VOAL

VOAL

Kartolinё Rizeldёs Nga Romelda Bozhani

February 19, 2020

Komentet

Rreth librit “Fotoja që na shpëtoi jetën” të Maya C.Klinger Nga Elida Buçpapaj

 

Në ditët e para të këtij viti postieri na solli nga Florida një paketë me tre libra, dhuratë nga mikja jonë Anna Kohen, Lulja e Vlorës në shqip dhe anglisht si dhe The Photographer’s Son me autore Maya C. Klinger. Librin e Anës e kisha lexuar sapo doli në versionin E Book, një libër me kujtime që hedh dritë për Shqipërinë jo vetëm gjatë periudhës së Holokaustit, por edhe përpara e gjatë diktaturës, një vlerë e shtuar e librit.

Librin e Maya Cohen me titullin në hebraisht “Fotoja që na shpëtoi jetën” e lexova me një frymë. Duket një titull paradoksal, provokativ. E si është e mundur që një foto të shpëtojë jetën e një familje?! Po gjatë Holokaustit ka ndodhur!

Qëllimi i botimit të këtij libri nga Maya Klinger Cohen jo vetëm shkrimtare, por edhe eksperte e edukimit është të përcjellë tek brezi i ri historinë, të përçojë mesazhin për atë që ka ndodhur gjatë Holokaustit, për të mbrojtur kujtesën që tragjeditë të mos përsëriten, por edhe për të treguar se në një vend të vogēl si Shqipëria me shumicë myslimane, aty hebrejtë mbroheshin përmes Kodit të Nderit, Besës, si një kod gjenetik.

Libri i Maya Klinger Cohen ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në Izrael, fitoi çmimin Yad Vashem dhe ka hyrë në kurukulën shkollore. Libri është përkthyer edhe në shqip dhe po ashtu pritet së shpejti të dalë edhe botimi në gjuhën gjermane.

Gazetari Larry Luxner në një shkrim të tij botuar tek “The Times of Israel” shkruan se ” që kur Shqipëria doli nga hijet e një diktature mizore në fillim të viteve ’90, janë botuar dhjetra libra shkencorë, artikuj, filma dokumentarë, ekspozita fotografike mbi këtë temë dikur e paqartë”.

Është shumë e vërtetë se në Shqipërinë gjatë diktaturës komuniste tema e Holokasutit ishte tabu, e mbytur nga heshtja, jo vetëm se regjimi komunist shqiptar ishte antisionist, por edhe sepse disa emra të politikës sqiptare gjatë periudhës së Holokaustit, që u përfshinë në shpëtimin e hebrejve, diktatura i etiketoi si “tradhtarë” dhe “kuislingë” dhe si të tillë i burgosi, i vrau dhe i përndoqi. Prej këtyre personaliteteve disa u arratisën dhe jetuan në Perëndim si qytetarë të lirë, çka për hordhinë e historiografisë komuniste shërbyese e diktaturës, kjo ishte një provë më tepër për ta dënuar veprimtarinë e tyre si tradhtore. Të mos harrojmë se, gjatë diktaturës për regjimin komunist të Tiranës, SHBA dhe Perëndimi i vlerave ishte armiku i tyre i betuar.

Në Shqipëri për herë të parë temën e Holokaustit e hapi vetë diktatori i fundit Ramiz Alia gjatë vizitës në Tiranë të Kongresmenëve Tom Lantos, hebreo-amerikan dhe Joe DioGuardi amerikan me rrënjë arbëreshe në verën e vitit 1990. Ramiz Alia u dorëzoi dy Kongresmenëve një dosje plot me dokumenta, fotografi dhe fakte të cilat Lantos dhe DioGuardi i dërguan menjëherë në Yad Vashem të verifikoheshin.

***
Ndërkohë të parët ishin vetë hebrejtë e shpëtuar që kishin treguar për mikpritjen shqiptare . Njëri prej tyre ishte Gavra Mandil. Ai kishte paraqitur dokumentat në Yad Washem dhe Refik Veseli, që në vitin 1987, u shpall shqiptari i parë si “I drejti mes Kombeve”.

Janë po ashtu të paktën katër tituj librash si: Arratisja për në Shqipëri – Kujtimet e një vajze hebreje nga Hamburgu e Johanna Neumann; Flower of Vlora e Anna Kohen; Fotoja që na shpëtoi jetën e Maya C. Klinger dhe Izraelitët në Shqipëri e Jozef Jakoel që hedhin dritë në mikpritjen shqiptare gjatë Shoah. Librat e Anna Kohen dhe Jozef Jakoel tregojnë historinë e hebrejve autoktonë, pra si banorë të Shqipërisë përfshi periudhën e Holokaustit, para edhe pas tij, ndërsa librat e Johanna Neumann dhe Maya C. Klinger fokusohen gjatë Shoah. Botime të tilla janë të llojit të memuareve, libra biografike ose autobografikë. Për të pëmbushur amanetin e të mbijetuarit nga Shoah Elie Wiesel “Dëshmoni për të vdekurit dhe për të gjallët”.

Të katër librat janë thesare, sepse janë hebrejtë që i portretizojnë shqiptarët – hebrejtë që e përjetuan vetë rrezikun në vetën e parë bashkë me familjet e tyre, por që shpëtuan pikërisht falë bijve të shqipeve, ndërsa të afërm të tyre më së shumti u shfarosën nëpër dhomat e gazit dhe krematoriumet e kampeve të përqendrimit në Auschwitz, Majdanek, Treblinka etj.

Ndërsa fqinji agresor i quante “njerëz me bisht”, hebrejtë zbulonin se shqiptarët trashëgonin një Komandament që nuk e kishte as Bibla, as Kurani dhe as Teurati – Komandamentin e Besës, që i dallonte si shpëtimtarë, dhe atdheun e tyre si vendin e vetëm gjatë Holokaustit ku hebrejtë mbroheshin.

Maya Klinger është frymëzuar nga dëshmia e Gavra Mandil për Refik e Familjen Veseli. Librin e bëjnë të veçantë fotografitë shoqëruese si ilustrime dhe dëshmi dokumentare. Shkrimtarja hebreo-amerikane Maya C. Klinger fokusohet tek historia e Familjes Mandil dhe e kthen atë në libër. Historinë e tregon Gavra Mandil prej kur ishte 5 vjeçar.

“Fotoja që na shpëtoi jetën”, në dukje një libër i vogël, por me hapësirë e frymëmarrje të madhe, që, nga 119 faqet, mund të duket si një synopsis, por është një libër i madh, shkruar për fëmijë dhe moshat e reja, por në fakt është një libër për të gjitha moshat, që posa lexon rreshtin e parë nuk i shqitesh deri në rreshtin e fundit, pra e lexon me një frymë dhe, kur kur shkon tek faqja e fundit, të vjen keq që libri përfundoi, sepse si lexues ti zhytesh ne narracionin biografik dhe lumin e ngjarjeve që e tregon Gavra dhe bashkë me të kthehesh pas në kohën e tmerrit dhe përjeton gjithçka, frikën që kanë përjetuar fëmijët hebrej dhe prindërit e tyre.

Përjetimet traumatike fëmijëve u mbesin gjithë jetën, edhe përjetimet se i shpëtuan vdekjes. Ishte e vështirë për një fëmijë 5 vjeçar të kuptonte se SS gjermanë i urrenin ata dhe prindërit e tyre edhe pa i njohur, vetëm se ishin hebrej. E Gavra e kuptoi këtë çmenduri, e kuptoi në mënyrën e fëmijës, ndryshe nga Beba, motra e tij e vogël që ishte vetëm tre vjeçe pranverën e vitit 1941, kur Gjermania naziste bombardoi Beogradin dhe jeta e tyre normale si një familje mori fund.

Familja Mandili, e përbërë nga Moshe, Gabriela me dy fëmijët e tyre Gavra dhe Beba, jetonin në qytetin e bukur të Novi Sadit. Kishin apartamentin e tyre, një studio fotografike ku punonin burrë e grua. Ishin një familje e lumtur. Fotografia ishte një profesion i trashëguar brez pas brezi. Gjyshi i Gavrës kishte qenë fotograf i famshëm i Mbretit Alexandër I të Jugosllavisë.

Gavra e kujton pranverën e vitit 1941. Ata familjarisht kishin shkuar të vizitonin gjyshen dhe tezen në Beograd kur, papritur, Gjermania hitleriane nisi bombardimet dhe pushtimin. Frikën si një fëmijë 5 vjeç Gavra e pa për herë të parë në sytë e prindërve, gjyshes dhe tezes, kur e gjithë familja bashkë, ndërsa avionët bombardonin qytetin, u sul të fshihej në një strehim me plot familje të tjera. Gavra mendoi se ata duhej të ktheheshin në shtëpinë e tyre në Novi Sad, por kjo ishte tashmë e pamundur. Baba Moshen, SS gjermanë e detyruan të punonte si punëtor me yllin e verdhë të Davidit mbi rroba. Yllin e verdhë të Davidit detyroheshin ta mbanin të gjithë hebrejtë. Dhe erdhi një moment kur të gjithë hebrejve në Beograd iu caktua një datë për t’u mbledhur në një shesh të qytetit, duke u bërë i qartë fati që i priste. Atëhere Moshe dhe Gabriela, ndaj të cilëve Gavra është aq krenar, vendosën të reagojnë, vendosën të bëjnë gjithçka që t’iu shpëtojnë jetët e fëmijëve të tyre. Në një udhëtim krejt të panjohur ku nuk i priste askush veç rreziku.

Maya C. Klinger si një pedagoge e mirënjohur, kërkuese shkencore në fushën e edukimit dhe një edukatore e shkëlqyer e brezit të ri, gjatë një interviste tek Zëri i Amerikës, menjëherë pas botimit në anglisht të librit me titullin e ndryshuar “Fotoja që na shpëtoi jetën”, nënvizon: “Nëse duam që fëmijët tanë të mësojnë mbi tema që janë të ndërlikuara, të frikshme dhe jo shumë tërheqëse, siç është Lufta e Dytë Botërore dhe Holokausti, duhet t’i ekspozojmë ata ndaj këtyre temave gradualisht, në mënyrë që të mos frikësohen e të hulumtojnë mbi këtë temë më vonë gjatë jetës. Nuk mund t’i mbrojmë fëmijët tanë duke mos i informuar rreth asaj që ka ndodhur në të kalurën. Ata duhet të dinë se si ishte jeta në të vërtetë. Ata duhet të mësojnë se edhe në kohët më të errëta, njerëzit ndihmojnë njerëzit”, thotë ajo.

Maya C.Klinger ka shumë të drejtë dhe unë nuk kam si të mos shoh faqen e errët të diktaturës shqiptare e kaluar e gjitha në amnezi kolektive. Rinia shqiptare nuk di asgjë se çfarë ishte diktatura hoxhiste për popullin, nuk di asgjë për krimet e kryera, pra rinia shqiptare është pa kujtesë. Ajo nuk e di se moshatarë të tyre në kohën e diktaturës i dërgonin nëpër internime, nuk i lejonin të studionin, se jeta e tyre ishte një ferr i vërtetë. Rinia shqiptare nuk di asgjë as për terrorin e kuq komunist që është po aq kriminel dhe i dënueshëm sikur nazizmi hitlerian. Rinia shqiptare nuk e di as se gjatë Holokaustit gjyshërit e stërgjyshët e tyre i kanë ndihmuar hebrejtë, ua kanë shpëtuar jetën, falë besës, falë mikpritjes, trashëgimisë së tyre shpirtërore që u kishte mbijetuar luftrave, perandorive, por që sot në mileniumin e tretë duket sikur është zhdukur, sepse as kultivohet, as edukohet, as ruhet e mbrohet.

Gjatë diktaturës miku dhe besa u tradhtuan. Miku spiunonte mikun, spiunonte të afërmin për arsye ideologjike apo prej frikës. Diktatura komuniste në Shqipëri krijoi “njeriun e ri”, që duhej t’i ishte besnik vetëm partisë. Ky “njeri i ri” ishte krejt i ndryshëm dhe në metamorfozë të plotë me ata shqiptare për të cilët kanë dëshmuar hebrejtë e shpëtuar. “Njeriu i ri” do të shpallte armik çdo armik të partisë komuniste, përfshi edhe fëmijët e armiqve.

***

Shoah ndodhi për pasojë të humbjes së ndërgjegjes së Perëndimit dhe mori jetën e 6 milionë hebrejve, nga këta 1.5 milionë ishin fëmijë hebrej. Çdo jetë e tyre meriton një libër, një film, të gjithë ne duhet të përjetojmë çka përjetuan ata fëmijë të ndarë me dhunë nga duart e prindërve dhe pastaj dërguar nëpër dhomat e gazit!

Shkrimtarja Maya C. Klinger ka zgjedhur një histori plot sfida dhe vështirësi, por ku jeta ka triumfuar mbi vdekjen, ku humanizmi njerëzor ka triumfuar mbi indiferencën ndaj së keqes. Ky akt trimërie në ditët më të zeza të Europës dhe Perëndimit ka ndodhur në një vend të vogël në zemër të Europës falë institucionit të shenjtë të Mikut, të cilin shqiptari do ta mbronte edhe sikur të rrezikonte jetën e vet e të familjes. Ky vend është Shqipëria, të cilën shkrimtarja Maya Klinger nuk e ka vizituar ende, por që, teksa lexon librin, duket sikur ka jetuar aty.

***

Disa kohë më parë kisha lexuar librin autobiografik të shkrimtares Judith Kerr “When Hitler stole pink rabbit”, – “Kur Hitleri vodhi lepurushin prej pelushi rozë “, që tregon largimin nga Berlini të familjes Kerr në vitin 1933, pasi i jati i Judith ishte një shkrimtar që i ishte kundërvënë nazizmit dhe Hitleri e kishte futur menjëherë në shenjestër për ta zhdukur. Judith, që në libër mban emrin Ana, ishte 9 vjeç, dhe ndërsa bashkë me vëllain dhe të jëmën po përgatisin plaçkat për t’u larguar sa më parë nga Berlini, ajo kërkon të marrë me vete lodrat e saj, por është e detyruar të zgjedhë dhe në shtëpi lë, si një pjesë e shpirtit të saj prej fëmije, lepurushin rozë prej pelushi. Judith Kerr shkruan se lepurushin rozë prej pelushi e vodhi Hitleri, pasi Hitleri ua vodhi fëmijërinë gjithë fëmijëve hebrej. Ngjarjet në romanin e Kerr zhvillohen midis viteve 1933 deri më 1936, ndërsa historia e familjes Mandili zhvillohet në kulmin e Holokaustit dhe deportimeve, fillon në pranverën e vitit 1941 dhe mbaron me përfundimin e luftës, por jo lidhjet e familjes Mandili me mikpritësit.

Gabra Mandil nuk do ta harronte kurrë udhëtimin me tren nga Beogradi deri në ndalesën e parë në burgun e Prishtinës, që administrohej nga forcat italiane dhe fjalët që, gjatë rrugës me tren, do t’i thoshte babai se “italianët nuk janë si gjermanët” se “janë më të mirë”. Moshe do të zgjidhte fjalët për të mos trembur Gavrën 5 vjeçar që papritur ishte rritur e bërë burrë dhe që, netëve kur prindërit e çonin për të fjetur, ai ngrihej në majë të gishtave dhe përgjonte se çfarë do të flisnin të mëdhenjtë.

Maya C. Klinger e ka zgjedhur këtë histori të familjes Mandili, që i shpëtoi për një fije Auschwitz-it e përfundoi me një happy end, për të treguar se, nëse do të reagohej menjëherë kundër Hitlerit edhe nazizmit, do të ishte mundur të ndalej kasaphana. Familja Mandili ndryshoi emrat dhe falë dokumentave fallco i hypi trenit në stacionin e Baogradit në udhëtimin e shpëtimit, por që, në çdo çast, rrezikonte të ndryshonte drejtim.

Mos të harrojmë se stacionet e trenave të qyteteve kryesore europiane ishin kthyer në vendet e tmerrit, ku ngarkoheshin qëniet njerëzore sikur të ishin bagëti për t’u therrur. Kam parasysh binarin 21 në stacionin qendror të Milanos tani të kthyer në Muzeum të Holokaustit falë kujdesit të Senatores për jetë Liliana Segre, e cila paçka se 93 vjeçe, me një mendje të kthjellët dhe të bukur si të një vajze të re, nuk pushon së treguar lemerinë e Binarit 21. Në muret e këtij muzeumi është shkruar fjala INDIFERENCË, sepse e gjithë tragjedia me emrin Holokast ndodhi prej indiferencës. Liliana Segre është një e mbijetuar e Holokaustit. Të jatin, të gjyshin e gjyshen i përpinë furrat e Auschwitzit, ndërsa Liliana u rikthye në Milano 14 vjeçare.

Edhe Gavrës 5 vjeçar do t’i mbesë gjithë jetën në kujtesë stacioni i trenit i Beogradit, kur zemrat e të katërve dridheshin nga frika, por në momentin final, Moshes, Zoti i dha në dorë një fotografi ku Gavra dhe Beba pozonin pranë një pemë Krishtlindje, foto që e ekspozonin në dyqanin e tyre për të ftuar klientë. “Ja, i tha Moshe oficerit gjerman, shikoje këtë pemë Krishtlindje ku kanë dalë fëmijët e mi që tregon se ne jemi të krishterë dhe jo hebrej”. Duhej që të ishe i krishterë në breza që të quheshe berlinez, hamburgas, jugosllav, pa marrë parasysh se në ato qytete kishin jetuar të parët, gjyshërit, stërgjyshërit dhe me punë e nder kishin ngritur pasurinë e kishin ndërtuar jetën. Maya Klinger e përcjell me një vërtetësi drithëruese frikën, të kesh frikë të jesh hebre dhe çdo lexues bëhet udhëtar dhe hebre në atë tren të frikës ku jeta dhe vdekja ecin dorë për dore.

***

Udhëtimi me tren ndalet në Prishtinë. Të gjitha familjet e hebrejve mbyllen në një ndërtesë si burg që administrohej nga italianët. Dhe këtu do të qendronin një vit rresht deri sa italianët do t’i orientonin të niseshin drejt një vendi të panjohur me emrin Shqipëri. Një tjetër familje hebreje nga Hamburgu, ajo e Johanna Neumann u përpoq të merrte vizë drejt SHBA, menjëherë pas Natës së Kristaleve nëntorin e 1938, por pa sukses. Vizë morën nga Konsullata e Mbretërisë Shqiptare dhe arrijnë në Durrës. Mbreti Zog me rastin e lindjes së djalit më 4 prill do t’ju jepte shtetësinë shqiptare gjithë hebrejve që kishin mbërritur në Shqipëri, por kjo u bë e pamundur, se Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.

Mikpritja shqiptare ishte produkt i humanizmit, trashëgimisë shpirtërore të Kodit së Besës, një Komandament unik shqiptar, i tolerancës fetare, por natyrisht edhe organizim i shtetit shqiptar të asaj kohe. Sepse lind pyetja, e përse nuk u treguan humanistë shqiptarët gjatë diktaturës komuniste me fëmijët dhe familjarët e armiqve të partisë, por përkundrazi.

Diktatura komuniste i rrënoi dhe shfarosi tiparet kombëtare të shqiptarëve, ndaloi me ligj besimin fetar dhe shumicën e përfaqësueseve të fesës i konsideroi tradhtarë, i burgosi, i torturoi dhe i eleminoi. Po ashtu, është një manipulum i pastër pretendimi se me shpëtimin e hebrejve janë marrë edhe Këshillat Nacional Çlirimtare, kur dihet sipas dokumentave historikë se KNÇ, e themeluar pas Kongresit të Përmetit në maj 1944, ishte e organizuar vetëm në jug të Shqipërisë, në disa fshatra të Skraparit e Vlorës ku nuk kishte hebrej, ndërsa strehimi i hebrejve në Shqipëri kishte nisur prej vitit 1938. Prandaj është shumë e rëndësishme që institucionet e verifikimit në Izrael pranë Yad Washemit janë shumë të kujdesshme në hulumtimet e fakteve gjithmonë në të mirë dhe respekt të së vërtetës.

***

Libri vazhdon me rrugëtimin e familjes Mandili nga Prishtina bashkë me familjet e tjera hebreje, mbi disa kamionë të vjetër e të pambuluar drejt Shqipërisë. Fillimisht familja Mandili vendoset në Kavajë, ku gjetën mikpritje të plotë nga familjet shqiptare. Jeta e tyre rifilloi, vetëm se ndryshuan emrat, tashmë Gavra quhej Ibrahim. Ai filloi të ndjekë shkollën, prindërit të ushtronin profesionin e tyre. Por kjo qetësi zgjati deri kur kapitulloi Italia fashiste dhe gjermanët pushtuan Shqipërinë. Familja Mandil la Kavajën për në Tiranë. Në qendër të Tiranës shohin një studio fotografike me emrin Foto Lux dhe kur hynë brenda, sipas proverbit mali me malin nuk takohen por njeriu me njeriun po, panë se i zoti i studios ishte një mik i vjetër të gjyshit i cili i ftoi të banonin në shtëpinë e tij të bukur dhe Moshes i ofroi punë në studio si fotograf. Aty u takuan edhe me një djalë 17 vjeçar me emrin Refik Veseli, që praktikohej të mësonte zanatin. Por një ditë, ndërsa ishin duke punuar në studio, ia behën gjermanët. Në kërkim të hebrejve. Moshe u fsheh nën bezen e zezë që mbulon aparatin fotografik. Ishte e pamundur të jetohej në Tiranë. Atëherë djaloshi 17 vjeçar, Refiku, pasi i kishte pyetur prindërit e tij, e fton familjen Mandil që të shkonin e jetonin pranë familjes së tij në qytezën e Krujës. Por as udhëtimi me gomar natën për në Krujë dhe as strehimi dhe qendrimi në familjen Veseli nuk do të ishte i lehtë. Do t’i shpëtonin për një qime disa herë rrezikut, si gjatë rrugës ashtu edhe kontrolleve naziste në shtëpinë e familjes Veseli, e cila natyrisht edhe ajo do ta paguante shumë shtrenjtë nëse familja Mandil do të zbulohej.

Shkrimtarja Maya Klinger i përshkruan me emocion të fortë përjetimin e familjes Mandili prej mikritjes nga familja e Refikut në kulmin e raprezaljeve naziste. Atëherë Refiku i tregon Moshes dhe Gabrielës për “Besën”. Është “Besa” u shpjegoi ai, si një Komandament, që nuk e kanë as të krishterët, as myslimanët, as hebrejtë vetë, që e kanë vetëm shqiptarët që do të thotë se çdo shqiptar e mbron mikun, me të gjitha mundësitë, edhe duke rrezikuar jetën e vet. Refiku u tregoi prindërve të Gavrës se çdo shqiptar e njeh këtë “rregull moral” dhe e respekton deri në fund.

Do të më duhet të ndërhyj edhe një herë e të nënvizoj se diktatura komuniste në Shqipëri i zhduku rregullat morale me moshë mijravjeçare të shqiptarëve dhe i shtyu shqiptarët të bëheshin armiq me njëri tjetrin. Deri sot në Shqipëri nuk ka as katharsis, as kërkesë faljeje, as kujtesë, ndërsa “Fotoja që na shpëtoi jetën” e kthen në monument jo vetëm Besën, por hap një faqe të harruar e të humbur të kujtesës së vetë shqiptarëve, atë të vlerave të identitetit të tyre kombëtar, që i bën të ndihen krenarë në faqen më tragjike të Europës, e cila, në saj të indiferencës, lejoi Holokaustin.

Në librat e shkruar nga hebrejtë rreth mikpritjes në Shqipëri gjatë Holokaustit, krahas Besës shqiptare dallohet Mirënjohja hebreje, si dy anët e peshores në një harmoni të plotë.

Libri i Maya C. Klinger “Fotoja që na shpëtoi jetën” është histori dokumentare biografike e shkruar si një vepër letrare, duke krijuar vlerë edhe si kujtesë, edhe si krijim artistik. Shkruar me mjeshtëri, me dashuri, me art, me dhimbje ndërsa Europa është sulmuar rishtas më 24 shkurt 2022 dhe po ashtu edhe Izraeli më 7 tetor 2023!

A nuk kemi nxjerrë ende mësime nga indiferenca?!

Kur shkruajmë… – Skicë nga RUDINA LOHJA KURTI

“Ecrire, c’est aussi ne pas parler. C’est se taire. C’est hurler sans bruit.”( Duras)
Fotoja është e manipuluar…
Më poshtë vijon zbërthimi im që i kam bërë thënies së Duras…
Kur shkruajmë nuk flasim ,por kemi mundësi të heshtim….të mos lodhemi duke lëshuar zë.Të mos rrudhosemi duke çvendosur lëkurën sipas tingujve në artikulim ose zërit të sforcuar që na lëndon.
Kur shkruajmë flasim me veten,flasim me secilin që kemi krijuar në laboratorin e mendjes…dhe dimë vetë nga ta çojmë historinë…
Kur shkruajmë….matemi dhe ndrrojmë dhjetëra herë fjalitë që të mos bien rëndë tek tjetri dhe ne të ngjajmë sa më të qetë dhe pse fortuna është zhytur në brendësi të vetes.
Kur shkruajmë flasim e bërtasim pa shqetësuar njeri…
Kur shkruajmë e dimë mirë,se nuk na dëgjon askush,nuk presim reagimin e tjetrit,nuk jemi të detyruar të largohemi të mërzitur e të na rrijë mendja gjithë ditën se çfarë biseduam ndoshta pak me tone të larta.
Kur shkruajmë kemi mundësi të vendosim muzikë të qetë në sfond dhe të përpunojmë vrullin e nervave që një bisedë të çon në ndarje.
Kur shkruajmë flasim e bërtasim pa shqetësuar njeri…
Prandaj ndoshta preferoj të shkruaj më shumë dhe të mos shqetësoj njeri me nervin tim.
Kur shkruaj….rlk

Titanizmi tek Eminesku – shenjë e frymës evropiane së romantizmit të tij- Nga Klara Kodra

 

Romantizmi qe një Prote me shumë fytyra që pati fytyrën e vet të veçantë në të gjitha kombet në të cilët u shfaq aq sa ndofta mund të flasim siç thonë disa studiues më tepër për “romantizma” se sa për një romantizëm të vetëm.

Romantizmi i vendeve ballkanike ndryshoi së tepërmi nga romantizmi në vendet perëndimore, të cilët nga ana e tyre ndryshonin së tepërmi nga njeri tjetri (romantizmi gjerman ishte i ndryshëm nga romantizmi anglez dhe nga ai francez, këta të fundit ishin shumë të ndryshëm nga romantizmi italian).

Romantizmi në vendet ballkanike nuk u ngjit në ato maja dhe nuk ra në ato gremina që njohu romantizmi i vendeve perëndimore, megjithatë ndonjë poet i veçantë i shquar hodhi me poezinë e vet një urë drejt Perëndimit.

Romantizmi rumun qe tepër i veçantë, sui generis aq sa pati studiues që ia mohuan ekzistencën. Në fakt te “Encyclopedia universalis” mohohej që Rumania të kishte marrë pjesë, qoftë në “revolucionin romantik”, qoftë në klasicizëm dhe pohohej se letërsia rumune i pranonte të gjitha ndikimet perëndimore duke ia përshtatur kushteve të veta[1].

Në këtë mënyrë mohohej ekzistenca e një romantizmi autokton rumun dhe pranoheshin vetëm ndikime të romantizmave të tjera europiane.

Për mendimin tonë, përkundrazi, ka ekzistuar një romantizëm rumun që, ngjashëm me romantizmin shqiptar, jetoi më tepër si praktikë krijuese pa pasur bazën filozofike dhe estetike të romantizmave “tipike” të Evropës Qendrore, një praktikë krijuese që kishte megjithatë tiparet themelore të lëvizjes romantike dhe pati rrënjët në tokën e vet, pra, nuk qe një drejtim “i importuar”.

Romantizmi rumun, i lindur në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, u bë në fillim pasqyrë e lëvizjes kombëtare për çlirim, siç ndodhi edhe me romantizmin bullgar dhe me romantizmin shqiptar, më vonë mori një ngjyresë sociale, duke shprehur aspiratat shoqërore të popullit që e nxori në dritë dhe ishte i shtypur. Ky romantizëm, para se të thithte parimet estetike të romantizmit europian, asimiloi estetikën e folklorit të vet që kishte arritur një nivel të lartë artistik dhe u quajt madje prej ndonjë studiuesi si “fazë klasike të letërsisë rumune”, emërtim ky disi paradoksal.

Nga ana tjetër, romantizmi rumun shprehu psikologjinë e veçantë dhe të papërsëritshme të popullit të vet, siç e njohim nga karakterizimi i studiuesve të atij vendi dhe në mënyrë të veçantë të studiuesit Athanas Joja që e karakterizon në mënyrë sintetike, mbizotërimin e arsyes tek ky popull, një ndjenjë të fuqishme të natyrës, mallin karakteristik (dor-i), humorin dhe gjallërinë, ndjenjën kombëtare të thellë, po të matur, të shoqëruar nga një frymë e ndieshme tolerance, një fuqi e theksuar thithëse, një ndjenjë mase, refuzimin e misticizmit.

Janë këto tipare që shprehin një origjinalitet të thellë dhe një ekuilibër të çuditshëm, larg nga skajshmëritë e romantizmave tipike europiane.

Në poezinë e Emineskut, i quajtur nga shumica e rumunëve si poet kombëtar, dhe në thelb autor romantik, shkrihen tërë këto tipare, po shfaqen edhe tipare që e afrojnë me romantizmat e Perëndimit, si titanizmi dhe “etja për pafundësi”.

Këto tipare mishërohen në shkallë të lartë në poemën “Lucifer” (Ylli i dritës) ku shfaqet heroi tipik romantik, titani që ngrihet mbi mjedisin dhe ndeshet me të. Ky hero simbolizohet me Yllin e dritës (“Lucifer” dhe “Yll” në përkthimin shqip).

Ai rrezaton dritë dhe është i pavdekshëm, përtej pasioneve. Këto janë pikërisht tipare të gjeniut krijues dhe Ylli simbolizon në fakt gjeniun, poetin që rrezaton dritë përmes veprave dhe arrin pavdekësinë nëpërmjet tyre.

Në këtë figurë Eminesku projekton vetveten, i vetëdijshëm, siç është për nivelin e lartë të poezisë së tij. Këtë figurë e kanë krahasuar me “Demonin” e Lermontovit; mund ta krahasojmë edhe me Manfredin ose me Kainin e Bajronit ose me heronjtë stoikë të Alfred de Vinjisë.

Çuditërisht kjo poemë që e afron Emineskun me romantizmin europian, ka në bazë të vet një motiv nga folklori rumun, dashurinë e një ylli me një vajzë, një bijë njeriu.

Eminesku e përdor këtë motiv fantastik për të nënvizuar greminën që i ndan dy të dashuruarit: heroin, “yllin”, krijesë që ka në vetvete “etjen për pafundësi” dhe vajzën e re, të bukur fizikisht, po me horizont të ngushtë, të cilin s’e kompenson as me ndonjë bukuri shpirtërore, me një “mençuri të zemrës”, a thellësi të ndjenjës (të dashurisë në formën e Erosit dhe “agapes”), siç ndodhte përkundrazi me Margaritën e Gëtes.

Figura e vajzës është vizatuar sipas modelit romantik të “gruas fatale” (edhe kjo një figurë e romantizmit tipik evropian) po ajo ka edhe një tipar që e lidh me realitetin, egoizmin karakteristik të klasave të larta (është bijë mbreti).

Midis këtyre dy qenieve lind dashuria, një dashuri pasion, po nga ana e vajzës kjo dashuri është një trill njeriu egoist që është mësuar t’i plotësohen të gjitha dëshirat, ajo kërkon që i dashuri të flijohet për të, s’është gati të flijohet vetë. Kurse “Yllit” kjo dashuri – e thellë dhe pa kufi – i frymëzon sakrificën më sublime, do të flijojë pavdekësinë e vet për hir të së dashurës.

Po vajza nuk arrin t’ia shpërblejë këtë dashuri, as me besnikëri. Besnikëria e saj është jetëshkurtër si dashuria e saj. Fati i heroit ndjek një kurbë të lakuar: në fillim ai ndodhet përtej pasioneve, kështu që kur i shfaqet vajzës, i ngjan si një i vdekur i gjallë

(… shkëlqen pa jetë/ e gjallë jam, ti jetë s’ke/ ndaj akull më ke mbetë)

(Mihai Eminesku, Vjersha dhe poema të zgjedhura, Tiranë, 1983).

Mandej ai ndizet nga pasioni, po vajza nuk arrin t’i bëjë ballë këtij pasioni (shikimi yt si zjarr më djeg/ nga ata sy të ballit).

Më vonë ai arrin në sakrificën sublime (Pavdekësinë më kërkon/ që të të puth një herë?/ Ja, ardhja ime të dëshmon / sa fort për ty jam bjerrë! / … kam lidhur me amshimin fat/ por dorë kam për të hequr.

Dhe ndeshet me Perëndinë dhe i kërkon të rilindë si i vdekshëm, po Perëndia ia bën të qartë pamundësinë e realizimit të kësaj dëshire dhe përfundon me pyetjen kuptimplote dhe të hidhur:

“Për kë do vdisje sot madje?” dhe vjen zhgënjimi i madh: Ylli e sheh të dashurën në krahët e një tjetri; ajo ka guximin (a paturpësinë) ta thërresë përsëri, ai i kthen përgjigjen e hidhur “O idhull balte, kot pse pret/ t’vij unë apo të tjerë?/ Në rreth të ngushtë rroni tok/ Një short ju josh i ngrohtë/ teksa në botën që unë rrok/ jam i pamort e i ftohtë”.

Ylli bëhet përsëri i ftohtë si në fillim, po tani ai ngrihet mbi pasionet, se i ka provuar dhe është zhgënjyer. Si Moisiu i de Vinjisë ai përjeton vetminë e gjeniut.

Luciferi i Emineskut është një figurë vigane nëpërmjet së cilës mishërohet titanizmi tipik i romantizmit evropian dhe shpreh frymëmarrjen evropiane të poezisë romantike të Emineskut.


[1]  Encyclopedia universalis, v.5, Paris 1989, f. 195.

NË… – Poezi nga Përparim Hysi

 

Në jeta më”rrahu” me shpullë,
Fajin ma ka patur pak,koka.
Kur kurrizin nuk e bëra urë
Ta bëja si “disa” nga bota.

Kam qenë “element kryengritës”
Dhe kurrë derrit nuk i thashë dajë
Ndaj nuk m’u ndanë kamzhikët
Dhe në jetë s’e kam patur kollaj.

Keq isha unë nga biografia
Dhe duhet ta kafshoja gjuhën
Por bëja sikur “nuk e dija”
Telashe të mëdha m’u sulën.

Sado që telashe m’u sulën,
Unë gojën kurrë nuk e mbylla
Kokën asnjëherë nuk ma ulën
Dhe në jetë pata veç dimra.

Këta dimra me ngricë e me borë
Më thinjën mua parakohe
Veten nuk e heq si theror
Për njerëzit,kurrë nuk qeshë”jashtë loje”.

Kam qenë”lojtar titullar”
Përherë kam qenë në”formacion”
Dhe mbeta gjithë jetës ushtar
I tillë do vdes:në pozicion!

Hiç pa m’u dridhur qerpiku,
Se ja “disa” bënë karrierë
Në mua nuk m’u nda kamzhiku
Nuk jam penduar asnjëherë.

Tiranë,14 mars 2024

ARA- Tregim nga TAHIR BEZHANI

 

Ajo pranverë nuk harrohet kurrë. Nuk pushuan të reshurat e shiut përafër tri javë. Pemët kishin luluar. Nga shiu me të ftohtit e pranverës, ato binin për toke. Arat ishin mbushur me bar, ngjanin në livadhe. Ishte koha për fillimmbjellje,po afrohej maji. Bujqit ishin të gatshëm të përvilnin mëngët për punët në ara. Ishin të nervozuar në motin e keq, të stërzgjatur për stinën. Shpesh e pyesin njëri tjetrin se “a din kush, edhe sa do zgjatë kjo kohë e ligë?!” Përgjigjet mungonin.
Befas, në fillim të majit, qielli po shpaloste bukurinë e vet ngadalë. Kaltërsia mbuloi gjithësinë. Retë e zeza iknin si hajdute , kishin marë rrugën atyre shpateve të larta si në pakthim, ndërsa natyra filloi buzëqeshjen me bukurinë e paparë dhe buzëqeshjen e lulëzuar. Fushave bleroshe dëgjohej këndshëm blegërima e qengjave dhe loja e pambarim e fëmijëve të fshatit Qëndresë, i cili gjendej i “ngulitur” në një kodër mali, si lapidar. Përmes fushës pjellore rrugëtonte dredhueshëm lumi Erenik, i cili buronte nga lartësitë e Alpeve tona.Tani të nxehtit e pranverës kishte krijuar kushtet e nevojshme për bujqit e fshatit Qëndresë e jo vetëm. Gjysma e fshatit kishte mbaruar të mbjellurat e pranverës, kishin hedhur farën e bukës nën lavrat e tokës.Mbrapa me punë kishin mbetur disa familje të rralla të cilët nuk kishin krahë dhe vegla pune.


Hasan Malaj, dukej shumë i mërzitur. Sillej rrugëve të fshatit pa asnjë ide përcaktuese. Dukej hapur se e kishte kapluar mërzia, një nervozë e papërshkruar. Dilte edhe në fushë, te arat, shikonte njerëzit duke punuar dhe ikte, si me vrap te shtëpia. Mbyllej kohë të gjatë. Meditonte. Fëmijët i kishte të vegjël. Visari e Zemëraku vijonin mësimet në klasën e pestë e të gjashtë. Bashkëshortja mërrej me punët e shtëpisë si amvisë. I dilnin mjaft ato punë. Nuk pushonte tërë ditën Hava e shkretë. Pesha e lodhjes i shtohej kur vërente shokun e jetës, Hasanin, se po mërzitej nga se kishte ngecë me punët e pranverës në të mbjella. Shpesh e gajretonte me fjalë;” çdo gjë ka derdalje, mos u mërzit Hasan! Punët e mira vinë ngadalë!..”-i thoshte plot admirim.
Hasan Malës i kishte kaluar në shprehi ditore të dilte para dyerve të oborrit, në rrugën kryesore të lagjes. Ulej mbi një gur. Shpesh aty e pinte edhe kafen e mëngjesit, thithte nikotinën e duhanit si një ëmbëlsirë. Mbante me vete gjithënjë një brisk me teh të gjanë, brisk çobanësh u thoshin, dhe tërë paraditen gdhendte e lulonte thupra, pa asnjë qëllim të caktuar, krejt instinktivisht. Humbte kohë, fikte zjarrin e mërzisë gdhendave të thuprave, si një fëmijë në shkarravinat e fletores së vizatimit shkollor. Kudo që shiheshin gdhendla nga brisku, Hasani thoshin në fshat i ka bërë…
Sa kohë që kalonte Hasan Malaj ulur në gurine rrugës, duke gdhendur me briskun e xhepit, thupra lajthie me shkronja të ndryshme, atypari kalonin bashkëfshatarë, të cilët shpesh dinin ta thumbonin me fjalë therëse, sa që i djersitej lëkura e ballit. Si rasti i Zenelit. Zenel Thumbaqi e quanin në fshat. Ky, Zenel Thumbaqi, kurdo që kalonte rrugës, kur e shikonte Hasanin duke gdhendur thupra me brisk, i thoshte: “ Hasan, a u lodhe? A ke mbjellë arën hala o Hasan ? Kish qitë bar shumë, mashalla!….”dhe ecte rrugës ,disi i gëzuar qe i kishte shkaktuar “plagë” Hasanit, i cili rrinte ulur në atë gur, para shtëpisë së tij, pa ia bërë një të keqe askujt. Hasani ishte kurthuar në skamje dhe me mërzinë e tij, sepse nuk kishte me çfarë t’ia niste punëve në bujqësi. Nuk kishte as kuaj, as qe’ e as traktor. Askush nuk ia jepte pa i mbaruar punët e veta. Pa e ngacmuar, ishte i ngacmuar Hasani i gjorë.Atë e digjte nga brenda një plagë tjetër, jo e vogël, e cila e gërryente në heshtje si një sëmundje e pashëruar. Nuk kishte kaluar shumë kohë që ishte ndarë me vëllain, Bakën. Në vjeshtën e kaluar, kishin ndarë gjithë pasurinë që e kishin të përbashkët. Hasani ishte i prekur deri në shpirte se ndarja nuk ishte bërë e drejtë dhe se ajo ndarje ishte e ngutshme, e hershme dhe e panevojshme. Hasani kishte dy djem të mitur ndërsa vëllai, Beka, kishte tre djem të rritur, të zotët për punë. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja që kishte kërkuar ndarjen, të rehatohej më mirë e më shpejtë Beka, me familjen e vet. Kush e di….
Hasanit nga ndarja me vëllain, i kishte takuar të merrte dy lopë e një viç ,ndërsa Bekës, i kishin takuar tri krerë lopë dhe kiet,( qetë), e mëdhenj sa shtëpia, thoshin moti. Dashtë e pa dashtë, kjo ndarje kështu mbaroi. Hasani u pajtua me zor, për të mos u “copëtuar” me vëllain, mos me u horavë, mos me u lanë fëmijëve pasoja.
-Si erdhën këto kohë, fliste Hasani me veten. Kur të humb dashuria e respekti në vëlla, kur nuk ndien keqardhje e dhimbje, kur e shikon në vështirësi jete, kur i gëzohesh mundimeve që përjeton vëllai, nuk di se si zoti mund të na mbajë mbi këtë dhe- thoshte Hasan Malaj me vete, i gjendur para shume dilemave të jetës.
Iki disi ajo ditë, duke ngërthyer në vete plagë mbi plagë, me të çarat e kohës. Dielli kishte prekur mesditën kur Hasan Malaj u fut brenda në shtëpi, me shumë ngarkesa e dilema jete. Nuk i hahej as buka nga mërzia që e kishte kapluar. As për së afërmi nuk e shihte zgjidhjen. Koha po kalonte e fusha kishte mbetur djerrinë. Fëmijët duan bukë, duan kushte jete e shkollim, thoshte me vete Hasan Malaj.Pasditja ishte akoma më e rënduar për Hasan Malaj. Do re të zeza e të mbarsura me shi, silleshin majave përreth atyre bokave. Ishte shtuar shpresa qe shiu i kërkuar për bujqësi, sidomos për të mbjella, të sillte përshtatshmëri pune. Mendimet iu kishin ngulitur pikërisht në arën e pa mbjellë, të cilën e kishte kapluar bari dhe dukej si një livadh i pakositur.
Rrezet e ngrohta të majit, gjelbërimi dhe lulëzimi i çdo gjëje në natyrë, kishin krijuar madhështinë e kësaj stine, e cila të ngacmonte deri edhe poret e lëkurës. Gjitha këto të mira të natyrës, të gjithë i gëzonin e përjetonin, pos Hasan Malaj, i cili ndihej i ngacmuar nga plagët e kohës, nga plagët e të vëllait dhe peripeci tjera.Dita ishte zgjatur, të nxehtit kishte prekur thellë mesin e majit. Kafshët lëshoheshin herët, pa lind dielli në kullosa, ktheheshin para mesditës në ahrie.
Kishte kaluam mesi i majit kur Bekë Malaj, vëllai i Hasanit, kthente gjanë nga kullosa e paradites,(mangësi). Kur e pa Hasanin duke gdhendur një thupër me briskun e xhepit, ulur në gurin afër shtëpisë së tij, nga larg, iu dëgjua një dënesje, një vaji burri pa lot, me ofshama, thua se po dridhej toka nën këmbë. Para Bekës ecnin të ngopura dy kie sa shpija, tri lopë që u derdhej qumështi rrugës, ndërsa u grahte me një thupër thane të hollë. Kur iu afrua vëllait, Hasanit, zë vaji u dëgjua me gulçimë të thellë, sa që Hasani ngriti kokën dhe iu drejtua: “ Hë, çka të re Bekë, o bac,pse qan,tregomë,të ka ngucë kush?!”
-Jo Hasan, jo, por u përmallova kur e shikova arën tënde të pa mbjellë, kishte dalë shumë bar, e arat tjera kanë fillue me qitë bimën në sipërfaqe. U përmallova Hasan bac dhe u bë se po i fshinte lotët dhe ndalte dënesen Beka.
Hasan Malaj me shumë vëmendje i dëgjoi fjalët e vëllait. Sikur mos ta kishte provuar me rastin e ndarjes së pasurisë, ndoshta i kishte besuar deri në skajshmëri. Por, njeriu nuk mashtrohet dyherësh nga i njëjti person.U ngrit në këmbë, plot huti e dridhje, duke shikuar drejtë në sy e dëgjuar mirë me veshët e tij, vëllain, Beken, se si “dinte” të aktronte atë mesditë maji, se si dinte të shprehte gjithë atë dashuri false, hapur e pa fije turpi.Me ngadalë, derisa Beka e shikonte, Hasani iu drejtua me fjalët:
“ Baca Bekë , mos qaj për tokën time! Nëse ke dhimbje për mua, për mbjellën e arës sime, jepmi nesër kiet ta plugoj arën, dhe për tre ditë, ia qes kokrrën nën dhe’.
I gjendur ngushtë dhe i penduar se u ndal ,kinse për shprehje dhimbje para vëllait, Beka uli kokën dhe në ecje, po i thotë Hasanit,:
” Jo, kiet nuk t’i jap, sepse janë lodhë, por po më dhimbet ara që mbet e pambjellë!….”
Hasani e shikoi gjatë, pa folur asnjë fjalë, derisa hyri në oborrin e shtëpisë së vet, vëllai, Bekë Hasani. Vetëm një pëshpërimë e zjarrtë i shkrepi buzëve Hasanit, si një çfryrje e beftë dhe me plot mllef, klithi:

“O Zot, kah po shkojmë në këto kohë të mjegullta?! Nuk ka jetë pa vëlla, nuk ka të ardhme pa njëri tjetrin ”,shkrehu mellanin e tij plot zjarr Hasan Malaj i fshatit Qëndresë. Në këto kohë të pa kohë, duhet kërkuar mëshirën e zotit, që ne, raca njerëzore, mos t’u ngjajmë kafshëve.
Koha shpesh di të sjellë befasi në mesin e njerëzve. Ara e Hasan Malaj nuk mbeti e pambjellë atë vit, pavarësisht vonesës, por atij çdo bimë që dilte ngadalë prej toke i dukej e hidhur…

Gjakovë, Shkurt,2024

Doli në qarkullim botimi i librit të Një Jetë Disa Histori (Albanian Edition) me autore Marjana Bulku

Libri “Një jetë disa histori” është një përmbledhje me intervista, profile shqiptaro-amerikane, esse dhe refleksione letraro-gazetareske. Ky publikim ka si qëllim të sjellë bashkë individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët sot dhe nesër.

Libri është produkt i njohjeve dhe komunikimeve të drejtpërdrejta në studion e televizionit Albanian Culture TV në New York si dhe i mjaft veprimtarive pranë institucioneve të tjera si Federata Panshqiptare Vatra, Albanian American Dual Language & Culture, Dita Botërore e Librit, etj. Është një stil i veçantë shkrimi ku alternohen pyetjet e shumta argumentuese me përgjigje analitike, evokime veprash dhe vlerësime mbi individë, akte e veprimtari të cilat me rritjen e emigracionit e kanë intensifikuar sasinë por edhe cilësinë.

Komunikimi përmes intervistave, përgjithësimeve, reflektimeve dhe krijimeve letrare sjell në një volum të vetëm një galeri të gjërë plot me informacion historik, kulturor dhe intelektual duke krijuar kështu një kulturë përbashkuese të shqiptarëve që jetojnë jasht territoreve shqiptare dhe që Shqipërinë e kanë gjithmonë me vete.

 

MARSI I PËRHERSHËM I BURRIT ME MBIEMËR KRUJËN… Nga Visar Zhiti

 

SHQIPTARËT JANË MË SHUMË SE SHQIPËRIA

Shqiptarët e fortë, ata të mirët, bujarët, me një madhështi të brendshme, por që u shfaqet, mjafton një dramë, një pabesi e tjetrit, një mort, një dasmë, sidomos një valëvitje flamuri mbi një pirg a llogore, janë më të fortë se Shqipëria vetë dhe atë mirësi prej tyre e ka vendi, bujarinë proverbiale dhe atë madhështi tradicionale, e adhuruar nga të huajt, udhëtarë, pelegrinë, pushtues, poetë… Bajroni tha se shqiptarët kanë virtyte, por ah, t’i kishin më të arrira.
Shqiptarët janë më shumë se Shqipëria dhe duket se u ka munguar vetëm arritja… – kam menduar shpesh, natyrisht që kemi Shqipëri, aq sa është, gjusmë, kemi dhe Republikë të pavarur të Kosovës, por më trishton pa masë bjerrja, ajo shprishje që i erdhi racës shqiptare nga vetvetja ose pothuajse…
Dekadat e diktaturës komuniste dhe për pasojë dhe postdiktatura sollën më dëm në prishjen e racës se shekujt e pushtimit, e kam fjalën për virtytet njerëzore, aq sa më duket se pushtet ka patur më shumë e keqja.

QË MENDOVA ASHTU?

…shkak ishte dhe Mustafa Merlika – Kruja, ka datëndjen sot, në mes të marsit të trimërisë siç e quan kënga e popullit, teksa prilli i dashurisë duket se veç vonon. Ai është personalitet me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s’kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtari, kur s’kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshtarit dhe meritat e armikut.
Po ai dinte historinë e kombit të tij ashtu si të familjes së tij, bëri Shqipëri bashkë me ata që e bënë, është një nga burrat e Pavarësisë së nëntorit 1912, ndërsa kur bëhej “Pavarësia e Dytë, Kongresi i Lushnjës në janar të 1920, nuk ishte në sallën historike, por maleve, organizonte qendresën antiserbe në Dibër dhe Lumë, do të ishte për një “Shqipëri romane” – nëse mund ta themi kështu gjatë Luftës II Botërore dhe në vitin 1941, nën pushtimin fashist, në sopatat e Liktorit, ai do të ishte kryeministër – kolaboracionist si arritje e nacionalizmit, sa ç’mund të arrihej në pushtim.
Dhe pikërisht për këtë fitimtarët e mbas Luftë II Botërore, adhurues më shumë te prangave se të librit, do ta përndiqnin, duke dashur vrasjen e tij, duke e mbuluar me harrim emrin dhe veprën madhore.
Po ai tashmë është vetë pjesë e historisë.

 

* * *

Dua ta kujtoj sërish. Në librin tim, “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe
KARTELA
Mustafa Merlika-Kruja,
(1887 – 1958)

…Do të ikte.
Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që pëveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.
Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.
Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.

PO Ç’KA THËNË BABAI I GAZETARISË MODERNE ITALIANE,
IDRO MONTANELI.

Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.
Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.”
Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.
Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…
VAZHDIM I DËNIMIT,
KARTELË TJETËR
Eugjen Merlika

…që ka gjysh Mustafa Merlika – Krujën, e rëndë kjo për në burg, kryeministrin e dënuar, kaq duhej, se nuk i kujtonin më që ai ishte patrioti, albanalogu dhe gjuhëtari i shkëlqyer, i ikur nga regjimi, patjetër që familja e mbetur “në mëshirë të të pamëshirshmëve”, do të përfundonte internimeve e do të kërcënoheshin me burg.
Eugjenin e kisha parë kur vinte me biçikletë nga balta e internimeve në Lushnjë, isha gjimnazist, por do të na bashkonte burgu i Spaçi. Pastaj dhe Italia, ku ai mërgoi dhe unë punoja në ambasadë në Romë. Në burg i kërkoja fjalë italisht, tani shkëmbenim nga librat tanë,
Pasi botoi përmbledhjen me poezi “Muzg”, Eugjeni do të botonte memuaristikë dhe artikuj të shumtë në gazeta, vëzhgime politike, kritika letrare, ese, që do t’i përmblidhte në libra të ndryshëm, ndër më të fundit “Elegji për brezin tim” dhe pastaj do t’i hynte një pune të madhe, akademike, që duhej ta bënin akademitë, përgatiti gjithë Veprën e Mustafa Krujës, studime, histori, gjuhësi, polemika, letërkëmbim, etj, e cila, duke dalë në këto vite, plotësoi një vend bosh në studimet shqiptare, me një vlerë të rëndësishme kombëtare.
[…]
Kur i bënë atentat Luigj Gurakuqit në Bari në rrugën që mban emrin e tij, bashkë me të ra dhe një kukull, e kishte marrë t’ia çonte një vogëlusheje… që do të bëhej nëna e Eugjenit.
E lindur në Romë, Elena Gjika kreu studimet për letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Napolit dhe mes zgjedhjes për të mbetur pedagoge në Itali apo të shkonte në Shqipëri, parapëlqeu këtë të dytën, shkoi pas të shoqit, inxhinier Petritit, diplomuar në Francë, i biri i Mustafa Krujës.
Elena, e talentuar në gjuhësi, do të bashkëpunonte me vjehrrin për Fjalorin e madh të Shqipes. i shoqi merrej me ndërtimet në Shqipëri, por atë e arrestojnë dy vjet pas mbarimit të Luftës, se bënte pjesë në ata që donin të krijonin një parti liberale opozitare. E dënojnë me 15 vjet burg.
Eugjenin 6 vjeçar me nënën dhe gjyshen i dërgojnë në kampin-aushvic të Tepelenës Që fëmijë provoi qelitë. Pasi mbyllet, i çojnë në internim në Lushnjë, fshatrave. Po prisnin që Eugjenin të mbushte moshën për burg. Dhe e arrestojnë në vitin 1980, e dënojnë pa bërë gjë fare me 8 vjet burg…
Kështu deri sa bie Muri…
Nga Zonja Elena kanë mbetur dy sprova, një e shkruar për studentët në Itali, për personalitetin e të riut, dhe tjetra për dhunën në internim në Tepelenë, ku nëpërkëmbej edhe jetesa si qenie, por ja, që çuditërisht, një herë u arrit të kremtohej një Krishtlindje, megjithëse të ndaluara, me një prift të internuar dhe korin ilegal të të internuarave. Ishte liturgjia e ëndrrës.
Vuajtjet dhe dënimet bënë që të humbte vepra e saj, të mos shkruhej dot. U rikthye atje ku kishte lindur, në Itali, ku dhe mbylli sytë afër Romës në vitin e dytë të mijëvjeçarit të ri, por kërkoi të prehej në vendin, ku u lodh aq shumë, në Shqipëri. Emri i saj ndrit përzishëm në varrezën familjare në Krujë, ku ka dhe një shesh tani me emrin: Mustafa Kruja.
Vepra “Merlika-Kruja” përmbledh kohë të tre brezave, kohë të përjetësisë së Shqipërisë.

DY LIBRAT E DIJETARIT:

I kam ndër duar dy librat më të fundit të tij si festë e datëlindjes. Vepra të kujtesës kolektive dhe të mbijetesës, “Lashtësi shqiptare” – 2021 dhe “Historij’ e vonë” – 2023, botimet “Berk”, emërtimi i së cilës më emocionon: “një formë gjuhësore arkaike e shqipes, që shenjon librin, gjurmët tashmë të humbura…” në mesjetën shqiptare dhe të rishfaqura po në atë mesjetë, më saktë me rilindjen e vonuar. I shkon shumë dhe misionit të Mustafa Merlika – Krujës.
“Lashtësi shqiptare” përmbledh shkrime historike dhe përkthime të tij, të përgatitura nga nipi, Eugjeni, me një parathënie nga arkivisti Sokol Çunga, studiues dhe kritik letrar, përkthyes dhe ai, ku thotë se “ky është një tekst i historisë së Shqipërisë… por në të njëjtën kohë është dhe histori e vetë autorit të tij.”
Tematikë enciklopedike, që nga parahistoria, legjendat, pellazgët, epoka ilirjane, helenët, thrakët, maqedonët, Aleksandri i Madh, Pirro, Roma, kryqtarët, Bullgaria e Dytë, Beteja e Fushë Kosovës, Arbëreshët, Histori e Skënderbeut, etj…
Libri tjetër, “Historij’ e vonë”, me “Kapituj të randsishëm të historisë së shtetit shqiptar”, ka po atë enciklopedizëm, por kombëtar, nis me Gjomarkajt, Ali Tepelena, Lidhja e Prizrenit, revolucioni Xhon-Turk, kryengritjet, 1912, Kosova dhe Vlora, Toptani, Bajram Curri, Kongresi i Durrësit, Konferenca e Parisit, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, etj, Balli Kombëtar, Konferenca e Mukjes… Konferenca e Parisit… çfarë i duhet shkollës shqipe dhe deri “Pse Enver Hoxha asht në krye”… “në skenën tragjike të revolucionit komunist shqiptar”.
Botimi është përgatitur nga Anna Shkreli, me parathënie nga Eugjen Merlika, të cilën e titullon “Rilindasi i brezit të fundit”.
Barra i ka rënë atij, prurësit dhe përkujdesësit të gjithë Veprës së Mustafa Merlika – Krujës, një ish i burgosur politik, ai i bën të gjitha, madje me paratë e tij nga dëmshpërblimi i mangët i burgut. Si bashkëvuajtës me mua, më dërgoi dhe dy botimet e fundit këtu, jo shumë larg nga vendi, ku gjyshi i tij si i mërguar politik mbylli sytë përgjithmonë, në Niagara Falls, në një dimër në SHBA.
Bashkohemi me atë që shkruan shkrimtari themeltar Ernest Koliqi: “Veprat e Mustafa Krujës mbesin dëshmimi i shkëlqyeshëm i kontributit që ai i solli naltësimit moral e kulturor të botës shqiptare.”
Botimi i tyre duhej të ishte detyre dhe punë e akademive dhe katedrave të historisë, gjuhësisë dhe albanologjisë, e Lidhjes së Shkrimtarëve si për një akademik dhe historian të shquar, gjuhëtar, albanalog dhe stilist të shqipes, e Ministrive të Kulturës për një autoritet të kulturës, e Kryeministrisë për një kryeministër.
Mustafa Merlika – Kruja tashmë është një institucion. Nëse Shqipëria nuk do të dijë që përvojën dhe arritjet e tij ashtu si dhe humbjet t’i bëjë pjesë të përvojës, arritjeve dhe humbjeve të saj, do të dëmtojë kështu historinë dhe kujtesën e popullit, por dhe kritikën e ardhmërisë.

 

Prend BUZHALA: BAJRAM SEFAJ, KY PIKTOR I FJALËVE – (Homazh për Bajram Sefajn, 5 janar 1941 – 12 mars 2024)

Fjalët bredhin nëpër përjetësi.

Letrat tona humbin një pjesë të zemrës, por fjalët vazhdojnë të jetojnë përjetësisht në faqet e librit.

Vdekja e një prozatori dhe gazetari të njohur, siç është shkuarja në amshim e Bajram Sefajt (5 janar 1941 – 12 mars 2024), nuk ka se si të mos përjetohet si ngjarje që shkakton ndjesinë e një humbjeje në botën e letrave. . Por siç thuhet, vdekja është vetëm një kapërcim, dhe trashëgimia letrare e prozatorit dhe gazetarit e publicistit, vazhdon të jetë një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm. Ndodh si në një kapërcim nga e njëjta faqe e një libri në tjetrën. Ai mbaroi rrugëtimin e tij me sfida në këtë botë, por trashëgimia që lë pas, shihet si një bibliotekë e pasur e ndodhive, mendimeve dhe mbresave të leximit që ai i dhuronte. Lexuesit e gjeneratave të vjetra, dhe, gjithsesi, edhe këto të rejat, e mbajnë në mend për stilin e tij unik në të dy fushat e letrave, në letërsi e në gazetari.

1.

Në letërsi, kishte prirjen për të eksperimentuar me formën dhe strukturën e prozës. Ai qëmtonte teknika të reja, si në narracionet e rralla, si në perspektivat alternative, si në përzierjen e zhanreve të ndryshme. Kësisoj përjetohet edhe vdekja e tij: një humbje e ndjeshme për kreativitetin dhe risitë. “Shkrimtari është një dëshmitar i rrallë i të vërtetës”, do të thoshte Milan Kundera.

Në prozë, në tregime, novela e romane, ai ka krijuar një pamje të pasur të realitetit dhe një dimension të ri në përjetimet e leximit.

Le të shpresojmë se trashëgimia e tij letrare vazhdon të jetë një oazë e bukur e frymëzimit, që nuk njeh kufij kohorë. Veprat e tij vazhdojnë të jetojnë nëpërmjet leximeve e shfletimeve nga të gjallët. Të gjallët e gjeneratat që vijnë, do të përballen me një fushë të pasur të hulumtimit dhe interpretimit, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm me prozatorin e gazetarin edhe pas vdekjes së tij. Mesazhet e tij, vizionet, dhe prirjet stilistike, të shqiptuara me talent dhe qartësi, do të vazhdojnë ta përforcojnë imagjinatën dhe do të vazhdojnë ta nxisin reflektimin. Humbja ndodhi, por gjithashtu është një shenjë e rëndësishme për të reflektuar mbi rëndësinë e krijimtarisë së tij, për të përjetuar trashëgiminë që ai na ka lënë, dhe për të vazhduar t’i shijojmë shkrimin e tij. E, pra, vdekja nuk është një përfundim i plotë, por një ndërrim dimensionesh.

Një nga veçoritë më të dallueshme të veprave të tij, është ndërthurja e fantazisë me realitetin. Për shkrimtarin e dalluar, kufiri midis realitetit dhe imagjinatës shpesh nuk është i qartë. Për këtë arsye, veprat e tij shpesh zbulojnë një botë paralele që reflekton dhe shpreh aspektet më të thella të realitetit. Me çdo roman dhe çdo tregim, ky prozator kishte prirjen për të krijuar një dimension të ri të përjetimeve. Këto prirje ai i kishte shfaqur që nga vitet ’70, kur i botonte tregimet e tij nëpër faqet e gazetave dhe revistave, ndërsa si prozator do të shquhet me librat që nis t’i botojë prej viteve ’80 e këndej:

librat me tregime:
‘Tri pika’ (1980),
‘Rruga deri në kallëzim’ (1983),
‘Java ka shtatë ditë’ (1983),
‘Blu dhe gri’ (1995),
librat me novela:
‘Shëtitje ëndrrash’ (1997),
‘Sa është ora’ (2006)

dhe romanet

‘Parisi kot’ (2003),
‘Terra nullius’ (2009),
‘Ani çka’ (2012).
‘Zemër : roman’, 2020.

Përmes gjuhës së tij të veçantë dhe vizionit të tij shkrimor, nxiste edhe mënyra të ndryshme të leximeve dhe interpretimeve: lexime që vazhdojnë të nxjerrin në pah thellësinë e qenies njerëzore që ai ka shpalosur. Janë ato përpjekje për t’i kuptuar mesazhet e fshehta të krijimeve dhe për t’i zbërthyer shpirtin dhe mendimet e autorit; ato lexim-interpretime tashmë bëhen një proces i thellë reflektimi dhe hulumtimi.

Në kuadrin e këtij vizioni unik artistik e stilistik, hyjnë edhe dy libra tjerë: si drama ‘(S’)ikin dritat’ (2011)” dhe “40 Gjyshër rrëfejnë”, tregime për fëmijë, ShB “Faik Konica”, Prishtinë, 2021.

2.

Kështu ngjet edhe në fushën e gazetarisë e publicistikës: edhe aty lexues gjente prirje për të eksperimentuar me formën e artikujve, duke përfshirë elemente të ndryshme si rrëfime personale, përdorimin e fotove ekspresive, ose përdorimin e metaforave dhe simboleve. Tashmë njerëz që qëmtojnë këso formash risimtare, i kemi tejet, tejet të paktë… për shkak se ai krijonte e një shkrim tërheqës gazetaresk, një qëndrim të veçantë ndaj temave dhe ngjarjeve, një aftësi të jashtëzakonshme për të përcjellë informacionin në mënyrë të zgjuar dhe të mprehtë, siç janë veprat e tij publicistike:

“Shenjë kohe – signum temporis” (1998),
“Gazetaria ime” (2007),
“Plot Shqipëri”, (Rozafa, Prishtinë – 2008)
“Shpen’ udhëtar” (2014).
“Përballë kolosit”, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, 2021.

Lexuesit e njohin edhe për zhanrin e udhëpërshkrimeve, një lloj tejet i rrallë në letrat shqipe, por aq i shpeshtë në letrat europerëndimore. Kishte prirje të veçantë për të bërë përshkrime vendesh, kulturash, qytetesh, ekspozitash, ngjarjesh të librave, takimesh me krijues, si dhe shpalosje përvojash,- në mënyrë të tillë që e joshte lexuesin ta përjetonte udhëtimin përmes fjalëve të tij, lexuesi e ndjente veten si një pjesë e udhëtimit të tij. Gazetarët e udhëpërshkrimeve janë si udhëtarët e rrallë që përhapin dijen dhe kulturën përmes shkrimit dhe rrëfimit të përvojave nga rrugët e botës; na shkruajnë ngjarje e përjetime që na bëjnë të ndjehemi sikur jemi në një vend tjetër.

Një poet thotë: kur një prozator mbaron rrugën e tij, një rreze e dritës dhe e humbjes digjet, por trashëgimia e tij letrare mbetet si një yll që ndriçon në qiell. E po, vdekja është si një rrymë që ndalon e nuk lëviz, por fjalët dhe rrëfimet e tij vazhdojnë të rrjedhin si përmendore për lexuesit e ardhshëm.

Është forca e fjalës së shkruar, e cila është e përjetshme.

Frazat e tij të shkurta, nganjëherë me vetëm një fjalë, shpesh të prera në mes, ngjante në një piktor fjalësh. Në letrat tona, shkrimet e tilla na i kujtojnë ato të autprëve Gani Xhafolli e Musa Ramadani, tashmë në amshim që të dytë qe disa vite.

Shkrimi gazetaresk është si një udhëtim të përhershëm për të zbërthyer historitë, gjarjet, përjetimet dhe për të ndikuar në perceptimin tonë të botës; gazetarët janë si eksploratorë të botës së njohur dhe pjesëtarë të rëndësishëm të shoqërisë në kuptimin e saj më të gjerë; gazetarët janë krijues të historive dhe rrëfimeve që nxisin ndjesi dhe imagjinatë të pasur te lexuesit. Kah do që ia shkonte e udhëtonte, me lexuesit ndante përjetimet e shtegtimeve të tij.

4.

Ka edhe një vëllim tjetër të veçantë që mban titullin “N’dorë të zotit” (2022), në të cilin përfshin shkrime të tipit miscellanea, një term i përdorur për të përshkruar materiale, informacione ose tema të ndryshme, të cilat nuk mund të kategorizohen në një kategori specifike. Për shkrimtarët, shkrimet miscellanea përfshijnë një gamë të gjerë të temave, si ese, shënime personale, mendime të lira, dhe të tjera. Ky lloj shkrimesh përmban refleksione personale, analiza të ndryshme, informacione të përgjithshme, apo çfarëdo teme që nuk përkon me një temë specifike. Kështu që, shkrimet miscellanea janë shpesh të lira dhe të ndryshueshme në natyrë. Në letrat shqipe është Moikom Zeqo që ka krijuar e botuar një projekt të madh me titullin “MISCELLANEA” në rreth njëzet vëllime. Ndërsa në letërsinë botërore përmenden autorë si Mark Twain: “Letërsi nga Toka” (“Letters from the Earth”, Franz Kafka: “Ditarët” (Diaries) apo Umberto Eco: “Udhëtime në Hiperrealtësi” (Travels in Hyperreality) etj.

5.

(INTERMEXO: disa herë qesh takuar me të. Bashkëbisedonim lirshëm. Kishe të bëje me një bashkëbisedues aspak autoritar, por të sinqertë, shpesh hokatar, me hoka ku ndër vetvetes. Një komunikues i qartë dhe i bindshëm. Kuptonte përvojat e larmishme krijuese, shqetësimet e kohës… Kishte dëshirë të flitnim për vepra e autorë të veçantë në prozë posaçërisht. Dhe, në këtë drejtim, ai dëshmonte se ishte lexues pasionant. …

Diku, në një takim me të, para dhjetë vjetësh, pata shënuar:

“Takim me prozatorin modern Bajram Sefaj, i afirmuar si tregimtar që në vitet ’70, me poetikën e tregimit pa fabul, pa një rrjedhë suksesive ngjarjesh e me fakturë risimtare, si “Rruga deri në kallëzim” 1983, “Java ka shtatë ditë” 1985, “blu e gri” 1995, vëllimet e novelave “Shëtitje ëndrrash” 1997 dhe “Sa është ora” 2006, si dhe romanet që do t’i botojë më vonë, si “Parisi kot” 2003, “Terra nullius” 2007 dhe, së fundi, edhe me romanin “Ani çka’ 2012. Meqë ka qenë gazetar dhe ka jetuar një kohë të gjatë në Paris, ai ka botuar dhe disa vëllime nga zhanri i publicistikës.”

Më 15 nëntor 2016, mora kujtim librin “Kronikë në letër”, botim i Rozafës, 2026, në të cilin përfshihen punime kritiko-letrare, recensione, kronika etj. për veprimtarinë letrare e gazetareske të tij.

Fotot me të, janë nga takimet më 2013 dhe më 2018,…

6.

Meqë kam shkruar disa herë për veprat e tij, kësaj radhe po shkëpus një fragment nga një punim imi kushtuar romanit të tij “Terra nullius” (botoi “Rozafa “Prishtinë 2009). Ky punim është botuar te gazetat e kohës më 2009, i përfshirë edhe në vëllimin tim “Amëza e rrëfimit” (me 504 faqe, botim i “Rozafës”, Prishtinë, 2012):

“Romani “Terra nullius”, të duket sikur është një thurje e kompozuar detajesh, vetërrëfimesh, vetëkomentimesh romanore e metaromanore, situata observimesh të pafund, personazhesh e identifikimesh personazh-autor; por, në të vërtetë, kemi të bëjmë me një roman të tipit antiroman që heq një traditë të tillë që nga romansierët Alain Robbe-Grillet, Samuel Becket, Nathalie Sarraute, Claude Simon, Marguerite Duras, Michelom Butor të viteve ’50 e këndej, në Francë etj (e njohur si lëvizje artistike frënge me emërtimin “Romani i ri”, “Nouveau roman”) e ku rrëfimi, veprimi, ideja dhe karakteri fokusohen tek objektet, tek gjërat që të rrethojnë…). Madje, ndonjëri prej këtyre autorëve bëhet edhe pjesë e rrëfimit vetëkomentues dhe eksplikues të këtij romani. Duke qenë vetë në kontakt me letërsinë e tillë frënge dhe me prirjet gjithnjë e më të reja të risive romanore; edhe Bajram Sefaj, ashtu sikundër autorët e tillë, do të kërkojë, procedojë dhe shtrojë kërkesën për një transformim radikal të modeleve tradicionale narrative dhe syzheore. Zaten, në prozën shqipe të Kosovës gjatë atyre viteve, autorë si Anton Pashku, Beqir Musliu, Musa Ramadani etj tashmë e kishin provuar edh praktikisht kërkesën e tillë, secili sipas individualitetit vetjak krijues. Nuk është e habitshme, prandaj, përse lexuesi i asaj periudhe, por edhe ky i sotmi, krijimtarinë e tillë do ta konsiderojë si “letërsi të rëndë”, “letërsi të stilit eksperimental”. Shëmbëllyeshëm këtyre autorëve, Bajram Sefaj do ta krijojë modelin e tij personal stilistik dhe të “shuarjes” së karakterit, ku theksi bie tek paraqaitja sa më besnike e fenomeneve psikike, kurse rrëfimi strukturohet si “rrjedhë e ndërdijes”, si psiko-narracion i përvojave të brendshme, ashtu sikundër edhe i përvojave jetësore, e, kund e kund, edhe me poetikën e fragmentarizmit të rrëfimit. Romani i tillë, i quajtur edhe anti-roman, përveç thyerjes e teksteve-kolazh të rrëfimit, bën edhe një thyerje tjetër: atë të kohës, sidomos me përdorimin e analepsës dhe prolepsës (ku ligjërimi rrëfimor kthehet mbrapa e para dhe ndër-këmbehen) dhe format e tilla, sigurisht, shkaktojnë edhe huti edhe konfuzion, po edhe çorientim të ndjekjes së rrjedhës narrative, pikërisht me situatat e diskontinuitetit kronologjik a të mosvazhdimësisë së rrëfimit. Në këtë frymë thuren edhe fjalitë dhe blloqet e teksteve. Madje, duke e bërë të tijën atë mënyrë procedimore të (anti)romanit (post)modernist, Sefaj e përligj tipin e romanit pa ngjarje, pa lëvizje, ku nuk ndodh asgjë:

“Prozës, në të cilën nuk ka as të vrarë, as të plagosur, në të cilën nuk ka as mjegull, as tym, as shpërthime, a s alarme ambulancash të ndihmës së shpejtë, as sirena, as uniforma, as minahedhës, as minazbulues, as helikopterë, që, me panik për t’u mbuluar me ndjenjën e heroizmit e të viktimizimit, raportojnë nga vendgjarja” (fq.76).

E pra, vendngjarje e “raportimit” krijues-narrativ, apo medium meditativ, janë: vetvetja, krijimi, vogëlsirat… janë dhoma e banimit, tavolina e punës, kafeneja, libraria, spitali, udha… Ndryshe nga autorët e anti-romanit, që pikësynojnë blloqe tekstesh hipo-sintaksore të gjata, të “shtrira” në disa faqe; Bajram Sefaj e dendëson fjalinë, thënien tekstore në maksimum. Madje, të duket sikur ajo është një anti-fjali, që zëvendëson gjymtyrët kryesore të saj apo qoftë edhe pjesë të tjera të ligjëratës tradicionale, ku format ekstreme të ligjërimit të lirë jo-të-drejtpërdrejtë, indirekt, ndërthuren me zërat narrativë e me rrjedhat e ndërdijes. Përdorimi i tillë i analepsës dhe prolepsës, sikur e përligj pohimin e Brian McHaleit (“Postmodernist Fiction”), se postmodernizmi është modernizëm me një fytyrë të re: “termi nuk ka, madje, as kuptim. Sepse, në qoftë se ‘moderne’ do të thotë që ‘ka të bëjë me të tashmen, ‘ atëherë ajo ‘postmoderne’ mund të thotë vetëm ‘ka të bëjë me të ardhmen”, dhe, në këtë rast, çfarë mund të jetë fikcion postmodernist, përveçse një fkcion letrar që ende nuk është shkruar?” McHale nënvizon se “postmodernizmi nuk paska ardhur pas ‘të tashmes’, “; dmth postmodernizmi vjen “pas lëvizjes moderniste.” Nëse mendohet që ‘citatësia”, trajta fikcionale dokumentare, e të ngjashme, përbëjnë vlerën postmoderne, të re, të këtij romani, atëherë çfarë mund të themi, bie fjala, për romanin “Pse” të Sterjo Spasses që i ka të gjitha këto karakteristika, i shkruar e i botuar që në vitet ’30 të shekullit që e lamë pas?! Ndërkaq, te romani i Sefajt, në radhë të parë, ka imagjinatë krijuese dhe strukturim që ndërlidh ‘të pastrukturuarën”: të gjitha fijet i mban në dorë një bartës i rrjedhave të tilla ndërdijesore e të ndërgjegjshme e që është Ndreu, një emigrant në botën e jashtme (nuk përmendet qyteti, pos në ndonjë rast asocionohet parisi, si vendqëndrim ku paska qëndruar më parë narratori), i identifikuar si zë autorial, auto-fikcional; një personazh që vuan nga diabeti vazhdimisht, vazhdimisht i frikësohet sëmundjes, por, si me eufemizëm, e quan sëmundje aristokratike, ngjashëm me metaforën e Suzan Zontag, filozofe e shquar amerikano-hebreje (shih librin e saj edhe në shqip “Sëmundja si metaforë”). Kjo përbën mbizotëruesen artistike (metaforë e njohur teorike-letrare e Roman Jakobsonit): “Mbizotëruesja ose dimonanta sundon, përcakton dhe transformon komponentët e mbetur. Kjo është mbizotëruesja që garanton integritetin e strukturës … një sajim poetik, një sistem të strukturuar…”. Por McHale na vërteton (dhe pohon) se një tekst mund të përmbajë më shumë se një mbizotëruese… saktësisht dominante është ajo që mund të ndryshojë sipas lexuesve që e lexojnë tekstin “nga teksti i njëjtë japin mbizotëruese të ndryshme, në varësi se çfarë aspekti të tekstit shikojnë…”. Më parë, gjatë viteve ’70, këtu në Kosovë, thuhej: sa lexues, aq lexime! Kjo do të thotë se vetë lexuesi është pjesë e romanit të Sefajt. Nga ana tjetër, vetë autori përkujdeset që ky lexues të jetë pjesë aktive e veprës: duke e ndjerë praninë shpirtërore të këtij lexuesi, narratori (që rrëfen në veten e tretë), shpesh jep sqarime, ik drejtohet lexuesit, ia sqaron të paqartën, e udhëzon për t’i kapërcyer labirintet e tekstit, nganjëherë tallet e përtallet me këtë ndërkomunikim, … “

Ngushëllime famljarëve, të afërmve dhe miqve krijues!

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

(13 mars 2024)

Ismail Kadare nominohet për Booker International Prize 2024

Ismail Kadare nominohet për Booker International Prize 2024. Kadare u bë fituesi i parë i këtij çmimi në 2005, dhe u nominua sërish më 2017, me “Kamarja e turpit”.

Libri i tij i fundit “Kur sunduesit grinden” (“A dictator Calls”, përkthyer nga gjuha shqipe prej John Hodgson) që ka patur një jehonë të madhe në Amerikë dhe Britaninë e Madhe, është nominuar për #InternationalBooker2024

Një Diktator Thërret ofron një meditim mahnitës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit dhe një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj.
Urime Ismail Kadare dhe përkthyesit John Hodgson për listën e gjatë të #InternationalBooker2024.
Lista e gjatë ndërkombëtare Booker Prize 2024 e plotë:
Jo një lumë nga Selva Almada, përkthyer nga Annie McDermott
Simpatía nga Rodrigo Blanco Calderón, përkthyer nga Noel Hernández González dhe Daniel Hahn
Kairos nga Jenny Erpenbeck, përkthyer nga Michael Hofmann
Detajet nga Ia Genberg, përkthyer nga Kira Josefsson
White Nights by Urszula Honek, translated by Kate Webster
Mater 2-10 nga Hwang Sok-yong, përkthyer nga Sora Kim-Russell dhe Youngjae Josephine Bae
Një diktator thërret nga Ismail Kadare, përkthyer nga John Hodgson
Kocka e Argjendtë nga Andrey Kurkov, përkthyer nga Boris Dralyuk
Çfarë më mirë të mos mendoja nga Jente Posthuma, përkthyer nga Sarah Timmer Harvey
Lost on Me nga Veronica Raimo, përkthyer nga Leah Janeczko
Shtëpia në Via Gemito nga Domenico Starnone, përkthyer nga Oonagh Stransky
Plug i shtrembër nga Itamar Vieira Junior, përkthyer nga Johnny Lorenz
E pazbuluar nga Gabriela Wiener, përkthyer nga Julia Sanches
Burimi: ExLibris

Ah sa bukur, kur toka e thotë emrin e vet- Poezi nga ATDHE GECI

 

Në lokalitetin Arkeologjik të Dardanisë

ra kufiri me tokën dhe dhimbjen e dheut

ranë mitet e legjendat dhe morën arratinë

antika jonë është brenda kores së tokës.

Sa e shenjtë toka kur tregon emrin e vet

mija vjet ky vend është quajtur Dardani

këmisha Justinianit afër varrit është gjetë

dhjetëra gjëra fshihen dheut pa u gërmu.

Me 14 gusht, 2023, në Ulpianë u zbulua

dedikimi i Perandori Justinian, Dardanisë

një mozaik i shkruar për origjijnën e tij

dedikimi Perandorit Justinian bart porosi

që Kosova këtu e këtej të quhet, Dardani.

Atdhe Geci – Prishtinë

MË KOLLAJ SHKRUAN NJË ROMAN SE NJË LIBËR ME TREGIME (Persiatje për veten) Nga THANI NAQO

Shpesh kam menduar se fati i librave nuk ka të bëjë me imazhet që krijon llumi i kafes…Me që nuk kam studiuar për Letërsi ndjehem i mangët dhe nuk mundem të jap Leksion “si shkruhen tregimet e romanet”, megjithatë, për kuriozitet Letrar, nuk do të mbaj leksion si shkruhen tregimet e romanet, por as edhe me idenë e titullit të këtij shkrimi, se valla më kollaj shkruhet një roman se një libër me tregime….Gjetkë e kam fjalën; tek intuita Letrare dua të dal, ose e thënë troç: më kollaj i ngjitesh një mali me shteg spiral, se sa direkt e përpjetë…siç ndosh në dallesën midis tregimit dhe romanit, por fundja ky krahasim, mendoj, shkon edhe me Novelën, pa u shtrirë më gjërë në llojet e tjera të artit të të shkruarit, që nga skeçet e deri tek komeditë e dramat.
Për shembull, në librin, DEMONËT BËJNË SIKUR FLENË, publikuar në USA në v. 2019, sh. b. Lulu, janë 32 tregime. Afërsisht, një tregim në vit. Tani kujtohem se edhe me tre librat e botuara në kohën e komunizmit, nga sh. b. Naim Frashëri Tiranë, më del e njëjta llogari krijuese: kam shkruar më pak se NJË tregim në vit. D.m.th. në gjysëm shekull krijimtari kam shkruar e publikur 50 tregime gjithësej. Që kam shkruar pak “fajin” ia hedh “manisë floberiane për ndërtimin e frazës, por edhe se “kam harxhuar goxha kohë, duke i “shoshitur” për muaj e vite subjektet dhe detajet letrare që u përkasin atyre.
Në adoleshencë e rini kam lexuar tregimtarë të shquar të letërsisë të huaj, si Xh. London, Samërset Mom, Mopasam, O’Henrin, Çehovin,, Pirandelon, H. Falada, e ndonjë tjetër. Tegimtarët shqiptarë të R. Socialist, (me ndonjë tregimi, si për sh. Dademadhja e K. Kostës, Dabakja e S. Andonit, Ajri i ftohtë i mesnatës i T. Laços, Mbama pallton çun, të F. Balancës, Tregimtaria Shqiptare më dukej përrallë me dordolecë pe kashte…
Nuk mbaja shënime, i besoja kujtesës dhe fenomës së Gjurmëve në Dërrasën e Dyllit. Nuk është turp të pohoj se disa tregime i kam rishkruar edhe 10 herë para se t’i nisja për tek sh. b. N. Frashëri. Nuk më mungonte letra dhe fijet e karbonit, shkruaja direkt në makinë shkrimi, mbasi atë e përdorja më shpejt se të shkruaja me shkrim dore. Rishkrimi vazhdonte gjersa intuita më thoshte: Lere më kaq se do ta…qullosësh”…
E tërë kjo Histori Letrare që pohova, tani duket si lëvdatë, por fenomën e rishkrimit nuk e aplikoja vetëm unë. Prandaj kanë të drejtë të lëvdohen edhe ata/ato që kanë mundur të shkruajnë e të botojnë libra në atë kohë të vështirë censurimi Partiak por dhe aturcensurim.
Të shkruash sot prozë, të zhveshur nga fryma tradicionale e nga pasionet politike e morale, është vështirë dhe nuk pranohet nga shumica e lexuesve, edhe sikur lapsin ta mprehish nga ana e zezë. E kam fjalën se ende nuk jemi çliruar nga simptomat që lë metoda zhdanoviste, teori që të shurdhon intuitën krijuese. dhe nuk e pohon se është Turturë Sfilitëse në procesin e krijimit. E pranojmë në heshtje, por nuk kemi guximin të themi “është një e vërtetë që u vërtetua, por nuk na vjen mirë për mënxyrën që e gjeti Letërsinë e Realizmit Socialist. U shemb Sistemi, u shemb edhe Superstruktura ideologjike dhe bashkë me të edhe Pema Letrare e Poetike, që mbahej pas rrënjëve të saj….
Prandaj, ata/ato që nuk e pranojnë Fenomën Paralele te Shembjes së Sistemit njëkohësisht edhe të Letësisë së Saj, mirë është t’i lënë dënglat, se valla në Komunizëm u shkrua letërsi e vërtetë dhe tani, në demokraci, nuk shkruhet më letërsi si ajo, si ajo de, që të hipnotizonte dhe ende ndjehemi të hipnotizuar prej saj.
Gjithnjë kam patur parasysh këshillën e shkrimtarit anglez Xh. Gollsuorth, i cili pohon se romani është tërësi karakteresh. Kjo pohesë e hershme për mua do të thotë se karakteret e romaneve të mi janë të aftë të “jetojnë” edhe kur “arratisen” nga Shtëpia e Madhe….
Sidoqoftë, dyshimi që më ka më ndjekur tërë jetën, se “tregimi është gjinia më e vështirë në artin e të shkruarit,” komenti i mëposhtëm i Estetit Vasil Vasili, më qeton se diçka kam mundur të bëj…
Vasil Vasili
(shkrimtar,poet, estet i letërsisë):
Po them edhe pak fjalë të tjera për tregimet e tua, o Thani. Tre tregimet e fundit që të kam lexuar, këtu në fb. meritojnë një vlerësim të lartë. Ato janë mjeshtërore dhe me shumë shpirt. Thani, në këto tregime, e zotëron atë që shkruan dhe fjala është si e gjallë, e fortë. Ajo nuk dremit në asnjë çast, është befasuese, por në të njëjtën kohë është dhënë brenda një mendimi të kulturuar. Kalimet nga njëra situatë në tjetrën jepen me një logjikë të brendshme. Çdo situatë nuk del jashtë ritmit të përgjithshëm. Personazhi ka një shqetësim të brendshëm, nga edhe buron tregimi. Kjo mënyrë, pra që ngjarja buron nga brenda, e disiplinon… fabulën. Por ti i ke shpëtuar mrekullisht poetizimeve që burojnë nga brenda, duke kapur thelbësoren dhe jo poetizimet letrare. Kjo veti, tregon se ti e zotëronn shumë mirë tregimin, ndoshta gjininë më të vështirë. Në këto tregimet amerikane je shkëputur nga anekdotizmi dhe ornamentalizmi provincial që të kam vërejtur në temat me lëndë shqiptare. Thani, duhet ta rifitosh besimin nëse të ka humbur, se je tregimtar. Je tregimtar.

Më 11 mars 1908 u nda nga jeta Edmondo De Amicis, autor i librit të famshëm ‘Cuore’ (Zemra)

VOAL – Poet i vëllazërisë dhe mirësisë, Edmondo De Amicis u lind më 21 tetor 1846, në Oneglia (Imperia), qyteti i një atdhetari dhe iluministi tjetër të rëndësishëm, Giovan Pietro Vieusseux (1779-1863).

Ai përfundon studimet e tij të para në Piemonte, së pari në Cuneo dhe pastaj në Torino. Ai hyn në Akademinë Ushtarake të Modenës dhe mbaron për toger më 1865. Vitin e ardhshëm ai lufton në Custoza. Duke vazhduar karrierën ushtarake, përpiqet të mos ndahet nga pasioni për të shkruar: në Firence drejton revistën “Italia ushtarake” dhe publikon, ndërkohë,  veprën “Jeta ushtarake” (1868), suksesi i cili mundëson të përkushtohet ekskluzivisht tek pasioni i shkrimit.

Në vitin 1870, në rolin e korrespondentit të “La Nazione”, ai mori pjesë në ekspeditën e Romës, duke hyrë në Porta Pia. Tani i lirë nga angazhimi ushtarak fillon një seri udhëtimesh – madje edhe në emër të “La Nazione” – për të cilën ai lë dëshmi me botimin e reportazheve autentike.

Kështu u lind libri “Spanja” në vitin 1873; “Hollanda” dhe “Kujtimet e Londrës”, në vitin 1874; “Marok”, në vitin 1876; Konstandinopoja, në vitin 1878; “Në portat e Italisë”, në vitin 1884, kushtuar qytetit të Pinerolit dhe rrethinës së tij, deri në udhëtimin e tij në Amerikë, ditari i të cilit, i titulluar “Mbi Oqean”, u dedikohet emigrantëve italianë.

Mbyll sezonin e udhëtimeve, Edmondo De Amicis kthehet në Itali dhe filloi t’i përkushtohet letërsisë arsimore që e bën atë jo vetëm një shkrimtar të talentuar, po gjithashtu një mësues: pikërisht në këtë fushë ai do të shkëlqejë, më 1886, botohet kryevepra e tij, “Cuore” (Zemra) e cila, pavarësisht nga mungesa e përmbajtjes fetare katolike, ka një sukses të jashtëzakonshëm dhe është përkthyer në shumë gjuhë.

Gjithashtu publikon, ndër të tjera, “Romani i një mjeshtri”, në vitin 1890; “Mes shkollës dhe shtëpisë” në vitin 1892; “Mësuesja e vogël e punëtorëve”, në vitin 1895; “Transporti i të gjithëve”, në vitin 1899; “Në mbretërinë e Matterhorn”, në vitin 1904; “L’idioma gentile” në 1905. Ai bashkëpunon në botime të ndryshme të frymëzuara nga socialistët.

Dekada e fundit e jetës së tij është shënuar nga vdekja e nënës, nga dështimi i martesës së tij me Tereza Boassi dhe vetëvrasja e djalit të tij Furio, çka lidhet pikërisht me kushtet e papranueshme të krijuara në familje nga mosmarrëveshjet e tërbuara dhe të vazhdueshme prindërore.

Edmondo De Amicis vdiq në Bordighera (Imperia) më 11 mars 1908, në moshën 62 vjeçare.

De Amicis fut në veprat e tij pedagogjike rreptësinë morale që vjen nga arsimi i tij ushtarak. Gjithashtu duke qenë një patriot i pasionuar dhe iluminist, si dhe një autor i fuqishëm, ai mbetet i lidhur me kohën e tij: libri “Zemra”, që shndërrohet në bazë të fortë për edukatën shkollore në fillim të shekullit të 20-të, u kritikua dhe u ridimensionua për shkak të ndryshimeve në kohërat e reja. Dhe kjo gjithashtu shkon në dëm të vlerës së saj letrare që do të meritonte të çmohej bashkë me gjithë veprën e De Amicis.

Veprat e tjera të Edmondo De Amicis: “Skica të jetës ushtarake” (1868); “Novelle” (1872); “Kujtimet e 1870-71” (1872); Kujtimet e Parisit (1879); “Të dy miqtë” (1883); “Dashuria dhe gjimnastika” (1892); “Çështja Sociale” (1894); “Tri kryeqytetet: Torino-Firence-Romë” (1898); “Tundimi i biçikletës” (1906); “Kinema cerebrale” (1907); “Kompania” (1907); “Kujtimet e një udhëtimi në Sicili” (1908); “Portrete të reja letrare dhe artistike” (1908).


Send this to a friend