VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Intervista – Rama: Nuk e negociojmë demokracinë

By | June 21, 2019

Komentet

Intervista- Surroi: Zgjedhjet e reja – koha e fundit për një kthesë politike në Kosovë

Publicisti Veton Surroi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se zgjedhjet e 6 tetorit janë shumë të rëndësishme dhe do të duhej të shënonin një kthesë politike në Kosovë. Në intervistën dhënë korrespodentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Surroi thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ndërtoj një platformë dhe konsensus me partitë politike për përfaqësimin e Kosovës në bisedimet me Serbinë të cilat pritet të intensifikohen me përfshirjen më të madhe amerikane.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor. Si i shihni këto zgjedhje dhe sa janë të rëndësishme ato për Kosovën dhe zhvillimet aktuale brenda e jashtë saj?

Veton Surroi: Unë mendoj se janë jashtëzakonisht të rëndësishme këto zgjedhje sepse është momenti i fundit se kur duhet të bëhet kthesë në Kosovë. Kosova ka degjeneruar në këto dhjetë vitet e fundit të pavarësisë, në vend se ta shfrytëzojë dhe ta krijojë një avantazh, ka shënuar prapakthim në shumë aspekte dhe është shndërruar në shtet të kapur dhe është jashtëzakonisht me rëndësi që qytetarët ta japin votën e vet në mënyrë që të ç’kapet shteti.

Zëri i Amerikës: Si do të mund të bëhej kjo duke e ditur që tashmë shumica e partive politike në Kosovë ka qe disa vite që janë në pushtet?

Veton Surroi: Nuk është e vërtetë, nuk mund t’i relitivizojmë, do të thotë kemi lëvizjen Vetëvendosje e cila nuk ka qenë në pushtet, ka dalë me një agjendë reformiste. Lidhja Demokratike ka nominuar një personalitet i cili nuk është pajtuar me kapjen e shtetit pra ka qenë një zë pakicë brenda LDK-së kështu që kemi një, nëse mund të them, një energji reformiste edhe tek këto dy parti por edhe në shoqëri në përgjithësi dhe kjo shihet me mobilizim të jashtëzakonshëm të votës së diasporës. Kjo mund të jetë një valë e rëndësishme e cila e ndryshon vendin.

Zëri i Amerikës: Si e shihni rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Veton Surroi: Nuk mund ta parashikoj, por nëse Kosova nuk voton për reformë, për ndryshim, atëherë do të shënoj të njëjtat rezultate të cilat i ka shënuar deri më sot. Nuk mund kërkohet diçka më mirë nëse në pushtet mbetet kapja e shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, cilat sipas jush çështjet kryesore me të cilat do të përballet qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje? Po flasim këtu për sfida të brendshme dhe të jashtme?

Veton Surroi: Nëse flasim për një qeveri reformiste dhe nëse kjo është ajo çka do të dalë nga këto zgjedhje, atëherë do të kemi të bëjmë me korrigjimin për aq sa është e mundur, të shumë aspekteve të jetës së brendshme dhe këto janë sfida jashtëzakonisht të mëdha. Mos të harrojmë që qeveria e kaluar ka nënshkruar një kontratë jashtëzakonisht të dëmshme për shtetin me Contour Global me çka i tërë vendi faktikisht, qytetarët duhet të punojnë për një kompani private, të sigurojnë kredi, t’ia paguajnë rrymën me çmim i cili nuk është i tregut, por me një çmim të paracaktuar dhe ky është një dëm i jashtëzakonshëm dhe qeveria duhet të ballafaqohet me këso gjëra. Natyrisht, duhet të ballafaqohet me përfundimin e konfliktit me Serbinë në një proces negociator, por duke pasur parasysh se janë bërë dëme të mëdha gjatë këtyre viteve, pra duhet korrigjuar duhet vendosur një formë të re të negociatave që e përfundon konfliktin, që krijon një hapësirë të lirisë në regjion dhe që e nxjerr Kosovën nga izolimi në të cilën e ka futur jo vetëm Serbia, Rusia e këto shtete, por edhe kapja e pushtetit këtu.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, çështja e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritja e bisedimeve me Serbinë sipas diplomatëve perëndimorë, janë detyrat kryesore të qeverisë së re. Sipas jush si do të mund të menaxhohen kërkesat e tilla duke e ditur që shumica e partive politike janë për masa ndaj Serbisë, disa me tarifa e disa me reciprocitet?

Veton Surroi: E para që duhet të ndodhë është që qeveria duhet të ketë një politikë të vet të jashtme, një politikë të vetën e cila është e përcaktuar dhe brenda kësaj politike, natyrisht është politika karshi Serbisë. Kjo politikë, si politikë e jashtme e vlefshme për një shtet, duhet të jetë konsensuale, pra atë që qeveria mendon që duhet ta ndërtoj si politikë, duhet po ashtu ta ndaj me partitë opozitare në mënyrë që të krijohet një fuqi e përfaqësimit të Kosovës dhe ashtu siç ndërtohet platforma ashtu do të ndërtohet edhe fuqia përfaqësuese. Unë besoj thellë që në të ardhmen çfarëdo procesi negociator për një kryeministër apo kryeministre të vendit duhet të pasohet me një ftesë opozitës që të marr pjesë në një proces të këtillë dhe do të ishte krejtësisht normale që kjo të ndodhte.

Zëri i Amerikës: Duke e parë që një e gjë e tillë nuk ndodhi muajve të kaluar, a e shihni sfidë këtë edhe gjatë mandatit të ardhshëm?

Veton Surroi: Por është akull që duhet thyer. Do të thotë nuk duhet mbajtur gjendjen gjithmonë pse nuk ka ndodhur në mandatin e kaluar hajde të mos ndodh edhe tash. Pra, një qeveri reformiste duhet të jetë shumë më e hapur në bashkëpunim me opozitën sepse në fund të fundit, Kosova duhet të ketë një unitet të plotë për aq sa është i mundur ky unitet, në përfaqësimin e vet me Serbinë, sepse është faza kur duhet të përmbyllet ky konflikt, duhet të krijohet paqja, duhet të implementohen marrëveshjet e arritura.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës emëruan zotin Matthew Palmer përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Çfarë do të thotë kjo për rajonin?

Veton Surroi: Është shenjë krejtësisht e qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të intensifikojnë zgjidhjen e problemeve të mbetura. Nuk mund të mbeten konfliktet të pambaruara edhe njëzet vjet pas luftës në Kosovë dhe kjo nënkupton një lloj dhënie, një lloj energjie plotësuese e këtij procesi, i cili pak a shumë ka qenë i dështuar.

Zëri i Amerikës: A po e merr përsipër Amerika përmbylljen e bisedimeve Kosovë-Serbi?

Veton Surroi: Nuk besoj sepse edhe në paralajmërimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe të fuqive të mëdha është thënë se konteksti, korniza e negociatave do të jetë prapë brenda Bashkimit Evropian, brenda Komisionit, brenda vet shërbimit të jashtëm por kjo nuk mund të jetë ekskluzivisht pronë e këtij shërbimi sepse është treguar se pa një përkrahje më të madhe politike, gjërat nuk mund të ecin përpara. Ndonëse konteksti do të mbetet i njëjtë, një strukturë përkrahëse të themi politike, duhet të ndërtohet.

Zëri i Amerikës: Edhe diplomatët evropianë kanë hedhur kërkesën për emërimin e një përfaqësuesi të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi. Çfarë do të thotë kjo, ndryshim formati të bisedimeve?

Veton Surroi: Mos të spekulojmë, por do ta dimë në nëntor kur do të themelohet Komisioni i ri Evropian, a do të ketë nevojë apo jo për emërim të një të dërguari të veçantë i cili do të merret me çështjen e Kosovës. Është pak e mundur që njeriu që është në krye të shërbimit të jashtëm të merret ekskluzivisht me Kosovën sepse ka kriza shumë më të mëdha me të cilat duhet të merret gjithandej, nga Ukraina, Irani e gjitha këto çështje të hapura janë çështje që e konsumojnë energjinë e Komisionit Evropian dhe është pak e mundur që e tërë energjia të përqendrohet tek Kosova dhe marrëdhëniet me Serbinë, prandaj është e mundur që Bashkimi Evropian të kërkoj një figurë politike e cila do të ndihmoj, do të lehtësoj këtë proces.

Zëri i Amerikës: Nëse BE-ja emëron një përfaqësues të Posaçëm, sa janë gjasat që edhe Rusia të kërkoj një të tillë dhe çfarë do të thoshte kjo për pozicionin e Kosovës?

Veton Surroi: Është padyshim se do të jetë një kërkesë e tillë e Federatës ruse për aq sa mos të harrojmë se i tërë procesi i negociatave brenda këtij konteksti është pjesë e vendimit të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së dhe anëtarësimi eventual i Kosovës ose anëtarësimi i cili duhet të vijë në fund të këtij procesi negociator, është proces i cili duhet shkoj nëpërmjet OKB-së, e ku Federata ruse ka të drejtën e vetos.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, a po kthehen bisedimet Kosovë-Serbi në një format të themi ashtu sikurse që ishin për statusin e Kosovës, ku ishit pjesëmarrës edhe ju?

Veton Surroi: Do të ketë më shumë energji, por për dallim prej të gjitha negociatave të tera, unë mendoj që është me rëndësi që Kosova të ndërtoj një ofertë të vetën sepse ato çfarë kemi parë deri më sot është një degradim i një procesi negociator dhe një pranim nga ana e Kosovës, i paprecedent i gjërave të cilat i bëjnë dëm vendit. Do të thotë pushteti i Kosovës i ka bërë një dëm shumë të madh gjatë procesit negocciator nga mos dija, nga pakujdesia, nga arsyet tjera që nuk i di, por duhet të rivendosen parimet të cilat e mbrojnë Republikën e Kosovës, interesat e vet dhe ardhmërinë evropiane dhe ardhmërinë e Kosovës në NATO.

Zëri i Amerikës: Si do të duket përfundimi i bisedimeve sipas jush?

Veton Surroi: Përfundimi i bisedimeve Kosovë-Serbi domosdoshmërisht duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të jetë një marrëveshje e cila trajton çështjet e hapura mes Kosovës e Serbisë. Nuk mund të kemi paqe shkel e shko sepse fundja e kemi parë në Bosnje se si gjërat që bëhen shkel e shko pastaj vazhdojnë. Ne nuk kemi llogari si vend, nuk mund t’i lejojmë qytetarëve të vendit që të mbërrijmë në një situatë që gjeneratë pas gjenerate të hapen prapë problemet me Serbinë. Duhet të mbyllen këto probleme dhe këto probleme mbyllen ashtu që të mbrohen interesat e vendit. Interesat strategjike të Kosovës janë që të jemi shtet anëtar i NATO-s, interes strategjik është që të kemi një rrugë të qartë integrimi në Bashkim Evropian, interes strategjik është që të kemi një hapësirë komunikimi të lirë e të paqes me Serbinë dhe gjithë fqinjët tanë, pra të jetojmë në një hapësirë lirie, komunikimi, mungesë të frikës dhe sigurisë së plotë. Qytetarët e Kosovës duhet të jetojnë në siguri jo vetëm për gjeneratat e ardhshme por duhet të jetojnë në siguri për këtë gjeneratë.

Zhaklina Dhimojani ose investitorja idealiste e Himarës !

Sidomos në Shqipëri nuk është gjithmonë habitati ideal për njerëz të drejtë!

 

KLOTILDA HARKA/ U largua nga Shqipëria si aktore dhe kthehet si politikane. Për Zhaklina Dhimojanin, pozicionimi i saj me Shqipërinë ka dy anë medaljeje: atë të kohës si artiste kinemaje me rolin ikonik “Mimoza llastica” dhe atë aktual si investitorja e Himarës, që në zgjedhjet e 30 qershorit u votua anëtare e re e Këshillit Bashkiak në listën e Partisë Socialiste.

Një artiste që bashkë me kapërcimin e kufirit në vitin 1990, ndryshoi edhe statusin e profesionin për t’u kthyer në vendlindje me ide të qarta. Për jetën që ndan mes Zvicrës ku jeton me bashkëshortin, Stefanin, e vajzën, Alexi-n, dhe Shqipërisë ku jetojnë ende prindërit, synimit në shndërrimin e Himarës në një model turizmi dhe ambiciet në politikën shqiptare, Zhaklina flet për herë të parë në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

 

 

Një status i yti në “Facebook”, ku flisje për largimin e një lundrueseje të braktisur në molin e Himarës, tërhoqi vëmendje. Çfarë është kjo nismë personale?

Ju falënderoj për vëmendjen. Kjo nismë personale është shprehja e raportit që unë kam me të bukurën dhe me të kundërtën e saj. Nga ana karakteriale, qasjes sime aktive kundrejt çdo fenomeni i shtohet natyrshëm vullneti për t’u përfshirë në zgjidhjen e tij. Kjo është njëra shtysë. Arsyeja tjetër që bëri që kjo lundruese e abondonuar prej shumë muajsh të më vërë në pozitat e punës, është sensibiliteti im ndaj çdo problematike që i përket ekosistemit. Rasti i lundrueses ishte një gërshetim problematikash të reflektueshme ndjeshëm te turizmi si sektori i vetëm e që siguron të ardhura për gjithë zonën e bregdetit.

Ndërkohë, ke fituar postin e këshilltares bashkiake në Bashkinë e Himarës, pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Si lindi ideja për t’u bërë pjesë e pushtetit lokal në Shqipëri, ndërkohë që prej vitesh jeton jashtë?

Sinqerisht, unë nuk jam një njohëse e mirë e politikës shqiptare, por kam kuptuar mirë se përfshirja në politikë, mundëson që ti të bëhesh e dobishme për ata që besojnë te ty. Dua të shpjegohem: prej vitesh, kontribuoj në Himarë në pajisjen me materiale motorike kryesisht në sektorin e zjarrfikëses, sektor që sheh të punësuar 13 persona, për të cilët është siguruar gjithashtu edhe aftësim profesional, me kurse të organizuara nga ana ime dhe e bashkëshortit tim. Por dëshira ime është që ky impenjim të vazhdojë në kohë. Përfshirja ime në qeverisjen vendore, besoj unë, do të më japë një titull, me të cilin kërkesat, përçapjet e mia përpara një donatori potencial, do të kenë më shumë mundësi të realizohen.

 

 

Fakti që je pjesë e Këshillit Bashkiak, do të thotë se rezidenca jote tashmë do të jetë në Himara, pra si do të ndryshojë jeta jote?

Vitet e fundit vij shumë shpesh në Shqipëri, sepse këtu jetojnë prindërit e mi. Por tani e tutje do kem një takim fiks.

E dimë që jeta jote publike ka nisur si aktore kinemaje dhe tani pas kaq vitesh mund të themi se je pjesë e politikës. Cila është filozofia jote në këtë terren të egër dhe çfarë ambiciesh të tjera ke?

Ata që më njohin, njohin mirë edhe humanizmin, altruizmin që më karakterizon. Dikush thotë që jam idealiste. Unë them se jam një person që karakterizohem nga ndenja e së drejtës nga të qenit e drejtë mbi të gjitha. Këto janë karakteristika që çdokush që bën politikë, politikë në dobi të një grupi, duhet absolutisht t’i posedojë. Natyrisht, politika, sidomos në Shqipëri nuk është gjithmonë habitati ideal për njerëz të drejtë, por besoj se edhe aty, ndershmëria në raund të fundit është “the winner”.

Synimi yt kryesor është mbrojtja e mjedisit dhe ruajtja e ekosistemit. Në ç’aspekte të tjera do të ndihet ndihmesa apo vizioni yt në Himarë dhe si cili vend turistik në botë do të doje të bëhej pas zhvillimit?

Pa dyshim, impenjimi im në mbrojtjen e ambientit dhe ekosistemit do jetë parësor dhe konstant. Por kjo s’do të thotë aspak, që do jem më pak aktive në problematikat kulturore, artistike dhe ato të rolit të gruas. Do të doja që turizmi në Shqipëri t’i ngjante të paktën Sllovenisë (vend që e kam vizituar shpesh) e që deri pak dekada më parë ishte vetëm Ballkan, por sot është model turizmi.

 

 

Po familja jote si e priti vendimin për t’u kthyer në Shqipëri si pjesë e politikës?

Familja ime, duke njohur dëshirën e madhe për të kontribuar, nuk mund të ishte veçse dakord.

Meqë largimin e lundrueses e bëre me shpenzimet e tua, mund të të konsiderojmë një investitore?

Pse jo?

Sa afër je politikanëve dhe me cilët prej tyre ke komunikim direkt?

Shumë nga politikanët e sotëm në Shqipëri për mua janë shoqja e shkollës, shoku i lagjes, miku i fëmijërisë.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

PS/ Titulli është i redaksisë të voal.ch

Intervista – Serwer: Negociatat nën presion të madh, Vuçiqi do ta shiste si fitore marrëveshjen me Kosovën në zgjedhjet serbe

Ish-diplomati amerikan dhe eksperti i çështjeve që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, teksa ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një intervistë për Gazetën Express, ka paralajmëruar se nëse do të ketë negociata gjatë dimrit, atëherë do të ketë presion të madh nga SHBA’ja dhe Bashkimi Evropian për të shkuar drejt një marrëveshjeje finale. Por, Serwer thekson se nuk mund të pritet që Prishtina të shkojë në këto negociata përderisa Serbia do të gjendet në një periudhë paraelektorale, pasi një marrëveshje eventuale mes dy palëve, Vuçiq do t’ia shiste si fitore elektoratit të tij në Serbi. Përveç tjerash, në këtë intervistë ai i bën thirrje klasës politike kosovare që të jenë të bashkuar dhe të gatshëm për arritjen e një marrëveshje të mirë, në të cilën ai thotë se nuk ka vend ideja e korrigjimit të kufijve. Për Matthew Palmer thotë se është njeri i mirë, megjithatë ish-diplomati shprehet skeptik nëse ai do të përfaqësojë gjithë fuqinë e SHBA’së në dialogun Kosovë-Serbi. Për Rusinë thotë se s’ka vend në dialog.

Besnik VELIU

Gazeta Express: Si e shihni vendimin e Sekretarit të Shtetit për emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi?

Daniel Serwer: Supozoj që paralajmëron një tjetër përpjekje për t’i zgjidhur gjërat, në mënyrë të veçantë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Gazeta Express: Cilat janë pritjet tuaja nga Matthew Palmer si Përfaqësues Special?

Daniel Serwer: Matt është një njeri i mirë, por nuk jam i sigurt se ai sjell në tryezë të gjithë peshën e Shteteve të Bashkuara, atë ushtarake, ekonomike, politike dhe diplomatike. Të presim e të shohim.

Gazeta Express: Ka disa raportime që thonë se SHBA’ja dëshiron një zgjidhje deri verën e ardhshme. A e shihni këto lëvizje të fundit të SHBA’së, si një nxitim për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit? – Nëse po, a mund të jetë diçka e tillë e mirë për gjithë procesin?

Daniel Serwer: Po, amerikanët po nxitohen, por kjo nuk nënkupton që edhe Prishtina duhet ta bëjë. Së pari (Kosova) duhet të mbajë zgjedhje të mira dhe të formojë një qeveri e cila mund të ketë një qëndrim përkrahës për dialogun. Zgjedhjet parlamentare në Serbi mbahen në prillin e vitit 2020, që nënkupton se nëse ka negociata këtë dimër ato do të mbahen nën presion të madh nga BE-ja dhe Amerika, për të arritur një marrëveshje që presidenti Vuçiq mund ta shes si fitore para elektoratit të tij. Unë mendoj që nuk duhet të pritet prej Prishtinës që të negociojë me Beogradin në periudhën parazgjedhore në Serbi.

Gazeta Express: Ka pasur gjithashtu edhe deklarata nga deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, që edhe Bashkimi Evropian duhet të emërojë një Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi. A i shihni këto lëvizje si një përpjekje për të treguar se kush drejton politikën në Evropë?

Daniel Serwer: Menjëherë pasi amerikanët e emëruan të Dërguarin Special, mendoj se ka qenë e pashmangshme që edhe Evropa të dëshirojë një të tillë gjithashtu. Unë do të preferoja që Amerika dhe BE-ja të kenë një politikë të përbashkët, përpara se t’i emërojnë të dërguarit specialë. Por, nuk po ndodh kështu, në mënyrën se si po rrjedhin gjërat.

Gazeta Express: Kush duhet të jetë ndërmjetësuesi kryesor i dialogut, Brukseli apo Washingtoni, apo së bashku? Çfarë mund të thoni rreth përfshirjes së Rusisë? ( Ish ambasadori i SHBA’së në Beograd, Cameron Munter ka thënë që ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko është një ekspert dhe që ai mund të ndihmojë procesin e dialogut).

Daniel Serwer: Brukseli e ka peshën më të madhe, por edhe përkrahja e Washingtonit është jetike, veçanërisht për t’i bërë presion Prishtinës. Nuk mendoj se rusët mund të ndihmojnë në ndërmjetësimin e bisedimeve në asnjë mënyrë. Moska përkrah Beogradin dhe nuk dëshiron të shoh një zgjidhje që do të lejonte Kosovën të anëtarësohet në NATO. (Moska) po ashtu do të dëshironte një çmim të lartë edhe për anëtarësimin e ( Kosovës) në Kombet e Bashkuara, me gjasë që SHBA’ja ta pranojë aneksimin e Krimesë dhe mbase njohjen e pavarësisë se Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Kjo nuk do t’i ndihmojë negociatat.

Gazeta Express: Senatori Chris Murphy në një shkrim personal rreth vizitës së fundit në Kosovë, ka përshkruar edhe takimin që ka pasur me politikanët kosovarë. Ai ka thënë se në takimin që ka pasur në ambasadën amerikane, ka pranuar ankesa nga ta se nuk po dinë kë të dëgjojnë rreth çështjes së dialogut, Evropën apo SHBA’në

Daniel Serwer: Asgjë e mirë nuk do të ndodh në Ballkan përderisa Bruskeli dhe Washingtoni nuk flasin njëzëri.

Gazeta Express: A mendoni se ka vërtetë mospajtime mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara rreth çështjes së Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Jo në të vërtetë. Por, Evropa vuan nga mungesa e unitetit për shkak të pesë vendeve që nuk e njohin (Kosovën), derisa SHBA’ja në pikëpamjen time , synon që t’i japë Beogradit “diçka”. Në momentin që problemi me Prishtinën zgjidhet, rruga e Beogradit drejtë BE’së është e hapur plotësisht. Kjo është më shumë se diçka.

Gazeta Express: Dhe një pyetje të fundit. Kosova është në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit. Cili është mesazhi juaj për ata që do të drejtojnë institucionet në qeverinë e re?

Daniel Serwer: Për votuesit, nëse dëshironi diçka ndryshe votoni për të. Për liderë e rinj do ta thosha këtë : Ju mund të arrini një marrëveshje të mirë vetëm duke qenë të bashkuar dhe të gatshëm për t’u larguar nga një marrëveshje e keqe. Shkëmbimi i territoreve nuk ka vend në një marrëveshje të mirë.

Intervista – Mathew Palmer: Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta

Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i tha Zërit të Amerikës se administrata amerikane mbetet e angazhuar në Ballkan. Në një intervistë me korrespondenten e VOA pranë Departamentit amerikan të Shtetit Nike Ching, ai foli mbi përparësitë në detyrën e re si i dërguar i posaçëm, si dhe mbi pritshmëritë e SHBA për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përparësitë politike në rolin tuaj të ri, duke pasur parasysh se ky është një pozicion i ri, i krijuar nën administratën e tanishme. A ka një rritje të interesit dhe angazhimit amerikan ndaj Ballkanit?

Matthew Palmer: Sigurisht, mendoj se vendimi i Sekretarit të Shtetit për të emëruar një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor tregon qartë dhe në mënyrë konkrete, angazhimin tonë për rajonin, angazhimin tonë për të qenë partner për rajonin dhe ambicien tonë për të ndihmuar rajonin, të zhvendoset më pranë bashkësisë perëndimore të kombeve. Prandaj, unë e shoh rolin tim si diçka që në fakt më mundëson të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi shpresë se kjo fillon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu dëshirojmë të shohim Serbinë dhe Kosovën, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Dhe, natyrisht, do të donim po ashtu që Bosnja dhe Hercegovina të vazhdojë procesin e reformës dhe të afrohet më shumë në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike. Është një axhendë e madhe, ka shumë punë për të bërë, por unë jam i përkushtuar të qëndroj në partneritet të ngushtë me rajonin dhe t’i ndihmoj ato vende të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, nxitja e Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar bisedimet është një nga përparësitë. Në ç’mënyrë?

Matthew Palmer: Mendoj se gjëja e parë që duhet të bëjmë është të presim derisa Kosova të zhvillojë zgjedhjet më 6 tetor. Pastaj do të ketë një proces të formimit të qeverisë. Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta së bashku në çdo hap të këtij procesi, por Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta.

Zëri i Amerikës: Cila është pritshmëria juaj për zgjedhjet e 6 tetorit?

Matthew Palmer: Kjo varet në të vërtetë nga populli i Kosovës, por çfarëdo partie politike të dalë në krye, të jetë në gjendje të provojë për të formuar një koalicion, shpresojmë që ajo parti të lëvizë shpejt drejt formimit të qeverisë dhe drejt krijimit të një koalicioni të përkushtuar për të rihapur procesin e dialogut në mënyrë serioze.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, pika më e vështirë duket se është, së pari tarifat e Kosovës ndaj importeve serbe dhe së dyti fushata diplomatike e Serbisë për të bllokuar njohjet e Kosovës. Çfarë do të bënte SHBA? Cilat janë zgjidhjet e mundshme?

Matthew Palmer: Ajo që ne do të dëshironim të shohim është që qeveria e ardhshme e Kosovës të pranojë se përparësia e saj është një marrëveshje normalizimi me Serbinë dhe që pezullimi i tarifave është pjesë e kësaj. Ne kemi shpresë që Serbia do të përgjigjej pas kësaj me disa stimuj nga ana e saj dhe që kjo të përfshinte pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve. Dhe me këtë si bazë, pra me pezullimin e tarifave dhe fundin e fushatës për bllokimin e njohjeve, palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve në një atmosferë pozitive me vështrimin drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: A do t’i rigjallëroni përpjekjet tuaja për t’i nxitur palët, siç është letra e përbashkët nga ju dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, për t’i kërkuar Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind, tani që në Shtëpinë e Bardhë do të jetë Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien?

Matthew Palmer: Kur flas në emër të qeverisë amerikane, nuk flas thjesht në emër të Departamentit të Shtetit. Si Përfaqësues Special do të paraqes pozicionet e Shteteve të Bashkuara që përfshin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Ne flasim si qeveri amerikane me një zë të vetëm koherent dhe me një politikë të vetme. Kështu që, kur shkoj në Kosovë dhe takohem me zyrtarë të Kosovës, unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Kjo presupozon se e gjithë qeveria amerikane qëndron prapa çdo gjëje që unë them.

Zëri i Amerikës: Nëse ngërçi vazhdon, a do të ketë kjo ndikim negativ në mbështetjen e SHBA për të ndihmuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne mbetemi të përkushtuar për këtë, kjo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të përgatitur të punojmë në partneritet me Beogradin, në partneritet me Prishtinën, në partneritet me autoritetet serbe, në partneritet me autoritetet në Kosovë për arritjen e këtij qëllimi dhe objektivi. Ne nuk mund ta bëjmë këtë vetë. Janë vetë palët që duhet ta udhëheqin këtë përpjekje. Ne duam një zgjidhje që të jetë në pronësi lokale, që të jetë e qëndrueshme, që të jetë e pranueshme tek të dyja palët. Një zgjidhje të cilën Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare të mund ta mbështesin. Ne jemi partnerë për ta në këtë proces, por janë ata që duhet të jenë në timon.

Zëri i Amerikës: Do të doja ta zhvendosja intervistën te Kina, pasi Kina po zgjeron nismën e saj Një Brez një Rrugë. Disa analistë thonë se investimet kineze në Ballkanin Perëndimor po marrin vrull. A është kjo diçka negative për ju kur ju flisni mbi përparësitë e politikës amerikane? Cili është ndikimi i kësaj në marrëdhëniet e SHBA me rajonin?

Matthew Palmer: Po. Ne e kuptojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të prirur të gjejnë marrëveshjet më të mira të mundshme për veten e tyre dhe publikun e tyre, kur përpiqen për projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo është normale. Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të sigurojmë që loja të jetë e barabartë për të gjithë. Pra, që kompanitë amerikane, ndërmarrjet perëndimore të jenë në gjendje të konkurrojnë në mënyrë të drejtë për këto mundësi, kur ato shfaqen. Dhe ne po i inkurajojmë qeveritë në Ballkanin Perëndimor të shqyrtojnë në mënyrë të gjerë, nëse disa nga këto marrëveshje me Kinën janë vërtet në interesin e tyre. Dua të them që kemi parë në raste të tjera që lidhen me nismën Një Brez, Një Rrugë një lloj qasjeje grabitqare që i fut vendet në borxhe përmes këtyre programeve, ku shifrat që ofron Kina mund të duken shumë tërheqëse për qeverinë në fjalë, por kostot e mirëmbajtjes, mungesa e krijimit të vendeve të punës që kinezët sjellin bashkë me projektet, dhe më e rëndësishmja, ngarkesa e borxhit që ndikon në aftësinë e këtyre vendeve për të mirëmbajtur të mirat kapitale që ato marrin, në fakt krijojnë kosto afatgjata dhe pasoja që ato nuk i kanë menduar me aq kujdes. Pra, ekzistojnë konsiderata të sigurisë, ekzistojnë konsiderata financiare dhe çështje të marrëdhënies më të gjerë që këto vende do të donin të krijonin me korporata shumëkombëshe, të cilat duhet të faktorizohen në këto vendimmarrje.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpesh i ka paralajmëruar aleatët në lidhje me rrezikun e përdorimit të firmës kineze HuaWei për rrjetet 5G. Ndërkohë Serbia po intensifikon bashkëpunimin e saj me Huawei-n. Si ua shpjegoni vendeve të tilla si Serbia, të cilat mund t’i shohin si më tërheqëse pajisjet apo paketat financiare kineze?

Matthew Palmer: Ajo që ne u kërkojmë njerëzve të bëjnë është të marrin në konsideratë tërësinë e çështjes. Sigurisht, diçka si infrastruktura e telekomit është çështje e sigurisë kombëtare, po aq sa është një investim financiar nga ana e qeverive në fjalë. Por a duan ata vërtet të angazhohen për të bërë biznes me një kompani që ka demonstruar se nuk është e sigurt? Ne inkurajojmë Serbinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, që ato t’i japin përparësi sigurisë së rrjeteve të tyre, përveç përparësisë që i japin faktit se sa tërheqëse janë paketat financiare që u ofrohen.

Palmer për Shqipërinë: SHBA nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike

Zëri i Amerikës: Të flasim për Shqipërinë, ku ndaj kryeministrit të tanishëm ka shumë kritika. Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri?

Matthew Palmer: Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket Maqedonisë së Veriut, cilat janë hapat konkretë me të cilat Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të integrohet në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne kemi shumë shpresë që Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim, pas mbledhjes së Këshillit Evropian më 16 tetor. Ne besojmë se qeveria në Maqedoninë e Veriut e ka kaluar këtë kriter, madje shumë herë. Në fakt, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit me Shkupin për nëntë ose 10 vitet e fundit me radhë. Pra, ne e kemi bërë të qartë këtë qëndrim tek partnerët tanë evropianë. Ne mendojmë se do të ishte jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht, Maqedonia e Veriut, mund ta ndihmonte çështjen e saj duke vazhduar të ndjekë axhendën e reformës, duke zbatuar ligjin e ri për prokurorinë speciale. Konsultimet dhe bisedimet e tyre për këtë çështje në Shkup janë duke vazhduar. Ne do të dëshironim që të bashkëpunonim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të axhendës së reformës dhe dëshirojmë ta ndihmojmë vendin të ecë përpara. Ne gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe se mund të shohim që Maqedonia e Veriut të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë.

Zëri i Amerikës: Ju keni punuar më parë me Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien. A keni diçka për të ndarë me ne? A shihni se një njoftim i tillë do të jetë një gjë e mirë për politikën e ardhshme të SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor?

Matthew Palmer: Robert O’Brien është një profesionist i rrallë. Ai ka qenë një partner i shkëlqyer për mua dhe zyrën time për një numër çështjesh të rëndësishme dhe unë e uroj që u ngrit në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare. Jam i sigurt se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer. Marrëdhënia jonë midis Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë dhe bashkëpunuese. Ne i kuptojmë gjërat në të njëjtën mënyrë. Ne punojmë shumë ngushtë në drejtim të formësimit dhe zbatimit të politikës. Unë pres që kjo të vazhdojë nën Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.

Intervista – Alvi: “Ne duam paqe, por nëse India na sulmon ne do t’i kundërpërgjigjemi”

Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi ka deklaruar se India ka zbatuar një politikë shtypëse ndaj pakicave në vend duke shtuar se “Na shqetëson afërsia e Qeverisë së Indisë e udhëhequr nga kryeministri Narendra Modi me filozofinë e Organizatës Vullnetare të Indisë (RSS), e cila ka ide të ngjashme me pikëpamjen e Hitlerit për spastrim etnik, kontroll dhe shtypjen e pakicave”.

Presidenti pakistanez Alvi në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka folur lidhur me çështjen e Kashmirit, propozimin e kryeministrit malajzian Mahathir Mohamad për bashkëpunimin Malajzi-Pakistan-Turqi dhe për marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Pakistan.

– Cili është qëllimi i Indisë pas heqjes së statusit special të Xhamu Kashmirit dhe ndarja e tij në dy territore uniteti? Nëse India nuk është e gatshme të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për zgjidhjen e këtij problemi që vazhdon prej vitesh, cilat metoda mund të përdoren për një zgjidhje?

Së pari, do të doja të falënderoj qeverinë dhe popullin e Republikës së Turqisë, të cilët kanë qëndruar në krah të Pakistanit sa herë që ai ka patur nevojë dhe për veprimet e tyre të guximshme në çdo moment duke theksuar rezolutat e KS-OKB-së në çështjen e Kashmirit.

Kryeministri i parë i Indisë (Jawaharlal Nehru) për problemin e Kashmirit shkoi në OKB dhe premtoi të organizojë një referendum popullor që do t’i lejonte njerëzit e Kashmirit të përcaktojnë fatin e tyre deri në vitet 1960. Por më vonë, ai hoqi dorë nga premtimi i tij dhe i refuzoi këto diskutime në të gjitha forumet ndërkombëtare.

India tani i quan veprimtari terroriste lëvizjet për liri të banorëve të Kashmirit. India po përpiqet ta shpallë si lëvizje terroriste këtë përpjekje për liri të njohur nga edhe nga ana e OKB-së. Pavarësisht kësaj, India që nga Marrëveshja Simla në 1972, nuk ka mbajtur as edhe një takim të vetëm mbi Kashmirin dhe sot ata thonë se Kashmiri është një pjesë e pandarë e Indisë.

Një tjetër gjë që më shqetëson është afërsia e qeverisë Modi (kryeministri indian Narendra Modi) me filozofinë e Organizatës Vullnetare të Indisë (RSS), e cila ka ide të ngjashme me pikëpamjen e Hitlerit për spastrimin etnik, kontrollimin dhe shtypjen e pakicave. Po përpiqet të bëjë 4 milionë muslimanë pa atdhe në Kashmir dhe Assam. Edhe pse OKB-ja thotë se askush nuk mund të mbetet pa atdhe, Modi po ecën në një rrugë të rrezikshme duke vazhduar të vendosë në objektiv pakicat.

Unë duhet të them përsëri se do të doja të falënderoja qeverinë turke dhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan. I jam mirënjohës Erdoğanit i cili e kuptoi se sulmi i Pulwama shkaktoi një krizë dhe se i cili duke më telefonuar ditën kur ndodhi sulmi i Indisë më bëri të ditur se e kuptonte qëndrimin e Pakistanit.

– Përse OKB-ja dhe vendet e mëdha nuk janë të interesuara të zgjidhin problemin e Kashmirit, pavarësisht se kanë kaluar 71 vjet? A mendoni se Pakistani dhe India mund të luftojnë nëse India nuk kthehet nga vendimi i saj i fundit?

Problemi i Kashmirit u diskutua për herë të fundit në OKB në vitin 1965. Unë mendoj se Modi e ka sjellë këtë problem në një nivel ku do të reagojnë të gjitha vendet në botë. Sot (dje) është dita e 45-të e heshtjes së Kashmirit, e izolimit të të gjithë rajonit. Askush nuk e di se çfarë po ndodh atje. Mund ta imagjinoni se si njerëzit mund të jetojnë në një mjedis të tillë? 8 milionë njerëz janë duke jetuar në burg në shtetrrethim dhe India ka idenë e gabuar se ajo mund të ushtrojë presion mbi banorët e Kashmirit. Askush nuk mund të ushtrojë presion mbi banorët e Kashmirit. Kur shohim Palestinën, vërejmë se askush nuk mund të bëjë presion mbi ta. Unë besoj se herët a vonë referendumi popullor do të organizohet në Kashmir.

Pakistani dëshiron paqen. Siç e dini, Imran Khan, kryeministri i Pakistanit, propozi për takime me Indinë disa herë kur ai mori detyrën. Ai tha se do të ndërmarrim dy hapa kundër një hapi të Indisë. Çdo herë India refuzoi këtë propozim dhe kjo situatë çoi në formimin e idesë se India e perceptonte propozimin tonë si dobësi. Ne duam paqen, jo sepse jemi të dobët, por sepse paqja mes Indisë dhe Pakistanit do të sjellë prosperitet. India përballet me varfëri të madhe. Nëse ka paqe, paratë do të shpenzohen për njerëzit, por India ka një qëndrim armiqësor ndaj fqinjëve, përfshirë Pakistanin. Kjo është një situatë për të ardhur keq.

– Në një deklaratë, ju keni thënë: “Muslimanët nuk duan luftë, por nuk tërhiqemi së luftuari nëse jemi të detyruar”. Me këtë fjali po thoni se Pakistani nuk do të jetë pala që do të fillojë një luftë me Indinë?

Siç ka thënë Profeti ynë, muslimanët nuk duan luftë por nëse janë të detyruar ta bëjnë këtë, ata do të luftojnë sipas urdhrit të Allahut dhe ky është xhihad. Para së gjithash, ne nuk duam luftë. Së dyti, ne jemi vende me fuqi bërthamore. Gishti i regjimit fashist të Modit është mbi butonin e bombës bërthamore dhe ato janë shumë të tensionuar. Në shkurt, Pakistani rrëzoi avionin e tyre, ndërsa ata qëlluan gabimisht helikopterin e tyre. Kjo tregon se India është një vend i papërgjegjshëm sepse gishtat e tyre që qëndrojnë mbi buton janë shumë të rrezikshëm. Por, nga ana tjetër, edhe Pakistani është një fuqi bërthamore. Prandaj, paqja në rajon është shumë e rëndësishme. Gjithashtu Pakistani është një vend përgjegjës. Pasi e kapëm pilotin në avionin e tyre të rrëzuar, ne e dërguam përsëri në vendin e tij.

Ne duam paqe, por nëse India na sulmon, ne do t’i kundërpërgjigjemi. Unë nuk mendoj se India mund të imagjinojë sesi njerëzit me besim mund t’u rezistojnë sulmeve ndaj territoreve të tyre.

– Kryeministri malajzian Mahathir Mohamad muajin e kaluar, ka propozuar një përpjekje të përbashkët për të bashkuar botën muslimane Turqi, Malajzi dhe Pakistan. Si president i Pakistanit, çfarë roli mund të luani për të realizuar këtë propozim?

Kjo ishte shumë e rëndësishme. Edhe para takimit tonë të fundit, unë dhe (Imran) Khan u takuam me presidentin Erdoğan në 2011 dhe 2012. Unë mendoj se Erdoğan është një lider vizionar. Kryeministri Mahathir dhe kryeministri Imran Khan janë gjithashtu liderë vizionarë. Këto tre vende janë me popullsi të madhe, demokraci të mëdha.

Unë mendoj se është e rëndësishme që këto tre vende të bashkohen për sa i përket çështjeve ekonomike. Turqia po luan një rol të rëndësishëm përballë ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ai po përpiqet të vendosë paqen në kufirin sirian. Kur të ketë paqe, do të ketë një ristrukturim të madh në Lindjen e Mesme dhe Afganistan. Prandaj, unë mendoj se Turqia, Pakistani dhe Malajzia jo vetëm për paqen, por ato mund të luajnë një rol të madh në sipërmarrjen e përbashkët për zhvillim në botën muslimane. Këta janë njerëz parimorë dhe bashkëpunimi mes tyre është shumë i rëndësishëm për botën muslimane.

– Si e shihni të ardhmen e lidhjeve Turqi dhe Pakistan? Në cilat fusha mendoni se marrëdhëniet bilaterale duhet të forcohen më shumë?

Mendoj se marrëdhëniet dypalëshe mes Pakistanit dhe Turqisë janë shembullore për shkak se të dyja vendet mike janë shumë të afërta me njëra- tjetrën. Miqësia dhe marrëdhëniet e ngushta tona kanë ekzistuar jo vetëm që nga themelimi i Pakistanit, por edhe që nga Lëvizja e Kalifatit. Mbaj mend që babai im, i cili ndërroi jetë në vitet 1980, fliste me pasion për Lëvizjen e Kalifatit. Edhe ai vetë luajti një rol në këtë lëvizje. Unë mendoj se lidhja e vërtetë e miqësisë tonë që është unike në botë fillon këtu. Kjo është një miqësi midis njerëzve përtej miqësisë së qeverive. Sipas mendimit tim, historia e këtyre lidhjeve në zhvillim duhet t’u kujtohet edhe brezave të rinj.

Në të ardhmen një bashkëpunim i mirë ekonomik mes Turqisë dhe Pakistanit, mund të jetë shkëmbimi kulturor mes njerëzve të të dyja vendeve. Ajo mund të jetë një bashkëpunim i mirë i mbrojtjes në mes të Pakistanit dhe Turqisë. Ne mund të bashkëpunojmë në ndërtimin e avionëve dhe infrastrukturën. Ne kemi ndërtuar një tanker me ndihmën e Turqisë, inaugurimin e të cilit e kam bërë disa muaj më parë. Unë mendoj se ky është një bashkëpunim i jashtëzakonshëm midis dy vendeve vëllazërore. Ne duhet të jetojmë së bashku, të mendojmë së bashku dhe të punojmë së bashku.

– Populli turk është i kënaqur me mbështetjen e Pakistanit në luftën kundër organizatës terroriste FETO. Në këtë kontekst, a mendoni se rreziku i FETO-s është njohur saktë në bashkësinë ndërkombëtare?

Mendoj se kjo çështje është perceptuar mirë ndërkombëtarisht. Ne qëndrojmë pranë Turqisë. Sapo pamë se çfarë po ndodhte, Pakistani ndërmori një veprim të menjëhershëm. Kur e kam vizituar Turqinë për hapjen e Aeroportit të Stambollit, Erdoğan kërkoi veçanërisht përshpejtimin e të gjitha rasteve të këtyre terroristëve në Pakistan. Edhe ne vazhduam, përshpejtuam procedurat dhe i dorëzuam shkollat tek Fondacioni Maarif.

Kjo çështje është trajtuar mirë dhe me mençuri nga Turqia. Ne jemi të lumtur që populli turk qëndron prapa qeverisë së tij. Ky është një shembull i mirë për botën që askush nuk mund t‘iu prekë nëse e keni popullin pas vetes.

Intervista – “Perandoria e Erdoganit” dhe politika e jashtme e presidentit të Turqisë

Autori i librit të ri “Perandoria e Erdoganit” që sapo ka dalë në treg në Shtetete Bashkuara (më 19 shtator), argumenton se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është udhëheqësi më me peshë i këtij vendi, që pas Mustafa Kemal Ataturkut. Por Soner Cagaptay, drejtor i programit për Turqinë në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme, thotë se përpjekjet intensive të zotit Erdogan për të rritur ndikimin në politikën e jashtme, nuk kanë sjellë shumë sukses. Në një intervistë me kolegen Keida Kostreci, ai thotë se një rajon që bën përjashtim, është “Brezi i Bajramit”, siç e quan ai, ku bën pjesë edhe Ballkani Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti Cagaptay, në librin tuaj ju trajtoni synimet e Presidentit Erdogan, për të zgjeruar ndikimin e tij në Lindjen e Mesme, dhe në atë që ju e quani “Brezi i Bajramit”. Sa ia ka arritur libri synimit?

Soner Cagaptay: Libri “Perandoria e Erdoganit” është një analizë e politikës së jashtme turke në dy dekadat e fundit nën drejtimin e udhëheqësit të Turqisë, Erdogan që erdhi në pushtet më 2003 si kryeministër, u bë president më 2014 dhe shtoi kompetencat e tij përmes një ndryshimi kushtetues, duke u bërë një president me fuqi ekzekutive në vitin 2018.

Ai është udhëheqësi më i fuqishëm turk që kur Turqia u bë një demokraci pluraliste më 1950. Unë gjithashtu do të thosha se ai është udhëheqësi turk më me peshë që kur Mustafa Kemal Ataturku themeloi Turqinë mbi rrënojat e Perandorisë Osmane. Ndërsa Ataturku e ngiti Turqinë sipas imazhit të tij, si një republikë laike evropiano-perëndimore, Erdogani e ka rimodeluar Turqinë sipas vizionit të tij si një shoqëri konservatore, politikisht islamiste dhe të prirur nga Lindja e Mesme.

Ky nuk është një projekt i përfunduar. Presidenti Erdogan përballet me kundërshtime të forta nga brenda. Siç e pamë së fundmi partia e tij humbi zgjedhjet për Stambollin, Ankaranë, Izmirin dhe një numër qytetesh të tjera.

Por duke lënë mënjanë axhendën e brendshme të Erdoganit, libri im i ri “Perandoria e Erdoganit”, analizon politikën e tij të jashtme, nëse Erdogani ka arritur ta shkëpusë Turqinë nga Evropa – atje ku e kishte drejtuar Ataturku – dhe ta çojë drejt Lindjes së Mesme.

Për këtë temë, unë arrij në përfundimin se megjithë përpjekjet intensive të Erdoganit, politika e jashtme e Turqisë nuk ka arriturta bëjë Turqinë një vend dominues në Lindjen e Mesme. Përkundër premtimeve të Erdoganit për të rritur ndikimin e Turqisë në të gjithë Lindjen e Mesme, sot Turqia është më e izoluar në Lindjen e Mesme sesa ishte para se Erdogani të vinte në pushtet. Ajo nuk ka miq, nuk ka aleatë në këtë rajon, vetëm rivalë, konkurrentë dhe kundërshtarë.

Në fakt me përjashtim të Katarit, Turqia nuk ka aleatë të Lindjes së Mesme sot dhe kjo është mjaft ironike. Po ashtu ai ka bërë hapa pas edhe në drejtime të tjera. Ai nuk mund të mbështetet në miqësitë tradicionale të Turqisë mePerëndimin. Lidhjet e Turqisë me Izraelin të cilat ishin të forta para Erdoganit, janë shpërbërë. Lidhjet e Turqisë me BE-në kanë marrëkryesisht natyrë transaksionesh. Askush nuk mendon se Turqia po hedh hapa përpara për t’u afruar ose anëtarësuar në BE. Dhe Turqia as nuk mund t’i ketë shpresat tek mbështetja e pakushtëzuar e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Kështu që Turqia në fakt ironikisht është pa miq në Lindjen e Mesme dhe nuk mund të mbështetet te partnerët e saj tradicionalë në Perëndim.

Por nga ana tjetër unë ia njoh meritën zotit Erdogan aty ku i takon, për zonat ku ai ka pasur sukses në rritjen e ndikimit, në ato rajone që unë i quaj “Brezi i Bajramit”, duke përdorur termin turk për festën më të rëndësishme për myslimanët. Kjo përfshin zonat në veri të Turqisë, që shtrihen nga deti Adriatik përmes Ballkanit, Rusisë dhe Kaukazeve në Azinë Qendrore. Për dallim nga “Brezi e Bajramit” në zonat që përdorin fjalën arabe “Eid” për festën, që unë e quaj “Brezi Eid” dhe përfshin vendet në Jug të Turqisë, në Afrikën Veriorenë Lindjen e Mesme, unë argumentoj se Erdogani nuk ka arritur të krijojë ndikim. Edhe suksesi në vendosjen e ndikimit në Brezin e Bajramitmendoj se nuk është falë Erdoganit, por falë rolit të faktorëve historikë, lidhjeve kulturore, politike dhe ekonomike të turqve me komunitetet muslimane që jetojnë në Ballkan, Rusi, Azinë Qendrore dhe Kaukazet, të cilat mungojnë në aspektin e marrëdhënieve të Turqisë me fqinjët e saj arabë për shembull. Unë shpjegoj në libër se përkundrazi lidhjet e Turqisë me fqinjët e saj arabë, zakonisht janë mjaft të tensionuara dhe për shembull egjiptianët dhe sirianët, nuk e shikojnë Turqinë edhe aq ndryshe nga ç’e shohin grekët dhe serbët.

Ata e shohin përgjithësisht Turqinë si një ish-sundues kolonialist përgjithësisht dhe për këtë arsye unë argumentoj se politika e Erdoganit edhe pse u përpoq të krijonte ndikim në Lindjen e Mesme, nuk ia arriti qëllimit.

Zëri i Amerikës: Por Ballkani po ashtu ka qenë i pushtuar ngaPerandoria Osmane për shekuj. Si e shpjegoni ndikimin e madh të Turqisë atje?

Soner Cagaptay: Mendoj se merita për ndikimin në Brezin e Bajramit nuk i takon zotit Erdogan në vetvete, por edhe udhëheqësve tëTurqisë para Erdoganit, të cilët në fund të Luftës së Ftohtë ndërmorën hapa në Azinë Qendrore, Kaukaze dhe Ballkan për të ngritur misionet diplomatike dhe bizneseve turke që hynë në të njëjtin rajon.

Po ashtu është edhe trashëgimia osmane e cila ka krijuar një ndjenjë familjariteti midis muslimanëve në Ballkan në përgjithësi dhe atyre në Turqi.

Por sigurisht kjo nuk do të thotë që Turqia ka vendosur ndikim të plotë në të gjithë brezin e Bajramit, përfshirë Ballkanin. Unë mendoj se në këtë drejtim vendet e Ballkanit Perëndimor janë veçanërisht interesante, sipas librit tim. Unë e analizoj Ballkanin Perëndimor si një zonë që po përjeton konkurrencën për fuqi mesTurqisë dhe Bashkimit Evropian.

Të kujtojmë që zoti Erdogan nuk është më i dëshiruar, siç u pa kur vendet evropiane nuk e lejuan të bëjë fushatë para zgjedhjeve. Dhe çfarë bëri ai? Shkoi në një tubim në Sarajevë për të treguar se është i mirëpritur në Evropë, edhe pse disa evropianë të tjerë mund të mos e dëshirojnë. Po ashtu shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi janë demografikisht dhe ekonomikisht jo shumë të mëdha.

Kështuqë është më e lehtë për Turqinë të krijojë ndikim në ato vende sesa të themi në disa vende të tjera si Irani ose Siria dhe Iraku.

Mendoj se roli i historisë, dhe faktorët e tjerë që në përgjithësi kanë krijuar të paktën midis myslimanëve (të atyre vendeve) një qëndrim më pozitiv ndaj Turqisë, janëpjesë e arsyes se pse politika e Erdoganit për ndikim në Ballkanin Perëndimor ka funksionuar. Arsyeja tjetër është hendeku që paraqet Ballkani Perëndimor. Janë të vetmet vende evropiane që nuk janë në BE dhe shumë prej tyre as në NATO, përveç Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Por në përgjithësi, ato nuk janë pjesë e një perspektive të afërt të zgjerimit të BE-së, dhe kjo i hap një shteg Turqisë për ndikim. Por unë gjithashtu dua të them se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor do të jetë i pranishëm për sa kohë që ekonomia turke është e fortë.

Nëse ekonomia turke shkon mirë, atëherë Turqia mund të tregojëmuskujt dhe të ndërtojë institucione dhe të kryejë projekte ndihmash në Ballkanin Perëndimor. Nëse ekonomia ngadalësohet,siç edhe ka ndodhur atëherë kjo do të kufizonte ndikimin eTurqisë në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Nëse e shohim nga këndvështrimi i atyre vendeve në mes të këtyre dy ndikimeve, a mund të themi se zoti Erdogan dhe përpjekjet e qeverisë së tij synojnë gjithashtu të nervozojnë Bashkimin Evropian dhe të dërgojnë një sinjal, gjë që mund të thuhet se bie ndesh me interesat e atyre vendeve që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian? A janë synimet e tij thjesht strategjike, apo edhe me qëllime jo të mira, për t’i futur këto vende në sferën e ndikimit turk, dhe jo të BE-së?

Soner Cagaptay: Unë nuk mendoj se Turqia po përpiqet të bllokojë pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Unë mendoj se ashtu siç Turqia inkurajoi dhe mbështeti anëtarësimi e Shqipërisë dhe Malit të Zi në NATO, ashtu dëshiron t’i shohë vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian sepse kjo do t’i bënte ata aleatë të Turqisë brenda Bashkimit Evropian.

Kështu që nuk mendoj se politika turke është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të zgjedhin midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Mendoj se politika turke ka të bëjë me rritjen e ndikimit, me pritshmërinë se me kalimin e kohës, vendet e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në BE dhe kjo do të ishte pozitive, sepse do të thoshte që Turqia do të kishte ndikim të tërthortë brenda Bashkimit Evropian.

Por sigurisht kjo e gjitha varet nga fakti nëse Turqia mund ta menaxhojë balancën aktuale të pushtetit në Ballkanin Perëndimor.

Siç thashë më parë, shumë nga ndikimi që ka Turqia është nxitur nga rritja e saj ekonomike në dy dekadat e fundit dhe kjo është pjesa më e shndritshme e trashëgimisë së Erdoganit. Ai ka arritur një rritje të jashtëzakonshme, i ka nxjerrë shumë njerëz nga varfëria.

Ekonomia e Turqisë është rritur produktet e saj janë kërkuar në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Por Bashkimi Evropian mund të mos e pëlqejë këtë dhe ka paralajmëruar vendet për afrimin me Turqinë. Nga këndvështrimi juaj, a duhet që vetë këto vende të jenë të kujdesshme në mënyrën se si zgjedhin partnerët dhe aleatët e tyre edhe pse mund të përfitojnë shumë nga fuqia ekonomike e Turqisë?

Soner Cagaptay: Unë mendoj se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor po luajnë nga të dyja anët. Janë të angazhuar seriozisht për pranimin në BE, por janë gjithashtu mjaft seriozë në miqësinë e tyre me Turqinë.

Zoti Erdogan bëri betimin si president me kompetenca ekzekutivenë korrik 2018, pasi ndryshoi kushtetutën në vitin 2017 pas referendumit që i dha kompetenca të zgjeruara.

Ishte një ceremoni mjaft domethënëse në qendër të Ankarasë, në korrik 2018.

Në atë ceremoni, nuk morën pjesë udhëheqës të vendeve të Evropës Perëndimore ose Shteteve të Bashkuara, duke përçuar sinjalin se Turqia nuk mund të mbështetet lehtësisht tek ato vende.

Nuk kishte krerë shtetesh nga Lindja e Mesme, përveç emirit të Katarit, gjë që tregon se Turqia nuk ka me të vërtetë miq në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu mungonin udhëheqës të Rusisë, Kinës dhe Iranit, që të bën të mendosh se Turqia mund të ketë marrëveshje për çështje të ndryshme me Rusinë në lidhje me Sirinë. Mund të ketë marrëveshje financiare me Kinën, që ka ndërtuar linja metroje në Ankara dhe Stamboll.

Mund të ketë ka marrëveshje energjitike me Iranin, por askush nga udhëheqësit e atyre vendeve nuk e konsideron zotit Erdogan mjaftueshëm si mik për të qenë të pranishëm në kulmin e karrierës së Erdoganit.

Ajo që është domethënëse është se udhëheqësit e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fakt i gjithë rajoni përfaqësohej nga Kroacia deri në Maqedoni, si edhe udhëheqës nga vendet e Azisë Qendrore dhe Kaukazet. Dhe, natyrisht, kishte udhëheqës nga Afrika Lindore dhe Perëndimore.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri është vendosur një memorial i debatueshëm për viktimat e përpjekjes për grusht shteti në Turqi. Shumë thonë se nuk ka pse të ketë një memorial në Tiranë, për një ngjarje që nuk ka lidhje fare me Shqipërinë. Po ashtu Turqia ushtroi ndikim që Kosova të ekstradonte disa persona për të cilët Ankaraja tha se ishin Gulenistë. A janë këto tregues, se ndikimi ekonomik po përdoret si mjet strategjik për kontroll?

Soner Cagaptay: Grushti i dështuar i shtetit i vitit 2016 ka shndërruar në mënyrë dramatike Turqinë.

Ishte një ngjarje traumatike. Pjesë të ushtrisë sulmuan pjesë të tjera të ushtrisë dhe u përpoqën të rrëzojnë qeverinë. Komplotistët e grushtit të shtetit u përpoqën të vrisnin zotin Erdogan. Ajo ngjarje e ka ndryshuar rrënjësisht shoqërinë turke. Besohet nga shumë njerëz në komunitetin analitik në Uashington që oficerë të afërt me lëvizjen Gulen luajtën një rol të rëndësishëm në këtë grusht shteti dhe sistemi dështoi. Zoti Erdogan ka shkuar pas Gulenistëve brenda Turqisë dhe jashtë Turqisë dhe në fakt është bërë një nga preokupimet kryesore të diplomatëve të Turqisë.

Ata po bëjnë presion në çdo vend ku ka shkolla dhe institucione të lidhura me Gulenin në mënyrë që këto institucione dhe shkolla të mbyllen.

Dhe ekstradimi i qytetarëve të Kosovës që mendohej qe ishin anëtarë të lëvizjes Guleniste në Turqi, janë vetëm një episod i kësaj lëvizjeje.

Mendoj se megjithëse Turqia është e justifikuar në përpjekjet e saj për të gjetur komplotuesit e pretenduar të grushtit të shtetit, një pjesë e problemit këtu është se edhe në vendet ku Turqia shihet tradicionalisht pozitivisht, këto përpjekje mund të japin efektin e kundërt. Shpesherë në marrëdhëniet me vendet e ish-perandorisë Osmane, Ankaraja harron se mënyra se si turqit i shohin këto vende është shumë e ndryshme nga ajo se si këto vende e shohin Turqinë.Historiografia e Turqisë e përshkruan shumë pozitivisht praninë Otomane në ato vende, gjë që nuk ndodh në historiografinë e atyre vendeve, ku historia otomane shihet si më e komplikuar dhe ndonjëherë edhe më negative.

Kështu që, si rrjedhojë mendoj se rreziku për Turqinë në Brezin e Bajramit është se këto përpjekje mund të japin efektin e kundërt, nëse vendet e këtij rajoni, si Shqipëria dhe të tjera kanë ndjesinë se Turqia po ushtron ndikim të tepruar dhe po kthehet përsëri si “sundimtar kolonialist”.

Zëri i Amerikës: Por nëse e sheh nga këndvështrimi i publikut të këtyre vendeve dhe ai perëndimor,duke marrë parasysh natyrën autoritare të regjimit të Erdoganit, shqetësimi është se nëse këto vende afrohen shumë me Turqinë, Turqia mund të ushtrojë kontroll përtej bashkëpunimit ekonomik. Si e shihni ju?

Soner Cagaptay: Nëse Bashkimi Evropian do të ofronte një rrugë më realiste dhe afatshkurtër anëtarësimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, unë mendoj se kjo do ta zgjidhte dilemën nëse vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhen shumë miqësore ndaj Ankarasë, sepse edhe atyre u duhen partnerë të politikës së jashtme.

Mendoj se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të veprojëdhe nëse me të vërtetë nuk do që këto vende të bien nën ndikimin turk, atëherë sigurisht që duhet t’u ofrojë atyre një rrugë më realiste dhe afatshkurtër anëtarësimi.

Zëri i Amerikës: Dhe a mendoni se ky ndikim do të rritet. Si e parashikoni ecurinë e mëtejshme?

Soner Cagaptay: Unë mendoj se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor është mjaft i qëndrueshëm. Ka faktorë historikë që ndihmojnë praninë e Turqisë atje, ka lidhje etnike, kulturore dhe gjuhësore. Dhe ekziston gjithashtu një politikë shumë e koordinuar turke për të mbushur zbrazëtirën e mungesës së BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Unë mendoj se e gjithë kjo është konstante përsa kohë që ekonomia e Turqisë është e fortë.

Nëse ekonomia e Turqisë dobësohet, unë mendoj se ndikimi i Turqisë në Ballkanin Perëndimor gjithashtu do të vuajë pasojat.

Zëri i Amerikës: Ju e njihni mirë zotin Erdogan nga hulumtimet tuaja. A ju rezulton se ky lloj ndikimi nga ana e zotit Erdogan është për t’u pasur frikë?

Soner Cagaptay: Unë mendoj se politika e zgjerimit të ndikimit në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm vizioni i zotit Erdogan, por edhe më gjerësisht i elitave të politikës së jashtme turke.

Unë mendoj se Turqia e ndjen se është e izoluar në botë. Ka pak miq. Është një forcë që përballet me rivalen e saj historike Rusinë, e cila është shfaqur si konkurruese kryesore e Turqisë në Siri. Turqia po përballet me kundërshtarin e saj tradicional Iranin i cili përsëri po përballet me Turqinë dhe Sirinë. Kështu që unë mendoj se në këtë mjedis të izoluar Turqia po përpiqet të mbajë sa më shumë miqësi dhe sa më shumë vende pranë saj, për këtë arsye unë mendoj që Brezi i Bajramit, duket se është një zonë ku Turqia mund t’i gjejë këto marrëdhënie.

Intervista – Hanson: Objektivi final i dialogut Kosovë-Serbi është njohja reciproke, nuk duhet hapur tema të reja

Drejtoresha ekzektuive e organizatës “New Perspektiva”, Joanna Hanson, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Emërimin e Matthew Palmer në postin e përfaqësuesit special e sheh si lajm të mirë, ndërkohë thotë se pavarësisht se Ndërkombëtarët duan një marrëveshje finale mes dy shteteve, nuk ka afate të caktuara për arritjen e saj. Hanson e cila ma herët ka punuar edhe si hulumtuese në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, thotë se ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshje përmes prekjes së kufijve, por vendos pikëpyetjen se sa do të ishte një gjë e tillë e pranueshme për Bashkimin Evropian. Në këtë intervistë Hanson ka folur edhe për bërrylat mes SHBA’së dhe Gjermanisë sa i përket dialogut, modelin e “Dy Gjermanive” dhe asaj se si do të mund të dukej finalja eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit.

Besnik VELIU

Gazeta Express: Si e komentoni emërimin e Matthew Palmer në pozitën e Përfaqësuesit Special të SHBA’së për Ballkanin, dhe a e shihni këtë si sinjal se Washingtoni dëshiron të zgjidh problemin mes Kosovës dhe Serbisë deri në verën e vitit 2020?

Joanna Hanson: Është gjë e mirë të shohim se Shtetet e Bashkuara po i japin çështjes së Kosovës një vëmendje specifike përmes emërimit të Matthew Palmer-it. Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me BE-në për dialogun. Ndonëse kohëve të fundit politika e Shteteve të Bashkuara është bërë më e dukshme, nuk ka qenë gjithmonë e qartë nëse ajo e reflekton mendimin amerikan. Ndërkombëtarët në përgjithësi do të donin të shihnin një zgjidhje të marrëdhënieve Kosovë-Serbi sa më shpejt që është e mundur, por kjo nuk do të thotë se ata kanë vendosur afate të caktuara në qasjen e tyre.

Gazeta Express: A ekziston ende ndonjë mundësi për shkëmbim të territoreve, si zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

Joanna Hanson: Ekziston gjithmonë mundësia e arritjes së një forme të marrëveshjes territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse brenda shteteve, siç e dimë, ka kundërshtime të mëdha ndaj kësaj. Pyetja është se a do të ishte e pranueshme një marrëveshje e tillë për ndërkombëtarët dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos për BE-në. Edhe Kosova, edhe Serbia janë duke e kërkuar anëtarësimin në BE.

Gazeta Express: Çfarë mund të na thoni për rolin e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. A i shihni lëvizjet e Gjermanisë në dialog, si revansh ndaj lëvizjeve të SHBA’së?

Joanna Hanson: Politika duhet të jetë një proces me qasje të kujdesshme. Gjermania dhe Angela Merkel e kanë luajtur një rol udhëheqës, konstruktiv dhe të qëndrueshëm gjatë dhjetë vjetëve të fundit në hapjen e dialogut dhe vazhdimin e tij. Qëndrimi i Angela Merkelit për moslejimin e ndryshimit të kufirit e reflekton qëndrimin evropian të pasluftës. Ata tashmë i kanë lënë shenjat e tyre. Presidenti Vuçiq u është referuar në mënyrë specifike atyre në fjalimet e tij.

Gazeta Express: Për modelin e “Dy Gjermanive”. A mendoni se është propozim ideal dhe i implementueshëm?

Joanna Hanson: Wolfgang Ischinger ishte përpjekur ta paraqesë modelin e dy Gjermanive në negociatat e tij gjatë bisedimeve të Troika-s në vitin 2007. Është një model të cilit i referohemi shpesh. Ai kërkon vullnet të vërtetë politik nga të dyja palët dhe lënie të historisë anash. Ka funksionuar për dy Gjermanitë në kohën kur Republika Demokratike Gjermane ishte pjesë e një blloku komunist në Luftën e Ftohtë. Kjo krijon pyetje të caktuara në kohën kur Kosova dhe Serbia kanë aspirata për anëtarësim në BE dhe përqafim të vlerave evropiane, vlera të cilat Evropën e shohin si union të shteteve që ekzistojnë së bashku, të cilat ia njohin të drejtat njerëzore dhe civile qytetarëve të njëra-tjetrës.

Gazeta Express: Në pikëpamjen tuaj, si do të dukej zgjidhja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Joanna Hanson: Mendoj se marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte një bazë e vlerësuar dhe efektive e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ajo duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe korrekte dhe duhet të kompletohet rruga e dy shteteve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky ishte njëri ndër objektivat e marrëveshjes. Këtu do të përfshihej njohja përfundimtare reciproke në momentin e duhur. Nuk mendoj se ndonjë çështje e re duhet të përfshihet në negociata. Duhet të jemi të durueshëm, diplomacia merr kohë. Liderët e shteteve duhet t’i vlerësojnë me kujdes reagimet dhe fjalorin e tyre dhe të mbajnë në mend se mirëkuptimi dhe marrëveshja kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre dhe ndërtimin e besimit mes dy shteteve dhe komuniteteve brenda Kosovës./GazetaExpress/

Intervista – Ron Johnson: Një marrëveshje Kosovë-Serbi do të ishte me përfitime

Në një intervistë për shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, senatori republikan Ron Johnson, i cili kohët e fundit bashkë me senatorin demokrat Chris Murphy bëri një vizitë në Ballkan dhe në Ukrainë, iu përgjigj pyetjes se çfarë kompromisesh duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Ai u intervistua nga korrespondentja Nataliya Robert.

Senator Ron Johnson: Në të vërtetë, u takon udhëheqësve në Kosovë dhe Serbi të përcaktojnë nëse mund të arrijnë marrëveshje.

Ky është udhëtimi im i katërt në rajon, ku u takova me të dy presidentët dhe pata një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Serbisë, Vuçiç, i cili tha se ishte hera e nëntë që takoheshim.

Pra, kam qenë mjaft i përfshirë këto dy vitet e fundit. Ajo që mund të them është se në të dyja vendet ka udhëheqës që e kuptojnë se është në interesin e të dyja vendeve që t’i lënë mënjanë dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje. Mirëpo, gjetja e kësaj marrëveshjeje ka qenë më e vështirë. Të dyja vende kërkojnë një përfshirje më të madhe të SHBA. Mendoj se ata e vlerësojnë ndihmën që evropianët u kanë dhënë. Por, le ta themi hapur: Amerika është fuqi e madhe dhe ata kërkojnë një rol më të madh udhëheqës amerikan. Unë mendoj se ne do t’ua ofrojmë këtë, por jo në kuptimin e imponimit të diçkaje, jo në kuptimin e presionit për të bërë diçka, por thjesht duke qenë mbështetës të përpjekjeve të tyre dhe duke u përpjekur për krijimin e kushteve që udhëheqjet e të dyja vendeve të mbështeten te përkrahja e Amerikës dhe e Evropës pasi të kenë arritur një marrëveshje.

Kjo është e domosdoshme për të bindur popullin e Kosovës dhe të Serbisë, sepse ajo mund të jetë një marrëveshje të cilën ata mund të mos e pëlqejnë, pikërisht si Marrëveshja e Prespës. Qytetarët e Greqisë dhe asaj që sot është Maqedonia e Veriut nuk ishin të kënaqur me të. U desh guxim politik për ta arritur atë marrëveshje. Besoj se të dyja këto vende, pas jo shumë muajsh do ta kujtojnë këtë dhe do të thonë: përse e bëmë aq të madhe? Pse u grindëm aq shumë?

Ne duhet t’i theksojmë popullit të Serbisë dhe të Kosovës se është në interesin e tyre dhe do të kenë shumë përfitime në aspektin e integrimit të mëtejshëm në ekonominë evropiane, të udhëtimeve pa viza dhe të ekonomive më të suksesshme. Sepse me arritjen e asaj marrëveshjeje, do të kishte më shumë gjasa për tërheqjen e investimeve të huaja. Do të kishte shumë përfitime pasi të kapërcehet ky ngërç. Pra, detyra e SHBA por edhe e atyre udhëheqësve është të bindin njerëzit, jo domosdoshmërisht për marrëveshjen, sepse kjo do të ishte punë e vështirë, por për përfitimet nga arritja e marrëveshjes dhe nga kapërcimi i ngërçit të tanishëm.

Intervista – Bushati: “Kordon sanitar” ndaj personave me të kaluar të dyshimtë

Në Shqipëri, ish ministri i Jashtëm dhe anëtari i kryesisë së Partisë socialiste Ditmir Bushati, flet për nevojën e një “kordoni sanitar” apo filtrave të rreptë për të parandaluar kandidimin e personave me të kaluar të dyshimtë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shprehet se “integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht dhe refuzimin për ta parë një gjë të tillë, do të mund të quhej pa ngurrim, një katastrofë shtetërore”. I pyetur më pas për deklarimet e bëra më pas nga sekretari i Përgjithshëm socialist Taulant Balla, sipas të cilit kandidatura e zotit Pjetri në Shkodër ishte propozuar nga ish ministri i Jashtëm, zoti Bushati deklaroi se “Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin. Asambleja e Partisë socialiste propozoi 3 kandidatë të tjerë”, u shpreh ai.

Zëri i Amerikës: Javën e shkuar në mbledhjen e kryesisë së PS-së ju patët një debat me kryeministrin Rama lidhur me zhvillimet në Shkodër dhe veçanërisht për rastin e zoti Valdrin Pjetri, kandidat i PS, i cili u zgjodh në krye të Bashkisë, por më pas u detyrua të tërhiqet, kur u zbulua se kishte fshehur një pjesë të së kaluarës së tij. PS nga ana e saj ka folur për një çështje individuale, ndërkohë që ju në deklaratat tuaja pas mbledhjes së kryesisë u shprehët se keni arritur në pikën e derdhjes dhe se ky fenomen i cili duhet trajtuar në mënyrën rrënjësore. Për çfarë e kishit fjalën, se ju folët dhe për një reformë politike për të trajtuar këtë situatë?

Ditmir Bushati: Është e rëndësishme fillimisht që të ndajmë përgjegjësinë ligjore e cila në çdo rast është individuale për çdo person që ka shkelur ligjin dhe çdo person duhet të përballet me drejtësinë, me përgjegjësinë politike që ne e kemi si politikan dhe si forcë politike. Besoj se ne, jo vetëm duhet të njohim përgjegjësinë politike në raste të tilla, por edhe ta ushtrojmë atë. Përgjegjësia politike në këtë rast mund të ushtrohet përmes një reformë politike, që do të sillte në qendër të vendimmarrjeve tona, anëtarin e PS-së. Nga eksperienca ime politike dhe në drejtim të qarkut Shkodër, kam kuptuar që disa vendimmarrje është me rëndësi që t’ua besojmë komuniteteve. Është me rëndësi që t’ia besojmë bazës së parties, në mënyrë që të sigurojmë që kemi zgjedhur personat e duhur dhe në mënyrë që gara që duhet të zhvillohet brenda radhëve të Partisë Socialiste në këtë rast, të sjellë jo vetëm ofertën më të mirë politikë, programatike, shoqëruar me një vizion përkatës, por t’i krijojë mundësi në radhë të parë anëtarësisë së PS-së dhe më pas komuniteteve lokale për të ushtruar një mbikëqyrje më të madhe në lidhje me integritetin e çdo kandidati që synon që të ketë një karrierë politike. Tek e fundit, ne nuk po shpikim rrotën dhe nuk kemi pse. Mjafton të shohim ç’po ndodh me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (bota i njeh si primare), apo në vende të tjera rreth e përqark nesh, para pak kohësh në Itali apo Francë, ku kandidatët që synojnë për të marrë apo ushtruar përgjegjësi politike dhe publike në fazën më të hershme të këtij procesi i nënshtrohen jo vetëm garës brenda partisë, por edhe një lloj mbikëqyrje që është shumë e rreptë, ndonjëherë dhe e pamëshirshme që vjen nga komuniteti. Kjo do të na bënte që të ndërtonim një sistem imunitar brenda radhëve tona, por nga ana tjetër do jepnim një shembull më të mirë, sepse kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Partia Socialiste është një forcë që e ka kapacitetin për tu vetkorrigjuar. Ka energjinë dhe burimet njerëzore për të qenë forcë e ndryshimit dhe çdo garë brenda nesh do duhej të zhvillohej duke respektuar librin e rregullave të shtëpisë tonë, sistemin e meritës, të vlerës dhe natyrisht duke iu ofruar komuniteteve modele më të mira.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati po në të njëjtën deklaratë ju folët për njerëz me të kaluar të dyshimtë të cilët janë përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, veprim për të cilin keni marrë përshëndetje nga SHBA për njerëz që po nga SHBA janë shpallur persona “non grata”. Megjithatë ju theksuat se disa prej këtyre personave janë rikthyer në tryezat vendimmarrëse të PS. Si ka mundësi që pas disa viteve debat të fortë për çështje të dekriminalizimit nuk kemi asnjë prej këtyre personave të ndëshkuar nga drejtësia?

Ditmir Bushati: Ne kemi përgjegjësinë e madhe para qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, në radhë të parë, për të vendosur një kordon sanitar dhe për ta luftuar në mënyrë agresive këtë fenomen. Tek e fundit kemi miratuar një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, kemi miratuar një ligj të posaçëm pikërisht për të frenuar një fenomen të tillë. Ne jemi politikan dhe është shumë e rëndësishme që të nxjerrim mësime konkrete dhe të shpalosin një vullnet politik të qartë për t’u distancuar njëherë e mirë nga ky fenomen. Nga ana tjetër, fakti që ju sapo përmendet, nxjerr në dritë një të vërtetë të hidhur që në vitet e shkuara askush nuk është trajtuar nga drejtësia në lidhje me këtë fenomen dhe përsa kohë ne flasim gjithë ditën për reformën në drejtësi është e rëndësishme që reforma në drejtësi të zhvillohet paralelisht me një luftë pa kompromis kundër, jo thjeshtë personave me të shkuar të dyshimtë por edhe çdo lloj influence që mund të vijë nga këto persona në vendimmarrjen në jetën publike. Integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht dhe refuzimi për ta parë një gjë të tillë nuk është assesi katastrofë partiake por nuk do të ngurroja ta quaja katastrofë shtetërore.

Zëri i Amerikës: Megjithatë duhet të kujtojmë se ju keni qene drejtues politik i qarkut Shkodër, dhe në fjalimin përmbyllës të fushatës ju thatë se me zotin Pjetri hapet një kapitull i ri për Shkodrën. Atëherë pse duhet të besojmë që këto shqetësime që po ngrini tani janë mbi baza parimore, e nuk po shfrtëzohen nga ju pasi PS, osë më mirë, kryetari i saj, ju hoqi ju drejtimin politik të Shkodrës, duke ju zëvendësuar pikërisht më zotin Pjetri, apo dhe faktin që kryeministri Rama dhe më herët, në fillim të këtij viti ju largoi dhe nga posti i Ministrit të Jashtëm?

Ditmir Bushati:Debatet përsa i përket procesit të dekriminalizimit dhe influencës në politike të njerëz lve me të shkuar të dyshimtë apo persona të cilët janë shpallur “non grata” nga SHBA, unë kam preferuar për ti zhvilluar brenda kryesisë që në vitin 2016. E kam thënë edhe herë të tjera që, fillimisht problematikat shtrohen brenda një familje politike dhe më pas kam ndjerë nevojën që për çështje të tilla, është e rëndësishme që të kemi një debat politik më të sinqertë, në mënyrë kapilare brenda të gjitha strukturave të partisë socialiste, po pse jo dhe një debat ndërpartiak dhe një debat shoqëror për të pasur në fund të fundit një pakt kundër influencës të personave të tillë në jetën publike. Natyrisht, nuk kam përjashtuar asnjë çast as veten nga përgjegjësi të tilla, edhe kur kam thënë që, ne nuk kemi pse mos të guxojmë të kërkojmë ndjesë për vendimmarrje të gabuara dhe kur kam deklaruar që askush prej socialisteve e progresisteve shqiptarë nuk ka pse të ndjehet i ligështuar prej vendimmarrjeve të gabuara nga ana jonë. Por, pikërisht eksperienca e Shkodrës, më shtyn të mendoj që ne duhet të fillojmë të veprojmë seriozisht me një mentalitet të ri perëndimor, 30 vjet pas shembjes së regjimit komunist, duke krijuar garë të vërtetë brenda nesh, duke krijuar rregulla loje që duhet të respektuar brenda nesh, një sistem merite dhe vlere, modele frymëzuese. Duke i dhënë mundësi kësisoj, jo vetëm bazës së partisë, por edhe komuniteteve për ta thënë fjalën e tyre, qoftë për kandidatët për deputetë, qoftë për kandidatët për këshillin bashkiak, qoftë për kandidatët për kryetar bashkie, kryetar partie apo kryetar organizatash në një fazë të hershme të këtij procesi. Besoj fuqimisht që gara e shëndetshme brenda familjeve politike do të stimulojë gjithashtu dhe garën në jetën ekonomike të vendit.

Zëri i Amerikës: Kanë qarkulluar së fundmi në media dhe hipoteza për një largim të mundshëm tuajin nga PS dhe një angazhim apo përfshirje në Lëvizjen Vetëvendosja. Si është e vërteta?

Ditmir Bushati: Kjo është një tollovi treditore e krijuar kryesisht nga teknologët politikë dhe distributorët e lajmeve të rreme. Një miku im i çmuar nga Kosova do ta krahasonte me situatën e ngjashme në Ish-Jugosllavi dhe me teknologjinë që përdorej asokohe për ‘diferencimin ideopolitik’ ndaj njerëzve të cilët likuidoheshin politikisht. Unë besoj që ne nuk e kemi luksin të jemi një matricë neo-jugosllave. Me Vetëvendosjen, me Albinin, por jo vetëm, me të gjithë spektrin politik shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, unë kam kultivuar marrëdhënie profesionale, mbi të gjitha njerëzore të mira, edhe për shkak të funksionimit tim shtetëror të mëparshëm si Ministër i Jashtëm. I uroj suksese atyre.

Nuk kam asnjë arsye, e jo më ambicie për të lëvizur nga Partia Socialiste të cilën e konsideroj familjen më të madhe politike në vend. Jam mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar në të gjitha funksionet e mia, si Ministër i Jashtëm por edhe në funksionet politike, nga kolegët, nga anëtarësia e Partisë Socialiste dhe sot më shumë se kurrë mendoj që ne kemi nevojë për të hedhur një tjetër hap drejt demokratizimit të mëtejshëm të PS-së, për të dëshmuar që jemi në gjendje për tu vet-korrigjuar dhe për ti folur, jo thjeshtë aspirantëve te kutia e votimit, por mbi të gjitha atyre që me të drejtë, mund ta kenë humbur shpresën nga gabimet që ne kemi bërë nga 6 vitet në qeverisje të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, u mund të flitet për ngushtim të hapësirave demokratike brenda PS?

Ditmir Bushati: Është e rëndësishme që ne të krijojmë mekanizma dhe rregulla lojë më të qartë, jo vetëm brenda PS, por brenda familjeve tona politike. E di që opinioni publik është më i vëmendshëm dhe më ekzigjent ndaj Partisë Socialiste, për shkak të traditës të mirë që PS ka pasur në këtë drejtim. Është detyra jonë për të qenë vigjilentë, solidarë e mirëkuptues, por gjithmonë duke vendosur në qendër të vendimmarrjes anëtarin e Partisë Socialiste. Jo në çdo rast vendimet që imponohen nga lart mund të kenë efektet e duhura në praktikë. Ne, padyshim që mund të jemi dhe duhet të jemi partia promotore e ndryshimit. Sot për sot, operojmë në një kontekst edhe më specifik. Barra mbi ne është edhe më e rëndë, për shkak të përgjegjësive në pushtet qendror edhe në pushtetin vendor, thuajse në të gjitha hallkat e vendimmarrjes. Kësisoj, na duhet që të jemi më të durueshëm, në radhë të parë me njëri-tjetrin. Na duhet më shumë imagjinatë për të prekur horizontin. Na duhet edhe kapacitet për më shumë kompromise, qoftë brenda familjes tonë politike, por edhe me opozitën politike dhe atë parlamentare, sepse vendi ndodhet përballë sfidave të reja.

Zëri i Amerikës: Dhe pikërisht duke patur parasysh këto sfida, do kujtoja atë më të afërmen, vendimin e Këshillit Europian për hapjen ose jo të bisedimeve për anëtarësim, por dhe sfidën tjetër që lidhet më drejtimin nga ana e Shqipërisë të OSBE-së. Në këtë situatë të rënduar politike, të një krize që zgjat prej disa muajsh, a rrezikon kjo të kthehet në një pengesë serioze pikërisht për këto dy objektiva të afërta të Shqipërisë?

Ditmir Bushati: Mbase askush nuk e ka imagjinuar në ’90, kur studentët brohorisnin “ e duam Shqipërinë si Europa”, se 30 vite më pas, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e Bashkimit Europian. Kur i kthehem pas këtij procesi, për të cilin kam punuar e kontribuar dhe jam duke punuar e kontribuar, mendoj se është koha që të tregojmë pjekuri politike dhe të mos luajmë me zjarrin. Ngjarjet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar dhe rinovimi i institucioneve të Bashkimit Evropian, tregojnë që BE do të jetë diçka tjetër nga ajo që është deri me 1 nëntor. Besoj, uroj dhe shpresoj që ne të konsolidojmë arritjet në këtë drejtim. Kur kujtoj 2013-ën, përpjekjet tona për të fituar statusin e vendit kandidat, nuk bie assesi dakord me qëndrimet e opozitës, sipas së cilës, çdo gjë ishte bërë gati. Edhe atëherë nuk ishte e lidhur thjeshtë dhe vetëm me tre ligjet, por ishte e lidhur drejtpërdrejtë me reformat që ne kemi ndërmarrë. Edhe rekomandimi për nisjen e bisedimeve për anëtarësim që u sigurua për herë të parë në 2018-ën dhe konfirmimi i tij në 2019-ën, besoj se erdhi si pasojë e një klime kompromisi që u krijua për kalimin e paketës për ndryshime kushtetuese dhe akteve nënligjore për reformën në drejtësi. Tanimë, është momenti që përmes një vullneti politik, i cili duhet të jetë mbipartiak, ne ti dëshmojmë BE-së që jemi në gjendje të kalojmë testin e modernitetit si shoqëri, jemi në gjendje për tu futur në rrugën e pakthyeshme evropianë.

Po kështu, mendoj se marrja e drejtimit të OSBE-së nga Shqipëria, ishte një prej arritjeve më të mëdha të politikës së jashtme Shqiptare, por jo vetëm. E kam konsideruar gjithnjë të lidhur ngushtë me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me procesin e fitimit të vendit në tryezën e Këshillit të Sigurimit të OKB, për një vend jo të përhershëm.

Mendoj se kriza politike dhe situata ku ndodhet skena politike në Shqipëri, ka ndikimet e saj, qoftë përsa i përket vendimmarrjes për në BE, po kështu dhe drejtimin tonë të OSBE-së. Prandaj, janë dy momente që nuk do të nguroja ti quaja historike, të cilat nuk duhen humbur dhe mbase mund të jenë edhe dy momente që mund të kërkojnë vullnet rreth e përqark jo vetëm aktorëve politik por edhe atyre shoqëror për ti kthyer të dy këto momente në histori suksesi.

Gruaja e hekurt flet rreth “Sagës së dhimbjes” – Intervistë me Fatbardha Mulleti Saraçin realizuar nga Leonora Laçi

 

“E kaluara është mësues i së tashmes dhe udhëzues i së ardhmes”

 

Si lindi libri “Saga e dhimbjes” botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në vitin 2018, a mund të na e përmblidhni në pak rreshta?

Çdo gjë, një takim, ecja në rrugë apo në jetë, një epokë, një libër… e ka një fillim. Do të tregoj diçka personale, por jo vetëm për mua, por për më shumë, për njerëzit dhe kohën. Janë përjetimet e mia, të vërteta, përvojë që i ngjanë hapjes së një testamenti nga vitet e kaluara, si një zbatim i ri, në mos një denoncim, për qëndresë e shpresë.

Subjekti i librit është kujtesa, kthehet në kujtesë. Është brengosëse vdekja në kujtesë. Prova e vërtetë e njeriut është kujtesa e tij, që është pasuria më e çmuar në jetë.

Subjekti i librit shëndrrohet në kujtesë, për lexuesin. Shpallja ose marrëdhëniet me të vërtetën si autore, si personazh përshkon të gjithë librin.

Në shkrim jam vetevetja. Fjala është për histori reale, zbulon thelbin e saj të padukshëm, e bën këtë histori të jetueshme nga njerëz. Në marrëdhënie me njeri-tjetrin kanë cilësi të përbashkëta: dashurinë e pashterrshme për jetën.

Është një dashuri që kërkon një fuqi të madhe shpirtërore për t’u afirmuar.

Personazhet synojnë vetëm të ruajnë sjelljen e tyre njerëzore brenda dramës, një sjellje që u mundëson t’i marrin sa më shumë jetës që u është dhënë.

Libri përmban kujtesën e jetës sime që nga shtatori i viti 1944 kur ende s’isha bërë pesë vjeçe. Në atë periudhë jetoja me familjen në Tiranë, që ishim etnikë në atë qytet. Vazhdoj me përjetimin e dëbimit nga Tirana, shkollimi, vazhdimi i gjimnazit në qytetin e Shkodrës, periudha e rinisë që tregoj sa e vështirë ishte të siguroja një punë. Periudha më e rëndësishme është kur u pranova të punoja në Rrethin e Lezhës, si arsimtare, që në atë periudhë kishin nevojë për mësues. E rëndësishme për mua ishte të arrija të studjoja në Institut dhe Universitetin e Tiranës, që e realizova në mënyrë autodidakte. Tregoj jetën e një vajze nga shtresa “e deklasuar”, “armik”, “pronare” dhe shumë epitete të tjera fyese. Tregoj se si më ndoqi lufta e klasës, gjatë gjithë jetës sime dmth provova racizmin komunist shqiptar, që e kishte ndarë shoqërinë shqiptare në dy kasta: “të mirët, të mrekullueshmit ishin pushtetarët dhe ajo pjesë e shoqërisë që i duartrokiste, që i ndiqte dhe zbatonte luftën klasore dhe ishin vetëm ata që kishin bërë çdo gjë të mirë, ndërsa shtresa tjetër ishim ne, fëmijët e prindërve që u cilësuan reaksionarë, tradhëtarë, kolaboracionistë, pronarë…, ne s’ishim të barabartë me të tjerët, ne na ndiqte kudo biografia e keqe.

Në zyrat partiake të bënin jetëshkrimin. Nuk ishte nevoja të lexohej e gjithë autobiografia, mjaft të gjenin çfarë lidhëzash përdorte autobiografishkruesi si dhe gjithçka bëhej e kuptueshme. Kur përdorej lidhëza bashkërenditëse shtesa ishte “yni” dmth ishte i kastës së kuqe, kur përdorte lidhëza kundërshtuese ishte kundërshtar i regjimit totalitar dmth nuk ishte i barabartë me të tjerët.

Për të ilustruar këtë genocid shqiptar nga brezi në brez, nëpërmjet kujtesës historike, unë përdora artin e të shkruarit, për të mos lënë që historia të harrohet.

Për mua e rëndësishme ka qenë gjurma historike e të shkuarës.

Librat ruajnë kujtesën e fateve individuale, ruajnë të shkuarën, kujtimin e jetëve njerëzore, gëzimet, tragjeditë dhe fatkeqësitë të shkaktuara nga regjimet totalitare dhe politika, nga lakmia, urrejtja, mizoria dhe budallalleku i njeriut. Dhunimi i të drejtave të njeriut.

Në vendin tonë dmth në diktaturën komuniste regjimi u bë kriminal, se mbrojtën me vendosmëri ideologjinë marksiste-leniniste-staliniste dhe vrisnin shumë njerëz për t’ia arritur qëllimit vranë inteligjencën shqiptare, burgosën e internuan dhe nuk arritën të bënin jetën tonë më të bukur dmth ishin vetëm vrasës…

Një nga shenjat e një shoqërie të fortë është zelli me të cilën kalon kultura nga një brez në tjetrin.

Të shkruash për të kaluarën ka rëndësi për kujtesën, dhe  kujtesa është çështje kulture…

Kur kujtojmë të kaluarën besojmë se na shërben për të kujtuar çka ndodhur në histori.

Qëllimi thelbësor ishte që nga e kaluara të nxjerrim mësime, të cilat garantojnë të ardhmen.

Njerëzit pa trashëgimi janë lehtësisht të bindur.

Të ecësh në jetë, është si një lumë i madh që ka ndjekur rrjedhën e vet, që mbi gjithçka i ka shërbyer moralit, për të rrëfyer histori jete pa bujë, pa përulje. Rrëfime për ngjarje e vende diku rreth nesh, por të ndarë nga pjesa tjetër e vendit, por në të njejtën gjuhë, me gjuhën hyjnore shqipe.

Kur flasim për krimet e diktaturës, për humbjen e lirisë, nuk bëjmë thjesht një apologji por i kujtojmë se sa kollaj mund të humbasësh lirinë, sa kollaj është ngritja e një diktature dhe sa fort duhet të punojmë që kjo të mos ndodhë.

 

Pse “Saga e dhimbjes”?!

 

Sagë do të thotë të rrëfesh një histori të gjatë, në këtë rast i jetës në vazhdimësi, në formë narrative, ku rrëfehen ngjarje që më kanë ndodhur mua gjatë shtegëtimeve të mia në jetë apo tregime nga njerëzit më të cilët jetova apo takova gjatë viteve të jetës sime.

Janë një sëri eventesh që përshkojnë një periudhë të gjatë, që e tejkalon pesëdhjetë vjeçarin.

Libri “Saga e dhimbjes” është simbiozë e kujtesës dhe përjetimit. Përjetimi vetjak është më real se realja, sepse është e vërteta e të jetuarit sa në përmasa fizike po aq dhe në atë shpirtëroren, duke mos pasur nevojë për trillime.

 

 Si ishte për ju t’i riktheheni së kaluarës, të gjenit kalendarin e viti 1957 dhe ditarin e viteve 1958-1959 ?

 

T’i rikthehesh të kaluarës dmth të tregosh, të rrëfesh ngjarjet që ndodhën gjatë ecjesh në jetë, me një fjalë të tregosh përjetimet e tua.

Është kujtesa autobiografike që e risjell në vemendjen e lexuesit dhe tregon rrënjët e dramës në botën shqiptare të diktaturës, zgjatim i saj stalinist dmth jeta në totalitarizëm.

Përjetimet e mia kanë jetuar me mua gjatë gjithë ekzistencës sime.

Pasi botova librat “Dhimbje” I-II-III që u ribotuan nga ISKK nën titullin “Kalvari i grave në burgjet komuniste”, ku tregohej kalvari i femrës së përsekutuar në Shqipërinë që quhej R.P.S e Shqipërisë dhe që drejtohej nga Partia e Punës, udhëheqësi E.Hoxha dhe të gjithë udhëheqësit e tij që e shoqëronin, me përhapjen dhe zbatimin e ideologjisë Marksiste-Leniniste-Staliniste-Enveriste dhe më vonë dhe atë Maoiste, e pashë të arsyeshme të tregoja përipecitë e jetës së një vajze nga mosha pesë vjeçare e në vazhdim, dmth një letersi biografike, si përballja dhe zgjidhja e problemeve të personazhet dhe në nivel kolektiv.

Rastësia solli që të gjeja kalendarin e viti 1957 që ishte viti i marrjes së maturës, deri në qershor dhe pastaj largimi nga Shkodra për në Kavajë (ku më jetonte familja, pasi ishim dëbuar nga Tirana)…Po kështu brenda në dispensë të lëndës së biologjisë, që e kisha përdorur gjatë studimeve të larta, gjeta ditarin e parë të mbajtur në vitin e parë të punës sime në arsim (viti 1958-59). Ky ditar u gjet pas pesëdhjetë vitesh.

Kështu që vendosa që t’i tregoj lexuesit dhe vetëm lexuesit (dmth atyre që dëshirojnë t’i lexojnë), jo vetëm për t’i tronditur, por për t’i ndihmuar në jetën personale, për t’i dhënë një model për këtë.

Është madhështia e të shkruarit, por edhe thellësia e hapjes së vetes dhe e përballjes me botën…Një jetë që është vertetë interesante.

Njeriu është kujtesë. Dhe sa më shumë kalon koha, në kuptimin e moshimit, aq më shumë njeriu është kujtesë.

Sepse shumë të shkuar kam pas, e aq më pak të ardhme përpara.

 

 

A patët vështirësi në rrugëtimin për tu arsimuar ?

Jeta nuk është fushë me lule. Rrugëtimi në arsim kishte vështirësi se emrimi ishte në fshatra larg rrugës automobilistike, duhej të zgjohesha pa zbardhur drita dmth në orën katër ose pesë të mëngjesit, të siguroja makinë të rastit, të ndaloja në rrugë dhe pastaj do të  ecja me orë për të shkuar në fshat.

Gjatë ecjes më takonte të kaloja lumin Drin dhe Gjadër, që sipas rastit do të kaloheshin më këmbë, ose me ura të improvizuar me dërrasa, që shpesh uji i merrte me vete.

Do të ecja në të ftohtin e dimrit, në ngricë, të shoqëronte era e fortë që vinte nga gryka e Vaut të Dejës dmth era në Rrethin e Lezhës ishte e veçantë. Shpesh rruga shoqërohej me shiun që binte (siç i thotë Shkodra me rrëshekë), që të lagte deri në palcë, të ecje nëpër dëborë, të kaloje lumin Drin nëpër dy dërrasa, sikur po ecje në tra ekulibri, kur mbi te kishte dhe dëborë…Të ecje në muajin janar në Zadrimën e përmbytur nga uji, të kaloje Drinin duke u futur në kanalin vaditës prej betoni…

Do provoje ecjen nëpër diell që të percëllonte si një saç…

Rrugëtimi për në punë kishte vështirësi të ndryshme, se duhej të ngarkoheshe me trasta që merrje bukën, ushqimet, ndërresat kuptohet edhe librat… udhëtimin e bëja një herë në javë ose një herë në muej, sipas mundësive.

Por me gjithë vështirësitë në ecje të shoqëronte një gëzim i brëndshëm që po shkoje në punë, tek nxënësit që të pritnin me aq dashuri, që vraponin në drejtim tënd, të zgjatnin duart dhe të pushtonte hareja e tyre, hareja që të gëzon shpirtin e zemrën.

Të mbushet zemra me gëzim kur ecën drejt fluturave të jetës. Vështirësitë përballohen dhe qëllimi që i ke vendosur vetës të ndihmosh në shkollimin e tyre, t’i bësh qytetar që t’a duan dijen. Arsimi është profesion i lartë se motivi kryesor është formimi i Njeriut… Punën si mësuese e bëra mision të jetës sime.

 

 

Çfarë do të thoshte për ju të punonit një vajzë e re me tetë djem?

 

Ju brezi i ri duhet të kuptoni që në shtetin shqiptar që udhëhiqej nga Partia e Punës, çdo gjë drejtohej nga shteti. Ai të caktonte ku do të jetoje, në qytetin tënd të lindjes apo e dëbuar, ai të niste nëpër kampet e punës së detyruar siç ishte psh Kampi çfarosës i Tepelenës, ai të burgoste, të dënonte, të shfrytëzonte me punë skllavëruese, që të burgosurit politikë punonin në miniera si në Spaç e Qafë-Bari, si me qënë në periudhën e skllavërisë.

Çdo gjë ishte në dorë të shtetarëve, ata të caktonin çfarë shkolle do të vazhdoje, të dërgonin në degët që ata dëshironin, po ata të caktonin dhe punën. Prandaj për të gjetur punë duhej t’i drejtohej vetëm institucioneve shtetërore.

Për mua ndodhi një mrekulli që Rrethi i Lezhës kishte nevojë për mësues dhe më pranuan. Isha nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe isha kryefamiljare pasi babai im nderroi jetë në shtator 1958.

Më caktuan në Kallmet me tetë kolegë, djem shkodranë. Unë punova me ato mësues të mrekullueshëm që më trajtuan si një motër. Këtu filloi rrugëtimi im në jetë me këta kolegë.

E vërtetë është që e kisha të vështirë për kohën që kam jetuar unë, mentaliteti se isha vajzë e vetme me tetë djem, por çdo gjë kalon. Me punë e tregon veten njeriu dhe është nder të afirmohesh në jetë duke punuar me kolegë seriozë, të talentuar, të sjellshëm, të rregullt dhe shumë të edukuar. Të jetosh me miq që mund të mbështetesh.

Përherë i kam respektuar dhe nderuar kolegët e mi të mrekullueshëm.

Përherë në udhëtim me shoqëronin dy kolegë, që gjenin makinën… isha një motër e lumtur me tetë vëllezër.

Këtë mrekulli më dhuroi viti i parë i punës në arsim.

(Po të keshë parasysh që shefi i arsimit kur më dha emërimin më tha:- Ti e din kush je (dmth që isha me biografi të keqe), të kemi emëruar mësuese provizore, për gjashtë muaj, në fshatin Kallmet dhe atje je me tetë djem. Do të shohim si do të sillesh!

 

A patët ndonjë moment hezitimi teksa shkruanit përjetimet tuaja? Sa ka ndikuar e kaluara në formimin tuaj?!

Pasi punova librat Dhimbje I-II-III ku përshkruaj vuajtjet e grave të shtresës së përndjekur politike, ku pena u shoqërua me pikën e lotit të dhimbjes së njeriut të persekutuar, të varfër, të ndershëm, atëherë e pashë të arsyeshme të tregoja përjetimet e mia që nga mosha e fëmijërisë e në vazhdim. Janë punë me shkrime, rrefime, nga ato të shpirtit, që çmohen nga njerëz që janë të pastër

Është jeta e një vajze e shtresës së cilësuar “armiq”…

Kush e lexon mëson se si jetohej në Shqipërinë socialiste, që zbatohej lufta e klasës.

Njeriu gjatë jetës studion e punon dmth punon për formimin e tij. Dijet asnjëherë nuk janë të tepërta. Kam punuar e studiuar shumë, në veçanti me librin, që funksion të parë ka informimin, të përmbush kuriozitetin, sjell në mendje të shkuarën, adoloshencën, rininë, mbase projekton të ardhemen.

Me lexim përfitoja dije, përfeksionova stilin e të folurit, që në veçanti për mësuesit është mjeti kryesor për të komunikuar me nxënësit dhe për t’i bërë ata të të ndjekin me vemendje, duke i dhënë zërit intonacionin e duhur.

Aftësitë e mira shprehëse gjithmonë ndërtoheshin prej leximit dhe ndihmojnë në aftësitë shkruese.

Duke lexuar informacioni është më i rrenjosur në memorie dhe më i përdorshëm. Kështu kalitet durimi dhe forcohet përqendrimi.

Është dije e pafundme dhe në të gjenë lirinë, të jep liri. Mësova të punoj me përgjegjësi, duke respektuar njerëzit e çdo shtrese, ky është mësimi i jetës. Të punosh është përgjegjësi.

 

 

Çfarë është lufta e klasës për ju?

Ishim cilësuar shtresë e deklasuar dmth armiq të popullit, është një nga shtyllat e të menduarit totalitar. Përdorimi i termit ishte për të frikësuar, izoluar dhe përdorur mjete represive kundër atyre që mendojnë ndryshe. Të tremben njerëzit, t’i bësh të kenë frikë.

 

Na kishin cilësuar shtresë e deklasuar dhe ne fëmijët ishim fëmijë: “reaksionarësh, kulakësh, borgjezë, shfrytëzues, pronarë” dhe epitetet shtoheshin kur devijonin edhe njerëzit e kastës së kuqe, e vazhonte dhe me fëmijë revizionistësh, një pafundësi epitetesh dhe fëmijët u rritën e u plakën me këto etiketime, të tillë mbeten deri në vdekje.

Dëgjonin fjalimet e “Njeshit”, “Unit” të kastës së kuqe që u mbushte mendjen pasuesve të tij, që fëmijëve të reaksionarëve nuk duhej t’u afroheshe, t’u flisje e jo më t’i doje. Një pjesë e mirë e popullatës u mësua të pranonte gjërat që s’ishin të vetat, t’i fusnin nëpër shtëpiat e atyre që shteti i dëbonte, që i nxirrte jashtë nënat me fëmijët e saj.

Lufta e klasës shoqërohej me kamionë që merrnin familje të tëra, i ngarkonin pa pikën e mëshirës dhe i degdisnin aty ku të vuanin më shumë.

Lufta e klasës ishte një akt i ndyrë nga njerëz shpirtvegjël.

Ajo luftë klase ishte një akt që vazhdonte në çdo minutë e orë, natë e ditë, muej e vite të pafund, se bëhej mbi njerëz të paarmatosur, përmbi fëmijë të pambrojtur, në foshnja të sapolindura, qenie të brishta e të pafuqishme.

Shtresa e kuqe e të privilegjuarve mburrej kapërdisej, arroganca i shoqëronte në çdo hap të jetës, fjalori i tyre ishte i mbushur me sharje, fyerje, dinin vetëm të të tallnin, të të përçmonin.

Arti i shërbente gënjeshtrës, vijës së Partisë. Jo vetëm arti…

Ata dhe familjet e tyre kishin të drejtën e çdo gjëje, të përvetësonin pronat e të tjerëve që ishin cilësuar armiq.

Fëmijët e tyre studionin në Universitete në degët që dëshironin në veçanti juridik e filozofi.

Nuk kishte drejtësi dhe as mbrojtës të të drejtave të njeriut që nepërkembëshin. Kudo drejtonin njerëzit e partisë. Në këshillat e Lagjeve bëheshin relacionet, caktonin shtresën e prejardhjen e njeriut, qëndisnin biografitë, këtu damkosej me vulën e klasës së deklasuar, këtu merrej goditja e parë dhe kështu vazhdonte në hallkat më të larta. Këtu përcaktohej biografia që fillonte me gjyshin, babain, të afërmit, në pafundësi, mjaftonte që t’a kishe në fis, caktonin dhe më kë shoqërohej, me cilën familje po formon krushqi, një pafundësi shënimesh. Kudo përçmim, kudo urrejtje, kudo përbuzje.

E ndanë shoqërinë në të mirët që ishin ata që sundonin dhe pasuesit e tyre dhe të këqinjtë ishim të gjithë ne të cilësuar “armiq” dmth u përdor lufta e klasës për të përçarë popullin, ky quhet racizëm komunist shqiptar…dmth përçaj e sundo.

A ka gjëra që ju nuk i keni futur me dashje në libër? Heqja nga arsimi a ju demoralizoi? A ju nënshtruat sistemit totalitar shqiptar?!

Në libër kam treguar gjërat kryesore, që nuk është e mundur të tregosh çdo gjë.

Heqja nga arsimi më vrau shpirtërisht,ndodhi pas afro shtatmbëdhjetë vitesh punë dhe tetëmbëdhjetë vite studime, ishte një goditje që më hodhi poshtë gjithë veprimtarinë e jetës sime… Largimi nga puna u bë për arsye biografie, dmth isha nga shtresa e cilësuar “armiq të popullit”, dmth u zbatua lufta e klasës.

Por jeta vazhdon dhe unë jetova si gjithë pjesëtarët e tjerë të shtresës që i  takoja, ishim të padëshiruar nga partia-shtet.

 

Çfarë ndjësish patët të merrnit në dorë dosjen e arsimit pas kaq vitesh?

 

Dosja e punës sime më ra në dorë pas gjashtëdhjetë vitesh.

Në fillim pata emocione, por kur shfletova dosjen e punës pashe se puna që bëhej në sistemin komunist nuk vlerësohej nga specialistët e arsimit, ajo plotësohej nga sekretari i partisë, i fshatit dhe i qytetit.

Në vitin 1974 org.bazë e partisë e fshatit Dajç në relacionin për punën time si mësues e kishte plotësuar në mënyrë të shkelqyer dhe vlerësuar pozitivisht, ndërsa më 26.04.1975 Organizata bazë e Partisë Lezhë, duke parë problemin e kuadrit të arsimit në frymën e materialeve të fundit të Partisë dhe fjalimit të sh.Enver të datës 31 mars 1975, propozon që Fatbardha Mileti të largohet nga rradhët e arsimit mbasi nuk i ka kushtet politike për të qëndruar në këte detyrë dhe pra nuk është e denjë për të edukuar brezin tonë të ri.

Propozohet që Fatbardha Mileti të largohet nga radhët e arsimit, mbasi i mungojnë kushtet politike, si e padenjë për edukimin e brezit tonë të ri dhe të kalojë direkt në prodhim.

 

Shef i seksionit kuadrit                                  P/Komitetin Ekzekutiv K.P.Rrethit

Aleksandër Llusha                                                             Sekretari

Firma                                                                                    Avni Saliu

Lezhë më 26 .IV.1975                                                                 Firma

 

Mbasi lexon këtë raport partiak nuk është nevoja ta diskutosh sepse çdo gjë vendosej nga Partia.

 

 

 

Cila është figura më frymëzuese për ju?

Frymëzimi është i shumëllojshëm. Gjatë jetës mëson për shumë figura të larta që i kanë shërbyer kombit dhe botës dhe të zgjojnë dëshiren për studim e punë që të bëhesh e vlefshme në drejtim të shoqërisë.

Jeta e nënave shqiptare është shumë frymëzuese. Mënyra se si ajo sakrifikon jetën e saj për mirërritjen e fëmijëve, është ndjenja më e lartë në jetë.

Frymëzim nga autorë që tregonin për diskriminimin , që shtronin problemin e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, me histori, duke shfletuar e parë shpirtin njerëzor, plagët e gëzimet e tyre. Brenda punës gjenë kënaqësinë, kjo arrihet me këmbëngulje, përvojën e reflekton me atë që i përçon publikut.

Kam përjetur lodhjen duke u kënaqur. Por në jetë ka frymëzime pafund…

 

A keni menduar ndonjëherë se do të shkruanit një libër të tillë, për veten tuaj e për njerëzit që takuat në jetë?

 

Ato që përjetova, kujtimet janë ende të freskëta, po ashtu edhe pasojat. Nuk është vetem rrëfimi im personal. Vjen një moment dhe do t’a tregosh jo vetëm të tjerëve, por edhe vetes se çfarë ke bërë me jetën tënde dhe me vjen mirë që arrita në përfundimin që kanë qenë vite të mundimshme, por dhe të mbushura me kënaqësi, me suksese në punë, në veçanti dashuria për nxënësit dhe dashuria e pakufi për familjen. Janë vite përpjekjesh dhe arritje të merituara.

Njerëzit e parë që takon njeriu në jetë janë prindërit, që janë nektari i jetës, na rritën me dashuri, ditën të na mësonin, të na mbronin nga bota e ashpër e diktaturës, duke krijuar mundësinë e një ndjeshmërie të lartë për t’u mbrojtur. Lumturi kur u bëra nënë, të marrësh në duar fëmijën që të mbush jetën me gëzim, me diell pranvere atëherë kur isha e mërzitur…

 

A do të ketë një libër tjetër pas ktij?

Të shohim ç’më premton mosha. Kanë kaluar shumë dhjetëvjeçarë të jetës dhe kanë mbetur më pak kohë, të shohim…!

 

 

A keni një mesazh që doni të përcillni me anë të këtij libri?

 

Mesazhi im është: Çmojeni jetën dhe shëndetin shumë, studioni e punoni gjatë gjithë jetës dhe mbroni me forcë të drejtat dhe liritë e juaja.  Duhet me dashtë njeriun, sidomos kur atë e kanë lënë pas dore, kur atë e kanë harruar, braktisur, kur e kanë dëbuar, dënuar pa të drejtë.

Mos u dorëzoni përpara vështirësive. Sa herë që do të rrezoheshin në jetë aq herë duhet të ngriheni, të ngriheni edhe më lart se më parë, që të vazhdosh e të përparosh.

Mësoni të ruani lirinë tuaj, pa dëmtuar lirinë e të tjerëve.

Dhe jetën e kam kthyer në mision, për të treguar të vërtetën se si jetohej në Shqipërinë totalitare, në këtë mision nuk jam e vetme, jam me të gjithë ato që vuajtën dhe më ato zëra që nuk mund të dëgjohen. Jam zëdhënëse e tyre…

Intervista – Kryeziu: Partitë politike të shpalosin qëndrimet për tarifat dhe bisedime me Serbinë

Udhëheqësi i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se partitë politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, duhet të bëjnë publike qëndrimet lidhur me veprimet e tyre me tarifat ndaj mallrave serbe dhe bisedimet me Serbinë, në mënyrë që qytetarët të informohen për ato. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kryeziu thotë se koalicionet parazgjedhore të partive politike janë një mundësi shumë më e mirë që qytetarët të dinë për platformat politike dhe shmang ngecjet e mundshme për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, Kosova tashmë ka hyrë në një proces të ri zgjedhor. Si e shihni këtë proces krahasuar me zgjedhjet e kaluara?

Ismet Kryeziu: Realisht në zgjedhjet e kaluara kemi pasur një veprim ad-hoc të koalicioneve të ndërtuara, të cilat mendoj që nuk kanë pasur bazë programin dhe idetë më tutje, por kanë pasur si bazë interesin për t’u grupuar në grupacione në momentin e fundit për të arritur i pari e për të caktuar përbërjen e qeverisë. Mendoj se tani nga data e dorëheqjes së ish kryeministrit, zotit Haradinaj, tani kemi pasur disa tentative të partive politike të cilat vazhdojnë deri në afatet kohore kur është 30 gushti që të ofrohen dhe të krijojnë platforma politike dhe qeverisëse të bazuara në programe. Mendoj që kjo është një e arritur pak diferencuese ose e ndryshme nga ajo që kemi pasur nga zgjedhjet e kaluara.

Zëri i Amerikës: Një çështje që vazhdimisht është diskutuar është ajo e reformës zgjedhore. Sipas jush pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë deri më tani?

Ismet Kryeziu: Mendoj se reforma zgjedhore ose ideja e mungesës së përkushtimit të liderëve politik për reformim të sistemit zgjedhor është e lidhur me fuqinë e tyre, sepse ky sistem zgjedhor mendoj se është duke krijuar parti politike të dobëta dhe lider të fortë dhe konsideroj që arsyeja kryesore është ngecja ose mos përkushtimi i këtyre liderëve për të ndërruar fuqinë e tyre brenda subjekteve politike, për arsye se reforma zgjedhore do të prekte edhe demokracinë brenda subjekteve politike dhe normalisht që do të kishim struktura dhe parti politike shumë më demokratike dhe shumë më të fuqishme. Edhe fuqia e liderit do të zbehej dhe nuk do të ishte kjo fuqi e këtyre liderëve për 20 vjet që vazhdojnë të udhëheqin me këto subjekte politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, ju dhe koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka disa vite që tashmë vëzhgoni zgjedhjet. Sipas jush, cilat janë mangësitë kryesore të partive politike, flasim për transparencën, mënyrën e financimit?

Ismet Kryeziu: Mendoj që partitë politike nuk kanë arritur që të kenë programe konkrete të prezantuara në fushata zgjedhore, por besojmë që ky proces tani do ta bëj diferencën nga proceset e kaluara. Ana tjetër është që partitë politike nuk janë transparente mjaftueshëm në krijimin e një të hyre buxhetore dhe shpenzimit buxhetor transparent për publikun i cili përdoret për fushatën zgjedhore. Ne kemi pasur pika krahasimore kur kemi bërë monitorimin e shpenzimeve të subjekteve politike dhe del një mospërputhje në bazë të asaj që raportojnë partitë politike. Edhe në këtë fushatë ne do ta kemi fokusin e monitorimit të shpenzimeve të partive politike sepse shpenzimet e partive politike ose shpenzimet që bëhen gjatë fushatës zgjedhore, janë një pikë kyçe e cila ndikon në tërheqjen e votuesit ose që ne shpeshherë e quajmë, në blerjen ose mundësinë e blerjes së votës, përdorimin e resurseve publike dhe të gjitha këto janë që nuk garantojnë një garë të barabartë. Mendoj që ky është fokusi që duhet partitë politike të jenë më të përgjegjshme dhe ne si qytetarë të kërkojmë llogaridhënie mbi

Partitë politike të jenë më të përgjegjshme dhe ne si qytetarë të kërkojmë llogaridhënie mbi shpenzimet

shpenzimet e mjeteve që bëjnë ata dhe t’i mbajmë të përgjegjshëm për mënyrën e financimit dhe transparencës. E dyta është ajo që partitë politike po konsideroj që ende nuk kanë arritur në nivelin e organizimit ku nuk është me rëndësi individi edhe nuk është me rëndësi lideri, por është me rëndësi programi dhe është me rëndësi kabineti edhe është me rëndësi përbërja e qeverisë e cila do të qeverisë me Kosovën pas daljes nga këto zgjedhje dhe ne po e shohim që edhe më shumë në këtë fushatë po tentohet që lideri të jetë ai, udhëheqësi dhe lideri të jetë pika kryesore e besimit të votuesit që kjo nuk do të ishte e keqe por gjithsesi ne kemi nevojë për programe, kemi nevojë për të ditur për kabinetin qeveritar, kemi nevojë për të trajtuar tema dhe për të parë se cilat do të jenë zgjidhjet që do të ofrojnë partitë politike pas këtyre zgjedhjeve. Dhe po mendoj që partitë politike ende nuk kanë filluar dhe ndoshta koha kur jemi se ende nuk ka filluar fushata zgjedhore, por besoj që në vazhdim, në periudhën kur do të filloj fushata zgjedhore, ndoshta do të kemi mundësi të shohim gjithë këto vlera të prezantuara nga subjektet politike.

Zëri i Amerikës: Demokracia në Veprim zakonisht për zgjedhje del me një thirrje për votuesit. Cila është kjo thirrje për këto zgjedhje?

Ismet Kryeziu: Ne kemi filluar më 2017 me edukimin e votuesve ose fushatën me kampanjën me hashtag “As unë”, për të mos votuar kandidatë të korruptuar ose kandidatë që pretendohen që janë të përfshirë në afera korrupsioni. Mendoj se jemi duke vazhduar këtë kampanjë edhe tani dhe u bëjmë thirrje qytetarëve ose slloganin të cilin ne e kemi “mos u anko dhe dil e voto”. Është kjo thirrje për të votuar kandidatë me integritet për të pasur përfaqësim që ne e dëshirojmë. Shpeshherë pas zgjedhjeve ne kemi njëfarë lloj dëshpërimi nga ana e qytetarëve për rezultatin që del. Por. ne duhet ta dimë si qytetarë se fuqia jonë, refleksioni jonë është ai që me gjashtë tetor do të zgjedh përfaqësuesit tanë. Për atë arsye mendojmë se ndryshimi ose ideja nga lëvizja ose momentum në qoftë se qytetarët e vërejnë një momentum jo të mirë për jetën e tyre, për kualitetin e jetës së tyre tani është mundësia në dorën e tyre më 6 tetor dhe zgjedhja e tyre do të kushtëzoj ose përcaktojë përfaqësimin, kualitetin dhe vlerat e jetës. Për atë arsye edhe ne jemi të interesuar të kemi një përfaqësim kualitativ, të kemi një përfaqësim me integritet edhe e vazhdojmë këtë kampanjë “as unë nuk do të votoj kandidatët e korruptuar”. Ky është mesazhi më i mirë. Ana tjetër që kishim dashur të bëjmë gjatë këtij procesi zgjedhor dhe mendojmë që partitë politike duhet ta bëjnë, është edukimi i votuesve se si të votohet. Ne kemi pasur mbi 5 për qind vota të pavlefshme në mungesë të njohurive të mjaftueshme për të votuar. Partia politike e ka edhe këtë obligim përveç shoqërisë civile, përveç Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se nëse i bëjmë thirrje për të pasur një edukim të votuesve shumë më kualitativ edhe partitë politike duhet t’i edukojnë votuesit e tyre për mënyrën se si të votojnë, në mënyrë që secila votë të jetë e vlefshme edhe ne mos të humbim 5 apo 6 për qind të votave dhe të sigurohemi që qytetarit i është dhënë mundësia që ai të votoj në mënyrë të informuar. Për këtë mendoj se partitë politike duhet të kenë një rol më të fuqishëm në këtë proces që qytetarët të cilët dalin të votojnë më 6 tetor, të jenë të informuar për mënyrën e votimit, për pesë votat preferenciale, për të gjitha ato procedura e që nuk e bëjnë votën e tyre të pavlefshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, javëve të fundit partitë politike po krijojnë koalicione parazgjedhore ndërsa disa të tjera janë në negociata për një gjë të tillë. Si i shihni ju këto koalicione parazgjedhore?

Ismet Kryeziu: Praktikat e deritashme në Kosovë kanë treguar që pas zgjedhjeve ne kemi pasur sfida në formimin e institucioneve dhe në krijimin e qeverisë. Normalisht kemi pasur edhe shumë pakënaqësi për shkak se forca dhe fuqia e krijimit të këtyre koalicioneve pas zgjedhjeve kanë mbetur në dorën e liderit të një subjekti politik e kjo jo gjithmonë është bartur me frymën e votuesit për çka edhe ka votuar. Mendoj se koalicionet parazgjedhore janë

Koalicionet parazgjedhore janë një mundësi shumë më e mirë që qytetarët të dinë për platformat politike, për partitë që marrin përgjegjësi për të qeverisur por edhe shmangin ngecjet në formimin e qeverisë dhe funksionimit pas zgjedhor.

një mundësi shumë më e mirë që qytetarët të dinë për platformat politike, për partitë e përbashkëta të cilat marrin përgjegjësi për të qeverisur por edhe shmang ato ngecjet në formimin e qeverisë dhe funksionimit pas zgjedhor. Mendoj që vlerat e koalicionit e japin këtë mundësi të koalicionit parazgjedhor. Tani kemi subjekte politike të cilat thirren në profilet e tyre, me ideologjitë e tyre dhe mendoj që është një momentum i mirë politik që jo vetëm kandidatët për kryeministër por koalicioni, kabineti qeveritar po të prezantohej, po të prezantoheshin qëndrimet mbi temat, do të ishte një kualitet i arritur i vlerës së shtuar në këto zgjedhje dhe mundësisë së qytetarit për t’u informuar por edhe do të shmangte të gjitha ato pengesa që supozohet që do ta dilnin pas 6 tetorit në krijimin e institucioneve.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, qeveria e re pritet të përballet me shumë sfida duke përfshirë këtu çështjet e brendshme siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformave të ndryshme, ndërsa nga jashtë me çështjet e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve me Serbinë. Çfarë duhet të bëj qeveria e ardhshme për çështjen e tarifave dhe bisedimet me Serbinë?

Ismet Kryeziu: Zgjedhjet normalisht përveç që ndikojnë në jetën e brendshme qytetare, institucionet qeveritare që dalin pas zgjedhjeve kanë përgjegjësi edhe për politikat ndërkombëtare. Çështja e dialogut nuk shumë zgjidhje e çështjes, nuk është zgjidhje shumë e vullnetit tonë edhe pse hisedarë në çështjen e dialogut nuk është vetëm Kosova, sepse marrëveshja me Serbinë nuk prek vetëm dy shtetet por prek edhe politikat dhe interesat gjeostrategjike të aleatëve tanë dhe shtetet e Quintit që kanë dhënë qëndrimin e tyre. Presioni publik ndërkombëtar dhe angazhimi i tyre ndërkombëtar, gjithsesi e bën temën e parë dhe të domosdoshme adresimin e kësaj çështjeje në raport me Serbinë. Por, edhe unë vet si qytetar i Kosovës mendoj se kjo çështje duhet të adresohet në mënyrë që të na mundësoj më tutje të merremi më shumë në mënyrë kualitative dhe më përmbajtjesore me çështje të brendshme. Kjo do të jetë një nga çështjet kryesore që ne duhet presim nga këto zgjedhje; cili do të jetë qëndrimi i partive politike, si do t’i qasen kësaj çështjeje dhe debatet të cilat kanë qenë të shumta rreth shkëmbimit të territoreve, çështja e kufijve. Të gjitha këto mendoj se qytetari ka nevojë të votoj i informuar duke i ditur qëndrimet e subjekteve politike se si do të reagojnë në këtë çështje. Gjithsesi janë tema tjera shumë të rëndësishme lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, janë tema shumë të rëndësishme të cilat ndërlidhen me efikasitetin dhe përkushtimin e këtyre zgjedhjeve dhe të dalurit nga zgjedhjet, qoftë në anën e legjislativit qoftë në anën e ekzekutivit. Mendoj që këto janë tema shumë të rëndësishme për të cilat qytetarët duhet të kenë informacion, cili do të jetë qëndrimi, duke përfshirë taksën. Tani kanë filluar të debatojnë edhe subjektet politike të cilat kanë qenë në qeveri dhe thonë që taksa është e tejkaluar, ka subjekte politike që janë duke e mbrojtur taksën si një mundësi që të mos përfshihet si temë në dialog. Të gjitha këto mendoj që është mundësia që qytetarit t’i jepet një qëndrim i qartë nga subjektet politike rreth këtyre temave edhe qytetari të përzgjedh vet mënyrën se si dëshiron t’u qaset këtyre temave. Është mundësia më e mirë që ne me 6 tetor t’i kemi qëndrimet e qarta nga subjektet politike. Thash, kjo temë nuk është temë që u takon vetëm qeverisë dhe institucioneve të Kosovës por është temë që ka edhe hisedarë ndërkombëtarë dhe prek raportet ndërkombëtare në zhvillimet gjeostrategjike të politikave më të mëdha dhe ne duhet të kemi një qëndrim si shtet normalisht, si institucione të cilat pritet të dalin nga këto zgjedhje dhe nuk guxojmë të mënjanojmë nga fokusi dhe përgjegjësitë tona shtetërore për përfundimin ose përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë si shtet fqinj por edhe hapjen e një perspektive të re për Kosovën për t’u fokusuar në zhvillimet e brendshme, që janë lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.

Rrëfimi që i mora Fatos Baxhakut në vitin 2014: “Kam frikë nga plakja… rrudhat”

Nga Mira Kazhani

Kështu mbyllet artikulli profil në vitin 2014, botuar në gazetën e asaj kohe, “Mapo”, me Fatos Baxhakun. Është një rrëfim që të çon në reflektim për jetën dhe për shenjat e sinjalet e saj. Duke lexuar do ta njihni më nga afër e do kuptoni se sot medias i tha lamtumirë një njeri i mirë, një gazetar i një race në zhdukje, një burrë me zemër të butë. Kur dëgjon përgjigjet e Tos Baxhakut sikur të ishte ende gjallë, kupton sa jemi egërsuar…

Sot në Tiranë bie një shi i ftohtë bore. Ndërsa parkoj makinën mes disa pallatesh, pothuajse në trotuar, mendimet nuk arrij t’i organizoj si zakonisht. Jam gati e lumtur që Tosi më tha një ‘Po’ me lehtësinë e frymës që merr njeriu.

Baxhakun e gjej në një tavolinë mes miqsh. Më shumë sesa i qetë më duket i ngadaltë. Afrohet për 2 minuta në tavolinën ku ulem unë ta pres. E kam takuar dy a tri herë në jetën time dhe kurrë nuk kam bërë asnjë bisedë me të. E pyes se ç’po bën këto kohë dhe më tregon se është në fazën e fundit për botimin e një libri, bashkë me gazetaren Klodi Kapo. Një libër për prostitucionin në kohën e Zogut. Dhe mua që s’më mbyllet goja në mbylljen e helmit të javës i them: edhe një libër për kurvat kemi mangut!

-Jo, është për prostitutat, Mira. Dhe kanë dallim me kurvat.

-Në fakt, janë shkrirë shumë dallime dhe diferenca, por gjithsesi, Tosi, jam kurioze që tani ta lexoj këtë libër.

-Është interesant, sepse Ahmet Zogu, kur ishte ministër i Brendshëm, në vitin 1922, vendimin e parë që propozoi ishte një rregullore për ‘rregullimin e Kurvnisë’.

Pse ishte ky shqetësimi i parë? Sot kemi problem me tritolin dhe sigurinë, në fakt. Kaq e qetë ishte jeta atëherë?

-Nuk e di pse. Por Zogu vinte nga një kulturë vjeneze. Ai mendonte se shoqëria i ka bazat e rregullimit tek seksi.

Po le të hapim një shtëpi publike atëherë, se mbase gjejmë edhe parkim publik, nuk vriten kaq shumë njerëzit dhe e harrojmë për disa çaste tritolin. Ndoshta i gjithë faji është i seksit dhe ne bëjmë libra për armët kimike dhe për shkrimtarët, – i them unë me humor.

Ju, kujt ia dedikoni librin?

-Librin ia kam dedikuar të gjithë atyre që as nuk janë shumë krenarë dhe as nuk iu vjen turp për atë që janë. Shpresoj që të hapim një debat për legalizimin e prostitucionit. Shqipëria nuk e ka bërë ende revolucionin seksual. Unë njoh çifte që jetojnë bashkë, vetëm për të mos ndarë pasurinë dhe nuk e ndajnë më seksin. Kjo të çon në dramë, por edhe në një ndrydhje të shoqërisë.

-Meshkujt apo femrat janë më rëndë në këtë drejtim?

-Mendoj që meshkujt. Femrat janë zhvilluar më shumë pas viteve ‘90. Ndërsa meshkujt ende bëjnë seks për t’iu treguar shokëve. Femrat janë më të sinqerta në këtë drejtim. E bëjnë se duan dhe jo se duan ta tregojnë.

-Pa problem, i them unë, se flasin ata. Por më pëlqen që një mashkull flet me kaq objektivitet për racën e tij.

Meqë jemi tek seksi (për habinë time më të madhe, sepse nuk e di pse prisja që me Tosin do niste biseda me çdo gjë, veç Shqipërisë në krevat), e pyes për familjen. Çfarë po ndodh me familjen?

-Po flas për familjen e brezit tim. Unë sot jam 50 vjeç dhe jam martuar para ‘90-ës. Atëherë familja ishte një apartament, dhomë e kuzhinë. Një punë e mirë për të dy, një biçikletë, pushime në Sarandë ose në Durrës. Ishte një rit për të gjithë. Kudo ishte mashkulli që vendoste dhe merrte përsipër të ishte qendra e lumturisë dhe halleve. Sot nuk është më kjo familje. Dhe unë sot nuk jam i martuar që të mund të të flas sesi është tani.

-Je i lumtur?

-Jam mirë.

-Ke ndonjë kompleks? Apo je në paqe gjithmonë me veten. Mua kështu më dukesh!

-Tani që e mendoj, besoj që vuaj se çfarë po mendojnë të tjerët për mua.

-Vërtet? Nuk do ta besoja këtë?

-Po.

-Çfarë është diçka që i mungon ditës tënde?

Kjo është përgjigja kur ai nuk vonon hiç dhe vrikthi më thotë: Era e familjes. Se familja ka erën e saj! Vjen era e lavatriçes, era e qepës që skuqet, e kekut të dielën. Ka një erë familja, që të mbush. Unë jetoj vetëm dhe era e vetmisë është krejt gjë tjetër.

-Pse nuk e rindërton?, – e pyes edhe pak e prekur nga vetmia që më vetmoi edhe mua aty për aty.

-Tani është vonë. Por që të sqaroj: jam vetëm, por jo i vetmuar.

-Ah, ke dikë domethënë?

-Po, kam një lidhje prej 3 vitesh a diçka më shumë.

Kur dalim tek lidhja, ai me tregon për italianen Paola, një sociologe që e ka njohur në Tiranë gjatë një projekti. Kanë jetuar dy vite bashkë dhe tani iu duhet të bëjnë vajtje-ardhje Taranton, në Itali. Nuk janë të shqetësuar as ai dhe as Paola për të skuqur qepë dhe për të vënë lavatriçen në punë. Por Tosi duket kaq mirë me të. “Ajo me nxit të punoj, më frymëzon dhe kjo është një nga gjërat që më pëlqen më shumë tek Paola”, – më rrëfen.

Por unë insistoj duke i thënë: Po, pse jo? Pse jo një martesë, familja, era…?

-E ka marr era atë erë tani, Mira, -thotë dhe i lëshon batutat me lehtësi dhe aspak krenar.

Tosi nuk shfaqet nëpër debate dhe më tregon se nuk do ta bënte kurrë në Shqipëri. Nuk ka arsye të futet në disa shfaqje gjelash që krekosen se janë zot të së vërtetës së botës. “Nuk kam dëgjuar askënd të thotë, për mendimin tim modest, ose, unë mendoj kështu, por mundet ta kem gabim”. Të gjithë janë heronj të së vërtetës. Dhe të ishin të vetes së tyre ua bëja hallall, por janë zot të vërtetave që s’i njohin”. Ndërsa bisedojmë, porosit një Jack Daniels dhe sikur më lexon mendjen më përgjigjet: “Tani e marr një gotë gjithmonë e më pak”.

Baxhaku nuk ka shokë të famshëm. Miqtë e tij janë guaska ku ai jeton, duke harruar ndonjë lëndim që vjen nga jashtë. Vëllai i madh, mësues matematike, është streha ku ai shkon sa herë bëhet fëmijë. Tosi më siguron se çdokush ndihet ndonjëherë fëmijë dhe kërkon përkujdesje. Puna është pasioni i tij më i madh. Ai vjen nga një familje mësuesish dhe mesa duket, sindroma e profesorit është gjenetike. Dy gjërat për të cilat mund të them se vuri pak pluhur krenarie ishin dy vajzat e tij.

-Jam me fat që kam dy vajza. Nuk e di nëse kam qenë baba i mirë, madje mendoj që nuk kam qenë, sepse divorci i lëndon fëmijët, por duke qenë se kam qenë i ri, kam mundur të jem shoku i tyre më i mirë.

Po ish-gruan e keni shoqe?

-Po, patjetër. Kjo është një tjetër fitore. Nuk ia vlen të jetosh me inate për disa zgjedhje që nuk i kemi në dorë. Njerëzit shpenzojnë shumë energji duke u ndarë dhe duke u urryer. Mund të falim të gjithë po të duam.

-Nuk di pse gjithmonë, Baxhaku më ka kujtuar pak Teodor Kekon.

-Po, Dori është i ngjashmi im. Sikur ai të ishte, ky qytet do kishte më pak urrejtje.

-Ky është edhe problem im, Tosi. Dhe këtu i drejtohem si një nxënëse profesorit. Nuk e kuptoj pse unë nuk mbaj mëri dhe ka disa që sikur ua ke futur shpirtin në kripë. Kam kaluar një javë të pakëndshme dhe i rrëfej situatën time. Por, Tosi është befasues. Më kërkoi të tregoja respekt për këdo që shpreh urrejtje. Dashuria dhe urrejtja janë aq pranë dhe duhet të mendosh se dikush që harxhon vite në mni (variant i mërisë, në gegnisht), ka shpenzuar jetë nga jeta e vet për ty.

Është si një çlirim biseda me të. Më duket sikur e ndjej në kraharor valëvitjen e flamurit të ndërgjegjes që zbutet nga zemërimi i gjërave të kota.

Gjuha nuk mund të mos shkojë tek dhëmballa që dhemb. Flasim për median, lajmet, pronarët dhe për këta të fundit më tha një përkufizim perlë.

-Pronarët na japin lekët. Për këtë janë aq të mirë, se na mbajnë me bukën e gojës. Lavdërim tjetër mos prit, se nuk kam asgjë më shumë sesa kaq.

Duke folur për Tiranën, për Shqipërinë në përgjithësi, Tosi tha një tjetër përkufizim ‘creme della crème’.

“Ky vend nuk ka nevojë për heronj, për mite, për skulptura, për statuja, për buste. Heroi më i mirë është ai që do ta bëjë Shqipërinë pa u krekosur poshtë kollares. Dhe mendoj që heronj janë ata që nuk i njohim dhe nuk i shohim në media. Janë ata që nuk udhëhiqen nga kulti i armikut, si ajo mni-ja që folëm bashkë më parë. Kush ka nerva dhe kohë për këto humbje?! Shqiptarët duhet të bëjnë seks për veten e tyre, të dëgjojnë më shumë muzikë, të përshëndesin në mëngjes tjetrin, të fikin televizorin kur ai ia fut kot. Secili ka në dorë fatin e tij. Unë i përbuz ata që bëjnë arrogantin dhe shajnë Shqipërinë. Në jemi një vend normalisht i jetueshëm, por…”

Dhe ndërsa ai po kërkon një fjalë, unë me humor ndërhyj: duhet të bëjmë pak më shumë dashuri në darkë.

-Pikërisht.

E vazhdojmë bisedën për një palë pushime të tij në Itali, tek shtëpia e një miku që ka një bahçe me portokalle dhe që është fiks shtëpia e ëndrrave të Tos Baxhakut.

Meqë ra fjala, e pyes nëse ka një shtëpi të bukur këtu në Tiranë.

Ai bën një fytyrë modeste dhe thotë: “Mirë e kam, nuk pretendoj shumë nga jeta. Ndonjëherë edhe më bën përshtypje kur shoh studentët e mi me 3 shtëpi, por thellë gëzohem më vonë. Unë jam shumë mirë kështu. Mjaft të mos vijë plakja. E urrej pafuqinë, rrudhat dhe kur nuk i duhesh më askujt. Uroj të mos vijë shpejt ky moment, edhe pse i pashmangshëm.

E mirë, i them unë. Ka kohë deri atëherë./ Tiranapost.al