VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Intervista – Kurti: Dialogun do ta udhëheq unë, jo presidenti (video)

By | October 10, 2019

Komentet

Intervista – Mehmeti: Tarifa 100% ndaj mallrave serbe, rrit inflacionin

Këtë vit Kosova pritet të ketë rritje ekonomike, por jo mjaftueshëm sa për të ulur nivelin e papunësisë, thotë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai foli për faktorët që nuk po lejojnë Kosovën të ketë rritje më të lartë sesa 4 për qind. Problem tjetër për ekonominë e Kosovës është disbalanca midis importit dhe eksportit. Në inervistën me kolegun, Burim Goxhuli, Guvernatori i BQK-së foli edhe për ndikimin që ka në ekonominë e Kosovës tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe, e cila siç thotë ai, ndikoi në rritje të inflacionit.

Zëri i Amerikës: Zoti Mehmeti, parashikimet e Bankës Botërore flasin për një rritje ekonomike gjatë këtij viti deri në 4 për qind në Kosovë. A është kjo e mjaftueshme për të ulur nivelin e papunësisë?

Fehmi Mehmeni: Nëse e shohim defiçitin e lartë tregtar, që ka ndikuar negativisht e që shënon thellim edhe të mëtutjeshëm me të dhënat e fundit që kemi në dispozicion, po flas me të dhënat e korrikut të vitit 2019, kemi një rritje të defiçitit tregtar për 3.8 për qind. Por edhe në vitin 2018 është një prej faktorëve që ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike në Kosovë. Po ashtu edhe papunësia e lartë që është një prej atyre faktorëve që ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike në Kosovë për vitin 2018. Vazhdon të jetë sfidë dhe të ndikojë në rritjen ekonomike në Kosovë, prandaj, është një rritje për t’u vlerësuar rritja prej 4 për qind. Nëse e krahasojmë me vendet e rajonit është më e larta si rritje ekonomike. Por nuk është e mjaftueshme për të adresuar sfidat që ka Kosova që në këtë rast është defiçiti i lartë tregtar dhe papunësia. Marrë në konsideratë këto dy sfida që i përmenda më lartë, nevojitet që të kemi rritje ekonomike 6 deri 7 për qind, e që nuk është vështirë të arrihet kjo shifër.

Zëri i Amerikës: Banka juaj ka vlerësuar se për vitin 2018, vlera e importeve ishte mbi 3 miliardë euro, kurse eksportet 350 milionë euro. A është shqetësuese një disbalancë e tillë?

Fehmi Mehmeni: Unë po flas, meqenëse të dhënat që i përmendët ju janë faktike, nuk do t’i përsëris prap. Meqenëse kemi edhe të dhënat e rifreskuara që janë të korrikut të 2019-ës. Ngjashëm vazhdon. Po flas për të dhënat e vitit 2019, gjegjësisht korrikut të vitit 2019, vlera e eksporteve shënon diku rreth 250 milionë euro me një rritje vjetore prej 9.8 për qind. Në anën tjetër importet shënojnë 2.25 miliardë euro, ose me një rritje vjetore prej 4.4 për qind. Në total kemi një thellim të defiçitit tregtar prej 3.8 për qind që edhe një herë po e them negativisht në rritjen ekonomike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mehmeti, organizata si Fondi Monetar Ndërkombëtar ka tërhequr vërejtjen vazhdimisht për trysninë që po ushtrohet nga skemat sociale mbi buxhetin e Kosovës. Si po përballeni me këtë situatë?

Fehmi Mehmeti: Ju e dini se Banka Qëndrore dhe unë si Guvernator jemi këshilltarë të qeverisë së Kosovës dhe vazhdimisht këshilla jonë edhe për qeverinë e kaluar edhe atë të ardhshme është që të jenë të kujdesshëm në menaxhimin e skemës sociale. Marrë parasysh se këto krijojnë shpenzime afatgjata, të cilat më pastaj do të jenë edhe barrë afatgjatë për buxhetin e Kosovë. Prandaj këshilla jonë është që të kemi një menaxhim më të mirë dhe adekuat të këtyre skemave sociale. Edhe një herë po them marrë parasyshë faktin se krijojnë shpenzime afatgjate.

Zëri i Amerikës: Sipas vlerësimeve që i keni bërë edhe ju, borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës është mbi një miliard euro. A është i përballueshëm për Kosovën një shkallë e tillë?

Fehmi Mehmeti: Borxhi publik arrin diku rreth 1 miliard euro. Nëse e shohim në raport me GDP-në, është diku rreth 17 për qind e GDP-së. Është mjaft e ulët nëse e krahasojmë me vendet e rajonit dhe me atë që e lejon ligji. Sepse ligji e lejon që 40 për qind në raport me GDP-në të jetë borxhi publik. Ka hapësirë që të rritet ende borxhi publik, nuk është shqetësues, është në nivel shumë të ulët. Por ajo që është me rëndësi të potencoj është fakti që borxhi publik duhet të dihet për çka mirret dhe gjithmonë të mirret me qëllim që të ketë vlerë të shtuar. Prandaj nuk duhet të merret ndonjë borxh për aktivitete të cilat nuk shtojnë vlerë për ekonominë. Prandaj e konsideroj që është mirë dhe ka hapësirë dhe është ulët, mirëpo unë më shumë do ta fokusoja dedikimin e borxhit public në drejtim të aktiviteteve që kanë vlerë të shtuar për ekonominë e vendit.

Zëri i Amerikës: Kritikët thonë se shkalla e lartë e korrupsionit në vendin tuaj është bërë pengesë për ardhjen e investimeve të huaja të qëndrueshme. A ndani edhe ju të njejtin mendim?

Fehmi Mehmti: Nëse i shohim të dhënat e fundit të korrikut 2019, investimet e huaja direkte kanë shënuar një rritje diku rreth 23.8 për qind dhe pritjet janë që të kemi rritje dhe pritjet janë që të kemi rritje të mëtutjeshme të investimeve në Kosovë. Nëse e shohim sektorin bankar…

Zëri i Amerikës: Por sa janë të qëndrueshme këto investime të huaja? Sa janë të qendrueshme dhe sa kanë krijuar mundësi për hapje të vendeve të reja të punës?

Fehmi Mehmeti: Po flas për sektorin financiar. Është një prej sektorëve që konsiderohet dhe është histori suksesi për investimet e huaja. Nëse flasim vetëm për sektorin bankar, prej 10 bankave që kemi në Kosovë, 8 banka janë me kapital të huaj dhe që i përbëjnë diku rreth 90 për qind në total të aseteve në sektorin bankar. Ngjashëm e kemi edhe te sektorët tjerë, te sektori i sigurimeve dhe institucioneve mikrofinanciare, të institucioneve financiare jobankare e kështu me radhë. Prandaj kjo të lë të kuptosh që ne kemi në vazhdimësi kërkesa prej investitorëve të huaj që të jenë akter në tregun financiar në Kosovë dhe janë investime të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi kanë patur në ekonomi tarifat 100% ndaj mallrave serbe?

Fehmi Mehmeti: Nëse e shohim inflacionin, po flas me korrikun e vitit 2019, ka një rritje të inflacionit që arrin në 3.1 për qind. Është shumë i lartë nëse e krahasojmë me atë të para një viti që ka qenë 0.6 për qind. Këtu ka ndikuar që të kemi rritje të indeksit të cmimit edhe nga importet që shënojnë rreth 3.9 për qind. Mirëpo gjithmonë duhet të kemi parasysh faktin që ka ndikuar edhe aplikimi I taksës në rritjen e inflacionit në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Muajin e ardhshëm Banka Qendrore e Kosovës shënon 20 vjetorin e punës së saj. Cila është situata e sektorit financiar dhe bankar të Kosovës në këtë përvjetor?

Fehmi Mehmeti: Kemi organizuar një konferencë ndërkombëtare ku do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Ne kemi bërë një studim lidhur me qeverisjen korporative të bankave komerciale në dekadën e fundit, një studim ky i pari i këtij lloji të cilin do ta shpalosim gjatë konferencës. Po ashtu kemi krijuar një bazë të dhënash historike për vitet e fundit që lidhen me zhvillimet e qeverisjes korporative. Do të jetë kjo bazë e dhënash edhe për bankat e rajonit më pastaj presim që gjatë konferencës të nënshkruhet një marrëveshje shumëpalëshe mes Bankës Qëndrore të Kosovës dhe Bankave Qëndrore të rajonit. Sa u përket indikatorëve, gjatë këtij 20 vjetori kemi arritje të shumta. Nëse flasim për sektorin financiar, kemi një sektor financiar shumë stabil. Nëse e shohim sektorin bankar baza vjetore ka një rritje prej 10.4 për qind të kredive, rritje të depozitave 11.6 për qind. Nuk është kjo diçka që po e themi vetëm ne por janë edhe vlerësime që i bënë Banka Boterore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet tjera për këtë çështje.

Intervista – Kostelancik: Vitin e ardhshëm, mbase një konferencë për Kosovën dhe Serbinë

Milosh Teodoroviq

Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar, pas emërimit të Matthew Palmer si i dërguar i Posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor dhe më pas edhe Richard Grenell, i dërguar presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, David Kostelancik, drejtor i Shërbimit për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai thekson se dy zyrtarët amerikanë do të punojnë së bashku për të zgjidhur çështjen e rifillimit të dialogut, nga i cili varet procesi i integrimit evropian për Kosovën dhe Serbinë. Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që Uashingtoni të organizojë një konferencë vitin e ardhshëm, me synimin për të finalizuar një zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: A jeni befasuar me vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për emërimin e zotit Grenell, si përfaqësues i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, vetëm një muaj pasi Departamenti i Shtetit mori vendim për emërimin e Matthew Palmer si përfaqësues të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor? ​

David Kostelancik: Jo, unë mendoj se kjo tregon vëmendje dhe mbështetjen afatgjatë për dialogun, nga ana e Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që ai të prodhojë rezultate, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Të dyja vendet janë mike dhe partnere të SHBA-së, dhe fakti që kemi një të dërguar të presidentit dhe një tjetër të Departamentit të Shtetit, të cilët për këtë çështje, shpenzojnë kohën dhe vëmendjen e tyre, mendojmë se është një gjë e mirë për procesin në përgjithësi, në mënyrë që ai në fund të japë rezultate.

Çfarë ka thënë Grenell në Beograd dhe Prishtinë?

Radio Evropa e Lirë: Në media dhe në publik, vizita e fundit e zotit Grenell në Prishtinë dhe Beograd është përmbyllur, mund të themi, me një vello të fshehtësisë. Unë do të thosha se ajo është shndërruar në një mister. Askush nuk e di se çfarë u tha zoti Grenell bashkëbiseduesve të tij në Prishtinë dhe Beograd. Mund të na jepni disa detaje?

David Kostelancik: Bisedimet e ambasadorit (Grenell), sikurse është rasti edhe me zotin Palmer, kanë qenë të organizuara në mirëbesim diplomatik. Por, mund t’ju siguroj se porosia e ambasadorit Grenell ishte që SHBA-ja, dhe ai si i dërguar i presidentit Trump, po përpiqen të ndihmojnë dhe lehtësojnë dialogun, pastaj që të sigurojnë palët se të dyja vendet e kanë vëmendjen, ndihmën dhe mbështetjen tonë. Por, mendoj se detajet e bisedimeve do t’i kuptojmë me kalimin e kohës, kur ato të kenë dhënë rezultate.

Radio Evropa e Lirë: Në Serbi, por edhe më gjerë, përmendet ideja e një lloj konference të paqes, që mund të organizohet nga Uashingtoni, vitin e ardhshëm. A është e mundur kjo?

David Kostelancik: Është e mundur. Një mundësi të tillë e ka përmendur presidenti Donald Trump në letrën që u dërgoi liderëve të të dyja vendeve në fillim të këtij viti. Kjo është një mundësi, por tani për tani, gjëja më e rëndësishme është të fillojë dialogu, dhe të dyja vendet të përparojnë në çështjet që qëndrojnë midis tyre.

Shpresojmë në heqjen e taksës

Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj për situatën aktuale kur është fjala për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Në cilat pozicione gjenden të dyja palët, aktualisht?

David Kostelancik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kushtojnë rëndësi të madhe vazhdimit të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Fakti që para disa javësh u mbajtën zgjedhjet në Kosovë do të thotë që ne të gjithë presim që të formohet Qeveria e Kosovës, për të sqaruar qëndrimin e saj në lidhje me angazhimin në dialogun me Serbinë. Ne jemi në kontakt me ato parti politike dhe përfaqësues të tyre, të cilët me gjasë do të formojnë Qeverinë e ardhshme në Kosovë, Përderisa po e bëjmë këtë, shpresojmë që Kosova të jetë e gatshme të ulet në tryezë së shpejti, të heqë tarifat për mallrat nga Serbia, dhe të fillojë përsëri një dialog me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë moment, mund të themi se ka sinjale pozitive dhe negative në drejtim të zhbllokimit të dialogut. Nga njëra anë, ekziston një gatishmëri nga ana e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili po pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, për të hequr taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Nga ana tjetër, sidoqoftë, Kurti është plotësisht kundër diskutimit për ndryshim të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo është ideja kryesore e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Çfarë mund të presim?

David Kostelancik: Unë mendoj se gjëja themelore dhe më e rëndësishmja është rivendosja e dialogut dhe mendoj se është e rëndësishme – nëse zoti Kurti do të bëhet kryeministër i ri i Kosovës – që ai dhe të tjerët që do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës, të krijojnë një pozicion dhe qëndrim unik për atë që po ndodh.

Ne, gjithashtu, mendojmë se do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që tarifat për mallrat nga Serbia të hiqen, si hapi i parë që çon në rifillimin e negociatave. Por, në momentin kur taksa është hequr, i takon Serbisë dhe Kosovës të kalojnë nëpër të gjitha pikat e rendit të ditës dhe të arrijnë një marrëveshje mes vete. SHBA-ja është e gatshme, si mike dhe partnere e të dyja vendeve, të ndihmojë dhe mbështesë procesin, por u takon të dyja palëve të vendosin se si do të duket marrëveshja.

Radio Evropa e Lirë: Nëse shikojmë pozicionin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian (BE) për këtë çështje ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Sa i përket BE-së, të theksojmë këtu Gjermaninë, ne kemi kundërshtim të plotë për korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa SHBA-ja,nga ana tjetër, e mbështeti atë diskutim dhe në një farë mënyre dha një “dritë të gjelbër” duke deklaruar se nuk ka asnjë linjë të kuqe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

David Kostelancik: Në këtë moment, nuk besoj se është fitimprurëse për ne të hyjmë në detaje. Ju keni të drejtë kur thoni se nga njëra anë ka pasur një diskutim për ndryshimin e kufirit, shkëmbimin e territoreve, dhe SHBA-ja shpreh qëndrimin se nuk do të kundërshtojë ndryshime të tilla. Në këtë moment, duke pasur parasysh që ky është një problem kompleks dhe i vështirë për të dyja palët, ne dëshirojmë që dialogu të fillojë sërish. Ne dëshirojmë që dialogu të fillojë dhe të dyja palët të fillojnë të diskutojnë se si ato shohin zgjidhjen e çështjeve, duke pasur parasysh që, krahas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, paralelisht ndodhë edhe mbështetja e fuqishme e SHBA-së për procesin.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që në gjysmën e parë të vitit 2020, Serbia dhe Kosova të përballen me një iniciativë të qartë dhe të drejtpërdrejtë të SHBA-së për një zgjidhje përfundimtare tëmarrëdhënieve Kosovë-Serbi. Më duhet të kujtoj një deklaratë të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ndoshta 10 muaj më parë, i cili tha se Serbia nuk do të bëjë asgjë, sepse po pret për një lloj iniciative nga Uashingtoni.

David Kostelancik: Është fakt që SHBA-ja e ka emëruar ambasadorin (Richard) Grenell si të dërguarin e Posaçëm presidencial, i cili u kushton kohë dhe vëmendje veprimtarive që lidhen me dialogun dhe negociatat midis Serbisë dhe Kosovës. SHBA-ja, gjithashtu, ka emëruar Matthew Palmer si Përfaqësues të veçantë të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, i cili është më i përqendruar në tërë situatën në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Grenell ofron ndihmën dhe mbështetjen e tij ndaj të dyja palëve, për të krijuar kushtet për rifillimin e dialogut.

Përsëri, fakti që ju keni vëmendjen e veçantë të dy profesionistëve me përvojë amerikane, të cilët janë të përqendruar në këtë sfidë, u jep të gjithëve një mundësi unike, një shans për të përparuar.

Dhe, siç thashë më herët, këndvështrimi ynë është që palët nuk duhet ta humbasin këtë mundësi, dhe se ato duhet të përfitojnë nga vëmendja e profesionistëve me përvojë për këtë sfidë. Hapi i parë është fillimi i procesit, pra fillimi i dialogut, dhe më pas të dyja palët të nisin shkëmbimin e mendimeve. SHBA-ja do të jetë atje për t’i ndihmuar dhe mbështetur ata në rrugën e tyre për të arritur një marrëveshje.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Intervista – Moikom Zeqo: Djegia e mandateve i ka rrënjët në vitin ’97, Kushtetuesja s’e shkarkon dot Metën

ANILA DEDAJ/ Politikanë që krijojnë kaosin e të tjerë që përfitojnë prej tij. Moikom Zeqo thotë se ka ardhur koha që të mendohet për pushtetin e deputetëve ligjvënës, që të zgjedhur nga një njeri i vetëm, rrezikojnë të mos bëjnë tjetër, veçse të përmbushin vullnetin e kryetarëve.

 

Votimet e ligjeve të fundit në Parlament janë shembull, e po ashtu “grushti mandator” i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, i ndjekur në masë nga deputetë të zgjedhur nga elektorati, pa pyetur këtë të fundit. Zeqo për “Panoramën” analizon krizën politike, rrënjët e djegien e mandateve nga opozita, në ngjarjet e vitet ’97-1998, si dhe faktorët që do të përshpejtonin hapjen e negociatave dhe pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai flet gjithashtu për mangësitë e Kushtetutës, e cila në shumë nene të saj është e paklasifikuar. Mendimtari shpjegon se pse Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shkarkojë dot Ilir Metën, të ardhmen e partive tradicionale e atyre të vogla, si dhe mungesën e një lideri, si Albin Kurti edhe në Shqipëri. Këmbëngulja e Bashës, që Rama të jap dorëheqjen? Sipas shkrimtarit, s’është tjetër veçse lojë politike…

Zoti Zeqo, në shkurt të këtij viti, deputetë të Partisë Demokratike dhe të LSI-së hoqën dorë nga mandatet, çka thelloi më tepër konfliktin politik. Si po ndikon, sipas jush, e gjitha kjo situatë në hapjen e negociatave?

 

Për herë të parë në historinë e Europës ndodh një fenomen i tillë, që një parti politike të heqë dorë vullnetarisht nga titujt juridikë të deputetëve. Kjo ngjarje nuk ka precedentë në asnjë vend të qytetëruar, në asnjë vend ku aspirohet një shoqëri demokratike. Njerëzit kanë të drejtë të shtrojnë pyetjet: Përse ka ndodhur kjo gjë? Ose, si ndodhi? Ose, pse duhet të ndodhte kjo? Teza destruktive e Sali Berishës është e njohur, pasi ai ka prishur disa herë marrëdhëniet juridike për hir të një “revolucioni”, ose edhe të një “lufte”. Ky koncept barbar antidemokratik është përsëritur në vitin 1997 për herë të parë. Gjatë atij viti, Berisha ka urdhëruar të sulmohet me avion dhe me tank Jugu i Shqipërisë. Ai ka dashur të krijohet një konflikt apo një luftë civile. Kjo nuk funksionoi. Hera e dytë shënohet në vitin 1998, ku ai jashtë të gjitha rregullave juridike bëri grushtin e shtetit. Mori në dorë Radio-Televizionin Shqiptar, rrëmbeu tanket, por, e gjitha kjo nuk u pranua nga Amerika. Pra këto dy shembuj, viti 1997 dhe ’98, janë forma fillestare të asaj që ndodhi në vitin 2019.

Pavarësisht dëshirës së ish-kreut të PD-së, si e lejuan instancat e tjera shtetërore që e gjitha kjo të ndodhte, pra që deputetët të digjnin mandatet?

Për mendimin tim, kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimeve të kobshme të vitit 2008. Gjatë atij viti u cenuan dhe u shkelën dy parime të mëdha të Kushtetutës:

1) Vota është e lirë.

2) Vota është e fshehtë. Në këtë mënyrë, iu dha e drejta prej monarku kryetarëve të partive të caktonin listat. Ndikimi mbi listat, nënkupton ndikimin në votime. Pra në këtë formë, vota nuk është më e lirë! E dyta, në këtë formë nuk ka më votë të fshehtë. E gjitha kjo, sepse kryetarët i caktojnë vetë deputetët. Ndodhi kështu si me Partinë Socialiste, ashtu edhe me Partinë Demokratike. Pra, Lulëzim Basha i ka caktuar vetë në mënyrë subjektive të gjithë deputetët. Madje, ndryshe nga Edi Rama, ai në mënyrë radikale hoqi pjesën kryesore të figurave të PD-së. Pse ka ndodhur kjo gjë? Në ndërgjegjen e tij, ideja që “unë ju vë në lista, pra ju bëj deputetë”, ka qenë ekuivalente, me faktin se “unë kam të drejtë dhe t’ju heq”. E gjithë kjo burimin e ka nga krijimi i listave nga kryetarët. Nëse kjo nuk do të ishte, ai as që do ta mendonte dot diçka të tillë. Mirëpo, në gjithë këtë histori, ku qëndron gabimi tragjik që ka bërë Lulëzim Basha? Gabimi tragjik që ka bërë kreu i PD-së, qëndron në faktin se ai nuk ka respektuar kushtetutshmërinë. Kjo pasi të gjithë këta deputetë, pjesë e listës, i nënshtrohen një votimi masiv të elektorateve. Elektorati ka investuar votën, përmes së cilës ata kanë marrë atë që quhet titull juridik. Titulli juridik i deputetit në Shqipëri kufizohet në numrin 140. Dhe ata që e zotërojnë kanë disa të drejta thelbësore, ku përpos diskursit politik, kryeson ajo e votimit. Pra, ata miratojnë ose jo ligje dhe quhen ligjvënës. E duke qenë të tillë, ata kanë statusin më të lartë në një shoqëri. Sipas Kushtetutës, zëvendësimi i tyre mund të bëhet në rast vdekjeje, apo transferimi në detyrë. Për shembull dikush bëhet ambasador dhe e zëvendëson një tjetër i listës.

 

Pra, ju po thoni që djegia e mandateve në një shtet ligjor do të kishte pasoja juridike?

Do të thotë që LSI-ja dhe PD-ja kanë bërë një shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës. Heqja masive dorë nga titulli juridik i deputetit nuk mund të bëhet pa pyetur elektoratin për çdo deputet. E përsëris, këta njerëz kanë shkelur ligjin dhe në rast se do të kishim Gjykatë Kushtetuese, ata do të ishin penalizuar.

Cili është mendimi juaj, për sa i përket opozitës së re?

Opozita e re për mua nuk është opozita e vërtetë! Ajo funksionon në bazë të listës, pasi siç dihet edhe lista ka një limit. Mirëpo nuk është në gjendje të përfaqësojë një parti. Kjo është pasoja tjetër e problemit që solli Lulzim Basha, pra ai në një tjetër formë përsëriti 1997-ën dhe ’98-ën. Madje edhe vetë retorika e Lulëzim Bashës është e gabuar. Për shembull, ai foli për një Republikë të Re, ndërkohë që është pjesë e estabilishmentit të vjetër. Po ashtu, foli për revolucion, kur bëhej fjalë për mosbindje civile. Dhe, siç e thashë, kjo e ka burimin te listat e krijuara nga krerët e partive. Duke harruar se pavarësisht se mund t’i vendosësh, ligjërisht nuk mund t’u heqësh mandatin. Juridikisht, nëse dikush e padit Lulëzim Bashën në Gjykatën Kushtetuese, ai penalizohet.

Reforma Elektorale është një nga dy kushtet primare për hapjen e negociatave, sipas jush, si mund të zgjidhet konflikti politik mes palëve?

Mendimi im është që kjo situatë do të zgjidhet vetëm nga ndërkombëtarët. Ashtu siç ndodhi në ’97-ën, kur unë vetë isha në politikë. Mendoj se jo shumë larg, por në muajt e parë të 2020-ës do të këtë zgjedhje të parakohshme. Heqjen e mandateve nuk e imponoi Rama, edhe pse ai ka përfituar nga kaosi dhe konfuzioni. Pavarësisht shkeljeve ligjore, pengesave për hapjen e negociatave për në BE, dy partitë tradicionale jo vetëm që mbijetojnë, por kryesojnë, duke i lënë pak apo aspak hapësirë partive të reja. Si e shikoni të ardhmen e tyre? E vërteta e hidhur është se ne mbetemi një vend i prapambetur dhe i vonuar në histori. Diçka e tillë reflektohet edhe në procesin e prishjes së estabilishmentit të vjetër, pra të partive tradicionale. Një fenomen i tillë ndodhi për herë të parë në Itali 5 vite më parë me “Cinque Stelle”. Estabilishmenti i vjetër u prish dhe shumë nga partitë tradicionale ndërruan emrat. Edhe pse estabilishmenti i ri nuk është se krijoi ndonjë parti të rëndësishme. Po ashtu, fenomeni ndodhi edhe në Greqi me Ciprasin. Ndërsa, te ne pritet të ndodhë 5-6 vite më pas, pasi mbetemi një vend i vonuar. Ajo që do të ndodhë në të ardhmen, është fakti se disa nga partitë e vogla do të kenë vdekje të bardhë. Po ashtu edhe LSI-ja, ndërsa PD-ja do të zvogëlohet ndjeshëm. Situata do të ndikojë edhe në dobësimin e PS-së, e cila është partia kryesore e estabilishmentit të vjetër.

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese përbën kusht kryesor për hapjen e negociatave, ndërkohë që opozita pret që kjo e fundit të shqyrtojë edhe vendimin për shkarkimin e Presidentit…

Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese do të ndërtohet, natyrisht më ndërhyrjen e të huajve. Edhe pse nuk mund të ndreq çdo gjë. Së paku, jo anën politike, edhe pse mund të ndihmojë edhe në këtë aspekt. Ndërsa, për sa i përket shkarkimit të Metës, mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk e ka këtë fuqi. Unë e kam parë me vëmendje nenin 90 të ligjit ku në pikën 1 thuhet se “Presidenti nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”. Po ashtu, për sa i përket shkarkimit pika 2 e këtij neni thotë se “Presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”, mirëpo nuk përcaktohet se cilat mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës. A është anulimi i një dekreti shkelje e rëndë e Kushtetutës? Komisioni i Venecias tha: Jo, pra nuk ka bërë shkelje të rëndë, por ka tejkaluar veprimet kushtetuese. Pra, me pak fjalë, neni për shkarkimin e Presidentit është i mangët, i papërcaktuar. Në të nuk specifikohet se cilat janë shkeljet e rënda të Kushtetutës. Ne kemi kështu një Kushtetutë ende të paklasifikuar.

Në të tilla rrethana, e shikoni të largët pranimin e Shqipërisë në BE?

Unë them se jo. Shqipëria, po ashtu edhe Kosova, kanë si përparësi pozitën gjeopolitike. Për shkak të kontradiktave të njohura gjeopolitike me vendet sllave, si Rusia, kuptohet se edhe për në BE duhet një faktor josllav. Dhe shqiptarët, siç dihet, janë më shumë të lidhur me faktorët perëndimorë. Pra unë mendoj se natyrisht do të kërkohet përmbushja e kushteve, por nuk do të neglizhohet hapja e negociatave për në BE. Aq më tepër që flitet për dy shtete, që së bashku përbëjnë një faktor shumë të rëndësishëm, veçanërisht për sa i përket kontradiktave me Rusinë. Edhe pse nuk flitet shumë, pasi politika shqiptare nuk flet për gjërat e rëndësishme, ndikim ka edhe faktori ushtarak. Në Ferizaj gjendet Kampi Bondsteel, që është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një bazë të madhe të NATO-s në Kuçovë etj. Të gjitha këto tregojnë se ne jemi të favorizuar nga gjeopolitika, jo se ne shqiptarët bëjmë ndonjë çudi.

Përveç faktorëve gjeopolitikë, çfarë do ta përshpejtonte, sipas jush, hyrjen e Shqipërisë në BE?

Do ta përshpejtonte Tregu, që ne e kemi të dobët. Një nga problemet kryesore të Shqipërisë në lidhje me integrimin është përqindja që zë në tregun europian. Në këtë aspekt, ne jemi të papërfillshëm, qëndrojmë në një shifër që nuk e kalon 1 përqindëshin. Për këtë është e nevojshme që të zhvillojmë ekonominë e prodhimit, pasi ne deri më sot kemi vetëm ekonomi shërbimi. Politika e këtyre 30 viteve duhet të kishte qenë një politikë ekonomike. Shtetet e fuqishme ekonomike llogarisin të ardhurat e Qeverisë në dy baza kryesore: 1. në burimet natyrore; 2. përmes taksave. Në Shqipëri, ndodh ndryshe. Buxheti i Qeverisë është i bazuar mbi taksat

Po flasim për politika të gabuara e për sa kohë që politikanët mbeten të njëjtët, ndryshimi shikohet me skepticizëm. Në Shqipëri nuk po ngre kokë asnjë parti e re premtuese, apo një lider i tillë, ndryshe nga sa ndodhi në Kosovë me Vetëvendosjen…

Lidhur me këtë, unë mendoj se figura më e madhe politike e kombit shqiptar sot është Albin Kurti. E njoh personalisht. Jo vetëm që nuk është i korruptuar, por është një nga njerëzit më të ditur që unë njoh, për sa i përket njohurive që ka në sociologji, filozofi, por edhe në lidhje me konjekturat politike. Unë mendoj se nga të gjithë politikanët shqiptarë të këtyre 3 dekadave, Albin Kurti është i papërsëritshëm. Në Kosovë ai është më i votuari, afro 200 mijë shqiptarë të Kosovës e kanë votuar. Mirëpo unë nuk njoh ndonjë politikan shqiptar që t’i ketë marrë kaq vota. Ata kanë marrë vota si deputetë e mandej prej këtij titulli kanë kaluar në pozicione të tjera qoftë Kryeministër, Kryetar kuvendi, President etj. Sigurisht që problemi është që Vetëvendosja duhet të arrijë 51% të Parlamentit e për këtë do t’i duhet të bëjë një koalicion.

Pse në Shqipëri mungon një figurë e tillë, siç është Albin Kurti?

Politikanët shqiptarë janë diletantë, nuk e kuptojnë se ç’është politika. Kjo është arsyeja. Një nga ata njerëz që ka deformuar nocionet kryesore të politikës ka qenë Berisha, i cili triumfoi me konceptin e tij antidemokratik, deri te dorëzimi i mandateve. Ajo që më habit është fakti se si një djali i ri tek të 45-tat, që ka studiuar në Holandë e që ka deri diku një artikulim të mirë, të kontrolluar, lejon që Berisha t’i prishë karrierën. Më duket e çuditshme e gjitha kjo.

Ilir_meta-Konference-mediat11111111-2 gishta1

Po faktin që opozita kërkon dorëheqjen e Ramës, si e shikoni?

Mendoj se është një lojë politike. Unë kam shumë kritika për Ramën, politikbërjen e tij, çështjen e PPP-ve etj., por ajo që bëri Basha, e tejkalon imagjinatën. Historia i ka rrënjët në 1997-’98-ën, kur kërkohej të bëhej grusht shteti. Po në rrethanat, në të cilat gjendemi, kush do t’i ndjekë pas LSI-në dhe PD-në?! Asnjeri!

PANORAMA

“Isha më i kritikuari për poezi hermetike”, rrëfehet Moikoim Zeqo: Nga miqësia me Kadarenë te përplasja me Ramizin e Nanon

Pesha e sëmundjes ndihet ende, ndërsa ecejaket e tij në rrugicat e Tiranës mbushin njerëzit që e duan me shpresë. “Kam prekur fundin, përjetova ditët më të vështira të jetës sime”, tregon Moikom Zeqo, në rrëfimin për betejën më të ashpër me leuceminë, për më shumë se dy muaj në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.



Mjekët qenë befasuar se si ky njeri (jo i zakontë), para shtrimit, kish mundur të mbijetonte, ndërsa në trupin e tij prej 10 ditësh mungonin rruazat e bardha. E megjithatë, aty në katin e 3-të të Pavijonit të Hematologjisë, ku Zeqo kaloi ditët më të vështira, e ku përgatiste veten e familjarët për më të keqen, miqtë shikonin se si sëmundja dorëzohej para vlerave të këtij misionari të dijes. Gjithmonë falënderues, i ndërgjegjshëm e i keqardhur për bashkëvuajtësin që shikonte prej dhomës 10-të të Pavijonit. Edhe në moment të errëta si këto, ai kërkon e dallon të mirën, që e mbush me një lloj krenarie.

“Sa mirë që ne shqiptarët i kemi akoma të forta lidhjet familjare”, pohon, ndërsa tregon rastin e një pacienteje të shtruar, së cilës i qëndronin pranë prindërit, vëllezërit e kushërinjtë ditë e natë, pa qenë nevoja që të qëndronin në spital të gjithë. Po ashtu, pranë tij gjendet Lida kurajoze, Arnisa, Kleitia e Epidamni, të cilët “kokëfortë” nuk e lejojnë të dorëzohet. Në murin e dhomës ku qe shtruar, të tre fëmijët patën vizatuar e varur nga një portret, që sapo të çelte sytë, mendimet e tij të zgjateshin drejt tyre. Kanë nevojë për të, e s’janë të vetmit. Për poliedrikun mendjendritur, mendimet e tij, ka nevojë shoqëria, vendi. Pra, s’mund të ndodhë ndryshe, ai duhet t’ia dalë e të zgjasë rrugëtimin e tij! Siç ka bërë prej ditës, kur në Anglinë e largët, ndërsa festonte dasmën e djalit të vetëm, u njoh me përbindëshin që i kish shkaktuar ënjtjet në trup. Si i huaj, në spital s’mund të pranohej ndryshe veç përmes urgjencës. Pas analizave, familjarët do të mësonin për sëmundjen.

“Mesatarja e jetëgjatësisë është 9 vjet”, kishte shpjeguar mjeku. Lajmi qe tronditës. “9 vjet janë shumë pak për Moikomin, e duam mes nesh”, dëgjoi asokohe të thoshin miqtë. Dashamirësit e tij, të afërmit, të cilët në këto ditë përpiqen të reflektojnë pak nga gjurmët e fisnikërisë që ai ka lënë në ta, ia njohin edhe brengat. “Nuk mund ta imagjinoj që një ditë nipërit e mbesat e mia të mos flasin shqip”, thotë i keqardhur.

Mendja i shkon te Pandora e vogël, që mban emrin e nënës së tij të dhembshur, e në këto ditë i lehtëson dhimbjet teksa thërret: “Xhyçi, xhyçi”. Sigurisht që si çdo prind, do të kishte dashur që fëmijët t’i kishte gjithmonë pranë vetes, që dyert e shtëpisë së tij në të ardhmen të qëndronin të hapura, por e pranon klimën e ashpër me të cilët të rinjtë duhet të përballen në vendin tonë. Ai e ka përjetuar zemërimin e injorancës së kurorëzuar, në karrige e poste të larta në supet e tij.

E ka përjetuar prej diktaturës kur “e degdisën” në Rrogozhinë për poezitë hermetike (pa dyshim që s’mund t’i shpëtonte pena e tij xhelozisë së anëtarëve të Lidhjes). Apo më vonë, ku pas një kontributi të gjerë në përpilimin e programit të PS-së, jetën kulturore vendase e debatet intelektuale, Fatos Nano vendos ta largojë nga politika, për “hir të kapriçove të tij”.

E ka përjetuar, pas 2006-ës, kur pas një jete në punë, një personaliteti si ai i duhej të përballej me një pension prej më pak se 15 mijë lekësh. Për të rrëfyer jetën e tij, padyshim që libra të tërë s’do të mjaftonin, por poliedriku Moikom Zeqo ndan për lexuesit e “Panoramës” disa nga çastet më pikante të rrugëtimit jetësor, që prej fëmijërisë në Durrësin e mrekullive, e deri sot.

Puna si redaktor në gazetën “Drita”, miqësia e takime me personalitete vendas e të huaj, nga Kadare, Poradeci e Kodra tek ish-Presidenti turk Turgut Ozal. Zeqo rrëfen po ashtu dy ngjarjet e para kulturore që lidhën Shqipërinë me botën, përpilimin e programit të PS-së e përballjen verbale me Ramiz Alinë. Në këtë intervistë, ai shpreh gjithashtu shqetësimin e tij për njohjen e poezisë së vërtetë.

Zoti Zeqo, vendlindja juaj ngre krye në poezitë e bisedat tuaja të përditshme, si një pjesë e pandashme por njëherazi influencuese ndaj asaj që ju jeni sot. Na shpjegoni diçka më shumë rreth kësaj lidhjeje…

Për mua ka qenë një fat i pashembullt që kam lindur pranë Durrësit. Shtëpia ime nuk qe më shumë se 50 metra larg, nga shtëpia e lashtë në stilin popullor, që sot është muze, e ku ka jetuar Aleksandër Moisiu gjatë fëmijërisë. Mandej, përjetimi i pafundësisë së detit, për mua ishte shumëçka. Në atë qytet, pata fatin të përjetoj një botë tjetër, e cila do më lejonte të mos ndikohesha nga bota fshatare. Për motivin e thjeshtë sepse nuk e kam jetuar. Në vitet ’70, unë i kisha botuar dy libra, “Vegime të vendlindjes” dhe “Qyteti feniks” e mund të them se isha i vetmi poet i saj kohe që nuk isha ndikuar nga poeti rus, i cili u bë pikë referimi pothuajse për të gjithë poetët shqiptarë. Ky qe Sergej Esenin, natyrisht ishte një poet i mirë. Po si ndodhi diçka e tillë, pra që unë të mos ndikohesha? Kjo shpjegohet me faktin se një pjesë e madhe e poetëve ishin me origjinë nga fshati. Në këtë këndvështrim, unë nuk mund të ndikohesha. Jo vetëm sepse nuk kisha jetuar në fshat, por edhe për faktin se im atë u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare e unë atëherë isha vetëm 10 vjeç. Babai ishte nga Libohova, por mungesa e tij bënte që unë të mos ndikohesha qoftë edhe në evokimin e një origjine tonën, nga qyteza me kështjellë. Mund të them se ky ka qenë njëri prej sekreteve të mia.

“Laboratori i ëndrrës”, ku ju përmblidhni dorëshkrimet tuaja të moshës 20-vjeçare vjen si një befasi, e natyrshëm lexuesi shtron pyetjen: Si është e mundur që në poezitë tuaja nuk gjen asnjë varg, ku të reflektohen dogmat e kohës?

Te “Laboratori i ëndrrës” përmblidhen ditarët e mi voluminoz të vitit 1970. Ata ditarë rrëfejnë qartazi, se unë kam qenë i ndikuar vetëm nga letërsia, piktura e filozofia. Qenë këto leximet e mia, ndaj në këto dorëshkrime nuk gjen asgjë politike. Edhe pse ne studionim në atë kohë tekste politike, unë isha krejtësisht i tërhequr nga poezia dhe piktura. Qe ajo periudha kur unë nisa të pikturoj, duke u marrë kryesisht me grafika, e mandej më vonë me pikturimin me ngjyra. Piktura në njëfarë mënyre ishte edhe plotës i nivelit tim poetik. Te metaforat që unë përdor, gjen gjithmonë diçka pikturike. Unë nuk është se mbaja asokohe ndonjë qëndrim ndaj regjimit, apo politikës, por interesi im ishte vetëm estetik.

Asokohe ju natyrisht nuk mund t’i botonit, apo t’i bënit publike këto poezi, apo shënime tuajat. Por nuk kishit frikë ndërsa shkruanit me një stil “avangard”, përkthenit poezi të Majakovskijt, apo të francezit Reverdy, dëgjonit Eric Burdon, se dikush mund t’ju pikaste?

Absolutisht jo, arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë. Në familjen time, unë nuk kam patur askënd prej nga të ndikohesha. Apo që të tërhiqte vëmendjen e njerëzve të dyshimtë. Mamaja ime nuk ndërhynte në jetën time dhe kështu në njëfarë mënyre isha krejtësisht i vetmuar. Ndërsa shokët e mi të fëmijërisë nuk qenë të lidhur as me politikën, as me poezinë e as me artin. Jetonim në një lagje, por shumë prej tyre nuk mbaruan studimet e larta e nisën punë në portin detar. Kështu që fëmijëria ime në njëfarë mënyre ka qenë e vetmuar.

Në ’67-ën, ju do të nisnit studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë, e menjëherë pas kësaj nisni punë te “Drita”. Në këto terrene, rreziku që prirjet tuaja të ekspozoheshin ishte më i madh…

Natyrisht që në universitet bëhej një jetë më politike. Unë e nisa publicistikën që gjatë kësaj periudhe, megjithatë shkrimet e mia nuk qenë asnjëherë politike. Ndër botimet e mia të para mund të përmend esetë për dy romane të Kadaresë “Kështjellën” dhe “Kronikë në gurë”, e mandej të tjerat kanë qenë përgjithësisht shkrime që kam bërë për piktorët.

Si e keni përjetuar periudhën kur shkruanit për gazetën “Drita”?

Te “Drita” nisa në vitin ’71 si redaktor, ku mbulova sektorin kulturor dhe atë shkencor. Ka qenë një periudhë e artë për mua, sepse në vitin ’72 ndodhën disa ngjarje të mëdha. Kam realizuar ndoshta intervistën e vetme me Abdurrahim Buzën. Duke qenë Shqipëria, vendi i studimeve ilire, korrespodencat dhe takimet me dijetarët e huaj, i pasqyroja unë në gazetë. Kam mbuluar gjithashtu ngjarje të mëdha si Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku të pranishëm ishin shkrimtarë të shquar, edhe nga Kosova. Mes këtyre ngjarjeve, më vjen po ashtu në mend kthimi i Ibrahim Kodrës në Shqipëri në ’72-shin. Isha unë qe e shoqërova dhe e pasqyrova këtë moment kaq të rëndësishëm.

Çfarë kujtoni nga takimi me Ibrahim Kodrën?

Ibrahimin e pritëm në Durrës e ai shprehu dëshirën të shkonte në Ishëm (Durrës), në fshatin e tij të lindjes. Edhe ashtu u bë. Ne shkuam te shtëpia e xhaxhait të tij, pasi prindërit nuk jetonin më. Ndërsa gratë e shtëpisë gatuanin, pyesnin Ibrahimin se me çfarë do kish dëshirë ta gostitnin. Ai po kërkonte një ëmbëlsirë tipike vendase, emrin e së cilës nuk po e kujtonte. “Kadaif? Bakllava?…”, nisën ta pyesnin me radhë. Derisa një prej zonjave të shtëpisë arriti ta kuptonte.

“Asude!”, tha ajo.

“Po, ajo është!”, iu përgjigj piktori.

Aty unë kam parë me sytë e mi se si Ibrahim Kodra, duke ngrënë hasude, i lotonin sytë. Qante e përsëriste: Kjo është ëmbëlsira më e mirë në botë! Mandej mori një fletore vizatimi nga ato të fëmijëve, dhe bëri në të 5 portrete të cilat m’i dha mua për botim. I ruaj ende sot e kësaj dite. Ndodhi që më vonë, nipi i tij, i cili punonte inspektor skene në teatrin e Durrësit më dorëzoi mua letrat që Ibrahimi i patë dërguar nënës dhe babait, me një shqipe pak të lexueshme. Edhe këto letra i disponoj ende.

Ndër esetë e para tuajat, siç përmendët, kanë qenë për Kadarenë, përpos kësaj, ju e përmendni edhe në librat tuaj. Te “Laboratori i Ëndrrës” tregoni një episod ku ai ndërhyn në të mirën tuaj, ndërsa refuzojnë t’ju paguajnë honorarët për të gjitha poezitë. Lidhja e Shkrimtarëve me siguri ka qenë një pikë takimi, cili ka qenë raporti juaj me Kadarenë?

Episodi që ju përmendni ka të bëjë me një bisedë për sa i përket honorarëve për botimin e poezive. Dhimitër Fullani, asokohe shef i redaksisë, më kërkoi të shënoja poezitë që ishin botuar, pasi vetëm për ato do të paguhesha, ndoshta prej rregullave që ishin vendosur atëherë. Kadare e gjykoi këtë si të padrejtë dhe ndërhyri: Përse kështu? “Duhet ta paguash në total për librin, që botohet për herë të parë”, i tha. Unë për herë të parë Kadarenë e kam takuar në ’64-ën pranë Vilës së Musa Jukës, ku edhe gjendej Lidhja e Shkrimtarëve e gazeta “Drita”.

Ende s’i kisha mbushur të 15- tat. E kujtoj me atë pardesynë me paleta, kur sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik. Ishte i vetmi që kishte një pamje mjaft simpatike, prej shkrimtari. Diçka që tek të tjerët nuk e vëreja. Prej kësaj periudhe, derisa u largua në Francë, unë kam qenë njeri i shtëpisë tek ai, dhe po ashtu e anasjella, edhe Kadare vinte shpesh në Durrës.

Me aparatin që kisha prej punës në arkeologji, kam fiksuar mjaft momente të miqësisë sonë, foto kryesisht të fëmijëve, por edhe të vetë Ismailit. Madje, kur u martova unë në krye si të ftuar ishin Ismaili dhe Helena. Kadare ishte njeri shumë korrekt në biseda dhe kish një aftësi të jashtëzakonshme për të treguar subjektet e librave të tij. Miqësia jonë është një fakt i njohur për shumëkënd, edhe pse për të flitet pak.

Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve qëndruat për tre vjet, prej aty, pas Plenumit të katërt në ’73-shin, ju dërguan në Rrogozhinë ku punuat si mësues. Cilat qenë shkaqet?

Isha më i kritikuari për poezi hermetike si dhe për shkrimin e temës historike. Plenumi u mbajt në ’73-shin, por mua më larguan pak më vonë, në ’74-ën. Duhet të më çonin në Durrës, ku kisha edhe shtëpinë, por jo. Më çuan në Rrogozhinë dhe të jem i sinqertë s’qe aspak e lehtë. Duhet të shkoja atje me tren dhe kujtoj ende sot time më teksa çohej çdo ditë në orën 5 të mëngjesit për të më bërë bukën gati. I thosha: Mama, bëje bukën gati në mbrëmje e mos u ço! Por jo, ajo për katër vite e gjysmë zgjohej çdo mëngjes dhe më gatiste bukën e më përcillte për në Rrogozhinë.

Pas kësaj, ju do të distancoheshit për vite të tëra nga poezia, ç’ndodhi më tej në Rrogozhinë, ku punuat si mësues?

Gjatë kësaj periudhe, unë pësova një zhgënjim nga poezia. Pas librit tim të dytë, “Qyteti Fenix”, (për Durrësin) në ’70-ën, hoqa dorë nga të shkruarit poezi. Librin e tretë, do ta botoja vetëm pas 16 vjetësh në ’86-ën. Mirëpo gjatë kësaj kohe kish ndodhë një ngjarje e pazakontë. Poezitë që unë kisha botuar më herët te “Drita”, “Zëri i Rinisë” etj., ishin marrë në Kosovë nga poeti Rrahman Dedaj, e Anton Pashku do të qe redaktori i librit përmbledhës të tyre. Falë Dedajt, libri im me poezi “Brenda vetes” do të botohej në ’74-ën. Një libër që kish bërë bujë të madhe në Kosovë e për të cilin qenë bërë disa shkrime, duke nisur nga Jusuf Buxhovi. Madje një prej kritikëve shqiptarë të Kosovës, shkruan se “poezia e Moikomit ka krijuar një lloj epigonizmi në poezinë e poetëve të rinj nga Kosova”. Ndërsa unë vetë ekzistencën e këtij libri do ta mësoja vetëm 18 vite më vonë, në vitin 1992 gjatë një vizite në Bibliotekën e Prishtinës. Mora me vete një fotokopje të tij.

Pavarësisht shkëputjes nga poezia, periudha e Rrogozhinës do të qe mjaft me rëndësi për sa i përket qasjes suaj me arkeologjinë…

Ç’ngjau konkretisht? Siç thonë, ndonjëherë e keqja bëhet e mirë. Në Rrogozhinë ndodhi një proces, që për mua u bë tejet i rëndë sishëm. Unë u dhashë pas historisë, e historia u bë një lloj strehe transcendentale për mua. Nuk jam mistik, mirëpo vërtetë qe e tillë, një strehë për të studiuar arkeologjinë. Jam ai që jam sot, pikërisht sepse studiova historinë e arkeologjinë. Me një fjalë, formimi im do të ishte tmerrësisht i mangët, nëse nuk do të kishin ndodhur këto ngjarje. Asokohe bëra gjithashtu një numër të madh librash për fëmijë në prozë, që për mua mund të konsiderohen libra shumë të suksesshëm. I tillë qe për shembull “Kalorësit dardanë”, që u botua e ribotua deri në 70 mijë kopje. U botua në Kosovë, Maqedoni, por edhe në greqisht për komunitetin grek. Mandej botova dhe libra të tjerë me tregime si “Heroi i detit Nanas dhe shpendi i tokës Guraks”, “ Kësulëkuqja fluturuese dhe pedagogu i Kopernikut” etj. Reshta së shkruari poezi gjatë kësaj periudhe e si të thuash u hodha në krahët e arkeologjisë, nisa ta studioj. Mandej nga viti ’78 deri në 1990-ën, unë punova në këtë fushë. Krijova për herë të parë sektorin e Arkeologjisë nënujore dhe bashkë me regjisorin Xhemal Mato kemi bërë 7 filma për arkeologjinë nënujore, jo vetëm në bregdetin shqiptar, por edhe në liqene. Për shembull në liqenin e Ohrit unë zbulova një stacion prehistorik Palafit, që nga periudha e neolitit. Po ashtu, u bënë zbulime edhe në Liqenet e Belshit, ku në antikitet vendasit hidhnin terakota të Artemisit dhe Afërditës. Të gjitha këto janë botuar në studimet e mia arkeologjike.

Pas viteve ’90, do të përfshiheshit në politikë. Ç’ndryshoi në jetën tuaj rënia e diktaturës?

Gjatë gjithë socializmit, unë s’kam pasur asnjë pozitë. Kam punuar si redaktor, mësues apo arkeolog i thjeshtë. Në fund të diktaturës, me propozimin e Ramiz Alisë, u bëra Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Zëvendësova Alfred Uçin, një njeri i ditur natyrisht. Pastaj më vonë, kam qenë ministër Kulture në qeverinë NANO 1 dhe NANO 2.

Nga viti ’92 deri në 1996-ën keni qenë deputet i Partisë Socialiste, ç’kujtoni nga themelimi i saj?

Për sa i përket themelimit të PS-së, unë s’kam qenë në brendi të krijimit, mirëpo kujtoj se në muajin prill të ’91- shit kam qenë në zyrën e Ramiz ALisë së bashku me Artan Fugën dhe Maqo Lakrorin, ku kemi paraqitur raportin që do të bëhej në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës, që u bë Kongresi i Partisë Socialiste. Kam ende procesverbalin e asaj mbledhjeje, ku jam ngritur dhe kam mbajtur fjalën e radhës. Kam thënë se duhej hequr emri i Partisë së Punës, pasi partitë lindin dhe vdesin, por Shqipëria ka më tepër rëndësi. Po ashtu, kërkova të hiqej formula marksizëmleninizëm, të ridimensionohej figura e Enver Hoxhës e të kalohej në një parti të tipit social-demokrat.

Si u pritën fjalët tuaja?

Ramiz Alia ndërhyri dhe tha: “Po pse të ndërrohet, emri i Partisë së Punës është emër i bukur”. I thashë: “Është një parti që tani e ka mbyllur ciklin e vet, një parti e vdekur!”. Mandej në Kongres siç edhe dihet diskutim të fortë mbajti edhe Dritëroi, mirëpo ai u zgjodh anëtar, ndërsa unë jo.

Pra, në thelb do ndryshonte vetëm emri i partisë, pasi politikbërësit ishin po ata… Po programi i PS-së, në të cilin ju keni kontributin tuaj, ç’përmbante në thelb?

Pa dyshim që do të trashëgonte të njëjtin anëtarësi, kjo ishte diçka që dihej. Ndryshimet do të bëheshin më vonë. Unë jam një ndër përpiluesit e programit, në një kohë që krerët e saj që nga Fatos Nano e të tjerë që vinin më pas, as që e kishin idenë e përmbajtjes së tij. Kujtoj se në formulimin kryesor, si një angazhim substancial, ka qenë nderimi i vlerave të Luftës Nacional Çlirimtare.

Keni pasur pavarësi gjatë kohës që keni qenë ministër Kulture?

Absolutisht, në çdo lloj pune kam pasur pavarësi. Kam qenë gjithmonë i lirë. Nuk kam pyetur autoritetet. Ç’t’i pyesja?! Kur unë i kam takuar, isha autor i disa librave, me një bagazh në jetën kulturore dhe kërkime shkencore, kisha një emër… Ndërsa shumica prej tyre s’kishin asnjë botim. Si ishte të bëje kulturë në atë kohë, me një ekonomi të brishtë e Shqipërinë në hapat e parë të tranzicionit, ka momente/arritje që do të mund t’i veçonit? Qëndrimi im si ministër Kulture ka dy ngjarje të mëdha pozitive, që qenë të parat që lidhnin Shqipërinë me botën.

E para është Mbledhja e Ministrave të Kulturës së gjithë Europës, e cila u mbajt në Leon të Spanjës, në pallatin mbretëror. Mbledhjen e drejtonte dhe menaxhonte një nga personalitetet e Europës së Bashkuar që quhet Catherine Lalumiere (politikane e njohur franceze, pjesë e Partisë Radikalë të së majtës).

Në bazë të rendit alfabetik (Albanie), mua m’u desh të diskutoja i pari. Kuptohej që ne sapo kishim dalë nga diktatura dhe unë po përmendja disa fjalë apoteozë për demokracinë.

Lalumiere u tregua skeptike ndaj tyre e ndërsa unë u shpreha se “shqiptarët do të shkojnë drejt demokracisë”, ajo më ndërpreu. Tha shkurt: “Peut etre”.

“Non peut etre madame, bien sur!” (Jo ndoshta zonjë, me siguri!), iu përgjigja. Ndërsa mbledhja e dytë me rëndësi, ku unë kam marrë pjesë si ministër Kulture, është mbajtur në Ankara. Të pranishëm kanë qenë të gjithë ministrat e Kulturës së Ballkanit. Edhe në këtë rast, isha i pari që fola. Fjalimi im mesa duket tërhoqi vëmendjen e Presidentit Turgut Özal , i cili mes të gjithë ministrave të Kulturës që gjendeshin aty, zgjodhi të më ftonte mua në rezidencën e tij në Bosfor. Natyrisht që në takim, ishin të pranishëm edhe gazetarët. Kujtoni ndonjë detaj nga biseda? Ishte një bisedë personale. Unë i pohova se në Shqipëri përdoreshin disa fjalë nga turqishtja.

“Ato të sharjes kryesisht”, i thashë me humor, e ai më kërkoi një shembull. “Pizeven”, i thashë. Qeshi me të madhe e tha: “Më duket se është me origjinë perse”. Mandej më vonë në Ankara mbajta dhe një ekspozitë me piktorë shqiptarë.

Qëndruat më tej si deputet i Partisë Socialiste deri në ’96-ën, përse e ndërpretë karrierën tuaj politike?

Nga politika më largoi Fatos Nano, prej kapriçove të tij. Unë isha ministri i tij i Kulturës, por kur u ktheva nga Amerika, ku gjatë viteve ’96-‘97 isha për studime, ai vendosi që unë të mos kisha asnjë lloj posti, pavarësisht angazhimit intensiv gjatë viteve ’92-1996. Mund të them se gjatë kapitalizmit, kam qenë me pozitë vetëm gjatë kohës kur isha drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, nga ’98-2006-ta. Meqenëse ngela pa punë pas kësaj detyre, pensioni im i jetës më doli asokohe më pak se 15 mijë lekë, pasi shumë vite nuk llogariteshin. Si për shembull periudha në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, pasi ishin mbyllur administratat. Ishte e tmerrshme!

Megjithatë, ju nuk e ndalët aktivitetin tuaj si shkrimtar dhe studiues. Prej punës suaj dhe miqësisë me personalitetet më të mëdha të vendit, dispononi edhe dorësh krime me vlerë tuajat apo të tyret. Keni menduar se çdo të bëhet në të ardhmen me to?

Është e vërtetë, për shembull kujtoj se kur punoja në Muze, një ish-oficer solli një fletore me dorëshkrime të etnografit Rrok Zojzit, ku përmblidheshin studimet e tij për Mirditën, të cilat nuk ka mundur t’i botojë. Po ashtu, kam dorëshkrime që më ka dhuruar Lasgush Poradeci etj. Padyshim që do t’i dorëzoj të gjitha dorëshkrimet e personaliteteve.

Keni botuar edhe librin “Lasgushi i panjohur” me disa prej dorëshkrimeve të lirikut. Cila ka qenë lidhja juaj me të?

Vajza e tij Maria më thotë: “Ti Moikom, je shkrimtari më i përmendur në ditarët e babit”. Kemi qenë miq. Kujtoj se kur shkonim për ndonjë drekë, apo kur i bëja ndonjë dhuratë, ai e shënonte. Ka qenë njeri shumë i mirë e i ditur. Diskutonim shumë për kulturën. Për shembull flisnim për Emanuel Kantin, të cilin ai e lexonte. Lasgushi mbështeste tezën e tij se një njeri e percepton estetiken në mënyrë subjektive, përmes ndjesive të tij, ndërsa unë thosha se e bukura estetike është diçka e pavarur, objektive. Përpos kësaj, Lasgushi kishte dijeni të mëdha për pikturën, pasi kishte kryer studimet si piktor. Është gjynah që e la! Një poet estet shumë i madh, që kreu doktoraturën në moshën 33-vjeçare, shumë më përpara Eqerem Çabejt e të tjerëve.

Profesor, para përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ju po botonit dorëshkrimet tuaja të hershme, “Golgotë fluturash” është libri më i fundit, ku ju zgjidhni një titull jo të zakontë…

Po është e vërtetë. Përpos kësaj dua të ribotoj edhe “Kështu foli Mona Liza” e të tjerë libra të mitë. Libri “Golgotë fluturash” është i një rëndësie të veçantë për mua. E kam shkruar në moshën 40-50 vjeçare, moshën më kreative për një shkrimtar. Në të përmblidhen poezi që reflektojnë në mënyrën më personale dhe përfaqësuese atë që quhet stili im. Titulli “Golgotë fluturash” ka të bëjë me një vend të njohur botërisht, vendin ku ndodh kryqëzimi i Krishtit. Aty Krishti humbi atë që quhet jeta tokësore, për të mos humbur jetën e përjetshme… Pse zgjodha pikërisht “Golgotë fluturash”?! Sepse fluturat janë qenie fenere, të cilat nuk jetojnë gjatë… Zgjodha këtë titull, pasi edhe vetë njerëzit janë qenie të tilla, që ashtu si fluturat, me një imazh llamburitës shumë të bukur, shkojnë drejt golgotës së tyre. Kjo përmbledh në njëfarë mënyre kuptimin ekzistencial të jetës, natyrisht pa rënë në fatalizëm dhe pa humbur perspektivën për të.

Gjithmonë flisni për poezinë, njohjen e saj nga lexuesi si një shqetësim që mbartni…

Kjo, sepse poezia është një zhanër shumë i shpërdoruar. Shkruhet nga miliona vetë, por ajo që nuk gjendet, ose është shumë e vështirë të gjendet nga poetët e vërtetë, është stili i tyre. Nga ana tjetër, si zhanër, poezia është shumë spekulative, sepse ka njerëz që mësojnë njëfarë strukture, ose një mënyrë poetizante, e i gënjen mendja se bëjnë poezi. Ose, ka të tjerë imitues, që quhen epigon. Edhe poezia ime ka të tillë. Imitues që nën ndikimin e poezisë sime kopjojnë metaforat, deri diku edhe ritmin apo stilin. Po në këto raste nuk duhet harruar fjala e kritikut të njohur amerikan Harold Bloom, i cili thotë: Ka shumë poetë Whitmanistë, që imitojnë Whitmanin, por Whitman ka vetëm një…

Poezitë tuaja jo vetëm në “Golgotë fluturash”, por edhe në përmbledhje të tjera, përpos se mbajnë copëza përjetimesh jetësore, shoqërohen edhe nga datat kur i keni shkruar…

Poezia për mua është diçka jashtëzakonisht serioze, ajo e kthen makinën linguistike në makinë të kohës. Prodhon gjithmonë një lloj kohe. Është e habitshme se si poeti që u vë data poezive, mund të shkruajë për përjetësinë. E ç’rëndësi kanë këto data përpara përjetësisë?! Po ja që ato shënojnë cakun e një frymëzimi, apo të një fragmenti nga jeta personale e poetit. Poezia është e tillë që nga pikëpamja e intelektit, është e nivelit më të lartë. Po kthehem përsëri te kritiku Bloom, ai arrin që të krahasojë Anshtajnin me Shekspirin. Sipas tij, Anshtajni si shkencëtar ka arritur një rekord të pakrahasueshëm të zhvillimit të intelektit, megjithatë një shkrimtar i madh si Shekspiri nga pikëpamja e metaforave, tensionit të fjalëve edhe imagjinatës që i krijojnë elementet e krijimit, -thotë Herald Bloom, – mund të ketë intelekt më të madh se vetë Anshtajni. Pra, gjithë sekreti i poezisë qëndron te befasia, ajo është zembereku i imagjinatës, e mund të krijojë një frymë të re në risinë e pashkatërrueshme të këtij zhanri./ Panorama

Intervista – Kurti: Projekti për shkëmbim territoresh ka dështuar – por ideja nuk ka vdekur

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në takimet me të dërguarin presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi është diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje brenda disa muajsh. Por ai tërheq vërejtjen se perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet kur afati kohor vihet përpara përmbajtjes. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kurti thotë se projekti për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar por ideja ende nuk ka vdekur dhe se qeveria e tij do t’i jap fund asaj.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, ende pa e marrë pushtetin, ju po përballeni me kërkesat për ripërtëritje të shpejtë të bisedimeve me Serbinë. A jeni i gatshëm për një gjë të tillë?

Albin Kurti: Sigurisht që po. Besoj që do të ketë dhe duhet të ketë dialog me Serbinë, sepse kemi shumë çështje të hapura, mirëpo, statusi i Kosovës nuk është njëra prej tyre. Ne konsiderojmë që me Serbinë tashmë i kemi 33 marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe duhet ta shohim qysh në muajin e parë në zyrë një bilanc të zbatimit të tyre dhe të ndikimit të tyre në realitetin e qytetarëve. Por edhe më herët se kaq, në javën e parë në zyrë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, unë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës, që është një gjë tjetër për zhvillim, dialog demokratik prej poshtë për integrim të tyre, ndërkaq ekipi negociator, ekipi i bisedimeve me Serbinë do të udhëhiqet nga unë sepse republika jonë parlamentare ashtu e do dhe ashtu e thotë me ç’rast do t’i vendosim edhe principet të dialogut të ardhshëm. Do ta kemi përgatitjen paraprake me dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, por dua që patjetër të jetë edhe opozita e përfshirë meqenëse skena jonë politike e Kosovës nuk guxon të jetë e ndarë dhe e përçarë sa i përket Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Serbia kërkon diçka nga Kosova në mënyrë që ta njoh pavarësinë e saj. Si do t’ia bëni me këtë?

Albin Kurti: Ne kemi po ashtu kërkesa për Serbinë. Përveç se duhet ta njohë Republikën e Kosovës, duhet ta ndryshojë kushtetutën, e ka kushtetutën të vjetruar Republika e Serbisë dhe duhet ta ndryshojë dhe gjithashtu duhet që të ballafaqohet me të kaluarën me ç’rast patjetër që Serbia na shfaqet si borxhli ndaj Kosovës edhe sa i përket suksesionit të Jugosllavisë edhe sa i përket reperacioneve të luftës edhe të okupimit. Prandaj besoj që i gjithë spektri politik kosovar, duhet të bashkohen në kërkesat e Republikës së Kosovës për Republikën e Serbisë, ku duhet theksuar një mijë e 500 të pagjeturit, pastaj janë mbi një milionë shqiptar të dëbuar ga shtëpitë e tyre në pranverën e vitit 1999, 860 mijë të deportuar jashtë Kosovës, njëzet mijë gra e vasha të përdhunuara, janë 10 mijë civilë të pambrojtur e të paarmatosur të vrarë në mesin e të cilëve mbi 1 mijë fëmijë, fondi i kursimeve pensionale, depozitat bankare dhe 1 mijë e 200 artefakte kulturore gjithashtu të plaçkitura por të mos harrojmë se edhe shumë ndërmarrje në Kosovë i kanë pasur degët, zyrat e tyre gjithandej në Serbi të cilat janë tjetërsuar padrejtësisht dhe këto janë vetëm disa prej elementeve përbërëse të kërkesave tona për borxhin që na e ka Serbia.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Serbia nuk ka shprehur ndonjë gatishmëri për ta njohur të themi Kosovën dhe një gjendje e tillë do të mbaj një status quo si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Sa është e qëndrueshme një gjendje e tillë?

Albin Kurti: Unë nuk them se po kënaqemi apo gëzohemi me këtë status quo, por nuk do të lejojmë as të nxitohemi dhe të biem edhe më poshtë seç jemi. Me hapa të nxituar mund ta përkeqësosh gjendjen. Besoj që korniza e integrimeve evropiane, fryma e Bashkimit Evropian, ideja udhërrëfyese e fqinjësisë së mirë, parimi i reciprocitetit, dialogu parimor i përgatitur mirë dhe i qëndrueshëm, është rruga e duhur përpara në mënyrë që të mos kemi dështime të reja për çfarë sigurisht më nuk e kemi komoditetin.

Zëri i Amerikës: Një javë pasi u emërua si përfaqësues i Posaçëm presidencial për bisedimet Kosovë – Serbi, ambasadori Grenell qëndroi në Prishtinë dhe në Beograd duke kërkuar që të dyja palët të punojnë ngushtë dhe shpejt për një marrëveshjeve gjithëpërfshirëse. Keni diskutuar në takim me të për ritmet kohore se kur mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë?

Albin Kurti: Shkëlqesia e tij, ambasadori Grenell, insistonte që për investime në vendin tonë e në vendet tona, është e domosdoshme një marrëveshje e shpejtë përfundimtare me Serbinë. Natyrisht që ne nuk e mohojmë faktin që imazhet e vendeve tona, joshja e investitorëve të huaj do të mund të ndihmohej nga një marrëveshje që do të arrinim ne, mirëpo janë tre faktorë tjerë posaçërisht të cilët ndikojnë në ardhjen e investimeve të huaja, në kushtet ku as mërgata jonë nuk po investon në Kosovë e këto janë; e para, varfëria e përhapur në Kosovë që e zbret kërkesën agregate, e dyta; është korrupsioni i përhapur në institucionet e sistemit i cili ka krijuar biznese të privilegjuara që në mënyrë kujdestare i fitojnë tenderët të cilët specifikohen pikërisht për t’u fituar nga ato biznese dhe e treta; është qasja e vështirë në financa për shkak të bankave komerciale me kamata të larta të kredive. Pra, jemi për marrëveshje me Serbinë, jemi për dialog parimor me Serbinë dhe besojmë që marrëveshja e tillë ka nevojë të përmbaj patjetër pavarësinë e Kosovës të njohur nga Serbia, Serbia ta ndryshojë kushtetutën, të ballafaqohet me të kaluarën që do të thotë se për këtë marrëveshje duhet shumë më tepër të ndryshojë Serbia se sa Kosova dhe mbi të gjitha procesi drejt marrëveshjes dhe përmbajtja e marrëveshjes janë më prioritare, më të të rëndësishme se sa afati kohor për të. Nuk kemi kohë për të humbur por nuk e kemi as komoditetin për t’u nxituar.

Zëri i Amerikës: A është për përmendur ndonjë afat kohor në takim me ambasadorin Grenell?

Albin Kurti: Është përmendur disa muaj pra jo çështje javësh por disa muaj.

Është përmendur disa muaj pra jo çështje javësh por disa muaj. Mirëpo unë besoj që perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet pikërisht kur e vë afatin kohor përpara përmbajtjes dhe procesit deri atje.

Mirëpo unë besoj që perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet pikërisht kur e vë afatin kohor përpara përmbajtjes dhe procesit deri atje.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë kërkesë për një takim të themi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi që të zgjidheni kryeministër i vendit, një takim të shpejtë?

Albin Kurti: Deri sot jo. Natyrisht që janë disa forume ndërkombëtare ku me përfaqësuesit e shtetit të Serbisë do të na binte që të takohemi, njëri prej tyre është procesi i Berlinit por e kemi edhe iniciativën franko-gjermane, e kemi Brukselin si lehtësues. Unë jam i gatshëm që si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës të marr përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit tonë në këtë dialog të ri e parimor, por kërkesa konkrete me takime të tilla në ndonjë kohë të caktuar nuk ka.

Zëri i Amerikës: Në dritën e forcimit të angazhimit amerikan rreth marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ka pasur ide që mund të jetë një lloj konference, apo siç tha komisionari i deritashëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, një lloj konklave, ku palët nuk do të dilnin pa një rezultat. A është e mundur një formë e tillë dhe a u diskutua kjo me ambasadorin Grenell?

Albin Kurti: Nuk është diskutuar me ambasadorin Grenell një mundësi e tillë. Natyrisht që nuk mund të përjashtosh asgjë, por ajo që është e sigurt është se formatet e tilla janë në fund të procesit negociator dhe kurrsesi në fillim dhe mendoj se jemi shumë larg nga ajo ditë.

Zëri i Amerikës: Diçka e tillë si konferenca e Rambouillet?

Albin Kurti: Rambouillet ka qenë midis lufte pra kur në Kosovë vdisnin çdo ditë civilët tanë dhe kishte për ditë beteja midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake policore të Serbisë. Ajo ishte një konferencë për ta ndalur luftën mirëpo dështimi i konferencës së Rambouillet na dha neve një hov të fuqishëm meqenëse ndërhyri NATO-ja kundër Jugosllavisë së Millosheviçit dhe asisoj u mundësua çlirimi i Kosovës në qershorin e vitit 1999. Ajo është kontekst krejt tjetër fare prej asaj që kemi sot.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti që nga vera e vitit të kaluar janë hedhur ide të ndryshme për korrigjim kufijsh apo një lloj shkëmbimi të territoreve, deri tash i keni kundërshtuar idetë e tilla por nëse hidhen ato sërish çfarë do të bëni?

Albin Kurti: Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur, projekti ka dështuar – ideja nuk ka vdekur. Me qeverinë tonë jo vetëm që projekti i dështuar vuloset, mirëpo vdes edhe një ide e tillë meqenëse nuk mund të shtiremi thua se jemi para një çerek shekulli dhe me lapsa mbi hartë luajmë rolin e (Franjo) Tugjmanit e Millosheviqit teksa ndajnë dhe copëtojnë Bosnjën. Mendoj që ajo kohë ka kaluar, ajo është kohë lufte. Tash jemi në kohë të paqes kur kemi nevojë që sa më shpejt të bëjmë hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur

Shkëmbimi territorial në Beograd është quajtur kufizim me shqiptarët, përkufizim me shqiptarët apo siç e thonë ata “razgraniçenje”, që për bindjen time është koncept racist, meqenëse gjithmonë do të ketë në të dy anët e kufirit edhe shqiptarë edhe serbë. Nuk ka kufij të përsosur etnik dhe kërkimi i një përsosmërie të tillë është qasje dhe qëndrim racist. Ndërkaq shkëmbimi territorial në Kosovë nga presidenti ynë quhej korrigjim kufiri me kompromis të dhimbshëm ku veriu është dhuratë e (Aleksandër) Rankoviqit, pra ai kishte një frazë tjetër për shkëmbimin territorial, por koha e monarkëve të mesjetës që e trajtojnë territorin e shtetit sikurse pronë private të tyre që mund ta shkëmbejnë por si një mall të zakonshëm, ka përfunduar. Kosova është Republikë parlamentare dhe demokratike, mban zgjedhje të lira dhe në këto zgjedhje të gjashtë tetorit mund të themi që më parë kishim ironikisht një lloj shkëmbimi të popullsisë ku shumë të rinj tanë fatkeqësisht emigruan për shkak të qeverisë së keqe por edhe shumë nga mërgata u kthyen që të votojnë me gjashtë tetor për ndryshimin e madh që opozita e djeshme të bëhet qeveri e nesërme dhe që këtij ndryshimi e kësaj qeverie të ardhshme t’i prijë Lëvizja Vetëvendosje.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti ju keni thënë që kur të vini në qeveri do të bëni bashkë të gjitha partitë politike duke përfshirë opozitën për bisedimet me Serbinë. Këtu pjesë e institucioneve është edhe zoti Thaçi me të cilin dihet që nuk keni marrëdhënie të mira, si do të veproni?

Albin Kurti: Unë nuk do ta përjashtoj presidentin Thaçi, unë nuk do ta përjashtojë opozitën, unë do të përfaqësoj koalicionin qeverisës dhe do t’ja shtrij dorën e bashkëpunimit opozitës në mënyrë që ne të mos ndahemi nga Serbia si një pykë e cila na e dobëson pozicionin tonë dhe shtetin tonë në përgjithësi. Pra nuk do të ketë përjashtim të presidentit Thaçi, por nuk është e mundshme më që ai të udhëheq në dialogun me Serbinë. Udhëheqja ka ndryshuar me rezultatet e gjashtë tetorit, ardhmëria në Kosovë ka datë, ishte ky gjashtë tetori i vitit 2019. Në qershorin e vitit 1999 kishim entuziazmin e çlirimit të vendit tonë dhe popullit tonë nga një shtet i huaj, në shkurtin e vitit 2008 kishim entuziazmin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë dhe në tetorin e vitit 2019 kemi entuziazmin e çlirimit të shtetit tonë nga uzurpimi i brendshëm, nga një pushtet apo regjim i cili e bëri veten më shumë se qeveri e shtetin tonë më pak se Republikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti presidenti Thaçi zakonisht ka marrë ftesë nga Bashkimi Evropian për bisedime, nëse merr prapë si do të ja bëni?

Albin Kurti: Nuk është e mundshme një gjë e tillë sepse unë do të vendosi menjëherë kontaktet me Brukselin qysh në javën e parë të punës sime si kryeministër i ri dhe po e theksoj nuk do të ketë përjashtim të presidentit Thaçi. Ai është përfaqësues i politikës së jashtme por nuk është më krijues i politikës së jashtme. Republika jonë nuk është presidenciale sikurse Franca, është republikë parlamentare dhe konform kësaj dhe vendimit të gjykatës Kushtetuese të pranverës të këtij viti, dialogun e ardhshëm me Serbinë e udhëheq kryeministri i ri i Republikës së Kosovës nga qeveria e re dhe ekipi përkatës negociator dhe jo më presidenti.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti të enjten në Novi Sad presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë për atë që ata e kanë quajtur si një “mini shengen” ballkanik. Si e shini ju një deklaratë të tillë dhe mungesën e Kosovës këtu?

Albin Kurti: Në njëfarë mënyre të tria këto vende tashmë e kanë lirinë e lëvizjes e kanë liberalizimin e vizave, këtu çështja është që Kosova ta fitojë këtë gjë. Unë jam i bindur që për liberalizimin e vizave të Kosovës thelbësore

Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare

është Prokuroria Speciale, pra liberalizimin e vizave nuk do ta sjellë qeveria e re por aktiviteti i ri i Prokurorisë Speciale atëherë kur ajo do të jetë e çliruar prej ekzekutivit. Unë synoj që të takohem me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe të shohim më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë, por mendoj që në të gjitha këto iniciativa është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë gjithnjë e pranishme, e përfaqësuar, të marrë pjesë, sepse Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare.

Zëri i Amerikës: Të gjitha këto debate po bëhen në një kohë kur Kosova ende po numëron votat. Ju tashmë keni një marrëveshje me Lidhjen Demokratike për të bashkëqeverisur ose për të krijuar koalicionin e ardhshëm. Kur pritni që të formohet qeveria?

Albin Kurti: Ka një lloj një lloj zvarritje me rinumërimin, janë edhe votat me kusht, votat e mërgatës tonë, por besoj që një muaj prej tash çdo gjë do të jetë e përfunduar ndonëse rezultati nuk do të ndryshoj, ai do të mund të thellohej për shkak të votave të mërgatës. Në vitin 2014 lëvizja Vetëvendosje ka pasur 50 për qind të votave të mërgatës, në vitin 2017 kemi pasur 70 për qind të votave të mërgatës rrjedhimisht diferenca që kemi ne si subjekt fitimtar i dalur i pari nga zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti vetëm sa do thellohet në fund kur do të certifikohet rezultati nga KQZ.

Zëri i Amerikës: Cilat do të jenë punë te para pasi që të bëheni kryeministër?

Albin Kurti: Punët e para tashmë i kemi nisur në bisedat që kishim me Lidhjen Demokratike të Kosovës. U dakorduam plotësisht për qeveri të zvogëluar dhe efikase dhe për shtet sa më të fortë e të fuqishëm, që do të thotë se nga 21 ministri sa ishin, ne do të zvogëlojmë me synimin tonë që të jenë rreth 12 prej tyre dhe jo më shumë se aq, ndërkohë që numri i zëvendësministrave nga mbi 80 sa ishin të mos jenë, të themi më shumë se një e treta e çfarë e kishim me këtë qeverisje të dy viteve të shkuara. Po ashtu jemi dakorduar që të kemi përfaqësim të duhur gjinor me ç’rast të jenë së paku 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe të zëvendësministrave. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të kenë alternative tjera përveç se njëra tjetrën, do të vazhdojmë kontaktin edhe me pakicat tjera jo serbe dhe do të ecim drejt, mbarë e mirë drejt qeverisë së re të Republikës së Kosovës e cila do të jetë po ashtu e drejtë, e mbarë dhe e mirë.

Abbott: Britania nuk e përkrah idenë e ndryshimit të kufijve, do të punojmë me kryeministrin dhe qeverinë e re

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott zyrtarisht e mori detyrën më 31 gusht të këtij viti. Abbott në një intervistë për Gazetën Express ka folur për qasjen që qeveria e re duhet të ketë në dialogun Kosovë-Serbi, zgjedhjet që u mbajtën të dielën, po ashtu për sundimin e ligjit dhe luftën e institucioneve të drejtësisë kundër korrupsionit. Ai tutje deklaroi se Britania e Madhe është kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori britanik në Kosovë tha po ashtu se qeveria e re që do të formohet do të jetë përgjegjëse para votës që i ka dhënë populli dhe komuniteti ndërkombëtar do të bashkëpunojë me kryeministrin e ri që do të zgjidhet.Gazeta Express: Cili është mendimi juaj për zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën më 6 tetor? A mendoni se Kosova e ka organizuar një proces të mirë?

Nicholas Abbott: Unë isha i akredituar si vëzhgues në këto zgjedhje dhe e kalova ditën e zgjedhjeve në Gjakovë dhe në rrethinën e saj. Stafi im i ambasadës ka qenë i angazhuar në mbarë vendin. Ne ishim dëshmitarë në rend të parë të një përkushtimi dhe profesionalizmi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Isha i mahnitur me atë se sa të qeta dhe sa të organizuara ishin zgjedhjet dhe sa shumë entuziazëm kishin votuesit. Kjo është një shenjë e mirë e rritjes së pjekurisë së demokracisë së re të Kosovës.

Gazeta Express: Partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, i fituan zgjedhjet e së dielës dhe të dyja këto parti janë kundër bisedimeve me Serbinë sa i përket ndryshimit të kufijve të Kosovës. Cili është qëndrimi zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje?

Nicholass Abbott: Mbretëria e Bashkuar beson se ndryshimi i kufijve do të ishte destabilizim për Kosovën dhe rajonin dhe do t’i dëmtonte sigurinë rajonale, mirëqenien dhe stabilitetin. Për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, të dyja shtetet duhet ta njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane sipas kufijve të tyre ekzistues.

Gazeta Express: A mendoni se qeveria e re e Kosovës duhet ta rifiollojë dialogun me Serbinë pa ndonjë kusht?

Nicholas Abbott: Mendoj se kthimi në dialog me Serbinë sa më shpejt që është e mundur duhet të jetë prioritet për qeverinë e re. Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, e cila mund ta çojë përpara dialogun dhe ta arrijë një marrëveshje përfundimtare, të qëndrueshme dhe ligjërisht të obligueshme në mënyrë që të përfundohet procesi që ka nisur që nga shpallja e pavarësisë më 2008-n.

Gazeta Express: Duke pasur parasysh që ekziston përshtypja se kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili i fitoi zgjedhjet, nuk është për bashkëpunim me shtetet perëndimore dhe me shumë gjasë, ai do të jetë kryeministri i ri i Kosovës, a mendoni se komuniteti ndërkombëtar do ta pengojë Kurtin që të bëhet kryeministër i ri i Kosovës?

Nicholas Abbott: Kosova është vend i pavarur dhe është përgjegjëse për marrjen e vendimeve të veta. Kryeministri i ri do të jetë përfundimisht përgjegjës para popullit të Kosovës, e jo para komunitetit ndërkombëtar. Ne dhe të gjithë anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar do të punojmë me kryeministrin e ri dhe qeverinë e re, sepse ata e kanë mandatin nga populli i Kosovës për të qeverisur. Njëlloj, jam i sigurt që kryeministri i ri do të jetë i vetëdijshëm për mbajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunimit me këto shtete dhe institucione, të cilat e kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë ta përkrahin vendin.

Gazeta Express: Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili i fitoi këto zgjedhje, ka deklaruar se Kosova nuk do ta suspendojë taksën ndaj prodhimeve serbe, por do ta zëvendësojë atë me reciprocitet. A mendoni se qeveria e re duhet ta suspendojë këtë taksë?

Nicholas Abbott: Mbretëria e Bashkuar e përkrah procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët duhet t’i krijojnë kushtet për përparimin e bisedimeve dhe të marrin masa që do të promovojnë një marrëveshje përfundimtare. Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët që të kërkojnë zgjidhje pozitive, të cilat janë të pranueshme në mënyrë reciproke, që janë kreative dhe të përfytyrueshme.

Gazeta Express: Njëra nga detyrat ekskluzive të Prokurorisë Speciale të Kosovës është hetimi i korrupsionit të profilit të lartë, por ky institucion ka hyrë në vitin e dytë pa filluar ndonjë hetim të ndonjë rasti të korrupsionit të lartë. Çfarë mendoni se ju mungon më së shumti institucioneve të Kosovës sa i përket sundimit të ligjit?

Nicholas Abbott: Institucioneve të Kosovës nuk u mungojnë mjetet e duhura për t’i trajtuar këto probleme, përfshirë legjistacionin në fuqi. Policia dhe prokurorët e kanë pushtetin që u nevojitet për t’i luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Korrupsioni po e lë Kosovën mbrapa dhe po e pengon këtë vend të ri që ta kuptojë potencialin e vet të pasur. Ato që nevojiten janë vullneti politik, puna e madhe dhe qasja me zero tolerancë ndaj korrupsionit, pavarësisht statusit apo lidhjeve që kanë shkelësit.

Gazeta Express: A duhet të ketë veting në insitucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë?

Nicholas Abbott: Llogaridhënia, transparenca dhe integriteti në gjykata, prokurori dhe në insitucione të tjera të sundimit të ligjit janë kushte paraprake që Kosova të shënojë përparim në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe interesave personale. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e përkushtuar që të punojë me institucionet e Kosovës për ta themeluar njësinë e vetingut që të sigurohet integritet në mesin e zbatuesve të sundimit të ligjit. Korrupsioni nuk mund të çrrënjoset vetëm përmes vetingut. Por, nëse institucionet janë të afta që ta sfidojnë dhe luftojnë aktivitetin korruptiv përmes vetingut dhe masave disiplinore, rezultati do të jetë një sistem më transparent, i cili vepron sipas interesit të kosovarëve të rëndomtë, e jo në bazë të interesit të një elite të privilegjuar.

Gazeta Express: Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, dha dorëheqje nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës më 26 mars 2019, sepse Kuvendi i Kosovës e caktoi Naser Shalën si kryetar të kësaj agjencie. Dorëheqja e tij u pasua edhe me dorëheqjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett, nga ky bord për të njëjtën arsye. A do të jetë Mbretëria e Bashkuar pjesë e kësaj agjencie në të ardhmen, nëse Kuvendi i Kosovës e shkarkon Naser Shalën nga pozita e udhëheqësit të agjencisë?

Nicholas Abbott: Ne nuk besojnë se vendimi i Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur z.Naser Shalën si kryetar të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ishte zgjedhja më e mirë profesionale. Projekti ynë i rekrutimit vlerësoi se ai nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes. Vendimi i Kuvendit e dobësoi besimin tonë në aftësinë e këtij institucioni për të bërë emërime në bazë të meritave dhe jo në bazë të interesave politike. Paraardhësi im pati të drejtë kur dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të bordit të kësaj agjencie.

Gazeta Express: Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe si rezultat i këtij vendimi, kjo agjenci është përjashuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë më 28 shkurt të vitit 2018 dhe disa ditë më parë, për shkak të të njëjtit vendim të ish-kryeministrit, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua edhe nga Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Ky përjashtim do t’i prekë studentët kosovarë që synojnë ta vazhdojnë shkollimin e lartë në institucionet e BE-së. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Nicholas Abbott: Përjashtimi i Kosovës nga organet e rëndësishme ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë është shumë fatkeq. Ne shpresojmë që qeveria e re do ta marrë këtë çështje shumë seriozisht dhe të punojë për t’i zgjidhur këto probleme të pazgjidhura sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që studentët kosovarë të mos përjashtohen nga mundësitë për të studiuar jashtë vendit. Rinia është e ardhmja e Kosovës dhe pasuria më e madhe e saj. Të rinjë i meritojnë mundësitë më të mira të shkollimit dhe duhet të ndihmohen për të hyrë në tregun e punës të pajisur me shkathtësitë që nevojiten për ta ndërtuar të ardhmen e vendit. /GazetaExpress/

Intervista – Visar ZHITI – KLASA JONË POLITIKE KA NGRITUR LART NJË TJETËR MUR BERLINI TË PADUKSHËM RRETH VETES, KA LËNË JASHTË REALITETIN SHQIPTAR

VOAL – Shkrimtari i shquar Visar Zhiti, i burgosur nga diktatura për poezitë e tij, ia ka dhënë intervistën e mëposhtme gazetarit dhe drejtuesit të qendres se mediave në Tiranë, Remzi Lani, per portalin e tij bota.al, me rastin e 30 vjetorit te renies se Murit te Berlinit, e lidhur dhe me aktualitetin dhe ecurinë e demokracise ne Shqiperi. Z. Visar Zhiti flet në intervistën e tij për përballjet e shqiptarëve në këtë tranzicion 30 vjeçar me format e padukshme të Murit të Berlinit që ndodhen midis vetë atyre. Shqipëria e pas rënies së Murit të Berlinit, pavarësisht të gjithave, është në Perëndim dhe kjo shënon sigurinë e perspektivave të shqiptarëve të kësaj epoke. VOAL e sjell për lexuesit e tij këtë intervistë që jep përgjigje shumë të rëndësishme, shpalos vizione shumë të thella ndaj shqetësimeve më të mëdha me të cilat sot përballen shqiptarët.

 

Në serinë e intervistave dhe eseve mbi Tranzicionin 30-vjeçar të Shqipërisë, kjo intervistë që shkrimtari dhe poeti i njohur Visar Zhiti ka dhënë për bota.al, është nga ato që nuk duhet humbur. 
Me forcën e fjalës, që ia pasuron mesazhin si rrallëkujt tjetër, Visar Zhiti flet për shembjen e Murit të Berlinit, që ai e imagjinonte me tulla – njësoj si tullat që prodhonte me duart e tij “në qytetin e vogël të Lushnjës” pas daljes nga burgu komunist – por që kur e pa nga pranë, zbuloi një Mur të ndërtuar me blloqe të mëdha betoni, gri e zymtë në anën e Lindjes, dhe shumëngjyrësh në anën e Perëndimit.
“Sa për rrugëtimin e Shqipërisë pas vitit 1990”, thotë poeti, “këto tre dekada na kanë treguar se e mira dhe e keqja në tranzicionin shqiptar janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, si vëllezërit siamezë

1. Z. Zhiti, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?
Përgjigje: …ndante dhe njeriun nga njeriu, do të shtoja, madje dhe secilin sikur e ndante më dysh nga vetvetja, nga ëndrra, nga e ardhmja.
Ai Mur, duke ndarë vetë botën, ndërhynte mizorisht në gjithë jetën njerëzore dhe u bë dhe shenjues i vendeve dhe sistemeve të tyre, se ç’ishin ato: totalitare nga njëra anë e Murit dhe demokraci nga ana tjetër e tij, ku drejtuesit ishin diktatorët nga brenda Murit dhe lider të zgjedhur nga ana jashtë, vetë popullin e mbyllur, i zbulonte shtresëzimet: ata lart që e kishin dashur dhe urdhëruar të bëhej Muri dhe milionat e milionat që punonin si nën hijen e tij të zymtë dhe ata, të dënuarit që, si të thuash, ishin nën atë Mur.
Ku isha unë, kur e rrëzuan Murin e kobshëm? Në atdhe, në një qytet të vogël, Lushnjë, kisha dy vjet që kisha dalë nga burgu politik, i lirë pa liri, punëtor krahu në fabrikën e tullave, me turne. Pra, merresha me tullat, që bëhen mure shtëpish dhe shtëpi vetë s’kisha. Atëhere kisha ndjesira të forta për diktaturën deri dhe metafizike, më dukej si një përbindësh dhe makineri makabre njëkohësisht, me shtyllën kurrizore si ai Mur, me tela me gjëmba përsipër, që ndërkaq vëzhgonte vëngër gjithçka pa e ditur nga ç’sy pa fund a valë dhe të përfshinte, kudo që të ishe, të bënte pjesë të kthetrave të veta ose të shtypte me to.
Që shëmbën Murin e Berlinit, e dëgjova si lajm të huaj, por s’m’u duk dhe aq i huaj, sikur ia ndjeva rrapëllimën, s’ka gjë se larg, por më dha drithma dhe mbeta shtang për një çast me tullat si luspa të rënda përbindëshi në duart e mia të vrara.
Po muret përreth nesh a do të binin?

2. A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?
Përgjigje: Patjetër që po. Ai ishte dhe mur politik, ishte bërë mur-simbol i luftës së ftohtë, i ndarjes në dy botë të botës, si dhe i luftës së klasave brenda në çdo vend të njërës nga botët, atje ku ishim dhe ne dhe lufta e klasave është luftë civile në kohë paqeje, kam thënë, pra, ai ishte muri i urrejtjes së madhe, të universalizuar, gjarpëronte jo vetëm nëpër Berlin, vazhdonte gjithandej në perandorinë komuniste, në muret shtetërore të të gjitha ngrehinave, të pallateve të kongreseve dhe të vendimeve të tyre, të reparteve ushtarake, vazhdonte te telat me gjëmba të burgjeve, të kufirit mes shteteve, madje fillimisht dhe vetë Muri i Berlinit ishte realisht prej telash me gjëmba, futej në mendësi, në universitete, në romane, në Realizmin Socialist, vinte që nga doktrina marksiste-leniste dhe s’dukej ku mbaronte, sa thellë, deri dhe në ndërgjegje. Dhe i padukshëm ishte më i rrezikshëm dhe më fatal se atje ku përshfaqej i fortë, si te Muret e Kremlinit apo tek muri i ushtarëve që rrethonin “Bllokun” e sundimtarëve në Tiranë, në Komitetin Qendror të Partisë, etj, etj.
Rënia e Murit shenjoi fillimin e rrokullimës së shpejtë të perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj, pra dhe të vendit tonë, edhe pse i fundit, që ishte dhe më i vetmuari, më i vetëmbylluri, më i varfëri dhe më i vrazhdi…
Rënia dha guximin e ngritjes. Ra Muri i Berlinit dhe shqiptarët thyen murin e ambasadave e u futën turma nëpër to, çanë kufirin, telat me gjëmba, që t’i iknin diktaturës e të shkelnin Europë. U ngritëm në protesta dhe… dhe vazhdimi dihet, nisën ndryshimet e mëdha, të detyruara.
Ndodhi vërtet mrekullia, ra regjimi, që unë dhe shumë si unë, ndoshta gati të gjithë shqiptarët, ia kishim dashur rënien, e ndillnim, por nuk besonim se do të ndodhte në kohën tonë, edhe pse ne ishim pa kohë. Na dukej e pamundur rënia, të paktën “hë për hë”, dhe kjo “hë për hë“ do të thoshte gjithë jeta. Ne pra, jetuam, si të thuash, fillimin e të ardhmes. Ky ishte fat.

3. Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës.
Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë keni patur një rol të rëndësishëm në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?
Përgjigje: Një rrugëtim i vështirë dhe sublim, të gjithë bashkë, ata që e bënë diktaturën dhe ata që e pësuan atë, madje dhe me paqe të ashpër, me historinë e afërt, që s’donin të largohej, të përzier me të ardhmen që e pengonin të afrohej, pas linim Murin e rrëzuar të Berlinit dhe përpara përplaseshim me Mure të padukshme si të Berlinit, sikur ai hakërronte përbindshmërisht. Do të ishte shumë më vështirë të rrëzoje muret e padukshëm. Si thotë poeti gjerman (Lindor), Bertold Brehti, në një poezi: lufta mbaroi, ruhuni nga paqja.
Kritikat do të ishin të domosdoshme. Aq më mirë që kishte. Po ndërroheshin sistemet. Dhe të mendosh që diktaturat komuniste ishin vendosur me luftë, me revolucione dhe gjakderdhje të madhe dhe po iknin jo ashtu siç erdhën, kjo ishte një arritje e historisë, një hop i madh njerëzor.
Ju më thoni se kam patur një rol të rëndësishëm në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. (?!)… S’e di, roli im ndoshta ka qenë aq sa juaji në diktaturë. Ja, u bashkuam të gjithë, me të pakënaqurit bashkë, u shkrimë… Dola në protesta dhe shkruajta. U bëra gazetar i gazetës së parë opozitare në vend, solla dhe unë nga zëri i mbytur i të persekutuarve, tregova për burgjet, persekutimet, për klithmat dhe qëndresën, dëshirat dhe ëndrrat, kritikova dhe unë si qytetar, si në të gjithë Lindjen, i nisur nga dashuria, jo nga urrejtja. Të bëhej më e mira!
Solla dhe lutje të Nënë Terezës, i ngazëlluar që Shenjtja jonë u lejua të vijë dhe vetë në atdhe. Në fakt po shkonim ne drejt saj. Tempujt e fesë ishin (ri)hapur.
Punova në diplomaci. Po i tregohej dhe botës kështu se Shqipëria po ndryshonte. Nga ne, ish të burgosurit politikë, bënë dhe ministra, edhe mua, bënë dhe kryetar parlamenti, thashë “bënë” dhe jo “bëmë”. Ishim shumë që vinim nga burgjet dhe internimet, na dhanë shtëpi, punë dhe mundësi shkollimi, dëmshpërblimin me hope dhe me debate, se kështu do të rëndohej taksapaguesi shqiptar. Por të burgosurit me mijëra kanë punuar, – dhe nuk u është paguar puna kurrë, – në miniera e kanë tharë këneta, kanë hapur themele e ndërtuar uzina, taraca, pallate, aeroporte, stadiume, etj, i kanë dhënë shumë e më shumë atdheut se i kanë marrë. Dhe mbi të gjitha i kanë dhënë aspiratat e sotme, ideale dhe ëndrra, vuajtjen e shndërruar në vlerä. Ne sollëm dhe “letërsinë tjetër”, atë që kishte munguar. Shqipëria sot jeton, në fakt duhej të jetonte, në realitetin që deshën të burgosurit politikë e të internuarit e shumtë, që u vranë e u martirizuan.
Jemi në fakt dhe dëshmi të gjalla të “Murit të shëmbur të Berlinit”, por ne shpesh e më shpesh mbetemi sërish brenda “mureve të padukshëm”, në braktisje harresë dhe varfëri.
Duhej vuajtja jonë, domethënia jonë, simbolika, vizionet për një Shqipëri të lirë, demokratike, por ne jo dhe aq. Fryma jonë pothuajse mungoi në këtë rrugëtim, gjithnjë e më pak, tani ndoshta fare. Ky është paradoksi dhe njëri nga zhgënjimet themelore. Mosdashja e nismëtarëve, shpërngulja e zanafillës.
Tranzicioni u bë më i lodhshëm, jo vetëm i vështirë, zhgënime pati, edhe mashtrime e të gjitha vazhdojnë ende
Po të kishim rol të rëndësishëm në rrugëtimin politik të Shqipërisë unë,/ata si unë, punët do të kishin shkuar më mirë. Përgjegjësia është gjetiu…
Megjithatë është më i durueshëm kaosi i lirisë, se sa liria në pranga apo koha çnjerëzore. Zbulojmë dhe vetveten kolektive kështu.
Gjithsesi Shqipëria është më mirë nga ç’ishte.

4. Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?
Përgjigje: Shumëçka ia ka kaluar dhe imagjinatës, do të thosha. Për mirë dhe për keq. Për keq, vetëm po të krahësohet me atë që do të donim të ishim.
Shqipëria u hap, pranoi pluralizmin dhe demokracinë, pa burgje politike, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e lirë të tregut dhe të gjitha liritë, që po i mësonim. Por po përsëris dhe ato që themi rëndom: nuk u dënua diktatori i madh e diktatorët e vegjël me gjyq moral të paktën, me ligj, pra vetë diktatura, por u dënua me slogane dhe entuziazëm efemer. Aq sa na duket se ajo, diktatura, thjesht u shpërbë siç do të donte.
Kishim imagjinuar të kundërtën. Drejtësi dhe paqe. Po flas si para 2 apo 3 dekadave. Mungoi drejtësia e re, e pavarur, pasojat e së cilës po vuhen dhe tani.
Të gjithë shqiptarët u bënë pronarë, të paktën të shtëpive të tyre. Dolën kapitalistët e rinj. Prona, tokat dhe pasuritë e patundëshme sipër saj, dhe u keqpërdorën në tërësinë e tyre. U shkatërruan fabrika e uzina e taraca dhe c’u takonte pronarëve të dikurshëm a trashëgimtarëve të tyre u është kthyer me vështirësi dhe me pjesë, ndërsa më lehtësiht u bënë pronarët e rinj, të tjerët, tashmë dhe oligarkë duke u ngritur kështu mure tjetërsoj, nga ata të padukshmit…
I kthehem persekutimit, nuk dolën persekutorët duke munguar ndjesa dhe falja dhe dhëmbja dhe dhe kështu muri moral mes tyre dhe të persekutuarve mbeti i padukshëm, pa hakmarrje, ndërsa realizimi më i lartë i dëmshpërblimit për të gjithë do të ishte një Shqipëri normale, demokratike dhe me prosperitet.
Etj, etj.
Ka liri dhe shpërdorim të saj. Të lirë të bëjmë çdo gjë, edhe të ikim apo dhe të çmendemi.
E di që në demokraci prirja është të shohësh ato që s’janë bërë, e kundërta e diktaturës që të detyron të shohësh ç’është bërë, edhe vepra të mëdha, por me një popull të varfër dhe të pa lirë, për të mos thënë me skllevër modernë.
Shqipëria ka bërë përpara, ka shëmbur mure, njerëzit ekonomikisht janë më mirë në përgjithësi, ku po polarizohet pasurimi, pa shtresë të mesme të ndjeshme, pa shoqëri civile të fortë, etj, megjitha është vend në NATO ashtu siç ne deshëm dhe pret të futet në Bashkimin Europian.
Këtë s’e kisha imagjinuar, që s’ishim në Europë dhe që Europa të mos na rrinte aq afër sa do të donim.
Politika u liberalizua. Ka arritje dhe në planin ndërkombëtar me lidership që dhe ka shkëlqyer. Por nuk kishim imagjinuar që politika të përditësohej herë pas here e shpesh kështu duke rënë në interesa vetanake, mediokre, grindavece, e shpëlarë, që do të kishim dhe politikanë pa ideale, nën nivelin e mesatares së popullit, të kapur dhe nga krimi, etj, etj.
Deshëm zgjedhje të lira dhe të tilla janë, të lira dhe në shit-blerje, që dhe Presidenti i Republikës të mund të zgjidhej nga populli dhe nuk e kisha imagjinuar kurrë që në demokraci një ish oficer i rëndomtë i ushtrisë së diktaturës të caktohej si president. Një rënie kjo e pamerituar, ndëshkim i Shqipërisë.
Ka dhe rënie të seriozitetit të edukimit masiv, të atij universitar, fjala është për cilësinë, por ka shkollim të nivelit bashkëkohor në veçanti, me mundësitë dhe nëpër botë, shpresë për të bërë më të mirën gjithë të rinjtë së bashku.
Besoja për një prani të ndjeshme të diasporës tonë në jetën e vendit dhe jo një emigracion tonin kaq të begatë dhe dëshpërues.
Shqipëria është Perëndim, kështu dhe donim. Ashtu si dhe me Europën e Bashkuar, adhurimi dhe aleanca me SHBA është historike, e ëndërruar, vendimtare, me të ardhme dhe do të donim që politika dhe diplomacia e vendit tonë të ishin më produktive, të kultivuara, me një program mbarëkombëtar, me strategji të tillë.
Populli e di që marrëdhëniet me SHBA janë jetike, shpëtimtare, edhe qeveritë tona të bëjnë çmosin që ato të forcohen vazhdimisht, të bëhen të shumanëshme, që Shqipëria të arrijë sa më shpejt ku e imagjononim 2 apo 3 dekada më parë.

5. Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa.
Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?
Përgjigje: Dhe përgjigjia ime dua të jetë po aq e drejpërdrejtë: e mira dhe e keqja në tranzicionin shqiptar, sipas meje, janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën si vëllezërit siamezë.
E kam thënë dhe herë tjetër, ne na u desh të ndërtojmë demokracinë me kundërshtarët e demokracisë, krahas të keqes kjo ka dhe të mirën e saj, ne po ndërtojmë kapitalizmin me armiqtë e kapitalit, të pronës private, të dikurshmit natyrisht, si të thuash me ata që bënin socializmin real ose me bijtë e tyre dhe kjo ka të keqen e saj, që është dhe e mira, pra “kundërshtarët u bënë me ne”. Që armiqtë t’i kthesh në vëllezër, është biblike. E kundërta që po ndodh, që vëllezërit kthehen në armiq e vrasin njëri-tjetrin për pronën, është punë e djallit. Lidhjet me djallin kënë mbetur ende të forta.
Nuk na duhet një demokraci pa virtyte, thoshte Shën Gjon Pali II, ai që punoi aq shumë dhe për rrëzimin e Murit të Berlinit, papa i parë që vizitoi Shqipërinë.
Pamjaftueshmëria si virtyte e drejtësë, e dhimbjes, e të bërit mirë, e dashurisë, e pendimit, e faljes, e së bukurës, etj, është keq. Kthimi te virtytet, te ato e te të tjera, te dëshirat për dije e punë, për t’iu gjendur tjetrit, atdheut, ëshë mirë dhe duhet patjetër që t’u kthehemi më me frymëzim, duke shëmbur çdo mur pengues, që fitoret e demokracisë shqiptare të mos jenë dhe fataliteti i kësaj demokracie. Jo më fitore në humbje dhe as humbje në fitore!

6. 93 % e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave.
Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”.
Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve?
Përgjigje: Ndoshta dhe i prekëm disi më lart, janë disa nga çështjet e tranzicionologjisë, besoj. Jemi një popull i traumartirizuar, (m’u desh ta krijoj këtë fjalë për të dhënë bashkë traumën dhe martirizimin), dolëm nga terri dhe barbaria më e madhe në Europë, më të varfërit dhe më të gënjyerit.
3-4 shqiptarëve së bashku u takonte nga një bunker që tani nuk duhen për asgjë, ndërsa shumica e familjeve shqiptare jetonte në apartamente të ngushta, madje dhe dy dhe tre kurora në në shtëpi. Jetonim si në rrethim dhe prinim armikun që s’vinte e s’vinte.
Drejtuesit në shumicë, pa dashjen e tyre, tani kanë në mendësi atavizma nga sistemi i dikurshëm socialist, nga ato praktika, qëndrime e interesa, ndërkohë janë në një proces të ri, ku nuk mungon përkushtimi, fantazia dhe shkenca si dhe interesi vetanak ndaj sistemit të tanishëm kapitalist dhe prapë, pa dashjen e tyre, kështu më duket, është arritur një kapitalizëm parak, i egër si për të na thënë se ja, kjo është ajo që deshët, duke u mbajtur gjallë ndërkohë dhe nostalgjia e dëmshme për sistemin e kaluar, në përpjekjet vetanake të gjithsecilit për t’u pasuruar sa më shpejt, por jo me mundësitë e atyre që dalin në krye të vendit, ku korrupsioni është tronditës.
Populli ynë dëshiron shumë e vepron pak, ka dhe egon e mirë, por jo ndërgjegjësimin dhe kulturën e bashkësisë, e kolektivitetit, i tmerruar nga kolektivizimet në diktaturë.
E do dhe e pret integrimin në BE. Me padurim. Meqënëse ai vonon, prnadja dhe ikin për andej. Është klasa politike që s’ia ka dalë të gjejë rrugën më të shkurtër për atje, për të mos thënë se ndonjëherë i intereson dhe status-quoja. Nuk janë plotësuar kushtet, një pjesë të cilave dëmtojnë interesat e vetë klasës politike, korrupsioni alarmant, papunësia e ndjeshme, paaftësia drejtuese, zhvillimi i pa planifikuar, importi më i madh se eksporti, infrastruktura e prpapmbetur, çinteresimi flagrant për kulturën, etj, etj.
Si faktor i parë është që ne jemi vonë për tek vetja… Dhe “Treni i integrimit” nuk pret. Dhe vetë BE nuk ka unitetin e duhur dhe një venitje të dëshirës për zgjerim, pa zemërgjerësinë dhe kujtesën e duhur, se Shqipëria me Skënderbeun në krye u bë mur mbrojtës për Europën 500 vjet më parë, u vranë dhe u dogjën shqiptarët dhe ballkanasit, pa pati një lulëzim në bregun tjetër, një Rilindje Europiane, Da Vinç e Mikelanxhelo e Makiavel. Duket si legjendë, kur e themi, por është histori dhe borxh. E meritojmë Europën dhe na meriton Europa me pak punë të përbashkët që Shqipëria të mos presë “ende tek porta”.- siç thoni ju. Pra, pas mureve të padukshëm…

7. A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?
Përgjigje: Nuk është ngritur ende në atë lartësi, por klasa politike ka ngritur lart një tjetër mur të padukshëm përreth vetes, duke iu larguar realitetit të popullit të vet dhe Europës ngjitur.
Dhe Muri, e përsëris, është dhe politikë. Ndërkaq ka një gjithëpërfshirje në një si “sindromë muri”, që një pjesë e duan ta kenë, i mbron në vetëveçimin e tyre dhe të tjerët që nuk duan mure, t’i rrëzojnë kudo, edhe atje ku janë mure mbrojtëse.
Nga kjo sindromë nuk mund të dilet kollaj. As unë nuk rri dot pa treguar një poezi timen, pa poezi nuk ka Europë, e kam shkruar në Gjermani në 1993, është në librin tim, “Mbjellja e vetëtimave”, që u botua një vit më pas në Shkup, duke rrëzuar kështu mure të tjerë rreth vetes. Po e sjell dhe si tregues dhe dëshmi të njeriut që u dënua për poezi nga Muri dhe del nga dënimi dhe shkruan pranë atij Muri të rënë. Në Europë.

NJË COPË GUR NGA MURI I BERLINIT

Urrej të ndjek si dhe të prij.
Fridrih Niçe

Mos harro
të më sjellësh një copë të vogël guri
nga muri i shëmbur i Berlinit, miku im i huaj!

Kur ta mbaj në duar, e di, do të dridhen
kufijtë e përgjakur, burgjet, selitë e tiranëve
do të ndiejnë gërryerje dhe
do të duan të bien si në një mallkim.
Gurët në veshka do t’i shkaktojnë kriza të tjera shtetit.
Do të ndjehen keq piramidat, do të lëvizë shkretëtira
valë-valë e zemërimit,
Muri i vjetër kinez –
si një rresht pleqsh të lagur në azilin e historisë.

Oh, sa frikë kanë tani nga ky gur i pakët, i dhuruar,
që unë e kam lënë mbi tryezën e punës. E prek
si një plagë të përtharë dhe menjëherë lëvizin
të vrarët nën dhé, ata që deshën të kapërcejnë muret,
telat me gjemba, vdekjen…
Dhe gurët e varreve pendohen.

Dhe do të desha të shtoj dhe këto vargje:

– Ku e gjete, nga ç’planet erdhi ky gur? –
do t’më pyeste im bir.
– Nga një planet i rënë, – do t’i thosha, teksa shihja flatrat
që po rriteshin mbi supet e tij..

Dhe vërtet kam një copëz guri nga Muri i Berlinit në shtëpi, ma dha një mik gjerman, ia kërkova, e dua, i thashë, ç’të jetë, tullë, shkëmb, ndërsa ai më kërkoi diçka nga shtatorja, dhe ajo e rrëzuar, e Enverit. S’kisha bronz të thyer, vetëm ca mermeri nga piedestali, e ndava.
Të rrezikshme ato janë kur i mban në kokë. Shkëmbime të tilla në natyrë, kaq emocionuese, më janë dukur si paraprirje të marrëdhënieve të vendit tim me Europën.
Pastaj e pashë dhe unë Murin në Berlin, pjesë të tij në tre vende të ndryshme, në Berlin së pari, ku e kishin lënë ndoku, ku nuk pengonte rrugën, për kujtesën. Ai s’ishte prej tullash siç e kisha menduar, por bashkime masivësh të larta betoni. Pra tullat, me të cilat kisha punuar dikur, nuk shërbenin për mure kësisoj. Vura re se në faqen Lindore Muri ishte tejet i shkretë, gri e zbrazët, kurse nga faqja Perëndimore ishte plot me grafite, vizatime ngjyra-ngjyra, fjalë, profile, puthje, etj. Dhe e kujtova se në anën Lindore nuk lejohej të afroheshe, të qëllonte me automatik menjëherë ushtari si në kufi, të vriste për tentativë arratisjeje. Oh, sa shumë janë vrarë e janë zvarritur kufoma të përgjakura!
Po kështu ishin dhe ato pjesë autentike të Murit të Berlinit, që i shpërngulën duke kaluar oqeanin në Uashington, i pashë në një muze të tij dhe kështu është dhe në Tiranë ajo copëz Muri, e vendosur në hyrje të “Bllokut”, megjithëse në faqen që i takonte Lindjes, dikush ka hedhur ngjyra.
Tani që nga kjo copëz Muri në Tiranë dhe deri në Berlin dhe më tej, në Uashington, politika shqiptare has në mure të padukshëm, pengues si të mbetura që para viteve ’90, që s’dihet me sa shpirt e zell u vërvitet për t’i shëmbur. Duhet.

8. Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit.
Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.
Përgjigje: S’ka si të jetë ndryshe, dhe ligji tek ne është si demokracia që kemi, mes mureve të padukshëm. Nëse ndërruan Kushtetuta dhe Legjislacioni, Kodi Penal, etj, gjyqtarët, prokurorë e hetues, etj, ishin po ata të diktaturës, një pjesë e të cilëve kaluan në avokatë, që dikur nuk lejohej dhe kështu nga dënuesit tanë u kthyen në mbrojtësit tanë, të mësuar që drejtësia të ishte pronë e shtetit dhe e sundimtarëve, prandaj dhe më shumë është vepruar ne gjyqësor sipas urdhërave nga lart dhe interesave partiake dhe jo sipas ligjit, i pamjaftueshëm dhe ky.
Ligji është dhe moral, ndërgjegje dhe përgjegjësi, mbrojtje e lirisë dhe e pronës.
Me urgjencë do të duhet një ligj që njerëzit e ligjit të jenë vetëm të ligjit.
Drejtësia është dhe panteon i popullit. Ende s’është ngritur si i tillë.

9. Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja.
Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?
Përgjigje: Herë-herë mendoj se njerëzit ngulmojnë të jenë më shumë të së tashmes dhe të vetes së tyre se sa të së ardhmes dhe të vendit. Është arritur shumë ndërkaq, ndryshime europianizuese, por e them me keqardhje se ka që duan të punojnë pak dhe të kenë shumë e më shumë sot, tani, në çast, pa mund e sakrifica e djersë të ndershme, ja, si ata në krye, thonë.
S’e di se sa me këmbë në tokë jemi bërë. Mua më duket se ka dhe një si çartallosje donkishoteske, ballkanike, ndërsa bota vetë sot përballet me vetveten, me një shoqëri likuide, pa formë e shumëformëshe. Që ne në pjesën tonë e turbullojmë më shumë ujin… Që të flas për të ardhmen, më mirë të marr në ndihmë një nga zërat e së ardhmes, atë që kisha më afër. Më ka goditur ç’shkruante një student i filozofisë, im bir, në një universitet jashtë, në Perëndim, e kam nënvizuar:
I- “A është vërtet vendi im i gatshëm për atë çka aspiron dhe a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”
Pra, mund t’i kemi këmbët në tokë, por kryet në re. Ndërkohë dhe jam dëshpëruar, por kam marrë dhe kurajo e shpresë. Të rinjtë po dinë të na shohin, po dinë të na gjykojnë dhe do të dinë të veprojnë.
Gjenerata ime, unë/ne kemi menduar me teprí se do të vinte bota, Europa, Amerika që do të na shëmbte muret, të dukshëm dhe të padukshëm, e do të na e përparonte Shqipërinë, por mbi të gjitha do të duhej puna jonë, vullneti dhe mënçuria, etj, dhe kur s’ja kemi dalë e jemi ndjerë të penguar, është dëshiruar ikja, të vemi ne te përparimi i botës, në Europë, Amerikë, por ai studenti, brezi i tij, më kanë mrekulluar kur kam zbuluar se po duan ata që ta mëkëmbin Shqipërinë, ta bëjnë si do të donim, duke marrë dije nëpër botë, në universitet më të mira në Europë e SHBA, që me t’u kthyer, t’i përvishen punës për të shembur muret tona e të ndërtojnë të ardhmen.
II. Po vazhdoj të shfletoj librin “Për atë që dua(m)”, të tim biri, Atjonit, dhe ja, një nënvizim tjetër: Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë… Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…
Kryengritje morale? Sa bukur! Sa e rëndësishme! Sa e duhur. Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.
III- Të rinjtë po i kërkojnë rrugët vetë. Po më shtohej besimi: …shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne. Dhe kredoja: TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT.
Ndërkaq mua më ndodhi tragjedia, M’u ndie sikur betonet e Murit të Berlinit e zunë nën vete të ardhmen. Duke parë gjithë këto realitete tronditëse, mos vallë ka dhe tragjizëm në demokracinë shqiptare?

10. Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?
Përgjigje: Duket larg për mua. Nuk shikoj dot. Vetëm të klith mundem… E di se do të jemi më larg se “1984” e George Orwell-it edhe 65 vjet të tjera. Me shumë mure të tjerë të padukshëm të rrëzuar ose duke u rrëzuar. Meritë absolute e logjikës së jetës kjo. Lutem për sa më pak viktima, për më shumë jetë e mirëqenie.
Jo se nuk kam merak, frikë dhe ankth. Të shëmbim mure dhe të ndërtojmë ura, thotë dhe papa Françesku, kurse Presidenti Donald Trump tha së fundmi se e ardhmja nuk u takon globalistëve, por patriotëve.
Globalizimi nuk duhet të jetë humbje e identiteteve, por bashkësi e tyre. Besoj se dhe ne nuk do kemi humbur edhe më. Më shumë se sa Atdhe do të doja të jetë Birdhe. Një Shqipëri më moderne, më humane, më me shpirt, kulturë dhe art, që, shpresoj, do ta ketë zbutur dhe arkitekturën e saj të çartur të qyteteve, si grafik i mendjeve tona, me blunë e qiell-detit tonë dhe të blertën e pyjeve dhe ëndrrave tona, euroatlantike patjetër, por sipas 2049 dhe më e rëndësishme mbetet porosia, që uroj të jetë profeci: “të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut”.

Intervista – Kurti: Dialogun do ta udhëheq unë, jo presidenti (video)

Arton Konushevci

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ardhja e tij në postin e kryeministrit, do të thotë fillimi i qeverisjes së mirë me një njeri, i cili e kupton që politika është shërbim, që politika është përfaqësim, dhe që politika është vullnet e vizion. Ai thekson se dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë ai, dhe se presidenti nuk do të mund të udhëheqë më me këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju jeni takuar me udhëheqës të LDK-së për të biseduar rreth arritjes se një konsensusi për formimin e Qeverisë. A ka ndonjë rezultat konkret nga takimi?

Albin Kurti: Ish-kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, zonja Vjosa Osmani, erdhi bashkë me kryetarin e partisë së saj, profesor Isa Mustafën, unë isha bashkë me profesor Besnik Bislimin, diskutuam hapur dhe fillimisht e uruam njëri-tjetrin, për të kaluar pastaj tek interesi ynë kryesor, ekipet e ekspertëve për harmonizimin e programit në njërën anë, dhe në anën tjetër, për reduktimin e numrit të ministrive, me ç’rast do ta synojmë numrin 12 të ministrive, ku së paku 30 për qind edhe sa i përket ministrave dhe zëvendësministrave do të jenë gra.

Gjithashtu, u dakorduam se duhet të ecim shpejt përpara, meqenëse edhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta, por edhe koha e humbur është bukur e madhe.

Radio Evropa e Lirë: A është posti i kryeministrit i padiskutueshëm në këto negociata?

Albin Kurti: Më herët ka qenë i diskutueshëm, më 6 tetor është vendosur një gjë e tillë, e ka përcaktuar populli se kush do të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës me diferencën e Lëvizjes Vetëvendosje krahasuar me Lidhjen Demokratike, është përcaktuar nga qytetarët e Republikës sonë se unë jam kryeministri i ri.

Radio Evropa e Lirë: Mbase mund të jetë herët çështja e ndarjes së ministrive, por cilët resorë i shihni si të domosdoshëm për LDK-në dhe Vetëvendosjen, duke marrë parasysh edhe kapacitetet e partive?

Albin Kurti: Porsa ta harmonizojmë programin, që do ta bëjmë shumë shpejt, ne do t’i ndajmë edhe përgjegjësitë sa i përket ekzekutivit tonë, por unë nuk mund të them se në këtë ministri të veçantë do të kemi këtë emër të përveçëm të këtij apo atij subjekti.

S’kemi nevojë për parti tjera në koalicion

Radio Evropa e Lirë: Përveç LDK-së, a parashihni se mund të ketë ndonjë parti tjetër nga radhët e shumicës si pjesë e koalicionit?

Albin Kurti: Nuk e parashoh një mundësi të tillë, mbase edhe për shkak se nuk ekziston një nevojë e tillë. LDK-ja dhe LVV-ja së bashku i kalojnë 61 deputetë, ne do të fillojmë kontaktet edhe me pakicat joserbe, në mënyrë që edhe 10 ulëset e garantuara pakicat joserbe të jenë në qeveri, por sa i përket pakicës serbe, fillimisht do të shohim se çka është e mundur të bëhet me politikanët serbë, të cilët e pranojnë pavarësinë e Kosovës, e njohin Republikën e Kosovës, e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe të cilët fatkeqësisht edhe kësaj radhe u ndodhën nën trysninë edhe të Beogradit, por në të njëjtën kohë janë viktima të shkeljeve të panumërta të procesit zgjedhor më 6 tetor, siç kanë konstatuar tashmë edhe vëzhguesit tanë.

Radio Evropa e Lirë: Do të respektoni Kushtetutën që për të pasur një koalicion dhe fillimisht do të nisni negociatat me serbët që nuk janë pjesë e Listës Serbe apo më pas do të bisedoni edhe me Listën Serbe?

Albin Kurti: Natyrisht se ne do të respektojmë Kushtetutën, por të respektosh atë nuk do të thotë se nuk ke strategji politike. Strategjia jonë politike, e cila ka një bazë etike, është që fillimisht të kontaktojmë dhe të shohim të gjitha mundësitë për inkuadrimin e serbëve të Republikës së Kosovës, të cilët e njohin dhe e pranojnë shtetin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Me kë konkretisht planifikoni këtë dialog dhe cili do të jetë qëllimi?

Albin Kurti: Pa dyshim që emrat si Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Petar Miletiq e të tjerë, janë ata të cilët i kemi në mendje kur i mendojmë serbët, të cilët kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kanë vendosur të jetojnë në Kosovë dhe duan që të kontribuojnë në shtet-ndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë, për dallim të atyre, të cilët i kanë dirigjentët në Beograd dhe vijnë në Kosovë për të provokuar. Unë besoj që qytetaret serbë të Kosovës pakrahasimisht kanë probleme më të mëdha me Beogradin, sesa me Prishtinën.

Radio Evropa e Lirë: Çka do të thotë ardhja e Albin Kurtit në pozitën e kryeministrit të Kosovës?

Albin Kurti: Do të thotë fillimi i qeverisjes së mirë me një njeri, i cili e kupton që politika është shërbim, që politika është përfaqësim, që politika është vullnet që politika është vizion dhe se jemi këtu ku jemi, duke iu falënderuar popullit, nga i cili edhe nuk ndahemi dhe rikthehemi.

Radio Evropa e Lirë: Bashkësia ndërkombëtare pret që sa më parë të vazhdojë dialogu me Serbinë, por Serbia vazhdimin e dialogut e kushtëzon me heqjen e taksës. A jeni të gatshëm ta pezulloni apo shfuqizoni taksën?

Albin Kurti: Ne jemi jo vetëm të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011. Serbia nuk mund të presë që ajo të sillet mbrapsht e keq me neve, e ne të mos e mbrojmë interesin tonë.

Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri- tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, a mendoni se pala serbe do ta pranojë këtë reciprocitet?

Albin Kurti: Nuk e di, por unë besoj që faktorët ndërkombëtarë do të kenë mirëkuptim për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Flasim për një çështje tjetër, çështjen e dialogut… Kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë nga Kosova, dhe a do të udhëtoni bashkë me presidentin në Bruksel?

Albin Kurti: Dialogun do ta udhëheq unë, si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, meqenëse shteti ynë i pavarur është republikë parlamentare, është obligim kushtetues dhe ligjor edhe në bazë të aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese të këtij viti që unë të jem në krye të ekipit negociator, të ekipit të dialogut për raportet me Serbinë. Presidenti i Republikës së Kosovës është, po ashtu, përfaqësues i politikës së jashtme, mirëpo nuk mund të jetë më krijues i politikës së jashtme siç ka pretenduar në këto dy vitet e fundit.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, udhëtimi do të jetë, nëse kërkohet, bashkë me presidentin Hashim Thaçi në Bruksel?

Albin Kurti: Nuk e di nëse do të rastisim në avionin e njëjtë ndonjëherë, mirëpo në Bruksel delegacionin, ekipin tonë do ta udhëheq unë dhe presidenti i Republikës së Kosovës nuk do të jetë i përjashtuar, mirëpo nuk do të mund ta udhëheqë më.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që në fund të dialogut të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dy palët, Kosovën dhe Serbinë?

Albin Kurti: Ne presim që dialogu të jetë solid, sepse i përgatitur mirë dhe me parime të qarta të dakorduar me Brukselin paraprakisht, pra, një dialog me Brukselin para dialogut me Serbinë, në mënyrë që dialogu të mos dështojë. Pjesë e kësaj është edhe një lloj bilanci që do ta bëj brenda muajit të parë të Qeverisë sonë për 33 marrëveshjet e nënshkruara përgjatë dialogut 6-vjeçar 2011-2017, lidhur me shkallën e zbatimit të tyre dhe gjithashtu me përmasën e ndikimit në realitetin e qytetarëve pa dallim etnie.

Ndarazi prej kësaj, unë do të filloj qysh në javën e parë një dialog me pakicat në Kosovë, përfshirë këtu edhe pakicën serbe, por edhe me pakicat e tjera, dialog ky për zhvillim e për integrim në mënyrë që shoqëria jonë të jetë sa më kohezive dhe ta theksojmë atë që e kemi të përbashkët e të mos e vendosim si gjë të parë atë që edhe na dallon. Rolet tona shoqërore, funksionet tona ekonomike si qytetarë të republikës, do të jenë në rend të parë, pra një lloj rrafshi universal i të gjithë qytetarëve do të ketë prioritet karshi dallimeve që mund t’i kemi.

Radio Evropa e Lirë: Si e parashikoni marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe a jeni të gatshëm për kompromis, qoftë për ndryshim të kufijve, apo për krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serb?

Albin Kurti: Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i tillë çfarë është nënshkruar me datën 25 gusht të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një aktgjykim me datën 21 dhjetor të viti 2015 dhe të publikuar dy ditë më vonë me 23 dhjetor 2015 dhe ka thënë se secili prej shtatë kapitujve të atij asociacioni, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 nene.

Realisht, Asociacion nuk ka më. Dhe, është interesante që asnjë serb i Kosovës nuk u ankua. Vetëm Beogradi dërgoi notë proteste. Unë mund t’i dëgjoj kërkesat për përmirësimin e jetës së pakicave në Kosovë, por jo për pretendimet territoriale siç ekzistonin në shekullin e njëzetë apo nëntëmbëdhjetë. Pra, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si i tillë, nuk do të mund të zbatohet në Kosovë.

Serbët do t’i kenë të drejtat qytetare dhe të tjera të parapara me ligjet e vendit tonë. Ndërkaq, ato projektet për shkëmbime territoriale kanë dështuar, nuk them se ajo ide ka vdekur. Por, që nga protesta masive e 29 shtatorit të vitit të kaluar e deri te Qeveria jonë e re që vjen nga verdikti i popullit më 6 tetor mund të thuhet se edhe i takon së kaluarës.

Serbisë do t’ia dërgojmë një listë me kërkesa

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se është e mundshme një marrëveshje me Serbinë pa një ndonjë kompromis?

Albin Kurti: Unë besoj se Serbisë duhet t’ia dërgojmë një listë të kërkesave si borxhli i yni që është prej suksesioni të Jugosllavisë deri të reperacioni i luftës. Le të na e dërgojë edhe ajo një listë se çka mendon se ne i kemi borxh. Unë nuk mendoj që i kemi borxh Serbisë. Unë do të flisja tash për kompromiset e koncesionet, por, sinqerisht e seriozisht, duhet t’i sqarojmë pozicionet tona. Dhe, Serbia duhet të pushojë se shikuar shqiptarët me dylbi ushtarake, por do të duhej ta shikonte veten si politikë në pasqyrë.

Pa u ballafaquar Serbia me të kaluarën e saj, nuk mund të ketë paqe e pajtim. Sa më herët që Serbia e bën këtë gjë, është më mirë jo vetëm për Serbinë. Fundi i dialogut tonë natyrisht që duhet ta përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë dhe gatishmërinë e tyre për t’u ballafaquar me të kaluar dhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e nevojshme dhe zhdëmtimet e domosdoshme për viktima.

S’do të jem arrogant ndaj opozitës

Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë shkalle mund të shkojë bashkëpunimi juaj me opozitën dhe për cilat çështje mendoni se bashkëpunimi është mëse i nevojshëm?

Albin Kurti: Do ta shihni që unë, si kryeministër i ri i Kosovës, nuk do të kem asnjëherë arrogancë ndaj opozitës, por gjithnjë respekt dhe gatishmëri për bashkëpunim. Unë nuk do të lejoj që Serbia të futet si pykë në skenën politike kosovare, por në ekipin tonë të përbashkët për dialog me Serbinë do t’i përfshij edhe politikanët edhe kuadrot e opozitës, sepse nuk e kemi komoditetin të ndahemi për këtë çështje. Le të ballafaqohemi, le të diskutojmë, e lë të polemizojmë për zhvillimin ekonomik, për sistemin tatimor, për mirëqenien sociale, për arsim e shëndetësi, por jo edhe për Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: A do të vazhdoni të angazhoheni edhe më tej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?

Albin Kurti: Nuk është që ne si shqiptarë angazhohemi për bashkim të Kosovës me Shqipërinë politikisht, po është vetë bashkimi si i tillë si një lloj intence historike e shqiptarëve që shprehet nëpërmjet vetë shqiptarëve. Le të mos harrojmë se nuk mund të gjeni një popull tjetër ku ka emra burrash si Flamur e Bashkim.

Dhe, për mendimin tim natyrisht që jemi të interesuar për afërsi sa më të madhe me Shqipërinë, për hapa integrues me të, por detyrë mbi detyrat e kemi ta shpëtojmë shtetin e Kosovës nga kapja. Ta ngre në këmbë republikën tonë me drejtësi, me zhvillim, me barazi, me luftim të korrupsionit, me zbutje të papunësisë dhe të varfërisë dhe kësisoj unë e shoh edhe integrimin me Shqipërinë edhe integrimin evropian nëpërmjet suksesit të shtetit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni se si do të ndodhë kjo afërsi mes dy shteteve?

Albin Kurti: Ato mbi 50 marrëveshje të nënshkruara do të fillojnë të zbatohen me shpejtësi. Do të krijojmë mekanizma të përbashkët, sepse jemi një komb me dy shtete dhe është për të ardhur keq vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që edhe kanë luftuar me njëra-tjetrën në të kaluarën e afërt, janë shumë më shumë të integruara sesa Kosova me Shqipërinë, të cilat e kanë përjetuar veten bashkë dhe e kanë ndihmuar edhe në luftë edhe në paqe njëra-tjetrën.

Intervista – Buxhovi: Handke është një prozator i mirë, por më radikal se serbët

Valona Tela

Historiani dhe publicisti kosovar, Jusuf Buxhovi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kujton qëndrimet politike të shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili të enjten u shpërblye me Çmimin Nobel për Letërsi. Në takimet që ka pasur me të, Buxhovi thotë se ai vazhdimisht e mbronte politikën e Millosheviqit. Por, thekson Buxhovi, në aspektin letrar, Handke njihet si një nga prozatorët më të mirë bashkëkohorë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Buxhovi, shkrimtari austriak, Peter Handke, u shpall të enjten fitues i Çmimit Nobel për Letërsi. Si e komentoni ju këtë vendim, marrë parasysh se Handke njihet edhe si figurë kundërthënëse? Mes tjerash, ai ka marrë pjesë në varrimin e Sllobodan Millosheviqit.

Jusuf Buxhovi: Akademia e Shkencave e Suedisë ndan Çmimin Nobel për të arritura letrare, në bazë të kritereve të veta. Në këtë kuptim, mendoj se nuk mund t’i bëhen vërejtje asaj, sepse Handke si shkrimtar është i mirë, është një ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë në gjuhën gjermane.

Radio Evropa e Lirë: Domethënë, ju e njihni punën e tij. Çfarë shkruan Handke?

Jusuf Buxhovi: Është një prozator shumë i mirë. Edhe në arsyetimin e Akademisë së Shkencave përmendet shumëllojshmëria e tij e gjuhës. Por natyrisht se duhet të flitet edhe për aspektin politik. Siç e thatë edhe ju më herët, ai ka qenë i angazhuar gjithë kohën në anën e Millosheviqit, para, gjatë dhe pas ofensivave të tij. Pra, ka qenë një militant i politikës së Millosheviqit. Handke e ka nënën sllovene. Dy-tri herë, në esetë e tij, në shkrimet e tij, ka thënë se e ndjen veten sikur të ishte serb. Edhe në librin e tij të fundit, për të cilin është polemizuar mjaft, thotë se Serbisë i është bërë e padrejtë, se serbët janë popull që meritojnë vëmendje… Këtu dua të them se Akademia e Shkencave objektivisht e respekton aspektin letrar, megjithatë nuk mund të ndahet as kjo pjesë. Handke ka pasur kritika dhe vërejtje edhe nga vetë shkrimtarë të njohur gjermanë, si Gunter Grass e tjerë.

Radio Evropa e Lirë: Ju e keni takuar Handken? Si e njihni ju?

Jusuf Buxhovi: E kam takuar disa herë. Si korrespondent i Rilindjes në Gjermani, diku në vitet ’85 – ’86, kam qenë me të në një mbledhje, ku ka marrë pjesë edhe Gunter Grass. Grass ka qenë shumë i ashpër ndaj tij, sepse edhe atëherë ai ishte mbështetës i Millosheviqit. E kam takuar edhe në vitin ’88 apo ’89 në Panair të Librit në Frankfurt. Aty kishte një konferencë për shtyp dhe po ashtu mbronte politikën e Millosheviqit. Dhe e kam takuar në vitin 2003 apo 2004 kur ka marrë një shpërblim shumë reprezentativ nga Panairi i Frankfurtit. Edhe aty hapur ka thënë se bombardimi që i është bërë Serbisë, ka qenë i njëanshëm dhe nuk i përfillte fare argumentet se bëhet fjalë për mbrojtjen e një populli kundër gjenocidit.

Radio Evropa e Lirë: Handke në një intervistë për gazetën amerikane New York Times, në vitin 2006, ka thënë se mendon se “nuk ka gjasa për Nobelin pas deklaratave të tij për Jugosllavinë”. Duket se as ai vetë nuk e ka pritur…

Jusuf Buxhovi: Ai gjithë kohën ka qenë propagandist. Madje, mund të thuhet se ai nuk ka qenë ndër ata shkrimtarë që është blerë nga propaganda serbe. Ky ka menduar ashtu. Prej takimeve me të, unë mund të them se ai ka menduar sinqerisht në mënyrë më radikale sesa vetë radikalët serbë. Kjo është e çuditshme për një shkrimtar që jeton në Perëndim, që ka një kulturë tjetër dhe mbron një politikë hegjemoniste. Ka shkrimtarë të tillë, nuk është rast i veçuar. Është edhe Emir Kusturica një regjisor i mirë, që gjithë kohën e ka mbrojtur politikën e Millosheviqit. Por ne duhet ta kemi parasysh se Akademia e Shkencave të Stokholmit i ka kriteret e veta.

Radio Evropa e Lirë: Ju, personalisht, e keni pritur se Handke mund të jetë një ditë laureat i Çmimit Nobel?

Jusuf Buxhovi: Unë nuk e kam menduar se do të jetë Laureat i Çmimit Nobel pikërisht për shkak të këtij qëndrimi. E përsëris se si shkrimtar është i mirë, ndër më të mirët në hapësirën gjermane. Ai është i Austrisë, por po flas për hapësirën gjuhësore gjermane. Është një ndër shkrimtarët më reprezentativë sot.

Intervista – Albin Kurti: Problemi ynë më i madh me Thaçin është raporti i tij me Serbinë

Autori: Blendi Fevziu

21:47 09/10/2019

Intervistë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Albin Kurti në “Opinion”: Në parim, LDK ka pranuar të ketë koalicion

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion” se Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar në parim të hyjë në koalicion me ta për krijimin e qeverisë së re.

Në parim kanë pranuar që të kenë koalicion me ne. Kanë pranuar që të kenë koalicion me ne dhe ne nesër do të kemi një takim ku do të marrim pjesë unë dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Prof. Besnik Bislimi, ndërkaq nga LDK do të jenë prof. Isa Mustafa dhe kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Kurti tha se LVV dhe LDK nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse të hyjnë në koalicion sëbashku.

Pra ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi të dënuar të bashkëpunojmë. Ishim opozitë të dyja, ndryshimi nënkupton që opozita bëhet qeveri dhe mu këtë gjë e ka dashur populli me pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 6 Tetorit.

Kurti tha se posti i Kryeministrit nuk është në tryezën e negociatave, pasi sipas tij këtë e ka vendosur populli në kutitë e votimit, kur e nxori LVV si parti të parë.

A do të kërkojë Kurti shkarkimin e Hashim Thaçit?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të kërkojë shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi.

Blendi Fevziu: Është folur që mund të kërkoni shkarkimin e Presidentit të Kosovës, Zotit Hashim Thaçi. Është e vërtetë?

Albin Kurti: Ne gjithmonë e kemi kërkuar këtë gjë.

Blendi Fevziu: A do të merrni ndonjë akt në këtë drejtim, se sot keni vota?

Albin Kurti: Nuk kemi vota për ta bërë shkarkimin.

Blendi Fevziu: Po me ç’shkak do kërkoni ta bëni shkarkimin, se kjo kërkon edhe një argumentim?

Albin Kurti: Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje, është sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?

Albin Kurti: Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para 3 viteve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviçit.

Çfarë pritet t’i ofrojë Albin Kurti LDK-së në negociatat për qeverinë

Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme, postin e Presidentit të Kosovës ta marrë Isa Mustafa, megjithatë ai thotë se momentalisht prioritet është formimi i kabinetit qeveritar. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion”, Kurti u shpreh besimplotë se qeverisja me Vjosa Osmanin do të jetë e mirë. I pyetur për vizionin e tij, sa i takon postit që mund të mbajë në qeverinë e re zonja Osmani, kreu i LVV tha se qoftë Ministren e Punëve të Jashtme, qoftë Kryeparlamentaren, ajo do ta bënte shumë mirë.

Blendi Fevziu: A do të bënit ju një marrëveshje me LDK, për shembull që duke marrë Kryeministrin t’i lëshonit zotit Mustafa, në të ardhmen, brenda afatit që nevojitet, postin e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës?

Albin Kurti: Nuk e përjashtoj mundësinë që mund ta diskutojmë këtë gjë në të ardhmen. Por edhe njëherë po theksoj që tani për tani kemi një prioritet tjetër, është formimi sa më parë i kabinetit qeveritar.

Blendi Fevziu: Nëse unë ju pyes, edhe pse është shumë e parakohshme, që ku do ta shihnit ju personalisht zonjën Osmani në qeverinë tuaj, çfarë përgjigje do më jepnit?

Albin Kurti: Unë besoj që tani i takon zonjës Osmani që ta flasë. Ajo ka dashur që të bëhet Kryeministre e Republikës së Kosovës, tani duhet ta shohim se cili është plani B. Unë nuk e di cili është plani B, por do ta diskutojmë nesër këtë gjë.

Blendi Fevziu: Ky është plani i saj, por në fakt cili është vizioni juaj?

Albin Kurti: Unë kam pasur bashkëpunim shumë të mirë me zonjën Osmani çdo herë, si kolegë deputetë që kemi qenë. Edhe në legjislaturën e 4, edhe të 5 edhe të 6, besoj që edhe do të qeverisim mirë bashkë. Ajo ka qenë kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme, Komisionit Parlamentar në mandatin që shkoi.

Blendi Fevziu: Aq më tepër që dialogu me Serbinë në këtë moment kërkon një konsensus përtej Vetëvendosjes…

Albin Kurti: Pa dyshim, por nëse shikoni votimet e zonjës Osmani për çështjet me Serbinë, përputhen pothuajse 100 % me Vetëvendosjen. Zonja Osmani e ka kundërshtuar madje dhe marrëveshjen Thaçi-Daçiç të 19 Prillit 2013, para 6 viteve gjysma e ka votuar. Prandaj kemi një shans shumë të mirë me të dhe gjithashtu unë besoj që qoftë Ministren e Punëve të Jashtme qoftë Kryeparlamentaren do ta kryente shumë mirë. Kjo është edhe vokacioni i saj nga përvoja parlamentare që kemi bashkë.

Kurti: Dialogun me Serbinë do ta drejtoj unë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se nuk do të jetë një kryeministër arrogant me opozitën dhe se bashkë me këtë të fundit do të krijojë një ekip negociator për dialogun me Serbinë. Këtë dialog thotë se do ta drejtojë vetë ai, ndërsa drejtimin e këtij dialogu nga Presidenti i Republikës e cilëson të gabuar.

Blendi Fevziu: Nëse do të shkoni në dialog me Serbinë, duket që SHBA e kanë marrë shumë seriozisht këtë dialog, përderisa Presidenti Trump ka caktuar një të dërguar special përtej atij për Ballkanin, një të ngarkuar direkt të tijin për dialogun Kosovë-Serbi. Sa të përfshira do të jenë SHBA-të në këtë dialog?

Albin Kurti: Do të jenë shumë të përfshira, ne kemi edhe letrën e Presidentit Trump nga Dhjetori i vitit të kaluar. Mirëpo Presidenti Trump aty thotë se ne duhet të flasim me një zë unik në Kosovë, gjë që nuk ka qenë rasti në dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Dhe ju mendoni se do ta keni zërin unik si Kryeministër?

Albin Kurti: Unë si Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës nuk do të jem arrogant ndaj opozitës, do të krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën dhe nuk do të lejoj që Serbia të futet si pykë në skenën politike kosovare, të në ndajë e të na përçajë.

Blendi Fevziu: Kush do ta drejtojë dialogun me Serbinë?

Albin Kurti: Unë.

Blendi Fevziu: Kush ju mandaton për këtë?

Albin Kurti: Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një shtet të pavarur që është republikë parlamentare dhe demokratike, kjo më takon.

Blendi Fevziu: Deri tani është marrë Presidenti i Republikës me këtë çështje.

Albin Kurti: Gabimisht pra, prandaj edhe dështoi.

Blendi Fevziu: Do të përjashtohet krejtësisht apo do të përfshihet edhe Presidenti në dialog.

Albin Kurti: Jo këtë do ta udhëheq unë. Presidenti i Republikës së Kosovës do të jetë president, por ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme, jo krijuesi i politikës së jashtme. Ai është sjellë si krijues i politikës së jashtme, ai nuk mund të jetë më krijuesi i politikës së jashtme.

“Më ka ofenduar vajzën minorene”, Albin Kurti i përgjigjet Vuçiçit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të dielën, tha se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është në siklet me ardhjen e tij në krye të qeverisë.

Kurti po ashtu iu përgjigj edhe akuzave të Vuçiç, se lideri i LVV i ka ofenduar edhe vajzën minorene.

Blendi Fevziu:  Vuçiç, në një intervistë për Tv Klan, që do të transmetohet nesër, thotë se “nëse do të jetë më e vështirë apo jo, nuk e di, por për mua është më e vështirë që nuk kemi një zgjidhje kompromisi. Dhe unë flas për gjëra serioze, jo për gjëra personale, siç është ajo që Albin Kurti ka ofenduar bijën time minorene, duke e përfshirë në procese politike. Sepse njerëzit e ndershëm nuk e bëjnë këtë, por ta lëmë anash”.

Albin Kurti: Ta lëmë anash, por e përmend.

Blendi Fevziu: Vuçiç thotë “sa i përket Beogradit dhe Prishtinës, unë mund të them se nëse nuk dëshironi kompromis, nuk ka problem njerëz, vetëm na njoftoni dhe më thoni që nuk duam kompromis, dhe ne do të jemi në rregull. Do të vazhdojmë kështu të jetojmë, ne pak më mirë, se ju dhe me një autoritet më të madh në bashkësinë ndërkombëtare, që më vjen keq, por kjo është zgjidhja juaj me sa duket”. Pra ai thotë, nëse s’doni, mund të vazhdojmë secili, që do të thotë, stanjacion ose status-quo.

Albin Kurti: Ai ka një siklet të madh sepse me ardhjen time kryeministër ai zbulohet në të vërtetën e tij origjinale. Që është që kur unë fillova në politikë si udhëheqës studentor, ai ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit.

Blendi Fevziu: Jeni takuar me të?

Albin Kurti: Jo nuk e kam takuar, nuk e kam takuar kurrë. Por unë bëja protesta në Universitetin e Prishtinës, ai jepte intervista në Hotelin Grand, ku ndodheshin Tigrat e Arkanit. Pra ai e kupton shumë thellë çka do të thotë ardhaj e LVV në qeveri dhe e imja si kryeministër. Prandaj është ky siklet.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, ia keni përmendur vajzën?

Albin Kurti: Kur ka ardhur në Kosovë në Shtator, as që kam ditur që ka vajzë ky e që ka djalë Thaçi, skam ditë gjë. Unë kam thënë në parim që këta të dy, aq shumë janë afruar e duan të bëjnë marrëveshje si monarkë mesjetarë, vetëm ju ka ngelur edhe të bëjnë krushqi e t’i martojnë fëmijët e tyre. Idenë nuk ia kam pasur çfarë kanë këta.

Albin Kurti tregon pse u “ftoh” me Ramën

Mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, shpjegoi edhe arsyet se pse është “ftohur” marrëdhënia e tij me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Megjithatë, ai tha se kërkon të ketë marrëdhënie të mira me homologun shqiptar dhe se do ta takojë atë shumë shpejt.

Blendi Fevziu: Si janë raportet tuaja me Kryeministrin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Raportet i kemi pasur shumë të mira, tash nuk mund të them se i kemi shumë të mira, por unë dua t’i përmirësoj ato për shkak se ne nuk jemi persona të veçantë, por krerë shtetesh.

Blendi Fevziu: Pse u prishët me Edi Ramën?

Albin Kurti: Besoj se kjo ka ardhur si rezultat i afërsisë së tepruar të Kryeministrit me Presidentin e Kosovës, në një kohë kur në Kosovë u zhvillua protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës pikërisht kundër Presidentit. Ishte protesta e 29 Shtatorit të vitit të kaluar, me parullën “një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”. Ai më pas mbështeti presidentin e Kosovës.

Blendi Fevziu: Keni pasur bisedime private për këtë çështje me Ramën?

Albin Kurti: Jam takuar me të në Dhërmi, në rezidencën qeveritare, kemi diskutuar për shumë gjëra, për aq shumë gjëra jemi pajtuar, sepse jemi bashkë në forumet ndërkombëtare të partive simotra. Por për këtë gjë për mua ka mbetur pak enigmatike se si bëhet që ai nuk shkëputet dot prej aventurës së Presidentit, prej akrobacionit të tij të rrezikshëm për shkëmbim territorial.

Blendi Fevziu: A ka ardhur ftohja juaj për shkak të interferimit tuaj në politikën shqiptare? Nga zërat për krijimin e LVV në Shqipëri.

Albin Kurti: Nuk ka të bëjë me atë, jo fare nuk ka të bëjë me atë.

Blendi Fevziu: Do të takoheni shpejt me Ramën?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Po me presidentin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Keni raporte të mira me Presidentin Meta?

Albin Kurti: Po kam raporte të mira, kam shumë kohë që se kam takuar./tvklan.al

Intervista – Phillips: Qëndrimi amerikan të mbështetet tek realiteti i ri në Kosovë

Një analist amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përshtatin qëndrimin e tyre ndaj qeverisë së ardhshme të Kosovës, në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës. Por prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias tha për Zërin e Amerikës, se edhe Albin Kurti me kalimin e kohës, i ka ndryshuar qëndrimet e tij. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Phillips tha se ideja e ndyshimit të kufirit ka vdekur dhe kur negociatat me Serbinë të rifillojnë, Kosova do të shkojë në tryezë me një platformë të integritetit territorial.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, si i shihni rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë?

David Phillips: Është e qartë se democracia po funksionon në Kosovë. Brezi i ri i votuesve do ndryshim. Njerëzit janë të lodhur me kandidatët e vjetër që e ndërtuan reputacionin gjatë luftës kundër Serbisë. Pra zgjedhjet shkuan mirë. Ato ishin të lira dhe të drejta. Tani Kosovën e pret puna e madhe e formimit të qeverisë dhe të një qëndrimi ndaj Beogradit për negociatat e ardhshme.

Zëri i Amerikës: A e shihni rezultatin jo vetëm si një sinjal për mbështetjen ndaj zotit Kurti, por edhe si votë ndaj politikave dhe qëndrimeve të ish-shumicës brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare?

David Phillips: Është e qartë se Albin Kurti është i respektuar dhe i admiruar nga elektorati. Tani atij i duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të punojë drejt formimit të një qeverie koalicioni, të komunikojë me përfaqësuesit serbë në Kosovë për mënyrat se si mund të punojë me ta dhe të zhvillojë një qëndrim për negociatat me Beogradin. Mendoj se fillimisht do të rishikohet zbatimi i 33 marrëveshjeve ekzistuese dhe bazuar tek ajo analizë, do të rekomandohen disa hapa për zbatimin e mëtejshëm të tyre. Një gjë që nuk është në tryezë, është ndryshimi i kufirit. As Albin Kurti dhe asnjëra nga partitë e mëdha nuk e mbështesin. Pra, qeveria e Kosovës mund të ketë një dialog me Beogradin por dialogu do të jetë për normalizimin brenda kufijve aktualë të Kosovës. Dhe nuk do të jetë në tryezë ndarja.

Zëri i Amerikës: Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. A mendoni se kjo është realiste?

David Phillips: Patjetër që duhet të ketë negociata për normalizimin. Të gjithë e mbështesin normalizimin. Ndryshimi i kufijve ishte një ide e Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiçit. Dhe tani i ka ikur koha. Është e vdekur dhe nuk duhet të merremi më me të. Duhet të përqendrohemi t’i bëjmë presion Beogradit që të njohë Kosovën, të normalizojë marrëdhëniet, të merret me çështjen e personave të zhdukur, në mënyrë që të dyja vendet të ecin përpara si fqinj brenda kufijve të tyre, krah për krah në paqe dhe mirëqenie.

Zëri i Amerikës: Disa nga deklaratat dhe qëndrimet e zotit Kurti, kanë shkaktuar shqetësim ndër vite tek perëndimi, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në fakt pas zgjedhjeve, deklaratat e tij kanë qenë të matura. A mendoni se ai do t’i modifikojë qëndrimet kur të jetë në qeverisje?

David Phillips: Unë e njoh prej dekadash Albin Kurtin dhe e kam parë të ndryshojë si person dhe si personalitet politik. Unë parashikoj që pjekuria e tij të rritet, që ai të vazhdojë të ndryshojë. Ai mbështet një dialog me Beogradin, por duhet të jemi të qartë për axhendën. Ai është kundër ndarjes apo ndryshimit të kufirit. Prandaj unë pres që zyrtarët amerikanë të përshtaten me realitetin. Albin Kurti do të fillojë përpjekjet për formimin e një qeverie. Do t’i duhet të bashkëpunojë me parti të tjera dhe do t’i duhet të merret me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me serbët e Kosovës, me listën serbe, në mënyrë që të punojmë në mënyrë konstruktive drejt forcimit të një shoqërie të përbashkët që të jetë shumëetnike dhe demokratike.

Albin Kurti mund të jetë partner i mirë në këtë drejtim: i pakorruptuar, pa pazare të fshehta, nuk ka prapaskena. Këtë donin votuesit dhe ne në Shtetet e Bashkuara, duhet ta pranojmë.

Zëri i Amerikës: Pra ju po thoni që do të ketë përshtatje si nga ana e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe nga ana e zotit Kurti…

David Phillips: Kosova nuk është koloni e Shteteve të Bashkuara, nuk merr urdhra nga Uashingtoni. Ditët kur ambasadori amerikan në Prishtinë diktonte rregullat për çdo gjë, kanë mbaruar.

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor (Matthew Palmer) dhe tani i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, zoti Grenell, duhet të ndjekin një strategji të mbështetur në realitet. Ata nuk do të marrin vendime në Uashington dhe t’i thonë qeverisë së Kosovës apo Albin Kurtit çfarë të bëjë. Duhet të ketë një dialog të vërtetë. Kosova është e pavarur dhe sovrane. Duhet gjithashtu ta kuptojmë që votimi i së dielës, ishte një refuzim i planit për ndarje dhe personalisht Hashim Thaçit.

Votuesve të Kosovës u kishte ardhur në majë të hundës me qeverisjen e tij në vend, që ishte joefektive dhe përgjithësisht e korruptuar. Ishin kundër marrëdhënieve të tij rajonale, dhe lidhjeve të tepruara miqësore me Beogradin. Ata duan një qeveri që do të përfaqësojë ineresat e popullit të Kosovës dhe jo interesat e Rusisë apo Serbisë. Është koha të shihet realiteti në sy.

Zëri i Amerikës: A mendoni se do të hiqen tarifat nga qeveria e re?

David Phillips: Sipas mendimit tim tarifat ishin plotësisht të justifikuara, duke u nisur nga veprimet agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës. Veprimet e Serbisë në Abu Dhabi në votimin për Interpolin e detyruan Ramush Haradinajn, të vendoste tarifat e jashtëzakonshme. Përpjekjet e tyre për të bindur vendet e tjera ta tërhiqnin njohjen, e acarojnë edhe më shumë marrëdhënien. Tarifat ekzistojnë. Ndoshta ato do të hiqen, por duhet të ulen gradualisht në varësi të sjelljes së Serbisë. Nuk duhet të ketë më qëndrim antagonist, nuk duhet ta shohë me përçmim Kosovën dhe t’i trajtojë shqiptarët e Kosovës si më pak të rëndësishëm. Duhet të kemi trajtim të barabartë. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol për ta garantuar një gjë të tillë dhe për të respektuar vullnetin e votuesve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti ka ftuar LDK-në në koalicion. Si mendoni se do të shkojë?

David Phillips: Si dy partitë me numrin më të madh të votave, LDK-ja dhe Vetëvendosja duhet të ulen dhe të flasin për koalicion. Meqenëse Vetëvendosja ka numrin më të madh të votave dhe gjasat më të mëdha janë që të marrë përgjegjësinë për negociatat dhe që Albin Kurti të jetë kryeministri. Shtetet e Bashkuara duhet t’i mbështesin këto përpjekje dhe LDK-ja në vend që të kërkojë rinumërim, duhet të fillojë të bjerë dakord për bisedime, në mënyrë që t’i përfaqësojë me efetkivitet qytetarët e shumtë që votian për LDK-në në zgjedhje.

Intervista – Joseph: Shtëpia e Bardhë beson se Grenell do ta bindë Gjermaninë

Valona Tela

Analisti amerikan, Edward Joseph, thotë se me emërimin e Richard Grenellit të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Shtëpia e Bardhë beson se mund ta bindë Gjermaninë që të mbështesë idenë e përfolur më herët për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Grenell, së bashku me të dërguarin tjetër amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, qëndrojnë të mërkurën në Kosovë. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Joseph flet edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilin e cilëson si goditje ndaj presidentit Hashim Thaçi, për sfidat e menjëhershme të qeverisë së re e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, si e shihni përfshirjen gjithnjë e më të intensifikuar të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi?

Edward Joseph: Është edhe pozitive, edhe shqetësuese. Pozitive, sepse secila administratë amerikane që tregon interesim intensiv në Ballkan, është një gjë e mirë. Janë bërë disa vite që SHBA-ja e ka distancuar veten nga Ballkani dhe e ka zbritur (atë rajon) nga prioritetet e saj. Por, kjo çështje (dialogu) qartazi kërkon angazhim të nivelit të lartë, në mënyrë që edhe Kosova, edhe Serbia të bëjnë përparim. Në të njëjtën kohë është e çuditshme dhe shqetësuese. Përse ambasadori (Richard) Grenell është emëruar (në pozitën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi) kur Matthew Palmer është zgjedhur së voni në pozitën e të dërguarit të posaçëm (për Ballkanin)? Palmer natyrisht ka përvojë të gjatë në rajon, ndërsa ambasadori Grenell ka punuar në Kombet e Bashkuara, ka njohuri për rajonin, por jo në të njëjtin nivel. Është një gjë e mirë që Shtëpia e Bardhë, në kohën e shumë krizave të tjera, është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por, në anën tjetër, është e çuditshme dhe mbetet të shihet se çfarë do të thotë për politikën amerikane në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk është një gjë e zakonshme që të ketë dy të dërguar?

Edward Joseph: Është e pazakonshme, sidomos kur keni një emisar të sapoemëruar dhe pastaj emëroni edhe një tjetër. Krijon vërtet konfuzion. Por, në anën tjetër, nuk është krejt keq. Grenell është ambasador në Gjermani dhe, megjithëse ka pasur mosmarrëveshje atje, ai është i vetëdijshëm për shqetësimin e Gjermanisë në lidhje me politikën që ka ngritur ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, e cila duket se është në favor të shkëmbimit të territoreve (midis Kosovës dhe Serbisë). Është e mundshme që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë. Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues.

Radio Evropa e Lirë: Cili është disponimi në SHBA?

Edward Joseph: Disponimi në SHBA nuk është i lidhur me çështjet në Ballkan. Nëse shikojmë në aspektin ndërkombëtar, SHBA-ja është e përqendruar tash për tash në tërheqjen e trupave nga Siria, në mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Iranin dhe, mes tjerash, në konfliktin tregtar me Kinën. Nuk ka disponim në SHBA për Ballkanin. Ata që e ndjekin këtë çështje janë të shqetësuar dhe në konfuzion me emërimin e ambasadorit Grenell. Ata që mendojnë se emërimi i tij mund të reflektojë qasjen e Boltonit drejt ndarjes së Kosovës – që natyrisht se do të krijonte shumë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje dhe brenda vetë Kosovës… për ne që mendojmë kështu, (emërimi i tij) nuk na jep shumë siguri.

Radio Evropa e Lirë: Po si e sheh zgjidhjen SHBA-ja për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi?

Edward Joseph: Kjo është një pyetje politike, së cilës nuk ia dimë përgjigjen, por duhet t’i lexojmë sinjalet. Kur John Bolton ka qenë këshilltar për siguri kombëtare, unë mendoj se ka pasur mbështetje për idenë – të favorizuar edhe nga (shefja e politikës së jashtme të BE-së) Federica Mogherini – për shkëmbim territoresh, për një lloj ndarjeje të Kosovës, me sa duket në veri, në lumin Ibër, ku katër komunat veriore do t’i kalonin Serbisë dhe një pjesë e padefinuar e jugut të Serbisë, që është Lugina e Preshevës, do t’i kalonte Kosovës. Duket se këtë e kanë diskutuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për disa muaj. Mogherini e ka mbështetur këtë, por të gjithë e dimë se (kancelarja gjermane) Angela Merkel e ka kundërshtuar fuqishëm, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të rajonit që do të ndikoheshin drejtpërdrejt. Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka përsëritur vazhdimisht kundërshtimet ndaj kësaj ideje. Në një rast, ai e ka cilësuar atë si idenë më të pamend që ka dëgjuar. Mali i Zi është shprehur i shqetësuar për këtë ide, Bosnja po ashtu, e mos të flas për shumë paqartësitë rreth mënyrës se si do të zbatohej ajo në Kosovë. Me gjasë do të kishte lëvizje masive të popullsisë serbe që jeton në jug të Ibrit. Ajo vë në pyetje edhe lokacionet fetare serbe në Deçan, Graçanicë… Të gjitha këto kanë mbetur pa përgjigjet e atyre si Mogherini dhe zyrtarët amerikanë të kohës së Boltonit. Ata nuk e kanë shpjeguar se si do të adresohej kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Të dërguarin e tij për dialogun Kosovë-Serbi pritet ta emërojë edhe Bashkimi Evropian. A nuk do të bëhet, ta quaj, pak tollovi?

Edward Joseph: Ata do të duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka dyshim për këtë, sepse SHBA-ja vetëm nuk mund t’i drejtojë palët drejt një marrëveshjeje. E përsëris, kjo mund të jetë një arsye për emërimin e ambasadorit Grenell, sepse kundërshtimet e Merkelit kanë qenë të dëmshme për qasjen e Mogherinit dhe të Boltonit dhe të Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.

“Zgjedhjet e dobësuan pozicionin e Thaçit në bisedime”

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë për dialogun me Serbinë?

Edward Joseph: Në njërën anë është goditje e qartë ndaj presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi. Nuk ka dyshim për këtë. Ideja se ai mund të ketë mandat nga votuesit e Kosovës për të ndjekur rrugën e tij – së bashku me presidentin e Serbisë (Aleksandar) Vuçiq – për ndarjen e Kosovës, qartazi nuk ekziston. Në anën tjetër, mund të ndodhë që Albin Kurti i Vetëvendosjes bëhet kryeministër. Edhe qasja e tij është e përzier, sepse ai, me vite, ka këmbëngulur në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai nuk do që Kosova të jetë një shtet i pavarur, por të bashkohet me Shqipërinë. Kjo do të bëhej e mundur me shkëmbim territoresh. Kurti po ashtu ka thënë se është kundër dorëzimit të ndonjë territori te serbët. E ka thënë këtë disa herë, por duhet të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Ku do të çonte një gjë e tillë?

Edward Joseph: Nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendoj unë, apo të tjerët që kanë punuar me vite në Ballkan. Me rëndësi është ajo që e mendojnë ata që do të prekeshin nga këto vendime (të mundshme për shkëmbim territoresh). Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vazhdimisht ka paralajmëruar për pasojat e vendimeve të tilla. Ato do të vinin në pyetje edhe vetë kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Pastaj, çfarë në lidhje me Malin e Zi, me pakicën e tij shqiptare? Nëse komuniteti ndërkombëtar do ta pranonte precedentin e ndarjes etnike territoriale, atëherë përse Millorad Dodik nuk do të vazhdonte me fushatën – ndoshta edhe në mënyrë më të rrezikshme – për ndarjen e Republika Sërpskës?

Radio Evropa e Lirë: Pra, si e shihni ju rrjedhën e mëtejshme të dialogut me Serbinë? Deri më tash kjo ka qenë një çështje më tepër midis dy presidentëve…

Edward Joseph: Pozicioni i Thaçit është dobësuar tani. Ai nuk mund t’i udhëheqë më negociatat, në mënyrë të besueshme, si individ, pa konsultime me kryeministrin. Nëse përpiqet ta bëjë këtë, nuk do të ketë kredibilitet në Kosovë. Çdo marrëveshje që mund ta arrijë, do të jetë përçarëse dhe do të jetë pyetje serioze nëse kosovarët do ta pranojnë. Nëse Albin Kurti është kryeministër, nuk kam dyshim se ai do të jetë tërësisht i përfshirë në këto bisedime, së bashku me presidentin Thaçi, i cili, e përsëris, është dobësuar nga zgjedhjet, sepse partia e tij ka kaluar shumë dobët.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jospeh, a prisni që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të bëjnë koalicion për bashkëqeverisje?

Edward Joseph: Ato janë shumë të ndryshme. Por, një gjë të tillë e kemi parë në shumë vende me demokraci parlamentare, edhe pse këtu në Shtetet e Bashkuara nuk kemi. Në shumë vende të tjera, në politikë bëhen partnerë të çuditshëm. Andaj, gjithçka është e mundur. Aritmetika ekziston. Çështja kryesore natyrisht është se kush do të jetë kryeministër. Por, nëse pajtohen për koalicion, do të thotë se e kuptojnë mirë rëndësinë e kësaj çështjeje, ashtu si edhe të trajtimit të korrupsionit dhe të çështjeve ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Sapo përmendet çështjen e korrupsionit, të ekonomisë…Janë bërë shumë premtime për luftimin e korrupsionit e të papunësisë. A mund t’i realizojnë ato partitë fituese?

Edward Joseph: Albin Kurti duhet t’i realizojë, sepse, nëse nuk i realizon, ai nuk ka besueshmëri. Këto janë çështje mbi të cilat e ka ndërtuar emrin e Vetëvendosjes. Kjo nuk është thjesht një parti tjetër e Kosovës, është një parti që e ka bërë luftën kundër korrupsionit çështje thelbësore. Jo LDK-ja, por Vetëvendosja, nën udhëheqjen e Albin Kurtit. Andaj, Vetëvendosja duhet ta realizojë këtë (zotim), në të kundërtën do të përballet me pasoja serioze në zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat e menjëhershme të partive fituese?

Edward Joseph: Sfidë e menjëhershme është formimi i qeverisë natyrisht dhe veprimi i shpejtë për të fituar besimin e popullsisë. Qeveria (e re) në Kosovë duhet të dëshmojë shpejt se është vërtet e ndryshme nga paraardhëset e saj dhe se është vërtet e angazhuar për çrrënjosjen e korrupsionit dhe të politikës së shfrytëzimit të pushtetit qeveritar për të emëruar miq dhe të afërm në pozita të larta. Duhet të veprojë shpejt dhe t’iu dëshmojë votuesve se kjo është një qeveri ndryshe, që e dëgjon popullin dhe u përgjigjet shqetësimeve të tij për korrupsionin. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, së bashku me presidentin Thaçi, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për kundërshtimin që i bën Beogradi pavarësisë së Kosovës.