VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Izraeli konfirmon vizitën e Kryeministrit Netanyahu në Arabinë Saudite

By | November 23, 2020
blank

Komentet

blank

NATO dhe SHBA mobilizohen për Ukrainën

VOAL – Konsultimet emergjente të NATO-s me Kievin dhe njoftimi nga Shtetet e Bashkuara se do të dërgojë trupa të reja në Gjermani (500 trupa). Këto janë sinjalet “e forta” dërguar Moskës të martën në një përpjekje për të zbutur një konflikt të ri në Ukrainë dhe për t’iu përgjigjur shfaqjes së forcës së Rusisë.

“Përforcimi i konsiderueshëm ushtarak i Rusisë është i pajustifikueshëm, i pashpjegueshëm dhe thellësisht shqetësues,” paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg të martën pasi priti ministrin e jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Ndërkohë, shefi i diplomacisë amerikane, Antony Blinken dhe sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin, janë konsultuar në Bruksel me aleatët e tyre të NATO-s për masat për t’iu kundërvënë Moskës.

Moska akuzoi NATO të Martën për kryerjen e veprimtarive “kërcënuese” dhe tha se ishte e detyruar të “merrte masat e duhura”. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se ai kishte transferuar “dy armata dhe tre njësi të trupave ajrore në kufijtë perëndimorë të Rusisë për stërvitje” brenda tri javësh. Ai nuk specifikoi vendndodhjen e këtij dislokimi. Më shumë se 80 000 burra janë zhvendosur në kufirin ukrainas, si kurrë më parë që nga aneksimi i Krimesë, sipas Blinken.

Dmytro Kuleba u bëri thirrje aleatëve të mos “rrëmbehen” nga Rusia dhe të sigurojnë “mbështetje shumë konkrete” për Ukrainën. “Ne duhet të shmangim gabimin e bërë në 2014, kur Rusia nisi veprime të shpejta në Donbass dhe Crimea, ndërsa shumica e Perëndimit po mendonte për një përgjigje,” tha ai. AFP-eb

blank

Studentët rusë paguajnë çmim të shtrenjtë për protestat politike

Pamje e një protestuesi të gjakosur në protestat për lirimin e liderit opozitar në Rusi, Aleksei Navalny.
Robert Coalson, Kirill Kruglikov

Savely Narizhny është 15-vjeçar, ish-anëtar i shkollës së mesme në veriperëndim të qytetit rus Vologda. Më 23 janar, ai është ndalur në qendër të qytetit për pjesëmarrje në një protestë masive, në mbështetje të liderit opozitar Aleksei Navalny, i cili në atë kohë ishte i burgosur dhe përballej me akuza të rënda penale.

Narizhny nuk është ndaluar, mirëpo policia ia ka konfiskuar telefonin.

Tri ditë më vonë, policia e ka kërkuar në shtëpi.

Narizhny e pranon se ka shkruar grafiti, duke e quajtur liderin rus Vladimir Putin “hajn”, në muret e një ndërtese të administratës rajonale.

Pas pak kohësh, prokurorët e kanë kategorizuar këtë akt si “veprim të kryer nga një grup njerëzish, të motivuar në baza politike, ideologjike, racore, nacionaliste apo të urrejtjes fetare”.

Nëse dënohet, ai mund të përballet me tre vjet burgim.

Pas paraqitjes së padisë penale, Narizhny është kontaktuar nga administrata e shkollës. Zyrtarët i kanë bërë presion që të heqë dorë nga shkolla.

“Ata më kanë thënë ‘neve nuk na duhen kriminelë’ dhe gjëra të tjera”, ka thënë Narizhny për Radion Evropa e Lirë.

“Do të jetë më mirë për ty nëse largohesh me dëshirën tënde”.

Tani ai është pjesë e shkollës së natës, teksa pret gjyqin.

Gjatë valës së parë të protestave, në mbështetje për Navalnyn dhe kundër Qeverisë së Putinit, në janar dhe shkurt, zyrtarët rusë dhe mediat e kontrolluara nga shteti – duke vërejtur lëvizjen kryesisht të të rinjve – kanë akuzuar vazhdimisht opozitën për joshje të tyre.

“Është absolutisht e papranueshme që të shtyhen të miturit përpara”, ka thënë Putin.

“Kjo është ajo që bëjnë terroristët”.

Një moderator i televizionit shtetëror, Dmitry Kiselyov, është pozicionuar kundër opozitës në emisionin e tij, duke i akuzuar ata për “shtyrje të fëmijëve në politikë sikurse pedofilë politikë”.

Megjithatë, mbështetësit e opozitës kanë qenë të shpejtë në krijimin e një materiali, që përmes montazhës paraqiste kokën e Kiseloyvit në trupat e fëmijëve të vegjël, duke marrë pjesë në ngjarjet e organizuara nga partia në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Disa javë prej zhvillimit të protestave, zyrtarët lokalë në Rusi kanë shtypur të rinjtë – jo vetëm fëmijët – të cilët kanë marrë pjesë në to. Shumë e kanë gjetur veten duke u përballur me dëbime nga institucionet e tyre edukuese, me akuza të rënda penale, ose sikurse rasti i Narizhnyt, me të dyja.

I zënë në shtypjen pas protestave në Vologda ka qenë edhe 17-vjeçari Ilya Yelshin. I vetëshpallur nxënës i dobët në Shkollën e Mesme Spassky, Yelshin ka kaluar kohën më të madhe duke punuar në kanalin e tij në YouTube, duke paraqitur veten në disa situata, përfshirë atë duke qëndruar për më shumë se gjashtë orë në temperatura -20 gradë Celsius, i veshur vetëm bluzë me mëngë të shkurtra.

“Ndjenja e shqetësimit”

Në muajin janar, teksa Navalny përgatitej për kthim nga Gjermania, ku ka kaluar disa javë duke u shëruar nga helmimi me agjent nervor, Yelshin ka nisur të shtojë përmbajtje politike në kanalin e tij, duke përfshirë kryerjen e sondazheve me të rinj të tjerë, duke i pyetur nëse mbështesin Navalnyn apo Putinin.

Navalny përndryshe beson se sulmi kundër tij është kryer nga agjentë të Shërbimit Federal të Sigurisë, me urdhër të Putinit.

Më 23 janar, ai ka publikuar një material në rrjetin social YouTube nga protesta e Navalnyt në Vologda.

Pamje nga protestat në Vologda.

Pamje nga protestat në Vologda.

“Pata nisur të shqetësohesha se çfarë ishte duke ndodhur në Rusi në ato momente. Gjërat shkonin keq”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Protestat nisën dhe unë nisa të shihja disa gjëra. Problemet e Rusisë, Putini…”.

Ndonëse mësuesit u kanë folur nxënësve për “rrezikun” e protestave, para se ato të mbaheshin, asgjë nuk i ka ndodhur Yelshinit gjatë protestave.

Ditën tjetër, dy policë i kanë shkuar në shtëpi dhe e kanë paralajmëruar se ai ka qenë shënjestër e hetimeve penale. Pak kohë më pas, ai është thirrur për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit rajonal.

“A nuk e kuptoni se jeni duke vendosur jetën tuaj në rrezik duke u përfshirë në këtë gjë?”, e ka pyetur atë prokurori, sipas një audio-incizimi që Yelshin e ka bërë dhe e ka postuar në rrjetet sociale.

“Jeni duke u shfrytëzuar. Ti nuk e kupton se sa po të shfrytëzojnë ty”.

“Dhe a ke menduar se si je duke u shfrytëzuar?”, ka rikujtur Yelshin deklaratat e zyrtarëve.

Mbështetësit e Navalnyt kanë bërë thirrje për një tjetër protestë më 31 janar. Pak para asaj date, Yelshin ka postuar një video, në të cilën ka thënë: “Nëse dëshironi të dilni, dilni. Mirëpo mendoni disa herë para se të vendosni që të mos dilni”.

Sipas avokatit të Yelshinit, Sergei Tikhonov, drejtorja e shkollës së Yeleshinit, është telefonuar nga policia, për të raportuar atë material dhe pas pak kohësh ai ka nisur të ketë probleme.

Drejtorja e Shkollës së Mesme Spassky, Lyudmila Guseva nuk ka pranuar të intervistohet për këtë artikull.

Politikani nga Vologda Yevgeny Domozhirov, i cili është anëtar i Këshillit Qendror të Partisë për Progres të Navalnyt, ka publikuar një fotografi të raportit policor të thirrjes së Gusevas, me datë 29 janar.

Ai ka akuzuar Gusevan për hipokrizi të paralajmërimit të studentëve që të mos përfshihen në politikë, dhe në të njëjtën kohë, duke pranuar partinë Rusia e Bashkuar në shkollën që drejton.

“Mjafton që të shikoni faqen e shkollës dhe të shihni ripostimet e vazhdueshme nga shkolla, të partisë së hajnave, si dhe organizimet në shkollë” ka shkruar Domozhirov.

“Do të bëhet edhe më keq”

Yelshin është ndaluar në protestat e 31 janarit. Policia e ka konsideruar atë “organizator” të protestës. Ai është gjobitur me 260 dollarë për këtë vepër dhe më 130 dollarë për pjesëmarrje në protestën e dytë.

Përveç kësaj, prindërit e tij janë gjobitur me 1.30 dollarë për “dështim të kryerjes së obligimeve prindërore”.

Brenda pak ditësh, Yelshin – sikurse Narizhny – është marrë në pyetje nga administrata e shkollës dhe i është bërë presion që të heqë dorë.

“’Ilyusha, natyrisht, ne nuk po të detyrojmë për asgjë, mirëpo do të ishte më mirë nëse largoheni”, ka rikujtur Yelshin deklarat që i janë thënë.

“Ata më kanë thënë: ‘Ti e din veten se do të bëhet vetëm më keq’”.

Prej kur ka lënë shkollën, Yelshin ka thënë se ka më shumë kohë të punojë në kanalin e tij në YouTube.

Në mesin e gjërave tjera, ai ka postuar një material se si “është larguar nga shkolla”.

“Tani nuk jam në student”, ka thënë ai.

“Nuk studioj askund. Me pak fjalë, unë jam lypës”.

Aktivistja Vera Inozemtseva.

Aktivistja Vera Inozemtseva.

Në qytetin jugor të Rusisë, Astrakhan, 22-vjeçarja Vera Inozemtseva dhe dy studente tjera janë dëbuar nga Universiteti Shtetëror Astrakham, për pjesëmarrje në protestat e Navalnyt në atë qytet më 23 janar. Ajo ka thënë se pas protestave është “rrëmbyer” nga zyrtarë policorë, të cilët ia kanë marrë telefonin dhe e kanë përdorur atë për të postuar mesazhe inkriminuese në llogaritë e saj në rrjetet sociale.

“Jam dërguar nga dhoma në dhomë”, ka thënë ajo teksa ka përshkruar kohën e kaluar në burg dhe “më në fund jam dërguar në një dhomë dhe një zyrtar nga Qendra E ka ardhur”.

Qendra E është pjesë e departamentit të Ministrisë së Brendshme, përgjegjëse për luftim të ekstremizmit.

Shtypja e protestave në Rusi pas dënimit të Navalnyt
Fotogaleri

Shtypja e protestave në Rusi pas dënimit të Navalnyt

Mijëra rusë kanë protestuar, për të kundërshtuar dënimin e liderit të opozitës, Aleksei Navalny, pasi ky i fundit u dënua me tre vjet burgim. Forcat ruse të sigurisë kanë përdorur forcë kundër protestuesve, që demonstruan më 2 shkurt dhe në orët e mëngjesit të 3 shkurtit. Grupi monitorues, OVID-Info ka raportuar se policia ka arrestuar mbi 1,400 persona.

Kjo qendër është kritikuar shumë për shtypje të disidentëve politikë paqësorë.

“Kam tentuar të gjejë bazën ligjore të kësaj bisede dhe kam pyetur se ku ka mbetur telefoni im, mirëpo zyrtari nuk është përgjigjur në pyetjet e mia dhe vetëm më ka pyetur se pse nuk e dua Putinin”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se është kthyer në shtëpi nga tre burra të maskuar në një makinë pa shenja të policisë.

Një prej tyre e ka pyetur, “Tani do të kesh sjellje të mira, apo jo?”

“Jam përgjigjur se do të ankohem në Zyrën e Prokurorit”, ka thënë ajo.

Sapo janë larguar burrat me maska, dy zyrtarë policorë me unformë i janë afruar asaj dhe i kanë kërkuar që t’iu bashkohet.

“Nuk dua të heq dorë”

“Kam menduar se kam humbur mendjen apo kam qenë në mes të një ankthi”, ka thënë ajo.

Në fund, ajo është gjobitur me 10,000 rubla për pjesëmarrje në protestë.

Ajo ka bërë ankesë te prokurorët më 24 janar, mirëpo Komiteti Hetues nuk ka pranuar të nisë hetimet.

“Ne jemi duke apeluar refuzimin”, ka thënë ajo.

Në muajin mars, një gjykatë lokale ka kundërshtuar apelin e Inozemtsevas kundër dëbimit të saj nga universiteti.

“Tani jemi duke u përgatitur për apelin tjetër”, ka thënë Inozemtseva, e cila ka qenë duke punuar për një temë të nivelit master, në fushën e shkencave politike para se përjashtohej, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Unë jam gati të shkoj në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Por, dua të fitoj rastin kundër universitetit këtu në Rusi dhe jo në Gjykatën Evropiane”, ka shtuar ajo.

“Dua t’i shoh duke u ndëshkuar njerëzit që më kanë rrëmbyer më 23 janar”.

“Nuk dua të heq dorë”, ka thënë mes tjerash ajo.

“Të heq dorë, për çfarë?Kjo nuk mund të quhet as aktivizëm. Unë bëj atë që bëj. Mirëpo nëse ndaloj së vepruari, do të bëhem person indiferent. Dhe ndonëse Rusia nuk më do, unë nuk mund të jem indiferente”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
blank

NATO: Rusia t’i japë fund pozicionimit ushtarak në kufirin me Ukrainën

Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia duhet t’i japë fund menjëherë pozicionimit të saj ushtarak brenda dhe në kufirin e saj me Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba vizitoi selinë e NATO-s në Bruksel dhe u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg.

Duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit, Stoltenberg deklaroi se Rusia ka dërguar mijëra ushtarë të gatshëm për luftime në kufirin ukrainas ditët e fundit dhe se ai po e ndjek këtë situatë me shqetësim.

Stoltenberg deklaroi se kjo është vendosja më e madhe e trupave ushtarake që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe theksoi se shumë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën në përplasjet në lindje të Ukrainës në ditët e fundit.

“Vendosja e trupave ushtarake nga ana Rusisë është e paligjshme, e pashpjegueshme dhe thellësisht alarmante. Rusia duhet t’i japë fund menjëherë këtij pozicionimi brenda dhe pranë Ukrainës, t’i japë fund provokimeve dhe të lehtësojë tensionet”, tha shefi i NATO-s.

Duke i bërë thirrje Rusisë të respektojë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, Stoltenberg tha se “mbështetja e NATO-s për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës është e palëkundur”.

“Ne nuk do të pranojmë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia”, shtoi ai.

Stoltenberg kërkoi nga Rusia t’i japë fund mbështetjes për forcat pro-ruse në lindje të Ukrainës dhe t’i tërheqë forcat e saj nga territori ukrainas, duke shtuar se NATO-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Ukrainës.

blank

Britanikët fikin televizorët, kritikojnë mbulimin e gjerë mediatik të vdekjes së Princit Philip

VOA

Të premten një numër rekord britanikësh fikën televizorët, dukshëm të irrituar me mbulimin e gjerë mediatik të vdekjes së Princit Philip, bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabeth.

Transmetuesi publik televiziv BBC, i cili financohet me paratë e taksapaguesve, “u përmbyt” nga ankesat e shumta saqë u detyrua të krijonte një segment dedikuar ankesave në faqen e tij të internet, ku teleshikuesit “zbraznin” acarimin rreth shtyrjes së emisioneve të preferuara televizive, mes tyre episodin e fundit të një konkursi popullor gatimi.

Në një postim në twitter autori i njohur i librave mbi historinë antike Romake dhe Greke Tom Holland shprehte irritimin e tij mbi homazhet e regjistruara paraprakisht për princin Filipin dhe dokumentarët për familjen mbretërore. Por ai nuk ishte i vetmi.

Ish-prezantuesi i BBC-së Simon McCoy ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi shkallën e mbulimit, duke shkruar në Twitter: “E di që kjo është një ngjarje e madhe. Por publiku meriton të ketë një zgjedhje programore”.

Ish-ministri Chris Mullin e quajti mbulimin “në stilin e Koresë së Veriut” dhe një “gabim të madh”.

BBC tha se vendimi për të transmetuar në shumë kanale për 24 orë u mor për të shënuar “jetën dhe shërbimin e jashtëzakonshëm publik” të Princit Philip. Ky i fundit, një ish-oficer i marinës i cili u shqua për shërbimin e tij në Luftën e Dytë Botërore, është vlerësuar gjerësisht se ka ndihmuar në modernizimin dhe udhëheqjen e familjes mbretërore.

Por publiku britanik i fiku televizorët. Shifrat që masin audiencën tronditën drejtuesit e televizioneve, si dhe BBC-në, duke regjistruar një rënie të madhe.

BBC shënoi një rënie prej 64% të audiencës së saj krahasuar me të premten e kaluar. ITV, konkurrenti kryesor tokësor komercial, pësoi një rënie prej 60% të audiencës normale për një të premte.

Komentuesit vunë në dukje se 40 vite më parë, dasma e Princit Charles dhe bashkëshortes së tij Diana Spencer tërhoqi 30 milionë teleshikues britanikë, ndërsa dokumentari i BBC-së të premten e kaluar mbi jetën e Princit Filip, prezantuar nga gazetari popullor Andrew Marr, tërhoqi vetëm 2 milionë teleshikues.

Opinioni është i ndarë lidhur me arsyet rreth kësaj rënie të shikueshmërisë. Disa vëzhgues sugjerojnë se kjo është shenjë e zvogëlimit të afeksionit publik për familjen mbretërore, e cila është përfshirë nga skandalet gjatë viteve të fundit. Të tjerë thonë se kjo ka të bëjë me një ndarje brezash, me britanikët e moshuar që identifikohen me një princ i cili i cili shërbeu në Luftën e Dytë Botërore.

Disa komentatorë dhe politikanë fajësuan mbulimin e tepërt mediatik. Të tjerët thonë se raportimi ishte i neveritshëm, një qëndrim që u kritikua nga ish-ministri konservator Alastair Burt. Ai tha se BBC, në veçanti, kishte arritur të kryente një mbulim të përsosur.

“BBC e ka kuptuar mirë gjendjen e publiku i është përgjigjur”, shkruante zoti Burt të hënën për revistën The Article, që publikohet në internet.

Ai vlerësonte BBC-në për mbledhjen nga britanikët e zakonshëm të historive dhe anekdotave rreth Princit Philip, i cili u nda nga jeta rreth dy muaj përpara se të mbushte 100 vjeç.

“Të gjitha këto krijuan një mozaik prekës të mbretërisë së sotme”, tha zoti Burt.

Sidoqoftë, audienca në rënie sugjeron se shumë britanikë e gjetën “mozaikun” jo shumë bindës. Një përdorues i mediave sociale vinte në dukje se “mbulimi nga çdo kanal është i bezdisshëm dhe i panevojshëm. Ka edhe lajme të tjera të rëndësishme. Do të vija bast që edhe vetë Princi Philip nuk do ta kishte dashur një bujë të tillë!”.

blank

Irani fajëson Izraelin mbi avarinë elektrike në impiantin bërthamor

VOA

Irani ka fajësuar Izraelin lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike në impiantin nëntokësor bërthamor të vendit në Natanz.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane bëri të ditur se centrifugat e pasurimit të uraniumit ishin dëmtuar. Ai shtoi se Irani do të hakmarrej ndaj Izraelit, por pa përcaktuar se për çfarë bëhej fjalë konkretisht.

Shefi i programit bërthamor të Iranit Ali Akbar Salehi e quajti incidentin e së dielës një akt “terrorizmi bërthamor”.

Ndërsa e dënojmë këtë veprim të dëshpëruar, Republika Islamike e Iranit thekson nevojën që organet ndërkombëtare dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të përballen me këtë akt të terrorizmit bërthamor“, njoftoi televizioni shtetëror duke cituar zotin Salehi.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, organi i Kombeve të Bashkuara që monitoron programin atomik të Iranit njoftoi të dielën se ishte në dijeni të situatës dhe zhvillimeve pasuese, por nuk dha të tjera detaje.

Duke cituar dy agjentë të zbulimit, gazeta “New York Times” raportoi se incidenti ishte një goditje e rëndë ndaj kapaciteve të Iranit për të pasuruar uranium dhe se sipas tyre mund të duheshin nëntë muaj për ta rifutur sërish në punë impiantin.

Gazeta shkruante se sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë të zbulimit, Izraeli kishte pasur rol në avarinë elektrike që i ishte shkaktuar impiantit. Të dielën media të shumta izraelite raportuan se Izraeli mund të ketë qenë pas incidentit, duke e cilësuar si sulm kibernetik.

Ndërprerja vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh indirekte këtë javë, në një përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore.

Irani kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane ndaj tij, por SHBA paralajmëron se një kërkesë e tillë mund të çojë në një ngërç. Presidenti Joe Biden është zotuar se SHBA do të rikthehet tek marrëveshja nëse Irani do të fillojë t’i përmbahet plotësisht kushteve të saj.

Vendimi i ish-Presidentit Presidenti Donald Trump për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, krijuan shqetësime të mëdha në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Pas kësaj Irani vendosi të mos respektojë më kushtet e marrëveshjes, përfshirë depozitimin e rezervave më të mëdha të uraniumit të pasuruar.

Impianti i Natanzit ka qenë subjekt sulmesh edhe në të kaluarën, përfshirë sulmet kibernetike rreth një dekadë më parë, për të cilat u fajësuan gjerësisht Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Korrikun e kaluar impianti pësoi gjithashtu një shpërthim misterioz tek centrifugat, akt të cilin autoritetet iraniane e cilësuan si sabotazh.

SHBA dhe Izraeli nuk kanë komentuar mbi avarinë elektrike të së dielës.

Incidenti vjen një ditë pasi Presidenti iranian Hassan Rouhani mbikëqyri fillimin e punës në impiantin e Natanzit të centrifugave të përparuara për pasurimin e uraniumin, një përbërës kryesor për armët bërthamore.

Zoti Rouhani përsëriti qëndrimin se aktivitetet bërthamore të vendit janë “paqësore dhe se nuk kanë qëllime ushtarake”.

blank

BRENDA MOLLËS – Poezi nga YEHUDA AMICHAI (3 maj 1924 – 22 shtator 2000) – Përktheu Skënder Buçpapaj

Ti vizitomë mua brenda mollës.
Së bashku ne mund ta ndiejmë thikën
duke u vërtitur rrotull e rrotull nesh, kujdesshëm
në mënyrë që lëkurën të mos e çajë.

Ti fol me mua, unë i besoj zërit tënd,
sepse ai ka droçkat e dhimbjes së rëndë në vete
ashtu si mjalti i vërtetë
ka droçkat e dyllit nga hojet e kosheres.

Unë i prek buzët e tua me gishtërinjtë e mi:
edhe ky është një gjest profetik.
Dhe buzët e tua janë të kuqe, ashti si një fushë e djegur
është e zezë.
Gjithçka është e vërtetë.

Ti vizitomë mua brenda mollës
Dhe do të rrish me mua brenda mollës
Derisa thika ta ketë mbaruar punën e saj.

blank

Egjipt, gjendet qyteti antik 3.000-vjeçar

Kajro

Autoriteti Egjiptian i Antikiteteve ka njoftuar se është gjetur një qytet antik 3.000 vjeçar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas autoritetit, qyteti antik besohet të jetë themeluar nga mbreti Amenhotep III dhe ishte qyteti më i madh administrativ dhe industrial në Luksor gjatë epokës perandorake egjiptiane.

Gjatë gërmimeve janë gjetur objekte të përdorura në jetën e përditshme.

Zbulimi i qytetit besohet të jetë gjetja e dytë më e rëndësishme arkeologjike pas varrit të Tutankamunit.

blank

Mbi 135 milionë raste me COVID-19 në mbarë botën

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka shkuar mbi 135 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri tani në mbarë botën janë regjistruar gjithsej 135.082.420 raste me COVID-19.

Numri më i madh i të infektuarve deri më tani është regjistruar në SHBA, me gjithsej 31.773.300 raste.

Pas SHBA-së radhiten Brazili me 13.286.324 raste, India 13.202.783, Franca 4.980.501, Rusia 4.623.984, Britania e Madhe 4.365.461, Turqia 3.745.657, Italia 3.736.526, Spanja 3.336.637, Gjermania 2.974.110, Polonia 2.528.006, Kolumbia 2.492.081, Argjentina 2.473.751, Meksika 2.267.019, Irani 2.029.412, Ukraina 1.823.674, Peruja 1.617.864, Çekia 1.573.153, Indonezia 1.558.145, Afrika e Jugut 1.554.975, Holanda 1.334.771, Kili 1.060.421 dhe Kanadaja me 1.041.946 raste.

Deri tani, në të gjithë botën nga COVID-19 kanë humbur jetën 2.921.655 persona ndërsa 108.701.451 janë shëruar duke mposhtur virusin.

Aktualisht, në botë ka 23.411.181 të prekur nga COVID-19 që ndodhen në trajtim.

blank

Irak, Papa u bën thirrje të krishterëve të falin, e të rindërtojnë vendin

VOA

Papa Françesku vizitoi të dielën pjesën e veriore të Irakut ku u lut mes rrënojave të kishave të shkatërruara nga Shteti Islamik.

Ndalesa e tij e parë të dielën ishte në Mosul, dikur bastion i grupit ekstremist. Ai u lut për viktimat e luftës në Irak në një shesh të qytetit.

Pas Mosulit, Papa Françesku u drejtua për në Karakosh, një qytet antik i krishterë që ishte pushtuar nga forcat e Shtetit Islamik. Ai u takua me anëtarët e komunitetit lokal në Kishën e “Ngjizja e Papërlyer”.

Papa Françesku u bëri thirrje të dielën të krishterëve të Irakut të falin padrejtësitë e kryera ndaj tyre nga grupet ekstremiste e të rindërtojnë vendin. Ai vizitoi rrënojat e kishave të shkatërruara e takoi turma entuziaste njerëzish në zemrën historike të qytetit, e cila pothuajse u fshi nga mbretërimi i tmerrshëm i grupit Shteti Islamik.

Papa do të mbajë një meshë në stadiumin “Franso Hariri” në Erbil përpara se të niset sërish drejt Bagdadit. Për shkak të kufizimeve të lidhura me COVID-19-n, pjesëmarrja do të jetë e kufizuar në vetëm 10 mijë vetë. Papa pritet të kthehet në Romë të hënën në mëngjes.

blank

Papa takohet me Nechirvan Barzanin në Erbil

Erbil

Papa Françesku është takuar në Erbil me kreun e Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Nechirvan Barzani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Papa u prit në orët e mëngjesit me një ceremoni zyrtare në aeroportin ndërkombëtar të Erbilit ku zhvilloi një takim me Barzanin në sallën e pritjeve për zyrtarët specialë.

Barzani në takimin e zhvilluar me Papën tha se janë të nderuar që e kanë pritur atë në Erbil.

“Ne kemi besim të plotë për lirinë e fesë dhe besimit. Toleranca, bashkëjetesa dhe pranimi i njëri-tjetrit mes formacioneve janë një pjesë e kulturës sonë. Përpiqemi me të gjithë fuqinë tonë që ta ruajmë dhe ta mbrojmë këtë kulturë. Jemi gjithmonë pranë dialogut dhe paqes”, tha Barzani.

Gjatë takimeve të Papës në aeroport ishin të pranishëm edhe kryeministri i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Mesrur Barzani, zv.kryeministri Kubat Talabani, ish-presidenti dhe kreu i Partisë Demokratike të Kurdistanit, Mesut Barzani si dhe zyrtarë të tjerë.

Pas takimit me Barzanin në aeroport, Papa u nis me helikopter për në Mosul.

Papa në Mosul do të vizitojë rajonin Karakush që banohet kryesisht nga të krishterët dhe këtu do të mbajë një fjalim.

Pas Mosulit Papa do të kthehet në Erbil dhe do të zhvillojë një meshë në stadiumin “Franso Hariri”.

Në orët e mbrëmjes Papa do të kthehet në Bagdad dhe pas një nate qëndrimi këtu do të niset për në Romë pas një ceremonie lamtumire që do të zhvillohet në aeroport.

blank

Papa Françesku dhe kleriku shiit diskutojnë sigurinë e të krishterëve në Irak

Papa Françesku në takim me klerikun shiit Ayatollah Ali al-Sistani në Irak.

Papa Françesku është takuar me një klerik të lartë shiit, në kuadër të një udhëtimi historik në Irak.

Takimi i 6 marsit me Ayatollah Ali al-Sistani është zhvilluar në qytetin e shenjtë Najaf, teksa Papa ka tentuar të dërgojë mesazh për bashkëjetesë paqësore dhe të mbështesë pakicën e krishterë në Irak.

Kjo vizitë është transmetuar drejtpërdrejt në televizionin irakian, dhe banorët janë parë duke përshëndetur takimin me mes të liderëve të dy religjioneve.

Al-Sistani është figurë e rëndësishme në mesin e pakicës shiite në Irak dhe respektohet nga bota shiite.

Pas mbajtjes së takimeve me dyer të mbyllura, al-Sistani ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se të krishterët në Irak duhet të jetojnë në paqe dhe të gëzojnë të njëjtat të drejta sikurse irakianët e tjerë.

Vatikani, në anën tjetër, ka thënë se Papa Françesku ka falënderuar al-Sistanin dhe popullin shiit, për “ngritje të zërit në mbrojtje të atyre që janë më të dobët dhe më të persekutuar”.

Pakica e krishterë në Irak dikur vlerësohej se përbëhej nga 1.4 milion banorë.

Mirëpo si pasojë e konflikeve, tani besohet se në Irak janë rreth 300,000 të krishterë, shumica prej të cilëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Irakianët kanë mirëpritur vizitën dhe vëmendjen ndërkombëtare që i është dhënë shtetit të tyre, i cili tenton të rimëkëmbet nga dekada të luftës dhe trazirave.

Shtete tjera me shumicë myslimane, që ka vizituar Papa Françesku në të kaluarën janë: Turqia, Jordania, Azerbajxhani dhe territoret palestineze.

blank

Papa Françesku fillon vizitën historike në Irak

VOA

Papa Françesku mbërriti në Irak, për vizitën e parë të një kreu të kishës katolike në vendlindjen e Profetit Abraham.

Ky është udhëtimi i parë i Atit të Shenjtë jashtë vendit që nga fillimi i pandemisë dhe të gjithë personat që e shoqërojnë në avion janë të vaksinuar kundër COVID-it. Ky udhëtim shoqërohet me sfida të shumta, pasi rastet e infektimeve në Irak po shtohen dhe ka shqetësime se Papa mund të mos ndjekë vazhdimisht protokollin e distancimit fizik.

Ambasadori i Vatikanit në Irak, Arqipeshkvi Mitja Leskovar, kohët e fundit rezultoi pozitiv për koronavirus dhe aktualisht është në karantinë.

Megjithatë, Ati i Shenjtë këmbënguli për të zhvilluar vizitën. Në një video-mesazh drejtuar irakianëve, Papa thotë se ka dashur prej kohësh të takohet me ta, t’i shohë nga afër dhe të vizitojë atë tokë të shenjtë, djep i pakrahasueshëm qytetërimi.

Papa tha se vizita është një “pelegrinazh pendese” për të kërkuar ndjesë dhe për t’u lutur për pajtim pas luftës dhe terrorizmit disa vjeçar. Papa fliste më tej për një “pelegrinazh paqeje, në kërkim të vllazërimit, të ushqyer nga dëshira për t’u lutur së bashku e për të ecur së bashku me vëllezërit e motrat irakiane në tokën e Atit Abrahamit, i cili është një figurë që bashkon fenë islame, hebraike dhe të krishterë në një familje”.

Ati i shenjtë, i cili u detyrua të anulonte udhëtimin e tij në Irak vjet, shpreson të sjellë shpresë të re për komunitetin e krishterë që është persekutuar rëndë gjatë kryengritjes së Shtetit Islamik. Numri i të krishterëve në Irak ka rënë ndjeshëm dhe tani përllogaritet në rreth 300,000 vetë. Papa e quajti grupin e të krishterëve irakianë “një kishë martire” që do ta kishte për nder ta takonte.

Siguria mbetet shqetësim gjatë kësaj vizite, ndërkohë që në Irak janë shtuar gjatë javëve të fundit sulmet ndaj objekte civile e ushtarake. Ndryshe nga herët e tjera, papa nuk do të përdorë makinën e tij tradicionale, por një automjet të blinduar për të lëvizur nëpër qytete të ndryshme. Ai planifikon të shkojë në Mosul, Erbil dhe Ur, vendlindja e Abrahamit. Një ndër momentet më të spikatura të vizitës do të jetë udhëtimi për në qytetin e shenjtë të Naxhafit, ku Papa Françesku do të takohet me klerikun mysliman shiit Ali al-Sistani.


RSS
Follow by Email
Twitter
LinkedIn
LinkedIn
Share
Send this to a friend