Ish-presidenti i ndjerë Xhorxh Bush kishte jo pak miq edhe në Shqipërinë e sapodalë nga diktatura komuniste në fillim të viteve 90. Më i spikaturi midis tyre është ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili kujton me detaje bisedat me zotin Bush për Kosovën, Shqipërinë si dhe forcimin e demokracisë dhe paqes në rajon.
Me zotin Berisha bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha! Këto ditë ka ndërruar jetë në SHBA presidenti amerikan Xhorxh Bush. Ju jeni ndër politikanët e pakët shqiptarë, që e keni takuar qysh nga fillimi i pluralizmit shqiptar, në fillim të viteve 90. Çfarë menduat atë moment dhe si e përjetuar lajmin për ndarjen nga jeta të presidentit Bush?
Sali Berisha: Për mua lajmi për ndarjen nga jeta i presidentit Bush ishte një lajm i hidhur, i trishtuar. Presidenti Xhorxh Bush ka qenë politikani me të cilin unë kam patur marrëdhëniet më miqësore gjatë gjithë karrierës time politike. Qysh nga dy muajt e parë të mandatit tim si president i Shqipërisë nga pranvera e 1992 e deri pak muajsh unë kam ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me të. Kam patur fatin e madh, privilegjin e veçantë të gëzoj miqësinë e tij. Ky është një lajm shumë i hidhur dhe i trishtuar.
Zëri i Amerikës: Çfarë kujtoni nga takimi i parë me presidentin Bush?
Sali Berisha: Nga takimi i parë me presidentin Bush përshtypja më e madhe ishte thjeshtësia me të cilën ai më priti. Xhorxh Bush në të vërtetë i përkiste pa diskutim fisnikërisë më të lartë të kohës, por nga ana tjetër ai ishte edhe njeriu më tokësor që mund të takoje në qarqet politike amerikane dhe botërore. Ftesa dhe pritja në Dhomën Ovale ishte një moment historik për jetën time, por brenda pak çastesh gjithçka u bë shumë e thjeshtë në komunikim. Presidenti Bush filloi bisedën me Kosovën; ajo që më bëri shumë përshtypje, por që edhe ishte problemi më kryesor. Ai u ngrit, mori një atlas në zyrën e tij, e hapi atlasin dhe u ulëm e folëm për Kosovën. Më pyeti: Çfarë mendon? Unë i shpjegova, e i thashë se plani i Milosheviçit është spastrimi etnik i Kosovës dhe ndarja e saj. Në atë kohë plani i Milosheviçit për ndarjen e Kosovës i binte mes për mes Prishtinës; e kishte pak më të madh planin se sa e kanë këta sot Milosheviçët e rinj. I thashë zotit Bush se Milosheviçi synon që qindra e mijëra shqiptarë që janë banorë në zonat e tyre prej mijëra vitesh t’i shpërngulë, t’i sjellë në pjesën tjetër dhe pastaj thotë le të bëjnë çfarë të duan, le të bashkohen me Shqipërinë ose le të bëjnë tjetër çfarë të duan. – Por kjo, i thashë unë, krijon luftë. – Pse, tha, krijon luftë? – Ne, i thashë unë, nuk e sulmojmë Jugosllavinë, por nëse Milosheviçi e ndërmerr një plan të tillë, kufi më nuk do të ketë. Ndaj dua të jem i sinqertë; edhe nëse dëshiroj të parandaloj një konflikt në shkallë të gjerë midis shqiptarëve dhe serbëve, nuk do të mund ta parandaloj atë. As nuk mund ta ndërmarr një gjë të tillë, përkundrazi, unë do të hap kufirin dhe do të bëj gjithçka që ata njerëz të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. – Right point, më tha Bush. – Ke të drejtë, është çështje e drejtë. Mënyra se si e parashtrova me vërtetësi çështja u pranua nga presidenti Bush. Pas kësaj ai luajti një rol kapital në bllokimin e këtij plani, pasi në dhjetor ai i dërgoi një ultimatum Milosheviçit me një të dërguar special, ku ia qartësoi që në rast se ti zbret ushtritë në Kosovë (sepse korparmatën e kishte në Nish dhe ishte bërë gati të zbriste), ti do të përballesh me bombardimin me të gjitha llojet e armëve amerikane, përveç atyre të shkatërrimit në masë, përveç armëve nukleare. Në të vërtetë Milosheviçi nuk e lëvizi ushtrinë.
Zëri i Amerikës: Po për rajonin më gjerë?
Sali Berisha: Përveç Kosovës, një vendim morën SHBA-të edhe për Maqedoninë, …sepse Maqedonia fillimisht nuk ishte bindëse, ndaj SHBA-të nuk e kanë njohur fillimisht Maqedoninë, por e njohën më vonë. SHBA-të bënë një gjë shumë të madhe: SHBA ndërhynë nëpërmjet OKB-së dhe shpalosën dy batalione ushtarësh; një batalion ushtarësh amerikanë në flamurin e OKB-së dhe një batalion tjetër me ushtarë të vendeve nordike. Milosheviçi fillimisht besonte se e ka në xhep Maqedoninë dhe e kishte këtë plan, por SHBA-të ia dështuan këtë plan. Ishin SHBA-të dhe mençuria e Presidentit Gligorov bënë që Maqedonia të mbetet, të mos sulmohet e të ndahet paqësisht nga federata jugosllave. Në atë periudhë kam lobuar, me sa kam patur mundësi, të mos lejohet Millosheviçi të zbresë në Maqedoni dhe të krijohej një konflikt në Maqedoni, i cili do të ishte më i tmerrshëm se sa konfliktet në veri. Interesi i administratës së presidentit Bush për rajonin ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Amerikanët po studionin, siç ma kishte thënë Igëllberger, nëse rajoni ka apo jo interes strategjik për SHBA-të për paqen, sepse SHBA-të gjithnjë kanë përparësi ruajtjen e paqes dhe promovimin e demokracisë në botë. SHBA-të konkluduan që rajoni është i një rëndësie strategjike për SHBA-të dhe u angazhuan. Presidenti Bush është arkitekt i kësaj politike të vazhduar pastaj nga presidenti Klinton, i cili e rimori në mënyrë ekspliçite pas inaugurimit vijën e kuqe të hequr ndaj Millosheviçit, mbajti qëndrime shumë të qarta për paprekshmërinë e Maqedonisë. U bë kështu një kuadër i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili pengoi përhapjen e luftës në jugun e Ballkanit.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, çfarë keni biseduar me presidentin Bush në këto takime të para në fillim të viteve 90 lidhur me mbarëvajtjen e demokracisë së re shqiptare pas gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste?
Sali Berisha: Pas pritjes së parë në Shtëpi unë pata edhe shumë takime me presidentin Bush. Në këto takime presidenti Bush ishte mjaft i habitur dhe ndjente keqardhje të thellë për atë që kishin pësuar shqiptarët gjatë diktaturës. Një nga aktet e tij ishte kur na dha klauzolën e kombit më të favorizuar në tregti. Përtej eksporteve të papërfillshme të Shqipërisë, ai ishte një gjest inkurajues shumë miqësor që të ngjallte optimiziëm. Ndërkohë, temat kryesore kishin të bënin me demokracinë. Mes të tjerash, ai më kishte treguar se si në kohën kur ishte ambasador në Kinë zoti Bush në pritje diplomatike përpiqej të komunikonte edhe me ambasadorin shqiptar, i cili çuditërisht i largohej dhe nuk pranonte të komunikonte me të. Si drejtues i agjencisë së informacionit ai kishte njohuri të gjera për Shqipërinë, sepse përbënte shembullin më të zi të pasojave të një diktature e të një regjimi. Interesimi i tij ishte i madh dhe mbështetja e tij politike kishte rëndësi shumë të madhe.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, çfarë ndihmese mendoni ju se ka dhënë presidenti Bush në fillimin dhe më tej në fuqizimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në shumë fusha?
Sali Berisha: Presidenti Bush ka vendosur themelet e reja në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Në atë periudhë ka patur një dialog shumë intensiv midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së SHBA-ve për të gjitha zhvillimet në rajon. U krijuan bazat e një bashkëpunimi shumë të mirë në shumë fusha, midis tyre edhe në fushën e sigurisë. Mos të harrojmë se dronët e parë në Europë janë vendosur në Gjadër. Ato ishin drone të cilat mbikëqyrnin me një precizion, fotografonin me një precizion shumë të madh të gjitha zhvillimet në luftën e Bosnjes dhe i transmetonin në kohë reale në qendrën e tyre. Pra, atë kohë dhe më vonë u vendos një bashkëpunim sensitiv në fushën e sigurisë, ushtrisë e në të gjithë fushat.
Zëri i Amerikës: A kujtoni ndonjë detaj të veçantë nga takimi që keni patur më vonë në Vlorë me Presidentin Bush dhe me sekretarin Powell?
Sali Berisha: Para se të vinte në Vlorë, ai erdhi në Tiranë. Presidenti Bush, si ish-president ka ardhur dy herë në Shqipëri. Në të dy herët ai ka ardhur në mbështetje të demokracisë shqiptare. Në vizitën e tij në Tiranë unë i kam akorduar Medaljen e Lirisë, në atë kohë ishte titulli më i lartë. Pastaj më ftoi në Texas, dhe unë shkova në Hjuston, mik i tij në familje. Edhe unë e ftova të vijë prapë. Ai erdhi në Vlorë me të gjithë dinastinë Bush, përveç Xhorxh W. dhe me sekretarin Powell. Kjo ishte një vizitë miqësore, ishte një udhëtim turistik me jahtin Alexander. Ndalimi në Vlorë ishte një gjest miqësor ndaj Shqipërisë dhe ndaj meje. Unë e njoha atë me të gjithë zhvilimet dhe problemet që përballje Shqipëria. Unë mund të them se kam patur gjithnjë mbështetjen e tij. Edhe ajo vizitë synonte një mbështetje, pasi ai kishte besim tek unë në bisedat dhe në paraqitjen që unë u bëja problemeve.
Zëri i Amerikës: Shumë njerëz besojnë se presidenti Bush erdhi në Vlorë të bisedonte me ju për zhvillimet e brendshme të Shqipërisë.
Sali Berisha: Pa diskutim që edhe ato ishin dhe ai erdhi për të shprehur mbështetje ndaj Sali Berishës. Kjo është e vërteta. Erdhi me të gjithë familjen dhe me sekretarin Powell në vilën e Vlorës. Pastaj ai shtroi një darkë në jahtin Alexander, ku ishin Xhef Bush dhe djemtë e tjerë, përveç Xhorxh W. Kaluam një pasdite dhe një darkë të paharrueshme në Vlorë dhe në jahtin me të cilin ata erdhën.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, përmendet pak më parë fisnikërinë e presidentit Bush dhe miqësinë dhe bashkëpunimin e tij me presidentin Klinton më pas. Çfarë mund të mësojë politika shqiptare nga fisnikëria e presidentit Bush dhe bashkëpunimi i tij me demokratët? Politikanët shqiptarë janë shumë agresivë, gjuha e tyre është shumë e ashpër. Si mund të përfitojë politika shqiptare nga kjo përvojë e presidentit Bush?
Sali Berisha: Mendësi tjetër ajo e politikanëve amerikanë. Kurse këtu dominon një mendësi fondamentaliste. Konstatohet letë se të gjithë qëndrimet e sotme bëjnë gjithçka që të nxijnë me çdo gjë të djeshmen dhe përpiqen të paraqesin se gjithçka fillon me ta. Kjo të rikujton historinë e vjetër të udhëheqjes shqiptare që bënte çdo gjë për të demonizuar mbretërinë, në mënyrë që të mos kishin referencë. Faktikisht këtë mentalitet e trashëgon sot edhe kjo maxhorancë me në krye Edi Ramën. Nuk ndërtohet duke mohuar. Në radhë të parë duhet të ndërtosh. Mënyra më e mirë për të folur është se duhet të flasësh me vepra. Por sot nuk flitet me vepra.
Zëri i Amerikës: Si mund të dalë Shqipëria dhe politika e saj nga kjo vorbull e nihilizmit dhe e mohimit të rezultateve të pararendësve dhe si mund të bëhet politika më të dobishëm për qytetarët?
Sali Berisha: Pavarësisht nga momentet e acarrta që kanë ekzistuar në marrëdhëniet midis forca të mëdha politike, e vërteta është që konstantja e tyre ka qenë bashkëpunimi. Kjo sot nuk është kuptuar nga Edi Rama, që bashkëpunimi midis forcave të mëdha politike është jetik, por që të bashkëpunojë qeveria me opozitën kjo ka një kusht themelor: Qeveria detyrimisht duhet të ndjejë domosdoshmërinë e këtij bashkëpunimi. Kjo qeveri nuk e ndjen këtë domosdoshmëri.
Zëri i Amerikës: Për shkak të numrave në parlament?
Sali Berisha: Në radhë të parë për shkak të mendesisë. Le të krahasojmë dy periudha: në periudhën 2007 unë kisha votat dhe nuk kisha shtrëngicë për numra. Por për të ecur drejt NATO-s pa opozitën nuk ecje dot. Një ditë më erdhi në zyrë Marsi Ris, ambasadorja amerikane dhe më thotë: – Zoti Berisha ka shumë kohë që nuk bëni më politikë. I them: – Zonja ambasadore, ashtu është, por qëllimi im kryesor është të realizohet ajo vizitë e presidentit Bush në Shqipëri dhe nuk doja që të kishte sherre midis, përkundrazi doja që atë ta përjetonim të gjithë si një ngjarje të madhe.
Zëri i Amerikës: Ndërsa sot…?
Sali Berisha: Sot kreu i maxhorancës bën gjithçka për të denigruar, për të kufizuar, për të demonizuar opozitën. Ai nuk ndjen nevojën, ai nuk kupton se është pikërisht kjo betejë e tij që bëri që Shqipëria të hmbasë dy herë trenin e BE-së: një herë në 2016 duke mos hapur negociatat, dhe në 2018 të mos hapë negociatat sërish. Ai fajëson opozitën, duke thënë se “është opozita që trillon dhe përcjell tek të tjerët, tek ndërkombëtarët, një situatë që nuk ekziston në Shqipëri”. Në të vërtetë është ai që nuk percepton realitetin shqiptar ashtu si është. Ka një problem madhor Shqipëria për të gjithë partnerët ndërkombëtarë nga Uashingtoni e me radhë: Krimi i organizuar, i cili gjendet kudo në botë. Në Shqipëri ai është në kulme, por Shqipëria ka një kryeministër, që është i vetmi në botë që thotë se ne Shqipëri nuk kemi banda, kemi keqbërës, por banda nuk kemi (!). Ky shembull tregon se ku gjendet Rama në raport me realitetin shqiptar. Edhe opozita për të nuk ka asnjë vlerë dhe duhet vetëm denigruar.
Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ka thënë se Kosova është demokraci funksionale parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut.
Në seancën e Asamblesë Parlamentare të KiE-së ku po diskutohet lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë, Bakojanis ka theksuar se zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës Evropiane do të kontribuonte në të drejtat e njeriut.
Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
‘Kam identifikuar tri çështje të mbetura, ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Implementimi i aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit. Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit’, ka thënë ajo.
Bakojanis është shprehur optimiste se Asambleja do ta rekomandoj që Kosova të ftohet të bëhet anëtare.
‘Në bazë të faktorëve të përmendur, mendim i imi është që Asambleja Parlamentare do të rekomandoj Komitetit të Ministrave që të ftoj Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Shpresoj që sot Asambleja do ta nënvizoj nevojën për ta sjellë në ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, dy milionë evropianë të tjerë për t’i mbrojtur ata nga shkeljet’.
Ajo ka ftuar shtetet që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës, të qëndrojnë anash dhe të mos e shohin këtë çështje si çështje të shtetësisë.
‘Që nga publikimi i raportit, kam marrë kritika të ashpra madje edhe sulme personale në kuptimin e asaj siç e kam trajtuar këtë. Këto kritika janë bërë nga përfaqësuesit e shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën, por do dëshiroja kurajon që të jenë të sinqertë sepse kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë se çfarë kushte t’i vendosen Kosovës.
Kundërshtimet e tyre nuk kanë të bëjnë me kriteret e anëtarësimit, ata kundërshtojnë vetë idenë e shtetësisë së Kosovës. Do ishte më guximtare po të kishin vendosur të qëndronin anash. Raporti nuk paraqet raporte sa i përket shtetësisë’.
Bakojanis tha se përkundër se ishte paralajmëruar se ‘nuk mund të pritet progres në asnjë nga këto çështje’, shtoi se ‘progresi real është vërejtur’.
‘Këtu qëndroj para jush me krenari për t’ju informuar që Asambleja Parlamentare ka arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar si një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të sundimit të së drejtës, implementimit të vendimit nga gjykata më e lartë e Kosovës në pritje që nga viti 2016 që do t’ia rikthente pronën manastirit më të rëndësishëm serb në rajon dhe kjo përfaqëson fitore të madhe për sundimin e së drejtës, të drejtat pronësore të serbëve dhe të drejtat e pakicës’, tha ajo.
Bakojanis tha se ‘çdo rast i shpronësimit të paligjshëm të tokës do t’i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut’.
Më pas, u ndal të flasë për Asociacionin, si ‘një prej çështjeve më të rëndësishme të hapura për të drejtat e pakicave në Kosovë’.
‘E shoh themelimin e Asociacionit si çështje e njëanshme, vendore e Kosovës që ndikon vetëm te qytetarët e Kosovës. Duke e pasur këtë parasysh kam bërë çdo përpjekje drejt materializimit të saj. Fatkeqësisht, kjo çështje nuk ka arritur të negociohet’, tha ajo.
Bakojanis theksoi se marrëveshja e fundit e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se ‘çdo lloj negociate për themelimin e tij duhet të bëhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja’.
‘Si rezultat, Asociacioni, fatkeqësisht, është përtej mbulimit tonë, edhe nëse Komiteti i Ministrave inkurajohet fuqimisht që ta marrë parasysh këtë çështje’, tha ajo.
‘Shpresoj që sot Asambleja Parlamentare do ta nënvizojë nevojën për t’i sjellë nën ombrellën demokratike të KiE 2 milionë europianë të tjerë, për t’i mbrojtur ata nga shkeljet dhe për të mos lejuar rrezikimin e jetës së tyre’, tha në fund raportuesja.
Në Hot të Malësisë së Madhe në Shqipëri, u përkujtua të shtunën Kryengritja Antiosmane e vitit 1911, e cila i parapriu Shpalljes se Pavarësisë.
Në përkujtimin e kësaj ngjarjeje ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili vlerësoi traditat atdhetare dhe kulturore te trevës së Malësisë së Madhe.
“Kjo trevë është djepi i artdhedashurisë dhe patriotizmit. Është trevë që zemra ju këndon me lahutën e malësisë, ku ju vallëzoni me xhubletën tuaj që është pronë shqiptare dhe botërore tashmë. Dhe nga kjo trevë nisi Pavarësia e Shqipërisë”, tha Presidenti Begaj.
Ai u shpreh edhe për rendësinë që ka kjo ngjarje në ditët e sotme.
“6 prilli i vitit 1911 është një ngjarje e madhe për shqiptarët pasi u ngrit dhe u valëvit për herë të parë flamuri i Skënderbeut. Tregoi që shqiptarët ishin të ndërgjegjshëm për Pavarësinë e tyre, për të punuar bashkërisht për të pasur një komb shqiptar në të ardhmen. Është shembull i qartë se si duhet të punojmë ne si politikanë dhe si qytetarë në të ardhmen”.
Nën udhëheqjen e prijësit popullor Pavarësia e Shqipërisë Dedë Gjo Lulit, malësorët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Trieshit, Kojës, Shkrelit dhe viseve tjera, pas 23 betejave të përgjakshme kundër ushtrisë osmane, arritën të ngrinin për herë të parë flamurin kombëtar pas afër 500 vitesh robëri, sinjal, që sipas kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, ishte dëshmi e vendosmërisë së malësorëve per t’u shkëputur nga perandoria osmane.
“Nuk ishte një luftë thjesht lokale. Një luftë që kryetrimi Dedë Gjo Luli ishte në krye të 3 mijë luftëtarëve dhe këto luftëtarë ishin prej të gjitha trevave. Shumë prej tyre dhanë edhe jetën për të valëvitë flamurin në Deçiç në 1911”.
Në ceremonitë e sotme, në përkujtim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, morën pjesë edhe përfaqësues të viseve shqiptare përtej kufirit, në Mal të Zi. Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, në Mal të Zi, Bujar Hasangjekaj, tha se për vlerat e saj Kryengritja e Malësisë së Madhe shënohet kudo në trevat shqiptare.
“Ata bënë gjithçka, sakrifikuan gjithçka, madje edhe jetën e tyre për të çliruar trojet shqiptare. Pra, ne të përbashkët kemi gjithçka; kemi historinë, kemi kulturën, gjuhën, flamurin dhe, mbi të gjitha, të përbashkët kemi edhe të ardhmen tonë”.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është deshmi e qëndresës dhe vendosmërisë së malësorëve për pavarësi, mbrotjen e trojeve dhe idenditetit
kombëtar. Për kontriburin në historinë kombëtare Malësia e Madhe është nderuar me urdhërin “Nderi i Kombit”.
Më 28 mars, lidhja e Serbisë me Rusinë u përforcua kur Rusia u përpoq – dhe dështoi – të siguronte një seancë në Këshillin e Sigurimit në OKB, duke u përqëndruar në bombardimin e NATO-s ndaj Serbisë që i dha fund luftës në Kosovë në mars të vitit 1999.
Deputetja Alicia Kearns, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, mbajti një seancë të plotë më 24 mars lidhur me Ballkanin Perëndimor me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Duke dëshmuar në seancë, Lordi Robertson, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se gjatë luftës së Kosovës, “u treguam serbëve se ishim seriozë”. Sot duhet të supozojmë se do të ketë ndikim rus në Serbi. Por kjo është një nga arsyet pse “ne duhet të jemi të ashpër ndaj Serbisë”.
Kryetarja Kearns kërkoi nga Lordi Robertson që të vlerësojë tensionet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të gjitha të mirat,
Joe DioGuardi
President
Shirley Cloyes DioGuardi
Këshilltare për Çështjet e Ballkanit
“Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën dhe me një urdhër të Vuçiç mund të aktivizohen në sulme agresive”! Është kjo deklarata e fortë që ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla bëri në një intervistë ekskluzive për gazetaren Nisida Tufa në News24, ku tha se po përgatiten për të parandaluar çdo lloj skenari serb, por edhe për t’u ballafaquar.
Në intervistën ekskluzive për News24, ministri Sveçla e cilësoi të drejtë dhe normal vendimin për dinarin, teksa tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. I pyetur nga gazetarja Nisida Tufa për marrëdhëniet mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut shqiptar, Edi Rama, ministri Xhelal Sveçla nuk përjashtoi dallimet mes tyre, por tha se mes të dyve ka vullnet për bashkëpunim.
Gjatë intervistës për NeWs24, ministri i Brendshëm i Kosovës foli dhe për raportet e Albin Kurtit me ndërkombëtarët, ku tha se nuk ka asnjë krisje mes tyre, madje ata kanë takime të përjavshme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Ministri e mbylli intervistën me një mesazh pozitiv për shqiptarët, teksa tha se kosovarët mund të shkojnë kudo në botë, por nuk gjejnë mikpritje si në Shqipëri.BW
RTK – Mos e humbni këtë intervistë me tëtë madhin Enver Petrovci: Vjosa sa dhjetë burra, Albini vetvetja, Sali Berisha më artisti – Intervistoi Adelina Ismajli
Nga Vatikani, Kardinali shqiptar, Eminenca e tij e Naltë Ernest Troshan Simoni ka uruar sot besimtarët e krishterë për festën Pashkëve.
Përmes një mesazhi për besimtarët, Kardinali 96-vjeçar uroi për sa më shumë begati, ndërsa theksoi se sot njerëzimi është mbushur me të papritura.
“Jetojmë në një kohë kur njerëzimi është mbushur me të papritura. Sot është festa për Krishtin. Kjo është festë e madhe. Urojmë që në çdo festë të kenë në mendje Krishtin. Të bashkoheni! Paqe dhe begati”, tha Kardinali.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë ditës njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vënë re vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Ndonëse njofton se po i vëzhgojnë me kujdes lëvizjet, kryeministri Kurti thotë se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake serbe, nuk është normal, transmeton klankosova.tv.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kurti.
Kryeministri Edi Rama ka replikuar sot me gazetaren e politikës, Ambrozia Meta. Teksa kreu i qeverisë shqiptare jepte një deklaratë për mediat, gazetarja e pyeti për investimin në ishullin e Sazanit, nga dhëndri ish-presidentit Donald Trump. Në fund të deklaratës, Rama ka tentuar të prekë te faqja gazetaren, ndërsa kjo e fundit e ka paralajmëruar që mos ta bënte këtë gjë, ndërsa ka lëvizur me shpejtësi kokën.
REPLIKAT
Gazetarja: A do të jetë e njëjta kontratë si me atë të Portit të Durrësit, ku falen tokat, dhe taksat…
Rama: Latinët kanë një shprehje; Padia nuk është argument.
Gazetarja: Ju lutem një shifër sa fitojnë shqiptarët….
Rama: Shqiptarët nga gjithçka ne po bëjmë, po fitojnë këtë proces. Do të fitojnë në këtë proces. Nxitja e këtyre zhvillimeve, realizimi i këtyre zhvillimeve, pasuron shqiptarët, Shqipërinë, rrit ekonominë e saj. Injoranca nuk ka argument.
Gazetarja: A ka bërë shteti shqiptar një studim se sa do të fitojnë shqiptarët?
Rama: Sot ne flasim për një Shqipëri që bëhet konkurruese. Të tjerat janë muhabete kot. Flasim për një aplikim që do ta shqyrtojmë sipas ligjit.
Gazetarja: A po mendoni që t’i falni taksat?
Rama nuk i përgjigjet
Gazetarja: Në portin e Durrësit nuk ka investim, po shiten pallatet në gropë….
Rama: Shko shifi (Tenton ta prekë në fytyrë) Gazetarja: Jo ju lutem, mos më prekni më!
Kryeministri Edi Rama shënoi një tjetër skandal sot, pasi shtyu gazetaren e SYRI TV, Ambrozia Meta, e cila po i bënte pyetje.
Rama nuk e duroi pyetjen dhe përdori kontakt fizik ndaj gazetares, e cila po kërkonte llogari se përse paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë për portin e ri, ndërsa në portin aktual të Durrësit po shiten në ajër apartamentet e një investitori privat.
“Ju lutem mos më prekni më,” iu drejtua gazetarja, ndërsa Rama u largua pas incidentit fizik.
Luftëtarët e Brigadës së 80-të të ushtrisë ukrainase, kanë arritur të shkatërrojnë autokolonën e autoblindave dhe tankeve ruse në një pritë të organizuar në afërsi të Bakhmutit.
Rusët ia kishin mësyrë pozicioneve të ukrainasve, me shumë tanke, autoblinda e makineri tjetër të rëndë, duke mos e ditur se ata po i vëzhgonin dhe se ishin në dijeni të çdo lëvizje të tyre.
Sapo ranë në kurthin e ukrainasve, ushtarët e Volodymyr Zelensky njoftuan njësitë artilerike, që filluan ta godasin rëndë autokolonën ruse.
Shumica e mjeteve u shkatërruan plotësisht, kur ata ushtarë që i mbijetuan sulmin, shiheshin duke vrapuar drejt një zone malore.
Pamjet e filmuar nga ajri tregojnë momentin kur artileria i godet autoblindat ruse që po digjeshin, dhe personeli ushtarak që zbriste nga to me shpresën se do t’i shpëtojnë më të keqes.bw
Vitin e kaluar treguam vuajtjet e fëmijëve të fshatit Blerim në Pukë që kalonin mes pyllit me egërsira dhe në ura të shkatërruara duke ecur 2 orë për të shkuar në shkollë me këmbë.
Piranja Kamila Xhakaj këtë vit ka shkuar në Burrel, në fshatin Frankth që është një problematikë e ngjashme. Në lagjen Ballsh ku jetojnë vetëm 5 familje, 8 fëmijë ecin me orë të tëra për t’u shkolluar në Burrel, sepse shkolla e fshatit të tyre është në kushte skandaloze dhe rruga për atje nuk është aspak e mire.
‘S’kemi asnjë lloj rruge për të çuar fëmijët në shkollë. Nuk ka rrugë nga fshati tjetër, përveç pyllit, as furgon, as në këmbë. Bashkia e Matit na ka gënjyer, 100 herë i kemi telefonuar dhe nuk janë përgjigjur’, thotë një nga prindërit.
Problem të madh ka dhe në kalimin e këtyre vështirësive, pasi ka dhe kafshë të egra. ‘Ka një lum para, ka një përrua. Fëmijët kanë shumë vështirësi, pasi ka dhe kafshë të egra përpara nesh’, thonë prindërit.
Gazetarja Kamila Xhakaj bëri rrugën me fëmijët dhe prindërit e tyre duke treguar hap pas hapi të gjitha vështirësitë që kalonin këta fëmijë dhe familjet e tyre në sfidën e përditshme për t’u shkolluar.
Situatat gjatë rrugës janë nga më të ndryshmet dhe ky intinerat duket shumë lodhës, por fëmijët janë të detyruar ta bëjnë çdo ditë. Këtë vit ka pasur dhe një heqje të bonusit të transportit duke i dëmtuar dhe ekonomikisht këta familje.
Piranja kontaktoi dhe me kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj, duke e vendosur në dijeni për rastin. Ky i fundit e pret pa dëshirë të madhe, por më pas premton se do ta zgjidhë problematikën.
Komentet