës
Të cilën nuk e kapërcen dot
As shikimi yt
As imagjinata jote

Ti e ndien se këta gurë
Që do të të mbulojnë së shpejti
Do të jenë qefini yt
Ose batanija jote
Nën të cilën do të bësh
Gjumin e vërtetë
Ku nuk do të të shqetësojnë më
As ëndrra të bukura as makthe

Një gjumë më të thellë e më të gjatë
Se sa fjetja e të përgjumurve të Efezit
Një gjumë nga i cili të ka shkëputur
Pa të pyetur ty
Loja e pakuptimtë e materies
Një lojë që në mungesë të ndonjë fjale tjetër
E kanë quajtur: Jetë…


Send this to a friend