Shoqata Mbarëkombëtare Atdhetare Kulturore “Labëria”,
vlerëson mësuesin, poetin dhe folkloristin
Lefter Teki Haxhiraj, pas vdekjes 1942-2014
DIPLOMË
“MIRËNJOHJE E LABËRISË”
I jepet
Poetit lirik, një vlere të folklorit polifonik,autorit të “Xinxërfilles”,
Lefter Teki Haxhiraj (pas vdekjes),me motivacion:
Për kontributin e tij artistik, krijimtarinë letrare (poezi-lirike), si dhe për vlerat në pasurimin e folklorit, në zhvillimin cilësor dhe përhapjen e tij, jo vetëm për grupin polifonik “Xinxërfillja, të Armenit, por edhe në Labëri e më gjerë…
Hartimi i teksteve dhe përpunimi i vijave melodike të tij, bëri që folklorin bashkëkohor ta zhvillojë mbi traditën e hershme kombëtare. Ka vlera të veçanta si organizator dhe drejtues virtuoz i grupit të Armenit, Trevëllazërit…Pjesëmarrës në disa festivale në Gjirokastër dhe i nderuar me disa çmime për nivelin e lartë artistik e folklorik.
Sekretar: Kryetari
Dorian Koçi Prof.dr. Ago Nezha
***
I nderuar lexues! Shkrimin po e nis me disa vargje të poetit…
“…Mos ma prishni këngën Labe, .. Mos ma prishni këngën labe,
ajo që shpirtërat shëron lereni të fluturojë,
nuk ka melhem e ilaçe ajo nuse tërë naze,
mbi labçen që mbretëron!… nëpër shekuj të këndojë…
Mos ma prishni këngën labe
me taban të artë, të rëndë,
mund të përmbysen dhe male
por, jo kurrë, labja me rrënjë! “-kjo poezi duket si një amanet i mësuesit-poet, Lefter Haxhiraj, të cilit i jap plotësisht të drejtë, sepse folklori është element i rëndësishëm i identitetit tonë kombëtar.
Takimi për vlerësimin e mësuesit-poet dhe folklorist, Lefter Haxhiraj u zhvillua ditën e shtunë, në orën 10 oo para dite në sallën e Bar-Restorant “Gorishti”, në praninë e shumë pjesëmarrësve.
Takimin e nderonin miq nga Fieri;poeti Maku Pone & Znj.LiriPone; Gentian Banaj( telekronist kulturor i TV “Apollon”), nipi i familjes Haxhiraj- Hekuran Adem Bogdani, (familje e lashtë nga Kanina) që ka emigruar në Fier një shekull më parë; solisti i grupit polifonik të Dukatit Fatosh Likoi dhe kryetar i SH.A.K.“Dukati”,Selim Haskoçela; Deputeti i Vlorës, bir i Armenit, Vullnet Sina; solisti i grupit polifonik të Bënçës, Golig Jaupaj(Artist i Popullit); Shoqatat“Ali Asllani”, “Trevëllazër”, “Smokthina”, “Tërbaçi”, “Velça”, kolegë e dashamirës të autorit, ish nxënësit e tij, shkrimtarë e miqësi të familjes dhe fisi Haxhiraj-Qataj.
Sipas programit takimin e çeli moderatori Fitim Haxhiraj me një urim mirëseardhjeje gjithë pjesëmarrësve. Fjala e tij u shoqërua nga tingujt e këngës Xinxërfillja. Më pas fjalën ia dha potit Kryetar i Sh.”Petro Marko”, Msr. Albert Habazaj, i cili u përqëndrua në vlerat që ka dhënë Lefter Haxhiraj si themelues i grupit polifonik “Xinxërfille” të Armenit, ndikimin që ka pasur në zonë dhe vlerat folklorike të këtij poeti lirik, ( më vonë do të jepet e plotë). Fjala e shkrimtares Vilhelme Vrana Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe”, konsistoi në prejardhjen dhe jetën e autorit të ndjerë, që pas kësaj pasqyre do të jetëp e plotë.
Kurse Prof.dr.Bardhosh Gaçe “Mjeshtër i madh”, me syrin e studiueit, foli për “evoluimin e këngës së Kaninës, Armenit, Mavrovës, tek të cilat ka bazën kënga qytetare vlonjate. Për grupin polifonik të Armenit meritë të madhe ka poeti lirik Lefter Haxhiraj, jo vetëm me poezitë e tij lirike, por me ngritjen e grupit polifonik “Xinxërfille”, e ardhur nga lashtësia përshfaqet bukuria, hijeshia, dëlirësia dhe besnikëria e vashës labe, si dhe për vlerat e këngës së Lefterit, e cila gjeti shtrirje në Labëri, në artin e muzikës e më gjerë.”
I ftuar në skenë grupi polifonik “Xinxërfillja”, këndoi këngë nga krijimtaria e udhëheqësit artistik, dhe autorit të teksteve të gjithë këngëve të të paharruarit Lefter. Me ata u bashkua dhe solisti i Dukatit, Fatosh Likoi, si dhe Golig Jaupaj i Bënçës-Tepelenë. Të dy solistë, i Dukatit a dhe i Bënçës, përshëndetën pas fjalës së solistit të Armenit, Rrahmën Nuredini. U bashkuan me grupin që themeloi nga hiçi Lefteri dhe kënduan me ta për nder të mikut të tyre të munguar.
Mysafiri nga Fieri, Gentian Banaj iterpretoi mjaft bukur poemthin E Lefterit me titull “Të kalosh dhe matanë diellit, nuk e gjen dot më Armenin!”, që u prit me lot dhe duartrokitje .
Kryetari i Sh A.K “Labëria”-dega Vlorë, Ahmet Demaj, pasi pasqyroi punën e Lefterit, për t’i dhënë medaljen ftoi deputetin e Vlorës, Vullnet Sina, i cili bëri një përshëndetje të veçantë. Shpehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në vlerësimin e mësuesit të tij të gjeometrisë: “ishte ai që më mësoi teoritë e numrave dhe trigonometrin. E kam të freskët kur prej mësuesi Lefterit dëgjova Teoremën e Pitagorës. Si i vogël pyesja veten,pse mësuesi i matemetaikës i këndonte thëllëzës. Po cila ishte kjo thëllëzë vallë? Me kohë e kuptova, se ai i këndonte mësueses time të klasës së parë, Shefikat. Ndaj shpreh mirënjohjen time për këtë çift që më mësuan ABC dhe me ta nisa rrugën e dijes.” – më pas i dorëzoi Çmimin gruas, Shefikatit, në praninë e dy vajzave, Dilica dhe Ertida. Gjithë takimi u shoqërua me këngët e grupit “Xinxërfillja” në sfond, të pasuara nga ovacione dhe përshëndetje të pjesëmarrësve. Familja për nder të të pranishmëve dhe si një homazh në 4 vjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëshortit, babait dhe gjyshit, shtruan një kokteil të pasur, që u shoqërua me kujtime dhe copëza nga jeta e të ndjerit. Një përshëndetje e veçantë, tejet e ndjerë, erdhi nga Tirana prej Prof.dr.Eshref Ymerit, të cilën do ta botoj të plotë, natyrisht në vazhdimësi. Pas një dreke simbolike për miqtë nga larg, takimi përfundoi për t’u ruajtur në arkivin e memories të të gjithë pjesëmarrësve në atë tubim vlerash.
Fjala e Vilhelme Vrana Haxhiraj
Të nderuar pjesëmarrës!
I nderuar kryetar i Sh.A.K”Labëria “ -dega Vlorë, z.Ahmet Demaj!
Të nderuar anëtarë të grupit polifonik “Xinxërfillja”- Armen!
I nderuar z. deputet i Vlorës, Vullnet Siona!
Të nderuar anëtarë të familjes dhe fisit Qataj-Haxhiraj!
Miq, kolegë dhe shokë të të ndjerit, Lefter, Mirësekeniardhur!
Ndodhemi në këtë auditor të nderuar për të vlerësuar figurën e një mësuesi, një poeti, një këngëtari, autorin e Xinxërfilles së famshme, që punoi pa u lodhur për 40 vjet, i cili është Lefter Teki Haxhiraj (Qataj).
Ndihem e nderuar që m’u dha fjala e rastit në vlerësimin që i bëhet mësuesit-poet, me vlera të veçanta në folklorin e polifonisë, Lefter Haxhiraj. Për mua është privilegj që sot në këtë auditor të nderuar po paraqes portretin e tij…
Cili është Lefter Qataj-Haxhiraj?
Lefteri lindi në Armen të Vlorës më 20 qershor 1942, i cili mban emrin e dëshmorit Lef Sallata, i cili s trehohej në familjen e bashkëluftëtarit,Teki Haxhiraj (i ati). Lef Sallata atë mëngjes doli nga shtëpia e tij, u takua me Mid’hat Dautin, i cili e priste në Picar. Por sa kaluan lumin Shushicë, madje ende pa hyrë në fushën e Çepratit u gjendën përballë me ushtrinë fashiste italiane, ku gjetën vdekjen. Lefteri gjithmonë ka qenë i nderuar që mbante emrin e një dëshmori të vërtetë të kombit.
Dy motra, tre vëllezër dhe Lefteri ishin bijtë e një familjeje të lashtë atdhetare, me origjinë të herët nga Janina, e cila dikur quhej Qataj, sot Haxhiu-Haxhiraj. Si gjithë Shqipëria Jugore, e përndjekur nga despoti bizantin Thanasi për shkombëtarizim, edhe familja Qataj u dëbua nga Janina. Qatajt dhe familjet që shpëtuan gjallë, emigruan me dhunë në Anadoll (Azia e Vogël), qysh në gjysmën e dytë të shek.XIV-të. Për aftësi të rralla ushtarake, meshkujt e këtyre familjeve shqiptare, që u vendosën në kryeqendrën e Anadollit, në Konjë, ku shërbyen në ushtrinë osmane me grada ushtarake. Më vonë, gjatë betejave pushtuese të ushtrisë osmane për nënshtrimin e Ballkanit, ata gjetën rastin dhe u kthyen në tokën e të parëve arbër së bashku me familjet e tyre. Kapërcyen Janinën e transformuar nga barabarët pushtues dhe u vendosën në Kras të Tepelenës. Më pas lëvizën në Kocul të Vlorës, ku qëndruan derisa gjetën vendin e përshtatshëm për zhvillim ekonomik dhe tregtar. Për shekuj e deri sot janë banorë të Armenit, të Qytezës së lashtë ilire, duke i dhuruar kombit breza të tërë. Vetëm nga fëmijët e Teki Qataj-Haxhirajt kanë dalë 16 mësues.
Lefteri, arsimin fillor e tetëvjeçar e mori në Armen. Shkollën e mesme pjesërisht e kreu në gjimnazin e Selenicës dhe në Vlorë. Pasi kreu studimet në Institutin 2 vjeçar (matematikë), u emërua mësues në fshatin Trevëllazër, ku u njoh edhe me një kolege, mësuesen e gjeografisë, Shefikate Muka e cila më vonë u bë shoqja e jetës dhe ndërtuan familjen e tyre të lumtur. Të dy, me një kujdes të veçantë, rritën, edukuan dhe arsimuan 4 fëmijë, tri vajza dhe një djalë, të gjithë me arsim të lartë. Çuditërisht tre prej tyre zgjodhën pofesionin e bukur të mësuesit. Njëra vajzë, shkoi në ShBA për studime dhe vazhdon të jetojë e të punojë atje.Rrugën e saj e ndoqi i vëllai, Dritani, i cili jeton e punon në ShBA, në vendin e demokracisë. Vajza e Madhe Dilica, ka qenë pedagoge në Universitetin “Ismail Qemali”, kurse tani jep Fizikë në Gjimnazin “Ali Demi”. Ndërsa vajza tjetër, Ertida jeton në Tiranë ku ushtron profesionin e mësuesisë.
Lefteri, i rritur në një familje që ka qenë gjithmonë në krah dhe pjesëmarrëse e lëvizjeve kombëtare për liri e zhvillim, si në Luftën e Vlorës dhe në Luftën çlirimtare e angazhuar e tëra, tek i riu u edukua vullneti për të dhënë më të mirën e qenies së tij. Gjyshi i Lefterit, Mahmut Mersin Qataj ishte pjesëmarrës në luftën e 5 puseve, në Luftën e Vlorës dhe në prapavijën e Luftës çlirimtare. I ati, Tekiu, komandant i çetës territoriale antifashiste të fshatit. Xhaxhai i tij, Axhemi, me universitetin e Bolonjës është një nga themeluesit e Çetës Plakë dhe më pas ekonomat i Brigadës së V-të. Xhaxhai i vogël Aqifi, anëtar i Këshillit të Rinisë antifashiste (Qarkorit Vlorë -Gjirokastër). Vetëm njëri nga xhaxhallarët, Safeti simpatizonte mbretin. Familja Qataj-Haxhiraj, i dha shumë kombit në çdo kohë historike, por e përzhiti lufta, iu dogjën 2 palë shtëpi me 24 dhoma, si dhe u rrëmbyen 1200 kokë bagëti. Ndaj Lefteri u edukua me atdhedashurinë, dashurinë për njerëzit dhe për bukurinë e natyrës së rrallë të vendit të tij. Megjithatë atë kjo familje patriote pësoi një tragjedi të vërtetë. I burgosën, i bën kulakë dhe në diktaturë u trajtuan si anti pushtetit popullor, duke ua mohuar vlerat që dhanëë në dobi të kombit ndër shekuj.
Nga i ati, Lefteri trashëgoi kulturën e tij të admirueshme, i cili fliste dhe lexonte mirë italisht dhe pak njohuri në gjuhën frënge. Në gjuhën italiane ishte vlerësuar me Medalje Ari. Babai kishte një kaligrafi të bukur, zotëronte një oratori të lindur në tregimtari e mbi të gjitha këndonte shumë bukur. Shumëkush e quante “Bilbil Gjyzar”. Ai me të katër djemtë këndonin shumë bukur dhe dukej sikur ishin një grup artistik. Veç këtyre i ati ishte qitës i zoti dhe gjuetar i shkathët. Këto cilësi trashëgoi Lefteri dhe vëllezërit. Në gjueti u shqua vëllai i dytë, Shpërblimi. Kot nuk thonë:“Bëm, o babë të ngjaj!”
Në këtë mënyrë nga Tekiu, i biri, Lefteri trashëgoi këngën dhe poezinë. Në edukimin artistik të tij ndikoi edhe vëllai i madh, Fitimi, koreograf i shtëpisë së Kulturës Vlorë dhe udhëheqës artistik në disa ndërmarrje dhe fshatra…
Si poet është njohur herët qysh në festivalin e X (dhjetë ) të këngës për fëmijë, i zhvilluar në Vlorë, ku kënga “O djalë se më nderove, partizan i vogël dole”, fitoi ‘Çmimin e Parë kombëtar’:me tekst Lefter Haxhiraj dhe kompozimi Reshat Osmani (A.Q.Sh) . Kjo këngë u përdor si introduksion nëpër filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Në Trevllazër,veç profesionit të mësimdhënies ai vuri në jetë dhe praktikoi talentin e tij. Ngriti grupin artistik të Trevllazërit. Më pas të dy me bashkëshorten u transferuan në fshatin e lindjes, ku punuan me gjithë shpirt si mësues për ngritjen arsimore dhe kulturore të Armenit për 40 vite.Natyrisht bashkë me ekipin pedagogjik. Lefteri, jo vetëm ngriti grupin polifonik me bashkëfshatarët e tij, por ishte autori i teksteve të këngëve, ku u dallua edhe si solist (marrës) i shumë këngëve.
Por poezia që ia rriti vlerat si poet, ishte kënga Xinxërfille. Menjëherë pasi e këndoi në publik grupi i Armenit, me solist Rrahmën Nuredinin, i cili e ka përjetësuar si këngën, veten, edhe autorin. Më pas kënga u shndërrua në hit, pas tyre e këndoi këngëtarja e mirënjohur vlonjate Aurela Gaçe, natyrisht e ngritur në art muzikor. Xinxërfillen në Itali e kanë shndërruar në muzikë xhazi (jazz music).
Vlerat e këtij grupi polifonik barazohen me vërshimet e bujëshme e të harbuara të Vjosës dhe ligjërimet ëndërrimtare apo me tërsëllimë të Shushicës që sjellin pjesëza jete, këngë, ëndrra, shpresa, vuajtje, gëzime dhe identitet kombëtar nga jugu i vendit apo Labëria. Kjo tablo mahnitëse krijohet sepse Shushica derdhet në Vjosë aty ku përfundon kufiri i Armenit në fushën e Mesarakut. Çfarë magjie përzier me poezi! Në një xhep mes dy lumenjve, duke marrë vrapin për në kodër, ngrihet Armeni me pesë lagje dhe me Qytezën antike mbi krye.
Në këtë mënyrë vazhdoi jeta e dytë ajo shpirtërore- artistike e mësuesit-poet Lefter Haxhiraj, kënga. Duke dëgjuar DVD e grupit të Armenit, të mahnisin figurat letrare, metaforat, ku të pestë librat e tij i përshkon një lirizëm marramendës. Një temë kryesore janë këngët e trimërisë së shqiptarëve në shekuj. Por si i ka kënduar vashës shqiptare, rinisë dhe bukurisë, e bëjnë autorin të pavdekshëm si poeti që i këndoi aq ëmbël dhe dridhshëm, ndjenjës më fisnike, më sublime, Dashurisë.
Familja e autorit falënderon së tepërmi Krytarin e Sh. A. K. “Labëria dega Vlorë, z.Ahmet Dema që propozoi për vlerësimin e këtij talenti të lënë në harresë. Nuk janë pak, por 40 vjet mësues dhe 40 vjet krijimtari artistike duke i dhënë kolanës letrare dhe fondit muzikor të gjinisë së polifonisë, një pasuri të paçmuar folklorike! Janë rreth 400 poezi në pesë libra që këndohen jo vetëm nga grupi i Armenit, por, edhe nga grupet e tjera polifonike.
Një nderim të veçantë e kam për Shoqatën Mbarëkombëtare Atdhetare Kulturore “Labëria”! Falënderoj anëtarët e grupit polifonik “Xinxërfillja” të Armenit: Rrahmënin, Fatmirin, Rustemin, Fatoshin, Gëzimin, Letën, Vezirin, Llazin, Arbenin, Babushin si dhe për pjesëmarrësit e nderuar në këtë auditor vlerash.
Lefter Haxhiraj u nda fizikisht nga jeta më 17 shtator 2014, por emri i tij është i pavdekshëm, sepse do të jetoj në këngë dhe në poezi. Fjala dhe shpirti i tij do të gëlojnë nga brezi në brez, në çdo Festival, në çdo bibliotekë dhe në çdo shtëpi. Ndaj poetët nuk vdesin, sepse janë Hyjnitë që shenjtërojnë shpirtërat njerëzorë!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Ju faleminderit!
Vlorë -21-7-2018
Komentet