VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kalendari historik: 14 Shtator

By | September 13, 2017

Komentet

45 vjet nga Revolta e Spaçit – Nga Marenglen Kasmi

Revolta e Spaçit u organizua nga të burgosurit e këtij burgu në datat 21-23 maj 1973. Kjo revoltë është një nga simbolet më të forta të qëndresës kundër regjimit komunist. Kjo ngjarje është trajtuar gjerësisht pas rënies së sistemit komunist. Po ashtu, edhe dëshmitë e ish të burgosurve janë të shumta. Gjithsesi, trajtimi asnjëherë nuk është shterues dhe i plotë, pa u ballafaquar me një dokumentacion të gjerë arkivor. Dhe arkivat suprizojnë hera-herës. Në këtë kontekst, për hartimin e këtij shkrimi janë përdorur dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit që administrohen nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat kanë qenë pak ose aspak të njohura deri tani. Në këtë dosje “Të objektit të rëndësisë së veçantë – Reparti 303 Spaç”, ndër të tjera hidhet dritë mbi historikun e burgut qysh prej krijimit e deri në mbylljen tij, revoltën, organizimin, protagonistët kryesorë të saj, numri i të burgosurve ndër vite, puna që ata kryenin si dhe mbi rolin e Sigurimit të Shtetit në burg etj. Trajtimi i mëposhtëm do të rrokë gjithë këto fusha, duke tentuar të japë një tablo sa më të qartë historike si mbi ngjarjen në veçanti, ashtu edhe mbi burgun e Spaçit në përgjithësi.

Historiku i Repartit 303

Reparti i Riedukimit Nr. 303 u vendos në Spaç të Mirditës në vitin 1968. Por historia e këtij reparti riedukimi zë fill qysh më 25 maj 1951, kur me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme u krijua Kampi Nr. 2, i cili më pas do të quhej Reparti 303.

Në vitet 1951-1968, ky repart riedukimi shërbeu si një repart pune “lëvizës”. Ai e filloi punën në Peqin, ku të dënuarit punuan në hapjen e kanalit Peqin-Kavajë. Pasi mbaruan punimet në sektorin e Peqinit, kampi u zhvendos në Rrogozhinë dhe më pas në Harizaj, Lekaj, Gosë, Kavajë dhe në fund në fshatin Çengelaj të Peqinit, ku po ndërtohej diga që do të kthente ujin e Shkumbinit në kanalin vaditës. Punimet e kanalit vaditës Peqin-Kavajë filluan më 27 maj 1951 dhe përfunduan në nëntor 1952. Më pas, deri në mars 1953 reparti mori pjesë në ndërtimin e fushës së aviacionit në Urën Vajgurore, duke i ardhur në ndihmë Kampit Nr. 1. Pastaj reparti transferohet në Vlashuk, pranë Kuçovës, për të marrë pjesë në punimet e kanalit vaditës Devoll-Thanë, duke hapur rreth 8 km nga ky kanal. Në vazhdim, kampi i transferua në Shtyllas të Fierit, për të punuar në ndërtimin e kanalit vaditës Vjosë-Levan-Fier, ku punuan deri maj 1955, kur përfunduan edhe punimet. Në qershor 1953, kampi transferohet në Rinas, ku punoi për katër vjet në ndërtimin e aeroportit. Pasi mbaruan punimet e aeroportit të Rinasit, më 8 shkurt 1959 kampi u transferua në Tiranë dhe mori pjesë në ndërtimin e Sanatoriumit, ndërtimin e kombinatit të mishit, peliçerinë, në ndërtimin e disa ndërtesave në fermën Gjergj Dimitrov dhe në një pjesë të punimeve në Uzinën e Traktorëve. Për kryerjen e këtyre punimeve, kampi qëndroi në Tiranë deri në vitin 1963.

Më pas, kampi u transferua në Vlorë, ku mori pjesë në ndërtimin e Uzinës së Sodës Kaustike. Në vitin 1965 kampi u dërgua në Elbasan, ku mori pjesë në ndërtimin e fabrikës së çimentos. Në fund, pas një kalvari të gjatë punimesh në gjithë këto fronte të vështira pune, në vitin 1968 kampi u dërgua pranë minierës së piriteve në Spaç, ku u krijua Reparti i Riedukimit 303.

Revolta

Dita e parë e revoltës filloi si një ditë e zaknoshme. Sipas rregullores, në mëngjesin e 21 majit 1973, nënoficeri i shërbimit shkoi për t’u hequr batanijet të burgosurve që ishin në dhomat e izolimit, të cilët ishin ndëshkuar nga komanda e burgut. I tillë ishte edhe Pal Gjergj Zefi, i datëlindjes 1940, nga Rrushkulli i Durrësit, dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Sipas relacionit Nr. 205 “Mbi një ngjarje të rëndë të jashtëzakonshme shkaktuar nga të dënuarit Repartit 303”, datë 26.V.1973, i komandës së burgut të Spaçit, Pali ishte “ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dinimi në dhomat e izolimit për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart”. Në orën 05.00 të datës 21 maj, nënoficeri i rojës hapi derën dhe tentoi të marrë batanijen. Pali doli nga dhoma dhe u bashkua me turmën e të burgosurve të tjerë që ishin në oborr dhe refuzoi të kthehet në izolim. Pali kishte hipur në tarracë, mbante një shufër hekuri rreth 2 metër në dorë dhe nuk lejonte njeri t’i afrohej. Në orën 06.30, rojet i bënë atij thirrje të kthehet në dhomën e izolimit, por Pali vazhdonte të refuzonte. Në kohën që rojet ju hodhën Pal Zefit për ta arrestuar, ai qëlloi me hekur të dënuarin M.N, i cili ndërhyri për të ndihmuar policët dhe oficerin. Policët arritën të arrestojnë Palin, por atij i shkuan në ndihmë bashkëvuajtësit Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Pavllo Pope, Hasan Iba, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazeri, Fadil Dushku, Sulë Veshi etj. dhe u përleshen me policët për rreth pesë minuta. Të dënuarit e tjerë të acaruar, filluan të mblidhen në vendngjarje dhe policët të trembur nga përmasat që mori ngjarja u tërhoqën duke dalë jashtë kampit. Komanda tentoi të marrë kontakt me të burgosurit e rebeluar, për të qetësuar situatën, por nuk pati rezultat.

Në orën 15.30 mbërriti në vendngjarje grupi operativ-hetimor dhe, nën drejtimin e tyre u bë arrestimi i Pal Zefit. Mbas tij u arrestua edhe Syrja Lame, i cili u dërgua në dhomën e izolimit. Kur grupi operativ kërkoi të arrestojë Pavllo Popen dhe po e shoqëronin për në dhomën e izolimit, Pavllo u iku policëve dhe u fut mes turmës së të dënuarve, të cilët e morën menjëherë në mbrojtje, duke hedhur parrulla si “ja vdekje ja liri”, “nuk punojmë në galeri”, “ju jeni katila” etj. Rreth orës 21.00 të burgosurit thyen birucat dhe nxorën jashtë të izoluarit. Ndonëse rojet hapën zjarr paralajmërues në ajër, të burgosurit nuk u tërhoqën dhe e përfunduan aksionin. Më tej, të burgosurit tentuan të shkelnin zonën e ndaluar dhe të thyenin zyrat teknike që ishin në kamp. Po ashtu, ata “bënin thirrje për vrasjen e disa të dënuarve që mbajtën qëndrim pozitiv dhe që u erdhën në ndihmë personelit të shërbimit nga të cilët ishin edhe bashkëpunëtor të organeve tona, sa që u ndeshën me agresorët”, shkruhet në një dokument të Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, hartuar për ngjarjen më 23 maj 1973.

Të burgosurit u grumbulluan në tarracë e në sheshin para pallatit, ku disa prej tyre, si Skënder Dajo, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta mbanin fjalime dhe recitonin poezi me përmbajtje antikomuniste.

Të ndodhur para këtyre rrethanave, komanda e kampit mori masa ta rrepta, me qëllim që të burgosurit të mos shpërthenin kampin. Rreth orës 03.00 të mëngjesit të datës 22 maj, në kamp mbërriti zv/Ministri i Brendshëm Feçorr Shehu. Pasi zbardhi dita, rojet vunë re se, në katin e tretë të pallatit të burgosurit kishin ngritur një flamur të kuq, me shqiponjën në mes dhe pa yllin e kuq. Sipas të dhënave që u mblodhën më pas, shqiponjën mbi flamur e kishte bërë Mersin Vlashi. Flamurin e kishte ngritur Gjet Kadeli, Rexhep Lazri dhe Murat Marta. Ndrec Çoku bënte roje të flamuri.

Në orën 08.00 Feçorr Shehu ju bën thirrje të burgosurve t’i rikthehen normalitetit, por pa rezultat.

Organizimin e të burgosurve brenda kampit e dëshmon një raport i hartuar nga bashkëpunëtori “Zjarri”. Ai raportonte se në datën 22 maj, rreth orës 12.00 në mensën e burgut ishte mbajtur një mbledhje, e cila quhej “Mbledhja e Këshillave Krahinorë”. Në këtë mbledhje merrnin pjesë të dënuar nga thuajse nga gjithë krahinat që vinin të burgosurit. Më mbledhje u vendos: “1) Të këshillohen personat që nuk marrin pjesë në mbledhje që të qëndrojnë të vendosur në revoltën që filluam. 2) Të thuhet që revolta lindi e rastit, shkaktar ishin operativi me nënoficerët që lidhën Palin. 3) Të mos pranonte asnjë i dënuar të futej në galeri. 4) të dërmonin personelin e mbrapavijës. 5) në kohën kur pranuan të takoheshin me komisarin e repartit 303, të thoshte Pavlini (Vata – shën. im) me Koçon(?) se ne na kanë dërguar të dënuarit që të transmetojmë fjalët tuaja me të dënuarit dhe jo të përzihemi me politikë”.

Ndonëse revolta kishte filluar spontanisht, nga ky raport, por edhe nga intensiteti i veprimeve gjatë ditës, u pa qartë që ajo kishte kaluar në një fazë tjetër, më të organizuar dhe me një karakter më të theksuar politik. Një përfaqësi e përbërë nga tre të burgosur u takua me Feçorr Shehun. Ata kërkuan të mos dënohej asnjë fajtor, të mos punohej më në minierë, por në ndërtim dhe të bëhej një amnisti: “Që kur u prishët me B.S. nuk keni bërë (asnjë amnisti- shën. im), sepse jemi dënuar padrejtëisisht”, i thanë ata Feçorr Shehut. Madje, Hajri Pashaj u shpreh me fjalë fyese kundër Partisë dhe pushtetit si edhe kundër vetë Feçorr Shehut, duke i thënë: “ju është ngushtuar rrethi së shpejti do të vijnë në vendin tonë për të dhënë llogari”.

Si rezultat i masave të marra, duke e rrethuar kampin me forca të mëdha policie dhe ushtrie, duke ushtruar një presion të madh psikologjik te të burgosurit, por pa përdorur armët e zjarrit drejtpërdrejt mbi ta, në orën 09.00 të datës 23 maj, pas afro 52 orësh, të dënuarit pranuan kushtet e vëna nga komanda dhe nuk kundërshtuan kur forcat policore dhe ato të gardës hynë brenda kampit. Sigurisht që përballë kësaj force, të burgosurit nuk kishin asnjë shans të vetëm. Qëndresë organizuan vetëm Dashnor Kazazi, Skënder Dajo, Jorgo Papa dhe Dervish Bejko, të cilët me hekura e hunj në dorë ju kundërvunë rojeve të armatosur. “Rezistenca e tyre u mposht me dhunë”, shkruhet në raportin e komandës së kampit për ngjarjen.

Revolta e Spaçit e organizuar nga të burgosurit politikë ishte e orientuar qartë kundër regjimit komunist. Nëse forcat e policisë dhe të ushtrisë që ruanin kampin do të lëkundeshin, sipas planit, të burgosurit do të tentonin të thyenin kampin dhe të arratiseshin. Nëse kjo nuk arrihej, atëherë revolta synonte që, me anë të presionit, të realizonte disa kërkesa që kishin të burgosurit. Në këndvështrimin e Sigurimit të Shtetit, revolta ishte spontane, por mendimi për të ngritur krye ishte kultivuar me kalimin e kohës te të burgosurit. Kjo gjë ishte favorizuar edhe nga njëfarë tendence liberale të togave policore dhe ushtarake që ruanin kampin. Ky qëndrim u kritikua shumë pas revoltës, sepse pavarësisht se këta “armiq” ishin të izoluar në burg dhe nuk mund të ndikonin me veprimtarinë e tyre qytetarët e tjerë, “sjellja dhe veprimtaria armiqësore duhej të luftohej njësoj kudo dhe kurdoherë”, sepse për ta ligji nuk bënte dallime për vendin se ku bwhej shkelja ligjore.

Këtë frymë e ilustron më së miri një informacion i kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, i cili më 23 maj 1973 informonte komandën e Burgut për ekzistencën e disa partive politike në burgun e Spaçit. Kësisoj, ai njoftonte se në burg ekzistonte Organizata e Ballit Kombëtar, Partia Revizioniste, Partia Socialdemokrate dhe Partia Zogiste. Nëse shikojmë përbërjen e tyre, vërehet se aktiviteti i tyre ishte nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit ose të paktën, Sigurimi kishte dijeni për ekzistencën, anëtarët dhe veprimtarinë e tyre. Pas revoltës, Sigurimi mori masa që numri i bashkëpunëtorëve brenda radhëve të këtyre Partive të rritej. Më tej, Zv/kryetari i Degës së Punëve të Brendshme informonte eprorin e tij “për tu orientuar më mirë gjatë procesit hetimor” se, në vitin 1972, sipas të dhënave të bashkëpunëtorit “Osumi”, në burg ishte krijuar edhe një organizatë me emrin “Rezistenca Ushtarake” me në krye Osman Kazazin, si komandant i forcave, me gradën Gjeneral.

Vlerësuar në këtë kontekst, një nga arsyet që efektivat e ruajtjes së kampit nuk përdorën dhunën dhe armët për shuarjen e revoltës ishte edhe kontrollimi i situatës,si pasojë e raportimeve nga brenda. Më tej, sistemi ishte i interesuar në krahun e tyre të punës dhe nuk kishte interes të vriste në masë të burgosurit. Është logjike të mendosh se, regjimi u mundua ta mbyllte këtë ngjarje pa shumë bujë, sepse nuk i interesonte kjo gjë. Sigurisht që për të ishte e mundur ta shtypte shumë lehtë me forcën e armëve revoltën. Këtë gjë e dinin edhe të burgosurit.

Pas revoltës

Menjëherë u morën masa kundër rebelimit. U arrestuan menjëherë 68 të dënuar. 12 prej tyre u gjykuan dhe u dënuan qysh në datën 24 maj nga Kolegji i Gjykatës së Lartë. Brenda 24 orësh katër u dënuan me pushkatim të menjëhershëm dhe tetë të tjerë u dënuan me 25 vjet heqje lirie. Sipas relacionit të Komandës së kampit mbi ngjarjen, në revoltë morën pjesë në mënyrë aktive për “djegien e tabelave të emulacionit socialist, ngritje ne flamurit me zhgabë pa yll, shkruarjen e parullave armiqësore dhe afishimin e tyre, si edhe parrulla të hedhura me gojë më mënyrë demonstrative me përmbajtje thellësisht armiqësore” 56 të burgosur, të cilët ishin: Agron Xhelili, Bedri Çoku, Demush Muçaj, Elez Hoxha, Gëzim Medolli, Haxhi Bena, Irakli Sirso, Muho Curri, Nikolla Qafke, Refik Beqo, Skënder Thaçi, Sherif Allamani, Tom Uli, Xhevat Lokja, Fatmir Llagani, Mirash Gjoka, Mersin Vlashi, Abedin Vrioni, Bebi Konomi, Dervish Sula, Fadil Dushku, Gëzim Çela, Hysen Vuçe, Kostandin Papa, Ndrec Çuku, Njazi Bylikbashi, Rexhep Lazri, Selman Çuni, Shefqet Xhena, Uliai Pashallari, Zef Ashta, Jonuz Morja, Naim Fashaj, Mureat Marte, Bashkim Fishta, Çaush Çoku, Demir Pojani, Gramoz Spahia, Naim Uka, Hasan Iba, Merkur babageta, Muharrem dyli, Pal Marku, Stefan Kola, Spiro Nasho, Tomorr Allajbej, Xhaferr Dema, Sulo Veshi, Nuri Stepa, Vladimir Prifti, Tefik Kunsnaku, Muharrem Isufi, Shuaip Brahimi, Qemal Demiri, Tefik Dedi dhe Pavllo Pope. Të gjithë personat e sipërshënuar u dërguan në burgun e Tiranës për të vazhduar hetimet dhe për t’i dënuar. po ashtu, në revoltë morën pjesë edhe të burgosur të tjerë të mbledhur spontanisht.

Me urdhër të Feçorr Shehut nëpërmjet agjenturës së Repartit 303 u morën informacione për organizatorët kryesore të revoltës, për shkaqet e lindjes, pjesëtarët më aktivë në të etj. Informacionet për revoltën u dhanë nga 16 bashkëpunëtorë të Sigurimit: “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, “Kaike e Bukur”, Shigjeta kaltër”, Bakri”, “Zjarri i Dytë”, Pushka”, Libri”, Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti”, “Qarri”, “Semani”, “Besa” dhe “Vullnetari”. Sigurimi kishte një aktivitet të zgjeruar brenda kampit. Një nga drejtuesit kryesorë të “Mbledhjes së Këshillave Krahinorë” që u mbajt gjatë revoltës në mencën e burgut, ishte informator i Sigurimit të Shtetit. Madje edhe një nga përfaqësuesit e të burgosurve që u takuan me Feçorr Shehun, do të bëhej me shtrëngim pas revoltës agjent i Sigurimit të Shtetit.

Në pyetje u morën të gjithë të burgosurit për të parë dhe vlerësuar qëndrimin e tyre ndaj revoltës. Më tej u studiuan materialet operative në ngarkim të të dënuarve, si në fashikullin e përgjithshëm, ashtu edhe në dosjet e përpunimit të të dënuarve. Këto të dhëna që dolën nga studimi, së bashku edhe me denoncimet e bëra nga 63 të dënuar, të cilët implikuan 135 të burgosur, të cilët kishin përgatitur dhe kishin marrë pjesë në revoltën e organizuar. Këto dëshmi u studiuan nga grupi përkatës i sektorit operativ dhe i kaluan më pas hetuesisë, për të dokumentuar veprimtarinë e pjesëmarrësve në revoltë. Qysh në orën 09.00, sapo u mor kampi nën kontroll, u organizua një kontroll i shpejtë dhe u sekuestruan një sërë armësh të ftohta të improvizuara.

Më 29 maj 1973, Sigurimi hartoi një listë me 15 të dënuar që morën pjesë në revoltë dhe që ishin arrestuar, të cilët duhej të tërhiqeshin në bashkëpunim me material shtrëngues. Pesë prej tyre pranuan bashkëpunimin. Njëri prej tyre, me pseudonimin “Libri”, ishte dënuar në vitin 1967 me 25 vjet heqje lirie për tentativë arratisje. Si pjesëmarrës në revoltë rrezikonte të ridënohej. Sigurimi kishte të dhëna se gjatë revoltës, ndër të tjera, ai kishte marrë pjesë edhe në djegien e tabelës së emulacionit. Në vitin 1978 ai u ul nga kategoria “Agjent” në “Informator”. Ulja e kategorisë tregon se punëtori operativ nuk ishte i kënaqur me bashkëpunimin e tij.

Pavarësisht masave të marra nga komanda, në burg nuk kishte qetësi, sidomos kur ndodhnin ngjarje të rëndësishme në shtetin shqiptar, siç ishte për shembull prishja e marrëdhënieve me Kinën. Në vitin 1978 Sigurimi njoftonte Ministrinë e Brendshme se gjendja në burgun e Spaçit ishte e rënduar, madje ishin në prag të një revolte tjetër, të ngjashme me atë të vitit 1973. Revolta shfaqej në formën e rritjes së shprehjes së pakënaqësisë politike, ose siç atëherë quhej agjitacionit dhe propagandës, në sabotimet në punë, në ngritjen e pengesave të shumta për të mos realizuar planin, në rritjen e tentativave për t’u arratisur nga burgu, në kundërshtimin e punës, në presionin e ushtruar ndaj brigadierëve të dënuar për të dhënë dorëheqjen nga detyra etj.

Përveç revoltës së shprehur në këtë formë, të shtyrë nga situata e vështirë që po kalonte regjimi në këtë periudhë – çka sigurisht ndiqej me interes nga të dënuarit – u tentua për ta kaluar revoltën kundër pushtetit në një shkallë sipërore, më të organizuar dhe që do të premtonte më shumë sukses se ajo e vitit 1973. Rolin e organizimit të kësaj revolte duhej ta merrte Organizata Nacionaliste, që ishte krijuar në burg nga Xhelal Koprencka. Sipas mendimit të tij, kjo revoltë duhej të përbënte variantin e dytë të rrëzimit të pushtetit popullor, nëse ai nuk binte nga faktorë të jashtëm.

Kësisoj, nëse do të ishte e nevojshme, do të provokohej një incident me një nga nënoficerët e shërbimit dhe të burgosurit do të shpallnin revoltë politike. Nën parullën “Pa gjak e sakrifica nuk ka liri” do të rezistohej duke luftuar trup me trup deri sa revolta të merrej vesh nga i gjithë populli, i cili në situatën e vështirë që po kalonte do të bashkohej me ta. Revolta nuk do të dështonte sepse, në ndryshim nga ajo e vitit 1973, tani situata politike në Shqipëri ishte e favorshme, revolta kishte një drejtim të pjekur dhe nuk do të lejohej shthurja e saj dhe më këmbëngulje do të rezistohej deri sa të përmbusheshin kërkesat e tyre politike. Po ashtu, shpresohej që kryengritja do të ndihmohej edhe nga jashtë. Përveçse vështirësisë që paraqiste një plan i tillë për t’u realizuar, Sigurimi ishte i mirinformuar nga rrjeti agjenturor dhe më 9 prill 1979, pasi ishin arrestuar Xhelali dhe njëmbëdhjetë përkrahësit e tij, u mbyllën hetimet dhe u përpilua aktakuza. Dosja hetimore kaloi për gjykim në gjykatë. Aktakuza u bazua edhe në dëshmitë e shtatë të dënuarve, që dëshmuan kundër tyre.

Megjithë pamundësinë e realizimit të një plani të tillë, kjo përpjekje është një tregues i qartë i rezistencës dhe luftës kundër regjimit komunist edhe aty, ku ishte e pamundur të ngrije krye, në burg.

Numri i të burgosurve në vite dhe survejimi i tyre nga Sigurimi

Në vitin 1974, pra një vit pas revoltës, në këtë burg ishin rreth 500 të dënuar. Katër vite më vonë, në nëntor të vitit 1978, numri i të burgosurve u rrit në 934 të dënuar politikë dhe 27 të dënuar për krime ordinere. Sigurimi i Shtetit e mbulonte veprimtarinë e tyre me një rrjet agjenturor prej 48 bashkëpunëtorësh, konkretisht 8 agjentë, 29 informatorë, tre rezidentë dhe 6 informatorë që vinin nga radhët e personelit të shërbimi ruajtës të kampit. Ky rrjet agjenturor i ngritur brenda kampit raportonte kryesisht për agjitacionin e propagandën që kryhej brenda kampit nga të burgosurit politikë. Po ashtu, bashkëpunëtorët udhëzoheshin që të ndiqnin me shumë vëmëndje tentativat për arratisje të të burgosurve si edhe të raportonin për dëmet ekonomike që shkaktoheshin nga të burgosurit gjatë punës së detyruar.

Nga vitit 1978 deri në vitin 1980 nuk ka ndonjë rritje të dukshme të numrit të të burgosurve. Numri i të burgosurve politikë qëndron i pandryshuar, 934. Ndërsa numri i të burgosurve politikë bie në 15. Prej tyre ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit në kategorinë 2A (nënkupton që ishte i provuar aktiviteti i tyre armiqësor) 43 të burgosur politikë.

Në pikëpamje numerike ndodhën ndryshime të mëdha në mesvitet 1980. Numri i të burgosurve politike në këtë burg zvogëlohet dhe u rrit ndjeshëm numri i të burgosurve ordinerë. Po ashtu, në vitin 1984, në Gurth-Spaç ishte hapur edhe një burg vetëm me të burgosur ordinerë, nën moshën 25 vjeç dhe të padënuar më parë. Kësisoj, në tetor të vitit 1985, në kamp raportohen 294 të burgosur politikë dhe 685 të burgosur për krime të tjera. Ndërsa në repartin e ngritur rishtas 303/1, në Gurth-Spaç, ishin 34 të burgosur për krime të tjera. Në këtë vit, rrjeti agjenturor i Sigurimit brenda kampit përbëhej nga 17 bashkëpunëtorë nga radhët e të burgosurve politikë dhe nga shtatë të tjerë, që ishin të burgosur ordinerë. Rënia e numrit shpjegohet me zvogëlimin e numrit të të burgosurve, të cilët kryesisht ishin transferuar në burgje të tjera, kishin përfunduar kohën e dënimit ose ishin përjashtuar nga rrjeti agjenturor, si pasojë e mosbashkëpunimit. Siç u theksua qysh në fillim, pjesa më e madhe e tyre ishin kishin pranuar në kushtet e shtrëngimit. Rrejti mbulonte survejimin e10 të burgosurve në kategorinë 2A. Vlen të theksohet se tetë prej tyre ndiqeshin si agjentë të zbulimeve të huaja brenda në burg – çka tregon paranojën e sistemit –, një i burgosur për agjitacion e propagandë dhe një tjetër për organizim. Po ashtu, nga radhët e të dënuarve për krime kundër shtetit kishte edhe të burgosur të tjerë që ishin jashtë përpunimit, por që sipas Sigurimit zhvillonin veprimtari armiqësore. Në ngarkim të tyre kishte materiale të ndara në dy drejtime: për drejtimin e kundërzbulimit 32 të dënuar, nga të cilët 11 për tendencë arratisje dhe 21 për agjitacion e propagandë. Për drejtimin e grupimeve kundërrevolucionare kishte 44 persona. prej tyre tetë të burgosur për tendencë arratisje dhe 57 për agjitacion e propagandë. “Pra, 30% e elementit të dënuar për krime kundër shtetit vazhdojnë të jenë në pozita armiqësore”, shkruhet në një analizë të Komandës së Repartit 303 më 26.10.1985.

Në fundvitin 1985, në repartin 303 Spaç dhe në nënrepartin 303/1 Gurth-Spaç ishin 1223 të burgosur politikë dhe të dënuar për krime ordinere. Nisur nga numri i konsiderueshëm i të burgosurve, komanda shqetësohej sepse me rrjetin aktual të agjenturës e kishte të vështirë të mbulonte veprimtarinë “armiqësore” të të dënuarve dhe e analizonte situatën si më poshtë: “Në qoftë se do të nxjerrim mesataren aritmetike për agjenturën që kontrollon reagimet armiqësore ose veprimtarinë armiqësore që nuk e ka ndërprerë ky element, bashkë me të dënuarit e tjerë ordiner del se 1 bp. duhet të kontrollojë 50 të dënuar dhe në qoftë se e marrim vetëm për të dënuarit ordiner del se 1 bp. duhet të kontrollojë 90 të dënuar, kurse të dënuarit për krime kundër shtetit 1 bp. për 21 të dënuar, çka tregon se raporti është i zhdrejtë dhe aq më tepër se kjo agjenturë është nga radhët e këtij elementi që ka zhvilluar këtë veprimtari armiqësore e keqbërëse dhe është ndëshkuar nga organet e drejtësisë e që mund të mbajë rezerva, mund të jetë konjukturale ose e shtyrë nga qëllime të veçanta personale që e bëjnë të bashkëpunojë me organet tona”.

Këto shqetësime të komandës së burgut duhen vlerësuar në kontekstin e situatës së përgjithshme politike të vendit, që sigurisht i kalonte kufijtë e telave me gjemba të Spaçit dhe shumë burgjeve të tjera të ngritura prej vitit 1944. Vdekja e Enver Hoxhës dhe kalimi i pushtetit në duart e Ramiz Alisë, i cili nuk mund të krahasohej me parardhësin e tij në pikëpamje të ushtrimit të pushtetit, i zgjoi shpresat te të burgosurit, për shpalljen e ndonjë amnistie. Raste të tilla kishte pasur, si psh. destalinizimi i kryer në Bashkimin Sovjetik nga Hrushovi, pas vdekjes së Stalinit, çka shënoi lirimin e mijëra njerëzve nga kampet e punës dhe burgjet. Sigurisht që, Shqipëria nuk kaloi në këtë proces. Madje, masat e marra në burgje, ku ishin mbledhur edhe armiqtë kryesorë të pushtetit komunist, do të ashpërsoheshin dhe survejimi ndaj tyre do të rritej.

Në këtë kuadër, për të rritur kontrollin ndaj “armiqve dhe elementëve të rrezikshëm të pushtetit” do të zhvilloheshin teknika dhe strategji të reja. Bie në sy që ka një ndryshim përsa i përket mënyrës së rekrutimit të bashkëpunëtorëve. Nëse pas revoltës së vitit 1973, bashkëpunëtorët që vinin nga radhët e të dënuarve për krime kundër shtetit rekrutoheshin kryesisht me masa shtrënguese, tani synohet që tërheqja e tyre të realizohet mbi baza vullnetare. Ndërkohë që, me të burgosurit që ishin në përpunim, pra që survejoheshin nga Sigurimi për veprimtari armiqësore, duhej të vazhdohej të këmbëngulej që me shtrëngim të pranonin bashkëpunimin. Po ashtu, duhej të shtoheshin kontaktet me agjenturën. Procesi i përpunimit agjenturor duhej të thellohej nëpërmjet aplikimit të Teknikës Operative (TO), pra regjistrimit audio. U vendos të mos kishte përpunime pa aplikuar TO. Për këtë gjë duhej që të TO të mos përdorej vetëm e stacionuar, por të përdorej në mjediset ku objektet zhvillonin “veprimtarinë armiqësore”. Më tej, përdorimi i TO do të shërbente për të provuar edhe besnikërinë e bashkëpunëtorit.

Sipas një informacioni të datës 10.02.1988, në repartin e riedukimit 303 Spaç vuanin dënimin 272 të burgosur politikë. Prej tyre, 79 ishin të aftë dhe punonin në minierë. 141 ishin të aftë për punë në sipërfaqe, jashtë galerive. Prej tyre ishin të angazhuar me punë vetëm 72. Të aftë për punë të lehta ishin 15 vetë, prej të cilëve vetëm 10 ishin në marrëdhënie pune. Të paaftë për asnjë lloj pune ishin 37 të burgosur. Për asye shëndetësore dhe mungesë vendesh pune të papërshtatshme, nga shuma e përgjithshme prej 272 të burgosurish, 111 prej tyre nuk punonin fare. Kjo gjë e shqetësonte komandën e burgut. Sipa tyre, qëndrimi pa punë i tyre në kushte banimi e kontakti me të burgosurit e punësuar ndikonte negativisht te pjesa tjetër dhe sillte shqetësime, si në zbatimin e orarit të veprimeve ashtu edhe për thyerjen e disiplinës. Për më tepër që qëndrimi i tyre i pandërprerë në kamp shkaktonte vështirësi në organizimin e takimeve sekrete me rrjetin agjenturor brenda kampit.

Kështu që, u arrit në përfundimin se “lëvizja e të dënuarve të sëmurë, të pa aftë dhe të pa punë nga ky repart riedukimi, do të ndikojë pozitivisht në forcimin e disiplinës dhe organizimin e punës agjenturoro-operative”.

Më 29.09.1988 në Spaç vuanin dënimin 239 të burgosur politikë dhe 542 të dënuar për krime ordinere. Ndërsa në repartin 303/1 Gurth-Spaç ishin 247 të burgosur ordinerë, të gjithë nën moshën 25 vjeç. Burgu i Spaçit ruhej me tre toga ushtarësh dhe dy toga policësh, ndërsa ai i Gurthit ruhej me një togë ushtarësh dhe një togë policësh.

Në një relacion sekret të komandës së burgut (ekzemplar i vetëm) të datës 5 korrik 1990 “Për transferimin e të dënuarve për krime kundër shtetit nga reparti i riedukimit 303 Spaç” shkruhet se, prej vitit 1968, kur u hap ky burg, numri i të burgosurve ka ndryshuar. Tendenca ka qenë gjithmonë në uljen e numrit, si pasojë e lirimeve, transferimeve të vazhdueshme etj. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, në edhe në Spaç, sikurse edhe në burgjet e tjera ku mbaheshin të politikë, u futën edhe të dënuar ordinerë. Me shumë mundësi, kjo ishte një lëvizje e llogaritur dhe jo e rastësishme. Sistemi po lëkundej dhe duhej të krijohej përshtypja se nuk kishte pasur ndonjëherë qëndresë ndaj regjimit.

Të burgosurit punonin në minierë për nxjerrjen e bakrit dhe piritit. Prej vitit 1986, të burgosurit politikë punuan vetëm në zonën e dytë për nxjerrjen e mineralit të piritit, ndërsa frontet e tjera të punës për prodhimin e bakrit u mbuluan me të burgosurit ordinerë.

Në qershor të vitit 1990 në këtë burg ishin 228 të dënuar politikë. Prej tyre ishin të aftë për punë në minierë vetëm 27. Për punë në sipërfaqe 64 dhe pjesa tjetër ishte e paftë për asnjë lloj pune. Gjithmonë sipas këtij raporti, duke marrë parasysh faktin se, në minierë, ose në zonën e dytë siç quhej, duheshin më shumë të dënuar për krime kundër shtetit që të prodhonin pirit dhe numri aktual i tyre në kamp ishte i vogël, Drejtoria e Zbatimit të Vendimeve Penale dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme vendosën që të transferonin të dënuarit politikë nga Spaçi në reparte të tjera riedukmi.

Si rrjedhim, 60 të burgosur u dërguan në repartin e riedukmit 311 në Qafë-Bar, në Repartin 313 në Tiranë u dërguan 29 të tjerë dhe 139 të burgosur shkuan në Repartin 305 në Sarandë. Kësisoj, në fund të muajit qershor 1990, në Spaç nuk kishte asnjë të dënuar politik.

***

Në këtë burg mbetën vetëm 438 të dënuar për krime të tjera ordinere. Në fund të muajit korrik 1991 edhe ata u transferuan në burgun e Lezhës. Me këtë veprim ishte shkrirë përfundimisht reparti i riedukimit 303 Spaç dhe në vend të burgosurve erdhën punëtorë të lirë për të punuar në minierë. Në njëfarë mënyre regjimi arriti që, sapo filluan lëvizjet demokratike ta mbyllë burgun e Spaçit, si për të fshirë gjurmët e së kaluarës. Në vitin 1991, ish-burgu i lënë pa ruajtje dhe në mëshirë të fatit, filloi të shkatërrohet dhe të bastiset sapo u larguan rojet prej tij. Në një farë mënyre, u përmbush strategjia e paracaktuar nga Byroja Politike. Dhe aq mirë, saqë sot është pothuajse e pamundur ta kthesh atë vend në një memorial të kujtesës, vuajtjes dhe qëndresës antikomuniste. Përveçse mureve të zhveshura, nuk gjen dot më asnjë batanije, me të cilën mbuloheshin të burgosurit. Që të rikthehet në gjendjen e dikurshme për qëllime muzeale, as që bëhet më fjalë! U vodh e shkatërrua gjithçka! Trishtohesh kur në ish dhomat e burgut, pa dyer e dritare, sot mund të lexosh nëpër mure vetëm shënimet e pikëve të pesëkatëshit, që janë lënë si kujtim nga banorët e fundit të Spaçit.

SHEFQET KAPEDANI DHE DERRI QË KUSHTOI 9 DELE – Nga XHAFER LECI

 

Në praninë e majorit Shefqet Bylykbashi, ishte vra derri-dosë, në vitin 1944, e cila pritej të pjellte nja 9 gica, e që më vonë, në vitin 1945, lindën probleme të mëdha nga kolonët serbo-malazezë.

Në Malësinë e Gallapit të Kamenicës, Kosova Verilindore, në zonën kufitare, tek ne ka pasur disa oficerë të mbretit Zog nga Shqipëria dhe Kosova si: kolonel Fuad Xhaferi-Dibra, major Shefqet Bylykbashi, major Sahit Basha, kapter Jusufi, kapter Destani etj. Komandant shpirtëror të Kosovës Lindore, në LDB 1941-1951, ka qenë mulla Idriz Gjilani.

Major Shefqet Bylykbashi (1910-1969) me të vëllain Bajramin

Personi më autoritativ në zonën tonë Gmicë, Tygjec, Svircë dhe deri Kikë, ishte oficeri karrierës, majori Shefqet Bylykbashi, nga Bainca e Drenicës, i njohur në popull si Shefqet Kapedani, i cili tri vite qendroi në këtë trevë, bashkë me të vëllain Bajramin. Shefqeti kishte qenë trim i vërtetë, kombëtar dhe besnik, oficer këmbësorie-altilerie, i cili Akademinë Ushtarake si edhe shumë oficerë të tjerë të Mbretit Ahmet Zogu, e kishte mbaruar në Romë. Shefqeti më shumë jetonte në Tygjec dhe Gmicë. Ai kishte një top, me të cilin vepronte dhe e mbante në shënjestër vijën kufitare Kapi e Sfircës-Kikë.

 

Mulla Idriz Gjilani (1901-1949)    Zukë Leci (1900-1987) 

 

Bashkia e Hajnocit, komuna e Dardanës ( ish Kamenicë) pranverë, 1942. Në foto: Vullnetarë të NDSH-së, ushtarë dhe policë në pritje të nënprefektit të KK të Gjilanit, Rifat Berishës. Në ballkon shihet Komandanti Mulla Idriz Gjilani me shallë, kurse nën ballkon në mes Malë J. Berishës (me shallë dhe mustaqe) dhe policit Faik Taliri, vëllazërit Bajram e Ramë Halil Berisha, Sylë Zarbinca, Ulur nga e majta i shtati Osman Leci, babai im. Lavdi dhe Respekte për luftëtarët e NDSH-së !

Osman Leci   (1908-1999)

Me një rast tregonte babai im, Osman Leci, nga Gmica, ku ishte i vendosur topi, kishte goditur në  fshatin  Marocë, i cili gjendet në territorin e Serbisë, afër Kikës, Zhujës dhe Velegllavës. Nga viti 1944 vendi apo kodra prej nga është gjuajtur me top, quhet “Te Topi” dhe gjendet shumë afër shkollës së fshatit tonë Gmicë. Shefqeti ishte shumë preciz dhe e kishte goditur kazanin e Shtabit, në të cilin ziente gjellëra ushtria serbo-çetniko-komuniste, të cilin e kishte vënë në shënjestër, në saje të flakës dhe të tymit të zjarrit. Vija ajrore ka qenë mbi 10 km. Shefqeti, aty ku e ka marrë në shënjester një pikë edhe e ka goditur.

Është shoqëruar me babain tim dhe axhallarët e mij, e sidomos me kushërinin e parë të babës tim, Zukë Leci, kaçak dhe burgaxhi shumëvjeçarë. Shtëpiat tona kanë qenë rrënëz kufirit, vetëm 500 metra larg territorit të Serbisë. Në vitin 1944, duke vëzhguar kufirin, baba im Osmani, së bashku me majorin Shefqet Bylykbashi dhe Zenë Nezir Matoshi, një derr-dosë e kolonëve serb, të vendosur në tokat shqiptare, nga kralët e Serbisë, kishte hyrë në territorin e Kosovës, pikërisht, kishte qenë e Boshk Shipçiqit, i njohur si komandant Boshk Majmulloci. Majmulloci është fshati i lindjes së çetnikut Boshko.  Zenë Nezir Matoshi e pyet Shefqet Kapedanin, zotni kapetan, çka ta merr mendja, a mund e goditi këtë derr në kokë? Shefqeti duke menduar se Zena po tallet, i thotë: “Jo, bre Zenë, ti nuk je hiq shejtar i mirë?” Zena me shpejtësi e godet derrin, me një plumb, në lulë të ballit. Shefqet Kapedani, e qorton bukur shumë Zenën, duke i thënë, unë mendova se ti po bënë shaka, e nuk e dija që je kaq budalla…!      Baba im, Osmani, Shefqet Kapidani dhe Zena, marin thupra lethije, i dredhin dhe lidhin për këmbë derrin-dosë, e tërheqin zhagas, aty afër kufirit në mal në teritorin e Serbisë, e mbulojnë me dhe e dushka.

Boshko kishte rekrutuar dhe organizuar kolonë serbo-malazezë, për kapjen dhe pushkatimin e luftëtarëve shqiptarë antikomunistë, sidomos ata që kishin bërë ndonjë faj. Në këtë rast, në regjistrin e tyre kishin pasur edhe Zenën, sipas babës tim, dikush nga fshati Svircë kishte marrë vesh se Zena e ka vra derrin-dosë dhe ka treguar, spiunuar tek serbët.

Janë pushkatuar, pas lufte, vëllezërit Ramë e Bajram Halil Berisha, nga fshati Svircë, Rama ka qenë dhëndër i ynë, për grua e ka pasur Halimen, kushërinë e parë të babës tim, motër e Zukë Lecit. Ata janë marrë në dhjetor 1944, në shtëpi të vet dhe janë pushkatuar në Marocë, aty ishte shtabi çetnik-komunist. Pas 6 javësh janë gjetur kufomat e tyre. Zuka e merr motrën e vet, Halimen, me 4 nipa e tri mbesa, në shtëpinë e vet, sepse më i madhi nip, Shaipi, ka qenë 15 vjeç, pra, duhej kujdesur për ta.

     Në fillim të vitit 1945, nja 20 ushtarë serbo-malazezë, herët në mëngjes e rrethojnë shtëpinë e Zukë Lecit, duke kërkuar të dorëzohej dhe se ishte i rrethuar, si thoshin ata nga partizanët të Titos. Ndërsa, Zuka me një zë të ashpër malësori, me përvojë të madhe, si kaçak dhe burgxhi shumëvjeçarë, 18 vjet, ju bërtet, ju jeni çetnik.

Vrasjet dhe hakmarrjet në mes familjes tonë dhe kolonëve serb datojnë nga viti 1878, atëherë kur është vrarë në luftë katragjyshi im, Osman Leci.Ata e dinin mirë se kush ishte Zuka dhe armën e tij e kishin provuar më 1916, në shenjë hakmarrje, për të vëllain e vetëm të vrarë, Mehmetin, 14 vjeçar. Ata që e kishin rrethuar Zukën ishin kolonistë, të cilët edhe i kishin hulumtuar rrethanat, duke marrë vesh se Osmani e Sahiti ishin diku larg në rrugë. Atë natë kishte qenë i vetëm në shtëpi, kurse ata ishin të informuar nga spiunët komunistë shqiptarë, prandaj çetnikët e kanë shfrytëzuar atë rast. Çetnikët kërkojnë të dorzohet Zuka, motra e Zukës, Halimja, me një sopat del jashtë për ta mbrojur pragun e shtëpisë, me atë rast, i thotë Zukës, o vëlla, 3 shkijë me pushkë, paskan zënë pusi përfundi shtëpie, te plemja, shtalla. Ndërsa motra tjetër, Hava i thotë, o vëlla, edhe dy të tjerë qenkan mbi shtëpi.

Përpos këtyre 5 (pesëve), të cilët e kishin rrethuar shtëpinë e Zukës, edhe nja 15 të tjerë, kishin qenë në mahallën e Matoshëve dhe afër fshatit Svircë, i cili kufizohet me Gmicën. Zuka gjithëherë i vendosur të vdesë, del për një vrime, e cila ishte ndërtuar apostafat, për raste të këtilla, në katin e dytë të shtëpisë, për raste rrethimi, që të mund të dilet nga shtëpia. Zuka kur del jashtë, shtrihet në një pus ku janë larë bullicat. Nga aty ua hudh një bombë dhe zbrazë disa fishekë nga pushka në drejtim të tyre. Kur ata shohin se Zuka ka dalur jashtë dhe nuk dorëzohej, fillojnë të tëhiqen.

Atë natë në odë mysafir kishte qëllua i vëllai i gruas së Sahitit, Hasan Ajvazi Velegllava, i cili ka treguar se kurrë në jetë nuk e harroi zërin e tmerrshëm të Zukë Lecit, duke u bërtitur shkive se Zuka nuk dorëzohet i gjallë. Hasani tregonte se, si i paarmatosur dhe mysafir, nga frika strukej në një qoshe dhe nga trishtimi, e mbulonte kokën me jastëk. Zuka i armatosur deri në dhëmbë, si trim i madh që ishte dhe përvojën që kishte si kaçak, disa vjet dhe si i burgosur shumëvjeçarë, u shkon prapa komunisto-çetnkëve, duke i mbajtur në shënjestër të pushkës.

Kur arrin te vendi i quajtur “Te Gurra e Durakut”, sheh të lidhur kushërinin e vet, Salih Hajdar Lecin, tek po ecte para tytave të pushkëve serbe dhe Zenë Nezir Matoshin, të cilin e kishin marrë nga shtrati, në këmishë dhe brekë, të lidhur për një lisi. Ishte dimër, borë dhe acar i madh. Aty ishte paraparë të pushkatohej edhe Zukë Leci bashkë me Salihun dhe Zenën, e kush e di se edhe sa të tjerë do t’i sillnin aty për pushkatim. Salihun e kishin marrë në vend të djalit të tij, Sadikut, cili atë natë nuk kishte qenë në shtëpi, i njohur në popull si njeriu me autoritet të madh-Diku, i cili ishte në shënjestër të serbo-malazezëve.

Zuka dëgjon me veshët e vet dhe sheh me sytë e tij, komandantin e asaj bande komunisto-çetnike Boshko Shipçiqin, (në popull njihet me emrin Boshk Majmulloci), duke i pyetur çetnikët se a e keni sjellë edhe Zukën. Ata i ishin përgjigjur se Zuka nuk ishte dorëzuar, por kishte luftuar. Atë dialog mes çetnikëve Zuka e kishte dëgjuar dhe edhepse ishte akoma terr, bora e ndihmon që ta dallojë Boshkun, të cilin e ka njohur, siç thotë populli, si parën e kuqe. Zuka, me atë rast, me zë të lartë, u ishte drejtuar me fjalët: “Nëse ju i vritni këta dy, Salihun dhe Zenën, Zukë Leci gjallë, do t`i vrasë 20 serbë për ata”. Unë artikullshkresi i këtyre rreshtave, mendoj se sikur të kishin qenë aty, baba im, Osmani dhe axha Sahiti, do bënin luftë. Baba im ka qenë një kohë të shkurtër edhe ushtar i Hitlerit, në Bujanoc e Preshevë. Ka pasur dy pushkë, njerën prodhim gjerman dhe tjetrën italian, mbi 3 mijë fishekë, disa bomba prodhim gjerman…Për fat të keq familja jonë në bela, përpos që kanë qenë me dy katune kolonësh serb, Majmulloc e Shahiq, edhe me dy katunde shqiptare…

Boshku e dinte fare mirë se atë që e thotë Zuka edhe e bën. Zuka me qëndresën e tij prej një trimi të pashoq, jo vetëm vetës, Salihut dhe Zenës, por u shpëtoi jetën kushedi edhe sa shqiptarëve tjerë, të cilët ishin në planin serb, për t’i tubuar dhe pushkatuar bashkarisht. Pas një kohe Boshku, përsëri kërkon 9 dele nga Zenë Nezir Matoshi, për vrasjen e derrit-dosë, i cili, kinse, ka pasur me lind 9 gica. Zena ka qenë shumë i varfër dhe, nuk ka pasur si ta paguajë. Zuka me Zenën kanë qenë kushëri-tezak. Me që pushteti komunist ishte shumë i egër, Zuka i thotë Boshkut, eja dhe unë t´i jap 9 dele, se Zena është fukara dhe nuk ka mundësi. Boshku ia kthen, atëherë unë prej teje i dua vetëm 3 dele dhe, Zena është i lirë. Rrëfimi për Majorin Shefqet Bylykbashi, nuk përfundon me kaq.

Shqipëria e vitit 1988 – Nga Aurenc Bebja, Francë – 16 Mars 2016

Në periudhën time universitare në Francë, një koleg student, nga që e dinte se jam shqiptar, më tha se dispononte një revistë të vjetër  franceze, e botuar para viteve 90, në të cilën flitej për Shqipërinë. Menjëherë u bëra kurioz dhe i thashë se jam i interesuar të lexoj se çfarë i tregohej asokohe lexuesit frankofon për Shqipërinë, e cila gjendej plotësisht e izoluar ndaj botës së jashtme.

 

Revista prestigjoze franceze « GEO Magazine », në numrin e saj të 118-të, të muajit dhjetor 1988, në kopertinën e saj shkruan : « Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Evropës – Albanie, le plus étrange pays d’Europe ». Reporteri Eduar Bajbi (Edouard Bailby) dhe fotografi Mishel Setbun (Michel Setboun) kanë patur mundësinë të vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug.

 

Artikulli trajton tema të ndryshme të realitetit shqiptar, si kontrollet në kufi, demagogjia dhe parrullat politike enveriste, bunkerët, feja, ritmi i një jetë të qetë si refuzim ndaj agjitacioneve të kohëve moderne, pamundësia e të huajve për të dialoguar me shoqërinë civile shqiptare, përdorimi i gjuhëve të huaja, uniformizimi i shoqërisë, mënyrat e transportit, Ilirët, Skënderbeu, etj.

 

Në vazhdim, rrëfimi i reporterit Bajbi [1] në 1988, i cili e fillon shkrimin me titullin « Immobile Albanie – Shqipëria e palëvizshme (e shtangur) » :

 

Papritur, pas një kthese, autobuzi ndalet pranë një ndërtese ku valvitet flamuri jugosllav. Na duhet të zbresim valixhet tona dhe t’i hapim të shtrira përtokë. Dy doganierët na shikonin me vëmendje. Që prej tensionit mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë i rritur për arsye të provincës së Kosovës, turistët e rrallë që kalojnë kufirin shikohen me mosbesim. Zyrtarët jugosllavë paralajmërojnë grupin tonë : « Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do të ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri ». Bëhej fjalë edhe për broshurat turistike dhe librat e artit.

 

Nuk është e thjeshtë të arrish në malësinë e Republikës popullore socialiste të Shqipërisë, e ndodhur mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Vendet në avion janë pothuajse të rezervuara për diplomatët, biznesmenët, dhe të ftuarëve të qeverisë së Tiranës. Një linjë e vetme ajrore siguron fluturime nga Evropa perëndimore, dy herë në javë, mes Zyrikut dhe kryeqytetit shqiptar. Përsa i përket hekurudhës së vetme që lidh Shqipërinë me botën e jashtme, të inaguruar në 1986, as që bëhej fjalë t’a përdorje : ajo shërben për transportin e mineraleve dhe mallrave. Mundësia e vetme për të udhëtuar ngelet rruga. Dy poste kufijsh, në jug, për grekët ; dy të tjera, në veri dhe lindje, për evropianët e tjerë.

 

Pasi kaluam kontrollin doganor jugosllav, grupi ynë, i formuar prej 12 turistësh, drejtohet për në postin kufitar shqiptar, Hani i Hotit. Secili duhet të marrë valixhet e veta dhe të ecë 100 metra në këmbë, një sipërfaqe e cila nuk i përket askujt – no man’s land. Ushtarë me pushkë – mitraloz, ngrejnë barrierën. Na fusin në një ndërtesë të vogël. Gjatë kohës që guida jonë franceze jep dokumentat e vizës kollektive, neve na kërkojnë të hapim valixhet tona. Para se të nisesha nga Franca, pata marrë një dokument të agjensisë së udhëtimëve ku shkruhej : « Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike ». Një pensionist nga Metz-i (qytet në veri-lindje të Francës) i konfiskojnë një gazetë të përjavshme sportive. Një tjetër turist detyrohet të dorëzojë disa revista mode.

 

Udhëtari inkurajohet të relaksohet

 

« Ne do të ju kthejmë të gjitha këto pas kthimit tuaj », shpjegon doganieri që na bën shenjë të kalojmë dhe të presim në një sallon. Pas një vitrine, disa vepra të Enver Hoxhës – drejtuesi i madh shqiptar vdekur në 1985 pas 40 vitesh pushteti absolut – dhe disa paketa cigaresh. Një gjysëm ore më vonë, ne hyjmë në një autobuz me ajër të kondicionuar d’Alb-turist, agjensisë zyrtare të turizmit. Fjalët e para të guidës (shoqëruesit) tonë, në frengjisht : « Mirësevini në vendin tonë. Mbi të gjitha, relaksohuni… ». Disa herë, gjatë ditëve të para, ai përsëriti : « Ju lutem, relaksohuni. »

 

Pothuajse para 20 vitesh, reporter për një gazetë të përjavshme franceze e botuar në masë, kisha arritur, pas disa negociatash të rëndësishme, të merrja një vizë individuale. Asokohe, pothuajse vetëm 12 gazetarë perëndimorë kishin arritur të hynin në Republikën popullore socialiste të Shqipërisë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe turistët e rrallë ishin për pjesën më të madhe militantë partishë politike. Kohët kanë ndryshuar : në qoftë se kuotat e turistëve fancezë (pothuajse 600 në vitin 1988) janë shumë pak në rritje, shoqata e Miqësisë franko-shqiptare nuk e mban më monopolin e udhëtimëve në regjimin më enigmatik socialist të Evropës.

 

« Shteti i shqiponjave » : ky është emri, në shqip, i këtij vendi pothuajse prej 29 000 km², ku dy të tretat janë zona malore, dhe një e treta fushë bregdetare. Gjatë rrugës buzë liqenit të Shkodrës (45 km i gjatë dhe 10 km i gjërë) është rrëmujë në hyrje dhe në dalje të fshatrave. Nuk ka automjete individuale (të ndaluara nga që përfaqësojnë « egoizmin borgjez »), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe Jeep-a që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete zigzagojnë përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj.

 

Në fusha, gratë kosisin, presin, punojnë me bel, prashisin fermat e mëdha shtetërore sikur të punonin në një shumëllojshmëri kopshtesh (pronash) individuale. Të krijohet ndjenja e kthimit 50 viteve mbrapa, kur plugimet dhe korrjet bëheshin me dorë. « Më kujton fëmijërinë time » – shprehet  një burrë i moshuar nga Burgonja (Bourgogne) i ulur afër meje. Në sytë e tij dallohej një nostalgji e papërcaktueshme…Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parrulla : « Lavdi RPSSH (glorifikim për Republikën socialiste shqiptare) » ; « Përjetë me Enverin ». Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët : « Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde. » Shqipëria i përket një bote, e cila nuk është më ajo e evropianëve të fund-shekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes ? « Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne. » – thotë shoqëruesi ynë. « Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun. » Ky mendimi ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullneti i rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore…

 

Të ndërtuara me mijëra, bunkerët individualë i gjen në të gjithë territorin shqiptar. I shohim buzë rrugëve, përrreth uzinave, në fushat e duhanit, grurit dhe misrit, në vreshta, në plazhe, në male, ku më i larti është Korabi (2 764 m). Ndonjëherë, bunkerët janë të rreshtuar njëri pranë tjetrit, ose të shpërndarë nëpër fshatra pas asnjë lloj logjike. Rojet që ndodhen brenda, a janë në gjendje t’u rezistojnë trupave ajrore ? Këta bunkerë betoni, në formë të rrumbullakët, janë diçka e pazakontë dhe mbresëlënës. Mos vallë janë rrënojat e një të kaluare të afërt ? Pashë në oborrin e një uzine disa bunkerë të rinj gati për t’u dërguar porositësve të tyre. Që prej ndërhyrjes së trupave sovietike në Ceko-Sllovaki, para 20 vitesh, shqiptarët qëndrojnë në gatishmëri lufte. Ata nuk kanë harruar. Ata e dinë, se në çdo moment, duke mos pasur asnjë lloj mundësie aleance, as me Jugosllavët, as me Sovietikët, as me kinezët e largët, mund të jenë viktimë e një konflikti në Europë. Ata i njohin fare thjeshtë virtytet e guximit. Në shkollë, vazhdojnë të mësojnë që vendin e çliruan vetëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore…

 

Shkodra, qyteti më në veri të Shqipërisë, është vendi i parë që vizitojnë turistët perëndimorë. Eshtë një zonë e banuar me shumicë katolike, që mund të përbëjë 15 % të popullsisë totale. Mos pyesni ku ndodhet katedralja, një nga më të mëdhajat në Ballkan. Do ju përgjigjen : Ju pyesni për pallatin e sportit ? Ai është  i hapur për vizitorët – publikun. Një parrullë vë në dukje virtytet e marksizëm-leninizmit. E pajisur me karrige – shkallë stadiumi, aty ftohen të luajnë ekipet e basketbollit dhe volejbollit. Vendi i peshkopit pret të ftuar prestigjozë, dhe sakristi (aneksi i katedrales) është transformuar në tualet.

 

Ekspozita ateiste irritonte vizitorët e huaj

 

Gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri (1971), pata vizituar në Shkodër një « ekspozitë ateiste ». Pata parë një koleksion imazhesh fetare, krahun e një shenjtorje, dhe disa fotografi priftërinjsh të akuzuar për tradhëti dhe të dënuar me vdekje si arsye bashkëpunimi me pushtuesin nazist. U bë disa vite, që kjo ekspozitë është në ri-amenaxhim. « Në fakt, më treguan disa zyrtarë, ajo irritonte vizitorët e huaj ».

 

Kur qeveria e Enver Hoxhës mori iniciativën të zhdukë kultin e Zotit në 1967, ajo mbylli 156 kisha katolike, 608 kisha ortodokse dhe 740 xhami. Pati disa rezistentë më këmbëngulës nga ana e katolikëve dhe myslimanëve. Për disa muaj, vendet e kultit (fesë) u transformuan në salla teatri, kafene, shtëpi kulture, ose u braktisën. Deri më sot, çdo praktikë fetare është e ndëshkuar me dënim me burg. Biblën nuk e gjen askund, përveç se në Bibliotekën kombëtare. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë restaurimin e monumenteve më prestigjoze : në Berat, qytet historik, disa punëtorë rinovojnë kishën ortodokse të Fjetjes së Hyjlindëses, e ndodhur brenda kështjellës. Ikonat e piktorit Onufri, ku ngjyra e kuqe e tyre është legjendare, ekspozohen aty. Në hyrje, disa rreshta të Enver Hoxhës kujtojnë që « këta vepra i përkasin trashëgimisë kombëtare shqiptare », pavarësisht arsyeve të frymëzimit të tyre…Në Korçë, në juglindje të vendit, ku liceu francez kishte dikur mësues Enver Hoxhën, 6 000 ikona destinuar artit mesjetar janë duke u restauruar.

 

Xhamia e pushtuar nga dy dyqane

 

Shqipëria mundohet të rikonstituojë të shkuarën e saj.  Katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe hebrenj kanë bashkëjetuar, mirë dhe keq, gjatë kohërave të ndryshme. Më shumë se pesë shekuj pushtim turk i kanë siguruar fesë islame një vend të rëndësishëm. Sa ishin që lexonin Kuranin çdo ditë para regjimit aktual ? Mes 50 e 70 % e popullsisë. Xhamia kryesore e Tiranës, në sheshin qëndror, është e mbyllur ; ajo e Beratit, pranë hotelit të madh, është pushtuar nga dy dyqane.

 

Përgjegjësit (drejtuesit) shqiptarë janë shumë të mbyllur për praktikat e tyre fetare familjare. Sidoqoftë, moda e sotme është t’u vësh fëmijëve emra ilirë, edhe në familjet tradicionale myslimane. Për cilën arsye ? Para ardhjes së grekëve, në shekullin e VII para erës sonë, Iliria ishte një perandori e madhe ku kufijtë e saj shtriheshin deri në brigjet e Danubit. Shqipëria, në kufijtë e sotëm të saj, ishte zemra e kësaj perandorie. Flitej që atëherë një gjuhë indo-evropiane. Tre shekuj më vonë, kur romakët filluan të zgjeronin territoret e tyre, duke krijuar rrugën kryesore të komunikimit mes Romës dhe Bizantit, via Egnatia, tre perandorë me origjinë iliriane – Aurel-i, Diokleciani, dhe Konstandini – drejtuan vendin që shtrihej atëherë deri në mesdheun lindor.

 

Sot, në gjuhën shqipe, kanë mbetur vetëm 8 %  e fjalëve me origjinë latine, por shqiptarët konfirmojnë që kjo periudhë e historisë u ka trashëguar atyre me shumë elementë se pushtimi osman. Zyrtarët shqiptarë, gjatë bisedave me vizitorët, nuk reshtin të përsërisin këtë fakt, ndoshta për të dëshmuar vullnetin e tyre për t’u integruar në Evropë. Në të gjithë Shqipërinë, janë rrënojat (gërmadhat) greko – iliriane që turistët ftohen të vizitojnë. Më të shquarat, janë ato të Butrintit, të cilat gjenden disa kilometra afër kufirit grek. Qyteza, e ndërtuar gjatë shekullit të VI-të para erës sonë, ngrihet buzë një lagune. Eshtë për tu admiruar tempulli i Asklepit, teatri, dhe fortesa turke…Më lart, në rrethanat e Fierit, rrënojat e Apollonisë, themeluar në fillim të shekullit të VI-të para erës sonë nga kolonët grekë, u krijojnë mundësinë vizitorëve të shohin një stom të mrekullueshëm, një teatër dhe një kullë mbështetëse, tempullin e Apollonit dhe disa shtëpi të dekoruare në mozaik…

 

Eshtë ora një e natës. Në Tiranë, në dhomën e hotelit, ndërtesë 15 katëshe e ndërtuar në vitet 80 dhe « grataçela » e vetme e kryeqytetit, dalloj një burrë që fshin sheshin qendror (Sheshin Skënderbe), me metodë, pa u ndalur. Ndonjëherë, një kalimtar i vonë kalon xhaden me hapa të ngadaltë. Asnjë veturë, asnjë zhurmë. Pastruesi fshin edhe një herë gjurmat e këpucëve. Po ashtu, në brigjet e detit Adriatik, në Durrës, kam patur gjithashtu ndjenjën e përjetimit të një filmi të viteve 30. Në mbrëmje, kur dielli fillon të zhduket në horizont, qindra shëtitës ecin mbi rërë me një ritëm të qetë. Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat. Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. « Relaksohuni », përsëriste guida jonë. Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën  e një kohe të harruar. Në vitin 1971, në zemër të Tiranës, dëgjoja vetëm zhurmën e gjinkallave. S’kishte semaforë, disa Jeep-a zyrtarësh, dhe busti i Stalinit përballë atij të Leninit në bulevardin e Heronjve.

 

Që nga ajo kohë, sheshi qëndror i Tiranës është zbukuruar me një shatrivan të ndriçuar dhe disa ndërtesa moderne. Dhe dy semaforë janë instaluar në kryeqytet. Muzetë, të amenaxhuar shumë mirë, tregojnë historinë kombëtare…Në lulishtet e shumta publike, stolat presin qetësisht familjet dhe të dashuruarit. Kudo është e njëjta qetësi, sikur Shqipëria refuzon agjitacionin e kohëve moderne. Në një kodër mbi Tiranë, dy ushtarë ruajnë gjatë gjithë kohës varrin e Enver Hoxhës. Asgjë madhështore, përveç bukurisë së peisazhit…

 

Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri, u mundova me të gjitha mënyrat të flas me qytetarët në lulishtet publike apo kafenetë e Tiranës, Durrësit, Beratit, Krujës, Sarandës apo Gjirokastrës (qyteti i lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadaré, i bërë i famshëm për librin e tij « Gjenerali i ushtrisë së vdekur »). Nuk arrita, ishte e pamundur.

 

Të rinjtë duan të mësojnë italishten

 

Shqiptarët komunikojnë shumë pak dhe me vështirësi me të huajt. Frika, indiferenca apo mosnjohja e gjuhëve ? Viktima të pushtimit italian gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, brezi i vjetër flet akoma italishten. Por edhe të rinjtë po fillojnë të studiojnë këtë gjuhë. A mos vallë është radioja italiane, të cilën e kapin lehtë në radiot e tyre, që i tërheq drejt botës së jashtme ? Gjithsesi, gjuha frënge është një gjuhë e privilegjuar, sidomos tek klasa drejtuese, dhe anglishtja po fillon të zë një vend sa më shumë të rëndësishëm në arsim…

 

Ka pasur 12 000 turista gjatë këtij viti në Shqipëri. Të gjithë kanë ardhur me grupe, nga 12 apo 15 persona minimumi. Asnjeri nuk lejohet të lëvizë lirshëm dhe vetëm…Guidat e Alb-turist preferojnë të flasin për shoqërinë shqiptare, origjinën dhe gjeografinë e saj, influencën bujqësore, minierat apo luftërat heroike për pavarësinë, në vend se të angazhohen në çështje që e kanë të vështirë t’u përgjigjen.

 

Cmimet nuk janë rritur që prej 1944

 

Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika popullore socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944 ! Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në 8 lek. Përsa i përket rrogave, egzistojnë dy lloje : minimumi 500 lek në muaj, dhe maksimumi 1 000 lek. S’ka lluks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik. Toka (prona) i përket shtetit, dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjt dhe janë të ralla : 3 000 lek për një lavatriçe, 4 500 për një televizor. Ndërsa biçikletat, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushtojnë rreth 750 lek secila. Nuk ka shumë kohë që edhe disa motoçikleta të huaja janë në treg. « Nuk është një shkelje e regjimit marksist-leninist sipas të cilit prona private duhet dëbuar nga shoqëria ? » Para kësaj pyetje, bashkëbiseduesi im është i paqartë : « Blerësit janë diplomatë ose inxhinierë që kanë punuar jashtë shtetit. Kanë bëre disa kursime para se të ktheheshin ».

 

Eshtë e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet…

 

Biçikletat, mbretëreshat e vogla të Shqipërisë

 

Biçikletat ishin ende të rralla para 20 viteve, madje edhe në Tiranë. Ato importoheshin nga Kina popullore, shtet me të cilin Shqipëria kishte asokohe marrdhënie të mira. Sot, shohim mijëra të tilla që përbëjnë mjetin kryesor për të lëvizur. Atobuzat nuk janë të shumtë…Përsa i përket rrjetit hekurudhor, para vitit 1945 nuk egzistonte. Linja prej 37 km që lidh Tiranën me portin e Durrësit është e mbingarkuar gjatë stinës verore.

 

Durrësi ka një plazh me rërë të hollë, gjashtë hotele, ndër të cilët Hotel Adriatikun, i ndodhur buzë detit dhe i hapur për të huajt. Dushet funksionojnë vetëm dy a tri herë në ditë, gjatë një gjysëm ore dhe gatimet nuk janë më të mirat e vendit. Kamarierët shërbejnë birrë dhe ujë mineral, ndonjëherë edhe raki, pija tradicionale. Në katin e parë të hotelit ka një dyqan të thjeshtë që ofron prodhime artizanale, si për shembull disa qilima me ngjyrë të kuqe, qeramikë dhe cigare.

 

Në Berat, ku gjendet plantacioni më i madh i fiqve në të gjithë Europën, turistët kërkojnë me entuziazëm kavanozët me reçel që shiten me një çmim të vogël. Kudo gjenden cigare dhe verë e kuqe, dy prodhime kombëtarë me një cilësi të mirë. Në përgjithësi, dyqanet nuk furnizohen dhe aq sa nevojitet. Shqiptarët thonë : « Ne jetojmë thjeshtësisht – por, shtojnë – Tek ne, asnjeri nuk jeton mjerisht. Ne kemi të hamë dhe të vishemi ». Nuk pashë asnjë lodër fëmijësh, qoftë plastike apo druri. Në shëtitoren e Sarandës, bregut detit, djem dhe vajza lozin me disa rrathë të vegjël të fabrikuar në mënyrë artizanale. : një tel hekuri në forme rrote et dhe një tjetër që shërben si shkop. Ecën (rrotullohet), dhe nuk bën zhurmë…

 

Ruajtja e kulturës dhe rezistenca ndaj pushtuesit

 

Të nënshtruar gjatë shekujve ndaj pushtimeve të njëpasnjëshme të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve, italianëve dhe gjermanëve, shqiptarët janë strehuar në zonat e tyre malore për të ruajtur kulturën e tyre dhe për t’i rezistuar pushtuesit. Heroi më i madh kombëtar mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu. I lindur në fillim të shekullit të XV-të në një fshat të pushtuar nga ushtria osmane, ai u dërgua në Stamboll ku realizoj studimet. Më vonë, si pjesë e ushtrisë turke në Nish, në vitin 1443 dezertoj turqit për t’u larguar drejt Shqipërisë me një batalion prej 300 ushtarësh me origjinë shqiptare dhe orgazinoj sa më shpejt rezistencën. Pasi mori Krujën, një vend i mrekullueshëm në veri të Tiranës, ai mblodhi rreth tij me mijëra luftëtarë dhe formoj një ushtri e cila i shkaktoj gjatë 25 viteve disfatë pas disfate Osmanëve, duke i mundësuar Shqipërisë, për herën e parë në histori, të jetë totalisht e pavarur. Një muze i mrekullueshëm në kështjellën e Krujës kujton jetën e tij…Skënderbeu vdiq i pamposhtur në 1468. Pas vdekjes, pasardhësit e tij humbën lirinë ndaj turqve. Shqiptarëve pritën deri me 28 nëntor 1912 që të valvitet përsëri flamuri i tyre kombëtar…

Publikuar për herë të parë online në gjuhën shqipe te Blogu Dars (Klos), Mat – Albania

http://www.darsiani.com/opinion/

 

 

[1] Autori ka qenë edhe në vitin 1971 në Shqipëri

500 vjet nga pushtimi i Kostandinopojës – Europa dhe turqit, qytetërimi i Perandorisë Osmane

Bernard Lewis shkruan së rënia e Kostandinopojës nuk qe “fitore e barbarizmit, por më shumë e një qytetërimi tjetër dhe jo mediokër”. Artikulli është botuar në tetor të vitit 1953. Botohet në përkujtim të ndarjes së tij nga jeta më 19 maj, në moshën 101-vjeçare.

Këtë vit turqit po festojnë përvjetorin e 500-të të pushtimit të tyre të Kostandinopojës. Sundimi turk në Europë filloi pothuajse një shekull më parë dhe u vendos fuqishëm në kohën që pushtimi i qytetit perandorak rrumbullakoi dominionet turke dhe e bëri Kostandinopojën edhe njëherë akoma kryeqytetin e një perandorie të madhe. Por përvjetori mund të shërbejë si një rast për disa reflektime lidhur me vendin e Perandorisë Osmane në historinë e Europës dhe të botës.

Për shumicën e europianëve, humbja e Kostandinopojës është një katastrofë e madhe historike, një humbje e kristianizmit e cila nuk është riparuar kurrë. Pavarësisht marrëdhënieve të tashme miqësore midis Turqisë dhe Perëndimit, ekziston akoma një rezervë mosbesimi dhe bile nganjëherë armiqësie, me rrënjë të thella në të kaluarën kristiane europiane. Për shumicën e europianoperëndimorëve të kënduar, fjalët “turk” dhe “Turqi” kanë asociacione komplekse emocionale, të ngjyrosur nga shekuj armiqësie; dhe për europianolindorët panorama tradicionale e pushtuesit turk është bërë pjesë e folklorit kombëtar. Ky imazh perëndimor i turqve ka mjaft burime. I pari nga këto është frika, e ngulitur në mendjen perëndimore gjatë periudhës së gjatë kur turqit po hynin në zemër të Europës dhe dukej se kërcënonin vetë ekzistencën e kristianizmit. Richard Knolles, kronisti elisabethian i turqve, shprehte ndjenjat e Europës kur fliste për turkun si “terrorin aktual të botës”. Edhe në Islandën e largët, njerëzit luteshin që të shpëtonin nga “dinakëria e Papës dhe terrori i turkut”. Që e fundit nuk qe frikë e kotë u tregua nga sulmi i piratëve turk në Islandë në vitin 1627, kur disa qindra të burgosur u dërguan në Algjer.

Kjo ndjenjë frikë u shtua nga armiqësia fetare midis kristianizmit dhe islamit, që i përket pushtimeve të para arabo – myslimane, të cilat kishin hequr provincat kristiane të Sirisë, Egjiptit, Afrikës Veriore dhe Spanjës nga Perëndimi dhe i kishin inkorporuar ato në botën islamike. Përplasja u rinovua nga kundërsulmi kristian në Mesdheun Perëndimor e kryqëzatat dhe sërish nga ofensiva e re myslimane e ndërmarrë ndaj Europës prej turqve osmanë. Edhe shekullarizimi i Europës nga Rilindja kohë më vonë nuk e pakëson seriozisht këtë armiqësi ndaj islamit. Por urrejtja fetare zakonisht jeton më shumë se besimi fetar. Udhëtarët perëndimorë në Turqi, të cilët qenë burimi më i madh i informacionit për botën perëndimore, me pak përjashtime i përforcuan këto paragjykime. Shumicës prej tyre i mungonte perceptueshmëria dhe imagjinata për të kuptuar se cilësitë e mira familjare që ata vlerësonin në shtëpi mungonin në Turqi, atje qenë të pranishme ato të një lloji të ndryshëm. Ata nuk kuptonin se ky qe një qytetërim tjetër, me etikën e tij dhe standardet dhe vlerat e tij. Në kohëra më të vonshme, armiqësia perëndimore ndaj turkut u zgjat nga entuziazmi i filohelenëve të cilët në admirimin e tyre të drejtë për Greqinë i bënë më pak se drejtësi turkut, duke parë tek ai vetëm shkatërruesin brutal të lirive të Hellas-it dhe duke harruar fjalët e famshme të dinjitarit bizantin Lucas Notaras: “Është më mirë të shikosh në qytet pushtetin e çallmës turke sesa atë të rasos latine”.

Në kohën tonë, është shtuar një burim tjetër keqinformimi. Qysh nga përhapja e nacionalizmit në Ballkan dhe në Lindjen e Afërt, më shumë një duzinë shtetesh janë krijuar nga gërmadhat e Perandorisë Osmane, secili me legjendat e veta kombëtare të çlirimit dhe llojin e tij të historiografisë kombëtare. Si shumica e popujve të çliruar, shtetet ballkanike dhe me pas ato arabe tentuan që t’ia vishnin të gjithë defektet dhe mangësitë e shoqërive të tyre sundimit të keq të mjeshtërave të rënë perandorakë. Më të artikuluar në termat perëndimore sesa turqit, aya ia kanë arritur që të bindin shumicën e vëzhguesve perëndimorë për të vërtetën e versionit të tyre të historisë.

Mund të jetë shpresuar që rigjallërimi i të mësuarit në Europë dhe rritja e historisë shkencore do të kishin sjellë më shumë pikëpamje të paanshme dhe një qëndrim më pak paragjykues. Por në fakt nuk ka qenë kështu. Paragjykimi, si shpesh, është gllabëruar nga injoranca. Megjithëse është gjerësisht e pranuar se njeriu nuk e shkruan historinë franceze pa ndonjë referim në burimet franceze, europianoperëndimorët vazhdojnë që të shkruajnë historinë turke – të riemëruar Çështja Lindore – pa asnjë referencë në atë çka vetë turqit kanë për të thënë lidhur me të. Por burimet turke ekzistojnë në sasi të mëdha – histori, kronika, dokumenta arkivore me miliona, shumica e të cilave janë botuar. Nuk ka më asnjë nevojë për t’i shikuar turqit vetëm nëpërmjet syve të rivalëve dhe armiqve të tyre.

Ky qëndrim negativ ndaj turqve, megjithëse predominues, nuk është i vetmi. Ekziston gjithashtu edhe ajo që dikush mund ta quajë një legjendë pozitive të turkut në Europë – dhe këtu nuk po flas për konsideratat politike dhe ushtarake që herëpasëhere i shtyjnë liderët europianë të darkojnë me turkun, megjithëse me lugë të gjatë. Perëndimi ka një legjendë romantike apo heroike të turkut, e cila sërish ka origjina të ndryshme. Nganjëherë ajo ka qenë doktrina perëndimore e “të egrit fisnik” – me turkun që luan gjithmonë këtë rol. Nganjëherë turku, ashtu si popujt e tjerë ekzotikë, është përdorur si një mjet për koment social në Perëndim; nganjëherë, gjithashtu, është një mjet kundërshtie antikristian apo më specifikisht antikatolik, njëlloj sikur polemistët protestantë të shekullit të XVI-të krahasuan tolerancën turke me represionin katolik. Nganjëherë, një apo tjetër grup kombëtar apo social në Perëndim përjetoi apo imagjinoi një ndjenjë afiniteti me turqit. I tillë për shembull që miti panturanian i avancuar nga disa intelektualë hungarezë, të cilët kërkuan një aleancë hungaro – turke kundër kërcënimit të përbashkët të pansllavizmit. I tillë qe gjithashtu qëndrimi i disa elementëve midis klasave sunduese angleze, të cilët shikonin tek myslimani osman një xhentëlmen prej kishte të vendosur dhe tek kristiani osman një jokonformist rebel. Në përgjithësi, ekzistojnë dy prototipe turku në legjendën perëndimore, njëri i shprehur me fjalën “i urryer”, tjetri me fjalën “xhentëlmen”. Të dy kanë të bëjnë pak me Turqinë e vërtetë. Në atë çka vijon, unë propozoj që të shqyrtoj disa prej akuzave specifike të ngritura kundër turqve ose më mirë disa prej defekteve të supozuara të tyre, ekzistenca e të cilave në heshtje pranohet si aksiomatike, dhe për të parë sesa larg janë ato të justifikuara nga një shqyrtim i paanshëm i dëshmive.

Një supozim i rëndomtë është se turku qe një barbar brutal pa kulturë. Por turqit osmanë kanë një letërsi të pasur, që shkon prapa në shekullin e XIII-të në Turqi dhe akoma me herët midis popujve turq lindorë të Azisë Qendrore. Ndoshta jo në nivelin e letërsive të mëparshme myslimane në arabisht dhe persisht, ka akoma shumë nga ajo që është shumë më tepër se vlerë lokale, veçanërisht në traditën e madhe të shkrimit historik. Historiografia osmane nuk konsiston thjesht në anale, por në histori të vërtetë, nganjëherë duke arritur bile një cilësi epike. Kjo letërsi është pak e njohur në Perëndim, por ky vështirë se është faji i turqve. Më lehtësisht të sigurueshme për vizitorët e huaj janë lavditë e artit dhe arkitekturës osmane – xhamitë e mrekullueshme që akoma hijeshojnë Turqinë dhe shtetet pasuese; miniaturat, punët metalike dhe produktet e arteve industriale dhe dekorative. Jo më pak e rëndësishme nga këto është arti karakteristik i kaligrafist, shpesh i nënvlerësuar apo i keqkuptuar nga vëzhguesit perëndimorë, por në gjendje të arrijë një nivel të lartë vetëshprehjeje artistike. Kultura turke, sic do të shpresonte njeriu, është kryesisht islamike dhe osmani i arsimuar ishte familjar me klasikët arabë dhe persë siç qenë bashkëkohësit e tij perëndimorë me ato të Greqisë dhe Romës.

Megjithatë, një interes në qytetërimin perëndimor, megjithëse shumë i kufizuar, nuk mungoi tërësisht. Mehmet Pushtuesi kishte një njohje të greqishtes dhe një bibliotekë me libra grekë. Enturazhi i tij përfshinte humanistin italian Ciriaco Pizzocolli of Ancona dhe humanistin grek Critoboulos. Ky i fundit – i cili ishte biografi i Mehmetit – përmend interesin e tij në gërmadhat dhe reliket greke, dhe kur përshkruan mrekullimin e Mehmedit në Partenon, arrin t’i dhurojë atij titullin e “filohelenit”. Pas marrjes së Kostandinopojës, Mehmedi duhet ta mbante premtimin e bërë trupave të tij për t’u dhuruar tri ditë të lira në qytetin e pushtuar, por shkrimtarët grekë dhe perëndimorë konfirmojnë se ditën e katërt ai mori masa për të mbrojtur dorëshkrime, ndërtesa dhe relike. Disa studiues thonë se pushtimi turk i Kostandinopojës qe më pak shkatërrimtar se ai i kryqëzatave perëndimore në vitin 1204.

Një fjalë e përdorur shpesh për të përshkruar Perandorinë Osmane është “copë copë” dhe ekziston një përshtypje e përgjithshme se qeveria osmane qe gjithmonë e paaftë, e korruptuar dhe e mefshtë. Megjithatë, dokumenta të panumërta në arkivat e Stambollit tregojnë se deri në shekullin e XVI-të perandoria qeverisej nga një strukturë burokratike e përpunuar, jashtëzakonisht e kujdesshme në detyrën e saj të administrimit të një perandorie të madhe. Vetëm një seri regjistrash, në mbi 1000 vëllime, përmban një regjistrim për qytete, fshatra, popullsi dhe të ardhura për të gjithë Perandorinë nga Budapesti nga Bagdad. 50000 e më shumë regjistra të lidhura dhe miliona letra, ende të ruajtura në arkivat turke, tregojnë se cilatdo që mund të kenë qenë defektet e administratës osmane, ajo që në periudhat e fillimit dhe të mesme aspak “copë copë”.

Kundër akuzës së shkatërrueshmërisë që shpesh bëhet kundër sundimit turk, mund të përmendet e njëjta dëshmi. Regjistrat tregojnë një rritje në popullsi dhe në begati në shumicën e zonave pas pushtimit, të cilën udhëtarët – aspak dëshmitarë miqësorë – e konfirmojnë. Në territoret arabe, sundimi osman solli paqe e siguri pas tmerrit të rëndë të sundimit të vonshëm mamluk. Edhe në Ballkan, qeveria osmane solli unitet e siguri në vend të konflikteve dhe kaosit të mëparshëm. Në luftërat e pushtimit, një pjesë e madhe e aristokracisë latifondiste u shkatërrua dhe pasuritë e tyre të pazot u inkorporuan në sistemin feudal osman dhe ju dhuruan ushtarëve osmanë. Nën rendin osman, mbajtësi i këtyre pronave preokupohej vetëm me të ardhurat dhe nuk kishte të drejta sinjorie. Për pasojë, fshatarët gëzonin liri shumë më të madhe në fermat e tyre sesa më parë, ndërsa veprimi i ligjit osman e parandalonte njëherazi copëzimin e përqëndrimin e pronësisë mbi tokën. Kjo siguri dhe begati, e dhënë një bujqësie fshatare nga një qeveri e cila kisha trashëguar besnikërinë vjetër të detyruar nga popujt ballkanikë ndaj fronit perandorak bizantin, bëri shumë për t’i pajtuar ata me defektet e tjera të sundimit osman dhe shpjegojnë në një masë të madhe qetësinë e gjatë që mbretëroi në Ballkan deri në futjen shpërthyese të ideve nacionaliste nga Perëndimi. Edhe Kostandinopojës, pushtimi osman i solli një begati të re, teksa qyteti u transformua nga një fosil në kryeqytetin e lulëzuar të një perandorie të madhe.

Një tjetër akuzë është ajo e tiranisë. Sigurisht që Sulltani nuk ishte demokrat, por, në fund të fundit, demokracia siç e njohim dhe e praktikojnë ne atë ka lulëzuar vetëm në pak vende dhe në shumicën prej tyre është e vonshme dhe e parakohshme. Sulltani nuk qe një despot i vërtetë, por gardiani suprem i Ligjit të Shenjtë të dhënë nga Zoti të islamit, ndaj të cilit vetë ai ishte subjekt. Është e vërtetë se Ligji i Shenjtë i jepte atij një pushtet pothuajse despotik dhe se kjo nuk siguronte për zbatimin kundër tij, por, në analizë të fundit, Ligji i Shenjtë mbeti baza e strukturës sociale dhe politike të Perandorisë dhe vëzhgohej nga sulltanët, sovraniteti i të cilëve pranohej dhe respektohej nga njerëzit, myslimanë dhe kristianë qofshin, si i drejtë dhe i pashmangshëm.

Dy cilësi të tjera që u janë atribuuar turqve janë fanatizmi dhe jotoleranca. Turqit osmanë në të vërtetë qenë myslimanë fanatikë, të përkushtuar ndaj ruajtjes dhe zgjerimit të shtetit islamik. Por toleranca është një cështje relative. Sipas parimeve të deklaruara nga demokracitë moderne, tolerancë nënkupton mungesë diskriminimi. Në këtë kuptim, osmanët nuk qenë tolerantë, përderisa jomyslimanët nuk qenë të njëjtët civilë dhe socialë si ndjekësit e besimit fetar dominues, por qenë subjekt i një numri pabarazishë ligjore. Por kjo lloj tolerance është e re dhe e pasigurtë, bile edhe në Europë, dhe nuk është më vend që të shikohet për të në Perandorinë e vjetër Osmane. Nëqoftëse e përkufizojmë tolerancën si mungesën, jo të diskriminimit, por të persekutimit, atëhere kurrikulumi osman deri në fundin e shekullit të XIX-të është i shkëlqyer. Preferenca e mirënjohur e grekëve të shekullit të XV-të për sundimin turk në vend të atij frank nuk qe pa arsye. Konfrontimi i kristianizmit dhe i islamit nganjëherë është krahasuar me Luftën e Ftohtë aktuale. Krahasimi është i vlefshëm në shumë pika, por duhet të kujtojmë në bërjen e tij se lëvizja kryesore e refugjatëve në shekujt e XV-të dhe XVI-të qe nga Europa në Turqi dhe jo anasjelltas. Kur sundimi osman në Ballkan mori fund, popujt ballkanikë e rimorën ekzistencën e tyre kombëtare, me besimet fetare, gjuhët dhe kulturat kombëtare të tyre të paprekura. Nuk ka asnjë mysliman sot në Spanjë apo Siçili dhe asnjë folës të arabishtes.

Një shembull i mirë i mënyrës me të cilën udhëtarët dhe diplomatët europianë i keqkuptuan dhe i keqinterpretuan institucionet osmane na jepet nga fjala “raja”. Sipas pjesës më të madhe të udhëtarëve europianë, pasuar nga pjesa më e madhe e historianëve, fjala raja nënkupton bagëti dhe ajo u aplikohej subjekteve kristiane të Portës, qëndrimi grabitqar i së cilës ndaj tyre shprehet tek termi. Në fakt, e folmja osmane deri në mesin e shekullit të XVIII-të e përdorte termin për popullsinë fshatare të Perandorisë, pavarësisht besimit fetar. Kështu, fshatarët myslimanë qenë raja dhe banorët e zonave kristiane nuk qenë të tillë. Vetë fjala vjen nga një rrënjë arabishte, që do të thotë të përtypësh, dhe do të ishte mirë të përkthehej si kope, duke shprehur idenë e mirënjohur baritore të qeverisë, e cila është e rëndomtë në kristianizëm dhe në islam. Ky është një koment kurioz lidhur me modelin e influencës perëndimore ndaj Turqisë, që nga mesi i shekullit të XVIII-të keqinterpretimi perëndimor i termit u kaloi vetë turqve, të cilët filluan ta përdorin dhe nganjëherë edhe ta zbatojnë atë në kuptimin dikur të gabuar perëndimor.

Me rënien e Perandorisë Osmane, disa akuza tradicionale kundër turqve pjesërisht u bënë të justifikuara. Kultura osmane ra në një përsëritje dhe imitim të thjeshtë të modeleve të mëparshëm. Administrata osmane vazhdoi të jetojë deri kur Perandoria vërtet u bë “copë copë”. Dobësia në rritje përballë pushtimit të huaj dhe rebelimit të brendshëm shpesh çuan në shtypje, brutalitet dhe tirani. Dyshimi, urrejtja, frika dhe nganjëherë, mund të shtojmë ne, shembulli i jotolerancës perëndimore e transformuan qëndrimin turk ndaj popujve të nënshtruar.

Por kur e gjitha kjo është thënë dhe bërë, do të argumentohej, turqit janë në mjedis të huaj dhe armiqësor në Europë. Deri shumë vonë ky përshkrim ishte i merituar në mënyrë të pamohueshme, por problemi nuk duhet ekzagjeruar. Nuk qenë barbarët nga stepat e Azisë Qendrore ata që pushtuan Europën juglindore, por një popull mysliman i qytetëruar, dhe islami, pavarësisht konfliktit të tij të gjatë me kristianizmin, ka shumë gjëra të përbashkëta me të. Të ndajnë trashëgiminë herreje të profecisë, zbulimit, monoteizmit etik dhe ligjit hyjnor. Të dy ndanin trashëgiminë heleniste, së cilës islami i ruajti filozofinë dhe shkencën, ndërsa Perëndimi i ruajti letërsinë dhe artin. Islami është shumë më tepër i ngjashëm me Europën në traditat kulturore të tij sesa Orienti i vërtetë, në Indi dhe në Kinë. Por turqit qenë familjarë në një kuptim më të afërt dhe më material. Ata kanë qenë në Anadoll qysh nga shekulli i X-të, duke absorbuar racat e vjetra të gadishullit; në Europë qysh nga shekulli i XIV-të. Në kohën që pushtuan Kostandinopojën, ata qenë përshtatur shumë mirë në Ballkan, përzier me gjakun grek, sllav dhe shqiptar. Meshkuj kristianë nga lindja qenë të rëndësishëm në oborr dhe në ushtri – trupat e jeniçerëve konsistonin ekskluzivisht në të tillë. Mehmet Pushtuesi ishte komod në greqisht dhe në Greqi. Në shumë kuptime, turqit qenë më pak të huaj në Kostandinopojë sesa qenë kristianët perëndimorë.

Sigurisht që humbja e Kostandinopojës qe një humbje për kristianizmin dhe Europën, megjithëse ndoshta jo dhe aq totale sa ishte frika dikur. Nuk është pa domethënie që turqit sot po festojnë përvjetorin e 500-të të fitores së tyre të madhe me kalendarin gregorian dhe jo me atë mysliman. Ajo nuk qe një fitore e barbarizmit, por më shumë i një qytetërimi tjetër dhe jo mediokër. Katër minaret e holla e të gjata që turqit i shtuan Kishës së Shën Sofisë, për kristianin, mund të jenë një përdhosje, por nuk janë shkatërrim.

Bernard Lewis lindi në vitin 1916 në Stoke Newington të Londrës. Ai është historian orientalist dhe komentator politik. Aktualisht është Cleveland E. Dodge Professor Emeritus i Studimeve të Lindjes së Afërt në Princeton University. Më parë ka dhënë mësim në London School of Oriental and African Studies dhe në University of London. Është i specializuar në historinë e Islamit dhe në ndërveprimin midis islamit e perëndimit dhe është veçanërisht i famshëm në qarqet akademike për veprat e tij lidhur me historinë e Perandorisë Osmane. /Bota.al/

Të pushkatuar pa gjyq, ngjarja që tronditi Dibrën më 16 shtator 1946

Edhe pse ishte vetëm 9 vjeç, Adnan Nasufi nuk mund ta fshijë nga kujtesa 16 shtatorin e vitit 1946.

Një grup prej shtatë vetësh, ish-xhandarë dhe oficerë të regjimit të Zogut, u pushkatuan rrëzë një kodre në Dobrovë të Peshkopisë, mes të cilëve xhaxhai dhe daja i tij. Edhe pse një fëmijë i pafajshëm në atë kohë, kujton me dhimbje se që nga ai moment nisi persekutimi.

“Edhe nuk mund t’i qanim, se na thoshin për kë po qani, për armikun”, tregon Adnan Nasufi.

E mban mend mire vendin ku u ekzekutuan pa gjyq ata. Por të nesërmen nuk mund të shkonin të merrnin as kufomat e tyre.

“Këtu te agjencia e transporteve ka qenë një gropë dhe tani është mbushur. Po nuk mund t’i kërkojë, ishte absurde t’i kërkoje”, shprehet Nasufi.

18 vite internime nga njëri kamp në tjetrin. Ka provuar edhe burgun e Spaçit edhe atë të Qafë Barit, por si më të tmerrshmin kujton kampin e Tepelenës.

“Ka qenë çnjerëzor. Jetonim në kazerma ushtarësh në dërrasa, pa dyshek. Na jepnin vetëm 400 gram bukë. Shkonim në shkollë dhe kur ktheheshim nuk kishim ç’të hanim më”, shprehet Adnan Nasufi.

Adnani tregon se tortura vazhdoi edhe pas mbaruan viteve të dënimeve dhe persekutimeve.

“Po edhe kur u kthyem, as njerëzit tanë nuk na flisnin, as dorën në rrugë nuk na jepnin. Nuk na ftonin nëpër dasma se kishin frikë”.

Por ka peng se jo vetëm ai dhe vëllezërit dhe motra nuk mundën të arsimoheshin, por dhe fëmijët e tij u privuan nga arsimi.

“Shkollën e mesme e bëra natën kur isha 45 vjeç. Ditën shkoja në punë, natën në shkollë. Por dhe fëmijët e mi nuk i lanë të bëjë gjimnazin. Shkonin në shkollë bujqësore”.

Në shtatëshen e Dobrovës u pushkatua pa gjyq edh gjyshi, i cili i kërkon me çdo kusht qevrisë gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve pa gjyq. E ka amanet nga nëna e tij.

“Ne kërkojmë të gjenden me çdo kusht eshtrat. Kanë gjetur varret e ushtarëve në Ersekë, të grekve dhe të italianëve. Duhet të gjenden pasi dikush ka firmosur. Nëna ime ka ndërruar jetë. Amaneti i saj i fundit kanë qenë gjetja e eshtrave të babës tim. Nuk ka as vëlla, as motër”, thotë Erion Doda, i persekutuar.

Dibranët nuk reshtin së kërkuari eshtrat e të pushkatuarve pa gjyq gjatë regjimit komunist, të cilët nuk janë pak.

“Kemi shumë të pagjetur. Halil Alinë e kanë vrarë në Kukës dhe e kanë varrosur atje, eshtrat nuk janë gjetur. Lushët nuk janë gjetur, Kalosht nuk janë gjetur. Janë rreth 100 që nuk janë gjetur”, tregon Ilmi Spata, shoqata e të përndjekurve politikë.

Në Dibër janë 295 të pushkatuar një pjesë e të cilëve as dëmshpërblimet nuk i kanë marrë. /Burimi: Top Channel/

Roli i principatës së Kastriotëve në historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes – Nga Prof. Bahri Beci

Historia e strukturës dialektore të shqipes është është historia e popullit shqiptar. Thënë ndryshe historia e strukturës dialektore të shqipes është rezultat dhe pasqyrë e zhvillimeve historike të popullit shqiptar, nga bashkësitë fisnore, në bashkësitë fshatare dhe nga bashkësitë fshatare në marrëdhëniet feudale (shekujt VIII-XI) që u finalizuan me formimin e principatave feudale shqiptare (shekujt XIII-XIV).

Besoj se këtu duhet kërkuar edhe shkaku i formimit të njësive dialektore të shqipes.

Edhe albanologia ruse A. Desnickaja formimin e njësive dialektore e lidhte me organizimin e shoqërisë feudale. Sipas saj kanë ekzistuar dy modele të shoqërisë feudale,  një model që karakterizohej nga prania e pronës shtetërore mbi tokën dhe e një territori të centralizuar shtetëror dhe një model i dytëqë karakterizohej nga prania pronës së feudalëve mbi tokën dhe nga mbizotërimi i copëtimi feudal, që sillte veçimin dialektor.

Sipas saj marrëdhëniet dialektore në Shqipëri janë zhvilluar sipas modelit të dytë, po në dallim nga gjuhët e tjera perëndimore, formimin e strukturës dialektore të shqipes ajo, po jo vetëm ajo, e vendoste gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Turke.

Pra, A. V. Desnickaja, në dallim nga gjuhët e tjera evropiane, e vendoste historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Turke. Ajo  nuk e pranonte që njësitë dialektore të shqipes janë rezultat i pranisë së territoreve feudale relativisht të veçuara, që kanë pasur kufijtë e tyre politikë dhe popullsinë fshatare të qëndrueshme dhe që veçimi politik dhe ekonomik në periudhën e feudalizmit të ketë krijuar bazën për veçimin linguistik të njësive dialektore të shqipes.

Sipas A. V. Desnickajas për dialektologjinë shqiptare më pak mund të flitet për ekzistimin e dialekteve të territoreve të veçuara, se sa kur është fjala për studimin e disa gjuhëve të tjera të Evropës Njësia territoriale, me të cilën ka të bëjë dialektologjia dhe etnografia shqiptare, nuk është territori i vjetër feudal” shkruante ajo.

Sipas saj në periudhën e hershme të zhvillimit të shoqërisë feudale në Shqipëri (epoka e principatave shqiptare) nuk u krijuan kushte për formimin dhe stabilizimin e njësive dialektore diferencuara brenda kufijve të territoreve të veçanta feudale.

Kjo e ka çuar A. V. Desnickajan, jo vetëm ta përjashtojë historinë e formimit të shqipes dialektore nga ligjshmëria e zhvillimit të gjuhëve të tjera të Evropës Perëndimore, po edhe ta zhvendosë historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes në tërësi në periudhën e pushtimit osman.

Përfundimi në të cilin arrinte A. V. Desnickaja  ishte se tani për tani nuk mund të flasim konkretisht për ndikimin e drejtpërdrejtë të faktorëve të ndryshëm dhe të ngjarjeve të historisë së popullit shqiptar në konfigura­cionin e arealeve të përhapjes së dukurive të ndryshme gjuhësore.

Në dallim prej saj ne kemi formuar bindjen se historia e strukturës dialektore të shqipes, ashtu si historia e strukturës dialektore të  vendeve të tjera evropiane, është përcaktuar kryesisht nga copëtimi feudal i vendit, që ka kushtëzuar edhe veçimin dialektor të tij.

Për të konkretizuar e argumentuar mendimin tonë po lejohemi të analizojmë për së afërmi vetëm rolin e principatës së Kastriotëve në formimin e rajonit dialektor qendror në territorin e Shqipërisë së Veriut, të asaj që në dialektologjinë shqiptare njihet si “gegërishtja qendrore”.

Siç dihet në pjesën qendrore të Shqipërisë së Veriut, në territorin që përshkohet nga lumi i Matit dhe degët e tij, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, nga Drini i Zi dhe rrjedha e sipërme e Vardarit shtrihet një grup të folmesh që kanë disa tipare specifike, të ndryshme nga të gjitha të folmet e tjera të shqipes.

Si kufi verior i tyre shërben përafërsisht rruga automobilistike Vau i Dejës – Pukë – Kukës, Drini i Bardhë dhe Malet e Sharrit. Si kufi jugor i tyre shërbejnë lumi i Ishmit, Malësia e Tiranës, malet e Çermenikës dhe Struga.

Në lindje këto të folme shtrihen deri në afërsi të Shkupit e Kërçovës. Si kufi perëndimor shërbejnë deti Adriatik dhe Zadrima.    Në këtë njësi dialektore të shqipes bëjnë pjesë të folmet e Fushë-Krujës, të Krujës dhe të Malësisë së saj, të Mirditës, të Matit, të Lumës, të Dibrës si dhe pjesa më e madhe e të folmeve shqipe të Maqedonisë Perëndimore të sotme.

Si tipare kryesore dalluese të këtyre të folmeve kemi vlerësuar pesë tipare.

  1. zbërthimin e i-së së theksuar në diftongje dytësorë: ai, ęi, ëi, oi që dalin edhe si zanore të thjeshtë ę etj.: çatai çati, dhai dhi, shai shi; pręifta prifta, kufęini kufini, fęis fis; shpëi shtëpi, mëik mik, tepsëi tepsi; dhoi dhi, çatoi çati, shoi shi; shllęn shllin, męku miku, mtęni mtini etj. Në të folmet e tjera të shqipes i-ja e theksuar ruhet në të gjitha pozicionet;
  2. zanorja e y në një kategori fjalësh ka evoluar në i, ai, ęi, oi, ëi dhe në variantet me zanore të thjeshta: a, ę, o, ë, ö, ø: si sy, lip lyp, aill yll, fait fyt, fraim frymë, sai sy; fęit fyt, ftęir fytyrë, pęill pyll; fëit fyt, ëill yll, ftëir fytyrë, frëim frymë; atoine atyne, broil bërryl, foitas fytas, ftoira fytyra, atöne atyne, føti fyti etj. Në të folmet e tjera të shqipes, përjashtuar të folmet e ekstremit jugor të shqipes ku y ka përfunduar në i ose u, ruhet y-ja e theksuar në të gjitha pozicionet;
  3. grupet e bashkëtingëlloreve tj, dj kanë evoluar në q, gj, (ose ç, xh): qetër (çetër) tjetër, aqe (açe) atje, qetri (çetri), tjetri, gje (xhe) dje, gjal (xhal) djalë, gjep (xhep) djep etj. Në të folmet e tjera të shqipes grupet e bashkëtingëlloreve tj, dj ruhen (me ndonjë përjashtim në rrethin e Tiranës ku kanë kaluar në q, gj).
  4. bashkëtingëllorja g në shumicën e këtyre të folmeve ka prirje të kalojë në bashkëtingëlloren gj ose në xh: gjoj (xhoj) gojë, gjrua (xhrua) grua, gjrop (xhrop) gropë, lugja (luxha) luga, zagjar (zaxhar) zagar. Në të folmet e tjera të shqipes bashkëtingëllorja g ruhet.

Kjo dukuri nuk është vërtetuar në disa të folme shqipe të Maqedonisë perëndimore.

  1. veta e tretë njëjës e kohës së tashme së lidhores del me mbaresën -(j)e: ai t’ kaloje të kalojë, t’ punoje të punojë, t’ filloje të fillojë, t’ dale të dalë, t’ marre të marrë etj. Bëjnë përjashtim e folmja e Krujës dhe e Malësisë së saj, si edhe të disa fshatrave të Malësisë së Dibrës, ku kjo formë foljore nuk ndeshet.

Tre nga këto pesë tipare të vlerësuara më sipër si tipare dalluese të të folmeve qendrore të Shqipërisë së Veriut ose të “rajonit dialektor qendror” janë relativisht të vjetra.

  1. Siç u vu re, krahas diftongjeve sekondarë (ai, ęi, ëi, oi) përdoren edhe variante me zanore të thjeshta (a, ę, ë, o). Kjo na ka shtyrë të mendojmë se ata burojnë nga njëri-tjetri.

Variantet me diftong janë më kryesoret dhe janë të përhapura në të gjitha folmet e këtij rajoni dialektor, kurse variantet me zanore të thjeshta a, ę, ë, o janë më të rralla dhe më pak të përhapura, madje ato në Mat dhe në Lurë, ku ndeshen më tepër, paraqiten si variante të kondicionuara të ai-së dhe ęi-s (vetëm në Gur të Bardhë ę paraqitet si variant i përgjithësuar i ęi).

Varianti ę i i-së, si variant i kondicionuar i ęi, përbën vetëm njërin nga stadet e diftongimit dhe jo zhvillim në vete, prandaj konstatimi i pranisë së ę-së si variant i i-së në këtë ose atë periudhë është i mjaftueshëm për të dësh­muar praninë e fenomenit të diftongimit në periudhën e dhënë.

Tagliavini, duke folur për kronologjinë e zbërthimit të i-së së theksuar, ka shkruar që diftongimi është një fenomen i ri provohet nga pjesëmarrja e elementeve sllavo-maqedone, p.sh. çatai çati, çivai çivi, kupain kupin. Na mendojmë se zhvillimi i fenomenit në këto fjalë nuk vërteton moshën e re të tij, përkundrazi ai së pari, vërteton se fenomeni vepronte në kohën kur u futën ato në këto të folme dhe së dyti tregon se atij i nënshtroheshin edhe fjalët e huaja, mjafton që theksi t’u binte mbi zanoren i.

Për vjetërsinë relative të këtij kalimi na shtyjnë të mendojmë toponimet Kroi Pręftjet në Gur të Bardhë dhe Prell në veri të Matit (besojmë nga Prill), që me 1640 është shkruar Preli ose më 1672 Prella, Prelia.

Edhe toponimi Balldre-ni (për ballë Drinit) në vitin 1610 është shkruar Baladreni, si edhe me 1671 Baladreno. Pra, duket se varianti i sotëm Balldre-ni është përhapë në formën që ndihej në Mirditë, formë që dokumentohet që më 1610. Për vjetërsinë e këtij fenomeni dëshmon edhe toponimi Merediti, që asht i vitit 1500, që besojmë se përfaqëson gjendjen fonetike të tij. Ky fakt na shtyn të mendojmë se fenomeni në vitin 1500 ishte i gjallë.

Për vjetërsi relative të këtij kalimi flet edhe Formula e Pagëzimit që është e vitit 1462: Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjulli në kishën e Shën Trinisë në Emathia (Mat) shkroi Formulën e Pagëzimit “Vnte paghesont premeit Atit et birit et spertit senit” (Unë të pagëzoj pr’ emenit Atit e t’ Birit e t’ Shpertit shenjt). Pra, fjala shpirt është shkruar shpert, ashtu si dëgjohet edhe sot nëpër të folmet e Gegërisë së Mesme.

Pra, me sa duket, fenomeni i diftongimit të i-së së theksuar dhe kalimi i saj në drejtim të ę-së ishte i gjallë në fillim të shekullit XV.

Po si duhet shikuar ky fenomen nën dritën e veprës së Pjetër Budit që ishte prej Gurit të Bardhë të Matit? Në Gur të Bardhë është përgjithësuar kalimi i i-së në ę. Në veprën e Budit (1618) nuk haset kalimi i i-së ęi ose ę. Kjo nuk provon se fenomeni nuk ekzistonte në të folmet e “rajonit dialektor qendror” ose edhe në Gur të Bardhë; mundet që ai nuk e pasqyroi në veprën e tij këtë evolucion fonetik, meqenëse dihet se P. Budi ka shërbye 29 vjet rresht (1587-1615) te shqiptarët katolikë të Kosovës; në anë tjetër ka të ngjarë që Budi ndoqi një traditë letrare në të shkruar. Për këto arsye rezervohemi ta marrim veprën e Budit si shprehje të gjuhës së folur të “rajonit dialektor qendror” në shekullin e XVII.

  1. Siç u vu re, edhe zanorja y në të folmet e këtij rajoni dialektor në një kategori fjalësh ka evoluar në i, ai, ęi, ëi, oi dhe në variantet me zanore të thjeshta: a, ę, ë, ö, ø.

          Gjatë vështrimit të gjendjes së sotme të tingullit y në të folmet e rajonit dialektor qendror kemi konstatuar një përputhje të plotë të diftongjeve sekondare që vi­në nga tingulli y me diftongjet sekondare që vinë nga zbërthimi i i-se së theksuar. Veç kësaj përputhet plotësisht edhe shtrirja territoriale e secilit prej varianteve me diftong të y-së me shtrirjen territoriale të varianteve përkatëse të i-së.

Duke marrë shkas nga ky konstatim na duket se ka arsye të mjaftueshme të mendojmë se y-ja ka përfunduar në  diftongje nëpërmes të i-së. Kjo provohet edhe nga fakti se një pjesë e mirë e fjalëve që dalin me diftongje në perëndim, veri e lindje të rajonit dialektor qendror edhe sot e gjithë ditën në pika të veçanta vazhdojnë të ruajnë i-në: ftira, krip (G. Kalis), u pëlcie, do t’pitish (Z. Dardhe), rrip, me pit, kriet (Blinisht). Ne këto rrethana mendojmë se ka arsye të pranohet që evolucioni y > i      duhet të ishte kryer në kohën kur kishte marrë udhë diftongimi i i-së primare, përndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që këtij fenomeni ju nënshtruan edhe i-të që vinin nga delabializimi i y-së. Mirëpo më sipër, duke u mbështetur në të dhënat e toponimisë historike dhe të formula e pagëzimit, kemi provuar se diftongimi i-se primare në të folmet e “rajonit dialektor qendror” ka qenë i përhapur në mesin e shekullit XV. Kështu që duhet pranuar se kalimi i y se në i në këto të folme ka ndodhe para shekullit XV.

  1. Për vjetërsinë e kalimit të tj, dj q, gj na shtyn të mendojmë fakti që edhe në dialektet (arbëreshe – BB) të Molises dj-ja zëvendësohet nga g-ja në djali, fjalë që në Ururi dhe gjetkë përdoret me formën gjaleti. Po kështu thonë gjathë – djathë (në vend të djathë).

Shfaqja tek arbëreshët e Molises e këtij fenomeni si edhe e disa fenomeneve të tjera gege (monoftongu u për uo ose diftongu ue për uo si edhe monoftongu i për ie) nuk mund të shpjegohen me origjinën toske të këtyre të folmeve; këto elemente gege në këto të folme ndoshta shpjegohen me prejardhjen gege të një pjesë të popullsisë arbëreshe të Molises. Vetë Lamberci në hyrje të punimit të tij shkruante: lokaliteti i Ururit u dëmtua veçanërisht rëndë prej tërmeteve deri sa tërmeti i madh i vitit 1456 (5 dhjetor) e rrënoi krejt. Dy vjet ma vonë vjen Skënderbeu në Itali; ata shqiptarë që nuk u kthyen më në atdhe bashkë me të u pritën me gëzim në këto vise të shkretuara.

Pra, ndoshta fenomenet gege që përmendëm, si edhe palatalizimi i grupit të bashkëtingëlloreve dj gj në Molise mund të shpjegohen me përzierjen e popullsisë toske me elemente gege të ardhura nga krahinat e Gegërisë së Mesme në kohën e Skënderbeut.

          Për vjetërsinë e dy dukurive tjera të të folmeve të ”rajonit dialektor qendror” nuk kemi të dhëna, po duke u nisur nga shtrirja e tyre pak a shumë e njëjtë me atë të tri dukurive të para, të vlerësuara si të periudhës para shekullit XV, mund të thuhet se edhe këto duhet të jenë zhvilluar pak a shumë në të njëjtën kohë.

Zakonisht shkaku i shfaqjeve të karakteristikave gjuhësore të për­bashkëta në një territor të caktuar është ekzistenca në atë territor për një kohë pak a shumë të gjatë e lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore midis popullsisë. Për këtë arsye jemi ndalur në vështrimin e lidhjeve administrative e politike në këtë territor në shekullin e XV.

Në këtë kohë në territori e “rajonit dialektor qendror” shtrihej principata e Kastriotëve.

Fillimisht kemi konstatuar që kufijtë e përhapjes territoriale të zbërthimit të i-së dhe y-së së theksuar si edhe të palatalizimit të grupeve të bashkëtingëlloreve tj, dj përkatësisht në q, gj, po edhe të  palatalizimit të g-së në gj gati përputheshin me kufijtë e principatës së Kastriotëve. Kufiri i principatës së Kastriotëve në bregdet shtrihej prej afërsive të Lezhës dhe deri te Kepi i Rodonit, prej Kepit të Rodonit, kufiri kalonte në lindje, duke përfshirë kështjellën e Petrelës e duke lënë jashtë Çermenikën, dilte në Sfetigrad në lindje të Dibrës së Sipërme, kalonte në afërsitë e Gostivarit e vazhdonte deri në periferi të Prizrenit. Mendohet se Mirdita ishte pronë e Kastriotëve dhe jo e Dukagjinasve të cilët në shekujt e XIV-XV sundonin kra­hinën në mes lumenjve Drin dhe Fan përfshirë Lezhën.

Pikërisht në krahinat poshtë Fanit, ku sundonin Kastriotët, zbërthimi i i-së dhe y-së së theksuar, si edhe palatalizimi i grupeve të bashkëtingëlloreve tj, dj përkatësisht në q, gj, po edhe palatalizimi i  g-së në gj janë të dendura, kurse në krahinat midis Fanit e Drinit, ku nuk shtrihej principata e Kastriotëve ata ose nuk hasen fare, si në Zadrimë, Lezhë, Pukë. Pra, ka të ngjarë që formimi i principatës së Kastriotëve në territorin e Gegërisë së Mesme të ketë ndihmuar në përhapjen e këtyre fenomeneve në të gjithë territorin e bashkuar ekonomikisht e politikisht.

Kastriotët, sipas të dhënave të Gjon Muzakës, në fillim kishin në zotërim të vet vetëm dy katunde Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm që ndodheshin në luginën e Dibrës (në pjesën veriore). Gjon Kastrioti në fund të shekullit të XIV duke përfituar nga dobësimi dhe çthuarja e principatave shqiptare e shtriu sundimin e vet në krahinën e Dibrës, pastaj në atë të Matit dhe në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XV doli në viset bregdetare.

Pranohet se kufiri i principatës së Kastriotëve shtrihej në lindje deri në afërsitë e Gostivarit; sipas Nolit edhe krahina e Tetovës hynte nën ndikimin e Kastriotëve, prandaj ka arsye të pranohet se diftongimi edhe në krahinat lindore të Gegërisë së Mesme deri afër Shkupit është përhapur nga territori dibran.

Pikëpamja jonë për rolin e principatës së Kastriotëve në formimin e të folmeve të “rajonit dialektor qendror” është kundërshtuar nga A. V. Desnickaja me argumentin që është vështirë të pranojmë që inovacionet fonetike të Gegërisë së Mesme ose të “rajonit dialektor qendror”, përfshirë edhe diftongimin e i-së së theksuar, të kenë lindur para shekujve XVI-XVII.

Mirëpo E. Çabej më 1967, ka pranuar se  hapja e i-së së theksuar në e, një dukuri me të cilën lidhet m’ anë tjetër diftongimi i kësaj i-je në ei, ai, paralel me atë të u-së së theksuar në ou në gegëri­shten e mesme e lindore (mirë: mejr, majr, e shtunë: e shtoyn), në krahinën e Matit u arrit vonë-vonë, jo më vonë se në gjysmë të shekullit të 15, meqë në Formulën e pagëzimit të vitit 1462 shprehja të shpirtit shenjt paraqitet me trajtën të shpertit shenjt.

Reportazhi i kanalit gjerman ZDF: Shqipëria para një apokalipsi

 

Shqipëria

Kanali i njohur gjerman ZDF i ka kushtuar një reportazh të gjatë problemit të ndotjes së ambientit dhe plehrave që kanë pushtuar vendin tonë.

 

Reportazhi është publikuar edhe në faqen zyrtare dhe faqen e FB të këtij rrjeti, shoqëruar me shënimin:

 

Shqipëria ka një problem të madh: plehrat- aty ku askush nuk duhet të jetë.

Ajo që duhet si një film apokaliptik, kërcënon njeriun dhe natyrën.

‘Shqipëria e maleve të thepisur dhe plazheve magjepsëse, me një ëndërr turistike që është në ndërtim e sipër njëlloj si në Mal të Zi dhe Greqi, ka një problem të madh.

Ajo që duket si një film apokalipsi po kërcënon njeriun dhe natyrën sepse nuk ka një sistem të grumbullimit të mbeturinave në të gjithë vendin që sjell: Mbushjen e Shqipërisë me plehra’, –thuhet në pamjet e prezantuara nga ZDF.

 

 

 

 

20 MAJI – DITA E JETIMAVE – Nga Fritz RADOVANI

 

“LULE” PER MA SHUMË JETIMA…

 

17 JANAR 1468 ASHT DITA QË SHQIPNIA EROPJANE E TË MADHIT HERO GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT, MBETI JETIME PA BABË…

E ndoshta, kjo asht arsyeja që edhe pse kanë kalue 550 vjetë askush nuk u kujdes per Te!

Jetime e shkreta e Nanës… Çka hoq me kenë… Po, kurr me u rritë as në Trojet e veta!

E çdo ditë nade pa dalë drita, e kurrkund tue shkrepë rrezja e diellit, ndiheshin nga të gjitha anët ulurimat e ujqve grabitës që na rrethonin e sejcili, veç shkyente një dash, e nuk i shihej boja deri në perëndim të diellit, kur edhe Shqipet braktisnin çerdhet e veta.

Vetem ndonjë rubë e zezë që derdhej mbi xhubleten shekullore kalonte nder zallishtat e bardha si biluri e ngarkueme me buljera të ujit të akullt t’ atyne burimeve prrallore.

Aty këtu një tjeter stajanicë me drue të ngarkueme vraponte me gatue kakinin e nxehtë.

Burrneshat vraponin nder male me ua çue burrave buken e freskët e pak duhan sa me mbytë merzinë e atyne ditëve të pashpresë… U thyen edhe Kryqat nder shenja pushimi!

Andej bregut të prronit ku vlonte kanga e vallja nder ditë të Pagzimit një djali, apo kur njena batare nuk priste tjetren tue u shkrepë nder darsma e gëzime martesash, bash nder ata shtigje nuk të sheh syni tjeter veç ndonjë Frat të ngulun në hu, me zhgun të shkyem prej sorrash e orrlash që bijnë si zgjeta pingul me ua nxjerrë sytë. E gjaku shkon rrëkajë!

O Vllazen e Motra, kurr nuk të ban keq komshija kur në voter të ka hy tradhtija!

U vra Dedë Gjo’ Luli me djelm’ e far’ e fis… U vra Luigj Gurakuqi e mbas Tij bash Miku i votres Bajram Curri në pabesi…E pse?! – Pse Flamuri i Kastriotit gati ishte mykë…

Asht e vështirë me jetima me ba konak! Njeni thumbit e tjetri patkonit… Askush nuk i priste prej një matjanit, madje edhe i pashkollë, bjellogardistët m’ atë anë Taraboshit!

E nder Malet e Bjeshkve të Nêmuna, fëmijtë jetima të bamë turrë per me i vra…

Jetimat thonë nuk kanë fat! E këte thanje mjer kush e provon… I troket sa një derës e sa një tjetres por, sa komshija i sheh ftyren e paqeshun kurr në jeten e saj, e percjellë deri tek portaria e me gjysë goje i thotë: “Do të mendoj edhe dishka per Ty, po sot nuk kam!” E dera shkapetet aqsa zagart e shtëpisë vazhdojnë me leh derisa të erret nata.

Mjer kush e provon kenjen jetim në vorfni e me anmiq kojshi!

Ndoshta ndokush nuk e di, ose edhe e ka harrue atë kohë kur Nana zgjohej pa dalë drita e vraponte me i marrë jetimave një shishe qumësht, e me i nisë nder shkolla. Atje ata jetima do të mësonin se “ti mbete jetim pse Baba ishte tradhtarë, Ai ju iku turqve”!!

Ju iku Shqiptarëve!.. Nuk vonoi e ju iku edhe jugosllavëve, grekëve, italianëve, rusëve e besa edhe kinezëve… E shkreta Shqipni tue trokitë nder dyer pa shula, të hapuna ditë e natë per një kafshatë bukë të thatë, si thonin pleqtë: “Tue hanger bar e tue ecë mbi ar”!

Rrnonin dhe jetonin në vorfni se “një fjalë goje, e shndrronte në skllav.” Jetimat mbetnin edhe pa familje, pa fëmijë, e disa edhe pa varre! E “lufta e kllasave” vazhdonte me korrë pa pyet fare ke këputë kosa e gjaksorit katil… Po, mos u ngutni thotë njeni “se nuk keni pa asgjë ende…”, e zgerdhihet tue pritë “rilindjen” perballë kopshtit luleve… Lule ku qeveritarët tanë knaqin synin, mendjen, fantazinë e qeverisjes dhe mbi të gjitha Xhepin, ata xhepa deri dje të shpumë e të shkymë… Po sot nder ma të mbushunit n’ Europë, në saje të “vllezerve të gjakut turq”, miqve të baballarëve jugosllavë, “dashamirsëve” grek dhe draperxhinjëve marksistë moskovit, që vazhdojnë rritjen e numrit jetimëve në Botë.

Gjakmarrjes nder Malet tona po ia zen vendin “kopshti i luleve të jetimave”!

Marrakotja e aromës së atyne “luleve” vrastare po shkatrron një Shqipni të tanë…

E ndoshta dikush pyet: “Po si do të shuhet Emni i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut”?!

Ashtu si dikur… Kur mbi Shqipen Dykrenare jetime ishte një “yll pa dritë”.

Trashigimtarët e pushtuesve shekullor ia kishin marrë doren vrasjeve të djelmëve e vajzave jetime që i zente mesnata tue qendisë nen driten e qirit, mbi pelhuren e kuqe të tezgjahut Shqipen e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

I dermisheshin duert tue ngulë gjylpanën ma shpesh në mish të vet, se në coh të kuqe!

Po gjaku i Atyne duerve të njoma t’ Atyne jetimeve nuk e njolloste Flamurin e Shqipnisë, se bash kur therja i shponte zemren, buzqeshte e vazhdonte kangen e mësueme qyshë fëmijë prej Nanës, Asaj Nanës së perjetshme.., që i pat këndue i madhi At Gjergj Fishta:

                                    Porsi fleta e Ejllit Zotit

                                    Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

                                    E thrret t’ bijt e Kastriotit…

E thrret t’ bijt e Kastriotit… Me u mbledh tok … Per me ju urue Diten Tuej…

Të dashtun dhe të shtrenjtë jetima!

            Melbourne, 18 Maji 2018.

Comoedia (1928): “Ahmet Zogu ka bërë për Shqipërinë atë që asnjë kryetar shteti nuk ka bërë deri tani për vendin e tij”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Maj 2018

 

“Comoedia” ka botuar, të enjten e 6 shtatorit 1928, në faqen n°3, shkrimin e shkrimtarit, romancierit dhe gazetarit, Pierre Chanlaine, në lidhje me arritjet (sukseset) e Ahmet Zogut gjatë udhëheqjes së tij .

 

Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë për publikun shqiptar, tekstin ekskluziv të gazetës franceze :

 

E kaluara e një mbreti.

Pse shqiptarët e duan Zogun I ?

 

Z. Ahmet Zogu, President i Republikës së Shqipërisë, që prej 31 janarit 1925, sapo u shpall Mbret i Shqipërisë. Nëse disa kurora rrëzohen, të tjera shfaqen. Kompensim i merituar.

 

Kur luftova në Shqipëri, ishte vendi më i prapambetur që ekzistonte. Një vend i bukur, ku përrenjtë kapërcejnë me gëzim pranë maleve gjigante, një vend gjithashtu simpatik. Shqiptarët e kanë mbrojtur gjithmonë gjuhën e tyre ndaj shtypjes greke apo turke. Shqiptari është besnik ; Ai e ruan nderin. Nga tradita, ai është një ushtar i mrekullueshëm. Etërit e tij luftuan në Fornovo (Fornoue) në ushtritë e Henry III, Maximilien-it dhe François I.

 

Ai është i matur. Është trim. Si mund të mos e duam atë ?

 

Po, por para Ahmet Zogut, duhet të thuhet se vendi nuk ishte shumë i sigurtë. Ky organizëm i vogël ishte i infektuar me mikrobe – komitadjis – që e hanin atë. Nuk kishte pushtet qendror. Dhe nëse rastësisht fuqitë e mëdha do të kishin vendosur një, askush nuk do t’u bindej atyre.

 

Anarkia mbizotëronte dhe lindi pyetja, pavarësisht simpatisë që shqiptarët kishin ngjallur, pavarësisht protestave të tyre të rrepta dhe legjitime, nëse do të ishim të detyruar që t’i ndajmë ata mes grekëve dhe jugosllavëve.

 

Ahmet Zogu u shfaq. Dhe vendi u transformua.

 

Fillimisht, ai krijon një Kushtetutë.

 

Dy dhoma. Dhoma e Deputetëve, e zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë nga populli ; Ajo e Senatit, në të cilën një e katërta caktohet nga Presidenti, pjesa tjetër zgjidhet si deputetët.

 

Presidenti i Republikës është në të njëjtën kohë President i Këshillit, si në Shtetet e Bashkuara. Ai formon Kabinetin dhe është përgjegjës për Dhomën e Deputetëve. I investuar në detyrat e tij dhe i shqetësuar nga përgjegjësitë e tij, Ahmet Zogu punon. Ai ndërtoi rrugë : atë të Durrësit për në Tiranë ; atë të Elbasanit për në Korçë ; atë të Tiranës për në Shkodër, e cila ndahet nga një urë madhështore mbi lumin Mat.

 

Kompania Franceze e “Fives-Lille” ka ndërtuar dy nga këto vepra arti, midis Durrësit dhe Tiranës, për të cilat mund të jetë krenare.

 

Këtyre rrugëve u shtohet ajo e Beratit për në Tiranë, e ndërtuar kohët e fundit, dhe ajo e Santi – Quaranta për Selanik, të cilën e kishim riparuar gjatë luftës dhe që ai e riparoi sërish.

 

Ahmet Zogu urdhëron që të qarkullojnë rrugëve shërbime të rregullta auto-transporti. Por, pavarësisht gjithçkaje, meqë komunikimet janë të ngadalta, ai krijoi tri linja avionësh : Tiranë, Vlorë, Korçë ; Tiranë – Shkodër, Brindisi, Vlorë.

 

Menjëherë, vendi u bë i sigurtë. Ahmet Zogu do t’i sigurojë atij mjete që do të mundësojnë shkëmbime. Ai po ndërton portin e Durrësit. Një kompani shqiptare është themeluar për të prodhuar energjinë hidroelektrike të nevojshme për veprimtarinë e qytetit. Një hekurudhë – e para në këtë vend – është ndërtuar mes Tiranës dhe Durrësit ; tani ajo shtrihet deri në portin e Vlorës.

 

Dhe pastaj, presidenti, metodikisht, por me energji, shfrytëzon – së fundi – pasurinë e tokës : bakrin e rajonit të Pukës, shfrytëzimin e naftës së Elbasanit dhe të Vlorës prej katër kompanive – një franceze, një italiane, një angleze dhe një amerikane ; peshkarexhat e gjirit të Vlorës, që një kompani franceze i ka dhënë me qera, perlat e liqenit të Ohrit, kuajt e vegjël të fushës së Mukrës (Mursisë), të cilët njihen për rezistencën e tyre dhe shitja e të cilëve në vendet fqinje është një burim fitimesh i rëndësishëm për Shqipërinë.

 

Industritë e vjetra – fabrikat e sapunit, rafineritë e naftës (vajit), fabrikat e duhanit dhe të alkoolit – mbrohen ; kultivimi i drithërave dhe hardhive, zhvillohet. Dhe kur një vend i organizuar tërheq vëmendjen e të tjerëve, dhe meqë duhet frymëzuar frika së bashku me admirimin, Ahmet Zogu krijoi një ushtri dhe një xhandarmëri. Oficerë italianë dhe anglezë janë përgjegjës për organizimin e njërës dhe tjetrës. Forcat e armatosura përbëjnë totalisht rreth njëzet mijë burra.

 

Ahmet Zogu ka bërë për Shqipërinë, atë që asnjë kryetar shteti nuk ka bërë për vendin e tij. U tha se ai kishte bërë vetëm një koloni italiane…Një interpretim i gabuar! A do t’a lejonte patriotizmi shqiptar një gjë të tillë ? Në të vërtetë, shqiptari, si të gjitha vendet në zhvillim, shfrytëzon pasurinë e tij nëpërmjet kompanive të huaja. Por konçesionet jepen në bazë të gjykimit (analizës) dhe vetëm në rast të ofertave të barabarta fitojnë kompanitë italiane.

 

Pierre Chanlaine

Historia e panjohur – Atentati i dështuar me bombë ndaj Ramiz Alisë në mitingun e Hasit më 1983 dhe pushkatimet e të dyshuarve (FOTOT)

Ngjarja e panjohur e qershorit të vitit 1983 në mitingun që bëri Ramiz Alia në zonën e Hasit, ku Sigurimi i Shtetit arrestoi disa banorë të asaj zone duke i akuzuar si “grup terrorist” e “agjentë të UDB-së” dhe torturat çnjerzore ndaj tyre të inicuara nga Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, që ata të pranonin se “kreu i grupit” ishte Halil Sinani, antari i Gjykatës së Lartë.

 

Nga Dritan Xhemalaj, TemA

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur fillimisht nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, (Doktore e Shkencave Historike), sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e njëmbëdhjetë, me titull “Bomba e gënjeshtërt e djemëve të Hasit”,(Kushtuar të ashtuquajturit “Grupi i terrorist”, që u akuzuan se donin t’i bënin atentat Ramiz Alisë në qershorin e vitit 1983, kur ai bëri një vizitë në rrethin e Kukësit.

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të, kryesisht ngjarje që kanë të

bëjnë me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës nga viti 1944 e deri në vitin 1991.

Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, Kaloçi dhe Stafa, si dhe stafi i tyre realizues, në këtë dokumentar kanë tentuar të rindërtojnë ngjarjen e vitit 1983, kur Ramiz Alia, i sapozgjedhur në funksionin e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë (duke zëvëndësuar në atë post Haxhi Lleshin), bëri një tur vizitash në disa nga rrethet Veri-Lindore të Shqipërisë, si Mat, Bulqizë, Peshkopi, Kukës, Has dhe Tropojë.

Ky tur vizitash i Ramiz Alisë në atë kohë, për ata që ndiqnin me kujdes dhe vëmëndje politikën e Tiranës zyrtare dhe personalisht Enver Hoxhës, konsiderohej si një promovim apo popullarizim që po i bëhej Alisë nga diktatori komunist i Shqipërisë, i cili e kishte zgjedhur tashmë atë si pasardhës të tij. Kjo gjë lidhej edhe me faktin se Enver Hoxha pak muaj më parë kishte arrestuar Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun, Llambi Ziçishtin, Mihallaq Ziçishtin, Nesti Nasen etj, duke i akuzuar ata si agjentë të shërbimeve të huaja, (kryesisht UDB-së jugosllave) dhe pjestarë të grupit të Mehmet Shehut. Pra, këto ngjarje të ndodhura në udhëheqjen e lartë të regjimit komunist të Tiranës, shikoheshin si një “pastrim rruge” që kishte bërë Enver Hoxha për t’ia lënë “të pastër Partinë” dhe “rrugën e hapur” drejt pushtetit, zëvëndësit të tij, Alisë.

Në këtë atmosferë, Ramiz Alia po ndërrmerte turin e tij të vizitave në rrethet Veri-Lindore dhe në mitingun e organizuar në zonën e Hasit, vetëm pak minuta pasi kishte filluar fjalën e tij Ramiz Alia, Sigurimi i Shtetit arrestoi një 40 vjeçar, i quajtur Uk Dauti nga fshati Golaj, të cilit thuhet se iu gjet një bombë të fshehur në xhepin e pantallonave. Kjo ngjarje e ndodhur në atë miting, thuhet se shkaktoi një farë paniku gjë e cila bëri që Ramiz Alia ta shkurtonte fjalimin e tij dhe gjatë asaj kohe ende pa përfunduar mitingu, Sigurimi i Shtetit dhe forcat e policisë arrestuan rreth 40 persona pjesmarrës në atë miting, kryesisht nga fisi Dauti, Sefolli dhe Mazrreku.

Të cilët u dërguan menjeherë në Degën e Punëve të Brendëshme të Kukësit, ku pas marrjes në pyetje, pjesa më e madhe u liruan dhe u mbajtën rreth 7-8 persona të arrestuar. Hetuesia e tyre aty në Degën e Punëve të Brendëshme të Kukësit zgjati disa muaj dhe më pas, nisur dhe nga akuza që u bëhej atyre për “grup terrorist që të lidhur me UDB-në jugosllave kishin tentuar t’i bënin atentat Ramiz Alisë”, ata u sollën në Hetuesinë e Tiranës, ku iu nënshtruan përsëri torturave çnjerzore, në mënyrë që të pranonin se; ata ishin vënë në shërbim të UDB-së jugosllave, duke pasur si ndërlidhës, Abyl Alinë që jetonte në Kosovë dhe vinte herë pas here ilegalisht në fshatin Golaj etj, duke iu dhënë detyrat pjestarëve të grupit. Gjyqi ndaj tyre u zhvillua me dyer të mbyllura në ambientet e Gjykatës së Lartë në Tiranë në dhjetorin e vitit 1984, (gjyqi u filmua i gjithi dhe ndiqej nga udhëheqja e lartë) dhe si përfundim, Uk Dauti dhe xhaxhaj i tij, Man Dauti u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët; Muç Dauti, Uk Mazrreku, Xhem Sefolli etj, u dënuan me nga 25 vjet heqje lirie.

E gjitha kjo ngjarje vjen në këtë dokumentar e rrëfyer para kamerave nga disa prej protagonistëve dhe aktorëve kryesorë të saj të arrestuar për “atentatin” ndaj Ramiz Alisë, apo dhe familjarëve të tyre, si: Hazir Dauti, Shyqëri Dauti, Xhemal Dauti, Bajram Dauti, Hysni Sefolli, Fatime Dauti, Jakup Sefolli, Tahir Mazreku, etj. Po kështu me dëshmi mjaft interesante para kamerave vijnë në këtë dokumentar edhe Preng Vorfi, ish-Sekretar i parë i Bashkimit të Rinsë së Punës së Shqipërisë së rrethit të Kukësit e një ndër organizatorët e mitingut, pasi e kishte detyrë funksionale si instruktor i Komitetit të Partisë së rrethit të Kukësit.

Një nga dëshmitë më me mjaft interes në këtë dokumentar televiziv, është dhe ajo e juristit të njohur Halil Sinani, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë në vitet ’80-të për dy mandate, i cili dëshmon përpjekjet e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit në atë kohë, Zylyftar Ramizit, që insistonte te Aranit Çela, Kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe, që t’ja hiqte imunitetin Halil Sinanit, pasi sipas tij, Halili ishte “kreu i grupit terrorist i lidhur me UDB-në jugosllave”. Dhe krahas kësaj, në qelitë e burgut të Tiranës (repartit 313) ku zhvillohej hetuesia ndaj “grupit të Hasit”, përdoreshin tortura çnjerzore ndaj Xhem Sefollit, në mënyrë që ai të pranonte se Halil Sinani ishte kreu i grupit të tyre.

E gjitha kjo bëhej pasi Halil ishte me origjine nga fshatrat e thella të Kukësit, (afër kufirit me Kosovën), binte krushqi me Xhem Sefollin dhe gjatë kohës që ishte Kryetar i Gjykatës së Tropojës dhe Peshkopisë, dilte ndonjëherë për gjueti në fshtarat e thella dhe nisur nga këto, akuza ndaj tij si “kryetar i grupit terrorist i lidhur me UDB-në” do të bëhej më e besueshme në popull. Në këtë kontekst, Sigurimi i Shtetit në atë kohë arrestoi edhe një “grup tjetër terrorist” në rrethin e Tropojës, të cilët gjithashtu i akuzoi se kishin dashur që t’i bënin atentat Ramiz Alisë gjatë vizitës së tij në rrethin e Tropojës. Dhe si rezultat, dy “krerët e këtij grupi terrorist”, Isuf dhe Skënder Aluca, i dënoi me vdekje, me pushkatim, por që më pas vetë Ramiz Alia ua fali jetën dhe ua la me 25 vjet burg, pasi Skënderi ishte adoleshent dhe Isufi pak më i madh se ai.

Po kështu me mjaft interes në dokumentarin në fjalë vjen dhe dëshmia e Petrit Palushit, shkrimtar, studjues dhe autor i shumë librave për krimet e komunizmit në rrethin e Kukësit, i cili dëshmon rreth ngjarjes së Hasit dhe pse u inskenua ajo nga Sigurimi i Shtetit.

Të gjitha këto dhe të tjera fakte të panjohura nga ngjarja me “Grupin terrorist të Hasit”, kanë tentuar t’i zbardhin dhe të hedhin dritë mbi to, dy bashkëautorët realizues të dokumentarit, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa (Doktore e Shkencave Historike) të cilët për vite me rradhë në fokus të punës së tyre, me shkrime, libra, studime, emisione dhe dokumentarë televiziv, kanë pasur kryesisht ngjarjet e periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Edhe dokumentari në fjalë, “Bomba e gënjështërt e djemve të Hasit”, vjen si nëpërmjet dëshmive të personave të sipërcituar, (kryesisht nga fisi Dauti, Sefolli dhe Mazreku), ashtu dhe nëpërmjet filmimeve të rralla autentike të saj ngjarje të marra nga Arkivi Qëndror i Filmit në Tiranë dhe dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme në Tiranë.

Ky dokumentar që realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm Radio Televizionit Publik Shqiptar, z. Thoma Gëllçi, dhe është prodhim ekskluziv i këtij televizioni, vjen premierë të enjten, dt.17 Maj, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 19 Maj, në ora 13 e 15 në Radio Televizionin Publik Shqiptar.

Kontesha Amili Befort, dallëndyshja e parë e udhëtareve femra në Shqipëri – Nga Zylyftar Hoxha

Ndjeshmëri fisnikësh anglezë për vendin më të vjetër dhe më të çuditshëm në gadishullin e Ballkanit

 

Udhëtimet e njohura të Lord Bajronit dhe  Cam Hobhouse në Shqipëri në fillimet e shekullit të 19-të, u pasuan më pas me udhëtarë të tjerë, të cilët, jo si Bajroni, me vargje romantike të veprës së tij më të madhe, “Shtegtimet e Çajlld Haroldit”, por me shënime dhe ditarë japin përshtypjet e tyre të udhëtimit për këtë vend nga më të vjetrit dhe më “të çuditshmit”, siç e quajnë ata Shqipërinë. Më pak i vizituar ka qenë veriu i Shqipërisë, të cilin deri atëherë e kishin vizituar vetëm dy anglezë, njëri ishte i biri i Th. S. Hughes-it dhe tjetri Dunn Gardneri, por që nuk kishin botuar shënime udhëtimi. Të gjithë këta udhëtarë kanë qenë meshkuj. Femrat kanë filluar të vijnë në Shqipëri, diçka më vonë, aty nga gjysma e shekullit të 19-të. Dhe një ndër të parat nga këto ka qenë Kontesha angleze Amili Befort, e cila ka hedhur përshtypjet e saj në librin “Brigjet lindore të Adriatikut më 1863” (The Eastern Shores of the Adriatic in 1863), botuar në Londër në vitin 1864.

Libri u nis prej saj dhe u plotësua më pas edhe nga i shoqi, i cili shkroi tre kapitujt e fundit, pasi edhe ky kishte bërë po atë vit një udhëtim të tillë në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit. Këta tre kapituj i përkasin Shqipërisë së veriut, ku kontesha nuk kishte ardhur dot.

Janina

Në fillim të majit 1863 Amili mbërriti në Korfuz dhe më 1 qershor, një grup prej tre burrash e tri grash angleze, bashkë me një gjellëbërës dhe dy shërbëtorë u nis për Janinë, të cilin e quan kryeqytetin e Shqipërisë jugore. Në Sarandë nga kështjella e dikurshme veneciane kishin  mbetur vetëm disa gërmadha. Në Delvinë bujtën te shtëpia e mydirit, pastaj morën rrugën për Janinë, duke kujtuar vargjet e Bajronit dhe manastirin e Zicës, i cili as nuk mund të krahasohej me bukuritë e rrethinave të Delvinës e të Romanatit.

Janina iu shfaq nga larg si një qytet i bardhë prej mermeri. Aty vizituan kështjellën, varrin e trupit të Ali Pashës dhe rrëzë kodrës së Shën Gjergjit kujtuan Bohemundin, i cili aty më 1082 kishte thyer perandorin Aleks Komneni. Në pazar e tërhoqën qëndismat me ar më të mirat se kudo gjetkë, por qyteti ishte varfëruar aq sa fshatarët tashti shkonin deri në Vlorë për të blerë veshjet. Edhe punimet prej argjendi ishin të cilësisë së mirë, saqë të kujtojnë dyqanet që janë edhe sot në Janinë.

Në ishullin e Janinës gjetën 7 manastire, por pa asnjë murg. Hynë në manastirin e Pandelejmonit dhe u ngjitën te dhoma plot me vrima plumbash në dysheme, ku e vranë Ali Pashën dhe rrëmbyen Vasiliqinë, që ishte në dhomën ngjitur. Ajo ndenji dy vjet në Stamboll, e lejuan të shkonte në Patras dhe atje vdiq në mjerim më 1855.

“Shqiptarët janë një popull i veçantë, jo thjesht një fis, por një komb më vete, shkruan ajo. Me emrin e përgjithshëm shqiptarë ata ndahen: në veri gegët dhe në jug toskët. Shumica e tyre u bënë myslimanë në shek. XV”. Autorja citon fjalët e historianit Finlay (Finlej), se morali i tyre nuk ishte i tillë, saqë të ktheheshin në gjynahqarë më të mëdhenj duke u bërë myslimanë dhe janë më pak fanatikë se turqit po dhe me më pak paragjykime se grekët. Por Emilia i quan fshatarët dembelë e të paditur, ndërsa te qytetarët ka shquar edhe fytyra të çelura inteligjente.

Shkodra dhe Ulqini

Më 23 qershor grupi zbarkoi në Vlorë dhe të nesërmen prej andej ndali në Durrës sa për një shëtitje. Por qytetin e gjetën një qendër të mjerë, me shumë asqerë turq me pamje të tmerrshme. Të nesërmen arritën në Tivar. Ky ishte një qytet vetëm me 250 shtëpi, me rreth 4000 banorë shqiptarë, nga të cilët dy të tretat myslimanë. Këtu shtrihej vija e ndarjes ndërmjet Turqisë e Austrisë dhe grupi më tej vijoi drejt Dalmacisë. Kreu i katërt i kushtohet Malit të Zi.

Gjatë kthimit për t’u larguar nga Mali i Zi nënkontesha erdhi në Shkodër. E quan se emrin qyteti e ka marrë nga kodra e kështjellës, domethënë është “mbi(sh)kodër” dhe shton: “Nëse kjo prejardhje është e drejtë, atëherë është kureshtare dhe e vlefshme, sepse tregon që shqipja e sotme është në gjendje të interpretojë një emër, i cili daton herët që nga ditët e Republikës së Romës. ”Kjo i kujton një interpretim të historianit gjerman J. Falmerajer, sipas të cilit epiteti për Akilin këmbëshpejtë, në gjuhën e Epirit ishte “aspete”, domethënë “shpejt”.

Qyteti i Shkodrës kishte 4500 shtëpi, por të rrethuara me mure, saqë pothuaj nuk shihje një dritare. Vapa në verë ishte përvëluese, prandaj shumë shkodranë kanë nga një shtëpi fshati në Drisht. Banorët katolikë, rreth 12.000, nuk kishin asnjë kishë, ndërsa ortodoksët e kishin një kishë të vogël e një shkollë. Urën mbi Kir ajo e quan të jashtëzakonshme, “si një merimangë nga njëri breg te tjetri”, të ndërtuar më 1768.

Amili ka përmendur edhe Ulqinin, të banuar tërësisht nga myslimanë shqiptarë, me një flotë mbi 200 anijesh, ndërsa dikur këta detarë piratë ishin tmerri i Italisë dhe i Adriatikut.

Për gjuhën vëren: “Në Shkodër flitet shqipja. Ajo ndryshon prej gjuhës që flitet në jug të Shqipërisë. Në krahinat malore flitet shqipja prej katolikëve dhe serbishtja nga ortodoksët, ndërsa nga myslimanët shumë pak veta e flasin turqishten. Italishtja flitet mjaft nëpër qytete, por aspak nëpër fshatra.”

Qytetarët myslimanë mbanin fustanella ashtu si dhe shqiptarët e jugut. Krimbi i mëndafshit rritej vetëm në Shqipërinë e veriut, ndërsa vëren se në Shqipëri nuk rritej patatja. Nga vapa ajo nuk qe në gjendje gjatë atij qëndrimi të shkurtër në Shkodër të bënte ndonjë vizatim. Pas gjithsej dy javëve ajo u largua përfundimisht nga brigjet lindore të Adriatikut.

Suli

Nga Janina grupi u nis drejt maleve të Sulit, për të cilat ajo ka dhënë një pikturë romantike plot dritë. Shënon veçan majën e Tripës, nga e cila u hodhën suljotet për të mos u kapur robinja; maja tjetër quhej Mali i Vetëtimave dhe në qendër ishte Qafa, maja në të cilën Ali Pasha kishte ndërtuar një kështjellë të madhe.

Suljotët nënkontesha i quan një fis toskësh, “fara”, që u shndërruan në një kastë ushtarake, e cila merrej edhe me grabitje. Më 1792 ishin bërë një farë republike e vogël, që nxirrte 1500 luftëtarë. Autorja ngulmon se suljotët qenë thjesht shqiptarë e jo grekë dhe me ta bashkoheshin çamët ortodoksë. Ali Pasha i shkatërroi me dredhi, me përçarje dhe me sulme herë pas here, ngjarje të cilat ajo i ka dhënë përmbledhtazi sipas Martin-Likut dhe Finlejit. Në Pargë ajo ka parë veshjet më të bukura, me ngjyra të çelëta të gëzuara. Këtë pjesë e përfundon me  nëntë këshilla për ata që duan të shkojnë si turistë në viset shqiptare të jugut e ndër këto e shtata kërkon: “Më mirë të keni me vete një shërbëtor që flet shqipen”.  Më tej ka shënuar kafshët e gjahut që mund të gjuhen në Vlorë, Sarandë, Butrint etj., një listë kjo ndoshta nga të parat për faunën e Shqipërisë.

DEKLARATA E PRAGËS PËR NDËRGJEGJEN E EUROPËS DHE KOMUNIZMIN, E INICUAR DHE E NËNSHKRUAR NGA HAVEL DHE GAUCK, PRESIDENTI AKTUAL I GJERMANISË

 

Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin, e cila u nënshkrua më 3 qershor 2008. Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin, ishte një deklaratë e iniciuar nga ana e qeverisë çeke dhe të nënshkruar nga politikanë të shquar evropianë, ish të burgosur politikë dhe historianëve, në mesin e tyre Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti aktual i Gjermanisë,  i cili bëri thirrje që “Evropa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe dënimi ndaj tyre të edukohet.”Kjo Deklaratë po ashtu është e firmosur nga rreth 50 anëtarë të Parlamentit europian.

Konferenca për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin  u përshëndet me letra mbështetëse Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy , Zonja Margaret Thatcher, Sekretari i Shtetit i Kanadasë Jason Kenney  dhe ish-këshilltari i sigurisë kombëtare  të SHBA Zbigniew Brzezinsk.

Deklarata u parapri nga një sencë Dëgjimi Publik Evropian për Krimet e Kryera nga Regjimet Totalitare. Deklarata është pjesë e një procesi më të gjerë në nivel evropian dhe ndërkombëtar, me qëllim arritjen e objektivave të ngjashme me ato që thuhen në deklaratë.

Propozimi i dukshëm i përcaktuar nga deklarata ishte miratimi i Ditës Evropiane të Përkujtimit për Viktimat nga Stalinizmi dhe Nazizmi (i njohur si Dita Ndërkombëtare Shiritit të Zi në disa vende),  miratuar nga Bashkimi Evropian dhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Evropë, si dita zyrtare e kujtesës ndërkombëtare për viktimat e regjimeve totalitare. Më 14 tetor 2011, Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane është një projekt edukimi i BE-së për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me krimet e regjimeve totalitare dhe për të luftuar intolerancën, ekstremizmi dhe lëvizjet anti-demokratike lëvizjet, është themeluar nga qeveritë e Grupit të Vishegradit dhe një numër i institucioneve të qeverive të Evropës si dhe OJQ-ve, si një iniciativë e presidencës polake të BE-së me mbështetjen e projektit nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Europës.

DEKLARATA

Deklarata bën thirrje për :

1.   “duke arritur një mirëkuptim të gjithë-evropian se dy regjimet totalitariste ai nazist dhe ai komunist duhet të gjykohet seicili për krimet e tmerrshme, për politikat e tyre destruktive sistematike duke aplikuar format ekstreme të terrorit, duke shtypur të gjitha liritë qytetare dhe njerëzore, duke filluar luftëra agresive dhe , si pjesë e pandashme e ideologjive të tyre, ishte asgjësimi dhe deportimi i kombeve të tërë ose grupeve të popullatës; mjaftueshëm për t’u konsideruar si fatkeqësitë jryesore që e kanë qërruar shekullin e XX- “

2.   njohja që shumë krime të kryera në emër të Komunizmit duhet të vlerësohen si krime kundër njerëzimit që shërbejnë si një paralajmërim për brezat e ardhshëm, në të njëjtën mënyrë si krimet e Nazizmit që u dënuan  nga Tribunali Nurembergut”

3.   “formulimi i një qasje të përbashkët në lidhje me krimet e regjimeve totalitare, inter alia të regjimeve Komuniste, si dhe ngritjen e një vetëdije të Europës-gjerë ndaj krimeve komuniste në mënyrë që të përcaktojë qartë një qëndrim të përbashkët ndaj krimeve të regjimeve Komuniste”

4.   “futja e legjislacionit që do të mundësojë gjykatat e të drejtës për të gjykuar e dënuar ekzekutorët e  krimeve komuniste dhe për të kompensuar viktimat e komunizmit”

5.   sigurimin e parimit të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të të gjitha viktimave të gjithë regjimeve totalitare”

6.   “presion evropian dhe ndërkombëtare për dënimin efektiv të krimeve të të kaluarës komuniste dhe luftën efikase kundër krimeve komuniste në vazhdim”

7.   “njohja e komunizmit si një pjesë integrale dhe e llahtarëshmetë e historisë të përbashkët të Evropës”

8.   “pranimi i përgjegjësisë pan-Evropiane për krimet e kryera nga komunizmi”

9.   “caktimi i 23 gushtit, si dita e nënshkrimit të Paktit Hitler-Stalin, i njohur si Pakti Molotov-Ribentrop, si një ditë të përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare naziste dhe komuniste, në të njëjtën mënyrë Evropa kujton viktimat i Holokaustit në 27 janar “

10.               qendrime të përgjegjëshme të Parlamenteve Nacionale në lidhje me njohjen e krimeve komuniste si krime kundër njerëzimit, duke udhëhequr  në legjislacionin e duhur, si dhe në monitorimin parlamentar tëkëtij  legjislacioni”

11.               “debati efektiv publik rreth keqpërdorimit komercial dhe politik të simboleve komuniste”

12.               vazhdimi i seancave të dëgjimit në Komisionin Evropian në lidhje me viktimat e regjimeve totalitare, me qëllim hartimin e një Komunikate të Komisionit”

13.               “ngritja në shtetet evropiane, të cilat kanë qenë e sunduar nga regjimet totalitare komuniste, të komiteteve të përbëra nga ekspertë të pavarur me detyrën e mbledhjes dhe vlerësimit informacion mbi shkeljet e të drejtave të njeriut nën regjimin totalitar komunist në nivel kombëtar me synimin për të bashkëpunuar ngushtë me një komitet ekspertësh të Këshillit të Europës “

14.               “garantimi i  një kuadri të qartë ligjor ndërkombëtar në lidhje me një qasje të lirë dhe të pakufizuar nëj arkivat që përmbajnë informacione mbi krimet e komunizmit”

15.               “krijimi i një Instituti i Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane”

16.               organizimin e një konference ndërkombëtare mbi krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste me pjesëmarrje të përfaqësuesve të qeverive, parlamentarë, akademikë, ekspertë dhe OJQ-të, ku rezultatet të publikohen në mbarë botën”

17.               “hartimi dhe përpilimi i teksteve të historisë evropiane në mënyrë që fëmijët të mund të mësojnë dhe të jenë të paralajmëruar rreth komunizmit dhe krimeve të tij në të njëjtën mënyrë si ata kanë qenë të mësuar për të vlerësuar krimet naziste”

18.               “një debat të plotë  gjithëevropian rreth historisë komuniste dhe trashëgimisë të regjimit totalitarian”

19.               përkujtim i përbashkët vitin e ardhshëm i 20-vjetorit të të rënies së Murit të Berlinit, i masakrës në sheshin Tiananmen dhe vrasjet në Rumani”

Deklarata citon Rezolutën 1481 të Këshillit të Evropës, si dhe “rezolutat  mbi krimet komuniste të miratuara nga një numër i parlamenteve kombëtare”. [2] Deklarata u parapri nga Dëgjimi Publik Evropian për Krimet e Kryera nga Regjimet Totalitare./Përktheu: Elida Buçpapaj


Përktheu: Elida Buçpapaj