VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

JOHN ALLEN – PËR TA MPOSHTUR IDEOLOGJINË E IS-it DUHET NJË GJENERATË E TËRË

By | June 4, 2015

Komentet

Reagon Nobelisti Paul Krugman: Nuk ka patur kurrë e djathta Amerikane një kombinim të nxitjes të pandershmërisë me gënjeshtrat e frikacakëve!

voal.ch – Trazirat në Kapitol paskan qenë të justifikuara nga krimi i votave por dëmet i bëri Antifa!

Ka reaguar me një tweet Paul Krugman, Nobelist Amerikan i Ekonomisë, Profesor i Ekonomisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, autor i librave të shumtë, që nga viti 2000 ai bashkëpunon me New York Times duke shkruar opinione periodikisht.

Titulli i një dokumentari të EPI – Economic Policy Institute kushtuar kësaj mendje të ndritur, është: Paul Krugman, një njeri i domosdoshëm. Paul Krugman është me origjinë hebreje.

Në këtë tweet Krugman shkruan:

“A ka pasur ndonjëherë nga e djathta amerikane diçka të tillë një kombinim i nxitjes së pandershme dhe gënjeshtrave të frikacakëve ? Linja zyrtare duket të jetë se trazirat e Kapitolit ishin plotësisht të justifikuara prej krimit të padukshëm të votave, por gjithashtu që gjitha llojet e padukshme të dëmeve i bëri Antifa! “/EB

Biden propozon paketë ndihme prej 1.9 trilionë dollarë kundër COVID-19

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden ka propozuar një paketë ndihme prej 1.9 trilionë dollarë për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe krizën ekonomike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këtë propozim, Biden e bëri për të përshpejtuar luftën me pandeminë dhe për të stimuluar ekonominë.

Në këtë paketë, 400 miliardë dollarë drejtpërdrejt do të ndahen për luftën kundër pandemisë dhe shpërndarjen e vaksinave ndërsa për të mbyllur deficitin në buxhet, shteteve federale dhe administratës lokale do t’u ndahen 350 miliardë dollarë.

Gjithashtu me këtë propozim parashikohet ndihmë në të holla për amerikanët në shumë të caktuar për të tretën herë. Qytetarëve, të cilëve u janë dhënë nga 600 dollarë më parë tani planifikohet t’u jepen nga 1.400 dollarë.

Biden: “Plani Amerikan i Shpëtimit” do të forcojë ekonominë

Marrë nga Associated Press

Duke thënë se vendi po përballet me “një krizë të thellë të vuajtjeve njerëzore”, Presidenti i zgjedhur Joe Biden paraqiti të ejten një plan prej 1.9 trilionë dollarësh për të përshpejtuar shpërndarjen e vaksinës kundër Covid-19 dhe për të rimëkëmbur ekonominë e goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

I quajtur “Plani Amerikan i Shpëtimit”, propozimi legjislativ do të përmbushte qëllimin e zotit Biden për kryerjen e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar dhe avancimin e objektivit të tij për të rihapur shumicën e shkollave deri në pranverë. Në të njejtën kohë, ai beson se do të japë një raund tjetër ndihmash për të stabilizuar ekonominë ndërsa përpjekjet për të vënë nën kontroll pandeminë do të fillojnë të sjellin rezultate.

“Unë e di se ajo që sapo përshkrova nuk vjen me një kosto të ulët, por ne thjesht duhet ta bëjmë atë që po propozoj”, tha Biden në një fjalim drejtuar vendit. “Nëse investojmë tani me guxim, me zgjuarsi dhe me fokus të palëkundur te punëtorët dhe familjet amerikane, ne do të forcojmë ekonominë tonë, do të zvogëlojmë pabarazinë dhe do t’i vendosim financat afatgjata të vendit tonë në një rrugë më të qëndrueshme.”

Plani i tij përfshin 1,400 dollarë çeqe për shumicën e amerikanëve, të cilët tashmë pritet të marrin 600 dollarë nga paketa e fundit financiare për COVID-19, që do ta çonte totalin në 2,000 dollarë, që zoti Biden e kishte kërkuar më parë. Ai gjithashtu do të zgjasë deri në shtator përfitimet e papunësisë dhe një moratorium mbi dëbimet dhe përjashtimet nga pamundësia e pagimit të qerasë.

Në fjalimin e tij Biden gjithashtu përmendi qëllimet politike afatgjata të demokratëve, si rritja e pagës minimale në 15 dollarë në orë, zgjerimi i pushimeve me pagesë për punëtorët dhe rritja e kredive tatimore për familjet me fëmijë. Pika e fundit do ta bënte më të lehtë për gratë që të ktheheshin në punë, gjë që do të ndihmonte në rimëkëmbjen e ekonomisë.

Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer ka thënë se miratimi i një projektligji për të lehtësuar pasojat e pandemisë do të ishte përparësia kryesore e demokratëve me marrjen në kontroll të Senatit.

Ngritja zyrtarisht e akuzës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump të mërkurën kërcënon të mbushë kalendarin e punimeve të Senatit, por zoti Biden tha se ai shpreson që kjo dhomë e Kongresit të mund ta ekuilibrojë këtë çështje me përparësi të tjera.

Prej fillimit të pandemisë në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar afërsisht 385,000 vdekje si pasojë e COVID-19. Prej më shumë se dy muajsh vendi po përballet me rritje dramatike të infeksioneve.

Gjatë javës së kaluar u regjistruan mesatarisht 245,000 raste të reja në ditë dhe 3,300 vdekje. Shtrimet në spital si pasojë e COVID-19-s janë në nivele rekord.

Lady Gaga do të këndojë himnin kombëtar ditën e inaugurimit të presidentit të ri

VOA

Lady Gaga do të këndojë himnin kombëtar ditën e inaugurimin të Presidentit të 46-të të SHBA Joe Biden, më 20 dhjetor. Ndërsa në krahun perëndimor të Kapitolit, Jennifer Lopez do të japë një shfaqje muzikore.

Lajmi për pjesëmarrjen e tyre vjen një ditë pas njoftimeve se Tom Hanks do të drejtojë një program special televiziv 90 minutësh me rastin e inaugurimit të zotit Biden, në fashën orare televizive me nivelin më të lartë të shikueshmërisë. Atij pritet t’i bashkohen emra të njohur të muzikës amerikane sikurse Justin Timberlake, Jon Bon Jovi, Demi Lovato dhe Ant Clemons.

Lutjet në ceremoninë e betimit të presidentit të ri do të drejtohen nga kleriku Leo O’Donovan, ish-president i Universitetit Georgetown, ndërsa betimi për besnikëri ndaj flamurit e kombit, do të drejtohet nga Andrea Hall, një zjarrfikës nga Xhorxhia.

Gjatë inaugurimit do të lexohen poezi nga Amanda Gorman, fituesja e garës së parë mes të rinjve në rang kombëtar në poezi. Bekimi presidentit të ri do t’i jepet nga kleriku Silvester Beaman i Kishës Episkopale Metodiste Afrikane e të Bethelit që ndodhet në Uilmington të Dellauerit.

Qyteti i Nju Jorkut njofton anulimin e kontratave me Organizatën Trump

Marrë nga Associated Press

Nju Jorku, qyteti i lindjes së Presidentit amerikan Donald Trump, tha se do të anulojë të gjitha kontratat me organizatën e tij të biznesit për shkak të protestës së dhunshme të javës së kaluar në Kapitol.

“Qyteti i Nju Jorkut nuk do të ketë lidhje me ato veprime të pafalshme në asnjë mënyrë ose formë”, tha kryebashkiaku Bill de Blasio të mërkurën në një deklaratë zyrtare. De Blasio tha se ai ka filluar procesin e “ndërprerjes së të gjitha kontratave” për operimin e një karuseli dhe dy pistave të patinazhit në Parkun Qëndror që gjenerojnë rreth 17 milionë dollarë në vit në të ardhura për kompaninë e Presidentit Trump.

Djali i Presidentit, Eric Trump, denoncoi masën dhe tha se ajo do të sfidohej.

“Ky është një shembull tjetër i qartë i paaftësisë dhe shpërfilljes së fakteve nga kryebashkiaku de Blasio”, tha ai. “Qyteti i Nju Jorkut nuk ka të drejtë ligjore të ndërpresë kontratat tona dhe nëse e bëjnë këtë ata do të detyrohen të paguajnë Organizatën Trump 30 milionë dollarë. Kjo nuk është asgjë më shumë se diskriminim politik dhe ne planifikojmë ta luftojmë fuqishëm”.

Vendimi i zotit De Blasio është shembulli i fundit se si trazirat e 6 janarit nga mbështetësit e Presidentit Trump po ndikojnë negativisht në punët e biznesit të tij privat. Njoftimi erdhi tre ditë pasi Shoqata e Lojtarëve Profesionistë Amerikanë të Golfit votoi për të zhvendosur Kampionatin e Golfit PGA të vitit të ardhshëm jashtë fushës së golfit të Presidentit Trump në Nju Xhërsi.

Shopify më parë hoqi në platformat e saj në internet dyqanet që lidhen me bizneset e presidentin, ndërsa Twitter dhe platforma të tjera të mediave sociale i çaktivizuan llogaritë e tij.

Më 6 janar, Trump u bëri thirrje mijëra mbështetësve që kishin ardhur në Uashington për protestën “Shpëtoni Amerikën” për të marshuar drejt ndërtesës së Kapitolit, ndërsa ligjvënësit kishin filluar të certifikonin zyrtarisht fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Ju do të keni një president jolegjitim. Kjo është ajo që ju do të keni dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha Presidenti Trump në tubim. “Ne luftojmë fort dhe nëse nuk luftoni fortë, nuk do të keni më atdhe”. Duke marrë shkas nga komentet e presidentit, mijëra mbështetës të të tij marshuan drejt Kapitolit, ku kapërcyen barrikadat e policisë dhe u futën me forcë brenda ndërtesës. Gjashtë vetë vdiqën në përleshjet e javës së kaluar në Kapitol.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët pritet të miratojë një project-rezolutë për ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump të mërkurën për nxitje të protestës së dhunshme në Kapitol. Liz Chenney republikanja e tretë më e lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, është ne mesin e një grupi ligjvënësish republikanë që kanë thënë se do të mbështesin ngritjen e akuzave për shkarkim të mundshëm të Presidentit Trump.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza kundër Presidentit Trump, ashtu siç tashmë pritet të ndodhë, kjo do të ishte hera e dytë që atë e pret ky fat. Presidenti Trump u ndesh me akuza për shkarkim për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 për abuzim të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë për shkak të përpjekjeve të tij për të bindur presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, që të hetonte demokratin Joe Biden dhe djalin e tij për të forcuar shanset e tij të rizgjedhjes më 2020. Në shkurt të vitit 2020 Senati e liroi atë nga akuzat, por këtë radhë nuk është e qartë se kur do të mund ta bënte gjyqin kundër tij.

Nis procedura për shkarkim të Trumpit pas sulmit ndaj Kongresit

Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur seancën për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump për rolin e tij ndaj sulmit në Kongres nga një turmë e mbështetësve të tij, ndërkohë që ndasitë në mesin e partisë republikane thellohen rreth krizës politike.

Seanca e 13 janarit është iniciuar nga demokratët, që kanë shumicë në këtë trup.

Artikulli për shkarkim të Trumpit – që akuzon këtë të fundit për nxitje të kryengritjes – duket se ka mbështetjen e disa republikanëve, vetëm disa javë para se presidenti amerikan të largohet nga detyra.

Shumica e votave për shkarkim të Trumpit, do të rezultonte me gjykim në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ndonëse nuk është e qartë nëse një gjykim i tillë do të mund të realizohet derisa të skadojë mandati i Trumpit.

Ndërkohë që ligjvënësit diskutojnë për këtë çështje, Garda Kombëtare dhe zyrtarë policorë kanë rrethuar ndërtesën e Kongresit për të ofruar mbrojtje.

Në sulmin e 6 janarit, kanë mbetur të vdekur pesë persona, përfshirë në zyrtar policor.

“Ne jemi duke debatuar për një masë historike në një skenë aktuale krimi, dhe nuk do të arrinim deri këtu nëse nuk do të ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë kongresisti demokrat, Jim McGovern.

Ai ka akuzuar Trumpin për “rritje të zemërimit të turmës së dhunshme” dhe ka thënë se “është mrekulli që nuk kanë vdekur më shumë persona”.

“Nuk do ta harroj kurrë çfarë kam parë kur kam shikuar në sytë e atyre sulmuesve në këto hapësira. Kam parë djallëzi”.

Pelosi: Kjo gjë duhet të na thyejë zemrat të gjithëve

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se procedura e shkarkimit të Trumpit nuk është e motivuar në bazë partiake.

“Presidenti duhet të dënohet nga Senati, i cili do të sigurojë se republika do të jetë e sigurt nga ky njeri, i cili është kaq i vendosur për të shkatërruar gjërat që i duam dhe na mbajnë bashkë”, ka thënë ajo.

Pelosi ka thënë se i thyhet zemra që është pjesë e një tjetër procedure shkarkimi.

“Ma thyen zemrën. Kjo gjë duhet të na thyejë zemrat të gjithëve”.

“Unë qëndroj përpara jush si zyrtare e kushtetutës, si grua, si nënë, si gjyshe, si vajzë – vajzë, babai i së cilës ka shërbyer me krenari në këtë Kongres”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ajo u ka bërë thirrje ligjvënësve për vëmendje.

“Amerikanët e mi të dashur, nuk mund t’i ikim historisë. Le ta përmbushim detyrën tonë dhe të nderojmë besimin e këtij kombi”.

Drejtuesi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili thotë se ai është kundër procesit të shkarkimit, thuhet se do të lejojë anëtarët republikanë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, ndërsa partia përpiqet të gjejë drejtimin e saj.

Ndër aleatët më të afërt të Trump në Kongres, McCarthy ishte midis atyre që i bëri jehonë presidentit, duke thënë “procesi i shkarkimit në këtë kohë do të kishte efektin e kundërt të bashkimit në vendin tonë”.

Procesi i shkarkimit pritet të tërheqë mbështetjen e disa republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfshirë kongresisten, Liz Cheney.

Në një deklaratë më 12 janar, kongresistja tha se Trumpi “thirri turmës, e mblodhi atë dhe ndezi flakën e këtij sulmi”. Ajo sugjeroi që Trump mund të kishte ndërhyrë për të ndaluar mbështetësit e tij, por ai nuk e bëri.

“Asnjëherë nuk ka pasur një tradhti më të madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara ndaj zyrës së tij dhe betimit për Kushtetutën”, tha Cheney.

Edhe pse procesi i shkarkimit është pothuajse e sigurt se do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, masa nuk pritet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave në Senat, të nevojshme për ta shkarkuar atë.

Në një zhvillim që do të ndryshonte në mënyrë dramatike rezultatin, The New York Times raportoi se udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell u tha bashkëpunëtorëve se ai beson se Trump bëri një shkelje dhe se ai mbështet lëvizjen e demokratëve.

McConnell beson se përpjekja e shkarkimit do ta bëjë më të lehtë spastrimin e presidentit nga partia, tha Times.

Më herët më 12 janar, Trump mohoi çdo përgjegjësi për dhunën e javës së kaluar dhe i quajti përpjekjet për ta shkarkuar atë një “vazhdim i gjuetisë së shtrigave”.

Ai tha se përpjekjet për ta hequr atë nga posti ishin “duke shkaktuar një rrezik të jashtëzakonshëm për vendin dhe po shkaktojnë zemërim të jashtëzakonshëm”.

Ai u tha gazetarëve se “unë nuk dua asnjë dhunë.”

Gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë, Trump tha se “tani është koha që kombi ynë të shërohet dhe është koha për paqe dhe për qetësi”.

Pak përpara trazirave të 6 janarit në Kongres, Trump mbajti një fjalim të zjarrtë duke u bërë thirrje mbështetësve të marshonin në drejtim të ndërtesës.

Fjalimi u zhvillua derisa një sesion i përbashkët i Kongresit do të mblidhej për të numëruar dhe certifikuar zyrtarisht votat e Kolegjit Zgjedhor që do të konfirmonin humbjen e tij ndaj presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për “protesta të armatosura” përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.

Agjencia federale e zbatimit të ligjit tha se “protestat e armatosura” mund të planifikohen në të 50 kryeqytetet e shteteve dhe në ndërtesën e Kongresit, nga data 16 janar deri së paku më 20 janar.

Trump, i cili thotë se nuk do të marrë pjesë në inaugurim, ende kundërshton rezultatin e zgjedhjeve. Mes shqetësimeve për dhunë të mundshme në ditën e inaugurimit, në një lëvizje të pazakontë, udhëheqësit e lartë të ushtrisë lëshuan një qarkore për të gjithë anëtarët e shërbimit, duke e quajtur trazirën në Kongres një veprim anti-demokratik, kriminal dhe se e drejta për fjalën e lirë askujt nuk i jep të drejtë kryej dhune. Memorandumi gjithashtu u kujtoi anëtarëve ushtarakë që Joe Biden u zgjodh president i ardhshëm në mënyrë të rregullt.

Përgatitë​n: Krenare Cubolli, Kestrin Kumnova

Airbnb bllokon rezervimet në Uashington javën e inaugurimit të Bidenit

Kompania për dhënie me qira të apartamenteve, Airbnb, ka njoftuar se do të bllokojë dhe pezullojë të gjitha rezervimet në zonën e Uashingtonit, gjatë javës së inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden.

“Ky vendim është marrë pas informatave të siguruara nga komuniteti nikoqir, si dhe zyrtarët lokalë, shtetërorë dhe ata federalë”, ka thënë Airbnb përmes një deklarate.

Kjo kompani gjigante ka thënë edhe se ua ka ndaluar disa individëve rezervimet pasi ka gjetur se kanë lidhje me grupet që nxisin urrejtje, apo edhe me ato që janë përfshirë në sulmin ndaj Kongresit javën e kaluar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për raportimet lidhur me milici të armatosura dhe grupe që nxisin urrejtje, që kanë tentuar të udhëtojnë dhe të pengojnë inaugurimin”, ka thënë Airbnb.

Megjithatë, kjo kompani nuk ka treguar nëse vendimi për të bllokuar rezervimet ka qenë rezultat i ndonjë kërkese të agjencive për zbatim të ligjit. rel

Dhoma e Përfaqësuesve nis debatin për shkarkimin e Trumpit

Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka nisur debatin rreth procedurave për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, për herë të dytë gjatë presidencës së tij.

Ligjvënësit pritet të votojnë fillimisht për rregullat e debatit të së mërkurës.

“Ne jemi duke debatuar për një masë historike në një skenë aktuale krimi, dhe nuk do të arrinim deri këtu nëse nuk do të ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë kongresisti demokrat, Jim McGovern.

Ai ka akuzuar Trumpin për “rritje të zemërimit të turmës së dhunshme” dhe ka thënë se “është mrekulli që nuk kanë vdekur më shumë persona”.

“Nuk do ta harroj kurrë çfarë kam parë kur kam shikuar në sytë e atyre sulmuesve në këto hapësira. Kam parë djallëzi”.

Nëse rregullat e debatit miratohen, atëherë më vonë gjatë ditës do të votohet për një artikull që akuzon Trumpin për nxitje të kryengritjes gjatë një fjalimi që ka bërë javën e kaluar, i cili ka rezultuar me trazira në ndërtesën e Kongresit.

Për pasojë, pesë persona kanë vdekur gjatë sulmit. rel

Schumer – pragmatizëm, eksperiencë dhe ego në rolin e udhëheqësit të shumicës në Senat

Rob Garver

UASHINGTON – Pas gati një çerek shekulli në politikë, Senatori demokrat Chuck Schumer pritet të marrë drejtimin si udhëheqës i shumicës në një Senat ku palët janë të përfaqësuara në nivel të barabartë. Ai do të jetë kështu në epiqendër të betejave legjislative që do të pasojnë inaugurimin me 20 janar të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Zoti Schumer, 70 vjeç, njujorkezi i parë dhe personi i parë me origjinë hebre që do të mbajë postin e udhëheqësit të maxhorancës në Senat, do të pasojë udhëheqësin e tanishëm të shumicës republikane Mitch McConnell nga shteti Kentaki, në një moment plot rreziqe. Shtetet e Bashkuara i ka mbërthyer pandemia vdekjeprurëse, ekonomia është goditur rëndë dhe vendi është ende i tronditur nga sulmet ndaj Kapitolit të mërkurën e kaluar nga një turmë mbështetësish të Presidentit Donald Trump.

Kreu i pakicës në Senat, Chuck Schumer, duke folur gjatë rimbledhjes së Senatit pas sulmeve ndaj Kapitolit (6 janar 2021)

Kreu i pakicës në Senat, Chuck Schumer, duke folur gjatë rimbledhjes së Senatit pas sulmeve ndaj Kapitolit (6 janar 2021)

Për më tepër, zoti Schumer ka gjasa ta marrë rolin e tij të ri udhëheqës në mesin e një tjetër beteje të nxehtë për të larguar Presidentin Trump nga Shtëpia e Bardhë, megjithëse mandatit të presidentit republikan po i vjen fundi.

Senati i ri me shumicë demokrate nuk ka gjasa të veprojë për shkarkimin derisa të jetë betuar në detyrë Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden më 20 janar. Ndër detyrat e para të zotit Schumer do të jetë hartimi i një strategjie për të konfirmuar anëtarët e kabinetit të zotit Biden dhe njëkohësisht për të miratuar iniciativa jetike legjislative, ndërsa paralelisht zhvillohet një gjyq në Kongres ndaj zotit Trump.

Në një letër drejtuar kolegëve në Senat këtë javë, zoti Schumer u zotua se procesi i hetimit dhe gjykimit nuk do të ndërhyjë tek axhenda e Partisë Demokrate, ku përfshihet miratimi i paketës së stimulit ekonomik ndaj pandemisë së koronavirusit, ku do të jepen pagesa individuale prej 2 mijë dollarësh, si dhe asistencë për shtetet amerikane dhe qeverisjen lokale.

Ai radhiti edhe objektiva të tjerë, si “legjislacion të guximshëm për të triumfuar përballë krizës klimatike” dhe përpjekje për të ndrequr sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të kujdesit për fëmijët, raportoi agjensia e lajmeve Associated Press.

Zoti Biden ka inkurajuar zotin Schumer dhe udhëheqësit e tjerë demokratë të ndjekin një përqasje me dy fronte, duke ndarë ditët legjislative ndërmjet gjyqit në Kongres dhe konfirmimit të të emëruarve të tij në postet e larta qeveritare.

Megjithëse Presidenti Trump nuk do të jetë më në detyrë kur Senati të zhvillojë gjyqin ndaj tij, zoti Schumer, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe demokratë të tjerë, kanë vënë në dukje se zotit Trump do t’i ndalohej kandidimi sërish për president në vitin 2024, nëse shpallet fajtor për nxitje të dhunës ndaj qeverisë.

Kamala Harris dhe Chuck Schumer

Kamala Harris dhe Chuck Schumer

Momenti i paqartë i kalimit të kontrollit të Senatit

U desh fitorja e dy vendeve të Senatit në balotazhet në Xhorxhia më 5 janar, që kontrolli i Senatit të kalonte nga republikanët tek demokratët, duke ngritur kështu edhe zotin Schumer nga udhëheqës të pakicës në detyrën më të lartë drejtuese.

Është momentalisht e pamundur të përcaktohet dita e saktë kur zoti Schumer do të marrë kontrollin e Senatit, pasi Senati është i ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes dy partive, si dhe për shkak të disa veçantive në ligjin zgjedhor.

Senati do të jetë i përbërë nga 50 demokratë dhe 50 republikanë dhe vota e Nënpresidentes Kamala Harris do të sigurojë fitoren për demokratët. Sidoqoftë, të gjitha këto nuk mund të realizohen derisa të fillojnë detyrën zëvendësuesi i zonjës Harris, e cila aktualisht është vetë senatore, si dhe dy senatorët e zgjedhur në Xhorxhia.

I emëruari për të zëvendësuar zonjën Harris, Sekretari i Shtetit të Kalifornisë Alex Padilla, mund të fillojë detyrën sapo të inaugurohet zonja Harris. Por, dy senatorëve të zgjedhur në Xhorxhia, Raphael Warnock dhe Jon Ossoff, mund t’u duhet të presin deri në 22 janar për të marrë postet e tyre, në varësi të kohës kur zyrtarët e atij shteti çertifikojnë rezultatet.

Ish-Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Senatorin Schumer në përvjetorin e 19-të të sulmeve terroriste në Nju Jork (11 shtator 2020)

Ish-Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Senatorin Schumer në përvjetorin e 19-të të sulmeve terroriste në Nju Jork (11 shtator 2020)

Një histori pragmatizmi

Megjithëse pozicioni i tij si udhëheqës partie e vendos zotin Schumer në epiqendër të skenës politike, historiku i tij në politikë në nivelin e shteteve amerikane dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara gjatë 45 viteve të fundit është karakterizuar nga një gjurmë e thellë pragmatizmi dhe dëshire për të arritur marrëveshje me palën tjetër.

Në veçanti, zoti Schumer ka shërbyer si urë lidhëse mes partive për çështje të lidhura me sektorin e shërbimeve financiare, një ndër sektorët më të rëndësishëm të shtetit nga i cili ai vjen. Ai është kritikuar shpesh nga anëtarët e partisë së tij për afërsinë me Wall Street-in.

Ai gjithashtu u përpoq të arrijë marrëveshje dypartiake për çështje të debatueshme. Ai ishte anëtar i “Grupit të 8-shes”, një grup senatorësh që në vitin 2013 udhëhoqën një përpjekje të suksesshme dypartiake për të kaluar në Senat një ligj për reformimin gjithëpërfshirës të emigracionit. Më pas ligji u bllokua në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë viteve, zoti Schumer ka qenë një mbështetës i fortë i shumë objektivave të politikave të lidhura me Partinë Demokrate. Në veçanti, ai ka qenë një aktivist i fortë për kontrollin e armëve, zgjerimin e qasjes në sigurimet shëndetësore dhe të drejtën e grave për të zgjedhur abortin.

Sidoqoftë, ai gjithashtu ka qenë i gatshëm të shkëputet nga partia e tij. Ai ndonjëherë i ka rezistuar përpjekjeve për të rritur taksat për njerëzit me të ardhura të larta, duke theksuar se në zona me kosto të lartë si Nju Jorku, nivelet e të ardhurave që do të konsideroheshin shumë të larta diku tjetër, janë të nevojshme për të ruajtur një mënyrë jetese të klasës së mesme.

Mbështetja e fortë e zotit Schumer për Izraelin e ka lënë atë në kundërshti me partinë e tij në raste të caktuara. Ai votoi kundër marrëveshjes bërthamore të Iranit të negociuar nga administrata Obama në 2015 dhe foli në favor të vendimit të diskutueshëm të Presidentit Trump për të lëvizur ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Izrael në qytetin e kontestuar të Jeruzalemit.

Një aktivist dhe organizator i aftë politik, zoti Schumer nuk ka humbur kurrë zgjedhjet në karrierën e tij. Ai gjithashtu drejtoi Komitetin e Fushatës Senatoriale Demokrate (DSCC), duke udhëhequr partinë në rimarrjen e kontrollit të Senatit në 2006 dhe duke larguar nga detyra gjashtë senatorë republikanë. Në zgjedhjet pasuese, ende nën udhëheqjen e zotit Schumer, DSCC ndihmoi partinë të fitonte edhe tetë vende të tjera.

Aftësitë e tij si politikan do të testohen plotësisht në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, ku mekanizmat përmes së cilëve edhe një senator i vetëm mund të bllokojë një propozim ligjor, mund ta bëjnë të vështirë miratimin e ndonjë legjislacioni me më pak se 60 vota, dhe ku edhe masat që mund të kalohen me një shumicë të thjeshtë, do të duhet të kënaqin demokratët më konservatorë në Senat.

“Schumer është i kufizuar si nga taktikat bllokuese, ashtu edhe nga preferencat e anëtarëve të tij më pak liberalë”, tha Kyle Kondik i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias. “Kjo listë fillon me senatorin Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore”.

“Duket sikur pagesat stimuluese prej 2 mijë dollarësh do të jenë një çështje e hershme e axhendës për Kongresin e ri. A mund ta strukturojë Schumer në një mënyrë të tillë që të mund të sigurojë votën e Manchin-it, i cili ka thënë se nuk i sheh pagesat si një përparësi kryesore? Apo, nëse ai humbet mbështetjen e Manchin-it, a mund të gjente votat e republikanëve? Mënyra se si do të zhvillohen gjërat do të jetë një provë interesante e hershme për Schumer-in si udhëheqës i shumicës”.

Në Park Slope, të Bruklinit, njerëzit marrin pjesë në votimin hershëm (27 tetor 2020, Bruklin, New York)

Në Park Slope, të Bruklinit, njerëzit marrin pjesë në votimin hershëm (27 tetor 2020, Bruklin, New York)

Një bir i Bruklinit

Ngritja e zotit Schumer në një prej pozicioneve më të fuqishme në vend vjen si kulmim i një karriere politike që është shtrirë përgjatë pesë dekadave. Duke filluar si anëtar i asamblesë së Nju Jorkut në 1975, zoti Schumer ngjiti shkallët vazhdimisht, duke shërbyer 18 vjet si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, përpara se të zgjidhej në Senat për herë të parë në vitin 1998.

I lindur në Bruklin, Nju Jork, në vitin 1950, zoti Schumer ende jeton po aty, në lagjen Park Slope, së bashku me bashkëshorten e tij prej 40 vitesh, Iris Weinshall. Ata kanë dy vajza të rritura. Zoti Schumer ndoqi Kolegjin e Harvardit dhe Fakultetin Juridik të Harvardit, si dhe u liçensua në avokaturë në shtetin e Nju Jorkut, megjithëse nuk e ushtroi kurrë këtë profesion.

Zoti Schumer është kushëri i dytë i aktores dhe komedianes Amy Schumer.

Zoti Schumer është bërë shpesh objekt i shakave në Kapitol për shkak të tendencave të tij protagoniste dhe dëshirës për publicitet. Ish-udhëheqësi i shumicës dhe kandidati republikan për president Bob Dole u shpreh dikur se “vendi më i rrezikshëm në Uashington është ndërmjet Charles Schumer-it dhe një kamere televizive”.

5 republikanë thonë se do të votojnë pro akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump

VOA

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan pritet të votojë të mërkurën për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Do të ishte hera e parë në historinë amerikane që ndaj një presidenti ngrihen dy herë akuza për shkarkim gjatë mandatit të tij.

Demokratët gëzojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kanë vota të mjaftueshme për të marrë vendimin, por atyre pritet t’u bashkohen një numër gjithnjë në rritje republikanësh, të gatshëm të votojnë pro-shkarkimit të Presidentit.

Ligjvënësja Jaime Herrera Beutler njoftoi të martën në mbrëmje se do të votojë pro ngritjes së akuzave. Ajo u shpreh nëpërmjet një deklarate se zoti Trump “veproi kundër betimit që ka bërë si president”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nxiti protesta të dhunshme që synonin të ndalonin transferimin paqësor të pushtetit nga një administratë në tjetrën“, tha Herrera Beutler.

Ligjvënësja Liz Cheney, numri tre ligjvënësve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve tha në shpjegimin e mbështetjes së saj për ngritjen e akuzave se “kurrë më parë nga ana e një presidenti nuk ka patur një tradhëti më e madhe”.

Mes republikanëve të tjerë që thanë se do të votonin për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e zotit Trump janë ligjvënësit John Katko, Adam Kinzinger dhe Fred Upton.

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, një aleat i ngushtë i zotit Trump, tha se “ngritja e akuzave për shkarkimin e zotit Trump gjatë kësaj periudhe do të kishte efektin e kundërt ndërsa vendi është i përçarë”

Zoti Trump dha një mesazh të ngjashëm gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë të martën.

Po shkakton zemërim e ndasi të jashtëzakonshme si dhe dhimbje shumë më të mëdha sesa shumica e njerëzve mund të kuptojnë, gjë që është shumë e rrezikshme për SHBA-në, veçanërisht në këtë kohë të brishtë“, tha zoti Trump.

Ai foli për “paqe e qetësi” dhe tha se tashmë është “koha për ligj e rend”.

Presidenti Trump, i cili në një video javën e kaluar i tha turmës së mbështetësve të tij; “ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë”, nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Ndërsa republikanët votuan në bllok kundër ngritjes së akuzave për shkarkim të zotit Trump vitin e kaluar, nën akuzën për presion ndaj Ukrainës për të hetuar demokratin Joe Biden, tashmë president i zgjedhur, udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve po tregojnë se nuk kanë ndërmend t’u bëjnë presion anëtarëve të tyre për të votuar këtë herë kundër përpjekjeve për shkarkim.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve merr vendim për t’i ngritur zyrtarisht akuzat, çështja kalon për gjykim në Senat.

Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi njoftoi të martën vonë se kishte zgjedhur ligjvënësin Jamie Raskin për të udhëhequr një grup ligjvënësish që do të paraqesin çështjen në Senat.

Është detyra e tyre kushtetuese dhe patriotike të paraqesin çështjen për shkarkimin e Presidentit“, tha zonja Pelosi në një deklaratë. “Ata do ta bëjnë këtë të udhëhequr nga dashuria e madhe për vendin, vendosmëria për të mbrojtur demokracinë tonë dhe besnikëria ndaj Kushtetutës. Ata do të nderojnë detyrën e tyre për të mbrojtur demokracinë për popullin me shumë solemnitet dhe urgjencë“.

Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do t’i dërgojnë menjëherë akuzat për shqyrtim në Senat, duke pasur parasysh që mandati i zotit Trump përfundon javën e ardhshme. Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtare në qeverinë federale në të ardhmen.

Kjo është hera e dytë që demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve bëjnë përpjekje prë shkarkimin e presidentit nga detyra, këtë herë si përgjigje ndaj sulmit në Kapitol.

Të martën vonë Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë nëpërmjet së cilës i kërkohej Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të zotit Trump të përdorur autoritetin që i jep Kushtetuta duke larguar zotin Trump nga detyra për paaftësi.

Votimi përfundoi me 223 vota pro dhe 205 kundër rezolutës dhe ishte pothuajse tërësisht në linja partiake.

Përpara votimit të rezolutës të martën, zoti Pence i dërgoi një letër zonjës Pelosi duke shpjeguar se ai nuk do të merrte verpime bazuar në Amendamentit 25-të të Kushtetutës së SHBA, sipas të cilit nënpresidenti dhe shumica e anëtarëve të kabinetit deklarojnë një president të paaftë duke e shkarkuar atë nga detyra.

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA voton që Pence të përdor amendamentin e 25-të

Washington DC

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar për një rezolutë që kërkon nga zv/presidenti Mike Pence të përdor amendamentin e 25-të për rrëzimin e presidentit Donald Trump për shkak rë trazirave të dhunshme të javës së kaluar në Kongresin Amerikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Projekt-ligji, i cili u paraqit nga përfaqësuesi demokrat i shtetit Maryland, Jamie Raskin, u miratua në një votim 223-205 disa orë pasi Pence i tha kryetares së Dhomës së Përfaqësueses, Nancy Pelosi, se ai nuk do ta bënte atë.

“Nuk besoj se një mënyrë e tillë veprimi është në të mirë të interesit tonë kombëtar ose në përputhje me kushtetutën tonë”, tha më herët Pence.

Vetëm një ligjvënës republikan, përkatësisht përfaqësuesi i shtetit Illinois, Adam Kinzinger, doli në anën e demokratëve duke votuar në favor të projekt-ligjit.

Zv/presidenti Pence kërkoi nga Pelosi dhe anëtarët e Kongresit “të shmangin veprimet që do të ndanin dhe nxisnin më tej pasionet e momentit”.

Të dielën, Pelosi u zotua se demokratët do të veprojnë me urgjencë, duke theksuar se Trump përbën “një kërcënim të afërt” për kushtetutën dhe demokracinë amerikane.

“Përderisa ditët kalojnë, tmerri i sulmit të vazhdueshëm ndaj demokracisë sonë, i kryer nga ky president, është intensifikuar dhe kështu veprimi është nevojë e menjëhershme”, tha ajo në një letër për zv/presidentin Pence.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve më herët thanë se nëse Pence dështon të veprojë, ata do të vazhdojnë përpara me një votë për impiçment kundër presidentit në largim.

Trump është akuzuar për nxitje të dhunës pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit Amerikan, e cila përfshin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, gjë që shkaktoi pesë vdekje, si dhe nxiti zemërim si tek demokratët ashtu edhe tek republikanët.

Si do të ndodhë gjykimi i dytë ndaj Trumpit?

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të nisë procedurat për ngritjen e akuzave kundër presidentit Donald Trump, lidhur me inkurajimin që ai i bëri mbështetësve të tij të cilët sulmuan Kongresin amerikan – një votim ky që e bën Trumpin të jetë presidenti i parë amerikan ndaj të cilit zhvillohet ky proces dy herë.

Procesi i ngritjes së akuzave në Kongres apo siç njihet anglisht “impeachment” më herët është iniciuar ndaj tre presidentëve amerikanë – Andrew Johnson, Bill Clinton dhe Trump – dhe ka zgjatur tre muaj para votimit final. Në këto procese të mëhershme janë kryer edhe hetime, por edhe janë mbajtur seanca dëgjimore. Por gjykimi i dytë ndaj Trumpit, pritet të zhvillohet brenda një jave.

Pas sulmit në ndërtesën e Kongresit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se “ne duhet të veprojmë” dhe demokratët – dhe disa republikanë – ndajnë të njëjtin mendim dhe pritet që të mërkurën të votojnë për këtë.

Për më tepër, Senati që udhëhiqet nga republikanët nuk pritet që të mbajë gjykim dhe të votojë nëse Trumpi do të gjendet fajtor para se Joe Biden të betohet si president i ri i SHBA-së më 20 janar. Por, pavarësisht kësaj, demokratët thonë se veprimet në Dhomën e Përfaqësuesve do t’i dërgojnë një mesazh të rëndësishëm vendit.

Më poshtë mund të mësoni se çfarë pritet të ndodhë teksa Dhoma e Përfaqësuesve nis procesin e shkarkimit të Trumpit, teksa këtij të fundit i kanë mbetur edhe një javë mandat si president.

Baza e gjykimit

Normalisht, do të duhej të kishte hetim në procesin e gjykimit dhe provat do të duhej që t’i dërgoheshin Komitetit Gjyqësor të Dhomës, organ i cili më pas do të duhej të mbante seanca dëgjimore, të draftonte artikujt e gjykimit dhe më pas t’i dërgonte ato në Dhomën e Përfaqësuesve. Kështu ndodhi më 2019, kur Dhoma e Përfaqësuesve e gjeti fajtor Trumpin lidhur me marrëveshjet që ai kishte bërë me presidentin e Ukrainës. Atëbotë, i gjithë ky proces zgjati tre muaj.

Por, kësaj radhe, me vetëm disa ditë për të vepruar – dhe me ndjenjën në mesin e demokratëve se ka pak hetime për t’u kryer lidhur me atë se çfarë ndodhi, pasi shumica e anëtarëve të Kongresit e dëgjuan Trumpin teksa iu drejtua mbështetësve të tij dhe se ligjvënësit ishin në Kongres kur sulmi ndodhi – procesi i gjykimit po shkon drejt votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që pritet të ndodhë të mërkurën.

Pasi Dhoma të votojë për këtë, artikujt e gjykimit dhe provat do të dërgohen në Senat, ku gjykimi do të mbahet dhe aty më pas do të ketë një votim final lidhur me atë nëse Trump do të gjendet fajtor apo do të lirohet nga akuzat. Këtë gjë e kishte bërë Senati shkurtin e vitit të kaluar, pasi ndaj Trumpit nisën procedurat e gjykimit për herën e parë.

Artikujt

Demokratët do ta nisin debatin të mërkurën me vetëm një akuzë: “nxitje të kryengritjes”.

“Presidenti Trump rrezikoi seriozisht sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të qeverisë”, thuhet në artikullin e akuzave prej katër faqes, që u prezantua nga përfaqësuesit demokratë, David Cicilline nga Rode Ijllënd (Rode Island), Ted Liu nga Kalifornia (California) dhe Jamie Raskin nga Merilend (Maryland).

“Ai do të vazhdojë të jetë kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën nëse lejohet që të qëndrojë në zyre”, thuhet në dokument.

Artikulli po ashtu thotë se sjellja e Trumpit është konsistente lidhur me përpjekjet e tij të mëparshme për të “përmbysur dhe penguar” rezultatet e zgjedhjeve dhe po ashtu përmendet edhe biseda telefonike që presidenti kishte së fundmi me Sekretarin e shtetit të Xhorxhias (Georgia), ku Trump kërkoi nga ai që t’i gjendet më shumë vota, pasi humbi zgjedhjet në këtë shtet.

Trump, pa dhënë prova, ka pretenduar se ka pasur mashtrime të gjera në zgjedhje dhe këto pretendime janë përsëritur edhe nga kongresistët republikanë dhe nga sulmuesit që sulmuan Kongresin. Vetëm pak orë para trazirave, Trump iu drejtua mbështetësve të tij para Shtëpisë së Bardhë, duke i inkurajuar ata që “të luftojnë”.

Teksa protestuesit hynë në Kongres, të dy dhomat e këtij institucioni, po debatonin lidhur me kundërshtimet që republikanët kishin bërë gjatë numërimit të votave elektorale në shtetin e Arizonës. Kundërshtimet ishin pjesë e procesit të certifikimit nga Kongresi të fitores së Bidenit.

Mbështetja e republikanëve

Të mërkurën, pesë republikanë thanë se do të mbështesin procesin për shkarkimin e Trumpit. Asnjë republikanë nuk kishte mbështetur procesin për shkarkimin e Trumpit më 2019.

Përfaqësuesja republikane nga Uajoming (Wyoming), Liz Cheney, që njëherësh është vajza e ish-nënpresidentit amerikan, Dick Chaney, tha se ajo do të votojë për shkarkimin e Trumpit sepse “asnjëherë nuk kam parë tradhti më të madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara ndaj zyrës së tij dhe ndaj betimit që ka bërë ndaj Kushtetutës”.

Cheney tha se Trumpi “ftoi” turmën që të sulmonte Kongrsin javën e kaluar, “mblodhi turmën dhe nxiti këtë sulm”.

Përfaqësuesi nga Nju Jorku (New York), John Katko ishte republikani i parë që tha se do të votonte për shkarkimin e Trumpit. Katko, që është ish-prokuror federal, tha se marrja e këtij vendimi nuk ka qenë e lehtë.

“Të lejosh presidentin e SHBA-së që të nxisë sulm pa pasur pasoja, është kërcënim direkt ndaj së ardhmes së demokracisë sonë”, tha Katko. “Unë nuk mund të qëndroj pa bërë asgjë”, shtoi ai.

Po ashtu, republikanët Adam Kinzinger nga Illinois (Illinois), Fred Upton nga Miçigen (Michigan) dhe Jaime Herrera Beutler nga Uashingtoni (Washington) janë deklaruar pro shkarkimit të Trumpit.

Dërgimi në Senat

Kur artikujt e gjykimit të kalojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, kryetarja e këtij institucioni, Nancy Pelosi i dërgon ato në Senat. Sipas rregullave të deritanishme, Senati është në pushim deri më 19 janar, që është vetëm një ditë para inaugurimit të Bidenit.

Disa demokratë kanë sugjeruar se Pelosi mund të presë dhe të mos i dërgojë menjëherë në Senat artikujt e gjykimit dhe këtë ta bëjë pasi Bideni të nisë mandatin e tij si president. Por, demokratë të tjerë i kanë bërë thirrje Pelosit që të veprojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, i cili do të udhëheqë me Seantin pasi Bideni të betohet si president, ka sugjeruar në një letër që u dërguar kolegëve të martën, se ky institucion mund të ndajë kohën në mes të konfirmimit të të nominuarve të Bidenit për postet qeveritare, miratimit të pakos së ndihmës për COVID-19 dhe mbajtjes së gjykimit ndaj Trumpit.

Nëse gjykimi nuk mbahet deri kur Trump të jetë larguar nga zyra, kjo prapë do të ketë ndikim që ta parandalojë atë që të rikandidojë për president.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka thënë se është e rëndësishme që të sigurohet që “njerëzit që u përfshin në kryengritje dhe kërcënuan jetën, që dëmtuan pronën publike dhe shkaktuan dëme të mëdha – ata duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Politikat e Senatit

Ka pak gjasa, tash për tash, që numër i mjaftueshëm i republikanëve do të votojnë për gjetjen fajtor të Trumpit, pasi që për këtë gjë kërkohet dy e treta e votave të Senatit. Megjithatë, disa republikanë kanë kërkuar nga Trumpi që të japë dorëheqje, përfshirë këtu senatorin nga Pensilvania (Pennsylvania), Pat Toomey dhe ajo nga Alaska, Lisa Murkowski. Por, ka edhe disa senatorë që i kanë dalë në mbrojtje presidentit.

Senatori republikan, Ben Sasse tha se ai do të shikojë se çfarë do të miratojë Dhoma e Përfaqësuesve, por nuk e qartësoi nëse ai do të mbështeste një vendim për shkarkimin e Trumpit.

Një seancë ndryshe e Kongresit
Fotogaleri

Një seancë ndryshe e Kongresit

Republikanë të tjerë kanë thënë se një gjykim ndaj Trumpit do të krijonte më shumë ndasi. Senatori nga Karolina e Jugut (South Carolina), Lindsey Graham – një aleat kyç i presidentit Trump – ka qenë kritik ndaj sjelljes së presidentit në nxitjen e trazirave, por ai ka thënë se një gjykim ndaj Trumpit “do të bënte më shumë dëm sesa mirë”.

Vetëm një republikan kishte votuar vitin e kaluar për ta dënuar Trumpin – senatori nga Utah, Mit Romney.

Çfarë do të thotë ky proces?

Demokratët kanë thënë se do të vazhdojnë me procesin edhe nëse Senati nuk kthehet nga pushimi.

Senatori nga Vermonti, demokrati Bernie Sanders ka shkruar të premten në Twitter se disa njerëz mund të pyesin se pse po nisin procedurat për gjykimin e Trumpit, teksa atij i kanë mbetur vetëm disa ditë mandat.

“Përgjigja: Precedenti”, tha ai. “Duhet të bëhet e qartë se asnjë president, tani apo në të ardhmen, nuk mund të udhëheqë një kryengritje ndaj Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Send this to a friend