VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kandiç: Normalizimi Kosovë-Serbi përmes zbardhjes së krimeve të luftës

By | March 29, 2019

Komentet

Ditët e agonisë së pluralizmit në Shqipëri, koha e fundit për ndërhyrje! – Nga ARTAN FUGA

Nëse në zgjedhjet e 30 qershorit partitë qeveritare rreth Kryeministrit hyjnë vetëm, pa pjesëmarrjen e partive reale opozitare, demo-kracisë dhe pluralizmit në Shqipëri i ka ardhur fundi! Ta çojmë në varreza, ta qajmë aty, politikanët të mbajnë fjalimet e rastit dhe mbi pllakën e gurtë të varrit të shkruhet:

11 dhjetor 1990-30 qershor 2019
Këtu prehet pluralizmi shqiptar!
Vdiq i ri!
E vranë në sherr e sipër!
Ju o kalimtarë që shkoni këtej hidhni një lot, vini një gjethe dafine dhe mendoni se njeriu sado të rritet, mbetet një fëmijë e i papërgjegjshëm!
Shqipëria prehet poshtë këtij guri varri!
Varrosja e pluralizmit shqiptar e dëmton deri në palcë popullin dhe kombin shqiptar anembanë trojeve të veta!

Qani edhe ju që nuk keni lindur ende, edhe ju të vdekur!

Brezi jonë ju vrau pa lindur dhe ju rivrau përsëri!

Kush është fajtori? Të gjithë! Llogaritë i bën Zoti në botën tjetër kur të gjithë politikanët nëse nuk tërhiqen, në ferr do t’i çojë. Pas tyre edhe ne të tjerët! Porta e parajsës është mbyllur!

Pamjet filmike nga Librazhdi a Përrenjasi dje kur populli në rrugë thërriste: Ik, ik dhe eskortat e Policisë mbronin të ardhurit dhe Kryeministrin me makina blind që iknin si të çmendura, duke rrezikuar qytetarët rrugëve a trotuareve, ishin prova e asaj që do të ndodhi në ditët dhe vitet që do të vijnë.

Zgjedhjet janë të pamundura kështu për ne qytetarët. Mes breshëri gurësh, sirenash policie, sherresh mes nesh!

Asimetria në mjete dhe vendosja e shtetit, e Forcave të Armatosura dhe e Policisë në shërbim të një force politike qeveritare për të mbrojtur përfaqësuesit e saj nga populli që pretendon se do ta përfaqësojë, treguan dje dhe në vazhdim se nuk mund të ecet kështu!

A ka zgjidhje?
Po! Po! Po!
Nga analiza e gjendjes ka të paktën 5 opsione për të gjendur një zgjidhje jo për të
kënaqur palët, por për të bërë ato akte kirurgjikale që ta shpëtojnë pluralizmin shqiptar
nga vdekja e sigurt në ditët që vijnë!

Ka 5 opsione të shkëlqyera!

Por politikanët të heqin dorë fillimisht nga mjetet e dhunshme.

Po, është dhunë ta çosh kryetarin e opozitës para zgjedhjeve në Prokurori. Pluralizmi ka mbaruar!

Po është dhunë t’i bësh gjyqin ostracist Presidentit të Republikës në një seancë llafollogjie në një Kuvend me deputetë, që marrin urdhra dhe mund të votojnë edhe nëse u thuhet: “Gomari fluturon”.

Po është akt dhune edhe të gjuash eskortën e Kryeministrit me gurë!
Këto janë zgjedhjet që na shërbeni o politikanë ne qytetarëve?!
Këto quani shprehje e vullnetit qytetar?
Kjo është qetësia që meriton qytetari kur të shkojë të hedhë votën në kuti?
Midis shkopit të policit dhe vëzhgimit të militantit që i mban shënim emrin në bllok duke
e survejuar nga ballkoni?
Çfarë talljeje po na bëni!
Vetëm një popull budalla mund të votojë kështu!
Pse? Sepse paskeni prerë datën e dasmës dhe krushqit nuk mund të kthehen më mbrapsht!

O na jepni çupën sot për nuse, o u premë me thika për një qind breza me njëri-tjetrin!

Në legjenda mijëvjeçare do të hyjë kjo javë!

Aristoteli, Makiaveli, Loku, Hobsi, Rusoi, Monteskjei do të na shihnin nga qielli dhe do të thoshin: Ja shqiptarët, kombi më idiot, më budalla, më shtetshkatërrues në Europë!

Kështu duam të na pranojë Europa!
Ne meritojmë të hidhemi në det po vazhduam edhe pak ditë kështu!
Ka 5 opsione të shkëlqyera!
Ka universitarë që i mendojnë këto, i kanë këto zgjidhje, por askush nuk dëshiron t’i dëgjojë!
Politikanët kanë nxjerrë shpatat me njëri-tjetrin.
Akademikë të korruptuar, senilë nga mendja dhe të bufatur, heshtin si minj!
Populli sheh një spektakël dhune me përbuzje dhe mendon se çfarë të bëjë: të kapë gurët, apo të marrë dhenë?!
Ai fyhet çdo herë që sheh skena dhune sepse janë kërcënime kundër tij!
Rri urtë o skllav, o raja, o palaço, o turmë! – duket sikur i thonë.
Nuk do të ketë kryetar bashkie, politikan, qytetar që pas 30 qershorit do ta nisi e do ta ngrysi ditën si njeri.
Ka 5 opsione, mund të ketë edhe 50.
Por fillimisht duhet ndërhyrë për të mos e lënë të sëmurin në agoni të vdesë në mënyrë të sigurt në 30 qershor.
Mos shpresoni se do ta shëroni me barna popullore!
E sigurt, vdekja!
As duke u rrahur dhe çjerrë sipër shtratit të tij për trashëgiminë!
Ju doni ta vdisni sa më shpejt!
O sot, ose përgatituni për varrimin e madh ku poshtë gurëve do të shkruhet:
Këtu prehet pluralizmi shqiptar!
Vdiq i ri!
11 dhjetor-30 qershor 2019!
E vranë politikanët!
Shqiptarët janë budallenj!
O kalimtar, mos kalo më këtej

A do e shpërndajë Meta Kuvendin? Lëvizja e Presidencës në KQZ (dokument)

TIRANE

Përmes sekretares së Përgjithshme, Presidenca i është drejtuar sot me një shkresë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përmes së cilës i kërkon t’i vihet në dispozicion lista shumë emërore e deputetëve.

Në shkresën drejtuar KQZ, presidenca kërkon t’i vihet në dispozicion numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit në shkallë vendi, si edhe lista emërore e deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për cdo zonë zgjedhore për cdosubjekt.

Lëvizja e radhës e presidencës, vjen një ditë pasi Kuvendi  votoi me 100 vota pro rezolutën kundër Kreut të Shetit, e cila e bën nul vendin dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Scott kujton se askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, kujtoi se ende askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi dhe të dhjetëra kosovarëve të tjerë, që janë gjetur në një varrezë masive në Petrovo Sello të Serbisë.

“Në këtë ditë, në vitin 2001, një varr masiv me trupat e 75 kosovarëve është gjetur në Petrovo Sello. Në mesin e të vdekurve kanë qenë tre shtetas amerikanë – vëllezërit Bytyçi”, shkroi Scott në Twitter.

On this day in 2001, a mass grave with the bodies of 75 Kosovars was uncovered in Petrovo Selo. Among the dead were three American citizens, the Bytyci brothers. To this day, no one has been punished for this extrajudicial murder. #JusticeforAllVictims
— Ambassador Kyle Scott (@usambserbia) June 14, 2019

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.

Sot grevë e përgjithëshme e grave në të gjithë Zvicrën

Arsyet për grevën e grave janë të mjaftueshme. Paga dhe pensione të ulëta, të cilat nuk mjaftojnë për të jetuar, mungesë respekti dhe vlerësim i mangët për punën tonë (me e pa pagesë) janë maja e ajsbergut.

Paragjykimet, seksizmi dhe diskriminimi godasin gratë në të gjitha rrafshet e jetës dhe kufizojnë ato në të drejtat edhe liritë e tyre. Që pos kësaj të jenë të konfrontuara edhe me ksenofobi e racizëm, dyfish të diskriminuara janë gratë migrante. Shanset e njëjta dhe barazia ende janë shumë larg për tu arritur.

Edhe pse ne profesionet dhe punët tona i ushtrojmë me pasion dhe me zemër, ato nuk vlerësohen thuaja se fare. Ne duhet të kontribuojmë gjithmonë dhe edhe më shumë. Me më pak personel, për po atë paga dhe në kohë edhe më të shkurtër. Kështu duan punëdhënësit dhe të djathtët. Stresi dhe ngarkesat në vendin e punës sa vijnë e rriten, ndërsa sfidë edhe më e vështirë mbetet harmonizimi i familjes dhe profesionit. Për arsimim e trajnim të mëtejmë nuk mbeten as para e as kohë.  Edhe jeta në moshë të shtyrë, për shkak të pagave e pensioneve të ulëta, për shumë nga ne më shumë është luftë për  të mbijetuar se sa pensionim me dinjitet.

Andaj ne kërkojmë: Respekt! Më shumë pagë! Më shumë kohë!

Respekt për ne dhe punën që bëjmë, pavarësisht nga prejardhja dhe gjinia jonë. Më shumë pagë për punën tonë, pasi ne duam të jetojmë nga pagat dhe pensionet tona. Më shumë kohë për ne, për familjet tona, për jetën tonë.

Të gjitha këto të vijnë si të njohura? Na trego historinë tënde dhe bëhu pjesë e grevës së grave. Të gjitha informatat në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht i gjen në:
www.frau-streikt.ch
https://greve-des-femmes.ch
https://sciopero-delle-donne.ch

Manuela Giovanoli, sekretare për politikë të barzisë gjinore (përshtati O. Osmani)

Kontrata e lobimit në SHBA, Prokuroria merr të pandehur Lulzim Bashën

Prokuroria e Tiranës ka thirrur kryetarin e PD-së, Lulzim Basha për të dëshmuar në datë 17 Qershor në prokurori, në lidhje me lobimin në SHBA .

Në fletëthirrjen e Prokurorisë shkruhet se Basha po thirret me cilësinë e të pandehurit, ku do të njoftohet për akuzën.

 

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Madeleine Albright: Letër vetes sime t’re

*Madeleine Albright këtë letër ja ka adresu vetes në moshë më të shtyme, 44 vjeçe, kur i asht shu martesa!



E dashtun Madeleine

Ki me e tejkalu këtë mjegull e pasiguri – edhe ata në mënyrën ma të mirë të mundshme. Nuk ki me u ba cinike, stoike apo e vrazhdë prej kësaj humbje që je tu e ndje. Gjatë dhjetë vjetëve në vazhdim ki me e rindërtu e rikriju veten, ki me pas sukses – dhe përmbushje të jashtëzakonshme.

E vërteta asht që ti e ki guximin me e gjet qëllimin tand edhe integritetin me e përmbush atë qëllim simbas standardeve tua. Prindërit të kanë mësu me e dhanë ma të mirën e me i arritë krejt ato që mundesh, me talentet që i ki. Ti ki me i vendos ato talente në shërbim të vetes, ki me e gjet zanin tand edhe ki me e përdor atë za për t’i shërby vendit në mënyra që kanë me të mahnit.

Kur të pyesin studentet se qysh ja ke dal me kanë e martume, me pas fëmijë edhe me punu në të njajtën kohë ki me u ndje si hipokrite sepse ti mendon që ke dështu aty.

Asht vështirë me u ndje e kualifikume si model. Por ti je.

Kanë me kalu shumë vjet derisa te kupton që je model i mirë. Por përfundimisht, ti ki me inspiru ma shumë gra sesa që kishe mujt ndonjiherë me paramendu. – Mbas njizet e tri vjetëve, kur gratë kanë me të tregu që kanë zgjedh të bajnë karrierë në marrëdhanie ndërkombëtare, ti ke me u ndje mirë kur ki me ju thanë se nuk ka formulë, ngase çdonjani duhet me e ndjek udhën e vet.

Me shumë besim,
Madeleine Albright

…………………………………………….

©përkthim, Vlora Konushevci

Marrë prej librit:
What I Know Now
LETTERS TO MY YOUNGER SELF
By ELLYN SPRAGINS

Intervista – Weber: Samiti i Parisit do të mbahet, rinisja e dialogut të jetë garanci se po shkohet drejt finales së vërtetë

Eksperti gjerman i politikave për demokratizim dhe zhvillim që ndërlidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, thotë se Samiti i Parisit do të mbahet, pasi që kancealarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emanuel Macron, nuk kanë hequr dorë nga nisma për një takim Kosovë – Serbi në Paris. Këto deklarata analisti gjerman i ka bërë në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ku ndër të tjera ka thënë se rinisja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë një garanci që po shkohet drejt një finaleje të vërtetë.

Shkruan: Besnik Veliu

Teksa ka folur për afatet kohore, Weber thotë se ato janë të një rëndësie dytësore, megjithatë potencon se në rast të rifillimit të negociatave, procesi nuk duhet të zgjasë më shumë se dy vjet.

Ndër të tjera eksperti gjerman për Ballkanin, në këtë intervistë, ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve dhe treshen Thaçi – Mogherini – Vuçiq, involvimin amerikan, si dhe synimin rus që të mos ketë fare marrëveshje.

Gazeta Express: Më 6 qershor, kryeministri Ramush Haradinaj është takuar në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Haradinaj pas takimit ka thënë se Merkel nuk i ka kërkuar heqje të taksës, ndërkohë ka shtuar se çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të jetë e komplikuar, edhe pse është dhënë një mbështetje e plotë nga Gjermania. Në anën tjetër nga kabineti i Merkelit nuk është dhënë asnjë deklaratë për media rreth takimit. A mendoni se ka ndonjë arsye për këtë, a mendoni se ka shkuar diçka keq në Berlin?

Gjithashtu ka pasur raportime që Samiti i Parisit mund të anulohet, për shkak të qëndrimeve të palëkundura të Kosovës dhe Serbisë?

Weber: Jo, asgjë nuk ka shkuar keq në takimin e Berlinit. Ai ishte një takim pune, si pjesë e serisë së takimeve të zyrtarëve gjermanë dhe francezë para Samitit të Parisit, prandaj fakti që zyra e kancelares nuk ka lëshuar komunikatë publike, nuk duhet të zgjojë asnjë dyshim. Takimet janë pjesë e një procesi eksplorues për të përcaktuar kornizën e takimit të Parisit, që në fund nënkupton hap përpara për rinisjen e negociatave për një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse, duke përcaktuar një kornizë të negociatave kuptimplote. Pas dy vitesh dialog, synimi i treshes (Mogherini – Thaçi – Vuçiq) për të arritur një “zgjidhje” përmes shkëmbimit të territoreve ka shkuar në drejtim absolutisht të gabuar. Kjo nuk është e lehtë, thjesht sepse dy liderët nga Prishtina dhe Beogradi ecën drejt një procesi të rremë.

Gazeta Express: A mendoni që Berlini dhe Parisi janë dorëzuar sa i përket takimit të caktuar në fillim të korrikut, apo mendoni se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i rikthyer në dialog Prishtinën dhe Beogradin, për arritjen e një marrëveshjeje?

Weber: Merkel dhe Makron definitivisht nuk kanë hequr dorë nga Samiti i Parisit. Janë duke u zhvilluar bisedime për shtyrjen e Samitit për në fund të verës, por nga ajo që kam dëgjuar së fundmi, duket që Berlini dhe Parisi janë pajtuar që të mbetet data e caktuar e Samitit në korrik. Derisa nuk është e parëndësishme që të kemi shefat e rinj të institucioneve të BE-së në Bruksel, iniciativa franko-gjermane nuk do të presë dhe nuk duhet të presë derisa Komisioni i ri Evropian të fillojë punën. Unë dhe organizata ime kemi konstatuar se përgjatë kësaj përvoje dhjetëvjeçare me institucionet e BE-së dhe politikën e zgjerimit, se nëse BE-ja ua lë institucioneve të Brukselit një iniciativë politike, janë krijuar telashe. Frederika Mogherini dhe ekipi i saj i cili ua ka rrëmbyer institucioneve të tjera të BE-së negociatat për dialog në dy vitet e fundit, përfshirë qeveritë e shteteve anëtare, ka qenë mbase shembulli më ekstrem i kësaj udhëheqje. Prandaj është e rëndësisë së madhe që dy nga shtetet anëtare me më ndikim e kanë marrë një nismë për t’i kthyer nën kontroll procesin e negociatave si dhe në binarë drejt negociatave serioze për arritjen e një marrëveshje vërtet gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve Kosovë – Serbi. Ky është një proces që nuk duhet dhe nuk mund të presë derisa presidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit e lartë të marrin zyrtarisht detyrën.

Gazeta Express: A ka ndonjë afat deri kur mund të arrihet një marrëveshje?

Weber: Jo nuk ka dhe nuk duhet të ketë afat kohor. Rinisja e bisedimeve duhet të sigurojë që marrëveshja finale duhet të jetë vërtetë finale, dhe vërtetë gjithëpërfshirëse, që  ndërton bazë për bashkëjetesë paqësore të Serbisë dhe Kosovës për dekadat që vijnë. Afati kohor është i rëndësisë dytësore. Edhe pse unë jam i bindur se nëse negociatat kthehen në një kornizë kuptimplote, një proces i tillë nuk duhet të zgjasë më shumë se 1 apo 2 vjet.

Gazeta Express: A mendoni që SHBA-ja, Gjermania dhe anëtarët tjerë të QUINT-it do të diskutojnë dhe koordinohen për çështjen e Kosovës, si mendoni që do të shkojnë gjërat tutje?

Weber: Unë besoj që vullneti i Shteteve të Bashkuara mund të jetë tashmë duke u kthyer në një rol përkrahës në raport me BE-në për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Gazeta Express: A do të përfshihet edhe Rusia në procesin e dialogut për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi?

Weber: Nuk jam i sigurt, Rusia nuk është e interesuar në asnjë proces konstruktiv që drejtohet nga Perëndimi dhe veçanërisht jo për ta sjellë Serbinë më afër integrimeve Euro Atlantike.

Intervista – Palmer: SHBA-ja nuk është e gatshme që të vulosë çfarëdo marrëveshjeje

Amra Zejneli-Loxha

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer.

Duke iu referuar nismës së kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Palmer tha se beson që ajo është nismë në mbështetje të dialogut të Brukselit.

“Ne i kuptojmë takimet në Berlin e Paris si të dizajnuara që të mbështesin dialogun gjithëpërfshirës për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi ai.

Palmer, po ashtu tha se pret që Prishtina zyrtare të suspendojë tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia, në mënyrë që dialogu të vazhdojë sa më shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Ju sapo u kthyet nga Serbia ku takuat disa zyrtarë kryesorë atje dhe tani jeni në Prishtinë. A patët sukses që t’i bindni të dyja palët që t’i kthehen dialogut?

Matthew Palmer: Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Mendoj se është fundamental për të ardhmen e të dyjave vendeve, Serbisë dhe Kosovës që të gjejnë një rrugë për të normalizuar raportet, idealisht kjo do të thoshte njohje e dyanshme dhe hapja e një rruge drejt integrimit evropian për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë. Kthimi në tavolinë është fundamentale për këtë. Kjo nënkupton suspendimin e tarifës, pra largimi i pengesave për progres. Unë besoj që të dyja palët janë gati që të ritakohen, por është më rëndësi që të krijohen kushtet në mënyrë që kjo të jetë e mundur. Ne mbetemi mbështetësit kryesorë në këtë proces. Nuk ka rrugë tjetër përpara për Kosovën, përpos dialogut me Serbinë, normalizimi i raporteve dhe ne shpresojmë se mund të ndodhë sa më parë.

Radio Evropa e Lirë: Në pikëpamjen e SHBA-së, a është largimi i tarifave një kusht absolut për vazhdimin e dialogut?

Matthew Palmer: Në këtë pikë nuk shohim ndonjë rrugë tjetër përpara. Është apo jo e drejtë, kjo është një pyetje tjetër, por taksa është pengesë për progresin. Kosova nuk po fiton nga kjo në ndonjë mënyrë. Tarifat në fakt janë, siç i shohim ne, të dëmshme për interesin strategjik të Kosovës në normalizim dhe rrugën evropiane. Kështu që, ne inkurajojmë autoritet në Prishtinë që, minimalisht të suspendojnë tarifën në mënyrë që të lejojnë procesin që të rifillojë, të shihet nëse mund të arrihet progres, nëse mund të tërheqje apo lëvizje përpara dhe tani të bëjmë gjithçka mundemi që të çojmë procesin përpara drejt një marrëveshje sa më parë.

Radio Evropa e Lirë: A shihni gatishmëri në shoqërinë kosovare për të suspenduar tarifën?

Matthew Palmer: Mendoj se ky është një vendim që duhet ta ndërmarrë Kosova në bazë të mirëkuptimit kolektiv për interesat më të rëndësishme të Kosovës. E kuptoj që tarifat janë shumë popullore dhe e kuptojmë pse, por në inkurajojmë njerëzit, si liderët politikë ashtu edhe votuesit në Kosovë, që të shikojnë mirë se çfarë po përfiton në fakt Kosova nga kjo dhe çfarë në të vërtetë ka shkaktuar në Kosovë. Dhe nëse kjo është shikuar qartësisht, mendoj se ata do të pajtoheshin me konkluzionet tona se tarifat rrënjësisht nuk janë duke ndihmuar Kosovën në rrugën në të cilën ajo duhet të shkojë përpara.

Radio Evropa e Lirë: A mund të jetë ‘Shuttle’ diplomacia si diçka që do të mund të përdorej për t’i kthyer të dyja palët në tavolinë?

Mathew Palmer: Unë sapo isha në Beograd, tani jam në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë: A është kjo pjesë e ‘Shuttle’ diplomacisë?

Matthew Palmer: Ne zhvillojmë bisedime me të dy palët në këtë proces rreth asaj se si të ecim përpara. Në fund të fundit kjo nuk varet nga ne që të negociojmë një marrëveshje. Prishtina nuk do të negociojë një marrëveshje me SHBA-në, nuk do të negociojë një marrëveshje me Brukselin, duhet të negociojë me Beogradin, kështu që duhet që të gjejë një rrugë përpara duke u kthyer në tavolinën e dialogut duke u kthyer ne tavolinën e negociatave dhe të arrijë një marrëveshje që avancon interesat nacionale të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A po kërkon Prishtina nga Shtetet e Bashkuara që të përfshihen më shumë në këtë proces, apo ndoshta në ‘Shuttle’ diplomaci?

Matthew Palemer: Nuk ka ndonjë proces, në të cilin SHBA-ja do të përfshihej apo do të mbështeste në një formë materiale. Duhet të gjejmë një rrugë për të rinisur dialogun. SHBA-ja është e përkushtuar për ta mbështetur atë proces. Ne kemi qenë të përfshirë dhe të angazhuar që nga fillimi. Jemi të përgatitur për të bërë më shumë në mbështetje të këtij procesi, por ne duhet të gjejmë një mënyrë që t’i kthejmë palët në tavolinën e bisedimeve, për të biseduar për çështjet fundamentale.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, SHBA-ja nuk është e ashpër siç ishte në fillim kur tarifat u vendosën. Ju anuluat disa vizita në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj nuk mori pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Uashington për shkak të çështjes së vizës. A ka ndryshuar diçka në ndërkohë?

Matthew Palmer: Njerëzit analizojnë më shumë sesa duhet në zhvillimet e vogla, por fundamentalisht SHBA-ja mbështet Kosovën. Kosova është partnere për ne dhe ne jemi partner strategjik për Kosovën. Thënë këtë, ka kufizime se çfarë SHBA-ja mund të bëjë për të ndihmuar Kosovën, nëse Kosova nuk e ndihmon veten. Pra, në kuptimin e dialogut me Serbinë, pasojat natyrale të bllokimit të procesit të dialogut, do të manifestohen edhe pa pasur nevojë që Shtetet e Bashkuara të jenë të fortë dhe të ashpër në ndonjë mënyrë të veçantë. Kosova nuk do të jetë në gjendje të lëvizë përpara dhe siç kam thënë në deklarimet e mia publike dje, nëse Kosova nuk lëvizë përpara, do të rrëshqas prapa. Pra, Kosova duhet ta ndihmojë veten dhe duhet ta ndihmojë veten duke bërë atë që është e nevojshme që ta rikthejë këtë proces dhe të lëvizë përpara.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Beogradi po i përdor tarifat si arsyetim për të bllokuar dialogun?

Matthew Palmer: Nuk e di nëse të flasësh për këtë është arsyetim apo jo, është e dobishme. Ajo se çfarë tentoj të bëj është që të kuptoj realitetin politik në të dyja anët nëse është e fer apo jo, nëse është e drejtë apo jo, tarifat janë pengesë për progresin. Progresi është fundamental për interesat e Kosovës. Tarifat po e ndalojnë që të ndodhë kjo. Kur të pezullohen tarifat apo të hiqen, ka ende një fushë të hapur të çështjeve që duhet të negociohen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Prandaj, nuk është që e rregullon procesin, nuk zgjidh gjithçka, por lejon që palët të rikthehen në tavolinë, të ri-angazhohen dhe të punojnë për të zgjidhur çështjet së bashku me mbështetjen e Bashkimit Evropian, me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me angazhimin dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë te marrëveshja finale. Në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, Shtëpia e Bardhë dërgoi një mesazh për të dyja palët që të punojnë për të arritur një marrëveshje, e cila do të fokusohej në njohje të ndërsjellë. Duke pasur parasysh rrethanat, a besoni se është e mundur (për të arritur këtë marrëveshje). Çfarë disponimi ka në Serbi, a është Serbia e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës?

Matthew Palmer: Mendoj se mund të ketë marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se është krejtësisht e mundur nëse palët ulen në tavolinë, negociojnë me vullnet të mirë, që të gjejnë një rrugë përpara për një marrëveshje, që është në të mirë të të dyja shteteve. Nuk mund t’ju them se cila është kjo marrëveshje, nuk mund t’iu them se cilat janë elementet e saj. Idealja, për Shtetet e Bashkuara, ne do të dëshironim të shihnin njohje të ndërsjellë si bazë për një marrëveshje, një marrëveshje që vendos të dyja shtetet në rrugën evropiane. Për të arritur atje duhen negociata.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump në letra e tij për presidentët e Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se SHBA-ja është e gatshme të asistojë në arritjen e një marrëveshjeje, që balancon interesat e të dyja shteteve. A ka vija të kuqe për SHBA-në kur bëhet fjalë për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Matthew Palmer: SHBA-ja nuk është e gatshme që vetëm të vulosë çfarëdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ajo se çfarë jemi duke thënë është se duam të shohim një marrëveshje që është e qëndrueshme, që është fer, që është e drejtë, që është e zbatueshme, një marrëveshje e cila mund të shpjegohet dhe të përqafohet nga publiku në të dyja shtetet. Nëse kemi shqetësime lidhur me çështje specifike të ndonjë marrëveshjeje, ne do t’i identifikojmë ato shqetësime dhe do të punojmë me palët, që t’i adresojmë dhe t’i zgjidhim. Por, siç thash, ne do të donim të kishim këtë problem sepse kjo do të thoshte që palët kanë rinisur bisedimet dhe kanë gjetur një të përbashkët. Këtë do të dëshironim ta shihnim.

Radio Evropa e Lirë: Nëse marrëveshja finale ka të bëjë me kufirin, ndarje, korrigjim, përcaktim i kufirit apo sido që të quhet, a do të mbështesë SHBA-ja një marrëveshje të tillë?

Matthew Palmer: Përcaktimi i kufijve është një e drejtë sovrane. Kjo është diçka që Kosova e kontrollon dhe e vendosë. Nëse Kosova vendosë që si një çështje që i takon të drejtës sovrane ta diskutojë rregullimin e kufirit me Serbinë, atëherë kjo është e një zgjidhje e Kosovës. Ne e mbështesim procesin negociues në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ka të bëjë me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kjo nënkupton se cilado marrëveshje duhet të jetë shumëdimensionle, pra do të ketë komponentët e vet politikë, do të ketë komponentën e sigurisë dhe nuk ka dyshime që do të ketë edhe komponentën e kulturës, ekonomisë e tregtisë.

Se a do të përfshijë kjo gjithashtu demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u takon palëve të pajtohen. Sa i përket SHBA-së, ajo dëshiron një proces i cili mbështet dhe është i mbështetshëm nga të dyja palët në bisedime.

Radio Evropa e Lirë: Paralelisht me procesin e Brukselit, po zhvillohet edhe nisma e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmaneul Macron, të cilët po ashtu po përpiqen të arrijnë deri te një zgjidhje. Si e sheh SHBA-ja këtë iniciativë? Presidenti i Kosovës tha se ai ishte i befasuar me faktin që SHBA-ja nuk ishte në dijeni të Samitit të Berlinit dhe kishte shprehur bindjen që Parisi mund të sjell më shumë. Pra, si e sheh SHBA-ja këtë nismë dhe a sa keni njohuri nëse takimi në Paris do të mbahet dhe a do të jeni të përfshirë në të?

Matthew Palmer: Ne mbështesim çdo përpjekje të partnerëve evropianë që ka si synim të shtyjë këtë proces përpara. Ne i kuptojmë takimet në Berlin e Paris se ato janë të dizajnuara që të mbështesin dialogun gjithëpërfshirës për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe se janë duke kërkuar që të krijojnë kushte për rifillimin e procesit. Nëse ky është një mekanizëm që mund t’u ndihmojë palëve që të vijnë deri te marrëveshja dhe deri te një “PO”, është për diçka, atëherë SHBA ka një besim të plotë se e mbështet.

Pra ne po punojmë mirë dhe së afërmi me partnerët, jo vetëm me BE-në si një institucion, por edhe me shtetet anëtare individuale, përfshi edhe Gjermaninë e Francën. Shpresojmë se ky proces do të jap kontribut të vërtetë dhe ne do të mbështesim si të tillë.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta zëvendësojë kjo nismë procesin e dialogut të Brukselit?

Matthew Palmer: Nuk mendoj se ky është qëllimi i këtij procesi, Berlini dhe Parisi janë duke kërkuar formën dhe me atë që po bëjnë po e mbështesin procesin e Brukselit.

ANALIZA – Veton Surroi: Rruga qorre e Shqipërisë. Pse nuk do të shkarkohet Presidenti Meta

 

Tri gjëra nuk do të ndodhin në Shqipëri.

 

Nuk do të ketë zgjedhje lokale, të lira dhe demokratike, më 30 qershor. Nuk do të shkarkohet Presidenti Ilir Meta.

Nuk do të rrëzohet nga pushteti, jashtë verdiktit të votuesit, kryeministri Edi Rama. (Ah, po, është dhe një e katërt, që nuk po ia vë veshin kush, por nëse nuk keni dëgjuar, nuk do të hapen negociatat e anëtarësimit në BE). Lista mund të vazhdojë edhe më tutje, por për momentin e përshkrimit të gjendjes politike më duket se është kornizë e mjaftueshme.

Në këtë kornizë, edhe po të mos ishte shfuqizimi i dekretit nga Presidenti Meta, zgjedhjet që pretendohen të mbahen më 30 qershor nuk do ta kishin legjitimitetin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Shqipëria nuk mund të shndërrohet në katër komuna veriore të Kosovës, ku zgjedhjet përmbushin kriteret bazike organizative, por në to kandidon vetëm një parti, Lista Serbe dhe merr 96 për qind të votave.

Shfuqizimi i dekretit të Presidentit Meta është vështirë i rrëzueshëm ligjërisht; e vetmja instancë që mund të përcaktojë ligjshmërinë apo jo të veprimit të tij është Gjykata Kushtetuese, një instancë tani për tani joekzistuese juridike në vend. Ndërkaq nga aspekti i legjitimitetit, është plotësisht brenda kompetencave të tij të përfaqësuesit të unitetit dhe të atyre që kanë të bëjnë me siguri kombëtare.

Presidenti nuk ka mundur të lejojë që vendi të zhytet syhapur në greminën e antagonizmit në rrugë të një populli të ndarë mes ithtraëve të pushtetit dhe atyre të opozitës.

Dhe, nuk ekziston arsyetim i qëndrueshëm legaliteti e as legjitimiteti që parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri të jetë largimi i kryeministrit Rama, apo e Qeverisë të drejtuar nga ai. Nëse opozita e do demokracinë në vend, ajo nuk mund të diktojë shpërfilljen e vullntetit të shumicës, të asaj shumice, e cila ia dha drejtimin qeverisës Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Shumicën për vete opozita duhet ta aspirojë në garë me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, jo duke kërkuar që të largohen nga pushteti para garës.

  1. Më duket se Shqipëria do të shpenzojë – me ritualet e debateve në studio televizive, si ekstensione të debateve në kafene – më kot kohë lidhur me këto tri pika të kornizës. Ky debat që tani ka marrë formën e fjalëve të mëdha si “puç”, duke përshkruar çdekretimin nga ana e presidentit. Dhe do të thellohet edhe më në listën e gjatë të juristëve që do të shpjegojnë të drejtën apo padrejtësinë e bërë Shqipërisë.

Ky është një debat që në kushtet në të cilat gjendet vendi, është në rastin më të mirë doktrinar. Në mungesë të ekzistencës së Gjykatës Kushtetuese, argumentimi juridik ka aq vlerë sa edhe vërejtjet që bëjnë tifozët në transmetimet e ndeshjeve futbollistike. Ky është akt ishte kushtetues, apo jo është konstatim i njëjtë si vërejtja se trajneri bëri keq që nuk e futi këtë apo atë futbollist në lojë më herët.

 

Sa më shumë të vazhdojë natyra e këtij debati, aq më shumë do të marrë formën e tifozërisë futbollistike. E tifozëria futbollistike, pas stadit fillestar të njohurive bazike për klubin e futbollin, pastaj është tërë emocion. Aty do të zdirgjet (apo ngrihet, kushdo si ta shohë), i tërë debati për 30 qeshorin, Ilir Metën dhe Edi Ramën.

  1. Ekziston gjithnjë një rrugë qorre, një që shqiptarët e gjejnë pa gabim në konkurrencë me rrugët e tjera dhe kjo mund të jetë një prej tyre. Rruga qorre është ajo që të mos bëhet gjë dhe të vazhdohet me deklamime emocionale mbi të drejtën e atyre në pushtet dhe të atyre në opozitë, deri sa të bjerë viktima e parë njerëzore.

Atëherë bëhet krejtësisht jorelevante se kush kishte të drejtë dhe kush e filloi i pari; atëherë bëhet relevante se përse duhej humbur jeta e njeriut dhe pastaj bëhet më relevante se si të mos humbet edhe një tjetër.

Kjo është pika e ciklit ku gjendet sot Shqipëria. Është në mundësi të zgjedhë, me nuhatjen e pagabueshmërisë, rrugën qorre që do të çojë drejt viktimës ë parë të radhës. Kjo rrugë qorre, tash, është debati rreth tri gjërave që nuk do të ndodhin – zgjedhjet më 30 qershor, shkarkimi i Metës, largimi i qeverisë së Edi Ramës – dhe insistimi që të fitohet debati i studios televizive apo kafenesë së radhës.

Dhe kjo është pika e ciklit, e cila mund të shmangë rrugën qorre, me zgjerimin e kontekstit të problemit. Problemet e Shqipërisë nuk mund të përkufizohen në një datë zgjedhjesh, një emër presidenti dhe një emër kryeministri. Problemi i Shqipërisë është mungesa e legjitimitetit të sistemit. Në Shqipëri, shtetit dhe demokracia janë legjitime vetëm për atë që është në pushtet, dhe nuk është legjitim për atë që nuk është në pushtet. Derisa ta marrë pushtetin.

Në atë zbrazëti të madhe legjitimiteti, qytetarët dhe bizneset janë të lidhura me institucionet e shtetit nëpërmjet të lidhjeve personale, krahinore e të klaneve politike. Aty diku në këto lidhje është prania e një force tashmë konstante të Shqipërisë, të krimit të organizuar, i cili investon që shtetit të jetë i këtillë si është – i ndikueshëm (të përdor një fjalë të butë) prej tij.

 

  1. Nëse problemi është më i madh se a do të mbahen me këtë apo atë datë zgjedhjet vendore, atëherë çdekretimi i bërë nga Presidenti Meta mund të jetë rast i mirë që forcat politike në vend të ulen në një tryezë, e cila tejkalon tifozerinë e debateve televizive të mbrëmjes. Tryeza do të kërkonte përgjigje për konsolidimin e shtetit dhe të demokracisë, gjetjen e legjitimitetit për shtet e demokraci në funksionet e veta vitale. Dhe, nuk do mend, ky rilegjitimim do të mundë të përfundonte me gjetje të reja, prej sistemit zgjedhor deri te Kushtetuta e vendit.

E mira do të ishte që të ketë vullnet të mirë e maturi nga të gjitha kampet politike për një rimarrje përgjegjësie për fatin e vendit. Por nëse ka nevojë, e me gjasë ky është njëri prej fateve historike të këtij vendi, nuk do të jetë turp të kërkohet ndihma ndërkombëtare për lehtësimin e një procesi që do ta bëjë – një parullë rituale e forcave shqiptare prej zhbërjes së komunizmit – vendi si e tërë Europa. Apo ashtu si e perceptojmë të ishte Europa./ KOHA DITORE

Zbulohet busti i ish sekretares amerikane Madeleine Albright

Në qendër të Prishtinës në një shesh që mban emrin e ish-sekretares amerikane Medeleine Albright, të mërkurën u zbulua edhe busti i saj, në shenjë nderimi për rolin e zonjës Albright për çlirimin e Kosovës, 20 vjet më parë.

Zonja Albright u shpreh e nderuar me bustin e saj. “Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua”, tha zonja Albright e cila vetëm disa orë me herët u dekorua me “Urdhrin e Lirisë”.

Busti i zonjë Albright, shtatorja e presidenti Clinton dhe një bulevard me emrin e tij, rruga që mban emrin presidentit George Bush, janë disa nga shenjat që shfaqin mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Shteteve të Bashkuara që në Kosovë cilësohet i pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës por edhe të ardhmen e saj.

Para zbulimit të bustit, zonja Albright përkrah ish presidentit amerikan, Bill Clinton, ish komandantit të NATO-s, Wesley Clark të shoqëruar edhe nga udhëheqësit e Kosovës, parakaluan nëpër qendër të Prishtinë në atë që u quajt “ecje për lirinë”.

Ata vunë kurora lulesh tek pllaka përkujtimore kushtuar 213 ushtarëve të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë.

Thaçi e Rama e dëgjojnë edhe një herë Haradinajn: Vuçiqi ta njohë Kosovën në këta kufij

Në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e ceremonisë së 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të pajtohet me shtetin serb, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë, shkruan Express.

Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, andaj Kosova, sipas tij, ka guxim që të pajtohet me Serbinë.

Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe Vuçiqit që ta njohin Kosovën në kufijtë aktualë dhe të drejtën e saj për të qeverisur.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtu me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit që ta njeh Kosovën në kufijtë aktualë. Në mënyrë që ne të qeverisim, të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve.

“Kosova është e gatshme me u pajtu dhe si e tillë i bën thirrje për pajtim Serbisë”.

Ndërkohë, tutje kryeministri ka falënderuar ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, si dhe ish-sekretaren Albright për ndihmesën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

“President Clinton, jeni në shtëpinë e juaj. Zoti e bekoftë Kosovën. Ju me avionët tuaj i ndalët trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull ju falënderon gjithë jetën”, ka deklaruar në fund kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Bill Clinton mbetet shpëtimtari i kombit shqiptar, për të cilin respekti dhe admirimi do të mbesin sa të jetë jeta mbi k’të dhe – Nga Jahja LLUKA

Në kohën kur në vend të bukës dhe ujit, shqiptarët rrjedhnin gjak dhe lotë, kur çdo zemër fëmije, çdo dorë plaku dhe çdo nanë e vrarë pothuajse nuk kishin asnjë shpresë, sepse çdo ditë ngjante me fundin e një kombi dhe nata e pashpirt, vinte e mbështjellur me vello horrorri duke gëlltitur kështu shpirtra të pafajshëm nga dora vrastare e armikut djallëzor.

Me gjithë luftën dhe rezistencën e popullit të Kosovës, dora vrastare e armikut djallëzor kishte një qëllim të vetëm që përmbledhte të gjitha idetë shekullore kundër shqiptarëve duke i gdhendur në një “zhdukjen përfundimtare të popullit shqiptar nga faqja e dheut”.

Në ato kohë pa zgjidhje rrota e fatit sikur u rrotullua dhe një njeri që me urtësinë dhe guximin, duke besuar në Lirinë e popullit shqiptar i tha “stop” gjenocidit serbo -sllav. Ishte Presidenti Amerikan Bill Clinton, emri dhe vepra e të cilit do të gdhendet me shkronja të arta në historinë e kombit shqiptar dhe në zemrën e çdo shqiptari anë e mbanë botës.

Para 20 viteve Clinton, ktheu shpresën dhe andrrën në miliona zemra shqiptare.

Vendimi i Presidentit Clinton për bombardimin e Serbisë dhe hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë shënon data biblike për ne, ashtu siç pasoi dhe kthimi biblik i miliona shqiptarëve refugjatë në tokën e tyre më të lashtë se vetë lashtësia, në Dardaninë e shenjtë.

Vizita e Bill Clinton në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, është nder për neve si komb dhe si shtet i ri me kahje perëndimore.

Respekti dhe admirimi për personalitetin e tij të shquar dhe veprën e tij të madhe me karakter hyjnor u pa edhe sot në sheshet e Prishtinës.

Ne sakrifikuam shekuj për lirinë që të frymojmë lirshëm dhe me dinjitet në tokën tonë.

Bill Clinton mbetet shpëtimtari i kombit tonë sa të jetë jeta mbi këtë dhe.

Shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë veprën e tij me përmasa hyjnore.