VOAL – Shën Gotardi është një nga lidhjet transalpine më të rëndësishme midis Veriut dhe Jugut të Evropës, shkruan voal.ch (Voice Of Albanians). Me galerinë e re qendrore, udhëtimi me tren midis qyteteve të mëdha gjermane e italiane do të jetë më i shpejtë.

Swissinfo.ch sjell saktësime. Tri orë në njëzet vjet, ky është shkurtimi i kohës së udhëtimit me tren përmes Evropës përgjatë linjës së Shën Gotardit. Me hyrjen në punë të galerisë së re qendrore, 11 dhjetorin e ardhshëm, si dhe mondernizimin e krejt rrjetit hekurudhor dhe të trenave, për të shkuar nga Hamburgu në Romë do të duhen 12 orë e 31 minuta. Më 1996 ishin 17 orë e 32 minuta.

Duke klikuar në internet mund të gjeni sa është shkurtuar koha e udhëtimit midis qendrave qytetëse të Gjermanisë dhe Italisë.

Linja e Shën Gotardit bashkë me atë të Lötschbergut, që përbën Hekurudhën e Re Transalpine të Zvicrës, nuk është e vetmja lidhje ndërkombëtare nëpërmjet Alpeve. Akset e tjera janë: hekurudha e Brenerit mes Italisë e Austrisë (ku po ndërtohet një galeri e re); linja Torino-Lion (edhe atja po gërmohet një kalim i ri); korridori Baltik-Adriatik, që lidh Poloninë me Italinë.

Përveç shkurtimit të kohës së qarkullimit të udhëtarëve, objektivi i Hekurudhës së Re Transalpine është transferimi i mallrave nga rrugët në hekurudhë. Suksesi i kësaj vepre nuk varet vetëm nga punimet e kryera në Zvicër, por edhe nga zgjerimi në Itali e Gjermani i linjave të hyrjes në Shën Gotard. Një front ku të dyja këto vende janë të vonuara.