
Kartëmonedha është një nga elementët kryesor të një shteti, përfaqësuese e sovranitetit kombëtar, njësi shkëmbimi dhe mjet kryesor i sistemit të tij ekonomik.Për rrjedhojë, roli dhe rëndësia e saj është esenciale.Si traditë, në njësitë monetare të një vendi, për të evokuar historinë, kulturën apo aspektet e tij karakteristike vendosen si simbole kryesore portrete personalitetesh historike, kulturore, politike, artistike, shkencore, etj.Gjithashtu edhe tempujt e vjetër, objektet apo artifaktet religjioze, ato arkeologjiko-historike, fauna dhe flora, etj janë pjesë e saj.
Banka e Shqipërisë ka emetuar dhe ka aktualisht në qarkullim kartmonedha me prerje 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekshe në të cilat rafigurohen portrete figurash mjaft të rëndësishme të historisë dhe kulturës tonë kombëtare si poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, teologu dhe filosofi Pjetër Bogdani, mbreti i fundit i Ilirëve Genti, heroi ynë kombëtar Skënderbeu dhe themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar Ismail Qemali.U gëzova mbi faktin kur institucioni në fjalë njoftoi për hedhjen në qarkullim të një kartëmonedhe të re të prerjes 10.000 lekshe, me portretin e poetit dhe shkruesit të Himnit Kombëtar, Asdrenit.Një veprim pozitiv dhe që vlen për tu përshëndetur.Figura që meritojnë nderimin tonë dhe janë unanimisht të gjithëpranuara.
Por një fakt më bën me të vërtetë shumë përshtypje e më çudit pa masë.Si është e mundur vallë që një komb si ne shqiptarët, të cilët e kanë trajtuar me nder, respekt e privilegj femrën qysh nga koha e Ilirëve të mos e rafigurojnë këtë konsideratë edhe në kartëmonedhat e tyre kombëtare?!A nuk duhet të hedhim një hap emancipues edhe në këtë drejtim, ta kapërcejmë maskilizmin tonë epëran dhe ti japim një vënd të rëndësishëm figurave femrërore që kanë dalë nga gjiri i kësaj toke në njësinë tonë monetare?! Ndërkohë kombe të tjera e kanë kryer më parë këtë akt kurajoz e vlerësues, ku shumë personalitete të rëndësishme femërore zënë vend në kartmonedhat e tyre, përkundrazi në kartmonedhën tonë figura e femrës, fuqia dhe personaliteti i saj nuk gëzon përfaqësim simbolik.Ndërkohë, rasti më i fundit, vendi më demokratik në botë Shtetet e Bashkuara për të dhënë shembullin universal të parimit “Demokracia nis nga Mendja” ndërmorën hapin më të guximshëm në këtë drejtim, për zëvëndësimin nga kartmonedha 20-dollarëshe të portretit të presidentit të shtatë historik Andrew Jackson me atë të aktivistes Afro-Amerikane për heqjen e skllavërisë në Amerikë, Harriet Tubman.Një vendim i cili pritet të hyjë në fuqi së shpejti.
Sa do të dëshiroja që edhe në vendin tim të materializohej kjo ide së shpejti apo në të ardhmen e afërt dhe Banka Kombëtare të emetonte kartmonedha me portrete të figurave të shquara femërore në to.Për këtë qëllim ofroj edhe disa ide-propozime.Psh, kartmonedha me prerje 100 lekëshe e cila ka ekzistuar në qarkullim deri në vitin 2008, propozoj që të rikthehet sërish dhe në anën e përparme të saj të rafigurohet portreti i Nënë Terezës.E para tek Njeriu është NENA.E kush më mirë se kjo shenjtore; një simbol dashurie, përuljeje e sakrifice do të ishte më mirë në këtë pozicion, e cila përmes imazhit të vet do dukej sikur do të na thoshte çdo ditë: “Përdorini me zgjuarsi të mirat tuaja e mbi të gjitha dhuroni me dashuri.”
Një fakt tjetër i cili të çudit dhe gjithashtu të lë gojëhapur ështe se në gjithë historinë e kartmonedhës shqiptare nuk është rafiguruar kurrë ndonjë portret personaliteti shkencor.A thua vallë se prej këtij kombi trim, punëtor e luftëtar, geni i shkencëtarëve të jetë një gen i munguar brenda tij?! Për këtë qëllim propozoj që Banka Kombëtare të emëtoj një kartmonedhë të re, atë 300 lekëshe (shumë kombe kanë kartmonedha me prerje të tilla) dhe në të të rafigurohet portreti i shkencëtares së parë shqiptare, Sabiha Kasimati.Një alternativë tjetër e denjë do të ishte gjithashtu edhe astrofizicienia me famë botërore, Laura Mersini.Nëse është i vërtetë fakti që kartmonedha është një simbol krenarie, po aq i vërtetë është edhe fakti tjetër që të dyja këto personalitete shkencore na krenojnë si komb.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme.Shumë kombe kanë hedhur në qarkullim kartëmonedha me vlerë të lartë monetare (high denomination currency) Nuk e di nëse kartmonedha me vlerë 10.000 lekshe do të jetë kartmonedha me vlerën më të lartë edhe në të ardhmen por nëse do të kishte një tjetër emëtim të ri kartmonedhe me vlerë të lartë nga Banka Kombëtare, do të dëshiroja që në të të rafigurohej portreti i shkrimtares së parë grua; feministes, martires për liri dhe ideologes së lëvizjes së parë Social-Demokrate në këtë vend, Musine Kokalari.Ler të na kujtojë portreti i saj “in saecula saeculorum” se për të mirën më të lartë që është Atdheu, ne e falim Rininë, Idetë madje edhe vet Jetën.
Sepse tek e fundit kartmonedhat nuk janë vetëm një mjet shkëmbimi; përmes përfaqësimeve simbolike ato shërbejnë edhe si instruktore historike për të na përkujtuar kështu jo vetëm të kaluarën por për të na bërë më të kujdesshëm e më të përgjegjshëm për bashkësinë tonë kombëtare dhe vlerat e saj në të ardhmen.
© Melsen Kafilaj
Komentet