VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Jubileu i shpresave dhe zhgënjimeve

By | February 13, 2018

Komentet

Gjenerali Wesley Clark uron popullin e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë!

Ish-shefi i forcave të NATO-s gjenerali Wesley Clark, ka uruar qytetarët e Kosovës, me rastin e dhjetë vjetorit të Pavarësisë.

Ai ka publikuar një imazh nga koha e luftës në llogarinë e tij në Facebook.

“Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët po festojnë dhjetë vjetorin e pavarësisë”, ka shkruar ai sipër imazhit.

Fotoreportazh i The Guardian: Kosova shteti i 51 i SHBA!

4 Korriku, Dita e Pavarësisë të SHBA festohet edhe në Kosovë, si festë e përbashkët

 

Voal po i sjell lexuesave një fotoreportazh nga The Guardian me titullin Kosova shteti i 51 i SHBA!

“Kosova, shkruan The Guardian, vazhdon të ketë lidhje emocionale, politike dhe ekonomike me vendin që 20 vjet më parë bëri një ndërhyrje perëndimore në luftë me ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, duke çuar përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Disa sondazhe sugjerojnë se Kosova është vendi më amerikandashës në botë dhe më mbështetësi i qeverive Amerikane.

Klinton Bajgora, 13 veç, sipas presidentit Bill Clinton, i ulur midis prindërve të tji në shtëpi në Podujevë.

KFORI Amerikan i vendosur pranë Ferizajt prej 1999 shihen prej shqiptarëve të Kosovës si çlirues.

Fëmijëve shqiptarë sa lindin prindërit u mësojnë të duan Amerikën dhe t’i jenë mirënjohës

Kosova, shteti i 51 i SHBA sepse shumë kompani Amerikane kanë lidhje ekonomike dhe pune me Kosovën.

NJë përshëndetje lamtumire në një restaurant të Prishtinës për atë që do të niset me punë në SHBA.

4 Korriku, Dita e Pavarësisë të SHBA festohet edhe në Kosovë, si festë e përbashkët

 

 

Një dekadë shtet, ish-presidenti i SHBA letër Kosovës: Krenar që pranova kërkesën, tani…

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush ka uruar gjithë shqiptarët me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në një letër ai ka thënë disa fjalë me rastin e kësaj dite të rëndësishme për Republikën tonë.

Bush ka përmendur edhe momentin kur SHBA-të kanë njohur shtetësinë e Kosovës. 

“Laura dhe unë përgëzojmë popullin e Kosovës në këtë rast të rëndësishëm dhe dërgojmë urimet tona më të mira për një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë”, ka shkruar ndër të tjera, raporton Express.

Letra e plotë:

Përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve të Kosovës të cilët festojnë 10 vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë. Në vitin 2008, Presidenti Sejdiu ra dakord të merrte përgjegjësitë e përcaktuara nga Plani i Ahtisaarit për të nxitur lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Isha krenar që pranoja kërkesën e tij për Shtetet e Bashkuara të njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Dhjetë vjet më vonë, kjo ditë historike është një reflektim i angazhimit të vendit për të vazhduar ndjekjen e standardeve më të larta të dinjitetit njerëzor dhe për të çuar përpara çështjen e lirisë. Laura dhe unë përgëzojmë popullin e Kosovës në këtë rast të rëndësishëm dhe dërgojmë urimet tona më të mira për një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë. Zoti të bekoftë.

VIDEO – Ish-Presidenti Clinton uron 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovë: Gjithmonë do keni një vend të veçantë në zemrën time

Një urim i veçantë për Kosovën në 10 vjetorin e Pavarësisë ka ardhur nga ish-Presidenti amerikan Bill Clinton. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, ish-Presidenti Clinton uron shqiptarët e Kosovës për 10 vjetorin e Pavarësisë.

Që në nisje të fjalës ai thekson se Kosova gjithnjë do të ketë një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Kosova gjithmonë do ta ketë një vend të veçantë në zemrën time. Dhe jam shumë mirënjohës që si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, munda t’ju ndihmoj që të ndiqni një të ardhme të prosperitetit të lirisë dhe tolerancës.

Juve ju është dashur të merrni shumë hapa të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit për ta kuptuar atë të ardhme. Dhe kjo duhet t’jua japë një mundësi që të shikoni përpara dhe t’i kaloni sfidat që kanë mbetur thotë ai.

Unë vazhdoj të besoj se vendi i merituar i Kosovës është si një anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Komunitetit Ndërkombëtar. Është e rëndësishme për miqtë tuaj përreth botës që të vazhdoni të punoni, për t’i lënë konfliktet e së kaluarës prapa jush.

Ju bashkohem juve, në festën e 10 vjetorit të Pavarësisë. Gjithmonë do të jem i nderuar që pata shansin t’ju ndihmoj t’ia fillonit. Dhe shpresoj se do të jem gjallë edhe për një kohë t’ju shoh ta dërgoni topin në shtëpi, deri në fund. Paçi fat!” shprehet Clinton mes të tjerave.

Bill Clinton është presidenti amerikan që autorizoi ndërhyrjen ushtarake të forcave të NATO-s në Luftën e Kosovës, një ndërhyrje vendimtare për fatin e miliona shqiptarëve dhe të ardhmen e shtetit më të ri, Kosovës.

Gazeta britanike ngre alarmin: Kohët e fundit janë shtuar diskutimet për ndarjen e Kosovës

Kosova në 10 vjetorin e saj, dhe kjo festë ka shënuar një jehonë në mediat ndërkombëtare.

Gazeta The Guardian në një shkrim ka pasqyruar të gjithë situatën që ndodhet Kosova dhe sfidat e saj në këtë 10-vjetor.

 

Në artikull kanë folur Hashim Thaçi, Edi Rama, Bernard Kushner dhe figura tjera për sfidat dhe arritjet e Kosovës, por edhe diplomatët në kushte në anonimiteti. Sipas, The Guardian, përfaqësuesit diplomatikë kanë treguar se ndarja e Kosovës  është në tryezën e bisedimeve,  në një modalitet të rrezikshëm: Veriu i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB.

Gazeta prestigjioze britanike ka shkruar për ndarjen e Kosovës si një opsion që ndodhet në tryezën e bisedimeve.

Pjesë nga shkrimi i The Guardian

Zhurma e diplomatëve dhe politikanëve për një ndarje të mundshme të Kosovës me Serbinë që ruan pjesën veriore në këmbim për lejimin e Kosovës për t’u bashkuar me OKB është rritur në muajt e fundit.

Por shumë prej tyre kanë frikë se kjo mund të nxiste një reaksion zinxhir dhe konflikte të reja në Ballkan, me Bosnjen dhe Maqedoninë multietnike dhe serbët e Kosovës qendrore të konsideruar si veçanërisht të pambrojtur ndaj ngërçit territorial.

“Do të ketë një eksod të ri, shkatërrim të trashëgimisë dhe kaos”, thotë babai Sava Janjiç, Abbott i manastirit serb të Visoki Deçanit në shekullin e 14-të në kodrat me dëborë të Kosovës perëndimore. “Nuk mund të besoj se ka njerëz që ende propozojnë këtë.”

Albright uron Kosovën me fjalët më të mira: Krenohem që i ndihmova shtetit tuaj (video)

Videomesazh nga mikja e madhe e Kosovës, Madeleine K. Albright, ish-sekretare e Shtetit për qytetarët e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë

“Ndonëse na ndan oqeani, Kosovën dhe popullin e saj e kam gjithnjë në mendje. Sa herë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës.

Gjatë këtyre 10 viteve kam qenë krenare për hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt stabilitetit më të madh, përparimit dhe integrimit në bashkësinë Euro-Atlantike.

Por, për shkak të dashurisë sime të veçantë për Kosovën, kam dëshirë të flaktë t’ju shoh se po përparoni dhe po zhvilloheni në mënyrë të duhur. Përvoja më ka mësuar se zhvillimi politik dhe ai ekonomik janë të pandashëm.

Pra, mënyra më e mirë drejt zhvillimit është përtëritja e përkushtimit ndaj demokracisë, duke mbajtur në mend se sundimi i shumicës varet nga të drejtat e pakicës.

Përparimi dhe ndryshimi asnjëherë nuk janë të lehta dhe nuk ka mostër apo rrugë të përkryer drejt suksesit.

Mirëpo, duke e pasur parasysh vullnetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, besoj në të ardhmen dhe ju premtoj se do të bëj çmos për t’ju ndihmuar t’ia dilni mbanë. Gëzuar 10-vjetorin! Do të jemi pranë jush. Punoni me zell!” #Kosova10

Albin Kurti e quan mashtrim marrëveshjen Thaçi-Vujanoviç për Demarkacionin

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur mashtrim Marrëveshjen e arritur mes Presidentit Thaçi dhe Vujanoviqit për Demarkacionin.

Ai pas takimit me ambasadorët dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë, ka thënë se është i zhgënjyer për ndryshimin e qëndrimit të opozitës.

“Nuk bëhet fjalë për marrëveshje të re, bëhet fjalë për marrëveshje të vjetër e mashtrim të ri. Ky mashtrim i ri është mashtrim i ri i të njëjtit person, në mbledhje ata mbështeten qëndrimin e tyre, shpreha zhgënjimin me ish-bashkëpunëtorët e mi në opozitë”, ka thënë ai.

“Nuk e paskan pasur për territor por për karrige, janë të gatshëm të falin mijëra hektarë. Ratifikimi i demarkacionit nuk garanton liberalizimin e vizave, sepse kriter tjetër është luftimi i korrupsionit. Nuk di se kur do të jetë seanca, përmbajtja e kësaj deklarate është dashur të diskutohet me Kuvendin”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Letra prekëse e Biden në 10 vjetorin e pavarësisë: Rashë në dashuri me Kosovën

Kjo është letra e plotë e ish-zv.presidentit amerikan Joe BIDEN:

I nderuar z. President,

Me krenari dhe kënaqësi të jashtëzakonshme ju ofroj urimet më të thella për ju dhe popullin e Kosovës në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë suaj. Siç e dini, gjithmonë kam besuar në premtimin e popullit të Kosovës për të ndërtuar një shtet të rrënjosur në vlerat themelore të drejtësisë dhe barazisë.

Në një dekadë të shkurtër, ju me vendosmëri keni zhvilluar një betejë për pavarësi, jeni mirëpritur në bashkësinë e kombeve, keni ndërtuar një demokraci përfaqësuese, ku zgjedhjet e lira dhe të drejta janë shndërruar në normë dhe kodifikimi i të drejtave të njeriut është bërë ligj. Ju tani keni vendosur themelet e forta të një shtetit demokratik. Organizatat joqeveritare janë aktive, qytetarët lirshëm debatojnë për çështjet ditore dhe veprimet e tolerancës dhe pajtimit e pikëzojnë peizazhin.

Një nga udhëtimet e para që kam bërë si zëvendëspresident ishte ta vizitoja Kosovën më 2009. Vizita që i bëra vendit disa vjet më vonë ishte gjithashtu një nga vizitat e mia të fundit zyrtare si zëvendëspresident. Isha shumë i impresionuar për të parë nga afër progresin e shënuar në atë kohë të shkurtër falë guximit të patrembur dhe këmbënguljes së palëkundur të popullit të Kosovës. Ndërsa, atje ka ende shumë punë që duhet bërë, ju po lëvizni me shpejtësi për t’u bërë një demokraci plotësisht e integruar evropiane – një demokraci në paqe me fqinjët e saj në të cilën të gjithë qytetarët trajtohen me dinjitet.

Kosova dhe qytetarët e saj janë të vendosur thellë në zemrat e tërë familjes Biden. Kam rënë në dashuri me vendin tuaj në vizitën time të parë si një senator i ri i Shteteve të Bashkuara në mesin e viteve ‘70. E njëjta vlen edhe për djalin tim, Beau, i cili në pjesën më të mirë të një viti jetoi dhe punoi në Kosovë, më 2001, për të ndihmuar në avancimin e sundimit të së drejtës – një nga qëllimet më të rëndësishme të çdo shteti të ri të pavarur. Dhe çdo pjesëtar i ardhshëm i familjes Biden që do të bëjë pelegrinazh për të vizituar autostradën e emëruar në nder të Beau-t, jashtë kampit Bondsteel, sigurisht do të ndjehet aq thellësisht pjesë e suksesit tuaj të vazhdueshëm, ashtu siç ndjehem unë.

Beau erdhi në Kosovë si një këshilltar në Departamentin amerikan të drejtësisë për të ndihmuar institucionet të luftojnë korrupsionin dhe të krijojnë një shoqëri të barabartë për të gjithë qytetarët. Ai vazhdoi betejën për po këto qëllime në vendlindjen time, në shtetin amerikan Delaëare, ku ai shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm. Beau, ashtu si edhe patriotë të shumtë amerikanë, e dinte fare mirë se puna e demokracisë nuk kryhet kurrë. Edhe në Shtetet e Bashkuara ne duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë. Beau, ashtu si shumë amerikanë patriotë, e dinte mirë se puna e demokracisë nuk është bërë kurrë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë në Shtetet e Bashkuara.

Kosova është një shtet i ri, por jo shumë i ri për të ditur se për çfarë kanë nevojë dhe çka meritojnë qytetarët e saj. Kam besim se qytetarët e këtij vendi të madh do të vazhdojnë të ndërtojnë një Kosovë të qëndrueshme, të lirë, demokratike dhe të begatë – një Kosovë që manifeston shpresat dhe ëndrrat shumëvjeçare. Dhe unë besoj se me një Kosovë të tillë edhe vetë bota do të jetë më e mirë.

Sot, ndërsa po festoni sukseset tuaja të shumta, e dini se Shtetet e Bashkuara janë, kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë një mik i vërtetë i popullit të Kosovës. Ne i gëzohemi sukseseve tuaja dhe do të punojmë për t’ju ndihmuar që t’i tejkaloni sfidat me të cilat përballen të gjitha demokracitë. Dhe e di se edhe personalisht vazhdoj të qëndroj me popullin e Kosovën. Shpirti i juaj është i lirë, i palodhshëm dhe e ardhmja juaj është e ndritshme. Po pres me padurim se çfarë do të sjellin dhjetë vitet e ardhshme.

Gjithçka gati për festën e Pavarësisë së Kosovës, zbardhet axhenda

Përgatitjet për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës kanë filluar me aktivitete të ndryshme. Këshilli Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë, i cili funksionon nën patronatin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraparë që nga 8 deri më 17 shkurt, të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike nëpër komunat e Kosovë, përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën.

Adil Behramaj, nga Këshilli Organizativ, ka thënë se ditë më parë, sheshet në kryeqytet janë dekoruar, ndërkaq janë duke u zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme për të shënuar jubileun e pavarësisë.

Gjatë këtyre ditëve, ka thënë ai, ka pasur edhe aktivitete simbolike për shtetet mike që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Tashmë thotë Behramaj, përmes rrjeteve sociale, përkatësisht përmes një faqeje të krijuar në Facebook, të emëruar “Kosova10”, po falënderohen të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, manifestimi qendror do zhvillohet të shtunën më 17 shkurt.

“Më 17 shkurt do të ketë shumë aktivitete dhe ndër kryesorët është parakalimi i Forcës se Sigurisë se Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Planifikojmë, nëse kushtet klimatike janë të favorshme, të bëjmë edhe një paradë ajrore më parashutistët tanë”.

“Do të jetë një koncert i fëmijëve më 105 animatorë, 105 lojëra të ndryshme dhe mbi 600 fëmijë. Ndërsa në mbrëmje mund të konfirmoj se do të këndojë Rita Ora, këngëtarja me famë botërore, me prejardhje nga Kosova”, ka thënë Behramaj për Radion Evropa e Lirë.

Parada e pjesëtarëve të FSK-së për 5-vjetorin e pavarësisë

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar se për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës dhe disa qyteteve tjera, do të performojë edhe Ansambli i Forcave Ajrore të SHBA-së për Evropë.

“Kemi nderin që na është dhënë e mundësia për të interpretuar në këtë ngjarje të veçantë,” tha nënkoloneli Don Schofield, komandant i Ansamblit.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Ansambli do të vizitojë trupat e SHBA-së dhe të koalicionit në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Policia e Kosovës, ndërkaq njofton se ka bërë të gjitha përgatitjet për garantimin e sigurisë dhe qetësisë për ditën e pavarësisë.

Policia e Kosovës ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se ka një plan të veçantë operativ për ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë manifestimeve për pavarësinë e vendit.

Qëllimi i planifikimeve operative policore, është “mbajtja e rendit, qetësisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit”.

“Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike në vend. Ofrimi i sigurisë së shtuar, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme të organizuara nga institucionet shtetërore”, thuhet në përgjigjen e zyrës se informimit të Policisë së Kosovës.

Festa për 10-vjetorin e pavarësisë do të vazhdojë edhe të dielën, më 18 shkurt, siç thotë Behramaj, më mysafirë ndërkombëtarë.

“Prej datës 16 deri më 18 shkurt, është konferenca e sigurisë së lartë. Do t’iu ofrohet mundësia miqve tanë ndërkombëtarë, që të bëhen pjesë e festës sonë. Pritjen ndërkombëtare e kemi shtyrë për 18 shkurt”, tha Behramaj.

Për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë se Kosovës, Qeveria e Kosovës, ka ndarë 600 mijë euro mjete financiare.

Sidoqoftë, pas përfundimit të kremtimit të 10-vjetorit të pavarësisë, Kosova, pritet që t’i kthehet realitetit. Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës, ndërkaq vazhdon të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave. /Rel

David Schwendiman: Ja pse jap dorëheqje nga posti i kryeprokurorit të Tribunalit Special

Njoftimi i plotë i zyrës së Prokurorit Special:

Prokurori i Specializuar David Schwendiman dha një deklaratë sot, duke cekur arsyet për largimin e tij nga Haga në prill, largimi i cili vjen për shkak të skadimit të emërimit të tij për afatin e caktuar për tre vite si një Oficer i Lartë për Shërbim të Jashtëm në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Z. Schwendiman do të largohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 31 mars 2018 kur emërimi i tij do të marrë fund.

“Kjo duhet të ndodhë sepse administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim si pensionist i rimarrë në shërbim, diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga sa shumë mund të dëshiroj të qëndroj,” z. Schwendiman tha në deklaratën e bashkëngjitur.

Në këtë deklaratë, z. Schwendiman e bëri të qartë që nuk po e jep dorëheqje as nuk po shkarkohet dhe që largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politika ose zotim ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e SHBA-së ose nga ana e Bashkimit Evropian ose nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi.

“Përkundrazi, shpejtësia me të cilën Bashkimi Evropian ka reaguar për ta filluar kërkimin për Prokurorin e Specializuar të ri tregon fuqinë e përkrahjes së tij – po ashtu si përgjigja e gjithanshme vetëm disa javë më parë ndaj përpjekjes për ta shfuqizuar ligjin i cili kishte krijuar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar tregoi vendosmërinë ndërkombëtare dhe mbështetjen për ne,” tha ai.

Z. Schwendiman shpjegoi që “barra më e rëndë në ndonjë zyrë prokurori mbartet nga personeli në zyrë dhe jo nga përgjegjësi që e drejton” dhe shtoi që kjo nuk do të ndryshohet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Detyra ime si Prokurori i Specializuar është që t’i caktojë politikat, ta drejtoj punën dhe të sigurojë që ata që bëjnë punën kanë burimet dhe mbështetjen që u duhen që ta kryejnë punën,” tha z. Schwendiman, duke vënë në pah që ai e vendosi Zyrën e Prokurorit të Specializuar në një rrugë të qëndrueshme, ndihmoi në rekrutimin e një stafi të jashtëzakonshëm, siguroi që zyra ka marrë burimet e nevojshme, dhe punoi me bashkësinë ndërkombëtare që të merrte përkrahjen e duhur për kryerjen e punës.

Kwai Hong Ip, zëvendësi i z. Schwendiman, do të marrë përsipër detyrën si Prokuror i Specializuar i Përkohshëm që të sigurohet vazhdimësi.

Z. Schwendiman gjithashtu pati një mesazh shumë të qartë në lidhje me hetimet të cilat ai kryeson.

“Asnjëri nga ata përgjegjës për krimet e përfshira në mandatin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara nuk duhet të mendojë për asnjë moment që largimi im ka të bëjë fare me një mungesë zotimi ndaj hetimeve.

“Një parim kryesor i punës sonë gjithmonë ka qenë përgjegjësia individuale – duke mbajtur njerëz përgjegjës për veprat e veta, për çka kanë bërë si individë – puna jonë asnjëherë nuk ka qenë për ndryshimin e historisë ose për të veçuar grupe të caktuara për dënim.

“As kjo nuk do të ndryshohet kur një Prokuror i Specializuar i ri do të marrë përsipër detyrën,” tha ai.

Ai gjithashtu bëri të qartë që ata që janë prekur nga krimet të përfshira në mandatin “kanë çdo arsye të vazhdojnë të besojnë në punën që ne kemi bërë, po bëjmë tani apo do të bëjmë në të ardhmen.”

“Vendosmëria e atyre që po punojnë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk do të ndikohet vetëm nga se do të zëvendësohem,” tha ai, duke shtuar që “Kushdo që vjen pas meje do të jetë po aq e zotuar në kryerjen e punës drejt dhe mirë dhe aq shpejtë sa është e mundshme.”

Z. Schwendiman u emërua Prokuror i Specializuar më shtator 2016, pasi që kishte shërbyer si Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale që nga maj 2015.

Z. Schwendiman u pensionua nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë më 2014 pasi kishte shërbyer në pozita të ndryshme në departamentin, duke përfshirë Këshilltar të Lartë për Çështje Gjyqësore, Ndihmësprokurorin e Parë të Shteteve tё Bashkuara dhe Prokurorin e Përkohshëm për rajonin e Utahut. Pas pensionimit, ai menjëherë u kthye në shërbim në zyrën e Kryeinspektorit Special tё Shteteve tё Bashkuara për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR) si Drejtor i Operacioneve Pararojё të Kryeinspektorit Special në Kabul. Ai vinte në Task Forcën Hetimore Speciale menjëherë pas shërbimit të tij me SIGAR-in.

Në karrierën e tij që zgjatet më shumë se pesë dekada, ai kreu detyra në Bahrejn, Bangladesh, Brazil, Tajlandë dhe Vietnam, dhe kaloi shumë vite në Afganistan dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson miratoi ndalimin e hyrjes në SHBA të ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla

Departamenti i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla.

Vendimi, i bërë publik të mërkurën, thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.

Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Intervista – Ndriçim Xhepa: Artistët të mos largohen pa u rrafshuar godina (e plotë)

ALMA MILE/Ndërsa Teatri Kombëtar është përfshirë nga një valë tensioni, duket se aktori Ndriçim Xhepa ka qenë disi i veçuar nga takimet dhe mesazhet e forta publike. Por kjo, nuk do të thotë se nuk i interesojnë problemet që shqetësojnë kolegët e tij. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, aktori Ndriçim Xhepa jep mendimin e tij në lidhje me zhvendosjen e trupës së TK pranë qendrës së re kulturore “Turbina”, por edhe për atë çka duhet bërë me godinën ekzistuese. Xhepa është kundër largimit të trupës nga godina eksiztuese, deri në momentin ku projekti i ndërtimit të teatrit të ri të marrë udhë e të jetë në fazën finale.

Aktori është i mendimit që Shqipëria ka nevojë për një teatër të ri, në vendin ku sot ngrihen dy teatrot ai Kombëtar dhe ai Eksperimental. Po ashtu ai shpreh shqetësimin e vet në lidhje me projektligjin i cili parashikon futjen nën varësi të Ministrisë së Kulturës, së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Për Xhepën ai institucion ka 20 vjet që funksionon, edhe pse mund të bëhet edhe më shum për rritjen e cilësisë së prodhimeve. Dhe këtë të fundit Mk mund ta përmirësojë përmes investimeve në specializimin e regjisorëve e skenaristëve të rinj.

Z. Xhepa, komuniteti teatror ka zhvilluar këto ditë disa takime, ku kanë ngritur disa probleme emergjente. Nuk ju kemi parë të merrni pjesë në to, ndërsa ishit i pranishëm në takimin e kineastëve.. ka ndonjë arsye?

Po, është e vërtetë. Me plot dëshirë kam marrë pjesë në takimin e shoqatave të kineastëve, ndërsa në takimin e djeshëm në Teatrin Kombëtar, arrita me vonesë për një arsye shëndetësore dhe detyrimeve të domosdoshme. Por jo se nuk kisha arsye për të shprehur disa mendime të miat, siç po i shpreh në gazetën tuaj.

Një nga problemet e ngritura me forcë nga komuniteti artistik është godina e Teatrit Kombëtar, më saktë e zhvendosjes së trupës drejt “Turbinës”, ju çfarë mendoni për këtë proces?

Që prej disa muajsh, madje përpara mbylljes së sezonit të vjetshëm, gjatë bisedave me kolegë, edhe me vetë drejtorin e TK, Çuli, jam shprehur disa herë që trupa e teatrit, aktorë, administratë, prapavijë, për momentin nuk duhet të lëviznin nga teatri. Puna për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar ka nisur me kohë dhe nuk kam dëgjuar askënd që të ankohet. E gjitha nisi nga një deklaratë, ndoshta edhe e keqkuptuar e Ministres së Kulturës, që në sallën e Tk do të japë shfaqje Teatri i Operës. Ne nuk duhet të ngrihemi për xhelozi ndaj TKOB, por sepse kështu është e drejtë. Kjo për arsyen se, shkuarja drejt asaj që unë kam dëshirë ta besoj, drejt ndërtimit të një Teatri Kombëtar, të dëshiruar prej shumë vitesh dhe të ëndërruar nga artistët, por dhe artdashësit që do ta frekuentojnë, do të ketë fazat e veta, që mendoj se do të duan kohën e vet. Janë faza të shprehura, por ende të pakonsumuara. Së pari, do të duhej të shpallej një konkurs për studion arkitekturore që do të realizojë projektin e kësaj godine, që, sipas mendimit tim, do të duhet të ketë vlerë qindravjeçare, siç janë në të gjitha kryeqytetet europiane. Pas kësaj faze do të duhej të jetë faza e hartimit të preventivit, sa do të kushtojë ky projekt, që ma merr mendja do të jetë i kushtueshëm për shtetin. Këto faza kërkojnë kohë jo të shkurtër. Uroj të jenë sa më të shpejta, por nëse teatri do të spostohet që tani te “Turbina”, i bie, që plus fazës ndërtuese të këtij objekti, që mund të jetë 3-4-vjeçare, trupa e TK do të rrinte më gjatë atje. Me të vërtetë “Turbina” është një godinë e re, me mjedise të këndshme, por që nuk përfaqëson realisht standardet e një godine dinjitoze për Teatrin Kombëtar. Ajo është një sallë plus për Tiranën, që zgjerohet dita-ditës dhe e vlerësoj këtë investim nga ana e shtetit. Pra, për këtë arsye, Teatri Kombëtar, ai ekzistues, i ndërtuar nga italianët për një periudhë 20-25-vjeçare, i ka rezistuar kohës 75 vite, nuk besoj se do të kishte problem nëse do të qëndronte edhe 2-3 vjet, derisa kjo fazë e parë të ezaurohej. Në momentin që gjithçka është gati për fillimin e punimeve, atëherë do ta shihja të arsyeshme që trupa e teatrit, përkohësisht, vetëm përgjatë fazës ndërtuese të teatrit, të shkojë te “Turbina”.

Por, ndërkohë që flitet për një Teatër të ri Kombëtar, në ndërtesën “binjake”, ku sot ndodhet Teatri Eksperimental, janë bërë investime e salla të reja, si e shpjegoni këtë mosrakordim punësh?

Godina e Teatrit Kombëtar, bashkë me oborrin dhe pishinën, që përbën një hapësirë të gjerë, si dhe teatri që sot quhet Eksperimental, janë një objekt dhe nëse do të shkohet drejt ndërtimit të një teatri me vlera nacionale, do ta përfshijë të gjithë këtë ambient. Dhe nuk më është dukur fare e arsyeshme, që ndërsa në godinën e TK nuk ngulej asnjë gozhdë, në këtë godinën tjetër u varën skela, u suvatuan mure, u vunë dyer dhe dritare të reja, u bë çati e u varën ulluqe, u ndriçua nga poshtë e nga sipër. Nuk e kam kuptuar kurrë, në një kohë që ky kompleks është një. Nëse duhej të restaurohej, duhej të restaurohej i gjithë objekti. Për të mos u kthyer pas në kohë, atëherë kur u krijua ky teatër i dytë, brenda këtij territori, fillimisht si Teatri i Komedisë e sot Eksperimental, që për mua ka qenë një handikap. Nuk kishte asnjë arsye për të krijuar dy administrata, që kanë ngjallur vetëm konflikte dhe sherre mes drejtuesve të këtyre dy institucioneve, në një kohë kur në të gjitha teatrot kombëtare, rezulton të ketë një sallë të parë dhe një të dytë. Salla e dytë përdoret për shfaqje me më pak personazhe, me pjesëmarrje më të vogël, me më pak publik apo për shfaqje të regjisorëve të rinj, ku realisht mund të aktivizoheshin gjenerata e re e aktorëve. Dhe nuk është se mungoi kjo eksperiencë. Por, kur palogjikshëm u ndërtuan këto dy salla, mbahen dy qëndrime të ndryshme: njëra luksohet, tjetra lihet në gjendjen si ka qenë. Por pavarësisht kësaj, kur të vijë momenti që do të fillojnë ndërtimet në këtë hapësirë rreth 10 mijë metra katrorë, siç përflitet, për atë godinë unikale të Teatrit kombëtar, do të rrafshohet gjithçka, të dyja objektet.

Pra, ju jeni për ndërtimin e një godine të re teatri në vendin aktual?

Për këtë çështje, vetë brenda komunitetit ekziston një kakofoni. Edhe pse jam pjesë e këtij komuniteti, shpreh me keqardhje se nuk ekziston një mendim unikal. Përpara disa muajsh mora pjesë me kënaqësi në një mbledhje sindikate, por ajo që pashë, nuk ishte aspak dinjitoze dhe e këndshme për t’u ndjekur, çka nuk e bëra më. Ishte më shumë dëshirë për t’u bërë kryetar sindikate. Tashmë dëgjoj që paskemi dy sindikata, në një kohë që ne nuk jemi një komunitet me qindra-mijëra njerëz. Do të këshilloja, që në radhë të parë, ky komunitet të ketë vetëm një organizëm, që kur të mblidhen, të jenë të gjithë bashkë dhe të shkojnë drejt një mendimi. Kjo, edhe në funksion të asaj që sapo pyetët. Brenda komunitetit dëgjoj disa mendime. Disa thonë që kjo godinë të mbahet siç është dhe të restaurohet. Disa thonë që kjo godinë të bëhet muze dhe në zonën e oborrit dhe të Teatrit Eksperimental të ndërtohet Teatri Kombëtar, siç ka dhe mendime, që kjo zonë duhet pastruar dhe të ngrihet një teatër nga e para, me parametrat që kërkon një teatër nacional, duke pasur shembuj të mrekullueshëm nëpër Europë. Pra, është e nevojshme që shumatorja e mendimeve të jetë e unifikuar. Dhe këtë mendim unikal ta ndajmë me Ministrinë, pse jo Kryeministrinë, për të dalë në një vendim përfundimtar. Por, duke pasur parasysh kondicionet në të cilat është ndërtuar kjo ndërtesë nga italianët, vitet, që kanë kaluar mbi afatin e ekzistencës së saj, pra, trefishi i kohës, duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re. Dhe vlerat e traditës së këtij institucioni për më shumë se 70 vjet, duhet të ruhen me fanatizëm nëpër arkiva të një teatri serioz sepse kam përshtypjen se nuk jemi aq të respektueshëm dhe dinjitozë në ruajtjen e vlerave të gjeneratave të kaluara, ashtu si ndodh në çdo institucion dinjitoz europian. Janë këto disa probleme, që unë i konstatoj prej shumë vitesh në institucionin ku punoj prej 37 vitesh.

Një tjetër problem që ka shqetësuar artistët, është projektligji Për Artin dhe Kulturën, jeni konsultuar me të, shihni se ka probleme?

Sa i përket projektligjit, ve re se ka disa probleme. Prej kohësh nuk kam qenë dakord që bordi i teatrit të formohet nga përfaqësues të Ministrisë së Financave apo shoqërisë civile. Bordi artistik prej 7 vitesh, mund ta ketë një përfaqë- sues nga Ministria e Kulturës, mund ta ketë, pse jo edhe ndonjë gazetar të aftë kulture, që ka stazh dhe pjekuri në profesion, pse jo të jetë një dramaturg me pjekuri vitesh, një regjisor me përvojë dhe pse jo 3-4 figura aktrimi, të cilët kanë dhënë dhjetëvjeçare krijimtarie dhe përvoje në këtë skenë. Kjo gjë ndodhte edhe në kohën e komunizmit. Në bordin e TK ishte Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Prokop Mima, figura për të cilët nuk mund të thoshe se kishte përplasje interesi sepse duke qenë me përvojë dhe të ngopur nga krijimtaria, edhe në teatër dhe në film, nuk mendonin për interesa personale. Të tillë personalitete kemi edhe sot e gjithë ditën, ndonëse jo shumë, në Tiranë, të cilët nuk ka se si të kenë interesa të vogla dhe të mos gjykojë për vlerën e veprave skenike apo figurat e aktorëve që do të angazhohen në shfaqjet pasardhëse. Tek ata kam bindjen që kultivohet sensi i dinjitetit, që duhet të ketë teatri, premierë pas premiere, që nga pranimi i veprave, regjisorët, diskutimin për përzgjedhjen e roleve, gjithnjë e më tepër në të mirë të premierave të teatrit. Futja e aksesorëve të tjerë gjithnjë më ka çuditur. Por më duket pozitive që brenda pikave të këtij projektligji, shoh një qëndrim tjetër për emërimin e titullarëve të institucioneve kulturore, që tashmë do të emërohen nga ministri i Kulturës. Më duket shumë e arsyeshme, gjithmonë nëse në pozicionin e Ministrisë së Kulturës do të emërojnë njerëz që e njohin dhe duan kulturën. Kryeministri në këtë vendin tonë ka aq shumë probleme, saqë më duket tërësisht e paarsyeshme që ta ngarkojmë dhe me emërimin e drejtorit të Teatrit, Operës, Galerisë, Bibliotekës, Muzeut, etj. Diku më thanë për një nen, që një aktor të marrë pjesë në një projekt jashtë teatrit, duhet të marrë leje te titullari i ministrisë. Më duket e paarsyeshme, pasi veprimet e tij mund të rregullohen me titullarin e institucionit, pa cenuar programin e këtij të fundit. Siç ka ndodhur deri më sot, për angazhime në projekte filmike apo pjesë teatrore jashtë institucionit. Tek e fundit, të gjitha këto kontribuojnë në jetën kulturore të vendit. Nuk kemi të bëjmë me biznes proshute apo mobiliesh. Për mua është e tepërt.

Ju ishit i pranishëm në takimin e kineastëve, cilat ishin shqetësimet e tyre?

Mora pjesë në mbledhjen e shoqatave të kinemasë, ku dolën dy probleme, por ai që është më kryesori, është ai që QKK të hyjë nën sqetullën e Ministrisë së Kulturës. Për mua nuk është e arsyeshme sepse Qendra e Filmit, tani e 20 vjet, funksionon. Në vitet ’96-’97, bashkë me Ferin dhe Shimën, me një punë paraprake të një komisioni prej tre vetash, i formatuar nga ministri i Kulturës, Anagnosti (’92-’94), u konsultuam me legjislaturat e disa vendeve, hartuam projektligjin tonë, e çuam në Parlament, u aprovua dhe prej 20 vjetësh funksionon një institucion me një kryetar, një administratë të vogël dhe me borde nga shoqatat e kineastëve. Kjo nuk do të thotë se unë jam i mrekulluar nga kënaqë- sia që na kanë dhënë të gjitha prodhimet tona kinematografike, por në të njëjtën kohë, mendoj që edhe po të futet nën sqetullën e Ministrisë së Kulturës, do të rriste sistemin gjykues apo cilësor të veprave të së ardhmes. Ministria duhet të lejojë jetën në këtë organizëm siç është, por për përmirësimin e cilësisë, duhet të mendojë, siç nuk është menduar prej 27 vjetësh fatkeqësisht, për specializime konkrete regjisorësh të rinj, skenaristësh, që janë brumi kryesor ku mbështet filmi e ku përfshihen aksesorët e tjerë. Deri më sot nuk është bërë asgjë për shkollimin dhe specializim në regjisurë dhe skenarë. Kjo është një çështje esenciale, që cilësia e filmave të mëpastajmë të ngrihen në një nivel tjetër dhe pse jo të marrim pjesë në festivale europiane, siç duam të jemi. Unë kam besim që në një rishikim dashamirës të Ministrisë së Kulturës, QKK do të vazhdojë të ekzistojë si ka qenë, në pavarësinë e saj vepruese. Sa për financimin e ndonjë institucioni arsimor apo publik, kjo mund të merret përsipër nga Ministria e Arsimit, meqë kemi të bëjmë me shkollimin e gjeneratave të reja.