VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ju ftojmë të vizitoni ekspozitën “Best Wishes for 1999”

By | March 25, 2019

Komentet

Rama në Kukës, mbështetësit e PD marshojnë drejt aeroportit

KUKËS

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në qytetin e Kukësit. Pas takimit në Tropojë, shefi i qeverisë ka udhëtuar drejt qytetin verilindor me helikopter.

Takimi elektoral i shefit të qeverisë po mbahet në aeroportin e Kukësit.  Ndërkohë nga ana tjetër nuk kanë munguar përplasjet mes Policisë dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.

 

Simpatizantët e selisë blu në këto momente vijojnë të afrohen drejt aeroportit, aty ku po mbahet takimi elektoral përmbyllës i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit në këtë qytet.

VIDEOT/ Përplasje fizike mes protestuesve dhe policëve në Kukës

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Kukës, ku do të mbajë fushatë elektorale në bashkitë e këtij qarku.

Ndërsa Rama është nisur drejt Kukësit, ka ndodhur një përleshje mes protestuesve dhe policisë. Forcat e policisë kanë ngritur kordon policor për të ndaluar simpatizantët e PD.

Protestuesit në përleshje e sipër me simpatizantët e Partisë Demokratike kanë thyer kordonin policor. Ata kanë thirrur në kor “Rama ik”.

Rama është pritur me protesta thuajse në çdo bashki ku ka shkuar për fushatë elektorale.

Me makina ushtrie arrijnë në Korçë materialet zgjedhore (video)

KORÇË

Kanë arritur në Korçë materialet zgjedhore në KZAZ-të e bashkisë së Korçës. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se materialet zgjedhore u transportuan nga mjete të ushtrisë dhe policisë së Korçës.

Materialet zgjedhore janë vendosur në dy KZAZ, atë 72 dhe 73 në Korçë e gjithashtu edhe në KZAZ-në e Maliqit. Deri tani nuk ka pasur protesta apo probleme dhe procesi ka vijuar i qetë.

U nda nga jeta Norman H. Gershman (1932 – 2019), një tjetër Ëngjëll Mbrojtës i shqiptarëve

Voal – U nda nga jeta fotografi i njohur hebre, i mbijetuar i Holokaustit, Norman H. Gershman. I lindur më 14 gusht 1932 në New Jersey, ai vdiq në 10 qershor në moshën moshën 87 vjeç në Santa Berabra Kaliforni.

Norman H. Gershman është bërë mjaft i njohur për shqiptarët – me librin -esse, një foto-album  me titullin : “Besa” (Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore),  hapjen e një ekspozite shëtitese në SHBA, dhe Shqipëri, Zvicër, Belgjikë, si dhe me filmin “Shtëpia e Shqiptarit – Shtëpia e Zotit”.

Në vitin 2002, Norman zbuloi familjet shqiptare që shpëtuan hebrenjët dhe dëgjoi për historinë unike të trimërisë dhe Besës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“ I gjithë vendi, duke përfshirë qeverinë e Mbretit Zog, por edhe atë të pushtimit fashist dhe nazist më pas, nuk dorzuan as edhe një Hebre te nazistët dhe nuk pranuan të bashkëpunonin me nazistët, edhe pse ishte nën një okupim brutal dhe vunë edhe jetën e familjes së tyre në rrezik”.

Dhe, kështu Norman e dinte se ai kishte projektin e tij të ardhshëm

“Muslimanët, të shpëtojnë hebrenjët ? Çfarë, mos je i çmendur? Kështu, më thonin njërëzit, do të tregonte Gershman, para se t’ja niste për të mbledhur këto fakte, për shqiptarët, se si ata kishin marrë në mbrojtje të gjitha famijet hebraike, që erdhën në Shqipëri e kërkuan ndihmë.

Norman H. Gershman së pari u takua me miken e tij me të mbjetuarën Johanna Neumann, një grua e mahnitshme, e cila i shpëtoi Holokaustit nga shqiptarët.

“Gjatë Luftës së Dytë Botërore – Monarkia Shqiptare, i shpëtoi në mënyrë aktive hebrenjët duke i fshehur në një vend të vogël dhe të varfër të Ballakanit – në Shqipëri. Mbreti Zog i kishte hapur kufijtë e Shqipërisë dhe kishte kërkuar nga ambasadat e Shqipërisë në atë nëpër Europë ( Austri, Itali, Francë), që çdo hebre të paisej me pashaportë shqiptar dhe vizë për tu larguar, ose që donte të vinte në Shqipëri, e përreth saj” ka treguar për Zërin e Amerikës e ndjera Johanna Neumann, që u shua dy vjet më parë. Ndërsa në Gjermani fati i hebrejve ishte zgjidhur përfundimisht nga nazistët, në Shqipëri, fati i hebrenjve dukej ndryshe. Mbreti Zog do të hapte kufijtë e Shqipërisë për çdo hebre që donte të vinte në Shqipëri. “Shqiptarët na pritën si Miq të nderuar dhe na dhanë Besën” tregonte Neumman.

Pikërisht hym Besës i thuri edhe Norman H. Gershman me filmin  dokumentar “Besa”, ku shqiptarët paraqiten si mbrojtës të hebrenjëve gjatë periudhës së luftës së dytë botërore, kur këta përndiqeshin e vriteshin nga nazistët.  Filmi Besa filloi si projekt nga  Norman H. Gershman, me titull God’s House (Shtëpia e Zotit). Filmi bazohet në të dhëna gojore, dokumenta e intervista me personazhë realë, shqiptarë a familje të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai fillon me rrëfimin e Rexhep Hoxhës, lindur në Tiranë në vitin 1950. I ati, para se të vdiste i la atij amanet tre libra në gjuhën hebraike. Ato ishin të një familjeje hebreje që gjatë luftës ishte strehuar në shtëpinë e familjes Hoxha. Me ndihmën Gershmanit, Rexhepi zbulon historinë e panjohur të aktit të jashtëzakonshëm të të atit të tij; Besën e ndërthur me  trimëri e sakrificë.

Filmi pastaj  zgjerohet për të hyrë në thellësi të botës shpirtërore të protagonistëve dhe për t’i shpjeguar publikut të huaj se çfarë është Besa dhe përse shqiptarët mendojnë se ajo është pjesë e veçantë e kulturës së tyre. Edhe regjisori kryesor i filmit Jason Williams e pranon, se Besa është diçka e veçantë. Ai mendon se tre elementë shërbyen që shqiptarët të vepronin në mbrojtje të hebrenjëve; “E para ishte qeveria shqiptare gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore që hapi kufijtë për këta të ikur e të përndjekur; E dyta ishte roli pozitiv i klerikëve myslimanë, katolikë e ortodoksë që u bënin thirrje besimtarëve të ndihmonin e fshihnin  hebrenjtë që kërkonin strehim; dhe së treti ishte fjala e dhënë, Besa ajo që i lidhte këta faktorë, duke krijuar të veçantën që mungonte në Evropë në atë periudhë.”

Filmuar në Shqipëri, Bullgari, Izrael, dhe Shtetet e Bashkuara, filmi përmban rreth njëzet intervista me të mbijetuar dhe të shumë dëshmitarëve të tjerë.

Fjala “Besë” sikur humbet në përkthim. Por për shqiptarët Besa është ashtu sic e kupton bartësi i saj, populli; “Si myslimanë të devotshëm ne u dhamë hebrenjve mbrojtjen humanitare. Pse? Sepse kështu urdhëronte miqësia, humanizmi, Besa.” Kështu shprehej në vitet 1990 në muzeun e Holokaustit  Yad Vashem në Izrael, vlonjati Sazan Hoxha, i biri i Nuro Hoxhës, që strehoi 4 familje hebraike, duke vënë në rrezik jetën e fëmijeve të vet.

Dëshmi të mirëqënies së hebrenjëve në trojet shqiptare janë të herëshme. Para disa vitesh në Sarandë u zbuluan gjurmët e një sinagoge të periudhes romake, ndersa i ashtuquajturi “mesia i fundit” Sabbatai Zevi në shek. XVII, gjeti strehim në Ulqin e Berat pas përndjekjes nga Stambolli e Selaniku. Dhe një nga dëshimitë më konkrete është ajo në shënimet e ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri më 1934, Herman Bersntein, i cili shkruan: “Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjëve në Shqipëri, sepse Shqipëria ndodh të jetë një nga vendet e rralla në Evropë ku paragjykimet dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse shqiptarët janë të ndarë në tre besime”

Kjo është e gjithë historia, që fotgrafi hebre e rrefeu në Izrael Jad Vashem dhe në SHBA, sikur edhe Johanna Neumann e treguan deri në frymën e fundit deri sa jetoi për t’i treguar komunitetit hebraik nëpër botë Besën Shqiptare, aktin e papërsëritshëm që bën Shqiptarët për të shpëtuar Hbernjët që kërkuan ndihmë në shtëpine Shqiptarit.

I lidhur shumë nëpërmjet këtyre fakteve me Shqipërinë, Gershman, zbuloi se kjo ishte një histori që pak e dinin, sepse Shqipëria, nën regjimin e Enver Hoxhës, ishte e mbyllur nga bota e jashtme, për pothuajse 50 vjet nga diktatura ksenofobike, që pasoi fundin e Luftës së Dytë Botërore. Norman u bë i vendosur për të gjetur dhe regjistruar këtë histori të patreguar të trimërisë dhe dhembshurisë, atë të kodit moral Shqiptar të quajtur “BESA”.

“Shqiptarët, janë njërëz të mirë, trima, të mencuar dhe bujar e zemërbardhë. Ata janë heronj të vërtetë! ” ka thënë Norman H. Greshman.

Përpjekjet e tij të palodhshme për të identifikuar dhe dokumentuar historitë e shumë shqiptarëve (muslimanë kryesisht, por edhe të krishterë), pikërisht atyre që strehonin hebrenjtë gjatë luftës, dhe që tani u bënë baza e filmit të metrazhit të gjatë, fitues i disa cmimeve ndërkombëtare, dhe të shfaqur në disa shtete të SHBA, pra filmi “Besa: Premtimi.

Që në të vërtetë, pa hulumtimet, hetimet dhe veprat detektive të modës së vjetër të Normanit, filmi kurrë nuk do të ishte bërë fare.

Duke filluar në vitin 2007, filmi Besa: nisi rrugëtimin e tij kur Ekuipazhi i filmit Promise bëri dy udhëtime në Shqipëri me Normanin dhe gjithashtu një udhëtim në Izrael ku portretet e tij u ekspozuan në Yad Vashem. Që atëherë, fotografitë e Normanit – së bashku me fragmente të shkurtra nga dokumentari – kanë qenë në Selinë Qendrore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe në Shtabin e Bashkimit Europian në Strasburg të Francës. Në vitin 2008, Syracuse University Press publikoi një libër të portreteve të Norman H. Gershmanit, “Besa: Muslimanët që shpëtuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”.

Një libër ky që u vlerësua në mënyrë unike në disa komente, libri dhe filmi “Besa” dhe “Promise” gjithashtu, është paraqitur edhe nga rrjetet më të fuqishme televizive amerikane e britanike, nga CBS Neës, NPR, Voice of America dhe Al-Jazeera, dhe televizioni shtetror i Izraelit. Ndërsa për këtë akt të Shqiptarëve u hapën anembanë në SHBA, Britani të Madhe, Izrael, Zvicër, Itali dhe Shqipëri, një duzinë ekspozitash të punës së Normanit, foto – albume me të mbijetuarit dhe ata që i shpëtuan.

Ai themeloi edhe Fondacionin Eye Contact, një korporatë jofitimprurëse që promovon edhe sot paqen dhe unitetin, ku Norman ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv.

“Si fotograf, e shoh bukurinë në botë – veçanërisht në sytë e njerëzve që kam fotografuar – prandaj edhe fondacioni ka marrë këtë emër Fondacioni Eye Contact. Ajo që ndodhi në Shqipërinë Muslimane dhe në Kosovë është një mrekulli. Jo vetëm që të gjithë hebrejtë shpëtuan nga pushtimi nazist, por refugjatët hebrenj u trajtuan si miq të shtëpisë sii thonë shqiptarët nën kodin e tyre moral Besa. Ky është një detyrimi moral i të gjithë shqiptarëve, për të strehuar të gjithë ata që janë në nevojë pavarësisht nga feja, kultura apo politika – madje edhe armiqtë e tyre – ky është unik. Ruajtja e të gjithë hebrenjve është dëshmi konkrete e këtij kodi nderi” ka thënë Norman Gershman.

Familjet muslimane do të më thonin për privilegjin e shpëtimit të fëmijëve “të Perëndisë”, më kujtohen fjalët që ata më thanë: “Të shpëtojmë një jetë është të shkojmë në Parajsë”, “Zoti është i Parë, vendi ynë atdheu është i dytë, atëherë janë mysafirët tanë dhe familja e me radhë”. Të gjithë Hebrenjtë janë vëllezërit tanë “.

“Unë e di, se ka njerëz shumë më të mirë në botë sesa me të këqija, dhe kam gjetur njerëz të tillë në Shqipërinë e të treja besimeve dhe në Kosovë. Ajo që ndodhi në Shqipërinë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore është një mrekulli. Ruajtja e të gjithë hebrenjve është dëshmi konkrete e Besës.” “Muslimanët dhe hebrenjtë janë vëllezër dhe motra nën të njëjtin at Abraham. Ne jemi një familje.” thoshte Norman H. Gershman.

Prej 10 qershorit 2019 Miku i shtrenjtë i shqiptarëve Norman H. Gershman u largua nga kjo botë. NJë trishtim i madh për shqiptarët në mbarë botën. Tani Gershman i mbron shqiptarët në mbretërinë e Zotit!

Dossier: CNN: PSE SHQIPTARËT I SHPËTUAN HEBREJTË GJATË HOLOKAUSTIT? ARSYEJA ËSHTË BESA

In Memoriam Shoah – Takim me Z.Johanna Jutta Neumann që i dëshmoi botës se moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët Nga Elida Buçpapaj

 

Shkresat ndaj KQZ për numrin e deputetëve, Presidenti Meta flet për shpërndarjen e Parlamentit

Kreu i Shtetit ka folur sot për vendimin e përfolur se do të shpërndajë parlamentin për shkak se nga zëvendësimi i deputetëve, institucioni i Legjislativit ka mbetur pa 140 mandate.

Por Meta ka thënë se ai do të ndërmarrë çdo veprim me qetësi dhe me shumë përgjegjshmëri.

 

“Presidenti i Republikës do bëj çdo veprim me shumë qetësi, me shumë përgjegjshmëri edhe do t’i shërbej mbrojtës së republikës dhe interesave të saj. Shpresoj ta bëjnë këtë të gjitha institucionet dhe qytetarët se bashku”, tha Meta.

Më tej kreu i shtetit e ka quajtur KQZ-në si organizatë socialiste, e cila nuk ka tagër që të vendos për datën e zgjedhjeve.

“Jo rastësisht përdora termin organizatë socialiste, Presidenti nuk mund të hyjë në debat me një organizatë socialiste apo demokrate. Vetëm Presidenti vendos për datën e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Meta.

Meta: Zgjedhjet e 30 qershorit, imagjinare

Gresa Kraja

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përsëriti vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke iu bërë thirrje të gjitha palëve që të reflektojnë.

“Kjo vendimmarrje, përveç të tjerave, synon t’iu krijojë palëve një mundësi reflektimi dhe hapësirë për të dialoguar për zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe agjendës së përbashkët evropiane të Shqipërisë”, tha Meta në një konferencë për media.

Ai tha se data 30 qershor nuk ekziston më ligjërisht për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se ato janë imagjinare.

Konferenca e presidentit Meta vjen pasi një ditë më parë Kolegji Zgjedhor i Shqipërisë e njohu datën 30 qershor si ditë të zgjedhjeve, pasi të pesë anëtarët e tij e rrëzuan kërkesën e një partie të vogël për t’u çregjistruar nga listat zgjedhore.

Meta tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i lidhur me Partinë Socialiste në pushtet dhe se ka vendosur të zhvillojë një proces të paligjshëm.

“Vendimi i marrë dje nga Kolegji Zgjedhor ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste, dhe Organizatës Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ka vendosur të zhvillojë një proces të paligjshëm më 30 qershor”, tha Meta.

Presidenti tha se ky organ nuk ka kompetenca të vlerësojë vlefshmërinë kushtetuese të vendimit të tij.

“Në këtë proces, Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë e dekretit të presidentit të Republikës, pasi një gjë të tillë nuk ia njeh Kushtetuta. Institucioni i Presidentit nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces”, tha Meta.

Shqipëria, tash e sa kohë, është përfshirë nga një krizë politike.

Opozita, me muaj, proteston kundër qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama dhe është zotuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Edhe pse zgjedhjet janë anuluar nga presidenti Meta, një vendim i tillë nuk po përfillet nga Partia Socialiste, lider i së cilës është Rama.

Kriporja e Ulqinit shpallet park natyror

Ali Salaj

Kuvendi Komunal i Ulqinit, të hënën shpalli Kriporen e njohur të këtij qyteti park natyror. Vendimi u mirëprit nga qytetarët, pasi me këtë vendim mbrohet tjetërsimi i kësaj hapësire të veçantë natyrore.

Kriporja e Ulqinit cilësohet ndër ekosistemet më të njohura në Adriatik. Ajo është zona e parë me rëndësi ndërkombëtare për zogjtë në Mal të Zi, si dhe “Strehim Emerald” i Konventës së Berlinit.

Kriporja pritet që së shpejti të bëhet pjesë e listës Ramsar, si kënetë me rëndësi ndërkombëtare.

Kriporja e Ulqinit e ngrit në vitin 1926 nga italianët dhe ka një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë që është lagunë dhe ndodhet në deltën e lumit Buna. Aty ka edhe një pasuri të madhe shpendësh. Ujërat e ëmbla të lumit ndahen nga uji i kripur i detit Adriatik nëpërmjet kanaleve.

Si shumë pasuri të tjera, Kriporja e Ulqinit ka qenë pasuri shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2003 është privatizuar, sepse ndërmarrja falimentoi.

Privatizuesi e bleu për 800 mijë euro. Çmimi i tokës u vendos 5 cent metri katror duke u cilësuar si aferë korruptive e politikës në Mal të Zi.

Kriporja e Ulqinit është vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian, i cili financoi edhe studimin për mbrojtjen dhe përmirësimin e kripores. Po ashtu Bashkimi Evropian ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim me kapitullin 27 të marrëveshjes, kapitull që i kushtohet parkut natyror të Ulqinit.

VIDEO/ Ish-ministri i Ramës del kundër mazhorancës: Presidenti s’plotëson kushtet për shkarkim

Prej ditësh tashmë ka një debat juridik dhe politik për datën e zgjedhjeve, nëse duhet të zhvillohet apo jo procesi më 30 qershor. Një situatë kjo e komplikuar pas aktit të Presidentit Meta që zhdekretonte datën 30 si ditën e zgjedhjeve dhe botimi i këtij dekreti në Fletoren Zyrtare.

Ndërkohë mazhoranca e cilëson Dekretin e Presidentit Meta si një shkelje të rëndë Kushtetues dhe ka ndërmarrë edhe disa hapa që po shkon drejt një votimi për shkarkimin e tij.

Por për Ilirian Celibashin, ish-kryetar i KQZ-së dhe konstitucionalist, Meta ka kryer shkelje Kushtetuese me aktin e tij, duke tejkaluar kompetencat. Në studion e Top Talk, ai theksoi se ky akt nuk mund të cilësohet si shkelje e rëndë e Kushtetutës, e rrjedhimisht nuk mund të vijohet me shkarkimin e Presidentit.

“Dekreti për anulimin e zgjedhjeve qartësisht është në mungesë të kompetencave të Presidentit të Republikës. Por gjithsesi, ky nuk është rasti për të ndërmarrë këtë vendim”, tha Celibashi, duke shtuar se “Edhe nëse Gjykata Admistrative, apo edhe ajo Kushtetues do ta cilësonte si një shkelje të Kushtetutës aktin e Metës, në gjykimin tim nuk do ta cilësoja si një shkelje të rëndë”.

I pyetur nëse po e interpreton gabim politikisht, apo po e përdor institutionalisht mazhoranca këtë vendim të Presidentit, Celibashi u përgjigj: “Në këtë qasje politike të palëve, secili prej tyre përdor mjetet e veta për interesa politike. Mendoj se edhe në pikëpamje të dëshirës për të gjetur një zgjidhje, mund të ishte evituar kjo si iniciativë”./ Top Channel

A po e merr SHBA rolin udhëheqës në dialogun Kosovë – Serbi?

Arton Konushevci

Prishtina dhe Beogradi nuk e përjashtojnë mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rolin vendimtar në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Fuqizimi i rolit amerikan, shihet si i domosdoshëm pasi që Bashkimi Evropian po konsiderohet si një partner më pak i fuqishëm për t’i drejtuar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Ndërkohë, edhe roli i Gjermanisë dhe Francës, po konsiderohet se është zbehur pas mosarritjes së mbajtjes së takimit të Parisit më 1 korrik, ku presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kishin planifikuar t’i ftonin palët në një takim të nivelit më të lartë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar të hënën në Prishtinë se pas, siç e ka quajtur ai, dështimit në Berlin dhe mosmbajtjes së takimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Paris më 1 korrik, të dy shtetet, si Kosova ashtu edhe Serbia, kanë bërë hapa mbrapa në perspektivën e tyre.

Thaçi konsideron se pavarësisht zhvillimeve në rajon e më gjerë duhet të ketë unitet më të madh brenda në Kosovë.

“Për dështimin në Berlin dhe Paris, të dy vendet nuk kanë fituar bash asgjë, të dyja kanë bërë nga një hap mbrapa në perspektivën evropiane”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri këto komente në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Ai tha po ashtu se tash kur Bashkimi Evropian, sipas tij është më i dobët, duhet t’u bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një rol më aktiv në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Mendoj se duhet të jetë thirrje e jona për një rol më aktiv të SHBA-së dhe një koordinim më të mirë me Bashkimin Evropian, kur shohim se nuk ka një unitet brenda BE-së dhe kemi të bëjmë me një Bashkim Evropian më të dobësuar. Po ashtu, shohim edhe nga opinioni publik se besimi i qytetarëve për ketë proces për BE-në nuk kalon mbi 40 % ndërsa për SHBA-të mbi 80%, kështu që një koordinim i tillë do të mund të kishte sukses”, tha Thaçi.

Profesori i shkencave politike në universitetin Saint Mary në Londër, James Ker Lindsay, tha për Radion Evropa e Lirë se partneri kryesor në dialogun Kosovë – Serbi duhet të jetë Bashkimi Evropian, pavarësisht faktit se Uashingtoni tash për tash shihet si partneri vendimtar në këtë proces.

“Partneri kryesor duhet të ishte Bashkimi Evropian. Mirëpo pozita e BE-së në këtë rast është dobësuar. Pse? Ne jemi në fund të mandatit të Komisionit (Evropian) dhe personat dhe autoriteti që merret me këto bisedime janë duke u larguar. Ju keni ndarje të mëdha për këto çështje në Prishtinë për të ardhmen e dialogut. Papritur roli i SHBA-së bëhet rol udhëheqës, mirëpo çdo gjë duhet të bëhet për anëtarësim në BE. Anëtarësimi në BE duhet të jetë ajo çka e shtyn përpara gjithë këtë proces të dialogut”, tha Lindsay.

Ai konsideron se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kenë rol konstruktiv dhe pozitiv. E vetmja mënyrë, sipas tij, që gjërat të kryhen mes Prishtinës dhe Beogradit është që komuniteti ndërkombëtar të jetë i bashkuar dhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të punojnë së bashku.

“Për momentin ne nuk po shohim një gjë të tillë. Ne po shohim ndarje brenda BE-së, po shohim dallime të mëdha mes vendeve të BE-së dhe SHBA-së. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë një pozicion që nuk është i njëjtë me SHBA-në. Franca ka një pozicion tjetër. Komisioni Evropian ka një pozicion të ngjashëm me atë të SHBA-së, mirëpo Gjermania është kundër atij pozicioni të Komisionit Evropian. Për momentin asgjë nuk do të ndodh para se të kalohen këto ndasi”, tha Lindsay.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se nuk është reale që vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi.

“Tash për tash nuk ka paralajmërime për çfarëdo ndryshimi të formatit të dialogut. Bashkimi Evropian e moderon këtë dialog”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se nëse arrihet marrëveshja eventuale, ajo duhet të verifikohet (miratohet) në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Në këtë fazë, tash nuk është paraparë që dikush nga ta të marrë pjesë në vet dialogun. Është vështirë e pritshme që vetëm Shtetet e Bashkuara të përfshihen në dialog dhe që askush tjetër të mos përfshihet. Kjo nuk është reale”, ka thënë Daçiq në një konferencë për gazetarë me shefen e diplomacisë së Norvegjisë, Ina Eriksen Soreide.

Sipas tij, për Beogradin është me rëndësi kyçe që të arrihet deri te zgjidhja me kompromis për çështjen e Kosovës, por që ajo zgjidhje nuk mund të jetë “me imponim”, gjegjësisht që Serbia ta pranojë Kosovën në gjithë territorin e saj.

“Serbia nuk po vë pengesa për vazhdimin e dialogut, ne vetëm po kërkojmë që të largohet pengesa ekzistuese, në mënyrë që të vazhdohet me dialogun”, theksoi Daçiq.

Daçiq ka vlerësuar se me shtyrjen e takimit të liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Paris, “është lëshuar rasti që të zhbllokohet dialogu”.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se përmbyllja e dialogut politik me Serbinë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative, që sipas tij, nënkupton njohje reciproke, është interes nacional i Kosovës.

“Nuk kam kurrfarë dyshimi që marrëveshja mund të arrihet këtë vit, marrëveshje ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë, por nëse nuk ndodh, do të hyjmë në një fazë të rrezikshme të këtyre raporteve, e cila edhe mund të destabilizojë jo vetëm raportet tona si dy shtete, por edhe rajonin”, është shprehur ai.

Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog, në mënyrë që, siç është shprehur ai, njëherë e përgjithmonë të qartësohet raporti me shtetin e Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.

Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën prej 100 për qind, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në anën tjetër ka thënë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.

“Fatkeqësisht, situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese. Gjërat nuk po lëvizin fare dhe aktualisht jemi duke vendnumëruar, përkundër iniciativave të fundit për të zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe perspektivës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është rreziku ma i madh i mundshëm për sigurinë e stabilitetin për të dy vendet dhe rajonin”, ka shtuar Thaçi.

Në hulumtimin që ka bërë Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka dalë se 32 për qind e qytetarëve të Kosovës e kanë përkrahur ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka ritheksuar që opsioni i ndryshimit të kufirit apo demarkimit të kufirit, ka siguruar përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës, përkundër asaj që Thaçi e ka konsideruar fushatë negative të partive politike ndaj këtij skenari.

Por ideja e Thaçit për korrigjim apo demarkacion të kufirit me Serbinë, nga spektri opozitar në Prishtinë po konsiderohet edhe si opsion që mund të çojë në ndarje dhe ide për shkëmbim të territoreve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë në anën tjetër se plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës ka dështuar, mirëpo sipas tij, ideja për këtë çështje ende është e gjallë.

Haradinaj i jep titullin “Gjergj Kastrioti” Bylbyl Breçanit

KOSOVË

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka ndarë medaljen ““Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” Bylbyl Breçanit nga Tropoja.

Haradinaj shton se është përjetësisht mirënjohës ndaj malësorëve të Malësisë së Gjakovës që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës.

Postimi i Haradinaj:

Shqiptarët kanë luftuar për të drejtën e tyre si një trup unik në të gjitha etapat e historisë sonë. Në nderim të sakrificës për liri, në 20-vjetorin e rënies, kam ndarë medaljen “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, për Heroin e Kosovës, Bylbyl Breçani, nga Tropoja, post mortem. Përjetësisht mirënjohës për kontributin e pashembullt të Malësisë së Gjakovës, në luftën tonë për liri.

RH

Intervista – Ker Lindsay: Procesi i dialogut Kosovë – Serbi, në kaos

Milosh Teodoroviq

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin “Saint Mary” të Londrës, James Ker Lindsay, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se nuk ekziston asnjë plan për daljen nga kriza të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, procesi tash është në kaos, dhe Shtetet e Bashkuara si dhe Bashkimi Evropian do të duhej të punojnë së bashku për gjetjen e një zgjidhjeje.

Radio Evropa e Lirë: Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se anulimi i Samitit të Parisit është dëshmi se roli i SHBA-së është kyç për vazhdimin e dialogut duke shtuar se nuk është e mundur asgjë të bëhet pa mbështetjen e SHBA-së. A pajtoheni me këtë vlerësim?

James Ker Lindsay: Po, dhe jo. Po, sepse ne gjatë dekadës së kaluar vet e kemi krijuar këtë situatë, kur Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian e morën rolin e liderit në këtë proces. Por, prap se prap mendoj se ekzistojnë dallime midis mënyrës se si Komisioni Evropian ka dashur të udhëheqë këtë proces, dhe se si në anën tjetër Berlini ka dashur ta udhëheqë atë.

Është e qartë se në prag të përfundimit të mandatit të Komisionit, Berlini ka dashur të marrë udhëheqjen e këtij procesi (dialogut Kosovë-Serbi) dhe bëri gabim në mënyrën se si e bëri këtë. Mendoj se këtu ekziston edhe problemi tjetër; kredibiliteti i Francës në Ballkanin Perëndimor në këtë moment është i vogël, pasi Franca është në krye të një blloku vendesh që kundërshtojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Si Franca ashtu edhe Gjermania mendojnë se do të jenë në gjendje të anashkalojnë Komisionin Evropian që ka qenë përgjegjës lidhur me negociatat për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Si mund të udhëheqin, Franca ose Gjermania kur njëra prej tyre, po përpiqet t’ia mbyllë mundësitë Ballkanit Perëndimor dhe të bllokojë anëtarësimin e vendeve të tij në BE.

Natyrisht se ky nuk është një kombinim i mirë dhe kontribon që SHBA-ja të fitojë autoritet më të madh në bisedime. Prishtina dhe Beogradi, për shumë arsye, më përpara do të preferonin përfshirjen e SHBA-së në bisedime sesa të Gjermanisë. Natyrisht se problemi qëndron në faktin se përbërja e re e Komisionit Evropian do të formohet në vjeshtë, dhe është pikëpyetje nëse do të mund t’i bind përsëri palët për rëndësinë e rolit që ka.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se për të dyja palët, Prishtinën dhe Beogradin, Uashingtoni është partner më i dëshirueshëm sesa Bashkimi Evropian?

James Ker Lindsay: Kështu është tani për tani. Por nuk do të duhej të ishte kështu. Roli kyç duhet të jetë i Bashkimit Evropian, por BE-ja nuk duhet të jetë e pafuqishme. Një nga arsyet për këtë është se jemi në fund të mandatit të Komisionit Evropian. Opinionet janë thellësisht të ndara në lidhje me çështjen se në çfarë situate është dialogu dhe cili duhet të jetë fokusi.

Pra, Shtetet e Bashkuara kanë marrë rolin udhëheqës, por natyrisht se kjo duhej t’i takonte Bashkimit Evropian. Ky është një proces që duhet ta udhëheqte Bashkimi Evropian. Pra, në fund të ditës, situata që kemi është një kaos. E gjithë kjo histori më të vërtetë është udhëhequr keq. Mendoj se kjo është pikërisht ajo që ndodh kur keni një lojtar kyç në gjendje të dobët, për shkak të rrjedhës së natyrshme të politikës. Përfaqësueses së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, i kalon mandati, në vjeshtë do të kemi udhëheqjen e re të Komisionit Evropian. Pra, arsyeja e pafuqisë paraqitet gjithmonë kur jemi në fund të mandatit të Komisionit Evropian.

Gjermania dhe Franca do të duhej të thoshin “shikoni përderisa këtu është Komisioni Evropian, ai ka autoritetin dhe në e mbështesim”, por ato nuk po e bëjnë këtë pikërisht për arsyet e lartëpërmendura. Në vend të kësaj, të dyja vendet po paraqesin inciciativa vetanake. Mendoj se kjo është shumë keq. Ato do të duhej të kishin agjendë të përbashkët kur është fjala për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë aktualisht, Gjermania duket se më shumë dëshiron të tregojë se është e bashkuar në një qëndrim me Francën, sesa po mendon në mënyrë strategjike se çfarë është mirë për Ballkanin Perëndimor. E tërë kjo situatë duket pak qesharake.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se roli i SHBA-së në dialogun Kosovë- Serbi në këtë moment është konstruktiv?

James Ker Lindsay: Kësaj nuk mund t’i përgjigjem me një fjali pasi varet nga shumë gjëra tjera. Për momentin kemi një situatë shumë komplekse. Mendoj se SHBA-ja mund të jetë jashtëzakonisht konstruktive dhe mund të luajë rol pozitiv. E vetmja gjë që aktualisht mund të bëhet në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit është se bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje.

Për momentin këtë nuk po e shohim, pasi po shohim ndasitë brenda BE-së , shohim mosmarrëveshje brenda aktorëve kryesorë, BE-së, SHBA-së dhe Francës. Gjermania dhe Britania e Madhe janë në pozicion të njëjtë i cili është ndryshe nga ai që mbajnë Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq Franca e ka pozicionin e saj. Shtetet e Bashkuara plotësisht mund të bëhen faktor jetik, por për momentin kemi kaos. Në fakt, Shtetet e Bashkuara, janë bërë pjesë e problemit sepse ne kemi një tendencë për të anashkaluar BE-në dhe që roli kyç t’i kalohet SHBA-së. Por, ne e dimë se Bashkimi Evropian është bartës i rolit më të rëndësishëm në gjithë këtë proces. Pra, nëse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku – po, Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol konstruktiv.

Nëse SHBA-ja luan lojën e saj, mendoj se do të shohim se pjesëmarrësit e procesit do të luajnë lojrat e tyre me SHBA-në, siç po luajnë tani me BE-në.

Radio Evropa e Lirë: A mund të konkludohet se presioni ndaj Prishtinës dhe Beogradit ka qenë si rrjedhojë e vullnetit të mirë të Berlinit dhe Parisit për të çuar përpara dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?

James Ker Lindsay: Të kthehemi në temë, nuk ka qenë e qartë cili ka qenë qëllimi i takimit të Berlinit, dhe çfarë kanë shpresuar të arrijnë me atë takim. Disa thonë se takimi është mbajtur për t’i vënë pikën temës për shkëmbimin e territoreve, dhe disa të tjerë thonë se pikërisht kjo edhe ka ndodhur.

Problemi qëndron aty se nuk janë paraqitur teori të reja për të dalur nga kriza. Nëse nuk dëshironi të flisni për shkëmbimin e territoreve, atëherë cila është alternativa? Çfarë po vendosni në tryezën e diskutimin që do të mundësonte lëvizjen përpara? Askush nuk paraqiti diçka të tillë dhe mendoj se kjo gjithashtu është pjesë e problemit. Askush nuk paraqiti ndonjë zgjidhje të mundshme apo ide të reja. Vetëm u tha se, mirë kjo nuk ka pëlqen, le ta ndalojmë, mirëpo çështja është se cili është plani që gjërat të lëvizin përpara. Me sa po e shoh unë, nuk ekziston asnjë plan i tillë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

VATRA u bën thirrje palëve në Shqipëri të ulen në bisedime

Organizata shqiptaro-amerikane VATRA u bëri thirrje palëve politike në Shqipëri që të ulen në bisedime t’i ofrojnë popullit një zgjidhje afatgjatë, që të mund të sigurojë jo vetëm standardet demokratike të vendit, por edhe një paqe dhe unifikim shoqëror

Me anë të një deklarate, Federata Panshqiptare e Amerikës shpreh shqetësimin për situatën në Shqipëri të cilën e cilëson si të paprecedentë dhe thotë se është thellësisht e dhimbshme, që edhe pas afro tre dekadash pluralizëm, evidentohen probleme të thella lidhur me proceset zgjedhore, ndërhyrja në të cilët është tërësisht e dënueshme.

“Konflikti civil, i cili po hedh shtat dita-ditës nuk duhet lejuar dhe qeveria ka përgjegjësinë kryesore të gjejë rrugët për shuarjen e tij. Ashpërsimi i mosmarrëveshjeve politike shoqërohet fatkeqësisht me ndasi të mëdha shoqërore, gjë e cila dëmton objektivat evropiane të vendit”, thuhet në deklaratë.

VATRA nxit palët të ulen në tryezën e bisedimeve, duke shpresuar që platforma e bisedimeve do të jetë serioze dhe jo thjesht kalimtare dhe njëkohësisht shpreh keqardhjen për humbjen e kohës, nga e cila sipas saj, humbet Shqipëria dhe populli.