VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Journal des débats politiques et littéraires (1931)- Kur mbretëria shqiptare kërkonte të krijonte flotën e saj detare

By | April 4, 2020

Komentet

Gazeta franceze Le Monde: Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë, një akt barbar i qeverisë

Kryeministri shqiptar Edi Rama dërgoi policë dhe ndihmës të tjerë shtetërorë, për të shkatërruar një nga institucionet kryesore të vendit dhe nga ndërtesat e pakta të vjetra në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranë

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk le rast pa nxjerrë në pah karrierën e tij si një artist vizual dhe shijet e tij si piktor. Kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, nga viti 2000 deri më 2011, ai u bë i njohur në botë, për shkak se ndërtesat e ndërtuara në kohën e komunizmit, i pikturoi me ngjyra të shëndrrishme. Kjo ishte një nga ata punë të tij në kohën që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, që e modernizuan disi kryeqytetin shqiptar.

Mirëpo, të dielën e datës 17 maj, po Edi Rama, por tashmë 55 vjec, kryeministër që nga viti 2013, dërgoi policë dhe të tjerë persona për të rrënuar një nga godinat më të vjetra dhe më të vyera në qytet, Teatrin Kombëtar. Brenda në ndërtesë kishte një dyzinë artistësh, që kishin rezistuar në protesta për më shumë se dy vjet, por u larguan me forcë nga policia.

“Ata (policët) erdhën në orën 04:15 të mëngjesit. Ne ishim ende rreth 60 persona, kur ata filluan që të ngrenë buldozerin kundër godinës së Teatrit Kombëtar”, thotë regjisori dhe aktori Edmond Budina, një nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Budina është ndër artistët, që rezistoi në protesta kundër prishjes së TK që nga viti 2018.

Ai dhe kolegë të tij u ngritën në protesta, për të kundërshtuar prishjen e godinës, e ndërtuar që në vitin 1940, në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë. Edhe një demonstrim spontan, ku morën pjesë liderë të opozitës, u shpërnda brutalisht.

25 MAJI 1945… U BANE 75 VJET… EDHE “RILINDJA” BANI 7 VJET… – Nga Fritz RADOVANI

Janarit të 1945, kur Kuvendin e Françeskanve të Shkodres e vizituen terroristët e njohun komunistë Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, të dy kerkuene nga Provinçiali At Mati Prennushi shkëputjen e Kishës Katolike nga Vatikani dhe, të dy morën të njajtën pergjegje: “Françeskanët nuk do të perzihen në politikë dhe, as nuk do të pranojnë me disktue premjen e marrdhanjeve me Vatikanin, mbasi nuk e kemi nder mend me u kthye Ortodoks si Kishat Autoçefale të Lindjes…” Po këte mendim e mbështetën edhe Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Pjeter Mëshkalla në Tiranë, si dhe të gjithë Klerikët Katolik që u perfshine në Gjenocidin e njohun komunist nga 1944 e deri në 1991.

Kur Don Ndre Zadeja u takue me kolonelin anglez Neel, në Shtator 1944 i pat kerkue: “Theksova nevojën që Populli Shqiptar, i vorfen e me armiq shekullor që janë sllavi, bullgari, greku, Italia, ka nevojë për nji mbrojtje nga Fuqitë e hueja…” Prokurori Sotir Dodona, shenon: “Këtu nuk ka bërë tjeter veç detyrën e kollonës së pestë dhe ka treguar një urrejtje për frontin N.Çl.” (Dosja 677).

Marrja e frenave të shtetit Shqiptar nga Jugosllavët në 29 nandor 1944, me aprovimin e vullnetin e plotë të Partisë Komuniste Shqiptare, e drejtueme nga tradhtari dhe terroristi Enver Hoxha me shokët e vet, veprimi i parë që ata kanë zbatue nga porositë e Titos, ishte “premja e mardhanjeve diplomatike të shtetit Shqiptar me Vatikanin, me 25 Maji 1945, dhe nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik të Vatikanit nga Shqipnia e Imzot Leone G.B. Nigris.” Në 25 Maji 1945 Delegati Apostolik Imz. Leone G.B. Nigris, kur u largue perfundimisht  nga Shqipnia me urdhen të Enver Hoxhës, Ai la në vendin e Tij Imz. Frano Pjeter Gjinin, si Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, i cili ka deklarue: “Unë nuk do t’a ndajë kurr grigjen teme nga Selia e Shejtë!” (1945). Prandej u pushkatue.

Mosnjohja e Regjentit Imz. Frano Gjini nga qeveria e Tiranës, lidhja e saj me qeverinë komuniste jugosllave, vrasja e Malësorëve të Veriut dhe të Mirditës, per mospajtim me okupacionin e Shqipnisë nga Jugosllavia e Titos, vazhdimsia antikombtare e politikës së PKSh që në formimin e saj me 8 nandor 1941, e detyrojnë Imz. Gjinin me ba hapin e Tij të randsishem, per me ia  evitue mundsinë e Enver Hoxhës me akuzue Klerin Katolik,  per këte Ai Urdhnoi: “Mos implikimi i çdo Kleriku, kushdo kjoftë, me asnji çeshtje politike, pra ndalimin e plotë të marrjes me politikë. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundershtueshëm.”(Origjinali i dokumentit ruhet në Arkiv.)

Imzot Frano Gjini e At Mati Prennushi arrestohen me 15 Nandor 1946, torturohet dhe mbasi nuk pranon asnjë akuze dhe shpifje, pushkatohen me 11 Mars 1948.

Duket sikur perpjekjet e Tiranës “kuqe” per shkëputje nga Vatikani vazhdojnë deri në korrik 1951, kur pjesa e mbetun e Klerit Katolik “aprovoi” “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”. Po, Klerikët që nuk e nenshkruen atë Statut u pushkatuen ose u zhdukën me të tjera mjete nga sigurimi i shtetit, tue u urdhnue direkt nga Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha,  që edhe ajo urdhnonte nga karrigat e Kuvendi Popullor… Arrestimet e Don Ndre Lufit, At Majan Prelës e pushkatimi i Don Ejëll Kovaçit e Don Dedë Malaj, janë fakte të pakundershtueshme të perpjekjeve të PPSh, per shkëputje nga Vatikani.

Demostratat e 11 e 14 Janar 1990, ku në Shkoder mendohet me u rrezue busti i Stalinit… Bahen arrestime. Me 2 Korrik hapet ambasadat… Demostrata në Shkoder me arkivolin e Pllumb Pllumbaj i vramë në kufi… Me 11 Nandor 1990, Don Simon Jubani thotë Meshen e parë në Rrëmaji mbas 1967…Mbas heqjes në Shkoder të bustit E. Hoxhës me 13 Dhjetor 1990, në 20 Shkurt 1991 hiqet shtatoria në Tiranë. Janar 1991 formohet BSPSH në Shkoder nga i nderuemi Ferdinand Temali… Ushton Kavaja, Durrësi e Tirana…

Rinia Shqiptare brohoritë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”

20 Mars 1991, vjen per vizitë private Zv/Ministri Claudio Celi, pergjegjës per mardhanje të Vatikanit në KSBE, dhe me rasen e vizitës së Tij në Shkoder, jemi takue në Turizmin e Shkodres, ku kemi shkembye mendime per lidhjet e ardhëshme me Vatikanin.

22 Gusht 1992, Papa Gjon Pali II ban Apelin e sigurimit Paqës në Ballkan…

2 Dhjetor 1992, Shqipnia bahet antare e “Konferencës Islamike”…

Prill 1993, Paraqet letrat kredenciale pranë Selisë Shenjte Ambasadori Villy Kamsi.
25 Prill 1993, PAPA GJON PALI II, viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit…

21 Shtator 2014, Papa Françesku, viziton Tiranën në pragun e “rilindjes komuniste”…

U bane shtatë vjetë që “Rilindja” e Tiranës nuk gjenë asnjë “Katolik” të bamë synet, me e dergue Ambasador në Vatikan… Mos ndoshta, “ngerrçi” i para 75 vjetëve, që në 1945 na nxori nga Europa per 50 vjetë, dhe na ka marrakotë…e janë ba 25 vjetë të tjera që “Shqiptarët” nuk gjejnë ende çelsat e “Dyerve të Europës”…

Po, rrijnë tue shikue “hanën”, Serbinë, Grekun, Turqinë, e “Ballkanin Perëndimor”, që autorët e “Rilindjes komuniste”, e kerkojnë nder themelet e teatrove të vjetra…

***
Mirënjohja e Vatikanit per Gjergj Kastriotin asht kenë dhe mbetet e përjetshme!

Të gjithë Papët e Romës e mbështetën Prijsin e Shqiptarëve Gjergj Kastrioti, si Mbrojtës i Krishtenimit Europjan, Lirisë së Atdheut të vet dhe, Luftar i vendosun per identitetin e Shqiptarëve me frymen kulturës përparimtare të Europës Përendimore.

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu – i la Popullit Shqiptar: Shtetin e Lirë Shqiptar, Flamurin, Unitetin e Gjuhës, Trojeve dhe të Fesë, si dhe Identitetin Europjan Perëndimor.

Per këta sot flasin: Flamuri ynë me Shqipen Dykrenare dhe Perkrenaria e Shpata e Tij.

Shqiptarë! Rrugët tjera ju çojnë në malet e Kaukazit dhe t’ Uralit!..

            Melbourne, 25 Maji 2020.

Propozimi amerikan më ’45: Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën, pretendimet greke të ekzagjeruara, Italia të kthejë Sazanin – Nga Armand Plaka

“Shqipëria të marrë pjesë nga Jugosllavia e Jugut me popullsi shqiptare dhe ta kompensojë atë mundësisht me Shkodrën e  rrethinat në Veri. Pretendimet greke duhen trajtuar me vëmendje, megjithëse janë të ekzagjeruara. Italianët t’i japin Sazanin Shqipërisë”.

Kështu apo pak a shumë kështu, në mënyrë të përmbledhur ishte ajo çka Departamenti Amerikan i Shtetit, në fillimvitin 1945, e përshkruante si pikëpamjen e vet mbi rregullimin territorial të Pasluftës për Shqipërinë.

Pikëpamja në fjalë në fakt gjente një shtrirje më të gjerë, duke skicuar në këtë kontekst edhe të ardhmen e rajonit të Ballkanit e atë të Europës Lindore, e përcaktur kësisoj edhe disa korrektura “të nevojshme” në lidhje me të ardhmen e kufinjve të Bullgarisë, Greqisë, Jugosllavisë, por edhe të Qipros, Turqisë, Rumanisë, Italisë etj.

Situata për Aleatët tashmë dukej tejet pozitive dhe fitorja përfundimtare ishte vetëm çështje kohe e formaliteti. Ajo çka duket interesante, është fakti se për herë të parë kjo mund të shihet pas kaq shumë viteve, si një pikëpamje e shfaqur në mënyrë eksplicite – edhe pse jo në kufinjtë e qëndrimit zyrtar – mbi të ardhmen e kufinjve të Shqipërisë e rajonit.

Kufinjtë shqiptarë, vëmendje themelore

Nëse zhvendosemi në kohë, kuptojmë se këto përçapje për rregullim “të drejtë” të kufinjve, vinin pikërisht në kohën kur fuqitë e mëdha po shkonin drejt dy konferencave që vulosën “de facto” për një kohëzgjatje të konsiderueshme, fatin e shumë kombeve e shteteve të kontinentit.

Pjesa ku flitet për Shqipërinë, duket se përbën edhe thelbin e mendimeve amerikane për të ardhmen e rajonit të trazuar. Materiali që ne kemi shkëputur për botim në DITA, është marrë nga një gazetë australiane (“The Mercury”, 2 janar 1945, fq. 4), e cila në fakt i referohej raporteve të një korrespondenti shumë të njohur të kohës së vet, ikonë e gazetarisë botërore – Cyrus Sulzberger, asokohe i angazhuar për prestigjozen amerikane “New York Times” – me raportimet nga fronti aleat, me qendër në Kajro.

Nga materiali në fjalë, kuptojmë se tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kristalizuar një program për rregullimin e kufinjve të Europës Lindore, duke përfshirë shkëputje territoresh në favor të Greqisë, ku njëra prej tyre duhej të ishte dhe Qiproja, e cila pas Luftës duhej t’i kalonte kësaj të fundit, duke u shkëputur nga kolonizimi britanik.

Përsa i përket pretendimeve greke mbi kufirin shqiptar të jugut, Departamenti i Shtetit, sipas Sulzberger, i shihte ato si “disi të ekzagjeruara”, megjithëse atyre i duhej kushtuar vëmendje dhe se e nevojshme, jo vetëm në marrëdhënie me Shqipërinë, por edhe me Bullgarinë e Jugosllavinë, bëhej kësisoj vetëm një korrekturë e pjesshme e tyre.

Nga plani s’preket vetëm Turqia

Liderët aleatë gjatë Konferencës së Jaltës, shkurt 1945

Liderët aleatë gjatë Konferencës së Jaltës, shkurt 1945

Po ashtu, sipas Departametit të Shtetit, duheshin siguruar të drejtat e Bullgarisë e të Jugosllavisë për të pasur akses në portin grek të Selanikut. Jugosllavia duhej të merrte nga Italia dhe Austria rajonin e Fiumes e të Zarës, pra ishujt jashtë brigjeve kroate dmth. jugosllave, ndërsa kufinjë e saj të Paraluftës me Hungarinë, Austrinë dhe Rumaninë, thuhej se duhet të mbeteshin ato që kishin qenë.

Më tej në raport thuhej se: Rumania duhet t’i japë Besarabinë dmth. Moldavinë Rusisë dhe jugun e rajonit të Dobruxhës, Bullgarisë, duke u kompensuar me rikthimin e të gjithë rajonit verior të Transilvanisë që do i merret Hungarisë, përveç një copëze të vogël që do vijojë t’i mbetet Hungarisë në rajonin rreth Aradit.

Dukej qartazi se nga ky plan mbeste pa u prekur pra vetëm Turqia, e cila nga fundi i Luftës shihej tashmë si aleate e frontit antinazist dhe që edhe gjatë Luftës nuk kishte vuajtur nga “shkëputje territoresh”, apo pushtim si pak vende europiane në atë kohë, duke ruajtur “pro forma” neutralitetin.

Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën

Për Shqipërinë, në mënyrë të veçantë e të nënvizuar thuhet se: duhet të jetë një shtet sovran dhe duhet t’i jepen pjesë nga Jugu i Jugosllavisë, me një kompensim në formën e shkëputjes së një pjese të territoreve veriore të saj, duke përfshirë mundësisht Shkodrën, që duhet t’i shkojnë Jugosllavisë. Ndërkohë, Italia duhet t’i dorëzojë shqiptarëve, ishullin e Sazanit në Gjirin e Vlorës.

Në raport fillimisht theksohet se pikëpamjet e zyrtarëve amerikanë kanë si synim vendosjen e parakushteve bazë për arritjen e paqes në një rajon të trazuar. Plani përbante tri objektiva: i pari paraqet një rishikim apo një rirregullim të kufinjve në bazë të negociatave direkte të shteteve të përfshira. Objektivi i dytë synonte sponzorizimin e idesë së bashkëpunmimit rajonal.

I treti thuhej se dëshiron të inkurajojë rehabilitimin ekonomik të vendeve të Ballkanit, pasi ata të kenë zgjedhur lirisht qeveri të dala nga vota popullore. Kjo politikë, sipas Sulzberger, duket të jetë shumë më pozitive se sa ajo aktuale.

Planet amerikane, skica “jozyrtare”

Në artikull theksohet se: “megjithëse pikëpamjet e Departamentit të Shtetit janë skicuar në një bazë specifike, në dukje nuk shihet ndonjë këmbëngulje për t’i zbatuar ato domosdoshmërisht në terren”, çka i jepte këtij raporti të drejtën për t’a trajtuar atë thjesht si një pikëpamje jozyrtare, i cili në fakt do të zinte vend pjesërisht në formësimin e Europës së Pasluftës, pas Konferencave të Jaltës ( shkurt 1945) e asaj të Potsdamit (korrik 1945).

Më tej, në raport thuhet se: Shetet e Bashkuara mendojnë se grekët duhet të lejohen të zgjedhin në mënyrë demokratike formën e regjimit, duke votuar mes monarkisë e republikës. Departamenti i Shtetit aprovon shkëputjen e ishujve dodekanezë nga Italia në favor të Greqisë, përveç Castellorizzo-s, i cili duhet t’i shkojë Turqisë. Qipro gjithashtu i duhet dhënë Greqisë.

Në kohën për të cilën po flasim, në Shqipëri kishte filluar punën ajo që njihej si “qeveria demokratike e Tiranës”, megjithëse akoma nuk ishte njohur zyrtarisht as nga SHBA, as nga Britania e Madhe e as nga BRSS. Nga ajo çka tregojnë raportet e mëvonshme, rezulton se paradoksalisht, pikërisht SHBA ishin një hap para BRSS dhe Britanisë së Madhe në njohjen e qeverisë komuniste të Tiranës, duke rekomanduar njohjen kundrejt refuzimit që vinte akoma nga Moska dhe Londra, të cilat do ta bënin këtë përgjatë harkut të dy viteve në vijim.

Çurçilli dhe Stalini:  Europa të ndahet, Amerikën nuk e pyesim!

Konferenca e Jaltës, mbajtur në gadishullin e Krimesë në ish-Bashkimin Sovjetik,  në datat 4 deri më 11 shkurt 1945,  ishte një takim diplomatik i tre krerëve aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i dyti në radhën e atyre që njihen si tri konferencat e mëdha aleate, duke pasuar atë të Teheranit ( 28 nëntor-1 dhjetor 1943) e paraprirë atë të Potsdamit (17 korrik-2 gusht 1945).

Në të morën pjesë tri liderët kryesorë të frontit aleat; Franklin D. Roosevelt (SHBA), Winston Churchill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif V. Stalin (ish-Bashkimi Sovjetik). Stalini këmbënguli pikërisht në këtë konferencë, që ndër të të tjera, i gjithë rajoni i Ballkanit, ashtu sikurse vendet Balltike e ato të Europës Lindore (përfshirë këtu fillimisht madje edhe Italinë) duhej të përbënin një unazë sigurie për interesat e Bashkimit Sovjetik, duke formuar një rreth vendesh satelite që do të mbronin kufinjtë e tij.

Dëshirave të tij, dy liderët perëndimorë, i shkuan prapa vetëm pjesërisht. Interesant është fakti se sferat e influencës në Europën Lindore ishin vulosur mes Stalinit dhe Çurçillit “de facto” qysh në Konferencën e Moskës, në tetor 1944, në mënyrë informale, duke anashkaluar pikëpamjet e Francës e sidomos ato të SHBA. Për Shqipërinë aty nuk flitej thuajse fare dhe ajo konsiderohej si pjesë e fatit të Jugosllavisë, e cila në atë letër ishte përcaktuar si e ndarë 50% me 50%, sipas interesave të “të mëdhenjve”.

Pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë u shfaqën me forcë sidomos gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946). Përveç argumentave të vjetra rreth Vorio Epirit, Greqia e cilësonte Shqipërinë si pjesë të agresionit ndaj vendit të saj në vitin 1940, kur nisi konflikti italo-grek. Ato u kundërshtuan forcërisht nga kreu i delegacionit shqiptar, ish-Kryeministri Enver Hoxha. Kundrejt tyre, Shqipëria do të mundohej të vinte në pah kontributet e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist dhe krimet e bandave të Napoleon Zervasit kundër popullsisë çame, gjë e cila do të tolerohej nga fuqitë aleate, megjithëse për këtë çështje konferenca autorizoi ngritjen e një komisioni ndërkombëtar.

Ky komision nuk do ta zgjidhte dot këtë çështje, pikësëpari, për shkak të orientimit prolindor të qeverisë së Tiranës, por edhe këmbënguljes britanike në krah të qeverisë greke në kontekstin e luftës civile që po zhvillohej asokohe në Greqi./dita

VIDEO: Filmimi i rrallë i varrimit të regjentit Fuad Dibra në Tiranën e shkurtit 1944, ku shfaqen drejtuesit e shtetit shqiptar nën pushtimin gjerman

Marenglen Kasmi

Një video e rrallë e ceremonisë së varrimit të regjentit Fuad Dibra, i cili ndërroi jetë më 22 shkurt 1944 në Tiranë është ripublikuar sot nga DITA.

Ky filmim, i nxjerrë nga arkivi gjerman i filmit në Berlin, është një sekuencë e shkurtër e një dokumentari javor informues që përgatitej dhe shfaqej në kinema për popullin gjerman.

Në këtë dokumentar jepeshin lajme nga të gjitha frontet e luftës.

Kjo video është interesante jo vetëm se ilustron ceremoninë e varrimit të një prej regjentëve shqiptarë por, po ashtu, është një nga filmimet e rralla të drejtuesve të shtetit shqiptar nën pushtimin gjerman.

Siç shikohet në video, fjalën e rastit e mbajti regjenti Mehdi Frashëri, i shoqëruar nga kryeministri Rexhep Mitrovica, ministri i jashtëm Bahri Omari etj.

Madje, Bahri Omari e ka dorën e majtë të lidhur, si pasojë e një plage të marrë nga një atentat ndaj tij në fund të muajit janar 1944.

 

Zbulohen dokumentet- Si dhe kush e prishi kishën e Vaut të Dejës e shekullit të XIII, denoncimi nga legjenda e Institutit të Monumenteve dhe vendimi i Prokurorisë

Historia e panjohur e prishjes dhe shkatërrimit të Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës në fillimin e qershorit të vitit 1969, i cili ishte një objekt kulti me vlera të rralla për trashëgiminë kulturore shqiptare, pasi ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe konsiderohej si një nga të vetmet ndërtime të mbetur ende në këmbë që nga periudha e para pushtimit turk, çka e bënte atë unik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan si i tillë, ishte futur e përfshirë edhe në katalogët e revistat europiane të trashëgimisë kulturore.

Si reagoi drejtori dhe njëkohësisht themeluesi e legjenda e Institutit të Monumenteve të Kulturës, arkitekti i njohur Gani Strazimiri, (i diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), duke denoncuar në Prokurorinë e Shkodrës dhe Prokurorinë e Përgjithshme, të gjithë autorët e atij akti vandal, si drejtorin e kantierit të ndërtimit, Muhedin Muço, brigadierin, Hashim Zyberi (“Hero i Punës Socialiste”), drejtorin e Ndërrmarjes Shtetërore të Ndërtimit të Hidrocentralit, Emin Musliu, etj., duke i konsideruar ata si fajtorët kryesorë dhe duke kërkuar nxjerrjen e tyre para gjyqit për krimin që kishin bërë, si dhe pushimin e çështjes penale disa muaj më vonë nga Prokuroria e cila doli në konkluzionin se: “drejtori i kantierit të ndërtimit, nuk e dinte se ajo kishë ishte monument kulture, pasi nuk e kishte parë tabelën në derën e saj, ku thuhej se ajo mbrohej nga shteti”?!

Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjysmë shekulli nga prishja dhe shkatërrimi i Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe ishte i vetmi objekt kulti që mbahej në këmbë nga ato që i përkisnin periudhës së para pushtimit turk, madje duke u konsideruar si një nga objektet e trashëgimisë kulturore me vlera të rralla dhe unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ende dhe sot e kësaj dite vazhdon të diskutohet dhe të përflitet, jo vetëm për rëndësinë e madhe që kishte ai objekt që mbrohej nga shteti si Monument Kulture, por edhe për mënyrën se si e prishën dhe kush ishin ata që urdhëruan shkatërrimin e saj?! Që prej atij fillim qershori të vitit 1969, kur atij objekti të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare që ishte futur edhe në katalogët e revistat e ndryshme europiane, i doli “tymi i zi”, kanë qarkulluar e vazhdojnë ende gojdhëna dhe dëshmi nga më të ndryshmet, duke mos “rakorduar” kurrë në një emër konkret, si për autorin e vërtetë të shkatërrimit të saj dhe ata që u fshehën pas tij…?!

Kjo ngjarje që është konsideruar me të drejtë nga shumë personalitete të trashëgimisë kulturore, studiues të ndryshëm, etj., si një nga vandalizmat më të mëdha të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në “aksionin e madh për luftën kundra besimeve fetare” që çoi në shaktërrimin e rrënimin e dhjetëra objekteve të kultit me vlera të mëdha kulturore. Lidhur me këtë ngjarje të pashoqe, që atë ditë kur sapo u mësua lajmi, apo më saktë “mënxyra”, se ajo nuk ekzistonte më, drejtori dhe njëkohësisht themeluesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, arkitekti i njohur, Gani Strazimiri, (i shkolluar dhe diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), i njohur ndryshe si “legjenda e monumenteve të kulturës”, bëri denoncimin në prokurori dhe hodhi shtetin në gjyq. Dhe pas një kalvari të gjatë të tij, duke trokitur në zyrat më të larta të shtetit komunist të asaj kohe, ku ai bëri denoncime me emra konkret për autorët e asaj maskare, si dhe me letra, telegrame, raporte, informacione, etj., ajo çështje u mbyll nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentin më banal të mundshëm, se: “drejtori i kantierit që urdhëroi shkatërrimin e asaj kishe, nuk e dinte se ajo ishte monument kulture, pasi nuk e pa tabellën që ishte te dera e saj”?!

Lidhur me këtë ngjarje dhe gjithë historinë e shkatërrimit të atij objekti kulti që tashmë ka mbetur vetëm në memorien e atyre njerëzve që kanë pasur rastin dhe fatin ta shohin nga afër, apo në disa imazheve filmike e fotove të rralla, na njohin disa dokumente arkivore që Memorie.al i ka siguruar nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku dëshmohet qartë dhe saktë, “fytyra” e vërtetë e atij regjimi, që edhe pse mori vendimin për prishjen e asaj kishe, s’pati kurajo t’i dilte zot atij veprimi, por u fsheh pas disa punëtorësh e drejtues të një kantieri ndërtimi që punonin në ngritjen Hidrocentralit të Vaut të Dejës, duke thënë se: “ata e prishën me iniciativë në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare”?!

Telegrami urgjent i Institutit të Monumenteve, drejtuar Prokurorisë së Shkodrës, ku denoncon prishjen e Kishës së Vaut të Dejës
11. 6. 1969

Tiranë
Prokurorisë Shkodër, për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë
Informohemi se është hedhur në erë me mina Kisha e shekullit të XIII-të e Vaut të Dejës që mbrohet me ligj nga shteti. Lutemi të bëni ndjekje ligjore.

Instituti i Monumenteve
Proces-verbali për prishjen e kishës, i mbajtur nga përfaqësuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës

PROCES – VERBAL
I mbajtur sot më datën 12/6/1969 në Shkodër nga inspektori i seksionit të arsimit dhe kulturës të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër, Agim Kodraliu edhe përfaqësuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Miltiadh Papa mbi shkatërrimin e kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila është shpallur monument kulture.

Rreth datës 30/5/1969 (data ekzakt nuk u vërtetua) kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabella e monumentve të kulturës, u hodh në erë me dinamit. Mbasi u takuam me drejtorin e N.SH.N. Hidroelektro, të Vaut të Dejës, dhe sekretarin e Komitetit të Partisë së Ndërrmarjes, na u tha në fillim se punëtorët me inisiativën e tyre, për të zhdukur influencën e fesë, shkatërruan monumentin. Patsaj drejtori na tha se kishte dijeni për shkatërrimin e tij dhe ky veprim i dukej krejt normal.

Sot kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës është krejtësisht e shkatërruar dhe përveç grumbullit të gurëve nuk ruhet asnjë gjurmë tjetër.

Përfaqësuesi i Instit. Mon. Kult.
(Miltjadh Papa)

Inspektori i Arsimit dhe të Kult. Pranë K.E. K.P. Shkodër
(Agim Kodraliu)

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS
Vërtetohet se është njësoj me origjinalin

KRYETARI I DEGËS SË PLAN-ADMINISTRATËS
P(Nikolla Leshnja)

Letra e Drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gani Strazimiri, për Prokurorinë e Shkodrës, ku denoncon autorët e prishjes së kishës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS Tiranë, 16/6/1969
PROKURORISË SË RRETHIT

SHKODËR

PROKURORISË TIRANË

Në vijim të telegramit tonë Nr.5/13 datë 11/6/1969, ju sqarojmë rrethanat që kosntatuam rreth shkatërrimit të Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila është shpallur momunent kulture.

Siç do të shifet dhe në proces-verbalin, të cilin u’a dërgojmë bashkangjitur, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës u shkatërrua plotësisht me lëndë eksplozive, bashkë me kishën e madhe pranë saj, e cila nuk ishte monument kulture, por ishte adaptuar për kino-klub.

Në portën e kishës së shpallur monument kulture ishte vendosur tabela përkatëse dhe dihej prej të gjithëve se ishte vënë nën mbrojtjen shtetërore. Edhe mbas studimit që i’u bë të gjithë monumenteve fetare nga një komision i ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe seleksionimit të tyre, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës kishte mbetur përsëri monument. Lista përfundimtare e monumenteve fetare i’u dërgua Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës me shkresën e Ministrisë së Arësimit dhe Kulturës Nr.68/7 Prot. Datë 30/5/1969, por Kisha e Vaut të Dejës ka qenë shpallur qysh përpara monument dhe asnjëherë nuk u bë fjalë për heqjen e saj nga mbrojtja shtetërore, kështu që nuk kishte vënd të lindëte ndonjë keqkuptim në këtë drejtim.

Pasi muarrëm vesh për shkatërrimin e monumentit dërguam përfaqësuesin tonë për të verfikuar këtë fakt në vënd dhe u takua me drejtorin e N.SH.N. Hidroelektrike të Vaut të Dejës shokun Emin Musliu, i cili megjithëse ishte në dijeni të plotë për veprimin që do të kryhej, në fillim pretendonte se monumenti u hodh në erë me inisiativën e punëtorëve, në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare, por nga biseda e mëtjejëshme u nënkuptua se ai ishte shkakëtari kryesor i asgjesimit të këtij monumenti, përderisa u shpreh se “edhe po të ketë monumente të tjera fetare në territorin e hidrocentralit, do t’i shkatërrojmë”. Pretendimi se punëtorët, pa dijeninë e drejtorisë hodhën në erë monumentin, na duket krejtësisht pa baza, mbasi nuk mund të përdoret lëndë eksplozive nga kushdoqoftë, aq më tepër në territorin e Vaut të Dejës që është populluar dëndur.

Monumenti u shkatërrua jo pse ishte e domosdoshëme për ndërtimin e hidrocentralit, fakt që nuk u mohua nga drejtuesit e tij, por edhe sikur të pranohet për një moment ky variant, duhej vepruar konform rregullores “Mbi ruajtjen e monumenteve të kulturës”, aprovuar me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 130. Datë 9/4/1955.

Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës ishte një monument me rëndësi të madhe arkitekturale dhe artistike, i ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe i vetmi i stilit romak që ruhej në vëndin tonë, për këtë arsye shkatërrimi i tij solli një humbje të madhe trashëgimisë të së kaluarës në fushën e kulturës materiale.

Mendojmë në përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin e këtij monumenti të rëndësishëm e ka drejtori i N.SH.N. Hidroelektro të Vaut të Dejës, shoku Emin Musliu dhe kërkojmë që të bëhen ndjekje penale në bazë të paragrafit të dytë të nenit 265 të kodit penal. Theksojmë se ky nuk është i vetmi rast i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës, prandaj dënimi do të ketë efekt për mbrotjen e monumenteve të tjera në të ardhmen.

DREJTORI
(Gani Strazimiri)

Ankesa e Gani Strazimirit në Prokurorinë e Përgjithshme, për pushimin e çështjes penale nga Prokuroria e Shkodrës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS

Nr. 5/25 Prot. Tiranë më 30/8/1969

PROKURORISË SË PËRGJITHËSHME

TIRANË

Prokuroria e rrethit të Shkodrës me shkresën Nr. 192/3 Prot. Datë 15/8/1969 na dërgon vendimin për pushimin e çështjes penale lidhur me denoncimin tonë të bërë me telegramin e datës 11/VI/1969 dhe me shkresën e Prot. Datë 16/6/1969 për shkatërrimin e Monumentit të Kulturës, kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Ne nuk jemi dakort me këtë vendim për këto arsye:

Vendimi për pushimin e çështjes penale që bazohet në nenin e K.Pr.P. nuk është i argumentuar dhe ka kontradikta në vehtëvete. Më gjerë në fillim për-shkruhen rrethanat mbi shkatërrimin e monumentit, pranohet fakti se drejtori i kantierit të Qyrsaqit Muhedin Muçua dha urdhër për këtë gjë, në fund me një arsyetim pa baza duke aplikuar pa vënd nenin 98/5, shkarkohet ai nga përgjegjësia penale. Në rastin konkret veprimet e kundraligjëshme të Muhedin Muços, ose ndonjë personi tjetër, përmbajnë përafërsisht element të figurës së krimit të parashikuar nga neni 265/2 i Kodit Penal.
Hetimi i çështjes nuk është i plotë, për arsye se, ne mendojmë se fajtori kryesor për shkatërrimin e monumentit është drejtori i N.SH.N. të Hidro-Elektro të Vaut të Dejës, Emin Musliu, i cili as që u muarr fare në pyetje nga hetuesia. Punonjësi i Institutit tonë që u dërgua për të verifikuar në vënd çështjen e shkatërrimit të monumentit, u takua me Emin Musliun, i cili duke treguar një nënvleftësim të theksuar për monumentet e kësaj gjinije, i tha se jo vetëm që ishte në dijeni të çështjes, por edhe po të ketë monumente të tjera të tilla në territorin e hidroçentralit do t’i shkatërrojnë! Por shprehje më mospërfillëse, që kanë indinjuar tërë kolektivin e këtij Instituti, pjesërisht janë fiksuar edhe në proces-verbalin që ju kemi dërguar me rastin e denoncimit. Por edhe vetë fakti se në qëndër të kantierit të Vaut të Dejës u bënë përgatitje për të hedhur në erë një objekt me lëndë eksplozive, nuk lë asnjë dyshim se drejtuesit kryesorë të ndërrmarjes, nëse nuk e kanë urdhëruar një veprim të tillë, të paktën e kanë aprovuar. Bile mendimi ynë është se në rastin konkret nuk duhet të jetë vepruar pa dijeninë e drejtuesëve në rreth.
Megjithatë, përderisa, Muhedin Muçua merr përsipër fajin, me sa mendojmë, për të fsheur autorin kryesor të veprës, sepse siç u tha është e pamundur që drejtori i ndëqrrmarjes të mos ketë aprovuar këtë veprim. Se ai duhet të përgjigjet penalisht.

Gjithashtu, me gjithëse u zgjat tre muaj, hetimi i çështjes ka qenë i njëanëshmë, përderisa u pyetën vetëm personat që kanë kryer, ose kanë lidhje me krimin dhe as që u thirr fare në hetuesi punonjësi i Institutit Miltiadh Papa, që shkoj në vëndin e ngjarjes dhe u takua me drejtuesit kryesorë të Hidroçentralit, të cilët nuk mohuan aspak faktin, se ishin të vetëdijshëm për shkatërrimin e monumentit.

Në bazë të vendimit të hetuesisë të rrethit të Shkodrës, arsye për pushimin e çështjes penale, pranohet fakti që Muhedin Muçua nuk dinte që kisha e Shën Mërisë ishte monument kulture. Këtë konkluzion e hedh poshtë vetë arsyetimi i vendimit, gjersa pranohet se në derën e kishës ishte vendosur tabela përkatëse. Nga vendimi, del se këtë arsye nuk e dinte Muhedin Muçua vetë, i cili për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale, thotë se ai nuk ka dhënë urdhër për prishjen e kishës, gjë që përgënjeshtrohet nga deponimet e Ingj. Vangjel Paskos, teknikut, Gani Beqiri dhe brigadierit, Hazhim Zyberi.
Në fillim të punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, u interesuam dhe konstatuam se kisha e Shën Mërisë ishte jashtë territorit të punimeve dhe nuk pengonte kryerjen e tyre. Fakti se ajo ishte monument kulture, është e pamundur që të mos dihej prej punonjësve të Hidrocentralit dhe sidomos prej drejtuesëve kruesorë të punimve, siç është Muhedin Muçua. Edhe po të pranohet për një moment thënia e tij, atëherë inxhinjeri, tekniku dhe brigadieri që studiuan në vënd hedhjen e kishës në erë, të paktën kanë parë se në portën e saj ishte vendosur tabella e monumenteve të kulturës dhe këtë gjë duhet t’ja kenë thënë drejtorit të kantierit të tyre.

Para dy vjetëve me rastin që kisha e madhe, e cila nuk ka qenë monument kulture u adaptua për kino-klub, patjetër është bërë e ditur, e ndryshe pse nuk vihej dorë edhe në kishën e vogël. Gjithashtu i pabesuesdhëm është dhe pretendimi i Muhedin Muços, se nuk ka qenë kurrë në vëndin e ngjarjes, se siç u tha, kisha e madhe ngjitur me monumentin e kulturës, për një kohë të gjatë ka shërbyer si kino-klub për punëtorët dhe ai është drejtor kantieri. Megjithatë, Këshilli Popullor i fshatit Vaut të Dejës, si organ i pushtetut lokal në vënd, ka qenë rilajmëruar se kisha e Shën Mërisë është monument kulture me shkresën tonë Nr. 6/11 Prot. Datë 1/4/1966. Ju ritheksojmë se ekzistenca e tabellës në derën e monumentit është fakti kryesor që hedh poshtë pretendimin e shkatërruesëve të tij dhe arsyetimin e vendimit për pushimin e çështjes penale.

Pretendimi se kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës u shkatërrua për të zhdukur influencën e fesë tek fshatarët na duket krejt pa baza dhe për këto raste shoku Enver në raportin “Mbi rolin dhe detyrat e Frontit Demokratik në luftën për fitoren e plotë të socializmnit në Shqipëri”, 14/9/1967, ka thënë: “Duhet luftuar koncepti i gabuar se feja është kisha, xhamia, prifti, hoxha, ikonat etj., dhe se po u zhdukën këto, u zhduk automatikisht dhe feja e ndikimi i saj në popull”. Populli ynë është i ndërgjegjshëm dhe bën shumë mirë diferencimin midis ndërtimeve të kultit që janë shpallur monument kulture dhe institucioneve fetare. Ky dallim në mënyrë shumë të qartë dhe në praktikë në Vaun e Dejës, përderisa, para disa vjetëve nga dy kishat, ngjitur midis tyre, njëra që ishte monument kulture nuk u prek, kurse tjera u adaptua për kino-klub. Këto gjëra i kanë patur shumë të qarta, patjetër, si punëtorët, aq më tepër…/Memorie.al

La France (1943)- Deklarata e Winston Churchill në Dhomën e Komunave për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj

Sir Winston Churchill

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Maj 2020

 

“La France” ka botuar, të premten e 5 nëntorit 1943, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Winston Churchill-it për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një deklaratë e z. Churchill për Shqipërinë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në përgjigje të një pyetjeje të parashtruar nga një deputet i Dhomës së Komunave, dje, z. Churchill mbajti një fjalim në shenjë nderimi për mijëra luftëtarë shqiptarë që luftojnë në male për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.

 

Nga përvoja e të gjitha vendeve të pushtuara, tha ai, ata kanë mësuar se pavarësia e pretenduar dhe e ofruar nga Gjermania është veçse një mashtrim. Disa javë më parë, pushtimi fashist, të cilin ata refuzuan ta pranojnë për katër vjet, u zëvendësua me atë gjerman. Gjermanët përdorën të gjitha metodat e tyre të zakonshme, me të cilat ata përpiqen të nënshtrojnë të gjithë popujt luftëtarë. Ata kanë bombarduar fshatrat shqiptare, kanë vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë. Por luftëtarët shqiptarë vazhdojnë të ngacmojnë armikun dhe të sulmojnë linjat e tij të komunikimit.

 

Oficerët ndërlidhës britanikë që gjenden me luftëtarët u bëjnë një homazh të madh për cilësitë e tyre luftarake. Ne presim që shqiptarët të luajnë rolin e tyre në përputhje me traditat e tyre të lashta të luftës në ngjarjet e ardhshme ushtarake në zonën e Mesdheut.

 

“Politika e qeverisë britanike mbetet ashtu siç është përcaktuar nga Ministri i Punëve të Jashtme në deklaratën e tij të 18 dhjetorit 1942 : domethënë, ne duam ta shohim Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e fuqive të Boshtit dhe të pavarur.

 

Sigurisht, çështja e kufijve do të shqyrtohet gjatë zgjidhjes së paqes.”

 

The Times (1880)- Protesta e ulqinakëve drejtuar konsujve të Anglisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Shkodër

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Maj 2020

 

“L’Union Conservatrice” ka botuar, të enjten e 30 shtatorit 1880, në faqen n°2, shkrimin e gazetës britanike “The Times” në lidhje me shkresën e ulqinakëve drejtuar asokohe konsujve të Anglisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Shkodër, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Protesta e Ulqinakëve

 Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ja, sipas Times-it, përkthimi i mirëfilltë i protestës së banorëve të Ulqinit drejtuar konsujve :

 

Konsujve të Anglisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Shkodër.

 

Shkëlqesi, me shumë pikëllim kemi mësuar se brenda disa ditësh, flotat e fuqive evropiane do të arrijnë në ujërat e Ulqinit për të na detyruar të dorëzojmë qytetin tonë të dashur Malit të Zi.

 

Për shumë shekuj, ne, banorët e Ulqinit, kemi qëndruar nën sundimin dhe mbrojtjen e pushtetit osman, dhe do të ishte e pamundur për ne që të përshtasim zakonet, traditat, gjuhën dhe fenë tonë me ato të Malit të Zi, të cilat janë të gjitha të ndryshme dhe madje të kundërta.

 

Kjo është arsyeja pse ne jemi të vendosur me rreptësi për të zmbrapsur çdo sulm, çfarëdo qoftë ai, nga ana e Malit të Zi dhe të vuajmë asgjësimin e qytetit dhe të popullit tonë, sesa të nënshtrohemi. Përgjegjësia për gjakun që mund të derdhet në kufijtë e tij do të bjerë mbi malazezët, sepse ne nuk do të jemi shkaku.

 

Sidoqoftë, shpresojmë që rreziku i një konflikti të shmanget, pasi ne e dimë se fuqitë e mëdha nuk synojnë shkatërrimin, por mirëqenien e popujve.

 

Ne kërkojmë nga Shkëlqesia Juaj që të njoftoni qeverinë që ju përfaqësoni për vendosmërinë tonë të pakthyeshme dhe do të jemi shumë mirënjohës nëse ky komunikim nderohet me një përgjigje.

 

[Shkrimi përfundon me tridhjetë firmat e anëtarëve të komitetit për mbrojtjen e Ulqinit (me vulat e tyre bashkangjitur), plus atyre të krerëve të vullnetarëve, të pleqve të qytetit, etj.]

X – VIRUSI PYET PO KET A E DINI, KU KULLOTË KALI I SKENDERBEUT? – Nga Fritz RADOVANI

 

Ky ishte Sheshi i Monumentit Skenderbeut 1968…

 

 

Ky asht livadhi i kalit Skenderbeut 2018

Forca “Rilindja” e shkatrrimit Shqipnisë! Per ju kishim nevojë…

Vetem ju i mungojshi “mirqenjes” së Atdheut… Iku Teatri ma i vjeter në Shkoder, iku Kisha e Vaut të Dejës, Iku sheshi i Skenderbeut, iku Teatri i Tiranës…Po iken edhe gjithshka me pamje Europjane drejtë shkatrrimit perfundimtar! Kjo ishte edhe porosia e PPSh.., para se me ngordhë…

Forca tradhtarë t’ Atdheut, ashtu si po ju mëson Partia e “Rilindjes”..!

            Melbourne, 20 Maji 2020.

Gazeta franceze (1904)- Letërsia turke sapo ka pësuar një humbje shumë të madhe me vdekjen e Sami Frashërit, publicistit dhe leksikografit të shquar me origjinë shqiptare

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Maj 2020

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 26 qershorit 1904, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me vdekjen e Sami bej Frashërit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Turqi

 

Letërsia turke sapo ka pësuar një humbje shumë të madhe në personin e Shemsedin Sami Beut, publicistit dhe leksikografit të shquar, i cili vdiq këto ditë në Kostandinopojë, në moshën pesëdhjetë e katër vjeçare.

 

Me origjinë shqiptare, Sami Beu kishte marrë një arsim shumë të mirë, të cilin e kishte plotësuar me studime të forta personale. Përveç gjuhës amtare dhe turqishtes, ai e dinte mirë arabishten, persishten, greqishten e lashtë dhe modernen, si dhe më vonë frëngjishten dhe italishten.

 

Fillimet e tij në karrierën e letërsisë nisën rreth tridhjetë vite më parë. Ai ka botuar një numër të madh veprash dhe bashkëpunoi në disa gazeta dhe revista periodike në Kostandinopojë. Shkrimet e tij të të gjitha zhanreve, të një stili të qartë dhe të fuqishëm, tregojnë një mëndje të zgjuar, delikate dhe cilësore shumë e rrallë në Orient (Lindje) me vullnetin për të edukuar lexuesit.

 

Ndër veprat e tij të shumta, mund të përmendim veçanërisht fjalorin e tij frëngjisht-turqisht dhe turqisht-frëngjisht, një model në zhanrin e tij; “Kam’usul – Aalam”, enciklopedinë historike dhe gjeografike në gjashtë vëllime të mëdha; dhe, veçanërisht “Kam’usul – Turki”, fjalorin më të plotë turk deri tani në këtë gjuhë.

 

Me një natyrë të thjeshtë dhe jo shumë komunikues, Sami Beu jetonte i tërhequr në vilën e tij në Erenkeuy, në bregdetin aziatik të detit Marmara, afër Kostandinopojës, midis librave dhe fëmijëve të tij, të cilët i donte gjithashtu. A. LEVAL

 

Korrespondenca politike e Vjenës (1881): “Abdyl Frashëri u arrestua në hyrje të Durrësit, si shkoi deri aty dhe çfarë i gjetën me vete?”

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Maj 2020

 

“Le Temps” ka botuar, të premten e 27 majit 1881, në faqen n°2, shkrimin e Korrespondencës politike të Vjenës në lidhje asokohe me arrestimin asokohe e Abdyl Frashërit në hyrje të Durrësit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Turqi

 

Tani që është nënshkruar marrëveshja për kufirin grek, z. Goschen do të lërë postin e tij Lordit Dufferin. Një shkresë nga Kostandinopoja njofton pikërisht sot largimin e tij.

 

Lajmërohet nga Kostandinopoja, më 24 maj, se ka filluar marrja në pyetje e Midhat Pashës (Ish-kryeministrit të perandorisë osmane dhe guvernatorit të Sirisë në atë moment).

 

Dervish Pasha (komandant në ushtrinë osmane) arrestoi me sukses një numër të caktuar udhëheqësish shqiptarë (ndër të cilët Hodo bej Sokolin dhe Preng Bib Dodën), të cilët do të sillen para një gjykate (këshilli) lufte, ai që u burgos së fundmi quhet Abdyl-Bej, për të cilin Korrespondenca politike e Vjenës jep detajet e mëposhtme :

 

Ky Abdyl Beu është i njëjti njeri që, si i dërguar jozyrtar i Portës dhe i shoqëruar nga dy zyrtarë të tjerë shqiptarë, vizitoi Evropën për t’u ekspozuar fuqive rreziqet që do të lindnin në rast të një ndërhyrje në favor të Greqisë.

 

Ai sapo ishte ngarkuar të paraqiste (dërgonte) edhe një herë një peticion te kabinetet evropiane duke i lutur ato që të mbështesnin çështjen e shqiptarëve pranë Portës së Lartë.

 

I detyruar të kapërcente territorin e pushtuar nga trupat e Dervish Pashës, me qëllim arritjen pranë një porti, ai u maskua dhe arriti në fakt pa pengesa në Durrës. Por në momentin kur ai tentoi të futej në qytet, e njohën dhe e arrestuan.

 

Ai u kap me disa dokumente të rëndësishme që thuhet se komprometojnë seriozisht disa figura të larta turke.

 

VIRUSI PYET PO KET A E DINI, A PO KNAQENI ME “RILINDJEN”? – Nga Fritz RADOVANI

 

I  SHKRETI… KUSH  I  SHKRETI ? – I SHKRETI POPULL…

Pse i shkreti Popull? – Prap me fillue me “Rilindë” partizanët e maleve?!

Jo, ore jo! Ata të maleve iken… Tashti provoni këta të territ t’ bregdetit!

Po, tek këta të Durrësit nuk shihet asnjë shenjë ditet as dritet more…?!

Prit ore, se asht heret… Ata që iken ka 76 vjetë që thonin se po del drita e, drita nuk ishte askund! Kujtoni ju se del drita edhe naten? – Jo, jo…  

A e dini ju zotnijë se Rusia ka 103 vjetë që pret driten, e Rusia prap terr!.. Ka disa prej atyne që flasin per “Rilindjen” dhe janë shumë të mendshem madje, ma të squet se ata që na i dolen zot si “magjypi dinit” kësaj idesë “Rilindjes”, thotë ky “Marxi” i rij… Po, ky kaq i shkathët tue kenë, ku kje kur Everit i pat fluturue mendja, e nuk dinte me shkue as në banjo more? E shkreta… – Boll ma i shkreti ! – Jo, jo e shkreta Nexhi more, iu donte me la frigoriferin nga 8 a 10 herë në ditë, pa le naten, që i ndezej drita asaj me shtupa në dorë, Everi shkonte shpeshë në frigorifer, nga diabeti, e i shkreti…– Prap ti i shkreti? – Lene bre se m’ asht mësue goja, 76 vjet…

A di shka do me thanë 76 vjetë jo natë, po mesnatë… Delte heret pa dalë drita… E vinte mbasi errej nata! Ecte tue u mbajtë per Sulon, e nuk dinte as ku ia vente doren atij, Everi i shkretë… – Boll ma, i shkreti Ever!..

Ashtu n’ terr as unë, nuk e kuptoj si i numronte napolonat florij? – Kur?

Kur merrte rrogen e shoqja… Ajo donte napolona, se pareve shqiptare, na thonte “i vjen era peshk”… – E shkreta! – Prap ti e shkreta… A sheh ti, paska kohë që ata na e paskan ndijë eren e “Rilindjes”, me erë peshkut…  – Po pse, ky që formoi “Rilindjen”, Everi thonte se asht peshk? – Jo, jo… Ky noton si peshk… Hidhet si peshk… E fergohet si peshk… I pelqen me u zgjue heret me shkatrrue ata Europjanet, shkon shpesh edhe në Turqi…

I shkreti! – Edhe ky “i shkreti”? – Ky asht “dy herë i shkreti”! Një herë se e ka koken e madhe, e një herë tjeter, se “naten i ven virusin e Everit per me shkatrrue”…kur asht terr “dyrnjaja”.., thonë “vëllezërit e gjakut”… As n’ Ballkan Perendimor e, as n’ Athinë, ky nuk flenë si në Stamboll…

Ka pas thanë Zef Mala “i shkreti”: “Rrij e vrojtoj deren, kur po hyn e më merr Populli, e bashkë me ty o Ever, me na varë per shka i kemi ba!..”

            Melbourne, 18 Maji 2020.

Abdyl Frasheri – Giuseppe Garibaldit: Gjeneral, ju mund te keni te drejte, por ne jemi epirote, dhe per momentin armiku yne i menjehershem eshte Greqia…”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Maj 2020

 

“La France” ka botuar, të hënën e 5 majit 1879, në faqen n°2, shkrimin e Korrespondencës politike të Vjenës në lidhje me çështjen greke si dhe takimin asokohe të Abdyl Frashërit me Guiseppe Garibaldin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Buletini i jashtëm

 

Propozimi i Waddington-it.

 

Kohët e fundit kemi folur për propozimin e Waddington-it dhe cituam Pester Lloyd-in në lidhje me lajmet për një pajtim zyrtar të Austro-Hungarisë. Korrespondenca politike e Vjenës, e 2 majit, shprehet kështu në një artikull kushtuar çështjes greke :

 

Kabineti francez duhet të dijë që një fuqi e madhe fqinje dhe miqësore dyshon për mënyrën me të cilën Franca kërkon që të zgjidhet çështja greke. Fuqia e madhe në fjalë propozon të mos e paraqesë këtë pyetje në një konferencë ambasadorësh, por të lë, përkundrazi, ambasadorët e akredituar pranë Portës së Lartë ta zgjidhin atë përmes rrugëve të zakonshme diplomatike.

 

E njëjta gazetë botoi një ditë më parë një korrespodencë nga Kostandinopoja, në të cilën thuhej se një figurë e lartë u ishte përgjigjur delegatëve shqiptarë : Ne nuk mund të bëjmë asgjë në mënyrë të hapur për ju, por nuk refuzojmë t’ju bëjmë një favor; takoni Garibaldin.

 

Korrespondenti gazetës austriake shkon më tej. Ai vazhdon në këto fjalë :

 

Heroi i Caprera-s, pasi dëgjoi dëshirat e tyre, u tha që në fillim : Ju nuk duhet të injoroni se armiku juaj më i rrezikshëm është Perandoria Austro-Hungareze. Ju duhet të ruheni dhe të jeni të përgatitur veçanërisht kundër këtij armiku.

 

Thuhet se Abdyl beu i ka kthyer këtë përgjgje : Gjeneral, ju mund të keni të drejtë, por ne jemi epirotë, dhe për momentin armiku ynë i menjëhershëm është Greqia, dhe ne ju kërkojmë të na mbroni nga orekset e saj.” — “Me gjithë dëshirë, u tha heroi. Do tu japim tridhjetë mijë pushkë që mbushen nga gryka dhe municionet e nevojshme. Vetëm ju do të angazhoheni t’i përdorni ato ditën kur do të merrni sinjalin tonë dhe kur partia ime dhe unë do t’ju thërrasim.

 

Delegatët shqiptarë premtuan gjithçka që Garibaldi dëshironte.

 

Edhe pse Avvenire d’Italia pretendon se është në gjendje të pohojë se fuqia miqësore dhe fqinje në fjalë nuk është Italia, kjo gazetë beson se marrëveshja nuk është arritur ende midis kabineteve.

 

Sa i përket Italisë, ajo nga ana e saj i kushton një artikull të madh mosmarrëveshjes turko-helene dhe sugjeron që në Prevezë, në bisedimet e fundit, është vërejtur se ka aspirata të tjera për të mbrojtur sesa ato të racës helene.

 

Çështja, siç mund të shohim, është larg e të qenit e zgjidhur.