VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Jo heshtje, meditim për votim! – Nga Florim Zeqa

By | October 5, 2019

Komentet

(Video) Milaim Zeka: Edi Rama Erdogan – Akuzat ndaj Thaçit e Veselit janë konfirmuar, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Voal.ch – Në Kosovë duket se guximi i zyrtarëve ka tejkaluar pritshmëritë dhe “dora e pabesë” ka arritur deri te thesari i shtetit. 2 milionë euro i mungojnë Kosovës. Por ku kanë shkuar? Për këto zhvillime, por edhe të tjera, foli në A2 gazetari, opinionisti, Milaim Zeka.

Fillimisht, ai foli për mungesën e 2,1 milionë eurove në thesarin e Kosovës, duke theksuar se kjo lëvizje ka ndodhur me dijeninë e plotë të politikanëve. “Çdo vjedhje që ndodh në Tiranë kryhet me miratimin e krerëve të shtetit. Nuk ka skandal të hajnisë në Tiranë që nuk është e përfshirë qeveria. E njëjta situatë është edhe në Kosovë. Janë një petë e lakrorit ose janë vetëm një pikë në oqeanin e vjedhjeve që i janë bërë Kosovës nga politikanët, që sot janë multimilionerë. Në anën tjetër, populli është varfëruar në mënyrë ekstreme. Ky njeri, i cili arriti të transferojë 2,1 milionë euro nga thesari ishte në koordinim absolut me politikanët e Kosovë, pasi në të kundërt nuk kishte për të ndodhur pa dijeninë e këtyre njerëzve”, u shpreh Zeka.

Më tej, Zeka foli mbi Gjykatën Speciale duke u shprehur se tashmë akuza ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve është e konfirmuar. “Aktakuza është e konfirmuar edhe këtë e dinë edhe këta persona. Për këtë ka ndodhur dje një takim. Tani do të kemi zhvillime të reja në Kosova. Nëse gjykata nuk del sot me deklaratë që aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit është hedhur poshtë, atëherë është e konfirmuar. Mosdeklarimi i Gjykatës sot e konfirmon aktakuzën. Thaçi mund të japë dorëheqje dhe ne mund të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas meje, zgjedhjet do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Jam shumë i bindur që qytetarët e Kosovës do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme në pranverën e ardhshme. Besoj se do ta kalojmë këtë periudhë në mënyrë të qetë, pasi Serbia është duke e vënë në dyshim ekzistencën e shtetit të Kosovës”, u shpreh Zeka.

Zbardhet skema e vjedhjes së 2 milionë eurove, të përfshirë ortaku i deputetit të LDK-së dhe vëllai i këshilltarit të ministrit

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera.

Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.

Një hulumtim i Gazetës Online Insajderi ka zbuluar se 261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala

Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës, raporton Gazeta Insajderi.

Përpos tërheqjes në formë kesh dhe elektronike të 266 mijë e 572 eurove nga xhirollogaritë e firmës, Valon e Kadri Shala kanë transferuar 26 mijë euro në xhirollogarinë e Klubit Futbollistik “KF Gryka e Llapushnikut” – një klubi të shuar futbolli, të cilin e kishte drejtuar Kadri Shala disa vjet më parë.

Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K. ndodhen në arrati që nga e marta. Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove.

Por jo vetëm këta tre persona qëndrojnë prapa skemës së vjedhjes dhe shpërndarjes së milionave të zhdukur nga Thesari. Gazeta Insajderi ka zbuluar se skema e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit implikon edhe njerëz të lidhur me politikën, një kompani të huaj me bazë në Turqi dhe biznesmenë të tjerë të profilit jo të lartë.

Brenda ditëve të para pas vjedhjes nga Thesari i Shtetit, shumica e mjeteve janë transferuar nga LDA Group SH.P.K në llogaritë e 13 kompanive të tjera private dhe 4 personave fizik. Gazeta Insajderi ka zbuluar rrjedhën e parave të cilat dëshmojnë se 340 mijë euro janë transferuar nga llogaria e kompanisë LDA Group SH.P.K në adresë të kompanisë turke, “Vekoç Makina Insaat”. Janë kryer dy transaksione: njëra në vlerë prej 215 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë prej 125 mijë eurove.

“Vekoç Makine – Vekoç Makina Insaat” është një kompani e regjistruar në Tuzla, një lagje e cila ndodhet në kufirin lindor të Stambollit.

Pronari i kësaj kompanie, e cila merret me aktivitetet e përpunimit dhe prodhimit të betonit, rezulton të jetë Vehbi Koç.

Biznesmeni Koç besohet të ketë lidhje me Kadri dhe Valon Shalën, pronarët e LDA Group Sh.P.K të cilët dyshohet se pas transferimit ilegal të mjeteve janë arratisur në drejtim të Turqisë.

300 mijë euro të tjera, siç ka zbuluar Gazeta Insajderi, nga LDA Group janë transferuar në xhirollogarinë e Gashi Komerce Sh.P.K, një firme private me bazë në Suharekë.

Bazuar në regjistrin e të dhënave pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), pronarë të Gashi Komerce Sh.P.K figurojnë Gëzim dhe Mevlide Gashi. Të dy zotërojnë nga 50 për qind të aksioneve të firmës, e cila merret me prodhimin e artikujve të plastikës për ndërtimtari.

Tri ditë pas zhdukjes së milionave të Thesarit, secili nga dy djemtë e bashkë-pronarëve të Gashi Komerce Sh.P.K, u bënë pronarë të dy veturave të reja të markës gjermane Audi. Kështu sugjeron një postim i bashkëshortit të Mevlide Gashit dhe vëllait të Gëzim Gashit, i cili uroi djalin e nipin e tij për blerjen e dy veturave të reja në një sallon automobilësh në Prishtinë.

Sipas të dhënave publike, Gashi Komerce Sh.P.K ka deklaruar kapital në vlerë prej 2 mijë eurove, ndonëse firma është regjistruar si biznes më 2014, raporton Gazeta Insajderi.

Pjesë e skemës së vjedhjes milionëshe nga Thesari është edhe Burim Bujupi. Kësisoj, lidhjet e tij çojnë edhe drejt Kadri Shalës, bashkë-pronarit të “LDA Group” Sh.P.K.

Gazeta Insajderi, ka mësuar se në xhirollogarinë e bashkë-partiakut të Kadri Shalës, është procesuar një transaksion në vlerë prej mbi 50 mijë eurove disa orë pas transferimit të mjeteve të vjedhura nga Thesari në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K., tregojnë të dhënat që ka siguruar Insajderi.

Bujupi, aktivitetet e tij i ndan mes politikës e biznesit. Ai është ortak biznesi me Mërgim Lushtakun, deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Dy biznesmenët që merren edhe me politikë, udhëheqin bashkë kompaninë private,“Koni projekt” Sh.P.K., e cili – bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK – ka përcaktua Bujupi, është po ashtu pronar i firmës “Atika Beton” L.L.C., me bazë në fshatin Shkabaj të Prishtinës.

Përfituese nga skema e vjedhjes së buxhetit të shtetit është edhe një familjare e Bujupit. Gazeta Insajderi ka mësuar se nga kompania “LDA Group” Sh.P.K., pas 9 tetorit, 30 mijë euro janë transferuar në xhirollogarinë e 65-vjeçares, Myrvete Muhadri, vjehrrës së Burim Bujupit.

Muhadri është një grua në pension për të cilën ka shumë pak të dhëna publike, përveç lidhjes familjare me asamblistin e Kuvendit Komunal të Drenasit. Një emër tjetër tregtar i lidhur me njerëz të politikës, e që implikohet në skemën e vjedhjes nga Thesari, është “KREATIV” Sh.P.K. Kjo ndërmarrje private është pronë e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, anëtarit të Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Gjatë Qeverisë Haradinaj (2016-2019), Argjend Zejnaj shërbeu si shef i Kabinetit të Pal Lekajt, ish-ministrit të Infrastrukturës. Pikërisht nga linja buxhetore e kësaj ministrie u tërhoqën paratë, të cilat më pastaj u përdorën për kryerjen e pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit për kompaninë “LDA Group”.

“KREATIV” Sh.P.K. është e regjistruar në Prishtinë në vitin 2016. Sipas regjistrit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, drejtor i saj figuron Astrit Zejnaj, ndërkaq aksione në kompani zotëron edhe Arjeta Selmanaj.

Pak më shumë se 296 mijë euro, nga “LDA Group” janë transferuar në xhirollogarinë e “Isotherm Muja” Sh.P.K.. Është kjo një firmë private nga Suhareka, drejtor i së cilës figuron Mujë Llugaxhiu. Gazeta ka mësuar se Llugaxhiu ka afërsi familjare me Bashkim Ndrecajn, një asamblist komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suharekë.

Në regjistrin e ARBK-së, kjo kompani figuron se ushtron veprimtarinë e prodhimit të produkteve minerale jometalike. Kompania është e regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë katër vjet më parë. “Dili Commerce” Sh.P.K është një kompani tjetër në xhirollogarinë bankare të së cilës u transferuan 50 mijë euro nga “LDA Group”, tregojnë të dhënat që ka siguruar Gazeta Insajderi.

Ndërkaq, Shpejtim Rexhaj B.I., në të cilën firmë private janë transferuar 45 mijë euro të tjera nga shuma e vjedhur prej Thesarit, është një firmë e emërtuar me emrin tregtar “Shpërtimi – R”.

Kjo kompani, bazuar në të dhënat publike, figuron të jetë në pronësi të Shpejtim Rexhajt nga Komuna e Gjakovës. Në bazë të të dhënave publike, kompania të cilën e zotëron ai, është themeluar në prill të 2012-s. Veprimtari kryesore e ka përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore.

Së paku sipas të dhënave publike, nuk ka asnjë informacion që e ndërlidh atë dhe biznesin e tij me të implikuarit e tjerë në skemën e vjedhjes milionëshe. Tre mijë euro më pak, saktësisht 42 mijë, janë transferuar në xhirollogarinë e firmës private “Kastrati Bau”. Edhe kjo ndërmarrje është e regjistruar në Gjakovë. Pronar i saj është Drilon Kastrati.

Kompania është e regjistruar pranë ARBK-së në Ministrinë e Tregtisë më 2006 dhe ushtron veprimtarinë e tregtisë me shumicë të drurit, materialeve ndërtimore dhe pajisjeve hidrosanitare.

Nga Gjakova, në skemën e vjedhjes milionëshe është implikuar edhe kompania private “Euroasphalt”. Me bazë në Bishtazhin të Komunës së Gjakovës, kjo firmë është e regjistruar në ARBK në vitin 2008.  Kryetari i Bordit të Drejtorëve të kompanisë është Kaltrin Kryeziu, drejtor dhe agjent i regjistruar Fatos Deva dhe anëtar i bordit Alban Fetoshi.

Kjo kompani merret me një numër të madh të aktiviteteve përfshirë nxjerrjen e gurit dekorativ dhe të ndërtimit, gurit gëlqeror etj. 55 mijë euro, menjëherë pas dëmtimit të Thesarit të Shtetit, pronarët e “LDA Group” i derdhën në llogaritë e kompanisë NPT “Fati”, ndërsa 6 mijë e 500 euro të tjera në llogarinë e “Al Metal Sadria” Shpk, një kompanie me bazë në Drenas, pronësia e së cilës është deklaruar mbi biznesmenin Sadri Elshani.

Në dy transaksione të veçanta, nga kompania që ekziston vetëm në letra – “LDA Group” Sh.P.K – u transferua edhe një shumë me vlerë të përgjithshme prej 46 mijë eurove në xhirollogaritë e dy personave juridik: Besim S. Hoti e Bedri Shala. I dyti dyshohet të ketë lidhje familjare me dy të dyshuarit.

Bazuar në dosjet e Prokurorisë së Shtetit, ekzekutimi i pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K përfundoi brenda tetë minutave. Përmes procesimit të katër transaksioneve, në orën 12:41 të së premtes së 9 tetorit, dy milionë euro u derdhën në xhirollogarinë e kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit.

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se është kërkuar bllokimi i llogarive ku dyshohet të jenë transferuar mjetet nga Thesari.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro”, thuhej në raportin e Policisë.

Për transferimin ilegal të mjeteve shpalosi detaje edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një konferencë të jashtëzakonshme për media dy ditë më parë. “Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta të cilat kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit të Kosovës, e cila është pjesë e Ministrisë së Financave dhe rreth 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami.

Udhëheqësja e Ministrisë së Financave ka thënë se “me t’u njoftuar për rastin, menjëherë [të martën, v.j] kemi njoftuar organet e drejtësisë”.

Si raport i skandalit, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj liroi nga detyra Hajrie Shalën, njërën nga këshilltaret e saj. Ajo është vajza e Kadri Shalës. Nisma Socialdemokrate, megjithatë, u distancua nga veprimet e bashkë-pronarit të “LDA Group” dhe u bëri thirrje organeve të rendit që të hetojnë rastin e krimit.

Zyrtari i Departamentit të Thesarit, Labinot Gruda, i arrestuar të martën për kryerjen e transaksioneve ilegale, është lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Në të kaluarën, ka qenë drejtor në Komunën e Drenasit gjatë udhëheqjes së RamizLladrovcit. Por, PDK-ja ka mohuar lidhjen e saj me Grudën. /Gazeta Insajderi

Transaksionet nga Thesari tek LDA

622 mijë euro

375 mijë euro

330 mijë euro

750 mijë euro

Transaksionet nga LDA tek 17 llogari tjera

Tërheqje Kesh 215.000

Tërheqje ATM 51.572

NTSH Shefqet SHPK 5.000

Bedri Shala 20.000

Kreativ SHPK 21.566

Euroasphalt SHPK 7250

KF GrykaLlapushnik 26.000

Besim Salih Hoti 26.000

Kastrati Bau 42.000

Shpejtim Rexhaj 45.000

Dili Comerce SHPK 50.000

N.P.T Fati 55.2613

ODA e Junikut SHPK 6.136

Myrvet Muhadri 30.250

Burim Bujupi 50.500

Isotherm Muja SHPK 296.205

Gashi komerce SHPK 300.000

AL Metal Sadria SHPK 6.500

Vekoc Makinains san ved tic 1/LTD STI Turkye 125.000 / 215.000

PDK për t’u futur në qeveri i kerkon ministri sa LDK dhe postin e presidentit

PDK po kërkon që, në këmbim të hyrjes në Qeveri, t’i marrë ministritë aq sa i ka LDKja, si partia kryesore e koalicioni dhe postin e Presidentit.

Partia Demokratike ka vendosur çmim për t’u bërë pjesë e Qeverisë, pas disa muajve në opozitë, pasi i kaloi në pushtet 15 prej 20 vjetëve të pasluftës. Gazeta Express mëson se partia e Kadri Veselit, për të hyrë në Qeveri, po i kërkon ministritë aq sa i ka LDK’ja, që i bie gjashtë ministri.

Jashtë kabinetit qeveritar, PDK’ja dëshiron që të mos e lëshojë pozitën e Presidentit, të cilën e mban lideri i saj shumëvjeçar, Hashim Thaçi.

Lëvizjet kanë nisur, por nuk po dihet saktësisht se çka po ndodhë. Dje, kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, që është pretendent për President, ka takuar presidentin e tanishëm Hashim Thaçin dhe kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin,

Ndërkaq, sot në Kuvend, Haradinaj i takoi partnerët e koalicionit; kreun e LDK’së, Isa Mustafën dhe atë të Nismës, Fatmir Limaj.

Zgjedhja e presidentit të ri ka afat deri në marsin e vitit 2021, por pritjet nga Haga, kanë nisur më herët kalkulimet. Nesër, më 24 tetor, është afati i fundit kur Tribunali Special e konfirmon ose e hedh poshtë aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, për krime lufte.

Deri tash, vetëm ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka shpallur kandidaturën e vet për president të vendit. Për të nuk kanë deklaruar përkrahje as partnerët e koalicionit e as PDK’ja. Për çështjen e presidentit, të gjithë aktorët politikë thonë se do të flasin “kur të vijë koha”.

MPJ-ja e Kosovës takohet me atë të Izraelit, diskutohet për vizitën e parë zyrtare

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka mbajtur takimin e parë konsultativ me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë ministrja Haradinaj, teksa tha se në takim u diskutuan detajet për vënien e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, shkruan Gazeta Express.

“Kisha nderin të hap takimin e parë zyrtar konsultativ ndërmjet Drejtorive të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, në të cilin u diskutua për detajet e vendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, gadishmërinë për ndërtimin e marrëdhënieve të plota në të gjitha fushat, si dhe për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në postimin e ministres.

Ndërkaq, tutje thuhet se u diskutua edhe lidhur me “vizitën e parë zyrtare në Shtetin e Izraelit të delegacionit të Republikës së Kosovës në muajin e ardhshëm”.

Marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e finalizuar në Uashington, ka rezultuar në njohje diplomatike të Kosovës dhe Izraelit.

Koci: Nëse Specialja s’njofton nesër për hedhje poshtë, atëherë Thaçit i është konfirmuar pjesërisht aktakuza

Avokati Arianit Koci, ka thënë në emisionin Frontal në T7 se nesër para orës 24:00 Gjykata Speciale duhet të konfirmojë se aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, është hedhur poshtë, në të kundërt i bie që ajo është konfirmuar së paku pjesërisht.

“Rregulla 85 pika 5 në mënyrë eksplicite parasheh që gjykata të merr vendim jo më larg se 6 muaj. Nesër pra është afati i fundit që gjyqtari të merr vendim. Është e qartë kjo dispozitë ligjore. Janë dy mundësi. Ënse hedhet aktakuza përfundon procedura ndaj të dyshuarve. Nëse hedhet nesër është afati që të informojnë. Nëse konfirmohet aktakuza, apo pjesërisht në ndonjë pikë atëherë ata mund të fshehin faktin që është konfirmuar aktakuza deri në momentin kur i kumtohet të dyshuarve në gjyq”, thotë ai.

“Sipas vlerësimit tim, aktakuza është konfirmuar së paku pjesërisht. Patjetër duhet të informohen nesër nëse është hedhur aktakuzë, përndryshe shkelen të drejtat e të dyshuarve”, shtoi ai. /Express/

Haga mbledh dokumente rreth mandatit të Speciales: “Kërkesa e Thaçit, antikushtetuese”

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ndryshimet e propozuara kushtetuese nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, kanë për qëllim kryesor t’i zhbëjnë ose bëjnë të pavlefshme veprimet e Prokurorisë së Specializuar.

Komenti i Prokurorit të Specializuar vjen pas kërkesës për informacion nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë.

Kjo dhomë është duke bërë vlerësimin e kërkesës së Thaçit rreth ndryshimeve kushtetuese, që lidhen me mandatin e Gjykatës Speciale.

E njëjta kërkesë për informacion i është dërguar edhe presidentit Thaçi, Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, dhe Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

Dy institucionet e fundit kanë kërkuar shtyrje të afatit për dorëzimin e informacioneve të tyre.

Në deklaratën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se ndryshimet e propozuara nga Thaçi “i zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e garantuara nga Kapitulli II i Kushtetutës dhe janë antikushtetuese”.

Presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, në fund të gushtit.

Në propozimin e tij, ai ka kërkuar që të ndryshohet neni i amendamentit kushtetues, ku thuhet se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Gjykatës Speciale “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Më 18 shtator, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka dërguar në Hagë kërkesën e Thaçit lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Më 16 tetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar edhe komentin që ka bërë presidenti Thaçi, në përgjigje të informacionit të kërkuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë.

Mes tjerash, Thaçi ka thënë se kërkesa për ndryshim të Kushtetutës është bërë për të sqaruar disa paqartësi, në lidhje me përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale.

Duke përmendur disa formulime në Kushtetutë, Thaçi ka thënë se ato kanë bërë që opinioni kosovar të mendojë se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë për një periudhë më së shumti pesëvjeçare.

“Për t’i shmangur këto paqartësi dhe për ta eliminuar çdo dilemë është rekomanduar që të bëhen amendamentet e propozuara të Nenit 162 të Kushtetutës, gjegjësisht paragrafët 13 dhe 14 të riformulohen”, thuhet në informacionin e ofruar nga Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi, në muajin prill.

Këtë muaj pritet të bëhet e ditur nëse aktakuza është konfirmuar apo hedhur poshtë nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili i ka pasur gjashtë muaj kohë për ta shqyrtuar.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zais dhe Jovanovic: Marrëveshjet ekonomike Kosovë – Serbi nuk zëvendësojnë bisedimet politike në Bruksel

Leonat Shehu

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane qëndruan për dy ditë në Kosovë, në një vizitë që kishte për qëllim zbatimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Delegacioni u përqendrua në fillimin e studimit të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit dhe krijimin e lidhjeve më të mira në tregun e energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Matthew Zais dhe drejtori menaxhues i zyrës rajonale të Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç, thanë se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përparësi e administratës amerikane.

“Absolutisht dhe kjo është një nga arsyet përse jemi këtu. Jemi këtu për dy qëllime: një është që të fillojmë studimin e fizibilitetit për liqenin dhe e dyta është që të punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj në rajon se si të krijohen lidhje më të mira në tregun e energjisë, qoftë elektrike apo gazit natyror. Dhe ka një mori mundësish. Ne kemi strategji për gazin natyror për Ballkanin. Dhe nuk ka rrugë tjetër për Kosovën përveç mundësive të saj që të jetë e lidhur me fqinjët dhe kjo do të ndihmojë ekonominë e Kosovës… Kur isha këtu herën e kaluar fluturova nga Athina ku u takuam me kryeministrin dhe ministrin e energjisë atje dhe diskutuam rritjen e lidhjeve të tyre më fqinjët edhe në kontekstin e lidhjes së vendeve si Kosova në rrjetin e gazit në këtë rajon. Dhe kjo është nga arsyet përse jemi këtu”, tha zoti Zais.

Zoti Zais thotë se arsyeja tjetër e vizitës së tyre ka të bëjë edhe me mbledhjen e informatave dhe vlerësimeve teknike për liqenin e Ujmanit.

”Dhe në parim, për të kuptuar mundësitë dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga shfrytëzimi i liqenit dhe tërë ajo që ofron liqeni, qoftë kjo energjia elektrike apo uji. Jemi këtu në kapacitet teknik dhe kjo është përcaktuar me marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë. Dhe, sërish, ky është përkushtim. Kur isha herën e fundit, paraqita një letër nga sekretari i energjisë, sekretari Dan Brouillette, në të cilën përfshihej ky përkushtim për studimin e fizibilitetit dhe tri javë më vonë ja ku jemi, duke e zbatuar atë”, tha ai.

Përfshirja e fizibilitetit të liqenit të Ujmanit në dakordimin e 4 shtatorit nxiti reagime në Kosovë. Kritikët thonë se liqeni është pjesë e Kosovës dhe se nuk duhet të diskutohet me Serbinë.

Por, zoti Zais thotë se ekspertët amerikanë do të kryejnë punën teknike për mënyrën se si të shfrytëzohen më mirë mundësitë që ofron liqeni.

“Ne kemi sjellë dy ekspertë teknik. Njëri i energjisë dhe njëri i ujërave dhe të dy vijnë nga një prej laboratorëve kombëtar, Laboratori Kombëtar i Pacifikut veriperëndimor afër Siattlit. Ata kaluan tri zona kohore që të vijnë me ne që nga shteti i Washingtonit, përgjatë pandemisë dhe janë të vetmit nga tërë laboratori që kanë udhëtuar përgjatë pandemisë, sepse kërkuam një përjashtim, sepse aq i rëndësishëm mendojmë se është ky problem dhe përkushtimi ynë për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit… Herën e fundit kur isha këtu solla një letër që e përshkrova më herët nga sekretari i energjisë për kryeministrin për përkushtimin tonë. Sot i solla një letër tjetër atij dhe ministrit të ekonomisë me të cilën ftojmë Kosovën që të jetë anëtare e asaj që ne e quajmë Partneritet për Bashkëpunim Energjetik Transatlantik, apo P-TEC. Shtetet e Bashkuara janë krahu i nismës së tre deteve. Takimi i kësaj nisme u mbajt sot në Estoni dhe sekretari ynë foli aty dhe siç e dimë 12 vende janë pjesë e saj. Por, Partneriteti për Bashkëpunim Energjetik Transatlantik të cilin Departamenti i Energjisë e lehtëson si krahu amerikan i tij, përfshinë 12 vende vëzhguese dhe sot e ftuam kryeministrin dhe Kosovën që Kosova të jetë vëzhguese në këtë Partneritet. Mendoj që ka përparësi të mëdha dhe është një rrugë tjetër që Kosova të jetë e lidhur me rajonin dhe Evropën dhe të gëzojë ndihmesën teknike dhe ekonomike që ofron departamenti amerikan i energjisë”, tha zoti Zais.

Drejtori menaxhues i zyrës rajonale në Korporatën Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç thotë se është optimist për kuadrin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Ne shpresojmë se kjo do të shtojë mundësitë që të dyja palët të ndërtojnë masa të mirëbesimit për të punuar së bashku për normalizimin ekonomik, qoftë në nivelin e lartë ashtu edhe atë të ultë dhe do të kemi mundësi për të përforcuar sektorin privat, në mënyrë që kapitali privat ndërkombëtar të mund të vijë këtu, të krijojë më shumë vende pune dhe të ketë ndikim afatgjatë në të dyja ekonomitë”, tha zoti Jovanoviç.

Zoti Jovanoviç thotë se qëllimi thelbësor i administratës amerikane është përshpejtimi i kapitalit privat që do të rriste punësimin dhe mundësitë ekonomike në rajon duke ndërlidhur ekonomikisht rajonin.

“Realiteti në terren është që secili shtet në rajon është tepër i vogël për të menduar se përparimi ekonomik zhvillohet brenda kufijve të tyre, duhet të shikoj tek fqinjët dhe ky proces nuk do të thotë që patjetër të bëni kompromise me sovranitetin tuaj, me identitetin tuaj politik, etnik dhe fetar, larg asaj. Vetëm pse bëjmë tregti me Kanadanë dhe Meksikën nuk do të thotë se nuk jemi komod të vazhdojmë të jemi Shtetet e Bashkuara. Natyrisht këto janë çështje të popujve dhe janë të ndërlikuara, por ne duam të gjejmë mënyra për të mundësuar tutje bashkëpunimin ekonomik rajonal kështu që integrimi në ekonominë gjithëpërfshirëse evropiane dhe ekonominë globale të jetë më i lehtë dhe të jetë me ndikim për popullatën vendase këtu”, tha zoti Jovanoviç.

Ai thotë se Kosova ndanë vlera të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë perëndimorë dhe se gjetja e rrugëve për të çuar përpara partneritetin është thelbësor.

“Marrëveshjet për normalizimin ekonomik ofrojnë mundësi të mëdha, por, nuk janë zëvendësim për bisedimet politike në Bruksel. Dhe siç tha sekretari Zais, synimi ynë themelor, sepse është në interesin tonë strategjik të Shteteve të Bashkuara, është që t’i shohim këto vende si anëtare të Bashkimit Evropian, të forcojnë përfitimet nga demokracia, nga tregu i lirë dhe të sigurohemi se cilësia e jetës këtu të vazhdojë të përmirësohet mbështetur në ato vlera të përbashkëta perëndimore”, tha zoti Jovanoviç.

Zyrtarët amerikanë thonë se mbështetja për Kosovën dhe rajonin nuk ka filluar nga marrëveshja e 4 shtatorit por kjo pjesë sipas tyre ka qenë vazhdimisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.

Zoti Zais thotë se investimet e Rusisë dhe Kinës në rajon i shohin të rrezikshme sepse Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara,

“Është rajon shumë i rëndësishëm sepse nuk është periferi e Evropës por është zemra e Evropës. Ne duam të ndihmojmë Ballkanin dhe të gjitha vendet e Ballkanit që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe të përmbyllin rrugën drejt demokracisë dhe bazën ekonomike që Ballkani duhet të ketë në Evropë. Sa i përket investimeve kineze e ruse, ne jemi të sigurt për mundësitë dhe përparësitë e investimeve amerikane dhe mendoj që dëshmitë flasin vet. Sa i përket investimeve ruse, nuk është fshehtësi se Shtetet e Bashkuara mbështesin për Ballkanin dhe Evropën politikën se i tërë tregu është i hapur dhe ka rrugë e furnizime të llojllojshme posaçërisht për energjinë dhe gazin natyror. Ne besojmë se ky nuk është synimi i Rusisë. Qëllimi i Rusisë është rritja maksimale e varësisë së gjithë Evropës nga gazi i saj dhe të gjitha përpjekjet e saj çojnë në atë drejtim. Ky nuk është synimi i Shteteve të Bashkuara, investimet tona synojnë llojllojshmërinë e furnizimeve dhe pavarësisht nëse vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ky është treg i lirë dhe në shpresojmë të sigurojmë furnizim për tërë rajonin”, tha zoti Zais.

“Ky rajon nuk ka nisur të jetë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara që nga 4 shtatori, ka qenë vazhdimisht i rëndësishëm. Mbështetja për rajonin është dypartiake, përfshinë ideologji shumëpartiake, administrata, presidenca dhe do të vazhdojë për këto arsye themelore. Ne duam që t’iu shohim juve si anëtar të përhershëm të Bashkimit Evropian, duam të përforcojmë arritjet demokratike dhe tregtisë së lirë të cilat kemi parë që ju i keni bërë dhe duam që ky vend të jetë i shquar në qëndrueshmërinë ekonomike dhe politike, i shquar për krijimin e vendeve të punës dhe jo krizave dhe duke ofruar mundësi të mjaftueshme për të rinjtë këtu në rajon”, tha zoti Jovanoviç.

Zoti Zais thotë se qasja ndryshe e administratës amerikane për të zgjidhur problemet ka çuar në arritjet e deritashme.

“Ka pas mungesë të përparimit për një kohë të gjatë dhe ideja ka qenë që të provojmë diçka ndryshe duke studiuar mënyrat se si Kosova dhe fqinji i saj Serbia mund të përfitojnë nga normalizimi ekonomik, i cili thelbësisht është ndryshe dhe ne mendojmë se mund të arrijmë një përparim të ndjeshëm pavarësisht politikës. Prandaj ambasadori Grenell dhe presidenti (Trump) kanë pasur qasje të ndryshme”, tha ai.

Serbia vazhdon investimet në Mitrovicën e Veriut, ka filluar të ndërtohet një stadium futbolli

Po vazhdojnë investimet në Mitrovicën e Veriut, banorët thonë që atje po ndërtohet një stadium futbolli.

Vitet e fundit ndërtimet në Mitrovicën e Veriut janë shtuar goxha shumë.

Në këtë pjesë të Kosovës janë ndërtuar një numër i madhe i ndërtesave dhe shtëpive, duke u mbështetur në financat e qeverisë së Serbisë.

Por përveç tyre rishtazi ka filluar edhe ndërtimi i një stadium futbolli.

Kjo po i shqetëson banorët shqiptarë të Veriut të Mitrovicës.

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili po thotë që investimet e Serbisë në Kosovë po shkojnë duke u shtuar.

Por Cimilit po i mbetet hatri tek insitucionet qendrore, që sipas tij, e kanë lënë anash këtë pjesë.

I dëshpëruar me mungesën e kujdesit nga shteti në këtë anë po ndihet edhe Mustafë Kelmendi.

Siç thotë ai, shqiptarët këndej nuk po lejohen të ndërtojnë shtëpi e ndërtesa teksa objektet e serbëve po shtohen.

Kelmendi tregon që familjar të tij kanë edhe ndërtesa që nuk po mund ti shfrytëzojnë për shkak të serbëve.

Televizioni ka kontakuar edhe me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Mitrovicës Veriore, Aleksandër Sipriç.

Ai e ka konfirmuar se është në dijeni për ndërtimin e stadiumit por nuk ka dhënë detaje të tjera.

E qëndrim për këtë punë T7 nuk ka mundur të marrë nga institucionet qendrore.

Stadiumi që po ndërtohet është afër më stacionin hekurudhor në Mitrovicën e Veriut.

Kosovë – Kush janë zyrtarët që blenë tokë nga privatizimi me çmime prej 1 deri në 3 euro?

Një deklaratë e kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexhës, se toka e shtetit është dhënë pothuajse falas, ka ngjallur reagime të shumta. Sipas Rexhës, pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit.

Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se edhe arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët i këtyre tokave.

“Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, ka deklaruar Rexha.

Por, kush janë personat që blen toka nga privatizimi me këto çmime kaq të ulëta?

Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, një prej zyrtarëve që ka blerë toka në privatizim me këto çmime është edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, shkruan Express.

Haradinaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.

Haradinaj deklarimin e pasurisë e ka bërë në kohën sa ishte kryeministër i Kosovës, ndërkaq për tokën e blerë me privatizim e ka deklaruar në pronësi të përbashkët.

Në pasuritë tjera të paluajtshme të kreut të AAK’së figurojnë edhe tokë-truall 21.50 ari, shtëpi banimi 950 metra katrorë, shtëpi familjare 800 metra katrorë, si dhe banesë 213 metra katrorë.

Haradinaj kishte thënë në mars të vitit 2016 se tokën prej 200 hektarësh e kishin riblerë.

“E kemi riblerë tokën tonë. Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrur, mund tëjetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.

Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës.Por të gjitha këto përpjekje janë të mjera përballë vetëdijes qytetare, se populli i Kosovës është sovrani dhe ai, e jo individët, vendosë për pronat dhe për shtetin e Kosovës”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.

Përveç, Ramush Haradinajt, edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim.

Bëhet fjalë për kushëririn e Ramushit, Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi.

Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro, raporton Gazeta Express.

Megjithatë kjo nuk dihet nëse është vlera me të cilën Haradinaj ka blerë tokën e shtetit, apo shuma që Nasim Haradinaj tashmë vlerëson pronën e blerë në vitin 2004.

Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro./Gazeta Express

Haxhi Avdyli kërkon arrestimin e Ramush dhe Nasim Haradinajt

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka reaguar për privatizimet e tokave me çmime prej 1 deri në 3 euro, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Avdyli ka kërkuar që të arrestohen ata që kanë privatizuar toka me këto çmime dhe të iu konfiskohen këto toka, duke aluduar kështu për Ramush Haradinajn dhe kushëririn e tij, Nasim Haradinajn.

Sistemi i drejtësisë në Ks thua është inekzistent. Po te egzistonte sot do kishte arrestime për privatizimet e tokave prej 1 deri ne 3 Euro, dhe normalisht konfiskime”, ka shkruar Avdyli.

Ndryshe, Kryetari i AAK’së në deklarimin e pasurisë në Agjensinë Kundër Korrupsion të vitit 2019 ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.

Përveç, Ramush Haradinajt, edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim.

Bëhet fjalë për kushëririn e Ramushit, Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi.

Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro.

Megjithatë kjo nuk dihet nëse është vlera me të cilën Haradinaj ka blerë tokën e shtetit, apo shuma që Nasim Haradinaj tashmë vlerëson pronën e blerë në vitin 2004.

Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro.

Ndryshe Blerim Rexha gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka thënë se pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit (AKP).

Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë sipas tij ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët. “Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, tha Rexha.

U shtypën nga treni në Gjermani, u jepet lamtumira dy vëllezërve Arifaj

Janë përcjellë për në banesën e fundit dy vëllezërit Arifaj që humbën jetën tragjikisht në Gjermani, pasi i përplasi për vdekje treni.

Ngjarja ndodhi në qyetin e Mynheni-it në Bavari. Fatmirësisht nga kjo tragjedi arriti që të shpëtojë një prej djemve, 14 vjeç. Dy djemtë janë varrosur sot në fshatin Ratish i Epërm i komunës së Deçanit.

Historia e trishtë e familjes Arifaj ka pikëlluar gjithë Kosovën dhe diasporën. Kjo familje kishte emigruar në Gjermani rreth 30 vjet më parë, ku kishin lindur dhe fëmijët. Babai i dy viktimave, Arif Arifaj pohoi se ngushëllimet e të gjithë shqiptarëve e kanë bërë atë dhe më të fortë.

“Nuk me rrjedhin lotët për shkak të ngushëllimeve e përkrahjes se shqytarëve nga të gjitha anët”, ka thënë Arifaj.

Të kamufluar si amerikanë, zbulohet se si popët serbë shkuan në Koshare

Mediumi serb “Novosti” që njihet për afërsi me pushtetin serb dhe për propagandë anti-shqiptare, kanë publikuar edhe një video tjetër ku shihet një prift serb brenda kullës së vrojtimit në Koshare teksa mban të ndezur një qiri e hedh venë të kuqe gjithandej brenda.

“Novosti” tregon se ata ishin nisur në këmbë për në Koshare nga manastiri i Deçanit, meqë ishin refuzuar edhe nga shoferët e taksive.

Gazeta serbe zbulon se ata i kishin futur mantelat e tyre të priftërinjve në çanta, derisa ishin maskuar me veshje ‘hiking’ e shenja amerikane, për t’u dukur si të huaj, dhe kësisoj ishin nisur nga Deçani për Koshare. Drejt Koshares ishin nisur tre persona, derisa njëri ishte kthyer mbrapa pas dhimbjeve që kishte pasur në shpinë si pasojë e peshës së çantës. Për këtë arsye, siç shkruan Novosti ishte kthyer në Deçan, kishte marrë një veturë me targa serbe dhe ishte bërë bashkë përsëri me shokët e tij në Junik, duke ua ndihmuar paksa rrugën shokëve të tij.

Vetë prifti Millosh ka folur për “Novosti”, duke treguar për rrugëtimin e tij drejt Koshares.

“Në fillim gjithçka shkoi keq. Së pari askush nuk donte të na dërgonte tek kulla e vrojtimit. Kur kaluam në këmbë nëpër fshatra, na vëzhgonin të gjithë”, ka thënë Millosh për “Novostin”.

Ai tutje ka zbuluar se kanë gënjyer një person për t’i marrë me makinë duke thënë se janë gazetar amerikan nga Çikago dhe se duan të shkojnë tek Kompleksi Memorial i UÇK’së.

Pasi kishin mbërritur në Koshare, prifti serb thotë se ishin futur brenda dhe ishin siguruar se ishte terreni i pastër, dhe më pas kishin filluar me ritet e tyre të ndezjes së qirinjve, ishin veshur me mantelat e tyre dhe kishin filluar lutjet.

Ata më pas kanë larguar edhe flamurin kuq e zi që ndodhej në katin e dytë të atij objekti.

Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës. Zyrtarisht ata kanë njoftuar se atje kanë gjetur vetëm shishën e verës, dhe se flamuri ishte në vendin e vet.

Ndërkohë lidhur me këtë rast ka reagaur edhe njohësi i rrethanave politike, Agon Maliqi, i cili ka ftuar pë kujdes, meqë ai thotë se mediat serbe po synojnë të destabilizojnë Kosovën me raportime të tilla./Express/


Send this to a friend