VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

John Kerry e Angelina Jolie marrin pjesë në një program iftari

By | June 21, 2016

Komentet

Muelleri mbron hetimin ndaj Rusisë: Stone kreu krime federale

Ish-Prokurori i Posaçëm Robert Mueller mbrojti me forcë hetimin që ai ka kryer mbi lidhjet e mundshme mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës presidenciale të zotit Donald Trump gjatë vitit 2016, në një opinion të publikuar të shtunën në gazetën “Washington Post”. Ai shkruante se hetimi kishte një “rëndësisë thelbësore” si dhe pohonte se aleati i zotit Trump, Roger Stone “mbetet një shkelës ligji i dënuar”, pavarësisht vendimit të presidentit për t’i ulur atij dënimin.

Opinioni i publikuar në “Washington Post” shënon deklaratën e parë publike të zotit Mueller mbi hetimin që nga paraqitja e tij përpara Kongresit korrikun e kaluar. Ajo përfaqëson mbrojtjen e tij më të fortë të hetimit dy-vjeçar, rezultatet e së cilës janë sulmuar shpesh. Zoti Mueller tha që megjithëse ai kishte për qëllim që raporti i tij prej 448 faqesh të fliste vetë, u ndje i detyruar siç tha t’u përgjigjej “pretendimeve të gjera se hetimi ishte i paligjshëm, se motivet tona ishin të papërshtatshme si dhe pretendimeve specifike se Roger Stone ishte viktimë e zyrës sonë“. Komentet e zotit Mueller duket se i referoheshin zotit Trump, i cili jo për herë të parë të shtunën, e cilësoi hetimin “gjueti politike shtrigash dhe mashtrimi i Muellerit“.

Hetimi ndaj Rusisë kishte një rëndësi tejet të madhe. Stone u ndoq penalisht dhe u dënua sepse kreu krime federale. Ai mbetet një shkelës ligji i dënuar dhe ky ishte një vendim i drejtë“, shkruante zoti Mueller.

Në paraqitjen e tij të parë publike pas përfundimit të hetimit, zoti Mueller kishte thënë se ai shpresonte që raporti i tij të fliste vetë. Edhe gjatë dëshmisë së tij të mëvonshme përpara ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve ish-Prokurori i Posaçëm u tregua i kujdesshëm të mos shkonte përtej gjetjeve të raportit ose të ofronte prova të reja.

Por kjo qasje e rezervuar krijoi një boshllëk për të tjerët, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, për t’i vënë vulën punës së tij. Përpara publikimit të raportit, Prokurori i Përgjithshëm William Barr lëshoi një dokument përmbledhës me katër faqe, për të cilin zoti Mueller tha se, nuk kapur siç duhet peshën e gjetjeve të ekipit të tij. zëri i amerikës

Presidenti Trump ul dënimin për mikun e tij Roger Stone

Presidenti Donald Trump i telefonoi Roger Stone për ta informuar ndihmësin e tij të vjetër politik se ai do të pakësonte dënimin e tij për krime që lidhen me hetimin për Rusinë, i tha zoti Stone agjencisë Associated Press të premten, vetëm disa ditë para se ai do të duhet të paraqitet në burg.

Shtëpia e Bardhë më vonë konfirmoi uljen e dënimit në një deklaratë, duke thënë se zoti Stone ishte viktimë e hetimit “mashtrues” për Rusinë.

Masa, edhe pse nuk shkon deri në një falje të plotë, sigurisht që alarmon kritikët që prej kohësh kanë protestuar kundër ndërhyrjeve të përsëritura të presidentit në sistemin e drejtësisë së vendit.

Duke hedhur shampanjën

“Presidenti më tha se mendon se gjykimi im ishte i padrejtë,” i tha Stone agjencisë AP-së në një telefonatë nga Fort Lodërdej në Florida. Stone tha se ai shprehu mirënjohjen e tij dhe po feston me shampanjë.

Stone ishte dënuar në shkurt me tre vjet dhe katër muaj burg për deklarata të rreme në Kongres,përgjimin e dëshmitarëve dhe pengimin e hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve nëse fushata Trump bashkëpunoi me Rusinë për të fituar zgjedhjet e vitit 2016. Ai ishte caktuar të paraqitej në burg të martën. zëri i amerikës

Biden përshëndet rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi; bën thirrje për bashkërendim me evropianët

Ish-nënpresidenti amerikan Joe Biden ka përshëndetur vendimin e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një deklaratë të publikuar të premten, kandidati i pritshëm i demokratëve në zgjedhjet presidenciale thotë se ky vendim është një hap i rëndësishëm përpara në rajon.

“Një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen e ndërsjelltë, ruajtjen e sovranitetin dhe integritetit territorial të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është kritike që Kosova dhe Serbia të avancojnë përpara,” shkruan zoti Biden. Kjo zgjidhje, shprehet më tej ish-nënpresidenti amerikan, do të forconte sigurinë dhe begatinë e të dy vendeve dhe çonte përpara aspiratat e tyre për antarësim në Bashkimin Evropian dhe institucionet ndërkombëtare.

Arritja e këtij synimi, vazhdon zoti Biden, kërkon bashkëpunim transatlantik. Partneriteti mes SHBA dhe Evropës kërkon angazhimin e të gjitha palëve, si dhe përfshirjen dhe udhëheqjen e Amerikës. Ish-nënpresidenti amerikan kritikon administratën Trump se “nuk ka arritur të bashkërendojë me emisarët evropianë, të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për afro një dekadë” gjatë planifikimit të takimit të qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Megjithëse takimi u anulua, partnerët tanë evropianë dëgjuan një mesazh të qartë. Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me partnerët evropianë, jo t’u kthejnë atyre shpinën. Kjo është shpresa më e mirë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që do të hapte një të ardhme më të paqtë, më të begatë dhe evropiane për të dy vendet,” shkruan zoti Biden.

Joe Biden, i cili pritet të marrë emërimin e demokratëve si kandidat presidencial në kuvendin e partisë në gusht, shkruan se nëse zgjidhet president, “administrata ime do të punojë për paqen dhe sigurinë në Evropën juglindore dhe do të bashkëpunojë me partnerët e BE-së për ta bërë këtë ëndërr realitet”. Ai u bën thirrje udhëheqësve të dy vendeve të përqafojnë “shpirtin e kompromisit dhe ripajtimit në këto bisedime, duke ditur se kanë mbështetjen e plotë të popullit amerikan”.

Përfaqësuesi i Presidentit Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell reagoi menjëherë ndaj deklaratës duke e akuzuar zotin Biden se po e politizon procesin e dialogut mes dy vendeve. Me këtë akt, shkruan Ambasadori Grenell në një seri postimesh në Twitter, ai garanton “se asgjë nuk do të avancojë para zgjedhjeve të nëntorit dhe se populli i Kosovës dhe Serbisë do të detyrohen të presin përsëri që të mos përdoren nga politikanët”.

“Në dallim nga taktika e llafeve pa vepra e Biden-it,” shprehet më tej zoti Grenell, “administrata Trump është e përqëndruar tek hedhja e hapave të parë të rëndësishëm të normalizimit ekonomik mes dy vendeve”.

“Populli i Kosovës dhe ai i Serbisë e dinë se nuk ka krahasim mes tetë vjet premtimesh boshe të administratës Obama-Biden dhe veprave të administratës Trump”.

Zoti Grenell përmend marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor e rrugor mes dy vendeve të arritura me angazhimin amerikan si shembull se administrata Trump ka arritur “rezultate të dëshiruara prej kohësh dhe Joe Biden vetëm vazhdon e flet, ashtu siç ka bërë për 40 vjet në Uashington”. Joe Biden, shkruan më tej Ambasadori Grenell, ka qenë gabim në thuajse çdo vendim të rëndësishëm të politikës së jashtme, prandaj “nuk ka asgjë për t’u çuditur që ai përsëri ofron vetëm fjalë e premtime boshe për popullin e Kosovës e Serbisë”.

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë ishin në plan të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për bisedime me ndërmjetësimin e SHBA. Takimi u anulua pas njoftimit për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit Thaçi nga Prokurori i Specializuar në Hagë.

Ambasadori Grenell është shprehur se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa ka shprehur mbështetje për përpjekjen e evropianëve për rifillimin e bisediemeve. zëri i amerikës

Pompeo: SHBA kurrë nuk do ta harrojë tragjedinë në Srebrenicë

Srebrenicë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dërgoi mesazhin e tij sot në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin tha se pas 25 vitesh ata kanë detyrim të ndërtojnë një të ardhme më të qetë dhe të prosperuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se sot po shënojmë një përvjetor të trishtuar, 25 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar të mos e harrojnë kurrë këtë tragjedi. Ne e ndajmë pikëllimin me familjet që kërkuan pa pushim drejtësi për 8 mijë jetët e humbura të pafajshme gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Pompeo.

Pompeo tha se SHBA qëndron pranë “miqve të saj të shkëlqyer në BeH”.

“Një gjeneratë e tërë është rritur që nga ajo ditë e tmerrshme. Ata prej nesh që mbajnë mend atë që ndodhi një çerek shekulli më parë, kanë detyrim të ndërtojnë një të ardhme më të qetë dhe të prosperuar në demokraci. Të ndërtojmë një të ardhme që do të jetë e mirë për të gjithë popujt, pavarësisht racës dhe fesë dhe të bashkohemi në vlerat e përbashkëta të bazuara në të drejtat e individëve”, tha Pompeu duke shtuar:

“Të bëjmë që e ardhmja, me shumë mësime nga Srebrenica të mbahet mend dhe të mos përsëritet kurrë, të jetë një dritë. Sot, SHBA shpreh përkushtimin e saj për këtë qëllim së bashku me partnerët e saj në Bosnjë e Hercegovinë dhe në botë”.

Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Gjykata Supreme e SHBA: Trumpi duhet t’ia dorëzojë Prokurorisë deklaratat e taksave

Gjykata e Lartë e SHBA e bëri të qartë të enjten se një prokuror i qytetit të Nju Jorkut ka të drejtë të shikojë të dhënat financiare të Presidentit Donald Trump, por vendosi të mos lejojë, të paktën tani për tani, që Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët, të marrë të dhëna të ngjashme financiare.

Të dyja vendimet, të marra me shtatë vota pro dhe dy kundër, ishin hartuar nga kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts.

Njëri vendim nënkupton se kërkesa e bërë në adresë të firmës së kontabilitetit Mazars LLP, e përdorur nga Presidenti Trump, që ajo t’i dorëzojë një jurie të madhe dokumentet e ndryshme financiare të Presidentit, si pjesë e një hetimi kriminal, duhet të zbatohet.

Por Gjykata e Lartë la mënjanë vendimin e rëndësishëm nëse tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve mund të marrin gjithashtu, kundrejt kërkesës zyrtare, dokumentet financiare të Presidentit Trump.

Ajo praktikisht rrëzoi vendimet e gjykatave më të ulëta që përcaktonin se disa komisione të kongresit të drejtuara nga demokratët kanë të drejtë të marrin dokumentete financiare të presidentit.

Gjykata e Lartë ua ktheu këtë çështje gjykatave më të ulëta për rishqyrtim, gjë që shënon një fitore të përkohshme për Presidentin Trump.

Presidenti Trump, i cili nuk ka ndjekur praktikën e kandidatëve të tjerë presidencialë, duke refuzuar të bëjë publike dokumentet tatimore gjatë fushatës së vitit 2016, është përpjekur të bllokojë publikimin e dokumenteve të tij financiare.

Disa komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kishin kërkuar të dhëna për këto dokumente nga dy banka, Capital One dhe Deutsche Bank, si dhe nga firma e kontabilitetit Mazars USA.

REAGIMET

Menjëherë pas vendimeve, Presidenti Trump reagoi në Twitter:

“Gjykatat në të kaluarën kanë dhënë vendime që respektonin gjerësisht pozitën e presidentit. POR PËR MUA JO! “Gjykata e Lartë e rikthen çështjen në Gjykatën e Ulët, argumentimet do të vazhdojnë. E gjitha kjo është një përndjekje politike. Fitova ndaj Gjuetisë së Shtrigave të Muellerit dhe të tjerëve, dhe tani më duhet të vazhdoj të luftoj në një Nju Jork të korruptuar politikisht. E padrejtë ndaj kësaj Presidence ose Administrate!”

Reagoi gjithashtu prokurori i distriktit të Manhatanit në Nju Jork, Cy Vance, Jr:

“Kjo është një fitore e jashtëzakonshme për sistemin e drejtësisë të vendit tonë dhe për parimin mbi të cilin ajo bazohet që, askush – madje as presidenti – nuk është mbi ligjin. Hetimi ynë, i cili u vonua për gati një vit për shkak të këtij procesi gjyqësor, do të rifillojë, i orientuar si gjithmonë nga detyrimi solemn i jurisë së madhe për të ndjekur ligjin dhe faktet, kudo ku ato mund të çojnë”.

ÇËSHTJA KRYESORE, NDARJA E PUSHTETEVE

Çështja kryesore që shqyrtuan gjyqtarët kishte të bënte me ndarjen e pushteteve midis degëve të qeverisë federale dhe kompetencave të Kongresit për të hetuar një president.

Avokati i zotit Trump, Patrick Strawbrige, tha gjatë argumentimit të çështjes në muajin maj se kërkesat për dokumentet financiare nuk i shërbenin ndonjë qëllimi me rëndësi dhe se ligjvënësit nuk duhet të kenë autoritet të pakufizuar për të hetuar një president.

Ndërkaq, disa gjykata të nivelit më të ulët Nju Jork dhe Uashington dhanë vendime kundër Presidentit Trump në çështjen e kërkesës për dokumentet financiare.

Gjyqtari Jon O. Newman i Gjykatës së Apelit për Qarkun e Dytë të Nju Jorkut shkruante:

“Interesat e komisionevetë Kongresit për të ushtruar funksionet e tyre kushtetuese dhe legjislative janë një interes publik shumë më i rëndësishëm se çfarëdo interesi tjetër …”.

Jay Sekulow, një tjetër avokat i zotit Trump, argumentoi para Gjykatës së Lartë në muajin maj se presidenti gëzon “imunitet të përkohshëm kushtetues” nga ndjekja penale gjatë kohës që shërben në detyrë dhe se prokurori i qarkut të Nju Jorkut nuk ka asnjë autoritet për të hetuar zotin Trump.

Carey Dunne, këshilltar i përgjithshëm për prokurorin e qarkut të Manhatanit, tha se presidentët, ndërsa gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, ata nuk përjashtohen nga kërkesat që të dorëzojnë dokumente. Për më tepër tha zoti Dunne, të dhënat që kërkon zyra e tij i takojnë periudhës përpara mandatit të Presidentit Trump dhe nuk mbrohen nga privilegji ekzekutiv.

“Ekziston një rrezik që presidentët amerikanë dhe palë të treta pa dashje të dalin mbi ligjin”, tha ai.

Gjykata e Larta e ka trajtuar edhe në të kaluarën çështjen nëse një president në detyrë duhet të përmbushë një kërkesë ligjore për dokumente.

Në vitin 1973, gjykata vëndosi njëzëri kundër Presidentit Richard Nixon në çështjen që lidhej me dorëzimin e regjistrimeve audio të Shtëpisë së Badhë tek një prokuror special. Gjykatësit po ashtu morën një vendim të njëzëshëm kundër Presidentit Bill Clinton në vitin 1997, duke lejuar një proces gjyqësor në ngarkim të presidentit për ngacmim seksual.

Gjatë argumenteve me gojë në muajin maj, të nëntë gjyqtarët lanë shumë pak të kuptohet se çfarë ane do të mbajnë për çështjet e ngritura para tyre.

Ndërsa vendimet e gjykatës së ulët kundër zotit Trump erdhën mes procesit për shkarkimin e tij nga Dhoma e Përfaqësuesve nën akuzat për pengim të drejtësisë dhe abuzim pushteti, akuza për të cilat Senati e nxori të pafajshëm, vendimi i Gjykatës së Lartë vjen ndërsa vendi është vetëm pak muaj para se të vendosë nëse do të rizgjedhë zotin Trump për një mandat të dytë presidencial, apo rivalin e tij, ish Zëvendës Presidentin Joe Biden. zëri i amerikës

Biden propozon mbi 700 miliardë dollarë për fushatën “Bleni produkte Amerikane”

Marrë nga Associated Press

Kandidati i demokratëve për President, Joe Biden njoftoi një propozim ekonomik për ndryshimet e rregullave të shpenzimeve të qeverisë federale për të forcuar industrinë amerikane të prodhimit dhe firmat e teknologjisë. Ky pritet të jetë një nga objektivat që ai do të promovojë në fushatën presidenciale këtë vjeshtë.

Ish nënpresidenti Biden bëri thirrje për 400 miliardë dollarë, një rritje katërvjeçare në blerjen nga qeveria të mallrave dhe shërbimeve amerikane, plus 300 miliardë dollarë për hulumtime dhe zhvillime të reja në sektorin amerikan të teknologjisë.

Në mesin e politikave të tjera që ai pritet t’i njoftojë të enjten, është edhe propozimi për forcimin e ligjeve aktuale të “Blerjes së produkteve Amerikane” nga të cilat duhet të përfitojnë firmat amerikane, por që mund të shmangen lehtësisht nga agjencitë qeveritare.

Një përmbledhje e propozimeve ekonomike e publikuar nga fushata e zotit Biden gjithashtu thekson premtimet e tij të gjata për të forcuar të drejtat për negociata kolektive të punëtorëve dhe shfuqizimin e stimujve në formë të taksave të ulëta për korporatat që zhvendosin vendet e punës jashtë vendit.

“Ky do të jetë mobilizimi më i madh i investimeve publike në prokurim, infrastrukturë, hulumtim dhe zhvillim që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press këshilltari i lartë i fushatës së zotit Biden, Jake Sullivan.

Ish nënpresidenti do të diskutojë propozimet të enjten para punonjësve të një fabrike metali në Dunmore të Pensilvanisë. Ky do të jetë i pari në një seri fjalimesh që zoti Biden planifikon të mbajë ndërsa zhvendos linjën e tij të sulmit ndaj Presidentit Donald Trump në fushën e ekonomisë. Ky terren politik konsiderohej një avantazh i qartë i Presidentit republikan përpara se ekonomia të goditej nga pasojat e pandemisë së koronavirusit që çuan në nivele të larta të papunësisë që i afrohen shifrave të regjistruara në kohën e Depresionit të Madh ekonomik.

Një theks i rëndësishëm në industrinë e prodhimit dhe politikën mbi të drejtat e punëtorëve nuk është rastësi. Biden dëshiron të shfrytëzojë lidhjet e tij me sindikatat dhe të theksojë pretendimet e bëra shpesh se ai mund të fitojë votuesit e klasës punëtore që nxitën fitoren e papritur të Presidentit Trump katër vjet më parë.

Biden do të vazhdojë në javët e ardhshme me një plan energjetik për të luftuar ndryshimin e klimës dhe një paketë të tretë ekonomike për ta bërë më të përballueshme për punonjësit amerikanë kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit.

Republikanët e kanë bërë të qartë se ata do të sulmojnë zotin Biden në fushën e tregtisë dhe ekonomisë, duke e lidhur atë me klasën politike të demokratëve si një mjet të së majtës ekstreme për rritjen e taksave dhe pjesëmarrjen në dekada të politikave tregtare që goditën rëndë punëtorët amerikanë. Presidenti Trump gjithashtu e ka kritikuar zotin Biden duke e quajtur “të dobët për Kinën”.

Presidenti Trump dhe zoti Biden e kanë kritikuar Kinën për praktikat e saj të padrejta tregtare, por zoti Biden akuzon Presidentin Trump se po nxit një luftë tregtare me një fuqi ekonomike për të cilën ai “nuk ka një plan” për të fituar.

Për momentin, Biden nuk ka dhënë hollësi se si do të paguante për shpenzimet e reja që ai i ka propozuar. Këshilltarët e tij thanë se ai ka identifikuar burimet e të ardhurave për të gjitha propozimet për shpenzimet e vazhdueshme por jo për ato të njëhershme ose për investimet afatshkurtra si propozimi i tij për të shpenzuar 700 miliardë dollarë në prokurim dhe hulumtim. Kjo ngre mundësinë që Biden të deklarojë se shpenzimet do të rrisin defiçitin buxhetor, por ato kanë për qëllim të stimulojnë ekonominë në vështirësi. zëri i amerikës

Mbi 3 milionë njerëz me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara

Mariama Diallo

Rritja e koronavirusit në Kaliforni detyroi Guvernatorin demokrat Gavin Newsom, të urdhërojë bllokime të pjesshme në rreth një të tretën e 58 qarqeve të shtetit.

Asambleja e këtij shteti, e planifikuar të kthehej nga pushimet e verës javën e ardhshme, është gjithashtu e mbyllur pa afat. Kjo është e papranueshme për disa republikanë.

Thjesht nuk është një zgjidhje e qëndrueshme mbyllja për një kohë të pacaktuar e degës legjislative të qeverisë. Ka njerëz në të gjithë shtetin që varen nga puna që ne bëjmë, e lidhur drejtpërdrejt me trajtimin e çështjeve të shëndetit publik, me COVID-19tën dhe çështjet që prekin ekonominë dhe jetën e njerëzve“, thotë Kevin Kiley, anëtar republikan i Asamblesë në Kaliforni.

Në Florida, një shtet tjetër i goditur rëndë, Guvernatori republikan Ron DeSantis thotë se ka institucione mjekësore në të gjithë shtetin të gatshëm për të trajtuar fluksin e rasteve të koronavirusit.

“Në Floridan jugore tani keni Qendrën e Kujdesit në Miami. Ju keni një tjetër në Broward që është vetëm për COVID-in. Pastaj keni dy në Palm Beach County që janë vetëm për COVID-in. Pra, ky është një numër mjaft domethënës i shtretërve që duhet të jenë në gjendje të kujdesen për njerëzit që rezultojnë me sëmundjen COVID“, tha Ron DeSantis, Guvernator i Floridas.

Të martën, ligjvënësit demokratë në Florida kritikuan përgjigjen e guvernatorit ndaj pandemisë duke thënë se refuzimi i tij për të lëshuar urdhra në të gjithë vendin për veshjen e maskave dhe mbylljen e plazheve është duke vrarë banorët e Floridas dhe po përhap sëmundjen.

Florida ka patur mesatarisht më shumë se 8’500 raste të reja në ditë të konfirmuara gjatë javës së kaluar, gati tetë herë më shumë se mesatarja e një muaji më parë.

Në Arizona gjithashtu ka një kërkesë rekord për shtretër spitalorë.

Nuk po shohim ulje të kurbës. Dua të them se duket se çdo ditë ka një nivel të ri rekord të rasteve krejt të reja me COVID-19 në shtetin e Arizonës“, thotë Dr. Matt Heinz, Qendra Mjekësore në Tucson.

Teksasi është bërë një nga shtetet amerikane të goditura më rëndë nga pandemia e koronavirusit. Më shumë se 10’000 raste të reja vetëm të martën … një rekord që nga fillimi i pandemisë.

Por, pavarësisht urdhrave të shtetit, shumë vendas, si spektatorët në rodeo, ende refuzojnë rregulloret e distancimit fizik dhe veshjen e maskave për fytyrën.

Sepse unë jam amerikan dhe ndjej se duhet të jem në gjendje të bëj atë që dua. Unë paguaj taksat e mia. Do të jetoj i lirë; unë dua të jem i lirë“, thotë një spektator në një rodeo.

Për shkak se është kundër të drejtave tona kushtetuese; ata nuk duhet të jenë në gjendje të më diktojnë çfarë të vesh“, thotë një spektatore.

Por, një ekspert kryesor amerikan i sëmundjeve infektive paralajmëron se pas festimeve të Ditës së Pavarësisë të fundjavës së kaluar, numri i rasteve të koronavirusit mund të rritet ndjeshëm.

Jemi në një nga pjesët më të këqija të epidemisë. Ky është fillimi. Do të dyfishohen në dy javët e ardhshme dhe më pas do të dyfishohen përsëri javën pas kësaj“, thotë Dr. Peter Hotez, ekspert i sëmundjeve infektive.

Por, grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë COVID-19 i shikon gjërat ndryshe.

Po shohim realisht indikacione të hershme për nivelimin e përqindjes së rasteve pozitive në Arizona, Florida dhe Texas. Guvernatorët në secilin prej këtyre shteteve kanë ndërmarrë hapa të fortë për ta rrafshuar kurbën“, tha Mike Pence, Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara.

Komentet e Nënpresidentit Mike Pence vijnë ndërsa Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përgatiten të japin udhëzime të reja për rihapjen e shkollave në vjeshtë.

Facebook heq 54 llogari të ish-bashkëpunëtorit të Presidentit Trump

Marrë nga Reuters

Platforma e medias dixhitale, Facebook hoqi të mërkurën 50 llogari personale dhe profesionale të Roger Stone, një bashkëpunëtor i vjetër i Presidentit Donald Trump, i cili javën e ardhshme pritet të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin.

Facebook tha se zoti Stone dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë një përkrahës të njohur të grupit të djathtë “Proud Boys” në shtetin Florida, kishin përdorur llogari me emra të sajuar për të promovuar librin dhe komentet e Roger Stone.

Platforma dixhitale mori masa kundër zotit Stone në të njëjtën ditë që hoqi nga qarkullimi llogaritë e personave që punojnë për familjen e Presidentit brazilian Jair Bolsonaro dhe dy rrjeteve të tjera që kanë lidhje me makinacione politike në Ekuador dhe Ukrainë.

Nathaniel Gleicher, kreu i politikave të Facebook-ut për sigurinë kibernetike, tha se heqja e këtyre llogarive synon të tregojë se duhet të ndalen ekzagjerimet artificiale të famës apo ndikimit në median sociale me qëllim që të sigurosh përfitime politike, edhe në rastet kur personat që përfitojnë janë individë me lidhje të forta.

“Nuk ka rëndësi se çfarë thonë, nuk ka rëndësi se kush janë,” tha zoti Gleicher për agjencinë e lajmeve Reuters para se të bëhej njoftimi në blogun e kompanisë. “Parashikojmë se do të ketë aktorë të tjerë politikë që shkelin rregullat dhe organizojnë fushata të koordinuara me manipulime për të ndikuar tek debati publik”.

Hiqen 54 llogari

Zyrtarët e kompanisë Facebook thanë se kishin hequr llogaritë personale të zotit Stone nga Facebook-u dhe Instagram-i si dhe faqen e tij në që kishte 141 pasues. Gjithsej Facebook-u hoqi 54 llogari dhe faqe për sjellje të papërshtatshme dhe për krijimin e llogarive të rreme. Llogaritë kishin shpenzuar më shumë se 300 mijë dollarë për reklama gjatë javëve të fundit, sipas njoftimit të Facebook-ut.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg u informua para zbatimit të masave, thanë zyrtarët.

Pritet që këto veprime të revoltojnë më tepër Presidentin Trump dhe konservatorë të tjerë, të cilët e akuzojnë Facebook-un se po u mbyll gojën pasuesve të krahut të djathtë. Muajin e kaluar, Facebook-u hoqi një reklamë të fushatës për rizgjedhje të Presidentit Trump, pasi në të përfshihej një simbol nazist. Kompania u zotua t’u ofronte përdoruesve fakte kur Presidenti Trump apo kushdo tjetër të ngrinte këtë temë për diskutim.

Platforma Facebook është ndeshur me presion nga aktivistë për të drejta civile dhe grupe të tjera, ndërkohë që kompani të shumta po e bojkotojnë Facebook-un duke mos postuar reklama në këtë platformë, deri kur të heqë mesazhet përçarëse apo të urrejtjes që shfaqen në llogari të ndryshme.

Roger Stone u shpall fajtor vitin e kaluar për presion ndaj dëshmitarëve dhe dëshmi të rreme para Kongresit gjatë hetimeve për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Zoti Stone nuk i është përgjigjur kërkesës së agjencisë së lajmeve Reuters për komente. Ai tha për faqen elektronike të kahut të djathtë, Gateway Pundit: “Po ekspozojmë lojën e pisët që u luajt për të më dënuar mua, gjëra shumë të thella, shumë të qarta gjatë gjyqit kundër meje, prandaj duan të na mbyllin gojën. Do ta mësojnë shumë shpejt se mua nuk më hesht dot njeri”.

Në prill u bënë publike dokumentet e FBI-së për të hetuar zotin Stone. Sipas FBI-së një ndihmës i zotit Stone u kishte thënë hetuesve të FBI-së në 2018 se “ai bleu rreth 200 llogari të rreme në Facabook për këtë punë”.

Kompania Facebook tha se kishte analizuar llogaritë e zotit Stone, duke u nisur nga dokumentet e FBI-së. Por platforma dixhitale tha se departamenti i Facebook-ut që merret me kontrolle për llogari të rreme kishte filluar që më parë një analizë të faqeve të zotit Stone, pasi kishte marrë sinjale nga një ekip tjetër i Facebook-ut që ndjek organizata të rrezikshme dhe po ndiqte aktivitetin e organizatës “Proud Boys”.

Ndalohet organizata “Proud Boys”

Kompania Facebook e ka etiketuar organizatën “Proud Boys” si grup të rrezikshëm dhe ndaloi informacionin e saj në 2018. Anëtarët e saj janë akuzuar për akte të dhunshme në shumë raste dhe kohët e fundit janë përfshirë në përleshje me protestuesit kundër racizmit.

Një nga llogaritë që kanë lidhje me “Proud Boys” operohej nga Jacob Engels, tha Facebook-u. Zoti Stone deklaroi vjet se Jacob Engels mund të postojë komente në Instagram në emër të tij dhe se ai ka qasje në telefonin e tij celular.

Engels, i cili poston në faqe eletronike të ekstremit të djathtë, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk është anëtar i organizatës “Proud Boys” por ka operuar brenda grupit për t’i studiuar.

Analisti i kompanisë Graphika, Ben Nimmo, specialist për dizinformimin, tha se rrjeti i Roger Stone ka qenë aktiv më së shumti gjatë viteve 2016 dhe 2017, kryesisht duke komentuar për emailet e demokratëve të publikuara nga Wikileaks, në kuadër të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në procesin zgjedhor.

Shumë prej këtyre llogarive më pas u hoqën dhe gjatë javëve të fundit ato që mbeten duken të përqëndruara tek përpjekjet e zotit Stone për të siguruar falje të dënimit nga Presidenti Trump, sipas zotit Nimmo.

“Llogaritë e sajuara u bënin jehonë ose reklamë librave, faqes elektronike apo komenteve të ndryshme të Roger Stone,” thotë Ben Nimmo.

Roger Stone ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar falje nga presidenti para se të paraqitet në burg, ku sipas familjes, ai shqetësohet se do të infektohet me COVID-19. Presidenti Trump ka thënë se zoti Stone nuk u trajtua drejt gjatë gjykimit. Prokurori i Përgjithshëm amerikan ka ndërhyrë për të kërkuarnjë denim më të lehtë, gjë që rezultoi në dorëheqjen nga çështja të katër prokurorëve karriere në Departamentin e Drejtësisë. zëri i amerikës

Drejtori i FBI-së: Kina, kërcënimi më i madh për SHBA-në

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, tha se aktet e spiunazhit dhe vjedhjes nga Qeveria e Kinës paraqesin “kërcënimin më të madh afatgjatë” për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur para Institutit Hudson në Uashington, ai tha se Kina bën fushatë shumëpalëshe të përçarjes.

Sipas tij, Kina ka nisur t’i shënjestrojë shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit, duke i detyruar të kthehen.

“Bëhet fjalë për rivalë politikë, disidentë dhe kritikë që përpiqen t’i ekspozojnë shkeljet e gjera të të drejtave të njeriut në Kinë”, tha Wray.

Wray po ashtu tha se Kina po punon për të prishur studimet amerikane të koronavirusit.

“Rreziqet nuk mund të jenë më të larta”, tha ai.

“Kina është e angazhuar në një përpjekje për t’u bërë superfuqia e vetme në botë me çdo mjet të nevojshëm”, shtoi Wray.

Adresimi i tij vjen në kohën e tensioneve të larta midis SHBA-së dhe Kinës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka fajësuar vazhdimisht Kinën për shpërthimin e pandemisë së koronavirusit, edhe pse autoritetet kineze i kanë hedhur poshtë akuzat.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha këtë javë se administrata po shikonte ndalimin e aplikacioneve kineze, përfshirë TikTok-un që është mjaft popullor.

Aplikacionet “shërbejnë si mjete shtesë të mbikëqyrjes për Partinë Komuniste të Kinës”, tha Pompeo. rel

Grenell: Asnjëherë nuk kemi besuar në marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, tha se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk kanë besuar në një marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetin social twitter, ai u shprehu mbështetje synimeve evropiane për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Jemi të kënaqur të shohim se Evropianët do të mbajnë një takim me 10 korrik për diskutime të mëtejme me Kosovën dhe Serbinë. Ne u ofrojmë mbështetjen tonë të plotë dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre. Shpresojmë që çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave të përmbyllet në këtë takim”, shkroi ai.

Të premten me 10 korrik, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të zhvillojnë një video konferencë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të cilët të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018.

Planet evropiane për rifillimin e bisedimeve dolën në pah pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të anulohet takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që pritej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, i cili paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit.

Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të vënë theksin te normalizimi ekonomik midis palëve sepse besojmë që është hapi i parë thelbësor për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje politike afatgjatë”, shkroi ai duke shfaqur shpresën se evropianët do të sigurojnë zbatimin e marrëveshjeve për linjat ajrore, hekurudhore dhe rrugore, të cilat u ndërmjetësuan nga zoti Grenell në fillim të këtij viti. Ai shfaqi besimin se këto marrëveshje janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe shpresë për të rinjtë.

Në kurrë nuk kemi besuar në një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë vit zgjedhjesh. Dhe kurrë nuk kemi menduar që përqendrimi ynë vetëm në normalizimin ekonomik do të ishte një zgjidhje e shpejtë”, shkroi zoti Grenell duke nënvizuar se çështjet e vështira dhe afatgjata politike do të jenë më të lehta për t’u zgjidhur pasi të jetë shënuar përparim së pari në çështjet ekonomike.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të provojë ide të reja dhe krijuese nëse ndonjëherë duam të arrijmë përparim. Dhe populli i Kosovës dhe i Serbisë meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Evropës”, tha zoti Grenell.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga vjeshta e vitit 2018 kur qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Procesi i bisedimeve u pezullua meqë Beogradi kushtëzoi kthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e tarifave. Qeveria e Kosovës i rezistoi trysnisë ndërkombëtare për heqjen e tyre.

Më 31 mars të këtij viti ish kryeministri Albin Kurti vendosi heqjen e tarifave dhe zëvendësimin e tyre me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, një vendim që u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara që kërkonin heqjen tërësishme të pengesave për rifillimin e bisedimeve.

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, qeveria e re e kryeministrit Hoti hoqi të gjitha pengesat për rifillimin e bisedimeve.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh, por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. zëri i amerikës

SHBA edhe zyrtarisht fillon tërheqjen nga OBSH

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka filluar zyrtarisht procedurat e tërheqjes së SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh financiar i OBSH-së, e cila udhëheq luftën kundër sëmundjeve globale, përfshirë pandeminë e koronavirusit.

Në muajin prill, Trump i ka ndërprerë fondet për OBSH-në, duke njoftuar më pas edhe për planet e tërheqjes së plotë nga organizata.

Trump zyrtarisht e ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se ai ka filluar me procedurat e tërheqjes së SHBA-së, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Stephane Dujarric, zëdhënësi i Guterres, konfirmoi që Shtetet e Bashkuara e kanë bërë njoftimin.

Trump ka thënë se OBSH-ja, agjenci e Kombeve të Bashkuara, ka dështuar t’i bëjë reformat “e kërkuara dhe shumë të nevojshme”, pas shqetësimeve të SHBA-së për mënyrën se si e ka trajtuar pandeminë e koronavirusit.

Trump e ka akuzuar OBSH-në për fshehje të përhapjes së koronavirusit, pasi është shfaqur në Kinë, në muajin dhjetor.

OBSH-ja i ka hedhur poshtë akuzat. rel

Presidenti Trump përshkallëzon luftën kulturore

Steve Herman

SHTËPIA E BARDHË – Presidenti amerikan Donald Trump është duke vendosur pa nguruar flamurin e tij në njërën anë të luftës së kulturave në Amerikë.

Në dy fjalime të profilit të lartë dhe në komente në Twitter, Presidenti Trump kundërshtoi lëvizjen në rritje që dëshiron që forcat e policisë të trajtojnë paragjykimin racor, si dhe që kërkon heqjen e monumenteve dhe flamujve të Konfederatës.

Duke theksuar patriotizmin dhe një version tradicional të historisë amerikane, Presidenti Trump po i drejtohet bazës së tij politike dhe iu kundërvihet kundërshtarëve të tij si të rrezikshëm për vendin.

Me sfond kokat gjigante në granit të katër presidentëve amerikanë në Malin Rushmore të premten, si dhe në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë për të festuar përvjetorin e pavarësisë së vendit të nesërmen, Presidenti Trump paralajmëroi për një kërcënim të brendshëm nga turmat e zemëruara të përbëra nga anarkistë, marksistë dhe fashistë të së majtës së skajshme, të cilët “po përpiqen të rrëzojnë statujat e themeluesve tanë, të shpërfytyrojnë përmendoret tona më të shenjta dhe të çlirojnë një valë të dhunshme krimi në qytetet tona”.

Një revolucion kulturor i krahut të majtë, sipas Presidentit Trump, kërkon të zhvillojë një “fushatë të pamëshirshme për të zhdukur historinë tonë, për të shpifur ndaj heronjve tanë, për të fshirë vlerat tona dhe për të indoktrinuar fëmijët tanë”.

Anketimet e opinionit publik kanë treguar një mbështetje të gjerë në radhët e amerikanëve për lëvizjen Black Lives Matter, me rreth dy të tretat e amerikanëve që thonë se mbështesin lëvizjen, përfshirë rreth 60% të amerikanëve të bardhë.

Joe Biden duke hequr maskën përpara një fjalimi

Joe Biden duke hequr maskën përpara një fjalimi

Gjatë fundjavës, një zëdhënës për fushatën e kandidatit të supozuar të demokratëve, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara po vuajnë për shkak se kanë një president “përçarës”, të cilit nuk i “intereson asgjë, përveç përfitimit të tij”.

“I gjithë vendi ynë është duke vuajtur përmes kostos shkatërrimtare të të paturit një president të pakujdesshëm, përçarës, të cilit nuk i intereson asgjë, përveç përfitimit të tij – jo të sëmurët, jo të papunët, jo Kushtetuta jonë dhe jo ushtarakët tanë të gjendur në rrezik”, tha zëdhënësi i fushatës Andrew Bates në një deklaratë të shtunën.

Disa ligjvënës republikanë po lavdërojnë komentet e presidentit.

“Mendova se fjalimi ishte absolutisht një nga më të mirët që ai ka mbajtur. Sa e përshtatshme që i kujtoi popullit amerikan se jemi unikë dhe se mund të mbështeten tek shpresa, apo tek frika”, tha senatorja Marsha Blackburn nga Tenesi gjatë një interviste në një emision të dielën në kanalin Fox News.

Retorika e Presidentit Trump risjell në vëmendje temën “Masakra Amerikane” të përdorur gjatë fjalimit të tij të inaugurimit në vitin 2017. Të hënën, ai e çoi atë edhe më tej, duke sulmuar shoferin e vetëm afrikano-amerikan të garave NASCAR dhe duke kritikuar organizatën për ndalimin e saj rishtazi të shfaqjes së flamurit të Konfederatës gjatë garave.

Bubba Wallace pranë makinës së tij përpara fillimit të garës NASCAR

Bubba Wallace pranë makinës së tij përpara fillimit të garës NASCAR

Presidenti Trump pyeti haptazi nëse shoferi afrikano-amerikan, Bubba Wallace, ka kërkuar falje për mbështetjen që NASCAR i dha pasi u zbulua një litar në formë laku në një garazh të makinave të garave në Alabama, garazh që ai po e përdorte. Organizata NASCAR, dhe më vonë hetuesit, përcaktuan se litari përdorej për të tërhequr derën dhe se kishte qenë në garazh muaj përpara se zoti Wallace të përdorte këtë hapësirë.

Në Twitter, Presidenti Trump pyeti nëse Wallace “u ka kërkuar falje të gjithë atyre shoferëve dhe zyrtarëve të shkëlqyeshëm të NASCAR, të cilët dolën në ndihmë të tij, qëndruan pranë tij, dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për të, vetëm për të zbuluar se e gjithë gjëja ishte thjesht një tjetër MASHTRIM?”

Presidenti Trump tha se përshtjellimi që u shkaktua prej litarit dhe “vendimi për flamurin i (marrë nga) NASCAR ka shkaktuar nivelet më të ulëta (të shikueshmërisë televizive) TË TË GJITHA KOHËRAVE!”.

NASCAR kohët e fundit ndaloi në aktivitetet dhe objektet e saj çdo shfaqje të flamurit të Konfederatës, që simbolizon 11 shtetet jugore që u shkëputën nga Shtetet e Bashkuara në vitet 1860 në mbështetje të skllavërisë.

Një senator republikan që mbështet Presidentin Trump, ka dalë megjithatë në mbrojtje të zotit Wallace dhe të organizatës NASCAR, duke thënë se shqetësimet e tyre “kishin plotësisht kuptim” dhe se shoferi nuk kishte asgjë për të cilën të kërkonte falje.

Zoti Wallace, në mesazhin e tij në Twitter të hënën, duke inkurajuar fëmijët që mund të ndjekin gjurmët e tij, përmendi shkurtimisht presidentin, duke thënë se njerëzit duhet të përdorin dashurinë për t’iu përgjigjur urrejtjes që iu hidhet, “edhe kur është urrejtje nga POTUS (Presidenti i Shteteve të Bashkuara)”.

Senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, duke folur në Fox News Radio, gjithashtu mbështeti vendimin e organizatës NASCAR për ndalimin e flamurit të Konfederatës.

“NASCAR është duke u përpjekur ta zgjerojë këtë sport dhe një mënyrë se si të rritet sporti është të hiqen imazhet që na ndajnë dhe të kërkohet të mos futen më brenda premisave”, tha Senatori Graham.

Republikanët e tjerë janë gjithnjë e më pak dakort me fokusin e vitit të zgjedhjeve të presidentit tek lufta e kulturave, në një kohë kur një pandemi e koronavirusit ka vrarë më shumë se 130’000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

Bill Kristol, i cili shërbeu në administratat Ronald Reagan dhe George H.W. Bush, i tha Zërit të Amerikës se për votuesit në nëntor, “Trump-i është në pushtet – ai është përgjegjësi. Pra, është më shumë një gjykim se si po ia del ai, sesa në cilën anë të luftës së kulturave juve mund t’ju pëlqejë më shumë ose jo”.

Zoti Kristol është një ndër personalitetet konservatore që kanë kritikuar prej kohësh presidentin dhe kundërshtojnë rizgjedhjen e tij.

Disa nga kritikët e presidentit i shohin thirrjet e tij të luftës kulturore si një teknikë shpërqëndrimi ndërsa përcakton axhendën politike të vendit.

Presidenti Trump gjatë festimeve për 4 korrikun në oborrin e Shtëpisë së Bardhë

Presidenti Trump gjatë festimeve për 4 korrikun në oborrin e Shtëpisë së Bardhë

“Trump do të preferonte të fliste për çështje të luftës së kulturave sesa për çështjet aktuale dominuese, për virusin jashtë kontrollit, rënien ekonomike apo kërkesat për të trajtuar racizmin në sistem”, thotë profesorja e asociuar në Universitetin Texas A&M, Jennifer Mercieca, një historiane e retorikës politike amerikane.

“Trump është mbështetur vazhdimisht tek provokimi i zemërimit te ndjekësit e tij për t’i mbajtur ata të vëmendshëm dhe të angazhuar me mesazhet e tij dhe kjo mund të vazhdojë të funksionojë për të”, i tha Zërit të Amerikës zonja Mercieca, autore e librit “Një demagog për President: Gjenialiteti retorik i Donald Trump-it”. “Megjithatë, është një mesazh që nuk do të arrinte më shumë se forcimin e bazës së tij. Është e vështirë t’i bësh njerëzit të interesuar për një luftë kulturore, kur jeta e tyre është në rrezik”, thotë ajo.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany të hënën u pyet nga gazetarët në lidhje me thënien e presidentit se 99 përqind e rasteve të COVID-19 “janë krejtësisht të padëmshme”.

Sipas zonjës McEnany, Presidenti Trump “po vinte në dukje faktin se shumica e amerikanëve që marrin koronavirusin, ja dalin mbanë”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 20 përqind e atyre që diagnostikohen të infektuar shkojnë drejt sëmundjes së rëndë, përfshirë pneumoninë dhe dështimin e sistemit të frymëmarrjes.

Zyrtarë të tjerë të administratës gjithashtu i janë shmangur kundërshtimit të komenteve të presidentit që ulin rëndësinë e ashpërsisë së infeksionit.

Një sekretar i shtypit i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Bill Klintonit, Joe Lockhart, tha se të gjithë rreth Presidentit Trump jetojnë me frikën se mos kundërshtojnë presidentin.

“Për komentet e tij më të këqija, ata thonë se ai thjesht po tallej, ose ishte sarkastik”, tha zoti Lockhart për Zërin e Amerikës. “Por ata kurrë nuk do të thonë se ai ishte gabim. Problemi është se ai gabon shumicën e kohës”.

Me votuesit republikanë, niveli i miratimit të Presidentit Trump është rritur në 91 përqind, por ka rënë në radhët e të pavarurve në 33 përqind, ndërsa presidenti merr një vlerësim pozitiv nga vetëm 2 përqind e votuesve të Partisë Demokrate në anketën e fundit të kompanisë Gallup, të botuar të hënën.

“Dallimi aktual prej 89 pikësh midis vlerësimeve të republikanëve dhe demokratëve të Trump-it është hendeku më i madh partiak që Gallup ka matur ndonjëherë për nivelin e miratimit presidencial, në një studim të vetëm”, thonë anketuesit.