VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Intervista – Bieber: Problemet mes Kosovës e Serbisë nuk zgjidhen pa përfshirje të BE-së

By | March 17, 2020

Komentet

Brahimi: Tarifa rrëzoi qeverinë Haradinaj, po rrëzon edhe qeverinë Kurti

Leonat Shehu

Analisti, Ilir Ibrahimi, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se kriza politike në Kosovë është pasojë e papërgjegjësisë së klasës politike e cila duhet të rreshtohet me interesat strategjike amerikane. Amerika tha ai po e kërkon një partner nga Kosova.

Zëri i Amerikës: Zoti Ibrahimi, si i shihni zhvillimet politike pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një mocion votëbesimi për rrëzimin e qeverisë së koalicionit me lëvizjen Vetëvendosje?

Ilir Ibrahimi: Pikë së pari, është një situatë fatkeqe sepse në momentin kur ne jemi duke u ballafaquar me një krizë me të cilën po ballafaqohet e gjithë bota, pra një pandemi, popullatës së Kosovës i servohet edhe një sfidë tjetër pra të përballet edhe me një krizë politike e cila fatkeqësisht edhe njëherë tregon papërgjegjësinë totale të klasës politike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Pse u ndodhë Kosova në një situatë të tillë?

Ilir Ibrahimi: Të gjitha veprimet që i kemi parë kohëve të fundit nuk kanë lënë alternativë tjetër pos të shkohet te kjo. Vendimi i zotit Kurti për ta hequr zotin Veliu, për ta kërkuar dorëheqjen e tij, apo shkarkimin e tij nga detyra, është e barabartë me atë që të hiqet dorë nga qeverisja. Nuk ka mundur të pritet ndonjë reagim tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës me një vendim kaq të ashpër, të pakonsultuar dhe një shkelje të marrëveshjes të cilën ata e kanë pasur. Pra çdo ministër i cili do të mund të shkarkohej nga LDK-ja do të duhej të bëhej me konsultim me LDK-në dhe reagimi i LDK-së në këtë rast ka qenë i pritshëm. Nuk jam befasuar sepse çdokush i cili e udhëheq një parti të madhe siç është LDK-ja nuk do të mund të pranonte një sfidë të tillë.

Zëri i Amerikës: Çfarë pritni tash dhe çfarë qeverie i duhet Kosovës?

Ilir Ibrahimi: Kosovës i duhet një qeveri konsensuale, këtë e kam thënë qe dy tre vitet e fundit, jo pse veç po e them unë, por këtë e kanë kërkuar edhe partnerët tanë. Në dy letrat e presidentit Trump kërkohet një konsensus i klasës politike në Kosovë për të marr pjesë në dialogun i cili do të çonte drejt një marrëveshjeje me Serbinë. Ky konsensus fatkeqësisht nuk është arritur të bëhet. Të gjitha partitë politike e kanë fajin e vet këtu dhe tani jemi në një situatë ku duhet të ballafaqohemi me një krizë shëndetësore, me pandemi dhe duhet të ballafaqohemi me një krizë për formimin e institucioneve të reja. Kushtetuta lejon disa mundësi për ta dalë nga kjo krizë, jo domosdoshmërisht të shkohet në zgjedhje. Nëse arrihet të votohet mocioni i votë besimit i iniciuar nga LDK-ja, atëherë presidenti duhet pikë së pari fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast Vetëvendosjes t’i ofrojë nëse do të mund ta formoj një qeveri tjetër dhe nëse nuk arrihet një gjë e tillë atëherë duhet të bëhet një konsultim me partitë tjera politike që të formohet një qeveri tjetër. Kjo e dyta po shihet se ka mundësi më ta madhe sepse ka filluar tani më diskutimet ndërmjet partive tjera politike të udhëhequra nga LDK-ja dhe unë po pres ndoshta që do të ketë një qeveri e cila do të udhëhiqet nga LDK-ja me partitë tjera, pa Vetëvendosjen. Do të ishte mirë të ishte edhe Vetëvendosje, mirëpo duke parë zhvillimet e fundit ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk po e shoh që kjo e fundit do të merrte pjesë.

Zëri i Amerikës: Kush e rrëzoi qeverinë, Lidhja Demokratike apo dikush tjetër?

Ilir Ibrahimi: Unë po besoj që qeverinë e ka rrëzuar Albin Kurti me vendimin për shkarkimin e Agim Veliut. Nuk ka mundur të pritet ndonjë reagim tjetër nga LDK-ja.

Zëri i Amerikës: A ishte edhe çështja e tarifës një nga arsyet e rrëzimit të qeverisë?

Ilir Ibrahimi: Tarifa është pika kyçe e cila e ka rrëzuar qeverinë Haradinaj dhe po pritet ta rrëzojë edhe qeverinë Kurti. Unë nuk po e kuptoj se si klasa politike e Kosovës po mundohet t’i bëj ballë një strategjie dhe interesi kombëtar të shprehur nga SHBA-të. Nëse ne të gjithë deklarohemi se Shtetet e Bashkuara janë miku më i madh dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Si po mund ne të dalim kundër interesave strategjike amerikane nuk po e kuptoj. Ka humbur racionaliteti në klasën politike të Kosovës dhe më tepër po shihet se vendimet e tyre janë sa vota do të sjellin mirëpo nuk është interesi i vendit parësor në këtë rast dhe kjo është fatkeqësi. Është momenti i fundit që të hiqen këto mendësi të ulëta dhe mendësi dashakeqe sepse nuk i duhet asnjë partie politike vota për të udhëhequr një shtet i cili nuk ka prosperitet, i cili nuk të ardhme të sigurt në botën të cilën po jetojmë sot. Ne duhet të rreshtohemi me interesat strategjike amerikane, duhet të jemi partner me ta dhe ta mbrojmë interesin tonë në suazat e këtyre interesave, në suaza të kësaj strategjie. Amerika po e kërkon një partner te Kosova. Atë partner ende nuk po mund ta ofrojmë dhe kjo është fatkeqësi.

Intervista – Bieber: Problemet mes Kosovës e Serbisë nuk zgjidhen pa përfshirje të BE-së

Shkëlqim Hysenaj

Paralajmërimet e zyrtarëve amerikanë për sanksione ndaj Kosovës në rast se nuk largohet tarifa për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, mund të jenë reale nën administratën e udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, thotë eksperti për Ballkanin, Florian Bieber.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Beiber, megjithatë favorizon rol më të madh të Bashkimit Evropian në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një zgjidhje e qëndrueshme për të dyja palët mund të sigurohet vetëm përmes përfshirjes së të gjithë faktorëve në Kosovë dhe Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht kemi një situatë kur është rritur presioni i zyrtarëve amerikanë në drejtim të Qeverisë së Kosovës për të larguar tarifën për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, tarifë kjo që u vendos në vitin 2018. Pse mendoni se është duke ndodhur ky presion tani?

Florian Bieber: Mendoj se ka të bëjë me interesin amerikan që të gjejnë një zgjidhje të shpejt, pra një zgjidhje të shpejt për raportet mes Serbisë dhe Kosovës dhe ata e dinë që tarifat janë pengesa në këtë rrugë. Është një qasje e njëanshme, duke konsideruar faktin se në të njëjtën kohë Serbia nuk ka premtuar që do të ndalojë kampanjën e çnjohjeve të Kosovës sepse kjo në rend të parë ka shtyrë vendosjen e tarifave. Mendoj se interesimi amerikan nën administratën e presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump është që të gjejë një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur dhe kjo do të thotë favorizimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nisma e Kurtit, e arsyeshme – Largimi i trupave amerikane një “blof”

Radio Evropa e Lirë: A do të duhej që Qeveria e Kosovës të dëgjonte thirrjet e zyrtarëve amerikanë dhe t’i largojë tarifat?

Florian Bieber: Mendoj që përpjekja e kryeministrit Albin Kurti për të shkuar hap pas hapi, sa i takon largimit të tarifës, duket mjaft e arsyeshme. E them sërish, Qeveria e Kosovës, nuk po thotë se do ta mbajë tarifën pafundësisht, por se do t’i largojë ato gradualisht dhe kjo duket që ka më shumë kuptim, që të kemi një largim hap pas hapi të tarifës e që do të nënkuptonte që edhe Serbia të ndalonte kampanjën e çnjohjeve.

Mendoj se nuk duhet të kemi veprime të njëanshme ku vetëm Kosova largon tarifat dhe e kuptoj se pozicioni amerikan nuk është shumë i mirëkuptueshëm në këtë drejtim. Po ashtu, mënyra se si amerikanët janë duke e favorizuar presidentin (Hashim Thaçi) përpara Qeverisë së Kosovës në këtë proces, është një anë që nuk ndihmon shumë. Unë mendoj se do të ishte më e mençur sikur të vazhdohej me pozicionin që ka mbajtur Qeveria e Kosovës deri më tani për këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarë amerikanë, duke përfshirë dy senatorë dhe djalin e presidentit Donald Trump, kanë përkrahur masa ndaj Kosovës. A besoni se mund të ketë masa ndëshkuese nga SHBA-ja në rast se Qeveria e Kosovës nuk respekton këshillat amerikane?

Florian Bieber: Sigurisht se është shumë e mundur sepse kemi një administratë të çrregullt amerikane dhe tashmë kemi parë kërcënime të drejtpërdrejta nga njerëz të administratës amerikane se ata mund të largojnë trupat amerikane nga Kosova, por sërish mendoj se pjesërisht është një “blof”. Mendoj se Qeveria amerikane mund të humbë interesimin për këtë çështje po aq shpejtë sa e ka shtuar atë dhe kështu mund të mos ketë konsekuenca, pra në këtë drejtim është shumë e paparashikueshme gjë që është një nga problemet që aktualisht ka administrata Trump.

Partneri kryesor që ka diçka për të ofruar për Kosovën është Bashkimi Evropian që mendoj se ka marrë një pozicion të ri në këtë çështje. Sërish, pozicioni amerikan nuk është shumë i qartë se çfarë konsekuencash mund të ketë, kështu që në këtë drejtim ne duhet që të presim dhe të shohim. Sërish them se si pasojë e pandemisë globale COVID-19, ne gjithsesi mund të shohim që Qeveria amerikane të humbasë krejtësisht interesimin për këtë çështje dhe të jetë e fokusuar krejtësisht në gjashtë muajt e ardhshëm për zgjedhjet që do të mbahen në SHBA.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria amerikane tashmë ka suspenduar disa projekte në vlerë milionëshe, pasi Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për largimin e tarifës për mallrat e Serbisë. Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë përmendur mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova. A është ky një rrezik real?

Florian Bieber: Nëse shohim më larg mendoj se do të ishte mirë që të largoheshin tarifat, sigurisht se do të ishte një zgjidhje e mirë, por kjo duhet të bazohet edhe në masat që merr pala tjetër në Serbi dhe unë besoj se kjo do të ishte edhe kërkesa e Qeverisë së Kosovës. Por, vërtetë duket se SHBA-ja është e vullnetshme që nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, të përdorë çdo mjet për të vendosur presion mbi Qeverinë e Kosovës. Por, unë dyshoj se kjo është një mënyrë efektive sepse asistenca amerikane është e rëndësishme, simbolika e mbështetjes amerikane është e rëndësishme, por po ashtu ka një limit deri kur do të dukej e arsyeshme për të bërë presion mbi qeverinë.

Negociatat nën ndërmjetësimin e BE-së apo SHBA-së?

Radio Evropa e Lirë: Pse besoni se administrata amerikane ka marrë udhëheqjen e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit?

Florian Bieber: Mendoj se janë dy arsye. Njëra është shumë e qartë se administrata e presidentit Trump është e interesuar në fitore të lehta jashtë vendit për të shfaqur imazh të mirë në SHBA. Është administratë joparimore që nuk është shumë e interesuar në zgjidhje të qëndrueshme, sigurisht ka njerëz në Departamentin amerikan të Shtetit që mund të jenë të interesuar për zgjidhje të qëndrueshme, por mendoj se në nivelin më të lartë motivimi kryesor është marrëveshje të shpejta dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duket te jetë një ku ata do të mund të arrinin një marrëveshje. Kjo është pritja e tyre.

Arsyeja tjetër mund të jetë se ndoshta është duke ndodhur ndonjë proces lobimi për të cilin ne nuk jemi në njohuri e përmes së cilit ndoshta është duke u shtyrë administrata amerikane për të gjetur një zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: A do të ishte më mirë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqej nga SHBA-ja apo Bashkimi Evropian?

Florian Bieber: Në fund të ditës, mendoj se do të ishte më mirë sepse negociatat e Bashkimit Evropian të udhëhequra nga Federica Mogherini nuk ishin shumë të suksesshme, por në fund të fundit janë negociatat e vetme që do të mund t’i ofronin edhe Serbisë diçka më substanciale, po ashtu edhe Kosovës, e që do të nënkuptonte dhënien fund të bllokadës për njohje dhe perspektivën për anëtarësim në Bashkim Evropian. Njëjtë edhe për Serbinë.

Po ashtu për çështje ekonomike, BE-ja, është shumë më e rëndësishme sesa SHBA-ja. Në këtë kuptim, unë konsideroj se BE-ja është ndërmjetësuesi dhe negociatori i natyrshëm në këtë proces, por fatkeqësisht ende nuk e ka gjetur rolin e saj të ri pasi që i mori shumë kohë pas zgjedhjeve që u mbajtën në BE. Shumë nga hapat e ndërmarrë nga Richard Grenell (i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë) deri në një masë ishin të menduara për të bërë Bashkimin Evropian që të dukej keq përmes vendimeve të shpejta për të cilat nuk u konsultua me BE-në e as me Qeverinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia i nënshkruan disa marrëveshje në Berlin me ndërmjetësim e të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell. A besoni se do të gjejnë zbatim marrëveshja për hekurudhat dhe linjën ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit?

Florian Bieber: Çfarë ne duhet të shohim është substanca. Ne kemi parë shumë marrëveshje dhe shumë negociata në BE, nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë që rezultuan të pazbatueshme. Unë do të besoj vetëm kur të shoh ndonjë aeroplan duke fluturuar ose trena duke lëvizur.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se janë reale pritjet se së shpejti mund të ketë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

Florian Bieber: Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë përkushtimin afatgjatë nën administratën aktuale që të negociojnë një marrëveshje sepse kjo nuk kërkon vetëm një zgjidhje të shpejt, por kërkon një marrëveshje reale që përfshin të gjithë aktorët duke përfshirë edhe ata të Kosovës. Kërkohet një marrëveshje me principe dhe nuk besoj se administrata aktuale është e interesuar apo në pozitë për të negociuar, pra në këtë drejtim duhet të jetë Bashkimi Evropian. Nuk e di nëse rrethanat janë të drejta sepse nuk jam i bindur nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është i interesuar për një marrëveshje të sinqertë, po ashtu duke marrë parasysh edhe mospajtimet në mes të presidentit dhe Qeverisë në Kosovë, pra nuk është një rrethanë e mirë, pra jam shumë skeptik sa i takon arritjes së një marrëveshjeje finale.

“Çfarë bëri Kina për koronavirusin”, flet Ambasadori Kinez në Tiranë Zhou Ding: 1.4 miliardë njerëz u vetizoluan

Ambasadori i Kinës në Tiranë Zhou Ding

Do mbetemi motori i rritjes ekonomike. Pas epidemisë shpërtheu…

Erjola Jata  |

Një reagim si ai i Kinës ndaj koronavirusit është i rrallë ose thuajse i pamundur. Ambasadori i Kinës në Tiranë Zhou Ding në një intervistë për “BalkanWeb” tregon masat që mori qeveria kineze për koronavirusin. 1.4 miliardë njerëz u vetëizoluan thotë ai duke ndaluar çdo veprimtari të jetës së përditshme.

“U zgjatën pushimet e Festivalit të Pranverës dhe u spostua fillimi i shkollës dhe punës; qyteti Wuhan instaloi urgjentisht 16 spitale të kabinave të lëvizshme me dhjetëra-mijëra shtretër për të trajtuar të infektuarit; 40 mijë punonjës mjekësorë nga provincat e tjera nxituan për në Wuhan në ndihmë, duke rritur dukshëm shkallën e pranimit dhe kurimit; punonjësit shkencorë e mjekësorë në momentin e parë mbaruan sekuencimin e gjeneve të virusit dhe ndanë rezultatin me të gjitha vendet të botës, zhvilluan testuesin e acidit nukleik që mund të testojë brenda 15 minutash COVID-19, përmirësuan vazhdimisht protokollin e diagnozës dhe trajtimit”, tregon ai.

Sa i përket ekonomisë, ambasadori kinez deklaroi se pas ndodhjes së epidemisë, shpërtheu potenciali i disa industrive të reja. Ai thekson se Kina do të mbetet motori i rritjes ekonomike të botës.

 

Rastet e COVID-19 në Kinë janë duke u pakësuar vazhdimisht, cilat janë masat e ndërmarra nga Kina që janë efektive për të kontrolluar këtë epidemi në Kinë?
Me drejtimin dhe planifikimin personal të Presidenti kinez Xi Jinping, me një përgjegjësi të lartë ndaj popullit kinez dhe atyre botërore, duke vendosur gjithmonë në vendin e parë sigurinë e jetës dhe shëndetin e popullit, qeveria kineze ndërmori masat më të gjithanshme, më të rrepta dhe më të plota kundër epidemisë së COVID-19, të cilët kanë treguar efektet e dallueshme. Më 14 mars, rastet e reja të konfirmuara në Wuhan janë 4, ndërsa në zonat kineze jashtë Wuhan-it për disa ditë rresht është realizuar rritje zero, gjë e cila tregon se transmetimi komunitar është frenuar fortë brenda Kinës. Faktet tregojnë se pandemia e COVID-19 është e parandalueshme, e kontrollueshme dhe e kurueshme.

 

Kontrolli efektiv në Kinë i kësaj epidemie, tregon plotësisht korrektësinë dhe efikasitetin e masave të palës kineze. Përballë sfidave të sjella nga përhapja e shpejtë e këtij virusi të papritur dhe panjohur, Kina shumë shpejt krijoi mekanizmin e parandalimit dhe të kontrollimit të përbashkët, vendosi masat e rrepta mbi transportin në zonat me situatën e rëndë siç është Provinca Hubei, për të kontrolluar burimet e infektimit dhe për të ndërprerë rrugët e transmetimit. U zgjatën pushimet e Festivalit të Pranverës dhe u spostua fillimi i shkollës dhe punës, popullata prej 1.4 miliardë vullnetarisht anuloi vizitat tek të afërmit e miqtë, turizmin dhe shopping, u vetë-izoluan në shtëpi, për të shmangur përhapjen e virusit; qyteti Wuhan instaloi urgjentisht 16 spitale të kabinave të lëvizshme me dhjetëra-mijëra shtretër për të trajtuar të infektuarit; 40 mijë punonjës mjekësorë nga provincat e tjera nxituan për në Wuhan në ndihmë, duke rritur dukshëm shkallën e pranimit dhe kurimit; punonjësit shkencorë e mjekësorë në momentin e parë mbaruan sekuencimin e gjeneve të virusit dhe ndanë rezultatin me të gjitha vendet të botës, zhvilluan testuesin e acidit nukleik që mund të testojë brenda 15 minutash COVID-19, përmirësuan vazhdimisht protokollin e diagnozës dhe trajtimit. Masat e sipërmendura tregojnë fuqinë, shpejtësinë dhe efikasitetin e Kinës. Vendosmëria, vullneti, organizimi e mobilizimi efikas i qeverisë kineze, solidariteti e fryma e sakrificës të popullit kinez e sidomos të atij të Wuhan-it, janë parakushtet e rëndësishme për përgjigjen efektive të Kinës ndaj epidemisë.

 

Padyshim që kjo epidemi ka shkaktuar dëm të madh ekonomisë së Kinës, e cila tashmë është ekonomia e dytë e botës. Çfarë ndikimesh do të sjellë kjo epidemi Kinës dhe botës sipas juve?
Kjo epidemi që ka zgjatur për më shumë se një muaj, vërtetë ka shkaktuar dëm të madh ekonomisë së Kinës, industritë e restoranteve dhe turizmit, transportit dhe logjistikës janë goditur më shumë. Pasi epidemia është kontrolluar dhe kërcënimi për jetën dhe shëndetin e popullit është zhdukur gradualisht, më e rëndësishmja është rikthimi në normalitet i punës dhe jetesës. Qeveria qendrore dhe ato vendore paraqitën një sërë politikash financiare, monetare dhe industriale, siç janë ofrimi i kredisë së favorshme, ulje e interesit, falje e taksave dhe tarifave të sipërmarrjeve, për të stimuluar zhvillimin ekonomik. Pas ndodhjes së epidemisë, shpërtheu potenciali i disa industrive të reja dhe modeleve të reja të tregtisë, siç janë arsimi, vizitë mjeksore on-line, telecommuting, E-commerce dhe video-argëtimi etj. Vitet e fundit, ekonomia digjitale është zhvilluar shumë shpejt, duke u bërë si motori i ri i rritjes ekonomike të Kinës. Inteligjenca artificiale, big data, makina autonome, aplikimi i rrjetit 5G kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë luftë kundër pandemisë, dhe do të kenë perspektivë të shkëlqyeshme në të ardhmen.

 

Në përgjithësi, ekonomia e Kinës ka përmasa të mëdha dhe elasticitet të fortë, goditja ndaj saj do të jetë afatshkurtër, bazat e forta të ekonomisë kineze qëndrojnë pandryshuar dhe do të mbetet shëndoshë në termin afatgjatë. Kina është i vetmi vend që ka të gjithë kategoritë e industrive të përcaktuar nga OKB-ja, Kina jo vetëm është fabrika e tregu botëror, por gjithashtu baza kërkimore dhe qendra e investimit të kapitalit venture. Kapacitetet e mëdha të prodhimit, konsumit dhe të inovacionit sjellin bazën e fortë dhe vitalitetin e mjaftueshëm për zhvillimin ekonomik të Kinës. Kina ka akoma shpresë të realizojë objektivat e zhvillimit ekonomiko-social të këtij viti, do të realizojë 10 vite përpara objektivin e zhdukjes së varfërisë të Agjendës 2030 të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. Ekonomia kineze zë 16% të asaj botërore, dhe për disa vite radhazi ka kontribuar më shumë se 30% për rritjen ekonomike të botës. Pas kontrollit efektiv të pandemisë, Kina do të mbetet motori i rritjes ekonomike të botës. “Ëeiji” (krizë) në kinezisht përfshin dy kuptime: rrezik dhe mundësi. Besoj që mbas kësaj pandemie, ekonomisë kineze dhe asaj botërore do t’u vijnë mundësi të reja për risinë dhe zhvillimin. Kina do të bashkëpunojë me vendet e ndryshme, për të nxitur avancimin e qëndrueshëm të ekonomisë globale.

 

Aktualisht situata po përkeqësohet vazhdimisht në botë, dhe OBSH-ja ka shpallur COVID-19 pandemi botërore. Në këtë moment bashkëpunimi ndërkombëtar kundër pandemisë duket shumë i rëndësishëm. Çfarë ka bërë Kina dhe çfarë do të bëjë në këtë drejtim?
Populli kinez ka bërë përpjekje të vështira të luftojë kundër pandemisë, duke fituar kohë të vlefshme dhe përvoja të dobishme për vendet nëpër botë që të përgatiten për parandalimin, gjë që është vlerësuar gjerësisht nga gjithë bota. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Z. Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë qartazi se, falë aksionit të parandalimit dhe kontrollit në shkallë të gjerë të Kinës, komuniteti ndërkombëtar ka fituar një ‘dritare e mundësive’, e cila duhet shfrytëzohet plotësisht nga vendet e tjera, që të marrin masat e menjëhershme për të frenuar sa më parë transmetimin e virusit. Eksperti i OBSH-së, Bruce Aylëard, pasi mbaroi vizitën në Kinë, ka theksuar se, me eksperiencat kineze, vendet e tjera nuk kanë nevojë të ‘fillojnë nga zero’ për të luftuar pandeminë. Ambasadori shqiptar në Kinë, Selim Belortaja tha se, vendosmëria dhe aftësia e qeverisë kineze kundër pandemisë janë mbresëlënëse, ajo ka ndërtuar një mur të fortë mbrojtës për të frenuar përhapjen e pandemisë.

 

Në kohën e globalizimit, fatet e vendeve të ndryshme janë të ndërlidhura dhe interaktive. Aktualisht, pandemia ka shpërthyer në shumë vende dhe është përhapur me shumë vatra në botë. Lufta kundër pandemisë fitohet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë midis vendeve të ndryshme, në mënyrë që ruajnë sigurinë rajonale dhe globale të shëndetit publik. Pas shfaqjes së epidemisë, Kina ka zhvilluar komunikimin e pandërprerë dhe bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, OBSH-në dhe qeveritë e vendeve të ndryshme, në katër drejtime: I pari është ndarja e eksperiencave të luftës kundër epidemisë. Deri tani pala kineze ka publikuar 7 versione të Protokollit të Diagnozës dhe të Trajtimit për Pneumoninë COVID-19, dhe 6 versione të Protokollit të Parandalimit dhe të Kontrollit.
Këto protokolle e kanë origjinën në Kinë por janë për të gjithë botën, dhe janë përkthyer në gjuhë të ndryshme për t’u ndarë me vendet e ndryshme të botës, duke kontribuar për betejën globale kundër pandemisë. I dyti është dërgimi i ekipeve të ekspertëve mjekësorë në vendet me gjendje të rëndë pandemike. Deri tani, pala kineze ka dërguar ekipet e ekspertëve mjekësor drejtë Italisë, Iranit dhe Irakut, për të ndihmuar parandalimin, kontrollin dhe trajtimin e epidemisë. I treti është ofrimi i fondeve, ilaçeve dhe materialeve të parandalimit të pandemisë. Me gjithë vështirësi që po përballet, qeveria kineze ka dhuruar 20 milionë dollarë amerikanë ndaj OBSH-së, për të mbështetur bashkëpunimin ndërkombëtar kundër pandemisë. Ajo u ka dhuruar disa milionë veshje mbrojtëse, maska, testues të acidit nukleik, pajisje mjekësore vendeve si Italia, Japonia, Koreja e Jugut, Irani. I katërti është bashkëpunimi shkencor me komunitetin ndërkombëtare mbi ilaçin, vaksinën, testuesin, për të dhënë protokollet e parandalimit dhe të mjekimit për vendet e ndryshme në të ardhmen.

 

Virusi nuk respekton shtetësi, ndërsa lufta kundër tij nuk njeh kufi. Kina, duke u përmbajtur idesë për ‘komunitetit të shëndetësisë së përbashkët’ dhe për ‘një komunitet me fate të përbashkëta të njerëzimit’, është gatshme që bashkë me vendet e tjera, të ndihmojnë njeri-tjetrin për të kapërcyer vështirësitë e kohës.

Ditët e fundit është rritur vazhdimisht numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19, cili është mendimi dhe sugjerimi juaj?
Pas shfaqjes së rasteve të konfirmuara, qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të forta dhe në kohë, gjë që është shumë inkurajuese. Shoqëria shqiptare veproi shpejt, njerëzit e thjeshtë rritën dukshëm ndërgjegjësinë mbrojtëse, u koordinuan me masat e qeverisë, gjë e cila është tepër e rëndësishme. Faktet tregojnë se neglizhenca dhe pakujdesia duhet të shmangen, dhe masat e prera dhe guximshme duhet ndërmerren ndaj këtij pandemie. Përvojat kineze tregojnë se epidemia na erdhi shpejt por është krejtësisht e parandalueshme, e kontrollueshme dhe e kurueshme dhe s’ka nevojë për panik. Pandemia do të sjellë ndikime për punën dhe jetën e njerëzve, por duke u krahasuar me jetën e shëndetin, të gjithë sakrificat janë të vlefshme.

Ne nuk do të harrojmë kurrë se në ditët më të vështira të epidemisë në Kinë, Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ruçi dërguan letra solidariteti udhëheqësve kinezë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj shkoi në restorantin kinez dhe zhvilloi aktivitetin e solidaritetit për luftën kundër pandemisë në bashkëpunim me Ambasadën Kineze, të gjithë këto interpretojnë fjalën e urtë shqiptare ‘miku i mirë njihet në ditë të vështirë’. Tashmë, ne do të qëndrojmë patundur pranë popullit shqiptar, duke forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin, të frenojmë bashkërisht përhapjen e epidemisë. Pala kineze disa herë i ka dërguar MSHMS-së, ISHP-së, mediave dhe think-tankëve shqiptarë gjetjet më të fundit të hulumtimit mbi COVID-19, ka ndarë protokollet më të fundit të paradalimit e kontrollit dhe të trajtimit. Më 13 mars, në kuadër të Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës zhvilloi video-konferencën për të ndarë eksperiencat e Kinës kundër pandemisë. Besoj se miqësia kino-shqiptare do të konsolidohet dhe forcohet më tej në këtë luftë të përbashkët.

(m.k/BalkanWeb)

Spiunazhi gjatë Luftës së Ftohtë dhe Shqipëria sipas një politologu gjerman që po studion arkivat e STAS-it

Shqipëria në arkivat e STASI-t gjerman dhe mënyra se si operonte shërbimi sekret në vendin tonë gjatë diktaturës mund të zbulohen përmes dokumenteve, që gjenden në arkivat e shërbimit sekret të Republikës Demokratike Gjermane, i kthyer në Ministri të Sigurimit të Shtetit e që njihet si ndër agjencitë inteligjente më operative.

Politologu gjerman, Dr. Helmut Müeller-Enbergs ka bërë edhe një studim në lidhje me këtë çështje.

Në intervistën e mëposhtme ai rrëfen për mënyrën se si operonte Sigurimi i Shtetit në ato vite në Gjermani dhe në vendet e Europës Lindore, ndërsa ndalet në mënyrë të veçantë në rolin e femrave në shërbimet operative sekrete.

Müeller-Enbergs thekson megjithatë se në lidhje me shërbimet sekrete në Shqipëri, informacionet më të shumta mund të merren nga arkivat bullgare.

– Ju keni shkruar shumë mbi STASI-n dhe në një prej studimeve tuaja keni përfshirë edhe veprimtarinë e shërbimit gjerman në Shqipëri. Cili ishte interesi i STASI-t për vendin tonë?

STASI si institucion i Republikës Demokratike Gjermane ishte i interesuar për Shqipërinë në kontekstin e Kinës, sepse Kina ishte kërcënimi. Kjo situatë në të cilën ishte Shqipëria: e afërt me Kinën, ishte problem për Rusinë, për vendet e Europës Lindore, si edhe për Republikën Demokratike Gjermane RDGJ.

Për Republikën Demokrate Gjermane, gjithashtu, sepse Partia Komuniste në Gjermaninë Perëndimore ishte e orientuar drejt Enver Hoxhës dhe kishin si qendër kontakti ambasadën shqiptare në Berlin. Kështu që STASI kishte interes të mësonte çfarë ndodhte në Shqipëri.

Diku në fund të viteve ’80-të mësohet se për Shqipërinë kanë shfaqur interes bashkëpunëtorë informalë, të cilët diskutonin të bënin një udhetim “turistik” në Shqipëri, me qëllime kërkimore. Shqipëria ekonomikisht nuk kishte interes.  Po si pikë strategjikisht ushtarake?! Mbase Shqipëria nuk ishte problem direkt për Bashkimin Sovjetik, por përbënte problem, pasi me Shqipërinë në anën e saj, ishte Kina ajo që fitonte tashmë një pikë mbështetjeje në Europë.

– Çfarë ka arkivi gjerman në lidhje me Shqipërinë?!

Arkivat e STASI-t kanë shumë dokumente për Shqipërinë dhe për situatën ekonomiko-sociale. Informacioni vinte nga shërbimet e STASI-t të Republikës Demokratike Gjermane në Tiranë. Ata kishin një qendër informacioni. Vendet e Europës Lindore dhe Bashkimi Sovjetik, si edhe RDGJ, mendonin që duke humbur Shqipërinë, ajo do të shndërrohej në armik të vërtetë.

Shqipëria ishte një vend i varfër nën diktaturën staliniste dhe mund të shkonte ose drejt Perëndimit, ose të shkonte drejt një afrimi më të madh me Kinën, sic kish treguar tashmë. Kështu që, ata duhej të mesonin se çfarë ndodhte në të vërtetë në Shqipëri, cilët ishin interesat e Shqipërisë.

-Cilat ishin mënyrat e depërtimit në Shqipëri dhe cilat janë mënyrat me të cilat STASI bashkëpunonte? Deri në çfarë niveli?

Mendoj se STASI nuk kishte “agjentë” në Shqipëri. Ishin kryesisht dy lloje shërbimesh në Tiranë. Lloji i parë ishte i atashuar me ambasadën në Tiranë dhe si të tillë kishin kontakte me qytetarë shqiptarë dhe të dytët ishin disa specialistë, të cilët kishin punë ekonomike në Shqipëri dhe që mblidhnin informacione për çfarë ndodhte.

– Cilët janë dokumentet më interesante që mund të keni zbuluar dhe që sjellin më tepër informacion në këtë drejtim?

Interesante ishte se Shqipëria kishte kontakte me politikanë të Gjermanisë Perëndimore, siç ishte politikani i mirënjohur Franz Josef Strauss. Përmes spiunazhit, RDGJ donte të mësonte se çfarë diskutohej mes liderave të diktaturës shqiptare dhe politikanëve të  Gjermanisë Perëndimore.

– Ka të dhëna që STASI të ketë patur rol në spastrimet politike në Shqipëri apo informacion mbi to?

Shqipëria ishte një rast interesant ideologjik dhe politik, por jo në qendër të interesit. Sigurisht, vende si Polonia, Jugosllavia, që ishin shtete të Europës Lindore kishin më shumë peshë se Shqipëria në marrëdhëniet me RDGJ-në. Gjithsesi, STASI e mbante një sy nga Shqipëria.

– Në këto arkiva a ka dokumente për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun?

Dokumente ka, por nuk vijnë nga shteti shqiptar, por vetëm informacion i mbledhur nga njerëz që e njohin përmbajtjen e tyre, aparatin në Shqipëri. Kështu që kemi disa informacione të tërthorta për udhëheqësit dhe njerëz të tjerë në aparatin shtetëror.

– Si e ka përcjellë STASI hapjen e Shqipërisë me Republikën federale në 1984?

Mund të them se informacioni përfundon përafërsisht rreth vitit 1987-1988. Nuk kemi të dhëna pas 1989 dhe më vonë, sepse dokumentet për këtë periudhë janë shkatërruar gjatë revolucionit.

– Cili ishte roli i grave në shërbimet sekrete dhe si është përdorur femra nga shërbimet sekrete lindore?

Tingëllon bukur: gratë-spiune. Por në fakt në aparatin e e sigurimit shumica dërrmuese e oficerëve operativë janë kryesisht burra dhe vetëm 25-30 %  ishin gra. Shumica kryenin shërbime sekondare. Nga ana tjetër, spiunët apo agjentët ishin një sistem jozyrtar. Afërsisht gjysma e shoqërisë punonin për shërbimin e sigurimit. Shumica e grave ishin më prudente se burrat, më të drejtpërdrejta. Nuk ka përgjigje se pse, por mendoj se ishin më mirë se burrat.

Ndërkohë në Gjermaninë Perëndimore kishte më shumë femra në nivele të larta të drejtimit të shërbimeve të sigurimit. Për femra që të punonin për RDGJ në Shqipëri, nuk kam dëgjuar. Por nga ana tjetër, ambasada e RDGJ në Shqipëri ishte shumë e vogël.

– Keni të dhëna nëse gratë janë përdorur nga shërbimi sekret në Shqipëri?

Nuk kemi informacion për diçka të tillë, por ishte e njëjta gjë në Bullgari, Jugosllavi, Rumani, ku ne e dimë që 25-30 përqind e aparatit të shërbimit ishin gra: sekretare, në mjekësi, poete. Por nuk kishte gra që ishin oficere, që punonin me agjentët. Ishte një shërbim burrash.

– Po Shqipëria a kishte shërbime të zbulimit në vendet e tjera?

Duhet të kemi parsysh se Shqipëria ishte një shoqëri dhe një shtet shumë i mbyllur. Shumë pak njerëz nga Shqipëria arrrinin të dilnin jashtë në shtetet e tjera shumë afër me RDGJ. Shqipëria ishte shumë e varfër dhe një projekt i tillë i gjerë dhe i komplikuar i mbledhjes së informaciont ishte i shtrenjtë dhe nuk mund ta ofronte pagesën e operativëve. Unë nuk kam mundur të gjej dokumente në lidhje me këtë, por di që shërbimet bullgare ishin shumë të angazhuar kundër shërbimeve shqiptare. Jam i sigurt që në dosjet e tyre do të gjeni përgjigjen e kësaj, si edhe mjaft gjëra interesante në lidhje me shërbimet shqiptare. Arkivat e Bullgarisë janë të hapura. Ishte pak a shumë kështu: që gjermanët lindorë punonin së shumti kundër gjermanëve perëndimorë në shërbimet e inteligjencës. Dhe shërbimet bullgare kishin interesat e tyre rajonalë dhe si të tilla kishin në fokus dhe Shqipërinë, ndaj dhe informacionet më të shumta janë nga Bullgaria.

– Ka shumë dokumente gjermane në lidhje me shërbimet e sigurimit në Shqipëri? Ku mund të kërkojmë për këto dokumente?

Ministria e Sigurimit Shtetëror, e njohur si STASI në RDGJ kishte 22 departamente të fokusuara në aspekte të veçanta. Një department ishte i fokusuar në informacionet me karakter ushtarak. Një department i dytë ishte i fokusuar në kundërspiunazh. Dhë këtu përshembull merrej me mënyrat e kundërzbulimit, sesi shërbimet shqiptare spiunonin vendet e tjera. Dhe sigurisht qendra ishte ambasada shqiptare në Berlin.

STASI mbante nën vëzhgim çdo lëvizje të diplomatëve shqiptarë në Berlin. Kush hynte, kush dilte, të gjithë llojet e kontakteve. Jam i sigurt që secili nga këto 22 departamente duhet të ketë disa dokumente në lidhje me Shqipërinë. Duhet kuptuar që kërkimet duhen fokusuar sipas interesave kryesore të STASI-t në atë kohë. Përshembull, për të parë a kishte interes për zhvillimet në industrinë e turizmit atëherë, kontrolloni le të themi departamentin nr.6, që ishte departamenti përkatës. Por unë personalisht nuk besoj se ka materiale me shumicë për Shqipërinë.

– Si e shihni situatën në Shqipëri në lidhje me hapjen e dosjeve dhe dokumenteve të Sigurimit të Shtetit?

Unë sugjeroj të hapni dosjet dhe të shikoni çfarë shkruhet për Shqipërinë në arkivën e STASI-t dhe çfarë është shënuar në arkivat e Bashkimit Sovjetik, në Poloni dhe në Bullgari dhe mblidhini të gjithë këto dokumente, për të ndërtuar fotografinë e plotë të bashkëpunimit. Mendoj se vëmendje e veçantë nuk duhet t’i kushtohet cilët njerëz spiunuan në Shqipëri, por çfarë bën sens për shoqërinë dhe në bashkëpunim me vende te Europës Lindore. Shqipëria është një shtet i vogël, që ka qenë i izoluar dhe mund të ndihmojë të themi kjo mënyrë për të mësuar çfarë historie ka Shqipëria.

*****

Bisedoi: Blerina Goce – TvT

Intervista – Faruk Ajeti: Një JO e BE-së ndaj Ballkanit do të ishte “dhuratë” për forcat anti-evropiane

Valona Tela

“Nëse BE-ja vërtet dëshiron që rrethi i saj i stabilitetit të përforcohet, atëherë duhet të marrë hapa që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Faruk Ajeti, studiues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Ajeti flet edhe për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, e cila, sipas tij, do të jetë më sfiduese dhe më kërkuese.

BE-ja e ka publikuar metodologjinë e re, më 5 shkurt. Është thënë se ajo bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.

Me metodologjinë e re, vendeve anëtare të BE-së u jepet autoriteti për të pezulluar procesin e pranimit të vendeve të reja. Negociatat e anëtarësimit mund të kthehen në pikën zero, nëse vendet anëtare nuk përparojnë në asnjë fushë.

Tridhjetepesë kapitujt e negociatave nuk do të hapen veç e veç si deri më tash, por në gjashtë grupe. Njëri grup nuk do të mbyllet derisa të mos mbyllen të gjithë kapitujt brenda atij grupi.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian është tkurrur këtë muaj për herë të parë në histori. A ka ende kuptim zgjerimi?

Faruk Ajeti: Që nga anëtarësimi i Britanisë së Madhe fillimisht në Komunitetin Ekonomik Evropian – i cili ka qenë paraardhës i Bashkimit të sotëm Evropian – më 1973, ky vend vazhdimisht ka hezituar që disa fusha të sovranitetit shtetëror t’ia dërgojë Brukselit. Kjo lidhet edhe me faktin se Britania e Madhe nuk ka qenë një nga shtetet themeluese të Unionit Evropian, nuk ka pranuar të jetë pjesë e zonës së Schengenit dhe as pjesë e zonës së Euros. Ajo, pra, ka hezituar që monedhën e saj kombëtare ta zëvendësojë me monedhën e përbashkët evropiane.

Mirëpo, në anën tjetër, largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja është një humbje e madhe si për vetë atë, ashtu edhe për BE-në. Largimi i saj, si një nga shtetet më të fuqishme evropiane në karakterin ekonomik, politik dhe ushtarak, do të jetë një humbje e madhe edhe për Ballkanin Perëndimor.

Këtë e them sepse Britania e Madhe ka qenë një nga partnerët dhe avokatët më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Unë gjykoj se zgjerimi i BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri. Tani në fazën e post-Brexitit dhe në një kohë kur në disa shtete të BE-së ka një tendencë në rritje të partive të ekstremit të djathtë dhe të disa partive euroskeptike, mendoj se zgjerimi do të mund të jepte një frymë, një shpresë të re.

Radio Evropa e Lirë: Brukseli ka dalë me një metodologji të re të procesit të zgjerimit, e cila thuhet se është më dinamike dhe më e besueshme. Ju, si e shihni?

Faruk Ajeti: Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian e ndryshon apo e modifikon strategjinë e tij të zgjerimit. Që nga koha kur BE-ja është formuar, strategjia e zgjerimit ka ndryshuar vazhdimisht. BE-ja nuk është zgjeruar vetëm nga qendra, por edhe në drejtim të lindjes, veriut, jugut dhe perëndimit. Çdo shtet i ri që është anëtarësuar në BE ka bartur më vete sfidat, problemet, por edhe përparësitë për BE-në.

Duhet rikujtuar për shembull se të tjera kushte janë aplikuar për anëtarësimin e Austrisë në BE më 1995, të tjera kushte për anëtarësimin e Sllovenisë më 2004 dhe të tjera kushte për Kroacinë – shtetin e fundit që i është bashkuar BE-së. BE-ja po ashtu është një organizatë ndërkombëtare që nxjerr mësime nga e kaluara. Nëse te shteti A ose B janë shfaqur disa probleme ose pengesa, BE-ja ka tentuar që ato të mos përsëriten te shteti i ardhshëm që do të anëtarësohej.

Radio Evropa e Lirë: Dy vendet që presin në prag janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Si do të gjenden ato me këtë metodologji?

Faruk Ajeti: Tirana dhe Shkupi zyrtar e kanë mirëpritur strategjinë e re, pas tërmetit politik që kanë përjetuar në samitin e fundit të BE-së. Tirana dhe Shkupi presin që shtetet anëtare të jenë më të drejta në vlerësimet e tyre në raport me reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

E dimë që Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë dhënë dritën e gjelbër për nisjen e negociatave me këto dy vende, por ishin shtetet anëtare ato që i bllokuan. Tani, ato presin që shpresat e tyre të kapitalizohen në samitin e radhës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në muajin maj në Zagreb.

Radio Evropa e Lirë: Po Kosova dhe Bosnja?

Faruk Ajeti: Kosova dhe Bosnja pritet t’i nënshtrohen metodologjisë së re, sikurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi, sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i nënshtrohen asaj [v.j. këto dy vende i kanë nisur më herët negociatat me BE-në].

Sipas gjykimit tim, metodologjia e re nuk pritet të jetë lehtësuese për shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor, por do të jetë një proces më kërkues dhe më sfidues. Bashkimi Evropian vazhdimisht ka aplikuar një proces ambivalent për shtetet kandidate. Për shembull, kriteret e parapara në procesin e Stabilizim-Asociimit për Serbinë dhe Malin e Zi, nuk janë identike për Kosovën dhe Bosnjën, ngaqë, me kalimin e viteve, BE-ja i ka rritur kriteret dhe nuk i ka zvogëluar apo lehtësuar ato.

Shembull tjetër është edhe liberalizimi i vizave. Në kohën kur vizat janë liberalizuar për Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, këto vende kanë pasur kritere të tjera. Kur Kosova, ndërkaq, është futur në këtë proces, asaj i janë shtuar edhe kritere të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Pra, me metodologjinë e re a do të ngadalësohet apo përshpejtohet zgjerimi?

Faruk Ajeti: Kushtet e parapara për anëtarësim (në BE) do të varen nga vetë shtetet kandidate. Por me metodologjinë e re është menduar të shmanget edhe situata e samitit të kaluar të BE-së, kur Franca, Holanda dhe Danimarka kanë dalë me qëndrime kundër rekomandimeve të Këshillit Evropian. Me metodologjinë e re është menduar të ketë edhe një bashkëdyzim ose një udhërrëfyes më të mirë brendapërbrenda BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të nënkuptonte një “jo” eventuale e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?

Faruk Ajeti: Një “jo” eventuale e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për shtetet e këtij rajoni, por edhe për vetë BE-në. E them këtë sepse BE-ja do të ballafaqohej me çështjen e kredibilitetit jo vetëm te shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në arenën ndërkombëtare. Do të ndikonte shumë në uljen e kredibilitetit të saj si një akter.

Një “jo” e mundshme ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të ishte një goditje e madhe ndaj forcave reformatore dhe partive politike me qasje pro-evropiane dhe një dhuratë e mirë për forcat që kanë qasje anti-evropiane dhe euroskeptike.

Për më tepër, një “jo” e mundshme do të kishte ndikim të madh edhe në aktivizimin e akterëve joevropianë, ose joperëndimorë – këtu e kam fjalën për Rusinë dhe Kinën, të cilat në dekadën e fundit, si rezultat i mungesës së angazhimit më të madh evropian në Ballkanin Perëndimor, e kanë shtrirë ndikimin e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, sa urgjente është çështja e zgjerimit, marrë parasysh ndikimin e këtyre faktorëve?

Faruk Ajeti: Çështja e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri. Edhe krerët kryesorë të BE-së e kanë thënë se Evropa nuk është e plotë pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse BE-ja vërtet dëshiron që rrethi i saj i stabilitetit të përforcohet, atëherë duhet të marrë hapa që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni mospërfshirjen e Turqisë në metodologjinë e re të BE-së?

Faruk Ajeti: Metodologjia e re, e prezantuar nga komisionari për Zgjerim, nuk ka të bëjë me Turqinë dhe ajo i referohet në mënyrë specifike Ballkanit Perëndimor. Disa ditë para se metodologjia e re të publikohej, ministri i Jashtëm turk i ka dërguar një letër përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nga i cili ka kërkuar që të mos bëhet ndarje artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, por të përfshihet edhe Turqia në këtë proces.

Turqia, qysh në vitin 1987, ka aplikuar për t’iu bashkuar Komunitetit Ekonomik Evropian dhe nga viti 2005 është kandidate zyrtare për t’u bërë pjesë e BE-së. Për shkak të kritikave që BE-ja ka shprehur ndaj Turqisë, sidomos në çështjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, negociatat kanë ngecur.

Pastaj, anëtarësimi i Turqisë në BE ka qenë dhe mbetet prioritet i politikës së saj të jashtme, por jo parimi themelor, ngaqë, sikur Turqia të anëtarësohej në BE, ajo do të duhej që në suaza të procesit të evropianizimit, të hiqte dorë nga politika e saj unilaterale dhe të bashkëdyzohej me politikën e jashtme dhe të përbashkët të BE-së.

Në anën tjetër, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Turqia si vend anëtar i NATO-s, si kandidate zyrtare për anëtarësim në BE, mbetet një partner strategjik i Perëndimit. Megjithatë, viteve të fundit, zërat skeptikë në BE ndaj Turqisë janë rritur. Shqetësimet lidhen me karakterin e saj gjeografik, politik dhe fetar.

Çështja e anëtarësimit të Turqisë në BE do të jetë një test për vetë BE-në si dhe për parimin tashmë të njohur të BE-së: ta bashkuar në diversitet apo në diversitet të bashkuar.

Intervista Reka: Prioriteti ynë, liberalizimi i vizave këtë vit

Arton Konushevci

Me metodologjinë e re të propozuar nga Komisioni Evropian, procesi i zgjerimit do të jetë më i vështirë sesa që ishte deri tash, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Blerim Reka.

Ai thotë se liberalizmi i vizave është prioritet i qeverisë Kurti, por siç shprehet Reka, për të ndodhur ky proces, duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Radio Evropa e Lirë: Ministër Reka, Komisioni Evropian ka propozuar një metodologji të re të integrimit, e cila do të zbatohet për disa vende të Ballkanit Perëndimor. Çfarë ndikimi do të ketë për Kosovën dhe pretendimet e saj integruese në BE, kjo metodologji?

Blerim Reka: Ju e dini se që nga viti i kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, doli me një, ta themi qasje të re sa i përket politikës së zgjerimit të BE-së esenca e të cilës ishte thellësia para gjerësisë, përkatësisht reformat e brendshme institucionale në Bashkimin Evropian, para zgjerimit të BE-së me shtete të reja anëtare.

Si pasojë e një orientimi të tillë strategjik, u hartua një metodologji e re për zgjerimin e cila më 5 shkurt edhe u publikua nga Komisioni Evropian dhe pritet aprovimi formal në mbledhjen e Këshillit Evropian në muajin mars.

Në shikim të parë, analiza më sipërfaqësore e kësaj metodologjie na udhëzon në disa ndryshime. Është e vërtetë që autorët e kësaj metodologjie po duan ta bëjnë procesin e zgjerimit më kredibil, më konsistent dhe më të matshëm.

Por, nga ana tjetër, inauguruan disa parime të reja në procesin e zgjerimit, siç është gradualiteti, siç është kushtëzimi dhe siç është kthyeshmëria.

Çka dua të them, e tërë filozofia e deritanishme mbi 25-vjeçare e zgjerimit që bazohej në të ashtuquajtura kapituj të aki-komuniter (acquis communautaire – baza ligjore e BE-së) dhe atë në 35 kapituj, tani reduktohet në 7 faza dhe në secilën fazë kemi nga disa kaptina që për njëherë shqyrtohen.

Kuptohet se me këtë qasje të re, apo me këtë metodologji të re, procesi i zgjerimit do të jetë pak më i vështirë sesa që ishte deri tani dhe unë shpresoj se kjo u bë pikërisht nga përvojat jo aq të mira nga anëtarët e rinj që u anëtarësuar në vitin 2004 dhe 2007 nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe duke dashur që të mos i përsërisin gabimet e njëjta, ky proces, pra do të jetë më strikt, më rigjid dhe më i kontrolluar.

Radio Evropa e Lirë: Kosova ndodhet në një pozitë specifike në procesin integrues sepse atë nuk e njohin pesë shtete anëtare të BE-së. Kur prisni që këto vende të ndryshojnë qëndrimin karshi Kosovës apo gjithçka ka mbetur në pritje të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë?

Blerim Reka: Është e vërtet se Kosova është rast specifik në raportet me BE-në, shkaku i mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së. Me këtë, në një mënyrë, Bashkimi Evropian, aplikoi një lloj, unë e quaj neutralitet asimetrik në raportet ndaj Kosovës sepse në një anë Komisioni Evropian në këto 7-8 vjetët e ndërmjetësimit në dialogun e Brukselit mes Kosovës e Serbisë, dëshironte të theksonte pozitën neutrale ndaj dy palëve negociatore, por nga ana tjetër, me mostrajtimin e Kosovës si shtet, por siç thuhet në fusnotën e famshme të Brukselit, nuk paragjykohet statusi i saj, në një mënyrë ajo e deprivoi njërën palë negociatore, në këtë rast Kosovën që të jetë palë e barabartë në tryezën e bisedimeve.

Besoj që BE-ja, duhet të lirohet nga, do të thosha, një pozitë e të qenurit peng i këtyre 5 shteteve refuzuese të Kosovës dhe të hap rrugën për procesin e vërtetë integrues. Çfarëdo eksperimentimi tjetër, qoftë me fusnota, qoftë me formulime të llojit që nuk janë aplikuar ndaj pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, vërtetë do të ishte e papëlqyer për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Krahas procesit integrues, i cili për Kosovën parashihet të jetë më i gjatë, qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në rajon që nuk e kanë edhe lirinë e lëvizjes pa viza në Zonën e Schengenit. A prisni që të ketë sivjet ndonjë lëvizje nga vendet anëtare drejt heqjes së vizave për Kosovën?

Blerim Reka: Siç e keni parë edhe në deklarimet e para nga marrja e postit të ministrit, unë jam përmbajtur nga deklarimet, licitimi me data, me ditë, me muaj, sepse procesi i liberalizimit ndonëse është proces teknik i plotësimit të kritereve, megjithatë siç po shihet në rastin e Kosovës në finalen e saj, pas plotësimit të 95 kritereve të Komisionit Evropian, janë disa hezitime te së paku dy shteteve anëtare të BE-së dhe atë me mos bindjen e tyre që Kosova nuk ka ofruar ende prova bindëse për luftimin e korrupsionit, sidomos në rastet e profilit të lartë.

Unë shpresoj që qeveria e re, ministria e re e Drejtësisë, prokuroritë dhe gjykatat do ta marrin seriozisht këtë mesazh të Brukselit dhe nuk do të jemi peng i një moszbatimi të ligjit, gjë e cila ka qenë kërkesa kryesore nga Brukseli. Shpresoj se ky vit do ta çlirojë Kosovën nga geto e schengenit që është gati qe një dekadë.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se mungesa e madhe e luftimit të korrupsionit në Kosovë ka ndikuar që të ketë vonesë në procesin e liberalizimit?

Blerim Reka: Jo që ka ndikuar, por ju them se kjo është krye-kërkesa e shteteve hezituese dhe atë jo aq e ministrive të Punëve të Jashtme të këtyre shteteve, po e ministrive të punëve të brendshme dhe ministrive të drejtësisë. Pra, është puro kërkesë teknike. Që do të thotë është çështje e zbatimit të plotë të parimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të provave bindëse, por në një mase qa sa janë edhe rastet.

Pra, për një epilog gjyqësor me aktgjykime të formës së prerë të rasteve të korrupsionit të lartë, rasteve të krimit të organizuar. Më fjalë të tjera, ne nuk duhet ta plotësojmë këtë kërkesë pse Brukseli apo pse ministrat e Punëve të Brendshme të ca shteteve anëtare të BE-së e kërkojnë. Ne duhet ta bëjmë për ne si shoqëri. Pra, të lirohemi nga kriminaliteti, korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Radio Evropa e Lirë: Pse thuhet atëherë se Kosova i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave.

Blerim Reka: Nuk e them unë, e ka thënë Komisioni Evropian shumë qartë se janë plotësuar 95 kriteret e kërkuara, kjo është e para. E dyta, këtë e përsëriti gjatë vizitës së tij të fundit edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme Borell [Josep Borrel]. Por, mbeti edhe një herë po e them bindja e ministrave të punëve të brendshëm të dy shteteve anëtare që këtë që po e themi se e kemi plotësuar ta dëshmojmë edhe me prova konkrete. Ata janë shumë konkret e shumë preciz, kërkojnë raste të përfunduara gjyqësore të krimit të organizuar të profilit të lartë.

Radio Evropa e Lirë: A do të ndodh kjo tash në Kosovë?

Blerim Reka: Shpresoj që kjo qeveri e cila erdhi mbi platformën e qeverisjes së pastër, e qeverisjes transparente dhe udhëheqjes së shtetit me duar të pastra dhe të ç’kapjes së shtetit, do të jetë bazë solide, unë do të thosha ,në rrafshin strategjik në mënyrë që këtë porosi, këtë filozofi qeveritare të re, ta përcjellin edhe gjykatat edhe prokuroritë në vend.

Radio Evropa e Lirë: Cilat i konsideroni si sfida të Kosovës në drejtim të përmbushjes e agjendës së reformave evropiane?

Blerim Reka: Tani ne duhet të jemi të vetëdijshme. Nuk jam prej atyre tash që merrem me paraardhësit e mi. Unë e mora detyrën me 6 shkurt dhe nga ajo që gjeta në tavolinë, pra nga raportet zyrtare është brengosëse se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim është zbatuar vetëm gjysma apo zbatim gjysmak.

Po aq apo më pak se gjysma janë implementuar prioritetet nga programi ERA/I [Agjendës për Reforma Evropiane], i cili për dijeninë tuaj do të duhej të përfundonte në vitin 2017, ndërsa ne hymë në vitin 2020 ende me mbi gjysmën, pra me 10 prioritete të implementuar nga 22 të kërkuara për ERA/1 [Agjendës për Reforma Evropiane].

Unë do të doja që ta shpejtojmë këtë proces se humbëm shumë vite si në implementimin e MSA-së si në implementimin apo mos-implementimin nëse doni të ERA/I [Agjendës për Reforma Evropiane] dhe t’i japim një mundësi procesit integrues, ta rikthejmë në binaret e vërtetë.

Në programin tim, si ministër për Integrim Evropian, unë kam saktësuar tri priorite. Prioritet afatshkurtër është që brenda vitit të liberalizohen vizat, përkatësisht që qytetaret e Kosovës të lëvizin pa viza schengen në shtetet anëtare të BE-së.

Prioriteti afatmesëm është jo vetëm implementimi i MSA-së në nivelin e kërkuar, por edhe kalimi në ERA/2.

Kurse, prioritet afatgjatë është përgatitja e Kosovës, pra e dosjes së saj për të aplikuar për statusin e kandidati të BE-së, e cila besoj se do të mund të arrihet në fund të këtij mandati.

Intervista – Gëzim Alpion: Reforma zgjedhore dhe arsimi modern, këto e nxjerrin Shqipërinë nga kriza

Prof. Gëzim Alpion nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe, flet në një interviste ekskluzive për gazetën “Shekulli”. Prof. Alpion analizon krizën në të cilën ndodhet Shqipëria, diasporën, çështjen Brexit dhe krizën në familjen mbretërore

Erjon Dervishi

Britania e Madhe ka dalë përfundimisht nga Bashkimi Europian, por dilemat mbeten. Atje jeton dhe punon një emigracion i konsiderueshëm nga Shqipëria, të cilët do të preken drejtpërdrejtë nga ky proces. Gazeta “Shekulli”, ka realizuar një intervistë ekskluzive me Profesorin e njohur të Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe. Prof. Alpion shpjegon situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, krizat e saj, e ardhmja sociale dhe niveli qesharak i klasës politike në vend, si dhe ikja e Agron Tufës nga Shqipëria. Prof. Alpion në korrik të këtij viti, do të botojë të plotë librin për humanisten e madhe shqiptare, Nënë Tereza.

Prof. Alpion, Shqipëria gjendet në një udhëkryq të madh. Nga njëra anë kemi sfidën e integrimit për në Bashkimin Europian, nga ana tjetër kemi krizën politike dhe sfidat sociale, të cilat prekin thellë ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Si e shikoni perspektivën e Shqipërisë në vitet që vijnë?

Shqipëria po përjeton një krizë identiteti. Shkaqet për amullinë e tre dekadave shpesh ja faturojmë kryesisht sistemit totalitar. Monizmi ka fajet e veta por rrënjët e kësaj situate duhen gjetur si në dekadat e fundit ashtu edhe në të kaluarën e largët. Ne kemi humbur kontakt me thelbin tonë, vetëdijen tonë, dhe gjenezën tonë.

Ndërsa popujt e tjerë e sajojnë me lloj-lloj mënyrash ‘lashtësinë’ e tyre, ne vazhdojmë ta shpërfillim dhe shpërdorojmë antikitetin tonë me indiferentizëm dhe papërgjegjshmëri të frikshme. Në 108 vitet e shtetit modern shqiptar shumë gjera duhej dhe mund të ishin bërë më mirë, por mbi të gjitha duhej të kishim punuar më shumë kryesisht për tu rilidhur me rrënjët tona.

Disa nga mangësitë që vihen re gjatë ekzistencës së shtetit shqiptar shpjegohen me mungesën e një elite kombëtare të përgjegjshme për fatet e vendit.

Faik Konica ka argumentuar se elitën tonë e shkatërruan otomanët. Kjo deri diku është e vërtetë.

Asnjë elitë nuk është e përjetshme. Çdo elitë ka ciklin e saj: ajo lind, lulëzon, venitet, shpërbëhet dhe zëvendësohet me një elitë tjetër me mendësi të re dhe vizion të ri. Ajo që çdo elitë ka të përbashkët është përgjegjësia ndaj fateve të vendit. Mjerë ai vend e popull që mbeten pa një elitë të tillë.

Pushtimi otoman pati kusuret e tij në zhvillimin ose më saktë në stanjacionin tonë kombëtar. Fantazma otomane akoma nuk është larguar nga trojet tona; ajo është rrishfaqur rrishtasi në formën e neo-otomanizmit, metastazat e të cilit po depërtojnë gjithmonë e më thellë në Shqipëri dhe veçanërisht në Maqedoni dhe Kosove ku, nën trysninë direkte të Ankarasë, janë edituar edhe tekstet e historisë për periudhën e pushtimit turk.

Sindroma e ‘fajtorizimit’ të pafund të faktorit të jashtëm është një tregues tjetër i tendencës tonë kolektive për të mos marrë përsipër fajet tona. Në 100 vitet e fundit vetë ne shqiptarët jemi shkaktarët kryesorë që kemi mbetur pa elitë. Për rrjedhojë, ne jemi bërë pre brezash-ofiqarësh, motivi kryesor i të cilëve është pasurimi nëpërmjet uzurpimit dhe monopolizimit të shtetit.

Dihet se si përfunduan një numër i madh i nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë, këtyre vizionarëve të cilëve u detyrohemi aq shume. Fati i Nolit, Fishtës dhe Konicës dëshmon se sa e vështirë ka qene dhe mbetet për elitën shqiptare të ketë mundësi t’i shërbej vendit. Fakte të reja trishtuese kanë dalë në dritë se si u trajtua elita intelektuale nga Enver Hoxha. Komunizmi ishte një periudhë paradoksale: arsimimi masiv rezultoi në një inteligjencë inerte. Që intelektualët janë zëri më i mekur i shoqërisë shqiptare edhe në ‘demokraci’ duhet të na shqetësoj dhe tremb të gjithëve.

Një komb pa elitë është një turmë të cilës mund t’i servirësh lehtë idenë se nuk bën dot kurrë pa ‘faktorin’ e jashtëm. Kjo shpjegon se përse kemi kaq shume ‘vëllezër’ dhe ‘miq’ – turq, sllavë, italianë, gjermanë, sovjetikë, kinezë, amerikanë – të cilët i ndërrojmë si veshjet me ndërrimin e stinëve.

Ne na është krijuar bindja se nuk bëjmë dot pa një fuqi të huaj dhe për pasojë nuk përpiqemi të gjejmë forcën mes nesh. Aktualisht, çështjen e korrupsionit endemik qeveritar presim të na e zgjidhin amerikanët dhe BE-ja.

Ky inferioritet patologjik ndaj të huajve, vihet re qartë edhe në diskursin infantil në Shqipëri dhe Kosovë, për ‘ëndrrën Europiane’. Kjo nuk përbën ndonjë çudi po të kemi parasysh se personat që negociojnë anëtarësimin e këtyre dy trojeve shqiptare në BE zor se e dinë se, në lashtësi, fillimisht ‘Europë’ quhej vetëm gadishulli Ilirik.

Ne kemi kohë që jemi katandisur në nxënës të prapambetur që bëjmë detyra shtëpie me imponim që të na pëlqej Europa, por nuk e kuptojmë se reformat duhen bërë pikë së pari se janë të domosdoshme që Shqipëria dhe Kosova të funksionojnë si shtete normale. Ngërçi shtetëror që po përjeton Kosova diktohet edhe nga disa rrethana për të cilat nuk do të ndalem në këtë intervistë.

Situata në të cilën është katandisur shteti shqiptar me kryeministra që sillen dhe veprojnë si kapo dhe me një opozitë qesharake, është e pafalshme. Pra, në përgjigje të pyetjes tuaj, se si e shikoj unë perspektivën e Shqipërisë, mund të them se vetëm me konsolidimin e shtetit ligjor, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, vendi ynë do ingranohet me dinjitet në botën demokratike.

Cilat janë krizat që ju mendoni se klasa politike shqiptare duhet t’i tejkalojë në mënyrë që Shqipëria të ketë një model zhvillimi?

Në Shqipëri nuk ka ‘klasë politike’ por ‘kaste kulisash’. ‘Rekrutimi’ në të, përcaktohet nga shkalla dhe kohëzgjatja e ‘besnikërisë’ ndaj sekserit që shpërblen ‘mercenarët’ me kocka nga gostia e pafund në kurriz të pasurive të vendit. Sekserët e kësaj kaste që qeverisin me rotacion nuk dallohen për ndonjë filozofi politike. Ata janë njerëz të rëndomtë, me një arsimim të cunguar që mangësitë e formimit intelektual përpiqen t’i fshehin pas ‘titujve shkencorë’ që, si çdo gjë në jetë, i kanë të vjedhura.

Këta sekserë janë shkaktarët kryesorë për atë që Emile Durkheim i quan ‘anomie’ që ka kapërthyer jo vetëm ata por edhe nëpunësit e thjeshtë në çdo segment të shtetit qendror dhe lokal; pra, ata janë robër të obsesionit të pa kontrollueshëm për pasuri pa fund në një botë që nuk njeh asnjë rregull. Këta gjallesa banale kanë legjitimizuar përjetësinë e pushtetit nëpërmjet korruptimit të votës.

Pa një reformim rrënjësor të sistemit të zgjedhjeve lokale dhe kombëtare, dhe pa një arsim modern në çdo hallkë, nga ai parashkollor e deri në atë pasuniversitar, Shqipëria do të vazhdojë të zbukuroj fasadën pa rikonstruktuar thelbin.

Po kaq i rëndësishme është reformimi i partive politike që, tani për tani, janë shndërruar dhe funksionojnë kryesisht si biznese private.

Në Shqipëri nuk do të ketë zhvillime demokratike po qe se nuk funksionon opozita. Në ketë drejtim, Shqipëria është më keq se çdo vend tjetër që doli nga sistemi komunist. Edhe në kohën e monarkisë, në disa momente parlamenti shqiptar funksiononte në mënyrë më efikase.

Dhe së fundi, Shqipëria nuk mund të dalë nga ky ngërç pa angazhimin direkt të elitës së diasporës. Dyert e shtetit shqiptar për intelektualë të pavarur në diasporë, të cilët nuk i bëjnë temenara asnjë partie apo pushtetari por që kanë pasionin për t’i shërbyer vendit me përkushtim, vazhdojnë të jenë të mbyllura në Shqipëri.

Fjala e lire ka qenë pjesë e një debati të fundit ku në qendër të saj ka qenë shkrimtari i njohur Agron Tufa. Së fundmi ai ka dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ka kërkuar strehim politik në Zvicër. Çfarë pasojash mund të ketë Shqipëria nga ky akt? A mundet që në një vend të lirë të ketë mungese të fjalës së lirë dhe besoni se kjo ndikon edhe në perceptimin e faktorit ndërkombëtar?

Dr. Tufa është një intelektual dhe krijues i spikatur i tre dekadave të fundit. Përpjekjet e tij për të zbardhur periudhën komuniste janë të admirueshme dhe duhej të kishin përkrahje shtetërore.

Historia që na është servirur për periudhën 1941-1991, është historia e ‘fitimtarit’ dhe për pasojë nuk mund të jetë as a plotë dhe as objektive. Megjithatë, në përpjekjet tona amatoreske për të rishikuar dhe rishkruar historinë nuk duhet të bëjmë gabimin e serbëve të cilët, siç argumenton Jelena Dureinoviç, në studimin e sapo botuar ‘Politika e Kujtesës së Luftës së Dytë Botërore në Serbinë e Sotme’, ka shndërruar në ‘heronj’ persona me një të kaluar të erret të dokumentuar.

Në historinë e shtetit shqiptar nuk ka engjëj; kjo është e vërtete për monarkinë, periudhën 1939-1944, regjimin komunist, dhe amulline ‘demokratike’ të tre dekadave te fundit.

Askush nuk ka të drejtë të hedhë poshtë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, apo të mohojë sakrificat e dëshmorëve. Është absurde të mendosh se ata që sakrifikuan pasurinë dhe veten gjatë luftës e bënë këtë vetëm ose kryesisht për partinë komuniste. Po kështu, ideja se vetëm komunistët e donin vendin është sa banale aq edhe qesharake. Përçarja kombëtare, që u kthye në sistem në komunizëm, është një nga mëkatet nga i cili po vuajmë edhe tani.

Ata që nuk janë dakord me Dr. Tufën për çështjet që ai trajton dhe mënyrën e trajtimit nuk kanë të drejtë ta kërcënojnë. Është për të ardhur keq që në parlamentin shqiptar diskutohet shpesh për gjëra ordinere me një vulgaritet që është bërë tipar thelbësor i këtij institucioni, por nuk debatohet me seriozitet për rëndësinë e garantimit dhe mbrojtjes me ligj të fjalës së lirë.

Rishikimi objektiv i historisë nuk është projekt shqetësues vetëm për Dr Tufen, Institutin që ai drejtonte apo viktimat e komunizmit. Kjo çështje, me rendësi vitale për kohezionin tonë si popull, duhet të na shqetësoj të gjithëve. Por ky rishikim duhet të drejtohet nga historianë të mirëfilltë që janë të çliruar nga çdo influencë politike.

Vitet e fundit Shqipëria është prekur nga një valë masive emigrimi. Kjo e lidhur me situatën politike në vend, mungesën e shpresës, krizën ekonomike apo edhe nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit. A mund të përbëjë kjo një emergjencë kombëtare për Shqipërinë?

Emigracioni masiv përbën një emergjencë kombëtare dhe kjo situatë kritike, po qe se nuk merren masa, mund të keqësohet. Njerëzit kanë humbur besimin se ata që janë në krye të shtetit kanë një vizion dhe, mbi të gjitha, karakterizohen nga përgjegjësia ndaj fateve të njeriut të thjeshtë.

Megjithatë, emigrimi ekonomik nuk duhet shikuar vetëm me nota negative. Është përgjegjësia e shtetit shqiptar që të hap vende të reja pune, dhe në pamundësi për ta bërë këtë në nivele të premtuara gjatë fushatave elektorale, të negociojë me vende të interesuara, në dhe jashtë BE-së, për një emigracion të organizuar sezonal. Pra, duhet shikuar mundësia e një emigracioni të rregulluar.

Ju që nga viti 1993 jetoni dhe punoni në Britaninë e Madhe. Kohët e fundit mediat në Britani kanë realizuar disa reportazhe por edhe lajme në lidhje me bandat kriminale shqiptare atje. A mund të themi se kriminialiteti shqiptar në Britani është rritur? Po historitë e suksesit cilat janë në Britani?

Emigracioni nuk është një ndër specializimet e mija si sociolog. Megjithatë, temën e trajtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në mediat britanike e kam trajtuar në disa studime si dhe në krijimtarinë time letrare.

Në Britani kemi një komunitet që po integrohet vazhdimisht. Si në çdo vend tjetër, edhe këtu ka elemente kriminale dhe persona të papërgjegjshëm që, për përfitime personale, nxijnë gjithçka që ka të bëj me vendlindjen.

E vërteta është se imazhi negativ i Shqipërisë vjen kryesisht nga Shqipëria dhe jo diaspora. Krimi i organizuar shqiptar në perëndim nuk mund të përbëj një shqetësim kaq të madh po qe se nuk ka lidhje me zyrtarë të lartë në Tiranë.

Çështja e Brexit është një çështje shumë e nxehtë për Britaninë e Madhe. Më 31 janar Kryeministri i vendit, Boris Johnson nënshkroi marrëveshjen finale të divorcit me Bashkimin Europian. Si e shikoni perspektivën e Britanisë së Madhe në këtë aspekt si dhe faktin që aty jetojnë dhe punojnë shumë shqiptarë? Çfarë do të ndryshojë tani për shqiptarët pas Brexit?

Dalja e Britanisë nga BE-ja është një çështje e ndërlikuar që kërkon kohë të shtjellohet. Me pak fjalë, për këtë divorc fajtorë janë si Britania ashtu edhe BE-ja. Për mendimin tim, largimi i Britanisë nga BE-ja ishte një gabim i klasës politike britanike. Ky gabim duhet parë në kontekstin e së kaluarës imperiale të këtij vendi dhe të krenarisë për bashkë-ekzistencën prej një mijë vitesh të parlamentit dhe monarkisë. Megjithatë, të kërkosh të kesh sovranitet të plotë në një botë globale si kjo që jetojmë tani është ambicie utopike për çdo shtet, përfshirë edhe Britaninë.

Nga ana tjetër, BE-ja në Britani është shikuar gjithmonë si një ‘projekt’ Gjerman. Si në të kaluarën, edhe tani rivaliteti, here i hapur here i kamufluar, midis Britanisë, Gjermanisë dhe Francës është përcaktues për fatet e Europës.

Vetëm pas 31 Janarit 2020, kur Brexit-i u ratifikua nga parlamenti britanik, drejtuesit e BE-se pranuan se janë bërë ‘gabime’ nga ana e tyre. Gabimi më i madh, mendoj unë, është iluzioni që ushqen BE-ja se nocioni ‘komb’ nuk është më i rëndësishëm si më parë.

Le të shpresojmë që BE-ja do të nxjerre konkulzionet e duhura në këtë drejtim. BE-ja nuk është një klonim federalë i versionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kombi është dhe do të mbetet një tipar dallues i identitetit të popujve europian.

Pas Brexi-it, si çdo të huaj, edhe shqiptarët në Britani do të trajtohen sipas ligjit. Në ketë drejtim asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshoj.

Britania është një vend që i ka mirëpritur dhe do të vazhdoj të mirëpres të huajt që zbatojnë ligjet, integrohen dhe kontribuojnë në shoqërinë britanike.

Një tjetër çështje e nxehtë në Britaninë e Madhe është edhe kurora mbretërore. Prej disa javësh familja mbretërore ka filluar të përçahet. A mund të themi se sistemi tradicional britanik po lëkundet? Nga pikëpamja sociologjike si e shpjegoni faktin e largimit të Princ Harryt nga Buckingham Palace?

Pas dy dekadash relativisht të qeta që nga vdekja e Princeshës Diana, familja mbretërore britanike është përsëri objekt interesimi jo për arsye të mira, fillimisht përfshirja e Princ Andrew në skandalin Epstein; dhe së fundi largimi i Princ Harry-t me bashkëshorten e tij nga familja mbretërore për të filluar një jetë të pavarur financiare.

Familja mbretërore është tronditur nga këto ngjarje por vazhdon të mbetet një institucion i rëndësishëm. Vendimi i Mbretëreshës Elizabeth II për të lejuar nipin e saj Harry të jetojë i pavarur në Kanada por jo të lejoj të ketë funksionet ushtarake apo të flasë në emër të saj, tregon se asnjë anëtar i Familjes Windsor nuk është më i rëndësishëm se Monarkia dhe e ardhmja e saj.

Monarkia Britanike do vazhdoj të luaj një rol të rëndësishëm në këtë vend. Zhvillimet e fundit tregojnë se, si çdo aspekt tjetër i jetës në Britani, edhe ky institucion nuk mund t’i shmanget modernizimit. Përkundrazi, ekzistenca e monarkisë varet nga aftësia e tij për t’u modernizuar në përputhje me rrethanat. Në këtë drejtim, monarkia ka treguar se është në gjendje të adaptohet.

Shqipëria me nëntë gjyqe në gjykatën e arbitrazhit. 1 miliardë e 356 milionë eurot dëmshpërblim që kërkojnë kompanitë e huaja, mes tyre biznesmeni Beccheti

Kompanitë e huaja që kanë paditur Shqipërinë në gjykatat e arbitrazhit kërkojnë 1 miliardë e 356 milionë euro dëmshpërblim.

Edhe pse avokatura e shtetit ka qenë hermetike për të bërë transparente paditë ndaj Shqipërisë, një audit i Kontrollit të lartë të shtetit ka nxjerr në dritë, batërdinë e arbitrazhit dhe humbjet e mëdha që rrezikon Shqipëria nga këto gjyqe.

Sipas auditit, aktualisht ndaj Shqipërisë ka 9 padi aktive në gjykatat e arbitrazhit, për të cilat pritet dhënia e vendimit. Dy prej tyre i përkasin kompanive të lidhura me biznesmenin italian Francesco Beccheti. Për njërën nga çështjet, Gjykata ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve e ka dënuar shqipërinë 110 milionë euro. Por ky vendim nuk quhet ende përfundimtar pasi Shqipëria e ka ankimuar dhe procesi vazhdon.

Por veç dy padive nga kompanitë e italianit, kundër Shqipërisë janë edhe 7 gjyqe nga kompani të tjera. Pjesa dërrmuese e këtyre padive janë kundër ministrisë së energjisë dhe agjencive në varësi të saj.

Ndaj AlbPetrol dhe agjencisë kombëtare të burimeve natyrore janë dy padi aktive në arbitrazh, ku pretendimi i kompanive është për dëmshpërblim mbi 110 milionë euro. Autoriteti rrugor shqiptar është paditur në gjykatën e dhomës ndërkombëtare të tregtisë për 44 milionë euro, ndërsa OSHE dhe agjencia kombëtare e ujësjellës kanalizimeve janë paditur respektivisht me 5 dhe 20 milionë euro.

Kjo është hera e parë kur një dokument shtetëror zbulon biznesin gjigant të arbitrazhit, i cili rrezikon të trondis financat e shtetit për shkak të pakujdesive apo korrupsionit të institucioneve, që e kanë ekspozuar vendin përballë pretendimeve stratosferike./

TOP CHANNEL

Majlinda Keta: Sistemi po shkërmoqet, prirje korruptive

Ngërçi në sistemin arsimor

Voltiza Duro – Sistemi arsimor shqiptar duket se nuk po gjen qetësinë e duhur për të matur pjesën e pretenduar si reformë. Ligje që shkruhen e rishkruhen, ngërçe institucionale në dy nivelet e sistemit, parauniversitar dhe universitar, dukuri si ajo e denoncimit të herëpashershëm për dhunë ndaj fëmijëve apo rasti i abuzimit të mësuesit të shkollës së mesme në Fier që kanë përkeqësuar perceptimin publik ndaj institucioneve publike për të mos harruar edhe përplasjet qeveri studentë, ministri rektor i Universitetit të Tiranës apo ky i fundit me dekanë. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, pedagogia e Shkencave Sociale, njëkohësisht kryetare e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta shpjegon të gjithë faktorët që kanë ndikuar në ngërçin mes rektorit dhe 4 dekanëve të Universitetit të Tiranës.

Pse sistemi arsimor nuk po gjen qetësi, sidomos në pjesën e institucioneve publike?
Sistemi nuk ka si të gjejë qetësi për një arsye thelbësore dhe shumë të tjera. Së pari, sistemi arsimor shqiptar nuk ka të përcaktuar modelin e tij të zhvillimit që logjikisht vjen pas një modeli të përcaktuar ekonomik dhe social të vendit. Ai sot vijon të përbëjë një organizim anarkik që pretendohet të reformohet sa herë kemi rrotacione politike ku këto të fundit vetëm përkeqësojnë përplasjet mes kopjeve të këqija nga sisteme të ndryshme arsimore botërore në elementë të ndryshëm të tyre që vijnë nga këshilltarë që me këtë anarshi lënë pa frymë ministra mediokër të vënë nga Kryetari i Partisë dhe në mungesë totale të vizionit dhe të qenit asgjë, pa kurrfarë kontributi personal apo modeli udhëheqësie për këto 30 vite në arsim. Pra, sistemi, dëmin më të madh vijon ta marrë nga politika me ndërhyrjet e saj që vetëm oksigjenuar politizimin dhe mediokritetin e udhëheqësisë arsimore në çdo nivel. Në se ministri politik vetë është mediokër, në mungesë vizioni dhe artikulimi publik reformator, jashtë kontekstit shqiptar për 30 vite ndryshime në arsim, si mund të pretendojmë se do të prodhojë standarde për një udhëheqësi vizionare dhe frymëzuese për kolegët e tyre, në sistemin parauniversitar apo universitar qofshin. Dëmi më i madh sigurisht i shkaktohet sektorit publik arsimor por kjo ndikon edhe në liçensimin dhe mbarëvajtjet e sektorit jopublik, parauniversitar apo universitar qoftë, për të mos folur për zhvillim e kontribute të kërkimit shkencor në vend.

Pra, ju pohoni se politika qeverisëse ka ndikimin e vet në arsim dhe e formaton atë më së shumti jo drejt progresit?
Në këto 3 vitet e fundit mendoj se janë kulmimi i së keqes së politikës mbi arsimin pasi ka dalë jashtë binarëve të funksionalizmit parlamentarizmi shqiptar, mjedisi institucional ku mund të mendohej se mund të realizohej oponenca programore për strategji të miratuara si kombëtare për arsimin dhe shkencën; u bënë vite që sindikatat e arsimit janë të përçudnuara në aktivitetin e tyre; janë vitet ku fokusi i komunikimit qeverisës fyes për mësues e pedagogë me publikun shqiptar duket se kanë tronditur fuqishëm dinjitetin e mësuesit dhe pedagogut dhe besimin publik ndaj tyre; janë vitet kur rrogat e pedagogëve në universitetet publike shenjuan plot 15 vite të paindeksuara me rritjen e çmimeve në vend jo më të rriteshin, kur rrogat e parauniversitarit qysh nga 2013 -ta nuk vijuan indeksimin; janë vitet ku mungesa e transparencës dhe llogaridhënies për nivelin skandaloz për arsimin dhe kërkimin shkencor në PBP kanë bërë që të mos kontrollohen tendenca dhe shkollëza edhe antishqiptare nga materialet skandaloze në tekstet e Alterkorrupsionit deri tek mungesa e bashkërendimeve arsimore në hapësirën arsimore dhe mendonjëse shqiptare. Kur i rreshtoj këto nuk harroj që kërcënimi më i madh për arsimin mbetet e ardhmja e afërt ku auditoret tona nuk do të kenë më fëmijë dhe të rinj në banka pasi vijon vrullshëm shpopullimi i këtij vendi nga të rinjtë dhe familjet e reja drejt botës.

Përballë këtyre situatave kritike ku është mësuesi, pedagogu shqiptar baza e intelektualizmit apo elitarizmit shqiptar?
Hartuesit e kësaj lloj strategjie ndaj arsimit por dhe heshtanakëve që nuk luftojnë ku dhe si duhet kundër tij me mënyrën se si po e trajtojnë arsimin dhe arsimtarin, universitetin publik dhe pedagogun e tij ja kanë arritur të asfiksojnë dinjitetin e tyre, shpirtin e tyre kritik qytetar, shpirtin e tyre të rezistencës ideore dhe revoltës sindikaliste. Vetëm një gjë harrojnë këto shkatërrues të arsimit se dëmin më të madh kjo lloj sjellje qeverisëse e bën mbi fëmijët dhe të rinjtë e këtij vendi. Një trup arsimtarësh kur ti, politikani, ministri, politika pranuese me heshtjen e saj i çon mbi krye një të paaftë, pa lidhje me vizionin dhe shpirtin reformator që kërkon udhëheqësia në arsim dhe që për vlerë të vetme ka të qenit nga krahina e ministrit apo pjesë e shtabit elektoral të deputetit të zonës ti ja ke asfiksuar energjitë trupës pedagogjike, ja ke hequr mundësitë e frymëzimit për rezultate progresive nga vizioni i udhëheqësit, ja ke hequr burimin e besimit se çdo cilësi e kontribut i shtuar për vetëzhvillim e karrierë të mundësi të provosh projektet e tua zhvilluese në nivel kombëtar dhe personal lëndor, e depersonalizon personalisht dhe profesionalisht. Kjo është një simbiozë e mbjellë nga politika që prodhon çdo çast konfliktualitet me veten, profesionin dhe në rrafshin social për vetë burimet njerëzore të përfshira në sistem.

A mendoni se mësuesi apo pedagogu do jetë misionar i arsimit apo të ngrihet në cilësinë e një edukatori?
Harrojeni se ndodh kjo e fundit, realisht ndodh që sistemi çdo ditë vetëm shkërmoqet dhe ka prirje anarkiko-korruptive. Dhe dëmi më i madh është mbi fëmijët dhe të rinjtë humbin mundësinë e përfitimit nga modeli me ndikimin më jetëgjatë për secilin nga ne. Nga ana tjetër, këtij vendi po i vdes mundësia që zhvillimet dhe ngjarjet e mëdha ti prodhohen nga shtresa e mesme, intelektualët e saj.

Në një farë mënyre shpjegimi i mësipërm a vlen edhe për konfliktualitetin tashmë të njohur publikisht mes rektorit të Universitetit të Tiranës dhe dekanëve në 4 fakultete? Janë bërë të njohura në media një letër e rektorit drejtuar stafeve akademike për problematika jo ligjore nga asambletë e fakulteteve për zgjedhjen e Komisioneve të Doktoraturave në fakultetet e UT-së. Si qëndron sipas jush e vërteta dhe ku është roli i ministrisë në këtë konfliktualitet? A nuk është ky një shkak që t’ju ulen kreditet e besueshmërisë në opinionin publik?
Do ta filloja me qëmtimin tuaj të fundit por të ardhur si pyetje: “A nuk është shkak që UT-së t’i ulen kreditet e besueshmërisë në opinionin publik? Po, është një shkak jo pak i konsiderueshëm që ndikon mbi besueshmërinë e shqiptarëve në gjithë hapësirën shqipfolëse. Është një shkak që i bërë “publik” nga rektori kundër votës së akademikëve nga organi më i lartë në njësinë kryesore, fakultet, Asambletë shton dëshminë se UT-ja ka kohë që është në mungesë të frymës së udhëheqësisë dhe funksionalizmit ligjor me në krye rektorin. Është e papranueshme që autoritet drejtuese, rektori në këtë rast, të mos njohë e mbështesë funksionalitetin midis autoritetit dhe organeve kolegjiale, autoritetit dhe votës akademike, autoritetit rektor dhe organit drejtues rektorat ku bëjnë pjesë edhe këto 4 dekanë. Këtu nuk po ndalem në mungesën e etikës në komunikim mes autoritetit rektor dhe stafeve akademike, pa harruar që stafeve nuk i bëhen më dije edhe qëndrime të Ministres së Arsimit për problemin.

Historia e konflikteve që ju merrni në referencë është tregues së demokracia e brendshme e votës dhe e vendimmarrjeve kolegjiale në universitetet publike(pasi konfliktualitete njohim për të gjithë universitet publike) është e kërcënuar nga autoritarizmi shterpë, jo etik dhe injoranca juridike e drejtuesve. Kjo lloj “udhëheqësie” vetëm asfikson veprimtarinë akademike dhe kërkimore në fakultetet tona, prish kohezionin e stafeve, tregues ky që i nevojitet kërkimit pa harruar që nuk gjenerojnë progres dhe vetëzhvillim në karrierat e çdo akademiku dhe rrjetet kombëtare dhe ndërkombëtare ku duhet të jenë kontributorë. Uroj që llogaridhënia dhe transparenca të jetë pjesë e këtyre autoriteteve që janë në përfundim të mandatit dhe në prag të zgjedhjeve të reja të 8 majit 2020. Aty do marrin vlerësimin apo “gjyqin” nga stafet edhe nën këtë këndvështrim tuajin, dëmin publik për besueshmërinë publike tek UT-ja.

Intervista – Zef Mazi: Sa pranë bombës bërthamore iraniane ndodhet bota

Pak ditë më parë Zef Mazi, ish-ambasador i Shqipërisë pranë OSBE dhe në Britaninë e Madhe botoi një intervistë ku preku disa nga temat e nxehta të momentit.

Zoti Mazi analizonte në atë intervistë situatën e re në politikën bërthamore të Irani, të krijuar pasi Teherani dhe Uashingtoni hynë në një krizë të re. Sot jepen përgjigje dhe ide të reja mbi këtë temë therëse të aktualitetit ndërkombëtar.

Para disa javësh ju mora një intervistë për Iranin. Ka pasur interes nga lexues, edhe për të ditur dicka më shumë. Ju përmendët dy fabrika të pasurimit të uranit në Natanz e Fordoë. Flitet se pasurimi mund të bëhet edhe në pika të tjera, ndoshta sekrete. Si është kjo punë?

Në zbatim të çdo Marrëveshje Gjithëpërfshirëse për Garancitë, shtetet e IAEA-së deklarojnë zyrtarisht pikat ku ata kanë apo kryejnë veprimtari bërthamore. Pikat e deklaruara zyrtarisht inspektohen nga Agjensia Bërthamore. Zbatimi i marrëveshjes bërthamore të JCPOA e uli ndjeshëm punën në fabrikat e pasurimit të uranit, që ishin dhe janë zyrtarisht të deklaruara nga Irani. Mund të bëhet pyetja: a mundet të jenë përdorur këto qendra të deklaruara si një lloj “kurthi” ndaj perëndimoreve për të fshehur ndonjë qendër tjetër, sekrete, ku Irani do të bënte bën pasurim? Kjo më duket se shkon shumë larg. Këtë nuk mund ta them dhe nuk mund ta dij, ndonëse flitet se disa veprimtari serioze pasurimi mund të jenë kryer, apo të vazhdojnë, në ndonjë qendër tjetër, sekrete, që drejtohet nga Garda Revolucionare e Iranit. Shërbime të caktuara të specializuara ka disa vite që kanë folur për ekzistencën e një qendre sekrete të pasurimit që operohet nga ushtria dhe Garda Revolucionare, përveç atyre që janë të deklaruara.

Kjo është një çështje mjaft e komplikuar. Duhet të dihet qartë se çdo shtet tregon tepër kujdes kur vjen puna për informacione, lere pastaj, për të lejuar inspektime, lidhur me apo në qendrat e tyre ushtarake. Përvec pikave të deklaruara zyrtarisht, këto qendra ushtarake zakonisht nuk përfshihen në marrëveshje. Edhe marrëveshja e JCPOA nuk i përfshin këto qendra. Irani nuk ka pranuar që të kishte referenca në JCPOA për instalimet e tyre ushtarake dhe që ato të përfshihenshin në JAPOA. Kur negociohej JCPOA, mendimi i përgjithshëm ka qenë se është më mirë të kesh një marrëveshje sesa të mos kesh marrëveshje fare.

Për ta kuptuar më mirë, cfarë do të thotë kjo konkretisht, në këtë rast specifik?

Për sa i përket pasurimit të Iranit, JCPOA ka efekt veprues vetëm në ato qendra, apo fabrika, që janë deklaruar nga Irani, pra janë të njohura. Agjensia Berthamore monitoron dhe inspekton vetëm ato. Në këtë kontekst, Agjensia ka raportuar saktë, cdo tre muaj, se Irani i përmbahet kushteteve të marrëveshjes. Duhet shtuar këtu se, në kuadër te JCPOA, Irani ka pranuar që të ndërmarrë edhe disa hapa plotësuese, shtesë, në mënyrë vullnetare: ai ka lejuar inspektorët që të shohin edhe disa informacione të tjera dhe të vizitojë edhe disa qendra të tjera shtesë që IAEA gjykon se duhen parë dhe duhen inspektuar. A do të thotë kjo se në atë vend operon edhe ndonjë qendër tjetë pasurimi i uranit në nivele të larta, deri për përdorim për arme, në pika ushtarake që janë jashtë kontrollit të inspektorëve? Këtë nuk mund ta dij, prandaj as nuk mund ta them.

Nëse i ka ardhur “vdekja” JCPOA, cka ndoshta edhe mundet, pasi duket se ndodhemi tepër afër, pra, duhet ndjekur nga afër në javët në vijim, mendohet se Irani mund të rifillojë pasurimin e uranit në nivele të larta në Natanz. Si thashë edhe në intervistën e mepareshme, JCPOA është marrëveshje ndëërmjet shtatë nënshkruesëve dhe Iranit. Irani kufizohet në pasurimin e uranit jo vetem nga kuadri i JCPOA, por edhe nga Traktati i Mos-Përhapjes të armëve bërthamore (NPT), si firmëtar dhe ratifikues i këtij Traktatit, si gjithë shtetet firmëtare dhe ratifikuese të Traktatit.

Sipas NPT-se, Iranit i lejohet të pasurojë uran në nivele të ulëta thjeshtë për përdorime civile, për shembull, për të mbajtur në punë centralin bërthamor, si dhe një sasi të kufizuar në nivel fare pak më të lartë për të operuar reaktorin kërkimor që ka në Teheran. Cdo hap, sado i vogël, per t’i kaluar këto nivele të përcaktuara qartë është normale që ve në lëvizje menjëherë IAEA dhe, në fund të fundit, edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Po sikur Irani të tërhiqet nga NPT, siç është dëgjuar në media se diplomatë iranianë kanë deklaruar se Irani mund të tërhiqet nga NPT. Mund të ndodhë kjo gjë?

Mund të ndodhë; kjo gjë ka ndodhur në rastin e Koresë të Veriut, që u tërhoq nga NPT që nga viti 2009. Irani teknikisht nuk përjashtohet që mund ta marrë atë rrugë. Theksoj se se shtetet palë në NPT janë të detyruara nga ai Traktat që të nënshkruajnë Marrëveshje Gjithëpërfshirëse të Garancive me Agjensinë Bërthamore. Tërheqja nga NPT mund të thotë hapje e dritës jeshile për të mos bashkëpunuar as me Agensinë Bërthamore, pasi nuk do të kishte më një Traktat që do ta impononte një shtet jo palë që të nënshkruante Marrëveshje Gjithëpërfshirëse të Garancive me IAEA. Si pasojë, kjo do të sillte vendimin që të largoheshin inspektorët e IAEA nga Irani, përfshirë edhe mjete të tjera të verifikimit dhe inspektimit në distance, pra të mos kishte më asnjë rregjim verifikimi dhe inspektimi në Iran. A mund te ndodhe dhe a do ishte kjo gjë në interesin e Iranit?

Unë mendoj se tërheqja nga NPT, edhe sikur të ndodhte, nuk e “shvesh” Iranin nga obligimet. Shtoj se ka edhe një resolutë tjetër të Këshillit të Sigurimit (1540) që do ta lejonte komunitetin ndërkombëtar ta etiketonte prodhimin e uranit të pasuruar në nivele për armë si “kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, sipas Kapuitllit të VII të Kartës të OKB-së. Ndaj atij vendi do të merreshin më pas veprimet përkatese. E thënë më qartë, në Natanz, për shembull, Irani nuk mund të prodhojë uran në nivel pasurimi për armë as në mënyrë legale dhe as sekrete. Për ta arritur këtë nivel pasurimi do të nevojiteshin qendra të tjera dhe sekrete.

Ka kohe që diskutohet se sa kohë do t’i duhej atij vendi për të prodhuar uran të pasuruar në atë nivel dhe sasi që mund të përdoret për armë në fabrikat e njohura! Ndoshta kjo përqasje do ta largonte vëmëndjen nga diçka dhe do ta përqëndronte atë pikërisht te kjo çështje dhe tek ato fabrika të njohura. Po të ishte e vërtetë kjo, dhe po të mund të vërtetohet se është kështu, marrëveshja JCPOA, megjithë cka ajo ka arritur dhe ka realizuar, me gjithë meritat e arritjes diplomatiko-politike të saj, do të diltë se ajo mund të mos ketë qëlluar në shenjë, ndoshta që nga koha e konceptimit të saj.

Përsëris, nëse do të ishte kështu dhe nëse do të vërtetohej kjo gjë, marrëveshja kësisoj do të dilte se ka qenë një masë e përkohëshme për të ndaluar Iranin të ecë në këtë rrugë, të ketë apo të prodhojë armë të tilla. Nëse do të ishte kështu ose ndryshe, kjo do të mund të shihet më qartë kur të ketë më shumë dritë, më shumë kthjellim në horizont, në javët dhe muajt e ardhshëm.

Duhet thënë, në fund, se megjithë çka thuhet dhe bëhet nga ana e Iranit, e kam fjalën për uljen e zbatimit nga ana e tij të dispozitave të JCPOA, është fakt se bashkëpunimi i tij me IAEA vazhdon si më parë, inspektimet dhe verifikimet vazhdojnë, inspektorët janë në terren. Por shqetësimi për ndryshim të mundshëm të këtij kursi është i madh.

Intervistoi: Skender Minxhozi

/ dita

Halim Kosova zbulon nismën e nisur me ambasadën e SHBA brenda PD-së, flet dhe si mjek: Si të ndalet largimi masiv

Halim Kosova, ish-deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe mjek i njohur obstetër-gjinekolog, thotë se partia ku ai bën pjesë po i kushton rëndësi etikës dhe pastërtisë së figurës të njerëzve të saj.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Dr. Kosova flet për rëndësinë e ideve të reja që Partia Demokratike ka për të nesërmen dhe propozon zgjidhje për kujdesin shëndetësor në Shqipëri në kushtet kur shumë mjekë dhe infermierë vazhdojnë të largohen nga vendi. Ai ishte në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e Mëngjesit të Lutjeve.

Ku është PD sot, a e kanë humbur njerëzit besimin?
Të jem i sinqertë unë nuk kam një letër e kalem, që të fiksoj të metat te PD. Unë në çdo minutë mendoj si t’ia rris reputacionin PD dhe si të rris besimin e njerëzve te PD, por edhe t’ia rris reputacionin asaj në popullatë.

Ka një perceptim që krerët e opozitës nuk kanë ndryshim, si mund të arrini të vendosni një standard më të lartë për t’i shpëtuar këtij perceptimi?
Shqipëria është vend i vogël dhe njerëzit njihen shumë njëri me tjetrin. Besimi në një forcë politike vjen në radhë të parë nga njerëzit që e përfaqësojnë këtë forcë politike, qoftë PD, qoftë opozitën. Duke e ditur mirë PD këtë, ka disa kohë që ka ngritur Komisionin e Etikës dhe Pastërtisë së Figurës brenda PD.

Nuk është sekret ta them, që ambasada amerikane në Tiranë më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për ta nxitur këtë projekt, pasi nuk kisha ndonjë ide për t’ia nisur punës, por ata janë shumë të gatshëm kur bëhet diçka e mirë për të parandaluar korrupsionin. Kemi ndërtuar një pyetësor, që do të thoja perfekt, se si të përzgjidhen njerëzit, që do të hyjnë nesër në PD apo që janë edhe brenda PD, dhe që janë figurat e ardhshme të marrjes së pushtetit apo pozicioneve shumë të rëndësishme në qeverisjen e vendit.

Çdo institucion nesër, që PD do të marrë, kur të marrë pushtetin, do njeriun perfekt, që të bëjë punën, njeriun me figurë të pastër, por edhe me ide të shëndosha. Dekriminalizimi është i përshkruar me hollësi, që nuk ka mundësi asnjë t’i shpëtojë këtij lloj vaksinimi kundër të keqes nesër ose pasnesër.

Udhëheqja e PD sot ka një apati, si do vazhdohet
Unë nuk hyj në atë grupin që vendos nëse do bëhet apo jo protestë. Unë mendoj se përmes protestave të dhunshme asnjëherë nuk mund të vish në pushtet. Më e rëndësishme se protestat është ajo se çfarë premton PD dhe me çfarë njerëzish përballet apo për të nesërmen. Pra, nëse njerëzit shohin se një ide shumë të mirë të PD e thotë një njeri që s’ka derdhur djersë asnjëherë në jetën e vet dhe që nuk është i besueshëm si figurë, kuptohet që kjo e cenon reputacionin e PD.

A ka nevojë PD për një lloj procesi demokratizimi të brendshëm?
Demokratizimi është një rrugëtim pa fund. Sa më i madh e përparuar të jetë, aq më mirë është për vendet dhe për PD vetë. Nuk mund të themi që demokratizimi duhet të shkojë deri në një pikë dhe mjaft. Demokratizimi duhet të vazhdojë pafundësisht.

Ç’mund të thuhet për gjendjen e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, meqë jeni mjek, nga ana tjetër ka një largim në masë të mjekëve drejt vendeve të tjera, si mund të zgjidhet kjo situatë?
Sa i takon nënës dhe fëmijës, ku kam punuar për 40 vjet, kam marrë iniciativën dhe kam nisur një tur me një personel të vogël mjekësor nëpër të gjitha zonat, ku mungon ky shërbim kaq i rëndësishëm. Ideja ka qenë e thjeshtë, sa të vijnë 40 gra nga një zonë shumë e thellë dhe me vështirësi ekonomike në Tiranë, po marr unë pajisjet dhe po shkoj atje e po iu shërbej. Të jeni i sigurt se unë pas vizitës në disa qytete do të ndërtoj një strategji se si gjithë armata e mjekëve, që janë aktualisht në kryeqytet, të mos rrinë të mbyllur në spital, po si ta organizojmë këtë punë nëpër gjithë Shqipërinë.

Do bëhet falas?
Po, unë e bëj falas dhe në mënyrë vullnetare, por të gjithë mjekët duhet ta bëjnë në mënyrë të detyrueshme nga qeveria. Sot, ekzistojnë shumë zona, ku nuk ka asnjë lloj bluze të bardhë. Në një zonë ku ikin mjekët, mësuesit… do të ikë dhe gjithë popullata.

(BalkanWeb)

Me dashuri për Shqipërinë, nga Melburni i largët- Intervistë me z. Fritz Radovani – Nga Entela Binjaku

Australia është një vend i largët dhe i pazbuluar në mjaft drejtime për shumë prej nesh që nuk kanë pasur mundësinë ta vizitojnë apo të takohen me njerëz që jetojnë atje. Sot me lehtësirat që ka krijuar teknologjia, kufijtë janë thjesht imagjinarë dhe njerëzit ndjehen më afër se ndonjeherë. Biseda me zotin Radovani nisi falë shqetësimit mbi zjarret që pushtuan shumë nga zonat e Australisë, por dëshira për ta intervistuar ka qenë e kahershme. Kërkesën time ai e pranoi dhe teksa lexoja përgjigjet, më shtohej edhe më shumë admirimi për personalitetin e tij, për gjuhën e përdorur, kujtesën e cmuar dhe informacionin e pasur, që duke ma besuar, më dha mundësinë ta ndaja me lexuesit.

Ndiqeni në vijim intervistën me Fritz Radovani.

z. Radovani prej sa vitesh jeni në Australi dhe cila ka qenë rruga juaj deri tani?

E Nderueme zj. Entela,

Së pari Ju falnderoj per dëshiren Tuej per një komunikim direkt dhe me zemer të hapun. Kjo asht meritë e Jueja!

U bane në Dhjetorin që shkoi plot 20 vjet që jam në Australi. Kur kam ardhë këtu, tue mos dijtë anglishten ishe po ai jetim që mbeta mbas bombardimit të 13 Tetorit 1943… Dyert e shkollave të hapuna per ne, ishin një mrekulli e madhe per me kuptue ku jemi e nga erdhëm?

Australia njihej pak e aspak prej meje. Pritja nga Kryetari i Komunitetit Shqiptar z. Sezar Jakupi dhe Kryetari i Shoqnisë Katolike të qytetit të Melbournit z. Lekë Ndreka, ishin një ngrohje shpirtnore e pakufi.

Sa i lidhur ndjeheni me Shqipërinë dhe me cilën pjesë të saj e gjeni më shumë këtë lidhje?

Lidhja me Shqipninë ishte e përditëshme, sepse nuk mungonin as vizitat nga shqiptarët e larguem prej Atdheut që nga vitet 1946 – 47, të cilët vinin me më takue sikur i kishe njerzit e mij të dashtun, edhe pse asnjëherë nuk i kisha njohë as komunikue me Ata, që fatkeqsisht si zonja Lezina Vata, si dhe zotni Pjeter Gjoni tashti nuk jetojnë ma.       Ata ishin për mue miq aq të dashtun sa nuk u zëvendsuen kurrma…

Si e morët vendimin për tu vendosur kaq larg?

Largimi nga Shqipnia nuk ishte dëshira ime. Ai ishte një imponim i dhunshem me kërcnim jete dhe, vetëm i Ndjeri Ferdinand Temali e ka përjetue me mue atë kohë, mbasi Ai dhe vetëm Ai.., më shpetoi jeten. Ardhja në Australi për mue ishte ma afer se Zalli i Kirit…E, Rrëmaji!

Si do të jua përshkruanit lexuesve tanë vendin ku jetoni?

Vendi ku jetoj asht një nga mrekullitë e Shek. XX, dhe per me dashtë me e kuptue kush asht Melbourne, Sidnej apo Adelajde e kësaj bote të panjohun për ne shqiptarët, vetem me pa zhvillimet e kampionateve të tenisit nder këta vende, apo në koncertet që jepen për Krishtlindje dhe Festa nacionale, dhe garat e kuajve të dashtun të kontinentinentit… Vetem atëherë mërrinë me njoh edukatën dhe qytetnimin e mërrijtun nga jeta demokratike dhe liria e plotë e mendimit të australianëve. Kudo e gjithshka asht në shërbimin e së ardhmes per një jetë ma të lumtun!

Shpesh në shkrimet tuaja zë vend e kaluara, historia me njerëz dhe fakte. Si arrini ti ruani kaq mirë në kujtesë disa prej tyre?         Si dokumentoheni për artikujt tuaj përkujtimorë?

Unë kam pasë fatin me njoh njerzit ma të nderuem të Shkodrës gjatë gjithë kohës që jetova atje dhe u bana 60 vjeç, tue fillue nga mësuesit, ku nuk harroj edukaten që kemi marrë nga profesorat e Elbasanit, kur ishe në shkollen e mesme Pedagogjike e deri tek Liceu Artistik me korespondencë në Tiranë, kuptohet shumë i rij me moshë. Profesorat e vizatimit Luigj Sheldija, Simon Rrota dhe Vladimir Jani, ku mora disa nga virtytet e jetes së Tyne si piktor, e deri tek Prof. Zef Shoshi në Tiranë, ishin dhe mbetën përjetsisht të daltuem në formimin tim Shpirtnuer!

Ndersa, gjithmonë jam krenue e krenohem me kenjen time “nxanës i një prej burrave ma të nderuem të Elbasanit, Pedagogut Gani Daiu, ish Drejtor i Shkollës Pedagogjike të Shkodres, dhe Prof. Ndriqim Gjates,  po nga Elbasani, që më la “një porosi” para transferimit nga Shkodra…” Ata më siguruene perfundimin e shkollës dhe fillimin e jetes… Tue mos harrue asnjëherë Prof. Roza Bebi, Dedë Shala, Arta Franja etj…  Persa I perket kujtimeve të mija ata fillojnë me Prof. Sadedin Hotin e Shkodres.

Artikujt përkujtimor janë pjesa e pashlyeshme e atyne kujtimeve që sot më bajnë me kenë krenar i Asaj Shkoder ku linda dhe u bana Njeri. Një meritë per këte ka nana ime, që nuk e harronte kurr rrugën e jetës, sado e vështirë kjoftë ajo: “Brinjë kaçubave me ferra dalin vjollcat e bukra…”


Kleri katolik sipas jush çfarë vendi ka zënë në historinë tonë?

Historia e popullit shqiptar ka një fillim të shkruem nga i Madhi Imzot Pal Engjulli, në të parët e fisit tim. Vazhdimi i rrugës së Tij deri në ditët tona nga mbasardhësit e nderuem, dhe hapja e shkollës së Shirokës në shtëpinë e gjyshit tim Tomë Radovanit, nga Don Zef Ashta në 1874,     që me qellim “harrohet”, tregon se Kleri Katolik Shqiptar e ka ngritë dhe e ka sterngritë monumentin e vet të atdhetarizmit dhe të lavdisë së Tij. Ndersa axha i Nanës sime, At Mati Prennushi ishte Ai që i dorzoi nga gjoksi i vet Dedë Gjo’ Lulit Flamurin e Shqipnisë, që u ngrit në Deçiq në vitin 1911. Gjyshja ime, nana e babës Kolë, Gjystja Gurakuqi ishte bash vajza e axhës e të Madhit Luigj Gurakuqi, që po e persëris thanjen time: “Po mos t’ ishte nji ky burrë, kurr në Shqipni s’ u ngrit Flamur!”

Pa i mbushë 10 vjetët, këta Visare të Shenjta, ishin mësimet që më brumosi daja i im në Dajç të Bregut të Bunës, Don Kolec Prennushi…

Çfarë ju mundon më shumë kur është fjala për Shqipërinë?

Ajo që më mundon ma shumë asht “gjymtimi i shkollave Shqiptare”! Nuk mund të kuptoj sesi perjashtohen njerzit ma të mëdhaj të historisë, tue fillue nga Herojt e Atdheut që dhane jeten per Liri e Perparim, e tue vazhdue me figurat e nderueme të letersisë, artit dhe të kultures sonë kombtare Shqiptare. Po ndiqet rruga ma e shemtueme e tradhtisë ndaj Atdheut, drejt humbjes së Lirisë dhe Pamvarsisë fitueme me gjak…  E kjo bahet per me i sherbye fqinjëve të njohun prej sa vitesh në sa e sa dokumenta historike të Esad Pashë Toptanit me Malin e Zi.., të Ahmet Zogut me Pashiqin, Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe deri tek fundi i koshit…”rilindasi” Edi Rama, me serbë, rusë, grekë, kinez, turq, italian’e kush ti mbushin xhepat.., per veprat tradhtare kunder Shqipnisë së të Madhit Gjergj Kastrioti – Skenderbeu e deri tek e Madhja Nana Tereze…

A ka rrugëdalje për problemet e shqiptarëve në të dy shtetet tona në Ballkan? Sipas jush ku gabojmë ne që gjendja është kjo që është?

Rruga e vetme e daljes nga balta shekullore asht vetem NJË:
Shkatrrimi deri në themel i “Murit Shkumbinit”… Unifikimi i Gjuhës Shqipe dhe studimi i Shkrimtarëve Shqiptar nga Rinia Shqiptare, ku duhet të perfshihen Trojet tona dhe shkollat nder shtete të hueja.

Duhet medoemos me ripunue tekstet e Historisë, Gjuhës dhe Letersisë mbi bazat shkencore të dijetarve Shqiptarë, që mendonin per Atdheun e Lirë dhe të Pavarun, me baza demokratike e jo anadollake. Shqipnia dhe Shqiptarët I perkasin vetem Europës dhe VETEM Asaj!

A ka një mesazh që e keni më për zemër ta ndani me lexuesit tanë?

Mesazhi im asht vetem ky: “Vllaznim  e vetem vllaznim! Luftoni e mos hezitoni me zhdukë fanatizmin nder organet drejtuese Shtetnore kudo kjofshin ata. Kerkoni me Ju drejtue njerzit e Kultures Europjane! Ata i keni në mesin Tuej… Vetem zgjidhni nga prejardhja e Tyne, nga Ajo gurrë e pashueme e Vllaznimit, Bashkimit kombtar dhe e Lirisë së Shqipnisë Kastriotit..,në këte vit 2020-të, Perkujtimor t’ At Fishtës!

Ju uroj një Shqipni të Lirë dhe Ju falemnderes që më keni kujtue!

Me shumë respekt, Fritz Radovani. Melbourne, 2 Shkurt 2020.