TIRANË- Rrahman Parllaku ka pak ditë që ka festuar ditëlindjen e 99-të. Ai ka qenë partizan, ish-komandant i Divizionit të mbrojtjes, me detyra të larta në regjimin e asaj kohe por më pas i burgosur politik po nga nga regjimi diktatorial. Në vitin 1952-1954 caktohet në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes e drejtor i Prapavijës së Ushtrisë dhe mori gradën e lartë të gjeneral-majorit. Gjatë viteve 1954-1961 do të shërbente si zëvendësministër i Mbrojtjes për përgatitjen luftarake të ushtrisë. Nga viti 1961 deri në vitin 1967 kreu detyrën e komandantit të Forcave Ushtarako-Detare dhe më pas komisar i këtyre forcave dhe iu dha grada gjeneral-lejtnant.
Gjeneral Rrahman Parllaku për të folur për të gjitha këto, por edhe për humbjen e Liri Belishovës ka qenë sonte në emisionin “Studio e Hapur” në News24. Ai e përshkroi bashkëluftëtaren e tij kundër regjimit fashist, Liri Belishovën si një grua të hekurt, me një inteligjencë të jashtëzakonshme që në moshë të re mori detyra të rëndësishme.Parllaku tha se gjyqi më i rëndë për të ka qenë në Tiranë, pasi e kanë mbajtur 4 vjet të izoluar para se të jepej dënimi. I pyetur nëse i kanë kërkuar falje ‘xhelatët’ e tij pas viteve 1990, gjenerali e mohoi, ndërsa tha se ish ministri i Brendshëm në atë kohë, Gramoz Ruci nuk i jepte dokumentet e Prokurorisë për t’u rigjykuar. Ai tha se pas takimit që zhvilloi me Ramiz Alinë, Ruci i ka dhënë dokumentet.
Eni Vasili: Mirëmbrëma mirë se erdhët Gjeneral Parllaku: Mirë se ju gjeta.
Eni Vasili: Faleminderit që jeni me mua Gjeneral Parllaku: Këtë studio po e vizitoj për të 5 herë. Kam kënaqësinë t’ju shpreh mendimet dhe t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja.
Zoti Parllaku ke ta fillojmë me humbjen e zonjës Liri Belishova. Çfarë simbolizon për ju kjo grua?
Të flasësh për Liri Belishovën duhet të flasësh për një njeri që në moshën e rinisë së hershme, 15-vjeçare u përfshi në LANCL dhe në demonstratat e para humbi syrin. Ky fakt nuk e ligështoi por ia shtoi urrejtjen ndaj armikut dhe e bëri më këmbëngulëse. Me inteligjencën e jashtëzakonshme, me guximin dhe vendosmërinë arriti të dalë në udhëheqje. Një vajzë 20-vjeçare arriti të kishte një funksion në drejtim të rinisë që përbënte 95% të forcave luftuese. Në nëntor 44 bashkë me mua u zgjodhëm kandidatë të plenumit. Liria pati një rritje brenda një kohe të shkurtër në detyrat e saj. Kjo falë vendosmërisë.
Kjo nuk e pengoi diktatorin që ta sulmonte?
Liria pësoi dy goditje. Goditja e parë ishte pas vrasjes së Nako Spiros. Atë e përjashtuan nga Komiteti Qendror. Enveri pasi arriti të përvetësojë dhe të mbajë të fshehura dokumentet që mori Partia Komuniste nga Bashkimi Sovjetik i manipuloi dhe ja vë gjithë fajin Koçi Xoxes dhe vetë doli si shpëtimtar i luftës jugosllave. Kur në fakt ishte ai që nënshkroi marrëveshjet e nënshtrimit ndaj Ish-Jugosllavisë. Ky e manipuloi sikur Nakua ishte vrarë. Por kjo nuk e bëri Lirinë që të ishte nënshtrues ndaj Enver Hoxhës. Ajo ruajti mendimin e saj. Ajo pati guximin dhe të thotë fjalën dhe të përballet me Hoxhën për problemet e partisë. Kjo e bëri Enverin që të kishte frikë. Goditja qe e tmerrshme. Burrin ja burgosën, vëllezërit gjithashtu. Atë e çuan në malet e Kurvelsiheti. Ishte ajo grua e hekurt që mbijetoi. Goditja e dytë qe me vajzën e saj dhe nuk e lejuan që t’i lagte vajzës buzën me ujë.
Belishova është e vetmja që ka kërkuar ndjesë për krimet e komunizmit, a duhet të ketë të tjerë?
Liria, por edhe e unë në 85 vjetorin tim. Liria bëri autokritikë duke thënë që ne ndihmuam atë sistem. Ne patëm tre detyra në atë kohë. Të çlirojmë Shqipërinë. Thamë se do biem bollëkun dhe se treti thamë se do biem demokracinë, por sollëm diktaturën. Dhe për këtë i kërkojmë popullit falje. Ne duhet ti kishim thirrur më shpejt mendjes. Liria këtë falje ka kërkuar. Ne i jemi drejtuar edhe Kuvendit dhe kryetarëve te grupeve sepse i vdekuri nuk dënohet me gjyq. Duhet të dënoheshin krimet e diktaturës dhe të mbrohej LANC. Pra kjo luftë ka qene e lavdishëm dhe duhet të shkruhet siç është. Ne ketë donim që të shërbenim të vërtetën.
Janë shumë pak ata që kanë kërkuar falje?
Pak janë këta që kanë pushtet. Ne kemi kërkuar falje zyrtarisht. Asnjë nuk është prononcuar për kërkesën tonë që të dënohet publikisht diktatura…
Si e shpjegoni që politika nuk iu përgjigj kërkesës tuaj?
Ne edhe sot vuajmë pasojat e diktaturës. Ju e dini si shpërtheu populli pas diktaturës dhe deshën të shkatërrojnë gjithçka. Kjo qe një shpërthim dhe pati një shpërndarje të forcës më të re në të gjithë botën. Ata që mbeten luftuan, por sot pse nuk ngrihen për çështje elementare? Sepse nënshtrimi prej 30 e ca vitesh e bëri popullin tonë të ulë kurrizin dhe të nënshtrohet. Partitë luftojnë për të marrë qeverisjen.
Çfarë mund të thoni për pasardhësit e atyre që dikur ishin në regjimin diktatorial që po qeverisin sot?
Eni unë po jetoj 100 vjetët dhe nuk dua të përziej njerëzit që i shërbyen diktaturës me pasardhësit e tyre. Nuk është e njëjta gjë. Nuk hyj t’i dënoj pasardhësit e tyre. Unë nuk dënoj ata që nuk kanë bërë faje ndaj popullit. Ka pasur edhe fëmijë që kanë dalë kundër prindërve të tyre. Ata që kanë përfituar nga prindërit e tyre do ruajnë kujtimet e prindërve të tyre, ata që kanë vuajtur nga regjimi do ruajnë kujtimet e tyre.
Mendoni që janë aty për shkak të prindërve, trashëgimisë?
Nuk mund të thuash… Ata ruajnë kujtimet për njerëzit e tyre dhe patjetër erdhën në pushtet kur kishin një moshë të pjekurisë. Duhet të kishin një analizë më të plotë për fajësinë e prindërve të tyre dhe jo gjithnjë kjo ndodh dhe veçanërisht tek ne që kemi pasur një trashëgim të patriarkalizmit. Këta fëmijë ndoshta mund ta ruajnë këtë patriarkalizëm por unë nuk mund t’i fajësoj. Edhe ata që nuk janë pasardhës të këtyre familjeve çfarë po bëjnë? Pse kur erdhën nuk i ruajtën dokumentet e komunizmit por i lanë të shpërdoroheshin.
Për Rrahmanin mund të kenë shkruar 30 gazeta por nuk kanë dalë çfarë ishin ata që i shërbyen diktaturës, çfarë krimesh bënë.
Kush i shpërdoroi dokumentet, kush i posedonte?
Ka edhe prej atyre që janë më prejardhje të personave të diktaturës që i përdorin për interesa të tyre në publikimin e shtypit dhe në emisione që janë marrë në dokumente që nuk duhet të shpërdoreshin por duhet të ruheshin për të bërë drejtësi.
Ju keni kërkuar që t’i hiqen të gjitha dekoratat Enver Hoxha?
Unë kam qenë drejtor i personelit në vitet 47-48 dhe atëherë janë dhënë në masë dekoratat. Dekoratat e Enver Hoxhës kam kërkuar publikisht. Nuk mund të kem dhe unë viktima dhe xhelatit i popullit ‘hero i popullit’. Unë po marr veten time nuk po marr ata që shkuan në plumb. Të njëjtat dekorata mban xhelati dhe viktima. Presidenti nuk ka të drejtë të heqë dekoratat por gjyqi ka të drejtë t’i heqë. Gjyqi nuk ua heq të vdekurit. I vetmi organ që kishte fuqi t’i hiqte dekoratat Enver Hoxhës dhe t’ia heqë është parlamenti.
Çfarë përgjigje morët?
Përgjigje mora nga kryetari i Kuvendit që më tha se asnjë nga krerët e grupeve parlamentare nuk ka kërkuar që të prononcohet.
Si u ndjetë për këtë përgjigje?
Si mund të ndihesh kur kërkon një të drejtë dhe nuk të jepet, dhe nuk të plotësohet. Nuk plotësohet në kushtet kur nuk ekziston diktatura. Po jetojmë në një vend që quhet demokratik. Akoma po ruhen nuancat e një pushteti diktatorial. Nuk them që në Shqipëri nuk është bërë gjë, është bërë boll. Edhe në kohën e diktaturës u bënë shumë, u bënë HEC-e, u thanë kënetat, u zhdukën sëmundjet. Edhe pas kësaj ata që u arratisën dhe vuajtën në dyert e botës e kanë ndërtuar e kanë bërë. Puna është sa ne e vlerësojmë këtë dhe sa shteti vetë përpiqet që t’i ndihmojë këtij zhvillimi.
Ju keni shprehur kritika për figurën e Enver Hoxhës dhe thoni se nuk pati rol konkret në luftën NAÇL. Pse ia doli t’i marrë të gjitha meritat dhe ia doli t’iu vrasë dhe burgosi të gjithëve?
Enver Hoxha është udhëheqës politik i luftës jo komandant. Si doli? Prapë është dora e jugosllavëve, manipulimi që ai pati aftësi. Arriti të fitojë besimin e tyre dhe doli në krye. Bashkë me Miladin Popoviç fitoi besimin e tyre dhe ai e nxori në krye të partisë sonë.
Gjatë kohës së diktaturës janë vrarë e burgosur të gjithë gjeneralët. Si ju mundi Enver Hoxha të gjithëve?
Duhet të keni parasysh se proceset nuk janë të një dite. Po ta merrni historikisht deri në gjyqin tonë asnjë nga ata që është dënuar nuk ka shkuar nga plenumi në burg. U përjashtua Sejfulla Malishova, e çoi ministër të arsimit, sa t’i binte nami si udhëheqës. U dënua Tuk Jakova, e bëri zv.ministër të financave pastaj e çoi në burg. Kjo ka shkuar brenda një rrethi të ngushtë që ishte byroja politike.
Kur e kuptuat se cili ishte realisht Enver Hoxha?
Me fjalimin e tij në Burrel dhe letrën hapur. Kjo qe goditja që mori ushtria. Heqja e gradave të ushtrisë dhe heqja e komandës. U vu partia mbi komandën. Ato reforma që të çojmë ushtrinë në fshat ishin jo të duhura. Ne u përpoqëm të mos zbatonim në kohë këto detyra që kërkonte Enveri. Ne shikonim që po dëmtohej ushtria. Ushtria u kthye në roje dhe për të mbjellë patate. Pra kjo rezistencë ishte për të frenuar shpërbërjen. Ne i kërkonim të bëhej shtabi, ai i cilësonte si kundërvënie. Ai goditi ushtrinë sepse e kuptonte rrezikun. Enver Hoxha do kishte mbetur një Skënderbe i dytë me atë mentalitet që kishte populli atëherë.
Ju e paguat me jetën tuaj këtë?
Më mirë ta paguash me jetën dhe te jesh me dinjitet sesa te jesh tradhtar i kombit.
A ishte Konferenca e Tiranës një shans për përmbysjen e diktaturës?
Konferenca u bë pas deklarimeve të Krushovit kur dënoi krimet e Stalinit dhe bashkë me të po dënoheshin dhe udhëheqjet e partive. Ky moment ishte për ndryshime dhe tek, por fatkeqësia ishte se nuk u përpunua si duhet opinioni për një veprimtari të tillë. Por pati edhe momente që duhej larguar se u përzie ndërhyrja e jugosllavëve me konferencën. Grupin e drejtonte Beqir Balluku. Pati personalitete që u përfshinë në ketë veprimtari, po ishte përqendruar vetëm në Tiranë dhe nuk pati zgjerim. Mu më kërkuan që të diskutoja në mbrojtje të asaj. Unë thashë që nuk diskutoj dhe iu shmanga. Kur dola në pushim pashë dy shokë që po diskutonin më këshilltarët e ambasadës se Jugosllavisë. Kisha një urrejtje ndaj jugosllavëve. Kjo veprimtari ishte vetëm ndaj një grupi që mendonin se duhej të bëhej ndryshimi, por nuk pati mbështetjen e duhur. Mehmet Shehu e kapi këtë gjendje dhe Enveri e mori drejtimin e konferencës vetë. Ai e theu opinionin dhe e drobiti konferencën. Entuziazmi për ndryshim u kthye në kundërveprim. Unë nuk shkova në Konferencën e Tiranës. Ai moment për ndryshim nuk u shfrytëzua. Momenti tjetër ishte kur dolëm nga traktati i Varshavës që nuk u shfrytëzua për ndryshim.
Ju u shpallët tradhtar i atdheut, i mbani mend përjetimet?
Për të na dënuar ne Enver Hoxha sajoi një publicitet të madh duke thirrur 14 aktivët e njësive kryesore të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për të diskutuar me një listë të dërguar nga Hysni Kapo gjithë organizatave, me emrin tim dhe oficerëve të tjerë. Ju çohej gjithë komiteteve të Partisë dhe ushtrisë dhe në aktivet e tyre po pyesnin çfarë ke për Rrahmanin apo tjetrin. Këtu pati dy qëllime për të thënë që masa i dënoi këta, dhe për të thënë që kur po godas udhëheqësit e luftës, kushdo që e ngre kokën mund të goditet. Kështu u manipulua e jona. Kur pyeteshin të gjithë, edhe ata që nuk na e dinin emrin. Qe një goditje që ai përdori dy rrugë. Edhe t’ia ulë popullit kryen dhe për të thënë që nuk i dënova unë por populli.
Kush ishte mendja e këtyre skemave brilante manipulimi?
Ka tendenca ta shpërndajnë përgjegjësinë e Enver Hoxhës. Ai ka pasur servilët e tij, ata që i kanë shërbyer, sidomos sigurimi i shtetit. Por në udhëheqje, gjatë periudhës që ka qenë sekretar Hysni Kapo ai ka qenë kryesori se kishte edhe sigurimin. Kërkoi të më hiqte edhe zbulimin e ushtrisë që e kisha unë për t’i pasur të gjitha në një dorë. Mehmeti ka pasur karakteristikat e tij, se edhe krimet në luftë ja vërtetojnë, është pajtuar me të. U fut Kadriu me të, e bëri ministër të brendshëm Mehmet Shehun dhe nuk mund të largohej nga krimi se nëpërmjet ministrisë së brendshme kishe sigurimin. Ishte katërshja që e manipulonte gjithë punën e sigurimit dhe drejtonte informacionet.
Në qoftë se do ju pyesnim për rolin e Mehmet Shehut, qoftë në luftë qoftë më pas?
Unë Mehmet Shehun e kam pasur sekretar organizativ në Vlorë. Mehmeti ka qenë i aftë, se kanë thënë që ka qenë kryeministri më i mirë. Jo më i miri por më i afti. Ka qenë ish-oficer, luftëtar i Spanjës dhe që doli i dalluar në gjithë ambientin tonë të luftës si ushtaraku më me aftësi dhe iu ngarkua detyra për të drejtuar njësinë më të madhe. Nuk mund të humbasësh meritat e luftës së Brigadës. Ka bërë vrasje të parregullta dhe gjatë luftës Mehmeti. Ka pasur zv.komisar Dushan Mugosha, i cili ka qenë nga ata që krimin e ka pasur përballë. Bashkë me të ra Mehmeti. Në genin e tij e ka pasur këtë, për çdo gjë mund të pushkatonte, për çdo gabim. Ka pasur një tendencë të tillë. U bashkua me Enver Hoxhën, iu fut krimit dhe mbeti aty.
Cili ishte roli i Nexhmije Hoxhës?
E njohur si grua të Enver Hoxhës dhe anëtare të Komitetit Qendror. Ka pasur, nuk them që ka qenë e paaftë dhe ta denigroj. Siç doli ajo u pajtua me krimet e Enverit dhe fakti që po i mbron edhe sot, tregon që ajo nuk është e pafajshme se roli i gruas tek burri nuk është i pakët. Në qoftë se do kishte qenë grua humane do kishte pasur një farë ndikimi. Si duket edhe ajo për të pasur një pozitë i shoqi.
Ajo ka dhe mbështetës si e shpjegoni?
Nostalgjikë të Enverit do ketë plot. Nuk mendoj se kanë mbaruar. Partizani 13-vjeçar sot është 90 vjeç, unë jam një përjashtim. Edhe brezi tjetër që u ndikua nga diktatura dhe arriti privilegjet e diktaturës e ruajnë nostalgjinë. Lufta jonë si organizatë veteranësh, këta historianë e nostalgjikë po manipulojnë historinë. Sa do historiani i mirë të jetë po të jetë drejtues partie nuk mund të jetë i paanshëm. Këta njerëz që kanë fituar nga pozita në diktaturë ka nostalgjikë të Enverit dhe përpiqen ta shfajësojnë.
Unë kam dalë hapur, le të dalë dikush hapur dhe të më akuzojë për diçka që i kam bërë popullit tim. Edhe sot nuk del të thotë dikush që më ke bërë diçka. Puna është si ke jetuar e punuar.
Ndoshta ka, për faktin se xhelatët nuk u gjykuan asnjëherë?
Kush do t’i dënonte. Këta që po flasin jo e jo. Këta i mbrojnë, jo i dënojnë. Të gjitha debatet që po bëhen, për kampin e Tepelenës po i mbrojnë. Atje kanë vrarë gra e fëmijë, jo burra se ishin në burg. Në qoftë se unë kam nja 15 dalje në televizor për të mbrojtur luftën, për ta ndarë nga diktatura. Diktatura jonë ka qenë më e egra. Të tjerët kanë vrarë jo kombin e tyre. Enver Hoxha ka vrarë bashkëkombësit e tij si Polpoti në Kamboxhia. Këta janë diktatorë të veçantë që ka nxjerrë historia. Krimet janë të rënda.
Çfarë dini ju për kampin e Tepelenës?
Nuk dua atë flas për ato gjera që nuk i kam jetuar. Unë flas për gjëra që i kam jetuar. Unë flas për ato që kam jetuar deh i them ashtu siç i kam jetuar. Unë me ketë përballem edhe me historianët. Jam i saktë në ato që them. Të flas për këtë çështje duhet të flas me zërin e të tjerëve.
Dua të flasim për Burrelin. Si e kujtoni ditën e parë të burgut?
Në kafaz bëhej gjithçka. Hetuesia aty vinte dhe iu përgjigjej pyetjeve. 15 muaj nuk kam pasur të drejtë të komunikoj me familjen. Nuk dija nëse ishin gjallë apo jo. 5 hapa nëse lëvizje të viheshin zinxhirët. Ishte një regjim i veçantë për të katër ne. Gjyqi ka qenë brenda burgut. Publik ishin sigurimsat. Gjyqi për t’i dhënë karakter demokratik kishin thirrur edhe personalitete të tjera. Kishin thirrur edhe shokë të dikurshëm tanët për të thënë që kemi bërë një gjyq ta hapur. Gjyqi më i rëndë për mua ka qenë se më kanë mbajtur 4 vjet të izoluar në gjyqin e Tiranës. Mbeta i izoluar për 4 vjet. Kishin vënë dhoma dhe pa asnjë informacion. Tre muaj pasi u dënova prapë nuk më lanë të flisja me familjen. Burgu për mua këtu ka qenë më i vështiri. Në burgun e Burrelit ne ishim të veçuar.
Pas viteve 90 keni takuar ndonjë nga xhelatët tuaj?
Kam takuar Ramiz Alinë pasi kërkova rigjykimin tim. Ministri i Brendshëm në atë kohë, Gramoz Ruci nuk jepte dokumentet e prokurorisë për të shqyrtuar gjyqin. Iu drejtova Ramiz Alisë. I thashë që unë kam ardhur për një hall, ka të drejtë ministri i Brendshëm të mbajë dokumentet për rigjykim? Sa u ula unë, Gramoz Ruci i dha dokumentet më pas. Sa herë bëheshin pritet në pallat më pas Ramiz Alia vinte gjithmonë më takonte.
Ju ka kërkuar falje në një lloj mënyrë?
Ai nuk i kërkoi falje popullit dhe jo mua.
Do ketë ndonjë vlerë hapja e dosjeve, ju jeni për hapjen e tyre?
Pse mos ti hapim edhe ne si gjithë bota. Çfarë të keqe do kishte që njerëzit të dinë çfarë ka ndodhur. Kujtesa historike është për të ecur në rrugë të drejtë. Për mua ka qenë kërkesë për t’u bërë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë ditës njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vënë re vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Ndonëse njofton se po i vëzhgojnë me kujdes lëvizjet, kryeministri Kurti thotë se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake serbe, nuk është normal, transmeton klankosova.tv.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kurti.
Kryeministri Edi Rama ka replikuar sot me gazetaren e politikës, Ambrozia Meta. Teksa kreu i qeverisë shqiptare jepte një deklaratë për mediat, gazetarja e pyeti për investimin në ishullin e Sazanit, nga dhëndri ish-presidentit Donald Trump. Në fund të deklaratës, Rama ka tentuar të prekë te faqja gazetaren, ndërsa kjo e fundit e ka paralajmëruar që mos ta bënte këtë gjë, ndërsa ka lëvizur me shpejtësi kokën.
REPLIKAT
Gazetarja: A do të jetë e njëjta kontratë si me atë të Portit të Durrësit, ku falen tokat, dhe taksat…
Rama: Latinët kanë një shprehje; Padia nuk është argument.
Gazetarja: Ju lutem një shifër sa fitojnë shqiptarët….
Rama: Shqiptarët nga gjithçka ne po bëjmë, po fitojnë këtë proces. Do të fitojnë në këtë proces. Nxitja e këtyre zhvillimeve, realizimi i këtyre zhvillimeve, pasuron shqiptarët, Shqipërinë, rrit ekonominë e saj. Injoranca nuk ka argument.
Gazetarja: A ka bërë shteti shqiptar një studim se sa do të fitojnë shqiptarët?
Rama: Sot ne flasim për një Shqipëri që bëhet konkurruese. Të tjerat janë muhabete kot. Flasim për një aplikim që do ta shqyrtojmë sipas ligjit.
Gazetarja: A po mendoni që t’i falni taksat?
Rama nuk i përgjigjet
Gazetarja: Në portin e Durrësit nuk ka investim, po shiten pallatet në gropë….
Rama: Shko shifi (Tenton ta prekë në fytyrë) Gazetarja: Jo ju lutem, mos më prekni më!
Kryeministri Edi Rama shënoi një tjetër skandal sot, pasi shtyu gazetaren e SYRI TV, Ambrozia Meta, e cila po i bënte pyetje.
Rama nuk e duroi pyetjen dhe përdori kontakt fizik ndaj gazetares, e cila po kërkonte llogari se përse paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë për portin e ri, ndërsa në portin aktual të Durrësit po shiten në ajër apartamentet e një investitori privat.
“Ju lutem mos më prekni më,” iu drejtua gazetarja, ndërsa Rama u largua pas incidentit fizik.
Luftëtarët e Brigadës së 80-të të ushtrisë ukrainase, kanë arritur të shkatërrojnë autokolonën e autoblindave dhe tankeve ruse në një pritë të organizuar në afërsi të Bakhmutit.
Rusët ia kishin mësyrë pozicioneve të ukrainasve, me shumë tanke, autoblinda e makineri tjetër të rëndë, duke mos e ditur se ata po i vëzhgonin dhe se ishin në dijeni të çdo lëvizje të tyre.
Sapo ranë në kurthin e ukrainasve, ushtarët e Volodymyr Zelensky njoftuan njësitë artilerike, që filluan ta godasin rëndë autokolonën ruse.
Shumica e mjeteve u shkatërruan plotësisht, kur ata ushtarë që i mbijetuan sulmin, shiheshin duke vrapuar drejt një zone malore.
Pamjet e filmuar nga ajri tregojnë momentin kur artileria i godet autoblindat ruse që po digjeshin, dhe personeli ushtarak që zbriste nga to me shpresën se do t’i shpëtojnë më të keqes.bw
Vitin e kaluar treguam vuajtjet e fëmijëve të fshatit Blerim në Pukë që kalonin mes pyllit me egërsira dhe në ura të shkatërruara duke ecur 2 orë për të shkuar në shkollë me këmbë.
Piranja Kamila Xhakaj këtë vit ka shkuar në Burrel, në fshatin Frankth që është një problematikë e ngjashme. Në lagjen Ballsh ku jetojnë vetëm 5 familje, 8 fëmijë ecin me orë të tëra për t’u shkolluar në Burrel, sepse shkolla e fshatit të tyre është në kushte skandaloze dhe rruga për atje nuk është aspak e mire.
‘S’kemi asnjë lloj rruge për të çuar fëmijët në shkollë. Nuk ka rrugë nga fshati tjetër, përveç pyllit, as furgon, as në këmbë. Bashkia e Matit na ka gënjyer, 100 herë i kemi telefonuar dhe nuk janë përgjigjur’, thotë një nga prindërit.
Problem të madh ka dhe në kalimin e këtyre vështirësive, pasi ka dhe kafshë të egra. ‘Ka një lum para, ka një përrua. Fëmijët kanë shumë vështirësi, pasi ka dhe kafshë të egra përpara nesh’, thonë prindërit.
Gazetarja Kamila Xhakaj bëri rrugën me fëmijët dhe prindërit e tyre duke treguar hap pas hapi të gjitha vështirësitë që kalonin këta fëmijë dhe familjet e tyre në sfidën e përditshme për t’u shkolluar.
Situatat gjatë rrugës janë nga më të ndryshmet dhe ky intinerat duket shumë lodhës, por fëmijët janë të detyruar ta bëjnë çdo ditë. Këtë vit ka pasur dhe një heqje të bonusit të transportit duke i dëmtuar dhe ekonomikisht këta familje.
Piranja kontaktoi dhe me kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj, duke e vendosur në dijeni për rastin. Ky i fundit e pret pa dëshirë të madhe, por më pas premton se do ta zgjidhë problematikën.
Analisti amerikan, Edward Joseph, profesor i universitetit ‘John Hopkins’, i ftuar në edicionin qëndror të lajmeve nga gazetarja Armela Ferko në SYRI TV, foli edhe për vizitën e Blinken-it në Tiranë dhe shmangien e takimeve me opozitën.
Joseph tha se ishte e gabuar që Sekretari i Shtetit nuk takoi përfaqësuesit e opozitës gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe se SHBA e humbi mundësin që të takonte të gjitha palët dhe t’i jepte jehonë parimeve të demokracisë.
Blinken humbi shansin; Duhej të fliste për demokracinë, duhej të takonte opozitën, duhej të fliste për zgjedhje të lira e të ndershme, SHBA kanë interes për demokraci aktive dhe konkuruese, ka theksuar profesori i shquar i universiteti ‘John Hopkins’ dhe njohës shumë i mirë i rajonit të Ballkanit.
Intervista:
Unë nuk i kritikoj gjithmonë Shtetet e Bashkuara. Administrata Biden ka gabimet e veta, Sekretari i Shtetit Blinken është i përfshirë në mënyrë aktive në rajon.
Shohim korrespondencën e tij, vizitën e fundit që bëri në Tiranë ku sekretari Blinken shprehu mbështetjen dhe mirënjohjen për Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë SHBA-së.
Kryeministri Rama sigurisht që i meriton këto lëvdata, por ajo çka duhet të shohim nga Shtetet e Bashkuara është që të ngrenë zërin në emër të demokracisë. Sekretari Blinken duhet të ishte takuar me anëtarët e opozitës. Duhet tja kishte bërë të qartë kryeministrit Rama se janë të domosdoshëme zgjedhjet konkuruese, të drejta transparente sepse janë hallka thelbësore e demokracisë.
Duhet një parlament funksional ku të këshillohet, të ketë diskutime sepse kjo përbën thelbin e demokracisë. Shtetet e Bashkuara besojnë në një demokraci konkuruese dhe aktive. Partitë politike mund të kritikojnë lehtësisht situatën dhe në mediat të ketë të njëjtin akses . Ky ishte gabim nga ana e Blinkenit sepse SHBA e humbi mundësinë në vizitën në Tiranë për të takuar të gjitha palët, jo vetëm zotin Rama, në mënyrë që ti jepte johonë parimeve demokratike.
E rrethuar nga pllakat e gurta dhe rrëfimet e lashta, Shtëpia Kadare, është një pikë reference për lexuesit dhe dashamirësit e kulturës shqiptare.
Statistikat e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve në Muzeun Kadare në Gjirokastër. Për turistët që vijnë në Gjirokastër, Muzeu Kadare ofron një eksperiencë të thellë kulturore dhe historike.
Ata mund të eksplorojnë ambientin ku shkrimtari i madh kaloi fëmijërinë dhe të zbulojnë kontekstin historik dhe kulturor të Gjirokastrës.
Me elemente nga “Kronike në Gur”, ky muze ofron një udhëtim emocionues dhe frymëzues në botën e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.
Në këtë 88-vjetor të ditëlindjes së shkrimtarit ne ju ftojmë të ndiqni një speciale mbi shtëpinë Kadare në Gjirokastër përgatitur nga gazetarja Brikena Metaj.”
Ashtu sikurse në seancën e shkuar, edhe në seancën e sotme deputetët e opozitës po përplasen me punonjësit e Gardës së Republikës, të cilës nuk lejojnë deputetët opozitar të hyjnë.
Deputetja Albana Vokshi ka hyrë me forcë brenda, ndërsa është ndjekur edhe nga deputetët e tjerë demokratë.
Në Shqipëri 4 vjet pas tërmetit që shkaktoi 51 vikima dhe mbi 1 miliardë euro dëme përgjegjësitë për dëmet mbeten të paqarta. Autorët e dyshuar të abuzimeve që mendohet se thelluan pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore, në disa raste ende nuk janë zbuluar, ndërsa në pjesën më të madhe vijojnë të përballen me drejtësinë. Sipas dokumentave të siguruara nga Zëri i Amerikës nga proçeset e hetimit dhe gjykimit, dhjetra zyrtarë dhe ish zyrtarë lokalë, janë nën akuzë për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe vrasje nga pakujdesia. Ndërkaq edhe programi i rindërtimit, është shoqëruar me kritika për proçedurat e tenderimit.
Proçeset hetimore të nisura në Shqipëri pas tërmetit vdekjeprurës të nëntorit të vitit 2019, sipas një analize të Zërit të Amerikës, japin një pamje të paqartë të përgjegjësive ligjore për një pjesë të banesave të shkatërruara.
Tërmeti shkaktoi 51 viktima, 50 prej të cilave në Durrës dhe Krujë. Në të dy qytetet filluan hetimet nën dyshimet për abuzime nga zyrtarë lokalë, ndërtues dhe inxhinierë.
Zyrtari më i lartë që po përballet me drejtësinë për këto pasoja është Vangjush Dako, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit. Ai u arrestua në qershor të këtij viti dhe akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre lidhur me proçedurat për ndërtimin e një pallati të dëmtuar nga tërmeti. Bashkë me të në gjykatën e posaçme, prokuroria dërgoi për gjykim edhe ndërtuesin si dhe disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Zëri i Amerikës, prokuroria e Durrësit dhe Krujës kanë hetuar rreth 20 të pandehur nën akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe vrasje nga pakujdesia.
Në zonën e Durrësit, ku humbën jetën 26 qytetarë, prokuroria dërgoi për gjykim 16 persona.
Nga të dhënat e dosjeve të gjykimit, mes tyre janë një sërë zyrtarësh, në sektorin e legalizimeve, të inspektimit të ndërtimeve, të kadastrës si dhe ndërtues e inxhinierë. Prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë. Gjykata e la këtë masë vetëm për 4 të pandehur, ndërsa për 12 të tjerët vendosi gjatë hetimeve detyrim paraqitje.
Organi i akuzës kishte kërkuar dënime nga 1deri në dy vjet burg, për 16 të pandehurit. Sot rezulton se 4 prej tyre janë shpallur të pafajshëm dhe 5 fajtorë. Prej të dënuarve, vetëm dy kanë kryer dënime me burg sipas kërkesës së prokurorisë, ndërsa për tre të tjerët, gjykata vendosi shërbim prove, ose punë të detyruar. Këto vendime janë apeluar si nga individët ashtu dhe nga prokuroria.
Për 7 të akuzuarit e tjerë, hetimet për dy janë pezulluar për shkak të hetimit në mungesë, dy kanë ndërruar jetë dhe për dy të tjerë, gjyqi nuk pas përfunduar ende në shkallën e parë në Durrës. Ndërsa për të dyshuarin e 7 hetimet janë pushuar.
Në Gjykatën e Apelit, sot ka një dosje voluminoze lidhur me këtë çështje dhe gjasat që ajo të merret në shqyrtim janë të pakta për shkak të numrit të lartë të dosjeve, mbi 37 mijë që presin shqyrtim.
“Për mua është një çështje e mbyllur. Në Gjykatën e Apelit ka 37 mijë dosje. Kjo gjykatë nuk ka asnjë nxitim për të shqyrtuar këto çështje, kur ka dhjetra të tjera ku rrezikohen afatet e paraburgimit për njerëz të botës së krimit, apo kur ka interesa të fëmijëve apo personave të moshuar, të cilët mund të presin nga gjykata aspekte të cakuara. Mendoj se nuk do të ketë asnjë surprizë, dhe në vendimin e Gjykatës së Apelit, por dhe në Gjykatën e Lartë”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Klodiana Lala, gazetare.
Zona tjetër më e dëmtuar nga tërmeti ishte Thumana me 24 viktima. Edhe prokuoria e Krujës regjistroi 12 proçedime penale.
Një prej tyrelidhet me përgjegjësitë për shembjen e dy pallateve në Thumanë ku humbën jetën 24 personat. Kjo çështje është në hetim dhe ende nuk ka asnjë të akuzuar.
“Ka patur një dyshim të fortë që dy pallatet mund të ishin dëmtuar nga tërmeti i shtatorit të po atij viti. Kjo nuk u pranua asnjëherë nga institucionet. Është një hetim që nuk ka dhënë ende rezultate deri tani”- vijoi Klodiana Lala, gazetare.
Edhe për 5 procedime të tjera në lidhje me dëmtimet e disa pallateve dhe të një shkolle në zonën e Krujës ende nuk kanë autor.
5 procedime penale janë pushuar, ndërsa vijon hetimi dhe gjykimi për një proçedim me 5 shtetas, që akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.
Ndërkaq edhe prokuroria e Tiranës, ku u regjistrua vetëm një viktimë nga tërmeti, ka marrë në hetim mbi 40 persona dhe ka dërguar për gjykim 14 prej tyre si dhe 4 shoqëri ndërtimi për ndërtim pa leje, falsifkim dokumentash dhe mashtrim.
Por edhe 4 vjet pas tërmetit, autorët e dyshuar për abuzimet që mendohet se thelluan pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore, në disa raste ende nuk janë zbuluar, ndërsa në pjesën më të madhe vijojnë të përballen me drejtësinë.
Rindërtimi
Veç viktimave, tërmeti shkaktoi edhe një dëm ekonomik prej më shumë se 1 miliard eurosh, gati sa një e katërta e buxhetit shtetit të vitit 2019.
Në shkurt të vitit 2020 konferenca e donatorëve në Bruksel ofroi 1 mld e 115 milionë euro, ndihma dhe kredi për përballimin e pasojave të tërmetit në Shqipëri.
Qeveria shqiptare miratoi një ligj të posaçëm dhe ngriti një Ministri të re, atë të rindërtimit, për të udhëhequr programin, i cili përfshin ndërtimin e objekteve të shkatërruara.
Në krye të saj ishte Arben Ahmetaj, deri në korrik të vitit 2022 kur u shkarkua nga detyra e Zv. Kryeministrit. Programi i rindërtimit kaloi në varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës. Zoti Ahmetaj, është në kërkim ndërkombëtar nën akuzë nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, dhe fshehje të pasurisë. Hetimet ndaj tij nisën për rastin e inceneraorëve.
Sipas të dhënave zyrtare, kostoja totale e rindërtimit është llogaritur rreth 117 miliardë lekë ( rreth1 miliardë euro), prej tyre janë disbursuar rreth 80.6 miliardë lekë ( rreth 660 milionë euro) nga buxheti i shtetit ku përfshihen dhe 2.5 miliardë lekë grante të huaja ( rreth 21 milionë euro). Ndërkaq 8.5 miliardë lekë (mbi 70 milionë euro) janë paguar për bonusin e qerasë për familjet e dëmtuara.
Përfaqësues të opozitës janë kritikë dhe thonë se qeveria nuk arriti të thithë fonde mjaftueshëm nga konferenca e donatorëve.
“ Nga qeveria shqiptare ka patur mungesë angazhimi, mungesë dëshire le të themi dhe arrogancë për të marrë këto fonde me kredi të buta me norma interesi të buta duke preferuar të tenderonte nga buxheti i shtetit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Jorida Tabaku, deputete e PD.
Gjatë një interpelance në parlament në mars të këtij viti Ministrja e Financave në atë kohë Delina Ibrahimaj shpjegoi arsyet e financimit më së shumti nga buxheti i shtetit për programin e rindërtimit.
“ Ne nuk i kemi thënë jo kredive. Shumica e kredive që u vunë në dispozicion në konferencën e donatorëve ishin kredi që do të rialokoheshin drejt rindërtimit. Një nga arsyet pse proçesi i rindërtimit u financua nga fondet e buxhetit të shtetit lidhej me nevojën për të ndërhyrë në mënyrë emergjente”- argumentoi Delina Ibrahimaj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në mars të këtij viti.
Nga ana tjetër ekspertë të financave publike i kanë kritikuar proçedurat e përshpejtuara për tenderat e programit të rindërtimit, që sipas tyre shmangin garën dhe rrisin mundësinë për klientelizëm. Open Data Albania e mbështetur nga 28 deputetë të opozitës e paditi në Gjykatë Kushtetuese aktin normativ me fuqinë e ligjit ku mbështetej ky program, por gjykata në korrik të vitit 2022 nuk kishte numrin e mjaftueshëm të gjyqtarëve për vendimarrje dhe ankesa u konsiderua e rrëzuar. Zyrtarët nuk i pranojnë kritikat se në proçesin e tenderimeve për programin e rindërtimit ka favorizime dhe klientelizëm, por disa zhvillime të kohëve të fundit në fushën e hetimit hedhin dyshime të reja.
Në aktin normativ parashikohet skualifikimi e çdo operatori ekonomik nëse është ose ka qenë dënuar me vendim të formës së prerë për një sërë veprash penale përfshirë edhe krimet në fushën e narkotikëve. Por ky parashikim në ligj, siç shprehet drejtorja ekzekutive e Open Data Albania Aranita Brahaj, dyshohet se është shkelur.
“SPAK e ka dhënë një vendim, një urdhër dhe gjykata e ka miratuar. Është rasti i një shtetasi në kërkim ndërkombëtar. Ishte i dënuar në Spanjë për krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar të lënëdëve narkotike, i cili kishte biznese në Shqipëri. Në momentin kur filluan tenderimet e rindërtimit kjo kompani përfitoi disa kontrata të rëndësishme në dy bashki kryesore të vendit. Gjithashtu gjatë këtij viti ne kemi dhe një padi tjetër, e cila ka shkuar në SPAK nga PD. Ka të listuar aty një numër të madh tenderash të rindërtimit dhe i kërkon prokurorisë të hetojnë nëse këtu jemi në kushtet kur paratë e kontratave publike janë përdorur edhe për të ndihmuar kompani, të cilat janë në biznes edhe për të pastruar produkte të veprave penale”- u shpreh për Zërin e Amerikës Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e Open Data Albania.
Programi i rindërtimit ende nuk ka përfunduar dhe siç njoftojnë autoritetet janë disbursuar 80% e fondeve të parashikuara për të. Të pyetur nga Zëri i Amerikës për një afat se kur mendohet të përmbyllet, Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, thanë se ai është dinamik dhe se nuk mund të parashikojnë një afat.
Partitë opozitare në Kosovë thanë se e kanë marrë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga diplomatët perëndimorë, dhe i cili po mbahej nën një vello fshehtësie që nga 21 tetori, kur u ishte paraqitur udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Asnjëra nga partitë nuk bëri komente të menjëhershme rreth përmbajtjes së projekt statutit i cili përcakton rolin dhe përgjegjësitë e Asociacionit.
Hartuesit e tij që në hyrje u referohen dokumenteve ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës dhe respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të saj.
Në dokument thuhet se synimi kryesor është krijimi i mundësive për komunitetin serb që të përfitojë nga të drejtat e caktuara dhe përgjegjësitë komunale, tashmë të përfshira në Kushtetutë dhe ligjet tjera në fuqi.
“Asociacioni, i themeluar me këtë statut siguron një kuadër vetëmenaxhues për komunitetin serb brenda vetëqeverisjes lokale aktuale dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj. Kuadri përfshin mbështetjen e ofrimit të bashkërenduar të shërbimeve në fusha të caktuara, mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të komunikimit të drejtpërdrejtë për komunitetin serb me qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal”, thuhet në dokument.
Asociacioni, thuhet mes tjerash do të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe nuk do të zëvendësojë, përjashtojë, ose zvogëlojë të drejtat dhe interesat e subjekteve të tjera juridike, që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës.
Po ashtu, thuhet në dokument, Asociacioni në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë ose dëmtojë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet autoriteteve qendrore dhe vendore në Kosovë.
Ky statut thuhet më tej rregullon përgjegjësitë, fushëveprimin, organizimin dhe funksionimin e organeve dhe të të gjitha punëve tjera të Asociacionit dhe ai do t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.
Jo më vonë se 45 ditë nga shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese Asociacioni duhet të mblidhet për të zgjedhur pos tjerash udhëheqjen e kuvendit të tij si dhe presidentin dhe zëvendëspresidentin e Asociacionit, i cili siç thuhet, mund të zhbëhet vetëm me votën ne dy të tretave të delegatëve të tij. Ai do të ketë po ashtu këshillin drejtues që i ngjan një trupi qeverisës.
Asociacioni do të ketë simbolet e tij zyrtare, të cilat mund të përbëhen nga një flamur dhe një stemë dhe mund të përdoren vetëm krahas simboleve shtetërore të Kosovës.
Projekt statuti i njeh të drejtën Asociacionit që të bashkëpunojë edhe me agjencitë qeveritare në Serbi në formën e ofrimit të financave dhe ndihmës teknike, përfshirë pajisjet. Kjo mbështetje nga Serbia do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe auditimit nga autoritetet qendrore.
Po ashtu, dokumenti i njeh të drejtën Asociacionit të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me të tjera asociacione vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në përputhje me ligjet në fuqi.
Asociacioni do të menaxhojë institucionet e arsimit dhe shëndetësisë, që financohen drejtpërdrejt nga Serbia, ndërsa kryetarët e komunave në veri të Kosovës do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për postin e komandantit Rajonal të policisë.
Dy vitet e para të funksionimit të asociacionit do të vëzhgohen nga Bashkimi Evropian i cili do të vazhdojë ta bëjë këtë punë edhe më pas, nëse Asociacioni dhe Qeveria e Kosovës nuk vendosin ndryshe.
Projekt statuti parasheh po ashtu që çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore që nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, do të trajtohet nga një komision arbitrazhi.
Teksti përfshinë edhe hollësi të tjera rreth funksionimit dhe përgjegjësive të Asociacionit, i cili mund të pësojë ndryshime përgjatë negociatave, vazhdimi i të cilave mund të zvarritet për shkak të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, që mbahen me 17 dhjetor.
Propozimi për projekt statutin u është dorëzuar palëve me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Palët në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.
Themelimi i Asociacionit është detyrim i përfshirë në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit që u arrit më herët gjatë këtij viti, e cila synonte të ulte tensionet ndërmjet palëve, të cilat që atëherë u përkeqësuan duke arritur një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.
Sulmi nxiti përpjekje të reja perëndimore për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve, mes palëve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon.
Komentet