VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ish-Papa fajëson revolucionin e viteve 1960 për abuzimet seksuale

By | April 11, 2019

Komentet

Zuzana Caputova inaugurohet si presidentja e parë e Sllovakisë

Bratisllavë

Aktivistja liberale ekologjike dhe avokatja Zuzana Caputova u inaugurua si gruaja e parë presidente e Sllovakisë.

Caputova dha betimin të shtunën në një seancë të veçantë të Parlamentit, dhe në këtë mënyrë u bë presidentja e pestë e Sllovakisë që nga pavarësia e këtij vendi, pas ndarjes së Çekosllovakisë në vitin 1993.

Ndonëse 45-vjeçarja ka pak përvojë në politikë, tërhoqi votuesit të cilët ishin të shqetësuar nga korrupsioni. Zgjedhja e saj në një detyrë kryesisht ceremoniale sfidon valën që favorizon populistët ekstremë të djathtë në të gjithë Evropën.

Presidenti i një shteti prej 5.4 milionë banorësh ka fuqinë të emërojë mandatar të Qeverisë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të vërë veton ndaj ligjeve. Parlamenti, megjithatë, mund të anashkalojë veton me shumicë të thjeshtë. Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri, ka shumicën e pushteteve ekzekutive.

Flota amerikane udhëheq stërvitjen e NATO-s në Balltik

njësitë e marinsave amerikanë duke zbarkuar gjatë një stërvitjeje ushtarake në vendet balltike

Një stërvitje e madhe ushtarake ku marrin pjesë forcat detare të 18 vendeve po zhvillohet në Balltik dhe do të zgjasë deri më 21 qershor. Kjo është stërvitja e 47-të e përvitshme operacionale, e njohur me emrin BALTOPS. Këtë radhë, ajo udhëhiqet nga Flota e Dytë e Marinës Amerikane, që u rikrijua së fundmi për të mbrojtur Atlantikun e Veriut dhe Arktikun. Përpara fillimit të stërvitjes, Flota i dha korrespondentes së Zërit të Amerikës, Carla Babb, qasje ekskluzive tek shtabi i saj në Norfolk të Virxhinias.

Stërvitja Baltops është një nga më të mëdhatë në Evropën veriore. Marrin pjesë 50 anije, dy nëndetëse, 36 avionë dhe mbi 8 mijë trupa.

Por, ushtrimi i këtij viti udhëhiqet nga një komandant që nuk e ka selinë në Evropë, por matanë oqeanit në Norfolk, të shtetit amerikan Virxhinia.

Nënadmirali amerikan Woody Lewis, komandanti i Flotës së 2-të Amerikane, i tha Zërit të Amerikës se fleksibiliteti i kësaj flote të vogël është një ndër avantazhet e saj më të mëdha.

“Mund të qëndroj me një pjesë të stafit në këtë anije, ose në një aeroplanmbajtëse, apo në një vendndodhje të thjeshtë diku tjetër”, thotë Nënadmirali Lewis.

Flota e 2-të ruan Atlantikun e Veriut dhe Arktikun. Ajo ishte mbyllur në vitin 2011, në një periudhë shkurtimesh buxhetore dhe kur këto ujëra nuk kishin nevojë për shumë mbrojtje ushtarake.

Por, kohërat kanë ndryshuar. Drejtuesit ushtarakë amerikanë thonë se Rusia ka shtuar lëvizjet në nivelet e Luftës së Ftohtë dhe Kina ka filluar gjithashtu operacione në këtë rajon.

“Kur i planifikojmë këto stërvitje dhe manovrojmë me anijet dhe avionët tanë, në mendje kemi Kinën dhe Rusinë, dhe si ta fitojmë këtë betejë të nivelit të lartë”, thotë Komandante Tara Golden, e seksionit të Trajnimit dhe Zhvillimit në Flotën e 2-të Amerikane.

Dhe nuk janë të shqetësuara vetëm Shtetet e Bashkuara.

NATO ka krijuar një komandë të re për t’u përballur me një Rusi të fuqizuar në Atlantikun e Veriut. Nënadmirali Lewis drejton edhe këtë komandë.

Komandanti suprem i NATO-s për transformimin, i cili drejton zhvillimin e strategjive të ardhshme të aleancës, i tha Zërit të Amerikës se kjo komandë e sapokrijuar do të forcojë lidhjet mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, ndërsa po shtohet paqëndrueshmëria globale.

“Kjo është një ndër mënyrat konkrete se si Aleanca po përshtatet. Duhet të ushqehemi vazhdimisht me konkluzionet e nxjerra në terren, në mënyrë që të përshtasim aftësita tona”, thotë Gjenerali francez Andre Lanata, Komandant Suprem i NATO-s për Transformimin.

Tashmë, Flota e 2-të është krijuar dhe po zhvillon operacione. Pritet që deri në vitin 2021, edhe NATO të ketë flotën e saj për këtë pjesë të globit.

(Video) Madeleine Albright: Falë NATO-s ne e përmbushëm kauzën tonë! Kosova ishte e lirë!

Fjala e Sekretares të Shtetit të SHBA Madam Madeleine Albright me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

 

Ja fokusi kësaj here i Piktorit të shquar Avni Delvina

Ja fokusi kësaj here i piktorit të shquar Avni Delvina:
Në Konferencë shtypi me Edi Ramën kryekomisioneri i BE Jean-Claude Juncker ngatërroi datën e zgjedhjeve nga qershor e bëri prill.
Gazetarët reaguan me të qeshura dhe ilaritet!

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker: Zgjedhjet në prill!

Lapsusi i Junkerit për zgjedhjet, gazetarët s’e mbajnë të qeshurën

 

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka qenë shpeshherë në shenjestër të mediave për sjelljet e tij të çuditshme apo lapsuset në publik.

Ai “goditi” edhe sot në konferencën për shtyp me Edi Ramën, kur tha se “zgjedhjet në Shqipëri duhet të mbahen me 30 Prill”.

Gazetarët ia dhanë të qeshurës, kurse Rama e ndihmoi duke i thënë se “janë në qershor”.

Juncker: Do të mbahen zgjedhjet në Shqipëri, në fund të muajit…prill?
Rama: Qershor.
Juncker: Po, domethënë, janë në muajin e fundit…
(Gazetarët qeshin)
Juncker: Ah, po qershor, këto zgjedhje duhet të mbahen, dhe shqiptarët duhet të votojnë.

 

 

Macron: Jemi në prag të një kohe lufte

Bota po kalon në një krizë të thellë, dhe mund të jetë në prag të një kohe të luftës, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë një fjalimi të mbajtur të martën në Gjenevë.

“Unë besoj se sot ne jemi në prag të një kohe lufte dhe kjo luftë është e pranishme në demokracitë tona, është kriza e thellë që po kalojmë. Ne mund të zgjedhim të jemi somnambul, por nëse duam përparim të vërtetë, ne duhet të bëjmë angazhime serioze”, tha ai.

Macron bëri thirrje për një përpjekje botërore, në adresimin e kërcënimeve siç janë: pabarazia, ndryshimet teknologjike dhe ato klimatike.

“Unë mendoj se kaosi është këtu dhe është përgjegjësia e brezit tonë që të mos presim për një luftë të re, por të shohim gjendjen në botë ashtu siç është”, tha Macron.

Presidenti 41-vjeçar i Francës, e ka vënë veten në ballë të një lëvizjeje liberale duke kundërshtuar ngritjen e së djathtës në Evropë.

Pozicioni i tij brenda Francës është dëmtuar, nga protestat disa muajshe kundër reformave ekonomike, duke përfshirë një taksë të karburantit.

Qeveria gjermane: Mafia italiane përdor bandat shqiptare për trafikun e kokainës

Grupe të organizuara kriminale me prejardhje nga Shqipëria punojnë në Gjermani, për llogari të mafies italiane.

Pohimin e ka bërë qeveria gjermane pas kërkesës së Të Gjelbërve mbi ndikimin që mafia italiane ka në vend.

Ndër të tjera në përgjigjen e saj thuhet: “Mendohet gjithashtu se disa anëtarë të Krimit të Organizuar Italian bashkëpunojnë me korrierë të lëndëve narkotike dhe grupime që kanë prejardhje shqiptare.

Kjo prek nga njëra anë sektorin e trafikimit të produkteve me kanabis, të cilat prodhohen kryesisht në Shqipëri.

Veç kësaj vihet re një ndarje pune në trafikimin e lëndëve narkotike (kokainës) nga Amerika e Jugut për në Europë dhe transportin e mëtejshëm brenda Europës. Pjesëtarët e Krimit të Organizuar Italian organizojnë blerjen e kokainës në vendet përkatëse.

Personat me prejardhje shqiptare dhe strukturat e tyre marrin përsipër detyra logjistike duke e transportuar mallin ilegal nga portet detare të Europës dhe duke e shpërndarë atë më tej në Evropë”, thuhet në raportin e cituar nga DW.

Përveç shqiptarëve, mafia italiane bashkëpunon në Gjermani me edhe me grupime rokerësh ose grupe të ngjashme si edhe me banda të krimit të organizuar ruso-eurazik. Sipas një raportit policor të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, shqiptarët zënë vendin e katërt ndër të huajt që kapen nga policia gjermane për vepra penale të lidhura me krimin e organizuar. Sipas qeverisë gjermane, organizata mafioze ‘Ndrangheta, e cila konsiderohet nga më të rrezikshmet, ka 800-1000 anëtarë në Gjermani.

Top Channel

DW: Merkel refuzon kërkesën e KE për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Sipas një raportimi të gazetës së njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung” të premten (07.06) kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë një refuzim të qartë kërkesës së Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këtë ajo e ka thënë në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën, sipas informacioneve të “Süddeutsche Zeitung”. Merkel  ka bërë të qartë, se një vendim për këtë pritet më së hershmi në tetor.

 

Me këtë kancelarja del qartazi kundër partnerit në koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor. Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.

CDU/CSU dhe SPD me qëndrime të ndryshme

Mospërputhja e qëndrimeve brenda koalicionit qeverisës gjerman u vu re hapur pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian në fund të majit. KE kërkoi hapjen e shpejtë të negociatave si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Por CDU/CSU është e rezervuar edhe këtë vit, ajo ka nevojë për analizë të kujdesshme  raportit. Deputeti gjerman i CDU, dhe kryesues i grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Wadepuhl, ka thënë se CDU/CSU do duhet të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, ka thënë Wadephul në një deklaratë të publikuar menjëherë pas publikimit të progres-raportit të KE në fund të majit. Për Wadephul, Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018.

Për shkak të kalendarit të punës të CDU/CSU nuk besohet, se kjo temë do të shqyrtohet para vjeshtës./DW

BE nis proces disiplinor ndaj Italisë për shkak të borxhit të lartë publik

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të nisë proces disiplinor ndaj Italisë me arsyetimin se nuk ka ulur borxhin e lartë publik.

Anëtarët e Komisionit Evropian (KE) u takuan në Bruksel për një mbledhje javore të Kolegjit. Në takim u diskutua nëse do të inicohej apo jo një proces disiplinor ndaj Italisë për shkak të borxhit të lartë publik.

Pas takimit, KE njoftoi vendimin për fillimin e një procesi disiplinor me arsyetimin se Italia nuk ka ndërmarrë masa efektive për të reduktuar borxhin e saj të lartë publik.

Sipas rregullave të BE-së, deficitet buxhetore të vendeve anëtare nuk duhet të kalojnë 3 për qind të PBB-së (Produkti i Brendshëm Bruto) së tyre dhe borxhet publike nuk duhet të tejkalojnë 60 për qind të PBB-së së tyre. Kur tejkalohet ky limit, masat që duhet zbatuar duhet t’i komunikohen KE-së dhe duhet të ndërmerret një luftë efektive.

Në fund të procedurës në fjalë, ndaj vendit përkatës mund të aplikohen sanksionet financiare. Në fund të procesit disiplinor, Italisë mund t’i vendoset një gjobë rreth 3-4 miliardë euro.

Por procesi disiplinor merr një kohë të gjatë dhe në lidhje me vendimin përfundimtar për dhënien e dënimit kërkohet miratimi nga vendet anëtare të BE-së.

Krahasuar me të ardhurat kombëtare, Italia është vendi me borxhin më të lartë publik në BE pas Greqisë, ku borxhi i saj publik aktualisht kalon 132 për qind të PBB-së së saj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) borxhin e lartë të Italisë e sheh si një rrezik të madh për ekonominë e Eurozonës, krahas konflikteve globale të tregtisë dhe Brexit-it të ashpër.

Çfarë e pret Italinë

Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare i BE-së deri më 19 qershor do të vendosë nëse do të mbështesë apo jo raportin e Komisionit.

Nëse Këshilli e mbështet raportin e Komisionit për fillimin e një procesi disiplinor, procesi do të shqyrtohet në takimin e ministrave të Financave të BE-së që do të mbahet në mesin e muajit korrik. Ministrat në këtë takim do të vendosin nëse do të mbështesin apo jo ndëshkimin disiplinor.

Në rast se ministrat mbështesin ndëshkimin (masën) displinor, nga Italia do të kërkohet të jetë e angazhuar me rregullat e Unionit në çështjen e shtrëngimit të buxhetit publik dhe për të siguruar disiplinën fiskale.

Italia mund të përballet me sanksione të pavërejtura më parë nëse ballafaqohet me probleme në zbatimin e rregullave të buxhetit të BE-së dhe disiplinës fiskale.

Nga ana tjetër, edhe pse shumë vende anëtare të BE-së janë përballur me procedura të hapura disiplinore gjatë krizës financiare të Eurozonës, ndaj asnjërës prej tyre nuk janë vendosur gjoba. aa

Gjykata e Lartë Spanjolle bllokoi zhvarrimin e mbetjeve të Frankos nga mauzoleumi

VOAL – Gjykata e Lartë Spanjolle bllokoi zhvarrimin e mbetjeve të Francisko Frankos nga mauzoleumi në varrezat e El Pardos. Transferimi i mbetjeve të Frankos, i vendosur nga qeveria e Pedro Sanchez, ishte caktuar për të hënën e ardhshme.

Gjykata e Lartë Spanjolle pezulloi zhvarrosjen në pritje të një vendimi përfundimtar mbi ankesën e paraqitur nga anëtarët e familjes së diktatorit.

Largimi ka qenë subjekt i debatit dhe konfrontimit në Spanjë për vite me rradhë. Nga njëra anë, ata që besojnë se prania e varrit në memorial kushtuar viktimave të luftës civile 1936-39 është një mungesë respekti. Nga ana tjetër, nostalgjikët e “caudillo”, që vdiq 43 vjet më parë.
ATS

E djathta ekstreme ka kërcënuar politikanin e vrarë gjerman Walter Lubcke

Berlin

Politikani i shquar për politikat “pro-refugjatë” i vrarë në Hesse të Gjermanisë të dielën, ka qenë i kërcënuar me vdekje nga grupe të së djathtës ekstreme.

Policia gjermane thotë se Walter Lubcke, i njohur për mbështetjen e tij për politikën e kancelares Angela Merkel për dyer të hapura për refugjatët, vdiq nga plagët në kokë që kishte marrë duke qenë në kopshtin e tij.

E përditshmja Die Tageszeitung shkruan sot se politikani konservator (65 vjeçar) ishte kërcënuar me vdekje nga pjesëtarët e të djathtës ekstreme si dhe nga anëtarët e lëvizjes Reichsbuerger, të cilët e refuzojnë legjitimitetin e shtetit modern gjerman, pasi sipas bindjes së tyre, Gjermania ende mbahet e pushtuar nga forcat aleate.

Policia tha të hënën se nuk ka prova të cilat flasin për një motiv të ekstremit të djathtë, edhe pse po hetojnë të gjitha pistat e mundshme.

Lubcke, anëtar i partisë së Merkelit, Unioni Kristian Demokratik (CDU), në kohën e vrasjes shërbente si president i qarkut të qytetit Kassel, të cilin post e mbante që nga viti 2009. aa

Holanda edhe zyrtarisht kërkon pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë

Holanda i dërgoi njoftim zyrtar Komisionit Evropian se dëshiron të iniciojë mekanizmin për pezullimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Natasha Bertaud, zëdhënëse e Komisionit Evropian, tha se Komisioni “do të shqyrtojë me kujdes përmbajtjen e njoftimit, bazuar në informacionet relevante”.

“Komisioni Evropian tani do të njoftojë Këshillin e Ministrave dhe Parlamentin Evropian dhe njoftimi do të jetë subjekt i një vlerësimi dhe një analize serioze”, tha Bertaud.

Njoftimi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, arriti më 31 maj, ndërsa Komisioni Evropian ka një muaj kohë për ta shqyrtuar këtë kërkesë.

Këta hapa janë rezultat i një nisme të deputetëve holandezë, të cilët e kanë arsyetuar këtë kërkesë me, siç kanë thënë, rritjen e aktiviteteve kriminale të mafias shqiptare në Holandë.

Sipas tyre, këto organizata kriminale e keqpërdorin mundësinë e udhëtimit pa viza në Evropë dhe në këtë mënyrë e zgjerojnë rrjetin e tyre të kontrabandës.

Qytetarët e Shqipërisë lëvizin pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian qysh në vitin 2010.

Kërkesa e Holandës për pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë është e para e këtij lloji.

Sipas procedurës, Komisioni Evropian duhet të informohet me kërkesën e tillë nga një ose më shumë shtete anëtare. Pastaj, ky institucion duhet të vlerësojë nëse është i nevojshëm veprimi, bazuar në të dhënat dhe informatat relevante.