VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ish-spiuni Sergei Skripal del nga spitali

By | May 18, 2018

Komentet

Kina do të lëshojë “hënë artificiale” në hapësirë

PEKIN – Kina do të lançojë një satelit në hapësirë i cili do të marrë përsipër detyrën e një “hëne artificiale” dhe do të pasqyrojë dritën e diellit në tokë.

Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, sateliti i cili do të ndërtohet në qytetin Chengdu të provincës Sichuan, do të përfundojë deri në vitin 2020 dhe do të bartë pasqyra gjigande për të përcjellë dritën e diellit në tokë.

Nga ky satelit i quajtur “Hëna artificiale” do të prodhohen tre ndërsa planifikohet në vitin 2022 të dërgohen në hapësirë.

Kryetari i Institutit për Kërkime të Sistemit në këtë qytet, Wu Chunfeng, tha se të gjitha punimet rreth satelitit do të kryhen në vitin 2020.

Ai tha se në satelit do të vendosen pasqyra gjigande me të cilat gjatë 24 orëve do të sigurohet ndriçim i vazhdueshëm.

Wu shtoi se drita që do të pasqyrohet nga dielli në tokë do të ndriçojë një sipërfaqe prej 3.600 deri në 6.400 kilometra katrorë. Sipas tij, intensiteti i rrezatimit pritet të jetë 8 herë më i ndritshëm se ajo e hënës.

“Hëna artificiale do të vendoset në një orbitë me largësi prej 500 kilometra nga planeti tokë”, tha Wu, duke treguar se intensiteti i dritës do të mund të rregullohet dhe se njerëzit do të mund ta shikojnë si një yll në qiell.

Wu tërhoqi vëmendjen se “hëna artificiale” në fjalë do të përdoret veçanërisht në fushë civile ndërsa do të mundësojë kursim prej 1.2 miliardë yuan në rast se ndriçon një sipërfaqe prej 50 kilometra katrorë.

Më parë edhe Rusia ka patur punime sa i përket “hënës artificiale”, por për shkak të problemeve teknike nuk arriti sukses. aa

Ministri i Jashtëm indian jep dorëheqje pas akuzave për sulme seksuale

Ministri i Jashtëm i Indisë, MJ Akbar, dha dorëheqje pasi disa gra e akuzuan atë për ngacmime dhe sulme seksuale.

Ish-redaktori i shquar i gazetave është figura e profilit më të lartë që akuzohet nga lëvizja #MeToo e Indisë.

“MeToo” apo “Edhe unë” është një lëvizje ndërkombëtare kundër ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.

Akbar tha përmes një deklarate se ka vendosur t’i sfidojë “akuzat e rreme” kundër tij, andaj “e ndjen se është e përshtatshme të largohet nga detyra”.

Akbar ka redaktuar gazeta të ndryshme në gjuhën angleze në Indi, të tilla si The Telegraph dhe The Asian Age.

Akuzat e para kundër tij i ka ngritur javën e kaluar gazetarja indiane, Priya Ramani, dhe më pas kanë pasuar të tjera.

Japoni, u mbajt java e robotëve (fotot)

TOKIO – Në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, u mbajt java e robotëve.

Një numër i madh robotësh u ekspozua në qendrën ndërkombëtare e cila ndodhet në kryeqytetin japonez. Botërisht është e njohur se Japonia është një vend i cili investon shumë në robotikë, më shumë se cilido vend tjetër i botës.

Firmat analitike parashikojnë se deri në vitin 2035, gjysma e vendeve të punës në shtetin e lindjes së diellit do t’u takojnë robotëve. aa

Edhe Australia mund ta njohë Jerusalemin kryeqytet të Izraelit

Kryeministri australian, Scott Morrison.

Australia do të shqyrtojë njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës së saj atje, tha kryeministri australian, Scott Morrison.

Nëse ndodh, ky veprim do të pasonte politikën e ngjashme të SHBA-së, e cila ka shkaktuar kritika në nivel ndërkombëtar, vitin e kaluar.

Morrison tha se Australia mbetet e angazhuar për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Kundërshtarët politikë thonë se komentet e tij janë një “taktikë mashtruese” për vota, përpara një procesi të rëndësishëm zgjedhor që do të mbahet të shtunën.

Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të diskutueshme midis Izraelit dhe palestinezëve.

Palestinezët e konsiderojnë atë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli, ndërkaq, e ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967 dhe pretendon se i gjithë qyteti është kryeqytet i tij.

Vitin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu Jerusalemin kryeqytet të Izraelit, ndërsa ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem në muajin maj.

Kisha Ortodokse Ruse ndërpren lidhjet me Patriarkanën e Konstandinopojës

Peshkopi rus, Metropolitan Ilarion.

Kisha Ortodokse e Rusisë tha se ndërpren të gjitha lidhjet me institucionin që zotëron autoritetin shpirtëror mbi të krishterët ortodoksë të botës, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth Kishës në Ukrainë.

Patriarkana e Konstandinopojës njohu së voni pavarësinë e Kishës së Ukrainës nga Moska.

Shumë të krishterë ukrainas e akuzojnë Kishën Ruse për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Patriarkana e Konstandinopojës mbizotëron mbi 300 milionë të krishterë ortodoksë në gjithë botën.

Moska e kundërshton pavarësinë e Kishës së Ukrainës dhe peshkopi udhëheqës, Metropolitan Hilarion, tha se vendimi për ta njohur atë shkon “kundër së vërtetës historike”.

Rijadi përgatitet të pohojë vrasjen e gazetarit saudit

Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se gazetari i zhdukur Jamal Khashoggi është vrarë, sipas njoftimeve të dy mediave amerikane.

Njoftimet citojnë burime që thonë se vdekja e Khashoggit erdhi për shkak të një operacioni për marrjen e tij në pyetje që shkoi keq.

CNN njofton se ata që qëndrojnë pas operacionit mund të kenë menduar ta rrëmbenin Khashoggin nga konsullata saudite në Stamboll dhe ta çonin atë në Arabinë Saudite për ta marrë në pyetje.

Sipas burimeve, në raportin që përgatitet të publikojë Arabia Saudite pritet të deklarohet se operacioni që çoi në vdekjen e Khashoggit u ndërmor pa lejen e zyrtarëve dhe se ata që qëndrojnë pas vdekjes së tij do të mbahen përgjegjës.

Komentet e Presidentit amerikan Trump

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të hënën se gazetari saudit i zhdukur dy javë më parë mund të ketë qenë viktimë e vrasësve që ishin jashtë kontrollit.

Khashoggi u pa duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për të marrë disa dokumente martese, por nuk u pa të dilte më.

Presidenti Trump tha se gjatë një bisede telefonike 20 minutëshe të hënën, mbreti saudit Salman i mohoi atij kategorisht të kishte dijeni për atë që mund t’i kishte ndodhur gazetarit, një kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman.

“Më i fortë nuk bëhet mohimi që ai më shprehu mua,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Ndoshta nuk duhet të futem në mendjen e tij, por kjo më tingëlloi se ndoshta fjala ishte për vrasës jashtë kontrollit, ku ta dish.”

Presidenti i SHBA dërgoi sekretarin e shtetit Mike Pompeo në Riad për të biseduar me Salmanin rreth zhdukjes së gazetarit.

Ai u zotua se nuk do të lerë gur pa lëvizur për të gjetur se çfarë ndodhi me Khashoggin.

Çështja Khashoggi në fokus

Ndërkohë, në Stamboll, policia turke nisi të hënën një kërkim në konsullatën e Arabisë Saudite.

Agjencitë shtetërore të lajmeve të të dy vendeve njoftuan se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe mbreti saudit Salman biseduan lidhur me këtë çështje, gjatë një telefonate që zhvilluan të dielën në mbrëmje.

Arabia Saudite iu kundërvu kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump i cili paralajmëroi ndëshkimin e Riadit lidhur me zhdukjen e gazetarit, duke thënë të dielën se do të hakmerrej me veprime ekonomike “edhe më të ashpra” nëse Uashingtoni do t’i vendoste sanksione.

Tregu saudit i aksioneve shënoi një rënie me shtatë për qind përpara se të ringrihej lehtë, por gjithësesi me humbje prej 5 për qindësh, pas intervistës së zotit Trump për rrjetin televiziv amerikan CBS.

Presidenti amerikan tha se Riadi do të “ndëshkohej ashpër” nëse do të arrihej në përfundimin që mbështet Turqia se Jamal Khashoggi u vra nga agjentë sauditë, brenda konsullatës së këtij vendi në Stamboll,

Sipas autoriteteve saudite akuza është “e pabazë”, por nga ana tjetër ata nuk kanë dhënë asnjë provë që tregon se gazetari u largua gjallë nga konsullata, në të cilën hyri për të marrë dokumentet për martesën e tij të afërt.

Mbretëria bën të ditur se në qoftë se do të jetë objektiv i ndonjë mase, do të reagojë me veprime më të mëdha. Ekonomia e mbretërisë ka një rol me ndikim jetësor në ekonominë botërore dhe ajo ndikohet vetëm prej saj“.

Jamal Khashoggi jetonte në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte kritikuar princin e kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman në disa artikuj të publikuar në gazetën “The Washington Post”.

Sipas njoftimeve në shtyp Jamal Khashoggi mund të ketë regjistruar vdekjen e tij me orën inteligjente Apple që mbante në dorë.

Raportet thonë se në momentin që kishte hyrë në konsullatën saudite ai kishte ndezur butonin e orës që bën të mundur regjistrimin e zërit. Gjithashtu thuhet se kishte arritur të regjistronte jo vetëm momentin e marrjes në pyetje dhe torturat ndaj tij, por edhe momentin e vrasjes.

Sipas njoftimeve një grup prej 15 personash me shtetësi saudite patën mbrritur në Stamboll ditën kur Jamal Khashoggi hyri në konsullatë.

Në shenjë proteste ndaj zhdukjes së tij disa drejtues biznesesh në Shtetet e Bashkuara anuluan pjesmarrjen në konferencën “Iniciativa e investimeve të ardhshme” e cila mbahet javën që vjen në Riad, e quajtur ndryshe si “Davos-i i shkretëtirës”, referuar takimit vjetor ekonomik botëror që zhvillohet në Zvicër.

Megjithatë sipas Shtëpisë së Bardhë sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin ka ende në plan të marrë pjesë në konferencë.

Meghan dhe Harry presin fëmijën e parë

Dukesha e Saseks-it, Meghan Markle, është shtatzënë dhe do të lindë në pranverën e ardhshme, bëri të ditur Pallati Kensington në Mbretërinë e Bashkuar.

Njoftimi erdhi pasi Meghan, 37 vjeçe, dhe princi Harry, 34 vjeç, arritën në Sidnej për një turne 16-ditësh në Australi dhe Zelandë të Re.

Pallati mbretëror tha se çifti, i cili u martua pesë muaj më parë, “ka kënaqësinë të ndajë lajmin e lumtur me publikun”.

Foshnja do të jetë e shtata në radhë për fron.

Sauditët kundërshtojnë kërcënimin e presidentit Trump

Arabia Saudite hodhi poshtë kërcënimin e Presidentit Trump për ta dënuar atë lidhur me zhdukjen e gazetarit saudit Xhamal Kashoggi, duke thënë të dielën se do të hakmerret me veprime më të mëdha ekonomike nëse Trumpi do të sanksiononte Rijadin.

Tregu saudit i aksioneve u ul me 7 për qind përpara se të mëkëmbej me një humbje prej pesë për qind për ditën pasi presidenti Trump tha për kanalin CBS se do të kishte “dënime të rënda” nëse përcaktohet, siç beson Turqia, se agjentët sauditë vranë Kashogin brenda konsullatës së Rijadit në Stamboll dy javë më parë . Sauditët kanë thënë se akuza është “e pabazë”, por nuk ka dhënë asnjë provë se Kashogi u largua nga posti diplomatik pasi shkoi për të marrë dokumente për martesën e tij të ardhshme.

Agjencia saudite e shtypit citoi një burim të paidentifikuar qeveritar të ketë thënë se: “Mbretëria refuzon totalisht të çdo kërcënim dhe përpjekje për ta minuar atë, qoftë duke kërcënuar të imponojë sanksione ekonomike, duke përdorur presione politike ose duke përsëritur akuza të rreme”.

Në deklaratë thuhet se qeveria saudite “gjithashtu pohon se nëse merret ndonjë veprim, ajo do të reagojë me veprime më të mëdha”, duke vënë në dukje se ekonomia e saj, si eksportuesi më i madh i naftës në botë “ka një rol me ndikim dhe jetësor në ekonominë globale”.

Trump, në fragmente të publikuara të shtunën nga një intervistë që do të transmetohet të dielën në programin “60 Minuta” të kanalit CBS, paralajmëron se do të ketë “dënime të rënda” për Arabinë Saudite nëse vërtetohet se Kashogi u vra brenda konsullatës saudite. Kashogi jetonte në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara dhe kishte kritikuar princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në artikuj redaksionalë të shkruar për gazetën The Washington Post.

Iran, arrestohen disa fotografë për foto të “pahijshme” në Instagram

STAMBOLL – Disa fotografë janë arrestuar në Iran për shpërndarje të fotografive “të pahijshme” në rrjetin social Instagram.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA raporton se prokurori në qytetin Ali Salih ka konfirmuar se në qytet është arrestuar një grup fotografësh për shpërndarje të fotografive të pahijshme në rrjetin social Instagram.

Salihi po ashtu tha se fotografëve në fjalë u është ndaluar qasja në rrjetin social për “nxitje të popullit në amoralitet”.

Në korrik të këtit viti, në qytetin Bender Abbas gjithashtu u arrestuan 40 persona për shpërndarjen e fotografive të ngjashme. aa

Britania dhe SHBA mund të bojkotojnë konferencën në Arabinë Saudite

Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë konsideruar bojkotin e konferencës ndërkombëtarë në Arabinë Saudite, pas zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, raporton BBC.

Khashoggi, kritik i qeverisë saudite, është zhdukur më 2 tetor pas vizitës në një konsulatë në Stamboll.

Autoritetet në Stamboll besojnë se ai u vra nga agjentët sauditë – deklarata të cilat i ka mohuar Riadi.

Donald Trump tha se do të dënojë Arabinë Saudite nëse është përgjegjëse.

Një numër i përkrahësve dhe mediave kanë vendosur të tërhiqen nga konferenca e investimeve në Riad, për shkak të shqetësimeve lidhur me fatin e Khashoggit.

Në anën tjetër, e fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz, tha se fjalët nuk mjafotjnë nëse ai është vrarë.

“Nëse e kemi humbur Jamalin, atëherë vetëm fjalët dënuese nuk mjaftojnë. Ata që e morrën nga ne, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dënohen sipas ligjit”, tha ajo.

Egjipti ndëshkon me vdekje 17 persona për sulmet në kisha

Një gjykatë ushtarake në Egjipt ka dënuar të enjten 17 persona me vdekje, për shkak të një serie të sulmeve vetëvrasëse në kishat e këtij shteti.

Sulmet, të cilat janë pretenduar se janë kryer nga grupi militant, Shteti Islamik kanë lënë të vdekur dhjetëra persona.

Edhe 19 persona tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 10 të tjerë janë dënuar nga 10 deri në 15 vjet burgim, kanë thënë zyrtarët gjyqësorë dhe ata të sigurisë.

Në sulmet në Kajro, Aleksandri dhe Nile Delta, gjatë viteve 2016-2017 janë vrarë 74 persona, të cilat kanë pasur cak të krishterët koptë, të cilët përbëjnë rreth 10 përqind të popullatës me shumicë të myslimanëve sunitë në Egjipt.

Zonat krishtere të lutjes kanë qenë cak i sulmeve të vazhdueshme në gjithë Egjiptin, çka ka shtyrë autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

Ndërkohë ushtria e Egjiptit është duke kryer operacion masiv në Gadishullin Sinai me qëllim të largimit të xhihadistëve nga ky territor.

Pakistan, konfiskohen mbi një mijë gjarpërinj helmues

ISLAMABAD – Policët në Pakistan kanë ndalur një automjet ku kanë konfiskuar 1 mijë e 100 gjarpërinj helmues.

Në një deklaratë nga Departamenti për Kafshë të Egra të provincës Sindh thuhet se gjarpërinjtë janë konfiskuar përderisa ishin duke u shitur në spitalet në qytetin Karaçi.

Zëvendës Drejtori i Departamenti për Kafshë të Egra, Gulam Server, njoftoi se policët të cilët kanë ndalur një automjet në qytetin Badin kanë konfiskuar një numër të madh të gjarpërinjve.

“Në këtë operacion janë konfiskuar 1 mijë e 100 gjarpërinj shumë helmues, kurse janë kapur dy persona të cilët ishin duke shkuar për t’i shitur. U zbulua se gjarpërinjtë ishin duke u dërguar në Karaçi për t’u shitur nëpër spitale”, tha Server.

Dy persona që përpiqeshin për t’i shitur gjarpërinjtë janë ndaluar.

Helmi i gjarpërinjve mund të përdoret si ilaç apo për qëllime trajtuese. aa