VOAL

Please Wait...

Këshilla e infektologut Naser Ramadani: Dilni sot në natyrë, por mbani distancën!

By | March 16, 2020

Komentet

Kurti thotë se i ka votat për ta formuar qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se Qeverinë e re të Kosovës planifikon ta formojë duke marrë rreth vetes deputetë të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu një koalicion të mundshëm me partitë shqiptare dhe me Listën Serbe.

Gjatë një prononcimi për media nga Tirana, Kurti tha se beson që ta kalojë shifrën prej 61 deputetëve, sa janë të nevojshme për ta formuar qeverinë.

“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e donë të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha Kurti.

Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëevendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përfundim të numërimit të votave me postë dhe pritet që shumë shpejt të shpallen rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kurti kishte refuzuar që ta marrë në koalicion qeverisës Listën Serbe edhe më 2020, por sipas Kushtetutës së Kosovës, kësaj partie, që përfaqëson serbët e Kosovës, i takuan dy ministri. rel

Kurti u nis letra Erdoganit dhe Netanyahut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u ka nisur letra presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilat është zotuar për thellim të bashkëpunimit, kur të formojë qeverinë e re në Kosovë.

Në letrën dërguar Erdoganit, Kurti ka thënë se turqit në Kosovë dhe shqiptarët në Turqi janë ura e miqësisë në mes të të dyja vendeve.

“Ne vlerësojmë rolin e turqve në Kosovë dhe ata do të vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm edhe në qeverinë time”, ka thënë Kurti.

Në letrën dërguar Netanyahut, lideri i LVV-së ka përshëndetur arritjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, dhe se ky hap për Kurtin nënkupton mundësi “për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik, politik dhe kulturor”.

“Kombi ynë ka respektuar historikisht komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, më vjen mirë që do të adresoj çështjet me rëndësi për komunitetin hebre dhe trashëgimin në shtetin tonë”, është thënë mes tjerash në letër.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Së fundmi në Kosovë ka pasur debate lidhur me vendin se ku do të vendoset ambasada kosovare në Izrael.

Ambasada turke në Prishtinë kishte kundërshtuar më herët hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Në takimin e 1 marsit mes liderit të Vetëvendosjes, dhe ambasadorit turk në Prishtinë Çağri Sakar, Kurti ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet do të vendoset ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem, duke shtuar se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”. rel

Debate rreth vendosjes së ambasadës së Kosovës në Izrael

VOA

Lëvizja Vetëvendosje theksoi të martën se njohja e Kosovës nga Izraeli dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me të është shumë e rëndësishme dhe mundësi e mirë për zhvillim. Ritheksimi i këtij qëndrimi të shprehur nga kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, pasoi reagimet që nxiti një qëndrim i zotit Kurti rreth vendit ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael.

Të hënën zoti Kurti që pritet të jetë kryeministër i Kosovës, pasi që partia e tij shënoi fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, tha pas një takimi më ambasadorin turk në Kosovë se kjo “është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”

Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbinë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Pjesë e marrëveshjes për njohjen ishte edhe zotimi i Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem.

Ky zotim kishte nxitur reagime të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.

Kjo çështje është bërë edhe pjesë e urimeve drejtuar zotit Kurti për fitoren e tij në zgjedhje edhe nga udhëheqësit e Turqisë dhe Izraelit.

Derisa presidenti turk Recep Tayip Erdogan shkruan se vendosja e ambasadës në Jerusalem “do të mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, kryeministri izraelit, Benjanim Netanyahu, shkruan se i kushton “rëndësi vendimit të Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem dhe ju pres në Izrael për përurimin e saj”. Letrat u publikuan në facebook nga zëdhënësi i zotit Kurti, Përparim Kryeziu së bashku me letrat e udhëheqësve tjerë nga bota që i kanë uruar fitoren.

Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

“Meqë Kosova dhe Serbia e kanë përcaktuar integrimin evropian si përparësi strategjike, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të veprojnë në harmoni me këtë përkushtim që të mos dëmtojnë ardhmërinë e tyre evropiane. Serbia tashmë është duke negociuar këtë anëtarësim dhe pritet që ajo të harmonizojë politikën e saj me ato të Bashkimit Evropian”, tha atëbotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Vëzhguesit pohojnë se qëndrimet e tilla mund të vënë në pozitë të vështirë zotin Kurti si kryeministër i ardhshëm, por tërheqin vërejtjen se vendndodhja e ambasadave është vendim i vendit mikpritës dhe Kosova nuk mund të përcaktojë se ku do ta ketë ambasadën e saj.

Debatet rreth kësaj çështjeje dhe qëndrimi i zotit Kurti u kritikuan ashpër të martën nga ish i dërguari i ish presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell. Duke shpërndarë një shkrim të gazetës izraelite Heeratz që transmetoi një shkrim të agjencisë së lajmeve Associated Press për këtë çështje ai shkroi në twitter se “udhëheqësi antiamerikan i krahut të majtë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë kundër politikave të Shteteve të Bashkuara të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai është gjithnjë një anti-amerikan”, shkroi ai.

Zoti Grenell njihet si autori i dakordimit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë – Serbi që u arrit në Shtëpinë e Bardhë. Në pranverën e vitit të kaluar zoti Kurti tha se zoti Grenell ishte përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij më 25 mars, për shkak të mospajtimeve rreth procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

LVV kritikon ashpër raportimet për shfuqizim të fletarrestit për Radoiçiqin

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar të hënën pas raportimeve të mediave lokale në Kosovë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të shfuqizuar fletarrestin për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Rodoiçiq.

“Kujtojmë se Milan Radoiçiqi, të cilit gjykata ia hoqi fletarrestin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës. Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim”, është thënë në reagimin e LVV-së përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Aty është përmendur edhe se Radoiçiq është një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Milan Radoiçiq ka qenë në arrati dhe autoritetet e Kosovës deri tani ishin në kërkim të tij.

Në nëntor të vitit 2020 është ngritur aktakuza e tretë për këtë rast, mirëpo procesi gjyqësor është ende pa epilog.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore duhet t’ia sqarojnë publikut të Kosovës vendimin lidhur me këtë rast.

“Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

Sipas saj një vendim i tillë përbën rrezik e të panjohura.

Kjo parti, fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, është zotuar edhe një herë që kur të marrë pushtetin do të nisë procesin e vetingut në gjyqësi dhe prokurori, duke konsideruar se shtetit i duhen profesionistë dhe patriotë dhe jo “burokratë në shërbim të krimit”.

KQZ-ja refuzon mbi 20 mijë zarfe me fletëvotime nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se të premten në mesnatë ka përfunduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë, ku janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe me fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të shtunën, tha se janë pranuar rreth 53 mijë e 600 zarfe të ardhura nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Këto janë vetëm të dhëna preliminare sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate”, tha Elezi.

KQZ-ja, shtoi Elezi, pret që gjatë të dielës të nisë numërimi i 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Ai tha se pas numërimit të votave me kusht, do të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës.

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, ndërkaq po vazhdon rinumërimi i 552 vendvotime. Deri më tani, sipas KQZ-së janë numëruar 88 për qind e këtyre vendvotimeve dhe ky proces pritet të përmbyllet më vonë gjatë ditës së shtunë.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur mbi 1.7 milion qytetarë të Kosovës.

Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave. rel

Parlamenti Evropian: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Me 50 vota për, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania.

Me këtë raport, Parlamenti Evropian u bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Para se të votohej për raportin si tërësi, ishte votuar për amendamentet e veçanta të prezantuara nga deputetët e Parlamentit Evropian.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

“Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështesin Kosovën në rrugën evropiane. Ne qartë shohim potencialin e këtij vendi, por edhe të Bashkimit Evropian. Por, ende ka punë përpara për Kosovën. Së pari na duhet një stabilitet politikë për zbatimin e reformave të nevojshme”, ka thënë Von Cramon teksa ka komentuar votimin për raportin për Kosovën.

Ajo ka thënë se edhe BE-ja ka “detyra të shtëpisë” për të bërë.

“Prandaj kemi bërë thirrje për Këshillin (e BE-së) që më në fund të miratojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane.

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.

Në raport përmendet se Kosova ka një “mjedis pluralist dhe të gjallë mediatik”, por kërkohet që të garantohet transparencë e plotë e pronësisë së mediave dhe pavarësia dhe liria nga ndikimet politike.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane.

Ata kanë kërkuar nga qeveritë e të dyja shteteve që të përmbahen nga çfarëdo veprime që mund të pengojnë krijimin e besimit mes palëve, që do ta vinin në rrezik vazhdimin konstruktiv të dialogut. Nga Kosova është kërkuar që të përballet edhe me problemet e brendshme në qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Të njëjtën ditë në Komisionin e politikës së jashtme është miratuar edhe Raporti për Serbinë. Edhe Serbisë i është dërguar porosia që të jetë konstruktive në dialog me Kosovën.

Deputetët kanë kritikuar fushatën kundër BE-së në Serbi, përfshirë edhe në mediat e financuara nga shteti. Ata kanë kërkuar që udhëheqësit politikë në Serbi të shprehen qartë dhe pa hezitim për orientimin pro-evropian të Serbisë. Po ashtu, eurodeputetët kanë kërkuar nga Serbia që t’i bashkohet qëndrimeve të BE-së në çështjet e politikës së jashtme.

Raportet për Serbinë dhe Kosovën, të miratuara në Komisionin e politikës së jashtme, do të barten në formën e propozimeve për rezolutë në seancë plenare të Parlamentit Evropian. rel

Pianistja e mirënjohur Lule Elezi duke interpretuar magjishëm Beethoven në paraqitjen e librit për Kosovën të  Eurodeputetit austriak LUKAS MANDL

Pianistja e mirënjohur nga Kosova Lule Elezi ka qenë pjesë e një eventi të rëndësishëm siç ishte paraqitja e librit të deputetit austriak në Parlamentin Evropian (MEP) Mag. LUKAS MANDL.

Libri i kushtohet Kosovës dhe titullohet “KOSOVO AND THE EU- STATE OF PLAY” .

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl është një mik i përkushtuar i Kosovës dhe paraqitja e librit të tij në Vjenë u bë pikërisht me 17 shkurt me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë të Kosovës.

Prezantimi i librit u shoqërua me një interpretim solistik brilant të Ludwig van Beethoven nga pianistja aq e njohur kosovare Lule Elezi.

Do të ishte vetë Eurodeputeti austriak Lukas Mandl që e zgjedhi pianisten kosovare Lule Elezi, duke  duke nënvizuar suksesin e saj ndërkombëtar, me interpretimin e saj të mrekullueshëm të L.V. Beethoven për të festuar edhe Ditën e Pavarësisë, edhe botimin e librit të tij si një melanzh i mrekullueshëm Austriako-Kosovar.

Lexuesit të nderuar po ashtu po i sjellim edhe videon me fragmente nga eventi dhe interpretimi mahnitës i Artistes Lule Elezi për të shijuar vetë magjinë e artit të madh të Ludwig van Beethoven.

Gjithashtu po sjellim dhe shënimin që Lule Elezi bën me këtë rast në rrjetin për fansat e saj social në shqip dhe anglisht:/Elida Buçpapaj

 

 

“Miq të dashur,

Jam shumë e lumtur t’ju informoj që një nga interpretimet e mia solistike nga kompozitori L.V. Beethoven është pjesë e prezentimit online të librit
“ KOSOVO AND THE EU- STATE OF PLAY” mbajtur më 17 shkurt 2021 në Vjenë.

Autori, Mag. LUKAS MANDL , është i njohur si Eurodeputet i Parlamentit
Kosovës.

Ai është mik shumë i çmuar i Kosovës.

Jam vërtet krenare që për këtë eveniment kaq të rëndësishëm, vetë Eurodeputeti Mag. LUKAS MANDL ka përzgjedhur një interpretim timin nga Beethoven nga albumi që kam incizuar në Shtëpinë e Mozartit “ Mozarthaus” në
Vjenë.

Në videon më poshtë , që është shkëputur nga ky eveniment mund të shijoni interpretimin tim🎶

Dear friends,

I am so happy to inform you that one of my solo piano interpretations of Beethoven is part of the ONLINE- PRESENTATION of the book “ KOSOVO AND THE EU- STATE OF PLAY” held on 17th February 2021 in Vienna.
The author, the Member of the European Parliament( MEP) Mag. LUKAS MANDL , is well known as an European Parlamentarian and Austrian politican who is very actively acting for the interests of Kosovo.

He is very much respected as a friend of Kosovo.

I am really so proud that for this event of great importance MEP Mag. LUKAS MANDL himself selected my interpretation of Beethoven”s music from my CD, which I recorded at the Mozart House in Vienna.

In the video below , which is detached from this event you can enjoy my interpretation🎶

—–
Interpretimi i pianistes të mirënjohur Lule Elezi fillon në minutën e 31-të videos.
(Fotot e Artistes Lule Elezi nga Avni Selmani)

“Prerje të buzëve, thyerje të dhëmbëve e gjakderdhje”, Rashiq tregon lëndimet që ia shkaktuan djalit të tij

Politikani serb në Kosovë, Nenad Rashiq, ka organizuar një konferencë për media për të folur për rrahjen e djalit të tij nga një grup personash në Llapnasellë të Graçanicës.

Ai tha se Nikolla, djali i tij, ka pësuar lëndime të trupore si: prerje të buzëve, thyerje të dhëmbëve e gjakderdhje të madhe, raporton T7.

Teksa shtoi se ai është sharë para se të sulmohej, duke theksuar se dyshon se “sulmi ka qenë i organizuar dhe i planifikuar”.

Tutje, Rashiq tha se sulmuesit kanë pasur me vete thika, çekiq dhe boksa të hekurit.

“Çfarë kam dashur të theksoj në këtë konferencë që 15 vite merrem me politike dhe tentoj të jem sa më objektiv për fat të keq tek ne ka një burim negativ, vlerat tona morale janë kthyer përmbys. Kemi familje që s’kanë fëmijë të edukuar, kështu vijmë deri tek dukuritë si këto. Lus organet, policinë dhe prokurorinë, jo për Nikollen djalin tim që e ka paguar shtrenjtë, por edhe për fëmijët e tjerë”, tha ai ndër të tjera.

Kushtet e LVV-së për dialogun

Shkumbin Ahmetxhekaj

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ky dialog megjithatë duhet të ketë qasje të re. Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu duhet të ketë “së pari karakter transformues, të bazuar në parime e vlera për dallim nga ai transaksional, të bazuar në interesa momentale dhe me logjikën ‘duhet te japësh diçka për të marrë diçka’”.

“Dialogu duhet të jetë trans-atlantik, në kuptim të koordinimit në mes Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por edhe në kuptim të integrimit perëndimor si synim në vete për të dy palët. Është në të mirë të të gjithëve që ky proces të jetë me parime të qarta dhe me qasje të sinqertë, duke synuar që të jetë gjithmonë në shërbim të popujve e jo qeverive të momentit apo individëve të momentit”, tha Kryeziu.

LVV-ja në vazhdimësi e ka cilësuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si jotransparent dhe i ka cilësuar si të dështuara shumicën e 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

“Shumica prej tyre ose nuk janë zbatuar fare ose pjesërisht. Kjo, bashkë me mungesën e transparencës që e ka përcjellë këtë proces, janë provë e mjaftueshme që dialogu ka nevojë për një qasje të re”, shtoi Kryeziu.

BE-ja kërkon angazhim në dialog

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se dialogu është ‘prioritet i gjashtë apo i shtatë’, gjë e cila nuk është pritur mirë në BE. Zyrtarët e këtij institucioni, që e ndërmjetësojnë dialogun, nuk janë përgjigjur saktësisht në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, nëse BE-ja është e gatshme të ndryshojë qasjen në dialog, por kanë kërkuar angazhim për të përmbyllur marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Ne po presim formimin e qeverisë së re dhe pos tjerash, ne presim që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive në vazhdimin e takimeve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe që të shfrytëzojnë rastin që kanë para vetes për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha për Radion Evropa e Lirë, njëri nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano.

BE-ja e ka emëruar përfaqësuesin special për dialogun, diplomatin sllovak Mirosllav Lajçak, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, që synim final ka normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë, siç kërkon në vazhdimësi lidershipi kosovar.

Qëndrimi i administratës Biden

Ndryshe nga BE-ja, që eviton të përmendë njohjen e ndërsjellë si synim final në dialog, SHBA-ja kërkon që marrëveshja gjithëpërfshirëse ta sjellë këtë njohje.

Ambasada amerikane në Prishtinë, në një deklarim të mëhershëm, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni e mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ashtu siç ka thënë presidenti (amerikan, Joe) Biden një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të çojë drejt njohjes së ndërsjellë, të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja vendeve dhe që të fuqizojë institucionet e tyre demokratike, është qenësore për Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkohë, ende nuk është e qartë nëse administrata e re amerikane do të angazhojë një përfaqësues special për dialogun Kosovë-Serbi, ashtu siç kishte vepruar ish-presidenti, Donald Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë seancës në Senat, për konfirmimin e tij në këtë post, tha se do ta konsideronte “emërimin e një të dërguari special për rajonin”.

Qasja e re në dialog, e domosdoshme

Analistët politikë thonë për Radion Evropa e Lirë se dialogu nuk ka alternativë, por e vlerësojnë të rëndësishme që qeveria e ardhshme të fokusohet në programin që e ka prezantuar në fushatë.

Politologu Ramush Tahiri beson se qeveria e re mund të sjellë më shumë substancë në dialog, pasi sipas tij, LVV-ja ka pasur “qasje origjinale në dialogun me Serbinë”.

“Është fakt se normalizimi i raporteve (politika zyrtare e BE-së), nuk mund të ndodh pa njohjen reciproke dhe pa u ditur subjektiviteti i palëve të cilat do t’i zbatojnë marrëveshjet. Me këtë koncept të ri, mendoj se Albin Kurti do të mund t’ia dalë dhe pres që dialogu të jetë më dinamik”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik, që merret më hulumtime e raporte për proceset integruese të Kosovës, pret që qeveria e re të sjellë transparencë në procesin e dialogut. Ai përmend faktin se në programin e vetë, LVV-ja nuk e ka të përfshirë fare dialogun, por Shasha pret që kryeministri i ri të gjejë një pikë përbashkuese me pritjet e qytetarëve për jetë më cilësore dhe pritjet e partnerëve ndërkombëtarë për vazhdimin e dialogut.

“SHBA-ja dhe BE-ja e kanë të bërë të qartë që dialogu me Serbinë duhet të jetë njëri nga top prioritetet që ata e shohin për qeverinë e ardhshme. Por, për dhjetë vjet, qasja e njëjtë në dialog na ka sjell këtu ku jemi, ku nuk mund të krenohemi për sukses të jashtëzakonshëm. Prandaj, ia vlen që të provojmë një qasje të re sa i përket dialogut me Serbinë”, tha Shasha për REL.

Ai megjithatë beson se kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti e ka një dritare kohore për të mos u marr enkas me dialogun, pasi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk mund të pritet marrëveshje në dialog, para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Serbi në prill të vitit 2022.

“Është e rëndësishme që Qeveria Kurti gjatë kësaj kohe të merret me dialogun, por në aspektin diplomatik, nën radarin politik, në mënyrë që të përgatitet. Në këtë kontekst, zoti Kurti do të mund t’i paraqiste opinionit politik në Kosovë se cili është kompromisi që Kosova është e gatshme ta bëjë, për hir të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, shtoi Shasha.

Sipas tij, kompromisi më lehtë i pranueshëm do të ishte “eksplorimi i mundësive për një zbatim edhe më të mirë të Pakos së Ahtisarit dhe avancimit edhe të mëtutjeshëm të të drejtave të serbëve në Kosovë”.

Politologu Ramush Tahiri thotë që çdo tendencë për të ofruar zgjidhje që e prek “shtetin qytetar” të Kosovës, do të prolongonte edhe më shumë arritjen e një marrëveshjeje në dialog.

LVV-ja si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, pritet që të formojë qeverinë e re bashkë me komunitetet joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe. Krijimi i qeverisë pritet të ndodhë pas konstituimit të kuvendit të ri, proces ky që kërkon paraprakisht certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

VV reagon pasi një masë e madhe e votave të mërgates dalin të pavlefshme

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka reaguar pas vendimit që disa vota të diasporës të shpallen të pavlefshme, raporton Gazeta Express.

Në një shkrim në Facebook, Kryeziu ka thënë se kjo është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet.

“E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj. Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues.

Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë”, ka thënë ai.

Sipas zëdhënësit të LVV-së, ky subjekt do të procedojë në Kuvend që të bëhet ndryshimi i ligjit në mënyrë që mërgata të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata.

“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”, tha ai./GazetaExpress/

Shkrimi i plotë:

Numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj. Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues. Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë. Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend.

Gjermania, Franca bëjnë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës

Gjermania dhe Franca bënë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës dhe për zgjedhjen e presidentit, sapo të finalizohen rezultatet e zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se dy vendet “i urojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin për rezultatin zgjedhor”.

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Vjosa Osmani ka qenë kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente.

Rezultatet janë ende preliminare, pasi kanë mbetur pa u numëruar votat nga diaspora, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Kosova është me ushtruese të detyrës së presidentit, zonjën Osmani, qysh në nëntor, kur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.

Javën e kaluar, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u ka bërë thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”. rel

Kur do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve?

Shkumbin Ahmetxhekaj

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë tashmë janë publikuar, por rezultatet përfundimtare dhe certifikimi i tyre mund të marrë të paktën edhe dy javë. Zyrtarisht, askush nuk jep datë të saktë, por bazuar në praktikat e deritanishme, procedurat nuk mund të përfundojnë në afat të shpejtë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, janë dashur 52 ditë që të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

Por, në vitin 2017, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, janë shpallur 18 ditë pas mbajtjes së tyre. Edhe në ato zgjedhje kishte rinumërim të më se 500 kutive të votimit, por votat me postë nga diaspora, kanë qenë në numër shumëfish më të ulët, krahasuar me zgjedhjet e këtij viti.

Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shpallur rezultatet përfundimtare më shpejt se në zgjedhjet e vitit 2019. KQZ-ja në këtë vit kishte shpallur rezultatet 16 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Aktualisht, me votat e numëruara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind të votave, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.

Më shumë se 830 mijë persona kanë marr pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Pse zgjat kaq shumë procesi?

Pas mbylljes së qendrave të votimit, komisionerët në vendvotime numërojnë votat për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. Më pas, i tërë materiali zgjedhor dërgohet në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), ku verifikohen të dhënat e dërguara nga qendrat e votimit. Në rast se ka mospërputhje në rezultatet e formularëve me votat në kuti ose ka dyshime për parregullsi, atëherë materialet vendosen në karantinë dhe më pas nis procesi i verifikimit. Këto janë procedura që marrin kohë. Zyrtarët kanë konfirmuar se nga zgjedhjet e 14 shkurtit, në karantinë janë vendosur 101 kuti votimi.

Pas sqarimit të paqartësive eventuale, atëherë nis procesi i verifikimit dhe numërimit të votave me kusht dhe të atyre të ardhura me postë nga diaspora. Edhe ky proces merr disa ditë kohë.

Procesi zgjat pasi pas çdo vendimi, secila palë ka të drejtë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e më pas edhe në Gjykatën Supreme.

Por, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Deksu, tha për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht në këtë institucion të pavarur është vetëm një ankesë.

Sa ka vota me kusht dhe vota nga diaspora?

Mbi 27.249 votues, e kanë shfrytëzuar të dielën e 14 shkurtit, të drejtën e votimit me kusht. Ky lloj votimi lejohet të kryhet në të gjitha qendrat e votimit, për personat që nuk e gjejnë veten në listë ose që votojnë jashtë komunave të tyre, por më pas KQZ-ja verifikon, për t’u siguruar që ata nuk kanë votuar dy herë ose që janë në listën përfundimtare të votuesve.

Numri i saktë i votave me postë është në verifikim e sipër, por në KQZ brenda afatit ligjor, që ishte deri më 12 shkurt 2021, kanë arritur numër rekord prej 43.447 pako me fletëvotime nga jashtë, e të cilat mund të përmbajnë më shumë se një votë.

Deri më 20 shkurt, KQZ-ja ka verifikuar 16 mijë e 800 zarfe me fletëvotime.

Prej tyre, 11 mijë e 800 janë miratur, derisa 4,950 janë refuzuar.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, këto zarfe janë refuzuar pasi disa prej tyre janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë periudhës së aplikimit.

“Po ashtu, disa prej tyre janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Rastet e tjera të refuzuara kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar, apo ka pasur votim grupor”, ka thënë Elezi në një konferencë për media.

Në listën e votuesve nga jashtë, u ishin aprovuar kërkesat për votim më shumë se 103.000 shtetasve të Kosovës.

Kur mund të krijohen institucionet e reja?

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, konstituimi i legjislaturës së re duhet të bëhet brenda 30 ditëve.

Me dinamikën aktuale, kuvendi mund të konstituohet gjatë muajit mars.

Kuvendi më pas zgjedh qeverinë e re, që për herë të parë që pasluftës, me shumë gjasë do të formohet nga vetëm një parti shqiptare. Lëvizja Vetëvendosje deri më tani, sipas projeksioneve ka arritur që e vetme të fitojë 56 ulëse, e që me votat nga diaspora, mund të rrisë edhe më shumë numrin e ulëseve në kuvend.

Disa nga partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës, prandaj nuk priten vonesa në krijimin e qeverisë së re, Kurti 2.

Sfidë e parë për koalicionin qeveritar do të jetë zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, pasi për këtë proces, nevojitet pjesëmarrja e mbi 80 deputetëve në votim.


Send this to a friend