VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Këndi i humorit: Një xhuxh i thotë një gungaçi

By | November 25, 2017

Komentet

Këndi i humorit: Në fshatin e Nastradinit ishte një festë e madhe

Në fshatin e Nastradinit ishte një festë e madhe. Fqinjët e tij erdhën plot hare për ta marrë në festë.

-Nastradin Efendi, nesër është Dita e Gjyqit të Madh. Pse të mos shkojmë në piknik, të pjekim një qingj dhe të kemi një darkë të fundit të mbarë?

-Por qingji im është drita e syve të mi, – kundërshtoi ai. Nuk mund ta ther qingjin tim.

Fqinjët nuk hiqnin dorë aq lehtë nga qëllimi i tyre.

-Nastradin Efendi, është Dita e Gjyqit të Madh. Ne do të shkojmë në atë botë gjithsesi. E çfarë të keqje ka të hamë darkën e fundi?

Më në fund Nastradini u bind dhe ua dha qingjin e tij. Ata të gjithë së bashku shkuan drejt lumit për të festuar. Së pari e vunë qingjin në zjarr për ta pjekur. Pastaj i zhveshën rrobat e u hodhën në lum për t’u larë, në mënyrë që të kënaqen duke notuar, pastaj të kenë edhe oreks të mirë. Nastradini ua mori rrobat dhe ua hodhi në zjarr. Kur ata dolën nga lumi, qingji ishte pjekur për mrekulli dhe rrobat e tyre ishin djegur. Miqtë e Nastradinit u shokuan.

-E çfarë iu ndodhi rrobave tona?

-Ah, rrobat, – filloi Nastradini të shpjegojë qetësisht. I përdora për ta forcuar zjarrin. Përderisa nesër është Dita e Gjyqit të Madh ju nuk do t’i përdorni më.

Këndi i humorit: Nastradini kishte marrë para borxh nga një mik dhe nuk po ia kthente dot në kohë

Nastradini kishte marrë para borxh nga një mik dhe nuk po ia kthente dot në kohë. Një ditë, kur miku i tij erdhi prapë për t’ia kërkuar paratë, Nastradini i tha:

-Unë do t’i kthej paratë shumë shpejt.

-Po kur?-e pyeti burri.

-Më dëgjo mirë. Tani unë i kam mbjellë këto drizat para shtëpisë. Kur të vijë pranvera, këto driza do të bëhen të mëdha.

-Po!

-Delet do të vijnë pranë drizave, do të kruhen tek drizat dhe leshi i deleve do të mbetet nëpër degët e tyre.

-Ehë?

-Pastaj unë do ta mbledh leshin e deleve nga drizat, do ta bëj shtëllunga, do ta shes në pazar dhe do ta paguaj borxhin ty.

Miku i tij filloi të qeshë. Nastradini i tha:

-A e shikon? Tani ti i përfytyron paratë e thata në duart e tua dhe je i lumtur. A nuk është kështu?

Këndi i humorit: Një ditë Nastradini u ngjit në predikatore dhe, para se të fillojë predikimin, i pyeti besimtarët

Një ditë Nastradini u ngjit në predikatore dhe, para se të fillojë predikimin, i pyeti besimtarët:

-E dini për çfarë do të flasim sot?

-Jo, – iu përgjigjen ata njëzëri.

-Në qoftë se nuk e dini, atëherë pse të vazhdojmë, – tha Nastradini dhe doli nga xhamia.

Javën tjetër, ai prapë i pyeti besimtarët:

-E dini për çfarë do të flasim sot?

-Po, e dimë.

-Atëherë nuk kemi pse të vazhdojmë, – tha ai dhe doli nga xhamia.

Besimtarët e vendosën që herën tjetër gjysma e tyre t’i përgjigjen “po” e gjysma “jo”.

Kur Nastradini iu bëri të njëjtën pyetje, ata iu përgjigjen siç e kishin vendosur.

-Atëherë gjysma që e di t’ia tregojë gjysmës që nuk e di, – tha Nastradini dhe doli nga xhamia.

Këndi i humorit: Një ditë dimri, Nastradini mblodhi dru të thata në pyll dhe i ngarkoi në gomar

Një ditë dimri, Nastradini mblodhi dru të thata në pyll dhe i ngarkoi në gomar. Gjatë rrugës ai filloi të mendojë nëse drutë ishin apo jo mjaft të thata për t’u djegur. Ai vendosi t’i djegë disa prej tyre sa për provë. Përpara se ai të mendonte për pasojat, e gjithë barra e druve mori flakë. I shqetësuar nga zjarri, gomari filloi të vrapojë. Nastradini i thirri gomarit:

-Të isha në vendin tënd, do të hyja në liqen!

Këndi i humorit: Një nga biznesmenët më të mëdhenj të zonës e ftoi Nastradinin në shtëpi

Një nga biznesmenët më të mëdhenj të zonës e ftoi Nastradinin në shtëpi. Nastradini shkoi në shtëpinë e biznesmenit në ditën dhe orën e caktuar. Kur iu afrua shtëpisë, Nastradini e pa biznesmenin duke vështruar nga dritarja. I ra ziles dhe thirri:

– Kam ardhur me ftesën e zotit të shtëpisë.

Shërbyesi i shtëpisë hapi derën dhe i tha se i zoti i shtëpisë nuk është këtu.

Nastradini u zemërua, por e ruajti qetësinë.

– Atëherë bëji atij shumë të fala nga unë dhe thuaji që herën tjetër, kur të largohet nga shtëpia, të mos e harrojë kokën në dritare, – i tha Nastradini.

Këndi i humorit: E panë njerëzit Nastradinin të ulur buzë liqenit dhe duke hedhur kos në ujë

E panë njerëzit Nastradinin të ulur buzë liqenit dhe duke hedhur kos në ujë. E pyetën se çfarë po bënte.

– Jam duke hedhu tharmin që liqeni të bëhet kos, – u përgjigj Nastradini.

– Po është e pamundur ta shndërrosh liqenin në kos, – i thanë ata.

– E di që është e pamundur, por nëse është e mundur, ju çfarë do të thonit?

Këndi i humorit: Disa fëmijë të komshijve ia morën Nastradinit çallmën

Disa fëmijë të komshijve ia morën Nastradinit çallmën. Kur ai u përpoq t’ua merrte, ata filluan t’ia pasojnë njëri tjetrit. Nastradini e pa se nuk mund ta rikthente çallmën. Kështu që mori rrugën për në shtëpi… Gruaja, sa e pa, e pyeti:

-Nastradin, ku e ke çallmën?

-Asaj iu kujtua fëmijëria e vet. Kështu që tani çallma po luan me fëmijët,- iu përgjigj Nastradini.

Këndi i humorit: Një natë vonë Nastradini dhe një mik i tij po udhëtonin për në shtëpi

Një natë vonë Nastradini dhe një mik i tij po udhëtonin për në shtëpi. Ata panë disa vjedhës përpara derës së një dyqani. Njëri prej tyre po e thyente drynin për të hapur derën. Duke e kuptuar se nuk kishte çfarë t’iu bënte vjedhësve, Nastradini vendosi të bëjë sikur nuk i pa.

-Nastradin, çfarë po bëjnë këta burra kaq vonë tek dera e dyqanit? – e pyeti miku i tij.

-Njëri po i bie çiftelisë, ndërsa të tjerët po e dëgjojnë,- u përgjigj Nastradini.

Miku i tij e mori seriozisht dhe iu kthye Nastradinit:

-Po unë nuk po e dëgjoj çiftelinë, tha ai.

-Do të dëgjohet nesër në mëngjes, – tha Nastradini.

Këndi i humorit: Një ditë gruaja e Nastradinit gatoi një ëmbëlsirë shumë të shijshme

Një ditë gruaja e Nastradinit gatoi një ëmbëlsirë shumë të shijshme. Në darkë hëngrën pjesën më të madhe të ëmbëlsirës dhe lanë diçka për mëngjes.

Atë natë Nastradini nuk flinte dot. Dikur u zgjua dhe i thirri së shoqes:

-Zgjohu, zgjohu, unë kam diçka të rëndësishme për të thënë!

Ndërkohë që gruaja po përpiqej të hapte sytë dhe të zgjohej, Nastradini vrapoi në kuzhinë dhe u kthye me tepsinë e ëmbëlsirës në dhomën e gjumit:

-Le ta mbarojmë këtë ëmbëlsirë. Është më mirë ta kemi në stomakët tonë se në mendjet tona!

Këndi i humorit: Një natë me hënë Nastradini shkoi tek pusi për të marrë ujë

Një natë me hënë Nastradini shkoi tek pusi për të marrë ujë.

Kur uli kokën ai shikoi hënën të pasqyruar në ujë. “Duhet ta shpëtoj hënën,” i tha vetes. Dhe filloi me kovën e pusit të nxjerrë ujë nga pusi pa pushim.

Ndërsa vazhdonte punën, litari i kovës iu kap diku. Nastradini e tërhoqi me forcë, por duke e tërhequr, u përplas prapa me kurriz përtokë.

Ai u trondit shumë nga përplasja. Por, kur i kaluan dhimbjet, hapi sytë dhe pa në qiell hënën:

“Lavdi Zotit! Unë punova sa u dërmova, por hëna, më në fund, është atje ku duhet të jetë!”

Këndi i humorit: Nastradini shkoi në pazarin e zogjve

Nastradini shkoi në pazarin e zogjve. Ai pa një zog shumëngjyrësh që shitej për dymbëdhjetë monedha floriri.

Ai u bë tepër kureshtar dhe pyeti:

-Pse ky zog kushton kaq shumë?

-Ky është papagall dhe flet, – iu përgjigj shitësi.

Nastradini shkoi drejt e në shtëpi pa vonuar, e mori gjeldetin e tij dhe zbriti në pazar.

-Sa e shet këtë gjeldet? – e pyetën.

-Dhjetë monedha floriri.

Të gjithë u shokuan.

-Gjeldeti nuk mund të kushtojë aq shumë!

-Epo ai burri atje kërkon dymbëdhjetë monedha floriri për një papagall.

-Po, Nastradin, ai papagalli ka një dhunti. Ai flet. Po gjeldeti yt çfarë di të bëjë?

– Në qoftë se ai papagall flet, ky gjeldet mendon, -u përgjigj Nastradini.

Këndi i humorit: Nastradini me të shoqen kishin një jorgan fare të vogël

Nastradini me të shoqen kishin një jorgan fare të vogël. Në netët e ftohta ai e kishte bërë zakon që e mbështillte krejt jorganin rrotull vetes që të ishte ngrohtë.

Një natë me borë gruaja e Nastradinit kishte shumë ftohtë dhe nuk po vinte gjumë në sy. Ajo kollitej dhe kthehej sa në njërin krah në tjetrin, duke mos e lënë Nastradinin të flinte. Më në fund, Nastradini u ngrit, doli jashtë dhe e mbushi një thes me borë.

“Ja ku të solla një thes plot me borë,” i tha gruas. “Merre dhe bëj me të një jorgan apo çfarë të duash që të jesh sa më ngrohtë.”

“U çmende ti?” – ia ktheu ajo. “Nuk bëhet jorgan prej bore. Bora nuk ngroh askënd.”

“Natyrisht që ngroh,” – i tha Nastradini. “Po të mos ishte kështu, si është e mundur që të parët e tu prej mijëra vjetësh flenë rehat nën jorganin e borës?”