VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ishte në barkun e nënës kur ia pushkatuan babain, i biri ia gjeti eshtrat 40 vjet më vonë

By | August 13, 2019

Komentet

“Maskarenjtë, ia prishën gjakun”, Isuf Kalo tregon si reagoi motra e Enverit pas debateve me Mehmetin

Isuf Kalo me Nexhmije e Enver Hoxhën, në Drilon

A kishte qenë martesa e të birit, Ilirit, me mbesën e Ramiz Alisë, që i ndërroi mendjen Enverit mbi pasardhësin e tij, apo fejesa e gabuar e të birit të Mehmet Shehut?! Në librin e tij “Blloku”, Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës, tregon prapaskenat e jetës në Bllok dhe i bën një analizë qëndrimeve dhe vendimeve të diktatorit. Ai, mes të tjerash, ndalet edhe te ngjarja e bujshme, ajo e vetëvrasjes së ish-Kryeministrit, mollë sherri e të cilit u bë një krushqi, për të cilën Mehmeti nuk ishte konsultuar me Enverin. Katër takime zhvilluan Enveri me Mehmetin. Edhe pse diktatori, për të mos goditur partinë, i dha si zgjidhje të fajësonte të birin për zgjedhjen e tij të pamenduar, Mehmeti nuk pranoi, duke ngulur këmbë në pafajësinë e të birit dhe se ai ishte në dijeni të lidhjes. Ky mospranim nga ana e tij do të vendoste edhe fatin e një prej dy njerëzve më të fuqishëm të Shqipërisë socialiste…

enver hoxha
NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA ME FIQIRET E MEHMET SHEHUN

Isuf Kalo

KRUSHQIA QË NDRYSHOI HISTORINË?

Në të tilla rrethana nuk kishte arsye pse Nexhmija t’i kundërvihej lidhjes së djalit të madh, Ilirit, me vashën që kish zgjedhur. Përse mund të duhej ndërhyrja e politikës për t’i lidhur këta dy të rinj të dashuruar spontanisht, të cilët, nga të gjitha parametrat fizike, kulturore dhe shpirtërore, dukeshin sikur ishin lindur posaçërisht për njëri-tjetrin? Nga ana tjetër, nuk do të ishte çudi nëse një tjetër arsye pse Nexhmija e miratoi me dëshirë lidhjen që patën krijuar vetë Iliri me Teutën, do të ketë qenë edhe fakti se ajo ishte mbesa e Ramizit. Ajo me të njihej prej shumë kohësh si person dhe si familje. Si e priti atë krushqi Enveri? A i lindi atij, në rrethanat e reja që u krijuan nga kjo fejesë, ndonjë projektide e re mbi mundësinë e promovimit të Ramizit si kandidat më i përshtatshëm sesa Mehmeti, për pasardhës të tij? Askush nuk ka folur, as shkruar, për një projektim të tillë, i cili, nëse ka ekzistuar vërtet, ka qenë natyrisht e kyçur në mendje, si tepër sekret ose e shkruar në ditarët intimë, personalë të pabotuar të tij.

Enveri mund të ketë qenë i ndërgjegjshëm për kufizimet e atëhershme të Nexhmijes për lidership. Asaj nuk i mungonin potencialet intelektuale, as njohuritë dhe besnikëria ideologjike, as qartësia në vlerësimet e situatave, por jeta e saj pati rrjedhur e tillë, që ajo ishte rritur e lartësuar ndër vite me Enverin pranë, pa e ndier nevojën e krijimit të trungut të saj. Nëse Enveri ka pasur realisht një projektide të tillë, ajo duhet t’i ketë lindur nga ndërgjegjësimi se Nexhmija, pavarësisht inteligjencës, “vështirë se do të mund të qëndronte solide për shumë kohë në udhëheqje pa një trung mbështetës”.

isuf kalo dhe enver hoxha
Isuf Kalo me Nexhmije e Enver Hoxhën, në Drilon

Ajo kishte qenë “hardhi” me kërcell delikat, e ngjitur në majat e larta, e mbështetur dhe pleksur me trungun dhe degët e të shoqit. Kur ky do t’i mungonte, ajo rrezikohej ta rrëzonin prej brishtësisë, mosmbështetjes dhe ngurrimeve për vendimmarrje. Në rrethanat e reja të krushqisë, Ramizi dukej si zgjidhja më e sigurt për të ardhmen. Në “duet”, Ramiz–Nexhmije do të mund të mbështesnin dhe të plotësonin njëri-tjetrin. Mirëpo, më pas, nuk rezultoi ashtu. E mbetur pa Enverin, pastaj edhe pa Ramizin, Nexhmija e krijoi trungun e saj autentik, të cilin e dëshmoi në vitet e ndërrimit të sistemit, në ballafaqimin me kritikat dhe akuzat e pushtetit të ri. Sidoqoftë, askush nuk e di nëse i lindi vërtet dhe as kur mund t’i jetë kristalizuar Enverit ideja e zëvendësimit të pasardhësit të shpallur Mehmet Shehu me Ramiz Alinë, i cili ishte asokohe numri gjashtë në hierarkinë e nomenklaturës së lartë.

A e pati këtë ide që në fillim të viteve 1970, fill pasi bëri krushqinë me Ramizin dhe filloi kryqëzatën kundër pushtetit administrativ, duke i eliminuar si tradhtarë dhe sabotatorë një nga një ministrat e Kryeministrit Mehmet Shehu apo shumë më vonë, në vitin 1981, vetëm pasi Mehmet Shehu, i shpallur deri atëherë si pasardhësi i padiskutueshëm, bëri gabimin fatal të fejesës së djalit të tij me një vajzë me biografi politike jo të përshtatshme? A kishte lindur kjo ide në mendjen e Enverit më parë se Mehmeti të gabonte, apo ajo iu injektua me takt më pas edhe nga Nexhmija, pasi Mehmeti gaboi, me shpresë se ajo do të ishte më e sigurt dhe më rehat me një pasardhës si Ramizi?

Në vlerësimin tim, më i mundshëm është varianti i dytë. Vendimi përfundimtar i ndërrimit të pasardhësit, Enverit i lindi më vonë, në vitin 1981, shtatë vite pas lidhjes së krushqisë me Ramizin, bashkë me pikëpyetjen dhe dyshimin e parë për mosbesnikërinë e Mehmetit. Aq më tepër, kjo iu theksua pas katër takimeve paraprake zhgënjyese, kokë më kokë me Mehmetin, për këtë çështje në dy javët e para të shtatorit 1981.

Në të vërtetë kishin ndodhur paraprakisht veprime të papritura dhe jo lehtë të kuptueshme e të justifikueshme nga ana e Mehmetit. Atij iu bë e njohur nga i biri dëshira për t’u fejuar me Silva Turdiun që në muajin korrik 1981. Skënderi ka pohuar se nuk ia kishte fshehur që në fillim të atit edhe “njollat e zeza” në biografinë politike të familjes së saj. Mehmeti i pat thënë se mjaftonte të përqendroheshin vetëm te rrethi i ngushtë i familjes së saj, i cili ishte pa probleme. Por Fiqiretja e ndjeu instinktivisht rrezikun që mund të sillnin ato “njolla” biografike dhe i sugjeroi të shoqit që, përpara se t’i jepte pëlqimin të birit, të fliste me Enverin. Nuk dihet pse në vend të Enverit, Mehmeti zgjodhi të fliste me Feçor Shehun, ministër i Brendshëm dhe një nga zyrtarët më të afërt e më të besuar të tij.

Ai ia tregoi vetë Enverit bisedën që pat bërë për atë fejesë, me ministrin vartës të tij: “Si do të veproje ti po të ishe në këto rrethana, në vendin tim?”, i pat bërë Kryeministri pyetjen njëmilionëshe, në konfidencë, Feçorit.

“Në një rast të tillë, unë do të vija t’ju pyesja ju”, ishte përgjigjja ezopiane e ministrit dhe, më pas, ai pat shtuar me të njëjtën gjuhë me dy kuptime: “Sidoqoftë, Skënderi duhet ndihmuar”, (pa e saktësuar për çfarë duhej ndihmuar, për t’u fejuar e bashkuar, apo për t’u ndarë dhe shkëputur prej saj?

Në një intervistë, Skënderi ka përmendur se Mehmeti kishte biseduar edhe me Ramiz Alinë dhe se ky i kishte folur vetëm pozitivisht për familjen Turdiu. Një e dhënë e tillë nuk është përmendur as dokumentuar ndonjëherë më pas, as nga Mehmeti, as nga Enveri, në asnjë material që lidhet me këtë ngjarje. Të jetë fshirë më pas qëllimisht?

Pa dyshim që Enveri u zhgënjye kur kuptoi se Mehmeti, që ai e njihte prej dekadash si militant i paepur, burrë i madh shteti dhe pasardhës i konfirmuar i tij, qenkej shndërruar nga sentimentalizmi në një “baba dhe njeri të vockël sentimental”. Në të katër takimet që pati me Enverin, gjatë dy javëve të para të shtatorit 1981, Mehmeti ngulte këmbë me sinqeritet në pafajësinë e djalit. Ai e mori përsipër vetë të gjithë gabimin e fejesës e, bashkë me të, edhe shkeljen e vullnetshme nga ana e tij të një norme ideologjike, thuajse të shenjtë të asaj kohe, atë të luftës së klasave. Mirëpo, kjo ishte pikërisht e kundërta e asaj që Enveri dëshironte dhe priste. Prej tij, Enveri i la të kuptohej Mehmetit, që “faji së paku fillimisht, duhej t’i lihej i gjithi Skënderit. Pra, të deklaronte sikur ai pati vepruar me kokën e vet, pa dijeninë e të atit. Sepse fajësimi personalisht i Mehmetit krijonte në popull dhe në parti zhgënjim dhe dëm të madh. Krijonte te komunistët dhe te të gjithë njerëzit tanë habi dhe dyshim për sinqeritetin e partisë lidhur me luftën klasore”. Me fjalë të tjera, dëmtoheshin rëndë imazhi dhe drejtësia e Partisë. Në kuptimin e opinionit “tjetër na thonë dhe tjetër bëjnë vetë”, sqaroi Enveri.

Skandali në këtë ngjarje, sipas Enverit, nuk ishte aq “fejesa e gabuar” sesa miratimi i saj nga Mehmeti, madje i bërë fshehurazi Enverit, si dhe evidentimi kështu, për herë të parë haptas në publik, i përçarjes mes të dyve. Kjo duhej të zbutej e të maskohej. “Feçorin, kur e pyete, të tha se po ta kishte ai atë hall përpara se të vendoste, do të vinte të të pyeste ty. Po ti, Mehmet, nuk pate nevojë që të pyesje dikë nga shokët?”. E thënë ndryshe “nuk e quajte me vend që të vije të më pyesje edhe mua, shefin tënd”?

Mospyetja, mosinformimi paraprak dhe miratimi i fejesës nga Mehmeti, fshehtas Enverit morën te ky një domethënie të qëllimshme, edhe për faktin se më 26 korrik 1981, Mehmeti pat vajtur për vizitë tek Enveri në Pogradec, ndërkohë që ky pushonte atje dhe drekuan të dy si shokë e miq të ngushtë në Volorek.

Çuditërisht, gjithë ato orë atje së bashku, Mehmeti nuk ia zuri në gojë as si lajm të mirë, as si problem shqetësues fejesën e të birit! Madje, as pas datës 29 gusht, kur Enveri u kthye nga Pogradeci në Tiranë!

ga Pogradeci në Tiranë! Hedhja e fajit vetëm te djali, “sikur ai kishte vepruar pa dijeninë e Mehmetit”, mund të ishte fillimisht taktikë. Ngjarja do të interpretohej si gabim banal i një të riu të papjekur. “S’ka dyshim që edhe ti Mehmet dhe Fiqiret keni gabuar rëndë, por faj ka edhe djali, Skënderi, i cili ka bërë edhe skandale të tjera”, u tha atyre Enveri. Dhe vazhdoi haptas: “Nuk do i themi popullit dhe partisë që fajin e ka Mehmeti, sepse dëmtohet partia. Ky gabim u bë, por duhet të zgjidhet pa dhembje për Partinë”.

Enveri synoi ta “shfajësonte” përkohësisht Mehmetin, për të “mos fajësuar Partinë”. Ai e vuri atë para zgjedhjes: “partinë ose të birin”. Mbase ishte taktikë e përkohshme por, sidoqoftë, i la Mehmetit të kuptonte se duhej të distancohej nga ajo që kishte ngjarë. Mehmetit i kërkohej të aktronte, të bënte “të paditurin” dhe hipokritin, ta dënonte të birin, të propozonte ai vetë përjashtimin e tij nga partia për “gabimin politik” që kishte kryer (meqenëse Skënderi ishte anëtar partie me teserë), ta ndëshkonte, deri duke e mohuar si birin e vet. Apo ta transferonte në ndonjë minierë, diku larg. Kjo, së paku për disa kohë sa të harrohej ngjarja. Kështu do të mund të shpëtohej, së paku aty për aty pastërtia e figurës së Mehmetit si udhëheqës kryesor dhe njëkohësisht pastërtia dhe interesat e Partisë. Nuk dihet nëse Mehmeti nuk e kuptoi, apo qëllimisht nuk iu bind Enverit. Ai, përkundrazi, i tha se donte ta dërgonte djalin në Suedi që të përfundonte aty studimet e filluara prej disa vjetësh. Enveri nuk e priste këtë. Ai priste që Mehmeti ta ndëshkonte të birin që po “njolloste imazhin e të atit dhe po devijonte linjën e Partisë”, kurse Mehmeti çuditërisht i fliste për Stokholmin apo i qahej se mos i biri “pas prishjes së fejesës vriste veten” nga dëshpërimi.

“Zotat, shkruan Cvajgu, nuk i paralajmërojnë ata që ua kanë paracaktuar fatin e keq. I lënë që të vazhdojnë rrugën e tyre pa u krijuar parandjenjë frike për fatin e keq, drejt të cilit shkojnë”. Kurse Mehmeti u paralajmërua, por ai, me këmbëngulje, nuk e dha djalin. “Jo, djali nuk ka faj. Ai më pyeti”, insistoi Mehmeti me sinqeritet dhe burrëri. “Gabimin e bëra unë”, përsëriti ai shumë herë të vërtetën. Në mbrojtje të të birit, Mehmeti qëndroi i paepur. Si për dreq, situatën e tensionuar gjatë asaj bisede e rëndoi, pa dashur, edhe Fiqiretja, e pranishme në atë bisedë, e cila u zhvillua në shtëpinë e Enverit.

“Shoku Enver, Skënderi është parimor”, i tha ajo, me shpresë se do t’ia zbuste zemërimin e tij ndaj të birit. Por këto fjalë e irrituan edhe më keq Enverin. “Për çfarë parimori po na flet ti, moj shoqe”, shpërtheu i inatosur dhe me ironi ai ndaj saj. Qëndrimi i Mehmetit e befasoi dhe e tronditi Enverin. Ishte ndër rastet shumë të rralla që, pasi u nda me ta dhe u kthye në dhomën e ndenjjes së familjarëve të tij, Enveri shfaqi hapur zhgënjimin dhe zemërimin e papërmbajtshëm. Atë natë, Sano, motra e pamartuar e tij, që jetonte e banonte me të, e cila zakonisht nuk përzihej në çështjet shtetërore të vëllait, zbriti në sallonin poshtë të kuzhinës dhe të personelit me fytyrë të vrerosur dhe kërkoi, si rrallë ndonjëherë, të ndizte një cigare.

“Maskarenjtë. Ia prishën gjakun”, na tha ajo si duke folur me vete, neve që u ndodhëm aty, dhe vazhdoi e dëshpëruar: “Po ç’të thuash, kur ta punojnë pas krahëve edhe shokët më të ngushtë” (Uaaa! Mehmeti qenkej “maskarai”?) Unë nuk po u besoja veshëve. U habita, por as e imagjinova atë çast gravitetin dhe pasojat e asaj që dëgjova. Prishja e Enverit me Mehmetin ishte e paimagjinueshme. Mund të ndodhte vetëm në ndonjë ëndërr të keqe. Kur mendova kështu, çuditërisht u kujtova se as Enveri dhe as Nexhmija nuk më patën folur asnjëherë për ëndrrat që shihnin. Madje, nuk dija nëse ata shihnin ëndrra apo jo. Dikur, mjekët e mbretërve interesoheshin për ëndrrat e pacientëve dhe nxirrnin parashikime dhe mesazhe nga ato. Unë as që pata guxuar t’i pyesja. Sidomos pas botimit të “Pallatit të ëndrrave” të Kadaresë, ëndrrat e personave të tillë, sado me interes nga ana mjekësore, ishin me “spec” t’i trazoja dhe të hyja në botën e tyre pa qenë i ftuar.

Atë natë, Enveri bëri gjumë të trazuar. Nëse ka parë ëndërr, ajo do të ketë qenë me Mehmetin. (Ky, duke iu afruar ngadalë, tinëzisht, me pistoletë në dorë dhe Enveri i informuar paraprakisht nga Suloja që pistoleta ishte pa plumba, i thotë qetësisht: Ç’po bën mo? Edhe ti Mehmet? Nuk t’u durua? Pa vdekur unë, doje të bëheshe i pari? Pse nuk ia kthen atë pisqollë më mirë vetes?).

Me porosi të veçantë të Nexhmijes, e vizitova Enverin të nesërmen në mëngjes. Dukej që gjatë natës kishte bërë gjumë jo të qetë. Megjithatë, rrahjet e zemrës dhe tensionin arterial i kishte njëlloj si më parë. Ai as nuk më pyeti për to.

Për sa kohë qëndrova atje, ai qëndroi i heshtur, me fytyrë të ngrysur, pa këmbyer asnjë fjalë mes nesh. Madje, i përqendruar, me vështrimin larg nga dritarja si i përhumbur, as nuk më falënderoi dhe as më përshëndeti kur u largova, siç e kishte zakon. Unë nuk e dija se që nga ajo ditë pati filluar në Shqipëri një nga tragjeditë më tronditëse dhe më enigmatike në historinë e pushtetit komunist, jehona e së cilës vazhdon ende sot, pas rreth katër dekadash.

Kur u ktheva në mbrëmje vonë në shtëpi, ankthi që ndjeva pas fjalëve të Sanos nuk më ndahej. Në gjumin e trazuar që bëra asaj nate, edhe unë pashë një ëndërr rrëmujë, të frikshme, të dhunshme, subjektin e së cilës nuk e kujtoja dot të nesërmen. Pas takimit të parë dhe të dytë me Enverin, Mehmeti, me miratimin edhe të djalit, e prishi, e anuloi “fejesën e gabuar”, por nuk pranoi që faji t’i hidhej vetëm të birit. “Mehmeti rezistoi. Nuk e dha djalin”. “Mehmeti baba e mundi Mehmetin Kryeministër”.

Pyetja si tryezë gërryese, ngulmuese që do t’i vihej atij nga Enveri gjatë muajve që pasuan do të ishte: “Përse?” Përse po i bënte këto? Përse demonstroi publikisht pavarësi vendimmarrëse pa pyetur shefin? Përse devijoi me ndërgjegje nga vija e Partisë? Vetëm prej sentimentalizmit prindëror, apo prej ndonjë shtyse të diktuar nga jashtë? Përse i ishte fshehur atij, pse i kishte dredhuar? Dhe pse po vijonte të bënte “rebelin” duke mos pranuar zgjidhjen që i propozoi Enveri në interes të Partisë? Sipas Enverit, “duke mbrojtur me ngulm djalin dhe duke e marrë përsipër vetë gabimin, Mehmeti u pozicionua me ndërgjegje kundër vijës dhe interesit të Partisë”.

A ishte Mehmeti asokohe i vetëdijshëm për pasojat e atij qëndrimi? Nga buronte ky karshillëk dhe kjo kokëfortësi e pazakontë e tij ndaj sugjerimit të Enverit? Ngjarjet e mëpasshme do të dëshmonin se ai akt kundërshtimi do të interpretohej nga Enveri si më i rëndë dhe më zhgënjyes sesa vetë miratimi i “fejesës së gabuar”.

Fjala nuk ishte më për fejesën, ishte për luftën e klasave, për unitetin, për linjën e përbashkët dhe disiplinën e partisë. A duheshin vazhduar ato me bindje të verbër, si deri tash, apo duheshin zbutur e rishikuar si jashtë kohe? Mehmeti, me miratimin e asaj fejese, i kishte shpërfillur ato. Mos vallë, Mehmeti e dha qëllimisht vetë miratimin për “fejesën e gabuar”, pa e pyetur Enverin, si balonë prove apo si sinjal për diku jashtë Shqipërisë, te krushqit e rinj, me mesazhin se ai nuk ndante të njëjtat parime e qëndrime me Enverin për luftën e klasave dhe nuk varej më prej tij? Kjo nënkuptonte se as do të ndiqte më pas (kur të bëhej i pari i vendit) po atë rrugë të Enverit që kishte ndjekur deri tani.

Me ose pa ndërgjegje, Mehmeti kreu dy akte të palejueshme, asokohe: shpërfilli Zotin e tij dhe shkeli parimet dhe disiplinën e Partisë. Fshehtësia, me të cilën miratoi fejesën pas shpinës së Enverit, u perceptua prej këtij të fundit si pabesi e qëllimshme. Kjo dhe mospranimi i zgjidhjes që Enveri i propozoi, për t’ia hedhur të gjithë fajin Skënderit, do të sillnin tragjedinë për të, për djalin dhe tërë familjen. Dhe do t’i bënin pluhur e hi të gjitha lavdet e meritat e deriatëhershme të tij.

E VERTETA E VDEKJES AT BERNARDIN PALAJ OFM KATILAT E MBYTEN DHE E LANE EDHE PA VARR… – Nga Fritz RADOVANI

AT BERNARDIN PALAJ O.F.M.
(1894 – 1946)

2 GUSHT 2018 EDHE NJË USHTAR I ATDHEUT DHE I FESË MA SHUMË !
2 GUSHT 1918 U shugurue Meshtar At Bernardin Palaj O.F.M. (1894 – 1946)
EDHE NJË DIJETAR FILLON ME DALTUE ME PENË NDER ALPET TONA…
1944 Per Françeskanët e Shqipnisë, hapi vetem gropa varrimi pa emen dhe Kryq…
Pranë Spitalit të Shkodres ishte edhe konvikti “Malet Tona”, një ndertesë që shpejtë u kthye në hetuesi, se i duhej Sigurimit të shtetit me kenë pranë Spitalit per “autopsi”…
Në vitin 1946 asht arrestue edhe një shkodranë që per fat ka jetue deri në vitin 1999, kur shumica e Martirëve tanë e kishin mbyllë jeten e vet. Ky ishte Loro Vata, nder Burrat e nderuem per qendresen nder tortura dhe në vuejtjet e pafund nder kampet e shfarosjes.
Njëtjeter vlerë e Loros që ndoshta, nder shumë të tjerë edhe mungonte, ishte saktësia e ruejtjes së ngjarjeve në kujtesen e Tij, që kur fliste të dukej sikur po lexon kujtime…
Pata fatin e madh me u njoh afer me Loron mbas vitit 1992, kur unë porsa kishe fillue me shkrue per vitet e paharrueshme të diktaturës komuniste dhe “luftës së kllasave”.
Një ditë u takueme tek Dugajt’ e Reja, dhe u ulëm me Loron me pi nga një kafe tek klubi poshtë shtëpisë Plevneshëve. Loro filloi nga 1946, pak ditë mbas arrestimit kur Loro Vata dergohet në hetuesinë tek konvikti “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje edhe të arrestuemit tjerë. Në krahun tjeter Fadili i kishte vue pranë Loros një zonjë shkodrane, së ciles i kishin pushkatue burrin dhe këte po e torturonin me e dënue. Kjo ishte zonja Bedrije Ashikja, e motra e Ahmet Ashikes.
Shpesh Bedrijen vinte dhe e merrte hetuesi Dul Rrjolli, dhe e vente me pastrue zyret.
Loro po më tregonte per ditët e para të Dhjetorit 1946, kur Bedrija mbasi mora fshisen dhe koven e ujit shkoi tek dhoma e Fadilit me e pastrue zyren e tij. Dy kriminelat, Fadili me Dulin kishin dalë perpara ndertesës dhe po pinin cigare.
… Nuk kishin kalue pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomen e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse… As nuk mund të merrej me mend!
Shumë shpejtë nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti Bedrijen: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro… moj e poshter.., moj…” dhe
ai vazhdoi, tue terhjekë rrëshanë Bedrijen, që nuk i ndigjohej fare zani, por tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, eci derisa e holli në qeli… Mërrijti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund Fadili e porositi me nervozitet Bedrijen:  “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj ..!”
Loro tregoi se atë natë ishe i sigurtë se i pergjojnë, prandej, as nuk i kishte dhanë asnjë sinjal Bedrijes per me marrë vesht shka ngjau atëditë, në zyren e torturave të Fadilit…
Të nesermen heret më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di shka ka ngja dje në zyre të hetues Fadilit?” – Unë, i pergjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë, dhe hollen aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët mu tek qerrshija brinjë murit të hetuesisë… Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura!
Bedrija i kishte tregue Loros, se: “Gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet ngjyrë kafe. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe nga tmerri më ka ra të fikët… Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e mbas pak kam ardhë në vete. Gjithë diten jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka…
Një tmerr me e pa Fratin e shkretë ashtu..!!”
***
E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me u shkrue si ishte e verteta!
Keni “harrue” sa vjet janë ba tue tregue përralla me mbret e tetanoz…
E sa mija e mija Martirë t’ Atdheut janë të mbuluem me përralla e rrena…
HIQNI DORË NGA MASHTRIMET ! Kerkoni të verteten!
Nuk ua hiqni dekoratat “Heronjve” Vrasës dhe Tradhëtarë! I mbrojnë bijt’ e tyne…
…E, kur pat pyet Dulin një shok i veti: “Çka po bani në këte popull kështu, o Dul!?”
Ai u pat pergjegjë: “Kur ishim fëmijë, nder mejtepe, nga Hoxhallarët e patme ndigjue fjalen Zot! Po këta që po rriten që as nuk e kanë ndigjue as, nuk e dijnë Atë Emen?
Mendoni se çka do të bajnë këta mbi këte Popull…”
Koha po i verteton të gjitha parashikimet!
Melbourne Gusht 2018

Gazeta franceze (1934) – Kur mbreti Zog e lejoi Fan Nolin të kthehej në Shqipëri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Gusht 2019

 

“L’Ere nouvelle” ka botuar, të martën e 30 janarit 1934, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me lejimin e kthimit në atdhe të Fan Nolit nga mbreti Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

 

Kthimi në Shqipëri i ish-Presidentit të Këshillit Fan Noli

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 29 Janar.

 

  1. Fan Noli, ish-President i Këshillit Shqiptar, iu dha leja për tu kthyer në Shqipëri.

 

Fan Noli jetonte deri tani si një emigrant politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aristidh Rruçi – firmatari i Pavarësisë që nuk i dihet varri (Jeta dhe aktiviteti i tij) – Nga Ylli M. Dilo

 

Aristidh Rruçi u lind me 11/3/1875 ne Sheper te Zagorie’s.  Prinderit e tij quheshin Nikolla dhe Evanthia. Kishte vlla Kolon dhe motra Aspasine, Elisaveten(Saven),Athinane dhe Sorken. Mesimet e para i mori ne fshatin e lindjes dhe me von ne Manastirin e Nivanit. Bashkelagjes me A.Z.Cajupin dhe bashkekohes me I.D.Sheperin.Pas mbarimit te studimeve te mesme ne gjimnazin “Zosimea” te Janines , punoi ne Stamboll ne nje magazine qe tregetonte lende ndertimi(1896-1898) dhe ne tregun e drithit ne JANINE (1899-1904).Ne keto qytete u njoh me atdhetaret Naim Frasheri,Shahin Kolonja,Kadri Gjata,Osman Haxhi,etj. Ne vitin 1906 u vendos ne Vlore ku qendroi deri ne fund te jetes se tij. U be nje nga tregetaret me te njohur te qytetit. A.Rruci bashkepunoi me I.D.Sheperin,burrin e motres se tij Elisaveta(Sava) Rruci dhe zhvilloi nje veprimtari te gjere kombetare. Dy intelektualet patriote sheperjote ne bashkepunim dhe me Jani Mingen,Ibrahim Shytin,Kristo Karbunaren,etj dhane nje kontribut te cmuar ne perhapjen e gjuhes shqipe,shperndarjen e librave dhe gazetave ne gjuhen shqipe ne fshatrat dhe qytetin e Vlores.

Ne Lubonje hapen nje kurs te fshehte per mesimin e gjuhes shqipe.  Ne Shtator te vitit 1908 takohet ne VLORE me Ismail Qemalin.    Nje muaj me von ne bashkepunim me Bektash Cakranin,Faslli Patozin,Mustafa Gorishoven,etj.krijuan klubin “Laberia”; inisiator dhe financues i klubit ishte vete Aristidhi. Ishte nje nga organizatoret e “Kuvendit te Drashovices” (31/7/1911)dhe mori pjese ne “Kuvendin e Sinjes”(Gusht 1911).

Ne fillim te Gushtit 1912 kreret e VLORES,MALLAKASTRES,BERATIT,Skraparit dhe KORCES thirren ne FIER nje kuvend ku moren pjese dhe Ismail Qemali ,Luigj Gurakuqi,Aristidh Rruci.

Kuvendi i FIERIT zgjodhi Hasan Prishtinen perfaqesues te kryengritesve te Jugut. Gjithe shpenzimet per armatimin,veshjen dhe ushqimin e kryengritesve u perballuan nga A.Rruci. Mbante korespondence te rregullt me A.Z.Cajupin,I.D.Sheperin,Jani Vruhon,Sotir Kolene.Ne Nendor 1912 ishte delegat i TEPELENES ne Kuvendin e VLORES per shpalljen e Pavaresise Kombetare dhe firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “A.Ruci”. Per ate kohe, Lef Nosi , nje personalitet i madh, ne kujtimet e tij shkruan: :”…. Me nje here mbas shpalljes se pamvaresise, Ismail Qemali me shoke dhe me popullin mbrapa, shkuan ne Xhami dhe Kishen kryesore te qytetit te degjonin lutjet Fetare te rastit , udhehequr nga Kleriket Shqipetare. Edhe ne Xhami e Kishe u duken te ngrihen dhe te valojne dy Flamure te Shqiperise.

Keta dy flamure u gjenden ne shtepit e ZZ. Aristidh Ruci dhe Eqerem Vlora. Zonjat e ketyre te dyve shkonin te Marigoja per te qepur e qindisur rroba. –Ne shembell te Flamurit te Marigose, edhe Ato kishin qindisur nga nje Flamur”. (L. NOSI,DOKUMENTA  HISTORIKE).  Aristidh Rruci mbrojti punimet e Kuvendit te VLORES me ushtrine qe vete e financoi.Ne qeverri nuk mori vota te mjaftueshme(vetem 14) se bashku me Jani Mingen(20).  Nga zyrat e A.Rrucit , me alfabetin “Mors” u be e njojtur ne qeverrite e asaj kohe shpallja e Pavaresise se Shqiperise. Megjithese nuk u zgjodh ne Qeverrine e VLORES,ai zhvilloi nje veprimtari te gjere per zgjidhjen e problemeve ekonomike e financiare te Qeverrise duke shpenzuar nga pasuria e tij.Ndihmoi per ngritjen e administrates se saj ne VLORE, FIER, TEPELENE, GJIROKASTER, DELVINE SARANDE. Gjate viteve1918-1920,ne bashkepunim me atdhetaret vlonjate u perfshi ne nje veprimtari te dendur anti italiane;ishte nje nga organizatoret e demostrates se 28/11/1919.U dallua ne krijimin e “Komitetit te Mbrojtjes Kombetare” per organizimin e luftes se VLORES.

Se bashku me Jani Mingen,Shezair dhe Vesel Comon mori pjese ne hartimin e statusit te shoqerise”Perlindja Kombetare” 1920.  Ne vitet 1920-1924 u perfshi ne levizjen “Atdheu” dhe shoqerine “Bashkimi”.Bashkepunoi me Avni Rustemin,Fan S. Nolin, Halim Xhelon,Jani Mingen per rimekembjen e VLORES; ndihmoi shkolla te fshatrave dhe te qytetit me baze materjale,libra ,fletore dhe orendi.                     Mbajti korespondence te rregullt me Justin Godardin,qe u njoh pas ardhjes se tij ne SHQIPERI,dhe Shtjefen Gjecovin.

Aristidh Rruci kishte autoritet,vleresohej,nderohej dhe respektohej. Ka qene anetar i Keshillit Administrativ te Bashkise se VLORES,sipermarres ne fabriken e duhanit ne DURRES,posedues i 40% te aksioneve te shoqerise(…………..…) me aktivitet ne ITALI. Ne vitin 1937 ka qene antar i kryesise se Bankes Kombetare Shqiptare dhe nismetar per krijimin e deges se Kryqit te Kuq Shqiptar per VLOREN.                                Dha nje kontribut financiar me rendesi per arsimimin ne Universitete te femijve te motres se tij Elisaveta(Sava) Rruci Dilo. Gjate viteve te luftes A.N.C u arrestua nga pushtuesit italiane dhe u interrnua ne ITALI.Ndihmoi ekonomikisht pa rezerva luften A.N.C.,por nuk u pajtua me rregjimin gjakatar qe u vendos pas lufte.

Per kete aresye u arrestua si kundreshtar politik i rregjimit diktatorial dhe hoqi kavalarin e tmerrshem ne burgjet shqiptare.Pas daljes nga burgu ne vitin 1950 shpalli greve urie dhe vdiq. U percoll ne banesen e fundit nga familjaret e tij.Trupi i tij u vendos prane varrit te birit te tij Nikollaq, student universitar vdekur ne moshen 25 vjecare.

Nje perle e krijimtarise letrare shqiptare, jane vargjet qe Aristidhi shkroi mbi varrin e te birit:  Nikollaq

Shpresat  dhe endrrat mi more me vete

Ne varrin e ftohte ku shkon djalerine

Si lulet e veres u vyshke,u trete

Dhe le pas   neve mjerimin e zine.

Sebashku  me neve ju lut Perendise

Atje ku je Ti dhe neve te vime

I thuaj s’rrohet me ne strehen e zise

As mundim me teper farmakun ta pijme .

 

A ka varr Aristidh Rruci ku te prehen eshtrat e tij? Jo!

Aresyeja qe nuk ka varr eshte kjo: ne vitin 1962 , me rastin e festimeve te 50- vjetorit te Pavaresise,qeverria shqiptare dha urdher qe te c’ vendoseshin varrezat publike te qytetit te VLORES dhe te vendoseshin atje ku ndodhen sot.

Ndermarrja komunale e qytetit qe zbatoi kete vendim nuk lajmeroi te afermit e tij qe jetonin ne SHEPER te ZAGORIES , niperit dhe mbesat e tij Dilo. Kjo per aresyen e thjeshte se gjithe VLORA e asaj kohe dinte qe ne varrin e blinduar qe Aristidhi beri per te birin, vendosi pjese te pasurise se tij , brilante dhe ar. Vjedhesit e kesaj pasurie nuk u interesuan per vendosjen e eshtrave te Aristidhit dhe te birit te tij Nikollaq ne vorrezen e re te VLORES.

Sa per qeverrine , ajo vazhdonte ta konsideronte akoma armik.

Ne vitin 1958 me sistemimin e velleheve neper fshatra,nga jeta nomade qe benin deri atehere, shtepia ne SHEPER dhe  pronat e “armikut” A Rruci ju dhane njeres nga keto familje. Ne vitin 1992 ” me triumfin e demokracise” shtepia e Tij ne VLORE kaloi ne pronesi te familjeve qe rrinin me qira aty,shtepia  dhe pronat ne fshat  ju dhurua familjes qe banonte ne ‘te. Ato pak relike personale te Aristidhit qe ruheshin tek niperit e tij humben pa nam e nishan nga sekuestrimet qe u bene ne vitet e diktatures dhe bastisjeve ne vitet e tranzicjonit.

Shiritat e transmetimit ne alfabetin ” Mors”  te shpalljes se Pavaresise si dhe korespondenca me patriotet qe permendem me lart, ruheshin ne arkiven e nipit te tij  Margarit Dilo ne SHEPER . U sekuestruan nga zyra e permbarimit te GJIROKASTRES ne Gusht te vitit 1970 pas dhenies se vendimit me burgim dhe sekuestrim te pasurise te nipit te tij Koco Dilo. Per kete krim kombetar Margarit dhe Qirjako Dilo vune ne dijeni me shkrim E.Hoxhen dhe Kom.Qendror.Por nuk moren asnje pergjigje.   Qirjako Dilo zhvilloi dhe nje gjyq ne GJIROKASTER ku akuzoi zyren e permbarimit per marrjen e pasurise dhe te arkivit familjar,por nuk e fitoi.Ne qoftese shteti ka ruajtur librat dhe korespondencen familjare te Dilo-ve te SHEPERIT , brenda ne ‘to gjenden dhe shiritat dhe korespondenca e Aristidhit.Per thesaret e tjera kombetare qe ndodheshin ne kete arshive ,do te flasim here  tjeter. Me rastin e festimit te 100-vjetorit te Pavaresise , Presidenti i Republikes se Shqiperise dekuroi me titullin “Nderi i Kombit” Aristidh Rrucin .

Shkrimtari dhe studjuesi i shquar Piro Loli ne vepren dedikuar ketij kollosi  “Aristidh Rruci dhe koha e burrave” ,hedh drite mbi kete “aisberg” te patriotizmit shqiptar. BIBLIOGRAFI

– A.Q.SH  F.B.D.48dhe F.58 dok. 8.9.1920

– Gace Bardhosh ” Ata qe shpallen Pavaresine Kombetare” 1977  F.135-137 dhe nga epistolari i Ibrahim Shytit 1994 F. 170-173.                                                         V- Dokumenta Historike,1924 F.170-173.

– Qeverria e Perkoheshme e Vlores 1962 F.58-59.

-Pango Apostol ” Enciklopedia e Zagories” 2004 F.243-245.

Intervista – Isuf Kalo: Pse Nexhmija ishte në ankth për Enverin, si i kam njohur Shehun dhe Hazbiun

“Nuk pretendoj të kem monopolin e së vërtetës, por kisha dy alternativa: ose ca kujtime do t’i merrja në varr, ose do t’i hidhja në letër, se ndoshta i shërbenin shoqërisë”. Isuf Kalo zgjodhi këtë të dytën, i vetëdijshëm se reagimet do të ishin të forta.

Të flasësh për ish-Bllokun, edhe pas thuajse 30 vjetësh prej rënies së tij, ende vazhdon të ngjallë interes, aq më tepër nëse për të shkruan ish-mjeku personal i diktatorit Enver Hoxha. Personazhet më të fuqishme të Shqipërisë komuniste hyjnë e dalin në librin me kujtime e reflektime të Isuf Kalos, të titulluar “Blloku”, një botim i “UET Press”.

Ai tregon për ngjarje të mëdha që kanë tronditur vendin, por edhe për prapaskena, biseda e situata që askush nuk mund t’i dinte, përveç njerëzve shumë pranë diktatorit. Këto ditë, ai e promovoi librin e tij edhe në qytetin e Pogradecit.

isufi-770x433

Në një intervistë për gazetarin Ilir Shyta, në emisionin “Info ftesë” në televizionin lokal “Sot 7”, Kalo flet për librin, për raportin me Enver Hoxhën dhe gjithë bllokmenët e tjerë. Si i ka përjetuar dënimet e “grupeve armiqësore” dhe situata të tjera të sikletshme.

Libri juaj mund të konsiderohet më i suksesshmi i kësaj vere, e prisnit?

Është një sukses jo i pritur nga unë. Më kujtohet Lord Bajroni, që kur u kthye nga udhëtimet, kishte mbajtur disa shënime, që ia botuan shokët dhe tha: Një mëngjes u zgjova dhe isha i famshëm. Kështu m’u duk edhe mua vetja. Kjo ishte hera e parë që unë shkruaja një libër jo të profesionit tim, pasi më herët kam shkruar libra mjekësorë.

Sa kohë ju ka marrë të shkruarit e këtij libri?

Procesi i të shkruarit më ka zgjatur rreth një vit, por pa u shkëputur nga aktivitetet e tjera. Nuk i jam dedikuar vetëm “Bllokut”, unë herë pas here jam ulur, kam shkruar, kam fshirë, kam riparuar. Mund të ketë 10-12 versione të “Bllokut”. Autori asnjëherë nuk është i kënaqur me atë që shkruan.

U jeni referuar shënimeve të kohës apo janë kujtime gjakftohta dhe analiza të mëvonshme?

Nuk kam pasur as shënime dhe as ditarë. Është pak e çuditshme, por kështu ka qenë. Ka qenë me urdhër nga Sulo Gradeci që të mos mbanim shënime, as ditar. Me sa duket Suloja vetë mbante, por ne jo, pasi asnjë sekret nuk duhet të dilte. Unë shkruaja vetëm në kartelën klinike. Libri është trajtuar mbi bazën e kujtimeve, përjetimeve dhe reflektimeve. Ndryshe është këndvështrimi nga ana e politikës për qëllime propagandistike dhe ndryshe nga një pjesëmarrës në ngjarje, që i sheh gjërat me syrin e vet. Unë e kam thënë edhe në libër. Unë kam qenë i indoktrinuar që fëmijë: nxënës i mirë, pionier i mirë, anëtar i mirë i rinisë, pastaj anëtar partie e me radhë… kam qenë pjesë e indoktrinimit të suksesit. Në vitin 1960, kur unë isha student në Fakultetin e Mjekësisë, Nikita Hrushovi vizitoi Amerikën. Deri atëherë, unë mendoja se Bashkimi Sovjetik ishte vendi më i përparuar në botë, që fëmijët atje ishin të lumtur, që gjithçka ishte në avangardë dhe më vinte keq për fëmijët zezakë në Amerikë që gërmonin plehrat… Kur Hrushovi shkoi atje, bëri një deklaratë që u botua në “Zërin e Popullit, që “ne pas 20 vjetësh do t’i harrojmë dhe do t’i kalojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për prodhimin e qumështit dhe mishit”. Unë u shokova: të ishin vallë 20 vjet mbrapa?! Atëherë unë vendosa që të gjej informacion më të pavarur, më direkt dhe t’u vija pikëpyetje gjërave që më thoshin. Mendoj se kjo u ndodh të gjithë njerëzve, jo vetëm mua, por në ngjarjet e “Bllokut” unë gjithnjë kërkoja të dija më shumë se ajo që thuhej. Doja të dija atë që fshihej. Dhe gjithçka del sipas këndvështrimit tim. Dua të jem i qartë: nuk pretendoj të kem monopolin e së vërtetës absolute dhe të saktësisë, por janë të sinqerta. Mund të ketë të meta në ndonjë datë, por janë përjetime dhe analiza të sinqerta, neutrale, pas asnjë mllef, inat, konflikt apo varësi dhe magjepsje nga dikush.

Libri-Isuf Kalo-Enveri

Cili ka qenë reagimi i familjes suaj, kur i shprehët se do të shkruanit kujtimet për jetën në Bllok?

Ka qenë një vendim i vështirë. Por unë ua thashë hapur atyre. Mua më ka ndodhur rastësisht të jem dëshmitar i disa gjërave, në një ambient që është pak i njohur. Ka dy alternativa, ose t’i marr me vete në varr, ose t’i hedh në letër se ndoshta i duhen shoqërisë. Ime bijë është avokate në Lozanë dhe ka dy vajza: një 15 dhe një 12 vjeç. Ia dërgova asaj, ajo e pëlqeu dhe më tha: Babi, a ke durim të dëgjosh njerëzit kur të të hedhin baltë apo keqinterpretojnë? Ajo kishte pyetur edhe të bijat. Ajo e vogla kishte pyetur: Po çfarë fiton gjyshi nga kjo? Kurse ajo e madhja kishte thënë që, nëse gjyshi di ca të vërteta, e ka për detyrë që t’i thotë”. U preka shumë nga kjo gjë dhe u thashë që “po, jam i gatshëm të duroj, edhe pse e di që do të ketë keqkuptime apo hamendësime”. Janë dy hamendësime që kanë njerëzit: e para, se mos unë kam pasur ndonjë konflikt me Ramiz Alinë dhe gjej rastin që ai nuk është gjallë dhe të nxjerr dufin ndaj tij, çka nuk është e vërtetë, pasi unë nuk kam pasur asnjë konflikt me të, përkundrazi, kemi gëzuar respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Dhe së dyti, sikur unë kam marrë një mision të mbroj Nexhmijen. Nexhmija nuk e dinte që unë kisha një libër, madje ende nuk e ka lexuar.

isuf kalo, enver hoxha, blloku, panorama

E ka marrë ajo librin tuaj?

Ia kam dërguar përmes Teutës, por nuk kam marrë asnjë koment. Kam përshtypjen se ajo më respekton. Në këto 30 vjet, njerëzit janë vënë në provë për të nxjerrë karakterin dhe integritetin e tyre. Integritetin tim si mjek unë nuk e komprometoj, pavarësisht hamendësimeve të ndryshme.

Keni ruajtur kontakte me pacientë ish-bllokmenë?

Pacientë ish-bllokmenë vazhdojnë të vijë tek unë, për sëmundjet endokrine që unë trajtoj dhe ajo që më ka bërë përshtypje, sidomos brezi më i ri i tyre, që sigurisht tani janë 50-vjeçarë, por që unë i kam njohur që fëmijë, një pjesë e të cilëve janë kthyer edhe nga internimi dhe kishin edhe ndonjë mëri të vjetër, pasi më ngatërronin si mjeku i atij që i kishte dënuar, më kanë takuar me shumë përzemërsi, më kanë ftuar në gëzimet e tyre, në dasmat e tyre. Është interesante, sepse kam kuptuar që ajo bashkësia e Bllokut, pavarësisht çka kishin me njëri-tjetrin, kishte brenda një kohezion. Fëmijët e tyre shkonin në të njëjtën shkollë, pushimet i bënin bashkë, kishin familjarizim me njëri-tjetrin. Ishte “familja” e Bllokut. Dhe unë, pavarësisht se nuk isha pjesë e tyre, por u shërbeja atyre, i kam respektuar dhe më kanë respektuar.

Ju hytë në Bllok, kur Enver Hoxha u diagnostikua me diabet?

Unë nuk kam bërë ndonjë kërkesë për të shkuar atje, por me sa duket kishte disa kritere. Për disa muaj bëheshin verifikime të sjelljes dhe emërimi im erdhi shumë më vonë se shokët e mi të kursit. Dhe vajta direkt në Bllok, por isha mjek fare i ri. Kam hyrë në Bllok në vitin 1965 dhe pasi hyra aty kam shkuar 1 vit për specializim në Kinë, pastaj në Francë. Enveri ishte diagnostikuar me diabet që në vitin 1948, nga doktori Fejzi Hoxha.

A kishte ankth të kujdesesh për shëndetin e tij?

Nuk do ta quaj ankth, se në momentin që unë e mora atë detyrë, të cilën ma ngarkoi Hysni Kapo në vitin 1973, ai më tha: shërbeji mirë atij dhe populli e partia do të të jenë mirënjohës për gjithë jetën. Në këtë moment nuk është më ankth, por përgjegjësi. U ndjeva i mirëbesuar, por dilema ime ishte nëse kisha shpatulla për të mbajtur një barrë të tillë, e cila sa kishte aparencën e namit të mirë, aq mund të të çonte edhe në katastrofë.

Si ishte ai nga ana njerëzore?

Me mua ka qenë shumë korrekt dhe shumë i sjellshëm.

A ka pasur miqësia juaj ulje-ngritje?

Nuk do ta quaja miqësi. Enver Hoxha nuk më kishte mik. Miqtë e tij ishin të një tjetër niveli. Mua më kishte mjek, që ndoshta më preferoi sepse unë isha i hapur, sepse kisha vendosur ta trajtoja si të gjithë pacientët. Unë isha i drejtpërdrejtë. Aty kishte një kulturë te fshehja e gjërave “se mos ai mërzitet, i rri mendja”. Unë ia thosha gjërat dhe kjo transparencë atij i pëlqeu.

A e pranonte këtë shoqja Hoxha?

Shoqja Hoxha u vendos përpara faktit të kryer. Procedura ishte që unë t’i thosha infermieres, ajo t’i thoshte shoqes Hoxha dhe ajo të shihte nëse ishte momenti i përshtatshëm. Unë tentova të shkoja tek ai drejtpërdrejt. Frika e vetme që kishte Nexhmija ishte se mos ai mërzitej. Nëse ai pranonte, ajo ishte në rregull. Por unë këtë situatë e zgjidha vetë sepse kur je i ri, je dhe më i guximshëm.

Thuhet se pas 1973-shit, Enveri nuk ishte mirë dhe të gjitha vendimet i merrte Nexhmija, se ishte ajo që e drejtonte në të vërtetë vendin. Ju si mjek i tij personal, çfarë keni konstatuar?

Unë nuk kam qenë në zyrat dhe mbledhjet e tyre, por kam njohur personin. Po si mund të mendohet që ai nuk ishte mirë mendërisht?! Unë nuk kam qenë mjeku i vetëm i tij. Pas infarktit u ngrit një ekip mjekësor dhe të gjithë janë dëshmitarë. Por nuk ka qenë e vështirë për ta kuptuar edhe nga vetë publiku. E shoqja e tij ka qenë një grua e jashtëzakonshme, në kuptimin e përkushtimit që kishte ndaj të shoqit, që e adhuronte atë, që shërbimin dhe përkushtimin ndaj tij nuk e quante vetëm detyrë familjare, por edhe detyrë partie, detyrë kombëtare. Ajo jetonte me ankthin se si do të përgjigjej nëse diçka nuk shkonte mirë. Ajo ka qenë gjithnjë e varur prej tij. Edhe CISA ka qenë e interesuar për raportin mes atyre të dyve dhe ka arritur në përfundimin se ai që merrte vendimet ishte gjithnjë ai. Ajo nuk ishte njeri që merrte pjesë në marrjen e vendimeve të mëdha. Kjo është fabul që është ngritur…

Ju keni përjetuar një rast, atë të sëmundjes nga apendiciti të djalit të Enver Hoxhës, çka çoi edhe në largimin tuaj, si u kthyet sërish?

Ka ndodhur që unë isha shkëputur, punoja në spital dhe jepja mësim në fakultet, kur Hysni Kapo më merr në telefon dhe më thotë që duhej të nisesha urgjentisht, pasi më kërkonte vetë shoku Enver. Madje, ai edhe u shfajësua në njëfarë mënyre, duke thënë që ndoshta u nxituan asokohe, pasi profesionalisht apendiciti nuk ishte pjesë e fushës sime, por ishte një gabim që duhej evituar. Ai më kishte kërkuar, por kur i shkova në mëngjes, ai po lexonte gazetën poshtë një mështekne te vila e tij në Durrës dhe aktroi duke bërë si i befasuar që më pa. Ishte sadisfaksion për mua, por edhe përgjegjësi më e madhe ky rikthim.

A patët frikë se nga ky rast mund të kishte “koka të prera”, ashtu si edhe në politikë, edhe në shëndetësi?

Ndoshta unë isha pak naiv, ndoshta sepse isha i ri dhe nuk mendoja se kisha bërë ndonjë gabim me dashje. Ishte bërë një gabim, që nuk më përkiste mua dhe ç’ishte kryesorja, nuk ishte bërë me dashje. Një koleg imi, ai po ishte shumë i frikësuar, pasi kishte edhe fëmijë. Por u bë njëfarë “gjyqi” për ne, një analizë e ngjarjes, ku erdhi vetëm ministri i Shëndetësisë. Ne të tre morëm nga një vërejtje. Ç’është e vërteta, Sulo Gradeci e kishte hedhur një fjalë se mund ta kishim bërë edhe me qëllim armiqësor për të dëmtuar shokun Enver. Por për fat të mirë nuk u interpretua kështu, nuk u mor asnjë masë partie, por u trajtua si një ngjarje që ndodh në shëndetësi dhe me kaq u mbyll. U mbyll edhe me kthimin tim atje, pasi nuk kishte shumë mjekë të specializuar për diabetin dhe mënjanimi im dhe i profesor Hoxhës nuk i bënte mirë mjekimit të tij.

Pse nuk mori mjekë të huaj?

Ai nuk donte mjekë të huaj. Me Miliezin kishte miqësi, por e kam cituar nga libri i Ramiz Alisë, kur thoshte se “nëse doni të më sillni mjekë të huaj, e keni kot, unë kam besim te mjekët tanë”.

Si i keni përjetuar dënimet e “grupeve armiqësore?

Me dhimbje, sepse nuk kam besuar për asnjë që ka qenë armik, pasi i kam njohur, i kam vizituar, më kanë respektuar. Kam njohur Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Kadri Hazbiun.. Por nuk ishte puna vetëm tek ata. Ata kishin gra, fëmijë, nëna.. Unë i njihja të gjithë dhe ishte shumë e dhimbshme. Nuk e di se si e percepton lexuesi, por i kam ndjekur me dhimbje kur i hiqnin nga Blloku, apo kur sulmonin Mehmetin apo Kadriun nëpër plenume. Ndoshta ata kishin gabimet e tyre, nuk po marr veprën e tyre në mbrojtje, por pavarësisht asaj çfarë ata përfaqësonin, unë ndalem në aspektin njerëzor. Për shembull, Kadri Hazbiu gjente kohë të më dërgonte për çdo ditëlindje apo Vit të Ri një kartolinë urimi. Unë isha mjek i ri dhe ky kujdes i tij ishte prekës. Dënimi i familjeve ishte shumë absurde. Fëmijët e Beqir Ballukut apo Kadri Hazbiut ishin të diplomuar, inxhinierë, arkitektë, ishin adultë, çfarë faji kishin bërë ata? Një i rritur është përgjegjës për veprimet e veta, jo për babain. Nëse babai kishte bërë faj, të dënohej, po bijtë pse çoheshin nëpër internime?! Koço Theodhosi ishte teknicien, nuk merrej me vijë ideologjike, i biri ishte piktor i talentuar, e bija arkitekte, si mund t’i flakësh tej kot?!

Keni ruajtur lidhje me fëmijët e Enver Hoxhës?

Nuk kemi ndonjë armiqësi, por nuk kemi as ndonjë miqësi të ngushtë. Kam prishur raportet me Sokolin dhe të shoqen për disa aludime të bëra prej saj, si për gjoja disa keqbërje nga ana ime. Ajo më akuzon mua personalisht se gjoja kam qenë bashkëpunëtor me Ramizin dhe Sulo Gradecin. Kemi qenë shumë miq me ta dhe përpiqem të kujtoj vetëm anën pozitive të kësaj marrëdhënieje.

Ç’raport keni pasur me Ismail Kadarenë?

Në gjimnaz, të gjithë të rinjtë kanë ca shkëndijëza letrare, bënin ca vjersha, ca hartime të bukura.. dhe unë kam qenë një nga ata. Unë mezi prisja të lexoja diçka nga Kadare, sepse ai shënjoi një estetikë të re. Gjykimi për të ndahet në rrafshin letrar, si shkrimtar i madh; në ndikimin që ai ka pasur në shoqëri; dhe në jetën personale.

A bisedonte ai me ju për çështje pune, për letërsinë, për Kadarenë..?

Ai nuk fliste me askënd për çështje pune. Ai s’më ka pyetur asnjëherë si është gjendja e shëndetësisë, sepse ndoshta unë do t’i kisha thënë diçka, por unë nga ana ime nuk guxoja t’i thosha diçka me iniciativën time, pasi mendoja që detyra ime ishte aq dhe se ai i ndiqte çështjet në rrugë institucionale, kishte anëtarë Byroje, ministër Shëndetësie dhe i merrte urdhrat nga ata.

Ju ka ardhur keq për vdekjen e Enver Hoxhës?

Patjetër. Si pacient, ishte dështim i misionit tim. Unë e kam parë si dështim. Ne mjekët kishim detyrë t’i zgjasnim jetën aq sa mundeshim. Nga viti 1973 deri në vitin 1985, falë bashkëpunimit të tij, por sidomos të Nexhmijes, e zgjatëm 12 vjet. Te “Murtaja”, Kamyja thotë se misioni i mjekut është i dështuar, përderisa vdekja që ai do të evitojë, në fund vjen. Dhe nuk ka lidhje se kush është ai që po vdes, por është një njeri që po vdes

Rrëfimi i të mbijetuarit në Spaç: Më rrihnin me shkop druri, pasi më kishin mbushur zorrët me rërë

Kujtimet e një 16-vjeçari në burgun e Spaçit, që ka humbur një sy dhe një vesh në tortura. E megjithatë, nuk është ky kujtimi më i dhimbshëm. Ngjarja që nuk i shlyhet nga mendja, është vrasja e 4 shokëve më të mirë në revoltën e Spaçit.

 

Ai ishte 16 vjeç kur mbërriti në Spaç, në burgun e egër, të ngritur në pjerrësinë e një kodre, ku të burgosurit nxirrnin mineral në temperatura që varionin nga disa gradë, nën zero deri në 40 gradë. Nëse nuk e plotësoje normën, torturoheshe. Mund të të lidhnin me tel në shtyllë, që të të shihnin të gjithë. Mund të të mbyllnin një muaj në birucë, që mos të shihje dritën e diellit. Kishte gjithmonë një arsye që rojat të kënaqnin sadizmin e tyre mbi trupat e lodhur e të paushqyer të të burgosurve që goditeshin sistematikisht me grushta, shqelma, shkopinj. Disa kanë humbur jetën në këto tortura, ose prej urisë që, bashkë me punën e rëndë dhe sëmundjet e patrajtuara, bëheshin një barrë e papërballueshme për të burgosurit.

Ndërsa Shkëlqim Abazi arriti të mbijetonte. I nxorri kockat, edhe pse disa të thyera, me shpirtin gjallë që aty, por i mbeti përjetësisht në terrin e burgut shikimi i një syri dhe dëgjimi i një veshi. “Hetuesit ishin një makth i vërtetë me torturat e tyre psikologjike dhe fizike që varionin nga ofendime, sharje, kërcënime me jetë, e deri te abuzimi fizik, si p.sh. kur më prangosnin këmbët dhe duart për periudha të gjata kohore, ndërkohë që më rrihnin me shkop druri, pasi më kishin mbushur zorrët me rërë. Si rezultat i këtij abuzimi, sot pas 50 vjetësh, kam një plagë në ballë, e cila më ka lënë të verbër në një sy, të shurdhët në një vesh, disa brinjë të thyera dhe gishta të traumatizuar. Vetëm besimi në Zot dhe besimi se një ditë e mira dhe e drejta do të triumfonin dhe që komunizmi do binte, më motivonin dhe më shtynin që të mbijetoja në burg. Kjo është e vërtetë për mua dhe për qindra shokë të mi bashkëvuajtës”, ka thënë Shkëlqimi për evenwallshaveears.org.

Katër nga shokët më të mirë të tij janë vrarë në revoltën e Spaçit. Eshtrat e tyre nuk dihet ku janë, as sot. Ai nuk mund ta harrojë kurrë atë ngjarje të datës 23, e njëjta datë kur e çuan në Spaç, gjithashtu data e lindjes, si një provokim për të mallkuar ditën kur u lind, edhe pse nuk e kish fajin data. “Katër nga shokët e mi më të mirë, dy nga të cilët i kam pasur shumë afër, janë ekzekutuar në Revoltën e Spaçit. Edhe sot, familjet e tyre nuk e dinë se ku gjenden kockat e tyre”. U ka kushtuar një libër vuajtjeve të Spaçit me titullin “Spaç, Varri i të Gjallëve”, siç ka shkruar edhe për kampin e Repsit, “Reps, Kampi i Punës se Detyruar”. Janë histori që dëshiron t’i lërë pas, për t’u treguar shqiptarëve vuajtjet brenda hekurave të burgjeve komuniste, ndoshta më të egrit e kohës.

“Ka pasur nje episod me shokun tim, Ram Tahiri nga Rugova. Kur takoi nënën e tij që erdhi për ta vizituar nga Kosova, ajo i tha birit të saj: “S’e kemi fort dertin tand, sepse vërtetë të kanë futur në burg, por të kanë shti vllaznit e tu, që mishin ta hanë por ashtin ta rujnë. Ç’kena me i ba tjetrit që e kanë dnue serbët në Goli-Otok?” Këto sollën përgjigjen epike të Ramës që i kushtoi një muaj izolim në birucë. Ai tha: “Ujku të paktën i lë kockat, por Enveri i ha dhe ato!” Ai i hëngri me të vërtetë ato kocka pasi me qindra vdiqën në burg.”

Të tjerë humbën një pjesë të jetës në to, disa pa shkak, të tjerë sepse guxuan t’i dilnin kundër regjimit totalitar. Edhe pse 15-vjeçar, Shkëlqim Abazi, u përplas me forcat e Sigurimit, ditën kur në qytetin e tij, Berat, po shembeshin godinat e kultit, gjatë vitit 1976. Nuk e arrestuan atëherë, si për të pritur një akuzë më të fortë dhe një dënim më të rëndë për të riun që i kishte dhënë provat që ishte kundër komunizmit. E ndalën një vit më vonë dhe e dënuan për tentativë arratisjeje. Fakti që ishte minoren, nuk zbuti, as në rastin e tij, hetuesin dhe gjykatësin, as për vitet e dënimit dhe as për egërsinë e burgut ku u çua. Shkëlqim Abazi u dërgua kur ishte ende 16 vjeç, në Spaç. Pjesa tjetër mund të përmblidhet, si tregon ai, në bilbila, dhunë, punë, apele.

Nga A.Çano

Fotot dhe citimet janë marrë nga platforma e dëshmive gojore Edhe Muret Kanë Veshë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Intervistoi: Kristale Ivezaj Rama

Kujto.al

“Corriere della Serra” shkruan për fuqizimin e trafikantëve shqiptarë, lidhjet direkte me ‘narcot’ e Amerikës së Jugut. Çfarë thotë për qeverinë shqiptare

“Brexit apo jo, ne pritje te zgjedhjes përfundimtare të Britanisë së Madhe, që gjithashtu do të revolucionarizojë modalitetet e hyrjes së të huajve ne kete vend, trafikantët e drogës kane bere levizje perpara.

Ne menyre te vecante ata shqiptarë, aftësia drejtuese e krimit prej tyre, e ardhur në rritje, është e qartë, jo më nga fjalët e analistëve, por nga arrestimet e policisë”.

Kështu e nis shkrimin e saj gazeta italiane Corriere della Serra në versionin online, me titull “Narkotrafikantët mes Brexit e Milanos. Vjedhje identiteti për drogën”.

Shkrimi vijon duke përmendur arrestimin ditët e fundit, në aeroportin Nënë Tereza, ku “policia aeroportuale ndaloi nëntëmbëdhjetë shqiptarë dhe turq, që kishin prerë bileta për në Malpensa / Orio në Serio, dhe nga atje për t’u nisur përsëri me destinacionin Londër, aty ku tregu i kokainës, heroinës dhe marihuanës po pasuron një gjeneratë shqiptarësh.

narckorrr

Ndarja e udhëtimit me dy pjesë, i përgjigjet qëllimit të tyre për të përfituar pikërisht në këtë periudhë, nga mbipopullimi me udhëtarë në aeroportin e Malpensas dhe Orio al Serio për shkak të mbylljes së aeroportit të Linate, në Milano,

Sipas hetuesve italianë, planet e këtyre nëntëmbëdhjetë personave të kapur në Rinas, shumica shqiptarë, janë që në bashkëpunim me turqit, të shkojnë në mbështetje me grupet trafikante në periferi të Londrës.

Sipas Corriere della Serra, të dhënat në kartat e identitetit që paraqitën ky grup shqiptarësh dhe turqish, nuk ishin false, por nuk u përkisnin atyre.

Dokumentet që ata përdornin për të kaluar kufirin, rezultonin të vjedhura në zyrat e udhëtimeve, ose të blera në këmbim të parave, ose nga çantat e rrëmbyera.

“Aksioni shënon një pikë të fortë në favor të sistemit të sigurisë së qeverisë aktuale shqiptare, e shigjetuar shpesh nga kriza e fundit e politikës së brendshme dhe akuzat që nuk lufton trafikun e drogës, aq sa vëzhguesit e huaj e kanë përcaktuar Shqipërinë si një “narkoshtet”. Sigurisht që askush nuk e përjashton që, para se të ndalohej ky fenomen, të tjerë trafikantë të drogës kanë arritur për në Britaninë e Madhe. Por të paktën, të tjerë nuk do të përpiqen. Jo të paktën përmes kësaj rruge”, vijon shkrimi.

“Në Londër, krimi shqiptar(i cili në përgjithësi ka një strukturë nga lart-poshtë, bazuar në grupe të shumta që shpesh kanë lidhje gjaku), ka dy karakterizime të dallueshme.

Bandat e të rinjve kanë zgjedhur zonat e Parsons Green, Barking dhe Dagenham dhe Kilburn si baza. “Hellbanianz” (me shkurtimin Hb), është një nga bandat më të habitshme, duke marrë parasysh shfaqjen e aktivitetit të saj përmes rrjeteve sociale që sigurojnë mijëra ndjekës.

Këta djem të mbushur me adrenalinë, të cilët në çdo rast trafikojnë sasi të vogla, janë parë me sy të keq nga “të mëdhenjtë”, të cilët mbajnë një profil të ulët dhe nuk shfaqen publikisht e në rrjetet sociale si këta të fundit, dhe që kanë lidhje të forta me bandat kalabriane.

Që nga vitet nëntëdhjetë, kur shqiptarët pushtuan rrugët e Milanos duke i mbushur ato me prostituta, deri sot, kur pushteti i tyre kriminal ka arritur në këtë pikë, ekziston një ndryshim i madh.

Aty ku shumë klane mbështeten tek ndërmjetësit, për të pasur më pak ngarkesa por me një rritje kostosh dhe rënie të pashmangshme të pastërtisë së drogës, një efekt anësor i copëzimit të zinxhirit të furnizimit, shqiptarët kanë filluar të merren direkt me trafikantët e Amerikës së Jugut. Kjo ju lejon të shkurtojnë shpenzimet dhe të kenë një verifikim të drejtpërdrejtë për cilësinë e mallit, të menjëhershëm./Përktheu: PANORAMA

Dokument: Ja firmat që çuan në litar poetin Havzi Nela, midis tyre edhe firma e Kristaq Ramës

Lexuesit po i sjellim dokumentin ku është vendimi për ekzekutimin e dënimit me vdekje, i varur në litar e poetit Havzi Nela.

Familjarët kanë bërë lutjen në presidiumin e Kuvendit Popullor dhe vendimi i tyre është “jo”!

Midis atyre që kanë firmosur varjen e poetit është: Ramiz Alia dhe Kristaq Rama. Ja dokumenti:

Lexuesit po i sjellim dëshminë  e gazetarit Ramiz Lushajt,  se çfarë i panë sytë atë 10 gusht të vitit 1988.

“Dita e mërkurë e 10 gushtit 1988 në qytetin e Kukësit ngjante me një shtet-rrethim: Postblloqe e patrulla me policë e civilë nëpër rrugë… Në mëngjes herët, sapo morëm gazetën lokale në shtypshkronjë, policia na ndaloi veturën në rrugë e pas formaliteteve të rastit, na drejtoi me gisht e mburrje mbi 300 metra më larg, për tek katër rrugët, te agjencia e udhëtarëve, vendi më i populluar i qytetit. Aty, pak orë më parë ishte kryer akti tragjik mesjetar i marrjes së frymës njerëzore nga terrori shtetëror komunist: Varja në trekëmbësh nazisto-komunist e poetit Havzi Nela, i vetmi poet i varur në Shqipëri dhe i fundmi ekzekutim komunist i një disidenti në të gjithë Europën Lindore.
Ende edhe sot më shfaqet ajo skenë tragjike: Mbi trekëmbësh qëndronte e varur një parullë e dizenjuar mjeshtërisht në karton: “Havzi Nela (me ngjyrë laramane) armik (me të zeza) i Partisë e Popullit (me të kuqe)”. Poshtë saj, si në gjallje, tundej e tundej me litar në qafë e trup në ajër poeti atdhetar. I kishte dy sytë të dalë e dukej sikur vështronte. Nga buzët kishte rrjedha gjaku të pandalur e dukej sikur fliste. Kishte një palë pantallona të përdorur me dok të hollë kinez. Këmisha e tij e hollë, e zbërthyer keqas, i valëvitej e valëvitej dhe gjoksi i dalë i jepte atë pamjen e martirit. Mbante, në atë çast, një opingë prej llastiku në këmbën e djathtë… Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave, me njërën opingë luanin futboll…(!). Edhe të vdekur nuk e linte të qetë hakmarrja komuniste, urrejtja biologjike e patologjike e diktaturës enveriane kundër kundërshtarëve politikë…

Edhe javën tjetër, si zakonisht, shkova në Kukës. Qyteti ende kishte për kryefjalë poetin Havzi Nela. Si dy muaj më parë, në qershor, që përflitej pa pushim për qëndrimin e tij sfidant në gjyqin politik, përsëri, edhe në gusht, përflitej gjithandej në të gjitha variantet e dimensionet: Në mënyrë të organizuar e të detyruar institucione e ndërmarrje bënë “peligranazh politik” tek vendvarja e disidentit, biles kishte dështuar edhe një grua shtatzënë nga skena makabre e nxënësit e shkollave tmerroheshin netëve prej imazhit të ekzekutimit barbar. Poeti, i mbetur jetim që fëmijë, i rritur, burrëruar e sfilitur për 20 vjet burgjeve e internimeve, me gruan e dënuar 10 vjet në burg e 5 vjet në internime, pa fëmijë, me pasuri të sekuestruar, kishte lënë amanet, kohë pas kohe, fletoret e çmuara me krijimtarinë e tij disidente, dhe, para dënimit çnjerëzor, edhe disa porosi, ku veçojë njërën prej tyre: “Kam 910 lekë e kërkoj t’ia jepni Nanës”… Në orën 11.00 të asaj dite ia kishin prerë litarin në trekëmbësh e trupin e pajetë ia kanë hedhë në një makinë të pambulueme duke e shëtitur në mënyrë demonstrative nëpër qytet…
Edhe pak ditë, më 24 shkurt 2009, poeti disident feston 75 vjetorin e lindjes, por, edhe në vitet e demokracisë, ende po mbetet ”i varur në litar”(!).
Ende litari i trekëndëshit skelik të terrorit komunist të 10 gushtit 1988 qëndron në tre këmbë të trekëndëshit të keqformësuar politik e diplomatik kundër ligjit të lustracionit.
Këmba e parë: e majta shqiptare në opozitë, që i bie daulles kundër ligjit të lustracionit.
Kuka e daulles është vet Edi Rama, Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, djali i anëtarit të KQ të PPSH e nipi i Spiro Kolekës, anëtarit të Byrosë Politike të KQ të PPSH, të dy të akuzuar për firmëtarë të dënimeve të ashpra të luftës së klasave në Shqipëri.
I ati, Kristaq Rama, i zgjedhur edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH, më 2 gusht të vitit 1988, firmoi për varjen në litar të poetit disident Havzi Nela.
E jashtëzakonshmja për shqiptarët e ndërkombëtarët qëndron tek faktet: Një artist, “Skulptor i Popullit” firmon për marrjen e frymës në mënyrën më barbare një poeti (!). Artisti që gdhendte me daltë kryevepra monumentale si Monumenti “Nënë Shqipëri” firmos për një kryekrim duke e lënë një nënë kuksiane të moshuar pa djalin e saj të rritur jetim, të kallur në burgje e internime, që para varjes la një amanet: “Kam 910 lekë e kërkoj t’ia jepni Nanës”. E la vejushë gruan e poetit: pa fëmijë, pa shtëpi, pa katandi, e cila, deri më sot, apelon për ndëshkimin e kriminelëve vrastarë të burrit të saj. Ky artist i la dy vepra në Kukës, pranë e larg njëra tjetrës: Monumentin “Shote Galica” me vështrimin nga Kosova dhe “Trekëmbëshin Havzi Nela”, që u var që fliste për Demokracinë Amerikane, që hyjnizonte në vargje Kosovën Sovrane…
E jashtëzakonshmja e të jashtëzakonshmes qëndron tek fakti aktual: Sot, i biri, Edi Rama, merr shtysë e revansh kundër ligjit të lustracionit, duke ecur në të njëjtën linjë me të atin. Në vitin 1988 i ati firmoi nisur nga germat e Kushtetutës ideologjike të kohës për t’ia marrë frymën poetit demokrat Havzi Nela, ndërsa i biri i keqpërdorë germat e Kushtetutës kundër lustracionit për t’ia marrë frymën demokracisë.
Thupra e daulles është vetë Ramiz Alia, trashëgimtari politik i Enver Hoxhës, Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH, udhëheqësi shpirtëror i të majtës komuniste, që më 2 gusht 1998, dekretoi varjen në litar të poetit disident Havzi Nela, pavarësisht faktit se nga 15 antarë të presidiumit ishin vetëm 7 prej tyre, duke e llogaritur edhe një grua, Emine Gurin, që e dha “votën për varje” me telefon(!). Ky si ky, me të tillë terror komunist të vazhdimësisë enveriane donte të mbante karrigen e tij, rimori edhe një mandatim tjetër si kryetar i Këshillit Presidencial (22 shkurt-30 prill 1991) dhe postin si President i Republikës së Shqipërisë (1991-prill-1992).
Në vitin 1993 kam botuar shkrimin “Krimineli Kleanthi Koci avokat i Ramiz Alisë”. Në cilësimin kriminel kisha parasysh faktin se ishte kryetar i trupit gjykues në një nga krimet e komunizmit kundër të ashtuquajturit “grup armiqësor i NB-Krumë”, ku për mbi 30 kv kallinj misri të kalbur nga reshjet e gjata e që nuk u konsumua as nga bagëtitë u dënuan tre vetë me pushkatim: Hajdar Kastrati, Hysni Aliaj e Hamid Dida e disa të tjerë deri në 25 vjet burg me akuzën “sabotim me mosveprim”, akuzë që nuk e përmbante as legjislacioni shqiptar dhe as ai botëror. Ishte Kleanthi Koci nga Gjykata e Lartë, që jo vetëm orientoi hetimet e kësaj çështjeje të nisura me akuzën “pakujdesi e shpërdorim detyre”, por edhe e gjykoi këtë çështje duke dhënë dënime kapitale, pavarësisht se edhe me ligjet e kohës nuk mund të merrte pjesë në këtë gjykim. Në fillimet e demokracisë, Kleanthi Koci, jo vetëm u zgjodh Kryetar i Gjykatës së Lartë e anëtar i Këshillit Presidencial, por, pas fitores së demokracisë, ishte avokat i kriminelit Ramiz Alia, që është një nga autorët e “Tragjedisë së Tivarit”, ku u vranë 4,200 vetë, që ka dënuar me varje në litar edhe poetin disident Havzi Nela.
Edhe ky rast tregon se njerëz të drejtësisë në diktaturën komuniste, që kanë kryer krime të tilla, arrijnë në poste të larta të drejtësisë dhe bëhen avokatë të krimeve të së shkuarës komuniste e të kriminelëve të diktaturës.
E njëjta histori përsëritet tani me daullen e sulmit, me kukën e Edi Ramës e thuprën e Ramiz Alisë, edhe kundër ligjit të lustracionit. Ish-Kryetari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiu, në vitin 1988, ka dënuar me varje në litar poetin disident Havzi Nela. Në vitet e demokracisë u zgjodh në dy mandate Kryetar i Gjykatës Kushtetuese e tani është anëtar i saj.
Çështja shtrohet hapur: A ka forcë morali e arsyetim juridik Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ligjin e lustracionit, nisur edhe nga ky precedentë apo të tjerë që ka në radhët e saj(!). A mundet që përsëri, edhe pas 20 vjetësh, anëtari i Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiu, prapë “ta mbajnë të varur” Havzi Nelën në 75 vjetorin e lindjes së disidentit (!).
Çështja duhet shtruar edhe ashtu sic shfaqet: Kujt, qoftë nga e majta apo nga ndërkombëtarët, iu intereson mbajtja e këtyre “pengjeve” në kupolat e larta të shtetit shqiptar, si në Parlament, në Gjykatën Kushtetuese, në Prokurorinë e Përgjithshme, etj.?!
Çështja është e qartë: Askush nuk mund të blejnë të kaluarën. Atëherë, kush nga e majta e nga disa ndërkombëtarë, interesohet të na mbajnë “peng” të ardhmen, të mbajnë ende të varur poetin disident Havzi Nela ?!
Këmba e dytë: disa politikanë, diplomatë e deputetë në disa shtete e organizma ndërkombëtare euro-atlantike.
Çështja është e ditur: Në të gjithë historinë komuniste të Europës Lindore, të paktën nga fundi i viteve ’60, pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë e deri në rënien e “Murit të Berlinit” asnjë nga ndërkombëtarët që flasin për ligjin e lustracionit, nuk mund të sjellin një shembull të vetëm si ky i poetit disident Havzi Nela. Atëherë shtrohet pyetja: Ligji i lustracionit kërkohet të jetë “lustër” e të tejzgjatet tranzicioni shqiptar, të mos integrohemi realisht ndërveti brenda shtetit shqiptar, apo të shkojmë drejt integrimeve europiane edhe me poetin disident Havzi Nela “të varur në litar”?!
Në maj të vitit 1991, në një konferencë në Paris, 42 parti demokratike të Europës, në rezolutën e tyre e cilësuan Enver Hoxhën “Hitlerin e pasluftës”.
A i dënoi Europa e Bota krimet e Hitlerit? Po. Atëherë, ne, Shqiptarët, në shtetin tonë demokratik, a nuk paskemi të drejtë të dënojmë krimet e Enverit.
14 rezoluta ndodhen në “Rekordet e Kongresit Amerikan” që i dënojnë krimet e Enver Hoxhës e kërkojnë përmbysjen e regjimit të tij.
Edhe vetë Hrushovi i pjellës së komunizmit e ka kritikuar në një fjalim të tij diktatorin Enver Hoxha për krimet e tij, si në rastin kur dënoi me pushkatim me fëmijë në bark në dhjetor të vitit 1956 bashkëpunëtoren e kundërshtaren e tij, Liri Gegën.
As nazistët e Hitlerit nuk u sollën me bolshevikun Dimitrov të Bullgarisë në vitin 1933, siç ka vepruar Enver Hoxha e Ramiz Alia gjatë komunizmit në RPSSH, nga pushkatimi i 21 vjeçares partizane Ramize Gjebrea me akuzën “ për dashuri” në fillimet e komunizmit e deri tek varja e poetit Havzi Nela në agoninë e komunizmit.
Në historinë europiane, pas mundjes së Hitlerit, në dekadat e “Luftës së Ftohtë” ka pasë dy- Gjermani, në dy shtete: RFGJ e RDPGJ. Ndërsa, në Shqipëri, me pushtimin komunist të diktatorit Enver Hoxha, ka pasë disa shtete: “Shteti i Bllokut”, në Tiranë, që ende mbron njerëzit e vet të së shkuarës komuniste nga prekjet prej ligjit të lustracionit, dhe “Shteti i Popullit”, që bënte jetën e vet të vështirë. Ishte “Shteti i Emigrantëve Politikë”, që jetonte edhe në vendet euro-atlantike dhe “Shteti i Telave me Gjemba” i quajtur “RPSSH”, (vetëm tela me gjemba për klonin e kufirit e burgjet importoheshin 18 mijë tonë në vit). Ishte “Shteti i të Përndjekurve Politikë”, që ekzistonte edhe në kampet e internimit edhe në çdo “shtëpi të prekur” nga lufta e klasave, që nuk mund të bënin as vizita familjare e as martesa me shtetet e tjera brenda RPSSH. Ishte “Shteti i Kavalishencave” për udhëheqjen komuniste në Durrës, Dajt, Drilon, Vlorë, etj. dhe “Shteti i Burgjeve”, në Burrel, Spaç, Qafë Bari, etj.
Pas shembjes së Murit të Berlinit u bashkuan të dy Gjermanitë në një të vetme, u integruan në mes të tyre, kanë arritur nivele të larta zhvillimi të gjithanshëm.
Ne, në Shqipëri, pas shembjes së Murit të Berlinit, na u deshtë të “shembnim” muret e “shteteve” të krijuara nga Enveriada komuniste gjatë komunizmit në Shqipëri, që vetë Europa e ka cilësuar “Komunizëm i Epokës së Gurit”.
Ne, në Shqipëri, tani duam të integrohemi brenda vetit edhe me ligjin e lustracionit, por e kemi tepër më të vështirë se në Gjermani. Kjo për faktin se në Gjermaninë Lindore, gjatë sundimit komunist, u dënuan me vdekje vetëm 250 vetë, ndërsa, në vendin tonë, për 48 vjet të komunizmit, numërohen mbi 6 mijë vetë, përndryshe: vetëm gra e vajza shqiptare me dënime kapitale për jetën e tejkalojnë këtë shifër tragjike. Në çdo 70 mijë vetë në Gjermaninë Lindore një është dënuar me vdekje, ndërsa në Shqipëri ky raport shkon 1 në mbi 600 vetë(!).
Para disa ditësh, Polonia, vend anëtar i Bashkimit Europian, NATO-s, Këshillit të Europës, OSBE-së, po ecën në linjën e ligjit të lustracionit duke marrë edhe sanksione sociale ndaj atyre që kanë një të kaluar të errët në periudhën e komunizmit, ndërsa në Shqipëri këto masa janë kaq të zbutura saqë kërkohet vetëm të mos jenë ende në funksione të larta.
Rezoluta e Këshillit të Europës zbret deri në ato nivele që ligji i lustracionit të “kapin” edhe një “roje burgu”, në rast se gjendet fajtor, ndërsa në Shqipëri ka kaq shumë jehonë e presione që të mos lëvizet një prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme, një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, etj.
E dinë këta ndërkombëtarë që flasin për ligjin e lustracionit se pse u dënua 20 vjet poeti disident Havzi Nela? Për parimet universale të lirisë, për idealet e demokracisë, që u mohuan nga ideologjia komuniste, që u përgjakën nga diktatura e Enver Hoxhës, që shqiptarët ishin skllevër të regjimit komunist. E dinë Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, teksa flet për ligjin e lustracionit, çfarë shkruante poeti disident Havzi Nela: “Fryma e Helsinkut u derdh porsi era,/Na përkdhel zemrat, çeli si pranvera/Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë,/Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë/”.
Këmba e tretë: mbahet nga mëkatarët e të shkuarës komuniste, që përfitojnë nga mungesa e ligjit të lustracionit dhe duan ta pengojnë zbatimin e tij.
Në këtë përballje demokratike të ditës shihet se kush ka vlerë të lartë: fytyra apo maska. Në rast se vlerësohet fytyra integrohemi drejt Europës. Ka ardhur koha që maskat të marrin damkën e merituar prej vetvetes e prej demokracisë shqiptare.
Havzi Nela, poeti zemërzjarrtë ligjëronte burgjeve: ”Thoni: Dritë kërkoi/E vetë Dritë nuk pa me sy/Thoni: Për njerëzinë këndoi/E për vete mbajti zi/”, në vitin 1993, e nxorën nga një gropë shtylle betoni, të hedhur ashtu në këmbë, në breg të liqenit të Fierzës, dhe e futën në arkivol duke e rivarrosur me nderime të traditës shqiptare në fshatin e lindjes.
Mbi krimin shtetëror politik ndaj tij, mbi varrin e vjetër e të ri të tij, firmëtarët genocidistë të ekzekutimit të tij me varje në litar u kacavjerrën triumfalisht shkallëve të karrierës në nivele tejet të larta. Fehmi Abdiu u zgjodh në dy mandate Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Fatmira Laskaj, Kryetare e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive të politikanëve e zyrtarëve shqiptarë.
Disidenti epope, Havzi Nela, (i dekoruar ”Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha, në 5 vjetorin e ekzekutimit, më 1993), donte të vetmin nderim: ”Mbi vorr tim me gurë e ferra/Një tufë lule me ma lëshue/”, por shpirti, idealet e vepra e tij nuk mund të pranojnë që ende të qëndrojnë i “varur” në trekëmbësh edhe pas 20 viteve të ekzekutimit të tij barbar, në kohën e demokracisë.
Fakti i parë: Më 7 maj 2003, Kukësi, vendlindja e tij, i nisë një propozim Presidentit Alfred Moisiu për ta nderuar Havzi Nelën (pas vdekjes) me Urdhrin ”Nderi i Kombit”, por e përçmon disidentin e panënshtruar dhe e dekoron me përulje në vitin 2004 ish-kryetarin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiun, që firmosi për varjen në litar të poetit zemërzjarrtë e qëndrestarit të flaktë. Kjo dekoratë duhet lexuar në të dy anët e saj: motivacioni flet për kontribute e merita të shquara në drejtësi, ndërkohë që ka kryer edhe këtë akt kriminal ndaj poetit dhe i jepet pak ditë para 70 vjetorit të lindjes së poetit e pas përkujtimit të 15 vjetorit të varjes tragjike të tij(!).
Fakti i dytë: Më 4 tetor 2007, përsëri, vendlindja e poetit disident, Kukësi, i kërkon Presidentit Topi ta dekorojë me Urdhrin ”Nderi i Kombit”, por, edhe ky, vepron si paraardhësi i tij, e dekoron me himne, në korrik 2008, me Urdhrin ”Naim Frashëri të Artë”, ish-gjykatësen Fatmira Laskaj, një nga tre firmëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Kjo dekoratë i jepet në 20 vjetorin e hedhjes së firmës së saj për dënimin me varje në litar të martirit Havzi Nela.
Presidenti Topi, për ligjin e lustracionit, zgjedh ”heshtjen” si për dekretimin dhe për komentet, çka nuk i takon për shumë arsye e arsyetime, por ”zgjohet” për të dekoruar e dekretuar persekutorët e poetit Havzi Nela, biles dekoron edhe nga 200 komunistët e parë të vitit 1941, të themelimit të PKSH, çka nuk e nderon për vet gjeneralitetet e atributet e tij.
Të thuash se këta dy presidentë, Moisiu e Topi, nuk e njohin poetin tonë kombëtar Naim Frashërin, nuk e pranoj, të më thonë se nuk e njohin poetin disident Havzi Nela, nuk e besoj, por të arrijnë që gjyqtarët persekutorë Fehmi Abdiu e Fatmira Laskaj, që dënuan me varje në litar një poet, t’i dekorojnë me Urdhrin ”Naim Frashëri të Artë” ky është një paradoks presidencial, një njollë turpi kombëtar. Ky fakt, ky akt, i befason jo vetëm ata ndërkombëtarë që spirraven për ligjin e lustracionit, por edhe një plak analfabet në liqenin e Prespës apo në këmbë të malit Jezercë, por edhe një fëmijë që sapo e ka mësuar Abetaren në Dropull apo në një qytet në Bregdet.
Poeti disident Havzi Nela arrestohet më 15 qershor 1988, në ora 5.30 të mëngjesit, ndërsa në mesditën e kësaj dite nisë hetuesia ndaj tij dhe për 7 ditë Dosja e tij me “Çështjen Penale Nr.60” shkon në Gjykatën e Rrethit të Kukësit. Dy ditë para gjykimit, kryetari Agim Hoxha, për këtë çështje, në Dosjen 13532/A, në faqen 2, paragjykon dënimin: “Duke parë çështjen në kompleks, interesin e partisë në rreth, si dhe përhapjen e veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit duhet t’i jepet dënim kapital. Që t’i shërbehet më mirë parandalimit të veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit, duhet të jepet si mënyrë ekzekutimi: vendim me vdekje e varje, ku mund të ekspozohet i dënuari”.(!) Mbi këtë dosje të Havzi Nelës, të montuar, paragjykuar e përshpejtuar, kanë hedhë firmat e tyre Fehmi Abdiu, Fatmira Laskaj,…Kristaq Rama e deri tek Ramiz Alia(!), ku Abdiu thekson se “s’kam asgjë që të më brejnë ndërgjegjen” 910 maj 2002), etj.
Shkrimtari Ismail Kadare, kandidat për Cmimin Nobël, në vitin e kaluar, në 20 vjetorin e varjes tragjike të poetit disident Havzi Nela, jep mesazhin, se kjo është “…një kambanë që ënde bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë Lirinë e Shqipërisë”.
* Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Tiranë

L’Univers Israelite (1930) – Kush është Hermann Bernstein, hebreu i lindur në Rusi, ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri

Hermann Bernstein

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Gusht 2019

 

“L’Univers Israélite” ka botuar, më 21 shkurt 1930, një shkrim në lidhje me ambasadorin e ri amerikan të emëruar në Shqipëri, z. Hermann Bernstein, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Një gazetar hebre ambasador i SHBA-ve në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gazetat njoftojnë emërimin e Hermann Bernstein, një gazetar i njohur hebre, si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri. Lindur në Mohileff (Rusi), Bernstein u nis për në Amerikë në moshën njëzet vjeçare. Ai zgjodhi aty profesionin e gazetarit.

 

Gjatë Luftës së Madhe, ai mori pjesë në ekspeditën e famshme paqësore të Fordit, e cila dështoi në mënyrë të mjerueshme. Por pasi mbaroi lufta, Ford u bë anti-semit dhe sulmoi mikun e tij, duke provokuar një gjyq që përfundoi në pajtimin midis Bernstein dhe Ford-it. Ky i fundit madje hoqi dorë nga idetë e tij anti-semite.

 

Bernstein iu përkushtua popullarizimit të letërsisë ruse në Shtetet e Bashkuara. Ai përktheu disa shfaqje ruse, të cilat u interpretuan në New York në dekoret e piktorit Sam Ostrovsky dhe patën një sukses të madh.

 

Ai ishte gjithashtu drejtor i të përditshmes yidich “Der Tog”; kohët e fundit, ai vizitoi Rusinë sovjetike, ku u interesua kryesisht për kolonitë bujqësore hebreje.

 

Bernstein i tha një gazete hebreje të NewYork-ut se falë mbështetjes së… Ford-it, ai u emërua ambasador në Shqipëri.

 

Ne nuk mund të dyshojmë më në sinqeritetin e industrialistit të madh amerikan. “Miqtë e mi më të mirë janë armiqtë e mi të vjetër” ka thënë një burrë shakaxhi, siç thonë në anën tjetër të Atlantikut.

 

Le Figaro (1939) – Mbretëresha Geraldinë duke u dhënë autografe fëmijëve suedezë (Foto)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Gusht 2019

 

“Le Figaro” ka botuar, të shtunën e 22 korrikut 1939, në ballinë, fotografinë e mbretëreshës Geraldinë duke u dhënë autografe fëmijëve suedezë, pranë Stokholmit, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një autograf madhëri !

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë, aktualisht në Suedi, me Mbretin Zog, u jep autografe fëmijëve të një fshati afër Stokholmit.

SHQIPNÌJA 1912 – 1924[1] (Pjesa e parё) – Nga MUSTAFA KRUJA

Populli shqiptar, banues autokton i trojevet qi zên sod në gjysishullin ballkanik qysh kur kjo trevë u pushtue për herë të parë prej Indo – Evropianvet, e ka shkuem gjithë jetën e vet në luftë me popuj invadues mâ të fuqishëm për me pruejtun pronat e institucionet e veta plurishekullore. E kur s’ka mûjtun mâ me u qëndruem forcave eprore âsht tërhjekun e ka rruem nëpër bjeshkë, gryka e lugina të paqasëshme, i shkëputun prej krejt botës tjetër, veç me ruejtun individualitetin etnik e doket e vjetra të tija.

Në 1912 leu Shteti shqiptar indipendent, por gati gjysma e popullit prap se prap u la prej Pushteteve të mëdhá t’Evropës nën zotnim të fqînjvet.E qe se edhe ky shtet i cungulluem qi leu s’pat kohë as me çelë sytë ende, e i a behti lufta e parë Botnore. Toka shqiptare u shkel prej pushteteve ndërluftuese e nuk u lirue mâ krejt veçse në 1920, kur populli i Skanderbegut përsëriti në Vlonë nji prej atyne gjesteve të rralla heroizme qi s’mungojnë në historinë e tij. Italija u shtrëngue, vetëm prej gjallnisë vërshuese të popullit shqiptar, pa asnji ndihmë të jashtme, e prej opinionit anti – imperialist italian, me e lëshuem bazën e Vlonës. Shkodra, e shtrueme mbas luftavet ballkanike 1912 – 1913 sidhe mbas luftës së parë botnore nji regjimi ndërkombtar, po n’atë vjetë (1920) i u lëshue Shtetit shqiptar. Lidhja e Kombevet detyroi në vjetën tjetër, 1921, Jugosllavinë me lëshuem nji rryp të gjânë të tokës shqiptare gjatë kufînit qi ajo pat pushtuem kur u tërhoqën trupat okupuese austro – hungare në mbarim të luftës. Mâ vonë nji komision ndërkombtar vot e vërtetoi në vênd kufîjt e Shqipnís jugore, të kontestueme prej Grekvet. Kështu u sigurue me vêndime e akte solemne integriteti toksuer e stabilitet’i Shtetit shqiptar së jashtmi, me nj’ata kufîj qi kishte caktuem Konferenc’e Londrës në 1913.

Por nëse rreziku i përjashtëm qe zhdukun për kombin shqiptar, nji tjetër, ndoshta edhe mâ i madh, qëndronte ende me të tânë kërcnimin e tij përmbrênda. S’âsht nevoja me qênë psikolog i thellë për t’a nduitun karakterin e nji populli qi ka rruem me shekuj e shekuj në frikë t’anmikut qi ka pasun përbrinjë në votër dhe prandêj gjithmonë me pushkë për faqe.I ndamë ndër fise e klane, ndër krahina pa udhlidhje as në mal as në fushë, posë atyne qi kishte krijuem vetë natyra dhe kâmb’e njeriut e e kafshës e me tre besime të ndryshme. I druejtun kundrejt çdo të panjohuni e çdo gjâje të re qi s’âsht ndër zakonet e tija ; rebel kundra çdo ligje a institucioni qi s’u përshtatej këtyne zakoneve ; pa nji gjuhë kombtare t’unjishme, ndonse çdo djalekt qi flitej në nji vênd kuptohej mjaft mirë në të gjitha anët e Shqipnisë ; pa shkolla e pa kurrfarë ligjesh moderne posë ça kishin lânë regjimet e ndryshme të hueja qi kishin sunduem a kaluem mbi tê njani mbas tjetrit. Me gjithë këto elemente negative, ai popull kishte në themel të natyrës së tij vërtyte e cilsina qi e kishin mbajtun gjallë në mes të gjith’atyne shtërgatave qi ishin përshkuem mbi të cilat, ndoshta, asnji popull tjetër s’do të kishte mûjtun t’i bánte pa u shkrîmë. Shqiptari âsht kryenaltë edhe nën leckat e nji të vorfni  fshihet nji natyrë princi ; prandej Shqiptari, po t’a çojë nevoja me vjedhun, nuk bracnon, por armatoset dhe ve e grabit ase bie pré me rrezik të jetës. Shqiptari ka besë : po t’a dha fjalën, shkon deri në dekë e në frikë për tê. Shqiptari âsht mikpritës : sado i vorfën qi të jetë, e ka derën çelë për të verptë (verbët) e për të shqeptë (çalë), për të njohun e të panjohun. Âsht ligj i shênjtë për tê, me mos e falë kurrë çdo dhunë e rrêng qi t’i bâjë kush “mikut” qi ka dalë prej derës së tij, e në këtë rasë asht mik edhe nji qi mbrênda as zânin s’i a ka ndîem kurrë. Shqiptari âsht patriot,  në qoftë se ksaj fjale i apim kuptimin e dashunisë për gjak e farë, gjuhë, zakone e troje të përbashkta qi i përkasin nji bashkarije. Nëse ndryshimi fetar ndîhet sadopak ndërmjet katolikut e myslimanit, ndërmjet myslimanit e ortodoksit shqiptar faqe shoshoqit përmbrênda, kjo ndjesí âsht thjesht efekt’i propagandës kishtare, e me gjithë këtê, âsht zhdukun kryekëput kurdoherë qi Vêndi âsht gjîndun përpara nji rreziku të përjashtëm, e â zhdukun deri ndërmjet kishtarëvet vetë. Âsht nji gjâ e pabesueshme, por âsht nji fakt : në Shqipní gjinden familje të përzieme myslimanë e katoliq (në Lurë, p.sh.) e myslimanë e ortodoks, si në Dukatin e Vlonës.

Ky ishte brumi i popullit shqiptar kur Shqipníja u bâ de jure Shtet më vete në 1912 e gjithashtu kur në 1920 mûjti me e pasun pavarsín e vet edhe de facto. Nji brumë prej miellli të shëndoshë, por bluem ashpër prej kohet. Duheshin duer t’afta për t’a gatuem. Por mjerisht, Shqipníja s’e pati këtë fat me drejtuesit e vet. Këta daheshin në dý klasë : mbë nji anë ishin parija e vêndit, e dame edhe kjo në dý kategorí : paríja e qytetevet e fushave pjellore dhe ajo e malevet. Kategorij’e parë përbâhej prej beglerësh e agallarësh, myslimanë, siç e thotë vetë titull’i njanës palë sidhe i tjetrës. Në kontakt direkt e të ngushtë brez mbas brezi me Turqit, zotnuesat e Vêndit, mâ tepër beglerët se agallarët përkrahës të tyne, shpirtnisht ishin turkosun qind për qind edhe ata vetë. Shumic’e tyne ishte edhe injorante ase moralisht e shfisnueme, ase të dyja bashkë. Nji provë të ndritshme për mêndsín e ksaj klase e patën Shqiptarët mû ditën qi u shpall pavarsíja kombtare, dhe va dha vetë Ismail Kemali, ai qi i kishte prîmë lëvizjes kombtare n’atë rasë e qi kryesonte kongresin revolucionar për atë qëllim. Ismail Kemal Beu Vlora i proponoi kongresit nji listë personash për të formuem qeverín’e përkohshme pa asnji të krishtênë mbrênda dhe vetëm prej asaj klase ! N’atë kongres kishte edhe delegatë të krishtênë qi përfaqsojshin plot të tretën e Shqipnísë së Londrës. Por kundra asaj liste qenë të rîjtë intelektualë t’anës myslimane, para të krishtênëvet vetë, qi protestuen. E Kryetari hoqi dorë soje, tue ia lânë zgjedhjen e ministravet drejtpërdrejt kongresit. E pra Ismail Kemal Vlora ishte nji nga beglerët mâ të ndritunit të Shqipnísë, patriot i madh dhe kishte shkuem nji pjesë të gjatë të jetës së tij n’Evropën perëndimore. Por beglerët e quejshin sundimin si nji të drejtë hyjnore për veten e tyne, mû si mbretnat e dikurshëm.

Parinë tradicionale të popullit shqiptar e damë dý pjesësh, dhe tashti po flasim edhe për pjesën e dýtë, qi âsht ajo e malevet. Dhe kur themi male, kemi ndër mênd vetëm ato të Shqipnísë s’Epër, të cilat kanë bâmë deri në fund nji jetë autonome nën ligjet zakonore të tyne, jashtë çdo ndëkimi efektiv t’administratës otomane. Ata ligje barin emnin Kanun’i Lekës ndër ato vise qi përbâjshin princnín e hershme të shtëpisë së Dukagjinit, dhe Kanuni i Skënderbeut në qarkun e princnísë së Kastriotëve. Organet zbatuese të këtyne ligjeve janë pleqsít’e viseve të ndryshme dhe në krye të këtyne të gjithave âsht, për çdo gjyq qi s’e dajnë dot ata vetë, Kapidan’i Mirditës i shtëpisë së Gjomarkajve t’Oroshit. Nji tjetër shtëpí në zâ ndër të parët e maleve të Gegnísë ka qênë ajo e Zogollit të Mates, prej së cilës duel Mbreti Zog I. Karakteristika kryesore qi dallon këtë parí prej asaj të fushës, âsht fakti qi kjo, sikur vetë popull’i atyne viseve, tue pasë rruem i papërziem me rrethet sundimtare të mbretnís otomane e aq mâ pak me popullin turk, i kanë ruejtun shumë mâ të thjeshta zakonet kombtare. Përgjithsisht këta s’kanë pamë as shkolla me sŷ, por kanë lemë e janë rritun në shkollën e natyrshme  të zakonevet e të Kanunit, bashkë me popullin, dhe njohin këtê e nevojat e tij mâ mirë se mâ i ndrituni intelektual i Shqipnísë. E qe i pari gabim i drejtuesve të Shqipnísë së re : s’e kuptuen rândsínë qi kishte kjo “shkollë” praktike e gjenuine për themelet e Shtetit qi po krijohej. Dhe ndoshta as sod s’kujtohet kush se sa shtrênjt i kanë kushtuem Vêndit pasojat e këtij gabimi, tue filluem prej luftës civile të Mirditës në 1921 e tue mbaruem me triumfin e komunizmës në 1944.

Klasa tjetër e drejtuesve shqiptarë qe “borgjezia intelektuale”. E drejta nji borgjezi me kuptimin qi ka fjala sod n’Evropë, Shqipníja s’e ka pasun, sikurse as ndonji aristokraci  të vërtetë jo. Sido qoftë, duhet t’a thomi se edhe borgjezija shqiptare, dmth. banorët e qytetevet, nji farë analogjije me borgjezinë tjetër evropjane e ka pasun, me këtë kuptim, qi edhe në Shqipní ajo përbânte klasën e mesme, ndërmjet katundsisë dhe “aristokracisë”. Borgjezi shqiptar, njimênd, si qytetar, ka qênë nën influencën direkte të sundimit otoman e nën atê të beglervet, por edhe në kontakt mâ të ngushtë me katundarin sesa vetë beglerët. Por edhe ky ka njohun vetëm katundarin e fushës, ku kishte qytete, qytete shqiptare nga të cilët mâ i madhi (Shkodër, Korçë) mbërrînte a s’mbërrînte në njizet mijë banorë. Malsori kishte fort pak punë me qytetet, ai ishte autarqik : ushqim, mbathë e veshë i nxirrte nga toka e bagtíj’e vet. Nevoja kryesore e themelore e tij për qytetet ishte krypa, për gjînd e për gjâ të gjallë. Por edhe këtê e gjênte në dyqan të katundit të vet : gati në çdo katund të malsívet kishte nji dyqan të mbajtun prej nji qytetari të fushës. Ndër qytete kishte edhe shkolla nën sundimin turk, për myslimanët shkolla turke, të cilat kishin vetëm emnin shkollë, po t’a marrim me kuptimin modern të fjalës : nji shkollë fillore me nji hoxhë (mësues feje). Me gjithë këtê nxêhej sa me shkarravitun disi ndonji rresht turqisht plot me gabime, emna veçorë për veresije tregtare dhe numra. Aty – këtu, ndër qêndra mâ të mëdhá gjîndej edhe ndonji ruzhdije me tri klasë gjimnazi t’ulët e rrallë ndonji tjetër me pesë. Por popullatat e krishtêna kishin shkollat e tyne konfesjonale, në Jugë greqisht e të mbajtuna indirekt prej Shtetit grek, e në Verí (Shkodër) shqip e italisht, mjaft të mira, të subvencjonueme prej Austro – Hungarisë e Italisë nën administrimin e mësimin e klerit katolik.

Ata qi dilshin  ashtu-kështu prej këtyne shkollave, po të kishin  familjet mundsí financore i dërgojshin me plotsuem studimet ndër qytete mâ të mëdhá të perandorís, si Janinë, Monastir, Shkup e Selanik, ase edhe në Stamboll për mësime universitare. Kështu myslimanët ; kurse katolikët lakmojshin Austrín e Italín dhe ortodoksit Greqín. Nga myslimanët rrallë ndonji djalosh prej klasës së beglervet ka mundun me studjuem kund ndër kryeqytetet e Perëndimit.

Kështu ka qênë formuem në Shqipní nën zotnimin otoman klasa e quejtun intelektuale. Mësimi nuk ishte i detyruem as ndër klasët fillore. Kush i dërgonte fëmijët në shkollë, i dërgonte për ndonji qëllim privat : borgjezija myslimane, disa për nevojë tregtije, e shumta për me i siguruem djalit ndonji zyrë n’administratën shtetnore, e beglerët – vetëm ata të Jugës – për me u  ngjitun sa mâ nalt në gjerarqinë politike e administrative të perëndorisë. Për sa u përket dý elementeve të krishtêna, borgjezia ortodokse e katolike kishin para sŷsh kryesisht tregtín, e nji pakicë e vogël kulturën për kulturë ase profesionet e lira. Por Kisha katolike të shumtën e klerit shqiptar e ka rekrutuem prej malsijet e katundsíjet.

Tashti Shqipníja ishte bâmë shtet i lirë. Me nji ekonomí primitive e, pa Kosovën qi qe bâmë, me vêndimin e Pushteteve të mëdhá, provincë jugosllave, të pamjaftueshme. Me nji popullsí malsore qi përbânte gjymsën e krejt kombit, pjesa mâ e shëndosha moralisht e fizikisht, por edhe mâ e vorfna e mâ e pastërvituna për nevojat e qytetnís moderne. Me fusha shumkund moçalore e malarike dhe me ujna qi s’i kishte rregulluem kurrë dorë njeriu. Me nji industrí thjesht artizanore. Me nji tokë 28.500 km.² e nji popullsí totale nja nji miljon frymësh.

Po t’i pyeste kush patriotët shqiptarë kur, nën zotnimin otoman, u përpiqshin për pavarsín e atdheut të vet, nëse populli shqiptar ishte i pjekun për nji eventualitet të tillë e nëse kishte mjaft gjînd të mësuem për t’a qeverisun e administruem, kishin gati nji përgjegje shumë të lehtë, por të papeshueme mirë. Thojshin : “Populli shqiptar ? Po athue s’kemi qênë shi na Shqiptarët elementi kryesuer qi ka sunduem e âsht tue sunduem edhe sod krejt perëndorinë otomane ? Athue s’qênkemi na deri te Malazezt qi kanë qênë gati gjithmonë mbë vete e janë edhe sod ? E deri te Sërbt, te Bullgarët e te Grekët madje ?” Po, por harrojshin se me qeverisun nji popull n’Evropë, donte me thânë me e qeverisun në rrugë të prosperitetit e të qytetnimit evropjan, e këta me metoda të përshtatuna psikologjisë së popullit shqiptar vetë ; harrojshin se malsorët e Malit të Zi, me Knjazin e tyne në krye, qeveriseshin vetë nj’ashtu sikur qeveriseshin malet t’ona, me ligjet e zakonet qi kishin lemë prej shpirtit t’atij populli ; se gjithë popujt sllavë të Ballkanit kishin përfituem në çdo mënyrë prej ndihmës e projës së Rusisë së madhe, e shum’a pak edhe të Pushteteve të tjera të Perëndimit. Dhe harrojshin mâ në fund, se Shqipníja vetë ishte mâ i shkëlqyeshmi shêmbull për me treguem se sa mirë ka qênë ajo administratë qi kishin nxânë Shqiptarët prej Turqisë t’atyne kohnave !

Me t’u shpallë pamvarsíj’e Shqipnís, kush mâ herët e kush mâ vonë, të gjithë zyrtarët shqiptarë të perëndorisë otomane u mblodhën në Vêndin e tyne, disa me vullnet të tjerë të dëbuem prej Turqvet. Të tânë myslimanë. Administrata e Shtetit të ri ra automatikisht ndër duer të tyne, tue pasun mbë krye klasën e beglervet. E para pasojë : element’i krishtênë e quejti me të drejtë Shqipnín e pavarme nji Turqí të vogël në Ballkan. Mëní të vjetra personale ndërmjet personalitetesh shqiptare shpërthyen qysh në Vlonë ku kishte selinë Qeveríj’e përkohëshme e Ismail Kemalit. Tipik shêmbulli i nji ministri t’asaj Qeveríje qi padiste poshtë e përpjetë kryetarin e vet për tradhtuer të shitun nji Shteti fqí, e këta pa kurrnji provë tjetër posë fjalësh qi kishte ndëgjuem prej gjîndsh të familjes së vet. Nisën rivalitetet, qi për pak  qênë tue ia bâmë vorrin Shtetit të ri pa iu premë kërthiza ende : Esad Pashë Toptani kundra Ismail Kemalit, se donte të bâhej mbret i Shqipnís. Intelektualë të shquem të Jugës nga klasa e beglervet qi për mëní personale kundra begut të Vlonës, hŷjnë në shërbim të begut të Tiranës. Shqipníja porsa e lirueme pjesisht prej okupatës sërbe dahet dý copash : pjesën jugore e qeveris Ismail Kemali e pjesën veriore Esad Toptani.

Më 7 mars 1914 zbret në Durrës princi Wilhelm von Wied, i zgjedhun prej Pushteteve të mëdhá për princ të Shqipnís. Shqipníja unjisohet përsëri, patriotët shqiptarë qajnë nga mallëngjimi, besojnë se tashmâ kanë nji atdhe të lirë me nji mbret në krye. Por shpejt gzimi kthehet në pikllim : Greqíja lëshon trupat e saj kundra Shqipnís së Jugës nën maskë bandash epirote, pushton nji pjesë të madhe  të saj dhe djeg me qindra katunde. Shtet’i ri s’ka asnji mundsí me u pruejtun : as armë, as municion, as ndonji farë organizimi  ushtarak, madje as gjindarmërí, të cilën nji tubë oficera hollandez kishin ardhun t’a krijojshin. Sikur s’mjaftonte kjo thikë e përjashtme në trupin delikat të foshnjës së porsalindun, nji zjarr i mbrêndshëm rrenimtar plasi pa pritun e pa kujtuem në Shqipní të mesme.

Së pari, kjo kryengritje thjesht popullore, u shfaq me nji ngjyrë vetëm shoqnore : nji kryengritje e klasës borgjeze – katundare kundra klasës së beglervet. Filloi me të djegunit e shtëpive të beglerëve të Tiranës e me kërkesa ekonomike. Por shpejt, ndër ata të thjeshtë hŷnë në veprim intrigat e borgjezisë fanatike myslimane t’atij qyteti për t’a kthyem në nji lëvizje politike kundra princit Wied e për nji princ prej dinastisë otomane. Evropa ishte te pragu i luftës së parë botnore. Agjentavet të Pushteteve t’Oksidentit u ndêjt nji rasë e mbarë kjo për t’i frŷmë zjarmit kundra princit gjerman, mbretnimin e të cilit në Shqipní s’mund e shihshin tashti me sŷ të mirë. Kështu lëvizja u përhap në gjithë Shqipnín e mesme prej lumit të Matit deri në Shkumbîn. Por vetëm zona qêndrore, e përbâme prej distrikteve të Tiranës, Shijakut e Kavajës ishte bâmë me gjithë zêmër viktimë e intrigave të borgjezisë fanatike e t’agjentëve të huej. Viset e tjera rretherrotull vetëm frika e terrorizmës së shefit  e gjysëm të çmênduni, Haxhi Qamilit të famshëm, i kishte shtŷmë me marrë pjesë, në nji mënyrë të përciptë n’atê lëvizje. Sa për pjesën tjetër të popullit shqiptar, qi përbânte shumicën dërmuese, kjo ishte e tânë për princin qi i kishte dërgue Evropa e bashkueme e cila, tashti qi ishte damë në dý kampe kundërshtare s’mêndonte mâ tjetër veçse interesat e saj strategjike. Për princin Wied e për flamurin e shqipes dykrênshe, dý simbolet e pavarsís s’atdheut shqiptar dhanë jetën djelmosha, myslimanë e të krishtênë, ardhun qysh prej kolonive të jashtme, me shumë Mirditas nën komandën e Markagjonit, kapidanit të tyne, shumë Kosovarë nën komandën e Currit, Boletinit e Ajdin Dragës, ky i fundit edhe vetë. Ahmet beg Zogolli ra me Matjanët e tij deri në Krujë, për t’i votun në ndihmë Durrsit të rrethuem, por mbërrîni vonë.

Mâ në fund, Durrsi s’mûjti me i qëndruem mâ rrethimit e sulmet e rrebelavet mbërrînë deri te kodrat e qytetit. Princi Wied me familjen e tij, gjithë Qeverinë e patriotët qi luftojshin atje u mbarkuem ndër anije luftet a civile qi ndodheshin në port, kush për dhé të huej e kush për skelën e Shëngjinit e andej për malet e Veriut.

Esad Toptani, i arrestuem prej princit Wied për dyshim kompliciteti me rebelat e lânë i lirë me dalë jashta Shqipníjet, mbas nji kohe të shkurtën si iku princi u kthye në Durrës nëpër Serbí e Prefekturë të Dibrës, tue mbledhun këtu e marrë me vete nji fuqí civile Dibranësh e Matjanësh. Kryengritsit së pari e pritën mirë. Por Esadi, si u ul mbë thronin e princit Wied, kujtoi se, tue u mbështetun mbi forcat civile të tijat mûnd të vepronte edhe mbë krŷe të vet. E para punë qi bâni qe me ulë flamurin e mbretnisë otomane e me ngrit nji flamur të veçantë trekandsh, të kuq e me nji yll të bardhë. Nuk shkoi gjatë e dhe ai pësoi fatin e Wiedit : mbet i rrethuem në Durrës prej kryengritësvet. Por serbët nuk vonuen me vrapuem në ndihmë të “mikut” të tyne : nji fuqí e rregullt e forcavet serbe hŷni në Shqipní e i shkatrroi rebelat e Haxhi Qamilit, dhe nën kërcnimin e këtij beslidhuni të fortë qi kishte Esadi, dorë për dorë iu shtrue gjithë Shqipníja e atëhershme. Pjesa mâ e madhja e Shqipnísë u shkel prej Austro – Hungarisë, ndërsa Vlona deri në Vjosë e Gjinokastra gjîndeshin nën okupatën italjane e Korça deri afër Pogradecit nën Frêngjit. Ushtrija serbe, qi mûndi me u tërhjekun përpara invadimit austro – hungar, 160.000 vetë gjeti hospitalitet në Shqipní me Kralin Aleksandër mbë krye dhe u bart nga skelat shqiptare prej marinës italjane.

Mbarimi i luftës e gjeti Shqipnín t’okupueme, në pjesën mâ të madhen, prej Italisë, në zonën e Korçës prej Francës e në nji pjesë të Veriut prej Serbëvet. Juridikisht traktati i Londrës, lidhun ndërmjet Italís, Francës, Anglís e Rusís në 1915 e kishte shlyem Shtetin shqiptar nga harta gjeografike. Ai traktat i zi krijonte në zonën qêndrore, prej lumit të Matës deri në qafë të Llogarasë, qi dán distriktin e Vlonës nga ai i Himarës, nji protektorat italjan dhe lênte provincat e tjera në dispozicion t’aleatvet ballkanikë, Serbí e Greqí, për t’u caktuem simbas rrethanash, prej Konferencës së paqes. Traktati u shpall në 1916 e ky aveniment qe nji rrufé përvluese për patriotët shqiptarë. Prandej asnji çudí nëse të gjithë këta, prej asaj dite e mbrapa, dëshirojshin me gjithë shpirt fitimin e perandorivet qëndrore. Lumnisht, Shtetet e Bashkueme t’Amerikës s’ishin përlyem me atë krim në kurriz të nji populli të vogël, e ky fakt kryesuer qi do t’i epte nji tjetër rrŷmë historisë qé baza e shpëtimit të Shqipnísë prej asaj katastrofe. Italija qe vetë e para qi e kuptoi situatën mbas ndërhŷmjes s’Amerikës në luftë, dhe bâni prej kalasë së Gjinokastrës, nëpër gojën e gjeneralit Ferrero, shpalljen e njohun “per la più grande Albania sotto l’egida dell’Italia”.[2]

Në dhjetorin 1918, kur dy beglerë intelektualë, Mehmet Konica e Myfid Libohova, kërkuen në Romë qi t’i lejohej mbledhja e nji kongresi shqiptar në Durrës, jo vetëm qi s’gjetën kundërshtim, por përkundrazi përkrahje e lehtësime. Kongresi kishte për qëllim kryesuer me i dhânë vêndit nji qeverí shqiptare, e cila t’administronte Vêndin e të dërgonte në Paris, pranë Konferencës së paqes nji delegacjon për të pruejtun atje të drejtat e kombit. Italjanët e ndreshën nji program të këtillë. Ata pretendojshin se nji qeverí shqiptare mund të formohej vetëm atëherë kur Konferenca e paqes të kishte dhânë nji vêndim mbi fatin e Shqipnís e se nji herë për nji herë kongresi të zgjidhte vetëm nji “komitet ekzekutiv” për të vepruem diplomatikisht në Paris e pranë qeverivet aleate. Por kongresi nguli kâmbë i patundun në programin e vet tue deklaruem se për shqiptarët Shqipníja âsht Shtet mbë vete dhe ka nevojë për nji qeverí, e Roma s’e pa me arsye qi t’a ashpronte popullin shqiptar tue e shpërdamë kongresin me forcë. U zgjodh kështu me mâ të plotën lirí, nji qeverí shqiptare nën kryesín e Turkhan Pashës, si nën Wiedin, prej 14 misesh, nga të cilët gjymsa do të përbâjshin delegacjonin e Parisit. Muerën pjesë në tê 8 myslimanë (7 beglerë intelektualë prej Juget e nji intelektual i ri populluer prej Shqipnísë së Mesme) dhe 6 të krishtênë, nga të cilët tre katolikë e tre ortodoksë.  Ndër katolikët ishte nji peshkop, kapidan’i Mirditës dhe mâ i shquemi intelektual i borgjezís shkodrane. Ndër ortodoksit ishte nji Gjirokastrit, nji Korçar e nji Elbasanas. Mund të thuhet se konfesjonalisht kjo qeverí shënonte nji përparim të madh në mentalitetin e gjithë klasave të popullit shqiptar : treqind mijë të krishtênë me 6 ministra, ndërsa shtatëqind mijë myslimanë vetëm me 8. Nga pikpamja krahinore, ka 10 jugorë e 4 veriorë, ndër të cilët vetëm nji mysliman. Sa për klasat shoqnore, beglerët vazhdojnë të jenë, si në qeverín e Ismail Kemalit e n’atê të princit Wied, thjesht të privilegjuem :  7 me 1, edhe ky i pritun mirë vetëm prej pjesës së krishtênë të shokëve të tij. Beglerët e Shqipnís, nëse ndër dý qeverít e para, 1912 e 1914, edhe në këtê të tretën janë treguem për oportunitet politik toleranta kundrejt të krishtênvet e i kanë pranuem këta për shokë, djemtë intelektualë të borgjezisë s’kanë mûndun kurrë t’i honepsin veçse si nënurdhën.

Kjo qeverí qe mâ tepër nji pohim parimor, për me i treguem botës se populli shqiptar ishte gjallë e i vêndosun me prûejtun të drejtat e veta, lirín e vet, se sa nji qeverí efektive. Në Paris, delegacioni shqiptar mûnd të shkruente sa të donte, sikurse edhe ka shkruem e paraqitun konferencës, nota e memoranda, mûnd edhe të pranohej ndonji herë me peroruem përpara zotnave të botës ; por në fund ishte forca qi fitonte, e këtê populli i vogël i Shqipnísë nuk e kishte.  Italía e përkrahte Shqipnínë deri ku të drejtat e saj nuk vijshin në kundërshtim me pretendimet e asaj vetë ; Franca, po t’a kishte në dorë, ia falte gjithë Shqipninë Pashiqit e Venizelos-it ; Anglija, si në 1913, luente mâ tepër nji rol pajtues ndërmjet tezavet kundërshtare të të tjervet pa dashun t’i prishë punë vetes me anmiqt’e Shqipnís. Wilsoni bâni ç’mûndi, por Lloyd George-i e Clémenceau-i ishin mâ të fortë se ai n’atë konferencë.

As përmbrênda qeverij’e Turkhan Pashës s’kishte pushtet me bâmë gjithë ç’ishte nevoja nën okupatën ushtarake t’Italisë. I kishte duert të lidhuna e ishte pa pare e pa forcë. Anarkija vinte tue u shtuem dita me ditë. Gjeneralët italjanë s’kishin sŷ me pamë se ç’udhë ishin tue marrë punët tue mos e lânë qeverinë shqiptare me vepruem lirisht e, mb’anë tjetër, e kapërthyeme në tryezën diplomatike me aleatët e vet në Paris, Roma s’ishte as e zonja me marrë masa ushtarake të rrepta në Shqipní.

Prej ksaj situate leu Kongres’i Lushnjes në fillim të vjetës 1920. Të gjithë patriotët shqiptarë ishin të pakënaqun e të tronditun nga rryma qi kishin marrë punët e kombit përmbrênda e përjashta, por sidomos përjashta, ku fati i atdheut dukej përpara nji rreziku të sigurtë, me gjithë patriotizmin e zotësinë e njerzvet qi ishin ngarkuem me e pruejtun. Të gjithë ishin në nji mêndim qi sa për veprimin diplomatik të qeverísë Shqipníja ishte në buzë të humnerës e se prandêj duhej treguem botës, me nji veprim populluer e kombtar t’unjishëm qi bijt e Skënderbegut, atje ke s’i vêhet vesh arsyes e urtísë, dijnë edhe me guxuem. Nëse ka pasun kush ndonji kundërshtim, ky i përkiste vetëm zgjedhjes së momentit mâ oportun për suksesin final të veprimit e jo vetë veprimit.

Në këtë përshkurtje të historisë shqiptare gjatë 32 vjet jete të pavarme, s’ka vênd për emna personash, qi për publikun e botës së madhe s’janë veçse emna e qi harrohen të kthyemen faqen e librit. Por për nji emën qi për me u njohun në botë, s’ka pritun këtë shkrimin t’onë, dý fjalë po na duken të nevojshme. Si u pa mâ nalt, shumic’e familjevet aristokratike të Tosknisë kishin nga nji përfaqsues të vetin në qeverí. Prandêj ato s’kishin si të merrshin pjesë edhe në nji kongres revolucjonar siç ishte ai i Lushnjes, të cilin vetvetiu do t’a çonte puna me u shprehun kundra asaj qeveríe. Por ishin atje beglerët e Elbasanit, Toptanët e Tiranës, dhe Zogoll’i Mates, persona qi prej asaj dite e mbrapa do të bâhej protagonist’i historisë shqiptare deri në 1939.

Asnji familje aristokratike shqiptare s’ka pasun  mûndsí me provuem në nji mënyrë të bindshme nji origjinë paraturke, përveç shtëpisë së Gjonmarkut të Mirditës, e cila, tue qênë katolike dhe vazhdimisht në krye të krahinës së vet, edhe kjo krejt katolike, e tue pasun edhe prerogativën ab antiqua[3] me damë gjyq, nuk lên asnji dyshim mbi origjinën e vjetër të saj, ndoshta trashigimtare e princve të Dukagjinit.

Por edhe emn’i Zogollit ka nji karakteristikë kuptimtare. Asht i përbâmë prej fjalës zog, thjesht shqip, dhe fjalës turqisht ogli qi don me thânë i biri e përdorej kështu prej turqve të motshëm për familje sundimtare, siç na e tregon vetë historija otomane. Në gjithë Shqipnínë, ka vetëm edhe nji familje tjetër me nji emën të këtillë me rrânjë shqiptare e me prapashtesën turqishte qi dëften cilsí princore : âsht ajo e Gjinollit të Kosovës.

Ishte djalë i ri 26 vjetsh Ahmet beg Zogolli kur përfaqsoi Maten në Kongresin e Lushnjes. Para tetë vjetsh, kur plasi lufta ballkanike kundra perëndorisë otomane, qe i shtrënguem me premë studimet qi ishte tue bâmë në Stamboll për me u gjîndun n’atë rasë të rândsishme pranë bashkvêndasve të vet. Kur po okupohej Shqipníja prej Serbvet e Turqíja  s’kishte asnji fuqí për t’a pruejtun, ai kishte vêndosun, qi të mos e lênte anmikun me e shkelë tokën e Matës pa gjak. E dinte se s’kishte mjete për t’a prûejtun, por nji qëndresë simbolike, mêndonte se i përkiste me e bâmë. Nëpër gjithë qafat e malevet rretherrotull Matës, nga mund të kalojshin serbët për me ramë n’atë luginë u zunë prej matjanvet. Serbët s’panë ndonji interes ushtarak me u futun n’atë gropë dhe çanë përpara drejt Adriatikut. Por popull’i Mates e quejti se ata patën frikë qi nuk e mbësŷnë, e u krenue fort për këtë “ngadhnjim” pa pushkë. Prestigji i begut të ri 18-vjeçar qi kishte vrapuem qysh prej Stambolli për me shpëtuem vêndin e vet hŷpi në qiell ndër sŷ t’atij populli për gjithmonë, e rrethanat për me i a forcuem. Kur u mblodh kuvêndi kombtar në Vlonë më 28 nânduer 1912, Ahmet begu s’pat mûndun me marrë pjesë, se ishte i zânë me punët e vêndit të vet. Por mbasi e pat “shpëtuem” Maten prej invadimit t’anmikut dhe vûmë për fije punët e mbrêndshme, ai u nis për Vlonë me nji forcë t’aqmjaftueshme për sigurimin e vet gjatë udhës nëpër vise t’okupueme prej anmikut. E mbasi nënshkroi proçesverbalet e kuvêndit, u përgzue me qeverinë e Shqipnísë indipendente, e u njoh me përfaqsuesit e gjithë Shqipnísë të mbledhun atje për disa dit, u kthye përsëri në Mat. Kur Serbët e patën liruem nji pjesë të Shqipnísë në 1913 mbas vêndimeve të konferencës së Londrës e Shkodra gjîndej ende e rrethueme prej Serbo – Malazezvet, ai qe nisun me nji fuqí matjanësh për t’u votun në ndihmë të rrethuemvet, por nuk mûndi me e çamë rrethimin e iu desh me u kthye prapë. Kur erdhi në Shqipní princi Wied, ai vot në Durrës me krenët e Matës për me i paraqitun homazhet sunduesit të Shqipnísë së lirë. Kundra rebelísë së Shqipnísë së mesme, e kemi përmêndun mâ nalt tentativën e tij për t’i ndihmuem atij princi. Me gjithë qi t’âmën e kishte Toptaneshë, Esad Pashës nuk i ndihmoi n’asnji përpjekje qi bâni për t’u bâmë i par’i vêndit. Nji kontigjent i vogël matjanësh qi e muer mbrapa Esadin në 1915, mbasi pat ikun Wiedi, ishin pasvojtës personalë të tij. Kur në 1916 Shqipníj’e Veriut dhe e Mesmja qenë okupuem prej Austro – Hungarísë, Ahmet beg Zogolli u vû në komandë për me shliruem Vlonën prej okupatës italjane. Vjena i dha gradën e nji koloneli trupash civile. Por mâ vonë  tue koncepuem dyshime politike për tê e detyroi me votun e banuem në Vjenë, ku mbet deri në mbarimin e luftës e prej së cilës u kthye në Mat mbas kuvêndit të Durrësit, i prekun sepse nuk ishte zgjedhun edhe si ministër.

Qe me këto precedente, paraqitej begu i ri i Matës në Kongresin e Lushnjes për me filluem karjerën e tij të shkëlqyeshme në skenën politike. Shpesh herë, fati i nji njeriu e mandêj edhe i nji kombi varet prej nji rase pa kurrfarë rândsíje, qi kurrkujt nuk i bie në sŷ : sikur në Kuvêndin e Durrsit t’i kishte ramë në mênd ndokujt qi në listën ministrore, në mes të shtatë beglerve jugorë mungonte nji beg prej Gegnije e se Ahmet beg Zogolli i kishte të gjitha cilsitë, me gjithë  moshën 25-vjeçare, për me zânë nji vênd n’atê shoqní, ka shumë gjasë qi ky mos të kishte qênë mbas nji vjete pjestar i atij kongresi a qi kongresi mos t’ishte bâmë fare, ase t’ishte bâmë ndër tjera kushte e me tjera pasoja për fatin e Shqipnísë. Por këto hipoteza s’kanë vênd me u zhvilluem këtu.

Fakti historik âsht ky, qi djaloshi aristokrat i Matës qe figura qi dominonte për shumë arsye mbi gjithë të tjerat n’atê kuvênd. Pikë së pari për prestigjin e forcës qi kishte përpara në vêndin e tij, forcë e ndëgjueshme ndaj të parin e vet, e cila në rasë nevoje mund të luente nji rol me rândsí. E dyta, pse ishte djalë i ri, plot me energjí e guximtar, siç e lypshin rrethanat. E treta, se ndër sŷtë e intelektualëve borgjezë ishte i lamë prej disa mëkatesh qi ato ankojshin në klasën beglere të fushës me çifliqe e bujq të ndrydhun e të shfrytuem : ai ishte beg malsije, e malsorët s’kanë bartun kurrë zgjedhë e çdo shpërdorimi shoqnuer i janë përgjigjun me pushkë. E katërta, familja e Zogollit s’lëvdohet, si shumë aristokratë të tjerë të Shqipnísë, me vezirë e guvernorë prej së parësh të tyne qi i kanë shërbyem perëndorëve otomanë, ndër disa rasa edhe kundra atdheut të tyne, e s’ka qênë zbutun prej qytetnísë orjentale të korruptueme. E pesta, vetë Ahmet begu, me gjithë qëndrimin e tij naltisht aristokratik, plot me dinjitet e mandej edhe me nji kryenaltí porsa të ndërpashme, kishte edhe mënyra mrekullisht demokratike e të dashuna sidomos me gjînd të stërvitun, sa me tërhjekun simpatín e kujdo qi të vinte në kontakt me tê. Shtëpija e tij në Burgajet të Matës qe bâmë në kohën e kryengritjes kundra Wiedit e Esadit nji strehë mirpritëse e shumë patriotve t’ikun prej terrorit të Haxhi Qamilit.

Kongres’i Lushnjes zgjodhi nji qeverí të re, ku Ahmet beg Zogolli qe ministër i mbrêndshëm, qi në Shqipní donte me thânë factotum i gjithë qeverísë. U vêndos qi aty e mbrapa, jo mâ Durrsi, por Tirana t’ishte kryeqytet i Shqipnísë. Italjanët nuk ndërhŷnë n’asnji mënyrë ndër punët e kongresit as ndër vêndimet e tij. Mbetën vrojtës pasivë me kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm te ur’e Shijakut ndodhi nji incident i vogël qi do të kishte mûndun me u bâmë edhe fort i madh n’ato rrethana. Nji patrullë italjane nuk desh  t’i lênte me kaluem t’armatosun për Tiranë ministrin djalosh me njerzit e tij. Por ky u përgjegj me zâ autoritar : “Jam ministri i mbrêndshëm i Shqipnís indipendente e do të shkoj përpara me të mijt t’armatosun kështu si jemi. Ju përdorni armët qi keni në dorë në guxofshi !” edhe i dha kalit tutje, ndërsa roja italjane mbet shtângun pa zâ. Kongres’i Lushnjes kishte triumfuem. Posë qeverísë së verevërteshme, dmth. Kabineti ministruer, kongresi emnoi edhe nji Kshill të Naltë prej katër vetësh, dy beglerë gegë, nji ortodoks e nji katolik, si regjencë me prerogativa mbretnore ase si nji presidencë kolektive të nji republike : kishte mbetun e pashqueme në statutin embrijonal të hartuem. Nji kshill legjislativ me emën senat qe zgjedhun prej kongresit.

Ndërsa pushtetet e reja të vêndosuna në Tiranë po përpiqeshin me krijuem nji aparat administrativ e sigurimi të përmbrêndshëm dhe pa e pasë shtrîmë ende pushtetin efektiv veçse në nji pjesë të Vêndit, nji grusht fatal ngrêjti kryet e u duk kërcënueshëm prej kufîjvet të Jugosllavisë deri ke portat e kryeqytetit : esadizma. Esad Toptani, qysh nga okupimi austriak i Shqipnísë, ishte vêndosun në Paris, i njohun de facto për Kryetar Shteti në mërgim vetëm prej Francës për të favorizuem planet e Pashiqit për dam të Shqipnísë. Me Italínë ishte prishun fort shpejt në mërgim dhe krejt politikën e tij e kishte mbështetun mbi Serbët, të përkrahun prej diplomacisë frênge. Përndryshe, me t’u shprazun Shqipníja prej Austro – Hungarvet do të kishte mûndun me kthyem, dhe me të vështirë se do të kishte pasun nji Shtet shqiptar, por vetëm nji Shqipní si ajo qi caktonte traktati i fshehtë i Londrës në 1915. Tashti ai nisi me vepruem në Shqipní me anën e agjentëve të vet, tue pasun për bazë veprimi qytetin e Dibrës në zonën e Serbísë. Ky veprim kishte filluem qysh para kongresit të Lushnjes. Çeta të mëdhá u formuen në krahinën e Dibrës e nëpër fushat e Shqipnísë së mesme, së pari vetëm për propagandë disfatiste e për të shtuem prozelitët. Durrës, Kavajë, Shijak, Krujë e Tiranë, posë me gjithë krahinën e Dibrës virtualisht ishin bâmë esadiste. Matën e mbante jashtë vetëm influenca personale e Ahmet beg Zogollit. Elbasani mbahej ende disi mirë. Por sikur të përgatitej nji bazë, sado e ngushtë, për shêmbull prej Dibre deri në Krujë, për nji zbritje personale të “Pashës”, pa asnji dyshim gjêndja ishte e pjekun për nji pritje triumfale të tij prej Dibre në Lesh, prej Leshje në Vjosë e prej Vjose deri në Pogradec. Krejt ushtría italjane në Shqipní do t’a kishte lânë përtej Vjosës rêndin në Vlonë.

Ky ishte plani i Esad Toptanit e i prozelitve të tij në Shqipní, të cilin mjerisht, as nacionalistat shqiptarë të gjithë as pushtetet italjane në vênd s’kishin mbërrîmë me e kuptuem. Mâ zí, disa patriotë shqiptarë patën pasun miopinë politike e mizerjen morale deri me bâmë aleancë me esadistat kundra qeverísë së Durrsit. Kjo aleancë i prodhoi efektet e veta deri në Kongresin e Lushnjes me ato pasoja qi do t’i shohim tashti shpejt. Zbatimi i këtij plani u tentue. Nji ditë të dhetorit 1919, çetat esadiste i u rrasën mbrênda qytetit të Krujës nën komandën e nji Krutani, ish oficeri t’Esadit, dhe muerën në dorë administratën lokale pa pushkë të shtime. S’kishte atje asnji forcë qeveritare, posë nji numuri të kufizuem gjindarmësh vêndas, të cilët, në mos tjetër, vetëm për mos me u përgjakun me vêndas të tjerë nuk kundërvepruen. Por vetë populli i Krujës dijti me i dalë para me urtín e tij nji situate qi, si u tha, mûnd t’ishte bâmë tragjike. U mblodh ajk’e burrave të qytetit dhe arsyetoi e vêndosi : “Wilhelm Wiedin, në 1914, s’e pat thërritun Shqipníja për mbret, por e pat dërguem Evropa ; ai âsht ende gjallë, e ka edhe nji djalë ; prandêj, me u çuem sod na e me zgjedhun nji mbret tjetër, do t’ishte baraz si me u çuem kundra Evropës, gjâ qi Krujës s’i duket punë e urtë me bâmë për nji mbret a nji tjetër. Por na pohojmë të gjithë nji zânit se në qoftë qi Esad Pasha vjen si mbret me pëlqimin e Evropës, mirë se të vijë, e na do të gzohemi. Ndryshe jemi kundra çdo trazimi qi të bâhet për t’a sjellë këtu përdhunë e pa pëlqimin e Evropës.”

Këtë vêndim solemnuer, të gjithë krutanët, burrë për tym, e forcuen edhe me bé e e nënëshkruen  si besë të paprekshme të qytetit, tue formuem edhe nji komisjon gjashtë vetësh për të siguruem respektimin e tij. Mbasandaj ftuen edhe të pesëdhjetë katundet e distriktit për aderimin e tyne në këtë besë. Të gjithë aderuen me të njimêndat formalitetet qi u bânë prej qytetarvet, e “besa e Krujës”, siç qe pagzuem aso kohe, u bâ besa e gjithë distriktit të Krujës, e komisjon’i besës u bâ 12 vetësh tue ia shtuem edhe 5 të tjerë nga paríja e katundevet. Për t’a vorrosun definitivisht problemën esadiste, kruetanët kishin ndër mênd me e shtrîmë këtë besë edhe ndër distriktet fqîj, Tiranë, Shijak e Kavajë, ku esadizma kishte agjentat kryesorë të saj e mâ tepër prozelitë. Qeverij’e Durrsit do t’i epte besës së Krujës gjithë përkrahjen e saj zyrtare për këtë veprim paqsuer. Mirpo shumicës së nisjatorve të kongresit nuk ju prit, dhe e bânë tue u mbështetun kryesisht mbi fautorë ndikimtarë t’esadizmës pa pritun të kryemit e ksaj vepre. Dhe, siç e kemi cekun rrëshqitas diku mâ nalt, shi nji ky shkak i la nji pjesë të vogël patriotësh pasivë kundrejt asaj nisjative kombtare e disa tjerë i bâni kundërshtarë.

Esadistat qi kishin përkrahun Kongresin e Lushnjes pretenduen mâ vonë, me arsye ase jo, qi atyne u ishte premtuem se ajo qeverí qi do të dilte prej atij kongresi kishte për të thërritun në Shqipní për me sunduem të parin e tyne. E kur nji grishje e këtillë nuk ngjau dhe u pa se nuk do të ngjante kurrë, ata nisën nji shtrëngim t’armatosun. Forcat esadiste u varën prej Dibre tërposhtë e von’e zunë Prezën me qëllim qi të pritshin udhlidhjet ndërmjet Tiranës e krahinavet veriore ; ndërsa forca të tjera të rekrutueme në qarkun Durrës – Tiranë u përqëndruen nën komandën e Osman Balit mu te portat e kryeqytetit. Qevería gjîndet në mëshirë të këtyne forcave rebele pa asnji mûndsí me kundërvepruem me armë. Ahmet Zogu dron me thërritun forca personale prej Matje, se esadizma ka marrë mjaft gjânë edhe atje, aq sa Halit Lleshi i Dibrës e Tafë Kaziu i Murrës, para se me ramë në Jallí e nisën veprimin e tyne tue i vûmë zjarrin mû shtëpisë së ministrit në Burgajet pa u hŷmë gjêmb në kâmbë. Por pse vallë forcat esadiste s’mbësŷjshin me hŷmë në kryeqytet mbrênda e me marrë qeverínë në dorë, gjâ qi mûnd t’a bâjshin kur të dojshin, ndoshta me fort pak dâm ? Ata pa pikë dyshimi veprojshin mbas udhzimesh qi kishin prej Esadit vetë via Beligrad – Dibër. Esadi dronte ndoshta nji kundërveprim të fuqísë ushtarake italjane ? Mûndet. Por mâ tepër dronte ndoshta prestigjin moral të nji qeveríje të dalë prej nji kongresi kombtar, e prandej donte qi kjo vetë t’a thirrte. Ndërsa kjo mbë nji anë përpiqej me mbajtun me fjalë anmiqt tue i marrë me të mirë e tue u premtuem qi dëshira e tyne do të realizohej, por me urtí, për mos me provokuem Italinë qi ishte kundra Pashës ; e mb’anë tjetër bânte çmos për të forcuem veten, me aq sa mûndej, në kryeqytet e për të fituem përkrahjen e krahinave t’afërta qi, ndonse të pakënaquna, e dinte se ishin kundra Esadit, psh. Krujën. Mâ në fund, nji stratagjemë e Ahmet Zogut shërbeu si paliativë për t’i dhânë qeverísë edhe do kohë për me punuem pa drashun befasi. U proponoi forcavet anmike me shtimë plak vetë Esadin me anë të nji delegacioni mikst për t’u dëgjuem në Paris nga an’e të dy palëvet. Rebelët e gëlltitën këtë hap të praruem. E ndërsa zgjatën marrëveshjet për formimin e komisjonit e udhtim’i tij të shkuem e t’ardhun deri në Paris, i a bef në Tiranë prej Vjene ku gjîndej nji patriot i madh, trim e guximtar : Bajram Curri. E deri atëherë qevería kishte mbledhun në Tiranë tinzisht e pa zhurmë nji farë force sa me i mjaftuem guximit të Currit për t’i u vûmë mbë krye e me sulmuem forcat esadiste qi ishin tue pritun të qetë pleqnimin e të parit të tyne nga Parisi. Bajram Curri i fshiu këta mbrênda pak ditësh dhe arrestoi  nji tufë krenash esadista në zonën mâ t’infektueme : Tiranë,Kavajë e Shijak, deri në Prezë. Qeveríja e Tiranës pat shpëtuem për mrekulli me zgjuetinë e nji persone dhe guximin e nji tjetre : Ahmet Zogu e Bajram Curri.

“Populli Matës âsht shum’i mirë, i ndershëm e i ndëgjueshëm ; por s’e lânë të qetë paríja në grindjet e tyne me shoshoqin. Jam tue u përpjekun me e shpëtuem prej influencës së tyne.” Kështu i thoshte Ahmet beg Zogolli nji mikut të vet n’intimitet më 1914. Ndoshta pa të drejtë, por mikut nuk i u dukën fjalë n’erë këto, tue qênë edhe andatar historije, i u kujtue pa dashun Luigji XI. Motmot mâ vonë s’flitet vetëm për Maten, por për gjithë Shqipnínë. Të njâjtit mik i bie me ndëgjuem prej lalës, nji analfabet dinak qi e kishte pasun nën kujdes qysh së vogli : “Shqipnínë nuk mund t’a sundojë veçse njâni nga këta katër vetë : Ismail Kemali, Esad Pasha, Prengë Bibdoda e Ahmet begu. I pari âsht burrë i dijshëm, por s’ka jetuem kurrë në Shqipní e prandej s’e njeh popullin e as populli atê ; i dyti âsht tradhëtuer ; i treti tue qênë katolik, s’i përket me urdhnuem mbi nji popull qi 70% âsht mysliman e 20% ortodoks…”

S’ka asnji dyshim qi begu i Mates, pinjuell i nji familjeje feudale, ka pasun qysh në të ri të vet tendime qi e shtyjshin me e shtrîmë pushtetin e vet përtej kufîjvet qi kishte trashiguem, së pari tue hjekun çdo ndikim personal tjetër në distriktin e tij e mbrapa deri ku mûnd të mbërrînte me atë forcë, me cilësitë natyrore të tij, e me ndihmën e rrethanave politike të Vêndit. Të gjitha këto elemente i dhanë dorën shoshoqit për t’a qitun 26 vjetsh në skenën politike kombtare si nji farë “shpëtimtari”, si âsht thânë e shkruem për tê qysh në rasën e Kongresit të Lushnjes e përsritun edhe ndër rasa tjera mâ vonë. Miradija për këdo qi bân nji shërbim nga an’e atyne qi janë objekt i atij shërbimi âsht nji detyrë ; por zmadhimi i miradijes  pa përpjesí, e deri në lajkatime pa dinjitet, askund s’âsht mâ i dâmshëm se në politikë, si për kombin ashtu edhe për vetë personën së cilës i prodigohen. Tepër vështirë âsht me i njohun njeriu meritat e veta pa i zmadhuem, sado pak. E kur në këtë zmadhim i ndihmon edhe opinioni i të tjervet, ai vetë shkon edhe disa hapa mâ përtej. Prandej, nëse Ahmet begu e ndjeu veten sipër kolegëve të vet në kabinetin e Qeverís qi duel prej Kongresit të Lushnjes, në se qe i zoti me e çmuem gjêndjen e vërtetë të Vêndit e të masavet qi imponoheshin dhe me energjinë e tij vërshuese veproi në disa rasa mbë krye të vet pa humbun kohë me kshillin ministruer e me parlamentin, nuk ishte rasa me e paditun për diktator, sidomos prej anës s’atyne qi pak muej përpara e kishin ngritun në qiell me lavde, e me shkaktuem nji krizë pa vênd. Me gjithë këtë, kështu u bâ e Zogu mbeti jashtë qeverísë së re qi u formue.

Nën sundimin otoman vlonte nji patriotizëm gjenuine ndër zêmrat e intelektualvet shqiptarë, ata e dojshin Shqipnínë me të njimêndat ndîesí qi ngrohin zêmrën e nji biri për t’âmën. Qyshse po thom “ndër zêmrat e intelektualvet”, merret vesh vetiu se jam tue folë për nji patriotizëm jo vetëm të ndîeme, por edhe të kuptueme, t’arsyetueme ; e cila ka nisun të zhvillohet ndër bijt e shqipes jo mâ heret se nja nji të katërt shekulli para këtij të sodshmit përmjet shkrimit shqip. Në gojë të shqiptarit, emn’i kombsísë së vet ka qênë shqiptuem kurdoherë me nji farë krenije, siç e tregojnë do fraza kso doret : “Jam shqiptar !”, qi donte me thânë jam burrë me virtute të vjetra qi s’i ka kurrkush i tjetër kombi. “Mo, bre ashtu, se je shqiptar, a s’të vjen marre ?” kur flitte a bânte kush ndonji të pagjashme. Por kur nisi me u zhvillue ndër Shqiptarë të stërvitun ndërgjegja kombtare, kjo fjalë fitoi edhe nji kuptim të ri, mâ të ngushtë : Shqiptar u identifikue me patriot, gati si me dashun me ia mohuem kombsinë shqiptare atij qi s’mêndonte për nji Shqipní të lirë, e me kuptimin e patriotizmës shqiptare u krijue fjala shqiptarizëm. Shqiptarizma u bâ si nji farë masoníje, të gjithë ata qi e quejshin veten shqiptar me këtë kuptim të ri ishin vllazën, në çdo anë të botës qi të gjîndeshin, kishin të gjithë nji ideal të vetëm qi i shtrëngonte krah për krah e zêmër për zêmër.

Kjo ndjenjë, kjo vllazní zgjati deri ditën qi ideal’i përbashkët u sêndërtue, qi Shqipnía u bâ Shtet mbë vete, i lirë. Bashkë me këtê lenë shkaqe dasíje qi përpara s’ishin, patriotizma i a lëshoi vêndin politikës, me të gjitha veset e këqija qi kjo zgjon në çdo popull të papjekun ku s’ka nji fuqí institucionale qi t’i mbajë në frê. Mâ par’e mâ dalë lakmíj’e pushtetit. Nuk do të sjell përshêmbull Esad Toptanin qi s’ka qênë kurrë as intelektual, as patriot. Por tubë intelektualësh prej mâ së parës klasë e të njohun për patriotë të shquem, ata ç’i shtŷni me i dhânë shkëlqim nji fytyre nga mâ të zezat qi kishte pjellë toka shqiptare ? Kishte ndër ta nji intelektual revolucionar qi tânë jetën e kishte shkuem me propagandë kombtare, në luftë për shlirimin e atdheut e ndër mundime ; nji pinjuell të nji familjeje naltsisht patriotike e cila ka ndezun mija zêmrash shqiptare me flakën e dashunisë s’atdheut ; nji personalitet t’administratës otomane qi ka mbërrîmë në Shqipnín’ e lirë në kulmin e karrjerës politike ; nji intelektual qi krejt jetën e vet e ka shkuem përjashta në botën perëndimore e qi s’vênte kurrkênd përmbi vete për dituní e patriotizëm ; dhe mâ  në fund nji tjetër intelektual me nji oratorí demagogjike të prehtë.

[1] Dorëshkrim

[2] It. “për mâ të madhen Shqipní nën mbrojtjen e Italisë” (E.M.)

[3] Lat. : Prej kohëve të vjetra

Dodona, një fëmijë në pranga përballë hetuesit Maqo Pecani

Donika Doko, 15-vjeçarja një vit hetuesi në korridoret e errëta të Sigurimit të Shtetit. Bija e Sanije Dokos, e dënuar gjithashtu si armike e popullit, motra e Bujar Dokos, përkthyesit të famshëm që u burgos në moshën 21 vjeçare… Pjesë e vogël nga historia tronditëse e familjes Doko

Nga Luljeta Progni

Ulur mbi një karrige në oborrin e shtëpisë, në rrugën Gjon Muzaka, Sanije Doko ishte kërrusur mbi një letër që po e lexonte me padurim. Me sytë të trembur, por edhe me një farë krenarie, ajo as që po e vinte re se para saj ishte shfaqur bija e vogël Dodona (Donika Doko) që sapo ishte kthyer nga shkolla. Vajza u afrua dhe e hodhi vështrimin drejt e tek ajo letër, ku ishte përqëndruar aq shumë e ëma. Sanija brofi në këmbë dhe tentoi ta largojë letrën nga sytë e së bijës. Por Dodona e kishte lexuar tashmë letrën, aq sa të kuptonte se atje diçka shkruhej për të vëllanë, Bujar Dokon. Prej ditësh, Dodona qante papushim në krevatin e saj nga malli për të vëllanë, Bujarin, i cili nuk vinte më në shtëpi si çdo darkë e nuk kish kush e përkëdhelte të voglën e shtëpisë… Bujari ishte njeriu më i dashur për Dodonën. Bujar Doko kishte pak kohë që ishte arrestuar. Ishte viti 1946, koha kur diktatura po vriste e burgoste pa mëshirë, qindra djem e vajza, burra e gra, kundërshtarë të regjimit komunist. Bujar Doko ishte një ndër djemtë më të shkolluar e të kulturuar të kryeqytetit, dhe tamam për këtë arsye, ai duhet të ishte pas hekurave të burgut, si kundërshtar i regjimit komunist që sapo kishte vendosur diktaturën në Shqipëri. Donika Doko, ose Dodona, siç i thërriste Bujari me përkëdheli, e vuajti shumë burgosjen e të vëllait, ndaj dhe kërkonte me doemos të dinte se çfarë shkruhej në atë letër për të.

Pas disa debatesh, Sanija e lejoi Dodonën ta shohë letrën. Dodona ishte vetëm 15 vjeç. Letra ishte një tekst shumë i rrezikshëm për të, dhe në fakt, ajo letër do t’i paracaktonte një rrugë të vështirë, shumë të vështirë për një vajzë ende të parritur. Ishte një trakt ku përshkruhej gjyqi i të vëllait, Bujarit dhe dhjetë shokëve të tij antikomunsitë, atje ku djemtë kishin rezistuar ndaj torturave e ndaj akuzave të padrejta të prokurorëve gjakatar, kishin kundërshtuar me guxim sistemin komunist dhe për këtë arsye, ishin dënuar me burg. Në trakt, lavdërohej qëndrimi i tyre dhe theksohej se vendimi i gjyqit ishte i padrejtë. Ky tekst e kishte mbushur me shpresa 15-vjeçaren Donika Doko. Në kundërshtim me këshillën e së ëmës, ajo e mori traktin dhe e fshehu në një prej fletoreve të saj.

Donika ishte një ndër nxënësit e liceut të Tiranës, që ishin të dënuar të mos bëheshin pjesë e organizatës së rinisë. Si shumë të tjera vajza të liceut, nuk e kishte marrë dot triskën e rinisë dhe kjo ndarje e kategorizonte atë si pjesë e shtresës së armiqve të popullit. Miqësitë e saj në shkollë ishin të pakta. Siç e përshkruan edhe në dëshminë e saj, ajo qëndronte vetëm, nuk kishte shoqe, madje nuk afrohej as me të tjera shoqe të grupit të armiqve të popullit, atje ku i kishte caktuar regjimi. Kishin frikë të rrinin bashkë, se mund të akuzoheshin për aktivitet kundër pushtetit popullor. E megjithatë, Donika do ta gjente mundësinë ta ndante me të tjerë traktin e mbështetjes për të vëllanë, Bujar Doko. Fati i keq e çoi në vendin e gabuar. Donika e ndau traktin me një vajzë e cila e çoi drejt e tek zyrat e Sigurimit të Shtetit. Tamam këtu, nis kalvari i saj, kalvari i një fëmijë që do të rritej nëpër hekurat e burgjeve komuniste. Dodona u arrestua në prill të vitit 1946, sapo kishte mbushur 15 vjeç.

Në shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të të miturve, Donika Doko përfundon në hetuesi e arrestuar si armike e popullit, “për agjitacion e propagandë, në përpjekje për të rrëzuar pushtetin popullor”.

Fëmija para hetuesit

Një vajzë e vogël, e imët, me sytë e bukur, por pa shkëlqim, e llahtarisur nga errësira që mbulonte korridoret e Sigurimit të shtetit… kishte mbërritur e prangosur në një prej zyrave famëkeqe, ku e priste hetuesi hijerëndë, Maqo Pecani. Ishte ora 10, ditë e hënë, më 24 prill të vitit 1946. Dodona rrinte e trembur përballë hetuesit, i cili e pyeste atë për veprimtarinë armiqësore, duke e kërcënuar se nuk do të dilte kurrë prej atyre hekurave, nëse nuk do të rrëfente bashkëpunëtorët. Dodona e vogël nuk kishte çfarë të tregonte më shumë se sa kishte bërë, një trakt në mbrojtje të të vëllait që e kishte ndarë me një vajzë tjetër, tek e cila kishte besuar.

Përgjatë një viti hetuesi, Dodona do të përballej në mënyrë të pazakontë, me egërsinë e regjimit diktatorial që s’po kursente askënd, as fëmijë si ajo. Në të njëjtën kohë kur ajo qëndronte në hetuesi, në një tjetër qeli, gjendej e ëma Sanija, e cila gjithashtu ishte arrestuar për traktin në mbështetje të të birit. Ai gjendej në një tjetër qeli, në tjetër burg. E gjithë familja pas hekurave. Një ndër historitë më tronditëse të viktimave të regjimit komunist. Arrestimi ishte vetëm fillimi i një kalvari që do t’i përndiqte deri në fund të jetës.

Dëshmi

Sot në orën dhjetë, ditën e hënë i vjetit njimijë e nanqind e dyzetë e shtatë, në seksionin e  Sigurimit të Shtetit Tiranë, përpara meje nënkolonel Maqo Pecani, merret në pyetje e quajtura Donika Doko, e bija e Xhaferrit dhe Sanijes. Nuk di nëse ndonjëri nga prindrit të ketë qenë i dënuar nga gjyqet deri tani.

Quhem Donika Doko, kam lindur në vitin një mijë e nandqind e tridhjetë e një në Tiranë, me banim të përhershëm në Tiranë, rruga Gjon Muzaka, numër pesëdhjetë e tetë. Jam shtetase shqiptare dhe rrjedh nga shtresa e mesme. Kam kryer shkollën fillore në Tiranë, në vjetin një mijë e nandqind e dyzet. Kam qëndruar dy vjet pranë familjes dhe pastaj kam filluar të ndjek shkollën e mesme liceun dhe jam në klasën e katërt të liceut Tiranë. Nuk jam dënuar ndonjëherë prej ndonjë gjyqi, jam beqare…

Është e vërtetë që në muajin prill të këtij viti kam patur një trakt në dorë i cili fliste kundër dënimit të vëllait tim Bujarit, prej gjyqit të popullit. Trakti fliste edhe për shokët e vëllit tim që u dënuan bashkë me të si Petrit Toto, Kujtim Koculi e të tjerë. Trakti fliste kundër vendimit duke e quajtur të padrejtë dënimin e tij e të dhjetë të tjerëve, trakti shpjegonte se të gjithë të akuzuarit kishin mbajtur qëndrim të mirë në gjyq, si nacionaliste… kishin sharë Partinë Komuniste… e të tjera…

Unë e kam parë një ditë traktin në dorën e nënës time Sanije Dokos, kur po e këndonte. Në atë kohë, isha kthyer nga shkolla dhe e pyeta nënën se çfarë po këndonte. Më tha se ishte një letër. E pyeta se kush ia kishte dhënë, dhe më tha se e kishte gjetur në oborr. Ia mora dhe nisa ta këndoj dhe më pas, e futa në një fletore. Nëna më këshilloi të mos e merrja e të mos ia jepja asnjeriu, por unë nuk e dëgjova. Nuk më kujtohet mirë data, por mbaj mend se pas pak ditësh ia dhashë në dorë T.Tasit që ta lexonte. Ia dhashë sepse vetëm për atë e dija se kishte njerëz të saj në burg. Nuk pata bisedë me të, dhe nuk e mbaj mend a ma ktheu traktin apo jo, por mbaj mend që më tha: ç’janë këto budallallëqe, mua nuk më duhen këto.

Unë kam parë vetëm këtë trakt dhe nuk e di nëse mamaja ime ka parë të tjerë dhe nuk di nëse motra ime Lumturija ka pasur dijeni për këtë trakt e as babi im. Unë nuk kam folur kurrë kundër pushtetit popullor, me asnjë shoqe, si në shkollë, dhe jashtë saj. Unë nuk e kam triskën e rinisë dhe qëndroj vetëm, e pashoqëruar me askënd, por as me të tjerët që nuk e kanë triskën e rinisë.

Nuk kam tjetër për të thënë. Thëniet e mija janë të vërteta dhe pasi i këndova, jam gati t’i firmos”, kjo është dëshmia që ka dhënë Donika Doko (Dodona) para hetuesit Maqo Pecani.

Pas një viti hetuesi, ajo u dënua me një vit burg. E ëma Sanije Doko u dënua me 3 vite burg. Donika u dënua më pak se e ëma, për shkak të moshës së saj të mitur. Dodona i mbushi 16 vjeç në qelitë e Sigurimit të Shtetit, nën presionin e hetuesve të pashpirt, larg nënës së saj, larg të vëllait e pjesës tjetër të familjes. Pas një viti, Dodona u lirua nga burgu. Të tjera beteja kishte përpara. Për shumë vite, iu desh të endej sa në një burg, në një tjetër, në përpjekje për të mbajtur shpirtin gjallë të ëmës Sanije e të vëllait Bujar Doko. Jashtë hekurave të burgut, Dodona ishte gjithsesi e burgosur me damkën e “armikut të popullit”.