VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ish – shefi i CIA: S’ka zgjidhje për Kosovën në Moskë, Bruksel e Washington – Prishtina e Beogradi të punojnë vet

By | July 8, 2019

Komentet

Mediat e huaja shkruajnë për vendimin e Haradinajt, ja çfarë thonë serbët

Përveçse në Kosovë e Shqipëri, lajmi për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vëmendjen edhe të mediave të rajonit, evropiane dhe atyre botërore.Përveç mediave prestigjioze si BBC, Bloomberg, Spiegel dhe të tjera, për këtë lajm ka raportuar edhe Euroneës. Sipas Euroneës, kryeministri Haradinaj ka thënë të premten se ka dhënë dorëheqje, duke treguar edhe arsyen, e cila siç ka thënë ai, është ftesa nga Specialja, si i dyshuar.


Siç kujton kjo media, Gjykata e posaçme në Hagë u krijua në vitin 2015 dhe se Dhoma e specializuar financohet nga Bashkimi Evropian.“Haradinaj tha se do të udhëtojë në Hagë javën e ardhshme. Kjo është hera e dytë që ai duhet të japë dorëheqjen si kryeministër”, thekson kjo media.

Veç këtyre, lidhur me këtë ka raportuar edhe media kroate Jutarnji.hr. Sipas kësaj media, kryeministri i Kosovës ka dhënë dorëheqje. “Ramush Haradinaj shkon në Hagë si i dyshuar: ‘Nuk mund ta udhëheq vendin në këtë situatë’”, shkruan media kroate.

Gjithsesi, një lajm i tillë ka zënë vend edhe në mediat serbe. Dhe përveç njoftimit, mediat serbe kanë vënë në pah edhe deklarimin e Haradinajt rreth taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. “…ai lexoi letrën e dorëheqjes, por tha se taksa që qeveria e tij ka vendosur në importet e mallrave nga Serbia dhe BeH do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e mëtejshëm”, shkruan Blic.rs.Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen sot duke theksuar se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale. Ai para mediave tha se dorëheqjen e ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë. Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Ekspertët: Deri në vitin 2026 reforma në drejtësi do të ketë përfunduar

Reforma në drejtësi në Shqipëri prej disa vitesh po prodhon debate të forta, në fillim me hartimin dhe me pas me zbatimin. Sot bashkëhartues dhe miratues të saj si dhe ekspertë të sistemit të drejtësisë kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit. Opozita dhe presidenti mendojnë se reforma është deformuar në zbatim dhe nuk i përmbahet tekstit kushtuetues të miratuar me unanimitet, dhe se po shkon drejt kapjes politike të sistemit. Eksponentë të PS në qeveri, si dhe ekspertë pjesmarrës në hartimin e reformës sjellin argumenta të kundërta. Vështirësitë në zbatim kanë sjellë mosfunksionimin e Gjykatës kushtetuese dhe Gjykatës së lartë. Mimoza Picari raporton nga Tirana.

Reforma në drejtësi u miratua me 140 votat në Kuvendin e Shqipërisë në 22 Korrik të vitit 2016. Ajo u parapri nga debate të forta, për më shumë se një vit dhe u asistua nga ekspertë të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias. Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA.

Ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi ka patur ulje ngritje dhe autorë të hartimit dhe miratimit të saj si dhe ekspertë të sistemit kanë këndvështrimë të ndryshme për rezultatet, 3 vjet pas miratimit.

“Kjo është një periudhë e vështirë tranzicioni, edhe sikur idealisht kjo periudhë tranzicioni të shkonte sipas mënyrës që u ideua, aq komplekse sa ishte, do kishte vështirësitë e veta teknike”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Nuk do të them, a është sukses apo është dështim, por mund t’ju them se nëse do të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë sekond nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese”- shprehet Ilir Meta, President i Shqiperisë.

“Shqiptarët kishin nevojë për reformën në drejtësi, si ujët e pakët. Por mënyra se si bëhët reforma në drejtësi është thelbësore. Ne kemi një sistem që është rrënuar tashmë, dhe ndërkohë nuk është ngritur ende i riu”- pohon Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.

“Nëse do të shohim kushtetuën në dispozitat tranzitore, aty janë vënë ca afate. Nëse do të ishin respektuar me atë consensus që u miratua kushtetuta, sigurisht që ne nuk do ishim në këtë gjendje, ku ka problematikë përsa I përket funksionimit të organeve”- pohon Sokol Sadushi, Drejtor i shkollës së magjistraturës.

Ndarja mes palëve nisi menjëherë pas miratimit me consensus të reformes. Në gusht 2016, nuk u arritën afatet e miratimit të 7 ligjeve të emergjencës sic u quajtën ato për ngritjen e organeve qeverisëse të sistemit, përfshi dhe Vettingun rivlerësimin e gjyqatrëve dhe prokurorëve.

“Nga ana tjetër ne kemi faktin që ligjet sot kanë ndryshuar në thelb sistemin e drejtësisë që u miratua në datën 22 korrik 2016. I vetmi ligj që miratua me consensus ishte ai për ngritjen e SPAK”- sqaron Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.

“Duhet të pranojmë që PD hyri e sforcuar në konsensusin e 140 votave të Kuvendit. Një vit u vonua Vetting-u në proçesin e zbatimit. 6 muaj ju desh me ankimin në Gjykatën Kushtetuese dhe 6 muaj nga çadra. Sepse vetëm pas marrëveshjes së majit të 2017-ës u bë e mundur që të ngriheshin institucionet e Vetting-ut, për arsye sepse mosardhja e përfaqësuesve të PD e bëntë proçedurialisht të pamndur proçesin”- sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Askush nuk mund të guxojë të thotë pa u skuqur, që vonesë shkaktoi opozita pse dërgoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin e Vetting-ut për shkeljet që i ishin bërë kushtetutës së 22 korrikut. Kjo është e drejtë e pamohueshme e kujtdo” – argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

Sipas kryetarit të komisionit për hartimin e reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, bllokimi i ngritjes së organeve të Vetting solli bllokimin e Këshillit të emërimeve në drejtësi për nje vit.

“Këshilli i emërimeve në Drejtësi solli efektin tek Gjykata Kushtetuese. Të mos harrojmë ping-pongun mes presidencës dhe kuvendit apo konfliktin me prokurorinë për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pra një sërë proçesesh. Por nga ana tjetër nuk e përjashtoj faktin, që me pak kujdes dhe me më shumë vëmendje mund të kishtë një ritëm shumë më të mirë”- sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“E gjithë beteja sot është se kush do të kontrollojë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Nëse e kontrollon kryeministri Edi Rama, jo vetëm do të rrëzojë dekretet e Presidentit, jo vetëm do të shkarkojë presidentin e republikës, por do t’i vërë vulën e Gjykatës Kushtetuese të gjitha ligjeve, siç është ligji i teatrit apo konçensionet skandaloze nëse shkojnë në Gjykatë Kushtetuese”- argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së saj, lidershipi i PD ka funksionuar mbi bazën e kontrollit politik të sistemit. Në mentalitetin e tyre ishte që sistemi është i kontrolluar. Vetë sistemi është ndërtuar pikërisht për të shmangur kontrollin politik”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Kushtetuta u transformua, u ndryshua, u dhunua për të prodhuar sistemin që do të prodhojë kapjen dhe sot Vetting-u është një instrument qartazi, ku ata që i duhen PS selektohen dhe kalojnë për miratim në organet e tjera”- shprehet Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Këtë nuk mund ta thotë opozita për një fakt fare të thjeshtë. Opozita ka qenë bashkëpjesmarrëse në përzgjdhjen e emrave të komisionerëve të organave të Vetting-ut. Emrat janë votuar edhe nga PS edhe nga PD edhe nga LSI”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Presidenti i republikes ILir Meta ish-kryetar i LSI, ka shprehur rezerva të forta për reformën në drejtësi duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur sistemin i ndihmuar nga një kor i strukturuar ndërkombëtarësh, si është shprehur ai.

“Unë kam bërë çdo përpjekje, ta dinë shqiptarët që Shqipëria të mos mbetet bëhët një vend qesharak. As para së të bëhej reforma në drejtësi, edhe për zbatimin e reformës, e cila është kthyer në një ramaformë, sepse po të ishte zbatuar si reformë kushtetuese që u miratua me konsensusin e të gjithëve nuk do ishim në këtë situatë”- shprehet Ilir Meta, President i Republikës në një komunkim me median.

“Presidenti dhe partia që ai ka drejtuar para së të zgjidhej president, kanë votuar 7 ligjet kuadër të reformës në drejtësi, pra do të thotë që ka patur vullnetin e plotë në proçesin e hartimit dhe miratimit të këtyre 7 ligjeve. Nëse sot janë në opozitë dhe ka gjykim tjetër, nëse sot ka një interes tjetër, kjo është çëhtje tjetër. Po i them Presidentit dhe kujtdo tjetër në këtë vend, kush të dojë Fatmir Xhafaj, Edi Rama Ilir Meta mund të shohin ëndrra për ta kapur sistemin, por nuk kapet më ky sistem”- sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“E kam thënë dhe herë tjetër kur politika të kuptojë se nuk do të ketë më dorë mbi sistemin e drejtësisë atëherë do të këtë dhe acarimin”- shprehet Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Reforma e Drejtësisë në fakt është zbatuar në përputhje më kushtetutën dhe legjislacionin vendas. Ky është një proçes kompleks. Reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme”- u shpreh Luigi Soreca, Ambasador i BE në Shqipëri.

Sot tre vjet pas miratimit të reformës në drejtësi Gjykata kushtetuese ka vetëm një anëtare të cilës i ka mbaruar mandati, dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarët e mjaftueshëm për vendime. Vettingu, ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në systemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqtarë dhe prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme.

“A do kishte largime kaq të mëdha. Kjo është një çështje që nuk mund të mendohej nga askush. Si mund të mendohej, përsa kohë që nuk kishte të dhëna objektive, fakte”- pohon Sokol Sadushi drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Kam qenë i vetëdijshëm që një pjesë e mirë e atyre që shërbenin në sistem do të dilnin nga sistemi, por deri në këto përmasa, që të jem dhe unë i sinqertë nuk e kam menduar”- pohon Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Vettingu po shkakton një situatë që ne e kemi paralajmëruar, do të krijojë një gropë të madhe”- thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Opozita ka parlajmëruar vetëm një gjë që nuk e do reformën në drejtësi. Nuk them që nuk ka probleme, por janë të përkohshme, dhe si të tilla të justifikuara në raport me atë cfarë presim të ndërtojmë në këtë shoqëri” –argumenton Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Në gjykatën Kushtetuese sot ka 108 cështje që presin gjykimin, ndërsa në gjykatën e lartë mbi 32 mijë cështje që do te duan sipas ekspertëve disa vite të shqyrtohen.

“Më garanto drejtësinë thotë qytetari shqiptar, që kur të shkojë në gjykatën e shkallës së parë mundësisht të mbaroj punë që aty, pa shkuar në shkallët e tjera”- thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Ne kemi aktualisht 5 çështje të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gerdecit. Në Gjykatën e lartë ne nuk kemi ende një mundësi për t’u gjykuar, sepse presim të shprehet kjo gjykatë e cila është bllokuar”- pohon Dorjan Matlia, avokat.

“Midis gjyqësorit me disa njerëz që e kishin kthyer në pazar dhënien e vendimeve, dhe një gjyqësori që respekton ligjin dhe vetëm ligjin, unë do të preferja të zgjidhja këtë të dytin edhe sikur për pak kohë të mungonte i pari”- shprehet Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Drejtor i shkollës së magjistraturës porta furnizuese e sistemit me gjyqtarë dhe prokurorë thotë se janë thuasje trefishuar kandidatët me qëllim plotësimin e boshllëqeve dhe shpreson se deri në vitin 2026, kur është parashikuar të përfundojë Vettingu i afro 700 gjyqtarëve dhe prokurorëve sistemi do ta ketë marrë veten. Ndërsa Z. Fatmir Xhafaj shpreson se shumë shpejt Gjykata kushtetuese dhe ajo e lartë do jenë funksionale.

“Organet e Vetting-ut duhet të punojnë me prioritet për organet e reja të sistemit që do të thotë se organet e Vetting-ut nuk kanë luksin të bëjnë pushime, dhe as të zvarrisin çështjet, sepse prandaj paguhen shumë shumë herë më tepër se kushdo tjetër në këtë vend, pikërisht për këtë gjë. Së dyti KED vetë duhet të ketë një ritëm tjetër”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Autoritetet thonë se së shpejti priten të ngrihen dhe të zgjidhen dhe organe të tjera pjesë të reformës në drejtësi si Inpsktori i drejtësisë Prokurori i përgjithshëm dhe Njësia e posacme e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar, ose Spak sic njihet ndryshe, që do të hetojë dhe gjykojë zyrtarët e lartë dhe politikanët, Por a ka vend për shpresë në përfundimin me sukses të reformës në drejtësi,

“Abuzohet shpeshherë me faktin, 3 vjet çfarë u bë? Unë besoj që bëhet në mënyrë të qëllimshme nga kundërshtarët e këtij proçesi dhe nga ata që kanë një pritshmëri të lartë”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Drejtësinë komplet ramaformë, tani të marrë dhe gjithë pushtetin vendor dhe të gjithë të dalin në diell dhe t’i bien dajres. Bukur shumë bukur”- shprehet me ironi Ilir Meta President i Republikës gjatë një konference për shtyp.

“Ne nuk duhet ta shohim më trishtim. Ju e dini që shkaku kryesor pse nisi reforma në drejtësi ishte korrupsioni”- thotë Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Në duam të shohim zbatimin e ligjeve dhe njerëz në burg. Të gjithë politkanët të kuptojnë vlerën që ka mbështetja e kësaj reforme që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur”- pohoi Genoveva Calavera, në fjalën e saj në Samitin e Poznamit në Poloni.

“Unë pres me padurim ngritjen e SPAK-ut. Mundet të jetë një pritshmëri e gabuar por e presim të gjithë. E presim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nganjëherë dhe ajo që nuk është e mirë, është më mirë të shkojë para se sa të mbetet në lluc”- thotë Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Takimi që shkarkoi Ylli Rakipin nga puna, Rama i ka kërkuar Frangajt ‘kokën’ e Fevziut”

I ftuar në studion e lajmeve të Fax News ditën e sotme ka qënë gazetari Artur Çani i cili ka komentuar situatën politike në vend, por më tepër gazetari Çani ka folur për lëvizjet e reja që pritet të bëhen ne televizonet shqiptare të cilat janë të instrumentara nga kryeministri Edi Rama.

Artur Çani ka bërë ditën e sotme publike lëvizjet që priten të bëhen kundrejtë gazetarëve si Ylli Rakipi, Blendi Fevziu, Adi Krasta apo dhe Eni Vasili.

Sipas gazetarit fatet e profesionistëve të pushtetit të katërt vendosen në një darkë mes kryeministrit dhe pronarve të mediave.

“Ylli Rakipi ka qënë një nga personazhet që ka qenë në shërbim të Ramës dhe ka gënjyer për hesapet e kryeministrit. Por sëfundi ai ka qënë një nga kritikët më të mëdhenj të tij. Ditën e hënë Rama është takuar me pronarin e televizionit ku punon Ylli Rakipi dhe ai nuk do të punojë më aty. Çfarë vlere ka e gjithë kjo?

Dhe kjo është një pjesë, sepse një nga të përzgjedhurit e Ramës, Sokol Balla shkon drejtor informacioni tek News 24. Ai do të tentojë të vendos në kërkes e para përgjegjësisë dhe Adi Krastën, i cili nuk është i përfshirë në këto gjëra.

Rama ka takuar gjithashtu dhe pronarin e Klanit, zotin Frangaj, dhe i ka kërkuar atij të lëviz Blendi Fevziun.

Rama u përpoq ta rrëzonte pushtetin e katërt duke e quajtur kazan, por kjo i’u kthye në të keqe të vetes.

Këto janë të gjitha ndryshime për interesa të qarta politike. Fati i një gazetari diskutohet në një tavolinë darke, dhe ky nuk është rasti i parë që ndodh.

Si do sillemi ne me këtë situatë? Do vazhdojmë t’i bindemi?!

Sigurisht që pronarët e mediave bëjnë lojrat e tyre. Ata i bëjnë ndryshimet për të marrë përfitimet jo se janë të bindur.

Flitet për Ylli Rakipin, Eni Vasilin, Blendi Fevziun, të gjitha këto lëvizje tregojnë që përgatitjet e Ramës janë të rëndësishme për të hedhur hapin e radhës.”-ka thënë ndër të tjera Artur Çani.

CNN: Shqiptari detyrohet të mbjellë drogë në Britani, për të shlyer borxhet

“Shqiptari detyrohet të mbjellë kanabis në Britani”. Kështu titullohet kronika e realizuar nga televizioni prestigjioz “CNN”, referuar historisë së një shqiptari, i cili detyrohet të merret me prodhimin e lëndëve narkotike, si e vetmja mënyrë për të shlyer borxhet.

Sipas kronikës, shqiptari jeton përherë me frikë. Ai ka ardhur në Britani në mënyrë klandestine, ka paguar shumë para për rrugën dhe e vetmja mënyrë për të paguar borxhin mbetet vetëm ajo e mbjelljes së drogës, me qëllim fitimin e parave.

“Shumë vjet më herët, babai im pësoi një aksident. Kështu që unë isha i detyruar që të dërgoja para në shtëpi. Kam dërguar aq sa kam mundur. Kam dërguar aq shumë, saqë ndalja vetëm kur nuk kisha çfarë të çoja më.

Njoha dikë këtu që quhej Salam. Nëse i hyn kësaj rruge, nuk ka më alternativë tjetër. Duhet të merresh me këtë gjë. Nuk kam kushte, më duhet të paguaj borxhin, paratë që kam paguar për të ardhur këtu. Ndonjëherë mua ma vlen më tepër të jem në burg e të deportohem sesa në këtë lloj jete”, tregon i riu nga Shqipëria.

Shqiptari shprehet se pasi ishte marrë 3 muaj me tregti droge në Britaninë e Madhe, policia e arrestoi.

“Policët që më arrestuan më qetësuan. Ata më shpjeguan mua rreth skllavërisë moderne. Më tutje, shqiptari thotë se ka frikë se mos edhe kur të kthehet në Shqipëri, bosi i tij i drogës mund të hakmerret, pas bashkëpunimit me policinë”.

Zëri i Amerikës: Tiranë, parlamenti miraton dy koncesione të shtrenjta rrugore

Në Shqipëri parlamenti miratoi të enjten në mbrëmje, me votat vetëm të shumicës, në seancën e fundit të këtij sesioni, dy kontrata të diskutueshme koncesionare, sipas formulës së Partneritetit Publik Privat (PPP), për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, 17,2 kilometra e gjatë, me një vlerë prej 256 milion eurosh, dhe aksin tjetër, Orikum-Dukat, në jug të vendit, 14.7 kilometra, për një vlerë prej mbi 60 milion eurosh.

Të dyja kontratat, por veçanërisht ajo e rrugës Milot Balldren, kanë ngritur pikëpyetje të shumta jo vetëm për koston shumë të lartë, por dhe mungesën e transparencës dhe procedurave të ndjekura. Formula e PPP-së, parashikon që financimi i punimeve të bëhet nga vetë kompania, ndërsa shteti e shlyen më pas në harkun e një periudhe 13 vjeçare duke paguar me këste.

Në rastin e rrugës Milot-Balldren, kompania A.K.N. shpk ka deklaruar se ajo do të marrë 70 milion euro hua, do të investojë 52 milion euro nga kapitali i saj, ndërsa 19,5 milion euro të tjerë do t’i marrë nga furnitorët. Por zyrtarisht kompania rezulton të ketë, sipas bilancit të vitit 2018, një kapital prej vetëm 3.4 milion euro.

Rruga përfshin përveç aksit kryesore dhe ndërtiin e rrugëve dytësore, dy urave dhe dy tuneleve me gjatësi 850 metra. Fillimisht, në ofertën e saj kompania kishte parashikuar ndërtimin e vetëm një tuneli, ndërsa në një fazë të dytë ka marrë përsipër ndërtimin edhe të një tuneli tjetër, por pa pretenduar shtesë së vlerës.

Pikëpyetjeve ju shtua dhe fakti se në ofertën e bërë në vitin 2017 kompania përllogariste një kosto ndërtimi prej 63 milion eurosh dhe kosto mirëmbajtje prej 3.5 milion eurosh, ndërsa një vit më pas, kostoje u rrit me më shumë se dyfishi, ndërsa mirëmbajtja me me shumë se 5 herë.

Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim publik lidhur me këto dyshime, të cilat janë ngritur mëse një herë dhe nga opozita, por janë mjaftuar të deklarojnë se rruga do të jetë e standarteve europiane, se kostot e saj shtohen dhe nga ndërtimi i rrugëve dytësore dhe nyjeve lidhëse, nga ndërtimi i dy urave dhe tuneleve dhe se në koston përfundimtare përllogaritet dhe kosto e miërmbajtjes.

Përpara miratimit në parlament, Partia Demokratike përsëriti akuzat e saj se “me koncesionin për Milot-Balldre, Edi Rama thyen çdo rekord korrupsioni dhe klientelizmi. Brenda 1 viti, Edi Rama i ka dhënë familjes së mikut të tij personal, Ndue Kola, 526 milion euro ose gati 5% të Prodhimit Kombetar nëpërmjet koncesionit të sotëm dhe atij të rrugës së Arbrit, që ndërtohet nga e njëjta familje”, deklaroi ish deputetëja Albana Vokshi duke shtuar se “koncesioni Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat është pjesë e projektit kriminal “1 miliardë euro”, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista, koston e së cilës e paguajnë qytetarët shqiptarë”.

(Video) Sali Berisha vendos një video ku në maj 1999 Soros kritikon ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si përkeqësuese të situatës!

Sali Berisha në rrjetin social rreth një video të multimilionerit Soros. “

Superspekullanti planetar George Soros”, shkruan Berisha, “njeriu qe me megabixhozin e tij financiar zhyti ne varfri dhe mjerim te thelle qindra miliona njerez ne Europe, Azi, Afrike dhe mbare boten ishte kunder bombardimit te Serbise nga NATO per genocidin spastrimin etnik te Kosoves nga Millosheviçi. Dy dekada me vone Soros do te behej promotor kryesor i projektit te Serbise se Madhe. Fondacioni i tij ne Beograd do te merrte autoresine e ketij projekti duke nxitur percaktimin e kufijve sipas vijave te pasterta etnike dhe flaket e nje konflikti te ri ne rajon.

Ndiqeni videon e meposhtme. sb”

Maj 1999, Soros kritikon ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si përkeqësuese të situatës!

Miliarderi amerikan George Soros, në një takim me studentët e Universitetit John Hopkins në Washington, më 28 maj 1999, kritikoi fort fushatën ajrore të NATO-s në Kosovë kundër forcave të Slobodan Milosheviçit. Ai tha se bombardimet çuan në rritjen e spastrimit etnik në Kosovë, si dhe forcuan regjimin e Milosheviçit dhe destabilizian vendet fqinjë.

Ai u tha studentëve se fushata ajrore që kishte nisur dy muaj më herë e kishte përkeqësuar situatën:

“Kemi arritur saktësisht të kundërtën e asaj që synonim. Përshpejtuam spastrimin etnik që kërkonim të ndalonim. Ndihmuam në konsolidimin në pushtet të regjimit të Milosheviçit dhe ndihmuam në krijimin e destabilitetit në vendet fqinjë të Malit të Zi, Maqedonisë e Shqipërisë, për të mos përmendur implikimet më të gjera ndërkombëtare si marrëdhëniet tona me Kinën. Është e qartë që diçka ka shkuar tmerrësisht gabim dhe tani e shohim veten në një gjendje pasigurie të tmerrshme”.

“Nuk mund ta bëjmë botën të nënshtrohet nëpërmjet bombave, por as nuk mund të tërhiqemi në izolim. Nëse nuk mund të parandalojmë mizori si në Kosovë, duhet të përgatitemi të pranojmë arkivolë”.

“Më pas, duhet bërë diçka konstruktive, diçka pozitive në vend që thjesht të reagojmë pas katastrofave, dhe të ndërtojmë një shoqëri të hapur, gjë që mund të bëhet me ndihmën e Bashkimit Evropian, ku këto vende do të bëhen efektivisht anëtare virtuale. Duhet të ketë bashkim doganash, fshirje të kufijve të brendshëm. Dhe, jam i sigurt se Jugosllavia do të donte të ishte pjesë e një Evrope Juglindore të tillë, të rindërtuar”.

Festa të çmendura me drogë, arrestohet vajza e Mehmet Krajës, akademikut shqiptar, dikur ishte asistente e Presidente Jahjagës

Në foto: Mehmet Kraja, Atifete Jahjaga dhe Gresa Kraja

KOSOVË– Është vënë në pranga Gresa Kraja, vazja e akademikut Mehmet Kraja, pasi u kap teksa konsumonte drogë në një festë të çmendur me miqtë e saj.

Kraja u arrestua tre ditë më parë në Prizren në orën 03:00 të mëngjesit. Policia e Kosovës shpjegon se Kraja është kapur mat dike konsumuar drogë, pasi mbi celularin e saj kishte përgatitur një vizë kokainë.

1 / 5

Në këtë moment ajo e ka fshirë lëndën narkotike në mënyrë që të mos kuptohej nga policia, por autoritetet i pikasën edhe një qese tjetër mekokainë ne xhepin e pantallonave të saj.

Washington Times – Diçka ndryshoi këtë javë në Shqipëri



Muxhahedinët e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) janë demonizuar për dekada të tëra, për shkak të një fushate të organizuar e të efektshme keqinformimi nga inteligjenca iraniane, si dhe për shkak të paqësimit të mullahëve nga presidentët amerikanë që nga Revolucioni Islamik gjatë periudhës së Jimmy Carter në Shtëpinë e Bardhë.

Në mënyrë që të arrihej një marrëveshje me iranianët “e moderuar,” të cilët nuk ekzistojnë, MEK është hedhur tej me qindra herë. Të përndjekur deri në asgjësim (pasi George W. Bush u dha statusin e personit të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës) nga forcat irakene të kontrolluara nga Irani nën administratën Obama, 3 000 anëtarët e mbetur të grupit u zhvendosën më në fund në një kamp të madh në Shqipëri në vitin 2016. Ata janë quajtur terroristë, kult, të paefektshëm e të rrezikshëm për botën.  

Gjithçka ndryshoi fundjavën e shkuar.

Gjatë një tubimi të madh politikanësh e personalitetesh nga e gjithë bota, të cilët erdhën në Kampin Ashraf 3 jashtë Tiranës për disa ditë, magjia u prish, dhe qendra gjeografike e rezistencës globale ndaj regjimit gjakatar iranian u lind dhe u themelua.

Ish-Ambasadori amerikan Lincoln Bloomfield e tha shkurt dhe qartë kur foli në këtë eveniment masiv, i cili përfshinte ish-Kryebashkiakun e NYC dhe avokatin e Trump, Rudy Giuliani, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të respektuar. “Bota nuk ka më asnjë justifikim për të mos i mbështetur MEK-ët në përpjekjen e tyre për të sjellë ndryshimin e regjimit në Teheran (parafrazim). Gjykatësit amerikanë dhe britanikë kanë urdhëruar heqjen e MEK nga lista terroriste, sepse është e qartë që Muxhahedinët nuk janë terroristë. Akuza tjetër ishte se MEK është një kult. Kjo narrativë është shkatërruar pasi qindra VIP-a të rëndësishëm kanë ardhur për të jetuar mes jush dhe mund ta shohin se anëtarët individualë mund të shkojnë e të vijnë sipas dëshirës. Këtu nuk po bëhet asnjë trajnim ushtarak. Nuk ka asgjë të ligë këtu siç kanë thënë me qindra herë në shtypin perëndimor mediat e kontrolluara nga Irani. E vetmja gjë që ndodh këtu është një grup njerëzish që punojnë në mënyrë paqësore për rrëzimin e regjimit gjakatar të mullahëve, që do të jetë një ditë e madhe për popullin iranian.”

Edhe delegacioni nga qeveria shqiptare shprehu një mbështetje të ngjashme për PMOI-në, duke theksuar faktin që Tirana e përjashtoi ambasadorin iranian për shkak të operacioneve të Ministrisë iraniane të Inteligjencës brenda Shqipërisë për të vrarë anëtarët e MEK.  

Edhe pse do të ketë me siguri përpjekje të tjera nga MOIS për ta diskredituar rezistencën duke blerë ndikim në publikimet perëndimore të majta, ata nuk do të jenë më të efekshëm në këtë gjë.  

Të palarat kanë dalë sheshit.

Siç tha me aq elokuencë z. Giuliani, “Nëse MEK nuk do të ishin të efektshëm, nëse Mullahët nuk do të kishin frikë nga Muxhahedinët, atëherë pse vazhdojnë ende të tentojnë t’iu vrasin?” Më shumë se 120,000 anëtarë të PMOI/MEK janë ekzekutuar që nga viti 1980.  

MEK nuk është kult. Por ajo që ata janë me siguri, është një grup njerëzish që kanë patur vuajtje të mëdha dhe janë të angazhuar në mënyrë fanatike për t’i dhënë fund regjimit të mullahëve.  

Tani nuk është çështja nëse, por kur do të ndodhë ndryshimi i regjimit, dhe bota do të jetë një vend shumë më i mirë kur kjo të ndodhë.  

Nuk është nevoja për trupat amerikane. Nëse presioni ekonomik vazhdon, MEK mund ta bëjë të gjithë punën vetë.

Buxhovi: Askund nuk kam deklaruar se UÇK-ja i ka vrarë njerëzit e LDK-së

Historiani e publicisti Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se asnjëherë nuk e ka thënë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i ka vrarë veprimtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Zoti Buxhovi, tha ditë më parë në një intervistë për emisionin Rubikon në Kosavision, se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deklaratat e tij nxitën reagime e kundërshtime të ashpra, përfshirë edhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli, i cili i tha Zerit të Amerikës se deklarimet e tilla nuk i ndihmojnë qartësimit të së vërtetës historike. Me zotin Buxhovi bisedoi korrespondenti ynë në Prishtinë, Leonat Shehu.

Zëri i Amerikës: Z. Buxhovi, ditëve të fundit jeni përballur me akuza të rënda nga zyrtarë të lartë të shtetit, pas disa deklaratave tuaja lidhur me pastërtinë e luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si i shihni këto reagime?

Jusuf Buxhovi: Po këto janë shkëputur dhe qëllimisht është krijuar një atmosferë linçimi nga një kontekst pak më i gjerë. Ata që e kanë përcjellë emisionin “Rubikon” (Kohavision), shkas ka qenë përfundimi i librit “Kosova” vëllimi gjashtë, shtatë dhe tetë, ku përfshihet periudha e shtetndërtimit, veçmas problemet nga vendosja e protektoratit ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë, do të thotë hyrja e NATO-s në qershor të vitit 1999 deri te 17 shkurti i vitit 2008. Në këtë problematikë gjithsesi bën pjesë edhe çështja e shtetndërtimit dhe problemet të cilat kanë qenë dhe gjithsesi koha kalimtare ka qenë e përcjellë me vrasje, me kriminalitet dhe tjera, do të thotë ai vakuumi që UNMIK-u ka qenë dashur ta plotësojë duke vendosur institucione demokratike, është plotësuar prej grupeve kriminale dhe tjera, që objektivisht është vlerësuar prej të gjitha institucioneve botërore që ka qenë një kohë shumë e vështirë për Kosovën dhe unë mbështetëm te librat dhe të dhënat e librave. Në atë kohë kemi pra edhe vrasje të shumta, 102 janë aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe 92 janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë 603 qytetarë të Kosovës për të cilët pjesërisht ose fare hiç drejtësia nuk e ka dhënë përgjigjen e vet. Unë si shkrimtar dhe historian i kam përfshirë në librin tim dhe unë jam kritik ndaj kësaj dhe në librin tim hedh edhe një faj te UNMIK-u dhe veçmas EULEX-i, që jo vetëm nuk i ka zgjidhur këto raste, por ka bashkëpunuar edhe me struktura të caktuara kriminale. Kjo ka qenë. Askund nuk kam deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bartëse e këtij procesi. Përkundrazi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka përfunduar misionin e saj në qershor të vitit 1999, diku në shtator apo tetor është demilitarizuar në përputhje me marrëveshjen (Michael) Jacksonn- (Hashim) Thaçi dhe aty ka filluar një mision tjetër i FSK-së ku po ashtu ka probleme të shumta ku po ashtu shumë pjesëtarë të FSK-së janë përfshirë në disa veprime kriminale, terroriste dhe tjerë, por është një kapitull tjetër. Askund unë nuk kam thënë se janë vrarë aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo është shkëputur prej kontekstit, një portal, “Expresi” e ka publikuar menjëherë të nesërmen se ka qenë një luftë e papastër dhe se unë e kam karakterizuar dhe aty ka filluar e gjithë fushata e linçimit.

Zëri i Amerikës: A ndjeheni të rrezikuar nga këto reagime dhe linçime?

Jusuf Buxhovi: Për mua të them të drejtën, kërcënimet janë dy llojesh. Kërcënimet që vijnë nga atmosfera e linçimit, do të thotë nga militantët e partive veçmas e klientelizmit të ndryshëm qw e mbikëqyr Partia Demokratike e Kosovës. veçmas nga një pjesë e veteranëve të rremë, të cilët, po ashtu janë të varur prej tyre dhe po ashtu, unë ndjehem i kërcënuar nga vet institucionet e shtetit. Kjo e para ka arsye sepse nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka dalur me një deklaratë skandaloze. Ai në një farë mënyre thotë se pse nuk i kemi qëruar hesapet gjatë luftës me Buxhovin dhe Buxhovizmin. Në një farë mënyre e pranon se ka qenë i përfshirë në vrasjet politike dhe se ato vrasje do të duhej të përfshinin edhe më tutje. Unë në një farë mënyre kam pritur që qeveria do të distancohet nga një zëvendëskryeministër i tillë. Nuk është distancuar, përkundrazi, kemi edhe deklaratën e (Ramush) Haradinajt në një farë mënyre kërkon prej meje gjoja sqarime, thuajse unë jam prokuror apo nëpunës i tij. Unë jam historian dhe këto janë libra dhe ai mund të shikoj librat dhe nuk ka nevojë të më shprehë mua pyetje të tilla. Edhe ajo që është edhe më keq dhe më tutje, unë kam prit që kjo fushatë së paku që është ushqyer prej niveleve shtetërore dhe veteranëve të ndërpritet në një farë mënyre. Kam pritur që kryetari i Parlamentit (Kadri Veseli) në Washington së paku të kërkoj falje dhe në një farë mënyre ta marr në mbrojtje fjalën e lirë sepse kryetari i parlamentit ka qenë mysafir në Washington, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja është tempulli i lirisë dhe demokracisë dhe aty para njëzet vjetëve kemi qenë gjithë spektri jonë me të cilin SHBA-ja i ka ndihmuar shtetndërtimit tonë dhe lëvizjes tonë, ku ndër tjera është thënë se ju do të ndihmoheni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qoftë se do zotoheni për një shoqëri të lirë e demokratike, çfarë në të vërtetë ka qenë angazhimi ynë. Ndërkohë pas njëzet vjetësh shkon krye parlamentari atje dhe në vend që të kërkoj falje, sulmon edhe më ashpër një krijues, tregon se nuk është përkrahës i fjalës së lirë, nuk është përkrahës i mendimit shkencor dhe në një farë mënyre për mua kjo paraqet një shqetësim shumë të madh, sepse merr përsipër barrën e shtetit, në këtë moment, do të thotë pas 20 vjetësh të lirisë, shteti i Kosovës i linçon krijuesit e vet, i kërcënon krijuesit, i kërcënon historianët. Unë i kam shkruar 50 libra, kam shkruar historinë e Kosovës. Shumë nga veprat e mia janë të përkthyera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje mbaj ligjërata herë pas here dhe është e pakuptimtë se si një kryeparlamentar shkon në SHBA dhe kërkon partneritet të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, por harron se partneriteti kërkon fjalën e lirë e demokracinë ndërsa ai e bën të kundërtën atje.

Zëri i Amerikës: Zoti Buxhovi përse keni zgjedhur të bëni akuza publike në vend që t’u drejtoheni institucioneve të drejtësisë për këto çështje?

Jusuf Buxhovi: Nuk kam bërë unë akuza publike, unë kam folur për librin. Emisioni i është kushtuar librit, e tjetër është që keqinterpretuar. Si historian, unë i kam hedhur këto të gjitha dhe në librin gjashtë e shtatë “Kosova” unë flas aty me burime relevante botërore dhe kurrfarë akuzash nuk kam bërë unë, vetëm kam treguar aspektin si historian, e kam trajtuar, do të thotë një aspekt i gjithë asaj është edhe problemet që e kanë përcjellur thash shtetndërtimin tonë, ato tetë vitet, krimi i organizaur, krimet politike tjera ku për fat të keq edhe shumë nga pushtetarët e tanishëm janë pjesë e grupit të organizuar dhe vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet më të rëndësishme evropiane vazhdimisht tërheqin vëmendjen se në Kosovë politika është e përfshirë prej krimit të organizuar dhe se jo rastësisht vet konstelacionet e fundit me qeverinë dhe parlamentin e Kosovës tregojnë se krimi i organizuar aty ka fuqi të madhe dhe se unë si intelektual por jo vetëm si intelektual, kam për detyrë që ta tërheq vërejtjen ndaj këtyre dukurive. Intelektualët janë të përgjegjshëm jo vetëm për atë që e thonë dhe duhet ta thonë, por për atë që duhet thënë e që nuk është thënë. Prandaj unë e kam mbrojtur kauzën e lirisë, kauzën e fjalës së lirë. Do të vazhdojë në ndërkohë, që kujtoj që edhe SHBA-të edhe faktori perëndimor do të jetë në gjendje të mbrojnë fjalën e lirë dhe kauzën e lirë, sepse për këtë edhe ka intervenuar.

Zëri i Amerikës: Z. Buxhovi pas gjithë këtyre akuzave të rëndë, a do të bëni ndonjë ankesë?

Jusuf Buxhovi: Jo absolutisht, unë nuk do të bëj kurrfarë ankese. Unë jam shkrimtar, historian dhe janë librat e mia. Njerëzit mund të manipulojnë, portalet e partitë e ndryshme, forcat politike të cilat objektivisht i kanë bërë dëme të mëdha këtij vendi dhe gjithsesi do t’i nënshtrohet edhe përgjegjësisë politike. Unë do të vazhdoj të punoj. E vetmja gjë që për mua ka qenë shqetësuese, ka qenë që shteti i Kosovës është përfshirë në një atmosferë linçuese kundër një krijuesi i cili e thotë fjalën ashtu si ai e mendon dhe këto të gjitha i shkruan në libra dhe unë kujtoj se librat janë ajo pasuria më e madhe. Ato do të duhej t’i vlerësonte një klasë politike dhe shteti dhe jo të ngrihen kundër tyre.

Dokumentari i “RAI3”/ “Narkotika”, rruga e trafikut të kokainës Kolumbi–Meksikë–Shqipëri (video)

Nën titullin “Narkotika”, një dokumentar me 5 pjesë që rrëfen rrugën e trafikut të drogës nga Kolumbia e Meksika deri në Shqipëri, pritet të shfaqet së shpejti në televizionin italian RAI 3.

I realizuar nga korrespondenti i RAI, gazetari Valerio Cataldi, dokumentari nis me trafikun e kokainës dhe heroinës nga Guerrero, një shtet i vogël në Meksikë, por edhe një qendër për trafikun e madh të kokainës dhe heroinës të destinuar për tregjet amerikane dhe evropiane.

Aty kultivohet lulëkuqja e opiumit, që më pas transfomohet në heroinë.

Nga Meksika, dokumentari zhvendoset në Kolumbi në Katatumbo, në laboratorët klandestine të përpunimit të drogës, për t’u mbyllur në Shqipëri.

“Narkotika” pritet të shfaqet gjatë muajit korrik në kanalin televiziv publik italian RAI 3.

“Narcotica, ka bërë një udhëtim me 5 pjesë që nis në Meksikë, vijon në Kolumbi dhe mbyllet në Shqipëri” – shkruan “La Repubblica”, citon lapsi.al. TG3 dhe RAI3 kanë zgjedhur një orë të vonë për ta transmetuar (23.20) ndoshta për shkak të pamjeve të rënda dhe mënyrës së drejtpërdrejtë të trajtimit të ngjarjeve.

Pjesa e parë është fokusuar në shtetin meksikan se si shteti është i pafuqishëm të luftojë kartelin e drogës “Cartel del Sur”. Aty tregohet se si një grusht burrash që tashmë të lënë në mëshirë të fatit nga shteti janë duke luftuar të vetëm me narkotrafikantët.


“Kjo nuk është hera e parë që banorët vendas vendosin të bashkohen dhe të vetëmbrohen nga masakrat e narkotrafikantëve. Ka ndodhur më herët në Michoacán dhe është pasuar edhe në shtete të tjera. Çështja është se ata bezdisin edhe vetë qeverinë pasi ajo duket e paaftë në sytë e botës. Shteti i akuzon si bashkëpunëtorë, të rrezikshëm politikisht, të përndjekur nga drejtësia dhe në fund shumë prej liderëve të këtyre grupeve janë tërhequr zvarrë në rrugë” – thotë gazetari Valerio Cataldi, citon lapsi.al. Ai rrëfen edhe për fshatrat e Guerrero, të zgjedhura nga “Cartel del Sur” për të kultivuar opium i cili transformohet në heroinë.

Jo – Reagimeve dekonstruktive / Po – Debatit konstruktiv – Nga Ibrahim Kelmendi (video)

Jusuf Buxhovi në emisionin televiziv “rubikon” (11.07.2019) shfaqi edhe (dis)kualifikime goxha irrituese, sidomos për ata që kanë bletën pas veshi. Reagimet ndodhen duke mos e cituar Jusufin, por duke e parafrazuar, ndonjëherë tepër të tjetërsueshëm. Ta zëmë, edhe mbrojtësi i Jusufit, gazetari Valon Rugova, në shkrimin e tij me titull “Unë jam Jusuf Buxhovi”, ka dezinformuar: “Mbrëmë, zoti Jusuf Buxhovi, tha se lufta e UÇK-së nuk kishte qenë e pastër sepse 102 zyrtarë të LDK-së ishin vrarë.” (“Bota sot”, 12.07.2019)

Në Bibel duhet të jetë edhe dezinformata se gjoja Jezusi (inekzistent) paskësh thënë: “Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit.”
Edhe Jusufit duhet t’i jepet ajo që i takon, por jo t’i mvishet ato që nuk i ka thënë në këtë intervistë, pavarësisht koncepteve e interesave që kanë kundërshtarët dhe tifozët. As gazetari Valon Rugova nuk ka qenë korrekt me parafrazimin e tij, sepse Jusufi nuk ka thënë që Lufta e UÇK-së nuk ishte e pastër e as nuk i ka quajt të vrarët e LDK-së zyrtarë, por aktivistë.

Për korrektësi, po ofroj citime konkrete nga intervista, që kanë të bëjnë me alarmimin destruktiv, sidomos të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së:

Jusuf Buxhovi (minuta 7’45”): “Strukturat e SHIK-ut kanë qenë paramilitare.”

JB (minuta 8’20”): “Sipas të dhënave të ndërkombëtarëve, nga qershori 1999 deri në vitin 2002 janë vra 102 aktivistë të LDK-së.”

JB (minuta 10): “LDK-ja ka udhëheq 8 vjet pushtetin paralel në Kosovë. (…) Në Kosovë ka ndodh luftë qytetare, në aspektin historik, nëse shihen shifrat, dmth. 102 [të vrarë të LDK-së]. 92 janë vra vetëm pjesëtarë të UÇK-së. Pra, 102 të LDK-së dhe 92 të UÇK-së, janë vra nga qershori 1999 deri në vitin 2002. I kam prezantuar me emër e mbiemër në librin tim.”

JB (minuta 11’40”): Lufta e UÇK-së dhe n’përgjithësi rezistenca e armatosur, që ashtë e lidhun me ate institucionale, ka qenë e drejtë. Kurkush nuk e mohon ate, as nuk mund ta mohoj. Por, gjithëkush duhet ta di n’çdo luftë ka element t’pa pastër. Ka faktorë, nga ata kriminelë, deri të tyxharët e ndryshëm. (…) Janë vra gjashtëqind e sa vet. (…)
[Ndërhyrja e intervistuesit Adriatik Kelmendi (14’25”):] “Që do të thotë se lufta e UÇK-së nuk mund të cilësohet e pastër, ka qenë e papastër?”]
[Vazhdon JB:] “Ka pas elemente shumë t’pa pastra.”

***
Pra, nga këto citime dhe në gjithë intervistën, askund nuk rezulton që JB të ketë diskualifikuar Luftën e UÇK-së si luftë të papastër! Edhe kur Adriatik Kelmendi e ka keqkuptuar, sikur JB po e diskualifikon luftën e UÇK-së të papastër, JB përgjigjet: “Ka pas elemente shumë t’pa pastra.”
Ky konstatim i JB është korrekt dhe i saktë!

Pavarësisht angazhimeve politike e policeske të JB në strukturat e pushtetit monist, pushtues, jugo-sllav, serb dhe në “pushtet paralel”, kësaj radhe do të duhej të debatohej për (dis)kualifikimet dhe opinionet që i ka shfaq, si intelektual tejet i zellshëm. Unë e (keq)kuptova, se paskësh bërë shtjellime goxha interesante për zhvillimet e pasluftës në Kosovë e Makedoni, deri në zhvillimet aktuale. Po shpresoj të kem vullnet dhe kohë ta analizoj këtë intervistë të tij.

Haradinaj: Nëse s’ka njohje, a duhet që edhe Kosova të armatoset?

Bekim Bislimi

Dëshira për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka potencuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është në logjikën e këshillës për të dy vendet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Këto komente ai i ka bërë të martë, gjatë një konference për media. Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar presidentin francez Macron, i cili të hënën dhe të martën ka qëndruar për vizitë në Beograd, për siç ka thënë “sinqeritetin e shprehur, duke thënë se Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane, me perspektivë evropiane”, gjë që sipas tij, shpjegon shumë.

Presidenti francez Macron, gjatë qëndrimit në Beograd ka theksuar që nuk ekziston një zgjidhje e gatshme dhe magjike për problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, për zgjidhjen e problemit kërkohet kompromisi, i cili nuk nënkupton mbetjen në pozicionet fillestare dhe diametralisht kundërshtuese të palëve në dialog.

Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka theksuar që kompromisi i vetëm që Kosova mund ta bëjë për të arritur njohjen nga Serbia, është heqja e taksës prej 100 për qind për produkte e importuara nga Serbia.

“Pra, nuk është se nuk po bëjmë kompromis. I madh është ky kompromis. Mund të jetë kompromis heqja e taksës, vendosja e marrëdhënieve të lira tregtare. Ndërsa, ajo që ka kërkuar Kosova, është shumë bazike. Ne kemi kërkuar një kornizë-marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, me elementet përcjellëse. Kjo kornizë-marrëveshje duhet të jetë korniza për të cilën na negociojmë dhe nuk ka tjetër përveç asaj që paraqitet”, theksoi Haradinaj.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq, ka deklaruar të martën që në takimin me presidentin francez Macron, i ka kërkuar atij mbështetjen dhe mirëkuptimin që kontesti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk mund të zgjidhet ashtu siç dëshiron secila palë veç e veç, por që “zgjidhja duhet të jetë e ndërmjetme”.

“Këtë e kupton secili njeri, secili serb dhe secili shqiptar. Kjo që shumë prej nesh shtihemi si budallenj, do të thotë që dëshirojmë që t’i përçmojmë kërkesat dhe dëshirat e palës tjetër. Kompromisi nuk është dobësi, por është fuqi. Unë, derisa të jam i gjallë, do të angazhohem për kompromis, pra, për kompromis të vërtetë dhe jo për të hequr dorë dhe për t’u dorëzuar. Nëse do të mundemi do të shkojmë në ato drejtime, por nëse nuk do të mundemi, disa gjenerata tjera pas nesh, do të duhet ta bëjnë këtë”, tha Vuçiq.

Ndërkaq, Haradinaj ka theksuar se ekziston hezitim për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për shkak se Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, po thonë se marrëveshjen “nuk mund ta quajnë si njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”.

“Kjo po i bie që po na këshillojnë edhe neve që të blejmë ‘Mistral’-a (pjesë e sistemit raketor). Serbinë po e armatosin me ‘Mistral’. Për shembull, Serbia po shkon dhe po blen armë në Rusi. Edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë, për sisteme raketore. Ndërkaq, neve na thonë ‘nuk mund t’i vëmë emrin marrëveshjes’ se është njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Çka të bëjmë ne, pra, nëse emrin nuk mundeni t’ia vëni? Ne jemi shtet i pavarur dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog pos njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë a është porosi për ne që edhe ne të armatosemi? Pra, nuk ka shumë hapësirë këtu në mes”, tha Haradinaj.

Por, presidenti serb Vuçiq e ka arsyetuar blerjen e armëve nga Serbia, duke thënë se po jetohet me frikën nga luftërat dhe konfliktet.

“Njerëzit më pyesin se pse blejmë armë. Blejmë armë që të mos na sulmojë askush. Për këtë arsye blejmë armë. Nëse shohin që Serbia është mollë e kalbur, secili do ta marrë atë me lehtësi. Por, nëse e shihni se është e fortë si arrë, atëherë nuk është e lehtë që ta thyeni. Pra, thjeshtë, ne duhet ta bëjmë punën tonë, por duhet t’i kuptojmë edhe gjithë të tjerët. Duhet të shohim se cilat janë edhe kërkesat e tyre”, u shpreh Vuçiq.

Siç ka theksuar presidenti serb Vuçiq, presidenti Macron pritet të organizojë një takim ndërmjet liderëve shtetërorë të Serbisë dhe Kosovës, së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel, si vazhdimësi e takimit të Berlinit. Sipas tij, ky takim ka gjasa të organizohet në muajin shtator.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka ngecur qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Serbia ka vënë kusht heqjen e taksës, për vazhdimin e dialogut. Por, Qeveria e Kosovës, përkundër thirrjeve edhe të Bashkimit Evropian, edhe të Shteteve të Bashkuara, nuk është zmbrapsur nga taksa.

Krahas dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili vazhdon të mbetet i ndërprerë, një nismë për bisedime kanë iniciuar edhe kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Por, as kjo nismë, me gjithë disa përpjekje, deri më tani nuk ka sjellë si rezultat vazhdimin e dialogut.