VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kënga për Ramën e Metën që u fshi nga interneti 24 orë pas lançimit (VIDEO)

By | May 3, 2020

Komentet

Artisti italian këngë për Teatrin, Meta: Të na zgjojë për rivendosjen e demokracisë!

“Shembja brutale e Teatrit Kombëtar, ka indinjuar jo vetëm artistët në Shqipëri, por edhe në Europë, të cilët revoltën e tyre kundër dhunës dhe barbarisë ndaj trashëgimisë kulturore e historike të vendit tonë po e shprehin me art”, ka shkruar Presidenti Ilir Meta duke shpërndarë këngën “Atë natë të shtunë, përse?”, kënga homazh që dy muzikantët e mirënjohur Marco dhe Daria Zappa kanë krijuar si shprehje të dhimbjes për shkatërrimin kriminal të vlerave kulturore të kombit tonë nga dhuna e pushtetit.

“Një këngë homazh që duhet të na zgjojë dhe frymëzojë të gjithëve, për të krijuar një FRONT TË PËRBASHKËT PËR RIVENDOSJEN E DEMOKRACISË”, shkruan Meta, duke ndarë tekstin e këngës, si vijon.

ATË NATË TË SHTUNË, PËRSE?

E latë dalëngadalë të vdesë,

E katandisët dalëngadalë

Në një gërmadhë

Pastaj një të shtunë, natën

Goditja finale!

Mospërfillës ndaj të gjithë atyre

Që për njëzet e shtatë muaj,

Çdo mbrëmje, çdo natë

Besuan tek kjo ëndërr

Zemrën e tyre që rrihte.

Përse?

Dhuna e një pushteti

Kujton të kaluarën

S’e bëri tërmeti,

E bëri pushteti

Fikët një qiri

Që i jepte dritë qytetit

Dhe ne pyesim veten: Përse?

Sa bukur ishte të luaje

Në këtë teatër të mrekullueshëm

Po, pak i vjetër dhe i lënë pas dore

Por e vërtetë, i ngrohtë dhe shumë i dashur.

Shkatërruat një histori,

Duke mbytur çdo shpresë.

Përse? Përse? Përse?

Dhuna e një pushteti

Kujton të kaluarën …

S’e bëri tërmeti,

E bëri pushteti

Fikët një qiri

Që i jepte dritë qytetit

Dhe ne pyesim veten: Përse?

Unë jam Teatri

Unë jam Shqiptar

Fikët një qiri

Që jepte dritë…

Që i jepte dritë qytetit

Përse? Përse? Përse?

E latë dalëngadalë të vdesë,

E katandisët dalëngadalë në një gërmadhë

Pastaj një të shtunë, natën

Policia dhe buldozeri

Mospërfillës ndaj të gjithë atyre që …

Çdo mbrëmje, çdo natë,

Besuan te Teatri,

Te një zemër që rrihte

Fikët një qiri

Fikët një flakë!

Që na jepte jetë të gjithëve … ne!

Më 27 maj 1877 lindi Isadora Duncan, gruaja që revolucionarizoi baletin modern

Portret i balerinës humaniste Isadora Duncan

Isadora Duncan ( California , 27 maj 1877 – 14 shtator 1927) ishte balerina dhe koreografja e njohur e fillim shekullit XX, gruaja që revolucionarizoi baletin modern, pas humbjes së dy fëmijëve të saj qëndroi në Sarandë për disa muaj. Aty u njoh me Shqipërinë dhe gjendjen e mjeruar të njerëzve, ku kërkoi të jepte ndihmën e saj. Isadora duartrokitet në mbarë Evropën, pasi u dëbua nga Shtetet e Bashkuara për simpatitë e saj pro-sovjetike.

Lidhja me Shqipërinë

Rastësia e solli Isadora Duncan të jetojë disa muaj në Shqipëri, Saranda e sotme”, kështu shprehet në librin e tij “Santa Quaranta” autori Luan Rama,Paris , i cili studioi e mblodhi të dhëna mbi kohën kur Isadora qëndroi në Shqipëri. Në pranverën e vitit 1913, atëherë kur ajo përgatitej të interpretonte “Ifigjeninë” e Gluck-ut në teatrin e “Chatelait” në Paris, u godit nga një tragjedi akoma më e tmerrshme se ajo që do të interpretonte në skenën e atij teatri. Dy fëmijët e saj, viktimë e një aksidenti automobilistik, u mbytën në Senë. Jeta artistike u ndërpre menjëherë. I vëllai Raymond Duncan, (një intelektual dhe njohës i Epirit dhe Greqisë antike, por edhe i Shqipërisë), i cili jetonte në Korfuz bashkë me gruan e tij Penelopën, i kërkoi që ajo të shkonte me ta në brigjet e Korfuzit, në Santa Quaranta, për të lehtësuar dhimbjen e madhe të saj.

Letërkëmbimi

Në një letër dërguar nga Korfuzi një mikes së saj, Elena, Isadora shkruante: “Bashkë me vëllain tim Raymond, ne shkuam nëpër malet e Epirit, duke ecur 50 milje në ditë dhe duke fjetur në qiell të hapur, duke menduar e qarë për ata njerëz, në vend që të isha në një dhomë e të mendoja për ju. Ne vizituam qindra fshatra të djegur nga turqit; pamë ata njerëz të mjerë me shtëpitë dhe të korrat e shkatërruara. Nëse dikush nuk i ndihmon, ata do të vdesin nga skamja. Po përpiqem të ngremë disa streha për fëmijët. Ne do të kthehemi javës tjetër. Ah ata fëmijë, me ata sy aq të trishtë e të dëshpëruar dhe ato gra që s’kishin ç’t’u jepnin”. Më pas, një mikut të saj artist, Isadora i shkruante: “Vëllai im Raymond dhe Penelopa pa pasur asgjë me vete u nisën më këmbë për në Epir. Shkojnë drejt Janinës. ç’kurajo! Mendojnë të kthehen pas një jave dhe do të më tregojnë për gjendjen e saktë në të cilën ndodhen njerëzit dhe ai vend. Pastaj, përmes një thirrje, ne do të përpiqemi të mbledhim fonde në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të mjerë. ç’mendon ti? Thuhet se janë një mijë familje që po vdesin urie. Dua të shkoj edhe unë që në një lloj mënyre t’i ndihmojmë ata fëmijë. Nëse Paris Singer mund të vijë, do të ishte më thjesht, por edhe vetëm do mund të bëja diçka. Këtu më thonë se janë peizazhe të njohura e të mrekullueshme. Do ëndërroja të ngrija atje një shkollë danci, një vend ku të mblidheshin artistët… Po pres kthimin e Raymond-it dhe do t’u shkruaj. Në vend që t’u shkruaj këto fjalë boshe me frëngjishten time të keqe, do të doja t’u dërgoja pamjen që kam përballë dritares, me hapësirën që hapet ballë detit. Përballë mund të shohësh deri tutje te malet, të cilët duken sikur përkunden në të kaltërtën midis tokës e qiellit, si në një imazh të “Tokës së Premtuar”. Ndonjëherë, duke admiruar këto imazhe, mendoj se ndoshta kam vdekur bashkë me fëmijët dhe se bashkë me ta kam hyrë në Parajsë. I ndiej shumë pranë meje. Dhe pastaj më kap dhimbja e tmerrshme fizike. Sytë e mi nuk do t’i shohin më ata. Duart e mia nuk do t’i prekin kurrë duart e tyre. Ende më shfaqen ato duart e tyre të dashura e të mjera që më përshëndesin nga makina që i mori me vete. E unë dua të klith nga dhimbja. Por në fakt është jeta vetë që vuan…”, kështu ka shkruar Isadora Duncan gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri./Wikipedia

Më 24 maj 1937 lindi Serafin Fanko, aktor dhe regjisor i shquar shqiptar

Serafin Fanko (Shkodra, 24 maj 1937 – 29 shtator 2007), ishte një aktor dhe regjisor shqiptar i nderuar me titullin Artist i Popullit.

Biografia

U lind në Shkodër, i biri i Nikolla Fankos dhe Milicës së Serafin Bellkos. Asokohe i ati ishte kapiten i ushtrisë së Mbretërisë Shqiptare me shërbim në Shkodër dhe me pushtimin italian mbajti qëndrim antifashist, arsye për të cilën u vra më 1943 nga vullnetarë mirditorë.[1] Serafini kaloi një fëmijëri tragjike, ndër vitet 1946-1948 së bashku me të motrën jetuan në jetimore deri kur i mori e gjyshja dhe jetuan me të.[2]

Serafin Fanko studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Pragë dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.

Filmi i tij i parë është “Fije që priten”. Më pas shkëlqeu në vitin 1977, me filmin “Gunat mbi tela” ku luante një nga rolet e mbretërisë së Savojës. Vitet e fundit spikati si regjisor dramash.

Mirënjohjet

Është nderuar me titullin “Artist i Popullit”

Filmografia

  • Emblema e dikurshme (film) – (1976)
  • Fije që priten – (1976) …. Klarku
  • Shembja e idhujve – (1977) …. Frat Engjëlli
  • Gunat mbi tela – (1977) ….
  • Ditët që sollën pranverën – (1979)
  • Yjet mbi Drin – (1979) …. Lulzimi
  • Qortimet e vjeshtës – (1981) …. Profesor Samiu
  • Vendimi – (1984) …. Filipi
  • Pranvera s’erdhi vetem – (1988) …. Profesori

Referimet

  1. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. ff. 195–196. ISBN 9789928440358.
  2. ^ Xhahid Bushati (2019). Teatri “Migjeni, kujtesa e një qyteti. Tiranë: Albas. f. 203. ISBN 9789928300904.

“As televizor nuk kishim, babai shkonte për të parë filmat te…”- Historia e panjohur e Sandër Prosit, kollosit të teatrit

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e aktorit Sandër Prosit, i konsideruar si një nga kollosët më të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Memorie.al shkruan se Prosi që në rininë e tij, përveç punës që bënte në klinikën stomatologjike të vëllait të tij ku shkonte shpesh për ta ndihmuar, ai kishte prirje e pasion për muzikën dhe luante bukur në kitarë, violinë, apo këndonte bukur në korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, bashke me shokun e tij të ngushtë, Prokop Mima.

Angazhimi i tyre si “aktorë” duke interpretuar në pjesën “Vilhelm Tel” që vunë në skenë shokët e tyre më të vegjel të gjimnazit të Tiranës në vitin 1943, gjë e cila do të sillte më pas arrestimin e tyre nga komunistët në nëntorin e ’44-ës, duke u akuzuar si pjestarë të rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar. Dëshmitë e rralla të aktorit të ndjerë Rikard Ljarja për mikun dhe kolegun e tij, si dhe të birit, Aristidhit, i cili hedh dritë mbi disa anë të panjohura të babait të tij: nga përgatitja e roleve, jeta e thjeshtë familjare, miqtë dhe kolegët me të cilët shoqërohej, e deri te pasionet dhe hobet e tij.

Ka qënë 24 marsi i vitit 1985, kur në një nga sheshet e xhirimit të filmit “Pranverë e Hidhur”, të Kinostudios “Shqipëria e Re”, skenat e të cilit po përgatiteshin në plazhin e Durrësit, humbi jetën nga një aksident fatal, Sandër Prosi, një nga aktorët më të famshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Po cila ishte e kaluara e Sandër Prosit, ku kishte studiuar ai dhe si mundi që të bëhej një nga yjet e teatrit dhe filmit shqiptar?

Familja Prosi

Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj. Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”. Jovan Prosi, u kujdes që t’u jepte fëmijëve një arsimim sa më të mirë. Kështu Kleanthi, vëllai i madh i Sandrit, u diplomua për stomatologji dhe pas diplomimit ai hapi një klinikë private diku afër “Pazarit të Ri” në Tiranë. Pas Kleanthit, po në të njëjtin profesion studio edhe i vëllai tjetër, Aristidhi, por ai nuk pati fatin të jetonte gjatë dhe vdiq në Tiranë në moshën 30 vjeçare, pasi ishte kuruar në një nga klinikat e Zvicrës. Vdekjen e Aristidhit, familja e përjetoi dyfish pasi të gjithë ata mbaheshin me të ardhurat e klinikës së Kleanthit dhe Arstidhit. Kur Sandri ishte në vitin e fundit të gjimnazit të shtetit në Tiranë, shpesh herë shkonte tek klinika dhe punonte, duke zëvëndësuar vëllain e madh, i cili shkonte në Bukuresht për të takuar të afërmit e familjes së tyre.

Pasioni i tij, muzika.

Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri i vogël bënte dallim nga ata, pasi që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën. Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi. Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai mori vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe. Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato. Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë. Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare. Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta. “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, kujtonte Sandri lidhur me kthimin e tij në atdhe.

Prosi e Mima në 1943-in te “Vilhelm Tel”

Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla. Kjo premierë pati një sukses të padiskutueshëm dhe për këtë patën një meritë të madhe Prosi dhe Mima. Kjo shfaqje do të shënonte edhe fillimin e karrierës së tyre si aktorë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Gjatë viteve të pushtimit të vëndit, 1939-’44, Sandër Prosi nuk u përfshi në asnjë nga forcat politike të asaj kohe, por sipas disa dëshmive, në fund të vitit 1944, ai figuronte në listat e komunistëve për t’u arrestuar, si ish-pjestar i formacioneve të rinisë së organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar. Madje sipas disa dëshmive, si p.sh. ajo e bërë publikisht nga Xhemal Alimehmeti, ish-eksponent rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, diku aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit 1944, Sandër Prosi me gjithë shokun e tij i ngushtë Prokop Mima, u arrestuan nga një njësit partizan dhe u dërguan në malin e Dajtit në afërsi të fshatit Priskë, ku partizanët i kishin improvizuar disa godina të vjetra si burg dhe mbanin aty shumë nga të arrestuarit e atyre ditëve. Aty nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha të arrestuarit që ishin aty i zbritën në Tiranë dhe i “sistemuan” në dy burgjet që sapo ishin vënë në funksion, por Sandri me Prokop Mimën mundën të liroheshin, pasi përveç pjesmarrjes së tyre në pjesën “Vilhelm Tel” të organizuar nga rina e Ballit Kombëtar, nga hetimet nuk rezultoi që ata të kishin pasur aktivitet në rradhët e asaj organizate nacionaliste. Por kjo ngjarje dhe akuza si “ish-pjestar i Rinisë së Ballit Kombëtar”, do ta ndiqte Sandrin dhe mikun e tij të ngushtë, Prokop Mimën, edhe për shumë vite, pasi ata kishte filluar punë si aktor në Teatrin Popullor.

Në Teatrin Popullor

Pas mbarimit të Luftës aty nga fillimi i viti 1945, Sandri së bashku me mikun e tij Prokop Mimën, u afruan në korin e Filarmonisë së Shtetit, pasi më parë kishin dhënë “prova”, duke kënduar në korin e Kishës Orthodokse. Në korin e Filarmonsië, Sandri qëndroi deri në fundin e vitit 1947, kur u thirr për të luajtur si aktor në Teatrin Popullor. Në atë kohë u ofruan pranë atij teatri edhe aktorët Mihal Popi, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Prokop Mima, etj. Sandri u aktivizua që në pjesët e para të vëna në skenë nga regjizori Pandi Stillu, ashtu dhe nga rusi Kriçkov. Lidhur me rolet e tij në Teatrin Popullor, Rikard Ljarja, një nga aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, kujtonte: “Ndonëse për vetë moshën unë nuk kam pasur nderin që të luaj së bashku me Sandrin, përveç dy-tre roleve në kinematografi, di të them se ai ka qënë një njeri i jashtëzakonshëm. Roli i tij më i spikatur ka qënë ai i Horatios tek “Hamleti”. Them kështu, pasi ai ishte një rol i një njeriu të mirë si në dramë ashtu dhe në filma, është tepër e vështirë që të realziosh role si ai i Horatios, mikut të ngushtë të Hamletit. Megjithatë loja e Sandrit tek Horatio, ishte virtuoze, gjë që e bëri të shkëlqejë atë me gjithë madhështinë e tij. Sandri kishte dhunti interpretuese tek rolet në filma, të cilat fillonin që nga portreti, fiziku i tij, deri tek gjestikulacionet. Ai diti të dallojë shumë mirë filmin nga teatri, të cilat janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ai e gjeti veten më së miri në film”, përfundon Ljarja për kolegun e tij. Sipas dëshmive të Rikard Ljarjes, por dhe kolegëve të tjerë të tij, përveç punës së madhe që ai bënte me rolet në studiot e teatrit, Sandri atë gjë e vazhdonte për orë të tëra, edhe në shtëpinë e tij. Lidhur me këtë, djali i tij i madh, Aristidhi kujton:”Babai punonte shumë në shtëpi me rolet e tija të Teatrit. Kështu më kujtohet aty nga mesi i viteve ‘60-të, ai ka punuar për afro katër vite për rolin e Otellos. Aq shumë ishte i dhënë pas atij roli, saqë edhe unë që isha i vogël, arrita t’i mësoja përmëndësh, pothuaj pjesën më të madhe të monologjeve të asaj drame. Po kështu edhe kur dilnim në xhiro në shëtitoren e Tiranës, ai shpesh përshpëriste me vete rolet e tija. Në çdo kohë ai e kishte mëndjen vetëm tek rolet”, kujton i biri, Aristidhi.

Në filmat e parë

Pas shumë roleve në dramat e pjesët e tjera që u vunë në skenën e Teatrit Popullor, me krijimin e Kinostudjos “Shqipëria e Re”, kur filluan që të realizoheshin filmat e parë shqiptarë, Sandër Prosi ishte një nga aktorët që u aktivizua me role kryesore në ato filma. Kështu Sandri, mori pjesë në filmin “Furtuna” që ishte një bashkëprodhim shqiptaro-rus, e më pas në filmin “Vitet e para” në rolin e një inxhinieri që punonte për tharjen e asaj kënete. Pas këtyre filmave me të cilat filloi kinematografia shqiptare, Sandër Prosi vazhdoi të interpretojë një galeri rolesh, ku ndër më kryesoret janë: oficer i Sigurimt të Shtetit te ”Detyrë e Posaçme”, italiani te ”Oshëtimë në Bregdet”, doktor Borova te “I teti në bronx”, Kapedani i bigës, te “Horizonte të hapura”, komunisti te “Debatiku”, babai i Zanës te “Plagë të vjetra”, si dhe role të tjera kryesore te “Mëngjeze Lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Udha e Shkronjave”, “Shtigje Lufte”, “Fije që priten”, “Përballimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i Dytë”, “Dora e ngrohtë” etj. Nga roli i drejtorit të shkollës te filmi “Debatik” që ishte roli i tij i parë në kinematografi, e deri tek ai i fundit te filmi ”Pranverë e Hidhur” në vitin 1985, që Sandri nuk arriti ta përfundojë, ai shënon 29 role nga më të arrirët të kinematografisë shqiptare, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar. Po kështu përveç këtyre, nga viti 1947 e deri në vitet e fundit të karrierrës së tij artistike, Sandër Prosi luajti edhe mbi 100 role në teatrin shqiptar.

Si jetoi Sandër Prosi?

Ndonëse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë krejt të thjeshtë. Ai së bashku me familjen e tij, nga bashkëshortja Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një guzhinë, te rruga e “Barrikadave”. Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh Sandër Prosi. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë. Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famëshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi. Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton: ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

Pasionet e Sandrit

Ashtu si gjithë njerëzit e tjerë dhe Sandër Prosi në jetë, kishte hobet e pasionet e tija. Lidhur me këtë, i biri Aristidhi, kujton:”Im atë që nga rinia e tij, kishte një pasion për zogjtë, gardelinat dhe kanerinat. Ai i mbante ato nëpër kafaze në shtëpi dhe kujdesej shumë për to. Një herë kur në teatër ju desh një kanarinë, ai mori një nga ato të shtëpisë dhe u bë shumë keq kur atë ia hëngri macja, ngaqë dikush nga kolegët e tij i kishte lënë derën e kafazit të hapur. Po kështu babai nuk i’u nda kurrë muzikës, pasionit të parë të tij. Ai mbante në shtëpi një numër të madh disqesh gramafoni me muzikë klasike dhe operistike, ku më shpesh kishte dëshirë të dëgjonte simfoninë pastorale të katërt të Bethovenit. Një pasion të madh kishte dhe për librat, ndonëse për vetë natyrën e punës së tij, nuk kishte shumë kohë të lexonte. Përsa i përket kinematografisë botërore, im atë kishte idhull, aktorin e madh francez Zhan Gaben, ndonëse nuk mbante foto të tija në shtëpi, për vetë rrethanat e asaj kohe. Sa herë kishte shfaqe, na merrte me vete e pas mbarrimit të saj, ne e prisnim aty përpara ish monumentit të Stalinit. Babai nuk e kishte kurrë për zakon që të shante njeri, e aq më pak kolegët e tij. Aktori i madh Sulejman Pitarka thonte shpesh: “Unë nuk kam lënë njeri në teatër pa bërë fjalë, por me të vetmin që nuk u fjalosa kurrë, ishte Sandër Prosi dhe kjo jo për meritën time”.

Vdekja aksidentale

Aktori i madh Sandër Prosi, vdiq krejt papritur në moshën 65 vjeçare, kur ishte në kulmin e energjive të tij krijuese. Ka qenë viti 1985 kur ai ishte caktuar që të lunate një rol tek filmi “Pranverë e hidhur”, të autorëve Luan Rama e Muharrem Fejzo. Skenat e xhirimit të atij filmi, ishin vendosur në ambientet e plazhit të Durrësit, në hotelet e të cilit ishte akomoduar dhe trupat e aktorëve. Paraditen e 24 marsit, teksa Sandri po dilte nxitimthi nga dhoma e tij e hotel “Adriatikut” ku po studionte skenarin, humbi jetën në mënyrë tragjike. Të nesërmen e asaj dite, në një nga sallat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pranë arkivolit me trupin e tij u bënë homazhe nga kolegët, miqtë, shokët dhe qindra banorë të Tiranës, të cilët e përcollën aktorin e madh për në banesën e tij të fundit. Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes së tij, aktori i madh Sandër Prosi, u dekorua nga Presidenti i Republikës, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në 24 shkurt të vitit 2017, ai u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes./Memorie.al

 

“Mezi pres të vij në këtë oborr, dua të vdes në skenë”- Nga Drita Pelingu tek Violeta Manushi, kur ikonat flisnin për Teatrin

Kryefjala e ditëve të fundit është bërë shembja e Teatrit. Të shumtë kanë qenë artistët, por jo vetëm që e kanë kundërshtuar prishjen e godinës. Megjithatë ka pasur edhe artistë të njohur të skenës që janë deklaruar pro prishjes së Teatrit, për të pasur një tjetër godinë më moderne dhe më komode për të gjithë.



Ndër emrat që spikatën në listën Pro ishin Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Luftar Paja dhe disa aktorë të cilën janë padyshim disa nga emrat më me peshë në kinematografinë shqiptare. Për të kujtuar edhe njëherë ikona që lanë gjurmë në historinë shqiptarë, ka menduar gazetarja Rezarta Reçi. Nëpërmjet një video ajo ka sjellë aktorë të famshëm, ku disa prej tyre nuk jetojnë më dhe ndjesitë që ata kanë pasur për skenën. Disa nga intervistat janë shkëputur në kohën që prishja e godinës nuk diskutohej, megjithatë ndër fjali kuptohet lidhja e tyre e fortë me atë ndërtesë.

“Dëshira ime e fundit dhe e them me zemër, është të vdes në skenë dhe të më përcjellin shokët e skenës”, dëgjohet të thotë aktorja e njohur Violeta Manushi. Në insert flet edhe Drita Pelingu, e cila shprehet “Të them të drejtën mezi pres të vi këtu në këtë oborr. Janë shumë kujtime, është një jetë e tërë që është kaluar në këtë mjedis”, thotë Pelingu. “Vijmë me kënaqësi, madje vijmë shumë përpara që regjisori të na gjejë atje”, është shprehur edhe Marika Kallamata.

 

https://www.facebook.com/rezarta.reci/videos/2947779438633705/?t=39

Michel Picooli … mik i dashur i shqiptarëve – homazh nga bajram sefaj

Michel Picooli, interpreton rolin e priftit në Gjenerali i…

Më 18 maj 2020, në moshën 94 vjeç,  ndërroi jetë (shkoi në jetën e andejshme, të amshueshme), aktori i njohur francez, Michel Piccoli.

Nuk është se nuk di shumë mbi jetën dhe veprën artistike të këtij aktori të shquar e më famë botërore (njohuri kurrë aq sa duhet!), por edhe me ato njohuri sado që modeste që janë, mbi këtë kolos, mbi këtë princ me fletë të artit të filmit, pa modesti e them!, do të sajoja një libër modest për të. Aq e gjerë e pasur është fusha e veprimtarisë së tij, në teatër në fillim, e pastaj në artin e kinemasë deri në fund të jetës. Por unë nuk do të hyj andej, “llugave” ose  në mal pa sakicë, siç predikon një ekspresion yni mençur të provoj të shpalos, i pashpresë, së do të sjell ndonjë të re, apo të panjohur, mbi jetën dhe veprën e këtij kolosi të kinemasë. Rroftë googla! Ja tek e kemi në dispozicion të përhershëm. Ajo i di të gjitha, për të gjithë,  e mbi një aktor ndër më të shquarit e këtij shekulli, sikur ishte  Michel Picooli.

Prandaj do të ndalem vetëm në një segment, fragment a episod të jetës së tij që, ndoshta opinioni i gjerë francez e botëror nuk e njeh fare, ose që, ndërkohë  duhet ta këtë harruar, e që nuk është kurrfarë mëkati, ndërkaq, në anën tjetër, nëse opinioni shqiptar e ka harrur apo ta ketë qitë pas shinë e në harresë, atë “detaj” , do të ishte mëkat i madh, gabim i pafalshëm kombëtar do të precizoja e nënvizoja.

A ju kujtohet (o, shqiptarë të mi!) muaji tetor i vitit 1990. Sigurisht se ju kujtohet.  Në mos për tjetër, për një ngjarje të llahtarshme që e tronditi opinionin jo vetëm evropian por dhe atë botëror, të “botës së letrave”, sidomos. Atë muaj të surmë, asaj vjeshte, të atij viti të lig, më i miri dhe më i shquari shkrimtar  shqiptar i të gjitha kohëve, zotni Ismail Kadare, pas shumë dilemash grirjes shpirtërore e netëve të pa gjumë, braktisi Mëmëdhënë e kërkoi azil (strehim) politik, në Francë, atje ku kanë gjetur strehën sigurisë dhe të rehatisë edhe shumë shkrimtarë të njohur nga të katër anët e botës, jo demokratike, totalitariste. Çfarë ishte edhe Shqipëria e atyre ditëve. Ne mos edhe më zi akoma…

Ku synoj të dal. Po, në atë çast kur shkrimtari ynë i njohur, Islmail Kadaré, po i përjetonte çastet me të vrugëta të jetës se tij, në qytetin e dritës” në Paris (çfarë paradoksi!),  i pari që iu gjend pranë, e përkrahu, e përmbajti, i dha zemër, e ndihmoi moralisht (e pse mos të thuhet, më zë të lartë madje!) dhe materialisht. Ku ishte Ismaili (fati i tij) aty ishte edhe Michel Picooli. Në tana paraqitjet e para publike të Ismailit në Paris e gjetiu në Francë, edhe atëherë kur do t’i ndahej ndonjë shpërblim letrarë, edhe atëherë kur duhej të shpallje kandidatura e tij për çmimin Nobel për letërsi e deri të “imtësitë e imta” jetësore, siç janë: ardhurat financiare mujore, banesa e të tjera. Në shenj solidariteti e miqësie. Michel Picooli, bashkë me Marcello Mastroianin, në filmin artistik “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ka luajtur rolin e Priftit e kështu më radhë. Këto punë më se miri i di Kadaré vetë. (Ah sikur ta kisha dëshminë tij, nuk do ta jepja për kushedi sa!).

Ikja e I. Kadarésë në Paris dhe dalja në skenë, bamirësie e mirëkuptimi, afër shkrimtarit tonë, gjithnjë në krahun e djathtë të tij, Michel Picooli-n e bë me të njohur dhe më të dashur në opinionin shqiptar, prandaj edhe këta (pak) rreshta të shkruar si për ngut, hyjnë në vargun mirënjohjes dhe respektin tonë për këtë mik, vigan të artit të kinemasë dhe të artit të miqësisë dhe të fisnikërisë njerëzore.

———————

Gaillard, 19.5.2020

Ndahet nga jeta në moshën 94-vjeçare aktori francez Michel Piccoli

Eshtë ndarë nga jeta në moshën 94-vjeçare aktori francez, Michel Piccoli.

Në jetën e tij Piccoli kishte punuar me regjisorët më të mëdhenj ndërkombëtarë nga Luis Bunuel deri në Claude Sautet, Marco Ferreri dhe Nanni Moretti.

“Michel Piccoli ndërroi jetë pranë bashkëshortes Ludivine dhe fëmijëve Inord dhe Missia’’, lexohet në një shënim nga familja dërguar Gilles Jacob, mikut të aktorit dhe ish-presidentit të Festivalit të Filmit në Kanë.

Monument i kinemasë franceze dhe europiane, Michel Piccoli është ka qenë protagonist i filmave të mbetur në histori si ”Disprezzo di Jean-Luc Godard” si dhe ”Habemus Papam” i Nanni Morettit.

Aktorja shqiptare Eliza Dushku diplomohet në moshën 39-vjeçare (Foto)

Askush nuk thotë se është e është gabim të mos kryesh studimet universitare brenda të njëzetave. Ky është shembulli tipik i aktores shqiptare me famë botërore, Eliza Dushku, e cilawshtw diplomuar ditw e fundit në moshën 39-vjeçare.

Aktorja e cila është edhe nënë e një vajze, mbaroi studimet për Psikologji në Boston, teksa temën e diplomës e mbrojti online nga shtëpia pwr shkak tw pandemisë globale tw koronavirusit.

Eliza publikoi në Instagram një shkrim të gjatë, ku falënderonte të gjithë njerëzit e përzemërt që e kishin mbështetur gjatë kësaj kohe, si dhe ka kujtuar momentet e bukura që ka kaluar me kolegët saj gjatë këtyre pesë viteve të kolegjit.

“Notat e sotme (përmes ZOOM-it): Dita e Diplomimit të Kolegjit tim!? Ju djema, unë sapo diplomova! Jam kaq e emocionuar. Kjo ka qenë një ëndërr (siç e dini shumë nga ju!) Për një kohë të gjatë. U transferova përsëri në Boston gati pesë vjet më parë me disa kredi nën rripin tim dhe një vendosmëri të ashpër për të përfunduar Bchaelorin tim. Gjatë rrugës takova dashurinë e jetës sime (Peter P!) i cili më ka rrënjosur pafund, me familjen time të bukur (përshëndes mamin, Aaron, Lenin, Benin, Naten, Amin! + netët e studimit me mbesën dhe nipërit e mi Kyle, Sof, dhe Joji, që ishin pikat kryesore) dhe miq (ka shumë për të përmendur, por unë ju shikoj ju) që keni besuar në mua, copëzën tonë të përsosur të vogël, Bourne, e cila ishte bashkë me mua në barkun tim për semestrat e fundit (klasa e terapisë së lëvizjes së vallëzimit për tetë muaj shtatzëni, me shokët e klasës që thonin ‘së shpejti do të bëhet nënë’, dhe me profesorët dhe mua duke qeshur), dhe unë nuk mund të harroj kafshët e mia Max dhe Tanner, të cilët rrinin ulur në prehrin tim deri vonë natën gjatë studimit dhe provave”, ka shkruar Eliza Dushku.

VIDEO – Pavlina Nika kujton kohët e vështira në muzikë (Intervista)

Histori me zhurmues – Pavlina Nika është artistja që njohu famën dhe lavdinë nëpërmjet Radio Tiranës, por fillimet e saj i kishte në qytetin e Korçës ku është shpallur edhe “Qytetare Nderi”. Ajo ka qenë e ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” me autor dhe drejtues Pandi Laçon ku rrëfeu karrierën e saj muzikore.

Pandi Laço: Fillimet tuaja janë me grupin “Lira” në Korçë?

Pavlina Nika: Fillimisht kam qenë në korin e Kishës së Korçës, në kishën e Shën Gjergjit.

Pandi Laço: Në vitin 1946?

Pavlina Nika: Po. Pastaj kalova në korin “Lira” që quhej kori i sindikatave në atë kohë. Aty më ka dëgjuar i ndjeri Gaqo Avrazi, i cili ka qenë “Artist i Popullit” dhe më ka marrë në Ansamblin e Ushtrisë. Në vitet ’50 kam filluar aty. Kam kënduar me Avni Mulën, Ibrahim Kukiçin, me të ndjerin Mentor Xhemali dhe shumë këngëtarë të mëdhenj. Në Korçë kam kënduar me Kristaq Antoniun, me zonjën Kraja dhe kam marrë mësime të mëdha prej tyre.

Pandi Laço: Cilat janë fillimet e muzikës së lehtë shqiptare?

Pavlina Nika: Fillimet e muzikës së lehtë janë me Agim Prodanin në estradën e shtetit.

Pandi Laço: Ishte krijuar një formacion orkestral?

Pavlina Nika: Po ishte një formacion i vogël i drejtuar nga Agim Prodani, ishte dhe vëllai i tij Medi Prodani, ishte Tonin Shala me kondrabas. Ishte një kualitet shumë i lezetshëm. Kishte shumë kërkesa Agimi. Kur regjistronim një këngë rrinim nga ora 4 pasdite e deri në mëngjes. Agimi kërkonte shumë në muzikën e tij.

Pandi Laço: Këto mund të konsiderohen si fillimet e muzikës së lehtë shqiptare?

Pavlina Nika: Po, po.

Pandi Laço: Ju këndonit shumë muzikë të huaj në atë kohë?

Pavlina Nika: Më vonë kam filluar muzikën e huaj, në estradën e shtetit, në vitin 1957-të.

Pandi Laço: Në atë kohë kërceheshin shumë tangot. Filluan të ishin në modë filmat spanjollë e argjentinas. Kërcehej tango dhe vals tek Vollga, në Dajt…

Pavlina Nika: Unë kam kënduar këngë arabe, indiane, çeke, bullgare, polake e kineze. Filmat latinë që vinin unë i shihja të gjithë për t’iu afruar interpretimeve origjinale.

Pandi Laço: Ashtu si formacioni i Agim Prodanit, ishin krijuar edhe grupe të vogla që luanin nëpër bare e restorante dhe njerëzit shkonin, ky ishte argëtimi?

Pavlina Nika: Po, ky ishte argëtimi. Ka qenë shumë i rezervuar aktiviteti se të merrnin e të çonin gjëkundi, o të hiqnin nëse bëje gabim në këngë, ose po të shprehje një fjalë dashurie. Mund të të pushonin edhe nga puna fare.

Pandi Laço: Ka patur raste të tilla?

Pavlina Nika: Po, po ka patur.

Pandi Laço: Kush i jepte orientimet lidhur me muzikën që bëhej në estradë?

Pavlina Nika: Vinin nga partia të gjitha. Kur kishte shfaqje premierë vinin këta të partisë dhe menjëherë na e hiqnin këngën. Bile do t’iu tregoj diçka. Më kujtohet një koncert recital i imi që kam dhënë, kisha këngën “Qielli i lumturisë” dhe më thanë ta heq atë këngë. U ngrit i ndjeri Çesk Zadeja dhe thotë: Si ta hiqni? Këto janë këngë që i këndon gjithë bota. Përse i hiqni?

Pandi Laço: Ndërkohë filmat kishin bërë bujë nëpër kinematë e Shqipërisë?

Pavlina Nika: Po nga filmat i mësoja unë. Ishte kohë e vështirë ajo atëherë të them të drejtën.

Pandi Laço: Ju keni patur një ndjeshmëri shumë të madhe ndaj muzikës latine.

Pavlina Nika: Po, po.

Më 15 maj 1931 lindi Pavlina Nikaj, pioniere e këngës së lehtë në Shqipëri

Pavlina Nikaj (1931–2011) ishte një këngëtare shqiptare.  Së bashku me Anita Take dhe Pjetër Gjergji, ajo konsiderohet pionierja e interpretimit të muzikës së lehtë në Shqipëri.

 

Pavlina Nikaj ka lindur në qytetin e Korçës, më 15 maj 1931. Për herë të parë ka kënduar në vitin 1945 në korin e sindikatave në Korçë, më vonë në Radio-Korça. Në vitin 1950 u caktua këngëtare profesioniste pranë Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1957 kaloi këngëtare profesioniste në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku këndoi afro 20 vjet. Me një zë altoje, të qartë, të purpurt, të fuqishëm dhe shumë emocional, filloi të interpretojë me shumë sukses këngë të lehta të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Po kështu, ajo ka në repertorin e saj shumë këngë korçare, patriotike, partizane etj. Në fillimet e punës së saj ka punuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore dhe, më pas, me krijimin e Estradës së Tiranës, ajo u inkuadrua pranë këtij teatri. Shumë kompozitorë filluan të shkruajnë këngë të reja me destinacion zërin e saj. Së bashku me Anita Taken, formuan duetin e papërsëritshëm “Nikaj-Take”. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, koncerte, festivale, spektakle, festa popullore etj. Me këngët dhe interpretimet e bëra, ajo ka merituar plotësisht simpatinë dhe duartrokitjet e publikut. Në repertorin e saj shënohen këngë, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, si: “Udhët e lumturisë”, “S’të harroj”, “Kënga ime të kushtohet ty”, “Një lule”, “Kujtim i shtrenjtë”, “Ç’po dremit liqeni i kaltër”, “Midis gushës ke një pikë”, “Autobusi”, “Kujtimet e studentit”, “Shtëpia e pushimit”, “La Paloma”, “Me duar të arta”, “Gaz zemra ime”, “Trëndafil mos u zemëro” etj.


Ajo është e njohur dhe me një aktivitet të gjerë në lëvrimin e këngës popullore vlonjate. Dalja e saj e fundit në skenë është recitali i vitit 1986 në Teatrin e Estradës së Tiranës, me regjisor Kosta Kamberin. Pavlina Nikaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, i argjendtë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2005 u nderua me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës.

 

 

Anulohet festivali i ‘Eurosong’, këngëtarët do të performojnë nga shtëpia në reskpekt të të prekurve nga kriza e COVID-19

TIRANE

Anulohet festivali i muzikës europiane”Eurovizion”.Ai do të zhvillohej në datat 12, 14 dhe 16 maj. Por këngëtarët për të nderuar të prekurit nga kriza e pandemisë së koronavirusit do të këndojnë nga vendet e tyre. Festivali nuk do të ketë as fitues dhe as votim për këngët

“Eurovision Song Contest 2020 qe duhej te zhvillohej ne dt. 12; 14 dhe 16 maj 2020 u anuluar për shkak te pandemisë se krijuar prej koronavirusit.

Shqipëria, që përfaqësohej nga këngëtarja Arilena Ara, fituese e Festivalit te 58 të Këngës ne RTSH, do te konkurronte në natën e dyte gjysmë finale, në datën 14 maj.

Pavarësisht anulimit, për të nderuar 41 artistet pjesëmarrës, me 16 maj, ora 21:00, do te mbahet “Eurovision: Europe Shine a Light”, një spektakël ndryshe, ku këngëtarët do të këndojnë nga vendet ku jetojnë. Ky spektakël do te mbahet edhe për të nderuar te prekurit nga kriza e Covid-19 dhe ata që po punojnë fort për ta luftuar atë. Te 41 artistet do të kendojnë të gjithë bashke në një performancë të veçante e te unifikuar ndonëse në distansë.

“Do mbahej në Roterdam. Nuk do ketë as fitues as votim. Mund të jetë prapë Roterdam por nuk është marrë vendim. Mbetet në vullnetet e shteteve dhe vendimet e tyre përcaktimi nëse vitin tjetër do jenë këta këngëtarë që ishin sivjet. Gjithsesi këngët e sivjetshme nuk mund të vlejnë për vitin tjetër. Përfaqësimi i vitit tjetër varet edhe se sa e mundshme do jetë sivjet të mbahen festivale në shtete të ndryshme për shkak të pandemisë”- kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Eurovizion, Kleart Duraj për News 24.

Prizren, shfaqet filmi “Ballkoni” i regjisores Lendita Zeqiraj

Prizren

Në Prizren të Kosovës në kuadër të projektit “DOKU N’BALLKON” është shfaqur filmi “Ballkoni” i regjisores kosovare Lendita Zeqiraj, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti është realizuar nga festivali “Dokufest” në bashkëpunim me komunën e Prizrenit.

“Shfaqja e filmit është pjesë e programit DOKU N’BALLKON, që ka për qëllim t’u përkujtojë qytetarëve të Prizrenit që në këtë kohë pandemie të kujdesen për shëndetin e tyre duke mbajtë distancën sociale.”, njoftoi Komuna e Prizrenit në faqen zyrtare të saj në rrjetet sociale.

Shumë banorë të Prizrenit shijuan shfaqjen e filmit në ballkonet dhe terrasat e tyre.

Në Kosovë deri më tani janë raportuar 862 raste pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), ndër të cilët 622 janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.