VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Jeta në Mozomazi – Poezi nga ABDULLAH KONUSHEVCI

By | September 8, 2019

Komentet

KALEMI – Poezi nga MURAT ISAKU

 

S’t’u nda kurrë nga jeta
edhe atëherë kur dikush gjuhën ta nxirrte pas shpine
sikur të villje ndër sofrat e huaja,
kalem i dashur,
biri im i vetëm
i vetëm në gjini të madhe…

Nuk e di si mbeta gjallë me shpirt e pa shpirt
Njësoj si druri me kurubë të qëruar

Besoja se pranë teje
or kalem, or lalë,
mund të vdisja vetëm një herë pa u tallë
një ditë apo një natë
dhe të kalbesha për fije me këmbët e shtrira në arë
pa kërkuar mbiemrat e varreve
të njerëzve të vegjël apo të mëdhenj…

Kam pritur si pret kulla të zotin në dit baroti
se një ditë do të faleshin shirat e motit
që shpirtin ta çelësh si çel shelgu ndër kroje
e të pohoje se ka rrugë të ngushta
kur tym të zi nxjerrin edhe lotët.

M’fal pse këtë s’ta besova
se vetëm zemra e poetit
kokën e mban lart ndër shtiza të mortit
edhe atëherë kur të tjerët gjuhën ia nxjerrin …

DITËN QË S’E DOJA – Poezi nga MURAT ISAKU

Pikërisht ajo ditë që s’e doja
më mori në qafë,
s’më la t’i shkul gjembat
në trupin tim
kur në lojë lidhin shtat
s’më la t’i mbledh ëndrrat në shuplakë…

Nepc qeni kishte pasur ajo ditë
një ditë e përdalë
që shkoi të mbushë ujë në fshat
me dy buçela në krahë…
Ia bëra me dorë hapin ta ndalë
por as më pa më – as e pashë
si nuk shihen dy pika uji në rrasht…

Gabova pse linda atë ditë, që merr në qafë,
e fshihet pas shpine si shtogu në mal…
As shiun më përdore s’do t’ia marr,
se n’gjini s’do t’i shkel
si mysafir i rrallë…

Gabova pse nuk e zgjodha një ditë më të bardhë…

 

ZONJUSHA NËPËR SHI – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Dy drunj flinin bashkë në këtë shi të parë
të ngjitur njëri me tjetrin bel e shalë,
të dytë merrnin një frymë
dhe hynin në një shtat…

Atypari zbathur hiqej kjo zonjushë,
që me ëndrra i mbushte gjinjtë
thellë nën këmishën e bardhë,
priste dikujt t’i hidhej n’përqafim sa më parë
si druri i dytë drurit të parë…

^

 

OXHAKU PARA DRITARES – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Çdo mëngjes në dritaren e jugut, n’rrugë që varfëron,
takohem me oxhakun e një shtëpie të vjetër,
i cili asnjëherë nuk e lëshon kokën mbi tjegull
që të marrë një sy gjumë,
një frymë,
të harrojë kush e merr nëpër gojë…

Rrimë kundruall njëri tjetrit dhe s’bëjmë zë,
të dytë ndoshta gëzojmë një botë:
unë plakem me dy duart mbi makinën e shkrimit
ai me supet midis zogjve të dimrit…

Nganjëherë më vjen t’i them njerëzisht:
Mirëmëngjesi, fqi i mirë,
or vëlla,
si gdhine sot n’këtë ditë të bardhë?!
Por nuk e nguc,
sepse ka gjëra prej të cilave s’e merr përgjigjen dot.

Një ditë buldozerët e rrënuan shtëpinë,
i pari që ra me kokë përdhe qe fqinji i mirë.
Tash dritarja ime hedh vështrimin larg e larg…
Sheshi i qytetit është bërë më i madh
ku të rinjtë puthen e ndrydhen më këmbë…

Vetë kujtimi im i pangirë më gjumë
– njësoj si oxhaku me tym
hesht me pleqërinë në krahë
duke fshirë me dorë avullin në xham
e duke i pëshpëritur atij: ”lamtumirë, or mik”

 

PLAKU AFËR ZOTIT – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Një plak heq shpirt afër Zotit
dhe miqtë i kujton një nga një
si drunj shelgjesh në varg buzë përroit të gjatë…

Të dy duart i shtrin në kokë
është ky ankim
kur avujt ia zënë sytë si një vrundull tym.

I shtiret një udhë e vjetër me shi – orëliga,
atëbotë i dukej se e thërret dikush jashtë,
fjala ia mbush gojën
mandej kullon si rrëshirë – pa ankth.

Aty mbrëmja vjen e thatë
njësoj si gryka e tij plot shpuzë,
njësoj si sytë e tij pa gjak…

 

S’DI TË RROJ DY HERË – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Kur lëshoj duart në shtat them se dikush
m’paska vra
N’mëshikës të kësaj nate kaq të thatë…
Së largu shoh një dru që mbahet pa asnjë krah,
atëherë edhe sytë shkojnë t’barisin në shpat…

Diçka po ndodh me mua si me buklën në ranë
Një djersë del e kripur kur shpirti dhemb
e dhemb…
Tash mund të thoni gjithçka për mua
goja që mban,
mund t’më bini në qafë kur s’di çka t’ju them.

I ndezur m’rri një si kandili n’verë,
por s’ia prek fatin kur sytë ngjiten në kodër.
Ndoshta i duhem dikujt – por s’di t’rroj dy herë,

S’di n’cilën kokërr merr frymë jeta – që të kokërr…!

 

ARTA, MBYLLE DRITAREN – Poezi nga MURAT ISAKU

Arta, mbylle dritaren-me fytyrë në oborr
Se duhmë e të vdekurve vjen nga jug i largët.
Qindra vjet’e dashur’me plumba në kraharor
Trualli po vjell vetëm vrer e gjak….

Arta, mbylle dritaren se drithmën ma ngjesin
të vdekurit’ që këmbët i lidhin mbi gur
Nga shtizat në grykë-shoqet e tua s‘dua të  vdesin
bijë e dashur’
se e rëndë është vdekja me dhunë.

Arta, mbylle dritaren, krisma zemrën ma shkund,
Prej vdekjes së dytë tremben të vdekurit gjithkund.

 

ERA E TROLLIT DHE E BABAIT – Poezi nga MURAT ISAKU

 

 

Tërë ditën e trollit të arës sonë i marr erë,
sepse hijen e babait e ruan dikund me shend.
N’livadh jetoj hapat e tij  – të derdhur si verë,
nëpër degë dëgjoj zërin e tij – but – si shpend.

E në mbrëmje sikur zemrës asgjë s’i dhemb
Aty te kroi ky uji qet krye nën një tallë.
Ai ma fal tërë zemrën – si sythin mbi një rremb
Dhe megjet e fëmijërisë m’i mbledh në një përrallë.

Si je baba, a ka rënë ndonjë pikë shi?
I flas sytë pa ia ndarë aty në ura dhe vresht…
Ai me atë vështrim pingul si një harbi
Të gjitha m’i thotë vetëm duke hesht’…

Më vonë me fytyrë n’pëllëmbë gjumi e merr…
Unë erën flokut ia njoh n’atë ballë të derdhur,
Atëbotë një fëmijë me ferra n’këmbë, me flokë të paqethur.

E pas tij – sikur majë kodrës dikush thërret,
Oooo Murat! Është babai me jarxhik në krah.
Mirëfilli e di – dikush në fund t’arës argat më pret,
Një tjetër majë malit më bën zë për rrah…

Nga terri tashmë s’duket as fytyra n’pëllëmbë…
Kujtimet te kroi derdhen shtrat e pa shtrat.
Një fëmijë me do sy prej zjarri m’bën dritë si llampë,
Një njeri me jarxhip në krah thërret – Oooo Murat!

 

 

ZËNKA ME QENIN HAJN – Poezi nga MURAT ISAKU

 

I turret pikënatës me të katërtat në gjoks
si t’ia zhvaste brinjtë me inat,
si ta hidhje hallkën e zinxhirit nga qafa
dhe orës së qytetit t’i thoshë:
Ndal, se edhe unë kam në këtë botë
një grimcë nafakë…!

– Kthema këpucën e këmbës së djathtë,
or hajn e biri hajnit! – i flas me zap
Unë i kësaj ane
Që Zotin e kam njohur që në gjirin e nënës.

Ai shputat i shtrëngon në rrënjët e plepit të gjatë
dhe zihet qençe si dy fqinjë në një gardh.

– Kthema sa më parë, dëgjova, rrugaç!
me një të katërtën e pensionit i kam marrë.
Çon jetën aty në lidhëset kular
edhe një merimangë e lashtë,
që s’e shporri dot asnjë brushë,
asnjë qortim i mbrapsht,
sikur gjyshes së vet t’i ketë ngjarë…

Qeni hidhet e përdridhet me afsh
si t’i hynte në dhomë nuses me duvak.
Mandej këpucën bashkë me hënën në gojë i rras,
duke thënë me ham – hame të thatë:
-Edhe unë kam tagër të bëhem Zot në një çast
para se dikush në kontejner të më rrasë,
tërë jetën bërë e ka, nën hijen e shtagës mbi rrashtë
dhe në hallkat e zinxhirëve në qafë,
s’duron më shpirti i ngratë,
sepse edhe mua më ka lindur një nënë e një atë!

Bëj në drejtim të tij këpucën ta marr
Ndaj as e pështy as e shaj,
Atëbotë më duket se në jetë
Shumëçka ka mbetur e paqartë…!

Qeni ia mori një valsi solo plot lezet
Mandej fap u ndal.
Me tërë dhëmbët në noçkë m’u qas
Duke më thënë qençe:
– Për të katër këmbët e mia mjafton
kjo e mbrapësht,
M’është mësuar syri sall t’i shoh,
por jo edhe t’i mbath,
shkon ajo hem në të majtë, hem në të djathtë.

– The qafën, zagar!
Dola në shesh ta ndesh yllin e fatit,
ti ma rrëmbeve fap
edhe merimangën duke mos e lënë rehat,
që bëhet lëmç jetës për t’i bënë ballë…
pra, dy shpirtra merr në qafë…!

Që të treve tash na takon nga një yll,
kur hëna në kodër mbushet me frymë…
Që të tretë kemi vetëm një LUTJE në këtë anë
-të mbetemi gjallë,
sepse çdokush ka një yll
dhe nga një kontejner…!

Ai me angullimë sikur më tha:
-Vërte nënat i kemi dy palë,
por fatet mbeten ata ç’kanë qenë
njësoj si shputa ime e majtë
si këpuca jote e djathtë…!

Edhe ylli im kishte fatin e qenit,
të këpucës së djathtë
dhe të merimangës së lashtë
ngase në një copë botë flemë qafë për qafë….

CIGARJA MË SHIKON SI MIK I PABESË – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Edhe prushi s’më zë besë
sonte kur e hedh frymën si gurin mbi gur…
Vetëm cigarja m’shikon si mik i pabesë
dhe s’del se s’del
nga rruga e tymit të rëndë.

Edhe për këtë do ta them fjalën time
kur shiu i parë do të bjerë,
kur duart do të mbushen me helm
e sytë n’ëndërr do ta shohin ditën që vjen.

Sikur edhe vetja s’më zë besë
kur nata shpalohet mal e n’mal pëlhurë
e butë si një shpuzë…

M’ka mbetur një fjalë në fyt si kocë
po sikur ta nxjerr
druaj se në atë çast do të vdes
po sikur ta lë
do të shuhem shqim si cigarja vetë…

Dua dikush të më zërë besë
qoftë edhe cigarja në rrugën e tymit të rëndë
sepse ka diçka në jetë, që jeton vetëm me shpresë.

PJESHKA E RRUGËS SIME – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Bëj të hy në rrugën time me plot sende të moçme,
por nuk më mbajnë këmbët…
Vetëm qielli më rri i ngulur në sy.

Athua mu në këtë kodër çelte pjeshka e verës,
kur në vatër tym nxirrte cungu i djegur
e mes hirit thante këmbët një fëmijë…

Tash kur goja më mbushet me emra enësh të botta
Sikur be dua të bëj në magjen e nënës
dhe
më zini besë
nuk pranoj tjetër jetë në këtë gur të lëmit
përveç asaj që ecën zbathur…!

N’këtë orë të ditës,
mjeri unë i mjeri
askush nuk më njeh në arën e babës!

Unë be u bëj se jam i Raifit të Isakut,
por ata vetëm frymë marrin…

Sa larg vetes së dikurshme tash po rri,
sa zgjoje për kaq stinë kanë ngritur bletët
dhe trarët e shtëpisë i ka ngrënë krimbi!

O Zot, e shurdhur sonte po më jepet boka
kur grushtet rrinë pa jetë
e koka lakohet si kalliri i pjekur…

Pjeshka zhvishet në diell si këngët e djepit,
si duket jerm m’i ka pirë sytë
Athua edhe ajo bën të hyjë në rrugën time?!

Athua i merren mendtë në këmbë
dhe kërkon shtagë,
athua i qahet të zezës
pse akoma goja s’i ka ardhur…!?

Eh, kjo pjeshkë e rrugës sime,
kjo e mira e së mirës
kurrë mos u bëftë qyqe në një mal,
ata të barkut mos i qaftë…!

Këngëtari që i shpëtoi jetën Oriana Fallacit, ajo e dinte tradhtar

Ishin dy vende për të cilat gazetarja Oriana Fallaci ishte betuar se nuk do të shkelte kurrë këmbë në jetën e saj: në Greqi dhe në Meksikë. Ajo ndodhej në Meksikë në vitin 1968 e tërhequr nga lëvizja studentore që tronditi vendin atë vit. Filloi në korrik të atij viti mes zënkash shkolle, në të cilën ndërhyri policia në mënyrë shumë të dhunshme.

Represioni ishte ai që i bashkoi studentët, të cilët u organizuan për t’u përballur me qeverinë e asaj kohe të presidentit Gustavo Díaz Ordaz. Në tetor të atij viti, dhe për 10 ditë fillonte Olimpiada e Meksikës, në rrugë kishte 200 000 studentë të universiteteve publike dhe disa private që manifestonin. Prezantoheshin nga një Komitet Kombëtar i Grevës që kërkonte mes të tjerave dialog me qeverinë dhe lirim për të burgosurit politikë, mes tyre studentë dhe profesorë të lëvizjes.

Si përgjigje qeveria nxori ushtrinë që ndërpreu dhe pushtoi instuticionet e edukimit të lartë si në kampusin e Universitetit Kombëtar të Pavarur të Meksikës dhe në Insitutin Politeknik Kombëtar. “Vura kontakt me liderët e Komitetit Kombëtar të Grevës sepse lëvizja është më interesante se ajo që po ndodh në vendin tuaj.

Studentët më folën të premten në hotel dhe më thanë se do të kishte një miting në “Plaza de las Tres Culturas”, të mërkurën në 2 tetor në orën 5”,-i rrëfeu Fallaci një gazetareje, Elena Poniatowska në librin “Nata e Tlatelolco”. “Që kur mbërrita në Meksikë më tërhoqi vëmendjen lufta e studentëve kundër represionit policesk. Më befasuan edhe titujt e gazetave. Sa gazetarë të këqij, sa të trembur, sa pak indinjatë. As olimpiadë asgjë!” – u shpreh ajo.

Fallaci ishte me studentët natën e 2 tetorit të 1968 në “la Plaza de las Tres Culturas” në Tlatelolco. Aty mbërriti ushtria, policia dhe një grup paraushtarak i njohur si batalioni Olimpia. Në orën 6.10 të mbasdites rreze të kuqe dhe jeshile ndezën qiellin dhe filluan të shtënat kundër studentëve. Për gati gjysëm ore vazhduan të shtënat. Askush nuk e di me siguri sa studentë vdiqën në atë natë në Tlatelolco, ku pati dhjetra të burgosur, të plagosur dhe mes tyre edhe Oriana Fallaci. Një plumb e kapi kur gjendej në ndërtesë “Chiahuahua” me liderët e udhëheqjes. Gazetarja shkroi për atë natë në librin e saj “Asgjë dhe ashtu qoftë” të vitit 1969. Aty ajo përmend një student të konservatorit që e shpëtoi dhe e çoi në spital. Emri i tij ishte Manuel Gómez Muñoz, student lirik dhe ishte përfaqësues i konservatorizmit kombëtar në Komitetin Kombëtar të Grevës. Fallaci e akuzoi se ai e kishte denocuar si komuniste dhe agjitatore. Gómez Muñoz nuk mundi kurrë të sqaronte versionin e tij. “Shumë herë i kam shkruar, jam përpjekur t’i telefonoj, por nuk më është përgjigjur kurrë.” Ai na rrëfen historinë dhe ato që ndodhën atë natë, kur i shpëtoi jetën Oriana Fallaci-it.

Ja historia:

Orianën e njoha në ndërtesën Chihuhua, mbasditen e datës 2 tetor. Më tërhoqi vëmendjen ajo grua bjonde që fliste një spanjishte të ngatërruar dhe fillova t’i flas në italisht. Unë isha këngëtar i operës dhe kisha studiuar gjuhë italiane. Po fillonte mitingu dhe ajo më pyeti nëse kishim mbështetjen e punëtorëve dhe i tregova një kontigjent të punëtorëve të hekurudhave që po shkonte në atë moment drejt sheshit të tri kulturave.Tërhoqën vëmendjen sepse kishin me vete veglat muzikore me të cilat luanin La Rielera- këngë revolucionare. Në një çast mbiu mbi tarracë batalioni Olimpia me doreza të bardha në dorën e majtë, të drejtuar nga një njeri që sapo mbërriti hapi zjarr mbi shesh, ndoshta ato ishin të shtënat e para. Ushtria iu përgjigj dhe qëlloi drejt ballkonit të ndërtesës mbi subjektet me doreza që nuk i dinim cilët ishin. Burracakërisht u fshehën prapa mureve të ballkoneve dhe filluan të thërrisnin: Bataljoni Olimpia, mos qëlloni!

Njerëzit që ndodheshin prapa mureve të ballkoneve i tërhiqnin në anën e kundërt deri tek dyert e ashensorëve.Të njëjtën gjë bënë edhe me Orianën, e tërhoqën prej flokësh dhe e shtynë në vendin ku binin plumbat rikoshet me çatinë, sepse ajo qoshe nuk lejonte që të qëllonin drejt nesh. Unë qëndrova mbi të për një farë kohe, nuk e di se sa dhe më pas na urdhëruan të zvarriteshim nëpër dysheme. Dyshemeja ishte plotësisht e lagur sepse plumbat kishin çarë tubat e ndërtesës. Unë thërrisja se ajo ishte një gazetare italiane, që ishte e huaj, por nuk u bëri përshtypje. Tipi që qëlloi drejt sheshit në fillim, filloi të qëllonte edhe rreth nesh dhe thoshte: “ Donit luftë, bastardë? Ja ku e keni!” Zhurmat ishin të papërshkrueshme. Kur na detyruan të zvarritemi unë qëndrova bashkë me Orianën që kishte marrë dy plumba. Gjëja e parë që më pyeti ishte nëse e kishin qëlluar në veshka sepse nëse po, kishte marrë fund. Unë nuk mund ta dija, vetëm pashë që kishte dy plagë. Meqë ishte e plagosur na detyruan të zbrisnim nga shkallët në një dhomë. E tërhoqën dhe i vodhën gjithçka kishte. Qëndruam aty për shumë kohë dhe në një moment ajo më tha: “Më kap dorën dhe mos u ndaj nga unë, thuaj se je përkthyesi im.” Më një fund mbërriti një barrelë me disa ushtarë. Nuk donin të më linin të shkoja me të në ambulancë, por ajo nuk ma lëshoi dorën kështu që e shoqërova në kryqin e gjelbër. Gjatë rrugës më dha disa porosi, mes të cilëve të komunikoja me disa gazeta në të cilat shkruante. Oriana Fallaci më nxori nga Tlatelolco, por nuk mundej të më nxirrte nga spitali që ishte plot me policë. Nuk më arrestuan menjëherë sepse në ato momente e çuan në urgjencë dhe ishin të shqetësuar për atë që ishte e dukshme, dua të them i kishte rrobat të shqyera dhe shumë pak mbetën në ambulancë.

Mënyra e vetme për t’u arratisur dhe për ta ndihmuar ishte të hiqesha si i huaj. Pyeta për një telefon dhe më treguan pa më bërë ndonjë gjë. Unë nuk kisha monedha dhe fillova të kërkoj sepse doja të bëja telefonata. Fillimisht mora informacionin për t’i kërkuar numrin e ambasadës italiane, por punonjësja nuk donte të ma jepte nëse nuk i thosha emrin tim. Më dha një numër tjetër i cili m’u përgjigj në italisht. Nuk e dija kush ishte, por i thashë që gazetarja Oriana Fallaci ishte plagosur në spitalin e kryqit të gjelbër. M’u përgjigj se nuk merrej me këtë gjë. Pse? Sepse personeli i ambasadës ishte i demokristianëve, reaksionarë të së djathtës. Orianën e konsideronin më afër të majtës. Në fund më dhanë numrin e mjekut të ambasadës. Ishte telefonata e fundit, nuk kisha më monedha. U bërtita që Oriana ishte e plagosur. Në atë moment del një grua nga një derë dhe thërret: Kapeni! Nuk munda as të mbyll telefonin, më mbajtën aty sepse nuk dinin ç’të bënin me mua. Unë isha përkthyes i Insitutit Italian të Kulturës nga ambasada italiane, më njihnin funksionarët e atij Insituti sepse kishin qenë profesorët e mi kur studioja, para se të hyja në konservator. Më vonë më çuan në policinë gjygjsore, donin që të deklaroja se ishin studentët që kishin filluar të shtënat dhe Oriana ishte një agjitatore dhe komuniste. Nëse unë thosha bardhë, sekretari shkruante zi. Ai shkruante ç’ti donte qefi. Qëndrova aty për disa ditë, derisa më lëshuan.

Pas disa ditësh më morën sërish, shumë afër shtëpisë sime. Pata frikë se besoja se kisha rënë në duart e sigurimit. Ishin ata të policisë gjygjsore, drejtori i marrëdhënieve publike ishte xhaxhai i një shoqeje të konservatorit. Ndoshta u klasifikuam si subjekte të parrezikshme. Munda të shkoj në provincë tek disa të afërm. Isha si i çmendur, nuk mund të dilja në rrugë sepse kisha delirin e persekutimit, nuk flija. E vërteta është se të gjithë mbetëm të tronditur deri edhe sot.

Oriana Fallaci nuk e mori vesh kurrë atë që ndodhi në orët pas hyrjes së saj në spital, as atë që bëri Manuel Gómez Muñoz. Komiteti i 68 donte të komunikonte me të. “Donim ta falenderonim që bëri të ditur atë që ndodhi në datën 2 tetor në Tlatelolco dhe veçanërisht unë që të mund t’i thoja se nuk e kisha denoncuar.” Rasti i Fallaci-it i tensionoi kaq shumë marrëdhëniet diplomatike mes Italisë dhe Meksikës, sa që para Olimpiadës ambasada anuloi inagurimin e ekspozitës “Sporti në artin klasik” që ishte kontribut kulturor italian për Olimpiadën.

Fallaci asnjëherë nuk e la mënjanë mërinë kundër Meksikës, ndaj të cilës ishte dëshmitare të asaj që ajo e quante “vrasja e Herodit.” / Burimi: “Scoopnest” – Përgatiti: f.a. / Bota.al